""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Hukukullah, Ligji social-ekon. e shpirt. i Qitapit Akdas


HUKUKULLAH-U –
LIGJI SOCIAL-EKONOMIK E SHPIRTËROR I QITAPI AKDAS-IT

Teksti i një bisede të të Besuarit për Hukukullah-un, Dorës së Kauzës së Perëndisë
Dr. ‘Alí-Muhammad Varqá
në takimet e mbajtura në Shtetet e Bashkuara në qershor 1997

Të tilla biseda u bënë në Kanada,
në Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar
në korrik-shtator 1997
 
 
  Të dashur miq,
  Është me të vërtetë një privilegj i madh për mua që kam mundësinë të vi në vendin tuaj dhe, në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë e të Duarve të Kauzës, të përshëndes miqtë amerikanë, shërbimet e shquara të të cilëve për Kauzën e Perëndisë kanë stolisur faqet e arta të historisë së Besimit tonë.
  Pas një takimi që pata me Shtëpinë Universale të Drejtësisë në janarin e shkuar, Unë mora udhëzime nga ai Organ Suprem që të vi në Shtetet e Bashkuara dhe të takohem me miqtë amerikanë për të tërhequr vëmendjen e tyre rreth kërkesave e nevojave të Besimit në këtë kohë kritike në historinë e njerëzimit, gjatë së cilës rendet ekzistuese po rrëzohen, duke i hapur rrugën lindjes së një paradigme të re të bazuar në dashurinë e në vlerat që i parashtroi njerëzimit Bahá’u’lláh-u.
 
  Ngritja e godinave të Rendit të Ri Botëror
 
  Duke iu afruar fundit të mijëvjeçëarit të dytë, ne shohim se horizonti i botës mbetet i errësuar nga rritja e mosbesimit, e konfliktit dhe e urejtjes midis vendeve e kombeve. Shekulli i njëzetë, i quajtur nga Mjeshtri i dashur "shekull i dritës", është shquar për përparimet e jashtzakonshme në fushën e shkencës e të teknikës; por, për fat të keq, ky përparim nuk po garanton lumturinë dhe begatinë e popujve të botës, të cilat përbëjnë objektivin suprem të Revelacionit të Bahá’u’lláh-ut. Teoritë pragmatiste të shprehura nga filozofët, socialekonomistët, politikanët dhe teorisienë të tjerë kanë treguar paaftësinë e tyre për të zgjidhur nyjen që përfshin brenda saj mëdyshjet e brezit tonë. Në një Tabelë të rëndësishme të titulluar "Lohi Maksud" ["Lawh-i-Maqsúd"], Bahá’u’lláh-u thotë:
  Erërat e dëshpërimit, mjerisht, po fryjnë nga çdo drejtim dhe grindjet që përçajnë e brengosin racën njerëzore po shtohen nga dita në ditë. Tani mund të shihen shenjat kanosëse të konvulsioneve e të kaosit, sepse rendi mbisundues duket se është në mënyrë të vajtueshme i çalë. Unë i lutem Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, që me dashamirësi t'i zgjojë popujt e tokës, të bëjë që sjellja e tyre të jetë në fund me përfitim për ta dhe t'i ndihmojë ata të kryejnë atë që i ka hije pozitës së tyre. [1]
  Në një Tabelë tjetër, të reveluar për nder të një besimtari individual, Bahá’u’lláh-u thotë:
  Së shpejti rendi i sotëm do të paloset dhe një rend i ri do të shpaloset në vend të tij.[2]
  Ky proces është sqaruar më tej nga Penda Më e Lartë në një pasazh që unë besoj se pjesa më e madhe midis jush e kanë lexuar:
  Bota është në trazim dhe shqetësimi i saj shtohet dita ditës. Fytyra e saj është kthyer ndaj mbrapshtisë e mosbesimit. Fati i saj i trishtueshëm do të jetë i tillë, saqë ta zbulosh atë tani nuk do të ishte e përshtatshme. Zvetënimi i saj do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Dhe kur të vijë ora e caktuar, papritur do të duket ajo që do t'i bëjë gjymtyrët e njerëzimit të dridhen. [3]
  Nga ana tjetër, përparimi i jashtzakonshëm dhe shtrirja e Kauzës në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë tregojnë se, me gjithë ekzistencën e pengesave kolosale në shtegun e zhvillimit të Kauzës së Perëndisë dhe armiqësinë e egër ndaj Besimit në disa vende fundamentaliste, Dora e Perëndisë Fuqiplotë ka shtruar rrugën që popujt e botës të bëhen të vetëdijshëm për ekzistencën e Besimit, historinë e tij, ligjet e parimet e tij, filozofinë e idealet e tij dhe për mësimet e tij lidhur me mirëqenien e begatinë e njerëzimit.
  Për këtë dëshmojnë fitoret e mrekullueshme të arritura gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në botën Bahá’í. Duke përmendur vetëm disa prej shembujve të shumtë, këtu mund të radhiten pjesëmarrja aktive e Besimit në agjensitë ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara; interesi i treguar nga disa Kryetarë shtetesh e udhëheqës të tjerë shtetërorë, duke ardhur në Tokën e Shenjtë për të marrë informacion nga Shtëpia Universale e Drejtësisë mbi pikëpamjet Bahá’í lidhur me problemet social-ekonomike të botës; Vizita devocionale e plot respekt e Dalai Lamës, prijësit shpirtëror të miliona budistëve, në Mauzoleun e Bab-it të Bekuar; dhe nismat që të ngrohin zemrën të anëtarëve të Parlamentit Brazilian, që prezantuan Besimin në vendin e tyre dhe i bënë nderime Amatul Baha Ruhije Kanum-it [Amatu'l-Bahá Rúhíyyih Khanúm] në një ceremoni të posaçme, gjatë së cilës anëtarët e Parlamentit Federal të Brazilit shprehën vlerësimin e respektin e tyre për Mësimet e Bahá’u’lláh-ut dhe shpjeguan synimin e Mësimeve të Tij, e kështu me radhë.
  Në këtë kohë të përshtatshme Shtëpia Universale e Drejtësisë, e cila vëzhgon syhapur përparimin e Besimit dhe udhëheq komunitetin Bahá’í, ka shprehur nevojën që të shtohen dijet e miqve lidhur me Mësimet e Porositë e Bukurisë së Bekuar, Mësime që synojnë të sjellin një shndërrim rrënjësor të strukturës së shoqërisë njerëzore dhe të shërbejnë si materiale bazë për të ngritur godinën e Rendit të Ri Botëror, qëllimi të cilit është ripërtëritja e njeriut dhe riorganizimi i shoqërisë njerëzore.
  Në përkufizimin e një fjalori termi "rend" shpjegohet si gjendje në të cilën çdo gjë është në vendin e vet dhe çdo element kryen funksionin e tij në raport me të tjerët. Pra, Rendi Botëror i Bahá’u’lláh-ut, në kundërshtim me mënyrën mbizotëruese të jetesës në shoqërinë njerëzore, e cila në të vërtetë s'është veçse çrregullim i plotë, përbën një disiplinë shpirtërore brenda së cilës të gjitha pjesët përbërëse funksionojnë në harmoni e drejtpeshim të plotë.
  Ky rend i mrekullueshëm është një përmbledhje ligjesh e porosish hyjnisht të urdhëruara, të nxjerra nga Bahá’u’lláh-u, të interpretuara e të shpjeguara nga Qendra e Besëlidhjes, ‘Abdu’l-Bahá-i, dhe Ruajtësi i dashur, të cilat kanë si strumbullar Librin Më të Shenjtë të Dispensacionit Bahá’í, Qitapi Akdas-in dhe Tabelat shtojcë të tij.
  Qitapi Akdas, "porositë e të cilit", sipas Ruajtësit të dashur, "duhet të mbeten të paprekura për jo më pak se njëmijë vjet dhe sistemi i të cilit do të përfshijë gjithë planetin", [4] tani është botuar dhe gjendet në komunitetin Bahá’í në mbarë botën.
 
  Domethënia dhe natyra e Ligjit të Hukukullah-ut
 
  Vlen të vihet në dukje se një nga fazat e zhvillimit të Besimit, nën udhëheqjen e Shtëpisë Universale të Drejtësisë gjatë Epokës Formuese, është zbatimi gradual i ligjeve të Qitapi Akdas-it, veç atyre të vëna në zbatim para vitit 1963. Midis tyre, në saje të rëndësisë së tij jetësore, ligji i Hukukullah-ut, apo e Drejta e Perëndisë, ka privilegjin të jetë i pari që do të zbatohet në mënyrë universale që nga Ridvani 1992.
  Shtëpia Universale e Drejtësisë, në letrën e saj të 9 shkurtit 1997 që më dërgonte mua, thoshte: "Kujdesi ynë kryesor në çastin e tanishëm është të ngjallim në një numër të madh miqsh një vetëdijë më të thellë për domethënien e ligjit të Hukukullah-ut".
  Para se të shtjellojmë karakteristikat dhe hollësitë e këtij ligji, duhet të japim disa mendime për domethënien dhe natyrën e tij.
  Zakonisht, në gjuhët tona mbizotëruese, kur flasim për ligj, me këtë kuptojmë një rregull, të ngurtë për nga natyra dhe të diktuar nga një organizatë ose person i rangut të lartë, për të imponuar disa kufizime në jetët tona; prandaj fjala "ligj" shoqërohet gjithmonë me një ndjenjë trysnie, privimi e ankthi, veçanërisht në rastet që kanë të bëjnë me çështje materiale. Por në konceptin Bahá’í të ligjit, kuptimi i tij i ka kapërcyer kufijt e fjalëve dhe ka marrë një përkufizim të ri.
  Në Qitapi Akdas, kur Bahá’u’lláh-u flet për ligjet dhe porositë e Tij, Ai përdor një metaforë të bukur që thotë:
 
  Mos mendoni se Ne ju kemi reveluar thjesht një kod ligjesh. Jo, madje me gishtat e fuqisë e të pushtetit, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur. [5]
  Përmes këtyre fjalëve koncepti i trysnisë e i privimit është zëvendësuar me ndjenjat e magjepsjes, të dhembshurisë e të kënaqësisë.
  Kur pimë nga kupa e verës së zgjedhur, që shtie në shpirtrat tanë dashurinë e Perëndisë, ne biem në dashuri me Të dhe me Kauzën e Tij. Në këtë fazë, shpirti fillon të fluturojë e të përparojë në mbretërinë e Perëndisë. Mjeti i tij fluturues që gjithmonë ngjitet s'është veçse dashuria. Kjo dashuri përshkruhet si vijon nga Bahá’u’lláh-u në Shtatë Luginat:
  Në këtë qytet qielli i ekstazës lartësohet dhe dielli botëndriçues i dëshirës së zjarrtë shkëlqen, dhe zjarri i dashurisë merr flakë; dhe kur zjarri i dashurisë merr flakë, ai djeg e bën hi frytin e arsyes.[6]
  Në një poemë mistike të mahnitshme të reveluar nga Bahá’u’lláh-u gjatë veçimit të Tij në malet e Sulejmanies [Sulaymáníyih], Ai thotë:
  Ndiz zjarrin e dashurisë dhe digji të gjitha gjërat.
  Pastaj shkel në tokën e të dashuruarve. [7]
  Kjo dukuri kaq e lartësuar është forca motivuese që e bën njeriun të aftë të largojë të gjitha pengesat në rrugën e rritjes së tij shpirtërore. I forcuar nga kjo fuqi e jashtëzakonshme, e vetmja dëshirë e tij do të jetë të kënaqë të Shumëdashurin e tij. Në këtë rast, sipas fjalëve të Bahá’u’lláh-ut,
  ai, edhe po të zotëronte të gjitha thesaret e tokës, do të hiqte dorë nga të gjitha këto për të provuar vërtetësinë qoftë edhe të njërës prej porosive të Tij, që shkëlqejnë mbi Agimet e kujdesit bujar e të mirëdashjes së Tij. [8]
  Hukukullah-u, me karakteristikat e tij të posaçme e unike, kombinon fuqinë e pushtetin e Fjalës së Perëndisë me përunjësinë e nënshtrimin e njeriut; prandaj në këtë Kauzë bindja ndaj urdhrit të Perëndisë është një tregues i shkallës së lartë të dashurisë e të përkushtimit.
  Rëndësia e ligjit të Hukukullah-ut del në pah nga këto fjalë të Bahá’u’lláh-ut:
  Thuaj: O njerëz, detyra e parë është të njohësh Perëndinë e vërtetë -- u shtoftë lavdia e Tij, -- e dyta është të tregosh qëndrueshmëri në Kauzën e Tij dhe, pas këtyre, detyra është t'i dëlirësh pasuritë dhe zotërimet e tua tokësore në pajtim me atë që porosit  Perëndia. [9]
  Përmes këtyre fjalëve ne kuptojmë se Hukukullah-u, nga renditja sipas rëndësisë, vjen fill pas njohjes së Perëndisë dhe qëndrueshmërisë në Kauzën e Tij. Ky rang i shquar që Bahá’u’lláh-u i jep ligjit të Hukukullah-ut na bën të mendojmë për domethënien shpirtërore të këtij urdhri të shenjtë.
  I Gjithëfuqishmi Perëndi, nga mbretëria e Tij e Lavdisë e në urtinë e Tij gjithëpërfshirëse, e ka krijuar njeriun sipas shëmbëlltyrës së Vet dhe e ka vendosur atë në majën e krijimit të Tij që të pasqyrojë emrat dhe atributet e Tij në botën e qenies. Ai ka vendosur një lidhje dashurie e afrie midis njeriut dhe Atij Vetë. Në Fjalët e Fshehura lexojmë:
  O bir i njeriut! Mbuluar në qenien Time aq të hershme sa s'mbahet mend dhe në përjetësinë e lashtë të thelbit Tim, Unë ndieva dashurinë Time për ty; prandaj të krijova ty, gdhenda tek ti shëmbëlltyrën Time dhe të zbulova ty bukurinë Time. [10]
 
  Përparimi në mbretëritë shpirtërore të Perëndisë
 
  Ai i dha njeriut fuqi të pakufizuar të kuptuari dhe e stolisi atë me aftësi, intelekt e urti të madhe, në mënyrë që ai të përparojë në mbretëritë shpirtërore të Perëndisë e të fitojë veti e atribute hyjnore të pakufizuara; dhe jo ta privojë veten nga përfitimet e botës fizike që gjenden në mbretërinë e trefishtë të qenies -- minerale, bimore e shtazore, -- por të marrë nga dhuntitë e pasuritë e saj. Kjo pasuri është një provë e madhe për njeriun. Burimi i begatisë, i lumturisë e i jetës së mirë është moderimi; pra, në qoftë se ai e kapërcen kufirin e moderimit, kjo e tërheq njeriun poshtë dhe bëhet burim egoizmi e egoje. Në këtë rast njeriu bëhet skllav i dëshirave të tij tokësore dhe nuk mund të çlirohet nga tundimet e botës materiale.
  Ne e dimë se jeta e njeriut në këtë planet është një luftë e vazhdueshme midis dy forcash që lëvizin në drejtime të kundërta: njëra është e një natyre shpirtërore e cila ushqehet nga kalimi i njeriut përmes një procesi spastrimi, ndërtimi e përsosjeje, që e bën atë të aftë ta çlirojë veten prej botës materiale. Ky proces prodhon forcën që lehtëson përparimin e shpirtit të njeriut në mbretërinë shpirtërore, i jep atij aftësinë për të pasqyruar frymën e Perëndisë në qenien e tij më intime dhe e stolis atë me rrobën e shkëputjes, të zemërgjerësisë e të sakrificës. Forca tjetër është materiale dhe ushqehet nga natyra fizike e njeriut, e cila me tërheqjen e saj të fuqishme e lidh atë me mjedisin fizik dhe ndikon mbi të që të përfitojë sa më shumë nga bekimet e dhuntitë materiale, për t'i shtuar edhe më shumë jetës së vet kënaqësinë, ngjyrat e bukurinë.
  Një jetë e shëndetshme kërkon që midis këtyre dy forcave të vendoset një drejtpeshim e ekuilibër. Një nga rrugët që na çon në përmbushjen e këtij ideali është zbatimi i ligjit të Hukukullah-ut, që i është ofruar njerëzimit nga Bahá’u’lláh-u.
  Hukukullah-u është ligji social-ekonomik e shpirtëror i Qitapi Akdas-it, nëpërmjet të cilit besimtari, pasi ka zbritur shpenzimet e tij vjetore nga të ardhurat e veta të përgjithshme, i jep 19 për qind të asaj që ai e konsideron kursim Autoritetit Suprem të Besimit, që të shpenzohet për përhapjen e Kauzës së Perëndisë dhe për mirëqenien e shoqërisë njerëzore.
  Në një Tabelë të reveluar nga Bahá’u’lláh-u për nder të të Besuarit për Hukukullah-un, Haxhi Eminit [Hájí Amín], Penda e Lavdisë thotë:
  Me të vërtetë, në këtë porosi fshihen mistere e përfitime që janë tej aftësive mendore të kujtdo veç Perëndisë... [11]
  Mjeshtri i dashur, në një Tabelë udhëzuese të reveluar në fillim të Misionit të Tij të shenjtë, bënte fjalë për kooperimin e ndërvarësinë që ekziston midis të gjitha atomeve të botës së qenies dhe vinte në dukje se kooperimi e ndërsjellshmëria janë një ligj themelor i krijimit, mbi të cilin mbështetet edhe ligji i Hukukullah-ut.
  Më vonë, lulëzimi i shkencave të natyrës në fillim të këtij shekulli, veçanërisht në fushat e fiziologjisë e të biologjisë dhe, në dhjetëvjeçarët e fundit, në shkencat që lidhen me mjedisin, hedh dritë mbi aspekte të ndryshme të këtij fakti e mbi realitetin e këtij raporti. Në po atë Tabelë, ‘Abdu’l-Bahá-i e krahason tempullin e botës me ndërtimin e trupit njerëzor, në të cilin të gjitha organet, pavarësisht nga dallimet midis tyre, formojnë një njësi të ndërlidhur. Ai shpjegon sesi mbretëria bimore e ajo shtazore janë të lidhura së bashku dhe sesi në secilën mbretëri elementet e jetës punojnë në mënyrë të ndërsjellë për mbijetesën e vet e, në të njëjtën kohë, sigurojnë lëndët e nevojshme për jetën e mbretërisë tjetër. Ai nxjerr përfundimin që kooperimi dhe ndihma e ndërsjellë përbëjnë karakteristikat e trupit të njësuar të botës.
  Hukukullah-u për nga natyra e tij përfaqëson veçori të ngjashme. Duke dhënë Hukukullah-un, ne hyjmë në zinxhirin e pafund të shkakësisë, duke dhënë e duke marrë, duke ndikuar e duke qenë të ndikuar, në një mënyrë që të jemi në gjendje të kontribuojmë me pjesën tonë në sistemin e madh të ndihmës e të ndërvarësisë së ndërsjellë që lidh së bashku të gjitha gjërat e krijuara.
  Shuma që ne zbresim nga fitimet tona dhe e japim si Hukukullah qarkullon në trupin e Besimit dhe ushqen institucionet e tij. Por përfitimet e tij, në formën e mirëqenies publike, kthehen përsëri tek ne.
  Ky funksion është i ngjashëm me atë të qarkullimit të gjakut në trupin e njeriut. Siç e dimë, gjaku përmban lëndë ushqyese, të domosdoshme për jetën e qelizave. Rrahjet e zemrës bëjnë që këto lëndë të transportohen nëpërmjet rrymës së gjakut në mushkëritë e në veshkat. Në mushkëritë gjaku çliron dioksid karboni dhe merr oksigjen. Pasi ushqen qelizat e organet, ai kthehet në zemër për t'u ricikluar dhe për të vazhduar udhën e tij të dobishme.
  Ashtu si në trupin e njeriut rrahjet e zemrës venë në veprim qarkullimin e gjakut që ushqen organet, edhe ndërgjegja e njeriut është forca shtytëse që e nxit besimtarin t'u bindet urdhrave të Perëndisë dhe të zbatojë Vullnetin e Tij.
  Efektshmëria e këtij akti të nënshtrimit e të dashurisë varet nga shkalla e zellit e nga dëshira maksimale me të cilën individi ka kënaqësi e ëndje për t'iu bindur urdhrit të Perëndisë. Ja përse, siç ka thënë Bahá’u’lláh-u, Hukukullah-u duhet zbatuar me ngazëllimin, gëzimin e pranimin vullnetar më të plotë. Siç e ka thënë përsëri Ai,
  Megjithatë, pranimi i ofertave varet nga fryma e gëzimit, e dashamirësisë dhe e kënaqësisë që do të shfaqin shpirtrat e drejtë që e plotësojnë këtë porosi. Në rast se qëndrimi është i tillë, pranimi lejohet, ndryshe jo. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari. [12]
  Kjo është rruga për të tërhequr bekime e mbështetje hyjnore nga ky ligj.
 
  Dallimi midis Hukukullah-ut dhe formave të tjera të kontributeve
 
  Gjatë periudhës së hershme të kësaj Kauze të bekuar, kur miqtë mësuan për ekzistencën e një ligji të tillë, ata mendonin se dhënia e Hukukullah-ut ishte një rrugë për të rritur mundësitë materiale të Besimit ose, sipas shprehjes që përdoret sot, për sigurimin e fondeve.
  Në fakt, me anë të ligjit të Hukukullah-ut, Bahá’u’lláh-u krijoi një burim të përhershëm e të pavarur të ardhurash për përhapjen e Kauzës së Tij dhe për veprimin e institucioneve të saj në mbarë botën. Por në qoftë se thellohemi në aspektet e tij shumëfaqëshe, mund të arrijmë në përfundimin se ky urdhër për nga natyra është i ndryshëm nga format e tjera të dhurimeve:
  1. Hukukullah-u është një ligj shpirtëror që i nënshtrohet detyrimeve e rregullave të posaçme, ndërsa ofertat e tjera janë të varura vetëm nga shkëputja, bujaria e vetësakrifica.
  2. Siç thuhet shprehimisht në Tekstin e Shenjtë, pagimi i Hukukullah-ut bazohet në përllogaritjen e të ardhurave të një njeriu, kurse kontributi për fondet Bahá’í i lihet dëshirës së lirë dhe zellit të besimtarëve.
  3. E drejta e Perëndisë nuk mund të mbahet mënjanë për ndonjë qëllim të posaçëm. Ajo është tërësisht në dispozicion të Marxhai Amr-it [Marjá-i-Amr], apo të pikës qendrore të autoritetit, ndaj së cilës të gjithë duhet të drejtohen, ndërsa kontributet e tjera mund të mbahen mënjanë për qëllime të tjera sipas dëshirës së kontribuesit.
  Shumën e shpenzimeve vjetore të individit, e cila përjashtohet nga Hukukullah-u, i lihet ta vendosë ai vetë dhe varet nga shkalla e lidhjes së tij shpirtërore e nga shkëputja e tij prej botës materiale. Kurrfarë rregulli nuk mund të vendoset për vlerësimin e kësaj shume. Me të vërtetë, ata që i tërheq shkëlqimi mashtrues i botës materiale, ata që ia kanë kushtuar dashurinë e tyre grumbullimit të të mirave e të zbukurimeve të saj dhe që janë zhytur në ekstravagancë janë shembuj të vërtetë të asaj që ka thënë Bahá’u’lláh-u në një Tabelë drejtuar Xhinabi Samandar-it [Jináb-i-Samandar]:
  O Samandar! Sa shpirtra ka që, me mundimet e përpjekjet më të mëdha, mbledhin një grusht pasurish tokësore dhe gëzohen pamasë për këtë veprim, ndonëse në realitet Penda e Më të Lartit e ka caktuar këtë pasuri për të tjerë; pra, ajo nuk është e thënë të mbetet rrisku i tyre, madje mund të bjerë edhe në duart e armiqve të tyre! [13]
  Por ata që kanë pirë nga gurra e sigurisë dhe e dijes, që i janë shmangur ekstravagancës dhe kanë shkuar në shtegun e moderimit, me të vërtetë do të bëjnë gjithçka për të përmbushur detyrimin e tyre ndaj Hukukullah-ut, si pjesë e detyrës së tyre thelbësore shpirtërore.
  Të qënit në gjendje për të kontribuar për Hukukullah-un është një bekim i madh për një besimtar; pranimi i këtij kontributi nga Perëndia është një nder i pashoq që i dhurohet njeriut. Kjo është një shenjë e pjekurisë shpirtërore e një dëshmi e besueshmërisë dhe e besnikërisë së tij ndaj Besëlidhjes së Perëndisë. Vetëdija e besimtarit për frymën e këtij ligji është i vetmi mjet për përmbushjen e tij.
  Duke pasur parasysh pozitën e lartë të Hukukullah-ut dhe për shkak të natyrës së tij të detyrueshme si ligj, Bahá’u’lláh-u e ka ndaluar rreptësisht që të kërkohet e Drejta e Perëndisë. Një veprim i tillë mund të rrezikojë statusin e këtij ligji që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me Perëndinë.
  Bahá’u’lláh-u, në një Tabelë drejtuar Haxhi Abu Hasan Eminit [Háji Abu'l Hasan-i-Amín], të Besuarit të dytë për Hukukullah-un, revelon:
  O Abu Hasan!
  Lavdia ime qoftë mbi ty! Përqëndroje vështrimin tënd mbi lavdinë e Kauzës. Fol atë që do të tërheqë mendjet dhe zemrat. Nuk është kurrsesi e lejuar të kërkohet Hukuk-u. Kjo porosi është reveluar në Librin e Perëndisë për çështje të ndryshme të nevojshme, që Perëndia ka urdhëruar të jenë të varura nga mjetet materiale. Prandaj, nëse dikush, me kënaqësinë e gëzimin më të madh, e jo pse i kërkohet me këmbëngulje, dëshiron të marrë pjesë në këtë bekim, ti mund ta pranosh. Përndryshe pranimi nuk është i lejuar. [14]
  Ai thotë gjithashtu:
  Ju mund të refuzoni gjithë botën, por nuk duhet të lejoni të ulet asnjë grimë e asnjë thërrime dinjiteti i Kauzës së Perëndisë. Xhinabi Emini -- mbi të qoftë lavdia Ime -- gjithashtu nuk duhet ta përmendë këtë çështje, sepse ajo është tërësisht në varësi të vullnetit të vetë individëve. Ata e njohin mirë porosinë e Perëndisë dhe e dinë atë që është reveluar në Librin e Tij. Kush ka dëshirë le ta zbatojë atë, dhe kush dëshiron le ta injorojë. Me të vërtetë, Zoti yt është i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari. [15]
  Ky ligj i fuqishëm i Perëndisë është burimi i të gjitha të mirave. Në shumë raste Bahá’u’lláh-u e ka bërë të qartë se pagimi i së Drejtës së Perëndisë sjell begati, bekim, nder e përparim në mbretëritë shpirtërore të botës së përjetshme të shpirtit.
  Në Qitapi Akdas Ai thotë:
  ...por ai që vepron në pajtim me urdhrin e Perëndisë do të marrë një bekim nga qielli i bujarisë i Zotit të tij, të Mëshirshmit, Dhuruesit, Fisnikut, të Lashtit të Kohëve. [16]
  Në një Tabelë tjetër:
  Ky Hukuk që është përmendur, porosia për të cilin ka dalë në horizontin e Tabelës së Shenjtë të Perëndisë, sjell përfitime që janë fati i paracaktuar i vetë individëve. Për Perëndi! Sikur njerëzit ta dinin atë që është e fshehur nga sytë e tyre dhe të ishin plotësisht të vetëdijshëm për oqeanin e mirësisë që qëndron i mbuluar brenda kësaj porosie hyjnore, të gjithë njerëzit e botës do të jepnin gjithçka që zotërojnë, që të përmendeshin prej Tij. [17]
 
  Begatia dhe mirëqenia e gjithë njerëzimit
 
  Hukukullah-u siguron një proces evolucionar për rritjen shpirtërore të miqve dhe zellin e tyre për të mësuar e për t'u thelluar në Shkrimet e Shenjta. Edhe pse nuk mund të kapim thelbin e kësaj porosie, ne mundemi, përmes studimit dhe thellimit të të kuptuarit tonë lidhur me të, të nxjerrim margaritarë të dijes nga oqeani i pafund i thesareve të Perëndisë. Siç mund ta marrim me mend, pagimi i Hukukullah-ut është një simbol i besueshmërisë sonë në Besimin e Perëndisë. Ai zhvillon vetitë tona shpirtërore, të cilat na çojnë drejt përsosurisë. Ai organizon e bilancon përpjekjet tona materiale dhe na mbron nga dëshirat e tepruara që janë të lindura në natyrën tonë njerëzore dhe që kur lihen të lira mund të shndërrohen në pengesa parandaluese për rritjen tonë shpirtërore. Kur njeriu e kupton se duke zbatuar këtë ligj ai bëhet një nga të besuarit e Perëndisë dhe se një pjesë e të ardhurave të tij mund të nderohet duke u pranuar nga Zoti i tij, në tërë sjelljen e tij ndiehet prania e Perëndisë dhe ai do ta jetojë jetën në mënyrë të drejtë e të ligjshme, që kështu oferta e tij të meritojë të shpenzohet në shtegun e Perëndisë.
  Ashtu si pagimi i Hukukullah-ut sjell bekime e konfirmime, mosdhënia e së drejtës së Perëndisë ose shpenzimi i saj për qëllime të tjera, qoftë edhe bamirëse për nga natyra, konsiderohet një akt pandershmërie, i barabartë me pabesinë e tradhtinë. Në Qitapi Akdas Bahá’u’lláh-u thotë:
  Ai që vepron me të pabesë me Perëndinë, me të drejtë do të ndeshet edhe vetë me pabesinë.... [16]
  Me të vërtetë, Perëndia, Që është i përjetshëm në thelb, tej çdo kuptimi tonin, nuk ka nevojë për gjërat tona materiale. Në urtinë e Tij të pakufi e mirësinë e Tij të paanë, Ai ka caktuar që një pjesë e të ardhurave të njeriut të shikohet si e Drejta e Tij dhe të përdoret për begatinë e mirëqenien e mbarë njerëzimit. Prandaj ne, si të besuar të Tij, nuk kemi të drejtë të mos e japim pjesën e Tij dhe t'i privojmë bijt e Tij nga ajo që Pronari Real dhe Zotëruesi i Vërtetë i të gjitha gjërave ka caktuar për ta.
  Mjeshtri i dashur në Sekreti i Qytetërimit Hyjnor ka thënë:
  Lumturia dhe krenaria e një kombi është që ai të shkëlqejë si dielli në qiellin e lartë të dijes.... nderi e shquarsia e individit është që ai, midis mizërisë së njerëzve të botës, të bëhet burim i së mirës shoqërore. A mund të mendohet një bujari më e madhe sesa që një individ, duke shikuar brenda vetes së tij, të shohë se falë mirësisë konfirmuese të Perëndisë ai u ka sjellë qetësi e mirëqenie, lumturi e përfitim njerëzve të tjerë? [18]
  Shuma që i jepet si Hukukullah Organit Suprem të Besimit shpenzohet për përhapjen e Kauzës së Perëndisë. Ajo shpenzohet për:
  * Çuarjen përpara të të mësuarit dhe shpalljen e Besimit në mbarë botën
  * Kujdesin, mirëmbajtjen dhe restaurimin e Vendeve të Shenjta Bahá’í
  * Ndërtimin e qendrës administrative të Botës Bahá’í
  * Mbështetjen e punës së institucioneve e agjensive të shumta Bahá’í
  * Ngritjen dhe restaurimin e Shtëpive të Adhurimit Bahá’í
  * Krijimin dhe mbështetjen e institucioneve të reja
  * Ndërmarrje bamirësie e dashamirëse
  * Mbështetjen e interesave të shumëllojshme botërore të Besimit
 
  Dinjiteti i Kauzës ka rëndësi shumë të madhe
 
  Ky dhurim simbolizon unitetin e njerëzimit dhe do të shpenzohet siç e vendos Organi Suprem i Besimit për përhapjen e interesave të tij dhe për mirëqenien e njerëzve në pjesë të ndryshme të botës.
  Duhet vënë në dukje se Qitapi Akdas u revelua rreth vitit 1873 dhe, duke qenë se fillimisht marrësi i Hukukullah-ut ishte vetë Bahá’u’lláh-u, duket se Ai nuk kishte dëshirë të fliste shumë për këtë urdhër. Kjo ishte pesë vjet para se ai të zbatohej në Iran, ku ndodheshin shumica e Bahá’í-ve. Siç ka deklaruar Ai:
  Pagimi i Hukuk-ut është përcaktuar plotësisht në Librin e Perëndisë, megjithatë për disa vjet me radhë ishte e ndaluar marrja e tij. Por më vonë, duke pasur parasysh disa konsiderata dhe për të rregulluar disa çështje thelbësore, u dha leja për të pranuar pagesa të tilla. Me të vërtetë, Ai është Urdhëruesi, Zemërdhembshuri, Falësi, Bujari. [19]
  Gjatë jetës së Tij Bahá’u’lláh-u nuk reveloi hollësi të urdhrit për të Drejtën e Perëndisë. Në disa raste në Shkrimet e Shenjta Ai ka dhënë disa udhëzime thelbësore dhe u është referuar hollësive për krijimin e Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Në një Tabelë të përkthyer nga persishtja Ai ka thënë:
  Ka një rregull të paracaktuar për Hukukullah-un. Pasi të krijohet Shtëpia e Drejtësisë, që andej do të dalë ligji, në pajtim me vullnetin e Perëndisë. [20]
  Kur Qitapi Akdas arriti në Iran dhe miqtë morën dijeni për përmbajtjen e tij, ata kishin dëshirë të vinin në veprim ligjet e tij, veçanërisht ligjin e Hukukullah-ut. Në protokollet e një mbledhjeje të asaj kohe, që mund të konsiderohet si bërthama e Asambleve Shpirtërore të ardhshme, mundëm të gjejmë se pagimi i Hukukullah-ut ishte një nga çështjet e asaj mbledhjeje.
   ‘Abdu’l-Bahá-i, gjatë kohës së Misionit të Tij, ka bërë komente e shpjegime të shkurtra në Tabela të ndryshme, ndërsa në shkrimet e letrat e Ruajtësit të dashur gjejmë një numër të kufizuar komentesh të shkruara në emër të tij për individë e Asamble Shpirtërore Kombëtare të ndryshme. Pasazhet e nxjerra nga letrat e tij tregojnë se edhe ai nuk kishte dëshirë të futej në hollësi lidhur me këtë çështje. Ai e orientonte vëmendjen e miqve te fondet kombëtare dhe gjithashtu te fonde të tjera të Besimit. Në një letër të datës 19 shtator 1929 gjejmë këtë këshillë:
  Përsa i përket Hukuk-ut, Ruajtësi dëshiron që unë t'ju vë në dijeni se në kohën e tanishme nuk është e detyrueshme që miqtë të paguajnë, por ata duhet të nxiten të kontribuojnë në fondet lokale e kombëtare. [21]
  Dhe më tej:
  Përsa i përket Hukuk-ut, ai është me të vërtetë 19 për qind e të ardhurave të personit, që i paguhen Ruajtësit. Por për tani ai nuk është i detyrueshëm. [22]
  Në një letër të shkruar në maj 1937 nga sekretari i tij gjejmë:
  Lidhur me çështjen e Hukuk-ut; Shoghi Effendiu nuk dëshiron ta theksojë atë në kohën e tanishme, duke pasur parasysh nevojat urgjente të Kauzës në Amerikë. Por kur të vijë koha për t'ua shpjeguar atë miqve, ai nuk do të ngurrojë të bëjë këtë.... [23]
  Kjo kohë e përshtatshme erdhi në vitin 1984, kur Departamenti i Kërkimeve i Qendrës Botërore, nën drejtimin e Shtëpisë Universale të Drejtësisë, përmblodhi pasazhet nga Shkrimet e Shenjta të Bahá’u’lláh-ut, të Mjeshtrit të dashur, të Ruajtësit të dashur dhe disa rregulla të vendosura nga Shtëpia e Drejtësisë, dhe kjo përmbledhje shërbeu si baza për edukimin e miqve në mbarë botën lidhur me këtë ligj të shenjtë. Pas një periudhe thellimi, zbatimi universal i së Drejtës së Perëndisë u bë efektiv që nga Ridvani 1992.
 
  Perspektivat e së ardhmes
 
  Tre dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të njëzetë dëshmojnë për shtrirjen e shpejtë të institucionit të Hukukullah-ut anembanë planetit. Ky institucion i shenjtë, i cili lindi gjatë Epokës Heroike të Besimit tonë dhe pati shërbimet e përkushtuara të një personi në Persi (Xhinabi Eminit) e të një tjetri në Mosul (Xhinabi Zainit) [Jináb-i-Zayn], ka formuar tani një rrjet rreth rruzullit nën kujdesin e gjashtëmbëdhjetë Trupave të të Besuarve, të ndihmuara nga bashkëpunimi i 425 bashkëpunëtorëve, që janë të angazhuar me përkushtim duke pasur mbështetjen dashamirëse të institucioneve të tjera të Besimit në edukimin e popullsisë Bahá’í dhe për shërbimet e këtij institucioni anembanë botës.
  Edukimi lidhur me Hukukullah-un, që është qëllimi kryesor i këtij institucioni, ka dhënë fryte shumë të mira e ka ndihmuar në shkallë të gjerë dijen në rritje të miqve dhe thellimin e individëve në aspekte të ndryshme të këtij ligji të shumëfaqshëm të Bahá’u’lláh-ut. Por, çdo gjë që kemi mësuar rreth tij deri tani është vetëm fillimi i asaj që ende duhet të mësojmë. Bahá’u’lláh-u ka dhënë një porosi, e cila, sipas vetë fjalëve të Tij, "përmban mistere e përfitime tej të kuptuarit të njeriut". Është e qartë se përparimi shkencor dhe deduksionet filozofike në shekujt e ardhshëm do të hedhin dritë mbi realitetet e fshehura të këtij ligji të madh, veçanërisht në fushat e shkakut e të pasojës, të reciprocitetit e të ndihmës së ndërsjellë, që lidhin së bashku të gjitha pjesët përbërëse të botës së krijimit dhe kontrollojnë kooperimin e tyre në harmoni e drejtpeshim.

 


Referencat
1. Tabelat e Bahá’u’lláh-ut të reveluara pas Qitapi Akdas-it (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1955), f. 171-2
2. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut, pika 4
3. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut, pika 61
4. Perëndia kalon pranë (Wimette: Trusti Botues Bahá’í, 1987), f. 213
5. Qitapi Akdas, par. 5
6. Shtatë Luginat dhe Katër Luginat (Wimette: Trusti Botues Bahá’í, 1995), f. 8
7. Shtatë Luginat dhe Katër Luginat (Wimette: Trusti Botues Bahá’í, 1995), f. 11
8. Qëmtime nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut, pika 155
9. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 31
10. Fjalët e Fshehura (arabisht), nr. 3
11. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 10
12. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 4
13. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 47
14. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 9
15 Hukukullah-u përmbledhje, nr. 8
16. Qitapi Akdas, par. 97
17. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 44
18. Sekreti i Qytetërimit Hyjnor (Wilmette: Trusti Botues Bahá’í, 1994), f. 2-3
19. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 28
20. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 59
21. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 82
22. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 83
23. Hukukullah-u përmbledhje, nr. 86

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS