TË JETOSH JETËN
dhe
REAGIMIN NDAJ PËRGOJIMEVE
Fragmente nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it
dhe nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut
e të Shtëpisë Universale Të Drejtësisë
Original:
Living The Life, Materials assembled by the Research Department of the Universal House of Justice, December 1987, revised June 1999
Extracts from the Writings of ‘Abdu’l-Bahá and letters written on behalf of Shoghi Effendi and the Universal House of Justice on Responding to Backbiting, materials assembled by the Research Department of the Universal House of Justice, June 1999
Text: Albanian
Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá’í
© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2000 - 157 E.B.
TË JETOSH JETËN
1 Sa shpesh Mjeshtri i Shumëdashur është dëgjuar të thotë: Sikur çdonjëri prej miqve të marrë përsipër të verë në jetë, në tërësinë e tij dhe me të gjitha ato që nënkupton, vetëm njërin prej mësimeve të Besimit, me përkushtim, me shkëputje, me qëndrueshmëri e me këmbëngulje dhe të japë shembullin për këtë në të gjitha bëmat e veprimet e jetës së vet, bota do të bëhej botë tjetër dhe faqja e dheut do të pasqyronte shkëlqimet e Parajsës Abhá. Merrni me mend se ç’ndryshime të mrekullueshme do të bëheshin në qoftë se të dashurit e të Mëshirshmit do të silleshin, si individë ose kolektivisht, në pajtim me këshillat e me porositë që kanë rrjedhur nga Pena e Lavdisë.
(Nga një letër e datës 12 janar 1923 shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá’í-ve të Persisë – përkthyer prej persishtes)
2 Dëshira e ‘Abdu’l-Bahá-it, ajo që Ia bën qejfin dhe që, në të vërtetë, përbën një urdhër të detyrueshëm të Tij, është që Bahá’í-të në të gjitha gjërat, madje edhe në shkëmbimet e përditshme e në marrëdhëniet me të tjerët, duhet të veprojnë në pajtim me Mësimet hyjnore. Ai na ka urdhëruar të mos kënaqemi me thjeshtësinë, përunjësinë e bindjen, por të bëhemi shfaqje të vetëmohimit e të të qenit asgjë. Në të kaluarën kemi qenë këshilluar të jemi të ndershëm e besnikë, të dhembshur e të dashur; në këtë Dispensacion suprem, njerëzve të Bahá-it u kërkohet të bëjnë fli vetë jetën e tyre. Shikoni deri në ç’shkallë në Letrat e në Tabelat e Shenjta, si dhe në Testamentin e të Shumëdashurit tonë, miqve u kërkohet të jenë të drejtë, mirëdashës, të duruar, të spastruar nga mëkatet, të dëlirë, të shkëputur nga gjithçka tjetër veç Perëndisë, të ndarë nga zbukurimet e kësaj bote dhe të mbështjellë në rrobën e një karakteri të hijshëm e të atributeve të devotshme.
Para së gjithash e mbi të gjitha, njeriu duhet të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të spastruar zemrën dhe qëllimet e tij, përndryshe angazhimi në çdo punë do të ishte pa vlerë. Është gjithashtu thelbësore që ai të shmangë hipokrizinë dhe imitimin e verbër, meqenëse era e tyre e keqe ndiehet shpejt nga çdo njeri me arsye e urti. Për më tepër, miqtë duhet të respektojnë kohët e caktuara për të kujtuar Perëndinë, për përsiatje, devocion e lutje, sepse ka shumë pak të ngjarë, madje është e pamundur që një punë të shkojë mbarë e të zhvillohet kur është e privuar nga dhuntitë e konfirmimet hyjnore. Është vështirë ta përfytyrosh se ç’ndikim të madh ushtrojnë mbi shpirtrat e njerëzve dashuria e sinqertë, vërtetësia dhe pastërtia e qëllimit. Por këto tipare nuk mund të përvetësohen nga cilido besimtar qoftë, përveçse duke bërë përpjekje të përditshme për t’i fituar ato. ...
Është në radhë të parë përmes fuqisë së veprave e të karakterit fisnik, sesa nga fuqia e shtjellimit dhe e provave, që miqtë e Perëndisë do t’i tregojnë botës se ajo që ka qenë premtuar nga Perëndia do të ndodhë medoemos, se kjo është duke u bërë dhe se lajmi i gëzuar hyjnor është i qartë, i dukshëm e i plotë. Sepse vetëm në rast se disa shpirtra të shquar dalin në arenën e shërbimit dhe ndritin me shkëlqim midis njerëzve, detyra e përligjjes së të vërtetës së kësaj Kauze para syve të njerëzve të ditur do të jetë vërtet mbresëlënëse. Sidoqoftë, në rast se miqtë bëhen mishërime të virtytit e të karakterit të mirë, fjalët e argumentet do të ishin të tepërta. Vetë bëmat e tyre do të shërbejnë më së miri si dëshmi elokuente dhe sjellja e tyre fisnike do të sigurojë ruajtjen, integritetin dhe lavdinë e Kauzës së Perëndisë.
(Nga një letër e datës 19 dhjetor 1923 shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá’í-ve të Lindjes – përkthyer prej persishtes)
3 Të zgjedhurit e Perëndisë ... nuk duhet të shohin gjendjen e çoroditur të shoqërisë ku jetojnë, dhe as dëshmitë e degradimit moral e të sjelljes mendjelehtë të njerëzve që i rretojnë. Ata nuk duhet të kënaqen thjesht me shquarsinë dhe përsosurinë që kanë vetë. Përkundrazi, duhet ta ngulitin shikimin në lartësi më fisnike, duke i bërë këshillat e porositë e Penës së Lavdisë qëllimin e vet suprem. Atëherë do të kuptohet lehtë sesa shumë shkallë mbeten ende për t’u kapërcyer dhe sesa larg është qëllimi i dëshiruar—qëllim që është dhënia e shembullit për moralin e virtytet qiellore.
(Nga një letër e datës 30 tetor 1924 shkruar prej Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Lokale të Teheranit-- përkthyer prej persishtes)
4 Është detyrë dhe privilegj i ynë ta kthejmë dashurinë e devocionin për Kauzën tonë të dashur në bëma e veprime që çojnë në të mirën më të lartë për njerëzimin.
(Nga një letër e datës 20 nëntor 1924 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
5 Në qoftë se lexoni thëniet e Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it me vetëmohim e me kujdes dhe përqëndroheni në to, do të zbuloni të vërteta të panjohura më parë për ju dhe do të fitoni një kuptim të qartë të problemeve që kanë hutuar mendimtarët e mëdhenj të botës.
(Nga një letër e datës 30 janar 1925 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
6 Gjëja e madhe është “të jetosh jetën”—ta kesh jetën kaq të mbushur me mësimet Hyjnore e me Frymën Bahá’í, saqë njerëzit të mos mundin të mos shohin në karakterin e në punën tonë një gëzim, një fuqi, një dashuri, një dëlirësi, një rrezatim e një efektshmëri, që do të na shquajnë ne nga njerëzit e tërhequr pas gjërave të kësaj bote dhe do t’i bëjnë njerëzit të habiten se cili është sekreti i kësaj jete të re te ne. Ne duhet të bëhemi krejtësisht vetëmohues e të përkushtuar ndaj Perëndisë, në atë mënyrë që çdo ditë e çdo çast të përpiqemi të bëjmë vetëm atë që Perëndia do të donte që ne të bëjmë dhe ashtu si Ai do të donte që ne ta bëjmë këtë. Në qoftë se e bëjmë këtë sinqerisht, atëherë do të kemi unitet e harmoni të përsosur me njëri-tjetrin. Atje ku mungon harmonia, mungon fryma e vërtetë Bahá’í. Sakohë nuk kemi shfaqur këtë transformim në jetën tonë, këtë fuqi të re, këtë dashuri e harmoni të ndërsjellë, mësimet Bahá’í s’do të jenë për ne veçse një emër.
(Nga një letër e datës 14 shkurt 1925 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
7 Në qoftë se ne Bahá’í-të nuk mund të arrijmë një unitet të përzemërt midis njëri-tjetrit, atëherë ne nuk kuptojmë dot qëllimin kryesor për të cilin Báb-í, Bahá’u’lláh-u dhe Mjeshtri i Dashur jetuan e vuajtën.
Për të arritur këtë unitet të përzemërt, një nga gjërat e para thelbësore në të cilat ngulnin këmbë Bahá’u’lláh-u e ‘Abdu’l-Bahá-i është që ne t’i kundërvihemi prirjes së natyrshme për ta përqendruar vëmendjen në gabimet e të metat e të tjerëve e jo në tonat. Çdonjëri prej nesh është përgjegjës vetëm për një jetë, atë të vetën. Çdonjëri prej nesh është pamatësisht larg të qenit “i përsosur siç është i përsosur ati ynë qiellor” dhe detyra e përsosjes së vetë jetës e karakterit tonë kërkon tërë vëmendjen, fuqinë e vullnetit dhe energjinë tonë. Në qoftë se ne lejojmë që vëmendja dhe energjia jonë të harxhohen në përpjekjet për të mbajtur të tjerët drejt e për të ndrequr gabimet e tyre, atëherë ne humbasim kohë të çmueshme. Ne jemi si pendarët, që kanë secili pendën e vet të qeve për të ngarë dhe plugun e vet për të drejtuar, dhe për ta bërë brazdën të drejtë ai duhet t’i mbajë sytë në objektivin e tij e të përqendrohet në detyrën e tij. Në qoftë se ai shikon këtej për të parë sesi punojnë Tomi e Herri dhe për të kritikuar plugimin e tyre, atëherë me siguri vetë brazda e tij do të dalë e shtrembër.
Asgjë mësimet Bahá’í nuk e theksojnë më me forcë sesa nevojën për të mos u marrë me kritika e përgojime ndaj të tjerëve dhe për të zbuluar e çrrënjosur me zell gabimet tona, për të ndrequr të metat tona.
Në qoftë se jemi besnikë ndaj Bahá’u’lláh-ut, ndaj Mjeshtrit tonë të Shumëdashur dhe ndaj Ruajtësit tonë të shtrenjtë, atëherë duhet ta shfaqim dashurinë tonë duke iu bindur këtyre mësimeve të qarta. Ato kërkojnë vepra e jo fjalë, dhe kurrfarë zelli në përdorimin e shprehjeve të besnikërisë e të lajkatimit nuk mund të kompensojë të mosjetuarit në frymën e mësimeve.
(Nga një letër e datës 12 maj 1925 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
8 Përsa i përket çështjes nëse është e drejtë të thuash një të pavërtetë për të shpëtuar dikë, ai mendon se kurrsesi ne nuk duhet të themi një të pavërtetë, dhe në të njëjtën kohë të përpiqemi të ndihmojmë tjetrin në një mënyrë më të ligjshme. Sigurisht, nuk është e nevojshme të jemi tepër të hapur derisa pyetja nuk na shtrohet drejtpërsëdrejti neve.
(Nga një letër e datës 21 dhjetor 1927 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
9 Sidoqoftë nuk duhet të harrojmë se një karakteristikë thelbësore e kësaj bote janë vuajtjet e mundimet, dhe pikërisht duke i kapëcyer ato ne fitojmë zhvillimin moral e shpirtëror. Ashtu siç thotë Mjeshtri, brenga është si brazdat, sa më të thella të jenë ato, aq më të bollshme janë frytet që marrim.
(Nga një letër e datës 5 nëntor 1931 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
10 Në “Bajanin” Báb-í thotë se çdo fe e së kaluarës ishte e përshtatshme për t’u bërë universale. Arsyeja e vetme që ato nuk e arritën atë shkallë ishte paaftësia e pasuesve të tyre. Ai vazhdon më tej me premtimin e qartë se nuk do të jetë ky fati i revelacionit të “Atij Që Perëndia do ta shfaqë”, se ai do të bëhet universal dhe do të përfshijë gjithë njerëzit e botës. Kjo tregon se më në fund ne do t’ia dalim mbanë. Por a nuk mundemi ne, për shkak të të metave tona, të neglizhimit tonë për të sakrifikuar dhe të ngurrimit për t’i përqendruar përpjekjet tona në përhapjen e Kauzës, ta vonojmë realizimin e këtij ideali? Dhe ç’do të thoshte kjo? Kjo do të thotë se ne do të jemi përgjegjës para Perëndisë që gjinia njerëzore do të mbetet më gjatë në gjendjen e kokëfortësisë, që luftërat nuk do të mënjanohen së shpejti, që vuajtjet njerëzore do të vazhdojnë më gjatë.
(Nga një letër e datës 20 shkurt 1932 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
11 Çdo ditë ka nevoja të caktuara. Në ato ditë të hershme Kauza kishte nevojë për Martirë dhe për njerëz që të përballonin gjithfarë torturash e përndjekjesh në shprehjen e besimit të tyre e në përhapjen e mesazhit të dërguar nga Perëndia. Por ato ditë kanë kaluar. Në kohën e tanishme Kauza nuk ka nevojë për martirë që të vdesin për besimin, por për shërbëtorë që dëshirojnë t’u mësojnë njerëve Kauzën në mbarë botën. Të jetosh për të mësuar njerëzit në kohën e tanishme është njëlloj si të martirizoheshe në ato ditë të hershme. Është fryma që na shtyn ajo që ka rëndësi, jo akti sesi kjo frymë shprehet; dhe ajo frymë është që t’i shërbejmë Kauzës së Perëndisë me mish e me shpirt.
(Nga një letër e datës 20 nëntor 1924 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, cituar në Bahá’í News, nr. 68, nëntor 1932, f. 3)
12 Ai shpreson sinqerisht se, përmes këtyre sakrificave, ajo ndërtesë do të kompletohet dhe do të bëhet vatër për frymën dhe mësimet e Kauzës në atë vend; se prej saj do të përhapet drita e udhërrëfimit, që do të sjellë gëzim e shpresë në zemrën e këtij njerëzimi të dëshpëruar.
Në qoftë se studioni historinë e Nabilit, do të shihni sesi Besimi është ushqyer me sakrificat e vazhdueshme të miqve. Përmes vuajtjesh, përndjekjesh e brengash të vazhdueshme Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut është përhapur në mbarë botën.
(Nga një letër e datës 30 nëntor 1932 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
13 Këshilla që Shoghi Effendiu ju dha juve lidhur me ndarjen e kohës midis shërbimit për Kauzën dhe kryerjes së detyrave tuaja të tjera u është dhënë edhe shumë miqve të tjerë Bahá’í si nga Bahá’u’lláh-u dhe nga Mjeshtri. Ky është një kompromis midis dy vargjeve të “Aqdas-it”, njërit që e bën të detyrueshme për çdo Bahá’í të shërbejë për të mbështetur Besimin dhe tjetrit që thotë se çdo shpirt duhet të merret me ndonjë punë që i sjell dobi shoqërisë. Në një prej Tabelave të Tij, Bahá’u’lláh-u thotë se forma më e lartë e shkëputjes në kohën e sotme është të merresh me ndonjë profesion dhe të mbash vetveten. Prandaj Bahá’í i mirë është ai që e rregullon jetën e tij në mënyrë të tillë që t’u kushtojë kohë si nevojave të veta materiale dhe shërbimit për Kauzën.
(Nga një letër e datës 26 shkurt 1933 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
14 Nuk është nevoja t’ju them sesa hidhërohet ai për faktin që kaq shumë forca negative mbizotërojnë në tubimet Bahá’í, e sidomos në një takim kaq të rëndësishëm si Kuvendi. Fjalët e përsëritura shpesh të Mjeshtrit për unitetin dhe bashkëpunimin e harmonishëm midis miqve duhen kujtuar me kujdes e me mend në kokë tani më tepër se kurrë. Asgjë nuk është në kundërshtim me frymën e Kauzës më tepër sesa mosmarrëveshja e përçarja, që janë rezultat i egoizmit e i lakmisë. Shkëputja e mirëfilltë dhe shërbimi vetëmohues, këto duhet të jenë të vetmet motive të çdo besimtari të vërtetë. Dhe sakohë secili prej miqve pa përjashtim të mos i ketë kthyer veti të tilla në veprim të gjallë, nuk mund të ketë ndonjë shpresë për përparim të mëtejshëm. Pikërisht tani uniteti i mendimit e i veprimit është tepër i nevojshëm. Pikërisht tani, kur Kauza po hyn në një fazë të re zhvillimi, kur Administrimi i saj po konsolidohet hap pas hapi midis pështjellimit e kaosit të një qytetërimi të lëkundur, miqtë duhet të paraqesin një front unik përballë atyre forcave të përçarjes së brendshme, të cilat, por të mos zhduken krejtësisht, do të sjellin shkatërrimin e pashmangshëm të punës sonë.
(Nga një letër e datës 24 shtator 1933 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
15 Ai, me të vërtetë, hidhërohet shumë për faktin që përfaqësuesit e institucionit administrativ më të lartë në vendin tuaj kanë lejuar që mosmarrëveshje e keqkuptime të tilla të marrin ato përmasa, veçanërisht kur parimet e ligjet e Administrimit janë shpalluar e theksuar të gjitha aq qartë prej tij në aq shumë komunikime dhe qysh nga koha që Mjeshtri ndërroi jetë. Vështirësi të tilla, po qe se nuk ndalen menjëherë e me vendosmëri, mund t’i shkaktojnë një dëm të pallogaritshëm trupit të Kauzës dhe mund të pengojnë jo vetëm vërshimin por edhe efektshmërinë e frymës së saj në botë. Në qoftë se shqyrtohet thellë e pa pasion burimi i të gjitha këtyre shqetësimeve, ai do të gjendet kurdoherë në ndjenjat e vetëkënaqësisë e të egoizmit. Dhe sakohë këto ndjenja helmuese të mos jenë kapërcyer plotësisht, nuk mund të shpresohet për funksionim efektiv e përparim të mekanizmit administrativ të Kauzës.
(Nga një letër e datës 9 maj 1934 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
16 Ndërsa ju bën thirrje të përballoni me guxim e të kapërceni pengesat e shumta që qëndrojnë në rrugën tuaj, ai në të njëjtën kohë ju këshillon që në rast dështimi dhe çfarëdo që t’ju ndodhë, ju duhet të mbeteni plotësisht të kënaqur nga kjo dhe krejtësisht të nënshtruar ndaj vullnetit Hyjnor. Brengat, provat dhe sprovat tona janë ndonjëherë bekime të fshehura, sepse na mësojnë të kemi më shumë besim e siguri te Perëndia dhe na sjellin më pranë Tij.
(Nga një letër e datës 28 prill 1936 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
17 A nuk na ka siguruar Bahá’u’lláh-u se vuajtjet e privacionet janë bekime të fshehura, se përmes tyre forcat tona të brendshme shpirtërore stimulohen, dëliren e fisnikërohen? Kini, pra, besim se vështirësitë tuaja materiale, në vend që t’i pengojnë veprimtaritë tuaja për Kauzën, do t’i japin zemrës suaj një vrull të fuqishëm për t’u shërbyer më mirë interesave të saj e për t’i mbështetur ato.
(Nga një letër e datës 22 nëntor 1936 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
18 Përpjekja vetjake është me të vërtetë një kërkesë e domosdoshme jetike për njohjen dhe pranimin e Kauzës së Perëndisë. Sado e madhe të jetë masa e favorit Hyjnor, sakohë ai nuk plotësohet me përpjekjen vetjake të pandërprerë e të zgjuar, nuk mund të bëhet plotësisht i efektshëm e nuk mund të sjellë ndonjë dobi reale e të qëndrueshme.
Nga një letër e datës 27 shkurt 1938 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
19 Pengesa të tilla, sado të mëdha e të pakapërcyeshme të mund të duken në fillim, mund dhe duhet të kapërcehen efektivisht përmes fuqisë së kombinuar e të qëndrueshme të lutjes dhe të përpjekjeve të vendosura e të vazhdueshme. Vallë nuk na kanë siguruar ne si Bahá’u’lláh-u dhe ‘Abdu’l-Bahá-i se aradhet Hyjnore e të padukshme të fitores do të mbështesin e forcojnë gjithmonë ata që punojnë trimërisht e me besim në emër të tyre? Kjo siguri duhet me të vërtetë t’ju bëjë të aftë të kapërceni çdo ndjenjë pavlefshmërie, paaftësie për të shërbyer dhe çfarëdo kufizime të brendshme ose të jashtme që rrezikojnë të pengojnë përpjekjet tuaja për Kauzën. Prandaj duhet të ngriheni dhe, me zemër të mbushur gjithë gëzim e besim, të përpiqeni të jepni çdo ndihmesë që varet prej jush për një përhapje më të gjerë e një konsolidim më të madh të Besimit tonë të dashur.
Cilado qoftë fusha e posaçme e shërbimit që ju mund të zgjidhni, qoftë mësimdhënia ose ajo administrative, thelbësore është që ju të këmbëngulni dhe të mos lejoni çfarëdo vetëdije të kufizimeve tuaja të shuajë zellin tuaj, aq më tepër t’ju frenojë të shërbeni me gëzim e aktivisht.
(Nga një letër e datës 6 shkurt 1939 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
20 Sa më të mëdha të jenë sprovat e vuajtjet tuaja, aq më të forta duhet të bëhen dashuria dhe përkushtimi juaj ndaj Kauzës. Sepse vetëm përmes vuajtjesh e sprovash të vazhdueshme Perëndia vë në provë shërbëtorët e Tij, prandaj këta duhet t’i shohin ato si bekime të fshehura dhe si mundësi me anën e të cilave mund të fitojnë një vetëdijë më të plotë për Vullnetin e Qëllimin Hyjnor.
(Nga një letër e datës 23 shkurt 1939 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar dy besimtarëve)
21 Kursi për formimin e karakterit që do të jepet nga Miss Flora Hottes, Ruajtësi mendon se është veçanërisht i rëndësishëm, se atij duhet t’i kushtohet vëmendja e nevojshme dhe të studiohet me kujdes e me themel, sidomos nga besimtarët e rinj që ndjekin shkollën. Ato standarde të sjelljes Bahá’í, që ai vetë i ka shtjelluar në letrën e tij të përgjithshme të kohëve të fundit, “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, dhe të cilat duhet të jetë detyrë parësore e çdo besimtari besnik e të ndërgjegjshëm të përpiqet t’i mbështesë e t’i përkrahë, meritojnë studim e përsiatje serioze, ato duhet të përbëjnë temën qendrore kryesore të programit të këtij viti në të tri Shkollat Verore Bahá’í në Shtetet e Bashkuara.
(Nga një letër e datës 20 maj 1939 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
22 Përsa i përket thirrjes së ...: Ruajtësi mendon se mënyra më e mirë e veprimit në këtë çështje është t’u kërkohet të dy besimtarëve përkatës të falin dhe ta harrojnë tërë çështjen. Ai nuk do që miqve t’u bëhet zakon të merren me njëfarë grindje Bahá’í kundër njëri-tjetrit. Detyrat e tyre ndaj njerëzimit janë tepër të shenjta e të ngutshme në këto kohë, kur Kauza po lufton për t’u përhapur e për të afirmuar pavarësinë e saj, që ata të harxhojnë kohën e tyre të çmuar, dhe kohën e tij të çmuar, në këtë mënyrë. Prandaj u kërkoni atyre të bashkohen, të harrojnë të kaluarën dhe t’i kushtohen shërbimit si kurrë më parë.
(Nga një letër e datës 22 korrik1947 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë e të Zelandës së Re)
23 Me të vërtetë besimtarët ende nuk kanë mësuar plotësisht të nxjerrin nga dashuria e njëri-tjetrit forcë e ngushëllim në kohë nevoje. Kauza e Perëndisë është e pajisur me fuqi të pamatura, dhe shkaku që besimtarët nuk përfitojnë më shumë prej saj është se ata nuk kanë mësuar të marrin plotësisht nga forcat e fuqishme të dashurisë, të forcës e të harmonisë që lind Besimi.
Ai do t’ju këshillonte ta lini miken tuaj ... me veten e saj për një kohë dhe të luteni për të. Meqenëse ajo nuk dëshiron tani ndihmën tuaj, ju vetëm mund ta ndihmoni atë fshehurazi.
Ju i keni bërë shumë shërbime të çmuara Kauzës, e po vazhdoni t’i bëni, dhe kjo duhet të jetë ngushëllimi më i madh për ju. ...
(Nga një letër e datës 8 maj 1942 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
24 Miqtë duhet të jenë të duruar me njëri-tjetrin dhe duhet ta kuptojnë se Kauza është ende në fëmijërinë e saj, se institucionet e saj ende nuk funksionojnë në mënyrë të përsosur. Sa më të mëdha të jenë durimi, mirëkuptimi dashamirës dhe vetëpërmbajtja që besimtarët shfaqin ndaj njëri-tjetrit e të metave të tyre, aq më i madh do të jetë përparimi i tërë Komunitetit Bahá’í në përgjithësi.
(Nga një letër e datës 27 shkurt 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
25 Ne duhet ta kuptojmë papërsosurinë tonë dhe të mos i lejojmë vetes të mërzitemi shumë lidhur me gjërat fatkeqe që ndodhin, ndonjëherë në Kuvende, ndonjëherë në Asambletë ose në Komitete, etj. Gjëra të tilla janë në thelb të sipërfaqshme dhe me kohë do të kalojnë.
(Nga një letër e datës 17 mars 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
26 Jo të gjithë ne jemi të aftë të shërbejmë në të njëjtën mënyrë, por e vetmja mënyrë për çdo Bahá’í që të mundë të përhapë Besimin është me anë të shembullit. Kjo i prek zemrat e njerëzve shumë më thellë nga ç’mund të bëjnë fjalët.
Dashuria që tregojmë ndaj të tjerëve, mikpritja e mirëkuptimi, gatishmëria për t’i ndihmuar ata, këto janë paralajmërimet më të mira të Besimit. Ata do të duan të dëgjojnë për të kur shohin këto gjëra në jetët tona.
(Nga një letër e datës 14 tetor 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
27 Ju jeni ankuar për kushtet e pakënaqshme që mbizotërojnë në Komunitetin Bahá’í të ...; Ruajtësi është mirë në dijeni të gjendjes së Kauzës atje, por ka besim se të çdo natyre qofshin pengesat me të cilat përballet Besimi, ato më në fund do të kapërcehen. Ju kurrsesi nuk duhet të ndiheni të shkurajuar dhe nuk duhet të lejoni që vështirësi të tilla, edhe pse mund të jenë rezultat i sjelljes së keqe, ose i mungesës së aftësisë e të vizionit të disa anëtarëve të Komunitetit, t’ju bëjnë të lëkundeni në besimin tuaj dhe në besnikërinë tuaj themelore ndaj Kauzës. Sigurisht, besimtarët, pavarësisht sesa të kualifikuar mund të jenë, qoftë si mësues ose si administratorë, dhe sado të mëdha qofshin meritat e tyre intelektuale e shpirtërore, kurrë nuk duhen parë si model me anën e të cilit të vlerësohet e matet autoriteti e misioni hyjnor i Besimit. Te vetë Mësimet dhe te jetët e Themeluesve të Kauzës duhet të kërkojnë besimtarët udhërrëfim e frymëzim për vete, dhe vetëm duke iu përmbajtur me rreptësi këtij qëndrimi të vërtetë mund të shpresojnë ata ta vendosin besnikërinë e tyre ndaj Bahá’u’lláh-ut mbi një bazë të qëndrueshme e të pamposhtur. Prandaj ju duhet të merrni zemër dhe, me vigjilencë të pashuar e me përpjekje të paprera, të kërkoni të luani plotësisht rolin tuaj në shpalosjen hap pas hapi të këtij Rendi Botëror Hyjnor.
(Nga një letër e datës 23 gusht 1939 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
28 Këto me të vërtetë janë ditë kur është i nevojshëm heroizmi nga ana e besimtarëve. Vetëmohimi, guximi, shpresa dhe besimi i pamposhtur janë tiparet që ata duhet të tregojnë, sepse pikërisht këto atribute nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e publikut dhe t’i nxisin të tjerët të hetojnë se çfarë i shtyn këta njerëz të kenë aq siguri, aq besim e të jenë aq të përkushtuar në një botë aq pa shpresë, kaotike e të çoroditur? Me kalimin e kohës, gjithnjë më shumë tiparet e Bahá’í-ve do të jenë ato që do të pushtojnë vëmendjen e bashkëqytetarëve të tyre. Ata duhet të tregojnë se u qëndrojnë larg mërive e akuzave të ndërsjella që po tërheqin zemrën e njerëzimit dhe të provojnë me vepra e mefjalë besimin e tyre të thellë në bashkimin paqësor të mbarë gjinisë njerëzore.
(Nga një letër e datës 26 tetor 1941 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
29 Ne duhet të shikojmë gjithnjë përpara dhe të kërkojmë të kryejmë në të ardhmen atë që mund të mos kemi bërë dot në të kaluarën. Dështimet, provat dhe sprovat, në qoftë se i përdorim ato drejt, mund të bëhen mjetet për të dëlirur shpirtrat tanë, për të forcuar karakterin tonë dhe për t’u bërë të aftë të ngrihemi në lartësi më të mëdha të shërbimit.
(Nga një letër e datës 14 dhjetor 1941 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
30 Lidhur me pikat të cilave ju u referoheni në letrën tuaj: eliminimi i plotë e tërësor i egos do të nënkuptonte përsosurinë—të cilën njeriu kurrë nuk mund ta arrijë plotësisht, —por egoja mund dhe duhet t’i nënshtrohet gjithnjë e më shumë shpirtit të ndriçuar të njeriut. Ja çfarë nënkupton përparimi shpirtëror.
Nga një letër e datës 14 dhjetor 1941 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
31 Ai u kënaq shumë kur dëgjoi se Kuvendi u ndoq aq mirë dhe besimtarët ishin entuziastë e të bashkuar. Një prej nevojave më të mëdha të Kauzës në ... është që miqtë duhet të bashkohen, duhet të bëhen me të vërtetë thellësisht të vetëdijshëm për faktin që ata janë një familje e vetme shpirtërore, të mbahen bashkë nga lidhje më të shenjta e të përjetshme sesa ato fizike që i bëjnë njerëzit të jenë të së njëjtës familje. Në qoftë se miqtë do të harrojnë të gjitha mospajtimet vetjake dhe do t’i hapin zemrat për një dashuri të madhe ndaj njëri-tjetrit për hir të Bahá’u’lláh-ut, ata do të shohin se aftësitë e tyre do të shtohen së tepërmi; ata do të tërheqin zemrat e publikut dhe do të jenë dëshmitarë të një rritjeje të shpejtë të Besimit të Shenjtë në ... Asambleja Shpirtërore Kombëtare duhet të bëjë gjithçka varet prej saj për të ushqyer unitetin midis besimtarëve dhe për t’i edukuar ata në Administrim, sepse ky është kanali përmes të cilit jeta e tyre komunitare duhet të rrjedhë dhe i cili, kur të kuptohet e praktikohet si duhet, do t’i japë mundësi punës së Kauzës të shkojë përpara me hapa vigane.
(Nga një letër e datës 26 tetor 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë)
32 Në fund të fundit gjithë lufta e jetës është brenda individit. Asnjë përmasë organizimi nuk mund të zgjidhë problemet e brendshme, ose të sjellë apo të parandalojë, sipas rastit, fitoren ose disfatën në një moment vendimtar. Në kohë të tilla, si këto veçanërisht, individët tërhiqen sa andej këndej nga forca të mëdha në gjithë botën, dhe ne shohim sesi disa njerëz të dobët menjëherë bëhen mrekullisht të fortë, ndërsa disa të fortë dështojnë. Ne vetëm mund të përpiqemi, përmes këshillash dashamirëse, të nxitim veprimin nga ana e besimtarit, që do të jetë në të mirën më të madhe të Kauzës. Sepse është e qartë se diçka e keqe për Kauzën nuk mund të jetë e mira më e madhe për Bahá’í-n individual.
(Nga një letër e datës 17 dhjetor 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
33 Ajo që ka nevojë bota sot është fryma Bahá’í. Njerëzit janë të etur për dashuri, për një standard të lartë që ta shohin me respekt, si dhe për zgjidhje të problemeve të shumta serioze që kanë. Bahá’í-të duhet të reshin mbi ata që takojnë ngrohtësinë dhe frymën e gjallë të Kauzës, dhe kjo, e kombinuar me mësimin, nuk mund të mos tërheqë drejt Besimit kërkuesit e sinqertë të së vërtetës.
(Nga një letër e datës 18 dhjetor 1943 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
34 Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me nevojën për një unitet më të madh midis miqve, nuk ka dyshim se është kështu, dhe Ruajtësi mendon se një ndër mjetet kryesore për ta mbështetur atë është të mësosh vetë Bahá’í-të, në klasa e me këshilla, se dashuria për Perëndinë, për rrjedhojë edhe për njerëzit, është baza thelbësore e çdo feje, duke përfshirë edhe tonën. Një shkallë më e madhe dashurie do të sjellë një unitet më të madh, sepse ajo i bën njerëzit të aftë të merren vesh me njëri-tjetrin, të jenë të duruar e të falin.
(Nga një letër e datës 7 korrik 1944 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, cituar në Bahá’í News, nr. 173, Shkurt 1945, f. 3)
35 Ai shpreson se ju do të zhvilloheni si Bahá’í në karakter, si dhe në besim. Tërë qëllimi i Bahá’u’lláh-ut është që ju të bëheni një lloj i ri njerëzish, njerëz që janë të drejtë, të sjellshëm, të zgjuar, të çiltër, të ndershëm e që jetojnë në pajtim me ligjet e Tij të mëdha, të shtjelluara për këtë epokë të re në zhvillimin e njeriut. Nuk mjafton ta quajmë veten Bahá’í, qenia jonë më intime duhet të fisnikërohet e të ndriçohet duke jetuar një jetë Bahá’í.
(Nga një letër e datës 25 gusht 1944 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Sesionit Rinor të Shkollës së Louhelen, Sh.B.A.)
36 Shumë keqkuptime lindin nga dashuria plot pasion e miqve për Besimin, si dhe nga papjekuria e tyre. Prandaj duhet të jemi shumë të duruar e dashamirës ndaj njëri-tjetrit dhe të përpiqemi të vendosim unitetin në familjen Bahá’í. Ai mendon se mospajtimet ... që ju përmendni në letrën tuaj janë shkaktuar nga ato që thuhen më sipër dhe jo nga armiqësia ndaj Besimit ose mossinqeriteti.
(Nga një letër e datës 17 tetor 1944 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
37 Ai u gëzua shumë që mori lajme nga ju dhe që mësoi se Green Acre këtë vit është përshkuar nga dashuria e harmonia, që ka qenë e dobishme për konfirmimin e shumë shpirtrave të rinj në Besimin. Kjo dashuri midis besimtarëve është magneti që, më shumë se çdo gjë tjetër, do të tërheqë zemrat dhe do të sjellë shpirtra të rinj në Kauzën.
Sepse është e qartë që mësimet, sado të mahnitshme, nuk e ndryshojnë dot botën sakohë që Fryma e dashurisë së Bahá’u’lláh-ut të mos pasqyrohet në Komunitetet Bahá’í.
(Nga një letër e datës 27 tetor 1944 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
38 Me të vërtetë, në qoftë se miqtë do të kërkonin, dhe do të përpiqeshin, të bëhen 100 për qind Bahá’í, ata do të shihnin sa shumë do të rritej ndikimi i tyre mbi të tjerët dhe sa shpejt do të përhapej Kauza. Kjo botë po kërkon jo një kompromis, por mishërimin e një ideali të lartë e të ndritur. Sa më shumë miqtë t’u përmbahen mësimeve tona në çdo aspekt të jetës së tyre, në shtëpitë e tyre, në punë, në marrëdhëniet e tyre shoqërore, aq më e madhe do të jetë tërheqja që ata ushtrojnë mbi zemrat e të tjerëve.
Ai gëzohet kur sheh se ju, në mënyrë të natyrshme, me bindje e vullnet të mirë ndaj të gjithëve, jeni shoqëruar me njerëz me ngjyrë dhe i keni mësuar. Kur Bahá’í-të u përmbahen mësimeve ashtu si duhet, edhe pse kjo mund të ngjallë kundërshtimin e disave, por do të ngjallë akoma më shumë admirimin e njerëzve të paanshëm.
(Nga një letër e datës 23 janar 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
39 Me të vërtetë, kur shohim errësirën gjithnjë e më të madhe në botë sot, ne mund ta kuptojmë plotësisht se, sakohë që Mesazhi i Bahá’u’lláh-ut të mos ketë arritur në zemrat e njerëzve e t’i ketë transformuar ata, nuk mund të ketë paqe e përparim shpirtëror në të ardhmen.
Shpresa e tij e përhershme është që besimtarët do të sillen, individualisht dhe në jetën e Komunitetit të tyre Bahá’í, në mënyrë të tillë që të tërheqin vëmendjen e të tjerëve për Kauzën. Bota është e uritur jo vetëm për parime e ideale të larta, ajo, mbi të gjitha, është e uritur për një shembull të ndritshëm që Bahá’í-të mund dhe duhet ta japin.
(Nga një letër e datës 22 shkurt 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
40 Kudo në botë, brenda dhe jashtë Besimit, ka një nevojë shumë të madhe për një ndërgjegjësim të vërtetë që të përshkojë e të motivojë jetët e njerëzve. Kurrfarë procedure administrative ose zbatimi të rregullave nuk mund të zëvendësojë këtë karakteristikë të shpirtit, këtë natyrë shpirtërore, që është thelbi i Njeriut. Ai është shumë i gëzuar kur sheh se ju e theksoni këtë dhe i ndihmoni miqtë të kuptojnë rëndësinë supreme të kësaj.
(Nga një letër e datës 25 prill 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
41 Përsa i përket çështjes së ... dhe mos-harmonisë që duket se ekziston midis disa miqve ...: kur Bahá’í-të lejojnë që forcat e errëta të kësaj bote të depërtojnë në vetë marrëdhëniet e tyre brenda Besimit, ata rrezikojnë rëndë përparimin e tij; është detyrë parësore e besimtarëve, e Asambleve Lokale, e sidomos e Asamblesë Shpirtërore Kombëtare, të ushqejnë harmoninë, mirëkuptimin e dashurinë midis miqve. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm e të kenë vullnetin të lenë mënjanë çdo ndjenjë vetjake mërie, të justifikuar ose të pajustifikuar, për të mirën e Kauzës, sepse njerëzit kurrë nuk do ta përqafojnë atë sakohë të mos shohin të pasqyruar në jetëm komunitare të saj atë që aq dukshëm mungon në botë: dashurinë dhe unitetin.
(Nga një letër e datës 13 maj 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë e të Zelandës së Re)
42 Më e rëndësishmja nga të gjitha është që dashuria dhe uniteti duhet të mbizotërojnë në Komunitetin Bahá’í, sepse kjo është që aq shumë dëshirojnë njerëzit në gjendjen e sotme të errët të botës. Fjalët pa shembullin e gjallë kurrë nuk do të jenë të mjaftueshme për të ngjallur shpresën në zemrat e një brezi të zhgënjyer e shpesh cinik.
(Nga një letër e datës 20 tetor 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
43 Përderisa ju i jeni drejtuar atij për udhëzime, ai do t’ju japë në mënyrë shumë të çiltër mendimin e tij.
Ai mendon se mosharmonia e tanishme që mbizotëron midis jush ... është shumë e dëmshme për përparimin e Kauzës dhe mund të çojë vetëm në përçarje e në ftohjen e interesit të besimtarëve të rinj. Ju ... duhet të harroni mëritë tuaja vetjake dhe të bashkoheni për mbrojtjen e Besimit, ndaj të cilit ai e di mirë se ju të gjithë jeni ndershmërisht besnikë e të gatshëm për të sakrifikuar për të.
Ndoshta prova më e madhe së cilës i janë nënshtruar ndonjëherë Bahá’í-të është ndaj njëri-tjetrit; por për hir të Mjeshtrit ata duhet të jenë gjithmonë të gatshëm të mos shohin gabimet e njëri-tjetrit, të kërkojnë falje për fjalët e ashpra që kanë thënë, të falin dhe të harrojnë. Ai ju rekomandon me forcë juve këtë mënyrë veprimi.
Ai mendon gjithashtu se ju dhe ... nuk duhet të qëndroni larg takimeve e Festave në ...; ju keni tani një grup entuziast të rinjsh Bahá’í në..., dhe duhet t’u jepni atyre një shembull të fuqishëm të disiplinës Bahá’í e të unitetit që mund dhe duhet të mbizotërojë në gjirin e Komunitetit të Emrit Më të Madh.
(Nga një letër e datës 18 dhjetor 1945 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
44 Ju pyesni për “mostretjen shpirtërore”: Bahá’í-të duhet të kërkojnë të jenë të shumanshëm, normalë e të mirekuilibruar, mendërisht dhe shpirtërisht. Ne nuk duhet të japim përshtypjen se jemi fanatikë, por në të njëjtën kohë duhet t’u përmbahemi parimeve tona.
(Nga një letër e datës 12 mars 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
45 Të jeni të sigurt se ai do të lutet për unitetin e besimtarëve të ..., sepse ky është me rëndësi të madhe dhe prej tij varet zhvillimi i Kauzës atje, si dhe suksesi i çdo përpjekjeje mësimore. Ajo që miqtë kanë nevojë—kudo—është një dashuri më e madhe për njëri-tjetrin dhe kjo mund të arrihet me anë të një dashurie më të madhe për Bahá’u’lláh-un; sepse në qoftë se ne e duam Atë mjaft thellë, atëherë kurrë nuk do të lejojmë që ndjenjat e mendimet tona vetjake të frenojnë Kauzën e Tij; ne do të dëshirojmë të flijojmë vetveten për njëri-tjetrin për hir të Besimit dhe të jemi, siç ka thënë Mjeshtri, një shpirt në shumë trupa.
(Nga një letër e datës 5 shtator 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
46 Ai pajtohet me gjithë zemër me ju se, sakohë të mos praktikojmë Mësimet, kurrsesi nuk mund të presim që Besimi të zhvillohet, sepse qëllimi themelor i të gjitha feve, duke përfshirë edhe tonën, është ta çojnë njeriun më pranë Perëndisë dhe të ndryshojnë karakterin e tij, gjë që është tepër e rëndësishme. Shpesh vihet shumë theksi në aspektet shoqërore dhe ekonomike të Mësimeve, por aspekti moral nuk është e mundur të mbivlerësohet.
(Nga një letër e datës 6 shtator 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
47 Atij i pëlqeu shumë fakti që ju kishit një kurs mbi “karakterin Bahá’í”, sepse mendon që një prej detyrimeve më të mëdha të brezit tuaj të besimtarëve është të jetojnë një jetë Bahá’í; ju duhet të tregoni, me anë të standardeve tuaja të larta morale, të misësjelljes, të ndershmërisë e
të fisnikërisë suaj, se Besimi ynë nuk është besim fjalësh, por ndryshon me të vërtetë zemrën dhe sjelljen e pasuesve të tij.
(Nga një letër e datës 19 shtator 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Sesionit Rinor të Ulët të Shkollës së Louhelen, Sh.B.A.)
48 Ai mendon se rinia veçanërisht duhet të përpiqet vazhdimisht e me vendosmëri të japë shembullin e jetës Bahá’í. Në botën rreth nesh shohim kalbëzim, shthurje, turpe, vulgaritet, sjellje të këqia. Të rinjtë Bahá’í duhet të jenë e kundërta e këtyre gjërave dhe, me dëlirësinë e tyre, me jetën e drejtë, me mirësjelljen, me nderimin që tregojnë dhe me qëndrimet e tyre të hijshme, të tërheqin të tjerët, të vjetër e të rinj, drejt Besimit. Bota është lodhur me fjalë, ajo do shembull dhe u takon të rinjve Bahá’í ta japin atë.
(Nga një letër e datës 19 shtator 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Skollës Verore të Green Acre)
49 Miqtë duhet të mbajnë kurdoherë parasysh se, në njëfarë mënyre, ne jemi si ushtarë në sulm. Bota ndodhet tani në një gjendje tej mase të errët shpirtërisht; urrejtja e paragjykimet e çdo lloji po e shqyejnë atë copa-copa në kuptimine mirëfilltë të fjalës. Ne, nga ana tjetër, jemi ruajtësit e forcave të kundërta, e forcave të dashurisë, të unitetit, të paqes e të integrimit, dhe ne duhet vazhdimisht të kemi mendjen se mos përmes nesh, qoftë si individë, qoftë si Asamble ose si komunitet, këto forca destruktive, negative futen në mjedisin tonë. Me fjalë të tjera, ne duhet të hapim sytë se mos errësira e shoqërisë pasqyrohet në veprimet e në qëndrimet tona, ndoshta në mënyrë krejt të pavetëdijshme. Dashuria për njëri-tjetrin, ndjenja e thellë se ne jemi një organizëm i ri, lajmëtarët e agimit të një Rendi të Ri Botëror, duhet vazhdimisht të frymëzojë jetët tona Bahá’í, dhe ne duhet të lutemi që të jemi të mbrojtur nga infektimi i shoqërisë që është kaq e sëmurë prej paragjykimit.
(Nga një letër e datës 5 shkurt 1947 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Lokale të Atlantës, Georgia)
50 Kauza në ... po rritet shumë shpejt dhe, sa më shumë ajo të përhapet, aq më tepër do të ngulitet tek ajo vëmendja e publikut. Kjo u ngarkon besimtarëve një përgjegjësi të rëndë, sepse ata duhet të tregojnë një frymë të tillë dashurie e uniteti ndërmjet tyre sa të tërheqin zemrat e të tjerëve dhe t’i injurajojnë ata të hyjnë në Besim në masa të mëdha. Ne duhet të mbajmë gjithmonë parasysh se Mësimet janë të përkryera dhe e vetmja arsye përse edhe më shumë njerëz ende nuk i kanë përqafuar ato është se vetë ne Bahá’í-të, në mbarë botën, nuk jemi ende aq vetëmohues e pasqyra të ndritshme të së Vërtetës së Bahá’u’lláh-ut sa ç’duhet e mund të ishim! Ne duhet vazhdimisht të përpiqemi të jemi shembull i Mësimeve të Tij.
(Nga një letër e datës 18 shkurt 1947 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
51 Ne duhet të përqendrohemi në përsosjen e karaktereve tona si Bahá’í individualë; dhe në pjekjen e Rendit tonë Botëror, që ende ndodhet në embrion dhe ende nuk është kuptuar në mënyrë të saktë; në përhapjen e Mesazhit sipas parashikimeve të Planit Hyjnor; dhe në ndërtimin e një Komuniteti Bahá’í mbarëbotëror të thurur fort. Ne jemi relativisht të paktë në numër, dhe kemi një detyrë aq të çmuar, unike e me përgjegjësi për të kryer. Ne duhet t’i përqendrojmë plotësisht forcat tona në këtë detyrë.
(Nga një letër e datës 6 shtator 1946 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)
52 Përtëritja, shtrirja dhe pasurimi i frontit të brendshëm varet në fund të fundit nga besimtari individual, që përbën njësinë bazë në strukturën e këtij fronti. Sa më energjike të jenë përpjekjet që bën, çdo ditë e në mënyrë metodike, individi i angazhuar në frontin e brendshëm për t’u ngritur në lartësi më të mëdha të përkushtimit e të vetëmohimit për të dhënë, përmes pionierizmit në vend, ndihmesën e tij në shumëfishimin e qendrave, të grupeve e të Asambleve të veçanta Bahá’í dhe për të shtuar, përmes një pune të zellshme, tepër të kujdesshme e të vazhdueshme për tërheqjen e shpirtrave të hapur në Besimin që u ka shtjelluar, numrin e përkahësve aktivë e të çiltër të tij, aq më shpejt përpjekjeve të gjera e të shumta tej kufijve të atdheut, që tani aq shumë kërkojnë një ndihmë më të madhe me njerëz e mjete, do t’u jepet mbështetja e nevojshme që do të
sigurojë zhvillimin e tyre të pandërprerë dhe do të shpejtojë dhënien e fryteve përfundimtare të tyre. ...
(Nga një letër e datës 21 shtator 1957 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
53 Lidhur me pyetjen që keni bërë ju: uni ka me të vërtetë dy kuptime, ose është përdorur në dy kuptime, në shkrimet Bahá’í; njëri është uni, dmth identiteti i individit të krijuar nga Perëndis. Ky është uni që përmendet në pasazhe të tilla si “Perëndinë e ka njohur ai që ka njohur vetveten”, etj. Uni tjetër është egoja, trashëgimi i errët, shtazor që ka çdonjëri prej nesh, natyra më e ulët që mund të zhvillojë një përbindësh i egoizmit, i brutalitetit, i lakmisë e kështu me radhë. Pikërisht kundër këtij uni, ose kësaj ane të natyrës sonë, duhet të luftojmë ne, në mënyrë që të forcojmë e çlirojmë shpirtin brenda nesh dhe ta ndihmojmë atë të arrijë përsosurinë.
Vetëmohimi do të thotë t’ia nënshtrosh këtë natyrë më të ulët dhe dëshirat e saj anës më të devotshme e fisnike të vetes sonë. Në fund të fundit, në kuptimin e tij më të lartë, vetmohimi do të thotë t’ia japim vullnetin tonë dhe tërë veten tonë Perëndisë, që Ai të bëjë me të ashtu si i pëlqen. Atëherë Ai dëlir e madhëron unin tonë të vërtetë derisa bëhet një realitet i ndritshëm e i mahnitshëm.
(Nga një letër e datës 10 dhjetor 1947 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
54 Është cilësia e përkushtimit dhe e vetëmohimit që sjell shpërblime në shërbimin ndaj këtij Besimi, dhe jo mjetet, aftësia ose mbështetja financiare.
(Nga një letër e datës 11 maj 1948 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare tëAustralisë e të Zelandës së Re)
55 Ne kurrë nuk duhet të ndalemi shumë në qëndrimet dhe ndjenjat e bashëbesimtarëve tanë ndaj nesh. Ajo që ka më shumë rëndësi është të zhvillojmë dashurinë e harmoninë dhe të injorojmë kundërshtimet që mund të ndeshim; duke vepruar kështu, dobësitë e natyrës njerëzore dhe qëndrimi i veçantë i ndonjë personi të veçantë nuk zmadhohet, por zbehet deri në hiç në krahasim me shërbimin tonë të përbashkët ndaj Besimit që ne të gjithë e duam.
(Nga një letër e datës 19 shtator 1948 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
56 Shpesh ne e kemi të vështirë të bëjmë këto ose ato gjëra, sepse ato janë shumë të ndryshme nga ajo që jemi mësuar të bëjmë, dhe jo sepse kjo ose ajo gjë është veçanërisht e vështirë në vetvete. Për ju, e në të vërtetë për shumë Bahá’í, që pranojnë tani si të rritur këtë Besim të lavdishëm, padyshim disa prej kërkesave, si agjërimi dhe lutja e përditshme, në fillim janë të vështira për t’i kuptuar e zbatuar. Por ne gjithmonë duhet të mendojmë se këto gjëra janë caktuar për të gjithë njerëzit për njëmijë vjetët që do të vijnë. Për fëmijët Bahá’í, që i shohin këto gjëra të zbatohen në shtëpi, ato do të jenë po aq të natyrshme e të nevojshme sa ç’ishte edhe vajtja në kishë të dielave për brezin më të devotshëm të të krishterëve. Bahá’u’lláh-u nuk do të na i kishte caktuar neve këto gjëra po qe se ato nuk do të ishin me përfitim të madh për ne dhe, ashtu si fëmijët që kanë mjaft mend për të kuptuar se babai i tyre është i mençur dhe bën atë që është e mirë për ta, ne duhet të pranojmë t’u bindemi këtyre kërkesave edhe pse në fillim mund të mos shohim asnjë nevojë për to.. Duke i zbatuar ato, ne gradualisht arrijmë të shohim në veten tonë përfitimet që ato sjellin.
(Nga një letër e datës 16 mars 1949 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
57 ... duke pësuar këto fatkeqësi ne duhet të kujtojmë se Vetë Profetët e Perëndisë nuk ishin të imunizuar nga këto gjëra që pësojnë njerëzit. Ata gjithashtu provonin brenga, sëmundje e dhimbje. Ata u ngritën mbi këto gjëra përmes shpirtit të Tyre, e kjo është që ne duhet gjithashtu të përpiqemi të bëjmë kur na bien mbi kokë. Telashet e kësaj bote kalojnë dhe ajo që mbetet është se ç’kemi bërë me shpirtrat tanë; pra, kësaj duhet t’i kushtojmë vëmendje: të bëhemi më shpirtërorë, të qasemi më pranë Perëndisë, pavarësisht se ç’pësojnë mendjet dhe trupat tanë njerëzorë.
(Nga një letër e datës 5 gusht 1949 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
58 Ai u hidhërua kur dëgjoi për disa gjëra që përshkruani ju. Kjo tregon papjekuri të madhe shpirtërore nga ana e disa Bahá’í-ve dhe një moskuptim e mosstudim të habitshëm të mësimeve. T’u përmbahesh mësimeve morale të Besimit tonë është një detyrë shumë më e vështirë sesa t’u përmbahesh atyre parimeve fisnike që ngulit Ri-Armatosja Morale, sado të përsosura e përfshirëse që janë ato! Një në çdo dy fjalë të shkrimeve të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it është një predikim për moralin dhe sjelljen etike; çdo gjë tjetër është forma, kupa në të cilën duhet shtënë shpirti i kulluar; pa shpirtin dhe veprimin që duhet ta tregojë atë, ajo është një formë e pajetë.
Nga ajo që thoni ju, ai gjykon se miqtë nuk i kanë, ose të paktën shumë prej tyre nuk i kanë, mësuar si duhet në fillim.
Nuk ka sigurisht kundërshtim që të theksohen “katër standardet” e Ri-Armatosjes Morale, megjithëse çdo mësim i Besimit tonë të çmuar thellohet shumë më tepër në këto çështje dhe i pasuron më tej ato.
Kur ne e kuptojmë që Bahá’u’lláh-u thotë se shkelja e kurorës vonon përparimin e shpirtit në jetën e përtejme—kaq e rëndë është kjo—dhe se të pirit shkatërron mendjen, ne mjafton vetëm t’i qasemi kësaj dhe shohim sesa të qarta janë mësimet tona për këto çështje.
Ju nuk duhet të bëni gabimin e madh që të gjykoni për Besimin tonë nga një komunitet i vetëm, i cili shihet qartë se ka nevojë të studiojë e të zbatojë mësimet Bahá’í. Dobësitë dhe veçantitë njerëzore mund të jenë një provë e madhe. Por e vetmja rrugë, ose ndoshta duhet thënë rruga e parë e më e mirë, për të ndrequr situata të tilla është të bëjmë ne vetë atë që është e drejtë. Një shpirt mund të jetë shkaku i ndriçimit shpirtëror të një kontinenti. Tani që ju e keni parë, dhe e keni ndrequr, një gabim të madh në vetë jetën tuaj, tani që ju e shihni më qartë se ç’i mungon komunitetit tuaj, asgjë nuk mund t’ju pengojë të ngriheni e të jepni një shembull, të tregoni një dashuri e frymë shërbimi të tillë, që të ndezin zemrat e shokëve tuaj Bahá’í.
Ai ju këshillon të studioni thellësisht mësimet, të mësoni të tjerët, të studioni bashkë me ata Bahá’í që kanë dëshirë të madhe ta bëjnë këtë, të thelloheni në mësimet e Besimit tonë dhe, përmes shembullit, përpjekjes e lutjes, të sillni një ndryshim.
(Nga një letër e datës 30 shtator 1949 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
59 Pa frymën e dashurisë së vërtetë për Bahá’u’lláh-un, për Besimin e Tij dhe Insitucionet e tij, si dhe të besimtarëve për njëri-tjetrin, Kauza kurrë nuk mund të tërheqë masa të mëdha njerëzish. Sepse bota do jo predikime e rregulla, por dashuri e veprim.
(Nga një letër e datës 25 tetor 1949 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
60 Sidoqoftë, ai është tepër i bindur që në qoftë se ... ndodhet në gjendjen që duket se tregon letra juaj, është e sigurtë se atje punët po ecin në rrugë të gabuar. Kjo nënkupton jo vetëm Asamblenë, por të gjithë. Sepse ku është dashuria Bahá’í? Ku është vënia e unitetit dhe e harmonisë në plan të parë? Ku është gatishmëria për të flijuar ndjenjat e mendimet e veta që të arrihen dashuria e harmonia? Çfarë i bën Bahá’í-të të mendojnë se kur ata flijojnë ligjet shpirtërore ligjet administrative do të veprojnë?...
Ai ju fton të bëni të pamundurën që Bahá’í-të e ... të mënjanojnë të tillë terma të dëmshëm si “radikalë”, konservatorë”, “progresivë”, “armiq të Kauzës”, “marrin nëpër këmbë mësimet”, etj. Në qoftë se do të ndaleshin për një çast dhe të mendonin se për ç’qëllim Báb-i e martirët dhanë jetën e tyre, dhe Bahá’u’lláh-u e Mjeshtri pranuan aq shumë vuajtje, ata kurrë nuk do të lejonin që të tilla përkufizime e akuza të dilnin nga goja e tyre kur flasin për njëri-tjetrin. Sakohë miqtë grinden ndërmjet tyre, përpjekjet e tyre nuk do të marrin bekim, sepse ata nuk po i binden Perëndisë.
(Nga një letër e datës 24 shkurt 1950 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
61 Ka dy lloje Bahá’í-sh, mund të thotë ndonjëri: ata feja e të cilëve është Bahá’í dhe ata që jetojnë për Besimin. Nuk është nevoja të themi që, nëse dikush është në gjendje t’i përkasë kategorisë së dytë, nëse dikush është në gjendje të jetë në pararojën e heronjve, të martirëve e të shenjtorëve, kjo është më e lavdërueshme në sytë e Perëndisë.
(Nga një letër e datës 16 prill 1950 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
62 ...ne duhet të arrijmë një rrafsh shpirtëror ku Perëndia qëndron në vend të parë dhe pasionet e mëdha njerëzore nuk janë në gjendje të na largojnë prej Tij. Tërë kohës ne shohim njerëz që ose për shkak të forcës së urrejtjes ose të dashurisë plot pasion që ata kanë për një person tjetër, flijojnë parimin ose i bllokojnë vetvetes Shtegun e Perëndisë....
Ne duhet ta duam Perëndinë, dhe në këtë gjendje bëhet e mundur një dashuri e përgjithshme për të gjithë njerëzit. Ne nuk mund ta duam çdo qenie njerëzore për hir të vetes së tij, kurse ndjenjat tona ndaj njerëzimit mund të motivohen nga dashuria jonë për Atin Që ka krijuar të gjithë njrëzit.
(Nga një letër e datës 4 tetor 1950 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
63 Ai ju fton të bëni gjithçka varet prej jush për të mbështetur unitetin e dashurinë ndërmjet pjesëtarëve të Komunitetit atje, sepse duket që për këtë ata kanë nevojë të madhe.
Shpesh herë komunitetet e reja, në dëshirën e tyre për të administruar Kauzën, humbasin nga këndvështrimi faktin që këto marrëdhënioe shpirtërore janë shumë më të rëndësishme e themelore sesa rregullat e rregulloret që duhet të qeverisin drejtimin e punëve të komunitetit.
(Nga një letër e datës 4 tetor 1950 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
64 Duket se kudo brenda Kauzës nevoja më e madhe është t’u ngulitet miqve nevoja e dashurisë ndërmjet tyre. Ka një prirje për të ngatërruar funksionet a Administrimit e për t’u përpjekur ta zbatojnë atë në marrëdhëniet individuale, gjë që është e pafrytshme, sepse Asambleja është një Shtëpi e Drejtësisë që po lind, e caktuar për të administruar, në pajtim me Mësimet, punët e komunitetit. Kurse individët në qëndrimin ndaj njëri-tjetrit qeverisen nga dashuria, uniteti, ndjesa dhe nga mosshikimi i të këqiave tek të tjerët. Kur miqtë ta kenë përvetësuar këtë, ata do të shkojnë shumë më mirë, por ata vazhdojnë të sillen ndaj njëri-tjetrit si Asamble Shpirtërore dhe presin që Asambleja të sillet si individ....
(Nga një letër e datës 5 tetor 1950 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual, cituar në Bahá’í News, nr. 241, mars 1951, f. 2)
65 Kur brenda një komuniteti Bahá’í shfaqen kritika e fjalë të vrazhda, nuk ka tjetër shërim veçse të lihet mënjanë e kaluara e personit dhe të binden gjithë të interesuarit të kthejnë një faqe të re e, për hatër të Zotit e të Besimit të Tij, të mos u referohen çështjeve që kanë çuar në keqkuptime e dizarmoni. Sa me shumë miqtë hahen me fjalë dhe çdo palë pretendon se pikëpamja e saj është ajo e drejta, aq më tepër keqësohet gjendja.
Kur shohim se në ç’gjendje është bota sot, ne sigurisht duhet të harrojmë këto shqetësimë të brendshme krejt të parëndësishme dhe të bashkuar të nxitojmë për shpëtimin e njerëzimit. Ju duhet t’i bindni shokët tuaj Bahá’í të përqafojnë këtë pikëpamje dhe t’ju mbështesin ju në një përpjekje të fuqishme për t’i dhënë fund çdo mendimi kritik e çdo fjale të vrazhdë, në mënyrë që fryma e Bahá’u’lláh-ut të vërshojë në gjithë komunitetin dhe ta bashkojë atë në dashurinë për Të e në shërbim të Tij.
(Nga një letër e datës 16 shkurt 1951 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
66 Ruajtësi është i sigurt se ndihmesa e dhënë nga shoqja juaj, që për një kohë të shkurtër nuk ka qenë aktive në Kauzën, do të jetë mjeti që do ta stimulojë atë për një shërbim të përtëritur. Nuk ka asgjë që të sjellë sukses në Besimin si shërbimi. Shërbimi është magneti që sjell konfirmimet hyjnore. Kështu, kur një person është aktiv, ai merr bekimin e Shpirtit të Shenjtë. Kur njerëzit janë inaktivë, Shpirti i Shenjtë nuk gjen vend në qenien e tyre dhe kështu ata privohen nga rrezet e tij shëruese e jetëdhënëse.
(Nga një letër e datës 12 korrik 1952 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
67 Ruajtësi mendon se qëndrimi juaj ndaj praktikës së korruptuar të pranimit të shpërblimeve nga ana e miqve mjekë e farmacistë është shumë e lavdërueshme. Sa më të ndershëm e fisnikë të jenë Bahá’í-të në sjelljen e tyre, aq më shumë do të lënë përshtypje te njerëzit për vitalitetin shpirtëror të Besimit të cilit ata i përmbahen.
(Nga një letër e datës 20 tetor 1953 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
68 Me këtë sfidë, kaq të ashpër e ngulmuese, e megjithatë kaq të lavdishme, padyshim ndeshet në radhë të parë besimtari individual, nga i cili varet, në analizë të fundit, fati i mbarë komunitetit. Është ai që përbën thurjen bazë nga e cila duhet të varet cilësia e modeli i tërë pëlhurës. Është ai që vepron si një prej hallkave të panumërta në zinxhirin e fuqishëm që tani rrethon rruzullin. Është ai që shërben si një prej morisë së tullave që mbajnë strukturën dhe sigurojnë qëndrueshmërinë e ndërtesës administrative e cila tani është ngritur në çdo pjesë të botës. Pa mbështetjen e tij, në të njëjtën kohë me gjithë zemër, të vazhdueshme e bujare, çdo masë që merret dhe çdo plan që hartohet nga Organizmi që vepron si përfaqësuesi kombëtar i komunitetit të cilit ai i përket, është i paracaktuar të dështojë. Vetë Qendra Botërore e Besimit paralizohet në qoftë se asaj i mohohet një mbështetje e tillë nga ana e anëtarëve të thjeshtë të komunitetit. Vetë Autori i Planit Hyjnor pengohet në Qëllimin e Tij në qoftë se mungojnë instrumentet e vërteta të zbatimit të synimit të Tij. Forca mbështetëse e Vetë Bahá’u’lláh-ut, Themeluesit të Besimit, do t’i mohohet pa përjashtim çdo individi që në tërësi nuk ngrihet të luajë rolin e tij.
(Nga një letër e datës 20 korrik 1954 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
69 Kur një person bëhet Bahá’í, ajo që ndodh faktikisht është se fara e frymës fillon të rritet në shpirtin e njeriut. Kjo farë duhet ujitur nga reshjet e Shpirtit të Shenjtë. Këto dhunti të shpirtit merren përmes lutjes, përsiatjes, studimit të Thënieve të Shenjta dhe shërbimit për Kauzën e Perëndisë. Thelbi i çështjes është se shërbimi për Kauzën është si plugu që plugon tokën fizikisht kur mbillet fara. Është e nevojshme që toka të plugohet, kështu ajo mund të pasurohet dhe të bëjë që fara të ketë një rritje më të fuqishme. Pikërisht në të njëjtën mënyrë evolucioni i shpirtit bëhet duke pluguar tokën e zemrës, kështu që ka një pasqyrim të vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mënyrë shpirti njerëzor rritet e zhvillohet me hapa vigane.
Do të ketë, natyrisht, periudha shqetësimesh e vështirësish, madje edhe sprovash të rënda; por në qoftë se ai person kthehet me vendosmëri ndaj Manifestimit hyjnor, studion me kujdes mësimet e Tij shpirtërore dhe merr bekimet e Shpirtit të Shenjtë, do të shohë se në të vërtetë këto sprova e vështirësi kanë qenë dhurata të Perëndisë për ta bërë atë të aftë të rritet e të zhvillohet.
Kështu duhet t’i shikoni ju vështirësitë tuaja në shtegun e shërbimit. Ato janë mjetet e shpirtit tuaj që rritet e zhvillohet. Ju do të shihni papritur se keni mposhtur shumë prej problemeve që ju kanë merakosur dhe pastaj do të vrisni mendjen përse ato ju kishin shqetësuar sadopak. Individi duhet ta përqendrojë plotësisht zemrën dhe mendjen në shërbim të Kauzës, në pajtim me standardet e larta të vendosura nga Bahá’u’lláhu. Kur kjo bëhet, Aradhet e Grupimit Suprem do të vijnë në ndihmë të individit dhe çdo vështirësi e sprovë gradualisht do të kapërcehet.
(Nga një letër e datës 6 tetor 1954 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
70 Rruga është plot gurë dhe ka shumë prova; por, siç thoni ju; në qoftë se miqtë do të mësojnë të jetojnë në pajtim me mësimet e Bahá’u’lláh-ut, ata do të zbulojnë se punojnë në rrugë misterioze e të efektshme; dhe se e kanë ndihmën gati, se pengesat kapërcehen dhe se në fund suksesi është i siguruar.
(Nga një letër e datës 23 prill 1956 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
71 Vetëm individi mund të çmojë karakterin e tij, të pyesë ndërgjegjen e tij, të shohë me lutje të gjitha aspektet e tij, të luftojë burrërisht kundër inercisë natyrore që e tërheq atë poshtë në përpjekjet që bën për t’u ngritur, të rrëzojë, me heroizëm e në mënyrë të prerë, lidhjet e parëndësishme e të tepërta që e tërheqin atë prapa, ta zbrazë veten nga çdo mendim që mund të priret të mbyllë shtegun e tij, të shoqërohet, duke iu bindur këshillave të Autorit të Besimit të Tij dhe duke përgjasuar Atë Që është Shembulli i tij i vërtetë, me burra e gra nga të gjitha shtresat e shoqërisë, të përpiqet të prekë zemrat e tyre me anë të shquarsisë që karakterizon mendimet e tij, fjalët e veprat e tij dhe t’i fitojë ata me takt, me dashamirësi, me lutje e me ngulmim për Besimin që ai vetë ka përqafuar.
(Nga një letër e datës 19 korrik 1956 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
72 Ai u hidhërua shumë kur mësoi për dizarmoninë ndërmjet miqve atje; dhe ai mendon se e vetmja mënyrë e urtë veprimi është që të gjithë besimtarët t’i kushtohen mësimit të Kauzës dhe të kooperojnë me Organizmin e tyre Kombëtar.
Shpesh këto prova e sprova, përmes të cilave kalojnë në mënyrë të pashmangshme të gjitha komunitetet Bahá’í, duken të tmerrshme në momentin kur ndodhin, por më pas ne e kuptojmë se ato janë të lidhura me dobësinë e natyrës njerëzore, me keqkuptime dhe me dhimbjet gjithnjë e më të mëdha që çdo komunitet Bahá’í duhet të përjetojë.
(Nga një letër e datës 25 nëntor 1956 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar një besimtari individual)
73 Ai është shumë i gëzuar kur sheh se ju keni zbatuar në praktikë një prej porosive më inkurajuese të ‘Abdu’l-Bahá-it, në të cilën Ai thotë se ne duhet të përpiqemi dhe ta bëjmë çdo bllok pengimi një trampolinë për të ecur përpara. Gjatë jetës suaj të kaluar ju të gjithë keni hasur pengesa shumë të mëdha; por në vend që të dëshpëroheshit ose të mposhteshit nga ajo që keni përjetuar, ju jeni të vendosur ta shndërroni këtë në një mjet për të dëlirur natyrën tuaj, për të përmirësuar karakterin tuaj dhe për t’ju aftësuar që të bëheni qytetarë më të mirë në të ardhmen. Kjo është me të vërtetë e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë.
(Nga një letër e datës 26 mars 1957 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Bahá’í-ve të Burgut Kitalya Farm)
74 ... Bahá’í-të, duke pasur parasysh kushtet e botës sot, duhet të qëndrojnë të vendosur e me guxim si pasues të Bahá’u’lláh-ut, duke iu bindur Ligjeve të Tij dhe duke u përpjekur të ndërtojnë Rendin e Tij Botëror. Përmes kompromisit ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të vendosim Besimin tonë ose të fitojmë për të zemrat e të tjerëve. Kjo shpesh kërkon sakrifica të mëdha personale, por ne e dimë se kur bëjmë atë që duhet, Perëndia na jep forcë për ta kryer këtë dhe ne marrim bekimet e Tij. Në kohë të tilla ne mësojmë se fatkeqësia jonë është në të vërtetë një bekim.
(Nga një letër e datës 5 maj 1957 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar dy besimtarëve)
75 Nuk është e mjaftueshme që miqtë të shfajësohen se mësuesit e tyre më të mirë dhe besimtarët e tyre shembullorë janë ngritur e i janë përgjigjur thirrjes për pionierizim. Një “mësues më i mirë” dhe një “besimtar shembullor” s’është në fund të fundit as më shumë e as më pak se një Bahá’í i zakonshëm që i është përkushtuar punës së Besimit, që ka thelluar dijen e kuptimin e tij për Mësimet, që e ka mbështetur shpresën te Bahá’u’lláh-u dhe është ngritur për t’i shërbyer Atij me të gjitha forcat. Kjo është një portë, e cila ne jemi të siguruar se do të hapet para çdo pasuesi të Besimit që, si të thuash, troket me forcën e duhur. Kur vullneti e dëshira janë mjaft të forta, gjenden mjetet dhe hapen rrugët qoftë për të punuar më shumë në shkallë lokale, për të shkuar me synim në një qytet tjetër brenda Shteteve të Bashkuara, ose për t’u përfshirë në fushën e pionierimit në vende të huaja....
Duhet që jo vetëm Organizmi juaj të sigurojë inkurajimin e udhëheqjen e kërkuar, dhe të stimulojë miqtë të ngrihen e të luajnë rolin e tyre, por edhe Asambletë Lokale gjithashtu duhet të bëjnë gjithçka varet prej tyre për t’i ndihmuar miqtë të shkojnë përpara e të arrijnë objektivat e veta. Çdo Bahá’í individual duhet po kështu ta ndiejë se kjo është detyrë e tij personale ndaj Kauzës në kohën e tanishme e privilegji i tij më i madh, dhe t’i bëjë vetes pyetjen se çfarë mund të bëjë ai gjatë gjashtë vjetëve të ardhshëm, duke filluar nga tani, për të shpejtuar arritjen e qëllimeve të Kryqëzatës Botërore. Bahá’í-të janë tharmi i Perëndisë , që duhet të tharmojë masën e kombit të tyre. Në përpjesëtim të drejtë me suksesin do të jetë edhe mbrojtja e akorduar jo vetëm atyre, por edhe vendit të tyre. Këto janë ligjet e pandrushueshme të Perëndisë, të cilave askush nuk mund t’u shmanget: “Sepse prej secilit që i është dhënë shumë, prej tij shumë do të kërkohet”.
(Nga një letër e datës 21 shtator 1957 shkruar në emër të Shoghi Effendiut, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
REAGIMIN NDAJ PËRGOJIMEVE
Fragmente nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it
dhe nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut
e të Shtëpisë Universale të Drejtësisë
Nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it
1 Secili duhet të shohë në çdo qenie njerëzore vetëm atë që është e lavdërueshme. Kur bëhet kjo, secili mund të jetë mik i mbarë gjinisë njerëzore. Por në qoftë se i shohim njerëzit nga këndvështrimi i gabimeve të tyre, atëherë të jesh një mik për ta është një detyrë tepër e vështirë.
Një ditë në kohën e Krishtit—u bëftë fli jeta e botës për Të—ndodhi që Ai kaloi pranë kufomës së një qeni, një cofëtire kutërbuese, të shëmtuar, me gjymtyrët që po i kalbeshin. Një prej të pranishmëve tha: “Ç’erë të keqe bie!” Dhe një tjetër tha: Sa pështirë! Sa e neveritshme!” Me një fjalë, secili prej tyre kishte diçka për t’i shtuar listës.
Por pastaj foli Vetë Krishti, dhe Ai u tha atyre: “Shikoni dhëmbët e qenit! Sa të bardhë e vezullues janë!”
Shikimi gjynahembulues i Mesisë nuk u ndal për asnjë çast te pamja e neveritshme e asaj cofëtire. I vetmi element i kufomës së ngordhur të atij qeni që nuk ngjallte krupë ishin dhëmbët: dhe Jezusi pa shkëlqimin e tyre.
Është, pra, e detyrueshme që ne, kur ua drejtojmë shikimin njerëzve të tjerë, të shohim ku ata shkëlqejnë e jo ku janë keq.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rish.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), f. 169)
2 Jini në unitet të plotë. Mos u zemëroni kurrë me njëri-tjetrin. Le të drejtohen sytë tuaj ndaj mbretërisë së të vërtetës dhe jo ndaj botës së krijimit. Duajini krijesat për hir të Perëndisë dhe jo për hir të vetes së tyre. Ju kurrë nuk do të zemëroheni e të humbisni durimin në qoftë se i doni ata për hir të Perëndisë. Njerëzimi nuk është i përsosur. Ka papërsosuri në çdo qenie njerëzore, dhe ju do të jeni gjithmonë të brengosur në qoftë se i shikoni njerëzit për hir të vetë atyre. Kurse po ta drejtoni shikimin ndaj Perëndisë, ju do t’i doni ata dhe do të jeni të përzemërt ndaj tyre, sepse bota e Perëndisë është botë e përsosurisë dhe e mëshirës së plotë. Prandaj mos shikoni të metat e cilitdo qoftë; shikoni me syrin e ndjesës. Syri i papërsosur sheh papërsosuritë. Syri që i mbulon të metat shikon drejt Krijuesit të shpirtrave. Ai i ka krijuar ata, i mëson e kujdeset për ta, u jep atyre aftësi e jetë, shikim e dëgjim; ata janë, pra, shenja të madhështisë së Tij. Ju duhet t’i doni e të jeni të përzemërt me të gjithë, të kujdeseni për të varfërit, të mbroni të dobëtit, të shëroni të sëmurët, të mësoni e të edukoni të paditurit.
(“Shpallja e Paqes Universale: Biseda ë mbajtura nga ‘Abdu’l-Bahá-i
gjatë vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada më 1912”, bot. i dytë (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1982), f. 93)
3 O të dashurit e Zotit! Në qoftë se ndonjë shpirt flet keq për ndonjërin që nuk ndodhet aty, është e qartë se rezultati do të jetë ky: ai do të shuajë zellin e miqve dhe do t’i prirë ata të bëhen indiferentë. Sepse përgojimi sjell ndarje, ai është shkaku kryesor që ngjall midis miqve prirjen për t’u tërhequr. Në qoftë se ndonjë individ flet keq për ndonjërin që nuk është i pranishëm, dëgjuesit e tij duhet që, në një mënyrë të sjellshme e miqësore, ta ndalin dhe t’i thonë lidhur me këtë: a i shërben kjo përfolje ndonjë qëllimi të dobishëm?A do t’i pëlqente kjo Bukurisë së Bekuar, a do të ndihmonte për të ruajtur nderimin e vazhdueshëm ndaj miqve, a do të çonte përpara Besimin e shenjtë, a do të mbështeste Besëlidhjen, ose a do t’i sillte ndonjë përfitim ndonjë shpirti? Jo, kurrë! Në të kundërtën, kjo do të bënte që pluhuri të bëhej kaq i trashë në zemër, saqë veshët nuk do të dëgjonin më dhe sytë nuk do të sodisnin më dritën e së vërtetës.
Por në qoftë se një person flet mirë për një tjetër, duke e hapur gojën për të lavdëruar një tjetër, ai do të prekë një tel të ndjeshëm në dëgjuesit e tij dhe ata do të gjallërohen nga fryma e Perëndisë. Zemrat dhe shpirtrat e tyre do të gëzohen kur të shohin se këtu, lëvduar qoftë Perëndia, në Besimin ka një shpirt që është një fokusim i përsosurive njerëzore, një mishërim i vërtetë i bujarisë së Zotit, një njeri që ka gjuhë elokuente dhe fytyra e të cilit ndriçon në çdo takim që mund të ndodhet, një njeri që e ka të shkruar në ballë fitoren dhe që është një qenie e mbështetur nga shija e ëmbël e Perëndisë.
Atëherë, cila është rruga më e mirë? Betohem për bukurinë e Zotit: sa herë dëgjoj të flitet mirë për miqtë, zemra më mbushet me gëzim; por sa herë dëgjoj qoftë edhe një aluzion se ata kanë marrëdhënie jo të mira me njëri-tjetrin, më pushton hidhërimi. Kjo është gjendja e ‘Abdu’l-Bahá-it. Atëherë gjykoni nga kjo cila është detyra juaj.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, f. 230-31)
Nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut
4 Është e qartë që, në qoftë se u vëmë veshin atyre që na ankohen për të metat e të tjerëve, ne jemi bashkëfajtorë në përgojimin e tyre. Prandaj ne duhet me shumë takt, por në mënyrë të vendosur, të bëjmë gjithçka varet prej nesh për t’i ndaluar të tjerët të bëjnë akuza ose ankesa për të tjerë në praninë tonë.
Çështja e qëndrimit ndaj atyre që e quajnë veten Bahá’í por që veprojnë në mënyra që ne besojmë se janë të dëmshme për Kauzën është një gjë shumë e vështirë. Në qoftë se na e merr mendja se mund të ndihmojmë në këtë çështje me një bisedë të hapur e miqësore me individin përkatës, duke u ruajtur nga të gjykuarit ose të dënuarit e sjelljes së tij, por duke vënë në dukje në mënyrë sa më të njerëzishme se, siç na duket neve, sjellja në fjalë është e dëmshme për Kauzën ose e një natyre të ndaluar nga mësimet, atëherë është mirë të përdoret kjo metodë para se të kalohet në metodën më fortë të shtruarjes në çështjes në Asamblenë Shpirtërore. Por në qoftë se dështojmë ose e shohim se është e kotë ta trajtojmë çështjen në atë mënyrë, në një kohë që rasti është aq serioz saqë interesat e Kauzës kërkojnë që ai të trajtohet me vendosmëri, atëherë rruga e drejtë është të shtrohet çështja në Asamblenë Shpirtërore, siç sugjeroni ju, dhe të diskutohet ajo hapur e plotësisht, duke sjellë dëshmitë e nevojshme për sqarimin e çështjes. Pasi e ka trajtuar atë plotësisht, Asambleja Shpirtërore duhet të ndërmarrë veprimin që e gjykon të këshillueshëm, dhe është detyrë e të gjithë anëtarëve të grupit t’i përmbahen me besnikëri cilitdo vendimi në të cilin ka arritur Asambleja Shpirtërore.
(11 shkurt 1925, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)
5 Ndërsa nevoja për të shmangur përgojimin ka rëndësi të dorës së parë, Shoghi Effendiu është krejt i vetëdijshëm për nevojën e vigjilencës dhe mirënjohës ndaj të gjithë artyre që kanë kurajon të përballojnë hapur atë që ata besojnë se bie ndesh me interesat e Kauzës dhe që ndërmarrin hapat e nevojshëm e të përshtatshëm që çështje të tilla të diskutohen plotësisht në të gjitha aspektet nga ata që janë përgjegjës për udhëheqjen e Kauzës, në mënyrë që lëvizja të dëliret nga ato elemente që kanë qenë e janë shkak për dobësimin e ngadalësimin e përparimit të saj.
(4 mars 1925, drejtuar një besimtari individual)
6 Kur ndiejmë prirjen të brengosemi për moskokëçarjen e të tjerëve, duhet në të kundërtën të mësojmë që t’i kthejmë mendimet tona ndaj Perëndisë. Ka një thënie persiane që Bahá’u’lláh-u e citon në kuptimin që “sikur tërë bota të bëhet e pabesë, as edhe një grimcë pluhuri nuk do të ndotte rrobën e Madhështisë Sate”. Ne nuk jemi përgjegjës për moskokëçarjen e të tjerëve. Kjo është një çështje midis tyre e Perëndisë, dhe Perëndia i lë ata të lirë të zgjedhin nëse do ta kthejnë fytyrën ndaj Tij dhe të shkojnë në shtegun e Tij, apo do të enden sipas qejfit të vet. Ka vetëm një jetë për të cilën çdonjëri prej nesh është përgjegjës, e kjo është vetë jeta jonë, dhe kjo përgjegjësi është plotësisht e mjaftueshme për të thithur gjithë vëmendjen e energjinë tonë, në qoftë se e plotësojmë atë si duhet. A është jeta jonë e përsosur? A i pasqyrojmë ne të pastra e të pandotura Atributet e Shenjta? A kemi flakur ne edhe gjurmën e fundit të dëshirave egoiste e tokësore? A i kemi plotësuar ne dijet për mësimet Hyjnore dhe a është bindja jonë ndaj tyre pa të metë? Në qoftë se jo, atëherë për ne është humbje kohe të merakosemi për pluhurin mbi pasqyrat e të tjerëve, në një kohë që duhet të pastrojmë e të ndreqim tonën. “Përse nuk shikon gabimet e tua dhe vë re të metat e shërbëtorëve të Mi?”
(29 prill 1925, drejtuar një besimtari individual)
7 Për të arritur këtë unitet të përzemërt, një nga gjërat e para thelbësore në të cilat ngulnin këmbë Bahá’u’lláh-u e ‘Abdu’l-Bahá-i është që ne t’i kundërvihemi prirjes së natyrshme për ta përqendruar vëmendjen në gabimet e të metat e të tjerëve e jo në tonat. Çdonjëri prej nesh është përgjegjës vetëm për një jetë, atë të vetën. Çdonjëri prej nesh është pamatësisht larg të qenit “i përsosur siç është i përsosur ati ynë qiellor” dhe detyra e përsosjes së vetë jetës e karakterit tonë kërkon tërë vëmendjen, fuqinë e vullnetit dhe energjinë tonë. Në qoftë se ne lejojmë që vëmendja dhe energjia jonë të harxhohen në përpjekjet për të mbajtur të tjerët drejt e për të ndrequr gabimet e tyre, atëherë ne humbasim kohë të çmueshme. Ne jemi si pendarët, që kanë secili pendën e vet të qeve për të ngarë dhe plugun e vet për të drejtuar, dhe për ta bërë brazdën të drejtë ai duhet t’i mbajë sytë në objektivin e tij e të përqendrohet në detyrën e tij. Në qoftë se ai shikon këtej për të parë sesi punojnë Tomi e Herri dhe për të kritikuar plugimin e tyre, atëherë me siguri vetë brazda e tij do të dalë e shtrembër.
Asgjë mësimet Bahá’í nuk e theksojnë më me forcë sesa nevojën për të mos u marrë me kritika e përgojime ndaj të tjerëve dhe për të zbuluar e çrrënjosur me zell gabimet tona, për të ndrequr të metat tona.
Në qoftë se jemi besnikë ndaj Bahá’u’lláh-ut, ndaj Mjeshtrit tonë të Shumëdashur dhe ndaj Ruajtësit tonë të shtrenjtë, atëherë duhet ta shfaqim dashurinë tonë duke iu bindur këtyre mësimeve të qarta. Ato kërkojnë vepra e jo fjalë, dhe kurrfarë zelli në përdorimin e shprehjeve të besnikërisë e të lajkatimit nuk mund të kompensojë të mosjetuarit në frymën e mësimeve.
(12 maj 1925, drejtuar një besimtari individual)
Nga letra të shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë
8 Ndërsa mund të jetë një provë e vështirë për një Bahá’í të shohë bashkëbesimtarë që shkelin ligjet Bahá’í ose që angazhohen në qëndrime të dëmshme për mirëqenien dhe interesat rrënjësore të Besimit, nuk ka ndonjë rregull të caktuar që një besimtar duhet të ndjekë kur vë re sjellje të tilla. Shumë varet nga serioziteti i dëmit dhe nga marrëdhëniet që ekzistojnë midis tij dhe shkelësit.
Në qoftë se sjellja e keqe është e dukshme e flagrante ose kërcënon interesat e Besimit, besimtari të cilit ajo i ka rënë në sy duhet menjëherë t’ia raportojë atë Asamblesë Shpirtërore Lokale. Kur çështjen e ka marrë në dorë të Asambleja, besimtari e ka kryer detyrën e tij dhe s’i mbetet tjetër veçse të lutet për shkelësin dhe të vazhdojë të tregohet miqësor ndaj tij e ta inkurajojë, veç në qoftë se Asambleja Shpirtërore i kërkon atij të ndërmarrë ndonjë veprim të posaçëm.
Por ndonjëherë çështja nuk duket aq serioze sa të jetë nevoja t’i raportohet Asamblesë Shpirtërore, dhe në këtë rast mund të jetë më mirë të injorohet krejtësisht ajo. Ka edhe gjëra të tjera që mund të bëhen nga Bahá’í të cilit i bien në sy gjëra të tilla. Për shembull, ai mund të lidhë marrëdhënie miqësore me individin përkatës, ta tërheqë me takt atë në veprimtari Bahá’í me shpresën se, duke u thelluar dijet e tij për mësimet dhe ndërgjegjësimi i tij për Besimin, ai vetvetiu do të përmirësojë mënyrën e tij të sjelljes. Ose ndoshta marrëdhëniet janë të tilla që ai mund të tërheqë me takt vëmendjen e shkelësit për çështjen, por këtu ai duhet të jetë tepër i kujdesshëm që të mos lerë përshtypjen se ndërhyn në punët private të një bashkëbesimtari ose se i thotë atij ç’duhet të bëjë, gjë që jo vetëm do të ishte e gabuar në vetvete, por edhe mund të shkaktojë një reagim të kundërt nga ai që dëshiron.
Në qoftë se një besimtar që mëson për sjelljen e keqe të një Bahá’í tjetër nuk ka siguri sesi duhet të veprojë, ai natyrisht kurdoherë mund të kërkojë këshillën e Asamblesë së vet Shpirtërore Lokale. Në qoftë se, për ndonjë arsye, ai ngurron në atë fazë të informojë Asamblenë e vet Shpirtërore, mund të konsultohet me një anëtar të Këshillit Ndihmës ose me ndihmësin e tij.
Çfarëdo hapash të ndërmerren, është jetësore që besimtarët të mos bëjnë thashetheme e përgojime, sepse kjo vetëm dëmton Besimin, duke shkaktuar ndoshta më shumë dëm nga sa mund të ketë shkaktuar shkelja fillestare.
(20 shkurt 1977, drejtuar një besimtari individual)
9 Përsa i përket përgojimit, Shtëpia e Drejtësisë vë në dukje se të mësosh të mos përziehesh në të metat e të tjerëve duket se është për njerëzit një nga mësimet më të vështira për t’u përvetësuar dhe se dështimi në këtë gjë është një shkak pjellor polemikash midis Bahá’í-ve, siç është midis burrave e grave në përgjithësi. Në “Star of the West”, Vëll. 8, Nr. 10 [27 shtator 1917], në faqen. 138, ka një shënim për një përgjigje të ‘Abdu’l-Bahá-it dhënë në një intervistë private në Paris më 1913. Atë e pyetën “Si mund ta mposht unë të parët e të metave të të tjerëve, shikimin e së keqes tek të tjerët?”, dhe Ai u përgjigj: “Do t’jua them. Sa herë shikoni të metat e një tjetri, mendoni për veten tuaj: Cilat janë papërsosuritë e mia?—dhe përpiquni t’i zhdukni ato. Bëjeni këtë sa herë ju nxitin fjalët ose bëmat e të tjerëve. Kështu ju do të rriteni, do të bëheni më i përsosur. Ju do të mposhtni egon, ju madje nuk do të keni as kohë të mendoni për të metat e të tjerëve....”
Ju e kuptoni fare drejt rëndësinë e mënjanimit të përgojimit; një sjellje e tillë godet vetë unitetin e komunitetit Bahá’í. Në një letër drejtuar një besimtari individual në emër të Ruajtësit thuhet:
Në qoftë se ne jemi më të mirë, në qoftë se shfaqim dashuri, durim dhe mirëkuptim për dobësitë e të tjerëve, në qoftë se përpiqemi që kurrë të mos kritikojmë, përkundrazi të inkurajojmë, të tjerët do të bëjnë po kështu dhe ne mund ta ndihmojmë me të vërtetë Kauzën përmes shembullit tonë dhe forcës sonë shpirtërore.
Përsa i përket rastit të veçantë që përmendni ju, derisa ju jeni aty në vend, ju vetë jeni më kompetent për të përcaktuar se ç’rrugë veprimi duhet ndjekur. Ju do të keni dëshirë të luteni për këtë dhe ndoshta të këshilloheni me anëtarin tuaj të Këshillit Ndihmës, me Këshilltarin, ose edhe me Asamblenë Shpirtërore Lokale ose Kombëtare në qoftë se mendoni që ky rast ia vlen të bëhet kjo.
(13 gusht 1980, drejtuar një besimtari individual)