TEK AI DO TË KTHEHEMI
Pjesë të zgjedhura
nga Shkrimet Bahá’í
për realitetin dhe pavdekësinë
e shpirtit njerëzor
përgatitur nga
Hushidar Motlagh
TRUSTI BOTUES BAHÁ’Í
WILMETTE, ILLINOIS
Original Title:
Unto Him Shall We Return, Selections from the Bahá’í Writings
on the Reality and Immortality of the Human Soul,
Bahá’í Publishing Trust, Wilmette, Illinois 60091, 1985
Text: Albanian
Përkthyer e botuar nën kujdesin e Komitetit të Botimeve Bahá’í
© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2004 - 160 E.B.
Pasqyra e lëndës
PARATHËNIE
PJESË TË ZGJEDHURA NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT
Jeta e vërtetë e njerëzimit
Shpirti dhe jeta e përtejme
Tiparet e jetës shpirtërore
PJESË TË ZGJEDHURA NGA SHKRIMET E BÁB-IT
Kthimi te Perëndia
Parajsa dhe mjetet për ta arritur atë
Shpërblimet e besnikëve
PJESË TË ZGJEDHURA NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT
Provat e jetës pas vdekjes
Shpirti – realiteti i vërtetë
Progresi i shpirtit dhe gjendja në këtë botë e në atë tjetrën
Marrëdhënia midis të gjallëve dhe të vdekurve
Dhuntia e pavdekshme
MARGARITARË PËR MEDITIM
LUTJE PËR TË VDEKURIT
REFERENCAT
Parathënie
Njerëzit janë të vdekshëm apo të pavdekshëm? Është vdekja një derë që çon në vdekje e shuarje apo një portë që çon në një jetë të re, të pasur e të pasosur? A janë qielli dhe ferri realë? Me çfarë përngjet mbretëria e qiellit? Çfarë kuptimi ka “zjarri i xhehenemit”? Cili është qëllimi i jetës tokësore? Është toka vend i mbjelljes për të korra qiellore? Çfarë virtytesh duhet të fitojë njeriu këtu që të jetë i përgatitur për jetën e përtejme? Kush do t’i ruajë foshnjet që vdesin me vdekje të hershme? Ç’është shpirti? A mund të konfirmohet nga arsyeja realiteti dhe pavdekësia e tij?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet që njerëzit kanë bërë për vetveten dhe për fatin e tyre qysh nga agimi i historisë, pyetje zgjidhja e të cilave mund të ushtrojë ndikime shumë të rëndësishme në jetën tonë.
Kush është në gjendje të zgjidhë mistere të tilla? Kush mund të pretendojë se zotëron dijen e vërtetë për shpirtin njerëzor dhe për fatin e tij përfundimtar? Bahá’í-të, pjesëtarë të fesë së fundit të pavarur të botës, besojnë se një dije e tillë u akordohet vetëm Mësuesve të mëdhenj apo Lajmëtarëve të dërguar nga Perëndia, Që shfaqen periodikisht për të dhuruar të vërteta të reja në përshtatje me një qytetërim në avancim të përhershëm.
Bahá’í-të besojnë se Perëndia na ka folur përsëri përmes një tjetri prej Mësuesve apo Lajmëtarëve të Tij të Mëdhenj, Bahá’u’lláh-ut, i Cili ka reveluar mësime të reja që kanë për qëllim të pasurojnë jetën tonë si individualisht dhe kolektivisht – mësime që e venë theksin tek një fat i përbashkët e i përjetshëm ku kanë pjesë të gjithë.
Bahá’u’lláh-u ka shkruar mbi njëqind vëllime që ndriçojnë e shpalosin çdo aspekt të jetës njerëzore. Kjo përmbledhje përqendrohet kryesisht në mësimet e Tij për realitetin dhe pavdekësinë e shpirtit njerëzor, për qëllimin e jetës sonë këtu në këtë planet dhe vazhdimin e këtij qëllimi në mbretëritë misterioze të përtejme. Ajo përmban pjesë të zgjedhura të qëmtuara nga Shkrimet e Tij, si dhe nga ato të Pararendësit të Tij, Báb-it, dhe të pasardhësit të Tij e interpretuesit të emëuar të mësimeve të Tij, ‘Abdu’l-Bahá-it.
Megjithëse pjesët e zgjedhura që përmbahen këtu kanë qenë botuar gjetkë, ato janë hartuar e përshtatur në këtë vëllim për të dhënë një vizion më të qartë të qëllimit e të kuptimit të jetës sonë – si këtu dhe në jetën e përtejme. Kjo përmbledhje paraqet një masë dije të përshtatur me pjekurinë e kohës sonë, të vërteta revelacioni i të cilave është profetizuar nga të gjithë Lajmëtarët e mëdhenj të së kaluarës. Subjekti i saj është po aq i lashtë sa njeriu, mesazhi i saj po aq i freskët sa agimi.
Mësimet e Bahá’u’lláh-ut merren jo vetëm me jetën pas vdekjes, por shumë më tepër me jetën këtu në këtë planet. Në dritën e dijes së Tij, jeta jonë ndriçon nga një shpresë e një qëllim që shkon tej të fundmes në të pafundmen; dhe përmes fuqisë së fjalëve të Tij mendimet tona shndërrohen në fijet që na lidhin me Burimin dhe Thelbin e fundit të qenies sonë.
Ashtu si Bahá’u’lláh-u na gjallëron me një vizion e një shpresë për një mbretëri të lavdishme në jetën e përtejme, po kështu Ai na dhuron neve dijen për të ndërtuar një mbretëri të ndritshme e të qëndrueshme këtu mbi këtë planet. Realizimi i “Ardhtë mbretëria Jote mbi tokë si dhe në qiell” është misioni i Tij kryesor. Ai ofron zgjidhje të zbatueshme për nevojat e njerëzimit për të paktën njëmijë vjetët e ardhshëm. Ai na udhëheq drejt një qytetërimi të lavdishëm e kurdoherë në zhvillim të parashikuar nga të gjithë profetët e së kaluarës.
Shtyllat mbështetëse të qytetërimit të ri janë popujt dhe racat e bashkuara të tokës, që po punojnë së bashku në një frymë dashurie e shoqërie, të frymëzuar nga përkrahja e një besimi të vetëm universal. Për arritjen e qëllimit të unitetit, Bahá’u’lláh-u solli shumë mësime, ndër të cilat këto që vijojnë:
* E vërteta është një e vetme, por traditat janë të shumta. Askush nuk duhet të ndjekë verbërisht shtegun e paraardhësve të tij, përkundrazi duhet ta kërkojë vetë të vërtetën.
* Të gjitha fetë vijnë nga i njëjti Burim. Të gjitha ato shprehin aspekte të së njëjtës të Vërtetë dhe të gjitha pasqyrojnë urtinë hyjnore të reveluar progresivisht në përshtatje me nevojat dhe pjekurinë e njerëzimit.
* Feja është shkaku i unitetit, harmonisë dhe paqes. Në qoftë se ajo bëhet instrument ndarjeje ose paragjykimi, më mirë të shmanget.
* Feja dhe shkenca janë partnerë të përsosur. Aftësitë e tyre, veprat e tyre dhe ndikimi i tyre duhen sjellë në harmoni absolute.
* Diskriminimi gjinor duhet shfuqizuar.
* Duhet vendosur paqja universale
* Duhet siguruar për të gjithë shkollimi i përgjithshëm e i detyrueshëm.
* Duhen eliminuar si pasuria e skajshme dhe varfëria e skajshme përmes ligjesh dhe duke njohur përgjegjësinë shpirtërore individuale.
* Duhet të adoptohet një gjuhë universale dhe të mësohet ajo në gjithë botën.
* Duhet të mbretërojë një qeveri botërore, e cila të rregullojë të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kur Bahá’u’lláh-u shpalli këto mësime në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, njerëzimi në tërësinë e tij nuk ishte pjekur në mënyrë të mjaftueshme për të pranuar nevojën e tyre të ngutshme. Me kalimin e kohës, bota lëviz gradualisht drejt realizimit të tyre. Le të shpresojmë se njerëzimi do t’i përgjigjet në kohën e duhur thirrjes së Bahá’u’lláh-ut për unitet e paqe, para se sistemi botëror mbizotërues të shembet nën peshën dërrmuese të luftës, varfërisë, paragjykimit dhe urisë shpirtërore.
“O miq! Ju duhet të freskoni e rigjallëroni shpirtrat tuaj përmes favoreve të hirshme që janë reshur mbi ju në këtë Pranverë Hyjnore, shpirtgjallëruese. Ylli i Ditës i lavdisë së Tij të madhe ka derdhur mbi ju rrezatimin e tij dhe retë e mirësisë së Tij të pakufishme ju kanë mbuluar. Sa i lartë është shpërblimi i atij që nuk i ka mohuar vetes një bujari kaq të madhe, as nuk ka munguar të njohë bukurinë e të Shumëdashurit të tij në këtë veshje të Tij të re”.
“Sikur ti të arrije qoftë edhe një pikë vese nga ujrat e kristalta të dijes hyjnore, do ta kuptoje lehtë se jeta e vërtetë nuk është jeta e trupit por jeta e shpirtit. Sepse jeta e trupit është e përbashkët si për njerëzit dhe për kafshët, kurse jetën e shpirtit e zotëron vetëm ai që ka zemër të dëlirë, që ka pirë nga oqeani i besimit dhe ka shijuar frytin e sigurisë. Kjo jetë nuk njeh vdekje dhe kjo ekzistencë kurorëzohet nga pavdekësia. Ashtu siç është thënë: “Ai që është besimtar i vërtetë jeton si në këtë botë dhe në botën e ardhme”.
Pastaj [kur të vdesë] ai do të bashkohet me mua. Të jesh i sigurt për këtë.
BHAGAVAD-GITA 8:4
Atëherë pluhuri do t’i kthehet tokës siç ka qenë: dhe shpirti do të kthehet te Perëndia që e ka dhënë atë.
BIBLA 12:7
Së shpejti ju do të ktheheni te ne: dhe ne do t’ju tregojmë çfarë keni bërë!
Sepse te Perëndia do të jetë takimi i fundit.
KURANI 10:24; 35:19
Të gjithë njerëzit vijnë nga Perëndia dhe tek Ai të gjithë do të kthehen.
BÁB-I
Me të vërtetë, ne jemi të Perëndisë….Dhe tek Ai do të kthehemi.
BAHÁ’U’LLÁH
Jeta e vërtetë e njerëzimit
Gëzimi i destinuar për njerëzimin është në jetën e përtejme
MOS u hidhëroni në qoftë se, në këtë ditë e në këtë tokë, nga Perëndia janë urdhëruar e manifestuar gjëra që janë në kundërshtim me dëshirat tuaja, sepse ditë gëzimi të hareshëm, kënaqësie qiellore janë ruajtur në mënyrë të sigurt për ju. Botë, të shenjta e shpirtërisht të lavdishme, do të zbulohen para syve tuaj. Ju jeni destinuar prej Tij, në këtë botë dhe në atë të ardhme, të jeni pjesëtarë në përfitimet e tyre, të merrni pjesë në gëzimet e tyre dhe të fitoni një pjesë të mirësisë së tyre mbështetëse. Në secilën e te cilado prej tyre ju, padyshim, do të arrini. 1
Jeta e vërtetë e shpirtit
SIKUR të arrije të pije një pikë të vetme të ujërave të kristalta të dijes hyjnore, ti do ta kuptoje menjëherë se jeta e vërtetë nuk është jeta e mishit, por jeta e shpirtit. Sepse jeta e mishit është e përbashkët për njerëzit dhe kafshët, kurse jetën e shpirtit e zotërojnë vetëm zemërkulluarit që kanë pirë nga oqeani i besimit dhe kanë provuar frytin e sigurisë. Kjo jetë nuk njeh vdekje dhe këtë ekzistencë e kurorëzon pavdekësia. Ashtu siç është thënë: “Ai që është besimtar i vërtetë jeton si në këtë botë edhe në botën pas saj”. Nëse me “jetë” nënkuptohet kjo jetë tokësore, është e qartë se vdekja duhet ta mposhtë atë. 2
Aftësitë unike akorduar njerëzimit
PASI e krijoi botën dhe çdo gjë që jeton e lëviz në të, Ai1, me anë të veprimit të drejtpërdrejtë të Vullnetit të Tij të lirë e sovran, vendosi t’i dhurojë vetëm njeriut dallimin dhe aftësinë për ta njohur e për ta dashur Atë – aftësi që duhet parë si shtytja krijuese dhe si qëllimi parësor që qëndron në themel të gjithë krijimit. … Mbi realitetin më të thellë të çdo gjëje të krijuar Ai ka lëshuar dritën e njërit prej emrave të Vet dhe e ka bërë atë bartëse të lavdisë së njërit prej atributeve të Veta. Por mbi realitetin e njeriut Ai ka përqendruar shkëlqimin e të gjithë emrave e atributeve të Tij dhe e ka bërë atë pasqyrë të vetë vetes së Tij. Nga të gjitha gjërat e krijuara, vetëm njeriu është zgjedhur për një favor kaq të madh, për një bujari kaq të qëndrueshme. 3
LAVDI e lavdërim Perëndisë, Që me forcën e fuqisë së Tij e ka shpëtuar krijimin e Vet nga lakuriqësia e mosqenies dhe e ka veshur atë me rrobën e jetës. Midis të gjitha gjërave të krijuara, Ai ka veçuar si objekt të favorit të Tij të veçantë stolinë e çmuar e të kulluar të realitetit të njeriut dhe i ka dhënë këtij aftësinë unikale që ta njohë Atë e të pasqyrojë madhështinë e lavdisë së Tij. Kjo shquarje e dyfishtë që i është dhënë, ia ka pastruar zemrën nga ndryshku i çdo dëshire të kotë dhe e ka bërë atë të denjë për rrobën me të cilën Krijuesi i tij ka pasur mirësinë ta mbështillte. Kjo ka shërbyer për ta shpëtuar shpirtin e tij nga fatkeqësia e injorancës.
Kjo rrobë, me të cilën janë stolisur trupi dhe shpirti i njeriut, është vetë themeli i mirëqenies e i zhvillimit të tij. Oh, bekuar qoftë dita kur, i ndihmuar nga hiri e fuqia e të vetmit Perëndi të vërtetë, njeriu do ta çlirojë veten nga skllavëria e shthurja e botës dhe e gjithçkaje brenda saj, dhe do të arrijë prehjen e vërtetë e të qëndrueshme nën hijen e pemës së Dijes! 4
Sfida e manifestimit të mundësisë
DHE tani, lidhur me pyetjen tënde për krijimin e njeriut. Dije se të gjithë njerëzit janë krijuar në natyrën e bërë prej Perëndisë, Ruajtësit, të Vetqenëshmit. Për secilin prej tyre është porositur një masë e paracaktuar, sipas Tabelave të fuqishme e të ruajtura të Perëndisë. Por çdo gjë që zotëroni si mundësi, mund të manifestohet vetëm si rezultat i vullnetit tuaj. Vetë veprat tuaja dëshmojnë për këtë të vërtetë. 5
Shpirti dhe jeta e përtejme
Natyra e shpirtit
TI Më pyesje lidhur me natyrën e shpirtit. Dije, në të vërtetë, se shpirti është një shenjë e Perëndisë, një Margaritar qiellor, realiteti i të cilit u ka shpëtuar edhe njerëzve më të ditur dhe misterin e të cilit asnjë mendje, sado e mprehtë, nuk mund të shpresojë ta zbulojë. Ai është i pari midis gjërave të krijuara që shpall përsosurinë e Krijuesit, i pari që njeh lavdinë e Tij, që kapet pas së vërtetës së Tij dhe përulet me adhurim para Tij. Në qoftë se do t’i jetë besnik Perëndisë, do të pasqyrojë dritën e Tij dhe, më në fund, do të kthehet tek Ai. Por në qoftë se nuk i përmbahet besnikërisë ndaj Krijuesit të vet, do të bjerë viktimë e egos dhe e pasionit e, në fund, do të zhytet në humnerën e tyre.
Kushdo që në këtë Ditë nuk ka lënë që dyshimet e fantazitë e njerëzve ta largojnë nga Ai që është e Vërteta e Përjetshme, dhe nuk ka lejuar që pështjellimi i shkaktuar prej autoriteteve fetare ose laike ta pengojnë të njohë Mesazhin e Tij, një njeri i tillë do të shihet nga Perëndia, Zoti i të gjithë njerëzve, si një prej shenjave të Tij të fuqishme dhe do të numërohet midis atyre, emrat e të cilëve janë shkruar në Librin e Tij nga Penda e Më të Lartit. Lum ai që ka njohur peshën e vërtetë të një shpirti të tillë, që ka shquar pozitën e tij dhe ka zbuluar virtytet e tij.
Shumë është shkruar në librat e lashtë lidhur me stadet e ndryshme të zhvillimit të shpirtit, siç janë: epshi, pezmi, frymëzimi, dashamirësia, kënaqësia, pëlqimi Hyjnor etj; por Penda e Më të Lartit nuk është e prirur të ndalet në to. Çdo shpirt që, në këtë Ditë, shkon me përunjësi me Perëndinë e vet dhe mbahet pas Tij, do ta shohë veten të veshur me nderin e lavdinë e gjithë emrave e të pozitave fatlume.
Kur njeriu është në gjumë, nuk mund të thuhet kurrsesi që shpirti i tij të jetë ndikuar në brendinë e vet nga ndonjë objekt i jashtëm. Ai nuk është i ndjeshëm ndaj asnjë ndryshimi në gjendjen ose karakterin e vet fillestar. Çdo ndryshim në funksionet e tij duhet lidhur me shkaqe të jashtme. Këtyre ndikimeve të jashtme u duhen atribuar ndryshimet në mjedisin, në të kuptuarit e në perceptimin e tij.
Merr syrin njerëzor. Megjithëse ai ka dhuntinë e perceptimit të të gjitha gjërave të krijuara, pengesa më e vogël mund ta pengojë pamjen e tij aq sa ta privojë atë nga aftësia për të shquar çfarëdo objekti. U madhëroftë emri i Atij që i ka krijuar këto shkaqe, dhe që është Shkaku i shkaqeve, i Atij që ka urdhëruar që çdo ndryshim e variacion në botën e qenies të varet prej tyre. Çdo gjë e krijuar në tërë gjithësinë s’është veçse një portë që të çon në dijen e Tij, një shenjë e sovranitetit të Tij, një revelacion i emrave të Tij, një simbol i Madhështisë së Tij, një shfaqje e fuqisë së Tij, një mjet për të hyrë në rrugën e Tij të drejtë. …
Me të vërtetë, Unë them se shpirti njerëzor është, në thelbin e vet, një prej shenjave të Perëndisë, një mister midis mistereve të Tij. Ai është një prej shenjave të fuqishme të të Gjithëfuqishmit, lajmëtari që shpall realitetin e të gjitha botëve të Perëndisë. Brenda tij fshihet ajo që tani bota është krejt e paaftë ta kuptojë. Pesho në zemrën tënde revelacionin e Shpirtit të Perëndisë që përshkon të gjitha Ligjet e Tij dhe vjen ndesh me natyrën e ulët e të pangopur që është rebeluar kundër Tij, që i pengon njerëzit të kthehen nga Zoti i emrave dhe i shtyn ata të jepen pas epsheve e shpirtligësisë së tyre. Një shpirt i tillë, me të vërtetë, ka shkuar larg në rrugën e gabimit. …
Ti Më pyesje, veç kësaj, për gjendjen e shpirtit pas ndarjes së tij nga trupi. Dije, me të vërtetë, që në qoftë se shpirti i njeriut ka ecur në rrugën e Perëndisë, ai, me siguri, do të kthehet tek i Shumëdashuri dhe do të pritet në lavdinë e Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Ai do të arrijë një pozitë të tillë që asnjë pendë nuk mund ta paraqesë e asnjë gjuhë ta përshkruajë. Shpirti që i ka mbetur besnik Kauzës së Perëndisë dhe ka qëndruar i patundur në Shtegun e Tij, do të zotërojë pas ngjitjes një fuqi të tillë, saqë të gjitha botët që i Gjithëfuqishmi ka krijuar do të përfitojnë nëpërmjet tij. Një shpirt i tillë sjell, me urdhër të Mbretit Ideal e Edukatorit Hyjnor, tharmin e pastër që fermenton botën e qenies dhe siguron fuqinë, përmes së cilës artet dhe mrekullitë e botës manifestohen. Shih sesi buka ka nevojë për maja që të fryhet. Ata shpirtra që janë simbolet e shkëputjes janë majaja e botës. Medito për këtë dhe ji ndër ata që janë mirënjohës.
Në disa nga Tabelat Tona e kemi prekur këtë temë dhe kemi treguar stadet e ndryshme në zhvillimin e shpirtit. Me të vërtetë Unë them se shpirti njerëzor është i lartësuar mbi të gjitha daljet e kthimet. Ai është i palëvizshëm, por fluturon lart; ai lëviz, por është i palëvizshëm. Ai është, në vetvete, një provë që dëshmon për ekzistencën e një bote të rastësishme, si dhe për realitetin e një bote që nuk ka as fillim, as fund. Shiko sesi ëndrra që ke parë, pas kalimit të shumë viteve, rishfaqet para syve të tu. Mendo sa i çuditshëm është misteri i botës që të shfaqet ty në ëndërr. Gjyko në zemrën tënde për urtinë e padepërtueshme të Perëndisë dhe medito për revelacionet e saj të shumta… 6
Gjendja e shpirtit pas vdekjes
DHE tani lidhur me pyetjen tënde për shpirtin e njeriut dhe mbijetesën e tij pas vdekjes. Dije, me të vërtetë, se shpirti, pas ndarjes së tij nga trupi, do të vazhdojë të përparojë derisa të arrijë praninë e Perëndisë, në një gjendje e në kushte që as rrokullisja e epokave dhe e shekujve, as ndryshimet e ngjarjet e kësaj bote nuk mund t’i ndryshojnë. Ai [shpirti] do të vazhdojë aq gjatë sa vetë Mbretëria e Perëndisë, sovraniteti, sundimi e fuqia e Saj. Ai do të manifestojë shenjat e Perëndisë e atributet e Tij, dhe do të shfaqë mirëdashjen e zemërgjerësinë e Tij. Lëvizja e Pendës Sime ndalet, kur përpiqet të përshkruajë ashtu si duhet fisnikërinë dhe lavdinë e kësaj pozite aq sublime. Nderi, me të cilin Dora e Mëshirës do ta veshë shpirtin, është i tillë sa asnjë gjuhë nuk mund ta revelojë ashtu si duhet, dhe as ndonjë mjet tjetër tokësor nuk mund ta përshkruajë. I bekuar është ai shpirt që në kohën e ndarjes nga trupi është spastruar nga përfytyrimet e kota të njerëzve të kësaj bote. Një shpirt i tillë jeton e lëviz në pajtim me Vullnetin e Krijuesit të Tij dhe hyn në Parajsën më të lartë. Shërbëtoret e Qiellit, banore të pallateve më të larta, do të mblidhen rreth Tij, dhe Profetët e të zgjedhurit e Perëndisë do të kërkojnë shoqërinë e tij. Ai shpirt do të bisedojë lirshëm me ta dhe do t’u tregojë ç’i është dashur të vuajë në shtegun e Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve. Po t’i thuhej ndonjë njeriu se ç’i është caktuar një shpirti të tillë në botët e Perëndisë, Zotit të Fronit atje lart e të tokës këtu poshtë, tërë qenia e tij do të ndizej menjëherë nga dëshira e zjarrtë për të arritur këtë pozitë aq sublime, të shenjtëruar e të ndritshme. … Natyra e shpirtit pas vdekjes kurrë nuk mund të përshkruhet, e as është e përshtatshme dhe e lejueshme të zbulohet në sytë e njerëzve tërë karakteri i tij. Profetët dhe Lajmëtarët e Perëndisë janë dërguar për të vetmin qëllim që ta udhëheqin njerëzimin në Shtegun e drejtë të së Vërtetës. Qëllimi që qëndron në themel të Revelacionit të tyre ka qenë të edukojnë të gjithë njerëzit, që ata, në orën e vdekjes, të mund të ngjiten, me çiltërsinë e shenjtërinë më të madhe dhe me shkëputje absolute, te Froni i Më të Lartit. Drita që këta shpirtra rrezatojnë është ajo që çon në progresin e botës e në përparimin e popujve të saj. Ata janë si tharmi që fermenton botën e qenies dhe përbëjnë forcën gjallëruese përmes së cilës shfaqen artet dhe mrekullitë e botës. Përmes tyre retë derdhin bujarinë e tyre mbi njerëzit dhe toka jep frytet e saj. Të gjitha gjërat duhet të kenë një shkak, një fuqi motivuese, një parim që u jep jetë. Këta shpirtra e simbole shkëputjeje kanë dhënë e do të vazhdojnë të japin impulsin lëvizës suprem në botën e qenies. Bota e përtejme ndryshon nga kjo botë po aq sa kjo botë ndryshon nga bota e foshnjës që ndodhet ende në mitrën e nënës. Kur shpirti arrin në Praninë e Perëndisë, ai merr formën që i përshtatet më mirë pavdekësisë së tij dhe që është e denjë për banesën e tij qiellore. Një ekzistencë e tillë është e rastësishme e jo absolute, sepse e para [e rastësishmja] prihet nga një shkak, ndërsa tjetra [absolutja] është e pavarur prej tij. Ekzistenca absolute është rigorozisht e kufizuar te Perëndia, lartësuar qoftë lavdia e Tij. Lum ata që e kuptojnë këtë të vërtetë. Po të përsiatje në zemrën tënde sjelljen e Profetëve të Perëndisë, ti me siguri e pa ngurruar do të dëshmoje se duhet të ketë botë të tjera veç kësaj bote. Shumica e të urtëve dhe e dijetarëve të vërtetë, gjatë epokave, siç është shënuar nga Penda e lavdisë në Tabelën e Urtisë, kanë dëshmuar për të vërtetën që ka reveluar Shkrimi i Shenjtë i Perëndisë. Madje edhe materialistët kanë dëshmuar në shkrimet e veta për urtinë e këtyre Lajmëtarëve hyjnorë, dhe i kanë parë referencat e bëra nga këta Profetë për Parajsën, për zjarrin e skëterrës, për shpërblimin e ardhshëm dhe dënimin si të diktuara nga dëshira për të edukuar e lartësuar shpirtrat e njerëzve. Shih, pra, sesi shumica e njerëzve, të çfarëdo besimi ose teorie, e kanë njohur përsosurinë dhe e kanë pranuar epërsinë e këtyre Profetëve të Perëndisë. Këta Margaritarë të Shkëputjes janë përshëndetur nga disa si mishërime të urtisë, ndërsa të tjerë besojnë se ata janë zëdhënësit e Vetë Perëndisë. Si do të mundnin shpirtra të tillë të pranonin t’u dorëzoheshin armiqve të tyre, në qoftë se do të besonin se të gjitha botët e Perëndisë reduktoheshin në këtë jetë tokësore? A do të kishin vuajtur ata me dëshirë hidhërime e tortura të tilla, që askush kurrë nuk i ka parë ose provuar? 7
Vazhdimi i vetëdijës
DHE tani lidhur me pyetjen tënde nëse shpirtrat njerëzorë vazhdojnë të jenë të vetëdijshëm për njëri-tjetrin pas ndarjes së tyre nga trupi. Dije se shpirtrat e njerëzve të Bahá-it, që kanë hyrë e janë vendosur brenda Arkës Kërmëz, do të shoqërohen e do të bisedojnë përzemërsisht me njëri-tjetrin, dhe do të jenë të lidhur aq ngushtë në jetët e tyre, në aspiratat e tyre dhe në qëllimet e përpjekjet e tyre, sikur të ishin një shpirt i vetëm. Ata janë me të vërtetë të mirinformuarit, ata që kanë shikim të mprehtë e që janë të pajisur me intuitë. Kështu është dekretuar prej Atij që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
Njerëzit e Bahá-it që jetojnë në Arkën e Perëndisë janë, që të gjithë, mirë në dijeni të gjendjes e të kushteve të njëri-tjetrit, ata janë të bashkuar nga lidhje intime e shoqërore. Një gjendje e tillë, sidoqoftë, varet nga besimi dhe sjelljet e tyre. Ata që janë të së njëjtës gradë e pozitë i njohin mirë kapacitetin, karakterin dhe meritat e njëri-tjetrit. Por ata që janë të një grade më të ulët, janë të paaftë të kuptojnë si duhet pozitën ose të vlerësojnë meritat e atyre që radhiten mbi ta. Secili do të marrë pjesën e vet prej Zotit tënd. Lum njeriu që e ka kthyer fytyrën drejt Perëndisë dhe ka ecur i patundur në dashurinë e Tij, derisa shpirti i tij ka nisur fluturimin drejt Perëndisë, Zotit sovran të gjithçkaje, Më të Fuqishmit, Gjithmonëpërdëllenjësit, Mëshirëplotit.
Kurse shpirtrat e të pabesëve, – dhe Unë dëshmoj për këtë, – në çastin që japin frymën e fundit, do të bëhen të vetëdijshëm për gjërat e mira që u kanë shpëtuar dhe do të vajtojnë për fatin e tyre të keq, dhe do ta përunjin veten para Perëndisë. Ata do të vazhdojnë të bëjnë kështu pas ndarjes së shpirtrave të tyre nga trupi.
Është e qartë dhe evidente që të gjithë njerëzit, pas vdekjes së tyre fizike, do të gjykojnë për vlerën e veprave të tyre dhe do të kuptojnë gjithçka kanë bërë duart e tyre. Betohem për Yllin e Ditës që shkëlqen mbi horizontin e fuqisë Hyjnore! Ata që janë pasuesit e të vetmit Perëndi të vërtetë do të ndiejnë, qysh në çastin e ndarjes nga kjo jetë, një gëzim e një ngazëllim të tillë që nuk mund të përshkruhet, ndërsa ata që jetojnë në gabim do të kapen nga një frikë e të dridhura të tilla dhe do të mbushen me një trishtim të tillë që s’kanë të krahasuar. Lum ai që ka pirë verën e zgjedhur e të pavdirë të besimit në saje të mirëdashjes e të bujarive të shumta të Atij që është Zoti i të gjitha Besimeve… 8
Pavarësia e shpirtit nga kufizimet fizike
TI Më ke pyetur nëse njeriu, duke lënë mënjanë Profetët e Perëndisë dhe të zgjedhurit e Tij, do të ruajë pas vdekjes së tij fizike të njëjtin individualitet, personalitet, vetëdije e intelekt që karakterizonin jetën e Tij në këtë botë. Po të ishte kështu, thua ti, atëherë si është e mundur që, ndërsa dëmtime të tilla të vogla të aftësive të tij mendore, si humbja e ndjenjave apo sëmundje të rënda, e bëjnë Atë të humbasë të kuptuarit e vetëdijen, kurse vdekja e tij, e cila sjell dekompozimin e trupit të tij dhe shpërbërjen e elementëve, është e pafuqishme ta shkatërrojë atë intelekt dhe ta shuajë atë vetëdije? Si mund të imagjinohet që vetëdija dhe personaliteti i njeriut do të mbeten, kur instrumentat e nevojshëm për ekzistencën dhe funksionimin e tyre të jenë shpërbërë plotësisht?
Dije se shpirti i njeriut qëndron më lart dhe është i pavarur nga sëmundjet e trupit ose të mendjes. Që një person i sëmurë tregon shenja dobësie, kjo u detyrohet pengesave që futen në mes shpirtit dhe trupit të tij, sepse vetë shpirti nuk preket nga çfarëdo sëmundje e trupit. Shih dritën e llambës. Megjithëse një trup i jashtëm mund të ndërhyjë me ndriçimin e tij, vetë drita vazhdon të ndriçojë me jo më pak fuqi. Po kështu, çdo sëmundje që mundon trupin e njeriut është një pengesë që nuk e lë shpirtin të manifestojë forcën e fuqinë e tij të brendshme. Megjithatë, kur të largohet nga trupi, shpirti do të tregojë një ngjitje të tillë dhe do të shfaqë një ndikim të tillë, me të cilat asnjë forcë në botë nuk mund të barazohet. Çdo shpirt i kulluar, i pastër e i shenjtëruar do të pajiset me një fuqi të pamasë dhe do të gëzohet me ngazëllim të madh.
Mendo një llambë të futur në një arkë. Megjithëse drita e saj ndriçon, ajo megjithatë është e fshehur nga njerëzit. Po kështu, shiko diellin e errësuar nga retë. Shih sesi shkëlqimi i tij duket sikur është pakësuar, kur në të vërtetë burimi i asaj drite nuk ka ndryshuar. Shpirti i njeriut duhet krahasuar me këtë diell dhe të gjitha gjërat mbi tokë duhen parë si trupi i tij. Sa kohë që asnjë pengesë e jashtme nuk ndërhyn ndërmjet tyre, trupi në tërësinë e tij do të vazhdojë të pasqyrojë dritën e shpirtit dhe të mbështetet nga fuqia e tij. Por sapo një perde futet ndërmjet tyre, shkëlqimi i asaj drite duket sikur pakësohet.
Mendo përsëri diellin kur është krejt i fshehur pas reve. Megjithëse toka ndriçohet ende nga drita e tij, por sasia e dritës që ajo merr është pakësuar shumë. Dhe sa kohë retë nuk janë shpërndarë, dielli nuk do të shkëlqejë përsëri në tërë lavdinë e vet. Por as prania e resë dhe as mungesa e saj nuk mundet kurrsesi të ndikojë mbi shkëlqimin e qenësishëm të diellit. Shpirti i njeriut është dielli prej të cilit ndriçohet trupi i tij dhe nga i cili ai merr jetë, dhe kështu duhet parë. 9
Botët e panumërta të Perëndisë
LIDHUR me pyetjen tënde për botët e Perëndisë. Dije se në të vërtetë botët e Perëndisë janë të panumërta në sasi dhe të pafundme në shtrirjen e tyre. Askush nuk mund t’i numërojë ose t’i kuptojë ato, veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Mbaj parasysh gjendjen tënde kur fle. Me të vërtetë, Unë them se kjo dukuri është më e mistershmja e shenjave të Perëndisë midis njerëzve, sikur ata ta peshonin këtë në zemrat e tyre. Shih sesi gjëja që ke parë në ëndërr, pas kalimit të një periudhe të gjatë kohe, realizohet tërësisht. Në qoftë se bota në të cilën je gjendur në ëndrrën tënde do të ishte e njëllojtë me botën në të cilën jeton, do të duhej që ngjarja që të ka ndodhur në ëndërr të ishte shfaqur në këtë botë pikërisht në momentin që sheh ëndrrën. Po të ishte kështu, ti vetë do të ishe dëshmitar për këtë. Por duke qenë se nuk ndodh kështu, që këtej rrjedh domosdoshmërisht se bota në të cilën jeton është e ndryshme dhe e ndarë nga ajo që ke parë në ëndërr. Kjo botë e fundit nuk ka as fillim, as mbarim. Do të ishte e vërtetë në rast se ti do të thoshe se kjo botë, siç e ka dekretuar Perëndia Lavdiplotë e i Gjithëfuqishëm, është brenda vetë vetes sate dhe e mbështjellë brenda teje. Po kështu do të ishte e vërtetë të thuhej se shpirti yt, pasi ka kapërcyer kufijtë e gjumit dhe është zhveshur nga çdo lidhje tokësore, ka kaluar, me vullnet të Perëndisë, një mbretëri që qëndron e fshehur në realitetin më të brendshëm të kësaj bote. Me të vërtetë, Unë them se krijimi i Perëndisë përfshin botë të tjera veç kësaj bote dhe krijesa të tjera veç këtyre krijesave. Në secilën prej këtyre botëve Ai ka paracaktuar gjëra që askush nuk mund t’i hetojë veç Tij, Gjithhulumtuesit, Urtiplotit. Medito për atë që Ne të kemi reveluar, që të mund të zbulosh qëllimin e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të të gjitha botëve. Në këto fjalë janë mbledhur thesare të mistereve të Urtisë Hyjnore. 10
Ëndrrat si Dëshmi e Jetës së Përtejme
NJË prej dukurive të krijuara është ëndrra. Shiko sa shumë sekrete janë të vendosura në të, sa shumë dijeni ruhen aty, sa shumë botë janë të fshehura. Vë re sesi ti je në gjumë në një shtëpi dhe dyert e saj janë të mbyllura; papritur ti e gjen veten në një qytet të largët, ku ti hyn pa i lëvizur këmbët, pa e lodhur trupin; pa i përdorur sytë, ti sheh; pa i tendosur veshët, ti dëgjon; pa gjuhë, ti flet. Dhe ndofta kur kanë kaluar dhjetë vjet, ti do të përjetosh në botën e jashtme (materiale) pikërisht ato gjëra që ke parë në ëndërr sonte.
Ka, pra, shumë dituri që duhen peshuar në ëndrrën. ...
E para, cila është kjo botë, ku njeriu pa sy, pa vesh, dorë e gjuhë i vë në përdorim të gjitha këto? E dyta, si ndodh që në botën e jashtme ti sheh sot rezultatin e një ëndrre, kur ti e kishe parë atë në botën e gjumit ndonja dhjetë vjet më parë? Shih dallimin midis këtyre dy botëve dhe misteret që ato fshehin, që të mund të arrish në konfirmime hyjnore e zbulime qiellore dhe të hysh në rajonet e shenjtërisë.
Perëndia, i Lartësuari, i ka vendosur këto shenja te njerëzit, me qëllimin që filozofët të mos mund të mohojnë misteret e jetës së përtejme, as të nënvleftësojnë atë që u ka qenë premtuar atyre. 11
Aftësia e arsyes
MBAJ parasysh dhuntinë e arsyetimit2, me të cilën Perëndia ka pajisur thelbin e njeriut. Ekzamino veten tënde dhe shih sesi lëvizja dhe palëvizshmëria jote, vullneti dhe qëllimi yt, shikimi dhe dëgjimi yt, shqisa e të nuhaturit dhe zotësia e të folurit tënd, si dhe çdo gjë tjetër që lidhet me shqisat tuaja fizike apo perceptimet shpirtërore ose që i kapërcen ato, të gjitha vijnë pikërisht nga kjo dhunti e ia detyrojnë asaj ekzistencën e tyre. Ato janë të lidhura aq ngushtë me të, saqë sikur lidhjet e tyre me trupin njerëzor të shkëputeshin, qoftë edhe më pak sesa të hapësh e të mbyllësh sytë, atëherë secila prej këtyre shqisave do të pushonte menjëherë së ushtruari funksionet e veta dhe do të humbiste aftësinë për të manifestuar provat e veprimtarisë së vet. Është padyshim e qartë dhe evidente që secili prej këtyre instrumentave të sipërpërmendur varet, dhe do të vazhdojë gjithnjë të varet, nga funksionimi i përsosur i kësaj dhuntie racionale, e cila duhet parë si një shenjë e revelacionit të Atij që është Zoti sovran i gjithçkaje. Përmes manifestimit të saj janë reveluar të gjithë emrat e atributet, dhe me ndërprerjen e veprimit të saj të gjitha ato shkatërrohen e vdesin.
Do të ishte tërësisht e rreme të mendohej që kjo dhunti është njëlloj si aftësia e të parit, sepse aftësia e të parit rrjedh prej saj dhe vepron e varur prej saj. Po ashtu, do të ishte e kotë të thuhej që kjo dhunti mund të njëjësohet me shqisën e të dëgjuarit, sepse shqisa e të dëgjuarit e merr nga dhuntia racionale energjinë e nevojshme për të kryer funksionet e veta.
Po kjo marrëdhënie e lidh këtë dhunti racionale me çfarëdo që ka qenë bartësi i këtyre emrave e atributeve brenda tempullit njerëzor. Këta emra të ndryshëm e atribute të reveluara janë lindur nga veprimi i kësaj shenje të Perëndisë. E lartësuar pafund është kjo shenjë, në thelbin e në realitetin e saj, mbi të gjithë këta emra e atribute. Madje gjithçka tjetër, kur krahasohet me lavdinë e saj, venitet deri në hiç e bëhet një gjë e harruar.
Sikur ti të gjykoje në zemrën tënde, që tani e deri në fundin që s’ka fund, me tërë inteligjencën e të kuptuarit e përqendruar që mendjet më të mëdha kanë arritur në të shkuarën ose do të arrijnë në të ardhmen, për këtë realitet të hollë e të krijuar në mënyrë hyjnore, për këtë shenjë të revelacionit të Perëndisë së Gjithëhershëm, Lavdiplotë, ti përsëri nuk do të arrije të kuptoje misterin e Tij ose të çmoje si duhet vlerën e Tij. 12
Vdekja, fati dhe predestinimi
O TI që je fryti i pemës Sime dhe fleta e saj! Mbi ty qoftë lavdia Ime dhe mëshira Ime. Le të mos hidhërohet zemra jote për atë që të ka ndodhur. Sikur t’i shihje faqet e Librit të Jetës, ti, me siguri, do të zbuloje Atë që do t’i largonte hidhërimet e tua dhe do të ta hiqte ankthin.
Dije, o fryt i Pemës Sime, se dekretet e Urdhëruesit Sovran, lidhur me fatin dhe predestinimin, janë dy llojësh. Të dyja atyre duhet t’u bindesh e t’i pranosh. Njëri është i padiskutueshëm, tjetri, siç thonë njerëzit, të qëndron mbi kokë. Të parit të gjithë duhet t’i nënshtrohen pa rezerva, sepse është i caktuar e i vendosur. Perëndia, megjithatë, mund ta ndryshojë ose ta rishikojë atë. Meqenëse e keqja që do të rezultonte nga një ndryshim i tillë do të ishte më e madhe sesa në rastin që dekreti të mbetej i pandryshuar, të gjithë, pra, duhet ta pranojnë me dëshirë atë që Perëndia ka vendosur dhe t’i binden asaj.
Kurse dekreti që qëndron mbi kokë është i tillë që lutjet mund të arrijnë ta ndryshojnë atë.
Dhëntë Perëndia që ti, fryt i Pemës Sime, dhe ata që janë së bashku me ty të jeni të mbrojtur nga pasojat e tij të këqija.
Thuaj: O Perëndi, Perëndia im! Ti kishe besuar në duart e mia diçka Tënden dhe tani, sipas dëshirës së Vullnetit Tënd, po e thërret përsëri pranë Vetes. Nuk më takon mua, që jam një shërbëtore e Jote, të them si e pse ndodhi kjo, sepse Ti je i lavdëruar në të gjitha veprimet e Tua dhe ne duhet t’i bindemi vendimit Tënd. 13
Tiparet e jetës shpirtërore
Fati i lartë i besimtarit të vërtetë
ËSHTË e qartë dhe e dukshme se kur të hapen perdet që
mbulojnë realitetet e manifestimeve të Emrave e të Atributeve të Perëndisë, madje të të gjitha gjërave të krijuara, të dukshme ose të padukshme, asgjë tjetër nuk do të mbetet veç Shenjës së Perëndisë – shenjë të cilën Ai Vetë e ka vendosur midis këtyre realiteteve. Kjo shenjë do të qëndrojë aq gjatë sa është dëshira e Zotit, Perëndisë tënd, e Zotit të qiejve e të tokës. Në qoftë se të tilla janë bekimet që u dhurohen të gjitha krijesave, sa superior duhet të jetë fati i besimtarit të vërtetë, qenia dhe jeta e të cilit duhen parë si qëllimi parësor i çdo krijimi. Ashtu si koncepti i besimit ka ekzistuar që nga fillimi që nuk ka fillim dhe do të zgjatë deri në fundin që nuk ka fund, po kështu edhe besimtari i vërtetë do të jetojë e do të ekzistojë përjetësisht. Shpirti i tij do të rrotullohet përgjithmonë rreth Vullnetit të Perëndisë. Ai do të vazhdojë sa edhe Vetë Perëndia. Ai është reveluar përmes Revelimit të Perëndisë dhe është fshehur me urdhër të Tij. Është e qartë se banesat më të larta të Mbretërisë së Pavdekësisë janë caktuar për ata që kanë besuar me të vërtetë te Perëndia e te Shenjat e Tij. Vdekja kurrë nuk mund ta pushtojë atë seli të shenjtë. Kështu Ne të kemi besuar Shenjat e Zotit Tënd, që ti të mund të këmbëngulësh në dashurinë tënde për Të dhe të kuptosh këtë të vërtetë. 14
Arritja e parajsës
PËRSA i përket Parajsës: Ajo është një realitet dhe nuk mund të ketë dyshim për këtë, dhe tani në këtë botë ajo arrihet përmes dashurisë Sime dhe pëlqimit Tim. Cilindo që e fiton atë, Perëndia do ta ndihmojë në botën këtu poshtë dhe pas vdekjes do t’i japë mundësinë të hyjë në Parajsë, që është e madhe sa qielli dhe toka. Këtu Vashat e lavdisë e të shenjtërisë do t’i shërbejnë ditë e natë, ndërsa ylli i bukurisë së përhershme të Zotit të Tij do të derdhë papushim shkëlqimin e tij mbi të dhe ai do të shndrisë me aq ndriçim saqë askush nuk do të mundë t’ia drejtojë shikimin. I tillë është dispensacioni i Providencës, por njerëzit janë të ndarë prej tij nga një perde e rëndë. Po kështu kupto natyrën e zjarrit të skëterrës dhe ji ndër ata që besojnë me të vërtetë. Për çdo veprim që kryhet do të ketë një shpërblim sipas gjykimit të Perëndisë, për këtë dëshmojnë gjerësisht vetë dekretet dhe ndalimet e urdhëruara nga Fuqiploti. Dhe me të vërtetë, në qoftë se veprat nuk do të shpërbleheshin e nuk do të jepnin fryte, atëherë Kauza e Perëndisë – lëvduar qoftë Ai – do të ishte e padobishme. Pafundësisht sublim është Ai, i lartësuar sipër blasfemish të tilla! Por për ata që janë të çliruar prej çfarëdo lidhjesh, veprimi është, në të vërtetë, shpërblimi i vetvetes. 15
Domethënia e rilindjes shpirtërore
SIÇ ka thënë edhe Jesui: “Ju duhet të lindeni përsëri”. Ai ka thënë gjithashtu: “Kush nuk ka lindur prej ujit e prej Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë. Ç’lind prej mishit është mish; e ç’lind prej Shpirtit është shpirt”. Domethënia e këtyre fjalëve është se në çdo dispensacion kushdo që ka lindur prej Shpirtit e është gjallëruar prej frymës së Manifestimit të Shenjtërisë, është me të vërtetë ndër ata që kanë arritur “jetën” e “ringjalljen” dhe kanë hyrë në “parajsën” e dashurisë së Perëndisë. Dhe kushdo që s’është nga ata, ai është i dënuar me “vdekje” e “privim”, me “zjarrin” e mosbesimit e me “zemërimin” e Perëndisë. Në të gjitha shkrimet, librat dhe kronikat, dënimi me vdekje, me zjarr, me verbëri, me marrëzi e shurdhësi, është shpallur kundër atyre, buzët e të cilëve nuk kanë shijuar kupën e eterit të dijes së vërtetë dhe zemrat e të cilëve janë privuar nga hiri i Shpirtit të Shenjtë në kohën e vet. 16
Largësia nga Perëndia
POR ai që nuk ka mundur ta njohë Atë e ka dënuar veten me gjëmën e veçimit, veçim që s’është veçse hiç i plotë dhe thelbi i zjarrit më gllabërues. I tillë do të jetë fati i tij, edhe pse ai mund të ketë pozitat më të larta të botës dhe mund të rrijë në fronin e saj më të lartësuar. 17
Kotësia e botës
BOTA s’është veçse një dukje, e kotë e boshe, thjesht një hiç, që vetëm i ngjan realitetit. Mos ia kushtoni asaj dashurinë tuaj. Mos e këputni lidhjen që ju bashkon me Krijuesin tuaj, dhe mos jini ndër ata që kanë gabuar e janë larguar nga rruga e Tij. Me të vërtetë Unë ju them: bota është si mirazhi në shkretëtirë, të cilin i eturi e kujton ujë dhe orvatet me të gjitha forcat ta arrijë, derisa kur e arrin e kupton se është vetëm një iluzion. 18
Një liman kundër ndryshimeve të kësaj jete
BREZAT që kanë qenë para jush – ku kanë ikur? Dhe ata që në jetë ishin të rrethuar nga më të këndshmet e më të bukurat gjëra të tokës, ku janë tani? Përfitoni nga shembulli i tyre, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që kanë humbur rrugën.
Së shpejti të tjerë do të vënë dorë mbi pronat tuaja dhe do të hyjnë në banesat tuaja. Vërini veshin fjalëve të Mia dhe mos u radhitni me të marrët.
Për secilin prej jush detyra supreme është të zgjedhë për veten e tij atë që askush nuk mund t’ia dhunojë ose uzurpojë. Një gjë e tillë – dhe për këtë i Gjithëfuqishmi Më është dëshmitar – është dashuria e Perëndisë, sikur të mund ta kuptonit këtë.
Ndërtoni për vete shtëpi të tilla që as shiu as përmbytjet të mos i shkatërrojnë dot kurrë, të cilat do t’ju mbrojnë nga ndryshimet dhe rastësitë e kësaj jete. Kjo është porosia e Atij Që bota e ka keqtrajtuar e braktisur. 19
Zhdukja e Thesareve të Tokës
TI ngazëllehesh për thesaret që zotëron, duke e ditur se të gjitha ato do të zhduken? Ti gëzohesh sepse sundon një pëllëmbë të tokës, kur gjithë bota, sipas vlerësimit të njerëzve të Bahá-it, vlen sa bebja e syrit të një milingone të vdekur? Lërja ato atyre që janë dashuruar pas kësaj dhe ktheje fytyrën ndaj Atij Që është Dëshira e botës. Ku kanë shkuar kryelartët dhe pallatet e tyre? Vështroni varret e yre, që të përfitoni nga ky shembull, meqenëse Ne e bëmë atë një mësim për çdo shikues. Sikur flladet e Revelacionit të të rrëmbenin ty, ti do të largoheshe nga bota e do të ktheheshe ndaj Mbretërisë, dhe do të shpenzoje gjithçka që zotëron që të mund të avitesh pranë këtij Vizioni sublim. 20
Shpejtësia e kalimit të ditëve
NETËT kanë pasuar ditët dhe ditët kanë pasuar netët, dhe orët e momentet e jetës suaj kanë ardhur e kanë shkuar, e megjithatë asnjëri prej jush nuk ka pranuar, qoftë edhe për një çast, të shkëputet nga ajo që është e vdekshme. Shkunduni, që ato çaste të shkurtëra që ende ju kanë mbetur të mos ikin kot e të humbasin. Me shpejtësinë e vetëtimës do të kalojnë ditët tuaja, dhe trupat tuaj do të shtrihen për t’u prehur nën një mbulesë pluhuri. Çfarë mund të arrini ju atëherë? Si mund ta shlyeni atë që nuk keni bërë në të kaluarën?
Qiriri i përjetshëm ndriçon me lavdinë e tij të pambuluar. Shihni si ka djegur ai çdo perde të vdekshme. O ju që e doni dritën e tij si fluturat e natës! I bëni ballë çdo rreziku dhe ia kushtoni shpirtrat tuaj flakës së tij gllabëruese. O ju që keni etje për Të! Zhvishuni nga çdo dashuri tokësore dhe nxitoni të përqafoni të Shumëdashurin tuaj. Me zell të pashoq nxitoni të arrini pranë Tij. Lulja, deri tani e fshehur nga pamja e njerëzve, është zbuluar para syve tuaj. Ai qëndron para jush në tërë shkëlqimin e lavdisë së Tij. Zëri i Tij i fton të gjitha qeniet e shenjta e të shenjtëruara të bashkohen me Të. Lum ai që kthehet drejt Tij; lum ai që ka arritur e ka soditur dritën e një shëmbëlltyre kaq të mahnitshme. 21
Përkohshmëria e jetës tokësore
KINI mendjen që gjërat kalimtare të jetës njerëzore të mos ju pengojnë të ktheheni drejt Perëndisë, Atij të Vërtetit. Peshojeni në zemrat tuaja botën dhe konfliktet e ndodhitë e saj, në mënyrë që të kuptoni vlerën e saj dhe pozitën e atyre që në të i kanë mbështetur zemrat, duke u larguar prej asaj që është dërguar me Tabelën Tonë të Ruajtur. 22
Thirrjet për të peshuar çdo veprim
VENDOS para syve Peshoren e pagabueshme të Perëndisë dhe, sikur të ishe në Praninë e Tij, pesho në atë Peshore veprimet e tua çdo ditë, çdo çast të jetës sate. Kërkoji llogari vetes para se të thirresh për këtë në Ditën kur askush nuk do të ketë forcë të mbahet në këmbë nga frika e Perëndisë, në Ditën kur zemrat e moskokëçarësve do të dridhen. 23
Dita e llogaridhënies
JU, me siguri, do të thirreni për të dhënë llogari për besimin e Tij në ditën kur Peshorja e Drejtësisë do të hyjë në veprim, ditën kur për secilin do t’i jepet ajo që i takon, kur bëmat e të gjithë njerëzve, qofshin të pasur apo të varfër, do të peshohen. 24
JU, dhe të gjitha ato që zotëroni, do të vdisni. Ju, sigurisht, do të ktheheni te Perëndia, dhe do t’ju kërkohet llogari për bëmat tuaja në praninë e Atij Që do të mbledhë bashkë gjithë krijimin. 25
Bekimet për të dëlirët e të shenjtët
NE me të vërtetë i shohim veprimet tuaja. Në qoftë se Ne nuhasim në to aromën e ëmbël të çiltërsisë e të shenjtërisë, me siguri do t’ju bekojmë. Pastaj gjuhët e banorëve të Parajsës do të thonë lavdërime për ju dhe do të lartësojnë emrat tuaj midis atyre që janë afruar pranë Perëndisë. 26
Urdhri për të ecur në rrugët e Perëndisë
GJATË ditëve të jetës që ju mbeten ecni në rrugën e të Vetmit Perëndi të vërtetë. Ditët tuaja do të kalojnë ashtu si dhe ditët e atyre që kanë qenë para jush. Në pluhur do të ktheheni, ashtu siç janë kthyer etërit tuaj në të shkuarën. 27
Pozita e besimtarëve
SA për ata që kanë shijuar frytin e ekzistencës tokësore të njeriut, që është njohja e të vetmit Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, jeta e mëtejshme e tyre do të jetë e tillë, që Ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë. Për këtë ka dije vetëm Perëndia, Zoti i të gjitha botëve. 28
Njohja e përjetshme e atyre që e duan Perëndinë
THUAJ, betohem për drejtësinë e Perëndisë! Së shpejti salltaneti i ministrave të shtetit dhe pushteti i sundimtarëve do të marrin fund, pallatet e pushtetarëve do të shkretohen dhe do të bëhen pluhur godinat madhështore të perandorëve, por do të qëndrojë ajo që Ne kemi urdhëruar për ju në Mbretërinë. O njerëz, është detyra juaj të përpiqeni me të gjitha forcat që emrat tuaj të mund të përmenden para Fronit dhe ju të tregoni atë që do ta bëjë të pavdekshëm kujtimin tuaj në përjetësinë e Perëndisë, Zotit të të gjithë qenies. 29
Bekimi i ditëve kushtuar Perëndisë
THUAJ: Mos iu gëzoni gjërave që zotëroni; sonte ato janë tuajat, nesër do t’i kenë të tjerë. Kështu ju paralajmëron Ai që është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Thuaj: A mund të pretendoni se ajo që zotëroni është e qëndrueshme dhe e sigurt? Jo! Për kokën Time, të Mëshirëplotit. Ditët e jetës suaj fluturojnë si fllad ere dhe gjithë salltaneti e lavdia juaj do të marrin fund ashtu siç kanë marrë fund salltaneti e lavdia e të tjerëve që kanë shkuar para jush. Reflektoni, o njerëz! Ç’ka ndodhur me ditët tuaja të shkuara, me shekujt tuaj të humbur? Të lumtura kanë qenë ditët që i janë kushtuar të kujtuarit të Perëndisë dhe të bekuara orët që janë harxhur për të lavdëruar Atë Që është Urtiploti. Për jetën Time! As salltaneti i të fuqishmëve, as begatia e të pasurve, madje as sundimi i të pafeve, nuk do të zgjasë. Të gjitha do të zhduken vetëm me një fjalë të Tij. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëfuqishmi, Gjithnënshtruesi, i Gjithëpushtetshmi.
Ç’përfitim ka prej gjërave tokësore që zotërojnë njerëzit? Atë që do t’u sillte atyre përfitim ata e kanë neglizhuar krejtësisht. Së shpejti ata do të zgjohen nga gjumi dhe do ta gjejnë veten të pafuqishëm të fitojnë atë që u ka shpëtuar në ditët e Zotit të tyre, të Gjithëfuqishmit, të Gjithlëvduarit. Sikur ta dinin këtë, ata do të hiqnin dorë nga të gjitha, që emrat e tyre të përmendeshin para fronit të Tij. Ata, me të vërtetë, duhen numëruar midis të vdekurve. 30
Dorëzimi tek i Dashuri
MË dëgjoni, o ju zogj të vdekshëm! Në Kopshtin e Trëndafilave të shkëlqimit të përhershëm një Lule ka nisur të lulëzojë, në krahasim me të cilën çdo lule tjetër s’është veçse një gjemb dhe para shkëlqimit të lavdisë së të Cilës vetë thelbi i bukurisë zbehet e venitet. Ngrihuni, pra, dhe me tërë entuziazmin e zemrave tuaja, me tërë pasionin e shpirtrave tuaj, me tërë zjarrin e vullnetit tuaj, me përpjekjet e përqendruara të gjithë qenies suaj, mundohuni të arrini parajsën e Pranisë së Tij, përpiquni të nuhatni aromën e Lules që kurrë s’ka prishje, të thithni aromat e ëmbla të shenjtërisë dhe të merrni një pjesëz të këtij parfumi të lavdisë qiellore. Kushdo që e ndjek këtë këshillë do t’i këpusë zinxhirët, do të shijojë fuqinë rrëmbenjëse të dashurisë magjepsëse, do të arrijë dëshirën e zemrës së tij dhe do ta lërë shpirtin e vet në duart e të Shumëdashurit të tij. Duke shpërthyer kafazin e tij, ai do të fluturojë, si zogu i shpirtit, për në çerdhen e tij të shenjtë e të përjetshme. 31
Pjesë të zgjedhura nga
Shkrimet e Báb-it
Kthimi te Perëndia
ËSHTË e sigurt që kjo jetë e vdekshme do të zhduket; kënaqësitë e saj detyrimisht do të shuhen dhe së shpejti ju do të ktheheni te Perëndia, në ankth nga ndjenja e pendimit, sepse tani ju do t’ju ngrejnë nga gjumi dhe shpejt do të gjendeni në prani të Perëndisë e do t’ju kërkohet llogari për bëmat tuaja. 32
Fundi i jetës tokësore
THUAJ: kjo jetë tokësore do të marrë fund dhe secili do të vdesë e do të kthehet te Zoti Perëndia im, Që do të shpërblejë me dhuratat më të zgjedhura bëmat e atyre që qëndrojnë me durim. Me të vërtetë, Perëndia yt cakton masën e të gjitha gjërave të krijuara ashtu siç do, mbështetur në urdhrin e Tij; dhe ata që i përshtaten pëlqimit të Zotit tënd, ata me të vërtetë janë ndër të lumturit. 33
Jeta e ardhme e favorshme
JETA e ardhme është me të vërtetë shumë më e favorshme për Ty dhe për ata që ndjekin Kauzën Tënde sesa kjo jetë tokësore dhe kënaqësitë e saj. Kështu është paracaktuar sipas dispensacioneve të Perëndisë…. 34
Marrëdhënia midis trupit dhe shpirtit
DUKE qenë se ky trup fizik është froni i tempullit të brendshëm, çdo gjë që i ndodh të parit ndiehet nga ky i fundit. Në të vërtetë, ai që gjen kënaqësi në gëzimin ose brengoset nga dhimbja është tempulli i brendshëm i trupit, jo vetë trupi. Derisa ky trup fizik është froni ku është vendosur tempulli i brendshëm, Perëndia ka urdhëruar që trupi të ruhet sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që asgjë që shkakton neveri të mos ndodhë. Tempulli i brendshëm vëzhgon trupin e tij fizik, që është froni i tij. Kështu, në qoftë se për këtë të fundit tregohet respekt, është sikur i pari të jetë bartësi. E kundërta është gjithashtu e vërtetë.
Prandaj, është urdhëruar që trupi i vdekur të trajtohet me nderimin dhe respektin më të madh. 35
Kthimi te Perëndia
TË gjithë njerëzit kanë ardhur nga Perëndia dhe tek Ai të gjithë do të kthehen. Të gjithë do të paraqiten para Tij për t’u gjykuar. Ai është Zoti i Ditës së Ringjalljes, të Përtëritjes e të Ndëshkimit, dhe Fjala e reveluar e Tij është Peshorja. 36
Kuptimi i vdekjes, i ringjalljes dhe i parajsës
VDEKJA e vërtetë realizohet kur një person vdes në veten e tij në kohën e Revelacionit të Tij në një mënyrë të tillë që nuk kërkon asgjë tjetër përveç Tij.
Ringjallja e vërtetë nga varri do të thotë të ngjallesh në pajtim me vullnetin e Tij, përmes fuqisë së fjalës së Tij.
Parajsa është arritja e pëlqimit të Tij dhe zjarri i përjetshëm i ferrit është gjykimi i Tij përmes drejtësisë.
Dita kur Ai revelon Veten e Tij është Dita e Ringjalljes, e cila do të zgjasë aq kohë sa ka urdhëruar Ai. 37
Dita e ringjalljes
DITA e Ringjalljes është një ditë në të cilën dielli lind e perëndon si në çdo ditë tjetër. Sa herë ka aguar Dita e Ringjalljes dhe njerëzit e tokës atëherë kur duhej nuk kanë mësuar nga kjo ngjarje. Sikur të kishin dëgjuar, ata nuk do ta kishin besuar, dhe kështu atyre nuk u është thënë gjë! 38
… KUPTIMI që ka Dita e Ringjalljes është se, që nga koha e shfaqjes së Atij Që është Pema e Realitetit hyjnor, në çfarëdo periudhe e me çfarëdo emri, deri në momentin e zhdukjes së Tij, kjo është Dita e Ringjalljes.
Për shembull, që nga nisja e misionit të Jezusit – paqja qoftë mbi Të – deri në ditën e ngjitjes së Tij ishte Dita e Ringjalljes së Moisiut. Sepse gjatë asaj periudhe Revelacioni i Perëndisë ndriçoi përmes shfaqjes së atij Realiteti hyjnor, Që shpërblente me Fjalën e Tij cilindo që besonte në Moisiun dhe ndëshkonte me Fjalën e Tij cilindo që nuk besonte; meqenëse Dëshmia e Perëndisë për atë Ditë ishte ajo që Ai kishte pohuar solemnisht në Ungjillin. Dhe që nga nisja e Revelacionit të Apostullit të Perëndisë – bekimet e Perëndisë qofshin mbi Të – deri në ditën e ngjitjes së Tij ishte Ringjallja e Jezusit – paqja qoftë mbi Të – kur Pema e Realitetit hyjnor u shfaq në personin e Muhametit, duke shpërblyer me Fjalën e Tij cilindo që besonte në Jezusin dhe duke ndëshkuar me Fjalën e Tij cilindo që nuk besonte tek Ai. 39
Parajsa dhe mjetet për ta arritur
Arritja e parajsës
ASNJË gjë e krijuar nuk mund të arrijë parajsën e saj përveçse kur ajo shfaqet në shkallën më të lartë të përsosurisë së urdhëruar. Për shembull, ky kristal përfaqëson parajsën e gurit nga i cili përbëhet lënda e tij. Po kështu ka shkallë të ndryshme në parajsën për vetë kristalin… Sakohë ishte gur, ai ishte pa vlerë, por në qoftë se arrin përsosmërinë e rubinit – një mundësi që është e fshehur në të – sa karatë do të vlejë ai? Kështu shiko çdo gjë të krijuar.
Por pozita më e lartë e njeriut arrihet me anë të besimit te Perëndia në çdo Dispensacion e duke pranuar atë që është reveluar prej Tij, dhe jo me anë të diturisë; përderisa në çdo komb ka njerëz të ditur që janë të përgatitur në shkenca të ndryshme. Dhe as arrihet ajo me anë të pasurisë; sepse është gjithashtu e qartë që midis klasave të ndryshme në çdo komb janë ato që zotërojnë pasuri. Po kështu ka gjëra të tjera kalimtare.
Prandaj dija e vërtetë është dija e Perëndisë, dhe kjo s’është tjetër veçse të njohësh Manifestimin e Tij në çdo Dispensacion. E as ka pasuri tjetër veçse varfëri në gjithçka përveç Perëndisë dhe shenjtëri nga asgjë tjetër veç Tij – një pozitë që mund të realizohet vetëm kur kjo tregohet ndaj Atij Që është Agimi i Revelacionit të Tij. 40
Kuptimi i parajsës dhe i zjarrit
DHE dije me siguri se me Parajsë kuptohet njohja dhe nënshtrimi ndaj Atij Që Perëndia do ta shfaqë, dhe se me zjarr kuptohet shoqërimi i shpirtrave të tillë që nuk i nënshtrohen Atij ose që nuk i binden pëlqimit të Tij. 41
Arritja e parajsës duke njohur
Manifestimin e Perëndisë
NUK ka parajsë më mahnitëse për çdo shpirt sesa t’i drejtohet Manifestimit të Perëndisë në Ditën e Tij, të dëgjojë vargjet e tij dhe të besojë në to, të arrijë në prani të Tij, që s’është tjetër veçse prani e Perëndisë, të lundrojë në detin e mbretërisë hyjnore të pëlqimit të Tij dhe të shijojë frutet e zgjedhura të parajsës së Njëshmërisë së Tij hyjnore. 42
4
Arritja e parajsës duke iu bindur urdhrave të Perëndisë
SIPAS vlerësimit të besimtarëve në Unitetin hyjnor, nuk ka parajsë më të lartë sesa t’u bindesh urdhrave të Perëndisë, dhe nuk ka, në sytë e atyre që kanë njohur Perëndinë dhe shenjat e Tij, zjarr më të tërbuar sesa të shkelësh ligjet e Tij dhe të shtypësh një shpirt tjetër, qoftë edhe sa një majë gjilpëre. Në Ditën e Ringjalljes Perëndia, në të vërtetë, do të gjykojë të gjithë njerëzit dhe ne të gjithë me të vërtetë do të lypim mëshirën e Tij. 43
Arritja e parajsës duke besuar në Fjalët Hyjnore
PRANDAJ në këtë Ditë unë dëshmoj për krijesat e Mia, sepse dëshmia e askujt tjetër veç Meje nuk ka qenë ose kurrë nuk do të jetë e denjë të përmendet në praninë Time. Unë pohoj se asnjë Parajsë nuk është më sublime për krijesat e Mia sesa të qëndrojnë para fytyrës Sime dhe të besojnë në Fjalët e Mia të shenjta, ndërsa asnjë zjarr nuk ka qenë ose nuk do të jetë më i tërbuar për ta sesa të ndahen si me perde nga Manifestimi i Vetes Sime të lartësuar dhe të mos kenë besim te Fjalët e Mia. 44
Përpjekja për të fituar pranimin në parajsë
ME të vërtetë, qysh në Ditën e Parë Ne hapëm dy kanatësh portat e Parajsës për të gjithë popujt e botës dhe thirrëm: “O të gjitha ju gjërat e krijuara! Përpiquni të fitoni pranimin në Parajsë, përderisa ju gjatë gjithë jetës suaj jeni mbajtur fort pas bëmave të virtytshme, me qëllim që të arrini atje”. Me siguri të gjithë njerëzit janë të etur të hyjnë atje, por mjerisht ata nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë për shkak të asaj që kanë bërë duart e tyre. Megjithatë, sikur ti të arrije një kuptim të drejtë për Perëndinë në zemrën e zemrës sate, para se Ai të shfaqte Veten e Tij, ti do të ishe në gjendje ta njihje Atë, të dukshëm e plot dritë, kur Ai ta zbulojë Veten para syve të të gjithë njerëzve. 45
Kuptimi i jetës dhe i vdekjes
THUAJ, fuqia e Perëndisë është në zemrat e atyre që besojnë në unitetin e Perëndisë dhe dëshmojnë se nuk ka tjetër Perëndi veç Tij, ndërsa zemrat e atyre që venë të tjerë krahas Perëndisë janë të pafuqishme, pa jetë në këtë tokë, sepse, me siguri, janë të vdekura. 46
Shpërblimet e Besnikëve
Paqja e përmbushjes
Kurdo që besnikët dëgjojnë të lexohen vargjet e këtij Libri, sytë e tyre do të mbushen me lot dhe zemrat e tyre do të preken thellë nga Ai Që është Më e Madhja Kujtesë për dashurinë që ata ushqejnë për Perëndinë, të Gjithëlëvduarin. Ai është Perëndia, i Gjithëdijshmi, i Përjetshmi. Ata janë me të vërtetë banorë të më së lartës Parajsë, ku do të jetojnë përgjithmonë. Me të vërtetë, ata nuk do të shohin atje asgjë tjetër veçse atë që ka ardhur nga Perëndia, asgjë që do të shkojë tej busullës së kuptimit të tyre. Ata do të takojnë në Parajsë besimtarë që do t’u drejtohen atyre me fjalët “Paqe, Paqe” që nuk u shqiten nga buzët….” 47
Bashkim i përjetshëm
O Kurratul-Ajn!3 Lëshoju thirrjen e Fjalës më të lartësuar shërbëtoreve midis të afërmeve të Tua, paralajmëroi ato kundër Zjarrit Më të Madh dhe njoftoi për lajmin e gëzuar që, duke ndjekur këtë Besëlidhje të fuqishme, do të ketë bashkim të përjetshëm me Perëndinë në Parajsën e pëlqimit të Tij, pranë Fronit të Shenjtërisë. Me të vërtetë, Perëndia, Zoti i krijimit, ka fuqi mbi të gjitha gjërat. 48
Një shpërblim i premtuar
Me të vërtetë, Perëndia së shpejti do të të shpërblejë ty dhe ata që kanë besuar në shenjat e Tij me një shpërblim të shkëlqyer nga prania e Tij. Sigurisht, nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Gjithëzotëruesit, Bujariplotit. Revelacionet e zemërgjerësisë së Tij pushtojnë të gjitha gjërat e krijuara; Ai është i Mëshirshmi, Zemërdhembshuri. 49
Ruajtja e blatimeve
O popuj të botës! Çdo gjë që ju keni ofruar në rrugën e të Vetmit Perëndi të Vërtetë, do ta gjeni të ruajtur nga Perëndia, Ruajtësi, të paprekur në Portën e Shenjtë të Perëndisë. 50
Pjesë të zgjedhura nga
Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it
Provat e jetës pas vdekjes
Shpirti i pavdekshëm
GJITHË krijimi fizik është i vdekshëm. Këta trupa materialë janë të përbërë prej atomesh; kur këto atome fillojnë të ndahen, nis shpërbërja, pastaj vjen ajo që e quajmë vdekje. Kjo përbërje prej atomesh, e cila përbën trupin ose elementin e vdekshëm të çdo qenieje të krijuar, është e përkohshme. Kur forca e tërheqjes, që i mban këto atome së bashku, mënjanohet, trupi, si i tillë, pushon së ekzistuari.
Me shpirtin puna qëndron ndryshe. Shpirti nuk është një kombinim elementesh, ai nuk përbëhet prej një shumice atomesh, ai është prej një substance të vetme e të pandashme dhe prandaj është i përjetshëm. Ai është tërësisht jashtë rendit të krijimit fizik; ai është i pavdekshëm!
Filozofia shkencore ka treguar se një element i thjeshtë (‘i thjeshtë’ do të thotë ‘jo i përbërë’) është i pashkatërrueshëm, i përjetshëm. Shpirti, duke mos qenë një përbërje elementësh, është, për nga karakteri, si një element i thjeshtë, prandaj nuk mund të pushojë së ekzistuari.
Shpirti, duke qenë prej asaj substance të vetme e të pandashme, nuk mund të pësojë as shpërbërje as shkatërrim, prandaj nuk ka arsye që ai të ketë një fund. Të gjitha gjërat që jetojnë tregojnë shenja të ekzistencës së tyre, dhe nga kjo rrjedh se këto shenja nuk mund të ekzistojnë në vetvete në qoftë se ajo që ato shprehin ose për të cilën dëshmojnë nuk ka qenie. Diçka që nuk ekziston nuk mundet, sigurisht, të japë shenja të ekzistencës së saj. Shenjat e shumta të ekzistencës së shpirtit janë përgjithmonë para nesh.
Gjurmët e Shpirtit të Jezu Krishtit, ndikimi i Mësimit të Tij Hyjnor, janë të pranishëm me ne sot, janë të përjetshme.
Diçka që nuk ekziston, kjo pranohet nga të gjithë, nuk mund të shihet nga shenjat. Që të shkruajë, një njeri duhet të ekzistojë – ai që nuk ekziston nuk mund të shkruajë. Të shkruarit është, në vetvete, një shenjë e shpirtit dhe e inteligjencës së shkrimtarit. Shkrimet e Shenjta (që gjithmonë kanë të njëjtin Mësim) provojnë vazhdimësinë e shpirtit.
Merrni qëllimin e krijimit: a është e mundur që gjithçka të jetë krijuar që të evoluojë e të zhvillohet përmes epokash të panumërta duke pasur parasysh këtë qëllim të vogël – disa vite të jetës së njeriut mbi tokë? A nuk është e pamendueshme që kjo të jetë qëllimi i fundit i ekzistencës?
Minerali evoluon derisa absorbohet në jetën e bimës, bima përparon derisa më në fund e humbet jetën e saj në atë të kafshës; kafsha, nga ana e saj, duke qenë pjesë e ushqimit të njeriut, absorbohet në jetën njerëzore.
Kështu, tregohet se njeriu është thelbi i gjithë krijimit, më e larta ndër qeniet e krijuara, qëllimi drejt të cilit kanë përparuar epoka të panumërta të ekzistencës.
Në rastin më të mirë, njeriu shpenzon në këtë botë nja nëntëdhjetë vjet – një kohë me të vërtetë të shkurtër!
A pushon së ekzistuari njeriu kur ai lë trupin? Në qoftë se jeta e tij arrin fundin, atëherë gjithë evolucioni i mëparshëm është i kotë, nuk shërben për asgjë! A mund të përfytyrojë njeriu se krijimi nuk ka qëllim më të madh se ky?
Shpirti është i përjetsjëm, i pavdekshëm.
Materialistët thonë ‘Ku është shpirti? Çfarë është ai? Ne s’e shohim dot atë, dhe as e prekim dot’.
Ja si duhet t’u përgjigjemi atyre: Sado që të përparojë minerali, ai nuk mund të përfshijë botën bimore. E pra, kjo mospërfshirje nuk provon mosekzistencën e bimës!
Në çfarëdo shkallë të madhe të ketë evoluar bima, ajo nuk është në gjendje të kuptojë botën shtazore; kjo mosdije nuk përbën një provë se kafsha nuk ekziston!
Kafsha, qoftë edhe me një zhvillim të lartë, nuk mund të përfytyrojë inteligjencën e njeriut dhe as të kuptojë natyrën e shpirtit të tij. Por, përsëri, kjo nuk provon se njeriu është pa intelekt, ose pa shpirt. Kjo vetëm tregon këtë, që një formë e ekzistencës nuk është në gjendje të përfshijë në veten e saj një formë më të lartë.
Kjo lule mund të jetë e pavetëdijshme për një qenie të tillë si njeriu, por fakti i mosdijes së saj nuk e pengon ekzistencën e njerëzisë.
Po kështu, në qoftë se materialistët nuk besojnë në ekzistencën e shpirtit, mosbesimi i tyre nuk provon se nuk ka një sferë të tillë si bota e shpirtit. Vetë ekzistenca e inteligjencës së njeriut provon pavdekësinë e tij; për më tepër, errësira provon praninë e dritës, sepse pa dritë nuk do të kishte hije. Varfëria provon ekzistencën e pasurisë, sepse pa pasuri si do të mund ta matnim varfërinë? Mosdija provon se dija ekziston, sepse pa dije si mund të ketë mosdije?
Prandaj idea e vdekësisë nënkupton ekzistencën e pavdekësisë, sepse po të kishte Jetë të Amshuar, nuk do të kishte mënyrë për të matur jetën e kësaj bote!
Po qe se shpirti nuk do të ishte i pavdekshëm, si mundën Manifestimet e Perëndisë të përballonin sprova aq të tmerrshme?
Pse Jezu Krishti vuajti vdekjen e tmerrshme mbi kryq?
Pse Muhameti pësoi përndjekjet?
Pse Báb-i bëri flijimin suprem dhe pse Bahá’u’lláh-u i kaloi vitet e jetës së Tij në burg?
Pse kanë qenë gjithë këto vuajtje, në mos për të provuar jetën e pasosur të shpirtit?
Krishti vuajti, Ai i pranoi të gjitha sprovat e Tij për arsye të pavdekësisë së shpirtit të Tij. Në qoftë se njeriu reflekton, ai do të kuptojë domethënien shpirtërore të ligjit të përparimit; sesi gjithçka lëviz nga shkalla më e ulët në atë më të lartë.
Vetëm një njeri pa inteligjencë, pasi ka menduar për këto gjëra, mund të përfytyrojë se skema e madhe e krijimit duhet papritur të pushojë së përparuari, se evolucioni duhet të shkojë në një fund të tillë të papërshtatshëm!
Materialistët që arsyetojnë në këtë mënyrë dhe ngulin këmbë se ne nuk jemi në gjendje të shohim botën e shpirtit, ose të dallojmë bekimet e Perëndisë, janë me siguri si kafshët që nuk kanë gjykim; ata kanë sy e nuk shohin, kanë veshë e nuk dëgjojnë. Dhe kjo mungesë shikimi e dëgjimi është një provë që s’tregon veçse inferioritetin e tyre; për ata lexojmë në Kuran ‘Ata janë njerëz të verbër e të shurdhër ndaj Shpirtit’. Ata nuk venë në përdorim dhuratën e madhe të Perëndisë, fuqinë e gjykimit, me anën e së cilës do të mund të shihnin me sytë e shpirtit, të dëgjonin me veshët shpirtërorë dhe gjithashtu të kuptonin me një zemër Hyjnisht të ndriçuar.
Paaftësia e mendimit materialist për të kapur idenë e jetës së Amshuar nuk përbën provë që ajo jetë nuk ekziston.
Kuptimi i asaj jete tjetër varet nga lindja jonë shpirtërore!
Unë lutem për ju që aftësitë e aspiratat tuaja shpirtërore të rriten çdo ditë dhe që ju të mos i lejoni kurrë shqisat materiale të fshehin nga sytë tuaj madhështinë e Ndriçimit Qiellor. 51
Pavdekësia e shpirtit
PROVA logjike e pavdekësisë së shpirtit është kjo, që asnjë shenjë nuk mund të vijë nga diçka që nuk ekziston, – domethënë është e pamundur që nga mosekzistenca absolute të shfaqen shenja – sepse shenjat janë rrjedhojë e një ekzistence dhe rrjedhoja varet nga ekzistenca e shkakut. Kështu, nga një diell i paqenë nuk mund të rrezatohet dritë; nga një det i paqenë nuk shfaqen valë; nga një re e paqenë nuk bie shi; një pemë e paqenë nuk jep fryte; një njeri i paqenë as shfaq as krijon gjë. Prandaj sakohë shfaqen shenja të ekzistencës, ato janë një provë se zotëruesi i shenjës ekziston.
Vëreni që sot Mbretëria e Krishtit ekziston. Si mund të manifestohej një mbretëri e tillë e madhe nga një mbret i paqenë? Si mund të ngrihen kaq lart valët nga një det i paqenë? Si mund të përhapen fllade të tilla erëkëndshme nga një kopësht i paqenë? Pa mendoni se asnjë efekt, asnjë gjurmë, asnjë ndikim nuk mbetet nga cilado qenie pasi gjymtyrët e saj janë shpërndarë dhe elementet e saj janë shpërbërë, mineral, bimë a kafshë qoftë. Vetëm realiteti njerëzor dhe shpirti i njeriut, pas shpërbërjes së organeve, shpërndarjes së pjesëzave dhe shkatërrimit të përbërjes, qëndron dhe vazhdon të veprojë e të ketë fuqi.
Kjo çështje është tepër e hollë: shiheni atë me vëmendje. Kjo është një provë racionale që po japim, dhe i urti mund ta peshojë atë në peshoren e arsyes e të drejtësisë. Por në qoftë se shpirti njerëzor do të ngazëllohet e të tërhiqet drejt Mbretërisë së Perëndisë, në qoftë se shikimi i brendshëm hapet dhe dëgjmi shpirtëror forcohet, dhe mbizotëron ndjenja shpirtërore, ai do ta shohë pavdekësinë e shpirtit po aq qartë sa shikon diellin, dhe lajmi i gëzuar e shenjat e Perëndisë do ta rrethojnë atë. 52
Jeta këtu dhe pas vdekjes
TË gjithë filozofët hyjnorë dhe njerëzit e pajisur me gjykim e kuptim, duke i parë këto qenie të pafund, kanë menduar se në këtë gjithësi të pakufishme të gjitha sendet përfundojnë në mbretërinë minerale, se rezultati i mbretërisë minerale është mbretëria bimore, rezultati i mbretërisë bimore është mbretëria shtazore dhe rezultati i mbretërisë shtazore është bota e njeriut. Përsosuria e kësaj gjithësie të pakufishme me tërë madhështinë dhe lavdinë e saj ka qenë vetë njeriu, i cili në këtë botë të qenies mundohet e vuan për një kohë nga sëmundje e dhimbje të ndryshme dhe më në fund shpërbëhet, pa lënë pas vetes gjurmë e fryt. Po të ishte kështu, nuk ka dyshim që kjo gjithësi e pakufishme me të gjitha përsosuritë e saj ka përfunduar në mashtrim e zhgënjim pa rezultat, pa fryt, pa vazhdimësi e pa pasoja. Kjo do të ishte krejt pa kuptim. Ata ishin pra të bindur se nuk është kështu, se kjo punishte e madhe me gjithë fuqinë, madhështinë mahnitëse dhe përsosuritë e pafund të saj, nuk mundet më në fund të përfundojë në hiç. Që edhe një botë tjetër duhet të ekzistojë është pra e sigurt dhe, ashtu si bota bimore është e pavetëdijshme për botën e njeriut, edhe ne gjithashtu nuk dimë për jetën e madhe pas vdekjes, e cila pason jetën e njeriut këtu poshtë. Por moskuptimi ynë për atë jetë nuk provon mesekzistencën e saj. Bota minerale, për shembull, është krejt e pavetëdijshme për botën e njeriut dhe nuk mund ta kuptojë atë, por mosdija e një sendi nuk është provë e mosekzistencës së tij. Ekzistojnë prova të shumta e konkluzive që tregojnë se kjo botë e pakufishme nuk mund të përfundojë me këtë jetë njerëzore. 53
Jeta tjetër si fryti i kësaj jete
KUR ti sheh rreth vetes me sy zhbirues, vë re se në këtë tokë të pluhurit të gjithë njerëzit vuajnë….Dhe në qoftë se jeta njerëzore, me qenien e saj shpirtërore, do të kufizohej në këtë hapësirë tokësore, atëherë cili do të ishte fryti i krijimit? Me të vërtetë, cilat do të ishin pasojat dhe përfundimet e Vetë Hyjnisë? Sikur një vështrim i tillë të ishte i vërtetë, atëherë të gjitha gjërat e krijuara, të gjitha realitetet e mundshme dhe e gjithë kjo botë e qenies – të gjitha do të ishin pa kuptim. Mos e dhëntë Zoti që njeriu t’i përmbahet një trillimi e gabimi të tillë të madh.
Sepse ashtu si rezultatet dhe fryti i jetës në mitër nuk mund të shihen në atë vend të errët e të ngushtë, dhe vetëm kur foshnja transferohet në këtë tokë të gjerë, zbulohen të mirat e dobitë e rritjes e të zhvillimit në atë botë të mëparshme – po kështu shpërblimi dhe ndëshkimi, qielli dhe ferri, kompensimi dhe shpagimi për veprat e bëra në jetën e tanishme do të zbulohen në atë botën tjetër të përtejme. Dhe ashtu si jeta në barkun e nënës, po të ishte e kufizuar në atë botë të mitrës, ekzistenca atje do të ishte e pakuptimtë, e parëndësishme – po kështu në qoftë se jeta e kësaj bote, veprat e kryera këtu dhe frytet e tyre nuk do të vinin në botën e përtejme, tërë procesi do të ishte irracional e qesharak.
Dije, pra, se Zoti Perëndia zotëron mbretëri të padukshme që intelekti njerëzor kurrë nuk mund të shpresojë t’u gjejë fundin dhe as t’i konceptojë mendja e njeriut. Kur ti e ke pastruar kanalin e ndjenjës sate shpirtërore nga ndotja e kësaj jete tokësore, atëherë ti do të thithësh aromat e ëmbla të shenjtërisë, që fryjnë nga tenda e lumtur e asaj toke qiellore. 54
Shpirti – realiteti i vërtetë
Realiteti i njerëzimit
NJERIU – njeriu i vërtetë – është shpirt, jo trup; edhe pse fizikisht njeriu i përket botës shtazore, por shpirti i tij e ngren atë mbi pjesën tjetër të krijimit. Shihni sesi drita e diellit ndriçon botën e materies; po kështu Drita Hyjnore përhap rrezet e saj në mbretërinë e shpirtit. Është shpirti që e bën krijesën njerëzore një qenie qiellore!
Falë fuqisë së Shpirtit të Shenjtë që vepron përmes shpirtit të tij, njeriu është në gjendje të dallojë realitetin Hyjnor të gjërave. Të gjitha veprat e mëdha të artit e të shkencës janë dëshmitare të kësaj fuqie të Shpirtit.
Po ky Shpirt jep Jetën e Amshuar. 55
Thelbi i të gjithë krijimit
EPËRSIA e njeriut mbi pjesën tjetër të botës së krijuar shihet gjithashtu në faktin që njeriu ka një shpirt në të cilin banon fryma hyjnore; shpirtrat e krijesave më të ulëta qëndrojnë më poshtë në thelbin e tyre.
Nuk ka, pra, dyshim se nga të gjitha qeniet e krijuara njeriu është më pranë natyrës së Perëndisë, prandaj merr një dhunti më të madhe prej Bujarisë Hyjnore.
Mbretëria minerale zotëron aftësinë e të jetuarit. Bima ka aftësinë e të jetuarit e të rritjes. Kafsha, veç të jetuarit e rritjes, ka aftësinë e lëvizjes dhe përdorimin e vetive të shqisave. Në mbretërinë njerëzore gjejmë të gjitha atributet e botëve më të ulëta, duke u shtuar edhe shumë të tjera. Njeriu është shuma e çdo krijimi të mëparshëm, sepse ai i përmban të gjitha ato.
Njeriut i është dhënë dhuntia e posaçme e intelektit, me anën e të cilit ai është në gjendje të marrë më shumë nga drita Hyjnore. Njeriu i Përsosur është një pasqyrë e lëmuar që reflekton Diellin e së Vërtetës dhe shfaq atributet e Perëndisë. 56
Marrëdhënia e trupit dhe shpirtit
DISA mendojnë se trupi është substanca dhe ekziston vetiu dhe se shpirti është i rastësishëm e varet nga substanca e trupit, megjithëse, në të kundërtën, fryma racionale është substanca dhe trupi varet prej saj. Në qoftë se e rastësishmja – domethënë trupi – shkatërrohet, substanca, shpirti mbetet.
Së dyti, fryma racionale, që do të thotë shpirti njerëzor, nuk zbret te trupi – domethënë nuk hyn në të, sepse zbritja e hyrja janë karakteristika të trupave, dhe fryma racionale është e çliruar nga kjo. Shpirti kurrë nuk ka hyrë në një trup, kështu që duke u larguar prej tij nuk do të ketë nevojë për banesë: jo, shpirti është i lidhur me trupin siç është drita me këtë pasqyrë. Kur pasqyra është e pastër dhe e përsosur, drita e llambës do të duket në të, dhe kur pasqyra zë pluhur ose thyhet, drita do të zhduket.
Fryma racionale – domethënë shpirti njerëzor – as ka hyrë në këtë trup dhe as ekziston nëpërmjet tij; kështu, pas shpërbërjes së ndërtimit trupor, si do të ketë nevojë ai për një substancë nëpërmjet së cilës të mund të ekzistojë? Në të kundërtën, fryma racionale është substanca nëpërmjet së cilës ekziston trupi. Personaliteti i frymës racionale ekziston që nga fillimi; ai nuk varet nga funksioni i trupit, por gjendja dhe personaliteti i frymës racionale mund të forcohen në këtë botë; ai mund të bëjë përparime dhe të arrijë shkallët e përsosurisë ose të mbetet në humnerën më të thellë të injorancës, i mbuluar me vel e i privuar nga soditja e shenjave të Perëndisë. 57
Fillimi i shpirtit njerëzor
DIJENI se megjithëqë ndërgjegja njerëzore ka ekzistuar mbi tokë prej shumë e shumë kohësh e epokash, përsëri ajo është e natyrës fenomenale.4 Por me qenë se ajo është një shenjë hyjnore, sapo vjen në jetë bëhet e përjetshme. Shpirti i njeriut ka fillim, por nuk ka fund; ai vazhdon përjetësisht. Po kështu llojet që ekzistojnë mbi tokë janë të natyrës fenomenale, sepse është vërtetuar se ka qenë një kohë kur këto lloje nuk ekzistonin në sipërfaqen e tokës. Për më tepër, toka nuk ka ekzistuar gjithmonë, por bota e ekzistencës kurdoherë ka qenë, sepse gjithësia nuk kufizohet me këtë rruzull tokësor. Kjo do të thotë që, edhe pse ndërgjegjet njerëzore janë të natyrës fenomenale, ato megjithatë janë të pavdekshme, të përhershme e të vazhdueshme; sepse bota e sendeve është botë e papërsosurive në krahasim me atë të njeriut, dhe bota e njeriut është botë e përsosurisë në krahasim me atë të sendeve. Kur papërsosuritë arrijnë pozitën e përsosurisë, ato bëhen të përjetshme.5 Ky është një shembull, domethënien e të cilit ju duhet ta kuptoni. 58
Fuqia dhe mundësitë e një shpirti të kulluar
SHPIRTRAT janë si pasqyrat dhe bujaria e Perëndisë është si dielli. Kur pasqyrat dëliren nga çdo ngjyrosje, marrin pastërti e shkëlqim dhe kur vendosen përballë diellit, ato reflektojnë me përsosmëri të plotë dritën dhe lavdinë e tij. Në këto kushte njeriu nuk shikon pasqyrën por forcën dhe dritën e diellit që ka përshkuar pasqyrën, duke e bërë atë reflektues të lavdisë qiellore. 59
Marrëdhënia midis trupit, shpirtit dhe frymës
NË botën e njerëzisë ka tri shkallë: e trupit, e shpirtit dhe e frymës.
Trupi është shkalla fizike ose shtazore e njeriut. Nga këndvështrimi i trupit, njeriu është pjesëtar i mbretërisë shtazore. Trupat, si të njerëzve dhe të kafshëve, janë të përbërë prej elementesh që mbahen së bashku nga ligji i tërheqjes.
Ashtu si kafsha, njeriu zotëron aftësitë e shqisave, i nënshtrohet të nxehtit, të ftohtit, urisë, etjes, etj.; ndryshe nga kafsha, njeriu ka shpirt racional, ka inteligjencën njerëzore.
Kjo inteligjencë e njeriut është ndërmjetësja midis trupit dhe frymës së tij.
Kur njeriu e lejon frymën shpirtërore, përmes shpirtit të tij, të ndriçojë gjykimin e tij, atëherë ai përmban gjithë Krijimin; sepse njeriu, duke qenë kulmi i gjithçkaje që ka ardhur më parë dhe duke qëndruar pra më lart se të gjitha evolucionet e mëparshme, përmban brenda vetvetes të gjithë botën më të ulët. I ndriçuar nga fryma shpirtërore nëpërmjet shpirtit, inteligjenca e shkëlqyer e njeriut e bën atë kurorëzimin e Krijimit.
Por nga ana tjetër, kur njeriu nuk e hap mendjen dhe zemrën ndaj bekimit të frymës, por e kthen shpirtin e vet drejt anës materiale, drejt pjesës trupore të natyrës së tij, atëherë ai ka rënë nga pozita e tij e lartë dhe qëndron më poshtë se banorët e mbretërisë më të ulët shtazore. Në këtë rast njeriu është në një gjendje të vështirë e për të ardhur keq! Sepse në qoftë se vetitë shpirtërore të shpirtit, të hapura ndaj fryrjes së Shpirtit të Shenjtë, nuk përdoren kurrë, ato atrofizohen, dobësohen e, më në fund, humbasin aftësinë; ndërsa po qe se edhe vetëm vetitë materiale të shpirtit ushtrohen, ato bëhen tmerrësisht të fuqishme – dhe njeriu fatkeq, që ecën në rrugë të gabuar bëhet më i egër, më i padrejtë, më i ulët, më shtazarak, më keqdashës sesa vetë kafshët më të ulëta. Duke u përforcuar të gjitha aspiratat e dëshirat e tij nga ana më e ulët e natyrës së shpirtit, ai bëhet gjithnjë e më brutal, derisa tërë qenia e tij nuk është kurrsesi më e lartë se ajo e bishës që vdes. Njerëzit si ky mendojnë vetëm të bëjnë keq, të godasin e të shkatërrojnë; atyre u mungon krejtësisht fryma e mëshirës Hyjnore, sepse vetia qiellore e shpirtit është mposhtur nga ajo materiale. Në qoftë se, në të kundërtën, natyra shpirtërore e shpirtit është forcuar aq sa ta mbajë të nënshtruar anën materiale, atëherë njeriu i avitet Hyjnores; natyra e tij njerëzore lartësohet aq sa që virtytet e Tubimit Qiellor shfaqen tek ai; ai rrezaton Mëshirën e Perëndisë, stimulon përparimin shpirtëror të njerëzimit, sepse ai bëhet një llambë për të ndriçuar shtegun e njerëzve.
Ju e shihni sesi shpirti është ndërmjetësi midis trupit dhe frymës shpirtërore. Po kështu kjo pemë6 është ndërmjetësja midis farës dhe frutit. Kur fruti i pemës shfaqet dhe piqet, atëherë ne e dimë se pema është e përsosur; në qoftë se pema nuk mban fruta, ajo do të ishte thjesht një bimë e padobishme, që nuk i shërben asnjë qëllimi.
Kur një shpirt ka brenda tij jetën e frymës shpirtërore, atëherë ai jep fryte të mira dhe bëhet një pemë Hyjnore. Unë dua që ju ta kuptoni këtë shembull. Shpresoj se mirësia e patregueshme e Perëndisë do t’ju forcojë aq saqë vetia qiellore e shpirtit, që e lidh atë me frymën shpirtërore, do të mbisundojë përgjithmonë mbi anën materiale, duke drejtuar tërësisht shqisat tuaja saqë shpirti juaj t’u avitet përsosurive të Mbretërisë Qiellore. Le të bëhen fytyrat tuaja, të kthyera vendosmërisht ndaj Dritës Hyjnore, aq të ndritshme saqë të gjitha mendimet, fjalët e veprat tuaja të shkëlqejnë me Rrezatimin Shpirtëror që sundon shpirtrat tuaj, në mënyrë që në çdo mbledhje në botë ju të tregoni përsosurinë e jetës suaj.
Jetët e disa njerëzve janë të zëna vetëm me gjërat e kësaj bote; mendjet e tyre janë aq të rrethuara nga sjelljet e jashtme e interesat tradicionale saqë ata janë të verbër ndaj çdo fushe tjetër të ekzistencës, ndaj domethënies shpirtërore të të gjitha gjërave! Ata mendojnë e ëndërrojnë për famë tokësore, për përparim material. Kënaqësi epshore e mjedise të rehatshme kufizojnë horizontin e tyre, ambicjet e tyre më të larta përqëndrohen në sukseset e kushteve e të rrethanave tokësore! Ata nuk u vënë fre prirjeve të tyre më të ulëta; ata hanë, pinë e flejnë! Ashtu si kafsha, ata nuk kanë mendim që shkon tej mirëqenies së tyre fizike. Është e vërtetë që këto nevoja duhet të kryhen. Jeta është një barrë që duhet bartur sakohë jemi mbi tokë, por kujdesi për gjërat më të ulëta të jetës nuk duhet lejuar të monopolizojë të gjitha mendimet e aspiratat e qenies njerëzore. Ambicjet e zemrës duhet të ngjiten në një qëllim më të lavdishëm, veprimtaria mendore duhet të ngrihet në nivele më të larta! Njerëzit duhet të ruajnë në shpirtrat e tyre vizionin e përsosjes qiellore dhe atje të përgatisin një vend qëndrimi për bujarinë e pashtershme të Shpirtit Hyjnor.
Le të jetë ambicja juaj arritja mbi tokë e një qytetërimi Hyjnor! Unë kërkoj për ju bekimin suprem, që ju të jeni aq të mbushur me forcën jetësore të Shpirtit Qiellor, që ju t’i sillni jetë botës. 60
Dallimi midis mendjes, shpirtit dhe frymës
Pyetje. – Cili është ndryshimi midis mendjes, shpirtit dhe frymës?...
Përgjigje. – ... SHPIRTI njerëzor që e dallon njeriun nga kafsha është fryma racionale dhe këta dy emra – shpirti njerëzor dhe fryma racionale – i referohen së njëjtës gjë7. Ky shpirt, që në terminologjinë e filozofëve është fryma racionale, përshin të gjitha qeniet dhe, aq sa e lejon aftësia njerëzore, zbulon realitetin e gjërave dhe fiton njohuri për veçantitë dhe efektet e tyre, për cilësitë dhe tiparet e qenieve. Por shpirti njerëzor, po të mos ndihmohet nga shpirti i besimit, nuk njihet me të fshehtat hyjnore e me realitetet qiellore. Ai është si një pasqyrë që, edhe pse e pastër, e lëmuar dhe e shkëlqyeshme, megjithatë ka nevojë për dritë. Derisa të mos reflektohet ndonjë rreze dielli mbi të, ajo nuk mund të zbulojë të fshehtat qiellore.
Por mendja është fuqia e shpirtit njerëzor. Shpirti është llamba; mendja është drita që ndriçon nga llamba. Shpirti është pema dhe mendja është fryti. Mendja është përsosuria e shpirtit dhe cilësia e tij thelbësore, ashtu si rrezet e diellit janë domosdoshmëria thelbësore e diellit. 61
Dhuntitë e mendjes dhe të shpirtit
TANI lidhur me çështjen nëse dhuntitë e mendjes dhe të shpirtit njerëzor janë e njëjta gjë. Këto dhunti s’janë veçse veti të brendshme të shpirtit, si aftësia e imagjinatës, e mendimit, e të kuptuarit – aftësi që janë domosdoshmëritë thelbësore të realitetit të njeriut, ashtu si rrezja diellore eshtë veti e brendshme e diellit. Tempulli i njeriut është si një pasqyrë, shpirti i tij si dielli dhe dhuntitë mendore të tij si rrezet që dalin nga ky burim drite. Rrezja mund të mos bjerë më mbi pasqyrë, por ajo kurrsesi nuk mund të merret e shkëputur nga dielli. 62
Epërsia e aftësive njerëzore
TANI përsa u përket dhuntive mendore, ato në të vërtetë janë ndër aftësitë e brendshme të shpirtit, ashtu si rrezatimi i dritës është aftësia thelbësore e diellit. Rrezet e diellit përtërihen, por vetë dielli është gjithmonë i njëjti e i pandryshuar. Shih sesi intelekti njerëzor zhvillohet e dobësohet, dhe shpesh herë arrin në zero, ndërsa shpirti nuk ndryshon. Që mendja të shfaqet, trupi njerëzor duhet të jetë i plotë; dhe mendja e shëndoshë mund të jetë vetëm në një trup të shëndoshë, ndërsa shpirti nuk varet nga trupi. Mendja kupton, imagjinon dhe ushtron ndikimin e saj përmes forcës së shpirtit, kurse shpirti është një aftësi e lirë. Mendja e kupton abstrakten me ndihmën e konkretes, kurse shpirti ka manifestime të pakufizuara të tij. Mendja është e kufizuar, shpirti nuk ka kufij. Mendja kupton me ndihmën e shqisave të tilla si të shikuarit, të dëgjuarit, të shijuarit, të nuhaturit dhe të prekurit, ndërsa shpirti është i lirë nga të gjithë faktorët. Shpirti, siç e ke vënë re, qoftë në gjumë ose i zgjuar, është në lëvizje e kurdoherë aktiv. Ka mundësi që ai, në ëndërr, të zgjidhë një problem të ndërlikuar, që nuk e zgjidh dot në gjendje të zgjuar. Mendja, për më tepër, nuk kupton ndërkohë që shqisat kanë pushuar së funksionuari, dhe në fazën embrionale e në foshnjërinë e hershme aftësia e të gjykuarit mungon krejtësisht, ndërsa shpirti është gjithmonë i pajisur me aftësi të plotë. Me një fjalë, ka shumë prova që tregojnë se megjithë humbjen e arsyes, aftësia e shpirtit do të vazhdonte të ekzistonte. Por shpirti ka shkallë e pozicione të ndryshme. 63
Pavarësia e shpirtit nga trupi
PERËNDIA na ka dhënë neve një njohje paraprake këtu, na ka dhënë disa prova të dallimit që ekziston midis trupit, shpirtit dhe frymës.
Ne shohim se të ftohtët, të nxehtit, vuajtja etj. kanë të bëjnë vetëm me trupin, ato nuk prekin shpirtin.
Sa herë shohim ne një njeri të varfër, të sëmurë, të veshur keq e pa mjete jetese, e megjithatë shpirtërisht të fortë. Çfarëdo që të vuajë trupi, shpirti i tij është i lirë e mbahet mirë! E po kështu, sa herë shohim ne një njeri të pasur, fizikisht të fortë e të shëndetshëm, por me shpirt të sëmurë deri në vdekje.
Është fare e qartë për mendjen që sheh se shpirti i njeriut është diçka krejt e ndryshme nga trupi fizik i tij.
Shpirti është i pandryshueshëm, i pashkatërrueshëm. Përparimi dhe zhvillimi i shpirtit, gëzimi dhe hidhërimi i shpirtit janë të pavarur nga trupi fizik.
Në qoftë se na shkaktohet gëzim ose dhimbje nga një mik, në qoftë se një dashuri del e vërtetë ose e rreme, është shpirti që preket. Në qoftë se të dashurit tanë janë larg nesh – është shpirti që hidhërohet, dhe hidhërimi ose shqetësimi i shpirtit mund të veprojë mbi trupin.
Pra, kur shpirti ushqehet me virtyte të shenjta, atëherë trupi është i gëzuar; në qoftë se shpirti bie në mëkat, trupi vuan!
Kur ndeshim të vërtetën, qëndrueshmëri, besnikëri e dashuri, ne jemi të lumtur; por në qoftë se ndeshim gënjeshtrën, pabesi e mashtrim, ne ndiehemi fatkeqë.
Këto të gjitha janë gjëra që kanë të bëjnë me shpirtin dhe nuk janë sëmundje trupore. Është, pra, e qartë se shpirti, ashtu si dhe trupi, ka individualitetin e vet. Por në qoftë se trupi pëson një ndryshim, shpirti nuk ka përse të preket. Kur thyen një xham në të cilin shkëlqen dielli, xhami thyhet, por dielli ende shkëlqen! Në qoftë se një kafaz me një zog brenda shkatërrohet, zogu nuk dëmtohet! Në qoftë se një llambë thyhet, flaka ende mund të ndriçojë!
E njëjta gjë ndodh me shpirtin e njeriut. Edhe pse vdekja e shkatërron trupin e tij, ajo nuk ka fuqi mbi shpirtin e tij – ky është i përjetshëm, i pasosur, nuk ka as lindje as vdekje. 64
Realiteti i mendimit
REALITETI i njeriut është mendimi i tij, jo trupi i tij material. Forca e mendimit dhe forca shtazore janë partnere. Edhe pse njeriu është pjesë e krijimit shtazor, ai zotëron një aftësi mendimi më të lartë se çdo qenie tjetër e krijuar. 65
Dy mënyrat e shpirtit për të perceptuar
SHPIRTI nuk mund të kapet nga shqisat materiale të trupit fizik, me përjashtim të asaj që shprehet në shenja e vepra të jashtme. Trupi njerëzor është i dukshëm, shpirti është i padukshëm. Megjithatë është shpirti që drejton aftësitë njerëzore, që qeveris njerëzinë e tij.
Shpirti ka dy aftësi kryesore. (a) Ashtu si rrethanat e jashtme komunikohen me anë të syve, të veshëve e të trurit të njeriut, po kështu shpirti ua komunikon dëshirat e qëllimet e tij përmes trurit duarve dhe gjuhës së trupit fizik, duke shprehur me anë të kësaj vetveten. Fryma shpirtërore në shpirtin e njeriut është vetë thelbi i jetës. (b) Aftësia e dytë e shpirtit e shpreh veten në botën e vizionit, ku shpirti i banuar nga fryma shpirtërore ka qenien e tij dhe funksionon pa ndihmën e shqisave trupore materiale. Atje, në mbretërinë e vizionit, shpirti sheh pa ndihmën e syrit fizik, dëgjon pa ndihmën e veshit fizik dhe udhëton i pavarur nga lëvizja fizike. Është, pra, e qartë se fryma shpirtërore në shpirtin e njeriut mund të funksionojë përmes trupit fizik duke përdorur organet e shqisave të zakonshme dhe se ai është gjithashtu në gjendje të jetojë e të veprojë pa ndihmën e tyre në botën e vizionit. Kjo provon pa pikë dyshimi epërsinë e shpirtit të njeriut mbi trupin e tij, epërsinë e frymës shpirtërore mbi materien.
Shihni, për shembull, këtë llambë: a nuk është drita brenda saj më e lartë se llamba që e përmban atë? Sado e bukur të jetë forma e llambës, në qoftë se aty nuk ka dritë ajo nuk e përmbush qëllimin e saj, është pa jetë, një gjë e vdekur. Llamba ka nevojë për dritën, por drita nuk ka nevojë për llambën.
Shpirti nuk ka nevojë për trup, kurse trupi ka nevojë për shpirtin, përndryshe nuk jeton dot. Shpirti mund të jetojë pa trup, por trupi pa shpirt vdes.
Në qoftë se njeriu humbet shikimin, dëgjimin, dorën ose këmbën e tij, po qe se shpirti i tij vazhdon të banojë në trup ai jeton dhe është në gjendje të shfaqë virtyte hyjnore. Nga ana tjetër, pa shpirt do të ishte e pamundur që një trup i përsosur të ekzistojë. 66
DIJENI se aftësia dhe të kuptuarit e shpirtit njerëzor janë dy llojesh – domethënë ato perceptojnë e veprojnë në dy mënyra të ndryshme. Njëra mënyrë është me anë të mjeteve e të organeve: kështu ai me sy shikon; me vesh dëgjon, me gjuhë flet. I tillë është veprimi i shpirtit dhe perceptimi i realitetit të njeriut, që bëhet me anë të organeve – domethënë shpirti është shikuesi, me anë të syve; shpirti është dëgjuesi, me anë të veshit; shpirti është folësi, me anë të gjuhës.
Manifestimi tjetër i aftësive e i veprimeve të shpirtit është pa mjete e organe. Për shembull, në gjendje gjumi njeriu shikon pa sy; dëgjon pa veshë; flet pa gjuhë, vrapon pa këmbë. Me pak fjalë, këto veprime janë tej përdorimit të mjeteve e të organeve. Sa shpesh ndodh që njeriu në gjumë sheh një ëndërr dhe domethënia e saj del në shesh pas dy vjetësh në rrethana që i korrespondojnë ëndrrës. Po kështu, sa shpesh ndodh që një çështje, që dikush nuk e zgjidh dot kur është zgjuar, gjen zgjidhje në ëndërr. Kur njeriu është zgjuar, syri shikon vetëm në një distancë të shkurtër, por në ëndrra ai që është në Lindje sheh Perëndimin. I zgjuar ai shikon të tashmen; në gjumë sheh të ardhmen. I zgjuar, me mjete të shpejta, ai mund të udhëtojë të shumtën vetëm me njëzet farsakë8 në orë; në gjumë, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, përshkon Lindjen e Perëndimin. Sepse shpirti udhëton në dy mënyra të ndryshme: pa mjete, që është udhëtim shpirtëror, dhe me mjete, që është udhëtim material: si zogjtë që fluturojnë dhe ata që i transportojnë.
Në kohën e gjumit, trupi është si i vdekur; ai nuk shikon dhe as dëgjon; ai nuk ndien; ai nuk ka vetëdijë, as perceptim – domethënë aftësitë e njeriut bëhen joaktive, por shpirti jeton e mbahet gjallë. Madje depërtimi i tij rritet, fluturimi i tij është më i lartë dhe mençuria e tij është më e madhe. Të mendosh se pas vdekjes së trupit shpirti zhduket, është njëlloj si të përfytyrosh se një zog në kafaz do të asgjësohet në rast se kafazi thyhet, megjithëse zogu nuk ka përse t’i trembet shkatërrimit të kafazit. Trupi ynë është si kafazi dhe shpirti është si zogu. Ne shohim se pa kafaz ky zog fluturon në botën e gjumit; prandaj, në qoftë se kafazi thyhet, zogu do të vazhdojë të ekzistojë. Ndjenjat e tij do të jenë madje më të fuqishme, perceptimet e tij më të mëdha dhe lumturia e tij do të shtohet. Në të vërtetë, nga ferri ai arrin një parajsë kënaqësish, sepse për zogjtë mirënjohës nuk ka parajsë më të madhe sesa lirimi nga kafazi. Ja përse martirët, me gëzimin e lumturinë më të madhe, nxitojnë për në vendin e flijimit.
Në gjendje të zgjuar syri i njeriut shikon të shumtën një orë larg9, sepse nëpërmjet përdorimit të trupit fuqia e shpirtit është e kufizuar me kaq; por me shikimin e brendshëm e me syrin e mendjes ai sheh Amerikën, mund të perceptojë atë që ka atje dhe të zbulojë gjendjen e gjërave e të organizojë punët. Sikur shpirti të ishte i njëjtë me trupin, atëherë edhe aftësia e shikimit të brendshëm duhej të kishte të njëjtat përmasa. Është, pra, e qartë se shpirti është i ndryshëm nga trupi, dhe se zogu është i ndryshëm nga kafazi, dhe se aftësia e depërtimi i shpirtit është më i fuqishëm pa ndërmjetësinë e trupit. 67
Zëri i brendshëm
KUR dëshironi të reflektoni ose të mendoni për një çështje, ju konsultoni diçka brenda jush. Ju thoni a duhet apo nuk duhet ta bëj këtë? A është më mirë ta bëj këtë udhëtim apo të heq dorë prej tij? Me cilin konsultoheni ju? Kush është brenda jush që vendos për këtë çështje? Sigurisht ka një aftësi të veçantë, një unë inteligjent. Po të mos kishte dallim nga uni juaj, ju nuk do të konsultoheshit me të. Kjo është më e madhe sesa aftësia e të menduarit. Është shpirti juaj që ju mëson, që këshillon dhe vendos për çështjet. Kush ai që pyet? Kush është ai që përgjigjet? Nuk ka dyshim se ky është shpirti dhe se ai nuk pëson ndryshim apo transformim, sepse ai nuk është një përbërje elementësh, dhe çdo gjë që nuk është e përbërë prej elementësh është e përjetshme. Ndryshimi dhe transformimi janë veçori të përbërjes. Nuk ka ndryshim ose transformim te shpirti. Një provë për këtë është se trupi mund të dobësohet në gjymtyrët e tij. Ai mund të gjymtohet në rast se një prej gjymtyrëve të tij paaftësohet. I gjithë trupi mund të paralizohet, e megjithatë mendja, shpirti mbetet gjithmonë i njëjti. Mendja vendos; mendimi është i përsosur; megjithatë dora thahet, këmbët bëhen të papërdorshme, shtylla kurrizore paralizohet dhe nuk ka fare lëvizje muskulare, por shpirti është në të njëjtën gjendje. Gjymto një njeri të shëndetshëm; shpirti nuk gjymtohet. I pritni këmbët; shpirti i tij është në vend. Ai mund të bëhet i çalë; shpirti nuk preket. Shpirti është gjithmonë po ai; ju nuk mund të dalloni kurrfarë ndryshimi ose transformimi, dhe duke qenë se nuk ka ndryshim ose transformim ai është i përjetshëm e i përhershëm.
Mendoni një njeri ndërsa është në gjendje gjumi; është e qartë se të gjitha pjesët dhe gjymtyrët e tij janë në pushim, nuk funksionojnë. Syri i tij nuk sheh, veshi i tij nuk dëgjon, këmbët dhe duart e tij janë të palëvizshme; por megjithatë ai sheh në botën e ëndrrave, ai dëgjon, ai flet, ai ecën, ai mundet madje të fluturojë me një aeroplan. Pra, është e qartë që ndonëse trupi është i vdekur, shpirti është gjallë e i përhershëm. Madje perceptimet mund të jenë më të gjalla kur trupi i njeriut është në gjumë, fluturimi mund të jetë më i lartë, dëgjimi mund të jetë më i mprehtë; të gjitha funksionet janë aty, e megjithatë trupi është në pushim. Kështu që ka prova që njeriu ka një shpirt, dhe në këtë shpirt nuk ka ndryshim nëse trupi është në gjumë ose krejt i vdekur e i varur. Shpirti nuk paaftësohet nga këto kushte; ai nuk privohet nga ekzistenca e tij; ai nuk privohet nga përsosuritë e tij.Prova ka shumë, ato janë të panumërta.
Të gjitha këto janë prova racionale. Askush nuk mund t’i mohojë ato. Meqenëse, siç e kemi treguar, ka një shpirt dhe ky shpirt është i përhershëm e i përjetshëm, duhet të përpiqemi të mësojmë prej tij. Nëse merrni dijeni për forcën e tij, nxitoni ta bëni atë të hyjnishëm, ta spastroni e shënjtëroni dhe ta bëni atë vetë dritën e botës që ndriçon Lindjen dhe Perëndimin. 68
Zbulimet shpirtërore
TI ke shkruar për çështjen e zbulimeve shpirtërore. Shpirti i njeriut është një forcë rrethuese që përfshin realitetet e të gjitha gjërave. Çdo gjë që ti sheh rreth vetes – produkte të mahnitshme të mjeshtrisë njerëzore, shpikje, zbulime e dëshmi të ngjashme – çdonjëra prej tyre ishte dikur një sekret i fshehur në mbretërinë e së panjohurës. Shpirti njerëzor e ka bërë atë sekret të dukshëm, e ka nxjerrë atë nga bota e padukshme në botën e dukshme.Janë, për shembull, forca e avullit, fotografia dhe gramafoni, telegrafi pa tel dhe përparimet në matematikë: Secila prej tyre pa përjashtim ishte dikur një mister, një sekret i ruajtur mirë, megjithatë shpirti njerëzor i shpalosi këto sekrete dhe i nxorri ato nga e padukshmja në dritën e ditës. Është pra e qartë se shpirti njerëzor është një forcë gjithëpërfshirëse që ushtron zotërimin e vet mbi thelbin e brendshëm të të gjitha gjërave të krijuara, duke zbuluar misteret e ruajtura mirë të botës së dukurive.
Por shpirti hyjnor zbulon realitetet hyjnore dhe misteret universale që ndodhen në botën shpirtërore. Unë shpresoj se ti do të arrish te ky shpirt hyjnor, në mënyrë që të zbulosh sekretet e botës tjetër, si dhe misteret e botës këtu poshtë.
69
Vizionet dhe komunikimi me shpirtrat
PA mendoni që fuqia e mendimit të njeriut është dy llojesh. Njëri lloj është i vërtetë, kur është në pajtim me një të vërtetë të caktuar. Koncepte të tilla realizohen në botën e jashtme; të tilla janë mendimet e sakta, teoritë e drejta, zbulimet dhe shpikjet shkencore.
Lloji tjetër i konceptimeve përbëhet prej mendimesh të kota e idesh të padobishme, që nuk japin as fryte as rezultate dhe të cilat nuk kanë realitet. Jo, ato dalin si dallgët e detit të imagjinatës dhe zhduken si ëndrra të kota.
Po kështu, ka dy lloje zbulimesh shpirtërore. Njëri janë revelacionet e Profetëve dhe zbulimet shpirtërore të të zgjedhurve. Vizionet e Profetëve nuk janë ëndrra; jo, ata janë zbulime shpirtërore dhe kanë realitet. Ata thonë, për shembull, “Unë pashë një person në një formë të caktuar dhe i thashë një gjë të tillë dhe ai më dha një përgjigje të tillë”. Ky vizion është në botën e vigjilimit e jo në atë të gjumit. Jo, ai është një zbulim shpirtëror që shprehet në formën e një vizioni.
Lloji tjetër i zbulimeve shpirtërore përbëhet prej imagjinatash të kulluara, por këto imagjinata trupëzohen në mënyrë të tillë saqë shumë njerëz të patëkeq besojnë se ato janë realitet. Ajo që e provon qartë këtë është se ky kontroll i shpirtrave kurrë nuk ka dhënë ndonjë fryt a rezultat. Jo, këto s’janë veçse përralla e histori.
Dijeni se realiteti i njeriut përfshin realitetet e gjërave dhe zbulon të vërtetat, vetitë dhe të fshehtat e gjërave. Kështu, të gjitha këto arte, mrekulli, shkenca e dije janë zbuluar nga realiteti njerëzor. Dikur, këto shkenca, dije, mrekulli e arte ishin sekrete të fshehura e të mbuluara; pastaj, gradualisht, realiteti njerëzor i zbuloi ato dhe i solli nga sfera e së padukshmes në rrafshin e së dukshmes. Është, pra, e qartë se realiteti i njeriut i përfshin gjërat. Kështu, ai është në Evropë dhe zbulon Amerikën; është në tokë dhe bën zbulime në qiejt. Ai është zbuluesi i sekreteve të gjërave dhe njohësi i realiteteve të asaj që ekziston. Këto zbulime, që i korrespondojnë realitetit, janë të ngjashme me revelacionin, që është kuptim shpirtëror, frymëzim hyjnor dhe bashkim shpirtrash njerëzorë. Për shembull, Profeti thotë, “Unë pashë, Unë thashë, Unë dëgjova një gjë të tillë”. Është,pra, e qartë që shpirti ka një perceptim të madh pa ndërmjetësinë e ndonjërës prej pesë shqisave, siç janë sytë ose veshët. Midis shpirtrash të frymëzuar ka kuptime e zbulime shpirtërore, një komunikim shpirtëror të spastruar nga imagjinata e fantazia, një shoqërim të pavarur nga koha e vendi. Kështu, në Ungjill është shkruar se Moisiu dhe Elia shkuan te Krishti në Malin Tabor, dhe është e qartë se ky nuk ishte një takim material. Ishte një gjendje shpirtërore e shprehur si takim fizik.
Lloji tjetër i bisedimit, i pranisë e i komunikimit të shpirtrave s’është veçse imagjinatë e fantazi, e cila vetëm duket sikur ka realitet.
Mendja dhe mendimi i njeriut ndonjëherë zbulojnë të vërteta dhe ky mendim e zbulim japin shenja e rezultate. Ky mendim e ka një bazë. Por shumë gjëra që vijnë në mendjen e njeriut janë si valët e detit të imagjinatave; ato nuk kanë fryt e prej tyre nuk vjen ndonjë rezultat. Po kështu, njeriu sheh në botën e gjumit një vizion që realizohet me saktësi; në një rast tjetër, ai sheh një ëndërr që nuk ka asnjë rezultat.
Ajo që duam të themi është se kjo gjendje, që e quajmë bisedim e komunikim shpirtrash; është dy llojesh: njëri është thjesht imagjinar, ndërsa tjetri është si vizionet që përmenden në Librin e Shenjtë, siç janë revelacionet e Shën Gjonit e të Isaisë dhe takimi i Krishtit me Moisiun e Elian. Këto janë reale e japin efekte të mahnitshme në mendjet e në mendimet e njerëzve, dhe tërheqin zemrat e tyre. 70
Progresi dhe gjendja e shpirtit në këtë botë dhe në tjetrën
Hyrja në Mbretërinë e Perëndisë
JU pyesni për jetën e amshuar dhe hyrjen në Mbretërinë. Shprehja e jashtme që përdoret për Mbretërinë është qielli; por ky është një krahasim e gjasim, dhe jo një realitet apo fakt, sepse Mbretëria nuk është një vend material; ajo është e spastruar nga koha e hapësira. Ajo është botë shpirtërore, botë hyjnore dhe qendra e Sovranitetit të Perëndisë; ajo është e çliruar nga trupi e nga çdo gjë trupore, dhe është e spastruar dhe e lirë nga përfytyrimet e botës njerëzore. Të kufizohesh në hapësirë është veti e trupave e jo e shpirtrave. Vendi dhe koha rrethojnë trupin, jo mendjen e shpirtin. Vini re se trupi i njeriut është i kufizuar në një vend të vogël; ai zë vetëm dy pëllëmbë tokë. Ndërsa shpirti e mendja e njeriut udhëtojnë në të gjitha vendet e krahinat – madje edhe përmes hapësirës së qiejve – rrethojnë çdo gjë që ekziston, dhe bëjnë zbulime në sferat më të larta e në distanca të pafundme. Kjo ndodh sepse shpirti nuk ka vend; ai është i pavend; dhe për shpirtin toka dhe qielli janë një, derisa ai bën zbulime në të dyja. Ndërsa trupi është i kufizuar në një vend dhe nuk di se ç’ndodh përtej tij.
Sepse jeta është dy llojesh: ajo e trupit dhe ajo e shpirtit. Jeta e trupit është jetë materiale, ndërsa jeta e shpirtit shpreh ekzistencën e Mbretërisë, thelbi i së cilës është të marrësh Frymën e Perëndisë dhe të këndellesh nga flladi i Shpirtit të Shenjtë. Edhe pse jeta materiale ka ekzistencë, ajo është thjesht mosekzistencë dhe vdekje absolute për shenjtorët e shenjtëruar. Kështu, njeriu ekziston, dhe ky gur gjithashtu ekziston, por sa ndryshim ka midis njeriut dhe gurit! Edhe pse guri ekziston, në raport me ekzistencën e njeriut ai është sikur nuk ekziston.
Domethënia e jetës së amshuar është dhuntia e Shpirtit të Shenjtë, ashtu si lulje merr dhuntitë e stinës, të ajrit e të flladit pranveror. Shikoni: në fillim kjo lule ka pasur jetë të ngjashme me jetën e mineralit; por me ardhjen e stinës së pranverës, falë bujarisë së reve pranverore dhe nxehtësisë së diellit flakërues, ajo arriti një jetë tjetër plot freski, shije e aroma erëndshme. Jeta e parë e lules, në krahasim me jetën e dytë, është vdekje.
Domethënia është se jeta e Mbretërisë është jetë e shpirtit, jetë e amshuar dhe se ajo është e spastruar nga hapësira, ashtu si shpirti i njeriut që nuk ka shtrirje në hapësirë. Sepse, po të vëzhgosh trupin njerëzor, nuk gjen ndonjë vend a seli të posaçme për shpirtin, sepse ai kurrë nuk ka pasur ndonjë vend; ai është jomaterial. Ai ka një lidhje me trupin si atë të diellit me këtë pasqyrë. Dielli nuk është brenda pasqyrës, por ka lidhje me pasqyrën.
Po kështu bota e Mbretërisë është e spastruar nga çdo gjë që mund të perceptohet prej syrit ose prej shqisave të tjera – të dëgjuarit, të nuhaturit, të shijuarit ose të prekurit. Mendja që është te njeriu, ekzistenca e së cilës është e njohur, në ç’vend ndodhet tek ai? Po ta këqyrësh trupin me sy, me veshë ose me shqisat e tjera, nuk do ta gjesh; megjithatë, ajo ekziston. Pra, mendja nuk ka ndonjë vend, por është e lidhur me trurin. Mbretëria i përngjet kësaj. Po kështu dashuria nuk ka ndonjë vend, por është e lidhur me zemrën; Mbretëria nuk ka ndonjë vend, por është e lidhur me njeriun.
Hyrja në Mbretërinë bëhet nëpërmjet dashurisë ndaj Perëndisë, nëpërmjet shkëputjes, nëpërmjet shenjtërisë e dëlirësisë, nëpërmjet vërtetësisë, pastërtisë, qëndrueshmërisë, besnikërisë dhe flijimit të jetës.
Këto sqarime tregojnë se njeriu është i pavdekshëm dhe jeton përjetësisht. Për ata që besojnë te Perëndia, që ushqejnë dashuri e besim ndaj Perëndisë, jeta është e përsosur – dmth është jetë e amshuar; por për ata shpirtra që janë të ndarë me perde nga Perëndia, edhe pse ata kanë jetë, ajo është e errët dhe, në krahasim me jetën e besimtarëve, është mosqenie.
Për shembull, syri dhe thoi janë të gjallë; por jeta e thoit, në krahasim me jetën e syrit, është sikur nuk ekziston. Ky gur dhe ky njeri që të dy ekzistojnë; por guri në krahasim me ekzistencën e njeriut është sikur nuk ekziston; ai nuk ka qenie; sepse kur njeriu vdes dhe trupi i tij shkatërrohet e asgjësohet, ai bëhet si guri e dheu. Pra, është e qartë që edhe pse minerali ekziston, në krahasim me njeriun ai sikur nuk ekziston.
Po kështu, shpirtrat që janë të ndarë si me perde nga Perëndia, edhe pse ekzistojnë në këtë botë dhe në botën pas vdekjes, në krahasim me ekzistencën e shenjtë të fëmijëve të Mbretërisë së Perëndisë, nuk ekzistojnë dhe janë të ndarë nga Perëndia. 71
Mbretëria e Qiellit
O TI që kërkon Mbretërinë e Qiellit! Kjo botë është si trupi i njeriut dhe Mbretëria e Perëndisë është si shpirti i jetës. Shih sa e errët dhe e ngushtë është bota fizike e trupit të njeriut dhe ç’pre e lëngatave dhe e sëmundjeve është ajo. Nga ana tjetër, sa e freskët dhe e ndritshme është mbretëria e shpirtit njerëzor. Gjyko nga kjo metaforë sesi bota e Mbretërisë ka ndriçuar dhe si ligjet e saj janë vënë në veprim në mbretërinë e poshtme. Megjithëse qëndron i fshehur nga shikimi, por porositë e tij shkëlqejnë si rreze drite mbi botën e trupit njerëzor. Po kështu, megjithëse Mbretëria e qiellit është e fshehur nga shikimi i këtyre njerëzve padashur, prapë për atë që sheh me syrin e brendshëm, ajo është e dukshme si drita e ditës.
Prandaj jeto gjithmonë në Mbretërinë dhe harroje botën këtu poshtë. Rrëmbehu tërësisht në rrezatimet e shpirtit saqë kurrgjë në botën e njeriut të mos të të shkëpusë dot. 72
SHPIRTRAT e bijve të Mbretërisë, pas ndarjes së tyre nga trupi, ngjiten në mbretërinë e jetës së pasosur. Por në qoftë se pyesni për vendin, dijeni se bota e ekzistencës ëshë një botë e vetme, edhe pse shkallët e saj janë të ndryshme e dallohen prej njëra-tjetrës. Për shembull, jeta minerale ka vendin e vet, por një qenie minerale nuk ka asnjë dijeni për gjërat e botës bimore, dhe në fakt me gjuhën e vet të brendshme mohon ekzistencën e një mbretërie të tillë. Po kështu, një qenie bimore nuk di asgjë për botën shtazore, duke mbetur krejtësisht e pavëmendshme dhe e paditur ndaj saj, sepse stadi i kafshës është më i lartë sesa ai i bimës, dhe bima është e ndarë si me perde nga bota shtazore e përbrenda e mohon ekzistencën e asaj bote – ndërkaq të gjitha këto, qoftë kafshë, bimë apo mineral janë së bashku në të njëjtën botë. Po kështu, kafsha mbetet krejt e paditur për aftësinë e mendjes njerëzore që kap idetë universale dhe nxjerr në shesh sekretet e krijimit – dhe njeriu që jeton në Lindje mund të bëjë plane e rregullime për Perëndimin; mund të shpalosë mistere; edhe pse i vendosur në kontinentin evropian mund të zbulojë Amerikën; edhe pse qëndron në tokë mund të kapë realitetet e brendshme të yjeve të qiellit. Kafsha mbetet krejtësisht e paditur për këtë aftësi të zbulimit që i përket mendjes njerëzore, për këtë aftësi për të kapur ide abstrakte e universale, dhe në fakt e mohon ekzistencën e saj.
Po kështu, banorët e kësaj toke janë krejt të paditur për botën e Mbretërisë dhe e mohojnë ekzistencën e saj. Ata, për shembull, pyesin: “Ku është Mbretëria? Ku është Zoti i Mbretërisë?” Këta njerëz janë si mineralet dhe bimët, që nuk dinë asgjë për mbretërinë shtazore dhe njerëzore; ato nuk e shohin atë; ato nuk e gjejnë dot atë. Megjithatë minerali dhe bima, kafsha dhe njeriu të gjithë jetojnë së bashku në këtë botë të ekzistencës. 73
Atributet e nevojshme për të hyrë
në Mbretërinë e Qiellit
NJERIU në botën e ekzistencës ka kaluar shkallë të njëpasnjëshme derisa ka arritur mbretërinë njerëzore. Në secilën shkallë të avancimit të tij ai ka zhvilluar aftësinë për të kaluar në stadin dhe gjendjen e mëtejshme. Ndërsa ndodhej në mbretërinë e mineralit, ai fitoi aftësinë për t’u ngjitur në shkallën e bimës. Në mbretërinë e bimës ai bëri përgatitjen për botën e kafshës dhe që këtej shkoi përpara drejt shkallës ose mbretërisë njerëzore. Gjatë tërë këtij udhëtimi të avancimit ai kurdoherë e gjithmonë ka qenë potencialisht njeri.
Në fillim të jetës së tij njerëzore njeriu ishte embrional në botën e mitrës. Aty ai fitoi aftësinë dhe dhuntinë për realitetin e ekzistencës njerëzore. Forcat dhe aftësitë e nevojshme për këtë botë iu dhuruan atij në atë gjendje të kufizuar. Në këtë botë ai kishte nevojë për sy; ai i fitoi ato potencialisht në atë tjetrën. Ai kishte nevojë për veshë; ai i fitoi ato atje në gatishmëri e përgatitje për ekzistencën e tij të re. Aftësitë e kërkuara në këtë botë iu dhuruan atij në botën e mitrës, kështu që kur hyri në këtë mbretëri të ekzistencës reale, ai jo vetëm zotëronte të gjitha funksionet e aftësitë e nevojshme, por edhe gjeti mbështetje për jetesën materiale që e priste.
Prandaj, në këtë botë ai duhet të përgatitet për jetën e përtejme. Ajo që ai ka nevojë në botën e Mbretërisë duhet të fitohet këtu. Ashtu si ai u përgatit në botën e mitrës duke fituar forcat e nevojshmë në këtë sferë të ekzistencës, po kështu forcat e domosdoshme të ekzistencës hyjnore duhet të arrihen potencialisht në këtë botë.
Për çfarë ka nevojë ai në Mbretërinë që e kapërcen jetën dhe kufizimin e kësaj sfere të vdekshme? Ajo jetë e përtejme është një botë shenjtërie e rrezëllimi; prandaj është e nevojshme që në këtë botë ai t’i fitojë këto atribute hyjnore. Në atë botë ka nevojë për natyrë shpirtërore, besim, siguri, për njohje të Perëndisë e dashuri për Të. Këto ai duhet t’i arrijë në këtë botë, në mënyrë që pas ngjitjes së tij nga mbretëria tokësore në Mbretërinë qiellore të gjejë të gatshme për të çdo gjë që është e nevojshme në atë jetë të pasosur.
Ajo botë hyjnore është dukshëm një botë dritash; prandaj njeriu ka nevojë për ndriçim këtu. Ajo është botë e dashurisë; dashuria për Perëndinë është thelbësore. Ajo është botë e përsosurive; virtytet ose përsosuritë duhet të fitohen. Ajo botë merr jetë nga flladet e Shpirtit të Shenjtë; në këtë botë ne duhet t’i kërkojmë ato. Ajo është Mbretëria e jetës së pasosur; kjo duhet të arrihet gjatë kësaj ekzistence që zhduket.
Në ç’mënyrë mund t’i fitojë njeriu këto gjëra? Si do t’i arrijë ai këto dhunti e aftësi të favorshme? E para, përmes njohjes së Perëndisë. E dyta, përmes dashurisë për Perëndinë. E treta, përmes besimit. E katërta, përmes veprash filantropike. E pesta, përmes vetëflijimit. E gjashta, përmes përmbajtjes nga kjo botë. E shtata, përmes shenjtërisë e shenjtërimit. Pa fituar këto forca dhe pa arritur këto kërkesa, atij me siguri do t’i mohohet jeta e pasosur. Por në qoftë se zotëron njohjen e Perëndisë, ndizet me zjarrin e dashurisë për Perëndinë, sheh shenjat e mëdha e të fuqishme të Mbretërisë, bëhet shkak dashurie midis njerëzisë dhe jeton në gjendjen më të lartë të shenjtërisë e të shenjtërimit, ai me siguri do të arrijë lindjen e dytë, do të pagëzohet prej Shpirtit të Shenjtë dhe do të gëzojë ekzistencën e përjetshme.
A nuk është për t’u habitur që megjithëse njeriu është krijuar për të njohur e dashur Perëndinë, për virtytet e botës njerëzore, për natyrë shpirtërore, ndriçim qiellor dhe jetën e pasosur, prapëseprapë ai vazhdon të jetë i paditur e i pavëmendshëm për të gjitha këto? Shihni sesi ai kërkon të njohë gjithçka me përjashtim të njohjes së Perëndisë. Për shembull, dëshira e tij më e madhe është të depërtojë në misteret e shtresave më të ulta të tokës. Nga dita në ditë ai përpiqet të dijë atë që mund të gjendet dhjetë metra nën sipërfaqe, atë që mund të zbulohet brenda gurit, atë që mund ta mësojë me kërkime arkeologjike në pluhur. Ai bën punë të guximshme për t’u hyrë thellë mistereve tokësore, por nuk interesohet aspak të njohë misteret e Mbretërisë, që përshkojnë fushat e pakufishme të botës së përjetshme, të informohet për realitetet hyjnore, të zbulojë sekretet e Perëndisë, të shohë shkëlqimet e Diellit të së Vërtetës dhe të kuptojë lavditë e jetës së pasosur. Ai është i pavëmendshëm e i shkujdesur për këto. Sa shumë e tërheqin atë misteret e materies, dhe sa krejt i paditur është ai për misteret e Hyjnisë! Jo, ai është krejt i pavëmendshëm e i pavetëdijshëm për sekretet e Hyjnisë. Sa e madhe është padituria e tij! Sa ndikon për degradimin e tij! Është sikur një atë i mirë e i dashur të ketë siguruar një bibliotekë me libra të mahnitshëm për djalin e tij, që ai të mund të informohet për misteret e krijimit, dhe në të njëjtën kohë ta ketë rrethuar atë me të gjitha mjetet e rehatisë e të kënaqësisë, por djali të zbavitet me guraleca e lodra, i pavëmendshëm për dhuratat e pajisjet që i ka siguruar i ati. Sa i paditur e i pavëmendshëm është njeriu! Ati ka dashur për të lavdi të përjetshme, kurse ai kënaqet me verbëri e humbje. Ati ka ndërtuar për të një pallat mbretëror, por ai luan me pluhurin; ka përgatitur për të rroba mëndafshi, por ai parapëlqen të qëndrojë i paveshur; ka siguruar për të ushqime e fruta të shijshme, por ai kërkon ushqim në barin e fushave. 74
Ndëshkimet dhe shpërblimet
THUHET se dënimet dhe shpërblimet janë dy llojesh: së pari, shpërblimet dhe dënimet në këtë jetë; së dyti, ato të botës tjetër. Por parajsa dhe ferri i ekzistencës gjenden në të gjitha botët e Perëndisë, qoftë në këtë botë ose në botët shpirtërore qiellore. Të fitosh këto shpërblime do të thotë të fitosh jetën e amshuar. Ja përse Krishti tha “Vetëm ai që lind me anë të ujit e të shpirtit mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë”.10
Shpërblimet në këtë jetë janë virtytet e përsosuritë që stolisin realitetin e njeriut. Për shembull, ai ishte i errët dhe bëhet i ndriçuar; ishte i paditur dhe bëhet i mençur; ishte i pavëmendshëm dhe bëhet syhapur; ishte në gjumë dhe zgjohet; ishte i vdekur dhe bëhet i gjallë; ishte i verbër dhe bëhet me sy; ishte i shurdhër dhe bëhet me veshë; ishte tokësor dhe bëhet qiellor; ishte material dhe bëhet shpirtëror. Përmes këtyre shpërblimeve ai rilind shpirtërisht dhe bëhet një krijesë e re. Ai bëhet manifestimi i vargut të Ungjillit ku për dishepujt thuhet se ata “kanë lindur jo nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i njeriut, por nga Perëndia”11 – domethënë ata u çliruan prej tipareve e vetive shtazore, që janë tipare të natyrës njerëzore, dhe u veshën me tipare hyjnore, që janë dhunti e Perëndisë. Kjo është domethënia e lindjes së dytë. Për njerëz të tillë nuk ka torturë më të madhe sesa ndarja prej Perëndisë, dhe nuk ka dënim më të rëndë sesa veset trupore, vetitë e errëta, poshtërsia e karakterit, rrëmbimi prej dëshirave epshore. Kur ata çlirohen përmes dritës së besimit nga errësira e këtyre veseve dhe ndriçohen nga rrezatimi i diellit të realitetit, dhe fisnikërohen me të gjitha virtytet, ata e çmojnë këtë si shpërblimin më të madh dhe e dinë se kjo është parajsa e vërtetë. Po kështu, ata mendojnë se dënimi shpirtëror – domethënë tortura dhe dënimi i ekzistencës – është t’i nënshtrohesh botës së natyrës; të ndahesh nga Perëndia; të jesh brutal e injorant; të zhytesh në epshet trupore; të biesh në dobësi shtazore; të karakterizohesh nga veti të errëta si gënjeshtra, tirania, mizoria, tërheqja pas gjërave të kësaj bote dhe pushtimi nga mendime djallëzore. Për ta këto janë dënimet e torturat më të mëdha.
Po ashtu, shpërblimet e botës tjetër janë jeta e amshuar që përmendet qartë në të gjithë Librat e Shenjtë, përsosuritë hyjnore, bujaritë e përjetshme dhe lumturia e pasosur. Shpërblimet e botës tjetër janë përsosuritë dhe paqja që fitohet në botët shpirtërore pas largimit nga kjo botë, ndërsa shpërblimet e kësaj bote janë përsosuritë e vërteta të ndritura që realizohen në këtë botë dhe që sjellin jetë të amshuar, sepse ato janë vetë përparimi i ekzistencës. Është si me njeriun, që kalon nga bota embrionale në gjendjen e pjekurisë dhe bëhet manifestimi i këtyre fjalëve: “Bekuar qoftë, pra, Alláhu, më i miri i Krijuesve”.12 Shpërblimet e botës tjetër janë paqja, hiret shpirtërore, dhuntitë e ndryshme shpirtërore në Mbretërinë e Perëndisë, plotësimi i dëshirave të shpirtit e të zemrës dhe takimi me Perëndinë në botën e përjetësisë. Po kështu, dënimet e botës tjetër – domethënë mundimet e botës tjetër – janë privimi nga bekimet e veçanta hyjnore e nga bujaritë absolute dhe rënia në shkallën më të ulët të ekzistencës. Ai që është i privuar nga këto favore hyjnore, megjithëse vazhdon të jetojë pas vdekjes, konsiderohet si i vdekur nga njerëzit e së vërtetës.
75
Urtia e udhëtimit të shpirtit për te Perëndia
JU keni pyetur përse qe e nevojshme që shpirti, i cili vjen nga Perëndia, të bëjë këtë udhëtim për t’u kthyer te Perëndia?...
Realiteti që qëndron në themel të kësaj çështjeje është se shpirti i lig, Satani ose gjithçka që interpretohet si një e keqe, ka të bëjë me natyrën e ulët tek njeriu. Kjo natyrë më e ulët simbolizohet në mënyra të ndryshme. Tek njeriu ka dy shprehje: Njëra është shprehja e natyrës; tjetra është shprehja e mbretërisë shpirtërore. Bota e natyrës është me cen. Shikoje atë me kthjelltësi, duke flakur mënjanë çdo bestytni e imagjinatë. Në qoftë se e lë një njeri të pashkolluar e barbar në vendet e egra të Afrikës, a mund të vihet në dyshim që ai do të mbetet i paditur? Perëndia nuk ka krijuar kurrë ndonjë shpirt të lig; të gjitha këto ide e emërtime janë simbole që shprehin thjesht njerëzoren apo natyrën tokësore të njeriut. Është një kusht thelbësor i dheut që gjembaçët , barërat e këqia dhe drurët e pafrytshëm rriten prej tij. Duke folur në mënyrë relative, kjo është një e keqe; ajo është thjesht gjendja më e ulët dhe produkti më i pavlefshëm i natyrës.
Është, pra, e qartë që njeriu ka nevojë për edukim e frymëzim hyjnor, që shpirti dhe dhuntitë e Perëndisë janë thelbësore për zhvillimin e tij. Kjo do të thotë se mësimet e Krishtit dhe të Profetëve janë të nevojshme për edukimin dhe udhëheqjen e tij. Pse? Sepse ata janë Kopshtarët Që lërojnë tokën e zemrave e të mendjeve njerëzore. Ata e edukojnë njeriun, shkulin barërat e këqia, djegin gjëmbaçët dhe i shndërrojnë vendet e shkreta në kopshte e pemishte ku rriten pemë frutore. Urtia dhe qëllimi i përgatitjes që bëjnë Ata është se njeriu duhet të kalojë nga një shkallë te tjetra në shpalosjen progresive derisa të arrijë përsosurinë. Për shembull, në qoftë se një njeri jeton gjatë tërë jetës së tij në një qytet të vetëm, ai nuk mund të fitojë dije për gjithë botën. Për t’u informuar në mënyrë të plotë ai duhet të vizitojë qytete të tjera, të shohë malet e luginat, të kalojë lumenjtë dhe të përshkojë fushat. Me fjalë të tjera, pa një edukim progresiv e universal nuk mund të arrihet përsosuria.
Njeriu duhet të ecë në shumë shtigje dhe t’u nënshtrohet proceseve të ndryshme në evolucionin e tij në ngjitje. Fizikisht ai nuk ka lindur me shtat të plotë, por kalon përmes fazave të njëpasnjëshme të fetusit, të foshnjës, të fëmijërisë, të rinisë, të pjekurisë dhe të pleqërisë. Të supozojmë që ai ka aftësinë të mbetet i ri gjatë tërë jetës së tij. Atëherë ai nuk do të kuptonte domethënien e pleqërisë dhe nuk do të besonte që ajo ekziston. Në qoftë se nuk do të kuptonte gjendjen e pleqërisë, ai nuk do të dinte që ka qenë i ri. Pa përjetuar pleqërinë, ai nuk do të njihte dallimin midis të riut e plakut. Në qoftë se nuk ke kaluar përmes gjendjes së foshnjërisë, si mund ta dish se pranë teje ishte një foshnjë? Në qoftë se nuk do të ishte e gabuara, si mund të njohësh të drejtën? Në qoftë se nuk do të kishte mëkat, si mund të çmosh virtytin? Në qoftë se nuk do të diheshin punët e liga, si mund të lëvdosh veprat e mira? Në qoftë se nuk do të ekzistonte sëmundja, si mund të kuptosh shëndetin? E liga nuk ekziston; ajo është mungesa e së mirës. Sëmundja është humbja e shëndetit; varfëria është mungesa e pasurisë. Kur pasuria zhduket, ti je i varfër; ti sheh në arkën e parave por nuk gjen asgjë aty. Pa njohuri ka padituri; pra, padituria është thjesht mungesa e dijeve. Vdekja është mungesa e jetës. Pra, nga njëra anë kemi ekzistencën; në anën tjetër kemi mosekzistencës, mohimin apo mungesën e ekzistencës.
Me pak fjalë, udhëtimi i shpirtit është i nevojshëm. Shtegu i jetës është rruga që çon në dijen dhe arritjen hyjnore. Pa përgatitje e udhëheqje, shpirti nuk do të mund të përparonte kurrë tej gjendjes së natyrës së tij të ulët, që është e paditur e me cen. 76
Qëndrimi i duhur kundrejt vdekjes
Një mik ka pyetur: “Si mundet njeriu mezi të presë vdekjen?”
‘Abdu’l-Bahá-i është përgjigjur: “Si njeriu mezi pret qëllimin e çdo udhëtimi? Me shpresë e në pritje. Po kështu ndodh me fundin e këtij udhëtimi tokësor. Në botën tjetër njeriu do ta shohë veten të çliruar nga shumë prej gjymtimeve që e bëjnë të vuajë tani. Ata që kanë kaluar nëpërmjet vdekjes kanë një sferë të vetën. Ajo nuk është e shkëputur nga e jona; puna e tyre, puna e Mbretërisë, është e jona; por ajo është e çliruar nga ajo që ne e quajmë ‘kohë dhe hapësirë’. Koha tek ne matet me diellin. Kur nuk ka më lindje të diellit, dhe as perëndim të diellit, ajo lloj kohe nuk ekziston për njeriun. Ata që kanë ndërruar jetë kanë attribute të ndryshme nga ata që janë ende mbi tokë, megjithatë nuk ka ndarje reale”. 77
Përparimi i shpirtit pas vdekjes
PËRSA i përket shpirtit të njeriut pas vdekjes, ai mbetet në shkallën e pastërtisë tek e cila ka evoluar gjatë jetës në trupin fizik, dhe pasi çlirohet nga trupi mbetet i zhytur në oqeanin e Mëshirës së Perëndisë.
Që nga çasti që shpirti ikën nga trupi dhe arrin në Botën Qiellore, evolucioni i tij është shpirtëror dhe ky evolucion është: Afrimi pranë Perëndisë.
Në krijimin fizik, evolucioni kryhet nga një shkallë përsosurie te një tjetër. Minerali kalon me përsosuritë e tij minerale te bota bimore; bima, me përsosuritë e saj, kalon në botën shtazore, e kështu me radhë te ajo e njerëzisë. Kjo botë është plot kontradikta në dukje; në secilën prej këtyre mbretërive (minerale, bimore dhe shtazore) jeta ekziston në shkallën e vet; megjithëse kur e krahason me jetën te njeriu toka duket si e vdekur, ajo megjithatë gjithashtu jeton dhe ka një jetë të vetën. Në këtë botë, gjërat jetojnë e vdesin, dhe jetojnë përsëri në forma të tjera të jetës, kurse në botën e shpirtit është krejt ndryshe.
Shpirti nuk evoluon nga një shkallë në një tjetër sipas ndonjë ligji; ai evoluon vetëm duke u avitur më pranë Perëndisë, falë Mëshirës e Mirësisë së Perëndisë. 78
Përparimi në botën tjetër
DIJENI se asgjë që ekziston nuk mbetet në gjendje prehjeje – domethënë të gjitha gjërat janë në lëvizje. Çdo gjë ose është në rritje ose është në rënie: të gjitha gjërat ose vijnë nga mosqenia në jetë, ose shkojnë nga qenia në mosqenie. Kështu, kjo lule, ky zambak, në njëfarë kohe erdhi nga bota e mosqenies në qenie dhe tani po kalon nga qenia në mosqenie. Kjo gjendje lëvizjeje thuhet se është thelbësore – domethënë e natyrshme; ajo nuk mund të ndahet prej qenieve, sepse është kërkesa e tyre thelbësore, siç është kërkesa thelbësore e zjarrit të digjet.
Pra, është provuar se kjo lëvizje është e nevojshme për ekzistencën, e cila është ose në rritje ose në rënie. Tani, duke qenë se shpirti vazhdon të ekzistojë pas vdekjes, ai medoemos ose përparon ose është në rënie; dhe në botën tjetër të pushosh së përparuari është njëlloj si të jesh në rënie; por shpirti kurrë nuk del jashtë gjendjes së vet, në të cilën vazhdon të zhvillohet. Për shembull, realiteti i shpirtit të Pjetrit, sado të përparojë, nuk mund të arrijë gjendjen e realitetit të Krishtit; ai përparon vetëm brenda mjedisit të vet.
Vërejeni këtë mineral. Sado që të zhvillohet, ai zhvillohet vetëm brenda gjendjes së vet; nuk mund ta çosh një kristal në një gjendje që ai të arrijë të fitojë shikim. Kjo është e pamundur. Kështu, hëna që është në qiell, sado të zhvillohet, kurrë nuk mund të bëhet diell i shndritshëm, por në gjendjen e vet ajo ka një apogje e një perigje. Sado të përparojnë dishepujt, ata kurrë nuk bëhen dot Krisht. Është e vërtetë se qymyri mund të bëhet diamant, por të dy ndodhen në gjendje minerale dhe elementet e tyre përbërëse janë të njëjta. 79
Përparimi i shpirtit
QETËSIA absolute nuk ekziston në natyrë. Të gjitha gjërat ose bëjnë përpara ose humbasin terren. Gjithçka lëviz përpara ose prapa, asgjë nuk është pa lëvizje. Që nga lindja e tij njeriu përparon fizikisht derisa arrin pjekurinë, pastaj, pasi ka arritur në lulen e jetës fillon të bjerë, forca e fuqitë e trupit të tij pakësohen dhe ai gradualisht arrin orën e vdekjes. Po kështu, bima përparon nga fara në pjekuri, pastaj jeta e saj fillon të pakësohet derisa venitet e vdes. Zogu fluturon deri në njëfarë lartësie dhe, pasi ka arritur pikën më të lartë të mundshme në fluturimin e tij, fillon të zbresë në tokë.
Është, pra, e qartë se lëvizja është thelbësore për çdo ekzistencë. Të gjitha gjërat materiale përparojnë deri në një pikë, pastaj fillojnë të bien. Ky është ligji që drejton tërë krijimin fizik.
Të shohim tani shpirtin. Ne e pamë se lëvizja është thelbësore për ekzistencën; asgjë që ka jetë nuk është pa lëvizje. Çdo krijim, qoftë i mbretërisë minerale, bimore ose shtazore, është i detyruar t’i bindet ligjit të lëvizjes; ai duhet ose të ngjitet ose të zbresë. Kurse shpirti i njeriut nuk ka rënie. Lëvizja e vetme e tij është drejt përsosjes; vetëm rritja dhe përparimi përbëjnë lëvizjen e shpirtit.
Përsosuria Hyjnore është e pafund, prandaj përparimi i shpirtit është gjithashtu i pafund. Qysh nga lindja e një qenieje njerëzore shpirti përparon, intelekti rritet dhe dijet shtohen. Kur trupi vdes, shpirti vazhdon të jetojë. Të gjitha shkallët e ndryshme të qenieve që i përkasin krijimit fizik janë të kufizuara, kurse shpirti është i pakufishëm!
...
Në botën e shpirtit nuk ka lëvizje praptazi. Bota e vdekshmërisë është një botë kontradiktash, të kundërtash; duke qenë lëvizja e detyrueshme, gjithçka duhet ose të shkojë përpara ose të tërhiqet. Në mbretërinë e shpirtit nuk është e mundur tërheqja, çdo lëvizje është e detyruar të kryhet drejt një gjendjeje të përsosur. ‘Përparimi’ është shprehja e shpirtit në botën e materies. Inteligjenca e njeriut, aftësistë e tij për të arsyetuar, dijet e tij, arritjet e tij shkencore, duke qenë të gjitha këto shfaqje të shpirtit, pjesë e ligjit të pashmangshëm të përparimit shpirtëror, janë, pra, domosdoshmërisht të pavdekshme.
Unë shpresoj se ju do të përparoni në botën e shpirtit, si dhe në botën e materies; se inteligjenca juaj do të zhvillohet, dijet tuaja do të shtohen dhe kuptimi juaj do të zgjerohet. 80
Mjetet e përparimit të shpirtit
Pyetje. – Me ç’mjete do të përparojë shpirti i njeriut – domethënë fryma racionale – pas ndarjes nga kjo botë e vdekshme?
Përgjigje. – Përparimi i shpirti njerëzor në botën hyjnore, pas shkëputjes së lidhjes së tij me trupin prej pluhuri, bëhet vetëm nëpërmjet bujarisë e hirit të Zotit, ose nëpërmjet ndërhyrjes e lutjeve të sinqerta të shpirtrave të tjerë njerëzorë, ose nëpërmjet bamirësive e veprave të mira me rëndësi që bëhen në emër të tij. 81
Ndërmjetësimi në botën tjetër
PASURIA e botës tjetër është afërsi me Perëndinë. Për rrjedhojë, është e sigurt se atyre që janë pranë Oborrit Hyjnor u lejohet të ndërhyjnë, dhe kjo ndërhyrje miratohet nga Perëndia. Por ndërhyrja në botën tjetër nuk është si ndërhyrja në këtë botë. Ajo është diçka tjetër, një realitet tjetër, që nuk mund të shprehet me fjalë.
Në qoftë se një njeri i pasur në momentin e vdekjes jep një dhuratë për të varfërit e të mjerët dhe lë një pjesë të pasurisë që të shpenzohet për ta, ky veprim mund të bëhet ndoshta shkak që ai të marrë ndjesë e t’i falen mëkatet dhe të përparojë në Mbretërinë Hyjnore.
Edhe babai e nëna përballojnë shqetësimet e vështirësitë më të mëdha për fëmijët e tyre; dhe shpesh, kur fëmijët kanë arritur moshën e pjekurisë, prindërit shkojnë në botën tjetër. Rrallë ndodh që një baba e një nënë ta shohin në këtë botë shpërblimin për kujdesin e shqetësimet që kanë përjetuar për fëmijët e tyre. Prandaj fëmijët, në këmbim të këtij kujdesi e shqetësimi, duhet të tregohen bamirës e shpirtmirë dhe të kërkojnë ndjesë e falje për prindërit e tyre. Kështu, në këmbim të dashurisë e të mirësisë së treguar nga ati juaj, ju duhet t’u jepni të varfërve për hir të tij dhe, me nënshtrimin e përulësinë më të madhe, të luteni për ndjesë e falje të mëkateve dhe të kërkoni mëshirën supreme.
Është madje e mundur që gjendja e atyre që kanë vdekur në mëkat e mosbesim të ndryshojë – domethënë ata mund të bëhen objekt i ndjesës falë bujarisë së Perëndisë, jo falë drejtësisë së Tij – sepse bujari do të thotë të japësh pa e merituar, ndërsa drejtësi do të thotë të japësh atë që të takon. Ashtu siç e kemi në dorë të lutemi për këta persona këtu, po kështu do ta kemi në dorë në botën tjetër, që është Mbretëria e Perëndisë. A nuk janë të gjithë njerëzit në atë botë krijesa të Perëndisë? Pra, ata edhe në atë botë mund të përparojnë. Ashtu si mund të marrin dritë këtu me anë të lutjeve të tyre, edhe atje ata mund të lypin ndjesë e të marrin dritë me anë faljesh e lutjesh. Ashtu si shpirtrat në këtë botë, me ndihmën e lutjeve e të kërkesave të shenjtorëve, mund të arrijnë zhvillim, po kështu ndodh edhe pas vdekjes. Përmes lutjeve e kërkesave të veta ata gjithashtu mund të përparojnë, por sidomos kur janë objekt i ndërhyrjes së Manifestimeve të Shenjta. 82
Duke fluturuar në Mbretërinë në këtë botë
ATA shpirtra që, në këtë ditë, hyjnë në Mbretërinë hyjnore dhe arrijnë jetë të pasosur, megjithëse materialisht banojnë mbi tokë, në realitet sidoqoftë fluturojnë në mbretërinë e qiellit. Trupat e tyre mund të enden mbi tokë, por shpirtrat e tyre udhëtojnë në pafundësinë e hapësirës. Sepse kur mendimet zgjerohen e ndriçohen, ata fitojnë aftësinë që të fluturojnë dhe e çojnë njeriun në Mbretërinë e Perëndisë. 83
Perceptim më i madh në botën e ardhme
MENDONI sesi një qenie, në botën e mitrës, ishte e shurdhër nga veshët, e verbër nga sytë dhe memece nga gjuha; sesi ajo ishte përgjithësisht e privuar nga çdo lloj perceptimesh. Por kur doli jashtë asaj bote të errësirës, ajo kaloi në këtë botë të dritës; atëherë sytë e saj panë, veshët e saj dëgjuan, gjuha e saj foli. Po kështu, kur të jetë larguar nga ky vend i vdekshëm për në Mbretërinë e Perëndisë, ajo do të lindë në shpirtin; atëherë syri i perceptimit të saj do të hapet, veshi i shpirtit të saj do të dëgjojë dhe të gjitha të vërtetat që më parë nuk i dinte do të bëhen të dukshme e të qarta.
Një udhëtar vëzhgues që kalon nëpër një rrugë sjell me siguri ndërmend zbulimet e tij, në qoftë se nuk i ndodh ndonjë aksident që t’ia fshijë kujtesën. 84
Zbulimi i mistereve të fshehura
LIDHUR me çështjen e zbulimeve që bën shpirti pasi ka flakur formën e tij njerëzore: Me siguri, ajo botë është një botë perceptimesh e zbulimesh, sepse perdja e futur në mes do të hiqet dhe shpirti njerëzor do të sodisë shpirtrat që janë sipër, poshtë dhe në një nivel me atë vetë. Kjo është e ngjashme me gjendjen e një qenieje njerëzore në mitër, ku sytë e saj janë të veshur dhe të gjitha gjërat janë të fshehura prej saj. Kur ajo lind jashtë botës së mitrës dhe hyn në këtë jetë, e sheh se në krahasim me mitrën ky është një vend perceptimesh e zbulimesh dhe vëren gjithfarë gjërash me syrin e jashtëm. Po kështu, kur largohet nga kjo jetë, shikon në atë botë gjithçka që ishte e fshehur prej saj këtu: Por atje i sheh e i kupton të gjitha gjërat me syrin e vet të brendshëm. Atje ajo do të shohë shokët e vet të barabartë me të, ata që janë në shkallët mbi të, si dhe ata që janë më poshtë. 85
Premtimi për njohjen e shpirtrave në jetën tjetër
PËRSA i përket pyetjes nëse shpirtrat do të njohin njëri-tjetrin në botën shpirtërore: Ky është një fakt i sigurt; sepse Mbretëria është bota e pamjes, ku të gjitha realitetet e fshehura hapen. Aq më tepër shpirtrat e mirënjohur do të bëhen të dukshëm. Misteret për të cilat njeriu është i pafuqishëm në botën tokësore, ai do t’i zbulojë në botën qiellore dhe atje do të informohet për sekretet e së vërtetës; aq më tepër do të njohë ose zbulojë ai persona me të cilët ishte shoqëruar. Padyshim, shpirtrat e shenjtë që kanë sy të kulluar dhe janë të favorizuar me mendjemprehtësi do të njihen në mbretërinë e dritave me të gjitha misteret dhe do të kërkojnë dhuntinë për të parë realitetin e çdo shpirti të madh. Ata madje do të sodisin haptazi bukurinë e Perëndisë në atë botë. Po kështu, ata do të gjejnë të gjithë miqtë e Perëndisë, si të kohëve të mëparshme dhe të mëvonshme, të pranishëm në tubimin qiellor. 86
Ndryshimi e dallimi midis njerëzve do të realizohen natyrisht pas largimit të tyre nga kjo botë e vdekshme. Por ky dallim nuk ka të bëjë me vendin, por me shpirtin dhe ndërgjegjen. Sepse Mbretëria e Perëndisë është e spastruar (ose e lirë) nga koha dhe vendi; ajo është një botë tjetër dhe një univers tjetër. Dhe dije me siguri se në botët hyjnore të dashurit shpirtërorë do të njohin njëri-tjetrin dhe do të kërkojnë bashkim me njëri-tjterin, por bashkim shpirtëror. Po kështu, një dashuri që dikush mund të ketë pasur për dikë nuk do të harrohet në botën e Mbretërisë, as nuk do të harrosh ti atje jetën që ke pasur në botën materiale. 86a
Marrëdhëniet midis të gjallëve
dhe të vdekurve
Përzierja e të vdekurve dhe të gjallëve
ATA që kanë ndërruar jetë kanë atribute të ndryshme nga ata që janë ende mbi tokë, megjithatë nuk ka ndarje reale.
“Në lutje ka një përzierje të pozitës, një përzierje të gjendjes. Lutuni për ta sikundër ata luten për ju”. 87
Ndihma e të vdekurve për të gjallët
Dikush që ishte i pranishëm pyeti sesi ndodh që në lutje e përsiatje zemra shpesh kthehet me një thirrje instinktive ndaj disa miqve që kanë kaluar në jetën tjetër.
‘Abdu’l-Bahá-i u përgjigj: “Është një ligj i krijimit të Perëndisë që i dobëti të mbështetet tek i forti. Ata ndaj të cilëve ju ktheheni mund të jenë ndërmjetësit e fuqisë së Perëndisë për ju, ashtu si edhe në tokë. Por është Shpirti i Shenjtë që i forcon të gjithë njerëzit”. 88
Mësimi i të vdekurve
Kur e pyetën nëse është e mundur të vihen në dijeni për revelacionin e ri ata që janë ndarë nga kjo jetë pa dëgjuar asgjë për të,
‘Abdu’l-Bahá-i iu përgjigj: – Po, sigurisht! derisa lutja e sinqertë gjithmonë bën efekt, dhe ajo ka ndikim të madh në botën tjetër. Ne nuk jemi kurrë të izoluar nga ata që janë atje. Ndikimi i vërtetë e real nuk është në këtë botë, por në atë botën tjetër. 89
Biseda me të vdekurit
“A mundet një shpirt që ka ikur të bisedojë me dikë që është ende mbi tokë?”
‘Abdu’l-Bahá: “Një bisedë mund të bëhet, por jo si bisedimi ynë. Nuk ka dyshim se forcat e botëve më të larta ndërveprojnë me forcat e këtij rrafshi. Zemra e njeriut është e hapur për frymëzimin; ky është komunikim shpirtëror. Ashtu si në ëndërr njeriu flet me një mik ndërkohë që gjuha është e heshtur, kështu është edhe në bisedën e shpirtit. Njeriu mund të bisedojë me unin brenda tij duke thënë: ‘A mund ta bëj këtë? A do të ishte e këshillueshme për mua ta bëj këtë punë?’ E tillë si kjo është edhe biseda me vetveten më të lartë.” 90
Paefektshmëria e mediumëve dhe e transeve
JASHTË dhuntisë së Shpirtit të Shenjtë, çdo gjë që ti ke dëgjuar përsa i përket rezultatit të transeve, ose borive të mediumëve, që sjellin kumbimin e zërave të të vdekurve, është këmbë e krye imagjinatë. Kurse përsa i përket dhuntisë së Shpirtit të Shenjtë, trego çfarë të duash – ajo nuk mund të teprohet; pra, beso çfarëdo që të dëgjosh për këtë. Por personat të cilëve po u referohemi, njerëzit-bori, janë krejt të përjashtuar nga kjo dhunti dhe nuk kanë pjesë në të; veprimi i tyre është një iluzion. 91
Rreziku i tjetërsimit të forcave fizike
TË manipulosh me forcat fizike në këtë botë, kjo bëhet pengesë për gjendjen e shpirtit në botën e ardhme. Këto forca janë reale, por zakonisht nuk janë aktive në këtë plan. Foshnja në mitrën e nënës ka sy, veshë, duar, këmbë etj., por këto nuk janë në veprim. Gjithë qëllimi i jetës në botën materiale është ecja e vazhdueshme përpara drejt botës së realitetit, ku këto forca do të bëhen aktive. Ato i përkasin asaj bote. 92
Pyetje. – Cila është gjendja e fëmijëve që vdesin para se të arrijnë moshën e arsyes ose para se të lindin?
Përgjigje. – Këto foshnje janë nën hijen e dashamirësisë së Perëndisë; dhe meqë nuk kanë bërë ndonjë mëkat dhe nuk janë njollosur me papastërtitë e botës së natyrës, ata janë qendra të manifestimit të bujarisë dhe Syri i Dhembshurisë do të qëndrojë mbi ta. 93
Për vdekjen e një fëmije
MEGJITHËSE humbja e një djali me të vërtetë të copëton zemrën dhe është jashtë caqeve të durimit njerëzor, por kush di e kupton është i sigurt se djalin nuk e ka humbur, përkundrazi ai ka kaluar nga kjo botë në një tjetër dhe se ajo do ta gjejë atë në mbretërinë hyjnore. Ky bashkim do të jetë përgjithmonë, ndërsa në këtë botë ndarja është e pashmangshme dhe sjell me vete një hidhërim përvëlues.
Lavdi Zotit që ti ke besim, po e kthen fytyrën ndaj Mbretërisë së përjetshme dhe beson në ekzistencën e një bote qiellore. Pra, mos u dëshpëro, mos u ligështo, mos psherëti, as mos qaj e vajto; sepse ankthi dhe zija e prekin thellë shpirtin e tij në mbretërinë hyjnore.
Ai fëmijë i dashur të drejtohet ty nga bota e fshehur: “O ti Nënë e dashur, falëndero Perëndinë hyjnore që unë u çlirova nga një kafaz i vogël e i zymtë dhe, si zogjtë e luadheve, fluturova në botën hyjnore – një botë e gjerë, e ndriçuar dhe gjithmonë e gëzueshme e plot hare. Pra, mos vajto, o Nënë, e mos u pikëllo; unë nuk jam ndër të humburit, dhe as jam prishur e shkatërruar. Unë kam flakur tej formën e vdekshme dhe kam ngritur flamurin tim në këtë botë shpirtërore. Pas kësaj ndarjeje është miqësia e përjetshme. Ti do të më gjesh mua në qiellin e Perëndisë, të zhytur në një oqean drite”. 94
Për vdekjen e një të riu
VDEKJA e atij të riu të dashur dhe ndarja e tij prej jush ka shkaktuar hidhërimin e pikëllimin më të madh; sepse ai u lëshua fluturim drejt çerdhes qiellore në buthtimin e moshës së tij e në lulen e rinisë. Por ai është çliruar nga kjo strehë e brengës dhe e ka kthyer fytyrën ndaj çerdhes së përjetshme të Mbretërisë, dhe i çliruar nga një botë e errët e e ngushtë ka shpejtuar për në botën e shenjtëruar të dritës; atje qëndron ngushëllimi i zemrave tona.
Urtia e padepërtueshme hyjnore qëndron në themel të ngjarjeve të tilla zemërpërvëluese. Është sikur një kopshtar i kujdesshëm të kalojë një kaçubë të njomë nga një vend i ngushtë në një fushë të gjerë e të hapur. Ky kalim nuk shkakton fishkjen, rrëgjimin ose prishjen e kaçubës; jo, përkundrazi, bën që ajo të rritet e të harliset, të fitojë freski e hijeshi, të bëhet e blertë e të lidhë fryte. Ky sekret i fshehur është i njohur mirë për kopshtarin, por ata shpirtra që nuk e dinë këtë dhunti mendojnë se kopshtari, në zemërimin e tërbimin e tij, e ka shkulur kaçubën. Kurse për ata që janë të vetëdijshëm, ky fakt i fshehur është i dukshëm, dhe ky vendim i paracaktuar konsiderohet si një dhunti. Mos u hidhëro ose dëshpëro, pra, për ndarjen nga jeta të atij zogu të besnikërisë; jo, në të gjitha rrethanat lutu për atë të ri, duke kërkuar për të ndjesë e lartësim të pozitës së tij.
Unë shpresoj se ti do të kesh durimin, vetëpërmbajtjen dhe nënshtrimin më të madh, dhe unë lutem e përgjërohem në Pragun e Njëshmërisë, duke kërkuar ndjesë e falje. Shpresa ime nga mirësitë e pafundme të Perëndisë është që Ai t’i japë strehë këtij pëllumbi të kopshtit të besimit dhe të bëjë që ai të banojë në degën e Tubimit Suprem, që ai t’i këndojë me meloditë më të mira lavdisë e madhërimit të Zotit të Emrave e të Atributeve. 95
Për vdekjen e një bashkëshorti
MOS u hidhëro për vdekjen e burrit tënd të respektuar. Ai në të vërtetë ka arritur takimin me Zotin e Tij në fronin e së Vërtetës në praninë e Mbretit të fuqishëm. Mos mendo se ti e ke humbur atë. Perdja do të hiqet dhe ti do të sodisësh fytyrën e tij të ndriçuar në Tubimin Suprem. Taman ashtu siç ka thënë Perëndia, i Lartësuari, “Ai me siguri do të ngjallet për një jetë të lumtur”. Prandaj rëndësi supreme i duhet dhënë jo këtij krijimi të parë, por përkundrazi jetës së ardhme. 96
TI ke shkruar për fatkeqësinë e madhe që ka rënë mbi ty – vdekjen e burrit tënd të respektuar. Ai njeri i nderuar u ka qenë nënshtruar aq shumë tensioneve e tendosjeve të kësaj bote, saqë dëshira e tij më e madhe ishte çlirimi nga kjo. E tillë është kjo banesë e vdekshme: një mal me brenga e vuajtje. Është mosdija që e lidh njeriun pas saj, sepse kurrfarë ngushëllimi nuk mund t’i sigurohet asnjë shpirti në këtë botë, që nga monarku e poshtë deri te njeriu i rëndomtë më i thjeshtë. Prandaj njeriu i mençur nuk e lidh veten pas kësaj jete të vdekshme dhe nuk mbështetet tek ajo; në disa momente, madje, ai dëshiron me zjarr vdekjen, që përmes saj të çlirohet nga këto brenga e vuajtje. Kështu, është vënë re që disa, nën presionin e skajshëm të ankthit, kanë kryer vetëvrasje.
Përsa i përket burrit tënd, të jesh e sigurt. Ai do të zhytet në oqeanin e faljes e të ndjesës dhe do të bëhet bartës mirësie e favori. Bëj gjithçka për t’i dhënë fëmijës së tij përgatitje Bahá’í, në mënyrë që kur ai të arrijë pjekurinë të jetë i mëshirshëm, i ndriçuar e qiellor. 97
Për vdekjen e sakatëve
PËRSA u takon atyre shpirtrave që kanë lindur në këtë jetë si qenie të brishta e rrezëllitëse, por për shkak të ceneve e sprovave të tyre u janë mohuar avantazhe të mëdha e reale dhe që largohen nga bota pa jetuar plotësisht – kjo është sigurisht një shkak hidhërimi. Kjo është arsyeja që Manifestimet universale të Perëndisë ia shfaqin fytyrën e Tyre njeriut dhe durojnë çdo fatkeqësi e brengë të dhimbshme, dhe japin jetën e Tyre si shpërblesë; e bëjnë këtë që pikërisht këta njerëz, ata që janë të gatshëm, ata që kanë aftësi, të bëhen vendagime të dritës, dhe t’u dhurojnë atyre jetën që kurrë nuk shuhet. Kjo është sakrifica e vërtetë: ofrimi i vetvetes, ashtu si bëri Krishti, si shpërblesë për jetën e botës. 98
Për ata që vdesin në fatkeqësi
… KUR mendoj për këtë fatkeqësi13 në një aspekt tjetër, ngushëllohem nga konstatimi që botët e Perëndisë janë të pafund; që megjithëse u privuan nga kjo ekzistencë ata kanë mundësi të tjera në jetën e përtejme, ashtu siç ka thënë Krishti: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë pallate”. Ata u larguan nga e përkohshmja dhe u çuan në të përjetshmen; ata e lanë këtë ekzistencë materiale dhe hynë në portat e botës shpirtërore. Duke hequr dorë nga kënaqësitë e rehatllëqet e tokësores, ata tani marrin pjesë në një gëzim e lumturi shumë më të qëndrueshme e reale, sepse ata kanë shkuar në Mbretërinë e Perëndisë. Mëshira e Perëndisë është e pafund dhe e kemi për detyrë t’i kujtojmë këta shpirtra të ikur në lutjet tona që ata të aviten gjithnjë e më pranë vetë Burimit.
Këto kushte njerëzore mund të përngjasohen me mitrën e nënës nga e cila një fëmijë do të lindë në botën e gjerë të jashtme. Në fillim foshnja e ka tepër të vështirë të pajtohet me ekzistencën e vet të re. Ajo qan sikur nuk dëshiron të ndahet nga kjo banesë e ngushtë dhe duke imagjinuar që jeta është e kufizuar në atë hapësirë të vogël. Ajo ngurron të lerë shtëpinë e saj, por natyra e detyron të hyjë në këtë botë. Pasi ka ardhur në kushtet e reja, ajo sheh se ka kaluar nga errësira në një sferë plot dritë; nga rrethinat e zymta e të ngushta është transferuar në një mjedis të gjerë e të këndshëm. Ushqimi i saj kishte qenë gjaku i nënës; tani ajo gjen ushqim të shijshëm për të ngrënë. Jeta e saj e re është plot shkëlqim e bukuri; ajo shikon me habi e kënaqësi malet, luadhet dhe fushat e blerta, lumenjtë dhe burimet, yjet e mahnitshëm; ajo thith atmosferën jetëdhënëse; dhe pastaj lëvdon Perëndinë për lirimin nga mbyllja e gjendjes së saj të mëparshme dhe arritjen e lirisë së një mbretërie të re. Kjo analogji shpreh raportin botës së përkohshme me jetën e mëpastajme – kalimin e shpirtit të njeriut nga errësira e pasiguria në dritën dhe realitetin e Mbretërisë së përjetshme. Në fillim është tepër e vështirë të përshëndesë vdekjen, por pasi ka arritur gjendjen e tij të re shpirti është mirënjohës, sepse është çliruar nga skllavëria e së kufizuarës për të gëzuar liritë e të pakufishmes. Ai është çliruar nga një botë e brengave, hidhërimeve e sprovave, për të jetuar në një botë lumturie e gëzimi të pafund. E rastësishmja e fizikja është braktisur për të arritur mundësitë e ideales e shpirtërores. Pra, shpirtrat e atyre që kanë ikur nga toka dhe kanë plotësuar periudhën e tyre të pelegrinazhit të vdekshëm në katastrofën e Titanikut, kanë shkuar në një botë që qëndron më lart se kjo. Ata kanë fluturuar nga kjo gjendje errësire e pamjeje të murrët në një mbretëri drite. Këto janë të vetmet konsiderata që mund të ngushëllojnë e qetësojnë njerëzit që ata lanë pas. 99
Rimishërimi
TI ke shkruar për rimishërimin. Besimi në rimishërimin të kthen shumë prapa në historinë e lashtë të pothuajse të gjithë popujve dhe mbështetej madje edhe nga filozofët e Greqisë, nga të urtët romakë, nga egjiptianët e lashtë dhe asirianët e mëdhenj. Megjithatë, bestytni e thënie të tilla s’janë veçse absurditete në sytë e Perëndisë.
Argumenti kryesor i përkrahësve të rimishërimit ishte se, sipas drejtësisë së Perëndisë, secili duhet të marrë atë që i takon: Kurdo që një njeri është goditur nga një fatkeqësi, për shembull, kjo ndodh për shkak të ndonjë të keqeje që ai ka bërë. Por merr një fëmijë që është ende në mitrën e nënës, embrionin e formuar së fundi, dhe ai fëmijë është i verbër, i shurdhër, i çalë, me të meta – çfarë mëkati ka bërë një fëmijë i tillë që të meritojë vuajtjet e tij? Ata përgjigjen që, megjithëse në pamje të jashtme fëmija që ndodhet ende në mitër nuk është fajtor për asnjë mëkat, por ai ka bërë ndonjë të keqe kur ka qenë në formën e vet të mëparshme dhe kështu ka merituar dënimin që i është dhënë.
Këtyre njerëzve, sidoqoftë, u ka shpëtuar çështja që vijon. Në qoftë se krijimi është kryer sipas një rregulli të vetëm, si do të mundej Fuqia gjithëpërfshirëse ta bënte Veten të ndihej? Si do të mundej Fuqiploti të ishte Ai Që “bën si I pëlqen dhe urdhëron ashtu si do?”14
Me një fjalë, Shkrimet e Shenjta i referohen me të vërtetë një kthimi, por me këtë kuptohet kthimi i vetive, kushteve, rezultateve, përsosurive dhe realiteteve të brendshme të dritave, që ndodh në çdo dispensacion. Kjo referencë nuk bëhet për shpirtra e qenie specifike, individuale.
Mund të thuhet, për shembull, se kjo dritë llambe është kthimi prapë i asaj të natës së kaluar, ose se trëndafili i vitit të kaluar është kthyer në kopsht këtë vit. Referenca këtu nuk është për një realitet individual, për një identitet të caktuar, për qenien e përcaktuar të atij trëndafilit tjetër; përkundrazi ajo do të thotë se vetitë, veçoritë karakteristike të asaj dritës tjetër, të asaj lules tjetër janë tani të pranishme në këto të tanishmet. Ato përsosuri, dmth ajo hijeshi e ato dhunti të një pranvere të mëparshme janë kthyer përsëri këtë vit. Ne themi, për shembull, se ky frut është po ai i vitit të shkuar; por ne kemi parasysh vetëm finesën, lulëzimin, freskinë dhe shijen e ëmbël të tij; sepse është e qartë që ajo qendër e paprekshme e realitetit, ai identitet specifik, nuk mund të kthehet më kurrë.
Çfarë paqe, qetësie e komforti patën zbuluar ndonjëherë Shenjtorët e Perëndisë gjatë qëndrimit të Tyre në këtë botë këtu poshtë që Ata të kërkonin vazhdimisht të ktheheshin e të bënin atë jetë përsëri? A nuk ishte mjaft një kthim i vetëm në këtë ankth, në këto vuajtje, këto fatkeqesi, këto goditje trupore, këto vështirësi të frikshme, që Ata të dëshironin vizita të përsëritura në jetën e kësaj bote? Ajo kupë nuk ishte aq e ëmbël saqë dikush të kishte dëshirë ta pinte atë për herë të dytë.
Prandaj ata që ushqejnë dashuri për Bukurinë Abhá nuk dëshirojnë tjetër shpërblim veçse të arrijnë atë pozitë që ta sodisin Atë në Mbretërinë e Lavdisë, dhe ata nuk shkelin në asnjë shteg tjetër veç shkretëtirës me rërë të mallit për ato maja të larta. Ata kërkojnë atë qetësi e ngushëllim që do të jenë përgjithmonë, dhe ato dhunti që janë të shënjtëruara tej të kuptuarit të mendjes tokësore. 100
Dhuntia e pavdekshme
Tërheqja ndaj Mbretërisë
O TI që je tërhequr ndaj Mbretërisë së Perëndisë! Çdo shpirt kërkon një objektiv e ushqen një dëshirë, dhe përpiqet ditë e natë të arrijë qëllimin e tij. Njëri dëshiron pasuri, një tjetër është i etur për lavdi dhe një tjetër akoma ka dëshirë të flaktë për famë, për art, për mirëqenie e kështu me radhë. Por në fund të gjithë janë të dënuar me humbje e zhgënjim. Të gjithë pa përjashtim lenë pas vetes çdo gjë të tyren dhe duarbosh shpejtojnë për në mbretërinë e përtejme, të gjitha mundimet e tyre janë më kot. Të gjithë do të kthehen në pluhur, të zhveshur, të brengosur, të shkurajuar e në dëshpërim të madh.
Por, lavdi Zotit, ti je i angazhuar në atë që të siguron përfitim e që do të vazhdojë përjetë; dhe kjo s’është tjetër veç tërheqja jote ndaj Mbretërisë së Perëndisë, besimi yt, dhe dija jote, ndriçimi i zemrës sate, dhe sjellja jote e zellshme për të mbështetur mësimet hyjnore.
Me të vërtetë, kjo dhunti është e pavdekshme dhe kjo pasuri është një thesar i dërguar nga lart! 101
Mbretëria e përjetshme e Perëndisë
KJO botë e rastësishme nuk do të mbetet në një gjendje të pandryshuar qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Çast pas çasti ajo pëson ndryshim e transformim. Çdo themel më në fund do të shembet; çdo lavdi e shkëlqim më në fund do të shuhet e zhduket, por Mbretëria e Perëndisë është e përjetshme dhe sovraniteti e madhështia qiellore do të qëndrojnë të patundura, përgjithmonë. Prandaj në vlerësimin e një njeriu të mençur një rrogoz në Mbretërinë e Perëndisë është më i preferuar sesa froni i qeverisjes së botës. 102
Bukuria që vazhdon
HIJESHIA e vdekshme do të shuhet, trëndafilat ua lënë vendin gjëmbave, dhe bukuria e rinia do të mbarojnë jetën e tyre e nuk do të jenë më. Kurse ajo që do të vazhdojë përjetësisht është Bukuria e Të Vërtetit, sepse shkëlqimi i saj nuk vdes dhe lavdia e saj vazhdon përgjithmonë; hijeshia e saj është e gjithëfuqishme dhe tërheqja që ushtron është e pafund. Atëherë lum ajo fytyrë që pasqyron shkëlqimin e Dritës së Të Dashurit! Lavdi Zotit, ti ke qenë ndriçuar nga kjo Dritë, ke fituar margaritarin e dijes së vërtetë dhe ke folur Fjalën e së Vërtetës. 103
Mbretëria e vërtetë
MOS u brengos për vështirësitë e vuajtjet e kësaj bote të poshtme, dhe as mos u gëzo në kohë qetësie e komforti, sepse që të dyja do të mbarojnë. Kjo jetë e tanishme i ngjet një vale të fryrë, ose një mirazhi apo hijeve që lëvizin. A mundet një imazh i shtrembëruar në shkretëtirë të shërbejë si ujë freskues? Jo, për Zotin e Zotave! Kurrë realiteti dhe thjesht ngjasimi me realitetin nuk mund të jenë e njëjta gjë, i madh është dallimi midis imagjinatës dhe faktit , midis së vërtetës dhe fantazmës së saj.
Dije se Mbretëria është bota reale, dhe ky vend këtu poshtë është vetëm hija e saj që shtrihet. Një hije nuk ka jetë të vetën; ekzistenca e saj është vetëm një fantazi dhe asgjë më shumë; ajo s’është veçse figura të pasqyruara në ujë dhe që syrit i duken si piktura. 104
Mbretëria e Zotit tuaj
O JU të dashur të Perëndisë! Dijeni se bota është si një mirazh që ngrihet mbi shkretëtirë, të cilin i eturi e merr gabimisht për ujë. Vera e kësaj bote s’është veçse avull në shkretëtirë, mëshira e dhëmbshuria e saj veç mundim e telash, prehja që ofron vetëm këputje e brengë. Lërjani atë atyre që i përkasin asaj dhe kthejini fytyrat ndaj Mbretërisë së Zotit tuaj, Mëshirëplotit, që hiri e mirësia e Tij të lëshojnë mbi ju shkëlqimet e agimit dhe një tryezë qiellore të dërgohet për ju, që Zoti juaj t’ju bekojë dhe të reshë mbi ju pasuritë e Tij për të gëzuar gjokset tuaja, t’i mbushë zemrat tuaja me lumturi, të tërheqë mendjet tuaja, të spastrojë shpirtrat tuaj dhe të ngushëllojë sytë tuaj. 105
Jeta që nuk do të vdesë
KËTO pak ditë të shkurtra do të mbarojnë, kjo jetë e tanishme do të zhduket nga shikimi ynë; trëndafilat e kësaj bote nuk do të jenë më të freskët e të bukur, kopshti i ngazëllimeve e i kënaqësive të kësaj toke do të thahet e zhduket. Stina pranverore e jetës do të bëhet vjeshtë e vdekjes, gëzimi i ndritshëm i sallave të pallateve do t’i lërë vendin errësirës pa hënë brenda varrit. Pra nuk ka në përgjithësi në këto asgjë të denjë për ta dashur dhe i urti nuk e lidh zemrën e tij me to.
Ai që ka dije e fuqi, përkundrazi do të kërkojë lavdinë e qiellit, shquarsinë shpirtërore dhe jetën që nuk vdes. Një njeriu të tillë i digjet zemra për t’u avitur pranë Pragut të shenjtë të Perëndisë; sepse në tavernën e kësaj bote që kalon me shpejtësi njeriu i Perëndisë nuk shtrihet i dehur, as çlodhet për asnjë çast, dhe as e njollos veten me kurrfarë dashurie për këtë jetë tokësore. 106
Margaritarë për meditim
Pjesë të zgjedhura nga Fjalët e Fshehura
O BIR I NJERIUT!
TI je mbretëria Ime dhe mbretëria Ime nuk vdes kurrë, përse pra ke frikë nga vdekja jote? Ti je drita Ime dhe drita Ime kurrë nuk do të shuhet, përse ti i trembesh shuarjes? Ti je lavdia Ime dhe lavdia Ime nuk venitet; ti je rroba Ime dhe rroba Ime kurrë nuk do të vjetërohet. Qëndro, pra, në dashurinë për Mua, që të më gjesh Mua në mbretërinë e lavdisë. 107
O BIR I QENIES MË TË LARTË!
UNË e kam bërë vdekjen lajmëtare gëzimi për ty. Përse, pra, brengosesh? Unë bëra që drita të derdhë mbi ty shkëlqimin e saj. Përse i fshihesh asaj? 108
O BIR I NJERIUT!
NGJITU në qiellin Tim, që të arrish gëzimin e ribashkimit, dhe prej kupës së lavdisë së pavdekshme të pish verën e pashoqe. 109
O SHËRBËTORI IM!
M
OS braktis për hir të së vdekshmes zotërimin e përjetshëm dhe mos flak mbretërinë qiellore për hir të një dëshire tokësore. Ky është lumi i jetës së amshuar, që rrjedh nga burimi i pendës së të Mëshirshmit. Lum ata që pinë prej tij! 110
O SHËRBËTORI IM!
Çliroje veten nga prangat e kësaj bote dhe liroje shpirtin tënd nga burgu i egoizmit. Mos lër të të shpëtojë rasti, sepse ai nuk do të të vijë më kurrë. 111
O BIR I SHËRBËTORES SIME!
PO të shihje mbretërinë e pavdekshme, ti do të përpiqesh të ikje nga kjo botë kalimtare. Por të fshehësh njërën prej teje dhe të zbulosh tjetrën, ky është një mister që askush nuk mund ta kuptojë, veç atij që ka zemër të kulluar.
112
O SHOK I FRONIT TIM!
... Jetoji, pra, ditët e jetës sate, që janë më të shkurtëra sesa një çast kalimtar, me mendje të pastër, me zemër të panjollë, me mendime të kulluara dhe me karakter të shenjtëruar, në mënyrë që, i lirë e i kënaqur, të flakësh tutje këtë trup të vdekshëm dhe të shkosh në parajsën mistike e të jetosh përgjithmonë në mbretërinë e përjetshme. 113
O BIR I KËNAQËSIVE TOKËSORE!
E KËNDSHME është mbretëria e qenies, nëse e arrin atë; i lavdishëm është sundimi i përjetësisë, po qe se shkon tej botës së vdekshmërisë; e ëmbël është ekstaza e shenjtë, po të pish nga kupa mistike prej duarve të të Riut qiellor. Po ta arrish këtë pozitë, çlirohesh prej shkatërrimit e vdekjes, prej mundimit e mëkatit. 114
O BIJ TË SHKUJDESJES!
MOS ia kushtoni dashurinë tuaj mbretërisë së vdekshme dhe mos u gëzoni në të. Ju jeni si ai zogu i pakujdeshëm, i cili plot vetbesim cicërin mbi degë; derisa papritur Vdekja gjahtare e hedh mbi pluhur dhe melodia, forma e ngjyra zhduken pa lënë asnjë gjurmë. Prandaj kini kujdes, o skllevër të lidhur pas dëshirës! 115
O BIR I QENIES!
PARAJSA jote është dashuria Ime; shtëpia jote qiellore është ribashkimi me Mua. Hyr atje dhe mos vono. Kjo është caktuar për ty në mbretërinë Tonë të epërme dhe në sundimin Tonë të lavdëruar. 116
O BIR I QENIES MË TË LARTË!
NË amshimin Unë të thërras, por ti kërkon atë që është e vdekshme. Ç’të shtyn t’i kthesh shpinën dëshirës Sonë dhe të kërkosh tënden? 117
O BIR I SHPIRTIT!
ME lajmet e gëzuara të dritës Unë të përshëndes: gëzohu! Në oborrin e shenjtërisë Unë të thërras, qëndro atje, që të jetosh në paqe përgjithmonë! 118
O BIR I NJERIUT!
DRITA ka ndriçuar mbi ty nga horiozonti i Malit të shenjtë dhe shpirti i ndriçimit ka dhënë frymëzim në Sinain e zemrës sate. Prandaj çliroje veten nga veli i fantazive të kota dhe hyr në oborrin Tim, që të jesh i vyer për jetën e përjetshme dhe i denjë të më takosh Mua. Kështu që as vdekja të mos vijë tek ti, dhe as drobitja ose brenga. 119
O PINJOLL I PLUHURIT!
MOS u kënaq me qetësinë e një dite që shkon dhe mos e privo veten nga prehja e përjetshme. Mos e shkëmbe kopshtin e kënaqësisë së përjetshme me një grusht pluhur të një bote të vdekshme. Prej burgut tënd ngjitu lart në livadhet e lavdishme, dhe prej kuvlisë sate të vdekshme nis fluturimin për në parajsën e të Pakufishmes. 120
Lutje për të vdekurit
(Lutja për të vdekurit duhet përdorur nga Bahá’í-të mbi moshën pesëmbëdhjetë vjeç. “Është e vetmja lutje e detyrueshme Bahá’í që duhet thënë në grumbullime; duhet të thuhet nga një besimtar, ndërsa gjithë të pranishmit qëndrojnë në këmbë. Nuk kërkohet të kthehet fytyra drejt Kiblës kur thuhet kjo lutje.”
– Kitab-i Akdas)
O Perëndia im! Ky është shërbëtori Yt e bir i shërbëtorit Tënd, që ka besuar në Ty e në shenjat e Tua dhe e ka kthyer fytyrën ndaj Teje, krejt i shkëputur nga gjithçka veç Teje. Ti je, me të vërtetë, më i mëshirshmi ndër ata që tregojnë mëshirë.
Merru me të, O Ti Që i fal mëkatet e njerëzve dhe i fsheh gabimet e tyre, siç i ka hije qiellit të bujarisë Sate dhe oqeanit të mirësisë Sate. Lejoje atë të hyjë brenda kufijve të mëshirës Sate të lartë, që ka qenë para themelimit të tokës e të qiellit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Më Fisnikut.
Pastaj le të përsërisë gjashtë herë përshëndetjen “Alláh-u-Abhá”, dhe pastaj të përsërisë nëntëmbëdhjetë herë secilin prej vargjeve që vijojnë:
Ne të gjithë, me të vërtetë, adhurojmë Perëndinë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, përulemi para Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, jemi të përkushtuar ndaj
Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, i thurim lavde Perëndisë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, falënderojmë Perëndinë.
Ne të gjithë, me të vërtetë, jemi të duruar në Perëndinë.
(Në qoftë se e ndjera është grua, ai të thotë:
Kjo është shërbëtorja Jote dhe bijë e shërbëtores Sate, etj...)
– Bahá’u’lláh 121
Lavdia qoftë mbi Ty, O Zot, Perëndia im! Mos e poshtëro atë që Ti e ke lartësuar përmes fuqisë së sovranitetit Tënd të përjetshëm dhe mos e largo prej Teje atë që Ti e ke bërë të hyjë në faltoren e përjetësisë Sate. A do ta flakësh tutje, O Perëndia im, atë që Ti e ke strehuar nën Pushtetin Tënd dhe a do të largohesh Ti, O Dëshira ime, prej atij për të cilin Ti ke qenë mbrojtje? A mund ta ulësh Ti atë që e ke ngritur lart, apo të harrosh atë që Ti e ke bërë të aftë për të të kujtuar Ty?
I lavdëruar, pafundësisht i lavdëruar je Ti! Ti je Ai që përjetësisht ke qenë Mbreti i gjithë krijimit e Lëvizësi i Parë, dhe Ti do të mbetesh në përjetësi Zoti i të gjitha krijesave dhe Urdhëruesi i tyre. I lavdëruar je Ti, O Perëndia im! Nëse Ti pushon së qeni i mëshirshëm me shërbëtorët e Tu, kush pra do të tregojë mëshirë për ta; dhe nëse Ti refuzon t’i ndihmosh të dashurit e Tu, kush mund t’i ndihmojë ata?
I lavdëruar, pafundësisht i lavdëruar je Ti! Ti je i adhuruar në të vërtetën Tënde, dhe Ty, me të vërtetë, të adhurojmë ne të gjithë; Ti shfaqesh në drejtësinë Tënde dhe për Ty dëshmojmë, me të vërtetë, të gjithë ne. Ti je, vërtet, i shumëdashur në mirësinë Tënde. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
– Bahá’u’lláh 122
Ai është Perëndia, i lartësuar është Ai, Zoti i dashamirë-
sisë e i bujarisë!
Lavdia qoftë mbi Ty, O Perëndia im, Zoti i Plotfuqishëm. Unë dëshmoj për plotfuqishmërinë Tënde dhe fuqinë Tënde, sovranitetin Tënd dhe dashamirësinë Tënde, hirin Tënd dhe pushtetin Tënd, njëshmërinë e Qenies Sate dhe unitetin e Thelbit Tënd, shenjtërinë e lartësimin Tënd mbi botën e qenies dhe gjithçka ndodhet në të.
O Perëndia im! Ti më sheh të shkëputur prej gjithçkaje veç Teje, duke u mbajtur fort pas Teje dhe duke e kthyer fytyrën ndaj oqeanit të bujarisë Sate, ndaj qiellit të favorit Tënd, ndaj Yllit të Ditës të hirit Tënd.
Zot! Unë dëshmoj se Ti e ke mbështetur te shërbëtori Yt Besimin Tënd dhe se ai është Shpirti me të cilin Ti i ke dhënë jetë botës.
Unë kërkoj nga Ti, për shkëlqimin e Diellit të Revelacionit Tënd, të pranosh me mëshirë prej tij atë që ai ka arritur në ditët Tuaja. Lejo pra që ai të vishet me lavdinë e pëlqimit Tënd e të stoliset me pranimin Tënd.
O Zoti im! Unë vetë dhe të gjitha gjërat e krijuara dëshmojmë për fuqinë Tënde, dhe unë Të lutem Ty të mos e largosh nga Vetja këtë shpirt që është ngjitur tek Ti, në vendin Tënd qiellor, në Parajsën Tënde të lartësuar e në strehën Tënde të afrisë, O Ti që je Zoti i të gjithë njerëzve!
Bëj, pra, O Perëndia im, që shërbëtori yt të shoqërohet me të zgjedhurit e Tu, shenjtorët e Tu dhe Lajmëtarët e Tu në vende qiellore që pena nuk mund t’i përshkruajë dhe as gjuha t’i tregojë.
O Zoti im, i varfëri ka shpejtuar me të vërtetë për në Mbretërinë e pasurisë Sate, i huaji për në shtëpinë e tij brenda kufijve të Tu, ai që digjet nga etja për në lumin qiellor të bujarisë Sate. Mos e lër atë, O Zot, pa pjesë në banketin e hirit Tënd dhe pa favorin e bujarisë Sate. Ti je me të vërtetë Fuqiploti, i Hirshmi, Bujariploti.
O Zoti im, Besimi Yt është kthyer ndaj Teje. I takon hirit Tënd e bujarisë Sate që ka pushtuar zotërimet e Tua mbi tokë e në qiell, t’i akordosh të mirëpriturit Tënd të ri dhuntitë e dhuratat Tuaja dhe frytet e pemës së hirit Tënd! Ti ke fuqinë të bësh ashtu si do; Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Hirshmit, Më Bujarit, të Dhembshurit, Dhuruesit, Falësit, të Çmuarit, të Gjithëdijshmit.
Unë dëshmoj, O Zoti im, se Ti i ke urdhëruar njerëzit të nderojnë mysafirin e tyre, dhe ai që është ngjitur për tek Ti me të vërtetë ka arritur tek Ti e në praninë Tënde. Vepro me të, pra, sipas Hirit e bujarisë Sate! Për lavdinë Tënde, unë e di me siguri se Ti nuk do të ndalesh para asaj që Ti u ke urdhëruar shërbëtorëve të Tu, dhe as do ta lësh pa gjë atë që është kapur pas litarit të bujarisë Sate e është ngjitur në Agimin e pasurisë Sate.
Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Vetmit, të Pashoqit, të Fuqishmit, të Gjithëdijshmit, Bujarit.
– Bahá’u’lláh 123
I LAVDËRUAR je Ti, O Zoti im: Fajet e mia janë shtuar shumë dhe mëkatet e mia kanë marrë përpjesëtime të rënda. Sa e turpshme mund të jetë gjendja ime në praninë Tënde të shenjtë. Unë nuk kam ditur të të njoh Ty në atë masë që Ti e ke shfaqur Veten Tënde ndaj meje; unë nuk kam ditur të të adhuroj Ty me devocionin që meritojnë thirrjet e Tua; unë nuk kam ditur të të bindem Ty duke mos ecur në shtegun e Dashurisë për Ty në mënyrën që më ke frymëzuar Ti.
Ti mund të më jesh dëshmitar, O Perëndia im: Ajo që të përshtatet Ty është shumë më e madhe e më e lartësuar sesa mund të përpiqet të përmbushë cilado qenie. Me të vërtetë, asgjë nuk mund të të kuptojë Ty ashtu si e meriton Ti, dhe nuk mundet asnjë krijesë servile të të adhurojë Ty ashtu siç i ka hije adhurimit Tënd. Aq e përsosur e tërësore është prova Jote, O Perëndia im, saqë thelbi i brendshëm i saj kapërcen përshkrimin e çdo shpirti, dhe aq të bollshme janë vërshimet e dhuntive të Tua saqë kurrfarë aftësie nuk mund të çmojë shtrirjen e tyre të pakufishme.
O Perëndia im! O Mjeshtri im! Të lutem Ty për bujarinë Tënde të shumëfishtë dhe për shtyllat që mbajnë
fronin Tënd të lavdisë, të kesh mëshirë për këta njerëz të thjeshtë që janë të pafuqishëm të mbajnë gjërat e pakëndshmë të kësaj jete të shkurtër, aq më pak mund të mbajnë ata ndëshkimin Tënd në jetën e ardhme – ndëshkim i urdhëruar nga drejtësia Jote, i shkaktuar nga zemërimi yt e që do të vazhdojë të ekzistojë përgjithmonë.
Unë të lutem Ty për Veten Tënde, O Perëndia im, Zoti im dhe Mjeshtri im, të ndërhysh në favorin tim. Unë kam ikur nga drejtësia Jote në mëshirën Tënde. Për të gjetur strehë unë po të kërkoj Ty dhe të tillë që nuk largohen nga shtegu Yt edhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë – ata për hir të të cilëve Ti ke krijuar krijimin si shenjë e hirit dhe e mirësisë Sate. – Báb-i 124
URDHËRO për mua, o Zot, çdo gjë të mirë që Ti ke krijuar ose do të krijosh, dhe më ruaj nga çdo e ligë që Ti neverit ndër gjërat që Ti ke bërë ose do të bësh të ekzistojnë. Me të vërtetë, dija jote përfshin të gjitha gjërat. Lëvduar qofsh Ti, me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, dhe asgjë çfarëdo qoftë në qiejt e mbi tokë kurrë nuk mund të pengojë qëllimin Tënd. Me të vërtetë i fuqishëm je Ti mbi të gjitha gjërat.
Larg qoftë madhështisë së Qenies Sate, O Perëndia im, që dikush të kërkojë t’i bësh ndonjë nder a favor. Larg qoftë lavdisë Sate të përkryer që dikush të të lutet Ty t’i japësh dëshmi të dhuntive Tuaja e të bekimit Tënd dashamirës. Ti je tepër lart për çdo shpirt që ai të kërkojë revelimin e provanisë Sate të hirshme e të kujdesit Tënd dashamirës, dhe tepër e përligjur është lavdia Jote që dikush të kërkojë nga Ti vërshimin e bekimeve të Tua, të bujarisë e të hirit Tënd qiellor. Në të gjithë mbretërinë Tënde të qiellit e të tokës, të mbushur me dhunti të shumta, Ti je pamasë i lartësuar mbi gjithçka që mund t’i atribuohet ndonjë qenieje atje.
Gjithçka që unë kërkoj prej Teje, O Perëndia im, është të më japësh mundësinë që para se shpirti të ikë nga trupi im, të fitoj pëlqimin Tënd, edhe sikur ai të më jepet vetëm për një çast pambarimisht më të shkurtër se një farë sinapi. Sepse po qe se ai ikën kur Ti je i kënaqur prej meje, atëherë unë do të jem i çliruar nga çdo shqetësim ose ankth; por në qoftë se ai më braktis kur Ti je i pakënaqur prej meje, atëherë sikur unë të kem bërë çdo vepër të mirë asgjë nuk do të ketë dobi, edhe sikur unë të kem fituar çdo nder e lavdi, asgjë nuk do të shërbejë për të më lartësuar.
Unë të lutem Ty me gjithë shpirt, O Perëndia im, të më akordosh me dashamirësi pëlqimin Tënd kur të bësh që unë të ngjitem tek Ti dhe të paraqitem para pranisë Sate të shenjtë, sepse Ti në përjetësi ke qenë Perëndia i bujarisë së pakufishme për njerëzit e mbretërisë Sate dhe Zoti i dhuntive më të mira për të gjithë ata që banojnë në qiellin e lartësuar të plotfuqisë Sate. – Báb-i 125
UNË kërkoj ndjesën Tënde, O Perëndia im, dhe kërkoj falje për mënyrën sesi Ti do që shërbëtorët e Tu të të drejtohen Ty. Unë kërkoj prej Teje të lash mëkatet tona siç i ka hije Zotërisë Sate, dhe të më ndjesh mua, prindërit e mi dhe ata që në vlerësimin Tënd kanë hyrë në banesën e dashurisë për Ty në mënyrë të denjë për sovranitetin Tënd të përkryer e siç i ka hije lavdisë së fuqisë Sate qiellore.
O Perëndia im! Ti e ke frymëzuar shpirtin tim të ofrojë lutjen time për Ty, dhe vetëm për Ty, përndryshe nuk do të të drejtohesha Ty. I lavdëruar e i madhëruar je Ti; unë të thur lavde Ty sepse Ti më revelove mua Veten Tënde, dhe unë të lutem të më falësh sepse unë kam dështuar në detyrën time për të të njohur Ty dhe nuk kam ecur në shtegun e dashurisë Sate. Báb-i – 126
LAVDIA qoftë mbi Ty, O Perëndi. Si mundem unë të të përmend Ty kur Ti je i shenjtëruar nga lëvdimi i gjithë njerëzimit. Madhëruar qoftë Emri Yt, O Perëndi. Ti je Mbreti, e Vërteta e Përjetshme; Ti e di ç’ka në qiejt e mbi tokë, dhe tek Ti duhet të gjithë të kthehen. Ti ke dërguar Revelacionin Tënd hyjnisht të urdhëruar sipas një mase të qartë. I lavdëruar je Ti, O Zot! Me urdhrin Tënd Ti bën fitimtar cilindo që Ti dëshiron, përmes ushtrive të qiellit e të tokës dhe të gjithçkaje midis tyre. Ti je Sovrani, e Vërteta e Përjetshme, Zot i fuqisë së pamposhtur.
I madhëruar je Ti, O Zot. Ti fal kurdoherë mëkatet e atyre midis shërbëtorëve të Tu që përgjërohen për ndjesën Tënde. Laji mëkatet e mia dhe mëkatet e atyre që kërkojnë ndjesën Tënde në agim, që të luten Ty ditën dhe natën, që nuk kanë mall për asgjë veç Perëndisë, që japin çdo gjë që Perëndia me dashamirësi u ka dhuruar, që të ngrejnë lavde Ty në mëngjes e në mbrëmje dhe që nuk janë të shkujdesur në detyrat e tyre. – Báb-i 127
O Ti Zot që fal!
Megjithëse disa shpirtra i kanë kaluar ditët e jetës së tyre në padije dhe janë bërë të ftohtë e rebelë, por me një valë të vetme të oqeanit Tënd të ndjesës të gjithë ata që janë përfshirë nga mëkati do të çlirohen. Cilindo që dëshiron Ti e bën të besuar, dhe cilido që nuk është objekt i zgjedhjes Sate numërohet ndër mëkatarët. Po të na trajtosh sipas drejtësisë Sate, të gjithë ne s’jemi veçse mëkatarë që meritojmë të mbahemi larg Teje, por në qoftë se Ti mbështet mëshirën, çdo mëkatar bëhet i dëlirë dhe çdo i huaj bëhet mik. Na fal, pra, ndjesën e faljen Tënde dhe jepu të gjithëve mëshirën Tënde.
Ti je Falësi, Dritëdhënësi dhe Fuqiploti.
– ‘Abdu’l-Bahá 128
O PERËNDIA im! O Ti falësi i mëkateve! Dhënësi i dhuntive! Larguesi i brengave!
Me të vërtetë, unë të lutem t’i falësh mëkatet e atyre që e kanë braktisur veshjen fizike dhe janë ngjitur në botën shpirtërore.
O Zoti im! Pastroji ata nga gabimet, largoji hidhërimet e tyre dhe ktheje errësirën e tyre në dritë. Bëj që ata të hyjnë në kopshtin e lumturisë, pastroji ata me ujin më të kulluar dhe bëji të shikojnë shkëlqimet e Tua mbi malin më të lartë.
– ‘Abdu’l-Bahá 129
O Perëndia im! O Zoti im! Me të vërtetë shërbëtori Yt, i përunjur para madhështisë së epërsisë Sate hyjnore, i përunjur në portën e njëshmërisë Sate, ka besuar në Ty dhe në vargjet e Tua, ka dëshmuar për fjalën Tënde, është ndezur me zjarrin e dashurisë për Ty, është zhytur në thellësitë e oqeanit të dijes Sate, është tërhequr nga flladet e Tua, është mbështetur tek Ti, e ka kthyer fytyrën ndaj Teje, të ka drejtuar Ty lutjet e tij dhe është siguruar për faljen e ndjesën Tënde. Ai e ka braktisur këtë jetë të vdekshme dhe ka fluturuar në mbretërinë e pavdekësisë, duke kërkuar me zjarr favorin e takimit me Ty.
O Zot, lartësoje pozitën e tij, strehoje atë nën tendën e mëshirës Sate supreme, bëj që ai të hyjë në parajsën Tënde të lavdishme dhe përjetësoje ekzistencën e tij në trëndafilishten Tënde të lavdëruar, që ai të zhytet në detin e dritës në botën e mistereve.
Me të vërtetë, Ti je Bujari, i Fuqishmi, Falësi dhe Dhuruesi. – ‘Abdu’l-Bahá 130
Referencat
Shkurtimet e përdorura
ABL ‘Abdu’l-Bahá in London: Adresses and Notes of
Conversations [‘Abdu’l-Bahá në Londër: Fjalime dhe
shënime bisedash], bot. i ri , 1982
BER Bahá’u’lláh-u dhe epoka e re, bot. i katërt, i rish., 1999
BP ‘Abdu’l-Bahá: Bisedat e Parisit, bot. i parë, 2000
BPS Bahá’i Prayers: A Selection of Prayers Revealed by
Bahá’u’lláh, the Báb, and ‘Abdu’l-Bahá [Lutje Bahá’í: Një
përzgjedhje e lutjeve të reveluara nga Bahá’u’lláh-u, Báb-i
dhe ‘Abdu’l-Bahá-i], bot. i ri, 1982
BW XV The Bahá’í World: An International Record, Vol. XV [Bota
Bahá’i: Një dokumentim ndërkombëtar, vëll. XV], 1968-
1973, 1975
BWF Bahá’í World Faith: Selected Writings of Bahá’u’lláh and
‘Abdu’l-Bahá [Besimi botëror Bahá’í: Shkrime të zgjedhura
nga Bahá’u’lláh-u dhe ‘Abdu’l-Bahá-i], 1976
ESW Bahá’u’lláh: Epistle to the Son of the Wolf [Letër për të Birin
e Ujkut], bot. i rish., 1953
FFA Bahá’u’lláh: Fjalë të fshehura, bot. i dytë, i rev. 1996, nga
arabishtja
FFP Bahá’u’lláh: Fjalë të fshehura, bot. i dytë, i rev. 1996, nga
persishtja
LB Lutje Bahá’í, bot. i dytë, 2001
PDP ‘Abdu’l-Bahá, Përgjigje për disa pyetje, bot. i parë, 2000
PM Prayers and Meditations [Lutje dhe përsiatje], 1938
PR Përkthimi i ri nga Shtëpia Universale e Drejtësisë, 1984
PUP The Promulgation of Universal Peace: Talks Delivered by
‘Abdu’l-Bahá during His Visit to the United States and
Canada in 1912 [Shpallja e Paqes Universale: Fjalime
mbajtur nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë vizitës së Tij në Shtetet e
Bashkuara dhe në Kanada në vitin 1912], bot. i dytë, 1982
Që Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut, bot. i parë, 1995
QI Qitapi Ikan, bot. i parë, 1998
SV The Seven Valleys and the Four Valleys [Shtatë Luginat dhe
Katër Luginat], bot. i tretë, 1978
SWAB Selections from the Writings of ‘Abdu’l-Bahá [Pjesë të
zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it], 1978
SWB Selections from the Writings of the Báb [Pjesë të zgjedhura
nga Shkrimet e Báb-it], 1976
TB Tabela të Bahá’u’lláh-ut, të reveluara pas Qitapi Adkdas-it,
bot. i parë, 2002
TDP Tablets of the Divine Plan: Revealed by ‘Abdu’l-Bahá to the
North American Bahá’ís [Tabela të Planit Hyjnor, të reveluara
nga ‘Abdu’l-Bahá-i për Bahá’í-të e Amerikës së Veriut],
bot. rish. 1977
Referencat për tekstin janë sipas numrit të seksioneve, paragrafeve ose numrit të faqes. Kështu p.sh.:
Që 153 do të thotë Qëmtime, paragrafi 153
TB 12:24 do të thotë Tabela të Bahá’u’lláh-ut, sek. 12, para. 24
SV, f. 32 do të thotë Seven Valleys, faqja 32
Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut
1 Që 154 12 Që 83 23 Që 114
2 QI 129 13 Që 68 24 Që 118
3 Që 27 14 Që 73 25 Që 116
4 Që 34 15 TB 12:24 26 Që 141
5 Që 77 16 QI 126 27 Që 66
6 Që 82 17 Që 29 28 Që 164
7 Që 81 18 Që 153 29 TB 17:123
8 Që 86 19 Që 123 30 Që 71
9 Që 80 20 ESW, f. 93 31 Që 151
10 Që 79 21 Që 151
11 SV, f. 32-33 22 TB 17:128
Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it
32 SWB, f. 162 39 SWB, f. 106-07 46 SWB, f. 153
33 SWB, f. 161 40 SWB, f. 88-89 47 SWB, f. 62-63
34 SWB, f. 50 41 SWB, f. 82-83 48 SWB, f. 52
35 SWB, f. 95 42 SWB, f. 77 49 SWB, f. 163
36 SWB, f. 157 43 SWB, f. 79 50 SWB, f. 48
37 SWB, f. 157-58 44 SWB, f. 87
38 SWB, f. 78 45 SWB, f. 145
Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it
51 BP 29:12-41 70 PDP 71:3-10 88 ABL, f. 97
52 PDP 60:5-7 71 PDP 67 89 BER, f. 173-74
53 BW XV, f. 40 72 SWAB 161 90 BP 58:4
54 SWAB 166 73 SWAB 163 91 SWAB 139
55 BP 28:6-8 74 PUP, f. 225-27 92 BER, f. 172-73
56 BP 5:12-15 75 PDP 60:2-4 93 PDP 66:7-8
57 PDP 66:2-4 76 PUP, f. 294-96 94 SWAB 171
58 PDP 38:4 77 ABL, f. 95-96 95 SWAB 169
59 BWF, f. 367 78 BP 20:12-15 96 SWAB 165
60 BP 31 79 PDP 63:3 97 SWAB 170
61 PDP 55:1,5-6 80 BP 29:2-5,9-10 98 SWAB 31:8
62 BW XV, f. 43 81 PDP 66:5-6 99 PUP, f. 47-48
63 BW XV, f. 38 82 PDP 62:3-6 100 SWAB 156
64 BP 20:2-11 83 SWAB 173 101 SWAB 176
65 BP 2:1 84 SWAB 149 102 TDP, f. 73
66 BP 28:13-17 85 SWAB 145 103 SWAB 175
67 PDP 61:1-4 86 BWF, f. 367 104 SWAB 150
68 PUP, f. 242-43 86a BER, f. 170 105 SWAB 157:2
69 SWAB 145 87 ABL, f. 96 106 SWAB 188:13,14
Pjesë të zgjedhura nga Fjalët e Fshehura të Bahá’u’lláh-ut
107 FFA 14 112 FFP 41 117 FFA 23
108 FFA 32 113 FFP 44 118 FFA 33
109 FFA 61 114 FFP 70 119 FFA 63
110 FFP 37 115 FFP 75 120 FFP 39
111 FFP 40 116 FFA 6
Lutje për të vdekurit
121 LB 55 125 SWB, f. 187-88 129 LB 57
122 LB 56 126 SWB, f. 210 130 BPS, f. 46-47
123 BPS, f. 43-45 127 SWB, f. 177
124 SWB, f. 203-04 128 PR
1 Perëndia
2 Shih shënimin nr. 7 (para. 61)
3 Ngushëllimi i syve, titull letrar arab ledhatues, që shpreh përzemërsinë shpirtërore ndaj një njeriu të dashur. Në këtë pasazh i referohet Báb-it.
4 dmth nga pikëpamja e prejardhjes së saj.
5 dmth në mbretërinë e njeriut, ku vetëm Shpirti manifeston pavdekësi.
6 Një pemë e vogël portokalli në tavolinën aty pranë.
7 Kur studion në kohën e tanishme, në anglisht, shkrimet Bahá’í të disponueshme lidhur me temën e trupit, shpirtit dhe frymës, njeriu ndesh vështirësi për shkak të njëfarë mungese qartësie, sepse jo të gjitha ato janë përkthyer nga i njëjti person, dhe gjithashtu, siç e dini, shumë shkrime Bahá’í janë ende të papërkthyera. Por nuk ka dyshim që ndonjëherë shpirti dhe fryma janë këmbyer me njëra-tjetrën përsa i përket kuptimit, po kështu shpirti dhe mendja janë këmbyer me njëra-tjetrën për nga kuptimi, padyshim për shkak të vështirësive që lindin nga përkthime të ndryshme. Pra, ajo që besojnë Bahá’í-të është se ne kemi tre aspekte të të qënit njerëz, dmth një trup, një mendje dhe një identitet të pavdekshëm – shpirt apo frymë. Ne besojmë që mendja formon një hallkë midis shpirtit dhe trupit dhe të dyja ndërveprojnë mbi njëra-tjetrën». (Shoghi Effendi, përmes sekretarit të tij, 7 qershor 1946, në Arohanui: Letra nga Shoghi Effendi drejtuar Zelandës së Re [Fiji: Trusti Botues Bahá’í, 1982], f. 89.
8 Një farsakë është baraz me afro katër milje.
9 Është një zakon persian përllogaritja e distancës me anë të kohës.
10 Shih Gjoni 3:5.
11 Gjoni 1:13.
12 Kurani 23:14.
13 Mbytja e Titanikut, 1912
14 Shih Kurani 3:35; 2:254.