""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Krisa dhe fitorja


KRIZA DHE FITORJA

Përmbledhje

 


Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve
i Shtëpisë Universale të Drejtësisë

 


Original Title:
Crisis and Victory
Compiled by the Research Department of the Universal House of Justice, October 1987, Revised July 1990
Published by BAHÁ’Í PUBLICATIONS AUSTRALIA in
The Compilation of Compilations, VOLUME I, 1991
Text: Albanian


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 1996 - 153 E.B.


I.  “Ushtritë e botës … po shpërthejnë nga çdo anë sulmet e tyre…”
  ‘Abdu’l-Bahá, cituar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”      
II.  “Marshimi i pandalshëm i Besimit të Bahá’u’lláh-ut”
  Shoghi Effendi, “Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura drejtuar
  Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut 1932-1946”     
III.  “Sigurimi i Besimit tonë të çmuar…”
  Shoghi Effendi,”Mesazhe për Bahá’í-të e Botës 1950-1957”

 


I. “Ushtritë e botës …po shpërthejnë nga çdo anë sulmet e tyre…”
(‘Abdu’l-Bahá, cituar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f.16)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT:

258. Në fillim të çdo Revelacioni kanë mbizotëruar fatkeqësi, të cilat më pas janë shndërruar në mbarësi të madhe.
(Cituar në Shoghi Effendi, “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1984), f.82)

259. Shihni brezat e shkuar. Vëreni që, sa herë Ylli i Ditës i mirësisë Hyjnore ka hedhur dritën e Revelacionit të Tij mbi botë, njerëzit e Ditës së Tij janë ngritur kundër Tij dhe kanë hedhur poshtë të vërtetën e Tij. Ata që konsideroheshin si prijësit e njerëzve janë përpjekur vazhdimisht t’i pengonin pasuesit e tyre që ta kthenin fytyrën drejt Atij Që është Oqeani i Mirësisë së pakufishme të Perëndisë…
 …
 Ti e ke marrë vesh sesa shumë kanë vuajtur Profetët e Perëndisë, Lajmëtarët dhe të Zgjedhurit e Tij. Mendo pak për motivin dhe shkakun e persekutimit të tyre. Në asnjë kohë, në asnjë Dispensacion, Profetët e Zotit nuk u kanë shpëtuar blasfemisë së armiqve të tyre, egërsisë së shtypësve të tyre, akuzave të të diturve të epokës së  tyre, që paraqiteshin të kamufluar me rrobën e drejtësisë e të mëshirës. Ditë e natë ata kanë kaluar agoni të tilla që askush nuk mund t’i masë, veç dijes së të vetmit Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1983), sek.23, f.56-58)

260. Dijeni se, që nga kohë që s’mbahen mend, sprovat dhe fatkeqësitë kanë qenë fati i të zgjedhurve të Perëndisë e i të shumëdashurve të Tij, si dhe i të tillë shërbëtorëve të Tij që janë shkëputur nga gjithçka veç Atij, i atyre që as pasuritë e as tregtia nuk i largojnë nga të kujtuarit e të Gjithëfuqishmit, i atyre që nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe që veprojnë sipas porosisë së Tij. E tillë është metoda e Perëndisë që zbatohej në të kaluarën, e tillë do të mbetet ajo edhe në të ardhmen…
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, sek.66, f.129)

261. Për jetën time! Zemra ime rënkon dhe sytë e mi vajtojnë hidhur për Kauzën e Perëndisë dhe për ata që nuk e kuptojnë ç’thonë dhe imagjinojnë atë që s’ua kap dot mendja.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, sek.100, f.203)

262. Dhe në qoftë se një bilbil {1} ngrihet lart nga balta e vetes dhe banon në trëndafilishten e zemrës, dhe me melodi arabe e këngë të ëmbla iraniane tregon misteret e Perëndisë—një fjalë e vetme e të cilit u sjell jetë të freskët, të re trupave të të vdekurve, dhe vendos Shpirtin e Shenjtë mbi eshtrat e shpërbëra të kësaj ekzistence—ti do të shihje njëmijë kthetra zilie, sqepa të panumërt mllefi që e ndjekin Atë dhe me tërë fuqinë kërkojnë vdekjen e Tij.  …
 O miku Im! Shumë langonj e ndjekin këtë sorkadhe të shkretëtirës së njëshmërisë; shumë kthetra i sulen kësaj mëllenje të kopshtit të përjetshëm. Korba të pamëshirshëm qëndrojnë në pritë për këtë zog të qiejve të Perëndisë, dhe gjahtarët e zilisë ndjekin këtë drenushë të livadhit të dashurisë.
(“Shtatë Luginat dhe Katër Luginat” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1986), f.20; f.41)

263. Është e qartë e evidente që, sa herë janë reveluar Manifestimet e Shenjtërisë, teologët e asaj kohe i kanë penguar njerëzit të dilnin në rrugën e së vërtetës. Për këtë dëshmojnë tekstet e të gjitha shkrimeve dhe librave të shenjtë. Nuk ka asnjë Profet të Perëndisë që të jetë shfaqur pa rënë viktimë e urrejtjes së pamëshirshme, e akuzave, e mohimit dhe e mallkimit të klerikëve të kohës së Vet!…
 …
 Ne parashikojmë që në çdo qytet njerëzit do të ngrihen për ta shtypur Bukurinë e Bekuar, që shokët e Atij Sundimtari të qenies e të Dëshirës supreme të të gjithë njerëzve do t’ia mbathin përballë shtypësit dhe do të kërkojnë shpëtim prej tij në shkretëtirë, ndërsa të tjerët do t’i nënshtrohen fatit dhe, me shkëputje absolute, do të flijojnë jetën e tyre në shtegun e Tij…
(“Qitapi Ikan” [Kitáb-i-Íqán], bot. i dytë (Wilmette:Trusti Botues Bahá’í, 1983), f.165-166; f. 248)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET DHE THËNIET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT:

264. Prestigji i Besimit të Perëndisë është rritur pamasë. Madhështia e tij është tani e dukshme. Po afrohet dita kur ai do të shkaktojë një tronditje të fuqishme në zemrat e njerëzve. Gëzohuni, pra, o banorë të Amerikës, gëzohuni me ngazëllim të madh!
(Cituar në Shoghi Effendi, “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura”, bot. i rish. (Wilmette:Trusti Botues Bahá’í, 1982), f.79)

265. Në këto ditë, Kauza e Perëndisë anembanë botës po e rrit me shpejtësi fuqinë e saj dhe nga dita në ditë po përhapet gjithnjë më tej gjer në skajet më të largëta të tokës. Prandaj armiqtë e saj nga të gjithë fiset e popujt e botës po bëhen  agresivë, dashakeqë, ziliqarë e tepër të egër. Është detyrë e të dashurve të Perëndisë të tregojnë kujdesin e maturinë më të madhe në të gjitha gjërat, të mëdha a të vogla qofshin, të këshillohen së bashku dhe të bashkuar t’i qëndrojnë sulmit të nxitësve të përçarjes e të shkaktarëve të trazirave…
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, [bot i rish.] (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1982), sek.194, f.283)

266. O ti degë e lartësuar e Pemës hyjnore të Lotusit!
 …Kur përbuzesh e refuzohesh nga keqbërësit mos e jep veten; dhe kurrë mos u lëndo e mos vuaj për shkak të pushtetit e të kryelartësisë së mendjemadhit; sespe e tillë është sjellja e shpirtrave të shkujdesur qysh prej kohësh që s’mbahen mend. “O shpirtligësi e njerëzve! Asnjë Lajmëtar nuk shkon tek ata dhe të mos e tallin e përbuzin!” {2}
 Me të vërtetë, sulmet dhe pengesat e injorantit bëjnë vetëm që të lartësohet Fjala e Perëndisë dhe të përhapen gjatë e gjerë shenjat e simbolet e Tij. Po të mos ishin kjo kundërvënie e përçmuesve, kjo kokëfortësi e shpifësve, këto britma nga katedrat, këto të qara e vajtime nga të mëdhenj e të vegjël, këto akuza për mosbesim të ngritura nga injorantët, kjo zhurmë e të marrëve—si do të ishte e mundur që lajmet e ardhjes së Pikës Parësore dhe të agimit të ndritshëm të Yllit të Ditës të Bahá’í-ve të arrinin në lindje e në perëndim? E si do të mundej ndryshe të lëkundej planeti nga njëri pol në tjetrin? Si do të mundej ndryshe Persia të bëhej vatra e përhapjes së shkëlqimeve dhe Azia e Vogël zemra rrezatuese e bukurisë së Zotit? Si do të mundej ndryshe të përhapej në jug flaka e Manifestimit? Me ç’mjete do të mund të dëgjoheshin në veriun e largët thirrjet e Perëndisë? E si do të mund të dëgjoheshin ndryshe thirrjet e Tij në kontinentet e Amerikës e të Afrikës së zezë? E si do të mundej ndryshe kënga e zbardhëllimit të Qiellit të arrinte në këta veshë? E si do të mundnin ndryshe papagallët e ëmbël të Indisë të vinin tek ky sheqer, ose bilbilat t’ia thonin këngës nga toka e Irakut? Ç’gjë tjetër mund t’i bënte lindjen dhe perëndimin të vallëzonin, e si do të mundej ndryshe ky Vend i Shenjtëruar të bëhej Froni i Bukurisë së Perëndisë? Si do të mundej ndryshe Sinai të sodiste këtë ndriçim flakërues, si do të mundej flaka e Ardhjes ta stoliste atë mal? Si do të mundej ndryshe Toka e Shenjtë të bëhej këmbëmbështetësja e Bukurisë së Perëndisë dhe lugina e shenjtë e Tuvës {3} të bëhej vendi i përsosurisë e i hirit, vendi i shenjtë ku Moisiu hoqi sandalet e Tij? Si do të mundej frymëmarrja e qiellit të kalonte tej Luginës së Shenjtërisë, si do të mundeshin puhitë e lehta erëmira që fryjnë nga kopshtet e Abhá-së të ndjeheshin prej atyre që banojnë në Ishullin e Blerimit? Ndryshe si do të mund të përmbusheshin ndonjëherë premtimet e Profetëve, lajmet e gëzuara të Vizionarëve të shenjtë të së shkuarës, premtimet shtytëse të dhëna në këtë Vend të Shenjtë nga Manifestimet e Perëndisë? Të gjitha këto bekime e dhunti, vetë mjetet e shpalljes së Besimit, janë shfaqur papritur nëpërmjet talljeve të injorantit, kundërvënies së të marrit, kokëfortësisë së kokëtrashit, dhunës së agresorit. Po të mos kishin qenë këto gjëra, lajmet e ardhjes së Báb-it nuk do të kishin arritur deri më sot as edhe në vende aty pranë. Prandaj ne kurrë nuk duhet të hidhërohemi për verbërinë e kokëtrashit, për sulmet e të marrit, për keqdashjen e të ultit e të poshtrit, për moskokëçarjen e klerikëve, për akuzat për pabesi që ngrejnë kundër nesh ata që s’kanë mend. E tillë ka qenë gjithashtu sjellja e tyre në epokat e shkuara, dhe nuk do të ishte e tillë po qe se ata do të ishin ndër ata që kuptojnë; por ata janë në errësirë dhe as që i afrohen kuptimit të atyre që u thuhen. {4}
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, sek.195, f.234-36)

267. …Miqtë në Perëndim do të kenë padyshim pjesën e tyre të fatkeqësive që po kalojnë miqtë në Lindje. Është e pashmangshme që, duke ecur në shtegun e Bahá’u’lláh-ut. ata gjithashtu do të bëhen objekt i përndjekjes nga ana e shtypësve.
 …
 Tani ju, gjithashtu, me siguri duhet të bëheni shokë të mi në njëfarë shkalle dhe të pranoni pjesën tuaj të sprovave e të brengave. Por këto episode do të kalojnë, ndërsa lavdia e pafundme dhe jeta e amshueme do të mbeten të pandryshuara përgjithmonë. Për më tepër, këto vuajtje do të bëhen shkak për një përparim të madh.
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”,sek.196, f.238-39)

268. Në këtë ditë forcat e të gjithë krerëve të feve janë të prirura drejt shpërbërjes së bashkëvëllazërisë së Mëshirëplotit dhe shkatërrimit të Ndërtesës Hyjnore. Ushtritë e botës, qofshin materiale, kulturore apo politike, po shpërthejnë nga çdo anë sulmet e tyre, sepse Kauza është e madhe, shumë e madhe. Madhështia e saj është, në këtë ditë, e qartë dhe e dukshme në sytë e njerëzve. Prandaj është detyrë e të gjithë atyre që kanë hyrë nën hijen e krahut mbrojtës të providencës mirëdashëse të Perëndisë të shprehin, me ndihmën e Tij hyjnore e të mëshirshme, një qëndrueshmëri e vendosmëri të tillë të dukshme, që të bjerë në sy e të habisë mendjet e të gjithëve.
 Në kohën e ngjitjes në qiell të Shpirtit (Jesu Krishtit), grupi i atyre që e pranuan Revelacionin e ri nuk përfshinte më shumë se disa shpirtra. Kaq i madh qe alarmi e shqetësimi që shkaktoi kjo ngjarje, sa për një kohë ata shpirtra u pushtuan tërësisht nga zemërimi e pështjellimi i tyre. Pastaj, disa ditë më pas, një grua e quajtur Maria Magdalena u ngrit dhe, me shembullin e vet, u rrënjosi atyre një qëndrueshmëri e vendosmëri që i bëri ata të aftë të ngrihen për të përhapur Fjalën e Perëndisë. Edhe pse në pamjen e jashtme ata s’ishin veçse peshkatarë e ngjyrosës, megjithatë, përmes konfirmimeve të shenjta të Kauzës së Perëndisë, ata bartën anembanë aromat hyjnore, duke ëmbëlsuar frymën e të gjithë atyre që thithnin aromën e tyre dhe duke i sjellë jetë të re çdo zemre që kupton.
 Merrni kurajë, pra, o ju miq të besuar të Perëndisë, nga shfaqja e këtij pushteti të fuqishëm e që drejton gjithçka, i cili ishte si një shpirt që përshkon trupin e botës, duke bërë që ai të vibrojë me pulsin e tij dhe të lëkunden e dridhen shtyllat e idhujtarisë.
(Tre fjalitë e para janë në përkthimin e Shoghi Effendi-ut cituar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f.6. Pjesa tjetër e ekstraktit është përkthyer rishtas.)

269. …një numër i madh njerëzish do të ngrihen kundër jush, duke ju shtypur, duke shprehur fyerje e qesëndi, duke iu shmangur shoqërisë suaj e duke lëshuar tallje mbi ju. Por Ati Qiellor do t’ju ndriçojë ju në një shkallë të tillë sa, si rrezet e diellit, ju do të shpërndani retë e errëta të bestytnisë, do të shkëlqeni me lavdi në mes të Qiellit dhe do të ndriçoni fytyrën e tokës. Ju duhet të qëndroni të patundur në kohën që do të ndodhin këto sprova dhe të tregoni vetëpërmbajtje e durim. Ju duhet t’i përballoni ato me dashurinë e përzemërsinë më të madhe; shikojeni shtypjen dhe përndjekjen nga ana e tyre si një kapriço fëmijësh, dhe mos i kushtoni ndonjë rëndësi çfarëdo që të bëjnë ata. Sepse në fund ndriçimi i Mbretërisë do ta mposhtë errësirën e botës dhe lartësimi e madhështia e pozitës suaj do të bëhet e dukshme e do të dalë në shesh…  Të jeni të sigurt.
(Cituar në “Bahá’í News” [“Star of the West”], vëll.1, nr.10 (8 Shtator 1910), f.1-2)
 
270. Së shpejti keqbërësit në atë vend do të ngrihen për të grumbulluar akuza kundër besimtarëve të vërtetë dhe për të derdhur urrejtjen e tyre mbi grupin e besnikëve. Çdo ditë ata do të shkaktojnë një plagë të dhembshme, çdo orë një goditje trullosëse. Duke qortuar miqtë për dashurinë që ushqejnë për Bahá’u’lláh-un e ‘Abdu’l-Bahá-in, ata do t’i konsiderojnë të drejta akuzat e tyre, përbuzjen e ligësinë e tyre, dhe nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për t’u bërë miqve çdo të keqe që e kanë në dorë t’u bëjnë. Një sjellje e tillë është e njëjtë me sjelljet e praktikat e njerëzve të dikurshëm: në shekujt e shkuar, në ditët e shfaqjes së Manifestimeve të shenjta, njerëzit vepronin pikërisht në këtë mënyrë; edhe tani, në këto ditë, është e pashmangshme që ata do t’i përsërisin veprime të tilla, madje do të veprojnë me ligësi më të madhe se më parë… Është e sigurt, pra, që ti do të goditesh nga kundërvënie, sprova e fyerje për hir të Bukurisë së Bekuar; megjithatë këto fatkeqësi do të jenë bujaritë e dhuntitë më të mira dhe një shenjë e pranimit tënd në Pragun Hyjnor.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes)

271. Pasi Unë të largohem, disa njerëz mund të ngrihen kundër, duke derdhur mbi ju persekutime në armiqësinë e tyre, ndërsa në gazeta mund të botohen artikuj kundër Kauzës. Qëndroni në sigurinë e vendosmërisë. Jini të ekuilibruar e të qetë, duke mbajtur parasysh se kjo është po aq e padëmshme sa cicërimat e trumcakëve dhe së shpejti do të kalojë….
 Pra, qëllimi im është t’ju paralajmëroj e t’ju forcoj kundër akuzave, kritikave, fyerjeve e talljeve në artikuj të gazetave ose në botime të tjera. Mos u shqetësoni prej tyre. Ato janë vetë konfirmimi i Kauzës, vetë burimi i ndërtimit të Lëvizjes. Perëndia e konfirmoftë ditën kur një numër drejtuesish të kishave mund të ngrihen e me krye të zbuluar të thërrasin në kupë të qiellit se Bahá’í-të janë të mashtruar. Unë do të doja ta shihja atë ditë, sepse ajo është koha kur Kauza e Perëndisë do të përhapet. Bahá’u’lláh-u i ka quajtur njerëz të tillë korrierë të Kauzës. Ata do të shpallin nga katedrat se Bahá’í-të janë të marrë, se ata janë njerëz të këqinj e të padrejtë, por ju jini të vendosur e të patundur në Kauzën e Perëndisë. Ata do të përhapin mesazhin e Bahá’u’lláh-ut.
(“Shpallja e Paqes Universale: Biseda të zhvilluara nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë Vizitës së Tij në Shtetet e Bashkuara e në Kanada në vitin 1912”, bot. i dytë (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1982), f.428-430)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E SHOGHI EFFENDIUT:

272. Unë, sidoqoftë, jam i sigurt e i qëndrueshëm në bindjen, që kurrë nuk është errësuar në mendjen time, se çfarëdo që të ndodhë në Kauzën e Perëndisë, sado shqetësuese të jetë kjo gjë në efektet e saj të menjëhershme, ajo është e mbushur me Urti të pamasë dhe priret në fund të fundit të çojë përpara interesat e Kauzës në botë. Me të vërtetë, përvojat tona të së kaluarës së largët, si dhe ato të ngjarjeve të kohës së fundit, janë aq të shumta e të larmishme sa nuk lejojnë asnjë mosbesim ose dyshim përsa i përket vërtetësisë së këtij parimi bazë— parim të cilin, përmes tallazeve të misionit tonë të shenjtë në këtë botë, kurrë nuk duhet ta injorojmë ose ta harrojmë.
 …
 Është e vërtetë që Kauza, si çdo lëvizje tjetër, ka pengesat, komplikacionet dhe vështirësitë e paparashikuara të saj, por, në ndryshim nga çdo organizatë tjetër njerëzore, ajo frymëzon një shpirt Besimi e Devocioni, i cili nuk mungon kurrë së nxituri që ne të bëjmë përpjekje të sinqerta e të përsëritura për t’i përballuar këto vështirësi e për të sheshuar divergjencat që mund e duhet të lindin.
(Nga një letër e datës 23 dhjetor 1922 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932” [bot i rish.], (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1980), f.27-28)

273. Nga njëra anë, revelacionet e shquara të Vullnetit dhe Testamentit të të Shumëdashurit, kaq befasuese në të gjitha aspektet, kaq shprehëse në porositë që përmban, kanë sfiduar e vënë në vështirësi edhe mendjet më të mprehta, ndërsa pështjellimi gjithnjë më i madh i botës, që kërcënohet si kurrë më parë nga forca minuese, nga rivalitete të ashpra, nga trazira të reja e nga çrregullime të rënda, pothuajse ia ka mposhtur zemrën dhe ia ka topitur zellin edhe besimtarit më entuziast në fatin e njerëzimit.
 E megjithatë, sa shpesh duket se ne i harrojmë paralajmërimet e qarta e të përsërituar të Mjeshtrit Tonë të shumëdashur, i Cili, veçanërisht gjatë viteve të përfundimit të misionit të Tij mbi tokë, e ka vënë theksin në “sprovat e rënda mendore” që do të fryjnë në mënyrë të pashmangshme mbi të dashurit e Tij në Perëndim—sprova që do t’i spastrojnë e dëlirin dhe do t’i përgatitin ata për misionin e tyre fisnik në jetë.
(Nga një letër e datës 14 nëntor 1923 dërguar Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.50)

274. Që Kauza e Perëndisë, në ditët që do të vijnë, do të përjetojë shumë momente sfide dhe do të kalojë nëpër faza kritike në përgatitjen për lavditë e epërsisë së premtuar të saj në Botën e Re, kjo është afirmuar shpesh herë në mënyrë të pamohueshme prej Mjeshtrit tonë të ndjerë dhe na është provuar gjerësisht të gjithë neve nga e shkuara heroike e nga historia e trazuar e saj. …
(Nga një letër e datës 23 shkurt 1924 dërguar Bahá’í-ve të Amerikës, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.60-61)

275. Ne nuk mund ta besojmë që ndërsa Lëvizja rritet në forcë, autoritet e ndikim, vështirësitë e vuajtjet të cilat i është dashur të përballonte në të kaluarën do të shkojnë duke u ulur e do të zhduken në përshtatje me këtë. Jo, ndërsa forca e saj rritet dita ditës, mbrojtësit fanatikë të kështjellave të ortodoksisë, cilido qoftë emërtimi i tyre, duke e kuptuar ndikimin depërtues të këtij Besimi në rritje, do të ngrihen e do të tendosin çdo nerv për të shuar dritën e tij e për të diskretituar emrin e tij. …
(Nga një letër e datës 12 shkurt 1927 dërguar Bahá’í-ve të Perëndimit, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të gjedhura 1922-1932”, f.123)

276. Pra, le ta kuptojë çdo përkrahës i sinqertë i Kauzës së Bahá’u’lláh-ut se stuhitë që ky Besim luftarak i Perëndisë është i detyruar të përballojë, ndërsa procesi i shpërbërjes së shoqërisë avancon, do të bëhen më të egra se cilado prej atyre që ai ka përjetuar më parë. Le ta dijë ai se sapo përmasat e plota të rivendikimit madhështor të Besimit të Bahá’u’lláh-ut të bëhen të njohura nga ato kështjella të shenjtëruara nga shekujt e të fuqishme të ortodoksisë, synimi i qëllimtë i të cilave është të mbajnë në darën e tyre mbytëse mendimet e ndërgjegjet e njerëzve, atëhere këtij Besimi ende foshnjë do t’i duhet të përballojë armiq më të fuqishëm e më tinëzarë sesa torturënxitësit më mizorë e sesa klerikët më fanatikë që i kanë shkaktuar atij vuajtje në të kaluarën. Çfarë armiqsh nuk do të dalin, gjatë spazmave që do të mbërthejnë një qytetërim që po vdes, të cilët do t’i shtojnë më tej sulmet e grumbulluara tashmë kundër këtij Besimi!
 Do të mjaftonte t’u referoheshim paralajmërimeve të folura nga ‘Abdu’l-Bahá-i, për të kuptuar gjerësinë dhe karakterin e forcave të destinuara të ndeshen me Besimin e shenjtë të Perëndisë. Në çastet më të errëta të jetës së Tij, nën regjimin e Abdyl Hamitit, kur Ai qëndronte i gatshëm për t’u internuar në krahinat më jomikpritëse të Afrikës së Veriut, dhe në një kohë kur drita shpresëdhënëse e Revelacionit Bahá’í sapo kish filluar të agonte në Perëndim, Ai në mesazhin e Tij të ndarjes që i dërgonte kushëririt të Báb-it, thoshte këto fjalë profetike e kërcënuese: “SA E MADHE, SA E MADHËRISHME ËSHTË KAUZA! SA I EGËR SULMI I TË GJITHË POPUJVE E FISEVE TË BOTËS! SË SHPEJTI DO TË DËGJOHET NGA LARG E NGA AFËR ZHURMA E TURMAVE ANEMBANË AFRIKËS, ANEMBANË AMERIKËS, BRITMA E EVROPIANIT DHE E TURKUT, RËNKIMI I INDISË E I KINËS. QË TË GJITHË ATA DO TË NGRIHEN PËR T’I BËRË QËNDRESË KAUZËS SË TIJ. ATËHERË KALORËSIT E ZOTIT, TË NDIHMUAR PREJ HIRIT TË TIJ QIELLOR, TË FORCUAR NGA BESIMI, TË PËRKRAHUR NGA FUQIA E MIRËKUPTIMIT DHE TË PËRFORCUIAR NGA LEGJIONET E BESËLIDHJES, DO TË NGRIHEN DHE DO TA BËJNË TË DUKSHME TË VËRTETËN E VARGUT: ‘SHIKONI Ç’KONFUZION I KA PUSHTUAR FISET E TË MUNDURVE!’”
 Madhështore siç është lufta që paralajmërojnë fjalët e Tij, ato dëshmojnë gjithashtu për fitoren e plotë që përkrahësit e Emrit Më të Madh janë të destinuar të arrijnë më në fund. Popuj, kombe, pasues të besimeve të ndryshme do të ngrihen së bashku e njëri pas tjetrit për të lëkundur unitetin e tij, për të minuar forcën e tij dhe për të ulur emrin e tij të shenjtë. Ata do të sulmojnë jo vetëm frymën që ai ngulit, por edhe administratën që është kanali, instrumenti, trupëzimi i kësaj fryme. Sepse, ndërsa autoriteti me të cilin Bahá’u’lláh-u e ka veshur Konfederatën e ardhshme Bahá’í bëhet gjithnjë e më i dukshëm, aq më e egër do të jetë sfida që do të hidhet nga çdo anë mbi të vërtetat që ai përmban.
(Nga një letër e datës 21 mars 1930 dërguar Bahá’í-ve të Perëndimit, botuar në “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura”, f.17-18)

277. Ndarja që ka filluar midis institucioneve të Besimit Bahá’í dhe organizatave klerikale Islamike që i kundërvihen atij—një lëvizje që pat lindur në Egjipt dhe tani po përhapet në mënyrë të qëndrueshme anembanë Lindjes së Mesme, e që me kohë do t’ia komunikojë ndikimin e vet Perëndimit—i imponon çdo përkrahësi besnik të Kauzës detyrimin që të shmangë çdo fjalë a veprim që mund të dëmtonte pozitën që armiqtë tanë, në vitet e fundit e me vetë pëlqimin e tyre, kanë shpallur e vendosur. Zhvillimi historik, fillimet e të cilit nuk mund të njiheshin madje as të parashikoheshin në vitet menjëherë pasi ndërroi jetë ‘Abdu’l-Bahá-i, mund të thuhet se kanë sinjalizuar Periudhën Formuese të Besimit tonë dhe kanë shtruar rrugën për konsolidimin e Rendit të Tij Administrativ. Ndërsa kjo lëvizje përshpejtohet, ndërsa ajo merr shtysa të reja nga qëndrimi e nga veprimi i ardhshëm i autoriteteve civile në Persi, ajo do të shfaqë në mënyrë të pashmangshme reperkusionet e saj në Perëndim dhe do të ngrejë drejtuesit e Kishës e, më në fund, autoritetet civile për të sfiduar rivendikimet e, me kalimin e kohës, për të njohur statusin e pavarur të Fesë së Bahá’u’lláh-ut.… Kundërshtarët tanë në Lindje e filluan betejën. Kundërshtarët tanë të ardhshëm në Perëndim, nga ana  e tyre, do të ngrihen e do ta çojnë atë në një fazë të mëtejshme. Detyra jonë, në pritje të kësaj ndeshjeje të pashmangshme, është të mbështesim pa lëkundje e me besnikëri të plotë integritetin e besimit tonë dhe të tregojmë tiparet dalluese të institucioneve të tij të caktuara në mënyrë hyjnore.
(Nga një letër e datës 15 qershor 1935 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Mesazhe për Amerikën: Letra  dhe Telegrame të Zgjedhura drejtuar Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946” (Wilmette:Trusti Botues Bahá’í, 1947), f.4-5)

278. Që forcat e afetarisë, të një filozofie thjesht materialiste, të paganizmit të hapur janë lëshuar, tani po përhapen dhe, duke konsoliduar veten, kanë filluar të pushtojnë disa prej institucioneve kristiane më të fuqishme të botës Perëndimore, këtë asnjë vëzhgues i paanshëm nuk mund të mos e pranojë. Që këto institucione po bëhen gjithnjë e më të shqetësuara, që disa prej tyre janë tashmë disi të vetëdijshme për ndikimin depërtues të Kauzës së Bahá’u’lláh-ut, që ato, ndërsa forca e tyre e brendshme keqësohet dhe disiplina e tyre shthuret, do ta shohin me një ndjenjë gjithnjë e më të thellë frike ngritjen e Rendit të Ri Botëror të Tij dhe gradualisht do të vendosin ta sulmojnë atë, që një kundërvënie e tillë nga ana saj do ta shpejtojë rënien e tyre, këtë pyetje vetëm pak, ndoshta asnjë, prej atyre që e ndjekin me vëmendje përparimin e Besimit të Tij janë të prirur ta venë në dyshim.
 …
 Ky kërcënim i shekullarizmit që ka sulmuar Islamin dhe po minon institucionet që i kanë mbetur, që ka pushtuar Persinë, ka depërtuar në Indi dhe ka ngritur kokën me triumf në Turqi, është shfaqur tashmë si në Evropë dhe në Amerikë dhe, në këtë ose atë shkallë, në forma e me synime të ndryshme, po sfidon bazat e çdo feje të stabilizuar…
(Nga një letër e datës 11 mars 1936 dërguar Bahá’í-ve të Perëndimit, botuar në “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura” f.180-81)
 
279. Të ngarkuara me të vërtetë janë vitet që shtrihen para nesh. Proceset binjake të shpërbërjes së brendshme e të kaosit të jashtëm po shpejtohen çdo ditë dhe po lëvizin në mënyrë të papëmbajtshme drejt kulmit.… Komuniteti i Emrit Më të Madh, majaja që duhet të fermentojë gjithë brumin, pjesa e zgjedhur që duhet të mbijetojë shembjen e Rendit të vjetër, të diskretituar e të lëkundur dhe të ndihmojë për shpalosjen e një rendi të ri në vend të tij, po qëndron në gatishmëri, vigjilent, me vizion të qartë e i vendosur.… Të egra e të shumta do të jenë sulmet me të cilat qeveritë, racat, klasat dhe fetë, xheloze për rritjen e prestigjit të tij dhe të trembura nga konsolidimi i forcës së tij, do të kërkojnë ta bëjnë të hËshtë zërin e tij dhe të minojnë themelet e tij. I patundur nga errësira relative që e rrethon atë në kohën e tanishme dhe pa iu trembur syri nga forcat që do të rreshtohen kundër tij në të ardhmen, unë kam besim të plotë se ky komunitet, sado të dhembshme që janë agonitë e një epoke të trazuar, do të ndjekë fatin e vet, pa u larguar nga rruga e tij, i paturbulluar në qetësinë e tij, i papërkulur në vendosmërinë e tij, i palëkundur në bindjet e tij.
(Nga një letër  e datës 5 korrik 1988 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kandasë, botuar në “Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura dërguar Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946”, f.13-14)
 
280. Si munden fillimet e një përmbysjeje botërore, të cilat çlirojnë forca që po çrregullojnë kaq rëndë ekuilibrin shoqëror, fetar, politik e ekonomik të shoqërisë së organizuar, duke hedhur në kaos e konfuzion sisteme politike, doktrina raciale, koncepte sociale, standarte kulturore, shoqata fetare e marrëdhënie tregtare—si mundet që tronditje të tilla, në një shkallë kaq të gjerë, kaq pa precedent, të mos shkaktojnë reperkusione në institucionet e një Besimi në moshë kaq të njomë, mësimet e të cilit kanë lidhje të drejtpërdrejtë e jetësore me çdonjërën prej këtyre sferave të jetës e të sjelljes njerëzore?
 S’është ndonjë çudi e madhe, pra, në qoftë se ata që mbajnë lart flamurin e një Besimi kaq të përhapur, të një Kauze kaq sfiduese, e shohin veten të ndikuar nga shtytja e këtyre forcave që trondisin botën. S’është për t’u habitur, në qoftë se ata shohin që, midis kësaj vorbulle pasionesh kontestuese, liria e tyre të cungohet, parimet e tyre të përçmohen, institucionet e tyre të sulmohen, motivet e tyre të shahen, autoriteti i tyre të rrezikohet, pohimet e tyre të hidhen poshtë.
 …
 As duhet lejuar të kalojë pa u vënë re ndonjë prej mundësive të shumta e krejt të ndryshme, që evolucioni i vetë Besimit, qoftë në qendrën e tij botërore ose në kontinentin Amerikanoverior, ose edhe në krahinat më të largëta të tokës, duhet të krijojë, duke u bërë sërish thirrje besimtarëve amerikanë të luajnë një rol jo më pak të shquar se ai që kanë luajtur më parë me ndihmesat e tyre kolektive për përhapjen e Kauzës së Bahá’u’lláh-ut. Unë, tani për tani, mundem vetëm të citoj me ç’më vjen ndërmend disa prej këtyre mundësive që bien më tepër në sy, në një përpjekje për të dhënë një pasqyrë të mundësive të së ardhmes: …çlirimi i komuniteteve Bahá’í nga prangat e ortodoksisë fetare në vende të tilla islamike si Persia, Iraku dhe Egjipti, si dhe njohja pastaj nga autoritet civile në këto shtete e statusit të pavarur dhe e karakterit fetar të Asambleve Kombëtare e Lokale Bahá’í; masat parandaluese e mbrojtëse, që duhen projektuar, bashkërenduar e zbatuar për t’iu kundërvënë forcës së sulmeve të pashmangshme që përpjekjet e organizuara të organizatave kishtare të emërtimeve të ndryshne do të ndërmarrin hap pas hapi e do t’i vazhdojnë pareshtur; dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, numri i madh i çështjeve që duhen përballuar, pengesat që duhen kapërcyer dhe përgjegjësitë që duhen marrë, për t’i dhënë mundësi këtij Besimi të sprovuar në vështirësi të kalojë përmes fazave të mëtejshme të një errësire të thellë, të një shtypjeje aktive e të emancipimit të plotë, që nga ana e tyre do të çojnë në njohjen e tij si besim i pavarur që gëzon statusin e barazisë së plotë me fetë simotra, gjë që do të pasohet nga vendosja dhe njohja e tij si Fe shtetërore, e cila nga ana e saj duhet t’i hapë rrugën fitimit prej tij të të drejtave e prerogativave të lidhura me shtetin Bahá’í që funksionon me pushtet të plotë, fazë kjo që duhet të arrijë më në fund kulmin me lindjen e Konfederatës Bahá’í që merr jetë tërësisht nga fryma e Bahá’u’lláh-ut dhe që vepron vetëm në përputhje të drejtpërdrejtë me ligjet e parimet e Tij.
 …
 Në zhvillimin e kësaj kryqëzate të dyfishtë, luftëtarët trima që luftojnë në emër e për Kauzën e Bahá’u’lláh-ut, do të ndeshin doemos një rezistencë të ashpër dhe do të pësojnë shumë kthime prapa. Ata, jo më pak se furinë e forcave konservatore, duhet të njohin, të përballojnë me vendosmëri dhe të kapërcejnë plotësisht vetë instinktet e tyre, kundërvënien e interesave pasurore dhe kundërshtimet e një gjenerate të korruptur e që rend pas dëfrimeve. Ndërkohë që organizojnë e shtojnë mjetet e tyre mbrojtëse për ndeshjen që afrohet, stuhi fyerjesh e talljesh dhe fushata dënimi e shpifjesh mund të shpërthejnë kundër tyre. Ata shpejt mund të shohin se Besimi i tyre është sulmuar, synimet e tyre janë shtrembëruar, qëllimet e tyre janë përgojuar, aspiratat e tyre janë vënë në lojë, institucionet e tyre janë përçmuar, ndikimi i tyre është ulur, autoriteti i tyre është minuar dhe Kauza e tyre, herë pas here, është braktisur prej disa njerëzve që ose nuk janë të aftë të vlerësojnë natyrën e idealeve të tyre, ose nuk duan të mbajnë peshën e kritikave gjithnjë e më të shumta që një kundërvënie e tillë me siguri do të sjellë. “Për shkak të ‘Abdu’l-Bahá-it”, ka profetizuar Mjeshtri i shumëdashur, “do të ndodheni para sprovash të shumta. Halle do t’ju bien mbi kokë dhe vuajtje do t’ju brengosin.”
 Por ushtria e pamposhtur e Bahá’u’lláh-ut, së cilës i takon të zhvillojë në Perëndim, në njërën prej vatrave të stuhive të mundshme këtu, në emër e për hir të Tij, një prej betejave më të ashpra e më të lavdishme, nuk duhet t’i trembet asnjë kritike që mund të drejtohet kundër saj. Le të mos zmbrapset ajo nga asnjë dënim, me anë të të cilit gjuha e shpifësit mund të kërkojë t’ia poshtërojë motivet. Le të mos tërhiqet përballë avancimit kërcënues të forcave të fanatizmit, të ortodoksisë, të korrupsionit e të paragjykimit që mund të bashkohen kundër saj. Zëri i kritikës është një zë që tërthorazi mbështet shpalljen e Kauzës së saj. Mosdhënia popullaritet s’bën tjetër veçse nxjerr më tepër në pah kontrastin midis saj e kundërshtarëve të saj, ndërsa dëbimi nga shoqëria është në vetvete fuqia magnetike që, më në fund, do të tërheqë në kampin e saj armiqtë më zhurmëmëdhenj e më kokëfortë të saj.…
(Nga një letër e datës 25 dhjetor 1938 dërguar Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f.2-3; f.14-15; f.41-42)

281. As duhet që një shqyrtim i tipareve të shquara të një shërbimi kaq të bekuar e të frytshëm, të lerë pa përmendur profecitë që ka shkruar penda e pagabueshme e Qendrës së caktuar të Besëlidhjes së Bahá’u’lláh-ut! Ato parashikojnë sulmin e egër që marshimi i pandalshëm i Besimit duhet të provokojë në Perëndim, në Indi dhe në Lindjen e Largme, kur ai të ndeshë grupet e shenjtëruara klerikale të fesë së krishterë, budiste e hindu. Ato parashikojnë rrëmujën që çlirimi nga prangat e ortodoksisë fetare do të shkaktojë në kontinentet e Amerikës, të Evropës, të Azisë e të Afrikës.…
(“Perëndia Kalon Pranë”, bot.i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1987) f.315)
 

282. Nuk ka rëndësi sa e gjatë është periudha që i ndan ata nga fitorja përfundimtare; sa e vështirë është detyra; sa të mëdha përpjekjet që kërkohen prej tyre; sa të errëta ditët që njerëzimi, i hutuar e i rraskapitur, duhet të kalojë në orën e tij të vështirë; sa të rënda sprovat me të cilat do të ndeshen ata që do t’i kthejnë atij mirëqenien; sa të hidhura shigjetat që armiqtë e tanishëm, si dhe ata që Providenca, përmes dispensacioneve të Saj misterioze, do të ngrejë nga brenda e nga jashtë, mund të lëshojnë si shi mbi ta, sa e dhembshme sprova e ndarjes së përkohshme nga zemra dhe qendra nervore e Besimit të tyre, që trazira të ardhme të paparashikueshme mund t’u imponojnë atyre, unë u përgjërohem atyre, për gjakun e çmuar që ka rrjedhur lumë, për jetën e shenjtorëve e të heronjve të panumërt që janë flijuar, për sakrificën supreme, të lavdishme të Profetit-Lajmëtar të Besimit tonë, për vuajtjet që Vetë Themeluesi i tij përjetoi me gatishmëri që Kauza e Tij të jetonte, që Rendi i Tij të shpëtonte botën e copëtuar dhe lavdia e tij të mbulonte gjithë planetin—u përgjërohem atyre, ndërsa kjo orë solemne afrohet, të vendosin që kurrë të mos lëkunden, kurrë të mos ngurrojnë, kurrë të mos qetësohen, derisa të shpallet se çdo objektiv i Planeve, në një kohë të mëvonshme, të jetë kryer plotësisht.
(Nga një letër e datës 30 qershor 1952 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, botuar në “Mesazhe për Botën Bahá’í, 1950-1957”, (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1971), f.38-39)

283. …pa iu trembur zhurmës që eksponentët e ortodoksisë fetare me siguri do të ngrejnë, ose masave shtrënguese që mund të imponojnë udhëheqësit politikë; pa u dëshpëruar për numrin e vogël të tyre dhe numrin e madh të armiqve të mundshëm të tyre; të armatosur me armët efikase që vetë duart e tyre kanë farkëtuar ngadalë e me përpjekje të mëdha në pritje të kësaj ndeshjeje të lavdishme e të pashmagshme me forcat e organizuara të bestytnisë, të korrupsionit e të mosbesimit; duke e mbështetur gjithë besimin në fuqinë e pashoqe të mësimeve të Bahá’u’lláh-ut, në pushtetin gjithënënshtrues të forcës së Tij dhe në pagabueshmërinë e premtimeve të Tij të lavdishme e shpesh të përmendura, le të çajnë ata përpara…
(Nga një letër e datës 25 qershor 1953 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, botuar në “Kështjella e Besimit: Mesazhe për Amerikën, 1947-1957” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1980), f.120)
 
284. Problemet administrative me të cilat ndesheni janë të ndryshme e komplekse. Kundërvënia që ky besim i cili po lind duhet të përballojë, veçanërisht nga udhëheqësit e ortodoksisë fetare në vendet Islamike të Veriut, do të bëhet më e dukshme dhe më e ashpër, sa më shumë shtohen institucionet e këtij Besimi….
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 2 korrik 1956, shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Afrikës Veriperëndimore)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË SHOGHI EFFENDIUT:

285. Për historinë e Kauzës, veçanërisht në Persi, është një ilustrim i qartë i së vërtetës që përndjekje të tilla shërbejnë gjithmonë për t’i forcuar besimtarët në besimin e tyre, duke stimuluar fuqitë shpirtërore që fshihen në zemrat e tyre dhe duke zgjuar tek ata një ndërgjegje të re e më të thellë të detyrave e të përgjegjësive të tyre kundrejt Besimit. Me të vërtetë, përparimi i thjeshtë i Kauzës, duke provokuar urrejtjen e xhelozinë e popujve e të kombeve, i krijon vetes vështirësi e pengesa të tilla që vetëm shpirti hyjnor i saj mund t’i mposhtë. ‘Abdu’l-Bahá-i ka theksuar solemnisht se armiqësia e kundërvënia e botës do të shtohen në përpjesëtim të drejtë me zgjerimin e përparimin e Besimit. Sa më i madh të jetë zelli i besimtarëve dhe sa më i habitshëm efekti i arritjeve të tyre, aq më e egër do të bëhet kundërvënia e armikut.
(20 janar 1935, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Indisë e të Birmanisë)
 
286. Ai, me të vërtetë, i ka krejt të qarta vështirësitë me të cilat miqtë, jo vetëm në qendrën tuaj por në gjithë botën, ndeshen çdo ditë në përpjekjet për të vendosur e përsosur mekanizmin administrativ të Besimit. Por këto vështirësi e pengesa ai i konsideron të pash-mangshme, sepse janë të shkrira në vetë procesin përmes të cilit Kauza e Bahá’u’lláh-ut është e destinuar të zhvillohet e të arrijë përfundimisht mbisundimin e vet në botë. Vështirësi të tilla jo vetëm janë të pashmangshme, por ato duhen parë, në fakt, si provë e dhënë nga Perëndia, me anë të së cilës miqtë munden dhe me siguri do të pasurojnë e përsosin energjitë shpirtërore e morale që fshihen brenda tyre, dhe në këtë mënyrë do të ndihmojnë për vendosjen e atij qytetërimi Hyjnor që Perëndia u ka premtuar atyre.
 Sprovat e vuajtjet, na ka paraljmëruar vazhdimisht Bahá’u’lláh-u  në Tabelat e Tij, janë si vaji që ushqen llambën. Kauza nuk mund të zbulojë shkëlqimin e vet të plotë, sakohë e derisa ajo të mos ndeshet e kapërcejë me sukses çdo pengesë që herë pas here i del në rrugën e saj dhe që për njëfarë kohe duket sikur kërcënon vetë themelet e saj. Të tilla pengesa, prova e sprova janë në të vërtetë bekime të fshehura dhe, si të tilla, kanë për qëllim të ndihmojnë për të çuar përpara Besimin.
(31 Korrik 1935, dërguar një besimtari individual)

287. …megjithatë ai me të vërtetë u hidhërua kur mësoi për kundërvënien e vazhdueshme e keqdashëse që armiqtë e Kauzës në …, e veçanërisht elementi klerik, po zhvillojnë kundër besimtarëve në atë qendër. Por ai dëshiron që ju t’i shtyni miqtë të mos ndjehen aspak të dëshpëruar e të dekurajuar, por të vazhdojnë me vendosmëri, unitet e energji të ripërtërirë detyrën e tyre të shenjtë të përhapjes e të vendosjes së Besimit, të bindur për të ardhmen e lavdishme që i pret. Sa më i madh të jetë numri i përndjekjeve dhe sa më të egra të bëhen ato nga karakteri, aq më i thellë duhet të jetë besimi i tyre në misionin e pashoq që u ka besuar Bahá’u’lláh-u, dhe aq më i madh duhet të jetë zelli i tyre për të shpejtuar përmbushjen e plotë të tij.
 Kjo Kauzë, si çdo Kauzë Hyjnore, nuk mund të vendoset efektivisht, veç në qoftë se ndeshet e triumfon me trimëri mbi forcat antagoniste që e sulmojnë. Historia e Besimit është në vetvete një provë e mjaftueshme për këtë. Sprovat e përndjekjet gjithmonë kanë qenë, dhe do të vazhdojnë të jenë, fati i të zgjedhurve të Perëndisë. Por ata duhet t’i konsiderojnë këto si bekime të fshehura, pasi përmes tyre besimi i tyre do të gjallërohet, spastrohet e fuqizohet. Bahá’u’lláh-u i krahason sprova të tilla vuajtjesh me vajin që ushqen llambën e Kauzës së Perëndisë.
 Prandaj miqtë nuk duhet të mbajnë ndaj përndjekjeve një qëndrim thjesht nënshtrimi. Përkundrazi, ata duhet t’i mirëpresin ato dhe t’i përdorin si mjet për ngritjen e vet shpirtërore, si dhe për të çuar përpara Kauzën. Ndërsa Besimi bëhet më i fuqishëm dhe tërheq seriozisht vëmendjen e konsideratën e botës së jashtme , miqtë duhet të presin një rritje të ngjashme, nëse jo edhe më të madhe, të forcave të opozitës, të cilat nga çdo drejtim, si laik dhe fetar, do të grumbullohen për të shkatërruar vetë themelin e ekzistencës së tij. Rezultati përfundimtar i një lufte të tillë, që me siguri do të jetë kolosal, është i qartë për besimtarët. Një Besim i lindur nga Perëndia dhe i drejtuar nga shpirti i Tij Hyjnor e gjithpërshkues nuk mundet veçse të triumfojë përfundimisht dhe të vendoset në mënyrë të patundur, sado këmbëngulëse e të pabesa të jenë forcat me të cilat i duhet të ndeshet. Miqtë duhet të kenë besim e të veprojnë me urtinë e moderimin më të madh, dhe sidomos të shmangin çdo veprim provokues. E ardhmja u përket në mënyrë të sigurt atyre.
(24 qershor 1936, dërguar një besimtari individual)
 
288. Më tepër ai ka frikë për ata miq që, për shkak të kuptimit të tyre të pamjaftueshëm të fuqisë hyjnore që vepron në mënyrë misterioze në Besimin, janë të prirur t’i shohin zhvillime të tilla si këmbanë të vdekjes për Kauzën. Në komunikimet e tij me … miqtë gjatë këtyre javëve të fundit,  ai ka theksuar gjithnjë faktin, dhe ai dëshiron që ju të bëni të njëjtën gjë në të gjitha bisedat e korrespondencën tuaj me ta, që Kauza është e detyruar shpejt a vonë të vuajë nga gjithfarëlloj sulmesh e përndjekjesh, që këto krijojnë në fakt vitalitetin e institucioneve të saj dhe, si të tilla, përbëjnë një pjesë të pandarë e thelbësore të zhvillimit e të rritjes së saj. Sprovat e vështirësitë, siç thotë Bahá’u’lláh-u, janë vaji që ushqen llambën e Kauzës dhe janë, në të vërtetë, bekime të fshehura. Prandaj miqtë duhet të kenë besim se të gjitha këto sulme të cilave u nënshtrohet Kauza tani … janë pjesë e nevojshme e zhvillimit të Kauzës dhe se rezultati i tyre do të jetë dobiprurës për interesat e saj më të mira.
(31 gusht 1937, dërguar një besimtari individual)

289. Më vonë, kur vetë progresi i Kauzës, nga njëra anë, dhe rënia përkatëse në organizatat klerikale, nga ana tjetër, do t’i nxisë në mënyrë të pashmangshme krerët kishtarë kristianë që t’i kundërvihen e ta minojnë me tërbim Besimin, atëhere besimtarët do të kenë mundësinë reale që ta mbrojnë e ta mbështesin Kauzën….
(25 maj 1938, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë)

290. Duket  e çuditshme e për të ardhur keq që Kisha dhe kleri të jenë gjithmonë, në çdo epokë, kundërshtarët më të egër të po asaj të Vërtete që ata vazhdimisht u kërkojnë pasuesve të tyre të jenë të përgatitur ta pranojnë! Ata janë kapur në mënyrë aq të tërbuar pas formës, saqë vetë përmbajtja u shpëton atyre!
 Por të tilla akuza publike që prifti juaj ka bërë publikisht kundër jush dhe kundër Besmit Bahá’í, nuk mund t’i shkaktojnë asnjë dëm Kauzës; përkundrazi, ato shërbejnë vetëm për ta përhapur emrin e saj jashtë dhe për ta shquar atë si një fe të pavarur.
(7 shkurt 1945, dërguar një besimtari individual)

291. Është shumë keq që disa prej Miqve janë larguar nga Besimi për shkak të presionit të krerëve të Kishës. Sigurisht, ishte e pashmangshme që krerë të Kishës të na kundërviheshin neve. Mjeshtri ka parashikuar që kjo do të ndodhte; dhe po kështu, vetë natyra e ngjarjeve përmes të cilave Besimi rritet e zhvillohet, duke i larguar Kishës anëtarë të saj, do të shkaktojë reagimin e Kishës kundër nesh. Ne duhet të kemi parasysh se çdo sulm i krerëve fetarë në të kaluarën ka qenë një mjet për zhvillimin e Besimit, sepse ata që i dëgjojnë sulmet s’mund veçse të ndikohen nga pastërtia e sinqeriteti i Besimit.
(19 qershor 1957, dërguar një besimtari indviual)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA PREJ SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË:

292. Fitoret e mrekullueshme të arritura në emër të Bahá’u’lláh-ut, … dhe triumfet e arritura gjithnjë e më shumë prej të dashurve të Tij të përkushtuar e të zjarrtë në çdo vend, do të shërbejnë padyshim për t’i nxitur armiqtë e brendshëm e të jashtëm të Besimit që të përpiqen të bëjnë sulme të reja kundër Besimit dhe të ulin entusiazmin e përkrahësve të tij…
 …shpalosja progresive dhe marshimi përpara i Besimit të Perëndisë janë të destinuara të krijojnë armiq, duke paralajmëruar padyshim kundërvënien mbarëbotërore që do të vijë dhe duke dhënë në mënyrë të pagabueshme sigurinë e fitores përfundimtare.
 Ne e ndiejmë fort se …. ka ardhur koha që ata [miqtë] të kuptojnë qartë pashmangësinë e ndeshjes kritike që kanë përpara, t’ju japin juve mbështetjen e tyre të plotë për të zbrapsur me besim e vendosmëri “shigjetat” që do të lëshojnë kundër tyre “armiqtë e tanishëm, si dhe ata që Providenca, përmes dispensacioneve të Saj misterioze, do të ngrejë nga brenda e nga jashtë”, dhe ta ndihmojnë e t’i japin mundësi Besimit të Perëndisë të ngjitet në maja më të larta, të fitojë më shumë shenja triumfi dhe të përshkojë faza më jetësore në kursin e tij të paracaktuar për të arritur fitoren e plotë dhe mbizotërimin mbarëbotëror.
(26 nëntor 1974, të gjitha Asambleve Shpirtërore Kombëtare)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË:

293. …Shtëpia Universale e Drejtësisë na udhëzon të themi se duhet parashikuar që do të shkruhen libra kundër Besimit, duke u përpjekur të shtrembërojnë mësimet e tij, të errësojnë arritjet e tij, të përflasin Themeluesit e drejtuesit e tij dhe të shkatërrojnë vetë themelet e tij. Miqtë nuk duhet të shqetësohen tej mase kur të dalin këta libra dhe sigurisht që ata nuk duhet ta bëjnë problem.
(30 Mars 1976,  Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Honkongut)

294. Ndërsa puna juaj e mësimit dhe e përhapjes shkon përpara, me siguri do të ketë gjithnjë e më shumë konfrontime me institucionet e vjetra fetare në …, dhe është ajo lloj besnikërie që tregohet qartë nga … që do t’i sjellë respekt Kauzës dhe do të tërheqë konfirmimet e Bahá’u’lláh-ut.
(7 qershor 1981,  Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Irlandës)

295. …Në këto ditë Bahá’í-të mund të presin që flaka e fanatizmit të ndizet midis armiqve të Besimit në vendet myslimane. Duke përballuar sulmet, miqtë duhet të mësojnë të kombinojnë shpirtin e qëndrueshmërisë e të kurajës me dashurinë e urtinë. Ata duhet të shmangin debatin e konfliktin dhe të sillen vetë në mënyrë që të mos provokojnë shpagim. Kjo përfshin maturinë në veprimtaritë e tyre mësimore.
(22 gusht 1983, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bangladeshit)

296. Duke pasur parasysh rritjen e fanatizmit e të fundamentalizmit fetar në shumë pjesë të botës, mund të jetë koha që Asambleja juaj Kombëtare të përpiqet t’i armatosë Bahá’í-të kundër sulmeve të tilla si ato që paraqiten në këtë libër, {5} të cilat janë aq tipike për qëndrimin e kishave të krishtera. Shpejt a vonë, siç e dini, këto kisha do të ngrihen kundër Kauzës.
 Prandaj nga ju kërkohet të shihni mundësinë që t’i thoni një personi të kualifikuar ose një grupi personash të përgatisin materiale të përshtatshme, ndoshta për ndonjë broshurë, të cilën miqtë mund ta përdorin kur ndeshen me shtrembërime të Mësimeve Bahá’í nga të krishterët.
(18 tetor 1984, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

II. “Marshimi i pandalshëm i Besimit të Bahá’u’lláh-ut”
 (Shoghi Effendi, “Mesazhe për Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura dërguar Bahá’í-ve të
 Amerikës së Veriut”, f 51)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT:
 
297. Thuaj: Vuajtja është një horizont i Revelacionit Tim. Ylli i Ditës i mirësisë shkëlqen mbi të, duke përhapur një dritë, të cilën as retë e fantazisë boshe të njerëzve dhe as imagjinatat e kota të agresorit nuk mund ta errësojnë.
 Ndiq hapat e Zotit Tënd dhe kujtoji shërbëtorët e Tij, ashtu si Ai të kujton ty, pa u shqetësuar as për zhurmën e moskokëçarësve as për shpatën e armikut… Përhap gjithandej shijet e ëmbla të Zotit Tënd dhe mos ngurro, qoftë edhe për një çast të vetëm, t’i shërbesh Kauzës së Tij. Po afrohet Dita kur do të shpallet fitorja e Zotit Tënd, Gjithëpërdëllenjësit, Bujariplotit.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr.17, f.42-43)

298. Shikoni sesi në këtë Dispensacion njerëzit pa vlerë e të marrët kanë imagjinuar me naivitet se me mjete të tilla si masakra, plaçkitja e syrgjynosja mund të fikin Llambën që ka ndezur Dora e fuqisë Hyjnore, ose të eklipsojnë Yllin e Ditës të shkëlqimit të përjetshëm. Ata duket se janë krejt të paditur për të vërtetën që pikërisht kundërshtime të tilla janë vaji që ushqen flakën e kësaj Llambe! E tillë është fuqia transformuese e Perëndisë. Ai ndryshon çdo gjë që dëshiron; Ai me të vërtetë ka pushtet mbi të gjitha gjërat…
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr.29, f.72)

299. Thuaj: Stuhitë e ciklonet e egra të botës e të popujve të saj kurrë nuk mund të lëkundin themelet mbi të cilat është bazuar stabiliteti prej graniti i të zgjedhurve të Mi. Perëndi i mëshirshëm! Çfarë i ka shtyrë këta njerëz të skllavërojnë e burgosin të dashurit e Atij që është E Vërteta e Përjetshme?… Por dita po afrohet, kur besnikët do të shohin Yllin e Ditës të Drejtësisë të ndriçojë me tërë shkëlqimin nga Agimi i lavdisë. Kështu të mëson Zoti i të gjitha qenieve në këtë Burg të vështirë të Tij.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, nr.163, f.341-342)

300. Në çdo vuajtje të re, Ai ka shfaqur një masë më të plotë të Kauzës Tënde dhe e ka lartësuar akoma më shumë Fjalën Tënde.
(“Lutje dhe Meditime nga Bahá’u’lláh-u”, (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1987), sek.31, f.37)

301. Sikur ata të përpiqen të fshehin dritën e Tij mbi kontinent, Ai me siguri do të nxjerrë kokën në vetë zemrën e oqeanit dhe, duke ngritur zërin, do të shpallë: “Unë jam jetëdhënësi i botës!”…Dhe sikur ata ta hedhin Atë në një pus të errët, do ta gjejnë të ulur mbi majat më të larta të tokës, duke i thirrur me zë të lartë gjithë njerëzimit: “Ja, Dëshira e botës ka ardhur në madhërinë e Tij, në sovranitetin e Tij, në zotërimin e Tij sublim!” Dhe sikur Atë ta varrosin nën thellësitë e tokës, Shpirti i Tij, duke fluturuar në lartësitë e qiellit, do të trumbetojë thirrjen: “Soditni ardhjen e Lavdisë, shikoni Mbretërinë e Perëndisë, më të Shenjtit, të Hirshmit, Fuqiplotit!”…
(Cituar në Shoghi Effendi, “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura”, f.108)
 
302. Në këtë moment Ne thërrasim në kujtesë të dashurit Tanë dhe u sjellim atyre lajmin e gëzuar të mirësisë së sigurt të Perëndisë dhe të gjërave që janë caktuar për ta në Librin Tim të shkëlqyer. Ju keni duruar poshtërimet e armiqve për hir të dashurisë Sime dhe keni përjetuar të patundur në Shtegun Tim mizoritë e rënda që të pabesët kanë kryer kundër jush. Për këtë dëshmoj Unë Vetë, dhe Unë jam i Gjithëdijshmi. Sa i madh është numri i vendeve që janë fisnikëruar me gjakun tuaj për hir të Perëndisë. Sa shumë janë qytetet ku është ngritur zëri i vajtimeve tuaja dhe është ndier rënkimi i vuajtjes suaj. Sa të shumta janë burgjet ku ju kanë hedhur hordhitë e tiranisë. Dijeni me siguri se Ai do t’ju bëjë fitimtarë, do t’ju lartësojë midis popujve të botës dhe do të tregojë rangun tuaj të lartë para syve të të gjitha kombeve. Me siguri, Ai nuk do të lejojë që shpërblimi i të preferuarve të Tij të humbasë.
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut Reveluar pas Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas]” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1988), f.246-47)

303. Me të vërtetë Zoti e bën Kauzën e Tij fitimtare një herë nëpërmjet ndihmës së armiqve të tij dhe një herë tjetër në sajë të ndihmës së të zgjedhurve të Tij. Në lidhje me këta shpirtra të dëlirë e të bekuar Penda Jonë e lavdisë ka reveluar atë që ia kalon botës mbarë, thesareve të saj e gjithçkaje që ekziston në të. Së shpejti të shkujdesurit dhe ata që bëjnë të këqia do të shpërblehen për atë që duart e tyre kanë bërë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes)

304. Gjithçka që ndodh në botën e qenieve është dritë për të dashurit e Tij dhe zjarr për njerëzit e rebelimit e të konfliktit. Edhe sikur të gjitha humbjet e botës t’i pësonte njëri prej miqve të Perëndisë, ai përsëri do të përfitonte nga kjo, ndërsa humbjen e vërtetë do ta pësonin ata që janë të paqëndrueshëm, injorantë e kryelartë. Megjithëse autori {6} i thënies që vijon nënkuptonte diçka tjetër, Ne megjithatë e gjejmë me vend që ajo tregon veprimin e Vullnetit të pandryshueshëm të Perëndisë:
 “Tek a çift, ti do ta fitosh bastin.” Miqtë e Perëndisë do të fitojnë e përfitojnë në të gjitha rrethanat dhe do të arrijnë begatinë e vërtetë. Në zjarr ata mbeten të ftohtë dhe nga uji dalin të palagur. Punët e tyre ndryshojnë nga punët e njerëzve. Shorti i tyre është fitimi, cilado qoftë marrëveshja. Për këtë dëshmon çdo i mençur symprehtë dhe çdo njeri i ndershëm që i ka veshët hapur.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET DHE THËNIET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT:

305. Miqtë e Perëndisë i mbështet Mbretëria e epërme dhe ata i arrijnë fitoret nëpërmjet ushtrive të grumbulluara të udhërrëfimit më të madh. Kështu, për ta çdo vështirësi do të sheshohet, çdo problem do të zgjidhet shumë lehtë.
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, nr. 221, f.279)

306. Së shpejti krahinat Perëndimore do bëhen po aq rretatuese sa dhe horizontet e Lindjes, dhe Dielli i së Vërtetës do të shkëlqejë me një ndriçim që do ta bëjë errësirën e gabimit të venitet e të zhduket. Të shumtë janë ata që do të ngrihen për t’ju kundërshtuar, që do t’ju shtypin, që do të hedhin akuza mbi ju, që do të gëzohen për fatkeqësitë tuaja, që do t’ju konsiderojnë si njerëz që duhen shmangur dhe do të lëshojnë fyerje kundër jush; megjithatë Ati juaj qiellor do t’ju japë juve një ndriçim të tillë shpirtëror që do të bëheni si rrezet e diellit, i cili, ndërsa ato dëbojnë retë e errëta, del për ta përmbytur me dritë sipërfaqen e tokës. Është detyra juaj, sa herë që këto sprova t’ju bien mbi kokë, të qëndroni të patundur dhe të jeni të duruar e të qëndrueshëm. Në vend që t’i përgjigjeni së keqes me të keqe, ju duhet t’i qetësoni kundërshtarët me mirësinë e mirëdashjen më të madhe, dhe kurrsesi të mos i vini rëndësi mizorive e fyerjeve, përkundrazi t’i shihni ato si çapkënllëqe fëmijësh. Sepse më në fund rrezatimi i Mbretërisë do ta mposhtë errësirën e botës së qenies, dhe karakteri i shenjtë e i lartë i qëllimeve tuaja do të bëhet i dukshëm në mënyrë të pagabueshme.  Asgjë nuk do të mbetet e fshehur: vaji i ullirit, edhe pse i vendosur në qilarin më të thellë, do të digjet një ditë me shkëlqim lart në fanar. I vogli do të bëhet i madh, dhe të pafuqishmit do t’i jepet forcë; ata që janë në moshë të njomë do të bëhen fëmijët e Mbretërisë, dhe ata që kanë shkuar në rrugë të gabuar do të udhëhiqen për në banesën e tyre qiellore.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes)

307. Ti ke shkruar në lidhje me rritjen e Kauzës së Perëndisë në vendin Tënd. Nuk ka dyshim se Besimi i Perëndisë do të përparojë nga dita në ditë në atë vend, sepse ai do të ndihmohet nga fuqia përforcuese e Shpirtit të Shenjtë dhe nga mbështetja e Fjalës së Perëndisë. As nuk ka ndonjë dyshim që pjesëtarët e klerit të krishterë do të ngrihen kundër tij me armiqësi të pamëshirshme, duke dashur t’ju godasin e t’ju shtypin dhe duke kërkuar t’ju sulmojnë me anë dyshimesh; sepse përhapja e Kauzës së Perëndisë do të çojë në zbehjen e fatit të tyre—ashtu siç u zbeh fati i farisejve para tyre—dhe do të sjellë humbjen e dinjitetit e të pozitës që ata gëzojnë midis njerëzve.
 Reflekto për kohën e Jesuit dhe për bëmat e klerikëve hebrenj e të farisejve. Bëma të tilla do të përsëriten në këtë ditë nga duart e këtyre klerikëve të krishterë. Por ju mos u shqetësoni; jini të vendosur e të qëndrueshëm, sepse është e sigurt që një kompani shpirtrash do të ngrihen, me dashuri të pafundme, për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. Këta shpirtra do t’ju shpërblejnë për hallet, poshtërimet e përbuzjen që pësoni nga klerikët:  vuajtjeve të shkaktuara nga këta të fundit, ata do t’u përgjigjen me akte mirësie, derisa më në fund, siç e ka treguar përvoja e kohëve të mëparshme, fëmijët e Mbretërisë do të arrijnë mbizotërimin dhe fitorja do të jetë e tyre. Të jeni të sigurt për këtë.
(Nga një Tabelë, përkthyer prej persishtes)

308. Të gjithë ata që ngrihen për t’i shërbyer Kauzës së Perëndisë do të përndiqen e keqkuptohen. Kështu ka qenë e do të jetë gjithmonë. Mos lejoni as armik as mik të prishë gjakftohtësinë tuaj, të shkatërrojë lumturinë tuaj, t’ju trembë nga vepra juaj. Mbështetuni tërësisht te Perëndia. Atëherë përndjekja dhe shpifjet do t’ju bëjnë më të gëzuar. Planet e armiqve tuaj do të kthehen kundër tyre. Jo ju, por ata do të vuajnë.
 Shtypja është era që i fryn zjarrit të dashurisë së Perëndisë. Mirëpriteni përndjekjen e hidhërimin. Një ushtar mund të mbajë armë, por derisa të mos ketë përballuar armikun në betejë, ai nuk e ka fituar vendin e tij në ushtrinë e mbretit. Asgjë le të mos ju mposhtë. Përkrahësi juaj është Perëndia. Perëndia është i pamposhtur. Jini të qëndrueshëm në Besëlidhjen Qiellore. Lutuni për forcë. Ajo do t’ju jepet, sado të vështira të jenë kushtet.
(“Star of the West”, vëll.4, nr.5 ( 5 qershor 1913), f.88 - përkthim i rish.)

309. Dhe tani, në qoftë se ju veproni në përputhje me mësimet e Bahá’u’lláh-ut, të jeni të sigurtë se do të ndihmoheni e mbështeteni. Ju do të dilni fitimtarë në çdo gjë që do të ndërmerrni dhe të gjithë banorët e tokës nuk do të jenë në gjendje t’ju bëjnë ballë. Ju jeni fitimtarë, sepse fuqia e Shpirtit të Shenjtë ju ndihmon. Mbi e tej të gjitha forcave fizike e fenomenale, vetë Shpirti i Shenjtë do t’ju ndihmojë.
(“Star of the West”, vëll. 8, nr.8 (1 gusht 1917), f. 103 - përkthim i rishikuar)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E SHOGHI EFFENDI-UT:

310. Nëse, në ditët që do të vijnë, ajo tokë {7} do të përfshihet nga vuajtje e fatkeqësi të ndryshme; nëse shtrëngesave të kohëve të sotme do t’u shtohet shpërthimi i përmbysjeve të gjera civile; nëse horizontet tashmë të errëta të vendit  do të bëhen edhe më të zymta e më kërcënuese, ju nuk duhet as t’ju pushtojë frika e dëshpërimi, as t’i lejoni vetes të largoheni, qoftë edhe një fije floku, nga ajo rrugë e sigurt dhe e menduar mirë që keni ndjekur deri tani—nga vazhdimi, me fjalë të tjera, i punës suaj këmbëgulëse, të palodhur e të pandërprerë për të shtuar numrin e institucioneve administrative Bahá’í, për të forcuar themelet e tyre, për të ngritur më lart emrin e mirë që ato gëzojnë dhe për të konsoliduar respektin e prestigjin që ato kanë. Çlirimi i këtij komuniteti të pafajshëm e të munduar nga prangat e robërisë dhe shpëtimi i tij nga kthetrat e armikut e të shtypësit, do të shoqërohet patjetër me trazira e rrëmujë; po kështu, arritja nga njerëzit e Bahá-it e një pozite në të cilën ata të gëzojnë nderim, rehati e qetësi të vërtetë, duhet të ndeshë në mënyrë të pashmangshme armiqësinë e rezistencën, kundërvënien plot zhurmë e protestat e tërbuara të të gjithë atyre që ruajnë armiqësi e mllef kundër tyre. Prandaj, nëse ujërat e trazuara të detit të kundërvënies do të bëhen edhe më të turbulluara, nëse stuhia e fatkeqësisë do të bëhet më e furishme e do të sulmojë  nga të gjashtë anët me mynxyra të reja atë komunitet që ka kaluar sprova të rënda, atëhere dijeni pa ngurrim e me bindje të patundur se ora e shpëtimit, koha e caktuar kur premtimet e lashta do të përmbushen me lavdi, është afër dhe se mjetet për arritjen e fitores supreme e të pamposhtur nga pasuesit aq të shtypur të Emrit më të Madh në atë vend janë përgatitur e në gatishmëri. Qëndrueshmëria e qëllimit dhe vendosmëria e patundur janë vetitë që duhet të shfaqin njerëzit e Bahá-it, në qoftë se duan t’i kalojnë me sukses këto faza të fundit që mbeten dhe të shohin, në nivelet më të larta e në një mënyrë që do t’i mbushë ata me habi, realizimin e shpresave të tyre më të thella e të dëshirave të tyre më të zjarrta. E tillë është udha e Perëndisë —“Dhe asnjë ndryshim nuk mund të gjesh në udhën e Perëndisë”. {8}
(Nga një letër e datës 11 janar 1928 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Persisë - përkthyer prej persishtes)

311. …na bie për detyrë që, duke vëzhguar në pritje nga njëfarë distance shfaqjen lëvizëse të betejave të Besimit të Bahá’u’lláh-ut, të kërkojmë ngushëllim e forcë në mendimin se çdo gjë që mund t’i ndodhë kësaj Kauze, sado të dhembshme e poshtëruese të jenë sprovat që kohë pas kohe mund të duket se godasin jetën organike ose ndërhyjnë në funksionet e mekanizmit administrativ të Besimit Bahá’í, të tilla fatkeqësi s’mund veçse të provojnë më në fund se janë një bekim i fshehur, i caktuar nga një Urtí e pakapshme nga të gjithë ne, për të vendosur e konsoliduar sovranitetin e Bahá’u’lláh-ut mbi këtë tokë.
(Nga një letër e datës 1 janar 1929 dërguar Bahá’í-ve të Perëndimit, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.164)

312. Të shumta e të fuqishme kanë qenë forcat që kanë kurdisur plane, si nga brenda dhe nga jashtë, në vende të largëta e të afërta, që të shuajnë dritën e tij dhe të zhdukin emrin e tij të shenjtë. Disa janë larguar nga parimet e tij dhe kanë tradhtuar në mënyrë të turpshme kauzën e tij. Të tjerë kanë lëshuar kundër tij anatemat më të ashpra që drejtuesit e egërsuar të ndonjë institucioni kishtar janë të gjendje të shqiptojnë. Ndërsa të tjerë akoma kanë hedhur mbi të vuajtje e poshtërime që vetëm autoriteti sovran, me pushtetin e vet të plotë, mund të shkaktojë.
 E shumta që armiqtë e tij të hapur e të fshehtë mund të shpresonin të arrijnë ishte të vononin rritjen dhe të errësonin përkohësisht qëllimin e tij. Ajo që ata arritën praktikisht ishte që e spastruan dhe e kulluan jetën e tij, e çuan atë në thellësi edhe më të mëdha, gjallëruan shpirtin e tij, ia krasitën institucionet dhe çimentuan unitetin e tij. Ata kurrë nuk mundën të krijojnë ndonjë përçarje, ndonjë të çarë të përhershme në trupën e madhe të pasueve të tij.
 Ata që e tradhëtuan kauzën e tij, ata përkrahës të fishkur e zemërlepuj të tij, u thanë dhe ranë si gjethet e zverdhura, të pafuqishëm të errësonin shkëlqimin e tij ose të rrezikonin strukturën e tij. Armiqtë e tij më të betuar, ata që e sulmuan atë nga jashtë, u flakën nga pushteti dhe, në mënyrën më të habitshme, gjetën fundin e tyre. Persia ishte e para që e shtypi dhe e kundërshtoi atë. Monarkët e saj u rrëzuan me turp, dinastitë e tyre u shembën, emri i tyre u poshtërua, hierarkia, që ishte aleatja e tyre dhe që mbështeste shtetin e tyre në rënie, u diskretitua krejtësisht. Turqia, e cila tre herë me radhë e dëboi Themeluesin e tij dhe i imponoi Atij burgimim mizor e të përjetshëm, kaloi përmes një prej sprovave më të ashpra e revolucioneve më rrënjësore që ka njohur historia, u tkurr nga një prej perandorive më të fuqishme në një republikë të vogël aziatike, Kalifati i saj, institucioni më i fuqishëm i Islamit, u hoq.
 Ndërkohë Besimi që kishte qënë objekti i tradhtive të tilla të përbindshme dhe synimi i sulmeve të tilla armiqësore, forcohej gjithnjë e më shumë, duke ecur përpara pa iu trembur syri e pa u përçarë nga goditjet që kishte marrë. Në mes të sprovave, ai kishte frymëzuar në pasuesit e vet besnikë një vendosmëri që asnjë pengesë, sado e fuqishme, nuk mund ta minonte. Ai kishte ndezur në zemrat e tyre një besim që asnjë fatkeqësi, sado e zezë, nuk mund ta shuante. Ai kishte rrënjosur në zemrat e tyre një shpresë që asnjë forcë, sado e vendosur, nuk mund ta lëkundëte.
(Nga një letër e datës 11 mars 1936 dërguar Bahá’í-ve të Perëndimit, botuar në “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura”, f.195-96)

313. …çdo sprovë e dukshme, me të cilën urtia e pamatur e të Gjithëfuqishmit e gjykon të nevojshme të brengosë komunitetin e Tij të zgjedhur, shërben vetëm për të provuar përsëri solidaritetin e tij thelbësor e për të konsoliduar forcën e tij të brendshme…
 Për të tilla demonstrime të ndërhyrjeve të një Providence gjithnjë syhapur, ata që e njejësojnë veten me Komunitetin e Emrit Më të Madh duhet të ndjehen përjetësisht mirënjohës. Prej çdo shenje të re të bekimit të Tij të pashtershëm, nga njëra anë, dhe të sprovës së Tij, nga ana tjetër, ata s’mund të nxjerrin veçse shpresë e kurajë të pafund…
 …
 Ndonëse të pakët në numër e të kufizuar në përvojën, në aftësitë e në burimet tuaja, por Forca që shtyn përpara misionin tuaj është e pakufishme në shtrirje dhe e pallogaritshme në fuqinë e saj. Edhe pse armiqtë që çdo shpejtim i përparimit të misionit tuaj ka për të ngritur do të jenë të egër, të shumtë e të pamëshirshëm, por Ushtritë e padukshme, të cilat, në rast se këmbëngulni, do të vërshojnë, siç është premtuar, për t’ju ndihmuar, do t’ju bëjnë më në fund të aftë që t’i mposhtni shpresat e armiqve dhe t’i asgjësoni forcat e tyre. Edhe pse bekimet përfundimtare që duhet të kurorëzojnë kryerjen e misionit tuaj janë të padyshimta dhe premtimet Hyjnore që ju janë dhënë janë të patundura e të pandryshueshme, por masa e shpërblimit të madh që do të korrë secili prej jush do të varet nga shkalla në të cilën përpjekjet tuaja të përditshme do të kenë kontribuar në përhapjen e atij misioni dhe në shpejtimin e triumfit të tij.
(Nga një letër e datës 25 dhjetor 1938 dërguar Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f.2; f.16)

314. Miq të dashur! Të shumta, të ndryshme dhe disa herë tepër të rrezikshme, kanë qenë krizat tragjike që urrejtja e verbër, mendjemadhësia e pamasë, marrëzia e pabesueshme, pabesia e ulët, ambicja e madhe e armikut kanë lindur peridiokisht brenda kufijve të Besimit. Ky Besim, i një moshe kaq të njomë e që barte një premtim kaq të çmuar, ka marrë goditje aq të tmerrshme e të pabesa, të papara në historinë fetare të botës, nga disa prej ithtarëve të tij më të fuqishëm e më të njohur, nga duart e përhapësve, të mbrojtësve e të administratorëve dikur të besuar e më të aftë, nga radhët e të besuarve të tij më të nderuar e me pozita të larta, qoftë si shokë, si sekretarë ose si zëvendësa të caktuar të Lajmëtarit të Besimit, të Autorit të tij dhe të Qendrës së Besëlidhjes së Tij, deri edhe nga ata që radhiteshin midis farefisit të Manifestimit, pa përjashtuar të vëllanë, djemtë dhe vajzat e Bahá’u’lláh-ut dhe të emëruarin nga vetë Báb-i.
 Nga kronika e historisë së tij të trazuar, pothuajse çdo faqe e së cilës përshkruan një krizë të re, është e mbushur me shtjellimin e një fatkeqësie të re, tregon ngjarjen e një tradhtie të ulët dhe është e damkosur me rrëfimin e barbarizmave të patregueshme, del në pah, e qartë dhe e pakundërshtueshme, e vërteta supreme se me çdo shpërthim të ri armiqësie ndaj Besimit, nga brenda a nga jashtë qoftë, ka vërshuar në mënyrë providenciale një masë e njëjtë mirësie që ka mbështetur mbrojtësit e saj dhe ka hedhur në pështjellim kundër-shtarët, që i ka dhënë një impuls të ri ecjes përpara të Besimit, ndërsa kjo shtytje, nga ana e saj, përmes shfaqjeve të saj, provokon armiqësi të reja në sfera që deri tani as që i merrnin me mend implikimet e saj sfiduese—e kjo armiqësi gjithnjë e më e madhe, e shoqëruar me një revelacion edhe më shtangës të Pushtetit Hyjnor e me një vërshim edhe më të madh të hirit qiellor, i cili, duke u dhënë mundësi përkrahësve të Besimit të shënojnë fitore edhe më të shkëlqyera, do të krijojë për rrjedhojë probleme të një rëndësie edhe më jetësore dhe do të ngrejë armiq të tjerë të fuqishëm kundër një Kauze, e cila në fund të fundit nuk mund veçse t’i zgjidhë këto probleme dhe ta shtypë rezistencën e këtyre armiqve, përmes një shpalosjeje edhe më të lavdishme të fuqisë së saj të brendshme.
 Marshimi i pandalshëm i Besimit të Bahá’u’lláh-ut, i parë në këtë dritë dhe i shtyrë nga ndikimet stimuluese, që i lindin si mosurtía e armiqve të tij dhe forcat që fshihen brenda vetë atij, përbëhet nga një seri pulsimesh ritmike, që precipitojnë, nga njëra anë, përmes shpërthimeve eksplozive të armiqve të tij dhe, nga ana tjetër, prej vibracioneve të Fuqisë Hyjnore, të cilat e shpejtojnë atë me një ritëm gjithnjë e më të lartë, përgjatë asaj rruge të paracaktuar që ka shtruar për të Dora e të Gjithëfuqishmit.
 Duke qenë se kundërvënia ndaj Besimit, nga çfarëdo burimi që të dalë, çfarëdo forme që të marrë, sado të dhunshme të jenë shpërthimet e saj, është, siç pranohet përgjithësisht, forca lëvizëse që, nga njëra anë, ngren peshë shpirtrat e mbrojtësve të tij trima dhe, nga ana tjetër, lëshon për ta burime të freskëta të asaj Energjie Hyjnore e të pashtershme, ne që jemi thirrur për ta përfaqësuar, për ta mbrojtur e për të mbështetur interesat e tij, në vend që çdo shfaqje armiqësie ta marrim si një provë të dobësimit të shtyllave të Besimit, duhet ta përshëndesim atë edhe si një dhuratë të Perëndisë edhe si një mundësi të dërguar nga Perëndia, të cilën, në qoftë se qëndrojmë të paepur, mund ta përdorim për të çuar më tej Besimin e Tij dhe për të çrrënjosur e eliminuar plotësisht kundërshtarët e tij.
 Epoka Heroike e Besimit, e lindur në dhembje, e rritur në kundërvënie e që po përfundon në sprova po aq të tmerrshme sa dhe ato që shoqëruan lindjen e saj, u pasua nga Periudha Formuese, e cila do të dëshmojë për kristalizimin gradual të atyre energjive krijuese që ka çliruar Besimi dhe për lindjen më pas të Rendit Botëror për të cilin këto forca ishin vënë në veprim.
 E ashpër dhe e pamëshirshme do të jetë kundërvënia që ky kristalizim e kjo lindje duhet të provokojnë. Alarmi që kjo duhet e do të ngjallë, zilia që kjo me siguri do të shkaktojë, shtrembërimet të cilave do t’u nënshtrohet pamëshirë, tërheqjet që shpejt a vonë do t’i duhet të përballojë, trazirat që duhet të shkaktojë praktikisht, frutat që do të mbledhë më në fund, bekimet që në mënyrë të pashmahgshme do të marrë dhe Epoka e Artë që duhet në mënyrë të pandalshme të shpallë, tani vetëm sa kanë filluar të shquhen pak dhe, ndërsa Rendi i vjetër do të shembet nën peshën e një Revelacioni kaq madhështor, kjo do të bëhet gjithnjë e më e dukshme e mahnitëse.
(Nga një letër e datës 12 gusht 1941 dërguar Bahá’í-ve të Amerikës, botuar në “Mesazhe pë Amerikën: Letra dhe Telegrame të Zgjedhura dërguar Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946”, f.50-52)

315. Ne mund të dallojmë një shkallëzim jo më pak të dukshëm në karakterin e opozitës që i është dashur të përballojë … një opozitë e cila, tani, përmes ngritjes së një Rendi të caktuar hyjnisht në Perëndimin e Krishterë dhe përmes ndikimit të tij fillestar mbi institucionet civile e kishtare, premton të përfshijë midis mbështetësve të vet qeveri me autoritet e sisteme qeveritare të lidhura me hierarkitë klerikale më të lashta e të rrënjosura më thellë në botën e krishterë. Ne mundemi, në të njëjtën kohë, të dallojmë, përmes mjergullës së armiqësisë gjithnjë në rritje, përparimin e dhembshëm por këmbëngulës të disa komuniteteve brenda tij nëpër fazat e errësirës, të nxjerrjes jashtë ligjit, të emancipimit dhe të njohjes—faza që duhet të arrijnë kulmin, në rrjedhën e shekujve që pasojnë njëri-tjetrin, me vendosjen e Besimit dhe me themelimin, në tërë fuqinë e autoritetin e saj, të një Konfederate të përbotshme Bahá’í….
 …
 Megjithë goditjet e drejtuara kundër forcës së tij që po lind, qoftë nga ana e zotëruesve të pushtetit laik e shpirtëror nga jashtë ose nga ana e armiqve zemërzinj nga brenda, Besimi i Bahá’u’lláh-ut, jo vetëm nuk u thye as u përkul, por është forcuar gjithnjë e më shumë, ka kaluar nga fitorja në fitore. Me të vërtetë historia e tij, nëse kuptohet drejt, mund të thuhet se përbëhet nga një seri pulsimesh, krizash e triumfesh që alternohen, të cilat e çojnë atë gjithnjë e më pranë fatit të tij hyjnisht të caktuar….
 Vuajtjet që kanë shoqëruar shpalosjen progresive të besimit të Bahá’u’lláh-ut kanë qenë me të vërtetë aq të rënda sa ua kalojnë atyre që kanë pësuar fetë e së shkuarës. Por ndryshe nga këto fe, këto vuajtje nuk kanë arritur aspak të dobësojnë unitetin e tij, as të krijojnë, qoftë edhe përkohësisht, një çarje në radhët e pasuesve të tij. Ai jo vetëm ka mbijetuar në këto sprova të rënda, por edhe ka dalë i pastër e i pacënuar, i pajisur me një aftësi edhe më të madhe për të përballuar e kapërcyer çdo krizë që marshimi i tij i pandalshëm mund të krijojë në të ardhmen.
 …
 Çdo gjë që mund t’i ndodhë këtij Besimi foshnjor të Perëndisë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm ose në shekujt e mëpastajmë, çfarëdo hidhërime, rreziqe e vuajtje që mund të krijojë faza tjetër në zhvillimin e tij mbarëbotëror, nga cilado sferë të ndërmerren kundër tij sulmet nga armiqtë e tij të tanishëm ose të ardhshëm, sado të mëdha të jenë prapësimet e tërheqjet që mund të pësojë, ne, që kemi privilegjin të kuptojmë, deri në atë shkallë sa mund të thellohen mendjet tona të kufizuara, rëndësinë e këtyre fenomeneve të mrekullueshme që shoqërojnë ngritjen dhe vendosjen e tij, ne nuk kemi dyshim se ajo që është arritur tashmë në qindvjeçarin e parë të jetës së tij jep garanci të mjaftueshme se ai do të vazhdojë të çajë përpara, duke kapur maja më të larta, duke përmbysur çdo pengesë, duke hapur horizonte të reja dhe duke arritur fitore edhe më të mëdha, gjersa misioni i tij i lavdishëm, duke u përhapur në hapësirën e mjergullt të kohës që shtrihet përpara, të përmbushet plotësisht.
(“Perëndia Kalon Pranë”, Parathënie f.xvii; f.409; f.410; f.412)

316. Refelektime të tilla, në vend që të lindin në mendjet e në zemrat tona gjurmën më të vogël të hutimit, të dekurajimit ose të dyshimit, duhet të përforcojnë bazat e bindjeve tona, të na provojnë neve pacenueshmërinë, veprat e çuditshme dhe pathyeshmërinë e një Besimi, i cili, megjithë sulmet që armiq të egër e të rrezikshëm nga radhët e mbretërve, të princave e të kishtarëve kanë ndërmarrë vazhdimisht kundër tij, megjithë sprovat e ashpra të brendshme që e kanë tronditur prej më se një shekulli dhe me udhëheqës relativisht të panjohur, megjithë papjekurinë e kushteve dhe zvetënimin e gjeneratave bashkëkohëse të ngritjes e të rritjes së tij, është forcuar gjithnjë e më shumë, ka ruajtur unitetin e integritetin e tij, ka përhapur dritën e tij mbi të pesë kontinentet, ka ngritur institucionet e Rendit të vet Amdinistrativ dhe i ka shtrirë degëzimet e veta në të katër anët e botës, dhe ka ndërmarrë fushata sistematike si në Hemisferën Perëndimore dhe në atë Lindore.
 Para të mirave të tilla, para një pohimi kaq të habitshëm e madhështor të fuqisë së pathyeshme që fshihet brenda Besimit tonë të çmuar, ne vetëm mund të ulim kryet me përunjësi, me nderim e mirënjohje, të përtërijmë betimin tonë për besnikëri ndaj Tij dhe, duke dhënë besën secili në zemrën e vet, të vendosë t’i qëndrojë besnik këtij betimi dhe të këmbëngulë gjer në fund, derisa pjesa jonë tokësore e shërbimit për një Kauzë kaq të lartë e të paçmuar të jetë përmbushur tërësisht.
(Nga një letër e datës 15 qershor 1946 dërguar Bahá’í-ve të Amerikës, botuar në “Mesazhe për Amerikën: Letra  dhe Telegrame të Zgjedhura dërguar Bahá’í-ve të Amerikës së Veriut, 1932-1946”, f.104)

317. Me të vërtetë kjo sprovë e re që, në zbatim të rregullimeve misterioze të Providencës, ka prekur Besimin në këtë orë të papritur, në vend që t’u jepte një goditje fatale institucioneve ose ekzistencës së tij, duhet parë si një bekim i fshehur, jo si “fatkeqësi” por si “urti” e Perëndisë, jo si përmbytje rrënuese, por si “shi i butë” mbi një “kullotë të gjelbër”, si “fitil” e si “vaj” për “llambën” e Besimit të Tij, si “kujdes” për Kauzën e Tij, si “ujë për atë që është mbjellë në zemrat e njerëzve”, si “kurorë e vendosur mbi kryet” e Lajmëtarit të Tij të Ditës së sotme. {9}
 Cilido qoftë rezultati i saj, kjo trazirë e papritur që ka pushtuar botën Bahá’í, që ka rigjallëruar shpresat e u ka dhënë zemër hordhive të kundërshtarëve të Besimit, të cilët synojnë të shuajnë dritën e tij dhe ta fshijnë atë nga faqja e dheut, ka shërbyer si një thirrje borie, nën tingujt e së cilës shtypi i botës, britmat e çjerra të armiqve të tij, protestat publike si të njerëzve me vullnet të mirë dhe të atyre të veshur me pushtet janë bashkuar, duke shpallur anembanë ekzistencën e tij, duke e bërë publike historinë e tij, duke mbrojtur të drejtat e tij, duke zbuluar të vërtetat e tij, duke demonstruar karakterin e institucioneve të tij dhe duke njoftuar qëllimet e synimet e tij.
 …
 Sepse, megjithëse kjo Kryqëzatë e re Shpirtërore Botërore - që përbën, në rastin më të mirë, vetëm Planin e Vogël në zbatim të synimit të të Gjithëfuqishmit për shëlbimin e njerëzimit, - ka pësuar një zmbrapje të madhe, si rezultat i kësaj trazire që ka paralizuar përkohësisht pjesën më të madhe të pasuesve të organizuar të Bahá’u’lláh-ut brenda vendlindjes së Tij, megjithatë Plani i përgjithshëm i Perëndisë, duke lëvizuar në mënyrë misterioze e në kundërshtim me proceset e zakonshme e të mirënjohura të një Plani të përcaktuar qartë, ka marrë një shtytje, forcën e së cilës vetëm gjeneratat e mëvonshme mund ta vlerësojnë si duhet.
( Nga një letër e datës 20 gusht 1954 dërguar Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara, botuar në “Kështjella e Besimit: Mesazhe për Amerikën 1947-1957”, f.139-40)

318. Sado të rënda të jenë sprovat e tyre, dhe sado dekurajuese mund të duket gjendja e tanishme, ata duhet të sjellin ndërmend se Besimi të cilit ata i detyrojnë besnikëri u ka qëndruar, jo shumë kohë më parë, stuhive shumë më të furishme, që nganjëherë dukej sikur do të gllabëronin e të fshinin institucionet e tij që po lindnin. Fidani i sapombjellur i një rendi administrativ të konceptuar në mënyrë hyjnore, pasi hodhi rrënjë të thella në tokën gjermane, u përkul përkohësisht nën furtunën që aq dhunshëm u përplas mbi të dhe, sapo stuhia e harxhoi fuqinë, ai u drejtua dhe, duke u rritur me një forcë të re, lëshoi degë e filiza që tani hijesojnë gjithë vendin, madje zgjaten deri në zemër të Austrisë.
 Edhe vetëm përjetimi i një rimëkëmbjeje kaq të mrekullueshme nga një sprovë kaq rrënuese, do të mjaftonte për të forcuar shpirtin e atyre që i janë nënshtruar kësaj prove, si dhe të brezit të ri që është ende mjaft pranë atyre ngjarjeve për të vlerësuar furinë e skajshme të saj, gjë që jo vetëm do t’i bëjë ata të aftë t’u qëndrojnë sulmeve edhe më të egra, por edhe do t’i shtyjë ata, të rinj e të vjetër, burra e gra qofshin, të luftojnë me energji të dyfishuar e me përkushtimin më të madh për të përmbushur kërkesat e ngutshme e të shumanshme të kohës së tanishme.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut shtuar në një letër të datës 14 gusht 1957, dërguar në emër të tij një Asambleje Shpirtërore Kombëtare, në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor”, vëll.1 (Hofheim-Langenhain: Bahá’í-Verlag GmbH, 1982), f.303-304)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË SHOGHI EFFFENDIUT:

319. Ka gjithnjë një ndryshim të rëndësishëm midis miqve dhe miqve të sprovuar. Nuk ka rëndësi sesa i çmuar mund të jetë tipi i parë, e ardhmja e Kauzës mbështetet mbi të dytin. Deri tani miqtë gjermanë konsideroheshin si Bahá’í të dashur, që tani e tutje ata mund të radhiten ndër të sprovuarit.
 Në çdo vend ku dalin vështirësi të tilla, ato zakonisht përfundojnë me shtim energjish dhe me një shërbim më intensiv për Kauzën….
(4 prill 1930, dërguar një besimtari individual, botuar në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor”, vëll. 1, f.34-35)

320. Miqtë … nuk duhet të ndjehen të hutuar, sepse ata kanë sigurinë e Bahá’u’lláh-ut se cilado qoftë natyra e karakteri i forcave të opozitës që i kundërvihen Kauzës së Tij, triumfi i saj përfundimtar është në mënyrë të padyshimtë i sigurt.
(30 Gusht 1937, dërguar një besimtari individual)

321. Por le ta dinë ata me siguri, se sulmi qoftë i mosbesimtarit dhe i shtypësit do të bëhet një mjet për përhapjen e Kauzës Hyjnore, për shpalljen e Fjalës së Perëndisë dhe për konsolidimin e themeleve të Besimit të Tij të shenjtë; dhe se armiqtë e tij më në fund do të mposhten plotësisht, se Kauza e Perëndisë do të dalë fitimtare dhe se Fjala e Tij do të mbretërojë supreme.
(21 tetor 1946, dërguar një besimtari individual - përkthyer nga persishtja)

322. Ai i vlerëson shumë sigurimet e Asamblesë suaj për besnikërinë e saj të përhershme ndaj tij dhe ndaj Vullnetit e Testamentit të Mjeshtrit. Siç mund ta merrni me mend, mosbesnikëria e Familjes së Mjeshtrit ka qenë një goditje shumë e trishtuar dhe e rëndë për Të; por, megjithëse për shumë vjet ai i mbrojti ata me heshtjen e tij, më në fund u detyrua të fliste për të mbrojtur Besimin. Për njëqind vjet Kauza jonë e shtrenjtë ka vuajtur nga këto hidhërime të brendshme, dhe mënyra sesi besimtarët, gjeneratë pas gjenerate, e kanë kaluar këtë provë me besim të qëndrueshëm, me besnikëri e devocion, është një nga shenjat se kjo është Kauza e Perëndisë, e mbrojtur hyjnisht falë Besëlidhjeve të Bahá’u’lláh-ut e të Mjeshtrit.
(30 qershor 1949, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë, botuar në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor”, vëll.1, f.149)

323. Ai ju porosit të mos dekurajoheni ose dëshpëroheni, por të jeni të sigurtë se Bahá’u’lláh-u do t’ju ndihmojë. Çdo zmbrapsje që pëson Kauza është kurdoherë një mjet për të siguruar një fitore të ardhme, sepse Perëndia kurrë nuk do të lejojë që Besimi i Tij të shuhet ose të çrrënjoset.
(Nga një letër e datës 26 janar 1950 dërguar Asamblesë Shpirtërore Lokale të Panamasë)

324. Megjithëse kjo mund të jetë përkohësisht një vështirësi për punën tuaj dhe një kthim prapa, nuk ka dyshim se ajo shënon një hap përpara në avancimin e Besimit; sespe ne e dimë që besimi ynë i dashur ka për t’u ndeshur më në fund me ortodoksitë e rrënjosura të së kaluarës; dhe se ky konflikt nuk mund veçse të çojë në fitore më të mëdha dhe në emancipimin, njohjen e mbizotërimin përfundimtar.
(Nga një letër e datës 8 prill 1951 dërguar dy besimtarëve)

325. Besimi po lëviz me një ritëm të paparë dhe me një forcë të paparë në kohën e tanishme. Me siguri, nëse ai shtypet në një vend, fuqia e Kauzës është e tillë që duhet ta ngrejë atë me një forcë më të madhe në një vend tjetër; dhe kështu përndjekjet e Bahá’í-ve persianë kanë bërë që Besimi të shkojë përpara në Afrikë. Ky duhet të jetë sigurisht një ngushëllim për vuajtjet e Bahá’í-ve të Persisë.
(Nga një letër e datës 26 shtator 1955 dërguar një besimtari individual)

EKSTRAKTE NGA LETRA TË SHKRUARA PREJ SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË:

326. Nuk duhet menduar se ngjarjet që kanë ndodhur në të gjitha skajet e globit, duke përfshirë edhe tokën e shenjtë të Iranit, kanë qenë rastësi të izoluara pa ndonjë synim e qëllim. Sipas fjalëve të Ruajtësit tonë të shumëdashur, “Dora e padukshme punon dhe spazmat që ndodhin mbi tokë janë prelud i shpalljes së Kauzës së Perëndisë.” Kjo është vetëm njëra prej forcave misterioze të këtij Revelacioni suprem, që po i bën gjymtyrët e njerëzimit të dridhen dhe të dehurit prej krenarisë e moskokëçarjes të shtangen nga habia e të tronditen ….
 Në një kohë të tillë të vështirë, kur njerëzimi është i hutuar dhe njerëzit më të mençur janë në mëdyshje për ilaçin, njerëzit e Bahá-it, që kanë besim tek mirësia e tij e pashtershme e tek udhërrëfimi hyjnor, janë të sigurt se secila prej këtyre sprovave të dhembshme ka një shkak, një qëllim dhe një  rezultat të caktuar dhe të gjitha janë instrumente për zbatimin e Vullnetit të pandryshueshëm të Perëndisë mbi tokë. Me fjalë të tjera, nga njëra anë njerëzimi është goditur nga ndëshkimi i dhënë prej Tij, i cili do të grumbullojë në mënyrë të pashmangshme fiset e shpërndara e të nënshtruara të tokës; dhe, nga ana tjetër, ata të paktë që Ai ka rritur nën mbrojtjen e Udhërrëfimit të Tij dashamirës po vazhdojnë, në këtë Epokë Formuese e periudhë kalimtare, të ndërtojnë midis këtyre valëve të trazuara një fortesë të papushtueshme, e cila do të jetë e vetmja strehë që ka mbetur për këtë morí të humburish. Prandaj, miqtë e dashur të Perëndisë, që kanë para tyre një vizion kaq të gjerë e të qartë, nuk shqetësohen nga ngjarje të tilla, as nuk rrëmbehen nga paniku përballë tingujve të tillë vrumbullitës, dhe as do t’i presin me frikë e pasiguri konvulsione të tilla, as do të tërhiqen qoftë edhe për një çast nga përmbushja e përgjegjësive të tyre të shenjta.
(10 shkurt 1980, dërguar besimtarëve iranianë banues në vende të tjera anembanë botës)

327. Armiqtë e përhershëm të Besimit kujtojnë se përndjekjet e tyre do të shkatërrojnë themelet e Besimit dhe do të venitin lavdinë e tij. Sa keq! Sa keq për injorancën e marrëzinë e tyre! Këto akte shtypjeje, në vend që të dobësojnë vendosmërinë e miqve, kanë shërbyer gjithmonë për të ndezur zellin e tyre dhe për të gjallëruar qeniet e tyre. Sipas fjalëve të ‘Abdu’l-Bahá-it, “…ata mendonin se dhuna dhe ndërhyrja do të sillnin shuarjen e heshtjen dhe do të çonin në shtypje e harresë; kurse ndërhyrja në çështje të ndërgjegjes shkakton stabilitet e qëndrueshmëri dhe tërheq vëmendjen e syve e të shpirtit të njerëzve, gjë që është provuar në mënyrë eksperimentale shumë herë e shpesh.”
 Çdo pikë gjaku e derdhur nga martirët trima, çdo rënkim i lëshuar nga viktimat e heshtura të shtypjes, çdo lutje për ndihmë hyjnore e bërë prej besnikëve, ka çliruar, e do të vazhdojë në mënyrë misterioze të çlirojë, forca mbi të cilat asnjë kundërshtar i Besimit nuk ka kontroll dhe të cilat, të komanduara nga një Providencë përherë Syhapur, kanë shërbyer për të shpallur gjerësisht emrin dhe famën e Besimit në masat e njerëzimit në të gjitha kontinentet, miliona prej të cilave më parë kishin qenë krejt në padijeni për ekzistencën e Besimit ose kishin pasur vetëm një kuptim sipërfaqësor, dhe shpesh të gabuar, për mësimet e historinë e tij.
 Përndjekja e tanishme pati si rezultat që tërhoqi, si kurrë më parë në historinë e tij, vëmendjen e botës rreth emrit e karakterit të Besimit tonë të dashur. Si rezultat i drejtpërdrejtë i protestave të dërguara nga komuniteti mbarëbotëror i Emrit Më të Madh sundimtarëve të Iranit, i deklaratave të bëra në shtyp, kur këto protesta u injoruan, i përpjekjeve të drejtpërdrejta të institucioneve Bahá’í në nivel kombëtar e ndërkombëtar pranë qeverive, bashkësive të kombeve, agjensive ndërkombëtare dhe pranë vetë Kombeve të Bashkuara, Besimit të Bahá’u’lláh-ut jo vetëm i është kushtuar me simpati vëmendje në këshillat e botës, por gjithashtu meritat dhe të drejtat e dhunuara të tij janë diskutuar dhe rezoluta proteste u janë dërguar autoriteteve iraniane nga qeveri sovrane, veç e veç e bashkarisht. Gazetat kryesore të botës, të pasuara nga shtypi lokal, u kanë paraqitur raporte të favorshme për Besimin miliona lexuesve, ndërsa stacione radiotelevizive po i bëjnë gjithnjë e më shumë përndjekjet në Iran subjekt të programeve të tyre. Shtëpi botuese tregtare po fillojnë të porositin libra për Besimin.
 …
 Me të vërtetë, kjo valë e re përndjekjesh që ka përfshirë Djepin e Besimit mund të shihet edhe si një bekim i fshehur, si një “ndihmë paraprake”, “fatkeqësia” e së cilës, si gjithmonë, përballohet heroikisht nga komuniteti i shumëdashur persian. Kjo mund të shihet si lëvizja e fundit në Planin Madhor të Perëndisë, si një buçitje tjetër borie për të zgjuar nga gjumi të shkujdesurit dhe si një rast i shkëlqyer që u jepet Bahá’í-ve për të treguar edhe një herë unitetin dhe miqësinë e tyre para syve të një bote në rënie e skeptike, për t’u shpallur me tërë forcën Mesazhin e Bahá’u’lláh-ut të mëdhenjve e të vegjëlve, për të bërë të qartë nderimin e Besimit tonë për Islamin e për Profetin e tij, për të konfirmuar parimet e mospërzjerjes në veprimtari politike dhe bindjen ndaj qeverisë, e cila qëndron në vetë thelbin e Besimit tonë, dhe për t’u sjellë mirëqenie e ngushëllim zemrave të martirëve të qetë dhe të heronjve të patundur në pararojë të një komuniteti të përndjekur.…
(26 janar 1982, Bahá’í-ve  të Botës)

328. Shoghi Effendiu ka parë në jetën organike të Kauzës një dialektikë të fitores e të krizës. Triumfet e pashoqe të lindura nga qëndrueshmëria e paepur e miqve iranianë do ta shtyjnë në mënyrë të pashmangshme opozitën që të verë në provë e të shtojë fuqinë tonë. Çdo Bahá’í në botë le të jetë i sigurt se çdo gjë që mund t’i ndodhë këtij Besimi në rritje të Perëndisë, s’është veçse një dëshmi e pakundërshtueshme e kujdesit dashamirës, me të cilin Mbreti i Lavdisë dhe Lajmëtari i Tij i martirizuar, nëpërmjet Qendrës së pakrahasueshme të Besëlidhjes së tij dhe Ruajtësit tonë të shumëdashur, po i përgatisin pasuesit e Tij të përunjur për trumfin përfundimtar e madhështor.…
(2 janar 1986, Bahá’í-ve  të Botës)

329. Inaugurimi i atij Plani koincidoi me shpërthimin e ri të përndjekjes së egër të komunitetit Bahá’í në Iran, një përpjekje e qëllimtë për ta eliminuar Kauzën e Perëndisë nga vendlindja e saj. Qëndresa heroike e miqve persianë ka qenë burimi kryesor i përqëndrimit kolosal të vëmendjes ndërkombëtare te Kauza, duke e futur më në fund atë në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjë që, bashkë me publicitetin mbarëbotëror në të gjitha mjetet e informimit publik, e nxorri atë nga errësira që karakterizonte e mbulonte periudhën e parë të jetës së saj. Ky proces legjendar e shtyu Shtëpinë Universale të Drejtësisë t’u drejtonte një Deklaratë për Paqen Popujve të Botës dhe t’ua dërgonte atë Kryetarëve të Shteteve e në gjithë qeveritarëve.
(Ridván 1986, Bahá’í-ve të Botës)

III. “Sigurimi i Besimit tonë të çmuar…”
 (Shoghi Effendi, “Mesazhe për Botën Bahá’í 1950-1957”, f.123)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT:

330. …“Thuaj: O njerëz të Perëndisë! Hapni sytë se mos pushtetet e tokës ju trembin, ose fuqia e kombeve ju dobëson, ose rrëmuja e përçarësve ju prish mendjen, ose eksponentët e lavdisë tokësore ju dëshpërojnë. Jini si një mal në Kauzën e Zotit tuaj, të Gjithëfuqishmit, Lavdiplotit, të Padetyrueshmit.” “Thuaj: Kini mendjen, o njerëz të Bahá-it, se mos të fuqishmit e tokës ju grabisin forcën, ose ata që sundojnë botën ju kallin frikën. Mbështeteni besimin te Perëndia dhe i leni punët tuaja në dorën e Tij. Ai, vërtet, përmes fuqisë së të vërtetës do t’ju bëjë fitimtarë, dhe Ai me të vërtetë ka fuqi të bëjë atë që dëshiron, dhe në duart e Tij janë frerët e forcës së gjithëfuqishme.”
(Cituar në Shoghi Effendi, “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f. 82)

331. Është detyrë e të gjithë njerëzve që, secili sipas aftësisë së tij, të hedhin poshtë argumentat e atyre që kanë sulmuar Besimin e Perëndisë. Kështu ka urdhëruar Ai që është I Gjithëfuqishmi, I Gjithëpushtetshmi. Ai që dëshiron të përhapë Kauzën e të vetmit Perëndi të vërtetë, le ta përhapë atë me pendën dhe gjuhën e tij, dhe jo të përdorë shpatën ose dhunën…. Sikur një njeri të ngrihej për të mbrojtur, në shkrimet e tij, Kauzën e Perëndisë kundër atyre që e sulmojnë, një njeri i tillë, sado e papërfillshme të jetë ndihmesa e tij, do të jetë kaq i nderuar në botën që do të vijë, saqë Tubimi i epërm do ta ketë zili lavdinë e tij. Asnjë pendë nuk mund të përshkruajë sa sublime është pozita e tij, as ndonjë gjuhë nuk mund të tregojë shkëlqimin e saj. Sepse cilitdo që qëndron fort e i patundur në këtë Revelacion të shenjtë, të lavdishëm e të lartë, do t’i jepet një pushtet i tillë që do t’i japë mundësi t’i bëjë ballë e t’i qëndrojë çdo gjëje që është në qiell e mbi tokë. Perëndia është Vetë dëshmitar për këtë.
(“Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut”, sek. 154, f.329-30)

332. Ne i këshillojmë njerëzit e Shtëpisë së  Drejtësisë dhe i porositim ata të sigurojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e burrave, të grave e të fëmijëve. Është detyrë e tyre t’u kushtojnë kujdesin më të madh interesave të njerëzve në çdo kohë e në të gjitha kushtet. I bekuar është sundimtari që ndihmon robin dhe i pasuri që kujdeset për të varfërin, dhe i drejti që mbron nga keqbërësi të drejtat e të shtypurit, dhe lum i besuari që zbaton atë që Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve i ka caktuar atij.
(“Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të Reveluara pas Qitapi Akdasit [Kitáb-i-Aqdas]”, f.69-70)

333. Dhe po kështu Ai thotë: “Thuaju atyre që kanë zemër frikacake: Jini të fortë, mos kini frikë, shikoni Perëndinë tuaj.” {10} Ky varg i bekuar është provë e madhështisë së Revelacionit dhe e madhështisë së Kauzës, sepse buçitja e borisë do të përhapë pështjellim anembanë botës dhe frikë e të dridhura midis të gjithë njerëzve. Lum ai që është ndriçuar me dritën e besimit e të shkëputjes. Hidhërimet e asaj Dite nuk do ta pengojnë ose ta alarmojnë atë. Kështu ka folur Gjuha e Fjalës, siç urdhërohet prej Atij Që është Mëshirëploti. Ai, me të vërtetë, është i Forti, i Gjithëpushtetshmi, Gjithënënshtruesi, i Gjithëfuqishmi….
(“Letër për të Birin e Ujkut”, f.147)

334. Ju duhet t’i këshilloni të gjithë miqtë të kenë durim, të jenë të përunjur e të qetë, duke thënë: O ju të dashurit e Perëndisë në atë tokë! Ju jeni të lavdëruar në të gjitha botët e Perëndisë për  lidhjen tuaj me Atë Që është e Vërteta e Përjetëshme, por në jetët tuaja të kësaj sipërfaqeje tokësore, të cilat kalojnë si një çast i vetëtimshëm, ju vuani nga poshtërimi. Për hir të të vetmit Perëndi të vërtetë, ju jeni fyer e përndjekur, ju jeni burgosur dhe keni flijuar jetët tuaja në shtegun e Tij. Megjithatë ju nuk duhet që për shkak të akteve tiranike të disa shpirtrave të shkujdesur të shkelni kufijtë e porosive të Perëndisë duke u grindur me këdo qoftë.
 Çdo gjë që ju ka ndodhur, ka qenë për hir të Perëndisë. Kjo është e vërteta dhe për këtë nuk ka dyshim. Ju duhet, pra t’i lini të gjitha çështjet tuaja në Duart e Tij, t’ia besoni gjithçka Atij dhe të mbështeteni tek Ai. Ai me siguri nuk do t’ju braktisë. Për këtë, gjithashtu, nuk ka dyshim. Asnjë atë nuk ua dorëzon bijtë e tij egërsirave gllabëruese; asnjë bari nuk ua lë tufën e tij ujqve të uritur. Ai me siguri do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur gjënë e vet.
 Nëse, sidoqoftë, për pak ditë, në pajtim me urtinë gjithëpërfshirëse të Perëndisë, në dukje punët do të ndjekin rrugën e tyre në kundërshtim me dëshirën e ndonjërit, kjo nuk do të ketë pasoja dhe nuk ka rëndësi. Qëllimi ynë është që të gjithë miqtë ta ngulin vështrimin te Horizonti Suprem dhe t’i përmbahen asaj që është reveluar në Tabelat. Ata duhet të shmangin rreptësisht rebelimin dhe të ruhen që të mos shkelin në shtegun e grindjes e të konfliktit. Ata duhet të mbrojnë të vetmin Perëndi të vërtetë të tyre, lartësuar qoftë Ai, përmes ushtrive të durimit, të nënshtrimit, të një karakteri të drejtë, të veprave të mira dhe të fjalëve më të zgjedhura e më të përsosura.
(“Bota Bahá’í”, vëll.XVIII (Haifa: Qendra Botërore Bahá’í, 1986) f.10-11)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT:

335. O ushtri e Perëndisë! Kur godet fatkeqësia, jini të durar e gjakftohtë. Sado të dhembshme qofshin vuajtjet tuaja, rrini të qetë e me besim të plotë në mirësinë e pashtershme të Perëndisë, bëjuni ballë me trimëri stuhive të fatkeqësive e të sprovave të rënda.
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”,nr. 35, f.74)

336. Prandaj duhet që të dashurit e Perëndisë, me punë, me ujërat e përpjekjeve të tyre, të kujdesen dhe ta ushqejnë e ta rritin këtë pemë të shpresës. Në çdo vend që jetojnë, le të miqësohen me gjithë zemër dhe të jenë shokë të atyre që i kanë pranë ose larg. Me cilësi si ato të qiellit, le të mbështesin institucionet dhe fenë e Perëndisë. Kurrë të mos dekurajohen, kurrë të mos jenë të dërrmuar, kurrë të mos ndjehen të hidhëruar. Sa më shumë antagonizëm të ndeshin, aq më shumë le të tregojnë besimin e tyre të shëndoshë; sa më shumë vuajtje e fatkeqësi t’u duhet të përballojnë, aq më me zemërgjerësi le t’i kalojnë njëri-tjetrit kupën e bujarisë. I tillë është shpirti që do të bëhet jeta e botës, e tillë është drita që përhapet nga zemra e tij: dhe ai që mund të jetë e mund të veprojë ndryshe, nuk është i denjë të shërbejë në pragun e Shenjtë të Perëndisë.
(“Pjesë të Zgjedhura nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it”, nr. 206, f. 258)

337. O ju të dashurit e Zotit! Gjëja më e madhe është mbrojtja e Besimit të Vërtetë të Perëndisë, ruajtja e Ligjit të Tij, mbrojtja e Kauzës së Tij dhe shërbimi ndaj Fjalës së Tij.…
 Por detyra ime supreme më shtyn nga nevoja të ruaj e të mbroj Kauzën e Perëndisë. Kështu, me keqardhjen më të madhe, unë ju këshilloj duke thënë: Ruajeni Kauzën e Zotit, mbrojeni Ligjin e Tij dhe druajuni shumë përçarjes. Ky është themeli i besimit të njerëzve të Bahá-it (u bëftë fli jeta ime për ta)…
(“Vullneti e Testamenti i ‘Abdu’l-Baha-it”, (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1971), f.4; f.19)

EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E SHOGHI EEFENDIUT:

338. Është detyrë e atyre të jenë vigjilentë e të matur, të kujdesshëm e vëzhgues dhe ta mbrojnë kurdoherë Tempullin e Kauzës nga shigjeta e intrigantit e nga sulmi i armikut.
(12 mars 1943, Bahá’í-ve të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, të Francës, të Zvicrës, të Japonisë e të Austrisë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.38)

339. Ndërsa Lëvizja rritet në prestigj, famë e ndikim, ndërsa ambicjet, ligësia dhe keqdashja e të huajve dhe e armiqve bëhen proporcionalisht më të mëdha, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që çdo individ e Asamble Shpirtërore të kenë mendjen që të mos bien viktima të pafajshme të qëllimeve të liga të keqdashësit, të egoistit e të lakmitarit.
 Lidhur me botimin e artikujve e të pamfleteve për çështje polemike e politike të kohës, unë dëshiroj t’u kujtoj bashkëpunëtorëve të mi të shumëdashur se në fazën e tanishme, kur Kauza është ende në foshnjërinë e saj, çdo analizë e imët dhe e hollësishme nga miqtë rreth subjekteve që janë në ballë të diskutimit të përgjithshëm shpesh do të keqinterpretohet në disa qarqe dhe do të lindin dyshime e keqkuptime që do të kenë reagime të disfavorshme për Kauzën. Ata do të përpiqen të krijojnë një kuptim të shtrembëruar të objektit të vërtetë, të misionit real e të karakterit origjinal të Besimit Bahá’í. Ne duhet, ndërsa përpiqemi t’i mbështesim besnikërisht e t’i parashtrojmë seriozisht parimet tona shoqërore e morale në tërë thelbin e pastërtinë e tyre, në tërë përmbajtjen e tyre rreth fazave të ndryshme të shoqërisë njerëzore, të sigurojmë që asnjë referencë e drejtpërdrejtë ose kritikë e veçantë në shtjellimin që u bëjmë parimeve bazë të Besimit të mos priret t’i kundërvihet ndonjë institucioni ekzistues ose të ndihmojë për të njejësuar një lëvizje thjesht shpirtërore me zhurmën dhe grindjet e ulta të sekteve ndërluftuese, të fraksioneve e të kombeve. Ne duhet të përpiqemi në të gjitha thëniet tona të kombinojmë maturinë dhe vetpërmbajtjen  fisnike të të urtit me sinqeritetin e besnikërinë plot pasion të mbrojtësit të zjarrtë të një Besimi frymëzues. Ndërsa refuzojmë të themi fjalë që do të largonin ose ftohnin pa qenë nevoja ndonjë individ, qeveri ose popull, ne duhet që pa frikë e pa ngurruar të mbështesin e afirmojmë në tërësinë e tyre të vërteta të tilla, dija për të cilat, besojmë ne, është e nevojshme në mënyrë jetësore e të ngutshme për të mirën dhe përmirësimin e njerëzimit.
(10 janar 1926, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.102)

340. Ne mund ta provojmë se jemi të denjë për Kauzën tonë, vetëm në qoftë se me sjelljen tonë individuale dhe me jetën tonë komunitare ndjekim me këmbëngulje shembullin e Mjeshtrit tonë të shumëdashur, të Cilin terroret e tiranisë, stuhitë e fyerjeve të pareshtura, atmosfera mbytëse e poshtërimit, kurrë nuk e larguan qoftë edhe një fije floku nga Ligji i reveluar i Bahá’u’lláh-ut.
(12 prill 1927, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Administrimi Bahá’í: Mesazhe të Zgjedhura 1922-1932”, f.132)

341. Të jeni për më tepër të sigurt, tej çdo dyshimi, që nuk ka rëndësi se me ç’zell armiqtë e Besimit të Perëndisë mund të përpiqen ta shuajnë zjarrin e tij, ata do të bëjnë vetëm që flaka e tij të digjet edhe më me furi, që drita e tij të ndriçojë edhe më fort, që nxehtësia e tij të bëhet edhe më e madhe. Njerëzit me urtí e intuitë, që të padetyruar e ndjekin nga afër progresin e Besimit, dhe që janë të vendosur t’ia nënshtrojnë atë shqyrtimit e kërkimit më të kujdesshëm, nuk do të tronditen e as do të ndikohen nga këto pretendime absurde e pa bazë, nga këto botime vulgare e këto deklarata që vijnë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Në vend që të verbohen nga një propagandë e tillë për të vërtetat e Kauzës, ata përkundrazi do të shtyhen nga kjo për t’i vazhduar hetimet e kërkimet me një skrupolozitet e entusiazëm më të madh se më parë; për t’u familjarizuar plotësisht me mësimet, parimet dhe aspiratat e pasuesve të Bahá’u’lláh-ut; e madje, përmes hirit e udhërrëfimit të Zotit të Gjithëfuqishëm e të Gjithëdijshëm, për t’u ngritur në kohë nevoje për mbrojtjen e ruajtjen e Kauzës; për të shpartalluar hordhitë e dyshimit, të pasigurisë e të keqkuptimit; për të shembur nga themelet godinën e shpifjes e të mashtrimit; dhe për të provuar e vërtetuar përpara syve të gjithë botës realitetin e shenjtë, të lavdëruar e të pamposhtur të Besimit të pashmangshëm të Perëndisë. Këto ndodhi të ndryshme të hidhura, të kurdisura e të nxitura nga armiqtë dhe keqdashësit e Kauzës—thashethemet e tyre dinake, fjalët shpifëse që përhapin, sulmet e tyre flagrante e të paparimta—duhen parë si masa e mjete të Providencës, të caktuara për të shpejtuar ardhjen e asaj dite të premtuar, të asaj fitoreje të fuqishme e të detyruar dhe të atij triumfi të dukshëm, i cili është parashikuar aq qartë në shkrimet dhe është shtruar në mënyrë aq të përcaktuar e shprehëse nga Penda e Më të Lartit.
(Nga një letër e gushtit 1927 dërguar Asamblesë Shpirtërore Komëtare të Persisë - përkthyer nga persishtja)

342. Qëndrueshmëria dhe stabiliteti i arritur nga çdo shoqatë, grup ose komb, është rezultat i—dhe ndodhet në varësi të—faktit se sa të shëndosha e me vlerë janë parimet, mbi të cilat bazohet administrimi i punëve dhe drejtimi i veprimtarive të tij. Parimet udhëheqëse të Bahá’í-ve janë:  ndershmëria, dashuria, bamirësia dhe çiltërsia; vënia e së mirës së përgjithshme mbi interesin privat; praktikimi i devotshmërisë, i virtytit e i moderimit. Kështu, ruajtja dhe lumturia e tyre janë të siguruara përfundimisht. Çfarëdo fatkeqësish që ata mund të ndeshin, të shkaktuara nga dredhitë e komplotistëve e të keqdashësve, të gjitha do të kalojnë si dallgë dhe pas vuajtjeve do të ketë gëzim. Miqtë janë nën mbrojtjen e fuqisë së pamposhtur e nën kujdesin e padepërtueshëm të Perëndisë. Nuk ka dyshim se çdo shpirt i bekuar që e sjell jetën e tij në harmoni me këtë fuqi gjithësunduese do t’u japë shkëlqim veprave të tij dhe do të fitojë një shpërblim të madh. Veprimet e atyre që e venë veten kundër saj nuk duhet të ngjallin nga ana jonë antipati, por lutje që ata të vihen në rrugë të drejtë. I tillë ka qenë qëndrimi i Bahá’í-ve në ditët e shkuara, dhe i tillë duhet të jetë ai sot e përgjithmonë.
(18 Dhjetor 1928, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit - përkthyer nga persishtja)

343. Le të mos përzihen ata, as me fjalë e as me vepra, në punët politike të kombeve të tyre përkatëse, në politikat e qeverive të tyre dhe në planet e programet e partive e të fraksioneve. Në polemika të tilla ata nuk duhet të qortojnë askënd, të mos mbajnë anën e askujt, të mos përkrahin asnjë synim dhe të mos e njejësojnë vetveten me asnjë sistem që u sjell dëm interesave të larta të asaj Vëllazërie mbarëbotërore, e cila është qëllimi që ata duhet të mbrojnë e të ushqejnë. Le të kenë kujdes që të mos i lejojnë vetes të bëhen mjete të politikanëve pa skrupull, ose të bien në grackën e planeve të pabesa të komplotuesve e të njerëzve të pandershëm midis bashkatdhetarëve të tyre. Le t’i japin jetës së tyre një formë të tillë dhe ta rregullojnë sjelljen e tyre në një mënyrë që asnjë akuzë për fshehtësi, për mashtrim, për shpërdorim ose kërcënim, sado e keqargumentuar, të mos bëhet dot kundër tyre. Le të ngrihen ata mbi të gjitha partikularizmat e partijësitë, mbi debatet e kota, llogaritë meskine, pasionet kalimtare që trondisin fytyrën dhe angazhojnë vëmendjen e një bote në ndryshim. Është detyrë e tyre të përpiqen të dallojnë, sa më qartë që të mundin, dhe nëse është e nevojshme me ndihmën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, poste dhe funksione të tilla që janë qoftë diplomatike ose politike nga ato që janë të karakterit thjesht administrativ dhe të cilat në asnjë rrethanë nuk ndikohen nga ndryshimet e rastësitë që veprimtaritë politike e qeverisja partiake shkaktojnë në çdo vend. Le të pohojnë ata vendosmërinë e tyre të patundur për të qëndruar fort e pa rezerva në rrugën e Bahá’u’lláh-ut, për të shmangur komplikacionet e grindjet që janë të pandara nga taktikat e politikanit, dhe të bëhen faktorë të denjë të atij Rendi Hyjnor, që mishëron Qëllimin e pandryshuar të Perëndisë për të gjithë njerëzit.
 …
 Ndërsa numri i komuniteteve Bahá’í në pjesë të ndryshme të botës shtohet dhe fuqia e tyre, si forcë shoqërore, bëhet gjithnjë e më e dukshme, ata padyshim do të shohin t’i nënshtrohen gjithnjë e më shumë presionit që njerëzit me autoritet e influencë në sferën politike do të ushtrojnë, me shpresë që të fitojnë mbështetjen që u duhet për të çuar përpara qëllimet e tyre. Këto komunitete, për më tepër, do të ndiejnë një nevojë gjithnjë e më të madhe për vullnetin e mirë dhe ndihmën e qeverive përkatëse në përpjekjet për të zgjeruar horizontin e tyre dhe për të konsoliduar themelet e institucioneve që janë në ngarkim të tyre. Le të kenë mendjen se mos, nga zelli për të çuar përpara qëllimet e Kauzës së tyre të shtrenjtë, ata shtyhen padashur të bëjnë pazarllëk me Besimin e tyre, të bien në kompromis për parimet e tyre  thelbësore, ose të sakrifikojnë, për çfarëdolloj avantazhi material që mund të përfitojnë institucionet e tyre, integritetin e idealeve të tyre shpirtërore. Le të shpallin ata se në cilindo vend që jetojnë dhe sado të avancuara të jenë institucionet e tyre, ose sado e madhe të jetë dëshira për të imponuar ligjet e për të zbatuar parimet e shpallura nga Bahá’u’lláh-u, ata  do t’ua nënshtrojnë veprimin e këtyre ligjeve dhe aplikimin e këtyre parimeve kërkesave dhe urdhëresave legale të qeverive të tyre përkatëse. Nuk është qëllimi i tyre që, ndërsa përpiqen të zhvillojnë e përsosin punët administrative të Besimit të tyre, të dhunojnë, në çfarëdo rrethana qoftë, ato që parashikon kushtetuta e vendit të tyre, aq më pak të lejojnë që mekanizmi i administrimit të tyre të zëvendësojë qeveritë e vendeve të tyre përkatëse.
 Duhet mbajtur gjithashtu parasysh se vetë shtrirja e veprimtarive me të cilat merremi, dhe larmia e komuniteteve që veprojnë nën forma të ndryshme qeverisjeje, të cilat ndryshojnë aq thelbësisht në standartet, politikat e metodat e tyre, e bëjnë absolutisht thelbësore për të gjithë anëtarët e deklaruar të cilitdo prej këtyre komuniteteve të shmangin çdo veprim që, duke shkaktuar dyshimin ose duke nxitur antagonizmin e cilësdo qeveri, do t’i çonte vëllezërit e tyre në përndjekje të reja ose do ta bënte më të komplikuar natyrën e detyrës së tyre. E si ndryshe, mund të pyes unë, do të mundej një Besim kaq i avancuar, që i kapërcen kufijt politikë e shoqërorë, që përfshin brenda kuadrit të tij një larmi aq të madhe kombesh e racash, i cili në marshimin e vet përpara duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë mbi vullnetin e mirë dhe mbështetjen e qeverive aq të ndryshme e antagoniste të tokës—si  do të mundej ndryshe një Besim i tillë të kishte sukses në ruajtjen e unitetit e në mbrojtjen e interesave të tij, në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm e paqësor të institucioneve të veta?
 Por një qëndrim i tillë nuk diktohet nga konsiderata të volisë egoiste, por vihet në veprim, së pari e mbi të gjitha, nga parimi i gjerë se pasuesit e Bahá’u’lláh-ut, në asnjë rrethanë, nuk do t’i lejojnë vetes të implikohen, qoftë si individë ose si kolektiv, në çështje që do të kërkonin qoftë edhe largimin më të vogël nga të vërtetat e idealet themelore të Besimit të tyre. As akuzat që të painformuarit e keqdashësit mund të ngrenë kundër tyre, as joshja me ndere e shpërblime, kurrë nuk do të bëjnë që ata të heqin dorë nga besimi i tyre ose të devijojë nga rruga e tyre. Le të shpallin fjalët e tyre, le të dëshmojë sjellja e tyre se ata që pasojnë Bahá’u’lláh-un, në cilindo vend që të jetojnë, nuk nxiten nga ambicje egoiste, se ata kurrë nuk kanë etje për pushtet, as bëhen merak për ndonjë valë mospopullariteti, mosbesimi ose kritike që mund të shkaktojë aderimi rigoroz në parimet e tyre.
(21 mars 1932, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut: Letra të Zgjedhura”, f.64-67)

344. Një ndershmëri e tillë në sjellje duhet të manifestohet, me forcë gjithnjë e më të madhe, në çdo gjykim që përfaqësuesve të zgjedhur të komunitetit Bahá’í, cilado qoftë pozita që kanë, mund t’u duhet të shprehin. Ajo duhet të pasqyrohet vazhdimisht në çështjet e biznesit të të gjithë pjesëtarëve të tij, në jetën e tyre familjare, në të gjitha punët që bëjnë dhe në çdo shërbim që ata mund të kryejnë, në të ardhmen, për qeverinë ose popullin e tyre. Ajo duhet të mishërohet në sjelljen e të gjithë zgjedhësve Bahá’í, kur ushtrojnë të drejtat e funksionet e tyre të shenjta. Ajo duhet të karakterizojë qëndrimin e çdo besimtari besnik lidhur me mospranimin e posteve politike, me mosaderimin në parti politike, me mospjesëmarrjen në polemika politike dhe me mosanëtarësimin në organizata politike e institucione kishtare.…  Ajo duhet treguar në paanësinë e çdo mbrojtësi të Besimit ndaj armiqve të tij, në objektivitetin e tij për  të njohur meritat që mund të ketë armiku dhe në ndershmërinë për të përmbushur çdo detyrim që mund të ketë ndaj tij….
 …
 Njerëzve të të dy kontinenteve nuk mund t’u jepet demonstrim më i madh për vitalitetin rinor dhe për fuqinë drithëruese që gjallëron jetën dhe institucionet e Besimit të porsalindur të Bahá’u’lláh-ut, sesa një pjesëmarrje e zgjuar, këmbëngulëse e efektive e të rinjve Bahá’í, të çdo race, kombësie e klase, si në sferën e mësimit dhe në atë administrative të veprimtarisë Bahá’í. Nëpërmjet një pjesëmarrjeje të tillë kritikët dhe armiqtë e Besimit, duke vëzhguar sipas shkallës së ndryshme të skepticizmit e të armiqësisë, proceset evolucionare të Kauzës së Perëndisë e të institucioneve të saj, mund të binden për të vërtetën e padyshimtë se një Kauzë e tillë është tepër e gjallë, e shëndetshme në vetë thelbin e saj dhe se e ardhmja e saj është e sigurt….
(25 dhjetor 1938, Bahá’í-ve të Shteteve të Bashkuara e të Kanadasë, botuar në “Ardhja e Drejtësisë Hyjnore”, f.26-27; f.69-70)

345. Pengesa, të ndryshme e të shumta, do të ngrihen padyshim për të penguar marshimin përpara të këtij komuniteti [Australi]. Disfata mund të errësojnë përkohësisht shkëlqimin e misionit të tij. Forcat e ortodoksisë fetare ndoshta mund të grupohen, në një kohë të mëvonshme, kundër tij. Eksponentët e teorive e të doktrinave që u kundërvihen në themel bindjeve fetare e parimeve shoqërore të tij mund të sfidojnë me këmbëngulje e ashpërsi fuqinë e tij foshnjore. Rendi Administrativ—Arka e destinuar për të ruajtur integritetin e tij e për ta çuar atë në siguri—duhet që pavonesë të kërkojë vëmendjen e pjesëtarëve të këtij komuniteti pa përjashtim, idealet e tij duhet të ushqehen vazhdimisht në zemrat e tyre, qëllimet e tij të studiohen e të mbahen vazhdimisht para syve të tyre, kërkesat e tij të plotësohen me gjithë zemër, ligjet e tij të mbështeten me kujdes, institucionet e tij të përkrahen pa kufizim, misioni i tij i lavdishëm të përhapet jashtë dhe fryma e tij të bëhet i vetmi qëllim që motivon jetën e tyre.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut, të shtuar në një letër të datës 22 gusht 1949 dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Australisë e të Zelandës së Re, botuar në “Letra nga Ruajtësi për Australinë dhe Zelandën e Re, 1923-1957” (Sidnej: Asambleja Shpirtërore Kombëtare e Bahá’í-ve të Australisë 1970), f.80-81)

346. Armiqësia e gjakderdhja, me mjerimin që i shoqëron, vuajtjet e pështjellimi që kanë goditur gjithë nënkontinentin e Indisë në muajt e fundit, më kanë shkaktuar shqetësimin më të madh. Turbullirat, që kanë pasuar lindjen e kësaj krize të madhe në jetën e popullit të saj, përbëjnë një sfidë, të cilën komuniteti i besimtarëve të patundur të Bahá’u’lláh-ut në atë vend duhet ta përballojë me vendosmëri, dhe duke e përballuar të tregojnë vlerën e besimit të tyre, thellësinë e devocionit të tyre, forcën e unitetit të tyre, qëndrueshmërinë e institucioneve të tyre dhe karakterin heroik të vendosmërisë së tyre. Ata nuk duhet as të ndjehen të alarmuar, as të lëkunden ose ngurrojnë në zbatimin e Planit të tyre. Të mbrojtur nga institucionet që kanë ngritur me duart e veta, duke qëndruar të sigurt në fortesën e dashurisë së tyre për Bahá’u’lláh-un dhe në devocionin e tyre për Besimin e Tij, duke ndjekur me vigjilencë të pandërprerë e me synim të sinqertë rrugën e shtruar nga Plani që ata vetë kanë filluar, të inkurajuar nga suksesi fillestar  i arritur tashmë që kur ky Plan u vu në zbatim, ata, edhe pse të goditur shumë nga rrethanat e tanishme dhe sado e rrezikshme është rruga ku ecin tani, duhet të çajnë përpara, pa iu trembur përndjekjeve, përbuzjes ose shpifjeve, drejt qëllimeve të ndritshme që i kanë shtruar vetes të arrijnë.
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut, shtuar në një letër të datës 24 Tetor 1947, shkruar në emër të tij për Asamblenë Shpirtërore Kombëtare të Indisë, të Pakistanit e të Birmanisë, botuar në “Agimi i një Dite të Re” (Nju Delhi: Trusti Botues Bahá’í, 1970), f.127)

347. NGJARJET E KOHËVE TË FUNDIT, PLOTËSIMI TRIUMFAL I NJË SERI NDËRMARRJEVE HISTORIKE, SI NDËRTIMI I SUPERSTRUKTURËS SË VARRIT TË BÁB-IT, PËRURIMI I TEMPULLLIT MËMË TE PERËNDIMIT, FESTIMET MBARËBOTËRORE TË VITIT TË SHENJTË, MBAJTJA E KATËR KONFERENCAVE NDËRKONTINENTALE TË MËSIMIT QË INAUGUROJNË KRYQËZATËN DHJETËVJEÇARE, PËRHAPJA E PAPARË E ZBATUESVE TË TIJ TRIMA MBI FAQEN E GLOBIT, PËRPARIMI I JASHTËZAKONSHËM I FUSHATAVE TË AFRIKËS E TË PAQËSORIT, NGRITJA E RENDIT ADMINISTRATIV NË GADISHULLIN ARAB, ZEMRËN E BOTËS ISLAMIKE, DISFATA E KUNDËRSHTARËVE TË FUQISHËM NË DJEPIN E BESIMIT, NGRITJA E ARKIVIT NDËRKOMBËTAR, QË LAJMËRON VENDOSJEN E SELISË SË RENDIT ADMINISTRATIV BOTËROR NË TOKËN E SHENJTË, KANË SHËRBYER PËR TË NDEZUR ARMIQËSINË E PASHUAR TË KUNDËRSHTARËVE MYSLIMANË, KANË KRIJUAR KUNDËRSHTARË TË RINJ NDËR BESIMTARËT E KRISHTERË, KANË SHKAKTUAR ORVATJE TË REJA TË ARMIQVE TË BRENDSHËM, SHKELËS TË BESËLIDHJES SË VJETËR E TË RE, PËR TE NDALUR MARSHIMIN E KAUZËS SË PERËNDISË, PËR TË SHTREMBËRUAR QËLLIMIN E SAJ, PËR TË SHKATËRRUAR INSTITUCIONET E SAJ ADMINISTRATIVE, PËR TË TOPITUR ZELLIN E PËR TË MINUAR BESNIKËRINË E MBROJTËSVE TË SAJ. FAKTET E ARMIQËSISË GJITHNJË E MË TË MADHE, QË NUK MUND TË MOS SHOQËROHET ME MAKINACIONE KËMBËNGULËSE NGA BRENDA, TË CILAT PARALAJMËROJNË NJË LUFTË TË TMERRSHME, TË DESTINUAR TË VERË PËRBALLË USHTRINË E DRITËS ME FORCAT E ERRËSIRËS, SI LAIKE DHE FETARE, KA PARASHIKUAR GJUHA E PAGABUESHME E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT, BËJNË TË NEVOJSHME NË KËTË MOMENT KRITIK NJË BASHKËPUNIM MË TË NGUSHTË TË DUARVE TË TË PESË KONTINENTEVE MË PËRFAQËSUES TË ORGANEVE TË ZGJEDHURA TË KOMUNITETEVE KOMBËTARE BAHÁ’Í ANEMBANË BOTËS PËR HETIMIN E VEPRIMTARIVE TË ULTA TË ARMIQVE TË BRENDSHËM, PËR MARRJEN E MASAVE EFEKTIVE TË MATURA PËR T’IU KUNDËRVËNË PLANEVE TË TYRE TRADHTARE, PËR TË MBROJTUR MASËN E BESIMTARËVE, PËR TË NDALUR PËRHAPJEN E NDIKIMIT TE LIG. FTONI DUART. {11}
 ASAMBLETË KOMBËTARE TË ÇDO KONTINENTI MË VETE TË VENDOSIN TASH E TUTJE KONTAKTE TË DREJTPËRDREJTA, TË DISKUTOJNË SA HERË QË ËSHTË E MUNDUR, TË SHKËMBEJNË SA MË SHPESH RAPORTE PËR T’UA PARAQITUR KËSHILLAVE NDIHMËSE PËRKATËSE TË TYRE. KOMITETET KOMBËTARE TË TREGOJNË VIGJILENCË TË VAZHDUESHME PËR TË KRYER PA LËKUNDJE DETYRAT E SHENJTA E TË PASHMANGSHME. SIGURIMI I BESIMIT TË SHTRENJTË, RUAJTJA E SHËNDETIT SHPIRTËROR TË KOMUNITETEVE BAHÁ’Í, VITALITETI I BESIMIT TË PJESËTARËVE TË TIJ INDIVIDUALË, FUNKSIONIMI I MBARË I INSTUTICIONEVE TË TIJ TË NGRITURA ME MUNDIM, ÇUARJA DERI NË FUND E NDËRMARRJEVE TË TIJ MBARËBOTËRORE, PËRMBUSHJA E DESTINACIONIT TË TIJ PËRFUNDIMTAR, TË GJITHA VAREN DREJTPËRSËDREJTI NGA ZBATIMI I PËRSHTATSHËM I PËRGJEGJËSIVE TË RËNDA QË TANI BIEN MBI ANËTARËT E KËTYRE DY INSTITUCIONEVE, TË CILAT BASHKË ME SHTËPINË UNIVERSALE TË DREJTËSISË, INSTITUCIONIN E ARDHSHËM TË RUAJTËSISË, PËRBËJNË RANGUN MË TË LARTË TË HIERARKISË ADMINISTRATIVE HYJNISHT TË PËRCAKTUAR TË RENDIT BOTËROR TË BAHÁ’U’LLÁH-UT.
(Telegram i 4 qershorit 1957, dërguar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, botuar në “Mesazhe për botën Bahá’í 1950-1957” (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1971), f.122-123)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË SHOGHI EFFENDIUT:

348. Padyshim, ndërsa ndikimi i Besimit të Perëndisë përhapet më tej, numri i atyre që duan ta pengojnë përparimin e tij gjithashtu do të rritet ; kundërshtarë të rinj dhe gjithnjë e më të fuqishëm do të dalin në pah; dhe keqbërës, nën pretekste të ndryshme të jashtëzakonshme, do të kërkojnë fshehurazi të nxitin për të vepruar të gjithë ata që ruajnë inate ose ia duan të keqen kësaj Kauze, dhe do të ngrejnë lart flamuret e rebelimit. Në këto rrethana, për miqtë është thelbësore, nga njëra anë, të jenë syhapur e vigjilentë dhe, nga ana tjetër, të rritin vigjilencën e të forcojnë besnikërinë e bashkëbesimtarëve të tyre, të mbrojnë integritetin e Fjalës së Perëndisë dhe të ruajnë harmoninë e unitetin midis të dashurve të Tij. Kjo është detyra supreme e miqve të Perëndisë dhe mjeti më i lartë për t’i shërbyer Kauzës së Tij.
(24 maj 1927, dërguar një besimtari individual - përkthyer nga persishtja)

349. Përballë kushtesh të tilla shqetësese, ju duhet ta kuptoni, më qartë se kurrë, detyrimin tuaj të lartë për të mbrojtur trupin e Kauzës nga çfarëdo goditjesh e sulmesh të tjera dhe për të aderuar me ndërgjegje e mençuri në frymën e parimet e Administrimit….
(12 Korrik 1937, dërguar një besimtari individual)

350. Çështjen e kundërshtimit të sulmeve e të kritikave të drejtuara kundër Kauzës nëpërmjet shtypit, ai e ndien se i përket Asamblesë Shpirtërore Kombëtare ta shqyrtojë. Ky organ, qoftë drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet komiteteve të tij, duhet të vendosë nëse është e udhës t’u jepet përgjigje sulmeve të tilla, si dhe të analizojë e të kontrollojë me kujdes çdo deklaratë që miqtë duan të çojnë në shtyp për këtë qëllim. Vetëm nëpërmjet një mbikqyrjeje e kontrolli të tillë të veprimeve të shtypit Bahá’í, miqtë mund të shpresojnë të shmangin konfuzionin e keqkuptimet në vetë mendjet e tyre dhe në mendjen e publikut të gjerë, tek e cila ata mund të arrijnë përmes shtypit.
(28 shtator 1928, dërguar një besimtari individual)

351. Është detyrë e miqve t’i përballojnë këto vështirësi me qëndrueshmëri e vendosmëri, me mirënjohje e durim, unitet e solidaritet; të qëndrojnë të fortë përballë këtyre fatkeqësive të njëpasnjëshme; t’i kalojnë me sukses këto faza të fundit që mbeten në rrugën që u është destinuar; dhe as të mos bëhen të paduruar as të mos dekurajohen për shkak të privacioneve e të mundimeve, të padrejtësisë e të shtypjes që janë të shtrënguar të pësojnë. Ata le të mbajnë vazhdimisht parasysh këtë paralajmërim të qartë e solemn të shkruar nga penda e Qendrës së Besëlidhjes dhe, me zemër të qetë, me shpirt të gëzuar, me qëllim të patundur e me vendosmëri të madhe, të presin me vigjilencë shpalosjen e përmbushjen e fjalëve të Mjeshtrit:
 Kini mendjen për të qarat e fëmijëve të munduar e jetimë dhe për rënkimet e viktimave të shtypjes, se mos lotët e tyre kthehen në përmbytje dhe fryma e tyre kthehet në zjarr.
 Trazirat e dhunshme, sprovat plot vuajtje dhe rreziqet e mëdha që rrethojnë tani bandën kokëfortë të keqdashësve, të keqbërësve e të shtypësve nga çdo shtresë e shoqërisë, qoftë në vetë vendin tuaj ose në vendet fqinjë, dhe që kanë sulmuar popujt e tyre, mbretërit e nënshtetasit, qeveritë e qytetarët nga çdo anë, janë rezultatet e këtyre fajeve e shkeljeve të rënda që ka kryer në atë tokë dora e tiranit dhe e agresorit. Tani, pas kalimit të një shekulli, rrugëdalja e kobshme e këtyre bëmave është bërë e dukshme dhe rrjedhojat e tyre të dëmshme janë zbuluar që t’i shohin të gjithë. Po afrohet me shpejtësi dita kur hordhitë e urrejtjes e të padrejtësisë do të thirren për të dhënë llogari për bëmat e tyre: shumë shpejt ata do të mbërthehen nga forcat e zemërimit shpagues të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm e Gjithëdetyrues.
 Duke i këshilluar miqtë dhe duke u shprehur ngushëllimet viktimave të këtij tërbimi të fundit, Asambleja juaj duhet t’i nxisë ata të mbahen tani, si kurrë më parë, pas fillit të qëndrueshëm të porosive e të mësimeve të shenjta të Perëndisë, kurrë të mos largohen as edhe një fije floku nga Ruga e Drejtë; dhe të presin ardhjen e asaj dite, kur Atij t’i pëlqejë të përmbushë vendimin e Tij të paracaktuar. Ai, me të vërtetë, është Mbrojtësi i të munduarve, dhe Ai, me të vërtetë, është Përkrahësi i të gjithë atyre që qëndrojnë të fortë e të patundur.
(2 korrik 1942, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Persisë - përkthyer nga persishtja)

352. Kauza e Perëndisë duhet të mbrohet nga armiqtë e Besimit dhe nga ata që mbjellin farën e dyshimit në zemrat e besimtarëve, dhe mbrojtja më e madhe është dija…
(11 maj 1948, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Gjermanisë e të Austrisë, botuar në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor”, vëll.1, f.134)

353. …besimtarët kanë nevojë të thellojnë njohuritë dhe vlerësimet e tyre për Besëlidhjen si të Bahá’u’lláh-ut dhe të ‘Abdu’l-Bahá-it. Kjo është fortesa e Besimit për çdo Bahá’í, dhe kjo e bën atë të aftë të përballojë çdo provë dhe sulmet e armiqve jashtë Besimit, si dhe njerëzit shumë më të rrezikshëm, të pabesë, indiferentë brenda Besimit, të cilët nuk kanë devocion të vërtetë për Besëlidhjen dhe, për rrjedhojë, nga njëra anë, mbështesin aspektin intelektual të mësimeve e, në të njëjtën kohë, minojnë themelin shpirtëror mbi të cilin qëndron tërë Kauza e Perëndisë.
(15 prill 1949, dërguar një besimtar individual, botuar në “Drita e Udhërrëfimit Hyjnor”, vëll.2, f.84)

354. Sulmet nga ana e misionarëve dhe e të tjerëve, siç janë Pleqtë, duhet sigurisht të priten me një mbrojtje publike energjike nga Asambleja juaj dhe gjithashtu nga Asambletë Lokale.
(18 gusht 1949, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

EKSTRAKT NGA NJË LETËR E SHKRUAR PREJ SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË:

355. Nevoja për ta mbrojtur Besimin nga sulmet e armiqve të tij, në përgjithësi nuk çmohen nga miqtë, sepse sulme të tilla, veçanërisht në Perëndim, deri më sot kanë qenë me ndërprerje. Megjithatë, ne e dimë se këto sulme do të shtohen dhe do të bëhen të kombinuar e të përgjithshëm. Shkrimet e Besimit tonë Bahá’í parashikojnë qartë jo vetëm intesifikimin e makinacioneve të armiqve të brendshëm, por edhe një rritje të armiqësisë e të kundërvënies së armiqve të tij të jashtëm, qoftë fetarë ose laikë, sa më tepër Besimi ynë i shumëdashur vazhhdon të marshojë përpara drejt fitores përfundimtare. Prandaj, nën dritën e paralajmërimeve të Shoghi Effendiut, Këshillat Ndihmëse për Mbrojtjen duhet që “vazhdimisht” të jenë “syhapur” ndaj atyre “që dihet se janë armiq ose që janë përjashtuar nga Besimi”, të “hetojnë” me kujdes veprimtaritë e tyre, të paralajmërojnë me zgjuarësi miqtë për kundërvënien që në mënyrë të pashmangshme do të vijë, të shpjegojnë sesi çdo krizë në Besimin e Perëndisë gjithmonë është provuar se ka qenë një bekim i fshehur, t’i përgatisë ata për “sprovat e tmerrshme” që janë “të destinuara të venë përballë Ushtrinë e Dritës me forcat e errësirës” dhe, kur ndikimi i armiqve të përhapet e të arrijë vathën e tyre, anëtarët e këtyre Këshillave Ndihmëse duhet të jenë vigjilentë ndaj planeve të tyre për “të topitur zellin e për të minuar besnikërinë” e besimtarëve dhe, duke marrë “masa efektive të matura”, {12} t’u kundërvihen këtyre planeve dhe të ndalin përhapjen e ndikimit të tyre. Mbi të gjitha, anëtarët e Këshillave të Mbrojtjes duhet të përqëndrohen në thellimin e dijeve të miqve për Besëlidhjen dhe të rritin dashurinë e besnikërinë e tyre ndaj saj, duke iu përgjigjur qartë e hapur, në përputhje me mësimet, çdo pyetjeje që mund të shqetësojë cilindo prej besimtarëve, duke stimuluar thellësinë dhe forcën shpirtërore të besimit e të sigurisë së tyre, dhe duke mbështetur çdo gjë që rrit frymën e unitetit plot dashuri në komunitetet Bahá’í.
 Por detyrat parësore të Këshillave të Përhapjes janë të drejtojnë vëmendjen e besimtarëve në objektivat e çfarëdo planeve që janë shtruar para tyre, t’i stimulojnë e ndihmojnë ata për të çuar përpara punën e mësimit në fushat e shpalljes, të shtrirjes, të konsolidimit e të pionerizmit, të inkurajojnë kontributet për fondet, dhe të veprojnë si flamurtarë të mësuesve të Besimit, duke i çuar ata drejt arritjesh të reja në përhapjen e Mesazhit të Perëndisë te qeniet e tjera njerëzore…
 Për më tepër, duhet sjellë ndërmend se po të njëjtat funksione kryhen nga Asambletë, kombëtare e lokale, dhe nga komitetet e tyre, të cilat kanë sot përgjegjësinë e madhe për zbatimin praktik të planeve të mësimit dhe për administrimin, për konsolidimin dhe mbrojtjen e komuniteteve Bahá’í. Anëtarët e Trupës Ndihmëse duhet, pra, të vëzhgojnë me kujdes që puna e tyre të përforcojë e plotësojë atë të institucioneve administrative.
(10 tetor 1976, Qendrës Ndërkombëtare të Mësimit)

EKSTRAKTE NGA LETRAT E SHKRUARA NË EMËR TË SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË:

356. Një prej funksioneve jetësore të Këshillave të Mbrojtjes është të thellojnë dijet e miqve për Besëlidhjen dhe të rritin dashurinë e besnikërinë e tyre ndaj saj, si dhe të forcojnë frymën e dashurisë e të unitetit brenda komunitetit Bahá’í.
 Është detyrë e Asambleve Shpirtërore Lokale e Kombëtare t’u drejtohen anëtarëve të Trupës Ndihmëse për çështje të mbrojtjes që mund të përfshijnë jo vetëm thyerjen e mundëshme të Besëlidhjes, por edhe probleme të përçarjes brenda komunitetit, të heqjes së të drejtës së votës ose ndonjë çështje tjetër që ju e ndjeni se udhëheqja e këshilla e Këshillave të Mbrojtjes mund të jenë të dobishme për institucionet e Besimit. Anëtarët e Trupës Ndihmëse, sigurisht, i mbajnë të informuar Trupën Kontinentale të Këshilltarëve dhe Këshilltarët, pastaj ndërmarrin hapat që ata e ndiejnë të nevojshme se duhen bërë.
 Ju jeni të lirë t’u referoni në çdo kohë Trupës Kontinentale të Këshilltarëve dhe anëtarëve të Trupës Ndihmëse për mbrojtjen çdo çështje rreth së cilës ju nuk jeni të qartë, që ka të bëjë me sigurimin e Besimit në zonën tuaj dhe do ta shihni se ata janë gjithmonë të gatshëm t’ju ndihmojnë në trajtimin e këtyre problemeve.
(1 tetor 1979, Asamblesë  Shpirtërore Kombëtare të Venezuelës)

357. Armiqësia ndaj Besimit është diçka që të gjithë Bahá’í-të duhet ta presin; si reagojmë ne ndaj saj, kjo ka rëndësi të madhe. Nga ju kërkohet të shmangni konfrontimet e përçarjen që priren ta shtojnë antagonizmin. Mbani qëndrim dinjitoz e miqësor dhe, me qëllim që të bëni një arsyetim të bazuar, kur kjo është e nevojshme, konsiderojeni të detyrueshme të informoheni më mirë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me Krishtërimin e fenë Bahá’í.
(12 shtator 1985, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shën Vinsentit [St. Vincent])

358. …ndërsa Besimi bëhet i njohur, ne mund të presim kundërvënie e përndjekje. Megjithatë, në paraqitjet e në marrëdhëniet tona ne duhet kurdoherë të përpiqemi të ndërtojmë ura, në mënyrë që mësimet tona të shkëlqyera të kuptohen e të pranohen, dhe fuqia që ato kanë për të vendosur unitetin midis njerëzve të gjejë mishërim.
(18 dhjetor 1985, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Tuvalu-s)

Rishikuar në Korrik 1990

 

1.  Kjo i referohet Manifestimit të vetë Bahá’u’lláh-ut.
2. Kurani 36:29.
3. Kurani 20:12.  I referohet edhe si “Lugina e Shenjtë”.
4.  Shih Kuranin 4:80.
5.  “Manual për Kultet dhe Fetë e Reja”, Xhon Bojkin [John Boykin].
6.  Sa’dí, Muslihu’d-Din nga Shirazi (d.691 A.H./1292 A.D.) autori i famshëm i “Gjylistanit” dhe i veprave të tjera poetike.
7.  Irani.
8.  Kurani, 33:62 dhe 48:23.
9.  “Fjalët e Fshehura të Bahá’u’lláh-ut”, nr. 51 arab., bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1985), f.15. — “Letër për të Birin e Ujkut”, bot. i rish. (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1988), f.1.
10.  Isaia 35:4.
11.  Trupat Kontinentale të Këshilltarëve…janë të ngarkuara me funksione të posaçme lidhur me  mbrojtjen dhe përhapjen e Besimit në zonat që ndodhen brenda juridiksionit të tyre. Ato veprojnë në mënyrë të ngjashme me atë që ka shtjelluar Ruajtësi i shumëdashur për Duart e Kauzës në njoftimet e tij që përcaktojnë përgjegjësitë që ata duhet të kryejnë në bashkëpunim me Asambletë Shpirtërore Kombëtare. Ne tërheqim në mënyrë të veçantë vëmendjen tuaj në mesazhin e tij të 4 qershorit 1957. 
(Nga një letër e Shtëpisë Universale të Drejtësisë e datës 24 qershor 1968,
dërguar një Trupe Kontinentale Këshilltarësh)
12.  “Mesazhe për Botën Bahá’í, 1950-1957”, f.123.

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS