""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Tregime rreth 'Abdu'l-Bahá-it


TREGIME
RRETH
‘ABDU’L-BAHÁ-IT

Botuar nga
G. FAIZI

nga një dorëshkrim i sjellë
nga Kuvendi Kombëtar Shpirtëror
i Bahá’í-ve të Indisë

 

Original Title:
Stories about ‘Abdu’l-Bahá
published by Bahá’í Publishing Trust, New Delhi, India
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të botimeve bahá’í

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2001 - 158 E.B.

 

PARATHËNIE


 Në mesin e shekullit të 19, në kohën kur fanatizmi racor dhe fetar ishte në kulmin e tij, një fisnik persian, Bahá’u’lláh-u, shpalli Mesazhin Hyjnor të dashurisë dhe të unitetit. Ai u bëri thirrje gjithë kombeve dhe besimeve fetare të botës që të harrojnë ndryshimet mes tyre, të pranojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe të punojnë së bashku për unitetin e gjithë racës njerëzore.
    Bahá’u’lláh-u është themeluesi i Besimit Bahá’í. Jeta e Tij e shenjtë dhe mësimet e Tij të bukura tërhoqën njerëz të sinqertë nga shumë vende të ndryshme, por kleri i fuqishëm i Iranit u ngrit kundër Tij. Atë e hodhën në një birucë të ndyrë që quhej “Pusi i Zi” dhe më vonë u dëbua nga vendlindja e Tij. Mijëra idhtarë të Tij, të njohur si Bahá’í* u vranë dhe u bë çdo përpjekje për të ndaluar mësimet e Tij të përhapeshin në masat e gjera. Por Besimi Bahá’í u rrit pavarësisht nga çdo kundërshtim. Sot, paksa një shekull më vonë, njerëzit nga raca të ndryshme, kombe dhe fe të ndryshme të botës, kanë identifikuar veten me Besimin e Bahá’u’lláh-ut dhe kanë krijuar më se 96.000 qendra në gjithë globin.**
 Bahá’u’lláh-u ndërroi jetë më 1892 jashtë qytetit-burg të ‘Akká-së në Tokën e Shenjtë, e cila qe vendi i Tij i fundit i mërgimit. Para se të ikte nga kjo botë, Bahá’u’lláh-u e siguroi Besimin e Tij nga përçarja (ndarja) në sekte me emërimin e Birit të Tij, ‘Abdu’l-Bahá, si një njeri tek i Cili gjithë ithtarët e Tij do të ktheheshin për të marrë drejtim.
    Skica e mëposhtme e shkurtër nga jeta e ‘Abdu’l-Bahá-it është marrë nga libri Besimi Bahá’í—Hyrje:
  ‘Abdu’l-Bahá do të thotë Shërbëtor i Lavdisë. Ky titull, me të cilin Ai e zgjodhi ta thërrisnin, përmbledh jetën e Shembullit të Besimit Bahá’í. Nga ditët e Tij të hershme, kur si fëmijë Ai shkoi të takonte Bahá’u’lláh-un në birucën e Teheranit, deri në kohën kur pas një jete vuajtjesh dhe triumfesh, Ai u la të pushonte në shpatet e Malit Karmel, Ai pati vetëm një dëshirë: t’i shërbejë Cështjes së Bahá’u’lláh-ut.
    Ai ishte tetë vjeç kur Bahá’u’lláh-un e futën në “Pusin e Zi”. Gjithë pasuria e tyre u konfiskua dhe madje edhe miqtë e tyre kishin frikë t’u afroheshin. Në shtëpinë boshe, nëna e ‘Abdu’l-Bahá-it hodhi një grusht miell në pëllëmbën e Tij, si i vetmi ushqim që ajo mundi të siguronte. Kur Ai dilte në rrugë, e qëllonin me gurë, si fëmijë i heretikëve. Më vonë, Ai ndoqi Babanë e Tij në mërgim dhe me dëshirë ndau gjithë vuajtjet e Tij kur Ai u dëbua nga një vend në tjetrin dhe më në fund përfundoi në Burgun e ‘Akká-së.
    Kur Ai u burrërua, ‘Abdu’l-Bahá-i konsiderohej si një mishërim i gjithë virtyteve, që dëshironin të arrinin Bahá’í-t. Ai ishte i urtë dhe i sjellshëm, Ai ishte bujar dhe trim. Ai kombinonte zgjuarsinë e madhe me përuljen prekëse dhe dashuria e Tij për Zotin dhe ndjekësit e Tij nuk njihte kufi. Ai kalonte çdo ditë të jetës së Tij duke u shërbyer të tjerëve dhe duke i sjellë gëzim të gjithëve rreth Tij. I varfëri dhe i sëmuri ishin përkujdesi i Tij i posaçëm dhe jetimët e shihnin Atë si baba. Miqtë e Tij e donin deri në adhurim dhe armiqtë e Tij nuk mund të gjenin asnjë të metë në Karakterin e Tij të bukur. Pozita e Tij nuk është ajo e Mesazherit të Zotit,* por jeta e Tij është shembulli i përsosurisë njerëzore.
    Gjatë jetës së Bahá’u’lláh-ut, ‘Abdu’l-Bahá-i ishte miku i tij më i ngushtë. Ai nuk i kurseu vetes asnjë telash, me qëllim që kjo të ishte si një ngushëllim për jetën e Babait të Tij. Ai mori mbi Vete detyrat e lodhshme të përditshme, që Bahá’u’lláh-u të mund të përkushtonte kohën e Tij për çështje më të rëndësishme. Shumë prej atyre që grumbulloheshin në shtëpinë e tyre në Bagdad** ishin të kënaqur të takonin ‘Abdu’l-Bahá-in dhe sillnin tek Ai pyetjet e tyre, ndonëse Ai ishte akoma i ri. Ndërsa koha ecte, Bahá’u’lláh-u Vetë do të inkurajonte ithtarët e Tij të çonin problemet e tyre tek ‘Abdu’l-Bahá-i, të Cilit Ai me dashuri i referohej si “Mjeshtri”.
    Pasi Bahá’u’lláh-u ndërroi jetë, Bahá’ít u kthyen tek ‘Abdu’l-Bahá-i si udhëheqësi dhe udhërrëfyesi i tyre. Përkushtimi i Tij vetëmohues ndaj Çështjes së Zotit ishte një frymëzim për të gjithë ata. Udhërrëfimi i Tij i ndihmonte ata të përcillnin Mesazhin në pjesë të ndryshme të botës.   
  ‘Abdu’l-Bahá ishte ende i burgosur në ‘Akká. Me ndërrimin jetë të Bahá’u’lláh-ut, armiqtë e Besimit gjetën zell të freskët dhe ringjallën sulmet e tyre mbi ‘Abdu’l-Bahá-in, i Cili ishte i izoluar në muret e qytetit. Sidoqoftë, nëpërmjet korrespondencës së Tij të gjerë, Ai mbajti kontakte të vazhdueshme me Bahá’ít kudo që gjendeshin, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, duke udhëhequr aktivitetet, duke lartësuar shpirtrat e tyre kur ata persekutoheshin për Besimin e tyre.
    Persekutimet e një lloji apo një tjetri ranë mbi ‘Abdu’l-Bahá-në Vetë për shumë vjet. Megjithatë, Ai mbeti i qetë dhe i lumtur. Gëzimi i Tij i jetës dhe sensi i Tij i këndshëm i humorit kurrë nuk e lanë. “Shtëpia ime është shtëpia e të qeshurit dhe e gazit”, do të thoshte Ai. Kur njerëzit çuditeshin se ç’e mbante Atë të lumtur në këto kushte përpjekjesh, ai thoshte se s’ka asnjë burg përveç burgut të vetes.
    Më në fund, revolucioni i Turqve të Rinj i liroi gjithë të burgosurit e ‘Akká-së dhe burgosjes së ‘Abdu’l-Bahá-it i erdhi fundi. Robëria e Tij në Tokën e Shenjtë kishte zgjatur dyzet vjet! Ai ishte futur në burg që në rini dhe doli prej tij plak. Megjithëse ai kishte rënë nga shëndeti, shpirti i Tij ishte i patundur dhe, sapo mori lirinë e lëvizjes, Ai vendosi të çonte Mesazhin e Bahá’u’lláhut në botën Perëndimore.
    Besimi Bahá’í i cili u përhap së pari në Lindjen e Mesme, Lindjen e Largme dhe Afrikën e Veriut, do të vendosej tashmë në Evropë dhe Amerikë. Tashmë një numër i Bahá’í-ve Perëndimorë kishin ardhur të vizitonin ‘Abdu’l-Bahá-in në Tokën e Shenjtë dhe ktheheshin të ndezur nga entuziazmi e të vendosur për të përhapur Mesazhin në gjithë vendet e Perëndimit.
    Udhëtimet e shumta të ‘Abdu’l-Bahá-it në tërë Evropën dhe Amerikën, kur Ai ishte pothuajse shtatëdhjetë vjeç, e çoi Besimin në vëmendjen e miliona njerëzve. Atë e ftonin të fliste në kisha dhe sinagoga, tempuj dhe xhamia, universitete dhe institucione bamirëse. Mijëra njerëz, nga zyrtarët më të lartë qeveritarë, shkencëtarë dhe filozofë, deri tek punëtorët e përvuajtur dhe të varfër, vinin ta takonin Atë nga mëngjesi herët deri natën vonë; dhe ‘Abdu’l-Bahá-i u jepte atyre lirshëm gjithçka nga zgjuarsia dhe dashuria e Tij. Ata largoheshin të lartësuar, të mbushur me shpresa të reja dhe të befasuar nga Njeriu, i Cili kishte kaluar shumicën e jetës së Tij në burg dhe ende i kuptonte kaq mirë problemet e të tjerëve dhe kishte kaq njohuri të gjera për punët e botës.
    Miliona të tjerë, të cilët nuk e kishin takuar ‘Abdu’l-Bahá-in, kishin dëgjuar rreth Tij dhe Mesazhin që ai kishte sjellë në brigjet e tyre përmes duzinës së artikujve të botuar.
    Nga shembulli i jetës së Tij, ‘Abdu’l-Bahá-i tregoi se si mund të vihen në jetë idealet shpirtërore më të larta në çfarëdolloj kushtesh dhe në situata të ndryshme; si në atë të jetës së tyre në një koloni të detyruar, ashtu edhe në qytetet më moderne të botës.
    ‘Abdu’l-Bahá-i ndërroi jetë në Tokën e Shenjtë më 1921, duke i shërbyer Çështjes, që Ai e dashi aq shumë deri në ditën e fundit të jetës së Tij. Ai njëherë kishte thënë: “Vini re një qiri se si e jep ai dritën e tij. Ai i jep fund jetës së tij pak e nga pak, që të japë sa më shumë flakë të dritës së tij.” Sa mirë u vu në jetë kjo nga ‘Abdu’l-Bahá-i, i cili e vuri Veten në dispozicion, ditë e natë, me qëllim që t’u ndriçonte rrugën të tjerëve.

*  *  *

    Tregimet në këtë libër janë një përzgjedhje e vogël e nxjerrë nga shumë materiale të regjistruara rreth ‘Abdu’l-Bahá-it. Burimet prej të cilave këto tregime janë përshtatur, janë dhënë në fund të librit.

TREGIME RRETH ‘ABDU’L-BAHÁ-IT


1.  Gjithmonë ‘Abdu’l-Bahá u jepte rëndësi veprave dhe jo fjalëve. Ai u bë një shembull. Si udhëheqës i vërtetë, Ai nuk u tha kurrë pasuesve të Tij të bënin ndonjë gjë, të cilën Ai vetë s’e kishte bërë më parë.
  Jeta e ‘Abdu’l-Bahá-it në ‘Akká ishte e ngarkuar me punë për të mirën e të tjerëve. Ai do të çohej shumë herët, do të pinte çajin dhe pastaj fillonte punët e Tij të dashura. Shpesh, Ai nuk kthehej në shtëpinë e Tij deri në mbrëmje vonë pa ushqim e pushim gjithë ditën.
  Ai do të shkonte së pari në një dhomë të madhe që e kishte marrë me qira. Këtu ai priste miqtë e Tij dhe çdo ditë njerëzit do të vinin në turma të kërkonin ndihmë nga ‘Abdu’l-Bahá-i.
  Për shembull, një njeri që donte të hapte një dyqan do të vinte tek Ai ta pyeste. Një njeri tjetër do ta pyeste se si hartohej një letër drejtuar qeverisë. Ndoshta do të ishte një grua e varfër, burrin e së cilës e kishin marrë ushtar, ndërsa ajo me fëmijët vuanin urie. Ose një tjetër do të vinte t’i tregonte Atij se si fëmijët e dikujt po trajtoheshin keq, ose t’i tregonte për një grua që rrihej nga burri apo vëllai i saj.
  ‘Abdu’l-Bahá-i do të dërgonte një njeri të kualifikuar të paraqiste rastet e këtyre njerëzve të varfër para gjykatësit në Gjykatë. Në këtë mënyrë, Ai siguronte drejtësi për ta.
  Kishte gjithashtu miq të tjerë, miq tepër të rëndësishëm. Guvernatori, kleri dhe zyrtarët e Gjykatës  vinin shpesh, ose vetëm, ose në grupe, të vizitonin ‘Abdu’l-Bahá-in. Ai u servirte atyre kafe të shijshme dhe së bashku diskutonin rreth të rejave të fundit.
  Ata përherë do ta pyesnin ‘Abdu’l-Bahá-in për shpjegime, këshilla, ose komente, sepse ata e shihnin që Ai ishte plot dashuri dhe dije, mirëkuptim dhe ndihmë praktike. Kur sesioni i Gjykatës mbaronte, gjyqtari gjithmonë do të vinte të takonte ‘Abdu’l-Bahá-in. Ai do t’i shpjegonte Atij rastet më të vështira, sepse e dinte që ‘Abdu’l-Bahá do t’i zgjidhte gjithmonë me drejtësi.
  Kalonin ditë, që ‘Abdu’l-Bahá-i mezi shihte familjen e Tij pasi turma njerëzish vinin për lloj-lloj ndihme. Njerëzit e sëmurë ishin kujdesi i Tij i përhershëm. Kurdo që ata dëshironin ta takonin Atë, Ai shkonte. Tek çdo njeri i sëmurë Ai dërgonte një njeri çdo ditë për ta pyetur: “A ke fjetur mirë? Si je? A ke nevojë për gjë?” Nëqoftëse ata kishin nevojë për ilaçe ose ndonjë gjë tjetër, Ai merrte masa që t’i merrnin ato. Ai nuk tregohej kurrë i pakujdesshëm për ndonjërin ose për ndonjë gjë, përveç pushimit dhe ushqimit të Tij.
  Ndonjëherë njerëzit dërgonin ëmbëlsira për ‘Abdu’l-Bahá-in si falenderim për shërbimin e Tij, por gjithë ëmbëlsirat, frutat dhe kekët që Ai merrte, çoheshin tek dhoma përtej rrugës për t’ua dhënë vizitorëve. Arabët e quajtën Atë “Zotëria i Bujarisë”. (CH 100)

*  *  *

2.  ‘Abdu’l-Bahá besonte në përdorimin e ilaçeve si dhe në shërbimin shpirtëror. Përderisa nuk kishte spital në ‘Akká, ai pajtoi një mjek i quajtur Nikolaki Bei. Ai i dha mjekut një rrogë të rregullt për t’u kujdesur për të varfërit dhe i kërkoi atij që të mos tregonte se kush e paguante për shërbimin. Por gjithmonë, të varfërit shkonin tek ‘Abdu’l-Bahá-i për ndihmë.
  Për shembull, ishte një grua e varfër sakate, e quajtur Naum, e cila vinte tek ‘Abdu’l-Bahá-i çdo javë për të kërkuar para si dhuratë. Një ditë një burrë erdhi duke vrapuar: “O Mjeshtër!” tha ai, “Naumes së varfër i ka rënë fruthi dhe të gjithë rrinë larg saj. Ç’mund të bëhet?” ‘Abdu’l-Bahá-i menjëherë dërgoi një grua që të kujdesej për të. Ai mori me qira një dhomë, vendosi orenditë e veta në të, thirri doktorin dhe i dërgoi ushqim dhe gjithçka duhej. Ai shkonte dhe e shihte nëse ajo kishte tërë vëmendjen e duhur. Dhe kur ajo vdiq në qetësi, Ai i bëri një funeral të thjeshtë dhe i pagoi Vetë të gjitha shpenzimet. (CH 101)
 
  *  *  *
 
3.  Lua Getsinger, një nga Bahá’ít e vjetër të Amerikës, tregon për një rast që ka patur me ‘Abdu’l-Bahá-in në ‘Akká. Ajo kishte qenë për pelegrinazh në qytetin-burg për të parë ‘Abdu’l-Bahá-in. Ajo qëndroi me Të një ditë kur Ai i tha se ishte shumë i zënë atë ditë pasi do të vizitonte një mikun e Tij, i cili ishte shumë i sëmurë dhe i varfër. Ai donte që Lua të shkonte në vend të Tij.
  “Jepi atij ushqim”, tha Ai, “dhe kujdesu për të ashtu siç do të kujdesesha unë”. Ai i tregoi asaj se ku do ta gjente këtë njeri dhe ajo u nis me kënaqësi, krenare që ‘Abdu’l-Bahá-i po i besonte asaj të bënte disa nga punët e Tij.
  Lua shkoi, por u kthye shpejt. “Mjeshtër”, tha ajo, “me siguri që ju nuk mund ta kuptoni se në ç’vend të tmerrshëm më dërguat! Pothuajse sa s’më ra të fikët nga era e tmerrshme, dhomat e ndyra, kushtet e këqija në të cilat gjendej ai njeri e shtëpia e tij. Unë u largova menjëherë para se të merrja ndonjë sëmundje të tmerrshme.”
  ‘Abdu’l-Bahá-i e pa atë i prekur dhe si një baba i paepur. “Nëse ju doni t’i shërbeni Zotit”, tha Ai, “ju duhet t’i shërbeni atij njeriu, sepse tek ai ju shihni imazhin dhe ngjashmërinë e Zotit.”
  Ai pastaj i tha asaj të kthehej përsëri tek shtëpia e tij. “Nëqoftëse shtëpia është e papastër”, tha Ai, “ju duhet ta pastroni atë; nëse ky vëlla i juaji nuk është i pastër, laje atë; nëse ai është i uritur, ushqeje atë. Mos u kthe derisa t’i bësh këto. Shumë herë ‘Abdu’l-Bahá-i e ka bërë këtë për atë; ju nuk mund t’i shërbeni vetëm njëherë?” Kështu ‘Abdu’l-Bahá-i i mësoi Lua-s si t’u shërbente njerëzve të saj. (PF 85)

*  *  *

4.  Shpesh kur familja e ‘Abdu’l-Bahá-it ishte gati të ulej për të ngrënë darkë në ‘Akká, Ai do të njoftohej se disa fatkeqë nuk kishin për të ngrënë. Pa pyetur, familja do të paketonte ushqimin e saj në një shportë dhe do ta dërgonte atë tek familja e uritur. Në raste të tilla ‘Abdu’l-Bahá-i buzëqeshte dhe thoshte, “S’ka gjë për ne. Ne hëngrëm darkë mbrëmë dhe do të hamë përsëri nesër”. (SW Vol. 8, Nr. 1, p.4)

*  *  *

5.  Gjatë jetës së Tij në burgun e ‘Akká-së, ‘Abdu’l-Bahá-i shpesh i jepte krevatin e Tij atyre që s’kishin fare dhe refuzonte gjithmonë të kishte më tepër se një pallto. “Pse duhet të kem dy,” thoshte Ai, “kur ka shumë të tjerë që s’kanë asnjë”.
  Një ditë ‘Abdu’l-Bahá-i kishte një pritje me Guvernatorin e ‘Akká-së. Gruaja e Tij mendoi se palltoja e tij e vjetër nuk ishte dhe aq e mirë për këtë vizitë të rëndësishme. Ajo donte që ‘Abdu’l-Bahá-i të kishte një pallto tjetër më të mirë, por Ai kurrë nuk vinte re se ç’vishte, përderisa të ishte e pastër. Ajo preokupohej se ç’duhet të bënte në këto raste.
  Më në fund, ajo vendosi që duhej të bënte një pallto të re për Të dhe në mëngjes të vizitës ajo do të nxirrte të renë në vend të së vjetrës. Ajo besonte se Ai me siguri nuk do ta vinte re ndryshimin. Kështu që porositi një pallto të mirë e disi të shtrenjtë, të bërë nga një rrobaqepës. Dhe në ditën e rëndësishme ajo e la atë aty ku ishte e sigurt se ‘Abdu’l-Bahá-i do ta gjente.
  Por kur ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi të vishej, Ai menjëherë vuri re se diçka s’ishte në rregull. Kështu që filloi të kërkonte nëpër shtëpi. Ai thirri: “Ku është palltoja ime? Ku është palltoja ime? Dikush më ka lënë një pallto që s’është e imja!”
  Gruaja e Tij u mundua atëhere t’i shpjegonte se ç’kishte ndodhur, por ‘Abdu’l-Bahá-i, i Cili mendonte gjithmonë më parë për të tjerët se sa për veten e Tij tha: “Pa mendohu për këtë! Me çmimin e kësaj palltoje ti mund të blije pesë nga ato që unë përdor zakonisht dhe mendon se unë do të shpenzoja kaq para për një pallto që vetëm unë do ta vesh? Nëqoftëse ti mendon se Unë dua një të re, shumë mirë, por ktheje këtë dhe i thuaj rrobaqepësit që për të njëjtin çmim të bëjë pesë si ato që vesh unë zakonisht. Atëhere do të shikosh se unë jo vetëm do të kem një të re për vete, por edhe katër të tjera për t’i dhënë.”(OR 164)

*  *  *

6.  Disa prej Qeveritarëve të ‘Akká-së ishin shumë të dashur me ‘Abdu’l-Bahá-in, por disa të tjerë dëgjonin më shumë armiqtë e Tij se sa miqtë dhe bënin gjëra të këqija. Për shembull, disa armiq të ‘Abdu’l-Bahá-it menjëherë filluan të hapnin fjalë se ‘Abdu’l-Bahá-i kishte lënë ‘Akká-në dhe kishte shkuar në Haifa. Me ndihmën e shumë miqve të Tij, thanë ata, Ai po ndërton një kala të fortë mbi Malin Karmel. Shumë shpejt Ai do të zaptojë gjithë Palestinën e Sirinë dhe Qeveria Turke do të dëbohet.
  Ishte e vërtetë se ‘Abdu’l-Bahá-i ndodhej në ajrin e pastër të Haifës me familjen e Tij dhe ishte e vërtetë, që Ai kishte miq të kombësive të ndryshme dhe se e ashtuquajtura kala që  po ndërtonte ishte në të vërtetë Mauzoleumi i shenjtë i Báb-it.* Guvernatori, megjithatë u besoi thënieve të armiqve dhe familja e ‘Abdu’l-Bahá-it u kthye mbrapsht në qytetin-burg të ‘Akká-së edhe njëherë.
  Në një rast një Guvernator keqdashës, i cili i urrente Bahá’ít vendosi t’u merrte atyre dyqanet dhe t’i linte ata pa asnjë mjet jetese. Kështu që ai i dha urdhër policisë: “Janë pesëmbëdhjetë dyqane të Bahá’í-ve; shkoni nesër në mëngjes herët, kyçini ato dhe m’i sillni çelsat mua.”
  ‘Abdu’l-Bahá-i thirri Bahá’ít po atë mbrëmje dhe u tha: “Mos i hapni dyqanet tuaja nesër, por prisni e shihni se çdo të na dërgojë Zoti.”
  Mëngjesin tjetër, Guvernatori priti për çelsat. Policia shkoi tek ai dhe i tha se dyqanet ishin mbyllur. Guvernatori dërgoi përsëri policinë dhe tha: “Shihni në se dyqanet janë hapur tani.” Policët u kthyen dhe thanë se dyqanet ishin ende mbyllur. Ata pritën e pritën. Në orën dhjetë dyqanet ishin ende mbyllur, ndonëse ato zakonisht hapeshin për tregti në shtatë të mëngjesit. Megjithatë, Guvernatori e dinte se dyqanet do të hapeshin njëherë, kështu që ai priti.
  Ndërkohë, Kleriku i lartë i qytetit shkoi te Guvernatori. “Si jeni me shëndet?”-pyeti Guvernatori. “Fare mirë,” u përgjigj Kleriku i Lartë. Por jam shumë i pikëlluar. Këtu kam një telegram nga Damasku, i cili më mbush me trishtim.”
  Guvernatori mori telegramin dhe u shtang nga lajmi që ishte dërguar nga Qeveria Qendrore. Në të thuhej se Guvernatori ishte shkarkuar nga detyra e tij dhe që policia duhet ta çonte atë në Damask menjëherë.”
  Kur ‘Abdu’l-Bahá-i dëgjoi pët fatkeqësinë e Guvernatorit, shkoi ta vizitonte. “Ju nuk duhet të trishtoheni për këtë,” tha Ai. “Çdo gjë në këtë botë ndryshon. A mund të bëj ndonjë gjë për ju?”
  Guvernatori u befasua nga oferta e Tij, por i ishte shumë mirënjohës. Ai tha: “Tani që unë po largohem që këtej nga të dashurit e mi, nuk do të ketë njeri të kujdeset për ta. Familja ime e dashur do të trishtohet, do të jetë në vetmi, pa përkrahje, pa asnjë njeri që t’i këshillojë ata dhe t’ju vijë në ndihmë në rast nevoje.”
  ‘Abdu’l-Bahá-i i tha: “Mos u mërzit, por më thuaj mua ku do që të shkojë familja jote.”
  “Sikur ata të vinin me mua në Damask,” tha ai.
  “Tani më beso mua”, tha ‘Abdu’l-Bahá-i “dhe le të qetësohet zemra juaj. Unë me kënaqësi do t’ju dërgoj gruan dhe fëmijët tuaj nën një kujdes të posaçëm. Ju do ta shihni se ata do të jenë atje jo më vonë se ju.
  Dhe kështu u bë. Kur familja arriti në Damask, Guvernatori qe shumë i lumtur. Ai i pyeti rojet se kush i solli ata dhe sa qenë shpenzimet e udhëtimit. Roja u përgjigj: “Asgjë, unë vetëm i bindem urdhrit të Mjeshtrit, ‘Abdu’l-Bahá-it.”
  Guvernatori atëhere donte t’i jepte rojes një dhuratë, por ai i tha: “Unë nuk dua asnjë shpërblim. Unë vetëm i bindem urdhrave të Mjeshtrit. Unë s’mund të pranoj asgjë.”
  Kur Guvernatori e ftoi të qëndronte atë natë që të pushonte dhe të hante pak ushqim, roja tha: “Unë i bindem urdhrit të Mjeshtrit që të kthehem menjëherë”.
  “Atëhere, ju lutem, çojini një letër ‘Abdu’l-Bahá-it”, nguli këmbë Guvernatori. Dhe shkroi letrën e mëposhtme:
  “O ‘Abdu’l-Bahá, ju lutem të më falni. Unë nuk kuptoja. Unë nuk ju njihja. Unë ju kam bërë të këqija. Ju ma shpërblyet mua me të mira.” (CH 137)

*  *  *

7.  Shumë kohë para Luftës së Parë Botërore, ‘Abdu’l-Bahá-i u tregoi Bahá’í-ve se ata duhet të përgatiteshin për kohë të vështira. Ai u tregoi atyre se si të rrisnin drithra që të merrnin prodhime të larta. Pastaj u tregoi se si ta magazinonin drithin në gropa të nëndheshme që të mos prishej.
  Gjatë luftës, Palestina u shkëput nga vendet e tjera dhe njerëzit s’mund të gjenin ushqim. Shumë njerëz të varfër të Palestinës vuanin urie, shumë të tjerë vdiqën. Por ata që jetonin rreth Haifës dhe ‘Akká-së shpëtuan nga ‘Abdu’l-Bahá, sepse Ai dhe Bahá’ít kishin drithra të mjaftueshme për të ndihmuar të tjerët që s’kishin fare.
  Njerëz të vendeve të tjera që banonin pranë erdhën tek ‘Abdu’l-Bahá-i për pjesën e tyre të drithit dhe ai e ndau atë siç ndan ushtria furnizimet e saj midis ushtarëve. Në këtë mënyrë, mijëra njerëz shpëtuan nga vdekja në atë vend më 1914-1918. (CH 210)

*  *  *
8.  Anglezët nuk e lanë shërbimin joegoist të ‘Abdu’l-Bahá-it të kalonte pa u vënë re. Më 27 Prill 1920, Qeveria Angleze i akordon Atij titullin Kalorsi në qytetin e Haifës. Dhe, ndonëse ‘Abdu’l-Bahá-i nuk ishte i interesuar për nderimin e Tij, Ai e pranoi atë për t’i bërë qejfin Qeverisë. Por edhe në ditën e këtij rasti të madh, Ai qe më i interesuar për shërbëtorin e Tij sesa për nderimin në emër të Tij. Ja se çfarë ndodhi:
  Zyrtarët e Qeverisë që përfaqësonin Kurorën Angleze në Jerusalem, u grumbulluan të gjithë në Haifa, të etur për të nderuar Mjeshtrin, për të Cilin secili prej tyre kishte dashuri e nderim për shkak të jetës së Tij joegoiste për t’u shërbyer të tjerëve. Ata dërguan një automobil të madh në shtëpinë e ‘Abdu’l-Bahá-it për ta sjellë Atë në ceremoni. Por kur arriti makina, ‘Abdu’l-Bahá-i nuk gjendej asgjëkundi. Njerëzit u shpërndanë në të gjitha drejtimet për ta kërkuar Atë. Papritur Ai u duk nga një drejtim që nuk pritej, krejt i vetëm, duke ecur me mënyrën e Tij të thjeshtë, por mbretërore.
  Aty afër qëndronte në këmbë edhe shërbëtori i besuar dhe karrocieri i ‘Abdu’l-Bahá-it, Isfandijari, gëzimi i të cilit kishte qenë që për shumë vjet të drejtonte karrocën e Mjeshtrit, kudo që Ai donte të shkonte. Kur Isfandijari pa makinën e bukur që kishte ardhur për të marrë ‘Abdu’l-Bahá-in, ai u trishtua dhe mendoi, “Tani unë nuk duhem më.”
  Por asgjë nuk shpëtoi pa u vënë re nga ‘Abdu’l-Bahá-i. Kur Ai pa trishtimin në fytyrën e shërbëtorit të Tij të dashur, Ai i bëri me shenjë Isfandijarit të shalonte kalin në karrocë si gjithmonë dhe menjëherë Isfandijari vrapoi për të bërë atë që tha Mjeshtri i tij. Shpejt u duk karroca me Isfandijarin ulur i gëzuar në ndenjësen e drejtuesit. Ai qe i lumtur për aq kohë sa e dinte që ishte i nevojshëm.
  Kur ata arritën në kopshtin e Guvernatorit, të gjithë zyrtarët po prisnin Atë. ‘Abdu’l-Bahá-i i kërkoi Isfandijarit ta çonte përmes një hyrjeje anësore, sepse Ai nuk dëshironte të ishte qendra e ceremonisë së madhe. Dhe asnjëherë nuk e përdori titullin, që iu dha atë ditë - Zoti ‘Abbás Effendi. Ai gjithmonë njihej thjesht si Mjeshtri ose ‘Abdu’l-Bahá-i. (AB 443)

*  *  *

9.  Të rrije me ‘Abdu’l-Bahá-in e bënte një person shumë të lumtur. Gjithashtu, një gjë e tillë ndihmonte për të bërë më të mirë një person. Një nga pelegrinët në ‘Akká ndjeu se kurrë nuk do të ndjente ndonjë gjë  tjetër përveç dashurisë për një qënie tjetër njerëzore. Por megjithatë një pasdite, ndërsa ajo ishte në Tokën e Shenjtë në dhomën e saj me dy miq, ajo foli jo mirë për një mik tjetër.
  Ndërsa ata ishin ulur së bashku, ‘Abdu’l-Bahá-i u kthye nga vizitat tek njerëzit e varfër dhe të sëmurë. Menjëherë Ai dërgoi që të thërrisnin një nga njerëzit për të cilin kishte dëgjuar të flitej jo mirë. Ai i tregoi asaj se ndërsa Ai nuk ndodhej aty, dikush kishte folur fjalë jo të mira për një tjetër. Dhe i tregoi asaj se Ai trishtohej kur mësonte se Bahá’ít nuk e duan njëri-tjetrin, ose kur ata flasin keq për ndonjë njeri. Ai i tha asaj, gjithashtu, të mos fliste për këtë gjë po të lutej.
  Pak më vonë secili shkoi të hante darkë. Mikja e pasjellshme nuk ishte në dijeni për gabimin e bërë derisa sytë e saj hasën ata të ‘Abdu’l-Bahá-it, plot mirësjellje e dashuri. Sytë e tij sikur i folën asaj. Papritmas, ajo e kuptoi se kishte gabuar dhe shpërtheu në lot. Ai nuk e vuri re atë për një farë kohe. Darka vazhdonte ndërsa ajo qante për atë çka kishte bërë.
  Pas disa momentesh ‘Abdu’l-Bahá-i u kthye e i buzëqeshi dhe përmendi emrin e saj disa herë. Pas pak ajo u mbush me gëzim. Në zemrën e saj ajo u sigurua se Ai do ta falte atë dhe do ta ndihmonte të bëhej më e dashur për të tjerët. (EP 25)

*  *  *

10. ‘Abdu’l-Bahá-i e dinte se për çka kishte nevojë çdo njeri edhe pa kërkesën e tyre.
  Një mbrëmje, një grua u ul në tryezën e darkës përbri Mjeshtrit duke dëgjuar fjalët e Tij të zgjuara. Ajo pa tek një gotë ujë e vendosur përballë saj dhe mendoi, “Oh! Sikur ‘Abdu’l-Bahá-i të merrte zemrën time dhe ta boshatiste atë nga çdo dëshirë tokësore, ashtu sikur dikush të merrte këtë gotë ujë e ta zbraste, pastaj ta rimbushte atë me dashuri hyjnore e mirëkuptim.
  Mendimi i saj qe thjesht një mendim kalimthi, por ‘Abdu’l-Bahá-i e lexoi atë. Ai ishte në mes të bisedës së Tij, por ndaloi pak dhe i foli shërbëtorit. Ai i foli disa fjalë në Persisht dhe pastaj Ai vazhdoi bisedën e Tij pa vënë re njeri gjë.
  Shpejt, shërbëtori shkoi i qetë tek vendi i zonjës, hoqi gotën e saj nga tavolina, e zbrasi atë dhe e vuri prapë përballë saj.
  Ndërsa ‘Abdu’l-Bahá-i vazhdoi të fliste, Ai e ngriti ujin nga tavolina, me mënyrën e Tij të zakonshme dhe ngadalë rimbushi gotën bosh të zonjës. Asnjëri s’e vuri re se ç’kishte bërë Ai, asnjëri, përveç vetë zonjës. Ajo e dinte se ç’po bënte ‘Abdu’l-Bahá-i dhe zemra e saj u mbush me gaz të madh. Tashmë ajo e dinte se mendimet më private dhe dëshirat më të fshehta të çdokujt ishin një libër i hapur për ‘Abdu’l-Bahá-in dhe se dashuria e Tij i përfshinte të gjithë. (SW Vol. 18, Nr. 9, f. 285)

*  *  *

11. ‘Abdu’l-Bahá-i, Bahá’u’lláh-u dhe Báb’i, kishin fuqi të bënin mrekullira, sidomos për të shëruar të sëmurët. Ndonëse Bahá’ít nuk e mësojnë fenë e tyre duke treguar rreth këtyre mrekullive, këtu është njëra që ne e tregojmë për interesin që paraqet:
 Një ditë herët, më 1916, ‘Abdu’l-Bahá-i dhe karrocieri i Tij i besuar bënë një udhëtim nga ‘Akká në Nazaret. Mjeshtri ishte i lodhur, kështu që ata qëndruan në shtëpinë e kryeplakut të një fshati të vogël. Aty ‘Abdu’l-Bahá-i hëngri diçka dhe bëri rreth një orë gjumë. Pastaj Ai shkoi të ulej me kryeplakun dhe njerëzit e tjerë të mbledhur për të takuar Atë. Ai foli me ta dhe u dha këshilla të vlefshme për shumë probleme e vështirësi që ata kishin në fshat.
 Pas bisedës, kryeplaku e falenderoi ‘Abdu’l-Bahá-in për këshillat e Tij dhe për nderin e madh duke e vizituar atë. Ai tha: “Vizita juaj do të sjellë të mira qiellore dhe do të na ndihmojë ne të gjithëve në këtë fshat. Tani unë kam edhe një pyetje për t’ju bërë juve.”
 “Cila është kërkesa juaj?” tha ‘Abdu’l-Bahá-i. “Do të jetë lumturi për mua ta garantoj atë, nëse Unë kam fuqi.”
 Kryeplaku tha: “Unë kam vetëm një fëmijë, një vajzë në të katërmbëdhjetat, e cila është e sëmurë nga tuberkulozi prej dy vjetësh. Gjithë doktorët më kanë thënë se ajo nuk do të bëhet mirë kurrë. Dita-ditës nëna e saj, unë dhe të afërmit tanë nuk mund të bëjmë asgjë, veçse derdhim lot e rënkojmë. Zoti s’na dha fëmijë tjetër. Nëse Hirësia juaj do të lutej për shëndetin e fëmijës tim, unë e ndjej se një jetë e re do t’i vijë asaj.
  Ne jemi të sigurt se lutjet tuaja pranohen nga Zoti dhe e dimë se mirësitë e ‘Abdu’l-Bahá-it gjejnë vend tek të gjithë njerëzit pavarësisht në se ata e meritojnë ose jo.” Në këtë moment kryeplaku shpërtheu në lot.
 ‘Abdu’l-Bahá-i menjëherë u ngrit nga ndenjësja e Tij. “Ku është bija juaj?” pyeti Ai. “Në dhomën tjetër,” u përgjigj kryeplaku.
 ‘Abdu’l-Bahá-i e gjeti vajzën të shtrirë në krevat. Nëna dhe anëtarët e familjes ishin ulur të gjithë rreth saj. Disa silleshin si infermierë, të tjerë qanin.
 ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi tek koka e krevatit dhe u ul pranë vajzës. Ai e mori dorën e vogël dhe i dëgjoi pulsin. Temperatura e saj ishte shumë e lartë. Vajza kollej pa ndërprerje dhe  pështynte gjak. Ajo dukej si një krijesë e vogël kockë e lëkurë dhe gjithçka ishte e pamundur. ‘Abdu’l-Bahá-i vuri dorën e Tij të bekuar mbi ballin e fëmijës dhe filloi ta përkëdhelë atë. Pastaj, Ai kërkoi dikë t’i sillte një gotë çaj. Kur ia sollën çajin, ‘Abdu’l-Bahá-i piu pak prej tij dhe u lut për rreth pesë minuta. Pastaj ai e hodhi gradualisht çajin e mbetur me një lugë në gojën e vajzës. Dy herë i vuri ai duart e Tij mbi ballin e vajzës. Edhe një herë Ai u lut, këtë herë për rreth dhjetë minuta.
  Kur kjo përfundoi e gjitha, Ai u ngrit më këmbë dhe u kthye nga prindërit. Me zë të lartë dhe me autoritet Ai tha: “Jini të sigurtë se Zoti do t’ju dhurojë juve një shërim të plotë për bijën tuaj. Mos u mërzisni, mos qani, mos rënkoni. Kujdesu për të me besim të plotë. Nuk do të kalojë shumë dhe ajo do të ketë shëndet të përsosur.
 Ai u kthye në dhomën e miqve për një çast, pastaj u tha mirupafshim kryeplakut dhe miqve të tij, doli nga shtëpia dhe hipi në karrocë.
 Atë natë vajza djersiu dhe dalëngadalë temperatura i ra. Sipas fjalëve të kryeplakut të fshatit, brenda dy muajve bija e tij gëzoi përsëri një shëndet të përsosur dhe në vitin 1922 ajo u martua me një zyrtar qeveritar të ‘Akká-së dhe u bë nëna e tre fëmijëve të shëndetshëm.
 Babai i vajzës e tregonte këtë histori shumë herë në ‘Akká, Haifa dhe në Nazaret dhe ai gjithmonë e përfundonte historinë e tij me thënien: “Vajza m’u rikthye fal Hirësisë së Tij, ‘Abdu’l-Bahá-it.”(CH 202)

*  *  *
12. ‘Abdu’l-Bahá-i thoshte shumë fjalë qetësuese rreth jetës pas vdekjes. Një zonjë në ‘Akká tregon këtë histori rreth ‘Abdu’l-Bahá-it dhe vajzës së saj të vogël:
 Mjeshtri shkoi të vizitonte fëmijën e saj kur ajo ishte sëmurë. Ai mori me vete dy trëndafila të kuq, të cilët ja dha të voglës dhe pastaj, duke u kthyer nga zonja Ai tha me një zë plot dashuri: “Ju duhet të duroni.”
 Atë natë fëmija ndërroi jetë. Kur nëna e pyeti ‘Abdu’l-Bahá-in për shkakun, Ai i tha:
 “Zoti ka një Kopësht. Njerëzit janë pemët që rriten në atë Kopësht. Babai ynë Qiellor është Kopshtari. Kur Kopshtari sheh se një pemë ndodhet në një të vogël për rritjen e saj, Ai përgatit një vend të përshtatshëm dhe më të bukur ku ajo mund të rritet e të bëjë fruta. Atëhere Ai i ndërron vend kësaj peme të vogël. Pemët e tjera befasohen dhe thonë: “Ajo ishte një pemë e mirë. “Përse Kopshtari e shkuli atë?” Vetëm Kopshtari Hyjnor e di arsyen.
 “Ju po qani, por nëse ju do të shihnit bukurinë e vendit ku është fëmija juaj, ju nuk do të ishit më e mërzitur. Ajo është tani e lirë, si një zog dhe është duke kënduar melodi hyjnore dhe të gëzueshme.
 “Nëse ju do ta shihnit vetë atë Kopësht të Shenjtë, ju nuk do të ishit e kënaqur të qëndronit më këtu mbi tokë. Por ende detyra juaj është caktuar këtu tani.” (CH 216)

*  *  *

13. Një ditë, një grua shumë e brengosur erdhi tek ‘Abdu’l-Bahá-i. Pasi tregoi historinë e vet, ‘Abdu’l-Bahá-i u përpoq ta qetësonte atë dhe tha: “Mos u dëshpëro tani, mos u dëshpëro.”
 Gruaja tha: “Vëllai im ka qenë në burg për tre vjet. Ai nuk duhej të futej në burg se s’kishte faj. Ai u tregua i dobët dhe shkoi pas të tjerëve. Ai do të qëndrojë në burg edhe për katër vjet të tjera. Babai dhe nëna janë të dëshpëruar gjithë kohën. Kunati im kujdesej për ne, por ai vdiq.”
 Mjeshtri e dëgjoi tërë këtë histori njerëzore. Ishte pra një familje që kishte provuar çdo formë të mjerimit: ata ishin të varfër, të dobët, të brengosur, të turpëruar dhe pa shpresë.
 ‘Abdu’l-Bahá-i tha:”Ju duhet të besoni tek Zoti.”
 Por, gruaja qau, “sa më shumë unë besoj, gjëra të këqia më ndodhin.”
 “Ju nuk keni besuar kurrë,” tha ‘Abdu’l-Bahá-i.
 “Por nëna ime lexon Biblën tërë kohën,” tha ajo. “Ajo nuk e meriton që Zoti ta lërë kështu, pa asnjë ndihmë edhe unë e lexoj Biblën. Unë them Psallmin e nëntëdhjetë e një dhe Psallmin e njëzet e tretë çdo natë para se të shkoj në krevat. Edhe lutem.”
 ‘Abdu’l-Bahá-i e shihte atë me dashuri dhe tha: “Të lutesh nuk është të lexosh Biblën. Të lutesh është të besosh tek Zoti dhe të pranosh Vullnetin e Tij. Ju duhet të duroni dhe të pranoni vullnetin e Zotit, atëherë gjërat do të ndryshojnë për ju. Lëreni familjen tuaj në duart e Zotit. Beso tek Zoti dhe prano Vullnetin e Tij. Anijet e forta nuk pushtohen nga deti, ato i çajnë valët! Pra bëhu një anije e fortë, jo e thyer.” (AF 27)

*  *  *

14. Ndërsa po vizitonte një mik, i cili kishte patur një aksident dhe ishte i detyruar të qëndronte në krevat për një kohë të gjatë, ‘Abdu’l-Bahá-i tregoi këtë histori rreth qëllimit të vuajtjes:
 Na ishte një mbret që donte të caktonte një nga qytetarët e tij në një post të lartë. Por në vend që t’i jepte atij punën, ai e futi atë në burg. Njeriu në fjalë u befasua, sepse ai priste ndere. Pastaj mbreti e nxori atë nga burgu dhe e rrahu me shkopinj. Përsëri miku i tij nuk po kuptonte, sepse ai mendonte se mbreti e donte atë. Pas kësaj ai e vari për qafe dhe e mbajti kështu pothuajse deri pranë vdekjes. Kur qytetari u bë mirë, ai e pyeti mbretin: “Nëse më doni përse m’i bëni të gjitha këto gjëra?” Dhe mbreti iu përgjigj: “Unë dua t’ju bëj kryeministër. Duke kaluar gjithë këto vuajtje, ju jeni gati për atë pozitë. Desha të dini, pra, se si e ndjeni vetë vuajtjen. Atëhere, kur ju do të dënoni të tjerë në këto mënyra, ju do e dini se çdo të thotë t’i përdorësh ato. Unë ju dua, prandaj dhe dua që t’ju bëj të përsosur.” (SW Vol. 4, Nr. 12, f. 205)

*  *  *

15. Një ditë në ‘Akká, një grua nga Perëndimi erdhi të vizitonte ‘Abdu’l-Bahá-in dhe filloi t’i tregojë Atij gjithçka rreth halleve të saj.
 ‘Abdu’l-Bahá-i e dëgjonte me dashamirësi, ndërsa gruaja vazhdonte të tregonte. Ato nuk ishin shqetësime të mëdha, por ajo mendonte se ato ishin të tmerrshme. Më në fund, ‘Abdu’l-Bahá-i u ngrit nga ndjenjësja e Tij dhe tha se ishte i zënë me një rast tjetër, ndaj i duhej të shkonte. “Por ja,” tha Ai duke treguar jashtë dritares, “atje po kalon një njeri, të cilin Unë do ta sjell t’ju takojë ju. Emri i tij është Mírzá (ajdar ‘Alí. Ne e thërrasim atë “Engjëlli i Malit Karmel”. Ai ecën mbi tokë, por banon në qiell. Ai ka patur shumë shqetësime dhe do t’ju tregojë juve rreth tyre.”*
 ‘Abdu’l-Bahá-i doli jashtë në kopësht dhe u kthye me Mírzá (ajdar ‘Alí-në. Ai e prezantoi Atë tek zonja dhe pastaj iku në takimin tjetër që kishte lënë.
 Mírzá (ajdar ‘Alí-u filloi të flasë me gruan. Me një përulësi të madhe dhe ëmbëlsi ai foli për kohërat e mrekullueshme që po jetonin dhe për epokën e hyjnore që po vinte.
 Gruaja dëgjonte, por dëgjonte me padurim. Pas një çasti, ajo e ndërpreu fjalën e tij, duke thënë: “Por ‘Abdu’l-Bahá-i më tha se ju do të më tregonit për shqetësimet tuaja.”
 Mírzá ((ajdar ‘Alí-u u befasua. “Shqetësime?” pyeti ai. “Pse zonjë, unë nuk kam patur kurrë shqetësime. Unë nuk di se ç’janë shqetësimet.” (SW Vol. 8, Nr.19, f. 244)

*  *  *

16. ‘Abdu’l-Bahá-i ishte një njeri që kishte kaluar më tepër se pesëdhjetë vjet të jetës së Tij në mërgim dhe burg. Ai nuk kishte qenë në shkollë kur ishte fëmijë. Ai nuk shkoi as në shkollë të lartë apo universitet gjatë rinisë së tij. Madje, në moshë të vjetër Ai nuk kishte lexuar librat e rëndësishëm të botës, as nuk kishte patur diskutime me njerëz shumë të arsimuar.
 Por kur ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi në Evropë dhe Amerikë, Ai bisedoi me shkencëtarë dhe filozofë, njerëz të rëndësishëm dhe udhëheqës të mëdhenj. Ju do të mendoni se përvoja e Tij e kaluar nuk e kishte përgatitur Atë. Pavarësisht nga subjekti që ngrihej, Ai ishte i përsosur gjatë diskutimeve. Në fakt në përgjigjet e Tij ishte më i ditur se të tjerët dhe asnjëherë nuk ishte i papërgatitur për ndonjë përgjigje, pyetje ose problem. Por ‘Abdu’l-Bahá-i kurrë nuk u gjet i papërgatitur
 Por, në të njëjtën kohë, Ai kurrë nuk u la njerëzve të kuptonin se Ai ishte më i mirë ose më i dalluar nga të tjerët. Ai ishte gjithmonë modest, i dashur dhe merrte parasysh opinionet e të tjerëve.
 Dhe Ai ishte gjithmonë i njerëzishëm ndaj kujtdo që takonte, sepse Ai “shihte Fytyrën e Atit të tij Qiellor në çdo fytyrë.” (PF 115)
 Një ditë, një ministër Kristian erdhi të vizitonte ‘Abdu’l-Bahá-in për të marrë informacion për një artikull reviste. Dukej qartë se ministri, që ishte i moshuar, nuk ishte vërtetë i interesuar për Besimin Bahá’í ose për ‘Abdu’l-Bahá-in. Ai zhvilloi shumicën e bisedës vetë dhe drejtoi vetëm disa pyetje, që do ta ndihmonin të shkruante artikullin. ‘Abdu’l-Bahá-i iu përgjigj shkurt pyetjeve të tij me  “Po” ose “Jo”. Ai nuk e humbi asnjëherë interesin e intervistës, por dukej se ishte më i interesuar për pyetësin se sa për pyetjet. Ai u ul për t’u çlodhurme duart e vëna në prehër, siç bënte zakonisht. Ai pa intervistuesin me një shprehje mirëkuptimi, e cila nuk mund të përshkruhet. Fytyra e Tij ishte rrezatuese, me një flakë të brendshme.
 Ministri vazhdoi të flasë gjatë. Njerëzit e tjerë që ishin me ‘Abdu’l-Bahá-in nuk po duronin më. “Pse nuk po e ndërpret ‘Abdu’l-Bahá-i intervistuesin?” mendonin ata. “A nuk e sheh se ajo është pa dobi? Ky njeri nuk është i interesuar për asgjë, por veç të marrë para nga artikulli i tij.” Por ‘Abdu’l-Bahá-i e dëgjonte dhe e inkurajonte atë ta shprehte veten plotësisht.
 Më në fund, ministri pushoi. U bë qetësi për një moment dhe pastaj, filloi të flasë me zërin e Tij të butë e tingëllues. Përkthyesi përkthente fjali për fjali. Ai foli për Krishtin e Shenjtë, për dashurinë e Tij për tërë njerëzit deri në kryqëzim, për rëndësinë e ministrisë Kristiane “nga e cila, ju biri im jeni thirrur për shërbim”, për nevojën e klerikëve për të “karakterizuar veten e tyre me karakteristikat e Zotit,që të tërheqin zemrat e njerëzve drejt një jete hyjnore.” Ai foli gjithashtu për ardhjen e Mbretërisë së Zotit mbi tokë, për të cilën Krishti na ka treguar të lutemi dhe për të cilën Bahá’u’lláh-u ka ardhur në këtë botë për të vendosur atë që na ka premtuar Krishti.
 Brenda pesë minutave intervistuesi ishte bërë njeri tjetër. Ai ishte i përulur dhe për momentin një dishepull në këmbët e ‘Abdu’l-Bahá-it. Ai dukej sikur ishte çuar në një botë tjetër si gjithë të tjerët në atë dhomë. Pamja e tij e zbehtë sikur kishte marrë një dritë të brendshme.
 Pastaj ‘Abdu’l-Bahá-i u ngrit. Ai me dashuri e përqafoi ministrin dhe e shoqëroi atë drejt derës. Tek dera ai pushoi pak. Sytë e Tij hasën një tufë të madhe trëndafilash, të cilët ia kishte sjellë një mik atë mëngjes. Ishin një duzinë trëndafilash mos më shumë. Ishin aq shumë dhe kërcenjtë e tyre ishin aq të gjatë sa askush s’mund t’i mbante.
  Sytë e ‘Abdu’l-Bahá-it ndriçuan trëndafilat, pastaj Ai qeshi me zë të lartë. E qeshura e tij djaloshare kumboi në tërë dhomën. Ai ndaloi, mblodhi tërë tufën e trëndafilave në krahët e Tij dhe i vuri ato të tëra në krahët e vizitorit. Ministri me kokën e tij të rrumbullakët e flokët e thinjur, që dukej mbi tufën e madhe të trëndafilave qëndronte kaq i çuditur, i ndriçuar, i përunjur, tërësisht i ndryshuar! ‘Abdu’l-Bahá dinte si të mësonte Dashurinë e Zotit. (PF 47)

*  *  *

17. Kjo është historia se si ‘Abdu’l-Bahá-i u paraqit në një mbrëmje ku merrnin pjesë rreth njëzet veta me famë dhe të rangut të lartë social në Amerikë.
 Zonja që organizoi këtë mbrëmje, kishte vizituar ‘Abdu’l-Bahá-në në ‘Akká, ndërsa Ai ishte ende i burgosur atje. Jeta e saj kshte ndryshuar tërësisht pas takimit me Të dhe ajo donte që edhe miqtë e saj gjithashtu ta takonin Atë.
 Por ajo ishte pak e shqetësuar rreth kësaj mbrëmje, sepse miqtë e saj ishin shkencëtarë të rëndësishëm, artistë, doktorë dhe njerëz, që nuk preokupoheshin shumë për fenë. Në fakt, disa prej tyre nuk ishin të sigurtë në se ekzistonte apo jo Zoti dhe nuk ishin të interesuar për ta zbuluar nje gjë të tillë. Zonja natyrisht dëshironte që mbrëmja e saj të ishte e suksesshme, kështu që ajo ishte kureshtare se si ‘Abdu’l-Bahá-i do ta përballonte këtë situatë. Pak e nervozuar, ajo i sugjeroi ‘Abdu’l-Bahá-it që të fliste për jetën pas vdekjes.
 Ndërsa darka vazhdonte, biseda po sillej vetëm rreth gjërave të zakonshme dhe ‘Abdu’l-Bahá-i nuk bëri asnjë përpjekje për të ndryshuar temën e bisedës. Kështu pas pak kohe, vetë e zonja e shtëpisë bëri një prezantim rreth ‘Abdu’l-Bahá-it për të folur mbi çështje shpirtërore.
 Përgjigja e Tij ishte nëse Ai mund të tregonte një histori dhe Ai tregoi një histori orientale. Në fund të tregimit, të gjithë qeshën përzemërsisht. Akulli u thye. Të tjerët shtuan historitë e tyre. Pastaj ‘Abdu’l-Bahá-i, me fytyrën e Tij plot hare tregoi një histori tjetër dhe një tjetër. Qeshja e Tij mbushi dhomën. Ai u tregoi atyre se ishte mirë të qeshnin. Qeshja tha Ai, ështe një çlodhje shpirtërore.
 Kur ata ishin në burg, u tregoi Ai atyre, ata jetuan një jetë të vështirë. Por në fund të ditës, çdonjëri që ishte me ‘Abdu’l-Bahá-in do të tregonte dhe gjërat më qesharake, që kishin ndodhur gjatë ditës. Ndonjëherë ishte e vështirë të gjeje diçka qesharake për të treguar, por secili gjithmonë do të qeshte deri sa t’i dilnin lotët. Lumturia tha Ai, nuk varet nga vendi ku je, apo se ç’kushte materiale ke.
 Kjo ishte e gjitha çka ‘Abdu’l-Bahá-i tha gjatë asaj darke për gjërat shpirtërore ose rreth mësimeve të Bahá’u’lláh-ut. Por efekti i fjalëve të Tij qe më i madh se sa Ai të fliste gjatë për fenë.
 Mbasi miqtë u larguan dhe ‘Abdu’l-Bahá-i po largohej për në hotelin e Tij, Ai u afrua tek zonja e shtëpisë, buzëqeshi dhe e pyeti zonjën në një mënyrë të ndrojtur: “Mbetët e kënaqur me Mua?” (PF 117)

*  *  *

18. Këtu është një shembull tjetër sesi ‘Abdu’l-Bahá-i këshillonte të tjerët. Një njeri kishte bërë një operacion serioz dhe një vit më vonë, me sa dukej do të bënte dhe një tjetër. Ai u bë shumë nervoz, aq nervoz sa vendosi të prishte zakonin e pirjes së duhanit, të cilin e kishte shtuar shumë me rritjen e moshës. Ky njeri kishte qenë gjithmonë krenar, që ishte në gjendje të ndalonte zakonin e pirjes së duhanit kur të donte. Disa herë gjatë jetës së tij ai e kishte ndërprerë pirjen e duhanit për disa muaj. Por këtë herë, që ishte kaq nervoz, ai ishte befasuar nga fakti që nuk ishte në gjendje ta ndalonte duhanin për më shumë se një ditë, ose dy dhe e fillonte përsëri. Më në fund, ai vendosi të shkonte tek ‘Abdu’l-Bahá-i dhe të kërkonte ndihmën e Tij. Ai e dinte që ‘Abdu’l-Bahá-i i nxiste Bahá’ítë të shmangnin pirjen e duhanit. “Sigurisht” tha ai, “‘Abdu’l-Bahá-i do të më tregojë mua si ta kapërcej këtë ves.”
 Kështu që sapo e pa ‘Abdu’l-Bahá-in, ai i tregoi rreth këtij halli. Ai ishte si një fëmijë që rrëfehej tek nëna e vet dhe zëri i tij u dobësua pas pak fjalësh. Por ‘Abdu’l-Bahá-i e kuptoi më shumë se çdokush tjetër. Ai e shikonte atë me dashamirësi. Pas një momenti, ‘Abdu’l-Bahá-i e pyeti atë qetësisht: “Sa shumë e pini duhanin?” Ai i tregoi  për të.
 Pastaj ‘Abdu’l-Bahá-i tha: “Unë nuk mendoj se ato pak cigare do t’ju dëmtojnë. Në Lindje disa njerëz pijnë duhan tërë kohën dhe flokët mjekra dhe veshjet e tyre mbushen plot me tym cigareje dhe shpesh vijnë erë të keqe. Por përderisa ju nuk veproni kështu dhe përderisa e kini pirë duhanin për kaq vjet, unë nuk mendoj se ju duhet të shqetësoheni.
 Ai buzëqeshi dhe sytë e butë i dukeshin sikur i morën një ndriçim; u duk sikur ‘Abdu’l-Bahá-i e kënaqi atë me një shaka të mrekullueshme.
 Burri mbeti i befasuar. ‘Abdu’l-Bahá-i nuk i dha atij një leksion për të këqijat e pirjes së duhanit. Ai nuk i shpjegoi për efektet negative të duhanit për shëndetin. Ai nuk i tha atij që të përdorte forcën e vullnetit për të mposhtur dëshirën, përkundrazi i kishte lënë liri të plotë. Burri nuk ishte tërësisht i qartë, por sidoqoftë, ai u lehtësua, sepse e kuptoi që ‘Abdu’l-Bahá-i i kishte dhënë këshilla të mençura. Konflikti i brendshëm u zgjidh, nervozizmi u largua dhe atë ditë ai piu cigare duke mos u ndjerë fajtor. Por befasimi i vërtetë ishte ky: Dy ditë pas bisedës, ai kuptoi që kishte humbur komplet dëshirën për të pirë duhan dhe nuk e piu më për rreth shtatë vjet. (PF 44)

*  *  *

19. Një ditë ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi në pjesën e varfër të Nju Jorkut, për t’u folur disa qindra njerëzve. Bashkë me të shkuan dhe një grup persianësh dhe miqsh amerikanë. Ndërsa kalonin rrugën, prezantonin një pamje të pazakontë me persianët me ato rrobat e tyre të gjata, të derdhura dhe me shami në kokë. Siç mund ta mendoni, një grup djemsh filluan t’i ndiqnin ata dhe të nxirrnin nga goja fjalë të pakëndshme, siç bëjnë djemtë.
 E zonja e shtëpisë së ‘Abdu’l-Bahá-it, zonja Kini nuk mundi të duronte të shihte Atë të trajtohej në këtë mënyrë, kështu që ajo ndaloi me grupin e djemve për t’u folur. Me pak fjalë, ajo u tregoi atyre se kush ishte Ai, se Ai ishte Njeri i Shenjtë, i Cili kishte kaluar shumë vite në burg për shkak të dashurisë së Tij për të vërtetën dhe për miqtë e Tij dhe se tani Ai po shkonte t’u fliste njerëzve të varfër në Misionin Boueri (Bowery).
 “A mund të vijmë edhe ne?” pyeti prijësi i djemve. Zonja Kini u tha atyre se kjo nuk ishte e mundur, por tha ajo “Në se ju do të vini në shtëpinë time të djelën tjetër, unë do ta rregulloj që ju të takoheni me Atë.” Ajo u dha atyre adresën e saj, ndonëse mendoi se ata nuk do të vinin.
 Të djelën tjetër pasdite, djemtë erdhën tek shtëpia e zonjës Kini. Ata ishin një grup i madh, rreth njëzetë a tridhjetë dhe jo të shtrsës së lartë. Ata nuk ishin të veshur mirë, por ishin të larë e të pastruar, si për një rast të madh. Ata po vraponin duke përplasur këmbët, duke folur me zë të lartë dhe kur u hap dera ata shpejtuan për në krye të shkallëve të dhomës së ‘Abdu’l-Bahá-it.
 ‘Abdu’l-Bahá-i po qëndronte tek dera gati për t’i pritur ata. Ai përshëndeti secilin prej tyre, duke u shtrënguar dorën ose duke ua hedhur atë mbi shpatulla, por gjithmonë i qeshur sikur të ishte djalosh si ata.
 Po djemtë? Ju mund të mendoni se ata do të kishin mbetur si të ngrirë në një ambjent luksoz, të cilin s’kishin patur rast ta shihnin më parë. Por jo! Ata dukeshin të lumtur vetëm se ishin në dhomë me ‘Abdu’l-Bahá-in.
 Nga të fundit që hynë në dhomë ishte një djalosh me ngjyrë, rreth trembëdhjetë vjeç. Ai ishte krejt i zi dhe duke qenë i vetmi djalë i racës së tij midis tyre, ai kishte frikë se nuk do të ishte i mirëpritur. Kur ‘Abdu’l-Bahá-i e pa atë, fytyra e Tij ndriti me një buzëqeshje qiellore. Ai ngriti dorën me madhështinë e një xhesti të mikpritjes princërore dhe tha me zë të lartë, që të gjithë ta dëgjonin se aty ishte një trëndafil i zi.
 Dhoma papritur ra në qetësi. Fytyra e zezë e djalit u mbush me dritë gëzimi dhe dashurie kaq e vështirë për këtë botë. Djemtë e tjerë e vështruan atë me sy tjetër. Asnjëherë më parë ata nuk kishin menduar për të si diçka kaq të këndshme si trëndafili i zi.
 Djemtë u lehtësuan dhe u çlodhën, por njëkohësisht u bënë më seriozë dhe e përqëndruan vëmendjen e tyre tek ‘Abdu’l-Bahá-i. Ata i hodhën sërish shikime të herëpashershme djalit me ngjyrë e sy të mendueshëm. ‘Abdu’l-Bahá-i u kishte dhënë atyre një mësim të thellë dhe ata as nuk e dinin, që do të merrnin një mësim të tillë.
 Sapo miqtë erdhën, ‘Abdu’l-Bahá-i kishte dërguar dikë për të blerë ëmbëlsira. ‘Abdu’l-Bahá-i pasi e hapi kutinë me çokollata të ndryshme të shtrenjta dhe ua serviri ëmbëlsirat djemve, duke nxjerrë e duke u dhënë nga një secilit prej tyre me një buzëqeshje. Pastaj, Ai u kthye në tavolinën ku kishte qenë ulur duke e vënë aty kutinë në të cilën kishin mbetur dhe disa copë. Ai mori një çokollatë të gjatë e të zezë. E pa atë për një çast dhe pastaj vështroi rreth grupit të djemve. Ata të gjithë po e shihnin Atë me kujdes, duke pritur diçka. Pa asnjë fjalë, Ai eci përmes dhomës ku ishte ulur djali i zi, ende pa folur, por me një vështrim te qeshur që përfshiu të gjithë në dhomë. Ai e vuri çokollatën përbri në anë të faqes së djalit të zi.
 Fytyra e ‘Abdu’l-Bahá-it ishte rrezatuese, kur hodhi krahun e Tij mbi shpatullat e djalit dhe ai rrezatim sikur mbushi dhomën. Nuk ishte nevoja për asnjë fjalë shpjeguese, se çfarë Ai donte të thoshte dhe nuk kishte dyshim që të gjithë djemtë e kuptuan. Ai nënkuptonte se djali i zi nuk ishte vetëm një lule e zezë, por edhe një ëmbëlsirë e zezë. Ju hani çokollata të zeza dhe ju duken të mira; ndoshta juve do t’ju duket dhe ky vëlla i zi gjithashtu i mirë, nëse ju provoni njëherë ëmbëlsinë e tij. (PF 63)

*  *  *

20. Njëherë kur ‘Abdu’l-Bahá-i ndodhej në Uashington, D.C., Ai ftoi një mik me ngjyrë amerikan, Gregori, të shkonte në shtëpinë e një zyrtari të lartë qeveritar, i cili do të jepte një drekë për nder të ‘Abdu’l-Bahá-it. Zoti Gregori u befasua, sepse ai e dinte që nuk ishte ftuar për drekë dhe e dinte gjithashtu që nuk ishte zakon për amerikanët e bardhë të hanin bashkë me një njeri me ngjyrë. Megjithatë e ndjeu se duhet të shkonte meqë Mjeshtri dëshironte ta takonte atë.
  ‘Abdu’l-Bahá-i e takoi atë me dashamirësinë e Tij të zakonshme. Për rreth një orë ata biseduan për shumë gjëra. Papritur, shërbëtori u duk te dera dhe njoftoi: “Dreka është gati”. ‘Abdu’l-Bahá-i u ngrit dhe shkoi në dhomën e ngrënies, por z. Gregori qëndroi prapa, pa ditur se ç’duhej të bënte. Duhej të ikte, apo të priste?”
 ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi në tavolinë, ndaloi papritmas dhe me zë të lartë tha në anglisht: “Ku është miku im, z. Gregori? Miku im Gregori duhet të hajë drekë me mua.”
 Vetëm një gjë mund të bëhej. Shërbëtori shkoi të kërkonte zotin Gregori. Ndërkohë, ‘Abdu’l-Bahá filloi të hiqte mënjanë shumë thika, pirunj e gota për t’i bërë një vend pranë vetes zotit Gregori. Kështu, zoti Gregori u ul në vendin e nderit, pranë ‘Abdu’l-Bahá-it në tavolinë. Dhe ‘Abdu’l-Bahá-i e zbaviti mbrëmjen me mënyrën e tij të këndshme, sa që shpejt gjithë miqtë harruan, të paktën për një moment budallallëqe të tilla, siç qe ajo e mospëlqimit të një qënieje tjetër njerëzore, thjesht sepse ka ngjyrë tjetër të lëkurës. (WA 7)

*  *  *

21. ‘Abdu’l-Bahá-i nuk pranonte kurrë bakshish nga askush. Por, dhurata të thjeshta i jepnin Atij kënaqësi të madhe - një shami, një kuti ëmbëlsirash, një shportë me fruta, ose një buqetë lulesh. Dhurata të tilla Ai do t’i pranonte gjithmonë me kënaqësi - dhe pastaj do t’ua jepte ato përsëri miqve që e vizitonin. Dhe çdonjeri kishte kënaqësi të merrte dhurata të tilla nga ‘Abdu’l-Bahá-i. Madje dhe një princ persian, ruante një dhuratë prej Tij - një palë shapka të buta me lëkurë të kuqe, të cilat ‘Abdu’l-Bahá-i ja dhuroi në Londër. (CH 168)
 Një ditë një zonjë i tha ‘Abdu’l-Bahá-it: “Unë kam këtu një çek nga një mik, i cili ju lutet juve ta pranoni atë për të blerë një makinë të mirë për punën tuaj në Angli dhe Evropë.”
 ‘Abdu’l-Bahá-i iu përgjigj: “Unë e pranoj me mirënjohje dhuratën e mikut tuaj.” Ai e mori çekun në duart e Tij, sikur do ta bekonte atë, pastaj Ai tha: “Po j’ua kthej për të blerë dhurata për të varfërit.” (CH 157)

*  *  *

22. Eshtë një histori për një dhuratë për ‘Abdu’l-Bahá-in nga një punëtor i varfër Bahá’í nga Ishkabad. Ky njeri kishte dëgjuar se një udhëtar po kalonte përmes qytetit të tij nëpër rrugët e Londrës për të takuar ‘Abdu’l-Bahá-in dhe ai donte prej kohësh t’i dërgonte një dhuratë Mjeshtrit të tij të dashur. Por ai nuk kishte asgjë për t’i dhënë, kështu që iu lut udhëtarit të merrte darkën e tij të thjeshtë, të cilën e kishte mbështjellë me një shami pambuku dhe t’ia jepte atë ‘Abdu’l-Bahá-it si kujtim nga dashuria e tij.
  Shumë ditë kaluan para se udhëtari të arrinte në Londër. Ai arriti tek ‘Abdu’l-Bahá-i në kohën kur po fillonte të ulej për drekë me disa miq. Udhëtari tregoi për dhuratën e punëtorit, për historinë se si ishte dërguar ajo. ‘Abdu’l-Bahá-i e zgjidhi shaminë. Në të kishte një copë bukë të zezë e thatë dhe një mollë e vyshkur. Ç’bëri ‘Abdu’l-Bahá-i me të? Ai këputi copa të vogla nga buka dhe nxiti miqtë të bashkoheshin me Të dhe të hanin nga darka e punëtorit. “Hani me mua nga kjo dhuratë e dashurisë së përunjur”, - tha Ai. Dhe ‘Abdu’l-Bahá-i la drekën e Tij pa e shijuar. (CH 161)

*  *  *

23. Kur ‘Abdu’l-Bahá-i ishte në Dublin, Ai qëndroi në një hotel të vogël. Një grua që ndodhej në të njëjtin hotel, tregon këtë histori:
 Herët në mëngjes, ajo vështroi jashtë dritares dhe pa ‘Abdu’l-Bahá-in tek ecte lart e poshtë dhe i diktonte sekretarit të Tij. Ndërsa vështronte, ajo pa një burrë plak me rroba të ndyra dhe të grisura të kalonte për në bujtinë. ‘Abdu’l-Bahá-i dërgoi sekretarin e Tij ta thirriste të kthehej mbrapa.
 Ndërsa burri afrohej, ‘Abdu’l-Bahá-i bëri përpara për ta përshëndetur. Ai mori dorën e njeriut të varfër në të Tijën dhe i buzëqeshi sikur po i uronte mirëseardhjen një miku të vjetër. Pastaj bisedoi me të për pak minuta duke u përpjekur ta bënte plakun që të ndihej më i gëzuar. Më në fund, plaku qeshi pak, por ai ishte akoma i brengosur. Ndërsa ‘Abdu’l-Bahá-i po fliste vuri re se pantallonat e tij ishin të grisura dhe mezi mbulonin trupin e tij. Ai tha: “Ne duhet të bëjmë diçka për këtë”.
 Rrugica ishte bosh, sepse ishte mëngjes herët. Me një qeshje të butë, ‘Abdu’l-Bahá-i u fut në strehë të murit dhe diç po kërkonte nën mantelin e Tij. Pastaj, Ai u përkul dhe pantallonat e Tij ranë për tokë. Ai hodhi mantelin e Tij përreth vetes dhe duke u kthyer nga plaku i dha atij pantallonat e Veta. “Zoti qoftë me ju,” tha Ai. Dhe pastaj u kthye tek sekretari i Tij dhe vazhdoi diktimin sikur s’kishte ndodhur asgjë e jashtëzakonshme. (PF 128)

*  *  *

24. Një ditë në Londër, një vizitor e pyeti ‘Abdu’l-Bahá-in: “A do të jetë ndonjëherë e lumtur kjo botë?”
 ‘Abdu’l-Bahá-i iu përgjigj: “Ka tashmë rreth dymijë vjet qëkur Hirësia e Tij Krishti, u mësoi këtë lutje njerëzve: “Mbretëria juaj erdhi, Vullneti juaj erdhi mbi tokë siç është në Qiell.” A ju ka komanduar juve të luteni për diçka që nuk do të ndodhë kurrë? Kjo lutje është gjithashtu një profeci.”
 Vizitori tha: “‘Abdu’l-Bahá, kur do të vijë Mbretëria? Për sa kohë Vullneti i Tij do të realizohet mbi tokë, siç është në Qiell?”
 “Varet,” përgjigjet ‘Abdu’l-Bahá-i. “Kjo varet se sa shumë i shërbeni kësaj Cështje secili prej jush, ditë e natë. Ju jeni të gjithë pishtarë që Unë kam ndezur me duart e mia. Vazhdoni dhe ndriçoni të tjerë, derisa të gjithë shërbëtorët e veçuar që presin të lidhen së bashku në një Unitet.
 “Ata që punojnë vetëm”, tha Ai, “janë si milingonat, por kur ata të bashkohen do të bëhen si shqiponjat. Ata që punojnë vetëm janë si pikat, por kur bashkohen, ata bëhen një lumë i madh, i cili do të mbartë ujin e pastër të jetës drejt shkretëtirave të botës. Kur ky lum i jetës të vërshojë, gjithë të këqiat, brengat e mjerimi do të shplahen tutje. Bashkohuni! Bashkohuni! Eshtë e rrezikshme të jesh një pikë e vetme, ajo mund të prishet e shkatërrohet lehtë.” (CH 171)

*  *  *

25. ‘Abdu’l-Bahá-i e shikonte këdo që takonte si anëtar të familjes së Tij. Një ditë, i ulur me dy zonja në Angli, njëra prej tyre i tha: “Mjeshtër, a nuk dëshironi të ktheheni në Haifa dhe të rrini me familjen tuaj të dashur?”
 ‘Abdu’l-Bahá-i buzëqeshi dhe tha: “Unë dua që ju të kuptoni se të dyja jeni bijat e mia dhe jeni aq të dashura për mua sa dhe bijat e mia në Haifa.”
 Zonjat vështirë t’u besonin veshëve të tyre dhe u habitën se si ato mund të ishin kaq të vlefshme për lartësinë e Tij, por me këtë kuptuan çfarë Bahá’u’lláhu nënkuptonte me Njëshmërinë e Njerëzimit ku të gjithë njerëzit janë pjesë e një familjeje. (Ch 171)

*  *  *

26. ‘Abdu’l-Bahá-i i donte fëmijët. Një ditë, Ai dhe disa Bahá’í ishin ftuar në Shinin Lindor në Londër për të vizituar një familje me tre fëmijë të vegjël. Fëmijët nuk ndalën një çast së ndejturi, kapeshin rreth qafës së Tij dhe sapo Ai filloi të flasë, u bënë të urtë si tre miusha të vegjël.
 Ndërsa ‘Abdu’l-Bahá-i fliste përkëdheli flokët e më të voglit dhe tha: “Bekuar janë fëmijët, për të cilët Hirësia e Tij Krishti ka thënë: “Këta janë Mbretëria Qiellore.” Fëmijët nuk kanë asnjë ambicie materiale. Zemrat e tyre janë të pastra. Ne duhet të bëhemi si fëmijët...Ne duhet të pastrojmë zemrat tona, që të shohim Zotin në Manifestimet e Mëdha të Tij dhe t’u bindemi ligjeve të sjella tek ne nga Lajmëtarët e Tij.”
 Më vonë po atë ditë Ai bëri një shëtitje në Parkun Riçmond. Atje Ai pa një garë kuajsh midis disa djemve dhe një vajze. ‘Abdu’l-Bahá-i u gëzua kur garën e fitoi vajza. Ai i thërriti asaj:”Të lumtë! Të lumtë!” (CH 165)

*  *  *

27. ‘Abdu’l-Bahá-i donte që njerëzit të ishin gjithmonë të gëzuar. Ai e tregonte këtë dëshirë në shumë mënyra. Ai gjithmonë i pyeste njerëzit: “A jeni mirë? A jeni të lumtur?”
 Një ditë në Londër, një zhurmë e madhe të qeshurash erdhi nga drejtimi i guzhinës. ‘Abdu’l-Bahá-i shkoi shpejt për t’u bashkuar me grupin e gëzuar.
 “Unë jam shumë i kënaqur që ju jeni kaq të lumtur,” u tha Ai. “Më thoni, pse po qeshni?”
 Shërbëtori persian bisedonte me kujdestaren angleze të shtëpisë. Persiani i kishte thënë: “Në Lindje gratë veshin perçe dhe bëjnë të gjitha punët”, ndërsa gruaja angleze iu përgjigj: “Në Perëndim gratë nuk veshin perçe dhe kanë shumë kujdes që burrat të bëjnë pak punë. Ju më mirë vazhdoni të pastroni atë argjendin.”
 ‘Abdu’l-Bahá-i qeshi me gjithë zemër dhe i dha secilit prej tyre nga një monedhë të vogël floriri, sa për t’u gëzuar! (CH 163)

*  *  *

28. ‘Abdu’l-Bahá-i tregonte interes të madh për punët e grave dhe progresin. Ndërsa Ai ishte në Evropë dhe Amerikë, shumë gra të mirënjohura, të tilla si zonja Ani Besant presidente e Shoqërisë Teosofike dhe udhëheqëse e organizatave të ndryshme të grave, punëtore sociale, drejtuese të kolegjeve të grave dhe të tjera erdhën ta takonin Atë.
 Një ditë një grua që ishte besimtare e fortë në të drejtat e gruas për të votuar, erdhi të vizitonte ‘Abdu’l-Bahá-in. Mjeshtri foli për pozitën e përgjithshme të gruas në pjesë të ndryshme të botës, pastaj u kthye nga zonja vizitore dhe tha: “Më trego arsyet e tua të besimit që gratë sot duhet të lejohen të votojnë.”
 Zonja u përgjigj: “Unë besoj se raca njerëzore është hyjnore ndaj duhet të ngrihet lart e më lart, por nuk mund të fluturojë vetëm me një krah.”
 ‘Abdu’l-Bahá-i u kënaq shumë me përgjigjen. Ai buzëqeshi dhe e pyeti: “Po çfarë do të bënit ju nëse një krah do të ishte më i fortë se tjetri?”
 Ajo u përgjigj: “Atëhere ne duhet që ta bëjmë krahun e dobët më të fortë, përndryshe fluturimi nuk do të jetë i rehatshëm.”
 Përsëri ‘Abdu’l-Bahá-i buzëqeshi dhe tha: “Çfarë do të thoshit ju nëse Unë ju provoj juve se gruaja është krahu më i fortë?”
 Dhe zonja iu përgjigj me mënyrën e saj shumë të zgjuar: “Ju do të fitonit mirënjohjen time të përjetshme!”. (AL 104)

*  *  *

29. Njerëzit shpesh çuditeshin se si ‘Abdu’l-Bahá-i vazhdonte të kishte kaq shumë forcë dhe energji gjatë gjithë kohës.
 Një ditë, pas një takimi, ‘Abdu’l-Bahá-i arriti në shtëpinë e Tij shumë i lodhur. Miqtë e Tij ishin shumë të brengosur tek e shihnin Atë kaq të lodhur, sidomos kur Ai duhej të ngjitej dhe në hyrjen sipër.
 Papritur, për habinë e secilit, Mjeshtri i ngjiti me të shpejtë shkallët deri në majë pa u ndalur. Nga kreu i shkallëve Ai pa poshtë tek miqtë e Tij dhe tha: “Ju jeni të gjithë shumë të vjetër, Unë jam shumë i ri!” Gjithë shenjat e lodhjes u zhdukën nga fytyra e Tij kur Ai ktheu buzëqeshjen në fytyrat e tyre.
 Duke parë se secili ishte befasuar, ‘Abdu’l-Bahá-i tha: “Përmes fuqisë së Bahá’u’lláhut çdo gjë mund të bëhet. Unë sapo përdora atë fuqi.” (CH 169)

*  *  *

30. Ndonëse ‘Abdu’l-Bahá-i fliste shumë pak fjalë në anglisht, Ai s’kishte asnjë vështirësi për ta bërë mesazhin të kuptohej. Nëse Ai nuk mundte t’i bënte njerëzit të kuptonin me fjalë, Ai fliste me zemrat e tyre dhe ata e kuptonin.
 Eshtë një histori e një minatori amerikan që s’dinte as të shkruante, as të lexonte. ‘Ai kishte dëgjuar për ‘Abdu’l-Bahá-in dhe kishte bërë udhë të gjatë në këmbë për ta takuar Atë kur Ai ndodhej në San Françisko. Ndonëse ky njeri nuk kishte arsim, ai kishte një shpirt të madh. Një ditë ai shkoi në një takim ku fliste ‘Abdu’l-Bahá-i. Ai dëgjonte ‘Abdu’l-Bahá-in me sytë dhe zemrën e tij të fiksuar në çdo lëvizje dhe shqiptim. I dukej sikur po pinte nga një rrëke e freskët.
  Kur përkthyesi filloi të përkthente fjalitë në anglisht, minatori pëshpëriti: “Pse e ndërpret ai burri?”
 Pastaj ‘Abdu’l-Bahá-i foli përsëri dhe përsëri minatori e dëgjoi i lumtur. Por kur përkthyesi filloi të përkthejë në anglisht përsëri minatori e humbi durimin dhe tha: “Pse e lenë atë ta ndërpresë?. Ai duhet larguar.”
 Personi i ulur përkrah minatorit i shpjegoi duke i thënë: “Ai është përkthyesi zyrtar. Ai përkthen nga persishtja në anglisht për ta kuptuar ju.”
 Minatori u përgjigj: “Ai po fliste në persisht? Pse, çdo njeri mund ta kuptojë Atë.” (PF 98)

*  *  *

31. ‘Abdu’l-Bahá-i s’kishte frikë nga asgjë. Ndërsa ishte në Paris një nga Bahá’ít, një zonjë e shquar, mori një letër ku thuhej: “Mirë do të ishte që të paralajmërohet ‘Abdu’l-Bahá-i se mund të jetë me rrezik për Të të vizitojë (një vend të caktuar), të cilin unë e di që Ai do ta vizitojë në të ardhmen e afërt.”
 Njeriu që shkroi letrën ishte një mik i besuar i zonjës, kështu që ajo mendoi se duhej t’i tregonte ‘Abdu’l-Bahá-it për rrezikun.
 Kur ‘Abdu’l-Bahá-i e dëgjoi lajmin, Ai vetëm buzëqeshi dhe tha: “Bija ime, ju ende nuk e dini që Unë kurrë në jetën time nuk kam qenë jashtë rrezikut dhe se do isha i gëzuar të largohesha nga kjo botë e të shkoja tek Ati im.”
 Zonja u pushtua nga frika e trishtimi: “O Mjeshtër,” tha ajo, “ne nuk dëshirojmë që Ju të ikni nga ne në këtë mënyrë.”
 “Mos u shqetëso”, i tha Ai. “Këta armiq nuk kanë asnjë fuqi mbi jetën time, përveç asaj që u është dhënë atyre nga Lart. Nëse Zoti im i Dashur do të dëshirojë që jeta ime të sakrifikohet në rrugën e Tij, ajo do të ishte një ditë e lavdishme dhe unë vetëm shpresoj që të jetë kështu.”
 Kur ‘Abdu’l-Bahá-i i tha këto fjalë, Ai u dha miqve të Tij një kuptim të ri se çfarë do të thotë të kesh besim.” Aq i fortë u bë besimi i tyre sa që një ditë, kur një i huaj iu afrua grupit të tyre në një kopsht dhe i paralajmëroi ata se, jo vetëm jeta e ‘Abdu’l-Bahá-it ishte në rrezik, por edhe jeta e tyre, njëri prej tyre u përgjigj qetësisht: “Fuqia që mbron Mjeshtrin, mbron gjithashtu edhe shërbëtorët e Tij, pra edhe ne s’kemi asnjë frikë.”
 Burri u befasua aq shumë nga kjo përgjigje saqë ai u largua pa thënë më asgjë. (CH 184)

*  *  *

32. Dy ditë para se ‘Abdu’l-Bahá-i të largohej nga Parisi, një grua erdhi duke vrapuar në shtëpinë e Tij. Ajo tha: “Oh sa e kënaqur jam që erdha në kohë! Unë duhet t’iu tregoj Juve arsyen e çuditshme të udhëtimit tim të ngutshëm nga Amerika”. Dhe ndërsa disa vetë dëgjonin zonja tregoi historinë e saj:
 “Një ditë”, tha ajo, vajza më çuditi duke më thënë: “Mami, nëqoftëse Jezusi i dashur do të ishte në botë tani, çfarë do të bëje?” “E dashur,” i thashë, “unë do t’i hipja trenit të parë dhe do të shkoja tek Ai sa më shpejt të ishte e mundur.”  “Mirë, mami”, tha ajo, “Ai është në botë”. Unë ndjeva një gjë të çuditshme kur foli e vogla ime. Unë i thashë: “Çdo të thuash e shtrenjta ime? Si e di ti?” “Ai më tha mua vetë,” u përgjigj ajo, “kështu që patjetër Ai është në botë.”
 Plot habi unë mendova me vete: “A është ky një mesazh i shenjtë që m’u dha mua nga goja e foshnjes sime?” Unë u luta që kjo të ishte e qartë për mua.
 “Ditën tjetër vajza më foli përsëri, sikur ajo ta kuptonte pse unë s’kisha bërë asgjë për mesazhin e saj. “Mami e dashur”, tha ajo, “pse s’shkove ta takosh Jezusin! Ai më ka thënë mua dy herë se është vërtetë këtu në botë.” “E vogla ime e dashur,” i thashë, “Mami nuk e di se ku është Ai, si mund ta gjej Atë?” “Ne e shohim mami”, tha ajo, “Ne e shohim.”
 “Po atë pasdite unë mora vajzen dhe dolëm për një shëtitje. Papritur, ajo qëndroi krejt e qetë dhe qau. “Ja, atje është Ai! Atje është Ai!” Ajo ishte duke u dridhur nga gëzimi tek tregonte në dritaren e një dyqani ku ishte piktura e ‘Abdu’l-Bahá-it. Unë e bleva tablonë, gjeta këtë adresë, mora anijen po të njëjtën ditë dhe ja ku jam!” (CH 185)

*  *  *

33. Një ditë kur ‘Abdu’l-Bahá-i ndodhej në Londër, një grua kërkoi leje për të takuar Mjeshtrin. Personi që e takoi atë në holl e pyeti: “A keni lënë takim?” Gruaja nuk kishte lënë takim dhe ishte shumë e brengosur. “Më vjen shumë keq,” tha tjetri, “por Ai është i zënë tani me njerëz shumë të rëndësishëm dhe nuk mund të shqetësohet.”
 Gruaja u largua duke u ndjerë shumë e përulur për të vazhduar apelin e saj, por kaq e hidhëruar dhe e zhgënjyer! Ajo zbriti shkallët dhe ishte gati pothuaj të ikte, kur një lajmëtar nga ‘Abdu’l-Bahá-i vrapoi për ta ndaluar.
 “Ai do t’ju takojë ju”, tha ai. “Ju duhet të ktheheni! Ai më tha t’ju çoj tek Ai.”
 Çdonjëri në shtëpi kishte dëgjuar zërin e ‘Abdu’l-Bahá-it nga dera e dhomës së miqve të Tij: “Një zemër u lëndua. Nxito, Nxito, silleni atë tek Unë!” (CH 159)

*  *  *

34. Një mbrëmje në Londër, disa shokë e kishin rregulluar të kalonin të qetë një mbrëmje vetëm me ‘Abdu’l-Bahá-in. Ky ishte një rast i rrallë. Miqtë ishin shumë të lumtur dhe mezi po prisnin të takonin ‘Abdu’l-Bahá-in vetëm për vetëm. Por pas rreth një gjysëm ore, takimi u ndërpre nga një reporter i një gazete, i cili ndërhyu midis shërbëtorëve dhe insistoi të intervistonte ‘Abdu’l-Bahá-in. Reporteri hyri në dhomë, u ul vetë në karrige, ndezi një cigare pa marrë leje dhe i tha ‘Abdu’l-Bahá-it: “Unë po shkruaj një artikull për një gazetë dhe më duheshin disa përgjigje të m’i tregoni ju.”
 Ai vazhdoi të flasë në një mënyrë të pasjellshme dhe të gjithë të pranishmit mbetën pa fjalë. Ky njeri po u prishte planet atyre për këtë mbrëmje private.
 Pas pak ‘Abdu’l-Bahá-i u ngrit dhe i bëri shenjë reporterit që ta ndiqte. Të dy dolën dhe shkuan në dhomën e ‘Abdu’l-Bahá-it.
  Sapo ‘Abdu’l-Bahá-i i la miqtë vetëm dhoma u boshatis menjëherë. Ata panë njëri-tjetrin dhe e kuptuan se ishte e vërtetë që reporteri i tmerrshëm ishte larguar–por sa keq! po kishtu kisthe bërë dhe ‘Abdu’l-Bahá!
 Zonja e shtëpisë po mendonte çfarë të bënte. Ajo pastaj shkoi në derën e dhomës së ‘Abdu’l-Bahá-it dhe i tha sekretarit të Tij: “A do të kishit mirësinë të lajmëroni ‘Abdu’l-Bahá-in se miqtë me të cilët kishte lënë takim janë duke pritur Shkëlqesinë e Tij.”
 Zonja u kthye tek miqtë dhe priti për rezultatin. Pothuajse menjëherë ata dëgjuan hapa në korridor. Pastaj, ata dëgjuan përshëndetjet miqësore tek dera dhe ‘Abdu’l-Bahá-i u kthye tek ata.
 Miqtë ishin aq të kënaqur që e shihnin Atë përsëri! Por, sapo ‘Abdu’l-Bahá-i arriti tek dera, Ai vështroi secilin prej tyre dhe pasi mori një pamje serioze, tha: “Ju bëtë që ai burrë i mjerë të ndihej jo rehat me dëshirën tuaj të zjarrtë për ta larguar atë. E largova nga ju që të ndihej i lumtur.” (CH 162)

*  *  *

35. Një ditë tjetër në Londër, një zë burri u dëgjua tek dera e sallonit: “A është  zonja e shtëpisë brenda?” pyeti ai.
  Shërbëtori u përgjigj: “Po, por...”
 “Oh, ju lutem, unë duhet ta takoj atë!”, klithi zëri. Zonja e dëgjoi dhe erdhi tek dera.
 “A jeni ju zonja e shtëpisë së ‘Abdu’l-Bahá-it?” -pyeti ai.
 “Po. Dëshironi të më takoni?”
 “Unë kam ecur tridhjetë milje për këtë qëllim,” u përgjigj ai.
 “Hyr brenda dhe pusho,” i tha ajo. “Pasi të hani pak ushqim, mund të më tregoni.”
 Burri hyri brenda dhe u ul në dhomën e ngrënies. Ai dukej si lypës i mjerë. Por, kur fliste kuptohej që ai ishte ndryshe. Ai filloi të tregojë historinë e tij:
 “Unë nuk kam qenë gjithmonë kështu siç mund të më shihni ju tani. Babai im është një predikues fshati dhe unë pata nderin të studioja në një shkollë të mirë. Sot unë nuk kam shtëpi. Unë fle në degët e lumit Tamiz. Se si arrita këtu, s’ka rëndësi. Mbrëmë vendosa t’i jap fund jetës sime të pa dobishme, e padobishme si për Zotin edhe për njeriun. Ndërsa isha duke menduar vendimin tim në shëtitjen time të fundit, pashë në një dyqan gazetash një Fytyrë në dritare. Ndalova dhe shikoja atë fytyrë. Ajo dukej sikur më fliste mua dhe më bënte thirrje të shkoja tek Ai.”
 Ai e kishte marrë gazetën me vete dhe e zonja e shtëpisë njohu fytyrën e ‘Abdu’l-Bahá-it në të.
 Burri vazhdoi: “Unë lexova në gazetë se Ai është këtu në këtë shtëpi dhe i thashë vetes: ‘Nëse një person i tillë banon mbi këtë tokë, unë do të ndryshoj mendjen dhe do të filloj të jetoj përsëri.’ Atëhere erdha në këtë vend. Unë kam ardhur këtu të gjej Atë. A është Ai këtu? A do të më takojë Ai mua? Mua?”
 “Sigurisht që Ai do t’ju takojë juve”, i tha ajo. “Eja tek Ai.”
  Kur zonja trokiti tek dera e ‘Abdu’l-Bahá-it, Ai e hapi Vetë derën dhe zgjati duart e Tij si për një mik të dashur, të cilin po e priste.
 “Mirë se erdhe! Mirë se erdhe!” i tha Ai. “Unë jam shumë i kënaqur që keni ardhur. Uluni.”
 Burri i mjerë u ul në një karrige të ulët pranë këmbëve të Mjeshtrit. Ai po dridhej aq shumë sa që nuk ishte në gjendje të thoshte të paktën një fjalë.
 “Ji i lumtur! Ji i lumtur!” i tha ‘Abdu’l-Bahá-i, duke i mbajtur një nga duart e tij të mjera dhe duke i përkëdhelur butësisht kokën e ulur. ‘Abdu’l-Bahá-i buzëqeshi ngrohtë e me dashuri dhe vazhdoi: “Mos u mbush me mjerim kur të pushton poshtërimi. Mirësia dhe fuqia e Zotit nuk njeh kufinj për secilin dhe për çdo frymë në këtë botë. Kërko gëzim shpirtëror dhe dije. Pastaj, ndonëse do të ecni në këtë tokë ju do të jetoni sikur të ishit në botën shpirtërore. Edhe nëse jeni i varfër, ju do të jeni i pasur në Mbretërinë e Perëndisë.”
 Këto dhe fjalë të tjera ngushëllimi, force dhe shërimi, iu thanë burrit dhe pak nga pak reja e tij e mjerimit u duk sikur shkriu në prezencën e ngrohtë të Mjeshtrit.
 Kur i panjohuri u ngrit të ikte, fytyra e tij kishte marrë pamje tjetër: ai qëndronte drejt dhe jo i përkulur; hapat e tij ishin më të vendosur, sikur të kishin një synim të caktuar. Ai u kthye nga zonja dhe i tha: “Ju lutem, shkruaji fjalët e Tij për mua. Unë mora atë që doja, madje edhe më shumë.”
 “Dhe tani çfarë do të bëni?” - e pyeti zonja.
 “Unë do të shkoj të punoj në fusha. Mund të fitoj atë që kam nevojë për kërkesat e mia të thjeshta. Kur të kem kursyer diçka, unë do të marr pak tokë, do ndërtoj një kasolle ku të jetoj dhe pastaj do të rris manushaqe për treg. Siç thotë Ai, ‘Fukarallëku s’ka rëndësi, puna është adhurim.’ Unë nuk kam nevojë të them ‘faleminderit.’ A kam nevojë? Lamtumirë!” Dhe ai iku. (CH 159)

*  *  *

36. ‘Abdu’l-Bahá-i nuk priste që njerëzit të shkonin tek Ai. Nëqoftëse ata donin ta takonin Atë, Ai shpesh shkonte tek ata.
 Ndërsa ‘Abdu’l-Bahá-i ishte në Paris, Ambasadori i Japonisë në Madrit dhe gruaja e tij mezi prisnin ta takonin ‘Abdu’l-Bahá-in, por Shkëlqesia e saj nuk ndihej mirë.
 “Unë jam shumë e trishtuar,” tha ajo, “unë nuk duhet të dal jashtë këtë mbrëmje, sepse jam e ftohur dhe largohem nesër herët në mëngjes për Spanjë. Sikur të ishte e mundur ta takonims Atë!”
 Kjo iu tha ‘Abdu’l-Bahá-it dhe ndonëse Ai sapo ishte kthyer në shtëpi pas një dite tepër të lodhshme dhe ora kishte shkuar tepër vonë, Ai tha: “I thoni zonjës dhe burrit të saj, meqë ajo nuk mund të vijë tek unë, do të shkoj unë për vizitë tek ajo.”
 Dhe kështu ‘Abdu’l-Bahá-i doli jashtë në shi e në të ftohtë dhe arriti me nderimin e Tij të qeshur në hotelin ku qëndronte Ambasadori.
 Ai foli rreth çështjeve që çifti japonez ishte i interesuar. Ai foli rreth kushteve të jetës në Japoni, për rëndësinë ndërkombëtare të këtij vendi, për shërbimin ndaj njerëzimit dhe nevojën e largimit nga lufta. Ai tha se ishte e rëndësishme të përmirësoheshin kushtet e jetës për punëtorët dhe të arsimoheshin njësoj si djemtë dhe vajzat. Ai foli për fenë dhe shkencën si dy krahë me të cilat zogu i njerëzimit mun të fluturojë lart. Pastaj,s Ai tha se buron një forcë e madhe në ekzistencën, e cila ende nuk është zbuluar nga njeriu. Le t’i lutemi Zotit, që kjo forcë të mos zbulohet, derisa njeriu të zhvillohet shpirtërisht, sepse në duart e një njeriu të natyrës së ulët, kjo fuqi do të jetë e aftë të shkatërrojë tërë rruzullin tokësor.”
 ‘Abdu’l-Bahá-i foli për këtë dhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme dhe ata që e dëgjonin Atë thanë: “Si është e mudur, pasi ka kaluar gjithë jetën e Tij në burg, në një fortesë Lindore të kuptojë problemet botërore kaq mirë dhe të zotërojë urtësinë për t’i zgjidhur ato kaq thjeshtë?” (CH 183)
 Një profesor i famshëm i një universiteti Amerikan me famë, njëherë ka thënë: “‘Abdu’l-Bahá-i sigurisht që do të bashkojë Lindjen me Perëndimin, pasi Ai ecën në rrugën mistike me hapa praktike.” (AB 288)
 Një person tjetër i shquar ka thënë për ‘Abdu’l-Bahá-in: “Unë mendoj se Ai është xhentëlmeni më i përsosur që kam njohur ndonjëherë.”(PF 116)

*  *  *

37. ‘Abdu’l-Bahá-i kishte një fuqi shumë të madhe. Ajo ishte aq e madhe, sa që dukej sikur ishte dhe fizike. Për shembull, është historia e një njeriu, i cili ishte ulur në një divan pranë ‘Abdu’l-Bahá-it gjatë një bisede të Tij. Për rreth pothuajse një orë, ndërsa ‘Abdu’l-Bahá-i fliste dhe u përgjigjej pyetjeve, e mbante dorën e atij njeriu në të Tijën, ose mbështeste dorën e Tij në gjurin e ketij njeriu.
 Gjatë kësaj kohe, ky njeri tha më vonë, se një rrëke fuqie kaloi nga ‘Abdu’l-Bahá-i tek ai. Ai nuk mund ta përshkruante, por kurdo që e kujtonte atë më vonë, ai mendonte thënien e ‘Abdu’l-Bahá-it që kjo Kauzë ka një fuqi përtej të kuptuarit nga njeriu dhe engjëjt.
 Një tjetër njeri tregon për këtë fuqi të madhe, e cila i erdhi nga ‘Abdu’l-Bahá-i. Ai tregon se, një ditë kur ai ishte ulur afër ‘Abdu’l-Bahá-it gjatë një gare automobilistike, ai u ndje sikur të ishte ngarkuar nga një bateri hyjnore.
 Njerëzit shikonin tek ‘Abdu’l-Bahá-i përsosurinë absolute dhe merrnin prej Tij fuqinë për të qenë njerëz më të mirë. (PF 60)

*  *  *

38. Gjatë ditëve të vizitave të ‘Abdu’l-Bahá-it në Perëndim, shumë njerëz u përpoqën ta fotografojnë Atë. Njerëzit me kamera do të prisnin rreth derës së Tij, duke pritur shansin ta fotografonin. Në një rast, i zoti i shtëpisë së Tij i tha një fotografi gazete: “A mendoni se është shumë e sjellshme të këmbëngulni fotografoni një mik nga një vend tjetër, kundra dëshirës së Tij?”
 “Jo zonjë,” tha fotografi, “por nëse të tjerët arrijnë ta fotografojnë dhe unë dështoj, shefi im do të më quajë mua budalla.”
 Kur ajo i tregoi këtë histori ‘Abdu’l-Bahá-it, Ai qeshi përzemërsisht dhe tha: “Nëqoftëse do të bëhen fotografi, ato duhet të jenë të mira. Këto në këtë letër janë vërtet të këqija.”
 Pas kësaj, Ai ra dakort të fotografohej nga miqtë e Tij për kënaqësinë e tyre. Por të kesh fotografinë e dikujt, kjo s’është aq e rëndësishme. Fotografia është vetëm personaliteti, është vetëm llampa. E rëndësishme është drita, që digjet brenda llampës. Këtë ju nuk mund ta shihni në një fotografi. (CH 164)

*  *  *

39. ‘Abdu’l-Bahá-i nuk dëshiroi kurrë nder për Veten e Tij. Një ditë, zj. Florian King, i tha Mjeshtrit:
 “O i dashur, Parajsa do të ishte e zezë për mua pa Ju ose pa prezencën Tuaj. Për mua, Ju jeni Bahá’u’lláhu, Ju jeni Muhameti, Ju jeni Jezusi, Ju jeni Mesia, Ju jeni Buda.”
  ‘Abdu’l-Bahá-i zgjati dorën e Tij dhe tha: “Eja, kape dorën time.” Fytyra e Tij shndriste, shndriste një vizion drite!
 “O Mjeshtër,” tha zj. King, “A mund të puth dorën Tuaj?”
 “Jo, bija ime,” tha Ai me buzëqeshje. “Kjo nuk lejohet. Personaliteti nuk duhet nderuar; është drita që ka rëndësi, jo llampa që e lëshon atë.”(CH 211)

 


ÇELËS
për shkurtimet e burimeve


AB  ‘Abdu’l-Bahá  by H.M. Balyuzi (George Ronald, London: 1971)

AF  ‘Abdu’l-Bahá’s First Days in America  by Juliet Thompson (Roycrofters,
  Aurora, N.Y.: not dated)

AL  ‘Abdu’l-Bahá in London  (Unity Press, East Sheen, Surry: 1912)

CH  The Chosen Highway  by Lady Blomfield (Bahá’í Publishing Trust,
  Wilmette, Ill.:1967)

EP  An Early Pilgrimage  by May Maxwell (George Ronald, London: 1969)

OR  The Oriental Rose  by Mary Hanford Ford (Broadway Publishing
   Company, New York: 1910)

PF  Portals to Freedom  by Howard Colby Ives (George Ronald, Oxford:
   1976)

SW Star of the West  (Chicago:1910-1935)

WA The World of ‘Abdu’l-Bahá  by Mary Hanford Ford (Reality Publishing
  Corporation, New York:1921)
*  Bahá’u’lláh do të thotë “Lavdia e Zotit”. Bahá’í do të thotë “pasues i Lavdisë”.
** Numri i qendrave të dhëna këtu është deri në Mars 1979-ës.
*  Bahá’í-të referohen vetëm Themeluesve të besimeve të pavarura botërore si “Mesazherët e Zotit”. Bahá’u’lláh-u është Mesazheri i Zotit për këtë epokë.
** Bahá’u’lláh-u dhe familja e Tij jetuan si të mërguar në Bagdad për më tepër se dhjetë  vjetë.
* Báb-i është Ai që profetizoi ardhjen e Bahá’u’lláh-ut.
* Mírzá ((aydar ‘Alí kishte vuajtur tortura dhe forma të tjera persekutimi si dhe shumë vite burgimi për Besimin e tij.

 


TREGIME RRETH ‘ABDU’L-BAHÁ-IT

TREGIME RRETH ‘ABDU’L-BAHÁ-IT


vi

v

 

iii

32 TREGIME RRETH ‘ABDU’L-BAHÁ-IT

 TREGIME RRETH ‘ABDU’L-BAHÁ-IT 31

 

 

 

 

 

Autor: G. FAIZI - Kategorie: Studime Bahá’í - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS