""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Rëndësia e lutjes, e përsiatjes, dhe e qëndrimit devocional


RËNDËSIA E LUTJES, E PËRSIATJES
DHE E QËNDRIMIT DEVOCIONAL

Përmbledhje

 


Original Title:
The Importance of Prayer, Meditation and The Devotional Attitude, a compilation prepared by the Research Department of the Universal House of Justice, March 1980, revised July 1990
Text: Albanian

Përkthyer e botuar nën kujdesen e Komitetit të Botimeve Bahá’í

© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 1999 - 156 E.B.

 


RËNDËSIA E LUTJES, E PËRSIATJES
DHE E QËNDRIMIT DEVOCIONAL:

Përmbledhje
Mars  1980

Ekstrakte nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut:

1
Zhytuni në oqeanin e fjalëve të Mia, që të gjeni misteret e tij dhe të zbuloni të gjithë margaritarët e urtisë që fshihen në thellësitë e tij. Kujdes të mos ngurroni në vendosmërinë tuaj për të përqafuar të vërtetën e kësaj Kauze, një Kauzë përmes së cilës potencialet e fuqisë së Perëndisë janë reveluar e është vendosur sovraniteti i Tij. Me fytyrat që ju shkëlqejnë nga gëzimi, nxitoni tek Ai. Ky është Besimi i pandryshueshëm i Perëndisë, i përjetshën në të shkuarën, i përjetshëm në të ardhmen. Bëj që kush e kërkon ta arrijë atë; dhe sa për atë që ka refuzuar ta kërkojë, Perëndia është me të vërtetë i Vetëmjaftueshëm, mbi çdo nevojë të krijesave të Tij.
(Pasqyra Sinoptike dhe Kodifikimi i Qitapi Akdas-it, Librit Më të Shenjtë të Bahá’u’lláh-ut”, bot. i parë. (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1973), f. 27-28)

2
Thuajini vargjet e Perëndisë çdo mëngjes e mbrëmje. Ai që nuk i thotë ato, me të vërtetë nuk i ka qëndruar besnik Besëlidhjes së Perëndisë e Testamentit të Tij, dhe kush largohet prej këtyre vargjeve në këtë Ditë, me të vërtetë është ndër ata që në përjetësi janë larguar prej Perëndisë. Druajuni Perëndisë, o shërbëtorë të Mi, secili e të gjithë bashkë. Mos u mburrni me leximin e tepërt të vargjeve dhe me kryerjen e shumë veprave të devotshme natë e ditë; sepse sikur njeriu të thoshte vetëm një varg me ngazëllim e fytyrëndritur, do të ishte më mirë sesa të recitonte me lodhje të gjithë Librat e Shenjtë të Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Lexojini vargjet e shenjta aq sa të mos ju mposhtë këputja e shkurajimi. Mos i ngarkoni shpirtrat tuaj me atë që u shkakton rraskapitje e rënie, por me atë që i ndriçon e i ngren ato, që të mund të fluturojnë mbi krahët e vargjeve Hyjnore drejt Vendagimit të shenjave të dukshme të Tij; kjo do t’ju çojë më pranë Perëndisë, veç ta kuptonit këtë.
(“Qitapi Akdas”)

3
Vera e heqjes dorë duhet pirë, duhen arritur majat e larta të shkëputjes dhe duhet zbatuar përsiatja së cilës i referohen fjalët “Një orë reflektim është më e parapëlqyer sesa shtatëdhjetë vjet adhurimi të devotshëm”, në mënyrë që të mund të zbulohet sekreti i sjelljes së turpshme të njerëzve, të atyre njerëzve që, megjithëse predikojnë dashurinë e dëshirën e zjarrtë për të gjetur të vërtetën, sapo shfaqet Ai mallkojnë pasuesit e së Vërtetës.
(“Qitapi Ikan” [bot. i rish.], (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1085), f.238)

4
Po kështu, fjalët që kanë rrjedhur nga burimi i fuqisë dhe kanë zbritur prej qielllit të lavdisë janë të panumërta e tej të kuptuarit të rëndomtë të njeriut. Atyre që zotërojnë kuptim e intuitë të vërtetë, Súreja e Hudit sigurisht u mjafton. Peshojini për një çast ato fjalë të shenjta në zemrën tuaj dhe, me shkëputje të thellë, përpiquni të kapni kuptimin e tyre....
(“Qitapi Ikan”, f. 5)

5
O vëlla, duhet të hapim sytë, të mendojmë për Fjalën e Tij dhe të kërkojmë strehë nën hijen e Manifestimeve të Perëndisë, që të mund të përfitojmë nga këshillat e pagabueshme të Librit dhe t’u vemë veshin paralajmërimeve të shënuara në Tabelat e shenjta; që të mos i nxjerrim yçkla Reveluesit të vargjeve, që të mbështetemi tërësisht në Kauzën e Tij dhe të përqafojmë me gjithë zemër ligjin e Tij, që të mund të hyjmë ndoshta në oborrin e mëshirës së Tij. Ai, me të vërtetë, është i mëshirshëm e i dhembshur ndaj shërbëtorëve të Tij.
(“Qitapi Ikan”, f. 217)

6
O BIR I LAVDISË!
Kalo shpejt nëpër shtegun e shenjtërisë dhe hyr në qiellin e bashkimit me Mua. Pastroje zemrën tënde me shkëlqimin e shpirtit dhe nxito për në oborrin e Më të Lartit.
(“Bahá’u’lláh: Fjalët e Fshehura”, Nga persishtja, nr. 8, bot. shqip, f. 29)

7
Thuaj: Çlirojini shpirtrat tuaj, o njerëz, nga zgjedha e egoizmit dhe pastrojini nga lidhja me çdo gjë veç Meje. Të kujtuarit Mua pastron të gjitha gjërat nga kalbëzimi, sikur të mund ta kuptonit këtë. Thuaj: Sikur të gjitha gjërat e krijuara të zhvisheshin tërësisht nga perdja e kotësisë dhe e dëshirave tokësore, Dora e Perëndisë do t’i vishte ato në këtë Ditë, secilën e të gjitha, me rrobën “Ai bën atë që do në mbretërinë e krijimit”, në mënyrë që shenja e sovranitetit të Tij të mundë të shfaqet në të gjitha gjërat. I lavdëruar qoftë, pra, Ai, Zoti Sovran i gjithçkaje, i Gjithëfuqishmi, Mbrojtësi Suprem, Lavdiploti, Më i Pushtetshmi.
 Këndoji, o shërbëtori Im, vargjet e Perëndisë që ke marrë, siç i këndojnë ata që janë afruar pranë Tij, që ëmbëlsia e melodisë sate të ndezë vetë shpirtin tënd e të tërheqë zemrat e të gjithë njerëzve. Kur dikush reciton, në vetminë e dhomës së vet, vargjet e reveluara nga Perëndia, engjëjt e dërguar nga i Gjithëfuqishmi do të përhapin gjithkund aromën e fjalëve të shqiptuara nga goja e tij, duke bërë të rrahin fort zemrat e njerëzve të drejtë. Edhe pse, në fillim, ai mund të mos e kuptojë efektin e tyre, por virtuti i mirësisë që i është dhuruar atij shpejt a vonë do të ushtrojë patjetër ndikimin e vet mbi shpirtin e tij. Kështu janë vendosur misteret e Revelacionit të Perëndisë në saje të Vullnetit të Atij që është Burimi i fuqisë e i urtisë.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, bot. shqip, sek. 136, f. 196-197)

8
O Selman [Salmán]! Gjithçka që të diturit e mistikët kanë thënë ose shkruar kurrë nuk i ka kapërcyer, dhe as mund të shpresojë t’i kapërcejë ndonjëherë, kufijtë të cilave u nënshtrohet rreptësisht mendja e kufizuar njerëzore. Në çfarëdo lartësish që të fluturojë mendja e njerëzve më të shquar, sado të mëdha të jenë thellësitë ku mund të depërtojë zemra e shkëputur e që kupton, një mendje e një zemër e tillë kurrë nuk mund të kapërcejnë atë që është krijim i vetë konceptimeve të tyre e produkt i vetë mendimeve të tyre. Përsiatjet e mendimtarit më të thellë, devocionet e më të shenjtit të shenjtorëve, shprehjet më të larta të lavdërimit që dalin nga penda ose gjuha njerëzore, s’janë veçse reflektim i asaj që është krijuar brenda atyre vetë, përmes revelacionit të Zotit, Perëndisë së tyre. Kushdo që e peshon në zemrën e vet këtë të vërtetë, do ta pranojë lehtë se ka kufij të caktuar, të cilët asnjë qenie njerëzore nuk mund t’i kapërcejë. Çdo përpjekje që është bërë, qysh nga fillimi që nuk ka fillim, për të përfytyruar e për të njohur Perëndinë është kufizuar nga kërkesat e vetë krijimit të Tij _ krijim të cilin Ai, përmes veprimit të vetë Vullnetit të Tij dhe për qëllimet e askujt tjetër veç Vetes së Vet, e ka thirrur në jetë. I lartësuar pamasë është Ai mbi përpjekjet e mendjes njerëzore për të kapur Thelbin e Tij, ose të gjuhës njerëzore për të përshkruar misterin e Tij....
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, bot. shqip, sek. 148, f. 211)

9
Medito për atë që Ne të kemi reveluar, që të mund të zbulosh qëllimin e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të të gjitha botëve. Në këto fjalë janë mbledhur thesare të mistereve të Urtisë Hyjnore....
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, bot. shqip, sek. 79, f. 104)

10
Sikur çdo njeri të peshonte në zemrën e tij atë që ka reveluar Penda e Më të Lartit dhe të provonte ëmbëlsinë e saj, ai, me siguri, do ta shihte veten të zbrazur e të çliruar nga dëshirat e veta, dhe do t’i nënshtrohej tërësisht Vullnetit të të Gjithëfuqishmit. Lum njeriu që ka arritur një pozitë kaq të lartë dhe nuk ia ka mohuar vetes një mirësi kaq bujare.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, bot. shqip, sek. 164, f. 228)

11
Merru me kujtimin e Bukurisë së Atij Që është i Padetyruari herët në mëngjes dhe kërko kungatë me të në orën e agimit. O Ali! Të kujtuarit Tim është një ilaç shërues për shpirtrat dhe një dritë për zemrat e njerëzve.
(Nga një Tabelë drejtuar një besimtari individual — përkthyer prej persishtes)

Ekstrakte nga Shkrimet e Báb-it:

12
Është e hijshme që shërbëtori, pas çdo lutjeje, t’i përgjërohet Perëndisë t’u japë mëshirë e falje prindërve të tij. Pastaj thirrja e Perëndisë do të dëgjohet: “Mijëra e mijëra herë e asaj që ti ke kërkuar për prindërit e tua do të jetë shpërblimi!” Lum ai që sjell ndërmend prindërit e vet kur komunikon me Perëndinë. Me të vërtetë, s’ka Perëndi tjetër veç Tij, të Fuqishmit, të Shumëdashurit.
         (“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it” [bot. i rish.], (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), f. 94)

13
Shkaku përse mbyllja në vetvete është bërë e detyrueshme në çastet e lutjes është që ti të mund t’ia kushtosh gjithë vëmendjen kujtimit të Perëndisë, që zemra jote të frymëzohet në çdo kohë nga Fryma e Tij, dhe jo të jetë e ndarë si me një perde nga i Shumëdashuri yt. Mos lejo që gjuha jote të thotë fjalë të pasinqerta në lavdërim të Perëndisë, ndërsa zemra jote të mos jetë në harmoni me Kulmin e Lavdisë dhe me Pikën Qendrore të lidhjes shpirtërore. Pra, në qoftë se ti do të jetosh ndoshta në Ditën e Ringjalljes, pasqyra e zemrës sate do të drejtohet ndaj Atij Që që është Dielli i së Vërtetës; dhe sapo drita e Tij të shkëlqejë, menjëherë shkëlqimi i saj do të pasqyrohet në zemrën tënde. Sepse Ai është burimi i çdo mirësie, dhe tek Ai kthehen të gjitha gjërat. Por në qoftë se Ai shfaqet, kur ti je kthyer në përsiatje drejt vetes tënde, kjo nuk do të të sjellë dobi ty, veç në qoftë se ti do të përmendësh Emrin e Tij me fjalë që Ai i ka reveluar. Sepse në Revelacionin që po afron është Ai të Kujtuarit e Perëndisë, ndërkohë që devotshmëria që ti po ofron tani është urdhëruar nga Pika e Bajanit, ndërsa Ai Që do të shkëlqejë i ndritshëm në Ditën e Ringjalljes është Revelacioni i realitetit të brendshëm i ruajtur në Pikën e Bajanit — një Revelacion më i fuqishëm, pa krahasim më i fuqishëm sesa ai që i ka paraprirë.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it”, f. 93-94)

14
Adhuroje Perëndinë në mënyrë të tillë që, në qoftë se adhurimi yt të çon në zjarr, në adhurimin tënd asnjë ndryshim të mos ndodhë, edhe sikur shpërblimi yt të jetë parajsa. Kështu dhe vetëm kështu duhet të jetë adhurimi që i përshtatet Perëndisë së Vërtetë që është një. Po qe se ti e adhuron Atë nga frika, kjo do të jetë e pahijshme në Oborrin e shenjtëruar të Pranisë së Tij dhe nuk mund të merret si një veprim që ti ia kushton Njëshmërisë së Qenies së Tij. Dhe në qoftë se shikimi yt do të jetë ngulur te parajsa, dhe ti do ta adhuroje Atë duke ushqyer një shpresë të tillë, ti do ta bëje krijesën e Perëndisë të barabartë me Të, pavarësisht nga fakti që njerëzit e dëshirojnë parajsën.
 Zjarri dhe parajsa që të dyja përkulen e bien përmbys para Perëndisë. Ajo që është e denjë për Thelbin e Tij është ta adhurosh Atë për hir të Tij, pa frikë e zjarr, ose pa shpresë për parajsën.
 Edhe pse kur bëhet adhurim i vërtetë, adhuruesi çlirohet nga zjarri dhe hyn në parajsën e pëlqimit të Perëndisë, përsëri nuk duhet të jetë ky motivi i veprimit të tij. Megjithatë, favori e hiri i Perëndisë shkon gjithnjë në përputhje me kërkesat e urtisë së Tij të padepërtueshme.
 Lutja më e pranueshme është ajo që ofrohet me frymën shpirtërore e rrezëllimin më të madh; zgjatja e saj nuk ka qenë e nuk është e dashur për Perëndinë. Sa më i shkëputur e sa më i dëlirë të jetë ai që lutet, aq më e pranueshme është ajo në praninë e Perëndisë.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e Báb-it”, f. 77-78)

Ekstrakte nga Shkrimet dhe thëniet e ‘Abdu’l-Bahá-it:

15
O ti që je përkulur në lutje para Mbretërisë së Perëndisë! Lum ti, sepse bukuria e Fytyrës hyjnore ka rrëmbyer zemrën tënde dhe drita e urtisë së brendshme e ka mbushur plot atë, dhe brenda saj shkëlqen ndriçimi i Mbretërisë. Dije se Perëndia është me ty në të gjitha kushtet dhe se Ai të ruan nga ndryshimet e rreziqet e kësaj bote dhe të ka bërë ty një shërbyese në vreshtin e Tij të madh....
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it” [bot. i rish.], (Haifá: Qendra Botërore Bahá’í, 1982, seksioni 91, f. 122)

16
Lavdi Zotit, zemra jote është angazhuar në të kujtuarit e Perëndisë, shpirti yt është gëzuar nga lajmi i gëzar i Perëndisë dhe ti je përqëndruar në lutje. Gjendja e të luturit është kushti më i mirë, sepse njeriu shoqërohet kështu me Perëndinë. Lutja me të vërtetë dhuron jetë, sidomos kur bëhet vetëm për vetëm e në kohë të tilla, si mesnata, kur njeriu është i lirë nga hallet e ditës.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, seksioni 172, f. 202)

17
Ti ke pyetur për vende të adhurimit dhe për shkakun që qëndron në themel të kësaj. Urtia e ngritjes së ndërtesave të tilla është që në një orë të caktuar njerëzit ta dinë se është koha të takohen, të mblidhen të gjithë së bashku e, të sintonizuar në mënyrë harmonike me njëri-tjetrin, të angazhohen në lutje; rezultati do të jetë që nga kjo mbledhje së bashku do të rriten e lulëzojnë uniteti e dashuria në zemrat e njerëzve.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, seksioni 58, f. 94-95)

18
Lavdi Zotit, ju të dy e keni provuar vërtetësinë e fjalëve tuaja me veprat tuaja dhe keni fituar mbështetjen e Zotit Perëndisë. Çdo ditë sapo zbardh agimi, ju mblidhni së bashku fëmijët Bahá’í dhe u mësoni atyre tekstet e lutjet. Kjo është një vepër shumë e lavdërueshme dhe sjell gëzim në zemrat e fëmijëve: që ata, çdo mëngjes, t’i kthejnë fytyrat ndaj Mbretërisë dhe të kujtojnë Zotin e të lëvdojnë Emrin e Tij, dhe me zërat më të ëmbël të këndojnë e të recitojnë.
 Fëmijët janë si bimë të njoma dhe t’u mësosh atyre lutjet është njëlloj si të lësh shiun të bjerë mbi to, që ato të rriten të buta e të freskëta dhe flladet e lehta të dashurisë së Perëndisë të fryjnë mbi to, duke bërë që të drithërohen nga gëzimi.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, seksioni 115, f. 139)

19
O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet plotësohen përmes Manifestimeve universale të Perëndisë. Megjithatë, kur ka dëshirë për të përfituar gjëra materiale, madje edhe kur është fjala për të shkujdesurit, në qoftë se ata luten, duke u përgjëruar me përunjësi për ndihmën e Perëndisë, edhe lutja e tyre ka efekt.
 ...
 O shërbëtore e Perëndisë! Lutjet që janë reveluar për të kërkuar shërim zbatohen si për shërim fizik dhe shpirtëror. Thuajini, pra, ato për të shëruar si shpirtin dhe trupin. Në qoftë se është e drejtë që i sëmuri të shërohet, shërimi me siguri do të jepet; por për disa persona të sëmurë shërimi do të shkaktonte vetëm sëmundje të tjera, prandaj urtia nuk lejon një përgjigje pohuese për lutjen.
 O shërbëtore e Perëndisë! Fuqia e Shpirtit të Shenjtë shëron si sëmundjet fizike dhe ato shpirtërore.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, seksioni 139, f. 161-62)

20
Kërko me lutje nga mirësia e pafund e Perëndisë çdo gjë që dëshiron. Por po t’i vësh veshin këshillës sime, nuk do të dëshirosh asgjë veçse të hysh në Mbretërinë Abhá, dhe nuk do të kërkosh asgjë veç bujarisë së Bukurisë së Fuqiplotit, u flijoftë jeta ime për të dashurit e Tij. Kjo është porosia ime për ty.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes dhe arabishtes)

21
Ti ke pyetur për mjetet materiale dhe lutjen. Lutja është si shpirti dhe mjetet materiale janë si dora e njeriut. Shpirti vepron me anë të dorës. Edhe pse i vetmi Perëndi i vërtetë është Dhuruesi i Gjithçkaje, toka ëshë mjeti për të dhënë mjete jetese. “Qielli është ai që ju mban”[1] por kur kjo dekretohet bëhet e arritshme, cilatdo qofshin mjetet. Kur njeriu refuzon të përdorë mjete materiale, ai i ngjan një të eturi që përpiqet të shuajë etjen me mjete të tjera e jo me ujë ose lëngje të tjera. Zoti Fuqiplotë është dhuruesi i ujit, dhe krijuesi i tij, dhe ka dekretuar që ai të përdoret për të shuar etjen e njeriut, por përdorimi i tij varet nga Vullneti i Tij. Po të mos ishte në pajtim me Vullnetin e Tij, njeriu do të vuante nga një etje që s’e shuajnë dot as oqeanet.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

22
Gjendja e të luturit është kushti më i mirë, sepse njeriu shoqërohet kështu me Perëndinë. Lutja me të vërtetë dhuron jetë, sidomos kur bëhet vetëm për vetëm e në kohë të tilla, si mesnata, kur njeriu është i lirë nga hallet e ditës.
(“Pjesë të zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, seksioni 172, f. 202)

23
Lutjet e detyrueshme janë detyruese përderisa çojnë në përunjësi e nënshtrim, në të kthyerit e fytyrës drejt Perëndisë dhe në shprehjen e devotshmërisë ndaj Tij. Përmes një lutjeje të tillë, njeriu komunikon me Perëndinë, kërkon të afrohet pranë Tij, bisedon me të Shumëdashurin e vërtetë të zemrës së vet dhe arrin pozita shpirtërore.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

24
Të kujtuarit e Perëndisë është si shiu dhe vesa që u jep freski e hijeshi luleve e zymbylave, i rigjallëron ato dhe i bën të fitojnë aromë, kundërmim e bukuri të përtëritur. “Dhe ti e ke parë tokën të tharë e shterpë: por kur Ne lëshokmë mbi të shiun, ajo gjallërohet e mufatet dhe rrit gjithfarë barërash të harlisur”.[2] Përpiqu, pra, të lavdërosh e madhërosh Perëndinë natë e ditë, që ti të mund të fitosh freski e bukuri të pafund.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

25
Shërbëtorit i ka hije të falet e t’i kërkojë ndihmë Perëndisë dhe t’i përgjërohet e t’i lutet që t’i japë mbështetjen e Tij. E tillë është pozita e shërbyesisë dhe Zoti do të dekretojë çdo gjë që Ai dëshiron, në përputhje me urtinë e Tij të përkryer.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej arabishtes)

26
O Zot! Në këtë Dispensacion Kaq të Madh Ti e pranon ndërmjetësimin e fëmijëve në emër të prindërve. Kjo është nga dhuratat e posaçme të pafund të këtij Dispensacioni. Prandaj, O Ti Zot i mirë, prano kërkesën e këtij shërbëtori Tënd në pragun e të qënit Ti i vetmi dhe zhyte atin e tij në eqeanin e mirësisë Sate, sepse biri i tij është ngritur për të të shërbyer Ty dhe po bën përpjekje në çdo kohë në shtegun e dashurisë Sate. Me të vërtetë, Ti je Dhënësi, Falësi dhe i Miri!
(Nga një Tabelë e përkthyer prej persishtes)

27
Dije se në çdo fjalë e lëvizje të lutjes së detyrueshme ka nënkuptime, mistere e një urti që njeriu nuk është në gjendje t’i kuptojë dhe që letra e pergamena nuk mund t’i përmbajnë.
(Nga një Tabelë e përkthyer prej arabishtes)

28
O shërbëtore e Perëndisë! Këndo Fjalët e Perëndisë dhe, duke gjykuar për kuptimin e tyre, shndërroi ato në vepra! I lutem Perëndisë të bëjë që ti të arrish një pozitë të lartë në Mbretërinë e Jetës gjithnjë e përgjithmonë.
          (“Tabelat e ‘Abdu’l-Bahá-Abbáss-it”, vëll. 1 (Çikago: Shoqëria Botuese Bahá’í, 1909), f. 85)

29
Dije, pra, se i Vërteti i Vetëm zotëron botë të padukshme, të cilat përsiatja njerëzore nuk është në gjendje t’i kuptojë dhe mendja e njeriut nuk ka fuqi t’i përfytyrojë. Kur ti të kesh pastruar e qartësuar fejzat shpirtërore nga çdo lagështirë, atëherë do të thithësh aromat e shenjta që përhapen nga kopshtet e mëshirshme të këtyre botëve.
(“Besimi Botëror Bahá’í: Shkrime të Zgjedhura të Bahá’u’lláh-ut e të ‘Abdu’l-Bahá-it”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1976). f. 393).

30
Kur njeriu e lejon frymën, përmes shpirtit të tij, të ndriçojë të kuptuarit e tij, atëherë ai përmban gjithë Krijimin...
 Por nga ana tjetër, kur njeriu nuk e hap mendjen dhe zemrën për bekimin e frymës, por e kthen shpirtin e vet drejt anës materiale, drejt pjesës trupore të natyrës së tij, atëherë ai ka rënë nga pozita e tij e lartë dhe qëndron më poshtë se banuesit e mbretërisë më të ulët të kafshëve....
(“Bisedat e Parisit: Fjalime të mbajtura nga ‘Abdu’l-Bahá-i në Paris më 1911-1912”, bot. i 10-të. (Londër: Trusti botues Bahá’í, 1979), f. 96-97)

31
Bahá’u’lláh-u thotë se ka një shenjë (nga Perëndia) në çdo dukuri: shenja e intelektit është zhytja në mendime dhe shenja e zhytjes në mendime është heshtja, sepse njeriu e ka të pamundur të bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë — ai nuk mundet edhe të flasë dhe të përsiatë.
 Është një aksiomë që ndërsa përsiatni ju bisedoni me vetë shpirtin tuaj. Në këtë gjendje mendore ju i shtroni shpirtit tuaj disa pyetje dhe shpirti përgjigjet: shpërthen drita dhe realiteti zbulohet.
 Ju nuk mund të quani me emrin “njeri” çdo qenie qoftë së cilës i mungon aftësia e të përsiaturit; pa këtë ajo do të ishte thjesht një kafshë më e ulët se shtazët.
 Përmes aftësisë së përsiatjes, njeriu arrin jetën e amshuar; përmes saj çështje për të cilat njeriu nuk dinte asgjë shpalosen para vështrimit të tij. Përmes saj ai merr frymëzimin hyjnor, përmes saj ai merr ushqim qiellor.
 Përsiatja është çelësi për të hapur dyert e mistereve. Në atë gjendje njeriu e abstragon veten: në atë gjendje njeriu e tërheq veten nga të gjitha objektet e jashtme; në atë gjendje subjektive ai është i zhytur në oqeanin e jetës shpirtërore dhe mund të zbulojë të fshehtat e sendeve në vetvete. Për ta ilustruar këtë, mendo për njeriun si të pajisur me dy lloje shikimesh; kur përdoret fuqia e intuitës, fuqia e jashtme e të pamit nuk sheh.
 Kjo aftësi e të përsiaturit e çliron njeriun nga natyra shtazore, dallon realitetin e gjërave, e vë njeriun në kontakt me Perëndinë.
 Kjo aftësi nxjerr në dritë nga rrafshi i padukshëm shkencat dhe artet. Përmes aftësisë së të përsiaturit bëhen të mundura shpikjet, kryhen vepra kolosale; përmes saj qeverisja mund të bëhet me lehtësi. Përmes kësaj aftësie njeri hyn në vetë Mbretërinë e Perëndisë.
 Megjithatë, disa mendime janë pa dobi për njeriun; ato janë si valë që lëvizin në det pa ndonjë rezultat. Por në qoftë se aftësia e të përsiaturit zhytet në dritën e brendshme dhe karakterizohet nga atribute hyjnore, rezultati do të konfirmohet.
 Aftësia përsiatëse i përngjet pasqyrës; në qoftë se e vendosni atë para objektesh tokësore, ajo do t’i pasqyrojë ato. Pra, në qoftë se shpirti i njeriut është duke soditur objekte tokësore, ai do të jetë i informuar për këto.
 Por në qoftë se e ktheni pasqyrën e shpirtrave tuaj ndaj qiellit, yllësitë qiellore dhe rrezet e Diellit të Realitetit do të reflektohen në zemrat tuaja dhe virtytet e Mbretërisë do të fitohen.
 Prandaj le ta mbajmë këtë aftësi të drejtuar si duhet — duke e kthyer atë ndaj Diellit qiellor e jo ndaj objekteve tokësore — në mënyrë që të mund të zbulojmë të fshehtat e Mbretërisë dhe të kuptojmë të gjitha alegoritë e Biblës dhe të fshehtat e shpirtit.
 U bëfshim me të vërtetë pasqyra që reflektojnë realitetet qiellore, dhe u bëfshim aq të dëlirë sa të reflektojmë yjet e qiellit.
(“Bisedat e Parisit: Fjalime të mbajtura nga ‘Abdu’l-Bahá-i në Paris më 1911-1912”, bot. i 10-të. (Londër: Trusti botues Bahá’í, 1979), f. 174-76)

32
Dije, me të vërtetë, se është me vend që i dobëti t’i lutet Të Fortit, dhe i ka hije atij që kërkon bujari të lutë Zemërgjerin e Lavdishëm. Kur njeriu lut Zotin e vet, e kthen fytyrën drejt Tij dhe kërkon bujari nga Oqeani i Tij, kjo lutje sjell dritë në zemrën e tij, ndriçim në shikimin e tij, i sjell jetë shpirtit të tij dhe lartësim qenies së tij.
 Gjatë lutjeve të tua Perëndisë dhe duke kënduar “Emri Yt është shërimi im”, shih sesi zemra jote përkëdhelet e shpirti yt kënaqet nga fryma e dashurisë së Perëndisë, dhe si mendja jote tërhiqet drejt Mbretërisë së Perëndisë! Me këto tërheqje zotësia dhe aftësia e njeriut rriten. Kur zmadhohet ena uji shtohet, e kur etja rritet bujaria e resë bëhet e këndshme për shijen e njeriut. Kjo është e fshehta e lutjes dhe urtia e tregimit të nevojave të njeriut.
(J. E. Esslemont, “Bahá’u’lláh-u dhe Epoka e Re”, bot. i 5-të i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1987), f. 93)

33
Duhet të përpiqemi ta arrijmë këtë gjendje duke u veçuar nga të gjitha gjërat e njerëzit e kësaj bote dhe duke e kthyer fytyrën vetëm drejt Perëndisë. Njeriut i duhet njëfarë mundi për ta arritur këtë gjendje, por ai duhet të punojë e të përpiqet për këtë. Ne mund t’ia arrijmë kësaj duke menduar e duke u kujdesur më pak për gjëra materiale e më shumë për ato shpirtërore. Sa më shumë të largohemi nga njëra, aq më shumë i afrohemi tjetrës. Na takon neve të zgjedhim.
 Perceptimi ynë shpirtëror, pamja jonë e brendshme duhet të hapet, në mënyrë që të mund të shohim në çdo gjë shenjat dhe gjurmët e frymës së Perëndisë. Çdo gjë mund të na pasqyrojë neve dritën e Shpirtit.
(Raportim i fjalëve të ‘Abdu’l-Bahá-it siç janë cituar në J. E. Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe Epoka e Re”, f. 89)

34
Në qoftë se një mik ndien dashuri për një tjetër, ai do të dojë t’ia thotë këtë. Megjithëse e di që miku është në dijeni që ai e do, përsëri do të ketë dëshirë t’ia thotë.... Perëndia i di dëshirat e të gjitha zemrave. Por shtytja për t’u lutur është diçka e natyrshme, që rrjedh nga dashuria e njeriut për Perëndinë.
 Lutja nuk ka nevojë të jetë me fjalë, por më tepër në mendime e qëndrime. Por në qoftë se kjo dashuri e kjo dëshirë mungojnë, është e kotë t’i sjellësh me zor ato.Fjalët pa dashuri nuk kanë asnjë vlerë. Në qoftë se një njeri flet me ju sikur po kryen një detyrë të papëlqyer, pa dashuri ose gëzim për takimin me ju, a dëshironi ju të bisedoni me të?
(Raportim i fjalëve të ‘Abdu’l-Bahá-it siç janë cituar në J. E. Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe Epoka e Re”, f. 94)

35
Në lutjen më të lartë njerëzit luten vetëm për hir të dashurisë së Perëndisë, jo sepse kanë frikë prej Tij ose prej ferrit, ose sepse shpresojnë të fitojnë dhunti ose qiellin.... Kur një njeri bie në dashuri me një qenie njerëzore, është e pamundur që ai të përmbahet e të mos përmendë emrin e së dashurës së tij. Është shumë më e vështirë që njeriu të përmbahet e të mos përmendë Emrin e Perëndisë në qoftë se ka arritur ta dojë Atë.... Njeriu shpirtëror nuk gjen kënaqësi në asgjë veçse duke përmendur Perëndinë.
(Raportim i fjalëve të ‘Abdu’l-Bahá-it siç janë cituar në J. E. Esslemont “Bahá’u’lláh-u dhe Epoka e Re”, f. 95)

Ekstrakte nga një letër e shkruar prej Shoghi Effendiut:

36
Thjeshtësia që karakterizon bërjen e lutjeve Bahá’í, qoftë të detyrueshme ose të tjera, duhet ruajtur. Ngurtësia e ritualet duhet të shmangen krejtësisht.
(Në dorëshkrim të Shoghi Effendiut, shtuar në një letër të datës 30 tetor 1936, të shkruar në emër të tij, drejtuar një besimtari individual)

Ekstrakte nga letra të shkruara në emër të Shoghi Effendiut:

37
Ruajtësi dëshiron që ju, pra, të faleni e t’i luteni Fuqiplotit që Ai t’ju japë në një masë më të plotë mirësinë e Tij; që falë saj energjitë tuaja shpirtërore të gjallërohen dhe që ju të përshkoheni më shumë nga ajo frymë që duhet t’i japë jetë, të mbështesë e të forcojë çdo pasues të sinqertë e të vërtetë të Besimit.
(13 mars 1934, drejtuar një besimtari individual)

38
Lidhur me drejtimet e dhëna nga Bahá’u’lláh-u për thënien e disa lutjeve, Shoghi Effendi-u dëshiron që unë t’ju informoj se këto rregulla — të cilat, duhet thënë, janë shumë të pakta e të thjeshta — i japin një ndihmë të madhe shpirtërore besimtarit individual, sepse e ndihmojnë atë të përqëndrohet plotësisht kur lutet e përsiat. Domethënia e tyre është, pra, krejtësisht shpirtërore.
(5 nëntor 1935, drejtuar një besimtari individual)

39
Në lutje besimtarët mund ta kthejnë vetëdijën e tyre ndaj Vendprehjes së Bahá’u’lláh-ut, me kusht që duke vepruar kështu të kenë një kuptim të qartë e të drejtë të pozitës së Tij si një Manifestim i Perëndisë.
(15 nëntor 1935, drejtuar dy besimtarëve individualë)

40
Përsa u përket përvojave tuaja shpirtërore, Ruajtësi ka qenë shumë i interesuar për to. Megjithatë, ai do të donte t’ju porosiste që gjithmonë të përdorni e të lexoni gjatë orëve tuaja të përsiatjes e të lutjes fjalët e reveluara nga Bahá’u’lláh-u dhe Mjeshtri.
(6 dhjetor 1935, drejtuar një besimtari individual)

41
Problemi me të cilin jeni ndeshur është nga ata që prekin e lënë seriozisht në mëdyshje shumë nga të rinjtë tanë të sotëm. Si të arrihet natyra shpirtërore është me të vërtetë një çështje, për të cilën çdo i ri dhe e re duhet shpejt a vonë të gjejë një përgjigje të kënaqshme. Pikërisht sepse një përgjigje e tillë e kënaqshme nuk është dhënë ose gjetur, i riu i sotëm e ndien veten të hutuar dhe, për rrjedhojë, tërhiqet tutje nga forcat materialiste, që po minojnë me aq forcë themelet e moralit e të jetës shpirtërore të njeriut.
 Me të vërtetë, shkaku kryesor i të këqiave që po bëhen sunduese në shoqëri është mungesa e natyrës shpirtërore. Qytetërimi materialist i epokës sonë ka thithur aq shumë energjinë dhe interesin e njerëzimit, saqë njerëzit në përgjithësi nuk e ndiejnë më nevojën që të ngrihen mbi forcat e kushtet e ekzistencës së tyre të përditshme materiale. Nuk ka kërkesë të mjaftueshme për gjëra që do t’i quanim shpirtërore për t’i dalluar ato nga nevojat e kërkesat e ekzistencës sonë fizike. Kriza e përgjithshme që ka prekur njerëzimin është, pra, në thelb shpirtërore përsa u përket shkaqeve të saj. Fryma e kohës, e marrë në tërësi, është afetare. Botëkuptimi i njeriut për jetën është tepër i papastruar e materialist për t’i dhënë atij mundësinë të ngrihet në mbretëritë më të larta të shpirtit.
 Pikërisht këtë gjendje fatkeqësisht kaq të sëmurë, në të cilën ka rënë shoqëria, feja përpiqet ta përmirësojë e ta transformojë. Sepse thelbi i besimit fetar është ajo ndjenjë mistike që e bashkon njeriun me Perëndinë. Kjo gjendje komunikimi shpirtëror mund të krijohet e të mbahet me anë të përsiatjes e të lutjes. Dhe kjo është arsyeja që Bahá’u’lláh-u ka theksuar aq shumë rëndësinë e adhurimit. Për një besimtar nuk është e mjaftueshme thjesht të pranojë e t’u përmbahet mësimeve. Veç kësaj, ai duhet të kultivojë ndjenjën e shpirtësisë, të cilën mund ta fitojë kryesisht me anë të lutjes. Besimi Bahá’í, si të gjitha fetë e tjera Hyjnore, është, pra, në themel mistik për nga karakteri. Qëllimi kryesor i tij është zhvillimi i individit dhe i shoqërisë, përmes fitimit të virtyteve e të aftësive shpirtërore. Është shpirti i njeriut që duhet ushqyer i pari. Dhe këtë ushqim shpirtëror më mirë se çdo gjë mund ta sigurojë lutja. Ligjet dhe institucionet, sipas këndvështrimit të Bahá’u’lláh-ut, mund të bëhen me të vërtetë efektive vetëm kur jeta jonë e brendshme shpirtërore të jetë përsosur e transformuar. Përndryshe feja do të degjenerojë në një organizatë të thjeshtë dhe të bëhet një gjë e vdekur.
 Besimtarët, sidomos ata të moshës së re, duhet, pra, të kuptojnë plotësisht nevojën e lutjes. Sepse lutja është absolutisht e domosdoshme për zhvillimin e tyre të brendshëm shpirtëror dhe kjo, siç e thamë, është vetë themeli dhe qëllimi i Fesë së Perëndisë.
(8 dhjetor 1935, drejtuar një besimtari individual, botuar në “Bahá’í News” 102 (Gusht 1936), f. 3)

42
... lutjet e detyrueshme nga vetë natyra e tyre kanë një efektshmëri më të madhe dhe janë të pajisura me një fuqi më të madhe sesa lutjet jo të detyrushme, dhe si të tilla ato janë thelbësore.
(4 janar 1936, drejtuar një besimtari individual)

43
Ndërsa lutet, do të ishte më mirë që njeriu t’i drejtojë mendimet e veta nga Manifestimi, i Cili, në botën tjetër, vazhdon të jetë mjeti ynë i kontaktit me Fuqiplotin. Por sidoqoftë, ne mund t’i lutemi drejtpërsëdrejti Vetë Perëndisë.
(27 prill 1937, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë)

44
Ju keni pyetur nëse lutjet tona shkojnë përtej Bahá’u’lláh-ut: gjithçka varet nga fakti nëse i lutemi drejtpërsëdrejti Atij ose përmes Tij Perëndisë. Ne mund t’i bëjmë të dyja, dhe gjithashtu t’i lutemi drejtpërsëdrejti Perëndisë, por lutjet tona me siguri do të ishin më të efektshme e ndriçuese në qoftë se i drejtohen Atij përmes Manifestimit të Tij, Bahá’u’lláh-ut.
(14 tetor 1937, drejtuar një besimtari individual)

45
Ruajtësi dëshiron që unë t’ju siguroj se ai nuk ka ndonjë kundërshtim që miqtë të mblidhen së bashku për të përsiatur e për t’u lutur. Një lidhje e tillë shpirtërore ndihmon për të ushqyer shoqërinë midis besimtarëve, dhe si e tillë është shumë e rekomandueshme.
(20 nëntor 1937, drejtuar një besimtari individual)

46
 [...] ishte një çështje ... më të thellë [...] për Ruajtësin kur mori vesh lajmin e formimit në Honolulu të një Klase Mëngjesi lutjeje e përsiatjeje, të drejtuar nga e dashura Zonja ... në shtëpinë e saj, meqenëse ai mendon se është absolutisht e nevojshme që miqtë të bëjnë tani një përpjekje të posaçme për të kultivuar anën devocionale të jetës së tyre Bahá’í, si përgatitje për një shërbim më intensiv e të suksesshëm, veçanërisht në lëmin e mësimit.
(1 maj 1938, drejtuar një besimtari individual dhe një Asambleje Shpirtërore Lokale)

47
Edhe pse duket se ju mendoni që lutjet tuaja deri tani nuk kanë pasur asnjë përgjigje dhe se nuk keni më ndonjë shpresë që kushtet tuaja materiale do të përmirësohen, Ruajtësi dëshiron që ju megjithatë të mos lejoni që zhgënjime të tilla të minojnë besimin tuaj në fuqinë e lutjes, përkundrazi të vazhdoni t’i përgjëroheni Fuqiplotit që t’ju japë mundësinë të zbuloni urtinë e madhe që mund të jetë e fshehur pas të gjitha këtyre vuajtjeve. Sepse a nuk janë shpesh vuajtjet tona bekime të maskuara, përmes të cilave Perëndia dëshiron të verë në provë sinqeritetin dhe thellësinë e besimit tonë e, me anë të kësaj, të na bëjë më të vendosur në Kauzën e Tij?
 ...
 Adhuruesi i vërtetë, ndërsa lutet, duhet të përpiqet jo aq t’i kërkojë Perëndisë të plotësojë dëshirat e kërkesat e tij, por më tepër t’i korrigjojë ato dhe të bëjë që të jenë në pajtim me Vullnetin Hyjnor. Vetëm përmes një qëndrimi të tillë njeriu mund të përftojë atë ndjenjë paqeje e kënaqësie të brendshme, të cilën vetëm fuqia e lutjes mund ta japë.
(26 tetor 1938, drejtuar një besimtari individual)

48
Duhet të mbeteni i sigurt se zbatimi juaj i përpiktë i ligjeve e i rregullave të urdhëruara nga Bahá’u’lláh-u është e vetmja fuqi që mund t’ju udhëheqë e t’ju japë mundësi efektivisht për të kapëcyer provat e sprovat e jetës suaj, dhe t’ju ndihmojë që në mënyrë të vazhdueshme të rriteni e të zhvilloheni shpirtërisht.
 Ruajtësi vlerëson veçanërisht faktin që ju keni zbatuar me besnikëri urdhrin e Bahá’u’lláh-ut lidhur me thënien e lutjeve të detyrueshme të përditshme dhe në këtë mënyrë keni dhënë një shembull të lartë para shokëve tuaj të rinj Bahá’í. Këto lutje të përditshme janë të pajisura me një forcë të tillë, të cilën vetëm ata që i thonë rregullisht ato mund ta vlerësojnë si duhet. Prandaj miqtë duhet të përpiqen t’i përdorin çdo ditë këto lutje, cilatdo qofshin rrethanat dhe kushtet e veçanta të jetës së tyre.
(23 shkurt 1939, drejtuar dy besimtarëve)

49
Ai dëshiron t’ju sigurojë përsëri se do të lutet për përparimin tuaj shpirtëror në Vendprehjet e Shenjta. Fuqia e Perëndisë mund të shndërrojë tërësisht karakteret tona dhe të na bëjë qenie krejt të pangjashme me veten tonë të mëparshme. Me anë të lutjes e të përgjërimit, të bindjes ndaj ligjeve hyjnore të reveluara nga Bahá’u’lláh-u dhe të shërbimit gjithnjë në rritje ndaj Besimit të Tij, ne mund të ndryshojmë vetveten.
(22 nëntor 1941, drejtuar një besimtari individual)

50
Nuk ka forma të vendosura përsiatjeje të urdhëruara në mësimet, nuk ka plan, si të tillë, për zhvillimin e brendshëm. Miqtë nxiten — jo urdhërohen — të luten, dhe ata duhet gjithashtu të përsiatin, por mënyra sesi ta bëjnë këtë të fundit i është lënë krejtësisht individit.
 Frymëzimi që merret përmes përsiatjes ka një natyrë që njeriu nuk mund ta matë ose përcaktojë. Perëndia mund të frymëzojë në mendjet tona gjëra për të cilat ne më parë nuk kishim dijeni, në qoftë se Ai dëshiron të bëjë kështu.
(25 janar 1943, drejtuar dy besimtarëve)

51
Lutja dhe përsiatja janë faktorë shumë të rëndësishëm për thellimin e jetës shpirtërore të individit, por ato duhet t’i shoqërojnë gjithashtu veprimi dhe shembulli, duke qenë se këto janë rezultatet e prekshme të të parave. Të dyja janë thelbësore.
(15 maj 1944, drejtuar një besimtari individual)

52
Besimtarët, siç e dimë të gjithë, duhet të përpiqen të japin një shembull të tillë në jetën dhe sjelljen e tyre vetjake, që të tjerët të nxiten të përqafojnë një Besim që reformon karakterin njerëzor. Megjithatë, për fat të keq, jo gjithsecili arrin me lehtësi e shpejt fitoren mbi vetveten. Ajo që çdo besimtar, i ri ose i vjetër, duhet të kuptojë është se Kauza ka fuqinë shpirtërore për të na rikrijuar nëse ne bëjmë përpjekje që ta lejojmë atë fuqi të ndikojë mbi ne, dhe ndihma më e madhe për këtë është lutja. Ne duhet t’i lutemi Bahá’u’lláh-ut të na ndihmojë të kapërcejmë mangësitë në karakteret tona dhe gjithashtu të ushtrojë fuqinë tonë të vullnetit për të nënshtruar vetveten.
(27 janar 1945, drejtuar një besimtari individual)

53
Përmes përsiatjes dyert e një dije e frymëzimi më të thellë mund të hapen. Natyrisht, në qoftë se njeriu përsiat si Bahá’í, ai është i lidhur me Burimin; në qoftë se një njeri që beson te Perëndia përsiat, ai akordohet me fuqinë dhe mëshirëm e Perëndisë; por ne nuk mund të themi se çdo frymëzim që një person që nuk e di Bahá’u’lláh-un, ose që nuk beson te Perëndia, e merr atë thjesht nga vetë vetja e tij. Përsiatja është shumë e rëndësishme dhe Ruajtësi nuk sheh ndonjë arsye që miqtë të mos mësohen të përsiatin, por ata duhet të ruhen kundër ideve supersticioze ose të marra që zvarriten në të.
(19 nëntor 1945, drejtuar një besimtari individual)

54
Ai mendon se duhet vënë më shumë theksi te rëndësia dhe fuqia e lutjes, duke përfshirë përdorimin e Emrit Më të Madh, por pa e mbitheksuar këtë. Është fryma prapa fjalëve ajo që ka me të vërtetë rëndësi.
(16 mars 1946, drejtuar një besimtari individual)

55
Lidhur me pyetjen tuaj: ne nuk duhet të jemi të ngurtë përsa i përket të luturit; nuk ka rregulla të vendosura që ta përcaktojnë atë; gjëja kryesore është që ne duhet të fillojmë me konceptin e drejtë për Perëndinë, Manifestimin, Mjeshtrin, Ruajtësin — ne mund të kthehemi, në mendime, ndaj secilit prej tyre kur lutemi. Për shembull ju mund t’i drejtoheni Bahá’u’lláh-ut për diçka, ose, duke menduar për Të, t’i kërkoni Perëndisë për këtë gjë. Kjo është e vërtetë edhe për Mjeshtrin ose për Ruajtësin. Ju mund të ktheheni në mendim ndaj secilit prej tyre dhe pastaj të kërkoni ndërmjetësimin e tyre, ose t’i luteni drejtpërsëdrejti Perëndisë. Sakohë që nuk ngatërroni pozitat e tyre, e t’i bëni të gjithë ata të barabartë, nuk ka shumë rëndësi sesi i orientoni ju mendimet tuaja.
(24 korrik 1946, drejtuar një besimtari individual)

56
Ai u gëzua kur mësoi se ju tani e keni marrë veten plotësisht dhe jeni përsëri aktiv në punën tuaj të rëndësishme për Kauzën. Sidoqoftë, ju nuk duhet ta lini pasdore shëndetin tuaj, por ta shikoni atë si mjetin që ju jep mundësi të shërbeni. Ai — trupi — është si një kal që bart personalitetin dhe shpirtin, dhe si i tillë për të duhet kujdesur, sepse kështu ai mund ta kryejë punën e vet! Ju sigurisht duhet të ruani nervat tuaj dhe ta detyroni veten të gjeni kohë, e jo vetëm për lutje e përsiatje, por edhe për pushim e çlodhje reale. Nuk ka përse të lutemi e të përsiatim për orë të tëra që të jemi shpirtërorë.
(23 nëntor 1947, drejtuar një besimtari individual)

57
Më duhet të shtoj se ai nuk beson që çfarëdo rrezatimesh mendimi ose shërimi, nga çdo grup qoftë, do të sjellin paqe. Lutja, pa dyshim, do ta ndihmojë botën, por kjo ka nevojë që të pranohet sistemi i Bahá’u’lláh-ut sesi të ndërtohet Rendi Botëror mbi një themel të ri, mbi një themel hyjnor!
(8 qershor 1948, drejtuar një besimtari individual)

58
Në qoftë se mendoni që keni nevojë të përfytyroni dikë kur luteni, mendoni për Mjeshtrin. Përmes Tij ju mund t’i drejtoheni Bahá’u’lláh-ut. Gradualisht përpiquni të mendoni për vetitë e Manifestimit dhe në këtë mënyrë forma mendore do të shuhet, sepse në fund të fundit gjëja nuk është trupi, aty është Shpirti i Tij dhe ky është elementi thelbësor, i përhershëm.
(31 janar 1949, drejtuar një besimtari individual)

59
Ai do t’ju këshillonte të përdorni vetëm Lutjen e Detyrueshme të shkurtër të mesditës. Kjo nuk ka gjunjëzime dhe vetëm kërkon që kur e thotë atë, besimtari ta kthejë fytyrën ndaj ‘Akka-së, ku është varrosur Bahá’u’lláh-u. Ky është një simbol fizik i një realiteti të brendshëm; tamam ashtu si bima zgjatet drejt dritës së diellit — nga e cila merr jetë e rritet, — edhe ne i kthejmë zemrat tona ndaj Manifestimit të Perëndisë, Bahá’u’lláh-ut, kur lutemi; dhe ne i kthejmë fytyrat tona, gjatë kësaj lutjeje të shkurtër, drejt vendit ku pluhuri i Tij qëndron mbi këtë tokë, si një simbol i veprimit të brendshëm.
 ...
 Bahá’u’lláh-u i ka reduktuar të gjitha ritualet e format në një minimum absolut në Besimin e Tij. Ato pak forma që janë — si ato që lidhen me dy lutjet e përditshme më të gjata — janë vetëm simbole të qëndrimit të brendshëm. Ka një urti në to, dhe një bekim të madh, por ne nuk ia dalim dot të kuptojmë ose t’i ndiejmë këto gjëra, ja përse Ai na ka dhënë edhe lutjen shumë të shkurtër e të thjeshtë, për ata që nuk ndiejnë dëshirë të kryejnë veprimet që lidhen me dy të tjerat.
(24 qershor 1949, drejtuar një besimtari individual)

60
Ai sugjeron që ju t’i luteni çdo ditë Bahá’u’lláh-ut të lejojë që ju të takoni një shpirt të ndieshëm ndaj Mesazhit të Tij. Fuqia e lutjes është shumë e madhe dhe tërheq konfirmimet Hyjnore. Edhe ai gjithashtu do të lutet për punën tuaj mësimore atje.
(30 shtator 1951, drejtuar një besimtari individual)

61
Ai mendon se do të ishte më e udhës që Bahá’í-të të përdorin Përsiatjet që ka dhënë Bahá’u’lláh-u dhe jo ndonjë formë të caktuar përsiatjeje të rekomanduar nga dikush tjetër; por besimtarët duhet të lihen të lirë në këto hollësira dhe të lejohen të kenë hapësirë vetjake në gjetjen e nivelit të vet të komunikimit me Perëndinë.
(27 janar 1952, drejtuar një besimtari individual)


Rishikuar në korrik 1990
1 Kurani 51:22.
2 Kurani 107:5.

 

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS