""... Zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit gjenden
të fshehura margaritarët e dijes..."
Bahá'u'lláh
Kërkimi
Kërkim i zgjeruar

Kategorie
  
  Bahá’í
   Për fëmijë
   Përmbledhje
   Studime Bahá’í
   Tekste bazë Bahá’í
 

Hukukullah, e Drejta e Perëndisë



HUKUKULLAH
(HUQÚQU’LLÁH)
E DREJTA E PERËNDISË

Një përmbledhje

Përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i
Shtëpisë Universale të Drejtësisë

 


Original Title:
1. HUQÚQU’LLÁH , THE RIGHT OF GOD (A Compilation)
Extracts from the Bahá’í Writings, compiled by the Research Department of The Universal House of Justice, 1984, revised June 1998
2. Supplement to the compilation on Huqúqu’lláh, 1992
3. The Development of the Institution for the Huqúqu’lláh, March 1987
4. A Codification of the law of Huqúqu’lláh, March 1987, revised 1999
Text: Albanian, forth revised edition

Përkthyer e botuar nën kujdesin e Komitetit të Botimeve Bahá’í


© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i katertë i rishikuar 2001 - 158 E.B.

 

 


PASQYRA E LËNDËS

 

 

Zhvillimi i Institucionit për Hukukullah-un

 

Përmbledhje për Hukukullah-un

 


Ekstrakte nga Shkrimet e Bahá’u’lláh-ut

 


Ekstrakte nga Shkrimet e ‘Abdu’l-Bahá-it

 


Ekstrakte nga Thëniet e ‘Abdu’l-Bahá-it

 


Ekstrakte nga një Letër e Shoghi Effendi-ut

 


Ekstrakte nga Letra të shkruara në emër të Shoghi Effendi-ut

 


Ekstrakte nga Shkrimet e Shtëpisë Universale të Drejtësisë

 

Shtojcë për përmbledhjen rreth Hukukullah-ut

 

Ekstrakt nga një letër e shkruar në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë

 

Nje Kodifikim i Ligjit të Hukukullah-ut

 

Lista e çështjeve të rëndësishme lidhur me Hukukullah-un
68
  

Hyrje
  
  
   Bahá’u’lláh-u, Profeti-Themelues i Besimit Bahá’í, ka shkruar Ligjet hyjnore për Dispensacionin e Tij në Librin e Vet Më Të Shenjtë – Qitapi Akdas [Kitáb-i-Aqdas]. Në këtë libër, Ai na tregon se këto Ligje janë “llampat e kujdesit Tim dashamirës midis shërbëtorëve të Mi dhe çelësi i mëshirës sime për krijesat e Mia”. Ai vazhdon: “Mos mendoni se Ne ju kemi reveluar një kod të thjeshtë ligjesh. Jo, përkundrazi, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur me gishtat e fuqisë e të pushtetit”.
   Midis Ligjeve në Qitapi Akdas është E Drejta e Perëndisë (Hukukullah), të cilën Bahá’u’lláh-u e ka quajtur “një ligj i madh”, “burim i mirësisë, i bollëkut dhe i gjithë të mirave”, “që çon në mbrothësi, në bekime dhe në nderim e mbrojtje hyjnore”. Ai konsiston në pagimin e njëhershëm Qendrës së Besimit (tani Shtëpia Universale e Drejtësisë) e 19 për qind të pasurisë së grumbulluar nga dikush tej një minimumi të caktuar. Banesa, pajisjet e nevojshme dhe mjetet e zanatit përjashtohen nga pagesa dhe nuk bëhet pagesë për pronën që është rritur në vlerë, deri sa ajo të shitet. Por më e rëndësishme se këto hollësi praktike është domethënia dhe fuqia shpirtërore me të cilën Bahá’u’lláhu e ka veshur zbatimin e këtij Ligji. Ai ka vënë në dukje se ky “do të spastrojë zotërimet e njeriut dhe ai do të marrë bekime e do t’i shtohet mirëqenia”. Me të vërtetë, pagimi i së Drejtës së Perëndisë nuk është i pranueshëm, në qoftë se nuk bëhet në një “frymë gëzimi, miqësie e kënaqësie”.
   Këto referenca dhe shumë të tjera gjenden  në faqet që vijojnë të një përmbledhjeje për Të Drejtën e Perëndisë, të përgatitur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë më 1985 dhe në një shtojcë të kësaj përmbledhjeje, të përgatitur më 1992. Departamenti i kërkimeve ka përgatitur gjithashtu një kodifikim të Ligjit të Hukukullah-ut, që përmbledh elementet kryesore të Ligjit, i cili përmbahet në fund të këtij vëllimi.
   Ligji i së Drejtës së Perëndisë është zbatuar nga Bahá’í-të persianë që në vitet e hershme të Besimit, por nuk u bë i zbatueshëm për Bahá’í-të në përgjithësi deri në vitin 1992. Në mesazhin e tyre të Ri(ván-it 1991, Shtëpia Universale e Drejtësisë shpalli zbatueshmërinë e Ligjit në të ardhmen:
   “...Ligji i Shenjtë, që i jep mundësi secilit të shprehë ndjenjën e vet të devocionit për Perëndinë me një akt thellësisht vetjak të ndërgjegjes, që kontribuon për të mirën e përbashkët, që e lidh drejtpërsëdrejti individin besimtar me Institucionin Qendror të Besimit dhe që, mbi të gjitha, u siguron të bindurve e të sinqertëve dashamirësinë e parrëfyeshme dhe bekimet e pashtershme të Perëndisë, – duhet që, në kushtet e këtij kombinimi të favorshëm, të përqafohet nga të gjithë ata që shprehin besimin e tyre te Shfaqja Supreme e Perëndisë. Me përunjësi para Zotit tonë Sovran, ne shpallim tani se me Ridvan-in 1992, fillimin e Vitit të Shenjtë, Ligji i Hukukullah-ut, E Drejta e Perëndisë, do të bëhet i zbatueshëm në shkallë universale. U bëhet thirrje me dashuri të gjithëve ta zbatojnë atë.”
   Shtëpia Universale e Drejtësisë ka emëruar një të Besuar për Hukukullah-un, i cili nga ana e vet ka emëruar Zëvendës të të Besuarit dhe Përfaqësues që mbulojnë çdo vend të globit. Kontributet për Të Drejtën e Perëndisë mund t’i dërgohen Përfaqësuesve të Institucionit të Hukukullah-ut për Shqipërinë.
   Asambleja Kombëtare Shpirtërore dhe Përfaqësuesve të Institucionit të Hukukullah-ut  do të jenë të lumtur të japin informacion të zgjeruar.
  
   G. Dahl, 25 janar 1994
  
  
  
      Shënim: Në këtë botim, emrat origjinalë janë shkruar në kllapa katrore sipas transkriptimit të zgjedhur nga Shoghi Effendi, pasi është dhënë transkriptimi shqip. Kjo është bërë për secilin term vetëm një herë, kur ai ndeshet për herë të parë në këtë libër, ndërsa kur këta terma përsëriten është dhënë vetëm transkriptimi shqip. Përsa i përket vetë termit “(uqúqu’lláh”, në gjuhën shqipe transkriptimi më i përafërt për shkrimin e leximin e tij është “Hukukullah”, ndërsa për termin “(uqúq” transkriptimi është “Hukuk”.
  

  
   1. ZHVILLIMI I INSTITUCIONIT PËR HUKUKULLAH-UN
  
   Në njërën prej Tabelave të Tij Bahá’u’lláh-u i referohet këtij ligji, i cili nga rëndësia vjen menjëherë pas dy detyrimeve të mëdha të njohjes së Perëndisë dhe të qëndrueshmërisë në Kauzën e Tij, megjithatë futja dhe zbatimi i këtij Ligji është bërë me dashamirësi, ndjesë, tolerancë e shpirtmadhësi. Megjithëse ka të bëjë me gjërat materiale të kësaj bote, ai renditet ndër ato detyrime shpirtërore që mbështeten në shpirtin individual, siç janë lutja dhe agjërimi, përmbushja e të cilave është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e çdo besimtari kundrejt Perëndisë, që nuk u nënshtrohet sanksioneve ose imponimit të institucioneve të Tij në këtë botë. Kjo është, me të vërtetë, një shprehje e qartë e përparësive, me të cilat Bahá’u’lláh-u i shihte detyrat e njerëzimit. E para vjen shpirtërorja e pastaj materialja, sado e rëndësishme të jetë kjo e fundit në praktikë.
   Pasi Qitapi Akdas-i qe reveluar në përgjigje të kërkesave të miqve, Bahá’u’lláh-u e mbajti atë pa botuar për një kohë; madje edhe atëherë kur një numër Bahá’í-sh të devotshëm, që kishin marrë vesh për ligjin, u përpoqën të ofronin Hukukullah-un, pagimi i tij nuk u pranua. Tabelat e Bahá’u’lláh-ut tregojnë sa i vetëdijshëm ishte Ai për faktin sesi pasuria materiale ishte lejuar të degradonte fenë në të kaluarën dhe Ai preferonte më mirë që Besimi të sakrifikonte të gjitha përfitimet materiale, sesa të njolloste sadopak dinjitetin dhe pastërtinë e tij. Ky është një mësim për të gjitha institucionet Bahá’í për të gjitha kohët.
   Megjithatë, siç e ka shpjeguar Ruajtësi i dashur, fondet janë burimi i forcës jetësore të Kauzës. Vetë Perëndia, siç ka thënë Bahá’u’lláh-u, ka bërë që arritjet të varen nga mjetet materiale. Prandaj, me rritjen e vetëdijës së miqve, Ai lejoi që Hukukullah-u të pranohet, me kusht që dhuruesi ta bëjë ofertën vullnetarisht, me gëzim e në mënyrë të vetëdijshme.
   Për të marrë Hukukullah-un, Bahá’u’lláh-u krijoi njërin prej institucioneve të mëdha të Besimit, atë të të Besuarve për Hukukullah-un.
   I pari që ka pasur nderin të caktohej si i Besuar për Hukukullah-un ka qenë Xhinabi Shah Muhameti [Jináb-i-Sháh Mu(ammad] nga Manshadi [Manshád], Jazd [Yazd], i cili së fundi mori nga Bukuria e Bekuar titullin Aminul Bajan [Amínu’l-Bayán] (i Besuar i Bajanit). Haxhi Shah Muhameti [(ájí Sháh Mu(ammad] e pat përqafuar Besimin në vitet e rinisë së tij dhe kishte pasur fatin të hynte në praninë e Bahá’u’lláh-ut në Bagdat. Zjarri i dashurisë që digjej në zemrën e tij e bëri atë të ofronte me padurim shërbimet e veta në Pragun e të Shumëdashurit të tij dhe këtë gjë ai e vazhdoi deri në çastin e fundit të jetës së vet, duke dhënë të gjithë kamjen e tij materiale në shtegun e shërbimit. I rrethuar nga varfëria, rreziqet dhe mungesa e mjeteve, ky shërbëtor i besuar i Bahá’u’lláh-ut, udhëtim pas udhëtimi, do të çonte dhurimet e miqve për Hukukullah-un dhe peticionet e tyre te Pragu i Shenjtëruar dhe, në kthim, do t’u sillte atyre të reja e Tabela nga Përsosuria e Bekuar.
   Një nga detyrat më të shenjta që i qenë besuar Aminul-Bajanit ishte që të shkonte në Iran për të marrë Eshtrat e Báb-it nga ruajtësi i tyre, Dora e devotshme dhe trime e Kauzës së Perëndisë, Xhinabi Haxhi Ahundi [Jináb-i-(ájí Akhúnd] dhe për t’i çuar ato, përmes rreziqesh të panumërta, në një vend të fshehtë të sigurt në Xhaminë e Imamzadeh Zaidit [Imámzádih Zayd] në Teheran, ku ato u ruajtën të fshehura derisa erdhi koha që, me urdhër të ‘Abdu’l-Bahá-it, u çuan në Tokën e Shenjtë për t’u vendosur në vendin e tyre të përhershëm të prehjes në shpatin e Malit Karmel.
   Xhinabi Shah Muhametit i tërhoqën vëmendjen vetitë e rralla të njërit prej besimtarëve, Haxhi Abul Hasan Ardakanit [(ájí Abu’l-(asan Ardakání], i cili ishte gjithashtu nga Jazdi. Lidhja e miqësisë midis tyre u bë kaq e fortë saqë ata u bënë shokët më të ngushtë. Xhinabi Shah Muhameti e zgjodhi Haxhi Abul Hasanin për të qenë ndihmësi dhe njeriu i besuar i tij në shërbimin e vet si i Besuari për Hukukullah-un. Ata ishin midis grupit të parë të pelegrinëve, të cilët, pas mundimesh e vështirësish të mëdha, mundën të vizitonin Bahá’u’lláh-un së bashku e, në njërin prej udhëtimeve, në vitin 1881, u sulmuan e u kapën gjatë një revolte kurde dhe Xhinabi Shah Muhameti u plagos rëndë. Bahá’u’lláh-u udhëzoi që, pas vdekjes së Xhinabi Shah Muhametit, detyra e të Besuarit për Hukukullah-un t’i ngarkohej ndihmësit e shokut të tij besnik, Xhinabi Haxhi Abul Hasanit, të cilit më vonë iu dha titulli Emin [Amín] (i Besuari) ose Xhinabi Haxhi Emin.
   Xhinabi Haxhi Emini ishte një yll i ndritshëm, i cili i shërbeu Kauzës për dyzet e shtatë vjet me përkushtim e zell, duke treguar shpirtmadhësi, guxim e qëndrueshmëri të pabesueshme. Gjatë misionit të Bahá’u’lláh-ut, ai u burgos dy herë me urdhër të Naseridin Shah-ut [Násiri’d-Dín Sháh] e të djalit të tij, Kamran Mirza-it [Kámrán Mírzá]. Gjatë burgimit të tij të dytë, në burgun e Kazvinit [Qazvín], të quajtur nga Bahá’u’lláh-u, në vargjet e para të “Tabelës së Botës”, Sizhni Matin [Sijn-i-Matín] (Burgu i Fuqishëm), ai ishte së bashku me Dorën e Kauzës Haxhi Ahundin. Këtu Xhinabi Emini vuajti shumë, me këmbët në veriga e me një zinxhir rreth qafës. Rojtarët e burgut, për ta torturuar, i hidhnin vaj ricini në ushqim. Me bindje e nënshtrim të dukshëm, ai as ankohej e as refuzonte ushqimin, dhe hante sikur asgjë e keqe nuk bëhej. Ai ishte një simbol i shpirtmadhësisë e i shkëputjes. Ai nuk kishte pasuri tokësore, as shtëpi a strehë të vetën. Banesa e tij ishte në zemrat e në shpirtrat e miqve Bahá’í, që e pritnin dhe e mbanin atë me ngrohtësi e dashuri. Secili e priste me padurim ardhjen e tij, që të kënaqej me melodinë e ëmbël të lutjeve e të këndimit të Tabelave nga ana e tij, me lajmet e mira e inkurajimin që ai sillte. Çdo ditë ai i thoshte mirë u pafshim një familjeje për ta kaluar natën në një familje tjetër, duke i sjellë ndriçim me praninë e tij një tubimi tjetër. Ai ishte vazhdimisht në lëvizje, duke udhëtuar në shumicën e qyteteve iraniane dhe duke qenë këshilltari i besuar i mjaft miqve Bahá’í në punët e tyre personale.
   Midis udhëtimeve të panumërta të Haxhi Eminit, është edhe një që ai bëri në Paris, ku u takua me ‘Abdu’l-Bahá-in. Gjatë jetës së tij të gjatë, ai qe dëshmitar i njëmbëdhjetë viteve të fundit të Misionit të Bahá’u’lláh-ut, i njëzet e nëntë viteve të Misionit të Qendrës së Besëlidhjes dhe i shtatë viteve të Ruajtësisë së Shoghi Effendiut. Nga fundi i jetës së vet, ai ishte i sëmurë e i dobësuar dhe nuk ngrihej nga shtrati, në shtëpinë e mikut e të ndihmësit të tij, Haxhi Gulam Riza-it [(ájí Ghulám Ri(á], i cili sipas dëshirës shprehur qartë nga ‘Abdu’l-Bahá-i, u caktua pasardhës i tij si i Besuar për Hukukullah-un. Pas vdekjes, në vitin 1928, Haxhi Emini u emërua nga Ruajtësi i dashur Dorë e Kauzës së Perëndisë.
   Të Besuarit të tretë për Hukukullah-un, Xhinabi Gulam Riza-it, iu dha titulli Emini Emin [Amín-i-Amín] (i Besuari i të Besuarit). Ky shpirt i shquar kishte lindur në gjirin e klasës së pasur tregtare të Teheranit dhe ishte rritur për të gëzuar jetën e rehatshme që lidhet me këtë. Në rininë e tij, prirja për të zbuluar realitete shpirtërore e shtyu atë drejt studimit të fesë së krahasuar dhe ndërsa merrej me tregtinë e vet, ai guxoi të kërkonte e të shoqërohej me pasues e krerë të fesë. I zhgënjyer nga ajo që gjeti, ai kërkoi më shumë informacion për Besimin Bahá’í, me të cilin e kishte njohur sekretari i tij. Ky vëzhgim u shndërrua shpejt në një studim serioz të Tabelave e të Shkrimeve të Shenjta dhe zemra e tij u ndriçua me dritën e besimit. Pasi përqafoi Kauzën, Xhinabi Haxhi Gulam Riza-i u përfshi në veprimtaritë Bahá’í dhe, në moshën 32-vjeçare, e la tregtinë e ia kushtoi veten tërësisht e lirisht shërbimit të Besimit. Tek ai u zhvillua një dashuri e veçantë për Xhinabi Eminin dhe u bë ndihmësi i përhershëm i tij. Në kohën e duhur ai mori një Tabelë nga ‘Abdu’l-Bahá-i, që e nxiste atë të ecte në gjurmët e Xhinabi Eminit dhe e caktonte të Besuar për Hukukullah-un. Ndërsa ishte vazhdimisht i preokupuar me përgjegjësitë e pozitës së tij të re, ai tregoi kujdesin më të madh për Xhinabi Eminin gjatë tërë asaj pjese të jetës që i mbetej këtij.
   Xhinabi Gulam Riza-i e mbajti pozitën e të Besuarit për Hukukullah-un njëmbëdhjetë vjet. Shtëpia e tij u bë qendër për mbledhjet e miqve dhe për administrimin e punëve të Besimit. Pikërisht gjatë detyrës së tij si i Besuar u ndërmorën hapat fillestarë për regjistrimin e pronave e të dhurimeve Bahá’í në Iran dhe ai tregohej ngulmues, duke bërë gjithçka varej prej tij për mbrojtjen dhe ruajtjen e tyre. Në vitin 1938 ai u sëmur dhe vdiq.
   I Besuari i katërt për Hukukullah-un, i caktuar në këtë post nga Ruajtësi i dashur, ishte Xhinabi Valiullah Varká [Jináb-i-Valíyu’lláh Varqá], djali i tretë i Varká-it, martirit. Ai kishte lindur në Tabriz dhe, pas martirizimit të babait e të vëllait të tij, atë që nga fëminia e hershme e rriti e gjyshja, një myslimane e vendosur, e fortë e fanatike. Ajo, që në rininë e tij të hershme, bëri gjithçka për të mbjellë në zemrën e tij armiqësinë ndaj Besimit (Bahá’í). Kur ai ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, ungji i tij, i mbiquajtur Akush Shahid [Akhu’sh-Shahíd] (Vëllai i Martirit), arriti ta largonte atë nga kjo atmosferë e mundimshme paragjykimesh dhe e mori në shtëpinë e tij në Mijanduab [Míyándu’áb]. Atje ai e njohu atë me Besimin Bahá’í e mësimet e tij, duke zbuluar para Xhinabi Varká-it një botë të re. Ai u bë kaq i zjarrtë në dashurinë e tij për Besimin saqë, pa asnjë përgatitje, vendosi të shkonte në pelegrinazh së bashku me një mik të ngushtë. Mirëpo Asambleja Shpirtërore Lokale e tij nuk e miratoi këtë dhe, në vend të kësaj, e orientoi të shkonte në Teheran për t’u bashkuar me vëllain e tij më të madh Xhinabi Azizullah Varká-in [Jináb-i-‘Azízu’lláh Varqá].
   Pasi mbaroi shkollën në Teheran, dëshira e zjarrtë e Xhinabi Varká-it për të bërë pelegrinazh u plotësua, pastaj ai shkoi në Universitetin Amerikan në Bejrut dhe gjatë pushimeve të verës thellonte dijet e tij për mësimet Bahá’í nën udhëheqjen e ‘Abdu’l-Bahá-it. Gjatë kësaj kohe ai bëri një udhëtim në Iran me urdhër të Mjeshtrit, ndërsa më pas e shoqëroi Atë si përkthyes në udhëtimin e Tij historik në Evropë e Amerikë. Pas mbarimit të këtij udhëtimi, ai u kthye në Iran dhe u bëri shërbime të paçmuara Asamblesë Shpirtërore Lokale të Teheranit, shumë institucioneve administrative Bahá’í e, së fundi, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare. Pas kësaj do të vinte shërbimi i tij besnik e i përkushtuar si i Besuar për Hukukullah-un, që vazhdoi shtatëmbëdhjetë vjet me radhë, kohë gjatë së cilës zbatimi i Ligjit të Hukukullah-ut u shtri në gjithë Iranin, kështu që gjithnjë e më tepër miq përmbushnin detyrimet e tyre, duke ofruar shuma të mëdha e mjaft prona. Me qëllim që t’ia kushtonte gjithë kohën kësaj detyre të shenjtë, Xhinabi Varká dha dorëheqjen nga puna që kishte.
   Në vitin 1951 Xhinabi Valiullah Varká bënte pjesë në grupin e parë të besimtarëve të shquar, që Shoghi Effendi i ngriti në rangun e Dorës së Kauzës së Perëndisë. Kjo i krijoi atij mundësi të reja për t’u takuar me miq e për t’i gëzuar zemrat e tyre me lajme për fitoret e arritura në punën e mësimit, veçanërisht gjatë Kryqëzatës Dhjetëvjeçare që u hap në Ridvan më 1953. Këto shërbime të shquara u kurorëzuan me përmbushjen e dëshirës së tij të shumëdëshiruar për të vizituar Ruajtësin e dashur.
   Pas kthimit në Iran nga pelegrinazhi, një lëngatë e tij e mëparshme u rëndua dhe Xhinabi Varká u detyrua të shkonte në Tubingen të Gjermanisë për t’u shtruar në spital e për t’u operuar. Për fat të keq, mjekimi nuk pati sukses dhe në nëntor 1955 jeta e tij fisnike mbaroi.
   Në telegramin që njoftonte vdekjen e Valiullah Varká-it, Shoghi Effendi futi këto fjalë: “RROBA E TIJ SI I BESUAR PËR HUKUK-UN I KALON TANI ALI MUHAMETIT [‘ALÍ MU(AMMAD], DJALIT TË TIJ... I BESUARI I PORSACAKTUAR PËR HUKUK-UN ËSHTË NGRITUR TANI NË RANGUN E DORËS SË KAUZËS”.
   Pikërisht dy vjet pas caktimit të Xhinabi Ali Muhamet Varká-it [Jináb-i-‘Alí Mu(ammad Varqá] në këtë detyrë të nderuar, ai dhe shokët e tij Duar të Kauzës së Perëndisë u ndodhën përballë ngjarjeve zemërpikëlluese e shpirttronditëse, që shoqëruan vdekjen e Ruajtësit të dashur dhe e çuan mbarë botën Bahá’í në përfundimin me sukses të Kryqëzatës Dhjetëvjeçare, duke krijuar Shtëpinë Universale të Drejtësisë, në Ridvanin 1963.
   Njëzet e tre vjetët që pasuan kanë parë stuhi vuajtjesh e përndjekjesh që kanë goditur komunitetin Bahá’í në Iran, duke shkaktuar probleme shumë të mëdha që duheshin përballuar lidhur me ruajtjen dhe shitjen e pronave të dhuruara për Hukukullah-un, si dhe një numër të madh detyrash të tjera historike që i kanë rënë në pjesë Xhinabi Varká-it në cilësinë e tij si Dorë e Kauzës së Perëndisë.
   Planet e mëtejshme mësimore shkaktuan një vërshim pionierësh nga Irani në të katër anët e botës, duke bërë të nevojshme që i Besuari për Hukukullah-un të caktonte Zëvendës e Përfaqësues në shumë vende jashtë kufijve të Iranit, derisa, në kohën e sotme, Institucioni të përfaqësohet në çdo kontinent të tokës. Jo vetëm që miqtë nga vendet e Lindjes së Mesme vazhdojnë t’i binden ligjit të Hukukullah-ut në vendet që kanë adoptuar, por çdo ditë e më shumë miq të tjerë janë shtyrë të ofrojnë Hukuk-un.
   Prandaj tani është hapur një stad i ri në zhvillimin e këtij Institucioni, një stad që do të shoqërohet përgjithmonë me hapjen e Epokës së Katërt të Erës Formuese të Besimit dhe me daljen e komunitetit Bahá’í nga errësira në arenën e punëve botërore.
  

   2. Përmbledhje për Hukukullah-un

I.  EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E BAHÁ’U’LLÁH-UT [1]
  
   1. O Zain [Zayn]! Mbi ty qoftë lavdia Ime dhe dashamirësia Ime. Asgjë që ekziston në këtë botë qeniesh kurrë nuk ia ka vlejtur e nuk do t’ia vlejë të përmendet. Megjithatë, nëse një person do të favorizohet dashamirësisht, duke ofruar qoftë edhe një qindarkë – madje edhe më pak – në rrugën e Perëndisë, kjo në sytë e Tij do të ishte më e preferuar e më madhe se të gjitha thesaret e botës. Për këtë arsye, Perëndia i vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij – në të gjitha Shkrimet e Veta qiellore i ka lavdëruar ata që i zbatojnë porositë e Tij dhe që japin pasurinë e tyre për hir të Tij. Lutjuni Perëndisë që t’i japë mundësi secilit prej jush të shlyejë detyrimin e Hukuk-ut, meqenëse përparimi dhe çuarja më tej e Kauzës së Perëndisë varen nga mjetet materiale. Sikur shërbëtorët e Tij besnikë të mund ta kuptonin sesa të vyera janë veprat bamirëse në këtë kohë, ata do të ngriheshin të gjithë për të bërë atë që është e përshtatshme e u ka hije. Në dorën e Tij është burimi i autoritetit dhe Ai urdhëron siç dëshiron Vetë. Ai është Sundimtari Suprem, Zemërbardhi, i Paanshmi, Reveluesi, Urtiploti.
  
   2. I vetmi Perëndi i vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij – gjithmonë ka qenë e do të vazhdojë të jetë i lartësuar mbi çdo shprehje lëvdate dhe është i spastruar nga bota e qenieve e nga të gjitha pasuritë që ajo përmban. Çdo gjë që del prej Tij prodhon një fryt, përfitimi nga i cili u kthehet vetë individëve. Kështu, ata do ta kuptojnë shpejt të vërtetën e asaj që Gjuha e Madhështisë e ka folur në kohët e shkuara dhe që do të flasë në ditët që do të vijnë. Dhe të tilla përfitime me të vërtetë do të shtohen, në rast se Hukuk-u ofrohet me gëzimin e gatishmërinë më të madhe dhe në një frymë përunjësie e nënshtrimi të plotë.
  
   3. Lutju të vetmit Perëndi të vërtetë, që t’u japë mundësi shërbëtorëve të Vet të bëjnë atë që i çon tek e mira e kësaj bote dhe e botës që do të vijë. Kjo është porosia e Perëndisë, e shkruar në Librin e Tij të rëndësishëm e të shenjtë. Sot është Dita e Perëndisë, kur ruajtjes së dinjitetit të Kauzës së Tij duhet t’i jepet përparësi mbi të gjitha gjërat e tjera. Ai urdhëron të bëhet ajo që do t’i sjellë përfitim mbarë gjinisë njerëzore. Me të vërtetë, Ai është i Dhembshuri, Bujariploti. Lidhur me këtë, Penda e Lavdisë ka shkruar se do t’i japë mundësi çdo njeriu që kupton të thithë aromën e dashamirësisë e të bujarisë së Tij. Në të vërtetë, përfitimet që vijnë nga porosia e lartpërmendur u kthehen vetë individëve. Për këtë do të dëshmojë çdo njeri me mend që i zbaton porositë e Tij.
  
   4. Është detyrë e gjithkujt të shlyejë detyrimin e Hukuk-ut. Avantazhet e fituara nga ky veprim u rikthehen vetë personave. Megjithatë, pranimi i ofertave varet nga fryma e gëzimit, e miqësisë dhe e kënaqësisë që do të shfaqin shpirtrat e drejtë që e plotësojnë këtë porosi. Në rast se qëndrimi është i tillë, pranimi lejohet, ndryshe jo. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari.
  
   5. O Zain! Shpirtra të tillë, që zbatojnë porositë e Perëndisë të përshkruara në Libër, shihen si shumë të shkëlqyer në vlerësimin e Perëndisë. S’ka dyshim se çdo gjë që revelohet nga qielli i porosisë hyjnore i detyrohet urtisë së Tij dhe është në të mirë të interesave të vetë njerëzve. Për më tepër, megjithëse këto sasi të parëndësishme nuk ia vlen të përmenden, ato pranohen me kënaqësi, sakohë që dhuruesit i ofrojnë ato për hir të Perëndisë. Edhe sikur oferta të jetë vetëm një kokërr gruri, ajo shihet si kurora e lavdisë e të gjitha fryteve të botës.
  
   6. Është e qartë dhe evidente që pagimi i së Drejtës së Perëndisë sjell begati, bekim, nderim e mbrojtje hyjnore. Lum ata që e kuptojnë dhe e njohin këtë të vërtetë dhe mjerë ata që nuk besojnë. Dhe kjo me kusht që individi t’i zbatojë porositë e shkruara në Libër me gëzimin e kënaqësinë më të madhe dhe me pranim plot dëshirë. Ju takon juve t’i këshilloni miqtë të bëjnë atë që është e drejtë dhe e lavdërueshme. Cilido që e dëgjon këtë thirrje i sjell fitim vetes, dhe cilido që nuk ia vë veshin i sjell dëm vetes. Me të vërtetë, Zoti ynë i Mëshirës është i Gjithëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari.
  
   7. Hukukullah-u është me të vërtetë një ligj i madh. Është detyrë e të gjithëve ta bëjnë këtë ofertë, sepse ajo është burim dashamirësie, bollëku dhe i çdo të mire. Është një bujari që do të mbetet te çdo shpirt në çdonjërën prej botëve të Perëndisë, të Gjithëzotëruesit, të Bujariplotit.
   8. Përsa i përket Hukuk-ut: Përmendja e kësaj çështjeje nuk lejohet në asnjë mënyrë. Ne më parë të kemi urdhëruar ty dhe Xhinabi Eminin për atë që do të shtojë lavdinë dhe dinjitetin e Fjalës së Perëndisë e të Kauzës së Tij. Duke prekur këtë çështje të veçantë, Ne kemi urdhëruar kështu: Ju mund të braktisni gjithë botën, por nuk duhet të lejoni të ulet asnjë grimë e asnjë thërrime Dinjiteti i Kauzës së Perëndisë. Xhinabi Emini – mbi të qoftë lavdia Ime – gjithashtu nuk duhet t’a përmendë këtë çështje, sepse ajo varet tërësisht nga vullneti i vetë individëve. Ata e njohin mirë porosinë e Perëndisë dhe e dinë atë që është reveluar në Librin e Tij. Ai që ka dëshirë le ta zbatojë, dhe ai që dëshiron le ta injorojë. Me të vërtetë, Zoti yt është i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari. Vërtet, pavarësia nga çdo gjë është një portë që u tregon udhën shërbëtorëve të Tij besnikë. Lum ata që e kanë shkëputur veten nga bota dhe janë lartësuar për t’i shërbyer Kauzës së Tij. Me të vërtetë ata numërohen me njerëzit e Bahá-it në oborrin e Bukurisë së Tij shkëlqimplotë.
  
     9. O Abu Hasan [Abu’l Hasan][2]:
   Lavdia ime qoftë mbi ty! Përqëndroje vështrimin tënd mbi lavdinë e Kauzës. Fol atë që do të tërheqë mendjet dhe zemrat. Nuk është e lejuar të kërkohet Hukuk-u. Kjo porosi është reveluar në Librin e Perëndisë për çështje të ndryshme të nevojshme, që Perëndia ka urdhëruar të jenë të varura prej mjeteve materiale. Si rrjedhim, nëse dikush, me kënaqësinë e gëzimin më të madh, e jo pse i kërkohet me këmbëngulje, dëshiron të marrë pjesë në këtë bekim, ti mund ta pranosh. Përndryshe pranimi nuk është i lejuar.
  
   10. Po qe se dikush fiton njëqind mitkalë [mithqál]3 ar, nëntëmbëdhjetë mitkalë prej tyre janë të Perëndisë, Artuesit të tokës e të qiellit, dhe duhet t’i jepen Atijini mendjen, o njerëz, se mos i mohoni vetes një bujari kaq të madhe. Këtë ju kemi urdhëruar, megjithëse jemi në gjendje të bëjmë pa ju dhe pa gjithçka që është në qiejt e mbi tokë; në këtë ka përfitime e urti që shkojnë tej njohurive të cilitdo veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit. Thuaj: Ai ka dashur kështu të dëlirë atë që zotëroni dhe t’ju bëjë të aftë t’u qaseni pranë pozitave të tilla që askush nuk i kupton veç atyre që ka dashur Perëndia. Ai me të vërtetë, është Mirëbërësi, Mëshiruesi, Zemërgjeri. O njerëz! Mos veproni në mënyrë të pabesë me të Drejtën e Perëndisë dhe as mos e përdorni atë sipas qejfit pa lejën e Tij. Kështu është vendosur porosia e Tij në Tabelat e shenjta dhe në këtë Libër të lavdëruar. Ai që vepron me të pabesë me Perëndinë, me të drejtë do të ndeshet edhe vetë me pabesinë; por ai që vepron në pajtim me urdhrin e Perëndisë do të marrë një bekim nga qielli i bujarisë së Zotit të Tij, të Mëshirshmit, Dhuruesit, Fisnikut, të Lashtit të Kohëve. Ai, me të vërtetë, ka dashur për ju atë që është ende tej dijes suaj, por që do t’ju bëhet e njohur atëherë kur, pas kësaj jete kalimtare, shpirtrat tuaj do të fluturojnë drejt qiellit dhe shkëlqimet e gëzimeve tuaja tokësore do të mbarojnë. Kështu ju këshillon Ai që zotëron Tabelën e Ruajtur.
  
   11. Pyetje: Në Qitapi Akdas është reveluar urdhëresa për Hukukullah-un. Banesa, me pajisjet përkatëse dhe orenditë e nevojshme, a përfshihet në pronën për të cilën paguhet Hukukullah, apo jo?
   Përgjigje: Në Ligjet e reveluara në gjuhën persishte Ne kemi urdhëruar që në këtë Dispensacion shumë të fuqishëm banesa dhe pajisjet shtëpiake të përjashtohen, domethënë ato pajisje që janë të nevojshme.
  
   12. Pyetje: Lidhur me pajisjet e një vendi pune, të nevojshme për të ushtruar një veprimtari ose profesion: a i nënshtrohen ato pagimit të Hukukullah-ut, apo i perfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake?
   Përgjigje: Ato i përfshin i njëjti rregull si dhe pajisjet shtëpiake.
  
   13. Pyetje: Në qoftë se i ndjeri nuk ka përmbushur detyrimin e tij pëe Hukukullah-un, as ka paguar borxhet, a duhen zgjidhur këto duke i zbritur përpjesëtimisht nga banesa, nga rrobat vetjake dhe nga pjesa tjetër e trashëgimit, apo banesa dhe rrobat vetjake duhen lënë mënjanë për fëmijët meshkuj dhe pastaj borxhet të paguhen nga pjesa tjetër e pasurisë? Dhe në qoftë se pjesa tjetër e pasurisë nuk është e mjaftueshme për këtë qëllim, si do të paguhen borxhet?
   Përgjigje: Borxhet dhe pagesat e papaguara të Hukuk-ut duhet të paguhen nga ajo pjesë e pasurise që mbetet, por në qoftë se kjo është e pamjaftueshme për këtë qëllim, ajo që mungon duhet të plotësohet duke marrë nga banesa dhe rrobat vetjake.
  
   14. Pyetje: Lidhur me shumën bazë për të cilën paguhet Hukukullah.
   Përgjigje: Shuma bazë për të cilën paguhet Hukukullah është nëntëmbëdhjetë mitkalë ar. Me fjalë të tjera, kur është firuar një shumë parash që i përgjigjet kësaj vlere, duhet paguar Hukukullah. Po kështu, Hukuk paguhet kur vlera, jo numri, i formave të tjera të pronës arrin shumën e caktuar, Hukukullah-u paguhet jo më shumë se një herë. Një person, për shembull, që fiton njëmijë mitkalë ar dhe paguan Hukuk-un nuk është i detyruar të bëjë më tej një pagesë të tillë për këtë shumë, por vetëm për atë që i shtohet asaj përmes tregtisë, zejeve e të tjera si këto. Kur kjo shtesë, pra fitimi që realizohet, arrin shumën e caktuar, njeriu duhet të bëjë atë që ka urdhëruar Perëndia. Vetëm kur krerët kalojnë në duar të tjera, i nënshtrohen edhe një herë pagimit të Hukuk-ut, si për herë të parë. Pika Parësore ka urdhëruar që Hukukullah-u duhet paguar për çdo lloj pasurie që zotëron njeriu; por në këtë Dispensacion Shumë të Fuqishëm, Ne i kemi përjashtuar orenditë shtëpiake, dmth ato orendi që janë të nevojshme, dhe vetë banesën.
  
   15. Pyetje: Kur pasuria e ndonjërit i kalon nëntëmbëdhjetë, a është e nevojshme që ajo të shtohet në nëntëmbëdhjetë të tjera para se Hukuk-u të duhet të paguhet përsëri, apo ai duhet paguar për çdo shtesë?
   Përgjigje: Çdo shumë që i shtohet nëntëmbëdhjetës përjashtohet nga Hukuk-u derisa të arrijë në nëntëmbëdhjetë të tjera.
  
   16. Pyetje: Në qoftë se një person ka, për shembull, njëqind tumanë[4], paguan Hukuk-un për këtë shumë, humbet gjysmën e kësaj shume në transaksione të pafat dhe pastaj, përmes tregtisë, shuma që disponon barazohet me shumën për të cilën paguhet Hukuk, a duhet që ky person të paguajë Hukuk, apo jo?
   Përgjigje: Në një rast të tillë nuk duhet paguar Hukuk.
  
   17. Pyetje:.Në qoftë se pas pagimit të Hukuk-ut, po kjo shumë prej njëqind tumanësh humbet tërësisht dhe më pas rifitohet me tregti ose me punë afarizmi, a duhet paguar Hukuk për së dyti apo jo?
   Përgjigje: Edhe në këtë rast nuk kërkohet të paguhet Hukuk.
  
   18. Shuma minimale që i nënshtrohet Hukukullah-ut arrihet kur zotërimet e dikujt kapin numrin Váhid (19); pra, kur dikush ka 19 mitkalë ar ose fiton zotërime që e arrijnë këtë vlerë, pasi zbriten prej tyre shpenzimet vjetore, Hukuk-u bëhet i zbatueshëm dhe pagimi i tij është i detyrueshëm.
  
   19. Përsa i përket pyetjes që ti ke bërë në lidhje me sasinë minimale të pronës për të cilën duhet paguar Hukuk, kjo është përmendur në praninë e Tij të lavdëruar e të lavdishme dhe kjo që vijon është ajo që Gjuha e Madhështisë shqiptoi si përgjigje: Kjo çështje është reveluar në Librin Më të Shenjtë në pajtim me atë që thuhet në Bajan [Bayán]. Por më pas, si shenjë urtie nga ana Jonë, Ne nxorrëm rregullin, sipas të cilit sasia minimale e pronës për të paguar Hukuk fiksohet në Nëntëmbëdhjetë. Qëllimi që qëndron në themel të këtij ligji është të sigurojë konsolidimin e Thesarit të Përgjithshëm në të ardhmen. Hollësi të tjera mund të jepen më vonë.
  
   20. Në përputhje me atë që revelohet në Librin Më të Shenjtë, Hukukullah-u është caktuar në masën nëntëmbëdhjetë mitkalë për çdo njëqind mitkalë ar. Kjo zbatohet për zotërime në ar, argjend ose për prona të tjera.
   Për më tepër, disa të drejta janë fiksuar edhe për Shtëpinë e Drejtësisë. Sidoqoftë, para krijimit të këtij institucioni dhe caktimit të anëtarëve të tij, përvetësimi i fondeve të tilla kërkon e do të kërkojë miratimin e Atij që është e Vërteta e Përjetshme. Lutjuni Perëndisë – lartësuar qoftë Lavdia e Tij – që t’i bëjë njerëzit të aftë të paguajnë me nder detyrimin e Hukuk-ut, sepse po ta kuptonte secili përfitimin e një veprimi të tillë dhe të mos mbante atë që i takon Perëndisë, miqtë në atë vend nuk do të kalonin kurrfarë vështirësish.
  
   21. Pyetje: A mundet një person, kur bën testamentin, të japë për vepra bamirësie një pjesë të pasurisë së tij, tej asaj që duhet për pagimin e Hukukullah-ut dhe për rregullimin e borxheve, apo ka të drejtë vetëm të caktojë një shumë për të mbuluar shpenzimet e funeralit e të varrimit, në mënyrë që pjesa tjetër e trashëgimit të ndahet midis kategorive të caktuara të trashëgimtarëve, siç është përcaktuar nga Perëndia?
   Përgjigje: Secili gëzon të drejta të plota mbi pasurinë e vet. Në qoftë se ai është në gjendje ta përballojë Hukukullah-un dhe nuk ka borxhe, atëherë çdo gjë e shkruar në testamentin e tij dhe çdo deklarim ose pohim që përmbahet aty është i pranueshëm. Me të vërtetë, Perëndia e ka lejuar të bëjë çfarë të dojë me atë që i ka dhuruar atij.
  
   22. Një numër njerëzish në krahina të ndryshme janë tani të ndriçuar nga drita e besimit, por me përjashtim të disave ata ende nuk janë të privilegjuar që të zbatojnë porositë e reveluara nga prania e Tij.
   Më parë të kemi shkruar5 që, sikur miqtë atje ta zbatonin pagimin e Hukukullah-ut, njerëzit e asaj krahine do të gëzonin një jetë të lehtë e të rehatshme. Përpara se të revelohej ky ligj, nuk kishte detyrim për asnjeri. Penda e Lavdisë për një numër vitesh e ka vonuar revelimin e ligjeve e të porosive, dhe kjo ishte një shenjë e mirësisë së Tij qiellore. Sikur njerëzit e botës t’i njihnin përfitimet e pallogaritshme që do të sillnin porositë e Mëshirëplotit, ata do të ngriheshin për t’i përmbushur porositë e Tij dhe do ta zbatonin detyrimin ndaj Tij...
   Penda e Më Të Lartit ka urdhëruar që Hukukullah-u të paguhet për 19 mitkalë ar. Pra, Hukuk-u merret për shuma parash të barabarta me këtë vlerë. Përsa u përket zotërimeve të tjera në argjend ose ndryshe, ai paguhet kur këto janë të barabarta me atë shumë në vlerë, por jo në numër. Hukukullah-u paguhet vetëm një herë; për shembull, në qoftë se një person fiton njëmijë mitkalë në ar dhe paguan Hukuk për to, e Drejta e Perëndisë pushon së qëni e zbatueshme për këtë shumë, me përjashtim të asaj që i shtohet nëpërmjet tregtisë ose veprimeve financiare; kur fitime të tilla arrijnë minimumin e përcaktuar, personi duhet të japë atë që ka urdhëruar Perëndia. Megjithatë, kur shuma fillestare kalon në duar të tjera, Hukuk-u paguhet përsëri si për herë të parë; në këtë rast e Drejta e Perëndisë duhet dhënë.
   Lutjuni Perëndisë – u shtoftë lavdia e Tij – të lejojë që të dashurit e Tij të privilegjohen duke marrë një pjesë nga oqeani i pëlqimit të Tij, sepse kjo do të shërbente si mjet për shpëtimin e njerëzimit, dhe që të mundin me vetë dëshirën e tyre të kryejnë atë që do t’i dëlirëte e do të bënte që ata të fitojnë jetën e amshuar...
   Pika Parësore ka thënë se ata duhet të paguajnë Hukukullah për vlerën e çdo gjëje që zotërojnë, por megjithatë, në këtë Dispensacion kaq të madh, Ne kemi përjashtuar banesën dhe orenditë shtëpiake, domethënë ato orendi që janë të nevojshme.
   Ti ke pyetur se çfarë duhet të ketë përparësi: Hukukullah-u, borxhet e të vdekurit apo pagesa për varrimin. Është porosi e Perëndisë që pagesa e varrimit të marrë përparësi, pastaj pagimi i borxheve, pastaj e Drejta e Perëndisë. Me të vërtetë, është Ai që do të paguajë shpërblimin e duhur, Gjithëshpërblyesi, Bujariploti. Në qoftë se prona nuk është e barabartë me borxhet, pasuria e patundshme duhet të ndahet në përpjesëtim të drejtë me secilin borxh. Rregullimi i borxheve është një porosi shumë e rëndësishme që jepet në Librin e Tij. Lum ai që ngjitet te Perëndia pa pasur detyrime ndaj Hukukullah-ut e shërbyesve të Tij. Është e qartë se Hukukullah-u ka përparësi mbi të gjitha detyrimet e tjera; megjithatë, si shenjë mëshire, Ai që është Vendagimi i Revelacionit ka urdhëruar atë që na është reveluar në këtë Tabelë nga Penda e Tij jetëdhënëse dhe e gjithëdijshme.
  
   23. Nga Perëndia është vendosur se një pronë që nuk është fitimprurëse, pra që nuk sjell të ardhura, nuk i nënshtrohet pagimit të Hukuk-ut. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, Bujari.
  
   24. Pagimi i së Drejtës së Perëndisë është i kushtëzuar nga aftësia financiare e njeriut. Në qoftë se një person nuk është në gjendje ta plotësojë detyrimin e tij, Perëndia, me të vërtetë, do ta justifikojë atë. Ai është Gjithëfalësi, Bujariploti.
  
   25. Ky është Libri i bujarisë që na është reveluar nga Mbreti i Përjetësisë. Kushdo që e stolis veten me këtë virtyt, e shquan vetveten dhe do të bekohet nga Mëshirëploti në Mbretërinë e Lavdisë së Tij. Sidoqoftë, në rast se i tejkalon kufitë, megjithë shkallën e lartë dhe pozitën e shquar, ai do të konsiderohet si plangprishës nga i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Të jini të moderuar. Kjo është porosia që Ai, Gjithëzotëruesi, Më i Larti, ka dhënë për ju në Librin e Tij Fisnik. O ju që jeni shembuj të bujarisë e shfaqje të saj! Të jini zemërgjerë me ata që i gjeni në varfëri të dukshme. O ju që zotëroni pasuri! Bëni kujdes që pamja e jashtme të mos ju pengojë për vepra mirëbërëse në shtegun e Perëndisë, Zotit të të gjithë njerëzimit.
   Thuaj: Betohem për Perëndinë! Askush nuk përbuzet në sytë e të Gjithëfuqishmit pse është i varfër. Përkundrazi, ai lavdërohet në rast se është i duruar. Lum të varfërit që janë të qëndrueshëm në durim, dhe mjerë të pasurit që i bëjnë bisht Hukukullah-ut dhe nuk zbatojnë atë që u urdhërohet në Tabelën e Tij të Ruajtur.
   Thuaj: Mos u mburrni me pasuritë tokësore që zotëroni. Reflektoni rreth fundit tuaj dhe rreth shpërblimit për veprat tuaja që është urdhëruar në Librin e Perëndisë, të Lavdëruarit, të Fuqishmit. Lum i pasuri, zotërimet tokësore të të cilit kanë qenë të pafuqishme ta ndalojnë atë që ta kthejë fytyrën ndaj Perëndisë, Zotit të të gjithë emrave. Me të vërtetë, ai llogaritet midis njerëzve më të shquar para Perëndisë, të Mëshirshmit, të Gjithëdijshmit.
   Thuaj: Dita e caktuar ka ardhur. Kjo është Pranvera e veprave mirëbërëse, nëse jeni ndër ata që kuptojnë. Përpiquni me të gjitha forcat, o njerëz, të bëni atë që do t’ju sjellë me të vërtetë përfitim në botët e Zotit Tuaj, Lavdiplotit, të Gjithëlavdëruarit.
   Thuaj: Kapuni fort pas tipareve të lavdërueshme dhe veprave të bukura, pa i zvarritur ato. Është mirë që secili të kapet fort pas asaj që çon në lartësimin e Kauzës së Perëndisë, Zotit tuaj, të Fuqishmit, të Pushtetshmit.
   Thuaj: A nuk e shikoni botën me ndryshimet dhe rastësitë e saj dhe me ngjyrat e saj të ndryshme? Përse jeni të kënaqur me të dhe me gjërat që ndodhen në të? Hapni sytë dhe jini ndër ata që kanë intuitë. Po afron me shpejtësi dita, kur të gjitha këto gjëra do të jenë zhdukur po aq shpejt si vetëtima, madje dhe më shpejt. Për këtë dëshmon Zoti i Mbretërisë në këtë Tabelë të mahnitshme.
   Në qoftë se ti do të magjepseshe nga ekstaza lartësuese e vargjeve të Perëndisë, ti do ta falënderoje Zotin tënd e do të thoje: “Lëvduar qofsh, O Dëshirë e zemrave të atyre që nxitojnë të të takojnë Ty!” Gëzohu, pra, me ngazëllim të madh, sepse Penda e Lavdisë është kthyer ndaj teje dhe ka reveluar për nderin tënd atë që gjuhët e krijimit dhe gjuhët e përsosurisë janë të pafuqishme ta përshkruajnë.
  
   26. Ata që i kanë mbajtur premtimet, që i kanë përmbushur detyrimet, që u janë përmbajtur betimeve e zotimeve të tyre, që ia kanë kthyer Atij Besimin e Perëndisë dhe të Drejtën e Tij – ata numërohen midis banorëve të Parajsës më të lartë. Kështu, nga Burgu i Tij i tmerrshëm, i Munduari u shpalli atyre këtë lajm të mirë. Lum shërbëtorët dhe shërbëtoret që e kanë kryer detyrën e tyre dhe lum njeriu që është kapur fort pas veprave të lavdërueshme e që ka kryer atë që i urdhërohet në Librin e Perëndisë, Zotit të botëve.
  
   27. Për një numër vitesh Hukuk-u nuk u pranua. Të shumta qenë ofertat që, kur arrinin praninë Tonë, u ktheheshin dhuruesve, sepse atëherë nuk kishte nevojë për to. Por në vitet e fundit, duke pasur parasysh kërkesat e kohës, Ne e pranuam pagimin e Hukuk-ut, por kemi ndaluar kërkimin e tij. Secili duhet të ketë respektin më të madh për dinjitetin e Fjalës së Perëndisë dhe për lartësimin e Kauzës së Tij. Sikur një person të ofronte të gjitha pasuritë e botës, por duke ulur nderin e Kauzës së Perëndisë, qoftë edhe më pak se një farë sinapi, një ofertë e tillë nuk do të ishte e lejueshme. Gjithë bota ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e Perëndisë. Në rast se dikush e ofron Hukuk-un spontanisht me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, ai do të pranohet, përndryshe jo. Përfitimi që sjellin vepra të tilla u kthehet vetë individëve. Kjo masë është urdhëruar, duke pasur parasysh nevojën për mjete materiale, sepse “Perëndia është kundër vënies në veprim të çfarëdo gjëje që nuk bëhet me mjetet e Tij”. Kështu, u dhanë udhëzime për ta marrë Hukuk-un.
  
   28. Lum ata që i kanë plotësuar detyrimet e veta lidhur me të Drejtën e Perëndisë dhe që i zbatojnë ato që thuhen në Librin ... Pagimi i Hukuk-ut është përcaktuar përfundimisht në Librin e Perëndisë, megjithatë për disa vjet me radhë ishte e ndaluar marrja e tij. Por më vonë, duke pasur parasysh disa konsiderata dhe për të rregulluar disa çështje thelbësore, u dha leja për të pranuar pagesa të tilla. Me të vërtetë, Ai është Urdhëruesi, Zemërdhembshuri, Falësi, Bujari.
  
   29. Përsa i përket Hukukullah-ut: Ky është burimi i bekimeve dhe zembereku i dashamirësisë e i dashurisë së dhembshur të Perëndisë që u dhurohet njerëzve. Me të vërtetë, Ai mund të bëjë pa asnjë nga gjërat që kanë qenë e që do të jenë. Deri dy vjet më parë çështja e Hukuk-ut ishte e pahapur. Revelimi i saj u bë në saje të mirësisë së Tij. Në qoftë se një person do të privilegjohej për të zbatuar atë që thuhet në Librin Më të Shenjtë, sigurisht që do të ishte më mirë për të e në përfitim të tij. Por zbatimi i kësaj porosie varet nga rrethanat e njeriut.Në fakt, Ai thotë të vërtetën dhe udhëheq drejt.
  
   30. Ti shkruan lidhur me sasinë minimale të pronës për të cilën duhet paguar Hukukullah-u. Kjo bëhet ashtu siç iu parashtrua Xhinabi Zainul Mukarrabin-it [Jináb-i-Zainu’l-Muqarrabin] – mbi të qoftë lavdia e Më Të Lavdishmit. Shuma minimale për të cilën duhet paguar Hukuk bazohet në numrin Nëntëmbëdhjetë, në pajtim me tekstin e të bekuarit, të Librit Më të Shenjtë. Aty bëhet referencë për sasinë e Hukuk-ut që duhet paguar dhe jo për shumën minimale mbi të cilën Hukuk-u është i detyrueshëm. Me të vërtetë, Ai është Shpjeguesi si në Fillim dhe në Mbarim. Deri sivjet Hukukullah-u nuk është përmendur fare. Me fjalë të tjera, ky shërbëtor 6 kurrë nuk ka dëgjuar asnjë fjalë të vetme të shqiptuar nga Gjuha e Shenjtërisë që të aludojë për pagimin e Hukuk-ut. Por këtë vit [7] vendimi i Tij i detyrueshëm u vu në zbatim dhe porosia e Tij ndriçoi në horizontin e Revelacionit hyjnor. Kështu, cilido që dëshiron të ofrojë Hukukullah-un spontanisht dhe në frymën e pranimit fytyrëçelur, atij do t’i pranohet me mirëdashje.
   Të Besuarit duhet t’i marrin këto dhurime dhe, sipas udhëzimeve, të njoftojnë Praninë e Tij të Shenjtë. Edhe pse Libri i Shenjtë është reveluar disa vjet më parë, me urdhrin për të Drejtën e Perëndisë të shtruar qartë aty, megjithatë leja që autorizonte marrjen e Hukuk-ut nuk qe dhënë deri sivjet. Me të vërtetë Ai është Urdhëruesi, Fuqiploti, i Hirshmi, Më i Lavdëruari.
  
   31. Qëllimi yt për të bërë një vizitë në Shtëpinë e bekuar është i pranueshëm e i kënaqshëm në sytë e të Munduarit, me kusht që kjo të bëhet me frymë gëzimi e hareje dhe të mos jetë në kundërshtim me atë që kërkon urtia.
   Thuaj: O njerëz, detyra e parë është të njohësh Perëndinë e vërtetë – u shtoftë Lavdia e Tij, – e dyta është të tregosh qëndrueshmëri në Kauzën e Tij dhe pas kësaj detyra është t’i pastrosh pasuritë dhe zotërimet e tua tokësore në përshtatje me atë që rekomandohet nga Perëndia. Prandaj të ka hije, së pari, të plotësosh detyrimin e së Drejtës së Perëndisë, pastaj t’i drejtosh hapat nga Shtëpia e Tij e bekuar. Kjo të vihet në dukje ty si shenjë favori.
  
   32. Kush është i privilegjuar që të paguajë të Drejtën e Perëndisë do të numërohet me ata që kanë zbatuar urdhërat e të vetmit Perëndi të vërtetë – u shtoftë lavdia e Tij – dhe kanë përmbushur atë që është shkruar nga Penda Lavdiplote.
   Shpesh herë kemi shkruar e porositur që askush nuk duhet ta kërkojë një pagesë të tillë. Ofrimi i çdo njeriu, që e jep vullnetarisht Hukukullah-un me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, mund të pranohet, përndryshe pranimi nuk ka qenë e nuk është i lejuar. Atyre që e harrojnë detyrën duhet t’u kujtohet shkurt. Veprimet duhen bërë me dëshirë dhe në të gjitha rastet duhet treguar respekt i madh për dinjitetin e Kauzës së Perëndisë. Më parë, kemi përmendur që, edhe sikur një person të zotëronte gjithë botën dhe t’i jepte zotërimet e tij me kusht që të ulte nderin e Kauzës, qoftë edhe sa një farë sinapi, do të ishte thelbësore e imperative të refuzohej pranimi i një pasurie të tillë. E tillë është Kauza e Perëndisë, e përjetshme në të kaluarën, e përjetshme në të ardhmen. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë.
   Porosia për pagimin e Hukuk-ut është një favor i dhuruar nga i vetmi Perëndi i vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij – dhe përfitimet që vijnë nga kjo do t’u kthehen vetë dhuruesve. Është detyrë e të gjithëve të falënderojnë Perëndinë, Më Të Lavdëruarin, që me dashamirësi u ka dhënë mundësi të plotësojnë detyrimin e Hukuk-ut. Ne e përmbajtëm Pendën për një periudhë të gjatë, gjatë së cilës nuk u dha asnjë udhëzim lidhur me këtë, deri në kohën që kushtet e urtisë së Tij të padepërtueshme kërkuan pranimin e Hukuk-ut. “Perëndia është kundër vënies në veprim të çfarëdo gjëje që nuk bëhet me mjetet e Tij”. Për disa njerëz është thelbësore të marrin ndihmë, ndërsa të tjerë kanë nevojë për vëmendje e kujdes, por e gjithë kjo duhet të ndodhë me lejën e Perëndisë, Ndihmësit në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
  
   33. O ti që mban Emrin Tim! Perëndia lejon që gjithkush të ndihmohet me dashamirësi për të nderuar Hukuk-un. Hukuk-u i takon vetëm e vetëm Atij Që është e Vërteta sovrane, por, siç e dini, tani ka shumë njerëz të angazhuar me zell në shërbim të Kauzës në vende të ndryshme, të cilët nuk janë në gjendje të sigurojnë jetesën e tyre. Dhe, përderisa Perëndia ka bërë që arritja e gjithçkaje të kushtëzohet nga mjetet materiale, për rrjedhojë porosia për pagimin e Hukuk-ut është reveluar nga qielli i Vullnetit të Tij dhe bekimet që e pasojnë këtë vepër do të bien mbi vetë dhuruesit.
  
   34. Sot është detyrë e secilit t’i shërbejë Kauzës së Perëndisë, ndërsa Ai Që është e Vërteta e Përjetshme – u lartësoftë Lavdia e Tij – ka bërë që plotësimi i çdo ndërmarrjeje tokësore të varet nga mjetet materiale. Për rrjedhojë, për çdo individ është e detyrueshme të ofrojë atë që është e Drejta e Perëndisë.
  
   35. Në qoftë se një person dëshiron të ofrojë të Drejtën e Perëndisë, të tilla oferta duhet të merren nga të Besuarit, për të cilët ka referenca në Librin e Perëndisë. Kjo porosi, sipas disa konsideratave, është reveluar nga qielli i Revelacionit hyjnor si shenjë e dashamirësisë së Tij. Avantazhet që vijnë nga kjo do të bien mbi vetë individët. Në fakt, Ai thotë të vërtetën dhe nuk ka Perëndi tjetër veç Atij, të Fuqishmit, të Pushtetshmit.
   Të Besuarit janë të pranishëm në tokën Ja (Jazd) [Yá (Yazd)]. Kushdo që dëshiron të përmbushë atë që i urdhërohet atij në Librin, mund t’u drejtohet atyre. Çdo sasi e marrë prej tyre do të çohet aty ku duhet. I madh është bekimi për ata që e zbatojnë urdhërin e Tij.
  
   36. Është me të vërtetë një favor tepër i shkëlqyer, një dashamirësi e pakufishme për cilindo që është i privilegjuar në këtë ditë t’i shërbejë Kauzës së Perëndisë dhe të ofrojë të Drejtën e Perëndisë, sepse rezultatet e saj të mëdha do të zgjasin aq sa do të zgjasë mbretëria e tokës dhe e qiellit.
  
   37. O Zain! Ty të bie për detyrë t’i lutesh Perëndisë që me dashamirësi t’u japë mundësi shërbëtorëve të Tij besnikë të plotësojnë detyrimin e Hukuk-ut. Bota është jetëshkurtër dhe jeta e njeriut fluturon shpejt. Prandaj, në qoftë se dikush ka privilegjin të ofrojë atë që është e detyrueshme për të, një veprim i tillë gjithmonë ka qenë e do të jetë më pranë devocionit e drejtësisë... Është detyrë e gjithsecilit të zbatojë atë që është shkruar në Librin e Perëndisë – lartësuar qoftë lavdia e Tij.
  
   38. E Drejta e Perëndisë është një detyrim për gjithsecilin. Kjo porosi është reveluar dhe është shkruar në Librin nga Penda e Lavdisë. Megjithatë, nuk është e lejueshme ta lypësh ose ta kërkosh atë. Në qoftë se dikush privilegjohet për ta paguar Hukuk-un dhe e bën këtë në një frymë gëzimi e hareje, një veprim i tillë është i pranueshëm, por jo ndryshe. Sa për t’ua kujtuar miqve, mund të bëhet një thirrje e përgjithshme një herë në mbledhje, dhe kjo duhet të jetë e mjaftueshme. Ata që janë të sigurtë, të qëndrueshëm e me intuitë do të veprojnë vetiu dhe do të zbatojnë atë që ka porositur Perëndia, e për rrjedhojë do të korrin përfitimet e vetë veprimit të tyre. Me të vërtetë, Perëndia është i pavarur nga gjithë njerëzimi.
   Njerëzit e Perëndisë nuk duhet të brengosen. Për drejtësinë e Perëndisë, ajo që është destinuar për ta është tej aftësisë llogaritëse të atyre që bëjnë bilancin.
  
   39. Zot i Madh! Në këtë Dispensacion të lavdishëm thesaret e grumbulluara nga mbretërit e mbretëreshat as që ia vlen t’i përmendësh, dhe as do të jenë të pranueshme ato në prani të Perëndisë. Ndërsa një farë sinapi e ofruar nga të dashurit e Tij, do të ngrihet lart në oborrin e madhërishëm të shenjtërisë së Tij dhe do të vishet me stolinë e pranimit të Tij. E lavdëruar pamasë është bujaria e Tij, e lavdishme pamasë është madhështia e Tij. E megjithatë, kur një ofertë është stolisur me lavdinë e pranimit të Tij dhe është njoftuar nga Xhinabi Emini, dyfishi i kësaj sasie është porositur të paguhet për të varfërit e njerëzit nevojtarë. Për këtë dëshmon çdo njeri i drejtë me intuitë, si dhe ata që janë besnikë e të besuar.
  
   40. Përfitimet nga shtimi i veprimtarive mirëbërëse do t’u kthehen individëve që kanë të bëjnë me to. Në çështje të tilla do të mjaftonte vetëm një fjalë. Në qoftë dikush do të ofronte Hukuk-un me gëzimin e harenë më të madhe, duke shfaqur një frymë përunjësie e kënaqësie, oferta e tij do të ishte e pranueshme para Perëndisë, përndryshe Ai mund të bëjë edhe pa gjithë popujt e botës... Lum ata që kanë përmbushur atë që thuhet në Librin e Perëndisë. Është detyrë e secilit të zbatojë atë që Perëndia ka shtruar si qëllim, sepse gjithçka që është shkruar në Librin nga Penda e Lavdisë është një mjet efektiv për pastrimin, dëlirjen dhe shenjtërimin e shpirtrave të njerëzve dhe burim mbarësie e bekimesh. Të lumtur janë ata që i kanë zbatuar porositë e Tij.
   Sa herë që ata i referohen Hukuk-ut, le të kufizohen vetëm me një fjalë të thënë për hir të Perëndisë dhe kjo do të jetë e mjaftueshme; shtrëngimi është i panevojshëm, përderisa Perëndia kurrë nuk ka dëshiruar që ata që vihen në shërbim të Tij të kalojnë vështirësi. Me të vërtetë, Ai është Falësi, i Mëshirshmi, i Hirshmi, Bujariploti.... Asnjë bamirësi nuk ka humbur e as do të humbasë, sepse veprat mirëbërëse janë thesare të ruajtura nga Perëndia në përfitim të atyre që i kryejnë. Të bekuar janë shërbëtori dhe shërbëtorja që e kanë plotësuar detyrimin e vet në shtegun e Perëndisë Zotit tonë, Zotit të të gjitha botëve... E Drejta e Perëndisë duhet paguar kurdoherë që është e mundur dhe duhet ofruar me një frymë gëzimi e kënaqësie. Ata që nuk janë në gjendje ta paguajnë do të vishen me stolinë e faljes së Tij.
  
   41. Sot është detyrë e gjithsecilit t’i zbatojë detyrimet e së Drejtës së Perëndisë sipas mundësive që ka. Për disa vjet me radhë nuk lejohej pranimi i pagimit të Hukuk-ut. Por kohët e fundit, Ne nxorrëm udhëzime që ai të merret. Prandaj miqtë në atë krahinë duhet që, brenda mundësive, t’i mbledhin pagesat dhe t’ia dërgojnë shumat ose Zainul Mukarrabin-it – mbi të qoftë lavdia e Perëndisë – në Hadba [Hadbá’] (Mosul), ose të Besuarit të Perëndisë në tokën e Ja (Jazd), të cilët do t’i çojnë atje ku duhet. Zbatimi i kësaj porosie ka sjellë dhe do të sjellë gjithmonë mbarësi, bollëk hyjnor e shpëtim. I madh është bekimi për njeriun që zbaton atë që shkruhet në Librin e Perëndisë, të Hirshmit, të Fuqishmit.
  
   42. Dhe tani lidhur me atë që ti përmend për Hukuk-un. Ky është urdhëruar posaçërisht për të vetmin Perëndi të vërtetë – u lartësoftë lavdia e Tij – dhe duhet dërguar në oborrin e Pranisë së Tij të Shenjtë. Në dorën e Tij është burimi i autoritetit. Ai bën atë që i pëlqen dhe urdhëron atë që ka vendosur.
   Përderisa ti ke pyetur lidhur me këtë çështje, përgjigja që vijon është reveluar nga qielli i mëshirës së Tij të dhembshur.
   Kjo porosi është e detyrueshme për gjithsecilin dhe duke e zbatuar atë, cilido do të nderohet, sepse kjo do të shërbejë për t’i pastruar zotërimet e njeriut dhe ai do të marrë bekime e do t’i shtohet mirëqenia. Por njerëzit ende nuk e dinë rëndësinë e kësaj. Ata vazhdimisht përpiqen t’i shtojnë pasuritë me mjete të ligjshme ose të paligjshme, me qëllim që t’ua lënë ato trashëgimtarëve të tyre, dhe askush nuk mund të thotë se kush përfiton nga kjo. Thuaj: Në këtë ditë, Trashëgimtari i vërtetë është Fjala e Perëndisë, përderisa vetë qëllimi i trashëgimisë është ruajtja e emrit dhe e gjurmëve të njerëzve. Është e qartë pa asnjë dyshim se kalimi i shekujve dhe i epokave do t’i fshijë këto shenja, ndërsa çdo fjalë që ka buruar nga Penda e Lavdisë për të nderuar një person të caktuar do të zgjasë sa të jenë zotërimet e tokës e të qiellit.
  
   43. Në qoftë se njerëzit nuk e kanë mbajtur të Drejtën e Perëndisë që kanë si detyrim, përkundrazi e kanë paguar atë që duhet, ose do ta paguajnë tani, ata mund të ishin bartës të dashamirësisë së Perëndisë. Ne i lutemi Perëndisë që mirësisht t’u dhurojë atyre bollëk.
  
   44. Ky Hukuk që është përmendur, porosia për të cilin është dukur në horizontin e Tabelës së Shenjtë të Perëndisë, sjell përfitime që janë fati i parashkruar i vetë personave. Për Perëndi! Sikur njerëzit ta dinin atë që është e fshehur nga sytë e tyre dhe të ishin plotësisht të vetëdijshëm për oqeanin e mirësisë që qëndron i mbuluar brenda kësaj porosie hyjnore, të gjithë njerëzit e botës do të ofronin gjithçka zotërojnë që të përmendeshin prej Tij. Lum njeriu i privilegjuar të zbatojë atë që është urdhëruar nga Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti....
   Siç na thuhet prej Tij, askush nuk lejohet ta kërkojë pagimin e Hukuk-ut. Në Librin e Perëndisë gjithkush urdhërohet ta ofrojë Hukuk-un spontanisht dhe në një frymë gëzimi e shoqërie. Unë i lutem Atij, Më të Lavdëruarit, që mirësisht t’i japë mundësi gjithsecilit të bëjë atë që është e kënaqshme dhe e pranueshme për Të.
   Dhe tani lidhur me të varfërit, ti shkruaje për të pyetur nëse është e lejueshme që ata të paguhen nga e Drejta e Perëndisë. Kjo varet nga leja që është dhënë. Në çdo lokalitet ku merret e Drejta e Perëndisë, duhet t’i paraqiten hollësira për këtë pranisë së Tij të lartë, së bashku me një deklaratë ku të përshkruhet gjendja e njerëzve nevojtarë. Me të vërtetë, Ai bën atë që do dhe urdhëron atë që i pëlqen. Në qoftë se leja do të jepej në përgjithësi, kjo do të çonte në grindje dhe do të krijonte shqetësime.
  
   45. Është në mënyrë të padyshimtë e qartë dhe evidente se çdo gjë që është dërguar nga qielli i porosive hyjnore – u shtoftë lavdia e Tij – ka për qëllim t’ua japë përfitimet shërbëtorëve të Tij. Çështja e Hukuk-ut është shumë e rëndësishme. Ajo gjithmonë ka çuar e do të çojë në bollëk, begati, dinjitet e nder hyjnor.... Është e qartë dhe e dukshme që bota është e zbrazur nga çdo vlerë e vërtetë. Në raste të shumta – dhe për këtë gjithkush këtu mund të dëshmojë – shuma të mëdha janë dërguar në oborrin e Tij të Shenjtë, por nuk janë stolisur me ornamentin e pranimit të Tij. Por tashmë, duke pasur parasysh të ardhurat e miqve dhe kërkesat e kohës, pagimi i Hukuk-ut pranohet. Qëllimi është të tregohet se ky pranim është një shenjë e favorit hyjnor dhe një provë e dashamirësisë dhe e mëshirës së Tij të dhembshur.
  
   46. Të shlyesh detyrimet që ka njeriu është shumë e lavdërueshme në sytë e Perëndisë. Megjithatë, nuk lejohet të kërkohet Hukuk prej askujt. Lutjuni të vetmit Perëndi të vërtetë t’u japë mundësi të dashurve të Tij të ofrojnë atë që është e Drejta e Perëndisë, përderisa zbatimi i kësaj porosie do të bënte që pronat e njeriut të pastroheshin e mbroheshin dhe të bëheshin mjet për tërheqjen e dhuratave të mëdha e të bekimeve qiellore.
  
   47. O Samandar! Sa njerëz ka që, me mundimet e përpjekjet më të mëdha, mbledhin një grusht pasurish tokësore dhe gëzohen pamasë për këtë veprim, ndërsa në realitet Penda e Më të Madhit e ka caktuar këtë pasuri për të tjerë; pra, ajo nuk është e thënë të mbetet rrisku i tyre, madje mund të bjerë në duart e armiqve të tyre! Ne kërkojmë strehë te Perëndia nga një humbje e tillë. Jeta e dikujt humbet kot; telashet vazhdojnë ditë e natë dhe pasuria bëhet burim fatkeqësish. Pjesa më e madhe e pasurisë së njerëzve nuk është e pastër. Sikur të zbatonin atë që revelohet nga Perëndia, ata, sigurisht, nuk do të privoheshin nga mirësia e Tij dhe në çdo rrethanë do të ishin të mbrojtur nën strehën e bujarisë së Tij dhe të bekuar prej hirit të Tij.
  
   48. Nuk ka asnjë dyshim se çdo gjë që është reveluar nga Penda Lavdiplotë, qoftë kjo porosi ose ndalim, ua dhuron përfitimet vetë besimtarëve. Për shembull, midis porosive  është edhe ajo e Hukukullah-ut. Në qoftë se njerëzit e fitojnë privilegjin e pagimit të Hukuk-ut, i vetmi Perëndi i vërtetë, lartësuar qoftë Lavdia e Tij, me siguri do t’u dhurojë atyre bekime. Për më tepër, një pagim i tillë do t’u japë mundësi pasardhësve të vet të përfitojnë nga pronat e tyre. Siç e sheh, sasi të mëdha të pasurisë së njerëzve ata i humbasin, sepse Perëndia bën që të huaj ose trashëgimtarë, në krahasim me të cilët të huajt do të kishin qenë të preferuar, të shtijnë në dorë pronat e tyre.
   Urtia e pafund e Perëndisë shkon tej çdo përshkrimi ose vlerësimi. Në të vërtetë, njerëzit e shohin këtë me sytë e vet dhe megjithatë e mohojnë; ata e dinë, megjithatë pretendojnë se nuk e dinë. Sikur ta zbatonin porosinë e Perëndisë, ata do të kishin fituar të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
  
   49. Dikush duhet t’u kujtojë shërbëtorëve të Perëndisë se ata mund të kenë privilegjin të zbatojnë detyrimin e Hukuk-ut, duke fituar kështu një pozitë të lartë dhe duke marrë një shpërblim që do të zgjasë përjetë. Pagesat për Hukuk-un duhet të ruhen nga një person i besuar dhe të paraqitet një raport për to, në mënyrë që hapat të mund të ndërmerren sipas pëlqimit të Perëndisë.
  
   50. Çështja e Hukuk-ut varet nga dëshira e vetë personave. Nga çdo besimtar i vërtetë, që e jep të Drejtën e Perëndisë spontanisht dhe me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, oferta pranohet me dashamirësi, por jo ndryshe. Me të vërtetë, Zoti yt është i pavarur nga gjithë njerëzimi. Mbaj parasysh atë që Mëshirëploti ka reveluar në Kuran: “O njerëz! Ju jeni vetëm varfanjakë që keni nevojë për Perëndinë, ndërsa Perëndia është i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëlavdëruari.” [8]
   Në çdo kohë secili duhet të ketë respektin më të madh për dinjitetin dhe nderin e Kauzës së Perëndisë.
  
   51. Askush nuk duhet ta kërkojë Hukukullah-un. Pagimi i tij duhet të varet nga dëshira e vetë personave, pra nga shpirtra të tillë që janë të devotshëm, besnikë e të gatshëm, që i bëjnë ofertat e tyre të Hukukullah-ut në një frymë nënshtrimi vullnetar e kënaqësie.
  
   52. Nuk është e lejueshme ta kërkosh Hukuk-un. Në qoftë se dikush ofron diçka me dëshirën e vet, ti mund ta pranosh atë, por nuk të takon ty të kërkosh gjësendi nga askush. Me të vërtetë, Zoti yt është Bujariploti, Më Zemërgjeri.
  
   53. Për atë që shkruan ti lidhur me të Drejtën e Perëndisë: Porosia e detyrueshme e Perëndisë është shkruar në Librin, por kjo çështje kushtëzohet nga dëshira e vetë personave; sepse i vetmi Perëndi i vërtetë – u shtoftë lavdia e Tij, – për shkak të mëshirës së Tij gjithëpërfshirëse, i ka bërë të njohur gjithsecilit atë që urdhërohet në Librin. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë.
   Kërkimi i Hukuk-ut kurrë nuk është konsideruar i pëlqyeshëm. Çdo veprim duhet bërë në një frymë gëzimi e hareje. Në qoftë se një person dëshiron ta bëjë ofertën e tij me kënaqësinë më të madhe, pranimi i saj është i lejueshëm, përndryshe Zoti ynë i mëshirshëm është i pavarur nga gjithë njerëzimi. Sot njeriu duhet të bëjë atë që çon në lavdinë, madhështinë e lartësimin e Kauzës së Perëndisë. Kështu ka folur Zoti i së Vërtetës, Njohësi i gjërave të papara....
   O miku Im! Sikur njerëzit ta shijonin ëmbëlsinë e porosive të urdhëruara nga Perëndia dhe t’i zbulonin përfitimet që vijnë prej tyre, ata me siguri, të gjithë pa përjashtim, do t’i zbatonin ato me gëzimin e zellin më të madh. I lutemi të vetmit Perëndi të vërtetë të ndihmojë gjithsecilin që të zbatojë atë që është e kënaqshme dhe e pranueshme për Të. Me të vërtetë, Ai është Ndihmuesi, Mbështetësi, Urtiploti.
   Është urdhëruar që çdo gjë që të dashurit e Perëndisë mund të ofrojnë si dhurata për oborrin e Tij të Shenjtë, duhet të përdoren siç dëshiron dhuruesi, përndryshe zemrat e besnikëve dhe shpirtrat e besimtarëve të vërtetë do të errësoheshin nga pluhuri i dëshpërimit e i brengosjes. Por në rastin e dhurimeve që ofrohen si Hukuk, është e lejueshme që ato të shiten....
   Në çdo kohë e në të gjitha kushtet duhet pasur respekt të madh për dinjitetin e Kauzës. Kërkimi i Hukuk-ut nuk është i lejueshëm. Cilitdo që dëshiron të paguajë Hukuk-un me gëzimin e kënaqësinë më të madhe, oferta mund t’i pranohet; përndryshe Perëndia është i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëlavdëruari.
   Ki parasysh atë që Mëshirëploti ka reveluar në Kuran – e lavdëruar është Fjala e Tij: “Disa prej tyre dëmtojnë vetveten përmes veprash të liga, të tjerë ndjekin një rrugë të mesme, ndërsa të tjerë vihen në garë me njëri-tjetrin për vepra bamirësie.”[9] Me të vërtetë, çdo përfitim që vjen nga veprat e lavdërueshme do t’u kthehet personave që i kanë kryer ato. Sikur njerëzit ta kuptonin këtë të vërtetë, ata do të viheshin në garë me njëri-tjetrin për vepra bamirësie...
   Ju mund të hiqni dorë nga gjithë bota, por nuk duhet t’i hiqni as edhe një thërrime dinjitetit të Kauzës së Perëndisë. E tillë është këshilla hyjnore që është shkruar në Librin Kërmëz nga Penda e Më të Lartit. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë...
  
   54. Është porosi e detyrueshme e Perëndisë që në çdo lokalitet, çdo gjë që është bërë ose do të bëhet e arritshme për Hukukullah-un duhet t’i paraqitet pranisë së Tij të shenjtë. Çdo udhëzim i nxjerrë lidhur me këtë duhet të zbatohet me saktësi, në mënyrë që çdo gjë të jetë në përputhje me rregullat.
   Është shumë e pëlqyeshme në qoftë se çdo gjë që thuhet në Librin Më të Shenjtë zbatohet, në mënyrë që secili të mund të vishet me stolinë e qëllimit të të Shumëdashurit të botës.
  
   55. Nuk ka kundërshtim që të ofrohen për shitje ato që dhurohen në emër të Hukuk-ut. Kështu njofton Penda Lavdiplotë nga vendbanimi i Tij fisnik, me kërkesë të Mbretit të Përjetësisë.
  
   56. Kushdo që dëshiron të ofrojë Hukukullah-un me gëzimin e zellin më të madh, duhet t’ua paguajë atë personave të besuar ashtu si vetes[10] dhe të marrë një dëftesë, në mënyrë që çdo gjë që bëhet të jetë në përputhje me vendimin e lejen e Tij. Me të vërtetë, Ai është Njohësi, i Urti.
  
   57. Ti ke shkruar se ata janë zotuar të bëjnë kursimet më të mëdha në jetën e tyre, duke pasur si synim t’ia dërgojnë tepricat e të ardhurave të veta pranisë së Tij të lavdëruar. Kjo çështje është përmendur në oborrin e Tij të shenjtë. Ai tha: Ata le të veprojnë me masë dhe të mos i imponojnë vetes vështirësi. Ne do të donim që të dy ata të gëzojnë një jetë të këndshme.
  
   58. Pagesat për Hukukullah-un nuk mund t’i dorëzohen çdo personi. Këto fjalë janë shqiptuar prej Atij Që është e vërteta sovrane. Hukukullah-u duhet të mbahet nën kujdestarinë e personave të besuar dhe t’i dërgohet oborrit të Tij të shenjtë me anë të të Besuarve të Perëndisë.
  
   59. Ka një rregull të shkruar për Hukukullah-un. Pasi të krijohet Shtëpia e Drejtësisë, prej saj do të dalë ligji, në pajtim me Vullnetin e Perëndisë.
  
   60. I Madhërishëm je Ti, O Zot i gjithë Krijimit, Ai tek i Cili duhet të kthehet gjithçka. Me gjuhët e mia të brendshme e të jashtme, Unë dëshmoj se Ti e ke shfaqur dhe reveluar Vetveten, i ke dërguar këtu poshtë shenjat e Tua dhe i ke shpallur dëshmitë e Tua. Unë dëshmoj për vetëmjaftueshmërinë Tënde nga gjithçka veç Teje dhe për shenjtërinë Tënde mbi gjithçka tokësore. Unë Të lutem, për lavdinë e lartë të Kauzës Sate dhe për fuqinë supreme të Fjalës Sate, t’i japësh mbështetje atij që dëshiron të ofrojë atë që Ti ke shkruar për të në Librin Tënd dhe të zbatojë atë që do të përhapë aromën e pranimit Tënd. Me të vërtetë, Ti je i Gjithëfuqishmi, Hirploti, Gjithëfalësi, Bujariploti.
  
  
   II. EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT [11]
  
   61. Siç paracaktohet nga Burimi Parësor i Krijimit, tempulli i botës është artuar sipas pamjes dhe ngjashmërisë me trupin njerëzor. Në fakt, secili prej tyre pasqyron pamjen e tjetrit, po ta shohësh me sy vëzhgues. Me këtë nënkuptohet që, ashtu si trupi njerëzor në këtë botë, duke qenë i përbërë nga gjymtyrë e organe të ndryshme, në realitet është një tërësi kompakte e integruar ngushtë e koherente, po kështu edhe struktura e botës fizike është si një qenie e vetme, gjymtyrët dhe pjesët e së cilës janë të lidhura pandashmërisht së bashku.
   Nëse dikush do të vëzhgonte me sy depërtues realitetin e të gjitha gjërave, do të bëhej e qartë se raporti më i madh që lidh në një të vetme botën e qenies qëndron në vetë sferën e gjërave të krijuara dhe se bashkëveprimi, ndihma e ndërsjellë dhe reciprociteti janë karakteristika thelbësore në trupin e unifikuar të botës së qenies, përderisa të gjitha gjërat e krijuara janë të lidhura ngushtë së bashku dhe secila ndikohet nga tjetra ose nxjerr përfitim prej saj, qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi.
   Shikoni, për shembull, se si një grup gjërash të krijuara përbën mbretërinë bimore dhe një tjetër mbretërinë shtazore. Secila nga këto të dyja përdor elementë të caktuar në ajër, prej të cilëve varet jeta e saj, ndërkohë që secila shton sasinë e elementëve të tillë që janë thelbësorë për jetën e tjetrës. Me fjalë të tjera, rritja dhe zhvillimi i botës bimore është i pamundur pa ekzistencën e mbretërisë shtazore, ndërsa vazhdimësia e jetës shtazore nuk mund të mendohet pa bashkëveprimin e mbretërisë bimore. Të një lloji të ngjashëm janë marrëdhëniet që ekzistojnë midis të gjitha gjërave të krijuara. Për rrjedhojë, është deklaruar se bashkëveprimi dhe reciprociteti janë veti thelbësore të qenësishme në sistemin e unifikuar të botës së qenies, pa të cilat tërë krijimi do të reduktohej në hiç.
   Duke vëzhguar sferën e gjerë të krijimit, ti do të shohësh se sa më e lartë është një mbretëri e gjërave të krijuara në harkun e lartësisë, aq më të spikatura janë shenjat dhe faktet që vërtetojnë se bashkëveprimi e reciprociteti në nivelin e një lloji më të lartë janë më të mëdha se ato që ekzistojnë në nivelin e një lloji më të ulët. Për shembull, shenjat evidente të këtij realiteti thelbësor janë më të dukshme në botën bimore sesa në atë minerale dhe akoma më të dukshme në botën shtazore sesa në atë bimore.
   Dhe kështu, duke vëzhguar botën njerëzore ti sheh fenomenin e mahnitshëm që shkëlqen me vezullim nga të gjitha anët me përsosurinë më të lartë, përderisa në këtë pamje aktet e bashkëveprimit, të ndihmës së ndërsjellë e të reciprocitetit nuk kufizohen vetëm tek trupi e te gjërat që lidhen me botën materiale, por janë në të gjitha kushtet, fizike a shpirtërore qofshin, të tilla si ato që kanë të bëjnë me mendjet, mendimet, opinionet, sjelljet, zakonet, qëndrimet, kuptimet, ndjenjat ose me prekshmëri të tjera njerëzore. Në të gjitha këto ti duhet të gjesh ato marrëdhënie ndërlidhëse që janë të sigurta. Sa më tepër të fuqizohet e të zgjerohet kjo marrëdhënie e ndërsjellë, aq më shumë do të avancojë shoqëria njerëzore në progres e mirëqenie. Vërtet, pa këto lidhje jetësore do të ishte krejt e pamundur që bota njerëzore të arrinte sukses e lumturi të vërtetë.
   Tani merre me mend që, kur midis njerëzve, që janë thjesht shfaqje të botës së qenieve, kjo çështje ka një rëndësi kaq të madhe, atëherë sa më i madh duhet të jetë shpirti i bashkëveprimit e i ndihmës së ndërsjellë midis atyre që janë thelbet e botës së krijimit, që kanë kërkuar strehim nën hijen e Pemës qiellore dhe që favorizohen nga shfaqjet e hirit qiellor; dhe si duhet të shfaqen dëshmitë e këtij shpirti nëpërmjet kërkimit të tyre të zellshëm, të miqësisë e të harmonisë së tyre, në çdo sferë të jetës së tyre të brendshme e të jashtme, në mbretërinë e shpirtit e të mistereve hyjnore dhe në të gjitha gjërat e lidhura me këtë botë e me botën tjetër. Pra, nuk mund të ketë dyshim që ata duhet të jenë madje të gatshëm të japin jetën e vet për njëri-tjetrin.
   Ky është parimi bazë mbi të cilin ngrihet institucioni i Hukukullah-ut, përderisa procedurat e tij i kushtohen mbështetjes së këtyre synimeve. Përndryshe, i vetmi Perëndi i vërtetë gjithmonë ka qenë e do të jetë i pavarur nga gjithçka tjetër veç Tij. Ashtu siç u ka bërë të mundur të gjitha gjërave të krijuara të kenë pjesë në dashamirësinë e Tij bujare të pakufishme, po kështu Ai është i zoti t’u dhurojë pasuri të dashurve të Vet nga thesaret e fuqisë së Tij. Por urtia e kësaj porosie qëndron në atë që akti i dhënies është i pëlqyeshëm në sytë e Perëndisë. Mendo sa i pëlqyeshëm duhet të jetë ky akt në vlerësimin e Tij, derisa Ai ia atribuon atë Vetes së Vet. Gëzohuni, pra, o ju njerëz zemërgjerë!
   Unë shpresoj seriozisht se në këtë Cikël Më të Madh, atributet e mrekullueshme të Mëshirëplotit, nëpërmjet bujarisë së pafundme e bekimeve të Mbretit të Lavdisë, do të mund të gjejnë shprehje në jetën e shërbëtorëve të Perëndisë në mënyrë të tillë që shijet e ëmbla të tyre të përhapin kundërmim në të gjitha anët.
   Kjo çështje ka nevojë për hollësi të tjera, por Ne e trajtuam atë shkurt.
  
   62. O miqtë e mi qiellorë! Është e qartë dhe evidente se i Pakrahasueshmi gjithmonë lavdërohet për pasurinë e Tij absolute, shquhet për mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse, karakterizohet nga mirësia e Tij e përjetshme dhe njihet për dhuntitë e Tij për botën e qenies. Megjithatë, në përputhje me urtinë e Tij të padepërtueshme dhe me qëllim që të zbatojë një provë unike për të dalluar mikun nga i panjohuri, Ai ka urdhëruar Hukuk-un për shërbëtorët e Tij dhe e ka bërë atë të detyrueshëm.
   Ata që e kanë zbatuar këtë porosi të rëndësishme kanë marrë bekime qiellore dhe në të dyja botët fytyrat e tyre kanë shkëlqyer me hare dhe flegrat e tyre janë parfumuar nga aromat e ëmbla të mëshirës së dhembshur të Perëndisë. Një nga shenjat e mençurisë së Tij të përsosur është se pagimi i Hukuk-ut do t’i aftësojë dhuruesit që të bëhen të vendosur e të qëndrueshëm dhe do të ushtrojë një ndikim të madh mbi zemrat dhe shpirtrat e tyre. Për më tepër, Hukuk-u do të përdoret për qëllime bamirësie.
  
   63. O miq të ‘Abdu’l-Bahá-it! Zoti, si shenjë të bujarisë së Tij të pafund, i ka favorizuar me dashamirësi shërbëtorët e Tij duke u siguruar atyre një ofertë të caktuar në para (Hukuk), që duhet t’i jepen detyrimisht Atij, megjithëse Ai, i Vetmi i Vërtetë, dhe shërbëtorët e Tij kanë qenë në çdo kohë të pavarur prej të gjitha gjërave të krijuara, dhe Perëndia është me të vërtetë Gjithëzotëruesi, i lartësuar mbi nevojën për çfarëdo dhurimi nga krijesat e Tij. Kjo ofertë e caktuar në para, sidoqoftë, i bën njerëzit të jenë të vendosur e të qëndrueshëm dhe tërheq mbi ta bollëkun Hyjnor.
   (Vullneti dhe Testamenti i ‘Abdu’l-Bahá-it, faqe 15)
  
   64. Përsa i përket Hukuk-ut, i cili është paraqitur qartë në Librin: Ky synon përfitimin dhe mirëqenien e vetë individëve dhe çon në lumturinë e qëndrueshmërinë e tyre. Përndryshe, i vetmi Perëndi i vërtetë ka qenë e do të jetë gjithmonë i Vetëmjaftueshëm në të gjitha gjërat.
   65. Ti ke pyetur për Hukuk-un. Nga të ardhurat e përvitshme të personit zbriten të gjitha shpenzimet gjatë vitit dhe nga ajo që mbetet 19% paguhet për Hukuk-un. Kështu, një person ka fituar 1000 Ł të ardhura nga puna e tij. Pasi zbriten shpenzimet vjetore, të themi 600 Ł, ai do të ketë një tepricë prej 400 Ł, për të cilat do të paguhet Hukuk në masën 19%. Kjo do të kapte shumën 76 Ł, që i ofrohen Hukuk-ut për qëllime bamirësie.
   Hukuk-u nuk merret çdo vit për të gjitha zotërimet e njeriut. Pasuria e një personi mund të ketë vlerën 100.000 Ł. Si mund të pritet që ai të paguajë Hukuk për këtë pronë çdo vit? Për shembull, çfarëdo të ardhure të kesh fituar gjatë një viti të caktuar, ti duhet të zbresësh prej saj shpenzimet e atij viti. Hukuk-u do të paguhet pastaj nga mbetja. Zotërimet për të cilat Hukuk-u është paguar vitin e kaluar do të përjashtohen nga pagimi i mëtejshëm.
  
   66. Shkurt, pasi të kemi zbritur shpenzimet vjetore, nëse na ka mbetur tepricë, atëherë Hukuk-u do të zbatohet për këtë tepricë në masën 19% dhe nuk do të ketë pagim të mëtejshëm të Hukuk-ut për të. Në vitin pasardhës, sidoqoftë, nëse pas shpenzimeve vjetore ka një tepricë të ardhurash mbi shpenzimet e vitit të dytë, atëherë Hukuk-u do të aplikohet vetëm për tepricën.
  
   67. Përsa i përket Hukuk-ut, ai paguhet për gjithçka që mbetet pas zbritjes së shpenzimeve vjetore. Por çfarëdo parash ose zotërimesh të nevojshme për të sjellë të ardhura për jetesën e një njeriu dhe për të cilat Hukuk-u është paguar një herë, përjashtohen nga Hukuk-u. Ky përjashtim aplikohet gjithashtu lidhur me një pronë për të cilën Hukuk-u është paguar një herë dhe e ardhura prej saj nuk i tejkalon nevojat e njeriut... Marrja e Hukuk-ut, tërësisht ose pjesërisht, është e lejueshme, por kjo duhet bërë me lejen e autoritetit në Kauzën, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë.
  
   68. Hukuk-u aplikohet mbi gjithçka që zotëron njeriu. Megjithatë, në qoftë se një person e ka paguar Hukuk-un për një pronë të caktuar dhe të ardhurat nga kjo pronë janë të barabarta me nevojat e tij, ky person nuk paguan më Hukuk.
   Nuk paguhet Hukuk për veglat e për pajisjet bujqësore, as për kafshët që përdoren për plugimin e tokës, deri në atë masë që ato janë të nevojshme.
  
   69. Përsa i përket mënyrës se si duhet paguar Hukuk-u: Pasi janë zbritur shpenzimet e kryera gjatë vitit, çdo tepricë të ardhurash që vjen nga prona, profesioni apo puna e një njeriu i nënshtrohet pagimit të Hukuk-ut.
  
   70. Përsa i përket çështjes së Hukuk-ut: Në asnjë mënyrë nuk duhet të bësh deklarata, duke i kërkuar ndonjë personi të paguajë Hukuk. Por në qoftë se një shpirt i devotshëm e vetmohues, me dëshirë e spontanisht të ofron diçka në emër të Hukuk-ut ose për të varfërit, atëherë mund ta pranosh këtë.
  
   71. Sipas tekstit të qartë të Librit Më të Shenjtë, shumat e ofruara për Hukuk-un duhet të depozitohen në një vend dhe të shpenzohen sipas nevojës. Por ti nuk duhet t’i kërkosh askujt të ofrojë Hukuk-un, veç kur dikush është i përgatitur ta bëjë atë me dëshirë dhe me vullnetin e vet të lirë.
  
   72. Bukuria e Bekuar – u bëftë jeta ime theror për Pluhurin e Tij – ka theksuar përmes Fjalës së Tij vendimtare, se në çështjet që kanë të bëjnë me Hukuk-un duhet ruajtur ndershmëria më e lartë. Instituti i Hukuk-ut është i shenjtë.
  
   73. Një kërkesë e tretë [për ata që këshillohen së bashku] është shpallja e porosive hyjnore midis miqve, të tilla si Lutjet e Detyrueshme, Agjërimi, Pelegrinazhi, Hukukullah-u dhe të gjitha porositë e tjera.
  
   74. Përderisa të dashurit e Perëndisë në Persi konsiderohen si miq veteranë, pikërisht për shkak të dashurisë shumë të madhe që Unë ushqej për ta ofertat e tyre për Hukuk-un pranohen. Ata duhet të gëzohen së tepërmi që u është dhuruar një bujari e tillë.
  
   75. Falëndero Perëndinë, sepse Ai me mirëdashje të ka dhënë mundësi të zbatosh urdhërin e shkruar në Librin e Tij Më të Shenjtë, meqenëse ti e ke përmbushur detyrimin e Hukuk-ut dhe Perëndia i ka pranuar veprat e tua të mira.
   Ta dish, për më tepër, se ata që i shërbejnë me besnikëri Mëshirëplotit, do të pasurohen prej Tij nga thesari i Tij qiellor dhe se oferta e Hukuk-ut është vetëm një provë e aplikuar prej Tij për shërbëtorët dhe shërbëtoret e Veta. Kështu, çdo besimtar i vërtetë e i sinqertë do të ofrojë Hukuk për t’u shpenzuar si ndihmë për të varfërit, për të paaftët, për njerëzit nevojtarë, për jetimët dhe për nevoja të tjera jetësore të Kauzës së Perëndisë, ashtu siç pati krijuar Krishti një Fond për qëllime bamirësie.
  
   76. Ty të takon të falënderosh Perëndinë, sepse Ai të ka ndihmuar të zbatosh detyrimet e Hukuk-ut. Kjo është një mbështetje që të ka falur Perëndia. Prandaj ngreji Atij Lavdi për bujarinë e kësaj porosie qiellore, e cila është shkruar në Letrat e Zotit tënd, të Lashtit të Kohëve. Me të vërtetë, Ai është Zemërdhembshuri, Bujari.
  
   77. Përsa i përket dhuratës që ti ke ofruar si Hukuk, Ne e kemi marrë atë sikur të ishte një thesar, sepse ajo është dhënë me dashuri e devocion të thellë. Ne do ta përdorim atë së shpejti për varrin e Tij të Shenjtë, që emri yt të mbetet i pavdekshëm përjetë.
  
  
   EKSTRAKTE NGA THËNIET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT
  
   78. Pyetje: Përsa i përket çështjes së Hukuk-ut, a do të thotë ai 1/19-ta e të ardhurës neto të dikujt apo e të ardhurës bruto? Për shembull, në Amerikë ka një taksë mbi të ardhurat bruto, pasi bëhen disa përjashtime. Si do të llogaritet Hukuk-u?
   Përgjigje: Thelbi i sqarimit të ‘Abdu’l Bahá-it ishte ky: Pasi një njeri ka paguar të gjitha shpenzimet e tij të nevojshme, 19% e asaj që ka mbetur merret prej tij dhe jepet si Hukuk. Për shembull, nëse një person ka 100 piastra që i kanë mbetur pasi janë paguar shpenzimet, atëherë 19 piastra merren si Hukuk për Kauzën e Perëndisë. Kjo bëhet në fund të vitit, pasi ai ka përcaktuar se cilat kanë qenë shpenzimet e tij. Për çdo 100 piastra, 19 merren për Hukuk.
   Ai e paguan atë një herë, pastaj nuk ka më Hukuk që të paguhet për këtë shumë. Ai ka marrë fund. Vitin tjetër ai do të paguajë mbi sasinë që i tepron nga zotërimet, pasi të jenë zbritur shpenzimet e tij dhe pasi sasia për të cilën ai ka paguar Hukuk vitin e mëparshëm gjithashtu është zbritur.
   Për shembull, në fund të vitit të parë një njeri, të cilit i kanë mbetur 1000 piastra pasi janë paguar të gjitha shpenzimet e tij, 190 piastra i jep si Hukuk. Në fund të vitit tjetër, pasi janë përcaktuar të gjitha shpenzimet, atij mund t’i kenë mbetur 2000 piastra. Meqenëse ai ka paguar Hukuk mbi 1000 piastra vitin e kaluar, kjo shumë zbritet nga të 2000-të dhe ai paguan Hukuk për 1000 piastra (pra 190 piastra). Vitin e tretë sasia neto e asaj që ai zotëron mund të jetë 2500 piastra, ai zbret 2000 piastra nga kjo shumë dhe paguan 19% të 500 piastrave, ose 95 piastra. Në qoftë se në fund të vitit të katërt ai ka 2500 piastra, nuk merret më Hukuk.
   Pyetje: Në zbritjen e shpenzimeve tona të nevojshme, a konsiderohen pjesë të Hukuk-ut, apo duhet të merren veçanërisht, kontributet për Mashrikul-Azkar-in [Mashriqu’l-Adhkár], për mësimin dhe për veprimtaritë e tjera të Kauzës?
   Përgjigje: ‘Abdu’l Bahá përgjigjet se Hukuk-u është i veçantë e i pavarur prej tyre dhe vjen i pari. Pasi të jetë përcaktuar kjo, atëherë mund të kujdesen për çështjet e tjera. Ai buzëqeshi dhe tha: kur të jepet Hukuku, ‘Abdu’l-Bahá-i do të përcaktojë se sa prej tij është për Mashrikul-Azkar-in, sa për mësimin, sa për njerëzit nevojtarë, etj.
  
  
  
   III. EKSTRAKTE NGA NJË LETËR E SHOGHI EFFENDIUT
   (Drejtuar besimtarëve individualë, nëse nuk jepen shpjegime të tjera)
  
   79. Ofrimi i kontributeve për këtë qëllim [në mbështetje të veprimtarive të Asamblesë Shpirtërore] është një prej kërkesave të ngutshme të Kauzës së Perëndisë, që konsiderohet si tepër thelbësore dhe është e një rëndësie themelore. Pas pagimit të Hukuk-ut, ky është detyrim i çdo Bahá’í.
(27 shkurt 1923 – përkthyer nga persishtja)
  
  
  
  
   EKSTRAKTE NGA LETRA TË SHKRUARA NË EMËR TË SHOGHI EFFENDIUT
  
   80. Në lidhje me Hukukullah-un... ky aplikohet për mallrat, për pronën dhe për të ardhurat e një personi. Pasi zbriten shpenzimet e nevojshme, ato që mbeten si fitime dhe që i shtohen kapitalit të personit, një shumë e tillë i nënshtrohet Hukuk-ut. Kur dikush ka paguar një herë Hukuk për një shumë të caktuar, kjo shumë nuk i nënshtrohet më Hukuk-ut, në qoftë se nuk kalon nga një person tek tjetri. Banesa e personit dhe pajisjet shtëpiake përjashtohen nga Hukuk-u... Hukukullah-u i paguhet Qendrës së Kauzës.
(4 prill - 3 maj 1927 – përkthyer nga persishtja)
  
   81. Ju do të gjeni referenca për Hukuk-un në Librin e Akdasit, kopje në dorëshkrim të të cilit besoj se gjenden midis pak besimtarëve në Amerikë. Të gjitha çështjet që nuk parashikohen në mënyrë të posaçme nga Bahá’u’lláh-u i duhen referuar Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Unë besoj se ju do të jetoni për të parë ditën kur Godina e lavdishme e së Parës Shtëpi Universale të Drejtësisë do të jetë ngritur mbi themelet e Asambleve Shpirtërore Kombëtare të Lindjes e të Perëndimit dhe të jeni kështu dëshmitar i përmbushjes së shpresave tona të zjarrta
(Në dorëshkrimin e Shoghi Effendiut, bashkangjitur një letre të datës 16 dhjetor 1927 të shkruar në emër të tij)
  
   82. Përsa i përket Hukuk-ut, Ruajtësi dëshiron që unë t’ju vë në dijeni se tani për tani për miqtë nuk është e detyrueshme të paguajnë, por ata duhet të nxiten të kontribuojnë në fondet lokale e kombëtare.
(19 shtator 1929)
  
   83. Përsa i përket Hukuk-ut, është me të vërtetë 19% e të ardhurave të dikujt që i paguhet Ruajtësit. Por tani ai nuk është i detyrueshëm.
(19 dhjetor 1929, “Agimi i një Dite të Re”, f. 27)
  
   84. Ti pyesje lidhur me Hukuk-un. Shoghi Effendiu do të preferonte më mirë sikur miqtë në Amerikë t’i përqëndronin burimet e tyre financiare për përfundimin e Tempullit, në vend që t’i harxhojnë energjitë e tyre në kanale që ende nuk kërkojnë vëmendje të ngutshme. Kur të vijë dita që Kauza të ketë nevojë për përforcimim e këtij dhurimi fetar, Shoghi Effendiu do ta thotë këtë dhe do të përcaktojë shumën e duhur. Mësimet e Bahá’u’lláh-ut mund të imponohen vetëm gradualisht. Duhet të piqen kushtet që të arrihet rezultati i dëshiruar.
(15 shkurt 1932)
  
   85. Në lidhje me pyetjen tuaj për “Hukuk-un”, Shoghi Effendiu dëshiron që unë t’ju informoj që, megjithëse ky është përcaktuar nga Bahá’u’lláh-u dhe ‘Abdu’l-Bahá-i i referohet te “Vullneti dhe Testamenti” i Tij, ai megjithatë nuk dëshiron ta theksojë atë, duke pasur parasysh nevojën parësore që të ruhet dinjiteti i Kauzës, si dhe rritjen e shpenzimeve kombëtare të Besimit.
(10 shkurt 1935)
  
   86. Lidhur me çështjen e Hukuk-ut; Shoghi Effendiu nuk dëshiron ta theksojë atë tani për tani, duke pasur parasysh nevojat urgjente të Kauzës në Amerikë. Por kur të vijë koha për t’ua shpjeguar miqve, ai nuk do të ngurrojë ta bëjë këtë. Tani mjafton të thuhet se Hukuk-u përbën nëntëmbëdhjetë për qind të të ardhurave të dikujt, dhe jo nëntë siç mendojnë disa.
(31 maj 1937)
  
   87. Një mitkal përbëhet prej nëntëmbëdhjetë nakudësh [nakhud]. Pesha e 24 nakudëve është e barabartë me katër gramë e tri të pestat. Llogaritjet mund të bëhen mbi këtë bazë.
(17 nëntor 1977)
  
   88. Në lidhje me pyetjen tuaj, nëse trashëgimtarët, të cilëve u kalojnë nëpërmjet trashëgimisë banesa kryesore, orenditë dhe veshjet e të ndjerit, do të përjashtohen ose jo nga pagimi i Hukuk-ut, ai thotë: Meqenëse banesa, orenditë dhe mjetet e zanatit, siç thuhet shprehimisht në Tekstin, janë të përjashtuara nga Hukuk-u, atëherë, kur bëhet kalimi i pronësisë, zotërime të tilla vazhdojnë të jenë të përjashtuara [nga Hukuk-u – shën. i përkth.].
(29 shtator 1942, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit – përkthyer nga persishtja)
  
   89. Lidhur me çështjet e ngritura në letrat tuaja: Hukuk-u është një detyrim i ndërgjegjshëm; por Ruajtësi mendon se nuk ka ardhur koha e përshtatshme për ta theksuar këtë në Perëndim.
(24 mars 1945)
  
   90. I madh është shpërblimi që Perëndia ka urdhëruar për shpirtrat e vërtetë e të devotshëm, për qeniet e pastra e të shquara, që me vetë dëshirën e tyre ia kanë lënë Kauzës së Perëndisë një pjesë të posedimeve të tyre tokësore, qoftë gjatë jetës ose në testamentet e veta dhe që kanë pasur privilegjin e nderin të shlyejnë detyrimet e tyre të Hukukullah-ut.
   Sigurojini në emrin tim dhuruesit dhe ata që kanë mbetur pas atyre që janë ngjitur te Perëndia, duke u vërtetuar se këto përpjekje e dhurime do të sjellin mbështetje hyjnore, bekime qiellore e favore të pallogaritshme, si dhe do të kontribuojnë për interesat e shumanshme të Komunitetit Ndërkombëtar Bahá’i. Lum ata, sepse Perëndia u ka dhënë atyre mundësi të zbatojnë atë që do të lartësojë pozitën e tyre në këtë botë dhe në botën që do të vijë.
(23 qershor 1945 – përkthyer nga persishtja)
  
   91. Ruajtësi nuk dëshiron tani të prekë çështjen e Hukuk-ut; por parimi i përgjithshëm është që, derisa keni paguar për kapitalin tuaj, nuk ka përse të paguani për të përsëri.
(28 korrik 1946)
  
   92. Pagimi i Hukuk-ut është një detyrim shpirtëror; miqtë nuk duhet të detyrohen nga asambletë për ta paguar atë, por ata duhet të inkurajohen të përmbushin detyrimin shpirtëror të vendosur mbi ta në Akdas.
(12 tetor 1946, drejtuar një Asambleje Shpirtërore Kombëtare)
  
   93. Hukuk-u i paguhet Ruajtësit individualisht nga besimtarët; por, duke pasur parasysh kërkesat e shumta financiare të punës që kryejnë besimtarët amerikanë, ai nuk mendon se është koha për ta theksuar këtë pikë. Ata janë të lirë të bëjnë si të dëshirojnë në këtë çështje; më pas, kur të vijë koha, ai do t’ua shpjegojë atyre plotësisht hollësitë e kësaj çështjeje.
(27 mars 1949)
  
   94. Sot Hukuk-u është i njëjtë me Fondin Ndërkombëtar, prandaj unë po ju dërgoj një dëftesë duke deklaruar se ai është për interesat ndërkombëtare të Besimit.
(8 qershor 1947)
  
   95. Në lidhje me Hukuk-un: ai është pagimi i 19% dhe jo 1/19-ta. Mënyra si e ka kuptuar Xhorxh Latimeri [George Latimer] ështe fare e drejtë.
(4 tetor 1950)
   
   IV.  EKSTRAKTE NGA SHKRIMET E SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË
   (Dërguar besimtarëve individualë, veç rasteve kur jepen shpjegime të tjera)
  
   96. Meqenëse Hukukullah-u, siç urdhërohet në Librin e Tij, është përcaktuar si një prej institucioneve të Kauzës dhe përderisa zbatimi i tij është i detyrueshëm për njerëzit e Bahá-it, për këtë arsye gjykohet si e përshtatshme që Asambleja juaj Shpirtërore t’i familjarizojë plotësisht miqtë e dashur në Persi me këtë përgjegjësi të rëndësishme dhe të përhapë gradualisht në tërë komunitetin porosi të tilla lidhur me Hukukullah-un, si ato që janë të shkruara në Librin e Tij të qartë. Duket sheshit që, siç thuhet shprehimisht në Tekstet, kërkimi i Hukukullah-ut nuk është i lejueshëm, por është detyrë e atyre të Besuarve të Kauzës t’u drejtojnë miqve të dashur thirrje të një karakteri të përgjithshëm, në mënyrë që ata të mund të informohen më mirë rreth këtij detyrimi thelbësor. Dashtë Perëndia që, nëpërmjet kujtesave të rastit të nxjerra nga Asambleja juaj, ata të mund të fitojnë privilegjin dhe nderin e kryerjes së kësaj vepre bamirëse, vepër që sjell bekime qiellore, që shërben si mjet për pastrimin e zotërimeve tokësore të miqve të devotshëm dhe që mbështet veprimtaritë ndërkombëtare të njerëzve të Bahá-it.
   Të besuarit të Hukukullah-ut, Dorës së Kauzës së Perëndisë, Dr. Ali Muhamet Varká, iu kërkua të emërojë, sa herë të jetë e këshillueshme, disa përfaqësues për Hukukullah-un në qyteza, provinca e vende të ndryshme fqinjë, në mënyrë që ofrimi i Hukukullah-ut të lehtësohet për miqtë në këto rajone.
   Për ata të Besuar të të Mëshirshmit është e qartë se ky Organizëm, në bazë të Tekstit të qartë të Shkrimeve të Shenjta, është Organizmi të cilit duhet t’i referohen të gjitha gjërat, dhe Hukukullah-u mund të përdoret për të kontribuar në interesat e Kauzës anembanë botës Bahá’i vetëm me lejen e Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë.
(27 tetor 1963, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit – përkthyer nga persishtja)
  
   97. Pagimi i Hukukullah-ut është një prej detyrimeve shpirtërore thelbësore, që Penda e mrekullueshme e Bahá’u’lláh-ut ka shkruar në Librin Më të Shenjtë.
   Do të ishte e preferueshme dhe më e përshtatshme që këto dy llogari, konkretisht kontributet për Fondet dhe pagesat e Hukukullah-ut, të mbahen të ndara nga njëra-tjetra. Kjo do të thotë që në radhë të parë ju do të paguani Hukukullah-un tuaj, dhe pastaj mund të ofroni sipas dëshirës kontributet tuaja për Fondin Ndërkombëtar, i cili po përdoret tani për arritjen e synimeve të Planit Nëntëvjeçar.
(18 gusht 1965 – përkthyer nga persishtja)
  
   98. Kohët e fundit njëri prej miqve bëri pyetjen që vijon: Po të ofronte një person pronën e tij, pjesërisht ose tërësisht, për Fondet Bahá’i, çfarë detyrimi ka ende ai për pagimin e Hukukullah-ut?
   Përgjigja që u dha është kjo: Pagimi i Hukukullah-ut është një prej detyrimeve shpirtërore thelbësore të njerëzve të Bahá-it, i cili është reveluar në Librin Më të Shenjtë nga Penda e Lavdisë. Prandaj miqtë duhet ta ndajnë llogarinë e Hukukullah-ut nga ato të kontributeve të tjera të tyre. Kështu ata, pikësëpari, duhet të lajnë detyrimet që kanë të bëjnë me Hukukullah-un, pastaj mund të japin, sipas dëshirës, kontribute të tjera, duke pasur parasysh se administrimi i fondeve të Hukukullah-ut i nënshtrohet vendimit të Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë, ndërsa qëllimet e kontributeve për Fonde të tjera mund të përcaktohen nga vetë dhuruesit.
(22 gusht 1966 – përkthyer nga persishtja)
  
   99. Nuk ka dyshim se miqtë janë ndriçuar me dritën e druajtjes së Perëndisë dhe janë plotësisht të ndërgjegjshëm për nevojën e pastrimit e të mbrojtjes së zotërimeve të tyre sipas Fjalëve vendimtare të reveluara nga Zoti ynë, Më i Larti.
   Në këto ditë të turbullta, ne që digjemi nga dashuria për Të, kthehemi duke u lutur me zjarr ndaj oborrit të Zotit të njerëzimit, që Ai me mirëdashje të bëjë që kjo Asamble e uruar t’ua rikujtojë vazhdimisht të dashurve të Bukurisë së Mëshirëplotit rëndësinë jetësore dhe karakterin e detyrueshëm të këtij urdhëri të Tij të shenjtë e qiellor. Duke nxjerrë njoftime, duke shpërndarë fletushka, si dhe në mbledhje, në shkolla e në konferenca të mbajtura nga pasuesit e Zotit tonë të Kujdesshëm, ata duhet të sqarohen e të inkurajohen për të zbatuar rigorozisht e me ndërgjegje atë që u urdhëron porosia e Tij hyjnore, në mënyrë që ata besimtarë të stolisur me druajtjen e Perëndisë të mbrohen nga pasojat e tmerrshme të parathëna në paralajmërimet e Tij kërcënuese, të bëhen bartës të bekimeve të Tij të sigurta dhe të aftë për të marrë pjesë nga vërshimet e mirësisë shpirtërore të pagabueshme të Tij.
(12 shtator 1969, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit – përkthyer nga persishtja)

   100. Disa nga miqtë e dashur që i zbatojnë detyrimet e tyre të Hukukullah-ut, kanë shkruar dhe pyesin për raportin që ekziston ndërmjet kontributit për Fondet dhe pagimit të Hukukullah-ut. Domethënë, në qoftë se një person që ka ndërmend t’i paguajë detyrimet e tij të Hukukullah-ut, në vend të kësaj ofron kontribute për Fonde e projekte të tjera, a do të përjashtohej nga pagimi i Hukukullah-ut apo jo?
   Tekstet e Shenjta në lidhje me këtë çështje janë të qarta, por meqenëse kjo pyetje është përsëritur vazhdimisht nga miqtë, u vendos të sqarohet ajo për dijeni të tyre.
   Pagimi i Hukukullah-ut është një obligim shpirtëror i detyrueshëm për njerëzit e Bahá-it. Urdhëri është shkruar në Librin Më të Shenjtë dhe shpjegime të qarta e përfundimtare përmbahen në Tabela të ndryshme.
   Çdo besimtar i devotshëm që është në gjendje t’i plotësojë kushtet e caktuara, duhet ta paguajë Hukukullah-un, pa asnjë përjashtim. Me të vërtetë, siç thuhet shprehimisht në Tekstin e Librit Më të Shenjtë, mosplotësimi i këtij urdhëri shihet si tradhti e besimit, dhe thirrja hyjnore: “Ai që tregohet i pandershëm me Perëndinë do të dalë para drejtësisë” është një referencë e qartë për njerëz të tillë.
   Qendra e Besëlidhjes e ka afirmuar detyrimin e Hukuk-ut me këto fjalë: “Zoti, si shenjë të bujarisë së Tij të pafund, i ka favorizuar me dashamirësi shërbëtorët e Tij duke u siguruar atyre një ofertë të caktuar në para (Hukuk), që duhet t’i jepen detyrimisht Atij, megjithëse Ai, i Vetmi i Vërtetë, dhe shërbëtorët e Tij kanë qenë në çdo kohë të pavarur prej të gjitha gjërave të krijuara”.
   Kjo porosi e rëndësishme, siç dëshmohet nga Penda e Lavdishme, është e veshur me përfitime e me urti të pallogaritshme. Ajo pastron zotërimet e njeriut, shmang humbjet e mjerimin, çon në mirëqenie e në nderim dhe jep pasurim hyjnor e bekime. Ajo është një sakrificë që i ofrohet Perëndisë e që ka të bëjë me të, si dhe një akt shërbimi që kontribuon në përparimin e Kauzës së Tij. Siç afirmohet nga Qendra e Besëlidhjes, ofertat e Hukuk-ut përbëjnë një provë për besnikët dhe i bëjnë miqtë të jenë të vendosur e të qëndrueshëm në besim e në siguri.
   Shkurt, pagimi i Hukukullah-ut është një nga përgjegjësitë e detyrueshme shpirtërore të pasuesve të Bahá’u’lláh-ut dhe të ardhurat që mblidhen i dërgohen Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë. Për më tepër, Bukuria e Lashtë – u madhëroftë lavdërimi i Tij – ka afirmuar që, pas krijimit të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, lidhur me këtë duhet të vihen në veprim rregulla të nevojshme në pajtim me synimin e Perëndisë, dhe që askush veç Autoritetit, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë, nuk ka të drejtë ta administrojë këtë Fond. Me fjalë të tjera, çfarëdo pjesë e pasurisë së një njeriu që jepet për Hukuk, i përket Qendrës Botërore të Kauzës së Perëndisë, dhe jo individëve që e kanë dhënë atë.
   Kështu, miqtë nuk duhet të shkojnë pas dëshirës e gjykimit të tyre dhe të përdorin për qëllime të tjera, qoftë edhe për kontribute bamirëse të Besimit, ndonjë prej fondeve të vëna mënjanë për Hukukullah-un.
   Ne shpresojmë seriozisht që gjithkush mund të privilegjohet për të zbatuar këtë detyrim të shenjtë e të bekuar, i cili do të sigurojë arritjen e lumturisë së vërtetë dhe do të shërbejë për të çuar përpara në mbarë botën veprimtaritë Bahá’i.
   Me të vërtetë, Perëndia është i Vetëmjaftueshëm mbi nevojat e krijesave të Tij.
(25 tetor 1970, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Iranit – përkthyer nga persishtja)
  
   101. ‘Abdu’l-Bahá në një prej Tabelave të Tij ka deklaruar: “Përdorimi i Hukuk-ut, i pjesshëm ose i plotë, është i lejueshëm, por kjo duhet bërë me lejen e Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë”. Kushti që është vënë në Vullnetin dhe Testamentin e Tij se Hukukullah-u “duhet të ofrohet nëpërmjet Ruajtësit të Kauzës së Perëndisë...” është në pajtim të qartë me këtë parim. Në një Tabelë tjetër ‘Abdu’l Bahá-i i referohet Shtëpisë Universale të Drejtësisë si “autoriteti tek i cili duhet të drejtohen të gjithë” dhe është e qartë se në mungesë të Ruajtësit ajo është institucioni suprem e qendror i Kauzës. Për më tepër, para ‘Abdu’l Bahá-it, Bahá’u’lláh-u pat reveluar sa vijon: “Ka një rregull të porositur për Hukukullah-un. Pasi të krijohet Shtëpia e Drejtësisë, prej saj do të dalë ligji, në pajtim me Vullnetin e Perëndisë”. Në përputhje me këto tekste të drejtpërdrejta, shihet qartë se është brenda kompetencave të Shtëpisë Universale të Drejtësisë të vendosë lidhur me marrjen dhe me shpenzimin e Hukukullah-ut në kohën e sotme.
(2 mars 1972, drejtuar Duarve të Kauzës me qëndrim në Tokën e Shenjtë)
  
   102. Pagimi i Hukukullah-ut ende nuk është vënë në zbatim në botën perëndimore. Ai padyshim do të bëhet universal në të ardhmen, por tani për tani besimtarët në Perëndim janë në gjendje t’i shlyejnë detyrimet e tyre materiale për Kauzën me kontribute në Fondet.
(12 korrik 1972)
  
   103. Ne u prekëm thellë nga letra juaj e dashur e 27 dhjetorit 1972, ku shprehet dëshira për të zbatuar ligjin e Hukukullah-ut lidhur me trashëgimin nga nëna juaj.
   Megjithëse, siç e thoni me të drejtë ju, ky ligj nuk zbatohet tani për tani për miqtë në Perëndim, çdo besimtar është i lirë ta zbatojë atë nëse dëshiron.
   Ky Ligj i Akdasit vë si kusht që nëntëmbëdhjetë për qind e kapitalit të dikujt paguhet si Hukukullah, kur një kapital i tillë ka arritur të paktën “nëntëmbëdhjetë mitkalë në ar”.... Kur përcakton shumën që një besimtar duhet të paguajë, ai duhet më parë të zbresë borxhet dhe shpenzimet që mund të ketë, pastaj të paguajë nëntëmbëdhjetë për qind të asaj që i mbetet nga kapitali i tij, në qoftë se ai është të paktën nëntëmbëdhjetë mitkalë ar.
   Në qoftë se ju vendosni që dëshironi ta zbatoni këtë Ligj të Akdasit në kohën e tanishme, ju duhet të përcaktoni vlerën totale të trashëgimit tuaj në para e në pasuri të tjera, minus shpenzimet e mundshme ose borxhet që mund të keni, pastaj të mbani parasysh rrethanat në të cilat ju mund të jeni në gjendje të paguani Hukukullah për vlerën neto të trashëgimit tuaj. Koha dhe kushtet e pagimit lihen në dorë të individit.
   Për shembull, në qoftë se pasuritë e dikujt përfshijnë prona ose aksione veç parave të thata, për të mund të jetë disavantazh ose e papërshtatshme të paguajë nëntëmbëdhjetë për qind të vlerës së atyre pasurive të tij jomonetare para se të jetë disponuar lidhur me to, në kohën që ai do të preferonte ta përmbushte këtë detyrim shpirtëror. Shpenzimet që mund të bëhen për të disponuar lidhur me pronat e një personi duhet të zbriten para se të llogaritet vlera neto për të cilën paguhet Hukukullah.
(21 janar 1973)
  
   104. ... Besimtari i devotshëm që është i privilegjuar të paguajë “Të Drejtën e Perëndisë”, në vend që të kërkojë shfajësime për t’iu shmangur këtij detyrimi shpirtëror, përkundrazi do të bëjë maksimumin për ta paguar atë. Nga ana tjetër, përderisa bindja ndaj këtij ligji është një çështje ndërgjegje dhe pagimi i Hukukullah-ut një veprim vullnetar, nuk do të ishte e udhës të shkohej më tej se informimi i miqve persianë për detyrimin e tyre shpirtëror, dhe u duhet lënë atyre të vendosin vetë.
   I njëjti parim zbatohet për ata miq që harxhojnë në mënyrë plangprishëse për familjet e tyre, që blejnë ose ndërtojnë banesa dhe i pajisin ato tej nevojave të tyre, duke ia përshtatur këto shpenzime dëshirës për t’i bërë bisht pagimit të Hukukullah-ut. Po kështu, ata miq që martohen me jopersianë dhe që banojnë në Evropë ose në vende të tjera, nuk duhet të detyrohen, por të informohen dhe të lihen të vendosin vetë.
(26 shkurt, 1973)
  
   105. ...shumë hollësi të llogaritjes së Hukukullah-ut i janë lënë nga Bahá’u’lláh-u gjykimit e ndërgjegjes së besimtarit individual. Për shembull, Ai përjashton [nga pagimi i Hukuk-ut – shën. i përkth.] pajisje e orendi të tilla shtëpiake që janë të nevojshme, por ia lë individit të vendosë se cilat pajisje janë të nevojshme për të dhe cilat jo. Kontributet për fondet e Besimit nuk mund të konsiderohen si pjesë e pagimit të Hukukullah-ut; për më tepër, në qoftë se dikush i detyrohet Hukukullah-ut dhe nuk mund të përballojë pagimin e tij e njëkohësisht të kontribuojë për Fondin, pagimit të Hukukullah-ut duhet t’i jepet përparësi ndaj kontributeve. Por nëse kontributet për Fondin mund të konsiderohen si shpenzime në llogaritjen e të ardhurave të personit për të cilat paguhet Hukukullah, kjo i lihet për gjykim çdo individi në dritën e rrethanave të tij të veçanta.
   Sekretari i Ruajtësit ka shkruar në emër të tij se: “Një mitkal përbëhet prej nëntëmbëdhjetë nakudësh. Pesha e 24 nakudëve është e barabartë me katër gramë e tri të pestat. Llogaritjet mund të bëhen mbi këtë bazë”. Pra, nëntëmbëdhjetë mitkalë janë të barabartë me 69,191667 gramë. Një ons monetar është i barabartë me 31,103486 gramë, kështu që 19 mitkalë janë të barabartë me 2,224563 onsë. Sipas kursit të tanishëm prej 339,10 dollarësh për ons, 19 mitkalë ar bëjnë 754,35 dollarë. Kështu, për një shumë prej 754,35 dollarësh, një sasi prej 143,33 dollarësh (dmth 19%) paguhet si Hukukullah.
(16 shtator 1979)
  
   106. Nga Shkrimet del qartë se një person përjashtohet nga pagimi i Hukukullah-ut për banesën dhe për pajisje të tilla shtëpiake e të profesionit që janë të nevojshme. Lihet në gjykimin e individit të vendosë se cilat gjëra janë të nevojshme dhe cilat jo. Është e qartë që miqtë nuk duhet të shpenzojnë në mënyrë plangprishëse për banesat e orenditë dhe t’i llogarisin këto shpenzime me dëshirën për t’i bërë bisht pagimit të Hukukullah-ut. Nuk është gjetur asnjë tekst i posaçëm që të përjashtojë kapitalin e përdorur për të siguruar të ardhura. Shtëpia Universale e Drejtësisë i lë çështje të tilla në ndërgjegjen e individëve besimtarë.
(9 prill 1980)
  
   107. Shtëpia e Drejtësisë vë në dukje më tej se, sado të rënda të jenë detyrimet që bien mbi besimtarët që paguajnë Hukukullah-un e që mbështesin fondet e tjera të Besimit, këto janë detyrime shpirtërore që duhen përmbushur vullnetarisht dhe, në çfarëdo rrethane qoftë, kontributet për cilindo prej këtyre fondeve, madje as Hukukullah-u, nuk mund të nxiten ose t’u kërkohen personave besimtarë. Thirrje ose kujtesa gjithmonë duhet t’u bëhen miqve në përgjithësi, por jo individëve.
(7 maj 1980, drejtuar Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)

   108. Atij që, pasi zbret shpenzimet e tij vjetore, ka një tepricë prej të paktën nëntëmbëdhjetë mitkalësh ar, i takon të paguajë Hukukullah.
(20 tetor 1981 – përkthyer nga persishtja)
  
   109. Përsa i përket pyetjes suaj të dytë ku bëhet fjalë që, kur ka mirëkuptim të plotë midis burrit e gruas dhe asaj i është lënë në dorë të administrojë pronën e burrit të saj, ashtu si dhe të vetën, a duhet ajo të paguajë shumën e Hukukullah-ut për të gjitha pronat e tyre apo, meqë burri i saj zotëron një pjesë të pronës, duhet të paguajë vetëm shumën e Hukukullah-ut për pjesën e saj të pronës.
   Në përgjigje të kësaj pyetjeje, njeriu duhet të sjellë ndërmend që Hukukullah-u paguhet për zotërimet që janë të njohura pa diskutim si të vetat, dhe jo për zotërime që njeriu thjesht i kontrollon ose i përdor. Sidoqoftë, në raste të ngjashme me atë që keni përmendur ju më lart, i takon burrit dhe gruas të këshillohen së bashku e të përcaktojnë me saktësi kufitë e pronave të tyre vetjake, pastaj, së bashku ose individualisht, duhet ta derdhin Hukuk-un në shumën që ata e konsiderojnë se është detyrimi i tyre.
   Përsa i përket zonjës..., meqenëse burri i saj është amerikan dhe ligji i Hukukullah-ut nuk zbatohet tani për tani për miqtë në Perëndim, pagimi i Hukukullah-ut nga ana e burrit të saj nuk është as i detyrueshëm as i ndaluar.
(10 janar 1982 – përkthyer nga persishtja)
  
   110. Shtëpia Universale e Drejtësisë e ka marrë letrën tuaj të 10 shtatorit 1982 që pyet lidhur me përgjegjësinë e çiftit Bahá’i për pagimin e Hukukullah-ut, kur njëri partner është amerikan dhe tjetri persian, dhe ne jemi ngarkuar t’ju japim sqarimin e mëposhtëm.
   1. Letra juaj i referohet llogaritjes së Hukukullah-ut mbi bazën e të ardhurave të personit. Siç do ta kuptoni nga një studim i teksteve, sidoqoftë llogaritja bëhet për vlerën neto të zotërimeve të personit pasi zbriten një numër objektesh të përjashtuara, siç janë banesa dhe orenditë e nevojshme, si dhe për shtesat e mëvonshme vjetore mbi këtë pronësi neto, që vijnë nga të ardhurat suplementare pas pagimit të shpenzimeve të nevojshme. Për më tepër, ai llogaritet për njësi prone të barabartë me 19 mitkalë ar (2.22456 onsë monetarë).
   2. Asnjë rregull i prerë nuk mund të vendoset për të ndarë pronat e një çifti për të cilat duhet paguar Hukukullah, kur njëri partner është amerikan dhe tjetri persian. Kjo varet sesi vetë burri dhe gruaja e shohin pronësinë e familjes. Kështu që kjo është kryesisht çështje konsultimi në mes burrit e gruas dhe, siç është thënë më parë, Bahá’u’lláh-u ia ka lënë shumë hollësi gjykimit të individëve besimtarë për llogaritjen e Hukukullah-ut.
(11 tetor 1982)
  
   111. Sa për pyetjen e drejtuar nga Z., kini mirësinë ta informoni atë se, në një letër drejtuar një personi besimtar, Ruajtësi i dashur e ka shpjeguar se Hukukullah-u paguhet vetëm një herë për një pronë të caktuar, por në rast se kjo pronë kalon nga një person te një tjetër, si për shembull me trashëgimi, ajo i nënshtrohet përsëri pagimit të Hukukullah-ut. Kjo në fakt do të thotë se trashëgimtarët që marrin pjesë trashëgimie të tyre nga një pronë, duhet të paguajnë Hukukullah në qoftë se pjesa që ata marrin e rrit pasurinë e tyre në një shkallë të tillë që kërkon kryerjen e këtij detyrimi të shenjtë.
(1 qershor 1983, Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Shteteve të Bashkuara)
  
   112. Përsa i përket pyetjes suaj lidhur me banesën kryesore dhe me rregullat suplementare që kanë të bëjnë me të, dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni se në kohën e tanishme nuk gjykohet e këshillueshme të vendosen rregulla të hollësishme për Hukukullah-un. Pra, miqtë lihen të lirë dhe, kur nuk ekzistojnë rregulla të përcaktuara, ata në çdo rast mund të përmbushin atë që kuptojnë nga tekstet, dhe mund t’i respektojnë detyrimet e tyre të Hukukullah-ut sipas gjykimit të tyre e nën shtytjen e ndërgjegjes së tyre.
(4 mars 1984 – përkthyer nga persishtja)
  
3.  SHTOJCË PËR PËRMBLEDHJEN RRETH HUKUKULLAH-UT
  
Ekstrakte nga shkrimet e Bahá’u’lláh-ut
  
   I lavdëruar je Ti, O Zoti im i dhembshur! Unë të lutem për vrumbullitjen e Oqeanit të të folurit Tënd të shenjtë, dhe për shenjat e shumta të Sovranitetit Tënd suprem, dhe për dëshmitë imponuese të Hyjnisë Sate, dhe për misteret e fshehura që qëndrojnë të mbuluara prej dijeve të Tua, më dhuro favorin që të të shërbej Ty e të zgjedhurve të Tu, dhe më bëj të aftë të të ofroj si duhet Hukuk-un Tënd, siç ke porositur Ti në Librin Tënd.
   Unë jam ai, O Zoti im, që e ka vendosur dashurinë e vet në mbretërinë Tënde të lavdisë dhe është kapur fort pas cepit të zemërgjerësisë Sate. O Ti, që je Zoti i të gjitha qenieve dhe Sundimtari i mbretërisë së emrave, Unë të lutem të mos m’i mohosh gjërat që zotëron, as të mos më pengosh në atë që Ti ke urdhëruar për të zgjedhurit e Tu.
   Unë të përgjërohem, O Zot i të gjithë emrave e krijues i qiejve, të më ndihmosh të jem i qëndrueshëm në Kauzën Tënde, përmes hirit Tënd forcues, në mënyrë që kotësitë e botës të mos më veçojnë si me një perde, as të mos më pengojnë rrëmujat e dhunshme të keqbërësve, të cilët janë ngritur në ditët e Tua për t’i çuar njerëzit në rrugë të shtrembër. Caktoje, pra, për mua, O Dëshira e zemrës sime, të mirën e kësaj bote dhe të botës që do të vijë. Me të vërtetë, Ti e ke në dorë të bësh atë që dëshiron. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Gjithmonëfalësit, Më Bujarit.
   (Nga një tabelë e përkthyer kohët e fundit prej arabishtes)
  
   Pas daljes së Librit Më të Shenjtë dhe fiksimit të Hukuk-ut të përcaktuar në mënyrë hyjnore, janë dhënë urdhëra të posaçëm që askush të mos e kërkojë pagimin e Hukuk-ut, derisa ai është bërë i kushtëzuar nga dëshira e vetë personave të devotshëm, besnikë e të predispozuar për ta ofruar pagimin e Hukuk-ut në frymën e pranimit vullnetar e me gëzim. Por në kohën e tanishme janë krijuar kushte të tilla që janë nxjerrë udhëzime të shprehura qartë, në mënyrë që ata që nuk kanë paguar Hukuk-un ta plotësojnë si duhet këtë detyrim.
   (Nga një tabelë e përkthyer kohët e fundit prej persishtes)
   O Emin! Mbi ty qoftë lavdia Ime. Ty të takon të kesh në të gjitha rrethanat konsideratën më të lartë për dinjitetin e Kauzës së Perëndisë. Penda e Më të Lartit ka dëshmuar dhe do të vazhdojë të dëshmojë në favorin Tënd. Ajo i ka lavdëruar përpjekjet e Tua dhe shërbimet që ti ke bërë tërësisht për hir të Tij – e ky lavdërim shkëlqen vezullues në Letrat e Tij ashtu si ndriçimi i diellit. Falënderoje Zotin tënd për këtë favor të shkëlqyeshëm. Sidoqoftë, Ne të këshillojmë t’i mbash sytë nga horizonti i dinjitetit dhe, ndërsa u kushton vëmendje fjalëve të Tij sublime: “...megjithatë paralajmëroji ata, sepse me të vërtetë paralajmërimi u sjell përfitim besimtarëve” [12], t’u bësh miqve të Perëndisë një rikujtim të njerëzishëm në një frymë miqësie e mirëkuptimi. Me të vërtetë, kushdo që i dhurohet aftësia për ta zbatuar këtë detyrim, do të renditet midis të mirëdashurve të sinqertë të Perëndisë, në Librin e ndritshëm; por, edhe në qoftë se jo, nuk duhet të bëhen fjalë me të.
   Në këtë Ditë vështrimi i Perëndisë – lartësuar qoftë Lavdia e Tij – është drejtuar nga zemrat e njerëzve dhe nga margaritarët e bukur që ruhen atje. Kjo u ka hije Perëndisë dhe të zgjedhurve të Tij – lëvduar qoftë madhështia e Tij. Është detyra jote të lutesh në emër të miqve dhe të të mirëdashurve të Perëndisë, që Ai me dashamirësi t’i bëjë ata të aftë të zbatojnë atë që porosit Libri, dhe që të mos i pengojnë ata imagjinatat e kota e gjërat kalimtare të kësaj bote.
   (Nga një Tabelë e përkthyer kohët e fundit prej persishtes)
  
   Ekstrakte nga Shkrimet e ‘Abdú’l Bahá-it
  
   Gjithçka që është paguar si Hukuk dhe i është dhënë atij – Xhinabi Eminit, është marrë ose do të merret e tëra. Sot është tepër e vështirë të dërgohet një dëftesë e veçantë për çdo person. Prandaj kjo letër duhet parë si një dëftesë kolektive. Me të vërtetë, dëftesat e Xhinabi Eminit s’janë tjetër veçse dëftesat e mia. Kjo ndodh sepse Ai kurrë nuk kujdeset për veten e tij, as nuk i kushton vëmendje madhësisë apo vogëlsisë së shumës. Ai është i shkëputur, i përunjur, i sinqertë e shpirtmirë.
   (Nga një tabelë e përkthyer kohët e fundit prej persishtes)

   Ti ke kërkuar që secilit t’i jepet një dëftesë, si shenjë sigurie. Unë në mënyrë të përsëritur e kam vënë në dukje me shkrim se çdo shumë që është marrë nga Xhinabi Emini, po aq kemi marrë ose do të marrim ne.
   (Nga një tabelë e përkthyer kohët e fundit prej persishtes)
  
   O Ti që je rrëmbyer nga Besëlidhja dhe Testamenti i Tij![13] Duke ngritur lart virtytet e tua si mbështetës i patundur i Besëlidhjes, Xhinabi Emini e zgjidhi gjuhën e tij elokuente dhe e ngriti zërin e tij me shumë lavdërime, duke deklaruar se Xhinabi Haxhi Gulam Riza-i e ka arritur me të vërtetë pozitën e të kënaqurit e të nënshtrimit, dhe se në çdo kohë e rrethanë ai e ka treguar veten njeri të besuar, mik e shok. Ai i është dedikuar tërësisht shërbimit për Kauzën e Perëndisë, duke ia përkushtuar veten nënshtrimit të plotë në Pragun e Tij të Shenjtë. Në të vërtetë, Ai nuk dëshiron gjë tjetër veç skllavërisë në derën e Bukurisë Abhá, dhe nuk kërkon asgjë veç kryerjes së shërbimit në shtegun e Të Dëshiruarit. Lëvduar qoftë Perëndia që në çaste fatkeqësie fytyra e tij ka shkëlqyer, e përflakur në zjarrin e provave, si ar i kulluar, duke u pastruar e kulluar nga çdo njollë e papastërti. Ai ka ecur gjithmonë në rrugën e besnikërisë dhe ka shkelur në shtegun e vendosmërisë e të përhershmërisë.
   Prandaj, në pajtim me porosinë për shpërblimin që është urdhëruar nga Perëndia e Fjalës, ti je emëruar si i Besuar i Hukuk-ut dhe tani, përmes mirësisë e bujarisë forcuese të Mëshirëplotit, merr këtë detyrë në Teheran, duke pasur parasysh se Xhinabi Emini, sipas rastit, do të udhëtojë në provincat rreth e rrotull.
   Ne ushqejmë Shpresën se Zoti i Lavdisë do të bëjë që të të duan në të dy botët dhe se Ai do të të dhurojë ty dhunti të pafundme.
   Mbi ty qoftë Lavdia e Më të Lavdishmit!
   (Nga një tabelë e përkthyer kohët e fundit prej persishtes)
  
   Ekstrakt nga një letër e shkruar prej Shoghi Effendi-ut
  
   Sipas tekstit të qartë të Vullnetit dhe Testamentit, Hukukullah-u duhet shpenzuar për mësimin e Kauzës së Perëndisë në vendet e Lindjes e të Perëndimit, duke ngritur institucione, duke ndërtuar Tempuj Bahá’í dhe duke çuar përpara veprimtaritë bamirëse dhe mirëqenien e përgjithshme.
   (Nga një letër e datës 15 janar 1933 - përkthyer prej persishtes)
  
   Ekstrakte nga letrat e shkruara në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë
  
   ... përgjigja për pyetjen tuaj është dhënë në një letër të datës 16 shtator 1959, dërguar një besimtari në emër të Shtëpisë Universale të Drejtësisë. Ajo është pëfshirë si pika 105 e përmbledhjes për Hukukullah-un, dhe fragmenti lidhur me të thotë:
   Kontributet për fondet e Besimit nuk mund të konsiderohen si pjesë e pagimit të Hukukullah-ut; për më tepër, në qoftë se dikush i detyrohet Hukukullah-ut dhe nuk mund të përballojë pagimin e tij e njëkohësisht të kontribuojë për Fondin, pagimit të Hukukullah-ut duhet t’i jepet përparësi ndaj kontributeve. Por nëse kontributet për Fondin mund të kosiderohen si shpenzime në llogaritjen e të ardhurave të personit për të cilat paguhet Hukukullah, kjo i lihet për gjykim çdo individi në dritën e rrethanave të tij të veçanta.
   Nga kjo mund të shihet që, në qoftë se një besimtar e ka llogaritur atë që i detyrohet Hukukullah-ut dhe e di se i mbetet ende për të dhënë, ai duhet të paguajë me preferencë këtë në vend që të bëjë kontribute të tjera.
   Megjithatë, gjatë vitit një besimtar mund të kontribuojë në fonde të ndryshme ose të japë para për bamirësi, ashtu siç mund t’i shpenzojë paratë e tij për një gamë të gjerë veprimtarish të lidhura me jetën e tij të përditshme. Deklarata e mësipërme e Shtëpisë Universale të Drejtësisë (pika 105) e lë në gjykimin e tij që të ndjekë njërën nga këto mënyra veprimi:
   a) T’i trajtojë kontribute të tilla si shpenzime. Kështu ato do ta pakësojnë bilancin e kursimeve që mbeten në fund të vitit, për të cilat paguhet Hukukullah.
   b) Të mendojë që ai mund të bëjë kontribute të tilla vetëm jashtë parave që paguhen për Hukukullah-un.
   Ky rregull, gjithashtu, e lë të hapur për individin trajtimin në këtë ose atë mënyrë të disa kontributeve. Shtëpia Universale e Drejtësisë ua lë të gjitha hollësitë e kësaj natyre gjykimeve e ndërgjegjes së individit besimtar.
(3 shkurt 1987, dërguar një individi)
  
   Në qoftë se, siç thoni ju, ndonjëherë nuk jeni në gjendje të grumbulloni pasuri që të llogaritet si e barabartë me vlerën 19 mitkalë ar, atëherë, siç e shpjegojnë tekstet, ju nuk keni detyrime për të paguar Hukukullah. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ju nuk mund të kontribuoni në këtë Fond, nëse dëshironi të bëni diçka nga dashuria juaj për Bahá’u’lláh-un dhe nga zemërgjerësia juaj...
(23 qershor 1987, dërguar një individi)
  
   1. Besimtari nuk mund të shlyejë detyrimin që ka një tjetër për të paguar Hukukullah-un.
   2. Nuk është e lejueshme për besimtarin të përmendë, për çfarëdo qëllimi qoftë, pagesën që ai bën për Hukukullah-un, dhe as mundet ai ta bëjë këtë pagesë për nder të cilitdo qoftë.
(22 mars 1989, memorandum i Shtëpisë Universale të Drejtësisë për një Sektor në Qendrën Botërore)
  
   ...ju pyesni nëse ligji i Hukukullah-ut është një ligj thjesht personal apo aplikohet edhe për institucionet e zgjedhura dhe organet korporative.
   Neve na është kërkuar t’ju informojmë që, megjithëse i Besuari është i autorizuar t’i pranojë kontributet për Hukukullah-un nga besimtarë që nuk janë të detyruar ta paguajnë atë ose nga shoqëri që zotërohen tërësisht prej Bahá’í-ve, ligji i Hukukullah-ut u imponon një detyrim vetëm besimtarëve individualë, dhe jo institucioneve ose organeve korporative Bahá’í.
(29 Mars 1989, për një individ)
  
   Në thelb, Hukukullah-u duhet të paguhet nga besimtari gjatë gjithë jetës së tij, sa herë që teprica e pasurisë së tij arrin nivelin e caktuar. Në ligj lihet njëfarë hapësire, përderisa bëhet referencë për shpenzimet vjetore që duhet të zbriten para se të llogaritet detyrimi për Hukukullah-un. Në rastin ideal, kur një Bahá’í vdes, e vetmja pagesë për Hukukullah-un që duhet shtuar në testamentin e tij, është një detyrim i tillë shtesë që mund të rezultojë se ekziston kur bëhet llogaritja e punëve të këtij personi deri në datën e vdekjes së tij.
   Shtëpia e Drejtësisë shpreson se, ndërkohë që besimtarët njihen me Ligjin e Hukukullah-ut dhe fillojnë ta paguajnë atë, ata do të mësojnë gjithashtu jo vetëm si ta llogarisin atë gjatë jetës së tyre, por edhe do të bëhen të aftë të kuptojnë sesi mund ta paguajnë bilancin që do të mbetet kur të vdesin.
(1 tetor 1989, dërguar një individi)
  
   Një grumbullim kaq i jashtzakonshëm arritjesh të afërta – botimi i Qitapi Akdasit, përparimi në projektet e ndërtimit mbi malin Karmel, përfundimi i Planit Gjashtëvjeçar, fillimi i Vitit të Shenjtë – gjallëron shpresat e botës Bahá’í, krijon një fazë përpjekjesh më të fuqishme se ato që janë bërë dhe na tregon ne të gjithëve hapjen e një faze të re të historisë. Duket, pra, e përshtatshme që Ligji i Shenjtë, që i jep mundësi secilit të shprehë ndjenjën e vet të devocionit për Perëndinë me një akt thellësisht vetjak të ndërgjegjes që kontribuon për të mirën e përbashkët, që e lidh drejtpërsëdrejti individin besimtar me Institucionin Qëndror të Besimit dhe që, mbi të gjitha, u siguron të bindurve e të sinqertëve dashamirësinë e parrëfyeshme dhe bekimet e pashtershme të Perëndisë, – duket e përshtatshme që, në kushtet e këtij kombinimi të favorshëm, ky Ligj i Shenjtë të përqafohet nga të gjithë ata që shprehin besimin e tyre te Manifestimi Suprem i Perëndisë. Me përunjësi para Zotit tonë Sovran, ne shpallim tani se me Ridvanin 1992, fillimin e Vitit të Shenjtë, Ligji i Hukukullah-ut, e Drejta e Perëndisë, do të zbatohet në shkallë universale. Të gjithëve u bëhet thirrje me dashuri ta zbatojnë atë.
(Rizvan 1991, Bahá’í-ve të Botës)
  
   Shtëpia Universale e Drejtësisë nuk mendon të nxjerrë ndonjë metodë të posaçme llogaritjeje që të përdoret nga miqtë. Ata duhet të lihen të lirë të hartojnë metodat e veta në bazë të teksteve dhe të shembujve që kanë tashmë.
(1 korrik 1991, dërguar një individi)
  
   Kohët e fundit kemi marrë një studim rreth zbatimit të Ligjit të Hukukullah-ut në dy situata.
   E para ka të bëjë me ata besimtarë që deri në këtë Ridvan nuk i kapte ky ligj. E dyta, që ka lidhje me të parën, ka të bëjë me besimtarët e rinj.
   Çështja është nëse prona për të cilën një besimtar është i detyruar të llogarisë Hukukullah-un e tij përfshin gjithçka zotëron ai në datën që Ligji bëhet i zbatueshëm për të, apo vetëm atë pronë që ai do të grumbullojë pas kësaj date.
   Konkluzioni ynë është se prona që llogaritet për Hukukullah është gjithçka që një person zotëron në datën në të cilën Ligji bëhet i zbatueshëm për të. Kjo nuk do të thotë, sigurisht, se ai duhet ta paguajë menjëherë Hukukullah-un që detyrohet, sepse po të bënte kështu do t’i duhej të jepte shumë nga gjërat e tij, duke u vënë në një pozitë tepër të vështirë. Por parimi i llogaritjes është i qartë dhe Hukukullah-u përkatës, në fund të fundit, duhet paguar.
   Meqë shumë aspekte të Ligjit i janë lënë nga Bahá’u’lláh-u për t’u zbatuar ndërgjegjes e gjykimit të individit besimtar, ne preferojmë që në kohën e tanishme të mos bëhet ndonjë njoftim i përgjithshëm për këtë vendim. Sidoqoftë, në qoftë se keni pyetje nga besimtarë lidhur me këtë çështje, mund t’u jepni këtë përgjigje.
(4 maj 1992, dërguar të Besuarit të Hukukullah-ut, Dorës së Kauzës së Perëndisë, Ali Muhamet Varka [‘Alí Muhammad Varqá]
  
4.  EKSTRAKT NGA NJË LETËR E SHKRUAR NË EMËR TË SHTËPISË UNIVERSALE TË DREJTËSISË
  
   Siç deklaroni ju, detyrimi për Hukukullah-un mbetet për besimtarët individualë dhe jo për grupe të organizuara, edhe nëse ato janë tërësisht në dorën e Bahá’ive.
   Nga ana tjetër, në qoftë se pronarët e një shoqërie që është krejtësisht nën pronësinë Bahá’i dëshirojnë të japin për Hukukullah-un, një kontribut i tillë është i pranueshëm.
   Kjo, sigurisht, nuk e pakëson detyrimin e besimtarëve individualë të interesuar për pagimin e Hukukullah-ut të tyre.
   Nuk ka ndonjë kundërvënie në parim, kur një Bahá’i që i paguan para një përfaqësuesi, i kërkon atij të lëshojë një çek në emër të tij për pagimin e Hukukullah-ut të vet, qoftë ky përfaqësues një individ, bankë, një shoqëri e kufizuar apo një firmë. Një çek i tillë duhet pranuar. Megjithatë, individi që lidhur me këtë e zbaton detyrimin e Hukukullah-ut, duhet ta bëjë të qartë se është ai që po e bën këtë gjë, edhe dëftesa duhet të lëshohet në emrin e tij dhe jo në emër të përfaqësuesit.
(30 Mars 1989, për një besimtar individual)
  
5.  NJË KODIFIKIM I LIGJIT TE HUKUKULLAH-UT
  
   Përgatitur nga Departamenti i Kërkimeve të Qendrës Botërore Bahá’í më 1987 dhe rishikuar më 1999, me kërkesë të Shtëpisë Universale të Drejtësisë
  
   I. PARATHËNIE
  
   Hukukullah-u (E Drejta e Perëndisë) është një ligj i madh (7)14 dhe një institucion i shenjtë (72). I parashtruar në Librin Më të Shenjtë – Qitapi Akdas, ky është një prej instrumenteve kyçe për ngritjen e themeleve dhe mbështetjen e strukturës së Rendit Botëror të Bahá’u’lláh-ut. Ai ka degëzime të gjera, që shkojnë nga ndihma për mbarëvajtjen e individit deri në mbështetjen e autoritetit dhe zgjerimin e veprimtarisë së Kreut të Besimit. Duke u kujdesur për një burim të rregullt e sistematik të ardhurash për Institucionin Qendror të Kauzës, Bahá’u’lláh-u ka siguruar mjetet për pavarësinë e për funksionimin vendimtar të Qendrës Botërore të Besimit të Tij.
   Duke e quajtur këtë ligj “E Drejta e Perëndisë”, Bahá’u’lláh-u ka ritheksuar natyrën e marrëdhënieve midis qenieve njerëzore dhe Krijuesit të tyre si një Besëlidhje të bazuar në sigurime e detyrime dypalëshe, dhe duke caktuar Autoritetin Qendror të Kauzës, tek i cili të gjithë duhet të drejtohen, si bartësin e kësaj të Drejte, Ai ka krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë e jetësore midis çdo besimtari individual dhe Kreut të Besimit të Tij, që është unike në strukturën e Rendit të Tij Botëror. Ky ligj u jep mundësi miqve të njohin lartësimin e veprimtarisë së tyre ekonomike deri në nivelin e pranueshmërisë hyjnore, ai është një mjet për dëlirjen e pasurisë së tyre dhe një magnet që tërheq bekimet hyjnore. Llogaritja dhe pagimi i Hukukullah-ut, brenda orientimeve të përgjithshme që janë dhënë, është krejtësisht çështje e ndërgjegjes midis individit dhe Perëndisë (8, 104); kërkimi ose nxitja e Hukukullah-ut është e ndaluar (8, 9, 38, 71, 96, 104), janë të lejuara vetëm thirrje, kujtesa dhe këshillime të një natyre të përgjithshme, nën kujdesin e institucioneve të Besimit (38, 70, 99, 104, 107). Fakti që zbatimi dhe detyrimi i këtij ligji kaq vendimtar për mbarëvajtjen materiale të konfederatës Bahá’í që po lind, qe lënë, pra, krejtësisht në besimin dhe ndërgjegjen e individit, i jep përmbajtje dhe hedh dritë mbi atë që Mjeshtri i shumëdashur e quan zgjidhja shpirtërore e problemeve ekonomike. Me të vërtetë, ato që nënkupton ligji i Hukukullah-ut për realizimin e një numri parimesh të Besimit, siç janë eliminimi i skajeve të pasurisë e të varfërisë dhe një shpërndarje më e drejtë e burimeve, do të dalin gjithnjë e më shumë në pah posa që miqtë marrin në një masë përherë e më të madhe përgjegjësinë për zbatimin e tij.
   Bazat e ligjit të Hukukullah-ut janë shpallur në Qitapi Akdas. Përpunime të mëtejshme të tipareve të tij mund të gjenden në Shkrime të tjera të Bahá’u’lláh-ut, në Tabela të ‘Abdu’l-Bahá-it dhe në letra të Shoghi Effendiut e të Shtëpisë Universale të Drejtësisë, kryesisht në përgjigje të pyetjeve të bëra prej miqve. Të gjitha këto referenca kryesore janë përmbledhur nga Departamenti i Kërkimeve i Shtëpisë Universale të Drejtësisë dhe janë botuar më vete. Një studim i kësaj përmbledhjeje e bën të qartë se zbatimi i ligjit është bërë shkallë-shkallë dhe do të vazhdojë të bëhet kështu, krahas ndriçimit të degëzimeve e të rregullave ndihmëse të tij.
   Kjo që vijon është një përpjekje paraprake për të kodifikuar informacionin që përmbahet në Shkrimet lidhur me temën e Hukukullah-ut. Duhet theksuar, sidoqoftë, se miqtë nuk duhet të përpiqen të gjejnë aty një element ngurtësie ose të mendojnë se në të përfshihet e plotë gjithçka. Pyetjet drejtuar Bahá’u’lláh-ut, Mjeshtrit dhe Shoghi Effendiut janë bërë nga njerëz që kanë jetuar në vende e në kohë me sisteme e marrëdhënie ekonomike pafundësisht më të thjeshta se të sotmet. Ç’ka mund të mësohet prej tyre janë parime të qarta udhëheqëse, në zbatimin e të cilave duhen mbajtur parasysh kushtet e ndryshuara e më komplekse. Kjo çështje, padyshim, do ta angazhojë Shtëpinë Universale të Drejtësisë në përpunimin e legjislacionit, sipas nevojës, për një kohë të gjatë në të ardhmen. Ndërsa Periudha e Katërt e Epokës Krijuese të Besimit tonë shpaloset para syve të një njerëzimi gjithnjë e më të vëmendshëm, pranimi në shkallë universale i detyrimit të Hukukullah-ut prej miqve do të jetë një shenjë e qartë se është arritur një nivel i ri pjekurie shpirtërore nga komuniteti i Emrit Më të Madh anembanë botës.
  
   II. NJË DHURATË E DHËNË NGA PERËNDIA
  
   Perëndia, duke qenë tërësisht i pavarur nga të gjitha gjërat e krijuara, na ka dhënë, me bujarinë e Vet, këtë ligj (7, 10, 63), sepse përparimi dhe çuarja më tej e Kauzës varet prej mjeteve materiale (1). Bindja ndaj këtij ligji e bën të aftë besimtarin të jetë i vendosur e i patundur në Besëlidhjen (63), sjell një shpërblim në vetë botën e botëve të Perëndisë (7) dhe është një provë e pashoqe e besimit të vërtetë (62).
   Hukukullah-u duhet të ofrohet me gëzim e pa ngurrim (2, 9, 32). Kur Hukukullah-u ofrohet me një frymë të tillë, ai u sjell miqve mirëqenie e mbrojtje, dëlir zotërimet e tyre tokësore (20, 31, 42, 46, 48, 100) dhe u jep mundësi atyre dhe pasardhësve të tyre të përfitojnë nga frytet e përpjekjeve të veta (48).
  
   III. PËRCAKTIMI I HUKUKULLAH-UT
  
   Gjithçka që një besimtar zotëron, me përjashtim të disa gjërave të caktuara specifike, është, një herë dhe vetëm një herë, objekt i pagimit të Hukukullah-ut.
  
   A. Bëjnë përjashtim nga pagimi i Hukukullah-ut:
  
   1. Banesa dhe orenditë e nevojshme15 të saj (11).
   2. Pajisjet e nevojshme për punën dhe bujqësinë, që sjellin të ardhura për jetesën e personit (12, 67, 68).
  
   B. Pagesa është e detyrueshme:
  
  1. Hukukullah-u duhet paguar sapo zotërimet e llogaritshme të një personi arrijnë ose kalojnë vlerën e 19 mitkalëve ar (18, 19, 30). [19 mitkalë janë afërsisht baraz me 2,2 onsë, ose afërsisht 69,2 gramë (87, 105, 110).]
  a. Sasia për t’u paguar është 19 % e vlerës së pronës së përllogaritur (10, 14).
   b. Pagesa bëhet mbi bazën e njësive të plota prej 19 mitkalësh ar (15).
   2. Hukukullah-u paguhet për njësi të tjera prej 19 mitkalësh ar, kur zotërimet e fituara më vonë, pas zbritjes së shpenzimeve vjetore, e ngrejnë në mënyrë të mjaftueshme vlerën e pronës së llogaritshme. Midis shpenzimeve që duhen zbritur janë:
   a. Shpenzimet e përgjithshme për jetesën (65, 66, 69, 78).
   b. Humbjet dhe shpenzimet që ndodhin gjatë shitjes së zotërimeve (103).
   c. Shumat që i janë paguar shtetit, si taksa e detyrime (78).
   3. Kur një person merr një dhuratë ose trashëgimi, ajo duhet t’u shtohet zotërimeve të tij dhe e rrit vlerën totale po ashtu siç ndodh me shtimin e të ardhurave vjetore mbi shpenzimet (111).
   4. Në qoftë se një pronë rritet në vlerë, Hukukullah-u nuk paguhet për këtë rritje derisa ajo të jetë realizuar, p.sh. me shitjen e pronës.
   5. Në qoftë se zotërimet pakësohen, si në rastin e shpenzimeve të një viti që ua kalojnë të ardhurave që janë marrë, Hukukullah-u paguhet përsëri vetëm kur pas humbjes gjërat janë vënë në vend dhe vlera totale e zotërimeve të llogaritshme të një personi është shtuar (15-19, 30, 65-68, 78, 108, 111).
   6. Pagimi i borxheve merr përparësi mbi pagimin e Hukukullah-ut (22).
   7. Pagimi i Hukukullah-ut varet nga aftësia financiare e personit për të përballuar detyrimet e tij (24).
   8. Kur një besimtar vdes, plotësimi i pagimit të Hukukullah-ut të tij kryhet në mënyrën që vijon:
   a. Detyrimi i parë nga pasuria janë shpenzimet e varrimit (22).
   b. Së dyti, duhen paguar borxhet e të vdekurit (13).
   c. Pastaj duhet paguar Hukukullah-u ende i papaguar mbi pronën. Në përcaktimin e vlerës mbi pronën për të cilën Hukuk-u ende nuk është paguar, duhen bërë zbritjet e mëposhtme: shpenzimet e varrimit (22), borxhet e të vdekurit (13), humbje të vlerës së pasurive kur këto kthehen në para (103) dhe shpenzimet e bëra për kthimin e pronës në para (103).
  
   C. Shënime të mëtejshme për përcaktimin e Hukukullah-ut:
  
   1. Lihet në gjykimin e besimtarit individual të vendosë se cilat shpenzime duhen konsideruar “të nevojshme” dhe, pra, që duhen zbritur kur llogaritet rritja vjetore e kursimeve, dhe cilat orendi të shtëpisë duhen konsiderruar “të nevojshme” dhe, pra, që duhen përjashtuar nga pagimi i Hukukullah-ut (57, 65-67, 69, 78, 80, 104-106, 112).
   2. Edhe pse bëhen referenca për pagesa të përvitshme të Hukukullah-ut, koha dhe mënyra e pagimit lihen në gjykimin e besimtarit individual. Nuk ka, pra, detyrim për të likuiduar me nxitim llogaritë e një personi, për të përmbushur kështu detyrimet e tij të radhës për Hukukullah-un. (103).
   3. Burri dhe gruaja janë të lirë të vendosin nëse dëshirojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre të Hukukullah-ut bashkarisht apo individualisht (109, 110).
   4. Llogaria e Hukukullah-ut duhet të mbahet veçan nga kontributet e tjera, meqë përdorimi i fondeve të Hukukullah-ut i nënshtrohet vendimit të Autoritetit Qendror të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë, ndërsa qëllimet e kontributeve për Fondet e tjera mund të përcaktohen nga vetë dhuruesit.
   5. Pagimi i Hukukullah-ut ka përparësi mbi dhënien e kontributeve për Fonde të tjera të Besimit (78, 79, 97, 100), si dhe mbi shpenzimet e pelegrinazhit (31). Megjithatë, lihet në gjykimin e besimtarit nëse ai i sheh ose jo si shpenzim kontributet për Fondin, kur vjen puna te vlerësimi i shtimit vjetor të pronës së tij për llogaritjen e Hukukullah-ut që ai duhet të paguajë (105).
  
   D. Shënime plotësuese të bazuara në shtojcën e parë të Përmbledhjes:
  
   1. Ndërsa besimtarit i lihet të vendosë nëse do t’i trajtojë kontributet e veta për Fondet e Besimit si shpenzime, ose do t’i bëjë ato vetëm nga para për të cilat Hukukullah-u është paguar, atij ose asaj i lihet gjithashtu që t’i trajtojë disa kon tribute në një mënyrë dhe disa në një tjetër. (Shtojcë 8).
  2. Një besimtar nuk mund të shlyejë detyrimin e një tjetri për të paguar Hukukullah-un, dhe as mundet që një pagesë për Hukukullah-un të lihet mënjanë për ndonjë qëllim ose të bëhet për nder të ndonjërit. (Shtojcë 10).
   3. Ligji i Hukukullah-ut vendos një detyrim vetëm mbi besimtarët si individë dhe jo mbi institucionet Bahá’í ose organe të përbashkëta. (Shtojcë 11).
   4. Megjithëse ligji parashikon njëfarë shtyrje afati për pagimin e Hukukullah-ut, do të ishte e preferueshme që besimtari ta paguajë atë gjatë jetës së tij ose të saj sa herë që kjo bëhet e detyrueshme, dhe e vetmja pagesë për Hukukullah-un që është e nevojshme të parashikohet në testament është një detyrim shtojcë i tillë që rezulton se ekziston kur bëhen llogaritë e punëve të besimtarit në kohën e vdekjes së tij. (Shtojcë 12).
   5. Çdo besimtar duhet të mësojë jo vetëm si të llogarisë Hukukullah-un gjatë jetës së tij ose të saj, por gjithashtu edhe të marrë masa për pagesën e asaj që i mbetet në kohën e vdekjes. (Shtojcë 12).
  
   IV. ZBATUESHMËRIA E LIGJIT TË HUKUKULLAH-UT
  
   Gjatë shumë dhjwtëvjeçarëve, ligji i shenjtë i Hukukullah-ut është zbatuar vetëm për besimtarët nga Lindja e Mesme. Zbatimi i tij në mbarë botën u vendos nga Shtëpia Universale e Drejtësisë që nga Ridavani 1992, fillimi i Vitit të Shenjtë që shënon njëqindvjetorin e Ndërrimit jetë të Bahá’u’lláh-ut.
  
   V. PAGIMI I HUKUKULLAH-UT
  
   Hukukullah-u normalisht i paguhet të Besuarit për Hukukullah-un, Zëvendësve të tij ose Përfaqësuesve të emëruar të tyre (35, 58). Këta persona japin dëftesa pagese dhe ia dërgojnë fondet Qendrës Botërore (56).
  
   VI. PËRDORIMI I HUKUKULLAH-UT
  
   Vendimet për urdhëresat e nevojshme lidhur me Hukukullah-un (81, 100), si dhe për disponimin e tij, janë vetëm brenda kompetencës së Autoritetit Qendror të Kauzës. Hukukullah-u mund të përdoret për qëllime bamirësie (62, 65, 75), ose për qëllime të tjera të dobishme për Kauzën e Perëndisë (77, 78).

6.  Lista e çështjeve të rëndësishme lidhur me Hukukullah-un

Shpërblimi i pagimit të Hukukullah-ut, 26 - 36 - 42 - 43 - 44 - 47 - 53 - 62 - 75 - 90 - [13].
Ligjet në lidhje me Hukukullah-un, 11 - 12 - 13 - 19 - 22 - 23 - 67 - 68 - 69 - 80 - 81 - 83 - 86 - 88 - 91 - 105 - 106 - 109 - 110 - 111 - 112 - [12].
Perëndia është i pavarur nga Hukukullah-u, 1 - 2 - 5 - 8 - 10 - 27 - 40 - 50 - 53 - 61 - 62 - 63 - 64 - 100.
Moderimi kundër ekstravagancës, 25 - 57.
Të besuarit e Hukukullah-ut, 35 - 41 - 49 - 56 - 58 - 96 - [5].
Dhurimi i pasurisë së personit në shtegun e Perëndisë, 1 - 25 - 44 - 100.
Pagimi i Hukukullah-ut e pastron pronën e personit dhe sjell mirëqënie e bekime, 6 - 7 - 10 - 22 - 29 - 31 - 40 - 41 - 42 - 45 - 46 - 48 - 62 - 63 - 96 - 99 - 100.
Kontributi për Fondet kundrejt pagimit të Hukukullah-ut, 79 - 82 - 84 - 85 - 86 - 93 - 94 - 97 - 98 - 100 - 105 - [8].
Kooperimi dhe ndihma e ndërsjellë, 61.
Hukukullah-u i paguhet Autoritetit të Kauzës, tek i cili duhet të drejtohen të gjithë, 18 - 44 - 49 - 54 - 58 - 67 - 80 - 93 - 96 - 98 - 100 - 101 - [10].
Ndershmëria lidhur me Hukukullah-un, 10 - 72 - [5].
Dëftesat për Hukukullah-un, 56 - [4].
Vendimet në lidhje me Hukukullah-un i takojnë Shtëpisë Universale të Drejtësisë, 59 - 100 - 101.
Dhënia e Hukukullah-ut, 9 - 33 - 39 - 44 - 62 - 65 - 75 - 77 - 96 - 97 - 100.
Kërkimi Hukukullah-ut nuk lejohet, 8 - 9 - 27 - 32 - 38 - 40 - 44 - 46 - 51 - 52 - 53 - 70 - 71 - 92 - 96 - 104 - 107 - [2].
Lutje, 60 - [1].
Masa e pagimit të Hukukullah-ut, 10 - 14 - 18 - 65 - 66 - 83 - 86 - 95 - 105.
Sasia minimale për të cilën paguhet Hukukullah, 15 - 16 - 17 - 20 - 21 - 22 - 30 - 105 - 108 - [9].
Përfitimet që sjell pagimi i Hukukullah-ut u shkojnë vetë dhuruesve, 2 - 3 - 4 - 5 - 35 - 36 - 38 - 40 - 44 - 45 - 47 - 48 - 62 - 63 - 64.
Detyrimi për të paguar Hukukullah-un, 4 - 7 - 34 - 37 - 38 - 41 - 42 - 44 - 62 - 96 - 97 - 98 - 100 - [10] - [11] - [14] - [15].
Shpallja e porosisë për Hukukullah-un është kompetencë e Asambleve Shpirtërore, 13 - 96.
Hukukullah-u që nuk është marrë për shumë vite, 27 - 28 - 29 - 30 - 32 - 41 - 82 - 84 - 86 - 89 - 93 - 102 - 103 - [2] - [13].

 


1 Të gjitha pasazhet janë ekstrakte nga Tabela të papërkthyera më parë.
2 I njohur si Xhinabi Emin [Jináb-i-Amín], i Besuari për Hukuk-un në kohën e Bahá’u’lláh-ut
3 Shih pikën 105
4 Tuman: njësi monetare persiane. – Shën. i përkth.
5 Zajnul Mukarrabin-it [Zaynu’l-Muqarrabin].
6 Sekretari i Bahá’u’lláh-ut.
7 1295 A.H. = 1878 A.D.
8 Kurani [Qur’án] 35:12.
9 Kurani 35:32.
10 Haxhi Abu Hasan Ardikani [Hájí Abu’l-Hasan-i-Ardikání]
11 Të gjitha pasazhet janë ekstrakte nga Tabela të papërkthyera më parë, me përjashtim të rasteve kur jepet burimi i botimit.
12 Kurani 51:55.
13 Xhinabi Haxhi Gulam Riza Emini Emin [Jináb-i-Hájí Ghulám Ridá-Amín-í-Amín]
14 Numrat në kllapa u referohen paragrafëve të përmbledhjes për Hukukullah-un të përgatitur nga Shtëpia e Drejtësisë.
15 Shih III. C. 1.

Autor: administrator - Kategorie: Përmbledhje - Strany: 0 - Kapitoly: 0
© www.erfan.cz & phpRS