‘ABDU’L-BAHÁ
BISEDAT E PARISIT
Fjalime të mbajtura nga
‘Abdu’l-Bahá-i në vitin 1911
Download Bisedat e Parisit
Adobe PDF format:
www.erfan.cz/al/storage/AbdulBaha/Bisedat_e_Parisit.pdf
Original Title:
Paris Talks, Addresses Given by ‘Abdu’l-Bahá in 1911
published by Bahá’í Publishing Trust England 1995
Text: Albanian
Përkthyer e botuar nën kujdesen e komitetit të botimeve Bahá’í
© Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá’í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2000 - 157 E.B.
PARATHËNIE
Botimi i parë i Bisedave të Parisit, i botuar nga Unity Press, Surrey, në vitin 1912, përfshinte vetëm bisedat e ‘Abdu’l-Bahá-it të mbajtura në Paris nga tetori në dhjetor 1911. Në botimin e dytë, që doli më 1915, u shtua një material shtojcë në formën e tri bisedave dhe të një Tabele të regjistruara gjatë vizitës së ‘Abdu’l-Bahá-it në Angli më 1912-13. Që nga kjo kohë, këto materiale suplementare janë përfshirë në të gjitha botimet e mëvonshme, dhe tani të gjithë i lidhin ato me këtë libër. Në këtë botim të fundit, u mbajt parasysh çështja e kësaj pjese shtesë dhe u vendos që materiali të ruhet, por në formën e një “Pjese të Tretë” të re të tekstit, i cili më parë botohej në dy pjesë. Veç kësaj, bisedave për herë të parë u janë vënë numra dhe, në pajtim me propozimet e miratuara në një Konferencë Ndërkombëtare të Botuesve Bahá’í më 1992, janë pajisur edhe me numra paragrafësh për të lehtësuar referencat dhe përkthimin.
Gjatë qëndrimit në Francë ‘Abdu’l-Bahá-i foli persisht dhe pastaj kjo përkthehej në frëngjisht. Bisedat e Parisit janë një përmbledhje shënimesh origjinale të mbajtura prej katër vizitorësh nga Britania e Madhe, Ledi Sara Luiza Blumfild [Lady Sarah Louisa Blomfield], dy vajzat e saj, Meri Ester Blumfild [Mary Esther Blomfield] e Rozë Elinor Sesilia Blumfild [Rose Ellinor Cecilia Blomfield] dhe Beatris Merion Plat [Beatrice Marion Platt]. Këto shënime pastaj u përkthyen e u botuan në anglisht, me sugjerim të ‘Abdu’l-Bahá-it. Megjithë druajtjen e katër përkthyesve, fryti i përpjekjeve të tyre të kombinuara, Bisedat e Parisit, u provua se është një ndër librat Bahá’í më popullorë e më gjerësisht të përdorur, i cili është botuar në shumë gjuhë. Siç duhet pritur me çdo vepër të përzier, ka disa variacione në stil midis bisedave, por për arsye vërtetësie historike është bërë vetëm një numër i vogël ndryshimesh të nevojshme, me miratim të Shtëpisë Universale të Drejtësisë.
Që nga viti 1912, ka pasur në total njëmbëdhjetë botime e shumë rishtypje dhe, për një kohë, bisedat janë botuar gjithashtu në Shtetet e Bashkuara nën titullin Urtia e ‘Abdu’l-Bahá-it. Në këtë botim të dymbëdhjetë, ne i shprehim me mirënjohje falënderimet tona Asamblesë Shpirtërore Kombëtare të Bahá’í-ve të Francës, që na siguroi fotografi të disa vendeve të vizituara nga ‘Abdu’l-Bahá-i gjatë qëndrimit të tij në Paris. ‘Abdu’l-Bahái e ka vizituar Parisin edhe në dy raste të mëvonshme, duke e pajisur këtë qytet që më parë aq të bukur me një trashëgimi shpirtërore të paçmuar.
PASQYRA E LËNDËS
PJESA E PARË
1. Detyra e mirësjelljes dhe e dashamirësisë ndaj të huajve e jovendasve
2. Fuqia dhe vlera e Mendimit të Vërtetë varet nga shfaqja e tij në veprim
3. Perëndia është Mjeku i madh zemërdhembshur dhe vetëm ai jep shërim të vërtetë
4. Nevoja e bashkimit midis popujve të Lindjes e të Perëndimit
5. Perëndia përfshin gjithçka; Ai nuk mund të përfshihet
6. Shkaqet e vajtueshme të luftës dhe detyra e gjithsecilit që të përpiqet për paqen
7. Dielli i së Vërtetës
8. Drita e së Vërtetës shkëlqen tani mbi Lindjen dhe Perëndimin
9. Dashuria universale
10. Burgimi i ‘Abdu’l-Bahá-it
11. Dhuntia më e madhe e Perëndisë për njeriun
12. Retë që errësojnë Diellin e së Vërtetës
13. Paragjykimet fetare
14. Të mirat që i sjell njeriut Perëndia
15. Bukuria e harmonia në shumëllojshmëri
16. Domethënia e vërtetë e profecive lidhur me ardhjen e Krishtit
17. Shpirti i Shenjtë, fuqia ndërmjetëse midis Perëndisë e njeriut
18. Dy natyrat e njeriut
19. Përparimi material dhe shpirtëror
20. Evolucioni i materies dhe zhvillimi i shpirtit
21. Takimet shpirtërore në Paris
22. Dy llojet e dritës
23. Aspirata shpirtërore në Perëndim
24. Konferencë e mbajtur në një studio në Paris
25. Bahá’u’lláh-u
26. Idetë e mira duhen vënë në veprim
27. Domethënia e vërtetë e pagëzimit me ujë e me zjarr
28. Fjalim në ‘L’Alliance Spiritualiste’
29. Evolucioni i Shpirtit
30. Dëshirat dhe lutjet e ‘Abdu’l-Bahá-it
31. Lidhur me trupin, shpirtin dhe frymën
32. Bahá’í-të duhet të punojnë me mish e me shpirt për të krijuar një gjendje më të mirë në botë
33. Lidhur me shpifjen
34. Nuk mund të ketë lumturi e përparim të vërtetë pa frymë shpirtërore
35. Dhimbja dhe brenga
36. Ndjenjat dhe virtytet njerëzore të përsosura
37. Mospërfillja e pashpirt e njerëzve për vuajtjet e racave të huaja
38. Ne nuk duhet të ligështohemi që jemi të paktë në numër
39. Fjalë të thëna nga ‘Abdu’l-Bahá-i në Pastor Wagner’s Church (Foyer de L’Âme) në Paris
PJESA E DYTË
40. Shoqata Teozofike, Paris
41. Parimi i parë—kërkimi i së vërtetës
42. Parimi i dytë—uniteti i njerëzimit
43. Parimi i tretë—dashuria e miqësia
44. Parimi i katërt—pranimi i lidhjes midis fesë dhe shkencës
45. Parimi i pestë—heqja e paragjykimeve
46. Parimi i gjashtë—mjetet e jetesës
47. Parimi i shtatë—barazia e njerëzve
48. Parimi i tetë—paqja universale
49. Parimi i nëntë—mospërzierja e fesë në politikë
50. Parimi i dhjetë—barazia e sekseve
51. Parimi i njëmbëdhjetë—fuqia e Shpirtit të Shenjtë
52. Kjo Kauzë e madhe dhe e lavdishme
53. Takimi i fundit
PJESA E TRETË
54. Fjala e ‘Abdu’l-Bahá-it në Friends’ Meeting House, St Martin’s Lane
55. Lutja
56. E keqja
57. Përparimi i shpirtit
58. Katër llojet e dashurisë
59. Tabelë e reveluar nga ‘Abdu’l-Bahá-i
Treguesi
HYRJE
Në Perëndim pjesa e parë e shekullit të njëzetë ishte një periudhë ndryshimesh të mëdha, shpresash e parashikimesh të kundërta. Shumë njerëz ishin përfshirë në një kërkim shpirtëror, i cili i kish çuar ata në fusha të tilla të ndryshme si spiritualizmi, shërimi, teozofia dhe okultizmi, ose i kish tërhequr në sekte të ringjalljes dhe sekte të reja karizmatike brenda rrjedhës kryesore të fesë. Bashkë me këtë kishte një rritje të ndërgjegjes shoqërore, e cila gjente shprehje në lëvizjen punëtore, në socializmin dhe në fillimet e shtetit të mirëqenies. Në të njëjtën kohë, kishte një vetëdijë në rritje për paqëndrueshmërinë e sistemit politik ndërkombëtar dhe frikë se mos përplasjet lokale shkallëzohen në konflikte shumë më të gjera. Besimet tradicionale sfidoheshin nga një rritje e shekullarizmit dhe nga krijimi i një klase të mesme të fuqishme, pasuria e zbuluar rishtas e së cilës bazohej në tregjet e në lëndët e para, që siguroheshin nga pushtimet koloniale të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Pikërisht në një botë të tillë ‘Abdu’l-Bahá-i shkeli në vitin 1911. ‘Abdu’l-Bahá-i ishte djali i Bahá’u’lláh-ut, themeluesit të Besimit Bahá’í. I dënuar që nga mosha nëntë vjeç të bënte një jetë të burgosuri e të syrgjynosuri në duart e Perandorisë despotike Otomane, ‘Abdu’l-Bahá-i u lirua më në fund nga burgu kur ishte burrë plak. Megjithëse ishte shëndetlig për shkak të viteve të privacioneve, ‘Abdu’l-Bahá-i ndërmori një seri udhëtimesh shumë të rëndësishme për të shpallur besimin e ri të reveluar prej Atit të Tij. Ai vizitoi Parisin për nëntë javë, nga 3 tetori deri në 2 dhjetor 1911, si pjesë e një udhëtimi që e çoi Atë në disa vende evropiane dhe në Amerikën e Veriut.
Gjatë udhëtimeve të Veta, ‘Abdu’l-Bahá-i tërhoqi auditore të mëdha njerëzish nga të gjitha rrymat e jetës, që ishin të etur të dëgjonin fjalët e Tij. Megjithëse nuk kishte kryer shkollim formal, ‘Abdu’l-Bahá-i fliste lirshëm me udhëheqës të mendimit, shtetërorë e kishtarë, që kërkonin këshillën e Tij dhe ndiehej njëlloj i sigurt me punëtorin e përvuajtur, me të varfrin e harruar ose me radikalin politik. Fama e Tij si një figurë e shenjtë e pajisur me urti të lindur u rrit me shpejtësi dhe është pasqyruar gjerësisht në shtyp.
Edhe pse i pamësuar me mënyrat dhe idetë perëndimore, ‘Abdu’l-Bahá-i, megjithatë, ishte në gjendje të kapërcente pengesat e kulturës e të traditës dhe të prekte shqetësimet më jetësore të dëgjueve të ndryshëm të Tij. Gjatë udhëtimeve në Evropë e në Amerikën e Veriut, Ai bëri të njohur një vizion, të bazuar në një kuptim të pashoq të mësimeve të Atit të Tij, për një rend të ri shoqëror i cili do të kënaqte dëshirat më të thella për një botë të drejtë, paqësore e në harmoni. Ai parashikonte një të ardhme e cila, po të ushqeheshin disa rryma e të edukoheshin disa qëndrime, do të kapërcente shpresat tona më të larta. Në të njëjtën kohë, ai parashikoi drejtimin që do të merrnin zhvillime të tjera, në qoftë se nuk do të kontrolloheshin, dhe dha këshilla e paralajmërime sesi të parandalohej një fat i tillë. Ai u përgjigjej me intuitë atyre që kishin dëshirë për një këshillë më të thellë, duke ndarë me ta tërë dashurinë e Tij të dhembshur e të pakushtëzuar, duke ringjallur tek ata një frymë shprese e besimi. Me durim, humor e simpati të thellë, Ai ofronte margaritarë urtie për natyrën e lumturisë e të përparimit shpirtëror, ndërsa nxirrte në pah lidhjen midis shndërrimit vetjak dhe krijimit të një shoqërie më të drejtë e më dashamirëse.
Bisedat e ‘Abdu’l-Bahá-it në Paris mund të shihen si distilim i disa mësimeve shumë të rëndësishme të Bahá’u’lláh-ut për një spektër të tërë çështjesh. Në fushën e reformës shoqërore, ‘Abdu’l-Bahá-i shtjelloi tema të tilla si të drejtat e grave, racizmi, ksenofobia dhe nacionalizmi i shfrenuar, zhdukja e luftës dhe bazat e sigurimit kolektiv e të paqes midis kombeve. Shqetësimi i Tij për të nënshtruarit e të shtypurit dhe për pabarazitë e turpshme midis të pasurve e të varfërve, demonstrohej përmes veprimeve të panumërta personale të dashamirësisë e të sakrificës, dhe deklaratat e shumta të Tij për të drejtat e përgjegjësitë e njeriut u kundërviheshin traditave sociale të asaj kohe.
Temat e Tij shpirtërore përfshijnë përgjigje për çështje shekullore; cila është natyra e Perëndisë, e shpirtit, e dashurisë? Si mundet njeriu të fitojë veti shpirtërore? Ai diskutoi shumë tema me interes të veçantë për të krishterët, duke përfshirë profecitë biblike, dhe tregoi se e vërteta fetare i revelohet në mënyrë të shkallëzuar njerëzimit nga Perëndia përmes ndërmjetësish të tillë si Krishti dhe Bahá’u’lláh-u.
Vizioni i ‘Abdu’l-Bahá-it ishte ai i një bote që ka pranuar njëshmërinë e saj, universale në botëkuptimin e saj dhe e bashkuar në tërë shumëllojshmërinë e saj madhështore. Por në fillimin e shekullit të njëzetë në mbarë Evropën njerëzit ishin të verbuar nga madhështia perandorake, të pushtuar nga nacionalizmi triumfator dhe të trallisur nga mrekullitë e arritjeve të reja shkencore e teknike. Ndërsa udhëheqësit e tyre konkurronin për të ndërtuar makinat e tyre të tmerrshme të luftës, ishin të paktë ata që i vinin veshin thirrjes për paqe, të bërë nga një i burgosur plak nga moçali i perandorisë turke në shpërbërje. Evropa ndodhej në prag të katastrofës dhe ‘Abdu’l-Bahá-i e dinte këtë, por do të kalonin vuajtjet kolektive të dy luftërave botërore, të pasuara nga shpërbërja globale e sistemeve politike, shoqërore e fetare, që të zbulohej domethënia e vërtetë e fjalëve të Tij.
Afro një shekull më vonë, bisedat e Parisit të ‘Abdu’l-Bahá-it kanë ende kontribute të rëndësishme për të dhënë në mendimet tona të sotme. Ato na pajisin me mënyra të reja, më të përshtatshme për ta parë botën tonë, të lira nga paragjykimet, të çliruara nga kontradiktat paralizuese të së kaluarës, për t’i parë të gjithë njerëzit si pjesëtarë të së njëjtës familje njerëzore. Ato ndriçojnë mundësinë për të mirë që ekziston në natyrën njerëzore, duke treguar se të gjitha fetë janë hallka të një zinxhiri udhërrëfyes nga Perëndia, që shtrihen nga e kaluara në të ardhmen e largët, duke e konsideruar fenë si burim uniteti e jo ndarjeje, duke e parë se shpëtimi vetjak është i lidhur me shpëtimin e mbarë botës përmes vendosjes së një rendi të ri shoqëror. Këshilla e ‘Abdu’l-Bahá-it jo vetëm të ngre shpirtërisht, por është edhe praktike dhe i përshtatet mirë njerëzve më të interesuar, ndoshta, për çështjen “si” sesa për çështjen “pse”. Ai ofron strategji që u japin mundësi njerëzve të punojnë së bashku në unitet, strategji që rrjedhin drejtpërsëdrejti nga mësimet e Bahá’u’lláh-ut, dhe tregon sesi të zbatohen e shndërrohen ato mësime shpirtërore në veprime të përditshme.
Theksi që vë Ai te nevoja për të zbuluar vetë të vërtetën fetare e shpirtërore, në vend të mbështetjes në idetë e të tjerëve, ka rëndësi jetësore për ndjenjën e vetvetes e të integritetit të njeriut, aq shumë të kërkuara sot. Ndoshta, dhe kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha, ‘Abdu’l-Bahá-i nuk predikonte thjesht virtytin, por e demonstronte dhe e përjetonte atë. Kur ne vështrojmë përpara drejt fateve kritike të planetit tonë të vogël, gjejmë në shembullin e ‘Abdu’l-Bahá-it jo vetëm një etos të ri, një moral të ri për mbarë botën, por edhe një model të vërtetë për mënyrën sesi të jetojmë jetët tona: në këtë qëndron forca e palëkundur e mësimeve të Tij. Kështu, Bisedat e Parisit, botimi i parë i bisedave të ‘Abdu’l-Bahá-it të zhvilluara në Perëndim, do të ruajnë vlerën e tyre të qëndrueshme. Që udhërrëfimi i ‘Abdu’l-Bahá-it ende nuk është vënë në jetë në mënyrë universale, është ndoshta një arsye më tepër për të lexuar fjalët e Tij dhe për të parë ndikimin e tyre për të ardhmen tonë.
PJESA E PARË
1. DETYRA E MIRËSJELLJES DHE E DASHAMIRËSISË NDAJ TË HUAJVE E JOVENDASVE
16 dhe 17 tetor 1911
1 Kur një njeri e kthen fytyrën drejt Perëndisë, ai gjen kudo dritë dielli. Të gjithë njerëzit janë vëllezërit e tij. Mos lejoni që zakonet tuaja t’ju bëjnë të dukeni të ftohtë e jodashamirës, kur takoni njerëz të ardhur nga vende të tjera. Mos i shihni ata sikur dyshoni se janë keqbërës, vjedhës e njerëz të pagdhendur. Ju mendoni se është e nevojshme të jeni shumë të kujdesshëm për të mos u përballur me rrezikun që të njiheni me njerëz të tillë, ndoshta të padëshiruar.
2 Unë ju kërkoj të mos mendoni vetëm për veten tuaj. Jini të dashur me të huajt, qofshin ata të ardhur nga Turqia, Japonia, Persia, Rusia, Kina apo nga ndonjë vend tjetër i botës.
3 Ndihmojini ata ta ndiejnë veten si në shtëpinë e tyre; interesohuni se ku kanë qëndruar, i pyesni nëse mund t’i ndihmoni; përpiquni t’ua bëni jetën pak më të lumtur.
4 Kështu, edhe në qoftë se ndonjëherë ajo që ju kishit dyshuar në fillim vërtetohet, përsëri vazhdoni të jeni të dashur me ta—kjo dashamirësi do t’i ndihmojë ata të bëhen më të mirë.
5 Në fund të fundit, përse njerëzit jovendas duhet të trajtohen si të huaj?
6 Leruni të kuptojnë atyre që takoni, pa ua thënë hapur këtë, se ju jeni me të vërtetë një Bahá’í.
7 Vini në jetë Mësimin e Bahá’u’lláh-ut, atë të dashamirësisë ndaj të gjitha kombeve. Mos u kënaqni duke shprehur miqësinë vetëm me fjalë, le të digjet zemra juaj me dashamirësi të ngrohtë për të gjithë ata që mund të takoni në rrugën tuaj.
8 Oh, ju të kombeve Perëndimore, jini dashamirës me ata që vijnë nga bota e Lindjes për të qëndruar midis jush. Harrojini zakonet tuaja kur flisni me ta; ata nuk janë mësuar me to. Njerëzve nga Lindja kjo sjellje u duket e ftohtë, jomiqësore. Përkundrazi, sjellja juaj duhet të jetë dashamirëse. Le të shihet se ju jeni të mbushur me dashuri për të gjithë. Kur takoni një pers ose ndonjë të huaj tjetër, folini atij siç i flitet një miku; po të duket i vetmuar përpiquni ta ndihmoni, tregoni gatishmërinë tuaj për t’i shërbyer; po qe i trishtuar ngushëllojeni, po qe i varfër ndihmojeni, po qe i shtypur shpëtojeni, po qe në hall qetësojeni. Duke vepruar kështu, do të tregoni se jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra e me të vërtetë, ju i mendoni të gjithë njerëzit si vëllezër.
9 Ç’vlerë kanë pohimi se miqësia universale është e mirë dhe fjalët për solidaritetin e racës njerëzore si një ideal i madh? Këto mendime janë pa dobi po qe se nuk kthehen në vepra.
10 E keqja në botë vazhdon të ekzistojë pikërisht sepse njerëzit flasin vetëm për idealet e tyre dhe nuk përpiqen t’i venë ato në jetë. Në qoftë se veprat do të zinin vendin e fjalëve, mjerimi në botë shumë shpejt do të shndërrohej në begati.
11 Një njeri që bën të mira të mëdha dhe nuk flet për to, është në rrugën e përsosurisë.
12 Njeriu që ka bërë një të mirë të vogël dhe në fjalët e tij e zmadhon atë, vlen fare pak.
13 Në qoftë se unë ju dua, nuk ka nevojë të flas për dashurinë time, ju do ta kuptoni atë edhe pa fjalë. Nga ana tjetër, në qoftë se nuk ju dua, ju përsëri do ta kuptoni dhe nuk do të më besoni kur t’ju them me mijëra fjalë se ju kam dashur.
14 Njerëzit bëjnë shumë deklarata për mirësinë, duke riprodhuar fjalë të bukura, sepse duan që të mendohet se ata qëndrojnë më lart e janë më të mirë se shokët e tyre, duke kërkuar të fitojnë famë në sytë e botës. Ata që bëjnë më shumë të mira, thonë pak fjalë për veprat e tyre.
15 Fëmijët e Perëndisë i bëjnë punët pa u mburrur, duke iu bindur ligjeve të Tij.
16 Unë shpresoj se ju do t’i shmangeni gjithmonë tiranisë e shtypjes; se ju do të punoni pareshtur derisa drejtësia të mbretërojë në çdo vend, se ju do t’i ruani zemrat tuaja të dëlira dhe duart tuaja të pastra nga padrejtësia.
17 Ja ç’kërkon nga ju afrimi pranë Perëndisë dhe ç’pres unë prej jush.
2. FUQIA DHE VLERA E MENDIMIT TË VËRTETË VARET NGA SHFAQJA E TIJ NË VEPRIM
18 tetor
1 Realiteti i njeriut është mendimi i tij, jo trupi i tij material. Forca e mendimit dhe forca shtazore janë partnere. Edhe pse njeriu është pjesë e krijimit shtazor, ai zotëron një aftësi mendimi më të lartë se çdo qenie tjetër e krijuar.
2 Po qe se mendimi i një njeriu priret vazhdimisht drejt çështjesh qiellore, atëherë shenjtërohet; poqe se, nga ana tjetër, mendimi i tij nuk fluturon lart, por priret poshtë për t’u përqëndruar në gjërat e kësaj bote, ai bëhet gjithnjë e më material, derisa arrin një gjendje pak më të mirë se ajo e një kafshe të thjeshtë.
3 Mendimet duhen ndarë në dy kategori:
4 (e para) Mendime që i përkasin vetëm botës së mendimit.
5 (e dyta) Mendime që shprehen në veprim.
6 Disa burra e gra krenohen për mendimet e tyre të larta, por në qoftë se këto mendime nuk arrijnë në rrafshin e veprimit, ato nuk kanë ndonjë dobi: fuqia e mendimit varet nga shprehja e tij në vepra. Megjithatë, mendimi i një filozofi mundet, në botën e përparimit e të zhvillimit, të shndërrohet në veprime të njerëzve të tjerë, edhe kur ata vetë nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë të venë në jetë idealet e tyre të mëdha gjatë vetë jetës së tyre. Kësaj kategorie i përkasin shumica e filozofëve, duke qenë se mësimet e tyre qëndrojnë shumë më lart se veprimet e tyre. Ky është dallimi midis filozofëve që janë Mësues Shpirtërorë dhe atyre që janë thjesht filozofë: Mësuesi Shpirtëror është i pari që ndjek mësimet e veta; Ai sjell në botën e veprimit konceptet dhe idealet e Tij shpirtërore. Mendimet e Tij hyjnore janë të dukshme për botën. Mendimi i Tij është Vetvetja e Tij, nga e cila Ai është i pandarë. Kur takojmë një filozof që thekson rëndësinë e madhështinë e drejtësisë dhe pastaj inkurajon një monark grabitqar në shtypjen e tiraninë e tij, ne e kuptojmë shpejt se ai i përket kategorisë së parë: sepse ai ka mendime qiellore, por nuk ushtron virtytet qiellore përkatëse.
7 Një gjendje e tillë është e pamundur me Filozofët Shpirtërorë, sepse ata i shprehin në veprime mendimet e tyre të larta e fisnike.
3. PERËNDIA ËSHTË MJEKU I MADH ZEMËRDHEMBSHUR DHE VETËM AI JEP SHËRIM TË VËRTETË
19 tetor
1 Çdo shërim i vërtetë vjen nga Perëndia! Sëmundja ka dy shkaqe, njëri është material, tjetri shpirtëror. Në qoftë se është sëmundje e trupit, nevojitet mjekim material, po qe sëmundje e shpirtit nevojitet mjekim shpirtëror.
2 Në qoftë se kemi bekimin qiellor gjatë mjekimit, vetëm atëherë mund të bëhemi mirë, sepse ilaçi s’është veçse mjeti i jashtëm e i dukshëm, përmes të cilit marrim shërimin qiellor. Në qoftë se nuk shërohet shpirti, mjekimi i trupit nuk ka vlerë. Gjithçka është në duart e Perëndisë, dhe pa Atë ne nuk mund të kemi shëndet.
3 Ka pasur shumë njerëz që më në fund kanë vdekur pikërisht nga sëmundja për të cilën kishin bërë një studim të posaçëm. Aristoteli, për shembull, që kishte bërë një studim të posaçëm për tretjen, vdiq nga një sëmundje e stomakut. Avicena ishte specialist i zemrës, por vdiq nga një sëmundje e zemrës. Perëndia është Mjeku i dhembshur dhe vetëm ai ka fuqi të japë shërim të vërtetë.
4 Të gjitha krijesat varen nga Perëndia, sado të mëdha të duken dija, fuqia dhe pavarësia e tyre.
5 Shihni mbretërit e fuqishëm mbi tokë, të cilët kanë gjithë pushtetin në botë që mund t’u japë atyre njeriu, e megjithatë kur vjen vdekja ata duhet të binden, njëlloj si fshatarët kur bie ora e tyre.
6 Shihni gjithashtu shtazët, sa të pafuqishme janë ato me gjithë fuqinë e tyre në dukje! Sepse elefantin, më të madhen ndër të gjitha shtazët, e shqetëson miza, kurse luani nuk i shpëton dot ngacmimit të krimbit. Madje edhe njeriu, forma më e lartë e qenieve të krijuara, ka nevojë për shumë gjëra për vetë jetën e tij; para së gjithash, ai ka nevojë për ajër, dhe në qoftë se ai i mungon për disa minuta vdes. Ai është gjithashtu i varur nga uji, ushqimi, veshmbathja, ngrohja e nga shumë gjëra të tjera. Ai është i rrethuar nga të gjitha anët prej rreziqesh e vështirësish, të cilave vetëm trupi i tij nuk u bën dot ballë. Në qoftë se njeriu vështron botën rreth tij, ai do të shohë se të gjitha gjërat e krijuara janë të varura e robër të ligjeve të Natyrës.
7 Vetëm njeriu, falë fuqisë së tij shpirtërore, ka qenë në gjendje të çlirohet, të fluturojë mbi botën e materies dhe ta bëjë atë shërbyesen e vet.
8 Pa ndihmën e Perëndisë njeriu është njëlloj si kafsha që merr fund, por Perëndia i ka dhuruar atij një fuqi të tillë të mahnitshme, që ai mund të shohë kurdoherë lart dhe të marrë, midis dhuntive të tjera, shërim nga Bujaria e Tij hyjnore.
9 Por medet! Njeriu nuk është mirënjohës për këtë mirësi supreme, por bën gjumin e shkujdesjes, duke qenë i pavëmenshëm për hirin e madh që ka treguar Perëndia ndaj tij, duke i kthyer kurrizin dritës e duke shkuar rrugës së vet në terr.
10 Unë lutem me gjithë shpirt që ju të mos bëni kështu, por përkundrazi t’i mbani fort fytyrat të kthyera drejt dritës, që ato të jenë si pishtarë të ndezur në vendet e errëta të jetës.
4. NEVOJA E BASHKIMIT MIDIS POPUJVE TË LINDJES E TË PERËNDIMIT
E premte, 20 tetor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Në të kaluarën, si dhe në kohën e sotme, Dielli Shpirtëror i së Vërtetës ka ndriçuar gjithmonë nga horizonti i Lindjes.
2 Abrahami u duk në Lindje. Në Lindje doli Moisiu për të udhëhequr e mësuar njerëzit. Në horizontin Lindor doli Zoti Krisht. Muhameti u dërgua në një komb lindor. Báb-i doli në një vend lindor, në Persi. Bahá’u’lláh-u jetoi e mësoi në Lindje. Të gjithë Mësuesit e mëdhenj Shpirtërorë kanë dalë në botën Lindore. Por megjithëse Dielli i Krishtit doli në Lindje, rrezatimi i tij u duk në Perëndim, ku shkëlqimi i lavdisë së tij u pa më qartë. Drita hyjnore e Mësimit të Tij ndriçoi me më shumë forcë në botën Perëndimore, ku pati një përparim më të shpejtë sesa në vendin e tij të lindjes.
3 Në kohën e tanishme Lindja ka nevojë për përparim material, ndërsa Perëndimit i duhet një ide shpirtërore. Do të ishte mirë që Perëndimi të kthehej nga Lindja për ndriçim dhe si shkëmbim t’i japë dijen e tij shkencore. Ky shkëmbim dhuratash duhet bërë.
4 Lindja dhe Perëndimi duhet të bashkohen për t’i dhënë njëri-tjetrit atë që i mungon. Ky bashkim do të sjellë një qytetërim të vërtetë, ku shpirtërorja shprehet e zbatohet në materialen.
5 Duke marrë kështu nga njëri-tjetri, do të mbizotërojë harmonia më e madhe, të gjithë njerëzit do të jenë të bashkuar, do të arrihet një shkallë e lartë përsosurie, do të ketë një çimentim të qëndrueshëm dhe kjo botë do të bëhet një pasqyrë ndriçuese për reflektimin e atributeve të Perëndisë.
6 Ne të gjithë, kombet lindore dhe perëndimore, duhet të përpiqemi ditë e natë me mish e me shpirt për të arritur këtë ideal të lartë, për të çimentuar unitetin midis të gjitha kombeve të tokës. Atëherë çdo zemër do të përtërihet, do të hapen të gjithë sytë, do të jepet fuqia më e mahnitshme, do të sigurohet lumturia e njerëzimit.
7 Ne duhet të lutemi që falë Bujarisë së Perëndisë Persia të bëhet e aftë të marrë qytetërimin material e mendor të Perëndimit, dhe falë Hirit Hyjnor të japë si shkëmbim dritën e saj shpirtërore. Puna energjike e me përkushtim e popujve të bashkuar, perëndimorë e lindorë, do ta arrijë këtë rezultat, sepse ata do të kenë ndihmën e Shpirtit të Shenjtë.
8 Parimet e Mësimeve të Bahá’u’lláh-ut duhen studiuar me kujdes, një për një, derisa të jenë kapur e kuptuar me mendje e me zemër—kështu ju do të bëheni pasues të patundur të dritës, ushtarë me të vërtetë shpirtërorë, qiellorë të Perëndisë, që marrin e përhapin qytetërimin e vërtetë në Persi, në Evropë e në mbarë botën.
9 Kjo do të jetë Parajsa që do të vijë në tokë, kur gjithë njerëzimi do të grumbullohet së bashku nën tendën e unitetit në Mbretërinë e Lavdisë.
5. PERËNDIA PËRFSHIN GJITHÇKA: AI NUK MUND TË PËRFSHIHET
E premte në mbrëmje, 20 tetor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Takime të shumta janë mbajtur çdo ditë në Paris për qëllime të ndryshme, për të diskutuar për politikën, tregtinë, arsimin, artin shkencën e shumë tema të tjera.
2 Të gjitha këto takime janë të mira: por ky kuvend është mbledhur për t’i kthyer fytyrat drejt Perëndisë, për të mësuar si të punojmë sa më mirë në dobi të njerëzimit, për të kërkuar si mund të zhduken paragjykimet dhe fara e dashurisë e e vëllazërisë mbarëbotërore të mbillet në zemrën e njeriut.
3 Perëndia jep pëlqimin për qëllimin e mbledhjes sonë dhe na jep bekimin e Vet.
4 Në Dhiatën e Vjetër lexojmë se Perëndia ka thënë “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës Sonë”. Në Ungjill Krishti ka thënë “Unë jam në Atin dhe Ati është në Mua”[1]. Në Kuran Perëndia thotë “Njeriu është Misteri Im dhe Unë jam misteri i tij”. Bahá’u’lláh-u shkruan se Perëndia thotë “Zemra jote është shtëpia Ime; dëlire atë për zbritjen Time. Shpirti yt është vendi i revelacionit Tim; spastroje atë për manifestimin Tim”.
5 Të gjitha këto fjalë të shenjta na tregojnë se njeriu është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë: e megjithatë, Thelbi i Perëndisë është i pakuptueshëm për mendjen njerëzore, sepse të kuptuarit e fundmë nuk mund t’i përshtatet këtij Misteri të pafundmë. Perëndia përfshin gjithçka: Ai nuk mund të përfshihet. E tëra është më e madhe se pjesët e saj.
6 Gjërat që kuptohen nga njerëzit nuk mund të jenë jashtë aftësisë së tij të të kuptuarit, prandaj është e pamundur që zemra e njeriut të kuptojë natyrën e Madhështisë së Perëndisë. Përfytyrimi ynë vetëm mund të pikturojë atë që ai është në gjendje të krijojë
7 Fuqia e të kuptuarit ndryshon në pikëpamje të shkallës në mbretëritë e ndryshme të krijimit. Mbretëria minerale, ajo bimore dhe ajo shtazore është secila e paaftë të kuptojë çfarëdo krijimi tej atij të vetit. Minerali nuk e përfytyron dot aftësinë rritëse të bimës. Pema nuk e kupton dot aftësinë e lëvizjes te kafsha dhe as mund të kuptojë ç’do të thotë të shohësh, të dëgjosh ose të kesh shqisën e të nuhaturit. Të gjitha këto i përkasin krijimit fizik.
8 Njeriu gjithashtu bën pjesë në këtë krijim; por secila prej mbretërive më të ulëta e ka të pamundur të kuptojë se ç’ndodh në mendjen e njeriut. Kafsha nuk është në gjendje të kuptojë inteligjencën e një qenieje njerëzore, ajo di vetëm atë që perceptohet prej shqisave të saj shtazore, ajo nuk përfytyron dot asgjë abstrakte. Një kafshë nuk e mëson dot që bota është e rrumbullakët, që toka rrotullohet rreth diellit, ose ndërtimin e telegrafit elektrik. Këto gjëra janë të mundura vetëm për njeriun. Njeriu është vepra më e lartë e krijimit, më e afërta me Perëndinë nga të gjitha krijesat.
9 Të gjitha mbretëritë më të larta janë të pakuptueshme për më të ulëtat; si mundet, pra, krijesa, njeriu, të kuptojë Krijuesin fuqiplotë të gjithçkaje?
10 Ajo që ne përfytyrojmë nuk është realiteti i Perëndisë; Ai, i Panjohshmi, i Pamendueshmi, është shumë më tej konceptimit më të lartë të njeriut.
11 Të gjitha krijesat që ekzistojnë janë të varura prej Bujarisë Hyjnore. Mëshira Hyjnore jep vetë jetën. Ashtu si drita e diellit ndriçon në gjithë botën, edhe mëshira e Perëndisë së pafundmë derdhet mbi të gjitha krijesat. Ashtu si dielli pjek frytet e tokës dhe u jep jetë e ngrohtësi të gjitha qenieve të gjalla, po kështu ndriçon Dielli i së Vërtetës mbi të gjithë shpirtrat, duke i mbushur ata me zjarrin e dashurisë e të gjykimit Hyjnor.
12 Epërsia e njeriut mbi pjesën tjetër të botës së krijuar shihet gjithashtu në faktin që njeriu ka një shpirt në të cilin banon fryma hyjnore; shpirtrat e krijesave më të ulëta qëndrojnë më poshtë në thelbin e tyre.
13 Nuk ka, pra, dyshim se nga të gjitha qeniet e krijuara njeriu është më pranë natyrës së Perëndisë, prandaj merr një dhunti më të madhe prej Bujarisë Hyjnore.
14 Mbretëria minerale zotëron aftësinë e të jetuarit. Bima ka aftësinë e të jetuarit e të rritjes. Kafsha, veç të jetuarit e rritjes, ka aftësinë e lëvizjes dhe përdorimin e vetive të shqisave. Në mbretërinë njerëzore gjejmë të gjitha atributet e botëve më të ulëta, duke u shtuar edhe shumë të tjera. Njeriu është shuma e çdo krijimi të mëparshëm, sepse ai i përmban të gjitha ato.
15 Njeriut i është dhënë dhuntia e posaçme e intelektit, me anën e të cilit ai është në gjendje të marrë më shumë nga drita Hyjnore. Njeriu i Përsosur është një pasqyrë e lëmuar që reflekton Diellin e së Vërtetës dhe shfaq atributet e Perëndisë.
16 Zoti Krisht ka thënë “Ai që më ka parë Mua ka parë Atin”—Perëndinë, të manifestuar te njeriu.
17 Dielli nuk lë vendin e tij në qiell e të zbresë në pasqyrë, sepse veprimet e ngjitjes e të zbritjes, të ardhjes e të ikjes nuk i përkasin së Pafundmes, ato janë mënyra të qenieve të fundme. Në Manifestimin e Perëndisë, pasqyra e lëmuar në mënyrë të përsosur shfaq vetitë e Hyjnores në një formë që njeriu është në gjendje t’i kuptojë.
18 Kjo është kaq e thjeshtë sa të gjithë mund ta kuptojnë, dhe atë që jemi në gjendje ta kuptojmë ne, dashur pa dashur, duhet ta pranojmë.
19 Ati ynë nuk do të na quajë përgjegjës pse hedhim poshtë dogmat, të cilat nuk jemi në gjendje as t’i besojmë e as t’i kuptojmë, sepse Ai është gjithmonë pafundësisht i drejtë me bijtë e Tij.
20 Por ky shembull është kaq logjik saqë mund të kapet fare lehtë nga të gjitha mendjet që duan t’i kushtojnë vëmendje.
21 Le të bëhet secili prej jush një llambë ndriçuese, flaka e së cilës është Dashuria për Perëndinë. Le të flakërohen zemrat tuaja me rrezëllimin e unitetit. Le të ndriçohen sytë tuaj me shkëlqimin e Diellit të së Vërtetës.
22 Qyteti i Parisit është shumë i bukur, do të ishte e pamundur të gjendej në botën e sotme një qytet më i kulturuar e më mirë i rregulluar në tërë zhvillimin material. Por drita shpirtërore nuk ka shkëlqyer mbi të për një kohë të gjatë: përparimi i tij shpirtëror është shumë prapa qytetërimit të tij material. Nevojitet një fuqi supreme që ta zgjojë atë për realitetin e së vërtetës shpirtërore, të sjellë frymën e jetës në shpirtin e tij të përgjumur. Ju duhet të bashkoheni të gjithë në këtë përpjekje për ta zgjuar atë, për t’i rigjallëruar njerëzit e tij me ndihmën e asaj Force Eprore.
23 Kur sëmundja është e lehtë, për ta shëruar atë mjafton një mjekim i vogël, por kur sëmundja e lehtë shndërrohet në një sëmundje të tmerrshme, atëherë Shëruesi Hyjnor duhet të përdorë një mjekim shumë të fortë. Ka disa pemë që lulëzojnë e japin fruta në klimë të freskët, ka të tjera që kanë nevojë për rrezet më të nxehta të diellit që të piqen plotësisht. Parisi është një nga ato pemë, për shpalosjen shpirtërore të të së cilës nevojitet një Diell i madh flakërues i Fuqisë Hyjnore të Perëndisë.
24 Kërkoj nga ju të gjithë, nga secili prej jush, të ndjekë mirë dritën e së vërtetës në Mësimet e Shenjta dhe Perëndia do t’ju forcojë me Frymën e Tij të Shenjtë, në mënyrë që të jeni të gjendje të kapërceni vështirësitë dhe të zhdukni paragjykimet që shkaktojnë ndarje e armiqësi midis njerëzve. Le të mbushen zemrat tuaja me dashurinë më të madhe për Perëndinë, le ta ndiejnë këtë të gjithë; sepse çdo njeri është shërbëtor i Perëndisë dhe të gjithë kanë të drejtën të marrin nga Bujaria Hyjnore.
25 Tregoni dashurinë e durimin më të madh veçanërisht ndaj atyre që kanë mendime materiale e të prapambetura, duke i tërhequr ata kështu në unitetin e miqësisë me rrezëllimin e dashamirësisë suaj.
26 Në qoftë se i qëndroni besnikë veprës suaj të madhe, duke ndjekur pa lëkundje Diellin e Shenjtë të së Vërtetës, atëherë dita e bekuar e vëllazërimit mbarëbotëror do të agojë në këtë qytet kaq të bukur.
6. SHKAQET E VAJTUESHME TË LUFTËS DHE DETYRA E GJITHSECILIT QË TË PËRPIQET PËR PAQEN
21 tetor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Shpresoj që të gjithë të jeni mirë e të gëzuar. Unë nuk jam i gëzuar, por shumë i hidhëruar. Të rejat për luftimet në Bengazi më helmojnë zemrën. Habitem për egërsinë njerëzore që ende ekziston në botë! Si është e mundur që njerëzit të luftojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke vrarë njëri-tjetrin, duke derdhur gjakun e njerëzve të tjerë si ata: dhe për çfarë? Për zotërimin e një copë toke! Edhe kafshët kur ndeshen, kanë një shkak më të ngutshëm e më të arsyeshëm për sulmet e tyre! Sa e tmerrshme është që njerëzit, që i përkasin mbretërisë më të lartë, mund të bien aq poshtë sa të vrasin e t’u shkaktojnë mjerim qenieve të tjera njerëzore për zotërimin e një copë toke!
2 Më të lartat e qenieve të krijuara luftojnë për të shtënë në dorë formën më të ulët të materies, tokën! Toka nuk i takon një njeriu, por të gjithë njerëzve. Kjo tokë nuk është shtëpia e njeriut, por varri i tij. Njerëzit janë duke luftuar për varret e tyre. Nuk ka asgjë më të tmerrshme në këtë botë sesa varri, banesa e trupave të kalbur të njerëzve.
3 Sado i madh të jetë pushtuesi, sado vende që të skllavërojë, ai nuk është në gjendje të mbajë ndonjë pjesë të këtyre tokave të shkretuara veç një copëze të vogël—varrit të tij! Në qoftë se për përmirësimin e gjendjes së njerëzve, për përhapjen e qytetërimit (për zëvendësimin e zakoneve të vrazhda me ligje të drejta) kërkohet më shumë tokë—padyshim do të ishte e mundur të bëhej në mënyrë paqësore zgjerimi i nevojshëm i territorit.
4 Por lufta bëhet për të kënaqur ambicjen e njerëzve; për hir të fitimeve materiale të një pakice, u shkaktohet një mjerim i tmerrshëm shtëpive të panumërta, duke u thyer zemrat qindra burrave e grave!
5 Sa gra vajtojnë burrat e tyre, sa histori të një egërsie të pashpirt dëgjojmë! Sa fëmijë të vegjël të mbetur jetimë qajnë për baballarët e vdekur, sa gra ngashërohen për djemtë e tyre të vrarë!
6 Nuk ka gjë më dëshpëruese e më të tmerrshme sesa shpërthimi i egërsisë njerëzore!
7 Ju porosis të gjithë ju t’i përqëndroni të gjitha mendimet e zemrës suaj te dashuria e uniteti. Kur vjen një mendim lufte, kundërvijuni atij me një mendim më të fortë paqeje. Një mendim urrejtjeje duhet fshirë me një mendim më të fuqishëm dashurie. Mendimet e luftës sjellin shkatërrimin e çdo harmonie, mirëqenieje, qetësie e kënaqësie.
8 Mendimet e dashurisë sjellin vëllazërim, paqe, miqësi e lumturi.
9 Kur ushtarë të botës nxjerrin shpatat për të vrarë, ushtarët e Perëndisë rrokin duart me njëri-tjetrin! Kështu u zhduktë gjithë egërsia e njeriut me anë të Mëshirës së Perëndisë, që vepron përmes të dëlirëve në zemër e të sinqertëve në shpirt. Mos mendoni se paqa e botës është një ideal i pamundur për t’u arritur!
10 Asgjë nuk është e pamundur për Dashamirësinë Hyjnore të Perëndisë.
11 Në qoftë se dëshironi me gjithë zemër miqësi me çdo racë mbi tokë, mendimi juaj, shpirtëror e pozitiv, do të përhapet; ai do të bëhet dëshirë e të tjerëve, do të forcohet gjithnjë e më shumë, derisa të arrijë mendjet e të gjithë njerëzve.
12 Mos u dëshpëroni! Punoni me zell. Sinqeriteti e dashuria do ta mposhtin urrejtjen. Sa ngjarje në dukje të pamundura po ndodhin në këto kohë! I ktheni fytyrat në mënyrë të qëndrueshme ndaj Dritës së Botës. Tregoni dashuri për të gjithë; “Dashuria është fryma e Shpirtit të Shenjtë në zemrën e Njeriut”. Kini kurajë! Perëndia kurrë nuk i braktis bijtë e Tij që përpiqen, punojnë e luten! Le të mbushen zemrat tuaja plot dëshirë të zellshme që qetësia dhe harmonia të rrethojnë këtë botë në gjendje lufte. Suksesi do të kurorëzojë përpjekjet tuaja, dhe bashkë me vëllazërimin botëror do të vijë Mbretëria e Perëndisë në paqe e dashamirësi.
13 Sot në këtë dhomë ka pjesëtarë të shumë racave, francezë, amerikanë, anglezë, gjermanë, italianë, vëllezër e motra që takohen në miqësi e harmoni! Le të jetë ky takim një paralajmërim i asaj që, me të vërtetë, do të ndodhë në këtë botë, kur bijtë e Perëndisë do ta kuptojnë se ata janë gjethe të një peme, lule të një kopshti, pika uji të një oqeani dhe bij e bija të një Ati, emri i të cilit është dashuri!
7. DIELLI I SË VËRTETËS
22 tetor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Është një ditë e bukur, dielli ndriçon me shkëlqim mbi tokë, duke u dhënë dritë e ngrohtësi të gjitha krijesave. Edhe Dielli i së Vërtetës gjithashtu ndriçon, duke u dhënë dritë e ngrohtësi shpirtrave të njerëzve. Dielli është ai që u jep jetë trupave fizikë të të gjitha krijesave mbi tokë; pa ngrohtësinë e tij rritja e tyre do të ndërpritej, zhvillimi i tyre do të ndalej, ata do të shpërbëheshin e do të vdisnin. Po kështu edhe shpirtrat e njerëzve kanë nevojë që Dielli i së Vërtetës të derdhë mbi ta rrezet e tij, t’i zhvillojë, t’i edukojë e t’i inkurajojë. Ashtu siç është dielli për trupin e njeriut, është Dielli i së Vërtetës për shpirtin e tij.
2 Një njeri mund të ketë arritur një shkallë të lartë përparimi material, por pa dritën e së vërtetës shpirti i tij nuk rritet e është i uritur. Një njeri tjetër mund të mos ketë dhunti materiale, mund të jetë në shkallën shoqërore më të ulët, por, duke qenë se ka marrë ngrohtësinë e Diellit të së Vërtetës, shpirti i tij është i madh dhe gjykimi i tij shpirtëror i ndriçuar.
3 Një filozof grek që ka jetuar në kohën e rinisë së Krishterimit, duke qenë i mbushur me elementin kristian, edhe pse nuk ishte një i krishterë i deklaruar, ka shkruar kështu: “Është bindja ime që feja përbën vetë themelin e qytetërimit të vërtetë”. Sepse po nuk u edukua karakteri moral i një kombi, si dhe truri e talentet e tij, qytetërimi nuk ka një bazë të sigurt.
4 Duke qenë se feja rrënjos moral, ajo është, pra, filozofia më e vërtetë dhe mbi të ndërtohet i vetmi qytetërim i qëndrueshëm. Ai merr si shembull të krishterët e asaj kohe, morali i të cilëve ishte i një niveli shumë të lartë. Besimi i këtij filozofi i përgjigjet së vërtetës, sepse qytetërimi i Krishterimit ishte më i miri e më i ndriçuari në botë. Mësimi Kristian ndriçohej nga Dielli Hyjnor i së Vërtetës, prandaj pasuesit e tij i mësonin që të donin të gjithë njerëzit si vëllezër, të mos i trembeshin asgjëje, as edhe vdekjes, të donin të afërmit e tyre si veten dhe të harronin interesat e veta egoiste në përpjekjet për të mirën më të madhe, atë të njerëzimit. Qëllimi i madh i fesë së Krishtit ishte të afronte zemrat e të gjithë njerëzve më pranë të Vërtetës së ndritshme të Perëndisë.
5 Në qoftë se pasuesit e Zotit Krisht do të kishin vazhduar të ndiqnin me besnikëri të patundur këto parime, nuk do të kishte nevojë për një ripërtëritje të Mesazhit Kristian, nuk do të ishte e nevojshme të rizgjohej populli i Tij, sepse një qytetërim i madh e i lavdishëm do të sundonte botën dhe Mbretëria e Qiellit do të kishte ardhur mbi tokë.
6 Por çfarë ndodhi në vend të kësaj! Njerëzit i kthyen shpinën ndjekjes së porosive hyjnisht të ndriçuara të Mjeshtrit të tyre dhe në zemrat e njerëzve zuri vend dimri. Sepse, ashtu si jeta e trupit të njeriut varet prej rrezeve të diellit, edhe virtytet qiellore nuk mund të rriten në shpirt pa rrezatimin e Diellit të së Vërtetës.
7 Perëndia nuk i lë bijtë e Vet të pangushëlluar dhe, kur errësira e dimrit i mbulon ata, Ai dërgon përsëri Lajmëtarët e Tij, Profetët, për të ripërtëritur pranverën e bekuar. Dielli i së Vërtetës del përsëri në horizontin e botës, duke ndriçuar sytë e atyre që janë në gjumë, duke i zgjuar ata që të soditin madhështinë e një agimi të ri. Atëherë përsëri pema e njerëzimit do të lulëzojë e do të japë frytin e drejtësisë për shërimin e kombeve. Për shkak se njeriu e ka bërë veshin të shurdhër ndaj Zërit të së Vërtetës dhe i ka mbyllur sytë për Dritën e Shenjtë, duke braktisur Ligjin e Perëndisë, errësira e luftës dhe e trazirës, e çrregullimit dhe e mjerimit, ka shkretuar tokën. Unë lutem që ju të gjithë të përpiqeni të sillni çdo bir të Perëndisë nën rezatimin e Diellit të së Vërtetës, që errësira të shpërndahet nga rrezet depërtuese të lavdisë së tij dhe ashpërsia e të ftohtit e dimrit të treten nga ngrohtësia e mëshirshme e shkëlqimit të tij.
8. DRITA E SË VËRTETËS SHKËLQEN TANI MBI LINDJEN DHE PERËNDIMIN
E hënë, 23 tetor
1 Kur një njeri ka gjetur gëzimin e jetës në një vend, ai kthehet po në atë vend që të gjejë edhe më gëzim. Kur një njeri ka gjetur ar në një minierë, ai kthehet përsëri po në atë minierë që të gërmojë për të gjetur edhe më ar.
2 Kjo tregon forcën e brendshme dhe instinktin natyror që Perëndia i ka dhënë njeriut dhe fuqinë e energjisë jetësore që është e lindur tek ai.
3 Perëndimi gjithmonë ka marrë ndriçim shpirtëror nga Lindja. Kë nga e Mbretërisë është dëgjuar fillimisht në Lindje, por në Perëndim ka shpërthyer vëllimi më i madh i tingujve në veshët e atyre që dëgjojnë.
4 Zoti Krisht u ngrit si një Yll i shndritshëm në qiellin Lindor, por drita e Mësimeve të Tij shkëlqeu në mënyrë më të plotë në Perëndim, ku ndikimi i Tij ka lëshuar rrënjë më të qëndrueshme dhe Kauza e Tij është përhapur në një shkallë më të gjerë sesa në vendlindjen e Tij.
5 Tingulli i këngës së Krishtit ka jehuar mbi të gjitha vendet e botës perëndimore dhe ka hyrë në zemrat e njerëzve të saj.
6 Njerëzit e Perëndimit janë të qëndrueshëm dhe themelet mbi të cilat ata ndërtojnë janë prej shkëmbi; ata janë të paepur dhe nuk harrojnë lehtë.
7 Perëndimi është si një pemë e fortë dhe e patundur; kur shiu bie lehtë mbi të për ta ushqyer dhe dielli ndrit mbi të, atëherë ajo lulëzon në kohën e duhur dhe jep fryte të mira. Ka kaluar një kohë e gjatë qysh kur Dielli i së Vërtetës i pasqyruar nga Zoti Krisht ka lëshuar rrezet e tij mbi Perëndimin, sepse Fytyra e Perëndisë ka qenë mbuluar nga mëkati dhe harresa e njeriut. Por tani përsëri, lëvduar qoftë Perëndia, Shpirti i Shenjtë i flet sërish botës! Yllësia e dashurisë, e urtisë dhe e fuqisë po shndrit përsëri nga Horizonti Hyjnor për t’i dhënë gëzim të gjithë atyre që e kthejnë fytyrën ndaj Dritës së Perëndisë. Bahá’u’lláh-u e ka grisur perden e paragjykimit e të bestytnisë që po u zinte frymën shpirtrave të njerëzve. Le t’i lutemi Perëndisë që fryma e Shpirtit të Shenjtë t’u japë përsëri njerëzve shpresë e mbështetje, duke zgjuar tek ata dëshirën për të bërë Vullnetin e Perëndisë. Le të gjallërohen zemra e shpirti te çdo njeri: kështu të gjithë ata do të ngazëllehen në një lindje të re.
8 Atëherë njerëzimi do të veshë një rrobë të re në rrezëllimin e dashurisë së Perëndisë dhe ky do të jetë agimi i një krijimi të ri! Atëherë Mëshira e Mëshirëplotit do të bjerë mbi mbarë njerëzimin dhe njerëzit do të ngrihen në një jetë të re.
9 Dëshira ime më e zjarrtë është që të gjithë ju të përpiqeni e të punoni për këtë qëllim të lavdishëm; që ju të jeni besnikë e punonjës të dashuruar në ndërtimin e qytetërimit të ri shpirtëror; që të zgjedhurit e Perëndisë të jenë të gatshëm të çojnë përpara me bindje e plot gëzim qëllimin e Tij suprem! Suksesi është me të vërtetë i afërt, sepse Flamuri i Hyjnisë është ngritur lart dhe Dielli i Drejtësisë së Perëndisë ka dalë mbi horizont në sytë e të gjithë njerëzve!
9. DASHURIA UNIVERSALE
24 tetor
Një indian i tha ‘Abdu’l-Bahá-it:
‘Qëllimi im në jetë është t’i transmetoj botës, aq sa është brenda meje, mesazhin e Krishnës.’
1 ‘Abdu’l-Bahá-i tha: Mesazhi i Krishnës është mesazhi i dashurisë. Të gjithë profetët e Perëndisë kanë sjellë mesazhin e dashurisë. Asnjëri prej tyre nuk ka menduar kurrë se lufta dhe urrejtja janë të mira. Secili pajtohet me thënien se dashuria dhe mirësjellja janë më mirë.
2 Dashuria e shfaq realitetin e saj në vepra, e jo vetëm në fjalë, të cilat pa të parat nuk kanë ndonjë efekt. Që dashuria të mundë të shfaqë pushtetin e saj, duhet të ketë një objekt, një mjet, një motiv.
3 Ka shumë mënyra për të shprehur parimin e dashurisë; ka dashuri për familjen, për vendin, për racën, ka entutiazëm politik, është gjithashtu dashuria për t’i shërbyer interesit të përbashkët. Të gjitha këto janë mënyra e mjete për të treguar fuqinë e dashurisë. Pa të tilla mjete, dashuria nuk do të dukej, nuk do të dëgjohej, nuk do të ndihej—përgjithësisht nuk do të shprehej, nuk do të shfaqej! Uji e tregon fuqinë e tij në mënyra të ndryshme, duke shuar etjen, duke bërë që fara të mbijë, etj. Qymyri e shpreh një prej parimeve të tij në dritën me gas, kurse fuqia e elektricitetit tregohet në dritën elektrike. Po të mos kishte as gas as elektricitet, netët e botës do të ishin errësirë! Pra, është e nevojshme të ketë një mjet, një motiv për shfaqjen e dashurisë, një objekt, një mënyrë shprehjeje.
4 Ne duhet të gjejmë një mënyrë për përhapjen e dashurisë midis bijve të njerëzimit.
5 Dashuria është e pakufizuar, e paanë, e pakufishme! Sendet materiale janë të kufizuara, të përvijuara, të kufishme. Njeriu nuk mund ta shprehë në mënyrë të përshtatshme dashurinë e pakufishme me mjete të kufizuara.
6 Dashuria e përsosur ka navojë për një mjet joegoist, krejt të lirë nga vargonj të çdo lloji. Dashuria për familjen është e kufizuar; lidhja e marrëdhënieve të gjakut nuk është lidhja më e fortë. Shpesh pjesëtarë të së njëjtës familje nuk pajtohen, madje e urrejnë njëri-tjetrin.
7 Atdhedashuria është e kufishme; dashuria për vendin e vet që shkakton urrejtje për gjithë të tjerët nuk është dashuri e përsosur! Edhe bashkatdhetarët nuk janë të lirë nga grindjet me njëri-tjetrin.
8 Dashuria e racës është e kufizuar; ka këtu njëfarë bashkimi, por ai nuk është i mjaftueshëm. Dashuria duhet të jetë e lirë nga kufijtë!
9 Të duash racën tënde mund të dojë të thotë urrejtje për gjithë të tjerët, madje edhe njerëzit e së njëjtës racë shpesh nuk e duan njëri-tjetrin.
10 Dashuria politike është gjithashtu e lidhur me urrejtjen e një partie për një tjetër; kjo dashuri është shumë e kufizuar dhe e pasigurt.
11 Dashuria për t’ shërbyer interesit të përbashkët po kështu luhatet; shpesh herë lind konkurrenca, e cila çon në xhelozi dhe me kohë dashurinë e zëvendëson urrejtja.
12 Disa vjet më parë, Turqia dhe Italia kishin mirëkuptim politik miqësor; tani janë në luftë!
13 Të gjitha këto lidhje dashurie janë të papërsosura. Është e qartë se lidhjet e kufizuara materiale janë të pamjaftueshme të shprehin në mënyrë të përshtatshme dashurinë universale.
14 Dashuria e madhe joegoiste për njerëzimin nuk është e kufizuar nga asnjë prej këtyre lidhjeve të papërsosura, gjysmëegoiste; ajo është e vetmja dashuri e përsosur, e mundur për gjithë njerëzimin dhe mund të arrihet vetëm falë fuqisë së Shpirtit të Shenjtë. Asnjë fuqi e kësaj bote nuk mund të përmbushë dashurinë universale.
15 Le të jemi të gjithë të bashkuar në këtë fuqi Hyjnore të dashurisë! Le të përpiqemi të gjithë të rritemi në dritën e Diellit të së Vërtetës dhe, duke e reflektuar këtë dashuri të shndritshme në gjithë njerëzit, le të bashkohen zemrat e tyre aq fort saqë ata të jenë përgjithmonë në rrezëllimin e dashurisë së pakufishme.
16 Kujtojini këto fjalë që po ju them gjatë kohës së shkurtër që ndodhem midis jush në Paris. Unë ju këshilloj seriozisht: mos i lini zemrat tuaja të lidhen me gjërat materiale të kësaj bote; Unë ju porosis të mos qëndroni të kënaqur në shtratin e shkujdesjes, robër të materies, por ngrihuni dhe çlirohuni nga vargonjt e saj!
17 Krijesa shtazore është robinë e materies, Perëndia i ka dhënë njeriut liri. Kafsha nuk mund t’i shpëtojë ligjit të natyrës, ndërsa njeriu mund ta mbajë atë nën kontroll, sepse ai, duke pasur në vetvete të gjitha vetitë e natyrës, mund të ngrihet mbi të.
18 Fuqia e Shpirtit të Shenjtë, duke ndriçuar mendjen e njeriut, e ka bërë atë të aftë të zbulojë mjete për t’ia nënshtruar shumë ligje natyrore vullnetit të tij. Ai fluturon në ajër, lundron në det, madje lëviz edhe nën ujë.
19 Të gjitha këto provojnë sesi mendja e njeriut është bërë e aftë ta çlirojë atë nga kufizimet e natyrës dhe të zgjidhë shumë prej mistereve të saj. Njeriu, deri në njëfarë shkalle, i ka këputur vargonjt e materies.
20 Shpirti i Shenjtë do t’i japë njeriut fuqi më të mëdha se këto, mjafton që ai të priret pas gjërave të shpirtit dhe të përpiqet ta akordojë zemrën e tij me dashurinë e pakufishme Hyjnore.
21 Kur ju doni një pjesëtar të familjes suaj ose një bashkatdhetar, le të bëhet kjo me një rreze të Dashurisë së Pakufishme! Le të jetë kjo në Perëndinë dhe për Perëndinë! Kudo që gjeni atributet e Perëndisë duajeni atë person, i familjes suaj apo i një tjetre qoftë. Përhapeni dritën e një dashurie të pakufi mbi çdo qenie njerëzore që takoni, qoftë i vendit tuaj, i racës suaj, i partisë suaj politike, ose i një tjetër kombi, ngjyre ose ngjyrimi politik. Qielli do t’ju mbështesë ndërkohë që punoni për këtë grumbullim të popujve të shpërndarë të botës nën hijen e tendës së gjithëfuqishme të unitetit.
22 Ju do të jeni shërbëtorë të Perëndisë, të cilët rrinë pranë Tij, ndihmës hyjnorë të Tij në shërbim, që i shërbejnë gjithë Njerëzimit. Gjithë Njerëzimit! Çdo qenieje njerëzore! Kurrë mos e harroni këtë!
23 Mos thoni ai është italian, ose francez, ose amerikan, ose anglez, kujtoni vetëm që ai është një bir i Perëndisë, një shërbëtor i Më të Lartit, një njeri! Të gjithë janë njerëz! Harrojini kombësitë; të gjithë janë të barabartë në sytë e Perëndisë!
24 Mos kujtoni kufizimet tuaja; ndihma e Perëndisë do t’ju vijë. Harroni veten tuaj. Ndihma e Perëndisë me siguri do të vijë!
25 Kur ju kërkoni Mëshirën e Perëndisë, në pritje që t’ju mbështesë, forca juaj do të dhjetëfishohet.
26 Më shikoni mua: Unë jam kaq i dobët, por kam pasur forcën që më është dhënë për të ardhur midis jush: një shërbëtor i mjerë i Perëndisë, të cilit i është dhënë mundësia t’u sjellë juve këtë mesazh! Unë nuk do të qëndroj gjatë me ju! Njeriu kurrë nuk duhet të shohë dobësinë e vet, është forca e Shpirtit të Shenjtë të Dashurisë që jep fuqinë për të mësuar njerëzit. Mendimi për dobësinë e vet mund t’i sjellë njeriut vetëm dëshpërim. Ne duhet të shikojmë më lart se të gjitha mendimet tokësore; shkëputeni veten nga çdo ide materiale, dëshironi gjërat e shpirtit; ngulini sytë te Mëshira bujare e përjetshme e Fuqiplotit, që do të mbushë zemrat tuaja me ngazëllimin e shërbimit të gëzuar ndaj urdhrit të Tij ‘Duajeni njëri-tjetrin’.
10. BURGIMI I ‘ABDU’L-BAHÁ-IT
4 Avenue de Camoëns,
E mërkurë, 25 tetor
1 Më vjen keq që ju lashë të prisnit këtë mëngjes, por kam pasur kaq shumë gjëra për të bërë brenda një kohe të shkurtër për Kauzën e dashurisë së Perëndisë.
2 Juve nuk do t’ju vijë keq që u detyruat të prisnit pak për të më takuar. Unë kam pritur për vite e vite të tëra në burg, që të mund të vija t’ju takoj juve tani.
3 Mbi të gjitha, lavdi Zotit, zemrat tona janë gjithnjë të bashkuara dhe me një qëllim janë avitur pranë dashurisë së Perëndisë. Falë bujarisë së Mbretërisë, dëshirat tona, zemrat tona dhe shpirtrat tanë a nuk janë bashkuar në një cak të vetëm? Lutjet tona a nuk janë për grumbullimin së bashku të të gjithë njerëzve në harmoni? Pra, a nuk jemi ne gjithmonë së bashku?
4 Dje në mbrëmje, kur unë erdha në shtëpi nga shtëpia e Zotit Drejfus, isha shumë i lodhur, e megjithatë nuk fjeta, qëndrova shtrirë duke menduar.
5 Thashë, O Perëndi, jam këtu në Paris! Ç’është Parisi dhe cili jam Unë? Kurrë nuk kisha endërruar nga errësira e burgut tim se do të jem ndonjëherë në gjendje të vi këtu te ju, megjithëse kur më lexuan dënimin tim unë nuk e besova atë.
6 Ata më thanë se Abdyl Hamiti [‘Abdu’l-Hamíd][2] kishte urdhëruar burgimin tim të përjetshëm, dhe unë thashë, ‘Kjo është e pamundur! Në qoftë se Abdyl Hamiti do të ishte i pavdekshëm, një dënim i tillë mund edhe të zbatohej. Është e sigurt se ndonjë ditë unë do të jem i lirë. Trupi im mund të jetë i burgosur për një kohë, por Abdyl Hamiti nuk ka pushtet mbi shpirtin tim, ai duhet të mbetet i lirë, atë asnjeri nuk mund ta burgosë’.
7 I liruar nga burgu nga Fuqia e Perëndisë, unë takova këtu miqtë e Perëndisë dhe i jam mirënjiohës Atij.
8 Le të përhapim Kauzën e Perëndisë, për të cilën unë jam përndjekur.
9 Ç’privilegj është për ne të takohemi këtu në liri. Ç’lumturi është për ne që Perëndia ka vendosur që të punojmë së bashku për ardhjen e Mbretërisë!
10 A jeni ju të kënaqur që prisni një mysafir të tillë, të liruar nga burgu, për t’ju sjellë juve Mesazhin e lavdishëm? Atë që kurrë nuk mund ta mendonte se një takim i tillë është i mundur! Tani me Hir të Perëndisë, falë Pushtetit të Tij të mahnitshëm, unë, që isha i dënuar me burgim të përjetshëm në një qytet të largët të Lindjes, jam këtu në Paris duke biseduar me ju!
11 Që tash e tutje ne do të jemi gjithmonë bashkë, me mish e me shpirt, duke çuar përpara punën derisa të gjithë njerëzit të mblidhen së bashku nën hijen e tendës së Mbretërisë, duke kënduar këngë të paqes.
11. DHUNTIA MË E MADHE E PERËNDISË PËR NJERIUN
E enjte, 26 tetor
1 Dhuntia më e madhe e Perëndisë për njeriun është ajo e intelektit, apo e gjykimit.
2 Gjykimi është fuqia me anën e së cilës njeriu fiton dijet për mbretëritë e ndryshme të krijimit dhe për fazat e ndryshme të ekzistencës, si dhe të shumë gjërave që janë të padukshme.
3 Duke zotëruar këtë dhunti, ai është në vetvete shuma e krijimeve të mëparshme, ai është në gjendje të hyjë në lidhje me këto mbretëri; dhe me anë të kësaj dhuntie, ai, përmes dijes së tij shkencore, mund të bëjë zbulime me vizion profetik.
4 Intelekti është, me të vërtetë, dhuntia më e çmuar që i është dhënë njeriut nga Bujaria Hyjnore. Vetëm njeriu, midis qenieve të krijuara, e ka këtë aftësi të mahnitshme.
5 Çdo krijim që i ka paraprirë njeriut është i lidhur nga ligji i rreptë i natyrës. Dielli i madh, yjet e panumërt, oqeanet e detet, malet, lumenjtë, drurët dhe të gjitha kafshët, të mëdha e të vogla, asnjë nuk është në gjendje t’i shmanget bindjes ndaj ligjit të natyrës.
6 Vetëm njeriu ka liri dhe, me anë të gjykimit apo intelektit të tij, ka qenë në gjendje të vendosë nën kontroll ose t’ua përshtasë nevojave të veta disa prej atyre ligjeve të natyrës. Me fuqinë e intelektit të tij ai ka zbuluar mjete me anën e të cilave ai jo vetëm përshkon kontinenete të mëdha me trena ekspres dhe u bie kryq e tërthor oqeaneve të paanë me anije, por, ashtu si peshqit, udhëton nën ujë me nëndetëse dhe, duke imituar shpendët, fluturon në ajër me aeroplanë.
7 Njeriu ka arritur të përdorë energjinë elektrike në disa mënyra—për dritë, si forcë lëvizëse, për dërgimin e mesazheve nga një anë e tokës në një tjetër, dhe me anë të elektricitetit ai mundet madje të dëgjojë një zë nga shumë milje larg.
8 Falë kësaj dhuntie të gjykimit apo intelektit, ai ka qenë gjithashtu në gjendje të përdorë rrezet e diellit për të pikturuar njerëz e sende, madje edhe për të kapur formën e trupave qiellorë të largët.
9 Ne shohim në ç’rrugë të shumta njeriu ka qenë në gjendje t’ia nënshtrojë forcat e natyrës vullnetit të tij.
10 Sa e pikëllueshme është kur sheh sesi njeriu e ka përdorur dhuntinë e dhënë nga Perëndia për të krijuar mjete lufte, për të shkelur Porosinë e Perëndisë ‘Mos vrit’ dhe për t’iu kundërvënë urdhrit të Krishtit ‘Duajeni njëri-tjetrin’.
11 Perëndia ia ka dhënë këtë aftësi njeriut që ai ta përdorë për të çuar përpara qytetërimin, për të mirën e njerëzimit, për të shtuar dashurinë, harmoninë dhe paqen. Por njeriu parapëlqen ta përdorë këtë dhunti për të shkatërruar në vend që të ndërtojë, për padrejtësi e shtypje, për urrejtje, konflikte e rrënime, për vrasjen e njerëzve të tjerë, për të cilët Krishti ka porositur t’i duash si veten tënde!
12 Unë shpresoj se ju do ta përdorni gjykimin tuaj për të mbështetur unitetin dhe qetësinë e njerëzimit, për të ndriçuar e qytetëruar njerëzit, për të ngjallur dashuri tek të gjithë rreth jush dhe për të sjellë paqen universale.
13 Studioni shkencat, fitoni gjithnjë e më shumë dije. Padyshim, njeriu mund të mësojë deri në fund të jetës së tij! Përdoreni kurdoherë dijen tuaj në të mirën e të tjerëve; kështu lufta do të pushojë mbi faqen e kësaj toke të bukur dhe një godinë madhështore paqeje e harmonie do të ngrihet. Përpiquni që idealet tuaja të larta të realizohen në Mbretërinë e Perëndisë mbi tokë, ashtu si dhe në Qiell.
12. RETË QË ERRËSOJNË DIELLIN E SË VËRTETËS
4 Avenue de Camoëns,
E premte në mëngjes, 27 tetor
1 Është ditë e bukur, ajri është i pastër, dielli ndriçon, as mjegulla as retë nuk errësojnë shkëlqimin e tij.
2 Këto rreze të ndritshme depërtojnë në të gjitha pjesët e qytetit; kështu le të ndiçojë Dielli i së Vërtetës mendjet e njerëzve.
3 Krishti ka thënë ‘Ata do të shohin Birin e Njeriut duke ardhur mbi retë e Qiellit’[3] Bahá’u’lláh-u ka thënë ‘Kur Krishti erdhi herën e parë, Ai erdhi mbi retë’ Krishti tha se Ai kishte ardhur nga lart, nga Qielli[4]—se kishte ardhur nga Perëndia—në një kohë që Atë e kishte lindur Maria, Nëna e Tij. Por kur Ai tha se kishte ardhur nga Qielli, është e qartë se nuk kishte parasysh kupën e kaltër qiellore, por e kishte fjalën për Qiellin e Mbretërisë së Perëndisë dhe se nga ky Qiell Ai kishte zbritur mbi retë. Ashtu si retë janë pengesa për shkëlqimin e diellit, po kështu retë e botës së njerëzimit fshehin nga sytë e njerëzve ngriçimin e Hyjnisë së Krishtit.
4 Njerëzit thonin ‘Ai është nga Nazareti, e ka lindur Maria, ne e njohim Atë dhe njohim vëllezërit e Tij. Ç’ka parasysh Ai? Çfarë thotë Ai? Se Ai ka ardhur nga Perëndia?’[5]
5 Trupin e Krishtit e lindi Maria nga Nazareti, por Shpirti ishte nga Perëndia. Aftësitë e trupit njerëzor të Tij ishin të kufizuara, por fuqia e shpirtit të Tij ishte e madhe, e pafundme, e pamatshme.
6 Njerëzit pyesnin ‘Pse thotë Ai se vjen nga Perëndia?’ Po ta kishin kuptuar realitetin e Krishtit, ata duhet ta dinin se trupi i natyrës njerëzore të Tij ishte një re që fshihte Hyjninë e Tij. Bota shihte vetëm formën njerëzore të Tij, prandaj habitej sesi Ai mund të kishte ‘zbritur nga Qielli’.
7 Bahá’u’lláh-u ka thënë ‘Ashtu si retë fshehin diellin dhe qiellin nga vështrimi ynë, po kështu natyra njerëzore e Krishtit fshehu nga njerëzit karakterin e Tij të vërtetë Hyjnor’.
8 Unë shpresoj se ju do t’i ktheni sytë tuaj të pamjegulluar ndaj Diellit të së Vërtetës, pa parë gjërat tokësore, që zemrat tuaja të mos tërhiqen drejt kënaqësive të kota e kalimtare të kësaj bote; le t’ju japë ai Diell nga forca e Tij, atëherë retë e paragjykimeve nuk do të mbulojnë ndriçimin e Tij nga sytë tuaj! Atëherë Dielli do të jetë për ju pa re.
9 Thithni ajrin e dëlirësisë. Marrçi të gjithë ju pa përjashtim pjesë në Bujaritë Hyjnore të Mbretërisë së Qielit. Le të mos jetë bota për ju pengesë që fsheh të vërtetën nga shikimi juaj, si trupi njerëzor i Krishtit fshehu Hyjninë e Tij nga njerëzit e kohës së Tij. Fitofshi një vizion të qartë të Shpirtit të Shenjtë, që zemrat tuaja të ndriçohen dhe të jenë në gjendje të njohin Diellin e së Vërtetës që ndriçon përmes të gjitha reve materiale, duke mbuluar gjithësinë me shkëlqimin e Tij.
10 Le të mos errësojnë gjërat trupore dritën qiellore të shpirtit, që falë Bujarisë Hyjnore ju të hyni me bijtë e Perëndisë në Mbretërinë e Tij të Përjetshme.
11 Kjo është lutja ime për të gjithë ju.
13. PARAGJYKIMET FETARE
27 tetor
1 Baza e mësimeve të Bahá’u’lláh-ut është Uniteti i Njerëzimit dhe dëshira e Tij më e madhe ishte që dashuria e vullneti i mirë të jetojnë në zemrat e njerëzve.
2 Duke qenë se Ai i paralajmëronte njerëzit të flakin tej grindjet e mosmarrëveshjet, Unë dua t’ju shpjegoj juve arsyen kryesore të trazirave midis kombeve. Shkaku kryesor është shtrembërimi i fesë nga drejtuesit dhe mësuesit e fesë. Ata i mësojnë pasuesit e tyre të besojnë se forma e tyre e fesë është e vetmja që ka pëlqimin e Perëndisë dhe se pasuesit e çdo bindjeje tjetër janë të dënuar nga Ati Gjithëdashurues dhe nuk gëzojnë Mëshirën e Hirin e Tij. Kështu që midis popujve lindin mospranimi, përçmimi, grindjet e urrejtja. Po të flakeshin tutje këto paragjykime fetare, kombet shpejt do të gëzonin paqen e harmoninë.
3 Isha një herë në Tiberias, ku çifutët kanë një Tempull. Unë rrija në një shtëpi që ndodhej tamam përballë Tempullit dhe atje pashë e dëgjova një rabin që i fliste një tubimi çifutësh dhe thoshte kështu:
4 ‘O çifutë, ju me të vërtetë jeni populli i Perëndisë! Të gjitha racat dhe fetë e tjera janë të djallit. Perëndia ju ka krijuar si pasardhësit e Abrahamit dhe ka reshur mbi ju bekimet e Tij. Te ju Perëndia dërgoi Moisiun, Jakovin dhe Josifin, si dhe mjaft profetë të tjerë të mëdhenj. Këta profetë, të gjithë pa përjashtim, kanë qenë të racës suaj.
5 ‘Pikërisht për ju Perëndia theu pushtetin e Faraonit dhe bëri që Deti i Kuq të thahet; gjithashtu juve ju dërgoi nga lart manën, që ta kishit si ushqim, dhe nga shkëmbi nxorri ujë që ju të shuanit etjen. Ju jeni me të vërtetë populli i zgjedhur i Perëndisë, ju jeni mbi të gjitha racat e tokës! Prandaj, të gjitha racat e tjera janë të neveritshme për Perëndinë dhe të dënuara prej Tij. Me të vërtetë ju do të sundoni e do të nënshtroni botën dhe të gjithë njerëzit do të bëhen skllevërit tuaj.
6 ‘Mos u përlyeni duke u shoqëruar me njerëz që nuk janë të fesë suaj, mos u bëni miq me njerëz të tillë’.
7 Kur rabini e përfundoi fjalimin e tij domethënës, dëgjuesit e tij u mbushën gjithë gëzim e kënaqësi. Është e pamundur t’jua përshkruaj lumturinë e tyre!
8 Mjerisht! Janë të gabuarit si këta shkaku i ndarjes e i urrejtjes mbi tokë. Sot ka miliona njerëz që ende adhurojnë idhuj dhe fetë e mëdha të botës janë në luftë me njëra-tjetrën. Për 1300 vjet të krishterët dhe myslimanët kanë qenë në grindje, kur me një përpjekje fare të vogël dallimet e mosmarrëveshjet e tyre mund të kapërceheshin dhe midis tyre të ekzistonin paqja e harmonia dhe bota të ishte e qetë!
9 Në Kuran lexojmë se Muhameti u ka folur pasuesve të tij dhe u ka thënë:
10 ‘Pse ju nuk besoni te Krishti e te Ungjilli? Përse ju nuk i pranoni Moisiun dhe Profetët, sepse me siguri Bibla është libri i Perëndisë? Në të vërtetë, Moisiu ishte një Profet sublim dhe Jezusi ishte i mbushur me Shpirtin e Shenjtë. Ai erdhi në botë me anë të Fuqisë së Perëndisë, u lind nga Shpirti i Shenjtë dhe nga e bekuara Virgjëreshë Maria. Maria, nëna e Tij, ishte një shenjtore nga Qielli. Ajo i kaloi ditët e saj në Tempull duke u lutur dhe ushqimi i dërgohej asaj nga lart. I ati i saj, Zaharia, erdhi tek ajo dhe e pyeti se nga vinte ushqimi, dhe Maria u përgjigj “Nga lart”. Sigurisht Perëndia bëri që Maria të lartësohet mbi të gjitha gratë e tjera.’ [6]
11 Ja se ç’u mësonte njerëzve të vet Muhameti për Jezusin dhe Moisiun, dhe Ai i qortonte ata sepse nuk kishin besim te këta Mësues të mëdhenj e u mësonte atyre mësimet e së vërtetës e të tolerancës. Muhameti u dërgua nga Perëndia për të punuar në gjirin e një populli aq të egër e të paqytetëruar sa dhe shtazët e egra. Atyre u mungonte fare gjykimi dhe as kishin ata ndjenja të dashurisë, të simpatisë e të mëshirës. Gratë ishin aq të degraduara e të përçmuara, saqë një burrë mund ta varroste të gjallë vajzën e tij dhe ai kishte aq shumë gra që të ishin skllave të tij sa i mbushej mendja.
12 Midis këtyre njerëzve gjysmë kafshë Muhameti u dërgua me Mesazhin e Tij hyjnor. Ai i mësonte njerëzit se adhurimi i idhujve ishte i gabuar, por ata duhej të nderonin Krishtin, Moisiun dhe Profetët. Nën ndikimin e Tij ata u bënë njerëz më të ndriçuar e të qytetëruar dhe u ngritën nga gjendja e degraduar në të cilën Ai i kishte gjetur ata. A nuk ishte kjo një punë e mirë e që meriton çdo lavdërim, respekt e dashuri?
13 Shihni Ungjillin e Zotit Krisht sesa i lavdishëm është! E megjithatë, edhe sot njerëzit nuk e kuptojnë dot bukurinë e tij të paçmuar dhe i keqinterpretojnë fjalët e urta të tij.
14 Krishti e ndalonte luftën! Kur dishepulli Pjetër, duke menduar të mbronte Zotin e tij, i preu veshin shërbëtorit të Kryepriftit, Krishti i tha atij: ‘Fute shpatën në mill’[7] E megjithatë, në kundërshtim me urdhrin e drejtpëdrejtë të Zotit që thonë se i shërbejnë, njerëzit ende grinden, bëjnë luftë e vrasin njëri-tjetrin, dhe këshillat e mësimet e Tij duken krejt të harruara.
15 Pra, mos i atribuoni Mësuesve e Profetëve punët e liga të pasuesve të tyre. Në qoftë se priftërinjtë, mësuesët dhe njerëzit bëjnë një jetë që është në kundërshtim me fenë që ata thonë se ndjekin, a është ky faji i Krishtit ose i Mësuesve të tjerë?
16 Njerëzit e Islamit i mësonin të kuptonin sesi Jezusi kishte ardhur nga Perëndia dhe ishte lindur nga Shpirti dhe se Ai duhet lëvduar mbi të gjithë njerëzit. Moisiu ishte një Profet i Perëndisë dhe reveloi në kohën e Tij e për popullin tek i cili u dërgua Librin e Perëndisë.
17 Muhameti e njihte madhërinë sublime të Krishtit dhe madhështinë e Moisiut e të profetëve. Sikur mbarë bota të njihte mashështinë e Muhametit e të të gjithë Mësuesve të dërguar nga Qielli, grindjet e dizarmonia shpejt do të shuheshin nga faqja e dheut dhe Mbretëria e Perëndisë do të vinte midis njerëzve.
18 Njerëzit e Islamit që lëvdojnë Krishtin nuk poshtërohen duke e bërë këtë.
19 Krishti ishte Profeti i të krishterëve, Moisiu i çifutëve—përse pasuesit e çdo profeti të mos njohin e nderojnë edhe profetët e tjerë? Sikur njerëzit të mësonin mësimin e tolerancës së ndërsjellë, të mirëkuptimit e të dashurisë vëllazërore, uniteti i botës do të bëhej shpejt një fakt i provuar.
20 Bahá’u’lláh-u e harxhoi jetën e Tij duke u mësuar njerëzve këtë mësim të Dashurisë e të Unitetit. Atëherë le të flakim tej nga ne çdo paragjykin e mostolerancë dhe të përpiqemi me gjithë zemër e shpirt të ngjallim mirëkuptimin e unitetin midis të krishterëve e myslimanëve.
14. TË MIRAT QË I SJELL NJERIUT PERËNDIA
4 Avenue de Camoëns,
27 tetor
1 Vetëm Perëndia urdhëron të gjitha gjërat dhe është i gjithëfuqishëm. Përse, pra, Ai u dërgon sprova shërbëtorëve të Vet?
2 Sprovat e njeriut janë dy llojesh. (a) Pasoja të vetë veprimeve të tij. Në qoftë se një njeri ha shumë, ai dëmton tretjen; në qoftë se pi helm, ai sëmuret ose vdes. Në qoftë se një njeri luan kumar, ai do të humbasë paratë; në qoftë se pi shumë, do të humbë drejtpeshimin. Të gjitha këto vuajtje shkaktohen nga vetë njeriu, pra është fare e qartë që disa hidhërime janë rezultat i vetë bëmave tona.
3 (b) Ka vuajtje të tjera që bien mbi Besnikët e Perëndisë. Shihni vuajtjet e mëdha që ranë mbi Krishtin dhe apostujt e Tij!
4 Ata që vuajnë më shumë arrijnë përsosurinë më të madhe.
5 Ata që deklarojnë se kanë dëshirë të vuajnë shumë për hir të Krishtit duhet të provojnë sinqeritetin e tyre; ata që shpallin dëshirën e zjarrtë për të bërë sakrifica të mëdha mund ta provojnë vërtetësinë e tyre me bëmat e veta. Jovi e provoi ndershmërinë e dashurisë së tij për Perëndinë duke qëndruar besnik gjatë mjerimit të tij të madh, po ashtu si dhe gjatë mirëqenies së jetës së tij. Apostujt e Krishtit, që përballuan me vendosmëri të gjitha sprovat e vuajtjet, a nuk provuan ata besnikërinë e tyre? A nuk qe durimi i tyre prova më e mirë?
6 Këto hidhërime tani kanë marrë fund.
7 Kajfai bënte një jetë të rehatshme e të lumtur, ndërkohë që jeta e Pjetrit ishte plot hidhërime e sprova; cili nga këta të dy është për të pasur më shumë zili? Me siguri, ne do të zgjidhnim gjendjen e tanishme të Pjetrit, sepse ai zotëron jetë të pavdekshme, ndërsa Kajfai ka fituar turpin e përjetshëm. Sprovat e Pjetrit vunë në provë besnikërinë e tij. Sprovat janë përfitime që vijnë nga Perëndia, për të cilat ne duhet ta falënderojmë Atë. Vuajtja e hidhërimi nuk vijnë te ne rastësisht, ato na janë dërguar neve nga Mëshira Hyjnore për vetë përsosjen tonë.
8 Ndërsa një njeri është i lumtur, ai mund ta harrojë Perëndinë e tij; por kur vjen vuajtja dhe hidhërimet e pushtojnë atë, atëherë ai kujton Atin e tij që është në qiell dhe që është në gjendje ta çlirojë atë nga poshtërimet.
9 Njerëzit që nuk vuajnë nuk arrijnë përsosuri. Pema që krasitet më shumë nga kopshtarët është ajo që, kur vjen vera, do të ketë lulet më të bukura dhe frutat më të shumta.
10 Bujku e punon tokën me plugun e tij dhe nga kjo tokë merret prodhim i pasur e me bollëk. Sa më shumë të dëliret njeriu, aq më i madh është prodhimi i virtyteve shpirtërore që shfaq ai. Një ushtarak nuk është gjeneral i mirë sakohë nuk ka qenë në ballë të betejës më të ashpër dhe nuk ka marrë plagët më të thella.
11 Lutja e profetëve të Perëndisë gjithmonë ka qenë dhe ende është: O Perëndi, unë dua shumë të jap jetën time në shtegun Tënd! Unë dëshiroj të derdh gjakun tim për Ty dhe të bëj flijimin suprem.
15. BUKURIA E HARMONIA NË SHUMËLLOJSHMËRI
28 tetor
1 Krijuesi i gjithçkaje është Perëndia i Vetëm.
2 Pikërisht nga ky Perëndi ka ardhur në ekzistencë gjithë krijimi dhe Ai është i vetmi synim drejt të cilit priret me dëshirën më të madhe çdo gjë në natyrë. Ky koncept u mishërua në fjalët e Krishtit, kur Ai tha: ‘Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi’.[8] Njeriu është shuma e Krijimit dhe Njeriu i Përsosur është shprehja e mendimit tërësor të Krijuesit—Fjala e Perëndisë.
3 Shikoni botën e gjërave të krijuara, sa të larmishme e të ndryshme janë ato për nga llojet, e megjithatë kanë një prejardhje të vetme. Të gjitha dallimet që duken janë ato të formës së jashtme e të ngjyrës. Kjo shumëllojshmëri tipesh është e dukshme në tërë natyrën.
4 Vështroni një kopsht të bukur plot lule, kaçube e pemë. Çdo lule ka një hijeshi të ndryshme, një bukuri të veçantë, aromën e vet të këndshme dhe ngjyrën e mrekullueshme. Pemët gjithashtu, sa të larmishme janë për nga madhësia, zhvillimi, gjethet—dhe sa të ndryshme janë frutat që ato bartin! E megjithatë këto lule, kaçube e pemë dalin nga një tokë e vetme, i njëjti diell ndriçon mbi to dhe të njëjtat re u japin atyre shi.
5 Kështu është edhe me njerëzimin. Ai është i përbërë nga shumë raca dhe popujt e tij kanë ngjyrë të ndryshme, të bardhë, të zezë, të verdhë, zeshkane e të kuqe—por të gjitha ato e kanë prejardhjen nga i njëjti Perëndi dhe të gjithë janë shërbëtorë të Tij. Kjo shumëllojshmëri midis bijve të njerëzve fatkeqësisht nuk ka të njëjtin efekt siç ka midis krijimit bimor, ku fryma që duket është më e harmonishme. Midis njerëzve ekziston shumëllojshmëria e armiqësisë dhe pikërisht kjo shkakton luftë e urrejtje midis kombeve të ndryshme të botës.
6 Edhe dallime që janë vetëm të gjakut gjithashtu bëjnë që ata të zhdukin e të vrasin njëri-tjetrin. Mjerisht, kjo është ende kështu. Le të shohim ne më mirë bukurinë në shumëllojshmëri, bukurinë e harmonisë dhe të mësojmë nga krijimi bimor. Në qoftë se do të shihnit një kopsht në të cilin të gjitha bimët të jenë të njëjta për nga forma, ngjyra e aroma, ai nuk do t’ju dukej juve aspak i bukur, përkundrazi monoton e i mërzitshëm. Kopshti që kënaq syrin dhe që gëzon zemrën është ai kopësht në të cilin rriten përkrah njëra-tjetrës lule të ngjyrave, formave e aromave të ndryshme, dhe është pikërisht kontrasti i gëzueshëm i ngjyrave që u jep atyre hijeshi e bukuri. Po kështu është edhe me pemët. Një pemtore plot pemë frutore është një kënaqësi; kështu është edhe një plantacion i mbjellur me shumë lloje kaçubash. Është pikërisht shumëllojshmëria e larmia që përbën hijeshinë e tij; çdo lule, çdo pemë, çdo frutë, përveç që është e bukur në vetvete, nxjerr në pah me anë të kontrastit cilësitë e të tjerave dhe shfaq në një dritë të mirë hijeshinë e secilës e të të gjithave.
7 Kështu duhet të jetë edhe midis bijve të njerëzve! Shumëllojshmëria në familjen njerëzore duhet të sjellë dashuri e harmoni, siç ndodh në muzikë, ku shumë nota të ndryshme ndërthuren së bashku duke bërë një akord të përsosur. Në qoftë se takoni njerëz të një race e ngjyre të ndryshme nga ju vetë, mos shprehni mosbesim ndaj tyre dhe mos u mbyllni në guackën tuaj të konvencionit, përkundrazi gëzohuni dhe tregoni mirësjellje ndaj tyre. Mendojini ata si trëndafila të ngjyrave të ndryshme që rriten në lulishten e bukur të njerëzimit dhe gëzohuni që ndodheni midis tyre.
8 Po kështu, kur takoni njerëz që kanë mendime të ndryshme nga tuajat, mos ktheni kokën mënjanë prej tyre. Të gjithë kërkojnë të vërtetën dhe ka shumë rrugë që të çojnë tek ajo. E vërteta ka shumë aspekte, por ajo mbetet kurdoherë e përgjithmonë një.
9 Mos lejoni që dallimet në pikëpamjet ose shumëllojshmëria e mendimit t’ju ndajnë nga njerëzit e tjerë ose të bëhen shkak grindjeje, urrejtjeje e konflikti në zemrat tuaja.
10 Përkundrazi, kërkoni me zell të vërtetën dhe i bëni të gjithë njerëzit miq tuaj.
11 Çdo godinë përbëhet prej shumë gurësh të ndryshëm, por secili varet nga tjetri deri në atë shkallë që po të çvendoset një prej tyre do të dëmtohej e gjithë godina; në qoftë se një është me cen, tërë struktura është e papërsosur.
12 Bahá’u’lláh-u ka përvijuar rrethin e unitetit, Ai ka bërë një skicë për bashkimin e të gjithë popujve dhe për grumbullimin e të gjithë atyre nën strehën e tendës së unitetit universal. Kjo është vepra e Bujarisë Hyjnore dhe të gjithë ne duhet të përpiqemi me mish e me shpirt derisa të kemi realitetin e unitetit midis nesh, dhe ashtu si punojmë, po ashtu do të na jepet neve forcë. Lini mënjanë çdo mendim për vetveten dhe përpiquni vetëm të jeni të bindur e të nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë. Vetëm kështu ne do të bëhemi qytetarë të Mbretërisë së Perëndisë dhe të arrijmë jetën e pasosur.
16. DOMETHËNIA E VËRTETË E PROFECIVE LIDHUR ME ARDHJEN E KRISHTIT
30 tetor
1 Në Biblën ka profeci për ardhjen e Krishtit. Çifutët ende presin ardhjen e Mesisë dhe natë e ditë i luten Perëndisë që ta shpejtojë këtë ardhje.
2 Kur Krishti erdhi, ata e dënuan publikisht dhe e vranë atë, duke thënë: ‘Ky nuk është Ai që presim ne. Ja, kur të vijë Mesia, shenja dhe mrekulli do të dëshmojnë se Ai është me të vërtetë Krishti. Ne i dimë shenjat e kushtet, dhe ato nuk u shfaqën. Mesia do të dalë nga një qytet i panjohur. Ai do të rrijë në fronin e Davidit dhe, ja, Ai do të vijë me një shpatë çeliku e do të sundojë me një skeptër të hekurt! Ai do të përmbushë ligjin e Profetëve, Ai do të pushtojë Lindjen dhe Perëndimin dhe do të lartësojë popullin e Tij të zgjedhur, çifutët. Ai do të sjellë me vete një mbretëri paqeje, gjatë së cilës madje edhe shtazët do të pushojnë së qëni në armiqësi me njeriun. Sepse ja, ujku dhe qengji do të pinë në të njëjtin burim, dhe luani e drenusha do të prehen në të njëjtën kullotë, gjarpri dhe miu do të banojnë në të njëjtën fole dhe të gjitha krijesat e Perëndisë do të jenë në qetësi’.
3 Sipas çifutëve, Jezu Krishti nuk përmbushi asnjë prej këtyre kushteve, sepse i kishin sytë të lidhur dhe ata nuk shihnin dot.
4 Ai vinte nga Nazareti, e jo nga një vend i panjohur. Ai nuk kishte në dorë shpatë, madje as edhe një shkop. Ai nuk rrinte në fronin e Davidit, por ishte një njeri i varfër. Ai ndryshoi ligjet e Moisiut dhe shkeli Ditën e Sabatit [dmth të Shtunën si ditë pushimi e çifutëve—shën. i përkth.]. Ai nuk pushtoi Lindjen dhe Perëndimin, por iu nënshtrua Ai Vetë Ligjit Romak. Ai nuk lartësoi çifutët, por predikonte barazinë e vëllazërimin dhe qortoi skribët [interpretuesit e Biblës—shën. i përkth.] dhe farisenjtë. Ai nuk solli mbretëri të paqes, sepse gjatë jetës së Tij padrejtësia e mizoria arritën një kulm të tillë saqë edhe Ai Vetë u bë viktimë e saj dhe pësoi një vdekje të turpshme mbi kryq.
5 Kështu mendonin e flisnin çifutët, sepse ata nuk i kuptonin Shkrimet e as të vërtetat e lavdishme që përmbanin ato. Germat ata i dinin përmendësh, por përsa i përket frymës jetëdhënëse nuk kuptonin asnjë fjalë.
6 Mbani vesh dhe unë do t’ju tregoj domethënien e kësaj. Edhe pse vinte nga Nazareti, që ishte një vend i njohur, Ai vinte gjithashtu nga Qielli. Trupi i Tij u lind nga Maria, por Shpirti i Tij erdhi nga Qielli. Shpata që Ai mbante ishte shpata e gjuhës së Tij, me të cilën Ai ndau të mirën nga e keqja, të vërtetën nga e rrema, besimtarët nga të pafetë dhe dritën nga errësira. Fjala e tij ishte me të vërtetë një shpatë e mprehtë! Froni në të cilin Ai u ul ishte Froni i Përjetshëm nga i cili Krishti mbretëron përgjithmonë, një fron qiellor, e jo fron tokësor, sepse gjërat tokësore vdesin, kurse gjërat qiellore nuk vdesin. Ai rishpjegoi dhe plotësoi Ligjet e Moisiut dhe përmbushi Ligjet e Profetëve. Fjala e Tij pushtoi Lindjen dhe Perëndimin. Mbretëria e Tij është e përjetshme. Ai lartësoi ata çifutë që e njohën Atë. Ata ishin burra e gra nga shtresa të ulëta, por kontakti me Të i bëri ata të mëdhenj dhe u dha dinjitet të pasosur. Shtazët që do të jetonin me njëra-tjetrën kishin kuptimin e sekteve e të racave të ndryshme, të cilat, pasi kishin qenë në luftë, tani do të jetonin në dashuri e butësi, duke pirë së bashku ujët e jetës nga Krishti Burimi i Përjetshëm.
7 Pra, të gjitha profecitë shpirtërore që kishin të bënin me ardhjen e Krishtit u përmbushën, por çifutët i mbyllën sytë dhe nuk shihnin dot, mbyllën edhe veshët e nuk dëgjonin, dhe Realiteti Hyjnor i Krishtit kaloi midis tyre i padëgjuar, i padashur e i panjohur.
8 Është e lehtë t’i lexosh Shkrimet e Shenjta, por vetëm me një zemër të pastër e me një mendje të dëlirë njeriu mund të kuptojë domethënien e tyre të vërtetë. Le t’i lutemi Perëndisë të na japë mundësi të kuptojmë Librat e Shenjtë. Le të lutemi për sy që shohin, për veshë që dëgjojnë dhe për zemra që dëshirojnë paqe.
9 Mëshira e përjetshme e Perëndisë është e pamatur. Ai gjithmonë ka zgjedhur shpirtra mbi të cilët ka derdhur Bujarinë Hyjnore të zemrës së Tij, mendjet e të cilëve i ka ndriçuar me dritë qiellore, të cilëve u ka reveluar misteret e shenjta dhe ka mbajtur të pastër para syve të tyre Pasqyrën e së Vërtetës. Këta janë dishepujt e Perëndisë dhe mirësia e Tij nuk ka kufi. Ju që jeni shërbëtorë të Më të Lartit gjithashtu mund të jeni dishepuj. Thesaret e Perëndisë janë pa fund.
10 Fryma që vjen përmes Shkrimeve të Shenjta është ushqim për të gjithë ata që janë të uritur. Perëndia, Që u ka dhënë revelacionin Profetëve të Tij, me siguri do t’u japë nga bujaria e Tij bukë të përditshme të gjithë atyre që i luten Atij me besnikëri.
17. SHPIRTI I SHENJTË, FUQIA NDËRMJETËSE MIDIS PERËNDISË E NJERIUT
4 Avenue de Camoëns,
31 tetor
1 Realiteti Hyjnor është i pakonceptueshëm, i pakufishëm, i përjetshëm, i pavdekshëm dhe i padukshëm.
2 Bota e krijimit është e kufizuar nga ligji natyror, e fundme dhe e vdekshme.
3 Realiteti i Pafundmë nuk mund të thuhet se ngjitet ose zbret. Ai është tej gjykimit të njeriut dhe nuk mund të përshkruhet me terma që i përshtaten sferës së dukurive të botës së krijuar.
4 Pra, njeriu ka nevojë të madhe për Fuqinë e vetme falë së cilës është në gjendje të marrë ndihmë nga Realiteti Hyjnor, sepse vetëm ajo Fuqi e vë atë në kontakt me Burimin e çdo lloj jete.
5 Për të vënë në lidhje me njëri-tjetrin dy skajet është i nevojshëm një ndërmjetës. Pasuria e varfëria, bollëku e nevoja: pa një fuqi ndërmjetëse nuk mund të ketë lidhje midis këtyre çifteve të kundërtash.
6 Pra mund të themi se duhet një Ndërmjetës midis Perëndisë dhe Njeriut, dhe ky s’është tjetër por Shpirti i Shenjtë, i cili e vë tokën e krijuar në lidhje me ‘të Pakonceptueshmin’, Realitetin Hyjnor.
7 Realiteti Hyjnor mund të përqaset me diellin dhe Shpirti i Shenjtë me rrezet e diellit. Ashtu si rrezet e diellit i japin dritën e ngrohtësinë, duke i dhënë jetë të gjitha krijesave, ashtu edhe ‘Manifestimet’[9] sjellin fuqinë e Shpirtit të Shenjtë nga Dielli Hyjnor i Realitetit për t’i dhënë dritë e jetë shpirtrave të njerëzve.
8 Shihni, ka një ndërmjetës të nevojshëm midis diellit dhe tokës; dielli nuk zbret në tokë, dhe as toka nuk ngjitet te dielli. Ky kontakt bëhet me anë të rrezeve të diellit, i cili sjell dritë, ngrohtësi e nxehtësi.
9 Shpirti i Shenjtë është Drita nga Dielli i së Vërtetës, që i sjell, me fuqinë e tij të pafund, jetë e ndriçim mbarë njerëzimit, duke i mbushur të gjithë shpirtrat me Rrezatim Hyjnor, duke ia përçuar bekimet e Mëshirës së Perëndisë gjithë botës. Toka, pa ndërmjetësinë e ngrohtësisë e të dritës së rrezeve të diellit, nukdo të kishte ndonjë dobi nga dielli.
10 Po kështu, Shpirti i Shenjtë është vetë shkaku i jetës së njeriut; pa Shpirtin e Shenjtë ai nuk do të kishte intelekt, nuk do të ishte në gjendje të merrte dijet e tij shkencore, falë të cilave ai ka fituar ndikimin e vet të madh mbi pjesën tjetër të krijimit. Ndriçimi i Shpirtit të Shenjtë i jep njeriut fuqinë e mendimit dhe mundësinë për të bërë zbulime, me anën e të cilave ai ia nënshtron ligjet e natyrës vullnetit të tij.
11 Shpirti i Shenjtë është ai që, me ndërmjetësinë e Profetëve të Perëndisë, i mëson njeriut virtytet shpirtërore dhe i jep atij mundësinë për të arritur Jetën e Amshuar.
12 Të gjitha këto bekime ia sjell njeriut Shpirti i Shenjtë; prandaj e kuptojmë që Shpirti i Shenjtë është Ndërmjetësi midis Krijuesit dhe të krijuarit. Drita dhe nxehtësia e diellit e bëjnë tokën të frytshme dhe krijojnë jetën në të gjitha gjërat që rriten; dhe Shpirti i Shenjtë gjallëron shpirtrat e njerëzve.
13 Dy apostujt e mëdhenj, Shën Pjetri dhe Shën Gjon Ungjillori, ishin dikur punëtorë të thjeshtë e të përvuajtur që rropateshin për bukën e përditshme. Falë Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, shpirtrat e tyre u ndriçuan dhe ata morën bekimet e përjetshme të Zotit Krisht.
18. DY NATYRAT E NJERIUT
1 nëntor
1 Sot në Paris është një ditë e gëzuar! Po kremtohet Festa e ‘Gjithë Shenjtorëve’. Si mendoni ju, përse të gjithë këta njerëz quheshin ‘Shenjtorë’? Kjo fjalë ka një domethënie shumë reale. Shenjtori është një njeri që bën një jetë të dëlirë, një njeri që e ka çliruar veten nga të gjitha dobësitë e papërsosuritë njerëzore.
2 Te njeriu ka dy natyra; natyra e tij shpirtërore ose më e lartë dhe natyra e tij materiale ose më e ulët. Me njërën ai i avitet Perëndisë, me tjetrën jeton vetëm për botën. Te njerëzit ka shenja të të dyja këtyre natyrave. Në aspektin e tij material, ai shpreh të pavërtetën, egërsi e pdrejtësi; të gjitha këto janë pasojë e natyrës së tij më të ulët. Atributet e natyrës së tij Hyjnore dalin në pah në dashurinë, mëshirëm, dashamirësinë, të vërtetën e drejtësinë, duke qenë të gjitha pa përjashtim shprehje të natyrës së tij më të lartë. Çdo zakon i mirë, çdo veti fisnike i përket natyrës shpirtërore të njeriut, ndërsa të gjitha papërsosuritë e veprimet mëkatare janë pjellë e natyrës së tij materiale. Në qoftë se te një njeri mbizotëron natyra Hyjnore, kemi një shenjtor.
3 Njeriu ka aftësinë si për të bërë mirë dhe për të bërë keq; në qoftë se mbizotëron aftësia e tij për të bërë mirë dhe prirjet e tij për të bërë keq mposhten, atëherë njeriu në të vërtetë mund të quhet shenjtor. Por në qoftë se, në të kundërtën, ai hedh poshtë gjërat e Perëndisë dhe lejon që ta pushtojnë pasionet e liga, atëherë ai nuk është më i mirë se thjesht një shtazë.
4 Shenjtorë janë njerëzit që e kanë çliruar veten nga bota e materies dhe që e kanë kapërcyer mëkatin. Ata jetojnë në botë, por nuk janë të kësaj bote, mendimet e tyre janë vazhdimisht në botën e shpirtit. Jetët e tyre shpenzohen në shenjtëri dhe veprat e tyre tregojnë dashuri, drejtësi e përshpirtní. Ata janë të ndriçuar nga lart; ata janë të ndritur si llamba të shndritshme në vendet e errëta të tokës. Këta janë shenjtorët e Perëndisë. Apostujt, që ishin dishepujt e Jezu Krishtit, ishin krejt njëlloj si njerëzit e tjerë; ata, si shokët etyre, tërhiqeshin nga gjërat e kësaj bote dhe secili mendonte vetëm për përfitimin e vet. Ata pak merrnin vesh nga drejtësia dhe as gjendeshin midis tyre përsosuritë Hyjnore. Por kur ata shkuan pas Krishtit dhe besuan tek Ai, padituria e tyre ia lëshoi vendin gjykimit, egërsia u shndërrua në drejtësi, e rrema në të vërtetë, errësira në dritë. Ata kishin qenë tokësorë dhe u bënë shpirtërorë e hyjnorë. Ata kishin qenë fëmijë të errësirës dhe u bënë bij të Perëndisë, u bënë shenjtorë! Prandaj përpiquni të shkoni në gjurmët e tyre, duke lënë pas çdo gjë të kësaj bote dhe duke u përpjekur të arrini në Mbretërinë Shpirtërore.
5 Lutjuni Perëndisë që Ai t’ju forcojë në virtytin hyjnor, që ju të jeni si engjëj në botë dhe fenerë ndriçues për t’u zbuluar misteret e Mbretërisë atyre që kanë zemra që kuptojnë.
6 Perëndia i ka dërguar Profetët e Tij në botë për të mësuar e ndriçuar njeriun, për t’i shpjeguar atij misterin e Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, për ta bërë atë të aftë të pasqyrojë dritën dhe kështu ai, nga ana e tij, të jetë burim udhërrëfimi për të tjerët. Librat Qiellorë, Bibla, Kurani dhe Shkrimet e tjera të Shenjta, janë dhënë nga Perëndia si udhëheqje në shtigjet e virtytit Hyjnor, të dashurisë, të drejtësisë e të paqes.
7 Prandaj unë ju them se ju duhet të përpiqeni të ndiqni këshillat e këtyre Librave të Bekuar dhe t’i rregulloni jetët tuaja në mënyrë të tillë që, duke ndjekur shembullin që qëndron para jush, të bëheni edhe ju vetë shenjtorë të Më të Lartit.
19. PËRPARIMI MATERIAL DHE SHPIRTËROR
2 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Ç’mot i bukur sot, qielli është i pastër, shkëlqen dielli dhe kjo i jep gëzim zemrës së njeriut!
2 Një mot i tillë i ndritshëm e i bukur i jep jetë të re e forcë njeriut dhe, në qoftë se ai ka qenë i sëmurë, ndien edhe një herë në zemër shpresën e gëzueshme që shëndeti do t’i përtërihet. Të gjitha këto dhurata të natyrës kanë të bëjnë me anën fizike të njeriut, sepse është vetëm trupi i tij që mund të ketë dobi materiale.
3 Në qoftë se një njeri ka sukses në punën, mjeshtrinë ose profesionin e tij, falë kësaj ai është në gjendje të rritë mirëqenien e tij fizike dhe t’i sigurojë trupit të tij ato lehtësira e rehati që i japin kënaqësi. Rreth e rrotull nesh shohim sot sesi njeriu e rrethon veten me çdo komoditet e luks modern dhe nuk i mohon asgjë anës fizike e materiale të natyrës së tij. Por kini kujdes se mos, duke menduar me zell të tepruar për gjërat e trupit, harroni gjërat e shpirtit: sepse përfitimet materiale nuk e ngrejnë shpirtin e njeriut. Përsosuria në gjërat e kësaj bote është gëzim për trupin e njeriut, por kurrsesi nuk lartëson shpirtin e tij.
4 Mund të ndodhë që një njeriu që ka çdo të mirë materiale dhe që jeton i rrethuar nga të gjitha komoditetet që mund t’i sigurojë atij qytetërimi modern, i mohohet dhuntia tepër e rëndësishme e Shpirtit të Shenjtë.
5 Është me të vërtetë një gjë e mirë dhe e lavdërueshme të përparosh materialisht, por duke bërë këtë të mos lëmë pas dore përparimin edhe më të rëndësishëm shpirtëror dhe të mos mbyllim sytë ndaj dritës Hyjnore që shkëlqen midis nesh.
6 Vetëm duke u përmirësuar shpirtërisht, si dhe materialisht, ne mund të kemi përparim të vërtetë dhe të bëhemi qenie të përsosura. Pikërisht për të sjellë këtë jetë shpirtërore e këtë dritë në botë janë shfaqur të gjithë Mësuesit e mëdhenj. Ata erdhën që Dielli i së Vërtetës të manifestohej e të ndriçonte në zemrat e njerëzve dhe që falë fuqisë së tij të mrekullueshme njerëzit të mund të arrinin Dritën e Pasosur.
7 Kur erdhi Zoti Krisht, Ai përhapi dritën e Shpirtit të Shenjtë në gjithçka rreth Tij, dhe dishepujt e Tij e të gjithë ata që morën ndriçimin e Tij u bënë qenie të ndriçuara, shpirtërore.
8 Pikërisht për të manifestuar këtë dritë lindi dhe erdhi në këtë botë Bahá’u’lláh-u. Ai u mësoi njerëzve të Vërtetën e Përjetshme dhe përhapi rrezet e Dritës Hyjnore në të gjitha vendet.
9 Mjerisht! shihni sesi njeriu e shpërfill këtë Dritë. Ai ende ecën në rrugën e tij të errësirës e të përçarjes, dhe grindjet e lufta e egër janë ende të përhapura.
10 Ai e përdor përparimin material për të kënaqur epshin e tij për luftë dhe bën mjete e pajisje shkatërrimtare për të asgjësuar vëllanë e vet njeri.
11 Në të kundërtën, le të përpiqemi për të arritur përfitime shpirtërore, sepse kjo është rruga e vetme e përparimit të vërtetë, të atij përparimi që vjen nga Perëndia e që vetëm ai është Hyjnor.
12 Unë lutem për të gjithë ju pa përjashtim, që të mund të merrni Dhuratat e Shpirtit të Shenjtë; kështu ju do të bëheni me të vërtetë të ndriçuar dhe do të ecni githnjë përpara e më lart drejt Mbretërisë së Perëndisë. Atëherë zemrat tuaja do të jenë të përgatitura të marrin lajmin e gëzuar, sytë tuaj do të hapen dhe ju do të shihni Lavdinë e Perëndisë; veshët tuaj do të çelen dhe ju do të dëgjoni thirrjen e Mbretërisë, dhe me gjuhë elokuente do t’u bëni thirrje njerëzve për të realizuar Pushtetin Hyjnor e Dashurinë e Perëndisë!
20. EVOLUCIONI I MATERIES DHE ZHVILLIMI I SHPIRTIT
3 nëntor
1 Në Paris po bëhet shumë ftohtë, aq ftohtë saqë së shpejti unë do të detyrohem të largohem, por ngrohtësia e dashurisë suaj më mban ende këtu. Dashtë Perëndia, shpresoj të qëndroj ende edhe ca midis jush; ftohtësia dhe nxehtësia trupore nuk mund të prekin shpirtin, sepse ai ngrohet nga zjarri i dashurisë së Perëndisë. Kur e kuptojmë këtë, ne fillojmë të kuptojmë diçka nga jeta jonë në botën e ardhshme.
2 Perëndia na ka dhënë neve një njohje paraprake këtu, na ka dhënë disa prova të dallimit që ekziston midis trupit, shpirtit dhe frymës.
3 Ne shohim se të ftohtët, të nxehtit, vuajtja etj. kanë të bëjnë vetëm me trupin, ato nuk prekin shpirtin.
4 Sa herë shohim ne një njeri të varfër, të sëmurë, të veshur keq e pa mjete jetese, e megjithatë shpirtërisht të fortë. Çfarëdo që të vuajë trupi, shpirti i tij është i lirë e mbahet mirë! E po kështu, sa herë shohim ne një njeri të pasur, fizikisht të fortë e të shëndetshëm, por me shpirt të sëmurë deri në vdekje.
5 Është fare e qartë për mendjen që sheh se shpirti i njeriut është diçka krejt e ndryshme nga trupi fizik i tij.
6 Shpirti është i pandryshueshëm, i pashkatërrueshëm. Përparimi dhe zhvillimi i shpirtit, gëzimi dhe hidhërimi i shpirtit janë të pavarur nga trupi fizik.
7 Në qoftë se na shkaktohet gëzim ose dhimbje nga një mik, në qoftë se një dashuri del e vërtetë ose e rreme, është shpirti që preket. Në qoftë se të dashurit tanë janë larg nesh—është shpirti që hidhërohet, dhe hidhërimi ose shqetësimi i shpirtit mund të veprojë mbi trupin.
8 Pra, kur shpirti ushqehet me virtyte të shenjta, atëherë trupi është i gëzuar; në qoftë se shpirti bie në mëkat, trupi vuan!
9 Kur ndeshim të vërtetën, qëndrueshmëri, besnikëri e dashuri, ne jemi të lumtur; por në qoftë se ndeshim gënjeshtrën, pabesi e mashtrim, ne ndiehemi fatkeqë.
10 Këto të gjitha janë gjëra që kanë të bëjnë me shpirtin dhe nuk janë sëmundje trupore. Është, pra, e qartë se shpirti, ashtu si dhe trupi, ka individualitetin e vet. Por në qoftë se trupi pëson një ndryshim, shpirti nuk ka përse të preket. Kur thyen një xham në të cilin shkëlqen dielli, xhami thyhet, por dielli ende shkëlqen! Në qoftë se një kafaz me një zog brenda shkatërrohet, zogu nuk dëmtohet! Në qoftë se një llambë thyhet, flaka ende mund të ndriçojë!
11 E njëjta gjë ndodh me shpirtin e njeriut. Edhe pse vdekja e shkatërron trupin e tij, ajo nuk ka fuqi mbi shpirtin e tij—ky është i përjetshëm, i pasosur, nuk ka as lindje as vdekje.
12 Përsa i përket shpirtit të njeriut pas vdekjes, ai mbetet në shkallën e pastërtisë tek e cila ka evoluar gjatë jetës në trupin fizik, dhe pasi çlirohet nga trupi mbetet i zhytur në oqeanin e Mëshirës së Perëndisë.
13 Që nga çasti që shpirti ikën nga trupi dhe arrin në Botën Qiellore, evolucioni i tij është shpirtëror dhe ky evolucion është: Afrimi pranë Perëndisë.
14 Në krijimin fizik, evolucioni kryhet nga një shkallë përsosurie te një tjetër. Minerali kalon me përsosuritë e tij minerale te bota bimore; bima, me përsosuritë e saj, kalon në botën shtazore, e kështu me radhë te ajo e njerëzisë. Kjo botë është plot kontradikta në dukje; në secilën prej këtyre mbretërive (minerale, bimore dhe shtazore) jeta ekziston në shkallën e vet; megjithëse kur e krahason me jetën te njeriu toka duket si e vdekur, ajo megjithatë gjithashtu jeton dhe ka një jetë të vetën. Në këtë botë, gjërat jetojnë e vdesin, dhe jetojnë përsëri në forma të tjera të jetës, kurse në botën e shpirtit është krejt ndryshe.
15 Shpirti nuk evoluon nga një shkallë në një tjetër sipas ndonjë ligji; ai evoluon vetëm duke u avitur më pranë Perëndisë, falë Mëshirës e Mirësisë së Perëndisë.
16 Është lutja ime e zjarrtë që ne të gjithë të jemi në Mbretërinë e Perëndisë dhe pranë Tij.
21. TAKIMET SHPIRTËRORE NË PARIS
4 nëntor
1 Në gjithë Evropën njeriu dëgjon sot për mbledhje e asamble, dhe gjithfarë shoqatash janë formuar. Ka nga ato që janë të interesuara për tregtinë, shkencën dhe politikën, si dhe shumë të tjera. Të gjitha këto janë për shërbim material, ato dëshirojnë përparimin dhe ndriçimin e botës së materies. Por rrallë fryn mbi to ndonjë fllad nga bota e shpirtit. Duket se ato janë të pavetëdijshme për Zërin Hyjnor, të pavëmendshme përsa u përket gjërave të Perëndisë. Por ky takim në Paris është një takim i vërtetë shpirtëror. Flladi Hyjnor ka vërshuar midis jush, drita e Mbretërisë po shkëlqen në të gjitha zemrat. Dashuria Hyjnore e Perëndisë është një fuqi midis jush dhe me zemra të etura ju merrni lajmin e mirë të një gëzimi të madh.
2 Ju të gjithë jeni takuar këtu njëzëri, me zemra të bashkuara, me shpirtrat të mbushur plot dashuri Hyjnore, duke punuar e duke u dëshiruar për unitetin e botës.
3 Me të vërtetë kjo mbledhje është shpirtërore! Ajo i përngjet një kopshti të bukur plot aroma! Mbi të Dielli Qiellor lëshon rrezet e arta dhe ngrohtësia e tyre përshkon e gëzon çdo zemër që është në pritje. Dashuria e Krishtit, që kapërcen çdo dije, është midis jush, Shpirti i Shenjtë është ndihma juaj.
4 Nga dita në ditë ky takim do të rritet e do të bëhet më i fuqishëm, derisa shkallë-shkallë fryma e tij do të pushtojë botën mbarë!
5 Përpiquni me gjithë zemër të jeni kanale të gatshme për Bujarinë e Perëndisë. Sepse unë ju them se Ai ju ka zgjedhur ju të jeni lajmëtarët e Tij të dashurisë në mbarë botën, të jeni bartësit e dhuntive të Tij shpirtërore për njeriun, të jeni mjetet e përhapjes së unitetit e të harmonisë mbi tokë. Falënderoni me gjithë zemër Perëndinë që juve ju është dhënë një privilegj i tillë. Sepse një jetë kushtuar lavdërimit të Tij nuk është aq e gjatë për të falënderuar Perëndinë për një favor të tillë.
6 Ngrejini zemrat tuaja mbi të tashmen dhe shikoni me sytë e besimit në të ardhmen! Sot fara është mbjellë, kokrra bie mbi tokë, por ja, do të vijë dita kur do të ngrihet një pemë madhështore dhe degët e saj do të ngarkohen me fryte. Ngazëllehuni e gëzohuni që kjo ditë ka aguar, përpiquni të kuptoni fuqinë e saj, sepse ajo është me të vërtetë e mahnitshme! Perëndia ju ka kurorëzuar ju me nderim dhe në zemrat tuaja Ai ka vendosur një yll të ndritshëm; me të vërtetë drita e tij do të ndriçojë botën mbarë!
22. DY LLOJET E DRITËS
5 nëntor
1 Sot moti është i zymtë e i mërzitshëm! Në Lindje ka gjithmonë diell, yjet kurrë nuk vishen dhe atje ka pak re. Drita gjithmonë del në Lindje dhe përhap shkëlqimin e saj në Perëndim.
2 Ka dy lloje drite. Është drita e dukshme e diellit, me ndihmën e së cilës ne mund të shohim bukuritë e botës rreth nesh—pa të ne nuk do të mund të shihnim asgjë.
3 Megjithatë, edhe pse funksioni i kësaj drite është t’i bëjë gjërat të dukshme për ne, ajo nuk na jep aftësinë t’i shohim ato ose të kuptojmë cilat mund të jenë hiret e ndryshme të tyre, sepse kjo dritë nuk ka inteligjencë, nuk ka vetëdijë. Është drita e intelektit ajo që na jep neve dije e gjykim, dhe pa këtë dritë sytë fizikë do të ishin pa dobi.
4 Kjo dritë e intelektit është drita më e lartë që ekziston, sepse ajo ka lindur nga Drita Hyjnore.
5 Drita e intelektit na jep mundësi të kuptojmë e të marrim vetëdijë për çdo gjë që ekziston, por është vetëm Drita Hyjnore ajo që mund të na japë neve shikim për gjërat e padukshme dhe që na jep mundësi të shohim të vërteta që do të bëhen të dukshme për botën vetëm pas mijëra vjetësh.
6 Ishte Drita Hyjnore ajo që u dha mundësi profetëve të shohin dy mijë vjet më parë se çfarë do të ndodhte dhe ne shohim sot realizimin e vizionit të tyre. Pra, është kjo Dritë që ne duhet të përpiqemi të kërkojmë, sepse ajo është më e madhe se çdo dritë tjetër.
7 Ishte falë kësaj Drite që Moisiut iu dha mundësia të shihte e të kuptonte Pamjen Hyjnore dhe të dëgjonte Zërin Qiellor t’i fliste atij nga Driza e Përflakur.[10]
8 Pikërisht për këtë Dritë flet Muhameti kur thotë ‘Allahu është drita e Qiejve dhe e Tokës’.
9 Kërkoni me gjithë zemër këtë Dritë Hyjnore, që të bëheni të aftë të kuptoni realitetet, të njihni gjërat e fshehta të Perëndisë, që rrugët e fshehta të bëhen të dukshme para syve tuaj.
10 Kjo dritë mund të krahasohet me një pasqyrë, dhe ashtu si pasqyra pasqyron çdo gjë që ndodhet para saj, kjo Dritë u tregon syve të shpirtrave tanë çdo gjë që ekziston në Mbretërinë e Perëndisë dhe bën që realitetet e gjërave të bëhen të dukshme. Me ndihmën e kësaj Dritë të shkëlqyeshme tërë interpretimi shpirtëror i Shkrimeve të Shenjta është bërë i qartë, gjërat e fshehta të Universit të Perëndisë janë bërë të dukshme dhe neve na është dhënë mundësia të kuptojmë synimet Hyjnore për njeriun.
11 Unë lutem që Perëndia në mëshirën e Tij të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tuaj me Dritën e Tij të lavdishme, dhe atëherë secili prej jush do të shkëlqejë si një yll i shndritshëm në vendet e errëta të botës.
23. ASPIRATA SHPIRTËRORE NË PERËNDIM
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Ju jeni shumë të mirëpritur! Nga vendet e Lindjes unë kam ardhur në Perëndim për të qëndruar njëfarë kohe midis jush. Në Lindje shpesh thuhet se njerëzve në Perëndim u mungon natyra shpirtërore, por unë nuk pashë një gjë të tillë. Shyqyr Zotit, unë e shoh dhe e ndiej se ka shumë aspiratë shpirtërore midis popujve të Perëndimit dhe se në disa raste perceptimi i tyre shpirtëror është madje më i thellë sesa midis vëllezërve të tyre të Lindjes. Në qoftë se mësimi i dhënë në Lindje do të ishte përhapur në mënyrë të ndërgjegjshme në Perëndim, bota do të ishte sot një vend më i ndriçuar.
2 Megjithëse në të kaluarën të gjithë Mësuesit e mëdhenj Shpirtërorë kanë dalë në Lindje, atje ka ende shumë njerëz që u mungon krejtësisht fryma shpirtërore. Përsa u përket gjërave të shpirtit, këta njerëz janë aq pa jetë sa dhe një gur; dhe ata as që duan të jetë ndryshe, sepse mendojnë që njeriu është vetëm një formë më e lartë kafshe dhe që gjërat e Perëndisë nuk kanë të bëjnë me të.
3 Por ambicja e njeriut duhet të ngrihet mbi këtë, ai duhet gjithmonë të shohë më lart se vetvetja, gjithmonë lart e përpara, derisa falë Mëshirës së Perëndisë të arrijë në Mbretërinë e Qiellit. Ka edhe njerëz, sytë e të cilëve janë të hapur vetëm për përparimin fizik dhe për evolucionin në botën e materies. Këta njerëz parapëlqejnë të studiojnë ngjashmërinë midis trupit të vet fizik dhe atij të majmunit, në vend që të shohin lidhjen e mrekullueshme midis shpirtit të tyre dhe atij të Perëndisë. Kjo është me të vërtetë e habitshme, sepse vetëm nga ana fizike njeriu i përngjet krijesave më të ulëta, kurse nga pikëpamja e intelektit ai është krejt i ndryshëm prej tyre.
4 Njeriu përparon gjithmonë. Rrethi i dijeve të tij zgjerohet vazhdimisht dhe veprimtaria e tij mendore rrjedh përmes kanalesh të shumtë e të ndryshëm. Shihni ç’ka arritur njeriu në fushën e shkencës, mendoni për zbulimet e shumta e për shpikjet e panumërta të tij dhe për kuptimin e tij të thellë të ligjit të natyrës.
5 Në botën e artit është po kështu, dhe ky zhvillim i mahnitshëm i aftësive të njeriut bëhet gjithnjë më i shpejtë me kalimin e kohës. Sikur zbulimet, shpikjet dhe arritjet materiale e një mijë e pesëqind vjetëve të fundit të mund të mblidheshin së bashku, ju do të shihnit se ka pasur një përparim më të madh gjatë njëqind vjetëve të fundit sesa në katërmbëdhjetë shekujt e mëparshëm. Sepse shpejtësia me të cilën përparon njeriu rritet nga shekulli në shekull.
6 Fuqia e intelektit është një prej dhuntive më të mëdha që Perëndia i ka dhënë njeriut, ajo është fuqia që e bën atë një krijesë më të lartë se kafsha. Sepse ndërkohë që shekull pas shekulli e epokë pas epoke inteligjenca e njeriut rritet e bëhet më e thellë, ajo e kafshës mbetet e njëjta. Kafshët nuk janë më të zgjuara sot nga ç’ishin një mijë vjet më parë! A ka provë më të madhe se kjo për të treguar mosngjashmërinë e njeriut me kafshën? Kjo është e sigurt dhe e qartë si drita.
7 Përsa u përket përsosurive shpirtërore, ato janë e drejta e bashkëlindur e njeriut dhe i përkasin vetëm atij në gjithë krijimin. Njeriu është, në fakt, një qenie shpirtërore dhe vetëm kur jeton në shpirt ai është me të vërtetë i lumtur. Kjo dëshirë e perceptim shpirtëror u takon njëlloj të gjithë njerëzve, dhe është bindja ime e patundur që njerëzit e Perëndimit kanë një aspiratë të madhe shpirtërore.
8 Është lutja ime e zjarrtë që ylli i Lindjes të përhapë rrezet e tij të shndritshme në botën perëndimore dhe që njerëzit e Perëndimit të ngrihen me forcë, zell e guxim për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Lindje.
24. KONFERENCË E MBAJTUR NË NJË STUDIO NË PARIS
6 nëntor
1 Kjo është me të vërtetë një shtëpi Bahá’í. Sa herë gjendet një shtëpi, ose vend-takimi, e tillë, i jepet një ndihmë shumë e madhe zhvillimit të përgjithshëm të qytetit e të vendit të cilit i përket. Ajo inkurajon rritjen e diturisë e të shkencës dhe është e dobishme për frymën shpirtërore intensive e për dashurinë që përhap midis popujve.
2 Themelimi i një vend-takimi të tillë pasohet kurdoherë nga mbrothësia më e madhe. Asambleja e parë Bahá’í që ka ekzistuar në Teheran ka qenë veçanërisht e bekuar! Brenda një viti ajo u rrit aq shpejt, saqë anëtarët e saj e shtuan nëntëfish numrin e tyre fillestar. Sot në Persinë e largët ka shumë asamble të tilla ku miqtë e Perëndisë mblidhen së bashku me gëzimin, dashurinë e unitetin më të madh. Ata mësojnë Kauzën e Perëndisë, edukojnë të paditurit dhe bashkojnë zemrat në dashamirësi vëllazërore. Janë ata që ndihmojnë të varfërit e nevojtarët dhe u japin atyre bukën e përditshme. Ata i duan e kujdesen për të sëmurët dhe janë lajmëtarë të shpresës e të ngushëllimit për të mjerët e të shtypurit.
3 Oh, ju në Paris, përpiquni që asambletë tuaja të jenë kështu dhe të mund të japin fryte edhe më të mëdha!
4 Oh, miq të Perëndisë! Po qe se do të keni besim në Fjalën e Perëndisë dhe do të jeni të fortë; po qe se do të ndiqni porositë e Bahá’u’lláh-ut që të përkujdeseni për të sëmurët, të ngrini të rrëzuarit, të ndihmoni të varfërit e nevojtarët, t’u jepni strehë të braktisurve, të mbroni të shtypurit, të ngushëlloni të brengosurit dhe të doni me gjithë zemër njerëzimin, atëherë do t’ju them se së shpejti ky vend-takimi do të ketë të korra të mahnitshme. Nga dita në ditë çdo pjesëtar do të ecë përpara dhe do të bëhet gjithnjë e më shpirtëror. Por ju duhet të keni një themel të qëndrueshëm dhe qëllimet e synimet tuaja duhet të kuptohen qartë nga çdo pjesëtar. Ato duhet të jenë të tilla:
5 1. Të tregoni dhembshuri e dashamirësi për gjithë njerëzimin.
6 2. T’i shërbeni njerëzimit.
7 3. Të përpiqeni t’u tregoni udhën e të ndriçoni të gjithë ata që janë në errësirë.
8 4. Të jeni dashamirës me të gjithë dhe të tregoni dashuri për çdo shpirt të gjallë.
9 5. Të jeni të përunjur në qëndrimin tuaj ndaj Perëndisë, t’i luteni vazhdimisht Atij, në mënyrë që të vini çdo ditë më pranë Perëndisë.
10 6. Të jeni aq të devotshëm e të sinqertë në të gjitha veprimet tuaja, që çdo pjesëtar të njihet si mishërim i vetive të ndershmërisë, të dashurisë, të besimit, të dashamirësisë, të bujarisë e të guximit. Të jeni të shkëputur nga çdo gjë që nuk të afron te Perëndia, të ndieheni të tërhequr nga Fryma Qiellore, të keni një shpirt hyjnor; kështu që bota ta dijë se një Bahá’í është një qenie e përkryer.
11 Përpiquni ta arrini këtë në këto takime. Atëherë me të vërtetë e me gjithë mend ju, miqtë e Perëndisë, do të mblidheni së bashku me gëzim të madh! Jepini ndihmë njëri-tjetrit, bëhuni si një njeri i vetëm, duke arritur unitet të plotë.
12 I lutem Perëndisë që ju të përparoni çdo ditë shpirtërisht, që dashuria për Perëndinë të shfaqet gjithnjë e më shumë te ju, që mendimet e zemrave tuaja të dëliren dhe që fytyrat tuaja të jenë të kthyera gjithmonë ndaj Tij. Uroj të afroheni secili e të gjithë bashkë në pragun e unitetit dhe të hyni në Mbretërinë. Le të jetë secili prej jush si një pishtar i flakëruar, i ndezur e që digjet fort me zjarrin e Dashurisë për Perëndinë.
25. BAHÁ’U’LLÁH-U
7 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Sot do t’ju flas për Bahá’u’lláh-un. Në vitin e tretë pasi Báb-i kishte shpallur misionin e Tij, Bahá’u’lláh-u, i akuzuar nga mulla fanatikë se besonte në doktrinën e re, u arrestua e u fut në burg. Megjithatë, të nesërmen disa ministra të qeverisë e njerëz të tjerë me influencë bënë që Ai të lirohej. Më vonë Ai u arrestua përsëri dhe klerikët e dënuan Atë me vdekje! Guvernatori ngurronte ta zbatonte këtë dënim nga frika e ndonjë revolucioni. Klerikët u takuan në Xhaminë, para së cilës ndodhej vendi i ekzekutimit. Të gjithë banorët e qytetit u mblodhën turma-turma jashtë Xhamisë. Zdrukthtarët sollën sharrat e çekiçët, kasapët erdhën me thikat e tyre, ustallarët e ndërtuesit mbanin në sup lopatat; të gjithë këta njerëz, të ndërsyer nga mullatë e ndërkryer, ishin të etur të merrnin pjesë në nderin e vrasjes së Tij. Brenda në xhami ishin mbledhur doktorët e fesë. Bahá’u’lláh-u qëndronte para tyre dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve me urti të madhe. Veçanërisht Bahá’u’lláh-u ia mbylli krejtësisht gojën kryeteologut, duke hedhur poshtë të gjitha argumentet e tij.
2 Një diskutim lindi midis dy prej atyre klerikëve përsa u përket disa fjalëve në shkrimet e Báb-it; duke e akuzuar Atë për pasaktësi, ata sfiduan Bahá’u’lláh-un që ta mbronte po të ishte i zoti. Këta klerikë u poshtëruan krejtësisht, sepse Bahá’u’lláh-u provoi para gjithë asaj mbledhjeje se Báb-i kishte absolutisht të drejtë dhe se akuza ishte bërë nga injoranca.
3 Të mundurit e vunë Atë tani nën torturën e të rrahurit me shkop dhe, më të egërsuar se më parë, e nxorrën para mureve të Xhamisë, në vendin e ekzekutimit, ku njerëzit e çorientuar prisnin ardhjen e Tij.
4 Por Guvernatori ende druhej të zbatonte kërkesën e klerikëve për ekzekutimin e Tij. Duke e kuptuar rrezikun në të cilin ndodhej i burgosuri i nderuar, u dërguan disa njerëz për ta shpëtuar. Ata ia dolën mbanë duke shembur një copë muri të Xhamisë dhe duke e nxjerrë Bahá’u’lláh-un përmes kësaj të çare deri në një vend të sigurt, por jo në liri; pasi Guvernatori hoqi përgjegjësinë nga vetja duke e dërguar Atë në Teheran. Këtu Ai u burgos në një qeli të nëndheshme, ku kurrë nuk hynte drita e diellit. Një vargua i rëndë ishte vendosur në qafën e Tij, me anën e të cilit Ai lidhej me pesë Bahá’í të tjerë; këta vargonj ishin të mbërthyer fort së bashku me bullona e vida të forta e shumë të rënda. Rrobat e Tij ishin bërë copë e çikë, po ashtu dhe festja e Tij. Në këto kushte të tmerrshme Ai u mbajt për katër muaj.
5 Gjatë kësaj kohe asnjë prej miqve të Tij nuk e takonte dot Atë.
6 Një nga zyrtarët e burgut bëri një orvatje për Ta helmuar, por veç vuajtjeve të mëdha që i shkaktoi, helmi nuk bëri efekt.
7 Pas njëfarë kohe qeveria e liroi Atë dhe e syrgjynosi me gjithë familje në Bagdad, ku Ai qëndroi njëmbëdhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe Ai iu nënshtrua përndjekjeve të ashpra, i rrethuar nga urrejtja e pareshtur e armiqve të Tij.
8 Ai i duroi të gjitha të këqiat e vuajtjet me kurajon e qëndresën më të madhe. Shpesh herë, kur ngrihej në mëngjes, Ai nuk dinte as nëse do të jetonte deri në perëndim të diellit. Ndërkohë, çdo ditë vinin klerikë dhe e merrnin Atë në pyetje lidhur me fenë dhe metafizikën.
9 Më së fundi, guvernatori turk e syrgjynosi atë në Konstantinopojë, prej nga u dërgua në Adrianopojë; aty Ai qëndroi pesë vjet. Përfundimisht, Ai u dërgua në fortesën e largët burg të Shën Gjonit të Akrës [St. Jean d’Acre]. Këtu Ai u burgos në pjesën ushtarake të fortesës dhe u mbajt nën mbikqyrjen më të rreptë. Nuk gjej dot fjalë që t’ju tregoj për sprovat e shumta që Ai pësoi dhe për tërë të këqiat që duroi në atë burg. Megjithatë, pikërisht nga ky burg Bahá’u’lláh-u u shkroi të gjithë monarkëve të Evropës, dhe këto letra, me përjashtim të njërës, u dërguan me postë.
10 Letra drejtuar Nasredin Shahut [Násiri’d-Dín Sháh] iu besua një Bahá’í persian, Mirza Badi Horasanit [Mírzá Badí’ Khurásání], i cili mori përsipër t’ia dorëzonte vetë Shahut në dorë. Ky burrë trim priti në afërsi të Teheranit që të kalonte Shahu, i cili kishte ndërmend të udhëtonte asaj rruge për në Pallatin Veror të tij. Lajmëtari i guximshëm e ndoqi Shahun deri në Pallatin e tij dhe priti disa ditë në rrugë afër hyrjes. Atë e shihnin gjithmonë në të njëjtin vend duke pritur në rrugë, derisa njerëzit filluan të vrisnin mendjen përse ai rrinte atje. Më në fund, Shahu dëgjoi për të dhe i urdhëroi shërbëtorët e vet që t’ia sillnin atë njeri.
11 “O shërbëtorë të Shahut, unë kam sjellë një letër që duhet t’ia dorëzoj Shahut në dorë”, tha Badiu; pastaj Badiu i tha Shahut “Ju kam sjellë një letër nga Bahá’u’lláh-u”.
12 Ai menjëherë u kap dhe u mor në pyetje nga ata që donin të merrnin informata që t’u shërbenin në përndjekjet e mëtejshme kundër Bahá’u’lláh-ut. Badiu nuk u përgjigj asnjë fjalë; atëherë e torturuan, por ai vazhdoi të heshtë! Pas tri ditësh ata e vranë atë, pasi dështuan në përpjekjet për ta detyruar të fliste! Këta njerëz mizorë e fotografuan atë kur ishte nën torturë.[11]
13 Shahu ua dha letrën që mori nga Bahá’u’lláh-u klerikëve, që ata t’ia shpjegonin atë. Pas disa ditësh këta klerikë i thanë Shahut se letra ishte nga një armik politik. . Shahu u zemërua dhe tha: “Ky nuk është shpjegim. Unë ju paguaj që t’i lexoni e t’u përgjigjeni letrave që më vinë, prandaj binduni!”
14 Fryma dhe kuptimi i Tabelës për Nasredin Shahun ishte me pak fjalë kjo: “Tani që ka ardhur koha, kur Kauza e Lavdisë së Perëndisë është shfaqur, kërkoj të Më lejohet të vi në Teheran dhe t’u përgjigjem çfarëdo pyetjeve që mund të Më bëjnë klerikët.
15 “Ju bëj thirrje të hiqni dorë nga madhështia tokësore e Perandorisë suaj. Kujto të gjithë ata mbretër të mëdhenj që kanë jetuar para jush—lavdia e tyre është shuar!”
16 Letra ishte shkruar shumë bukur dhe vazhdonte ta paralajmëronte Mbretin e t’i fliste për triumfin e ardhshëm të Mbretërisë së Bahá’u’lláh-ut, si në Botën Lindore dhe në atë Perëndimore.
17 Shahu nuk i kushtoi vëmendje paralajmërimit të kësaj letre dhe vazhdoi të jetonte në të njëjtën mënyrë deri në fund.
18 Megjithëse Bahá’u’lláh-u ishte në burg, Fuqia e madhe e Shpirtit të Shenjtë ishte me Të.
19 Askush tjetër në burg nuk do të mund të ishte si Ai. Pavarësisht nga të gjitha të këqiat që vuajti, Ai kurrë nuk u ankua.
20 Në dinjitetin e Madhështisë së Tij, Ai gjithmonë refuzoi të takonte Guvernatorin ose njerëz me influencë të qytetit.
21 Edhe pse mbikqyrja ishte gjithnjë e rreptë, Ai hynte e dilte sipas dëshirës! Ai vdiq në një shtëpi rreth tre kilometra nga Shën Gjoni i Akrës.
26. IDETË E MIRA DUHEN VËNË NË VEPRIM
8 nëntor
1 Në gjithë botën njeriu dëgjon të lavdërohen thëniet e bukura dhe të admirohen idetë fisnike. Të gjithë njerëzit thonë se u pëlqen e mira dhe se urrejnë të keqen! Sinqeriteti është për t’u admiruar, ndërsa gënjeshtra është e përbuzur. Besimi është një virtyt dhe pabesia një fatkeqësi për njerëzimin. Është gjë e bekuar të gëzosh zemrat e njerëzve dhe është e gabuar të shkaktosh dhimbje. Është e drejtë të jesh i dashur e i mëshirshëm, ndërsa të urresh është mëkat. Drejtësia është një veti fisnike dhe padrejtësia një poshtërsi. Është, pra, detyrë e çdo njeriu të jetë i mëshirshëm dhe të mos i bëjë keq askujt, të shmangë me çdo kusht xhelozinë e shpirtligësinë. Urtia është lavdia e njeriut e jo injoranca, drita e jo errësira! Është gjë e mirë ta kthesh fytyrën drejt Perëndisë dhe është marrëzi ta injorosh Atë. Është, pra, detyra jonë ta udhëheqim njeriun që ai të shkojë lart dhe jo ta çojmë në rrugë të gabuar e të bëjmë që ai të bjerë poshtë. Ka edhe shumë shembuj të tjerë si këta.
2 Por të gjitha këto thënie s’janë veçse fjalë dhe ne shohim se shumë pak prej tyre vihen në veprim. Në të kundërtën, vëmë re që njerëzit i ka rrëmbyer pasioni dhe egoizmi, që çdo njeri mendon vetëm se çfarë përfitimi do të ketë ai vetë edhe në qoftë se kjo rrënon vëllanë e tij. Të gjithë janë të etshëm të pasurohen vetë dhe pak ose aspak kujdesen për mirëqenien e të tjerëve. Ata interesohen vetëm për qetësinë e rehatinë e vet, ndërsa gjendja e njerëzve të tjerë nuk i shqetëson aspak.
3 Mjerisht, kjo është rruga ku ecin shumica e njerëzve.
4 Por Bahá’í-të nuk duhet të jenë të tillë; ata duhet të ngrihen mbi këtë gjendje. Veprat duhet të vlejnë për ta më shumë se fjalët. Ata duhet të jenë të mëshirshëm me veprimet e tyre e jo thjesht me fjalë. Në të gjitha rastet ata duhet ta vërtetojnë me vepra atë që shpallin me fjalë. Bëmat duhet të provojnë besnikërinë e tyre dhe veprimet e tyre të pasqyrojnë dritën Hyjnore.
5 Le t’i flasin me zë të lartë botës veprat tuaja se ju jeni me të vërtetë Bahá’í, sepse janë veprat që i flasin botës dhe që përbëjnë shkakun e përparimit të njerëzimit.
6 Në qoftë se ne jemi Bahá’í të vërtetë, nuk ka nevojë për fjalë. Veprat tona do të ndihmojnë botën, do të përhapin qytetërimin, do të ndihmojnë përparimin e shkencës dhe do të bëjnë që të zhvillohen artet. Pa veprim asgjë në botën materiale nuk mund të bëhet, dhe as munden vetëm fjalët të çojnë përpara njeriun në Mbretërinë shpirtërore. Nuk është vetëm me fjalë që të zgjedhurit e Perëndisë kanë arritur shenjtërinë, por me jetët e tyre të durueshme shërbimi aktiv i kanë sjellë botës dritë.
7 Prandaj përpiquni që veprimet tuaja të jenë nga dita në ditë lutje të bukura. Kthehuni ndaj Perëndisë dhe kërkoni gjithmonë të bëni atë që është e drejtë e fisnike. Pasuroni të varfërin, ngrini të rrëzuarin, ngushëlloni të brengosurin, sillini shërim të sëmurit, siguroni të druajturin, shpëtoni të shtypurin, jepini shpresë të pashpresit, strehoni nevojtarin!
8 Kjo është puna e një Bahá’í të vërtetë dhe kjo është çfarë pritet prej tij. Në qoftë se përpiqemi t’i bëjmë të gjitha këto, atëherë jemi Bahá’í të vërtetë, por në qoftë se i lemë pasdore, atëherë nuk jemi pasues të Dritës dhe nuk kemi të drejtë të mbajmë atë emër.
9 Perëndia, që i sheh të gjitha zemrat, e di sesa jetët tona janë përmbushja e fjalëve tona.
27. KUPTIMI I VËRTETË I PAGËZIMIT ME UJË E ME ZJARR
9 nëntor
1 Në Ungjillin sipas Shën Gjonit, Krishti ka thënë: “Vetëm ai që ka lindur nga uji e nga Fryma mund të hyjë në Mbretërinë e Qiellit”[12] Priftërinjtë e kanë interpretuar këtë në kuptimin që pagëzimi është i nevojshëm për shpëtimin. Në një Ungjill tjetër thuhet: “Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë e me zjarr”.[13]
2 Kështu uji i pagëzimit dhe zjarri janë një! Kjo nuk mund të ketë kuptimin që “uji” për të cilin bëhet fjalë është ujë fizik, sepse ai është e kundërta e “zjarrit” dhe njëri zhduk tjetrin. Kur në Ungjijt Krishti flet për “ujë”, ai nënkupton atë që lind jetën, sepse pa ujë asnjë krijesë tokësore nuk mund të jetojë—minerali, bima, kafsha dhe njeriu, të gjithë, varen nga uji për vetë qenien e tyre. Po, zbulimet më të fundit shkencore na provojnë se madje edhe minerali ka disa forma jete dhe se ai gjithashtu për të ekzistuar ka nevojë për ujë.
3 Uji është shkaku i jetës dhe kur Krishti flet për ujin, Ai simbolizon atë që është shkaku i Jetës së Pasosur.
4 Ky ujë jetëdhënës për të cilin flet Ai është si zjarri, sepse s’është tjetër veçse Dashuria e Perëndisë, dhe kjo dashuri do të thotë jetë për shpirtrat tanë.
5 Zjarri i Dashurisë së Perëndisë djeg perden që na ndan nga Realitetet Qiellore dhe, me një vizion të qartë, ne jemi në gjendje të çajmë përpara e lart, duke përparuar gjithmonë në shtigjet e virtytit e të shenjtërisë dhe duke u bërë mjeti i dritës për botën.
6 Nuk ka asgjë më të madhe ose më të bekuar se dashuria e Perëndisë! Ajo i jep shërim të sëmurit, balsam të plagosurit, gëzim e ngushëllim mbarë botës, dhe vetëm përmes saj njeriu mund të arrijë Jetën e Pasosur. Thelbi i të gjitha feve është Dashuria e Perëndisë, dhe ajo është themeli i të gjitha mësimeve të shenjta.
7 Ishte Dashuria e Perëndisë ajo që udhëhoqi Abrahamin, Isakun e Jakovin, që i dha forcë Josifit në Egjipt dhe që i dha kurajo e durim Moisiut.
8 Përmes Dashurisë së Perëndisë Krishti u dërgua në botë me shembullin e Tij frymëzues të një jete të përsosur vetëflijimi e përkushtimi, duke u sjellë njerëzve mesazhin e Jetës së Amshuar. Ishte Dashuria e Perëndisë që i dha Muhametit fuqi t’i sjellë arabët nga gjendja e degradimit shtazarak në një shkallë më të lartë ekzistence.
9 Ishte Dashuria e Perëndisë që e mbështeti Báb-in, që e çoi atë në sakrificën e tij supreme dhe e bëri gjoksin e tij tabelë të vullnetshme për njëmijë plumba.
10 Së fundi, ishte Dashuria e Perëndisë që i dha Lindjes Bahá’u’lláh-un dhe që tani po e dërgon dritën e mësimeve të Tij larg në Perëndim e nga Poli në Pol.
11 Unë i bëj, pra, thirrje secilit prej jush që, duke kuptuar fuqinë e bukurinë e saj, të flijoni të gjitha mendimet, fjalët e veprimet tuaja për ta çuar dijen e Dashurisë së Perëndisë në çdo zemër.
28. FJALIM NË ‘L’ALLIANCE SPIRITUALISTE’
Salle de l’Athénée, St. Germain, Paris,
9 nëntor
1 Dua t’ju shpreh mirënjohjen për mikpritjen tuaj dhe gëzimin tim që ju jeni të prirur shpirtërisht. Jam i lumtur që ndodhem në një grumbullim të tillë si ky, të mbledhur së bashku për të dëgjuar një Mesazh Hyjnor. Në qoftë se do të mund të shikonit me syrin e së vërtetës, valë të mëdha të frymës shpirtërore do të ishin të dukshme për ju në këtë vend. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë është këtu për të gjithë. Lëvduar qoftë Perëndia që zemrat tuaja janë të frymëzuara me zell Hyjnor! Shpirtrat tuaj janë si valë në detin e shpirtit; edhe pse çdo individ është një valë më vete, oqeani është një i vetëm, të gjithë janë të bashkuar në Perëndinë.
2 Çdo zemër duhet të rrezatojë unitet, në mënyrë që Drita e të vetmit Burim Hyjnor të gjithçkaje të ndizet e ndritshme e plot shkëlqim. Ne nuk duhet të shohim vetëm valët e veçanta, por gjithë detin. Ne duhet të ngrihemi nga individi tek e tëra. Shpirti është si një oqean i madh dhe valët e tij janë shpirtrat e njerëzve.
3 Në Shkrimet e Shenjta na thuhet se Jeruzalemi i Ri do të shfaqet mbi tokë. Tani është e qartë se ky qytet qiellor nuk është i ndërtuar me gurë materialë e me llaç, se ai është një qytet i bërë jo me duar, por i përjetshëm në Qiejt.
4 Ky është një simbol profetik, që do të thotë ardhja përsëri e Mësimit Hyjnor për të ndriçuar zemrat e njerëzve. Ka kaluar një periudhë e gjatë që nga koha që ky Udhërrëfim Hyjnor ka qeverisur jetët e njerëzisë. Por tani, më në fund, Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit të Ri ka ardhur përsëri në botë, ai është shfaqur sërish nën një qiell Lindor; nga horizonti i Persisë shkëlqimi i tij është ngritur për të qenë një dritë që do të ndriçojë botën mbarë. Ne shohim në ditët e tanishme përmbushjen e Profecisë Hyjnore. Jeruzalemi qe zhdukur. Qyteti hyjnor u shkatërrua, tani ai është rindërtuar; ai qe bërë rrafsh me tokën, por tani muret dhe kulmet e tij janë rimëkëmbur dhe ngrihen lart në bukurinë e tyre të përtëritur e madhështore.
5 Në botën Perëndimore mirëqenia materiale ka triumfuar, ndërsa në Lindje ka shkëlqyer dielli shpirtëror. Jam shumë i gëzuar që shoh një mbledhje si kjo në Paris, ku përparimi shpirtëror e material janë takuar së bashku në unitet.
6 Njeriu—njeriu i vërtetë—është shpirt, jo trup; edhe pse fizikisht njeriu i përket botës shtazore, por shpirti i tij e ngren atë mbi pjesën tjetër të krijimit. Shihni sesi drita e diellit ndriçon botën e materies; po kështu Drita Hyjnore përhap rrezet e saj në mbretërinë e shpirtit. Është shpirti që e bën krijesën njerëzore një qenie qiellore!
7 Falë fuqisë së Shpirtit të Shenjtë që vepron përmes shpirtit të tij, njeriu është në gjendje të dallojë realitetin Hyjnor të gjërave. Të gjitha veprat e mëdha të artit e të shkencës janë dëshmitare të kësaj fuqie të Shpirtit.
8 Po ky Shpirt jep Jetën e Amshuar.
9 Vetëm ata që janë pagëzuar nga Shpirti i Shenjtë do të jenë në gjendje t’i sjellin të gjithë popujt në lidhjen e unitetit. Pikërisht falë fuqisë së Shpirtit Bota Lindore e mendimit shpirtëror mund të shoqërohet me mbretërinë Perëndimore të veprimit, që bota e materies të mund të bëhet Hyjnore.
10 Nga kjo rrjedh se të gjithë ata që punojnë për Qëllimin Suprem janë ushtarë të ushtrisë së Shpirtit.
11 Drita e botës qiellore lufton kundër botës së hijes e të iluzionit. Rrezet e Diellit të së Vërtetës shpërndajnë errësirën e paragjykimit e të mosmarrëveshjes.
12 Ju jeni të Shpirtit! Tek ju që kërkoni të vërtetën, Revelacioni i Bahá’u’lláh-ut do të vijë si një gëzim i madh! Ky mësim është nga Shpirti, në të nuk ka porosi që nuk vjen prej Shpirtit Hyjnor.
13 Shpirti nuk mund të kapet nga shqisat materiale të trupit fizik, me përjashtim të asaj që shprehet në shenja e vepra të jashtme. Trupi njerëzor është i dukshëm, shpirti është i padukshëm. Megjithatë është shpirti që drejton aftësitë njerëzore, që qeveris njerëzinë e tij.
14 Shpirti ka dy aftësi kryesore. (a) Ashtu si rrethanat e jashtme komunikohen me anë të syve, të veshëve e të trurit të njeriut, po kështu shpirti ua komunikon dëshirat e qëllimet e tij përmes trurit duarve dhe gjuhës së trupit fizik, duke shprehur me anë të kësaj vetveten. Fryma shpirtërore në shpirtin e njeriut është vetë thelbi i jetës. (b) Aftësia e dytë e shpirtit e shpreh veten në botën e vizionit, ku shpirti i banuar nga fryma shpirtërore ka qenien e tij dhe funksionon pa ndihmën e shqisave trupore materiale. Atje, në mbretërinë e vizionit, shpirti sheh pa ndihmën e syrit fizik, dëgjon pa ndihmën e veshit fizik dhe udhëton i pavarur nga lëvizja fizike. Është, pra, e qartë se fryma shpirtërore në shpirtin e njeriut mund të funksionojë përmes trupit fizik duke përdorur organet e shqisave të zakonshme dhe se ai është gjithashtu në gjendje të jetojë e të veprojë pa ndihmën e tyre në botën e vizionit. Kjo provon pa pikë dyshimi epërsinë e shpirtit të njeriut mbi trupin e tij, epërsinë e frymës shpirtërore mbi materien.
15 Shihni, për shembull, këtë llambë: a nuk është drita brenda saj më e lartë se llamba që e përmban atë? Sado e bukur të jetë forma e llambës, në qoftë se aty nuk ka dritë ajo nuk e përnbush qëllimin e saj, është pa jetë, një gjë e vdekur. Llamba ka nevojë për dritën, por drita nuk ka nevojë për llambën.
16 Shpirti nuk ka nevojë për trup, kurse trupi ka nevojë për shpirtin, përndryshe nuk jeton dot. Shpirti mund të jetojë pa trup, por trupi pa shpirt vdes.
17 Në qoftë se njeriu humbet shikimin, dëgjimin, dorën ose këmbën e tij, po qe se shpirti i tij vazhdon të banojë në trup ai jeton dhe është në gjendje të shfaqë virtyte hyjnore. Nga ana tjetër, pa shpirt do të ishte e pamundur që një trup i përsosur të ekzistojë.
18 Fuqia më e madhe e Shpirtit të Shenjtë ekziston në Manifestimet Hyjnore të së Vërtetës. Falë fuqisë së Shpirtit Mësimi Hyjnor është sjellë në Botën e Njerëzisë. Falë fuqisë së Shpirtit jeta e pasosur ka ardhur te bijtë e njerëzve. Falë fuqisë së Shpirtit Lavdia Hyjnore ka ndritur nga Lindja në Perëndim dhe falë fuqisë së po atij Shpirti do të shfaqen virtytet hyjnore të njerëzisë.
19 Ne duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për t’u shkëputur nga gjërat e kësaj bote; ne duhet të përpiqemi të bëhemi më shpirtërorë, më të ndriçuar, të ndjekim këshillën e Mësimit Hyjnor, t’i shërbejmë Kauzës së unitetit e të barazisë së vërtetë, të jemi të mëshirshëm, të pasqyrojmë tek të gjithë njerëzit dashurinë e Më të Lartit, në mënyrë që drita e Shpirtit të duket në të gjitha bëmat tona, me qëllimin që gjithë njerëzimi të bashkohet, deti i tij plot tallaze të qetësohet dhe të gjitha valët e egra të zhduken nga sipërfaqja e oqeanit të jetës paskëtaj të padallgëzuar e paqësor. Atëherë njerëzimi do të shohë Jeruzalemin e Ri dhe do të hyjë në portat e tij e të marrë Bujarinë Hyjnore.
20 Falënderoj Perëndinë që kam qenë i pranishëm midis jush këtë pasdite dhe ju falënderoj për ndjenjën tuaj shpirtërore.
21 Unë lutem që ju të rritni zellin tuaj Hyjnor dhe që fuqia e unitetit në Shpirtin të shtohet, në mënyrë që profecitë të përmbushen dhe që në këtë shekull të madh të Dritës së Perëndisë të gjitha lajmet e gëzuara të shkruara në Librat e Shenjtë të ndodhin. Kjo është koha e lavdishme për të cilën ka folur Zoti Jezu Krisht kur na tha neve të lutemi ‘Ardhtë mbretëria Jote, u bëftë vullneti Yt si në qiell edhe në tokë’.[14] Shpresoj se kjo është gjithashtu shpresa dhe dëshira juaj e madhe.
22 Ne jemi të bashkuar në të njëjtin qëllim e shpresë se të gjithë do të jenë si një i vetëm dhe se çdo zemër do të ndriçohet nga Dashuria e Atit tonë Hyjnor, Perëndisë!
23 Le të jenë të gjitha veprimet tona shpirtërore dhe të gjitha interesat e ndjenjat tona të përqëndrohen në Mbretërinë e Lavdisë!
29. EVOLUCIONI I SHPIRTIT
15 Rue Greuze, Paris,
10 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Sonte do të flas për evolucionin apo përparimin e shpirtit.
2 Qetësia absolute nuk ekziston në natyrë. Të gjitha gjërat ose bëjnë përpara ose humbasin terren. Gjithçka lëviz përpara ose prapa, asgjë nuk është pa lëvizje. Që nga lindja e tij njeriu përparon fizikisht derisa arrin pjekurinë, pastaj, pasi ka arritur në lulen e jetës fillon të bjerë, forca e fuqitë e trupit të tij pakësohen dhe ai gradualisht arrin orën e vdekjes. Po kështu, bima përparon nga fara në pjekuri, pastaj jeta e saj fillon të pakësohet derisa venitet e vdes. Zogu fluturon deri në njëfarë lartësie dhe, pasi ka arritur pikën më të lartë të mundshme në fluturimin e tij, fillon të zbresë në tokë.
3 Është, pra, e qartë se lëvizja është thelbësore për çdo ekzistencë. Të gjitha gjërat materiale përparojnë deri në një pikë, pastaj fillojnë të bien. Ky është ligji që drejton tërë krijimin fizik.
4 Të shohim tani shpirtin. Ne e pamë se lëvizja është thelbësore për ekzistencën; asgjë që ka jetë nuk është pa lëvizje. Çdo krijim, qoftë i mbretërisë minerale, bimore ose shtazore, është i detyruar t’i bindet ligjit të lëvizjes; ai duhet ose të ngjitet ose të zbresë. Kurse shpirti i njeriut nuk ka rënie. Lëvizja e vetme e tij është drejt përsosjes; vetëm rritja dhe përparimi përbëjnë lëvizjen e shpirtit.
5 Përsosuria Hyjnore është e pafund, prandaj përparimi i shpirtit është gjithashtu i pafund. Qysh nga lindja e një qenieje njerëzore shpirti përparon, intelekti rritet dhe dijet shtohen. Kur trupi vdes, shpirti vazhdon të jetojë. Të gjitha shkallët e ndryshme të qenieve që i përkasin krijimit fizik janë të kufizuara, kurse shpirti është i pakufishëm!
6 Në të gjitha fetë, ekziston besimi se shpirti mbijeton pas vdekjes së trupit. Bëhen ndërhyrje për të dashurit e vdekur, thuhen lutje për përparimin e tyre dhe që t’u falen mëkatet. Po qe se shpirti do të vdiste bashkë me trupin, të gjitha këto nuk do të kishin kuptim. Më tej, në qoftë se shpirti nuk do të kishte mundësi të përparonte drejt përsosjes pasi është çliruar nga trupi, ç’dobi kanë të gjitha këto lutje plot dashuri e devocion?
7 Në shkrimet e shenjta lexojmë se ‘të gjitha veprat e mira kthehen përsëri’.[15] Kështu, po qe se shpirti nuk do të mbijetonte, edhe kjo nuk do të kishte asnjë kuptim!
8 Vetë fakti që instinkti ynë shpirtëror, i cili sigurisht kurrë nuk na është dhënë më kot, na shtyn të lutemi për mirëqenien e atyre, të dashurve tanë, që kanë dalë jashtë botës materiale: a nuk dëshmon kjo për vazhdimin e ekzistencës së tyre?
9 Në botën e shpirtit nuk ka lëvizje praptazi. Bota e vdekshmërisë është një botë kontradiktash, të kundërtash; duke qenë lëvizja e detyrueshme, gjithçka duhet ose të shkojë përpara ose të tërhiqet. Në mbretërinë e shpirtit nuk është e mundur tërheqja, çdo lëvizje është e detyruar të kryhet drejt një gjendjeje të përsosur. ‘Përparimi’ është shprehja e shpirtit në botën e materies. Inteligjenca e njeriut, aftësistë e tij për të arsyetuar, dijet e tij, arritjet e tij shkencore, duke qenë të gjitha këto shfaqje të shpirtit, pjesë e ligjit të pashmangshëm të përparimit shpirtëror, janë, pra, domosdoshmërisht të pavdekshme.
10 Unë shpresoj se ju do të përparoni në botën e shpirtit, si dhe në botën e materies; se inteligjenca juaj do të zhvillohet, dijet tuaja do të shtohen dhe kuptimi juaj do të zgjerohet.
11 Ju duhet të çani gjithmonë përpara, pa qëndruar kurrë të palëvizshëm; shmangni amullinë, që është hapi i parë drejt një lëvizje praptazi, drejt kalbëzimit.
12 Gjithë krijimi fizik është i vdekshëm. Këta trupa materialë janë të përbërë prej atomesh; kur këto atome fillojnë të ndahen, nis shpërbërja, pastaj vjen ajo që e quajmë vdekje. Kjo përbërje prej atomesh, e cila përbën trupin ose elementin e vdekshëm të çdo qenieje të krijuar, është e përkohshme. Kur forca e tërheqjes, që i mban këto atome së bashku, mënjanohet, trupi, si i tillë, pushon së ekzistuari.
13 Me shpirtin puna qëndron ndryshe. Shpirti nuk është një kombinim elementesh, ai nuk përbëhet prej një shumice atomesh, ai është prej një substance të vetme e të pandashme dhe prandaj është i përjetshëm. Ai është tërësisht jashtë rendit të krijimit fizik; ai është i pavdekshëm!
14 Filozofia shkencore ka treguar se një element i thjeshtë (‘i thjeshtë’ do të thotë ‘jo i përbërë’) është i pashkatërrueshëm, i përjetshëm. Shpirti, duke mos qenë një përbërje elementësh, është, për nga karakteri, si një element i thjeshtë, prandaj nuk mund të pushojë së ekzistuari.
15 Shpirti, duke qenë prej asaj substance të vetme e të pandashme, nuk mund të pësojë as shpërbërje as shkatërrim, prandaj nuk ka arsye që ai të ketë një fund. Të gjitha gjërat që jetojnë tregojnë shenja të ekzistencës së tyre, dhe nga kjo rrjedh se këto shenja nuk mund të ekzistojnë në vetvete në qoftë se ajo që ato shprehin ose për të cilën dëshmojnë nuk ka qenie. Diçka që nuk ekziston nuk mundet, sigurisht, të japë shenja të ekzistencës së saj. Shenjat e shumta të ekzistencës së shpirtit janë përgjithmonë para nesh.
16 Gjurmët e Shpirtit të Jezu Krishtit, ndikimi i Mësimit të Tij Hyjnor, janë të pranishëm me ne sot, janë të përjetshme.
17 Diçka që nuk ekziston, kjo pranohet nga të gjithë, nuk mund të shihet nga shenjat. Që të shkruajë, një njeri duhet të ekzistojë—ai që nuk ekziston nuk mund të shkruajë. Të shkruarit është, në vetvete, një shenjë e shpirtit dhe e inteligjencës së shkrimtarit. Shkrimet e Shenjta (që gjithmonë kanë të njëjtin Mësim) provojnë vazhdimësinë e shpirtit.
18 Merrni qëllimin e krijimit: a është e mundur që gjithçka të jetë krijuar që të evoluojë e të zhvillohet përmes epokash të panumërta duke pasur parasysh këtë qëllim të vogël—disa vite të jetës së njeriut mbi tokë? A nuk është e pamendueshme që kjo të jetë qëllimi i fundit i ekzistencës?
19 Minerali evoluon derisa absorbohet në jetën e bimës, bima përparon derisa më në fund e humbet jetën e saj në atë të kafshës; kafsha, nga ana e saj, duke qenë pjesë e ushqimit të njeriut, absorbohet në jetën njerëzore.
20 Kështu, tregohet se njeriu është thelbi i gjithë krijimit, më e larta ndër qeniet e krijuara, qëllimi drejt të cilit kanë përparuar epoka të panumërta të ekzistencës.
21 Në rastin më të mirë, njeriu shpenzon në këtë botë nja nëntëdhjetë vjet—një kohë me të vërtetë të shkurtër!
22 A pushon së ekzistuari njeriu kur ai lë trupin? Në qoftë se jeta e tij arrin fundin, atëherë gjithë evolucioni i mëparshëm është i kotë, nuk shërben për asgjë! A mund të përfytyrojë njeriu se krijimi nuk ka qëllim më të madh se ky?
23 Shpirti është i përjetsjëm, i pavdekshëm.
24 Materialistët thonë ‘Ku është shpirti? Çfarë është ai? Ne s’e shohim dot atë, dhe as e prekim dot’.
25 Ja si duhet t’u përgjigjemi atyre: Sado që të përparojë minerali, ai nuk mund të përfshijë botën bimore. E pra, kjo mospërfshirje nuk provon mosekzistencën e bimës!
26 Në çfarëdo shkallë të madhe të ketë evoluar bima, ajo nuk është në gjendje të kuptojë botën shtazore; kjo mosdije nuk përbën një provë se kafsha nuk ekziston!
27 Kafsha, qoftë edhe me një zhvillim të lartë, nuk mund të përfytyrojë inteligjencën e njeriut dhe as të kuptojë natyrën e shpirtit të tij. Por, përsëri, kjo nuk provon se njeriu është pa intelekt, ose pa shpirt. Kjo vetëm tregon këtë, që një formë e ekzistencës nuk është në gjendje të përfshijë në veten e saj një formë më të lartë.
28 Kjo lule mund të jetë e pavetëdijshme për një qenie të tillë si njeriu, por fakti i mosdijes së saj nuk e pengon ekzistencën e njerëzisë.
29 Po kështu, në qoftë se materialistët nuk besojnë në ekzistencën e shpirtit, mosbesimi i tyre nuk provon se nuk ka një sferë të tillë si bota e shpirtit. Vetë ekzistenca e inteligjencës së njeriut provon pavdekësinë e tij; për më tepër, errësira provon praninë e dritës, sepse pa dritë nuk do të kishte hije. Varfëria provon ekzistencën e pasurisë, sepse pa pasuri si do të mund ta matnim varfërinë? Mosdija provon se dija ekziston, sepse pa dije si mund të ketë mosdije?
30 Prandaj idea e vdekësisë nënkupton ekzistencën e pavdekësisë, sepse po të kishte Jetë të Amshuar, nuk do të kishte mënyrë për të matur jetën e kësaj bote!
31 Po qe se shpirti nuk do të ishte i pavdekshëm, si mundën Manifestimet e Perëndisë të përballonin sprova aq të tmerrshme?
32 Pse Jezu Krishti vuajti vdekjen e tmerrshme mbi kryq?
33 Pse Muhameti pësoi përndjekjet?
34 Pse Báb-i bëri flijimin suprem dhe pse Bahá’u’lláh-u i kaloi vitet e jetës së Tij në burg?
35 Pse kanë qenë gjithë këto vuajtje, në mos për të provuar jetën e pasosur të shpirtit?
36 Krishti vuajti, Ai i pranoi të gjitha sprovat e Tij për arsye të pavdekësisë së shpirtit të Tij. Në qoftë se njeriu reflekton, ai do të kuptojë domethënien shpirtërore të ligjit të përparimit; sesi gjithçka lëviz nga shkalla më e ulët në atë më të lartë.
37 Vetëm një njeri pa inteligjencë, pasi ka menduar për këto gjëra, mund të përfytyrojë se skema e madhe e krijimit duhet papritur të pushojë së përparuari, se evolucioni duhet të shkojë në një fund të tillë të papërshtatshëm!
38 Materialistët që arsyetojnë në këtë mënyrë dhe ngulin këmbë se ne nuk jemi në gjendje të shohim botën e shpirtit, ose të dallojmë bekimet e Perëndisë, janë me siguri si kafshët që nuk kanë gjykim; ata kanë sy e nuk shohin, kanë veshë e nuk dëgjojnë. Dhe kjo mungesë shikimi e dëgjimi është një provë që s’tregon veçse inferioritetin e tyre; për ata lexojmë në Kuran ‘Ata janë njerëz të verbër e të shurdhër ndaj Shpirtit’. Ata nuk venë në përdorim dhuratën e madhe të Perëndisë, fuqinë e gjykimit, me anën e së cilës do të mund të shihnin me sytë e shpirtit, të dëgjonin me veshët shpirtërorë dhe gjithashtu të kuptonin me një zemër Hyjnisht të ndriçuar.
39 Paaftësia e mendimit materialist për të kapur idenë e jetës së Amshuar nuk përbën provë që ajo jetë nuk ekziston.
40 Kuptimi i asaj jete tjetër varet nga lindja jonë shpirtërore!
41 Unë lutem për ju që aftësitë e aspiratat tuaja shpirtërore të rriten çdo ditë dhe që ju të mos i lejoni kurrë shqisat materiale të fshehin nga sytë tuaj madhështinë e Ndriçimit Qiellor.
30. DËSHIRAT DHE LUTJET E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT
15 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Jeni shumë të mirëpritur dhe unë ju dua shumë të gjithëve.
2 Ditë e natë i lutem Qiellit për ju, që të jeni të fortë dhe që ju, të gjithë pa përjashtim, të keni pjesë në bekimet e Bahá’u’lláh-ut e të hyni në Mbretërinë.
3 Unë lus që ju të bëheni si qenie të reja, të ndriçuara me Dritën Hyjnore, si llamba ndriçuese, dhe që nga njëri cep i Evropës në tjetrin të përhapet dija e dashurisë së Perëndisë.
4 Le të mbushë kjo dashuri e paanë zemrat dhe mendjet tuaja aq sa hidhërimi të mos gjejë vend të futet dhe ju, me zemra të gëzuara, të fluturoni si zogj drejt Ndriçimit Hyjnor.
5 Le të bëhen zemrat tuaja të qarta e të kulluara si pasqyra të pastruara mirë, në të cilat të pasqyrohet tërë lavdia e Diellit të së Vërtetës.
6 Le të hapen sytë tuaj, që të shihni shenjat e Mbretërisë së Perëndisë, dhe le të çlirohen veshët tuaj, që të dëgjoni me gjykim të plotë Shpalljen Hyjnore që kumbon midis jush.
7 Le të marrin shpirtrat tuaj ndihmë e ngushëllim dhe, të forcuar, të jenë në gjendje të jetojnë në pajtim me mësimet e Bahá’u’lláh-ut.
8 Unë lutem për të gjithë ju pa përjashtim, që të jeni si flakë të dashurisë në botë dhe që shkëlqimi i dritës suaj e ngrohtësia e dashurisë suaj të arrijë në zemrën e çdo biri të hidhëruar e të brengosur të Perëndisë.
9 Le të jeni ju si yje vezullues, të shndritshëm e të shkëlqyeshëm përgjithmonë në Mbretërinë.
10 Unë ju këshilloj të studioni me zell mësimet e Bahá’u’lláh-ut, në mënyrë që, me ndihmën e Perëndisë, të bëheni Bahá’í me vepra e me të vërtetë.
31. LIDHUR ME TRUPIN, SHPIRTIN DHE FRYMËN
4 Avenue de Camoëns,
E premte në mëngjes, 17 nëntor
1 Në botën e njerëzisë ka tri shkallë: e trupit, e shpirtit dhe e frymës.
2 Trupi është shkalla fizike ose shtazore e njeriut. Nga këndvështrimi i trupit, njeriu është pjesëtar i mbretërisë shtazore. Trupat, si të njerëzve dhe të kafshëve, janë të përbërë prej elementesh që mbahen së bashku nga ligji i tërheqjes.
3 Ashtu si kafsha, njeriu zotëron aftësitë e shqisave, i nënshtrohet të nxehtit, të ftohtit, urisë, etjes, etj.; ndryshe nga kafsha, njeriu ka shpirt racional, ka inteligjencën njerëzore.
4 Kjo inteligjencë e njeriut është ndërmjetësja midis trupit dhe frymës së tij.
5 Kur njeriu e lejon frymën shpirtërore, përmes shpirtit të tij, të ndriçojë gjykimin e tij, atëherë ai përmban gjithë Krijimin; sepse njeriu, duke qenë kulmi i gjithçkaje që ka ardhur më parë dhe duke qëndruar pra më lart se të gjitha evolucionet e mëparshme, përmban brenda vetvetes të gjithë botën më të ulët. I ndriçuar nga fryma shpirtërore nëpërmjet shpirtit, inteligjenca e shkëlqyer e njeriut e bën atë kurorëzimin e Krijimit.
6 Por nga ana tjetër, kur njeriu nuk e hap mendjen dhe zemrën ndaj bekimit të frymës, por e kthen shpirtin e vet drejt anës materiale, drejt pjesës trupore të natyrës së tij, atëherë ai ka rënë nga pozita e tij e lartë dhe qëndron më poshtë se banorët e mbretërisë më të ulët shtazore. Në këtë rast njeriu është në një gjendje të vështirë e për të ardhur keq! Sepse në qoftë se vetitë shpirtërore të shpirtit, të hapura ndaj fryrjes së Shpirtit të Shenjtë, nuk përdoren kurrë, ato atrofizohen, dobësohen e, më në fund, humbasin aftësinë; ndërsa po qe se edhe vetëm vetitë materiale të shpirtit ushtrohen, ato bëhen tmerrësisht të fuqishme—dhe njeriu fatkeq, që ecën në rrugë të gabuar bëhet më i egër, më i padrejtë, më i ulët, më shtazarak, më keqdashës sesa vetë kafshët më të ulëta. Duke u përforcuar të gjitha aspiratat e dëshirat e tij nga ana më e ulët e natyrës së shpirtit, ai bëhet gjithnjë e më brutal, derisa tërë qenia e tij nuk është kurrsesi më e lartë se ajo e bishës që vdes. Njerëzit si ky mendojnë vetëm të bëjnë keq, të godasin e të shkatërrojnë; atyre u mungon krejtësisht fryma e mëshirës Hyjnore, sepse vetia qiellore e shpirtit është mposhtur nga ajo materiale. Në qoftë se, në të kundërtën, natyra shpirtërore e shpirtit është forcuar aq sa ta mbajë të nënshtruar anën materiale, atëherë njeriu i avitet Hyjnores; natyra e tij njerëzore lartësohet aq sa që virtytet e Tubimit Qiellor shfaqen tek ai; ai rrezaton Mëshirën e Perëndisë, stimulon përparimin shpirtëror të njerëzimit, sepse ai bëhet një llambë për të ndriçuar shtegun e njerëzve.
7 Ju e shihni sesi shpirti është ndërmjetësi midis trupit dhe frymës shpirtërore. Po kështu kjo pemë[16] është ndërmjetësja midis farës dhe frutit. Kur fruti i pemës shfaqet dhe piqet, atëherë ne e dimë se pema është e përsosur; në qoftë se pema nuk mban fruta, ajo do të ishte thjesht një bimë e padobishme, që nuk i shërben asnjë qëllimi.
8 Kur një shpirt ka brenda tij jetën e frymës shpirtërore, atëherë ai jep fryte të mira dhe bëhet një pemë Hyjnore. Unë dua që ju ta kuptoni këtë shembull. Shpresoj se mirësia e patregueshme e Perëndisë do t’ju forcojë aq saqë vetia qiellore e shpirtit, që e lidh atë me frymën shpirtërore, do të mbisundojë përgjithmonë mbi anën materiale, duke drejtuar tërësisht shqisat tuaja saqë shpirti juaj t’u avitet përsosurive të Mbretërisë Qiellore. Le të bëhen fytyrat tuaja, të kthyera vendosmërisht ndaj Dritës Hyjnore, aq të ndritshme saqë të gjitha mendimet, fjalët e veprat tuaja të shkëlqejnë me Rrezatimin Shpirtëror që sundon shpirtrat tuaj, në mënyrë që në çdo mbledhje në botë ju të tregoni përsosurinë e jetës suaj.
9 Jetët e disa njerëzve janë të zëna vetëm me gjërat e kësaj bote; mendjet e tyre janë aq të rrethuara nga sjelljet e jashtme e interesat tradicionale saqë ata janë të verbër ndaj çdo fushe tjetër të ekzistencës, ndaj domethënies shpirtërore të të gjitha gjërave! Ata mendojnë e ëndërrojnë për famë tokësore, për përparim material. Kënaqësi epshore e mjedise të rehatshme kufizojnë horizontin e tyre, ambicjet e tyre më të larta përqëndrohen në sukseset e kushteve e të rrethanave tokësore! Ata nuk u vënë fre prirjeve të tyre më të ulëta; ata hanë, pinë e flejnë! Ashtu si kafsha, ata nuk kanë mendim që shkon tej mirëqenies së tyre fizike. Është e vërtetë që këto nevoja duhet të kryhen. Jeta është një barrë që duhet bartur sakohë jemi mbi tokë, por kujdesi për gjërat më të ulëta të jetës nuk duhet lejuar të monopolizojë të gjitha mendimet e aspiratat e qenies njerëzore. Ambicjet e zemrës duhet të ngjiten në një qëllim më të lavdishëm, veprimtaria mendore duhet të ngrihet në nivele më të larta! Njerëzit duhet të ruajnë në shpirtrat e tyre vizionin e përsosjes qiellore dhe atje të përgatisin një vend qëndrimi për bujarinë e pashtershme të Shpirtit Hyjnor.
10 Le të jetë ambicja juaj arritja mbi tokë e një qytetërimi Hyjnor! Unë kërkoj për ju bekimin suprem, që ju të jeni aq të mbushur me forcën jetësore të Shpirtit Qiellor, që ju t’i sillni jetë botës.
32. BAHÁ’Í-TË DUHET TË PUNOJNË ME MISH E ME SHPIRT PËR TË KRIJUAR NJË GJENDJE MË TË MIRË NË BOTË
19 nëntor
1 Sa gëzim është të shohësh një takim si ky, sepse ai është me të vërtetë një grumbullim së bashku ‘njerëzish qiellorë’.
2 Ne të gjithë jemi të bashkuar në një qëllim të vetëm Hyjnor, ne nuk kemi asnjë synim material dhe dëshira jonë më e madhe është të përhapim dashurinë e Perëndisë në mbarë botën!
3 Ne punojmë e lutemi për unitetin e njerëzimit, që të gjitha racat e tokës të bëhen një racë e vetme, të gjitha vendet një vend dhe që të gjitha zemrat të rrahin si një zemër e vetme, duke punuar së bashku për unitet e vëllazëri të plotë.
4 Lëvduar qoftë Perëndia që përpjekjet tona janë të sinqerta dhe që zemrat tona janë të kthyera ndaj Mbretërisë. Dëshira jonë më e shtrenjtë është që e vërteta të vendoset në botë, dhe me këtë shpresë ne afrohemi me njëri-tjetrin në dashuri e miqësi. Të gjithë pa përjashtim janë të çiltër e vetëmohues, të gatshëm të sakrifikojnë çdo ambicje vetjake për idealin e madh drejt të cilit priren: dashurinë vëllazërore dhe paqen e bashkimin midis njerëzve!
5 Mos kini dyshim, se Perëndia është me ne, në krahun tonë të djathtë dhe të majtë, se nga dita në ditë Ai do të bëjë që numri ynë të shtohet dhe që takimet tona të rriten në forcë e vlerë.
6 Është shpresa ime më e shtrenjtë që ju të gjithë të bëheni një bekim për të tjerët, që ju t’u falni shikimin të verbërve shpirtërisht, dëgjimin të shurdhërve shpirtërisht dhe jetë atyre që kanë vdekur në mëkat.
7 Ndihmojini ata që janë zhytur në materialitet, që të kuptojnë birësinë e tyre Hyjnore dhe inkurajojini ata të ngrihen e të bëhen të denjë për parëlindjen e tyre; kështu që, falë sjelljes suaj bota e njerëzisë të bëhet Mbretëri e Perëndisë dhe e të zgjedhurve të Tij.
8 Falënderoj Perëndinë që ne jemi një në këtë ideal të madh, që dëshirat e mia të zjarrta janë edhe tuajat dhe që ne punojmë së bashku në unitet të plotë.
9 Sot njeriu sheh mbi tokë pamjen e trishtuar të luftës së egër! Njeriu vret vëllanë e tij njeri për përfitime egoiste dhe për të zgjeruar territoret e tij! Për shkak të kësaj ambicjeje të ulët, urrejtja ka pushtuar zemrën e tij dhe gjithnjë e më shumë gjak është derdhur!
10 Zhvillohen beteja të reja, ushtritë janë rritur, janë dërguar më shumë topa, më shumë pushkë, më shumë lëndë shpërthyese të të gjitha llojeve—dhe kështu zemërimi e urrejtja shtohen nga dita në ditë!
11 Por kjo mbledhje, lavdi Zotit, ka dëshirë të zjarrtë vetëm për paqe e unitet, dhe duhet të punojë me mish e me shpirt për të sjellë një gjendje më të mirë në botë.
12 Ju që jeni shërbëtorë të Perëndisë luftoni kundër shtypjes, urrejtjes e përçarjes, në mënyrë që luftërat të pushojnë dhe ligjet e Perëndisë për paqe e dashuri të vendosen midis njerëzve.
13 Punoni! Punoni me të gjitha forcat tuaja, përhapni Kauzën e Mbretërisë midis njerëzve; mësojini të pavarurit të kthehen me përunjësi ndaj Perëndisë, mëkatarët të mos mëkatojnë më dhe pritni me besim të gëzueshëm ardhjen e Mbretërisë.
14 Duajeni dhe bindjuni Atit tuaj Qiellor dhe të jeni të sigurt se do të keni ndihmën Hyjnore. Me të vërtetë unë ju them se ju me të vërtetë do të pushtoni botën!
15 Vetëm kini besim, durim e guxim—ky është vetëm fillimi, por me siguri ju do të keni sukses, sepse Perëndia është me ju!
33. LIDHUR ME SHPIFJEN
E hënë, 20 nëntor
1 Që nga fillimi i botës deri në kohën e tanishme çdo ‘Manifestim’[17] i dërguar nga Perëndia është kundërshtuar nga një mishërim i “Fuqive të Errësirës”.
2 Kjo fuqi e errët është përpjekur gjithnjë të shuajë Dritën. Tirania gjithmonë ka kërkuar të mposhtë drejtësinë. Injoranca është orvatur me këmbëngulje të marrë nëpër këmbë dijen. Kjo ka qenë, që nga kohët më të lashta, metoda e botës materiale.
3 Në kohën e Moisiut, Faraoni iu vu vetë të parandalonte përhapjen kudo të Dritës së Moisiut.
4 Në kohën e Krishtit, Anai dhe Kaifai e ndezën popullin çifut kundër Tij dhe doktorët e ditur të Izraelit u bashkuan për t’i qëndruar Fuqisë së Tij. Kundër Tij u vunë në qarkullim gjithfarë shpifjesh. Skribët dhe farisenjtë komplotuan për ta bërë popullin të besonte se Ai ishte një gënjeshtar, një femohues e një blasfemues. Ata i përhapën këto përgojime kundër Krishtit në gjithë botën Lindore dhe bënë që Ai të dënohet me një vdekje të turpshme!
5 Edhe në rastin e Muhametit doktorët e ditur të kohës së Tij vendosën ta shuanin dritën e ndikimit të Tij. Ata u përpoqën me forcën e shpatës të parandalonin përhapjen e mësimit të Tij.
6 Pavarësisht nga përpjekjet e tyre, Dielli i së Vërtetës ndriçoi nga horizonti. Në çdo rast ushtria e dritës i zhduku fuqitë e errësirës në fushën e betejës të botës, dhe rrezatimi i Mësimit Hyjnor ndriçoi tokën. Ata që e pranuan Mësimin dhe punuan për Kauzën e Perëndisë u bënë yje ndriçues në qiellin e njerëzimit.
7 Tani, në vetë kohën tonë, historia përsërit vetveten.
8 Ata që do të donin që njerëzit të besonin se feja është çështje e tyre private, përsëri i drejtojnë përpjekjet e tyre kundër Diellit të së Vërtetës: Ata e kundërshtojnë Porosinë e Perëndisë; ata sajojnë shpifje, duke mos pasur argumente kundër saj dhe as prova. Ata sulmojnë me maska në fytyrë, pa guxuar të dalin në dritën e ditës.
9 Metodat tona janë të ndryshme, ne nuk sulmojmë, dhe as shpifim; ne nuk dëshirojmë të polemizojmë me ta; ne sjellim prova e argumente; ne i ftojmë ata të hedhin poshtë thëniet tona. Ata nuk na përgjigjen dot neve, përkundrazi shkruajnë çdo gjë që u shkon ndërmend kundër Lajmëtarit Hyjnor, Bahá’u’lláh-ut.
10 Mos lejoni që zemrat tuaja të shqetësohen nga këto shkrime shpifëse! Bindjuni fjalëve të Bahá’u’lláh-ut dhe mos iu përgjigjni atyre. Madje gëzohuni që edhe këto gënjeshtra do të sjellin si rezultat përhapjen e së vërtetës. Kur këta shpifës shfaqen, bëhen hetime dhe ata që hetojnë marrin dijeni për Besimin.
11 Në qoftë dikush do të thoshte ‘Ka një llambë në dhomën ngjitur, e cila nuk jep dritë’, një dëgjues mund të kënaqej me këtë raportim, por një njeri më i zgjuar futet në dhomë për të gjykuar ai vetë, dhe ja, kur sheh dritën që llamburit me shkëlqim në llambë, ai e mëson të vërtetën!
12 Ose, dikush thotë: ‘Atje është një kopsht, në të cilin ka pemë me degë të thyera që nuk kanë fruta dhe gjethet janë të fishkura e të verdha! Në atë kopsht ka, gjithashtu, bimë lulëzuese që nuk kanë lule dhe kaçube trëndafili të thara e që po vdesin—mos shkoni në atë kopsht!’ Një njeri i drejtë, duke dëgjuar këto për kopshtin, nuk do të mbetet i kënaqur pa e parë ai vetë nëse kjo është e vërtetë ose jo. Prandaj ai hyn në kopsht, dhe ja, e gjen atë të punuar mirë; degët e pemëve janë të shëndetshme e të forta, dhe janë të ngarkuara me fruta të pjekura nga më të shijshmet midis buisjes së gjetheve të bukura jeshile. Bimët lulëzuese janë të mbushura me lule plot ngjyra; kaçubet e trëndafilit janë të mbuluara me trëndafila erëmirë e të bukur dhe çdo gjë jeshilon e dëshmon për një kujdes të madh. Kur madhështia e kopshtit shpaloset para syve të njeriut të drejtë, ai lëvdon Perëndinë që, nëpërmjet një shpifjeje të padenjë, u çua në një vend me një bukuri të tillë mahnitëse!
13 Ky është rezultati i punës së shpifësit: të bëhet shkak që njerëzit të çohen në zbulimin e së vërtetës.
14 Ne e dimë se të gjitha gënjeshtrat e përhapura për Krishtin dhe apostujt e Tij dhe të gjithë librat e shkruar kundër Tij vetëm i kanë shtyrë njerëzit të hetojnë rreth doktrinës së Tij; atëherë, pasi kanë parë bukurinë e kanë thithur aromën e saj, ata kanë ecur gjithmonë midis trëndafilave e frutave të atij kopshti qiellor.
15 Prandaj unë ju them: përhapni të Vërtetën Hyjnore me të gjitha forcat, që inteligjenca njerëzore të ndriçohet; kjo është përgjigja më e mirë ndaj atyre që shpifin. Unë nuk dua të flas për ata njerëz dhe as të them ndonjë gjë të keqe për ta, por vetëm t’ju them juve se shpifja nuk ka ndonjë rëndësi!
16 Retë mund ta zënë diellin, por, edhe sikur ato të jenë shumë të dendura, rrezet e tij do të depërtojnë! Asgjë nuk mund ta ndalojë rrezatimin e diellit që të zbresë për të ngrohur e gjallëruar Kopshtin Hyjnor.
17 Asgjë nuk mund të ndalojë rënien e shiut nga Qielli.
18 Asgjë nuk mund të ndalë përmbushjen e Fjalës së Perëndisë!
19 Prandaj kur shihni libra e gazeta të shkruara kundër Revelacionit, mos u mërzisni, por gjeni ngushëllim në sigurinë që përmes kësaj Kauza do të fitojë forcë.
20 Askush nuk hedh gurë në një pemë që nuk ka fruta.Askush nuk përpiqet të shuajë një llambë që nuk ka dritë!
21 Shikoni kohët e shkuara. A patën shpifjet e Faraonit ndonjë efekt? Ai thoshte se Moisiu ishte një vrasës, se ai kishte vrarë një njeri dhe meritonte të ekzekutohej! Ai thoshte gjithashtu se Moisiu dhe Aaroni ishin mbjellës të përçarjes, se ata përpiqeshin të zhduknin fenë e Egjiptit dhe prandaj duheshin dënuar me vdekje. Këto fjalë të Faraonit u folën më kot. Drita e Moisiut shkëlqente. Rrezatimi i i Ligjit të Perëndisë kishte rrethuar botën!
22 Kur farisenjtë thanë për Krishtin se Ai kishte shkelur Ditën e Sabatit, se Ai kishte sfiduar Ligjin e Moisiut, se Ai kishte kërcënuar të shkatërronte Tempullin dhe Qytetin e Shenjtë të Jeruzalemit dhe se Ai e meritonte të kryqëzohej—ne e dimë se të gjitha këto sulme shpifëse nuk dhanë rezultat për të ndaluar përhapjen e Ungjillit!
23 Dielli i Krishtit shkëlqente i ndritshëm në qiell dhe fryma e Shpirtit të Shenjtë u çua në mbarë botën!
24 Dhe unë ju them juve se asnjë shpifje nuk është në gjendje të mposhtë Dritën e Perëndisë; ajo mund të ketë si rezultat vetëm që ta bëjë atë të njihet në mënyrë më universale. Në qoftë se një kauzë do të ishte e parëndësishme, kush do të merrte mundimin të punonte kundër saj!
25 Por gjithmonë, sa më e madhe të jetë kauza, aq më tepër armiqtë dalin në numër gjithnjë e më të madh duke u përpjekur ta përmbysin atë! Sa më e shkëlqyeshme të jetë drita, aq më e errët është hija! Roli ynë është të veprojmë në pajtim me mësimet e Bahá’u’lláh-ut me përunjësi e qëndrueshmëri të patundur.
34. NUK MUND TË KETË LUMTURI E PËRPARIM TË VËRTETË PA SHPIRTËSI
21 nëntor
1 Egërsia e shtazëria janë të natyrshme te kafshët, kurse njeriu duhet të shfaqë vetitë e dashurisë e të miqësisë. Perëndia i dërgoi të gjithë Profetët e Tij në botë me një synim, për të mbjellë në zemrat e njerëzve dashuri e dashamirësi, dhe për këtë qëllim të madh ata ishin të gatshëm të vuanin e të vdisnin. Të gjithë Librat e shenjtë janë shkruar që të udhëheqin e drejtojnë njeriun në rrugët e dashurisë e të unitetit; e megjithatë, pavarësisht nga gjithë kjo, kemi pamjen e trishtuar të luftës e të gjakderdhjes në gjirin tonë.
2 Kur vështrojmë në faqet e historisë, të kaluar e të tashme, shohim tokën e zezë të skuqur nga gjaku i njerëzve. Njerëzit vrasin njëri-tjetrin si ujqit e egër dhe harrojnë ligjet e dashurisë e të tolerancës.
3 Tani ka ardhur kjo epokë e ndritshme, duke sjellë me vete qytetërim e përparim material të mahnitshëm. Intelekti i njerëzve është zgjeruar, perceptimet e tyre janë shtuar, por mjerisht, pavarësisht nga të gjitha këto, gjak i ri është derdhur nga dita në ditë. Shikoni luftën e tanishme turko-italiane; mendoni për një çast për fatin e këtyre njerëzve fatkeqë! Sa janë vrarë gjatë kësaj kohe të zymtë? Sa shtëpi janë rrënuar, sa gra janë mjeruar dhe sa fëmijë kanë mbetur jetimë! Dhe çfarë fitohet në shkëmbim të gjithë këtij ankthi e dëshpërimi? Vetëm një qoshe e tokës!
4 Të gjitha këto tregojnë se vetëm përparimi material nuk priret ta lartësojë njeriun. Në të kundërtën, sa më shumë ai zhytet në përparimin material, aq më tepër errësohet fryma e tij shpirtërore.
5 Në kohët e shkuara përparimi në planin material nuk ishte kaq i shpejtë, por nuk kishte as gjakderdhje me kaq bollëk. Në luftërat e lashta nuk kishte topa, nuk kishte pushkë, nuk kishte dinamit, nuk kishte predha, nuk kishte torpediniera, nuk kishte luftanije, nuk kishte nëndetëse. Tani, në saje të qytetërimit material, kemi të gjitha këto shpikje dhe lufta shkon keq e më keq! Vetë Evropa është bërë si një arsenal gjigand, plot lëndë shpërthyese, dhe mos e dhëntë Zoti të ndizet, sepse po ndodhi kjo, do të përfshihet gjithë bota.
6 Unë dua që ju të kuptoni se përparimi material dhe përparimi shpirtëror janë dy gjëra shumë të ndryshme dhe që vetëm në qoftë se përparimi material shkon krah për krah me frymën shpirtërore mund të kryhet çdo përparim real e Paqja e Madhe të mbretërojë në botë. Në qoftë se njerëzit do të ndiqnin Këshillat e Shenjta dhe Mësimet e Profetëve, në qoftë se Drita Hyjnore do të shkëlqente në të gjitha zemrat dhe njerëzit të ishin me të vërtetë fetarë, ne do të shihnim së shpejti paqen mbi tokë dhe Mbretërinë e Perëndisë midis njerëzve. Ligjet e Perëndisë mund të krahasohen me shpirtin dhe përparimi material me trupin. Në qoftë se trupi nuk do të merrte jetë nga shpirti, ai do të pushonte së ekzistuari. Është lutja ime e zjarrtë që fryma shpirtërore të rritet e shtohet gjithmonë në botë, në mënyrë që zakonet të ndriçohen dhe të vendosen paqja e harmonia.
7 Lufta dhe grabitja me mizoritë që i shoqërojnë janë të neveritshme për Perëndinë dhe sjellin me vete ndëshkimin e tyre, sepse Perëndia i dashurisë është edhe Perëndi i drejtësisë dhe çdo njeri në mënyrë të pashmangshme duhet të korrë atë që mbjell. Le të përpiqemi të kuptojmë porositë e Më të Lartit dhe t’i rregullojmë jetët tona siç na drejton Ai. Lumturia e vërtetë varet nga e mira shpirtërore dhe duke e pasur zemrën gjithnjë të hapur për të marrë Dhuratën Hyjnore.
8 Në qoftë se zemra largohet nga të mirat që ofron Perëndia, si mund të shpresojë ajo për lumturi? Në qoftë se ajo nuk e mbështet shpresën dhe besimin në Mëshirën e Perëndisë, ku mund ta mbështesë atë? Oh, mbështeteni besimin te Perëndia! sepse Bujaria e Tij është e pasosur, dhe te Bekimet e Tij, sepse ato janë të lavdishme. Oh! mbështeteni besimin tuaj te Fuqiploti, sepse Ai kurrë nuk harron dhe mirësia e Tij vazhdon përgjithmonë! Dielli i Tij jep dritë vazhdimisht dhe Retë e Mëshirës së Tij janë plot me Ujë të Dhembshurisë, me të cilin Ai ujit zemrat e të gjithë atyre që kanë besim tek Ai. Flladi i Tij freskues sjell gjithmonë shërim në krahët e veta për shpirtrat e etur të njerëzve! A është e urtë të largohesh nga një Atë i tillë Që të do, Që resh bekimet e Tij mbi ne, dhe të parapëlqesh të bëhesh skllav i materies?
9 Perëndia në mirësinë e Tij të pafund na ka lartësuar ne me kaq shumë nder dhe na ka bërë mjeshtra mbi botën materiale. Atëherë a duhet që ne të bëhemi skllevër të saj? Jo, përkundrazi le të kërkojmë parëlindjen tonë dhe të përpiqemi të bëjmë jetën e bijve shpirtërorë të Perëndisë. Dielli i lavdishëm i së Vërtetës ka dalë përsëri në Lindje. Nga horizonti i largët i Persisë rrezatimi i tij është përhapur gjerësisht, duke shpërndarë retë e dendura të paragjykimit. Drita e unitetit të njerëzimit po fillon të ndriçojë botën dhe së shpejti flamuri i harmonisë Hyjnore e solidariteti i kombeve do të fluturojnë lart në Qiejt. Vërtet, flladet e Shpirtit të Shenjtë do të frymëzojnë botën mbarë!
10 Oh, popuj e kombe! Ngrihuni dhe punoni e jini të lumtur! Mblidhuni së bashku nën tendën e unitetit të njerëzimit!
35. DHIMBJA DHE BRENGA
22 nëntor
1 Në këtë botë mbi ne ushtrojnë ndikim dy ndjenja, Gëzimi dhe Dhimbja.
2 Gëzimi na bën me fletë! Në kohë gëzimi forca jonë është më jetësore, intelekti jonë më i thellë dhe gjykimi jonë më pak i errësuar. Ne dukemi më mirë në gjendje të përballojmë botën dhe të gjejmë sferën tonë të dobisë. Por kur na viziton trishtimi, ne bëhemi të dobët, na lënë forcat, kuptimi ynë është i mjegulluar dhe inteligjenca jonë e errësuar. Realitetet e jetës duket se i shmangen kapjes sonë, sytë e shpirtrave tanë nuk zbulojnë dot misteret e shenjtëruara dhe ne bëhemi madje si qenie të vdekura.
3 Nuk ka qenie njerëzore që nuk preket nga këto dy ndikime; por të gjitha brengat e hidhërimet që ekzistojnë vijnë nga bota e materies, bota shpirtërore dhuron vetëm gëzim!
4 Në qoftë se ne vuajmë, kjo është rezultati i gjërave materiale dhe të gjitha sprovat e shqetësimet vijnë nga kjo botë e iluzionit.
5 Për shembull, një tregtar mund të humbasë tregtinë e tij dhe vjen depresioni. Një punëtor pushohet nga puna dhe në fytyrën e tij duket makthi i urisë. Një bujk merr një prodhim të keq dhe mendjen e tij e pushton ankthi. Një njeri ndërton një shtëpi, e cila digjet e rrafshohet përtokë dhe ai menjëherë mbetet pa shtëpi, rrënohet dhe e mbërthen dëshpërimi.
6 Të gjithë këta shembuj shërbejnë për t’ju treguar juve se sprovat që na mësyejnë në çdo hap tonin, të gjitha brengat, vuajtjet, turpi e hidhërimi kanë lindur në botën e materies; ndërsa Mbretëria shpirtërore nuk shkakton kurrë trishtim. Një njeri që jeton me mendimet e tij në këtë Mbretëri njeh vetëm gëzim të përhershëm. Të këqiat të cilave u nënshtrohet mishi nuk kalojnë pa u ndier, por ato prekin vetëm sipërfaqen e jetës së tij, thellësitë janë të qeta e në paqe.
7 Sot njerëzimi është thyer nga shqetësimet, brenga e hidhërimi, askush nuk i shpëton kësaj; bota është e lagur me lot; por, shyqyr Zotit, shpëtimi është te dera. Le t’i largojmë zemrat nga bota e materies dhe të jetojmë në botën shpirtërore! Vetëm ajo mund të na japë neve liri! Në qoftë se na rrethojnë vështirësitë, duhet vetëm të thërrasim Perëndinë dhe falë Mëshirës së Tij të madhe do të marrim ndihmë.
8 Në qoftë se na vizitojnë brenga e mbrapshtia, le ta kthejmë fytyrën ndaj Mbretërisë dhe ngushëllimi qiellor do të vërshojë.
9 Në qoftë se jemi të sëmurë e në ankth, le t’i lutemi Perëndisë të na japë shërim, dhe Ai do t’i përgjigjet lutjes sonë.
10 Kur mendimet tona janë të mbushura me hidhërimin e kësaj bote, le t’i kthejmë sytë ndaj ëmbëlsisë së dhembshurisë së Perëndisë dhe Ai do të na dërgojë qetësi qiellore! Në qoftë se jemi të burgosur në botën materiale, shpirti ynë mund të fluturojë në Qiejt dhe ne me të vërtetë do të jemi të lirë!
11 Kur ditët tona janë duke iu afruar fundit, le të mendojmë për botët e përjetshme dhe do të mbushemi me gëzim!
12 Ju shihni rreth e qark jush prova të papërshtatshmërisë së gjërave materiale—sesi gëzimi, qetësimi, paqja e ngushëllimi nuk gjenden në gjërat kalimtare të botës. A nuk është, pra, marrëzi të mos duash t’i kërkosh këto thesare kur ato mund të gjenden? Dyert e Mbretërisë shpirtërore janë të hapura për të gjithë, dhe pa të ka errësirë të plotë.
13 Shyqyr Zotit që ju në këtë mbledhje e keni këtë dije, sepse në të gjitha hidhërimet e jetës ju mund të merrni ngushëllimin suprem. Në qoftë se ditët tona mbi tokë janë të numëruara, ju e dini se ju pret jeta e pasosur. Në qoftë se ankthi material ju mbështjell në një re të zezë, rrezatimi shpirtëror ndriçon shtegun tuaj. Me të vërtetë, ata që i kanë mendjet të ndriçuara nga Shpirti i Më të Lartit kanë ngushëllim suprem.
14 Unë vetë kam qenë dyzet vjet në burg; edhe vetëm një vit do të ishte e pamundur të përballohej, askush nuk ka mbijetuar në atë burgim më shumë se një vit! Por, lëvduar qoftë Perëndia, gjatë gjithë atyre dyzet vjetëve unë kam qenë jashtëzakonisht i lumtur çdo ditë: kur ngrihesha nga gjumi ishte sikur dëgjoja lajme të gëzuara dhe çdo natë kisha gëzim pambarim. Jeta shpirtërore ishte ngushëllimi im dhe të kthyerit ndaj Perëndisë gëzimi im më i madh. Po të mos ishte kështu, a mendoni ju so do të kishte qenë e mundur që unë të jetoja gjatë atyre dyzet vjetëve në burg?
15 Pra, fryma shpirtërore është më e madhja dhuratë e Perëndisë dhe ‘Jeta e Pasosur’ do të thotë ‘Të kthehesh ndaj Perëndisë’. Uroj që të rriteni, të gjithë pa përjashtim, çdo ditë në frymën shpirtërore, të forcoheni në çdo mirësi, të keni gjithnjë e më shumë ndihmën e ngushëllimit Hyjnor, të bëheni të lirë në saje të Shpirtit të Shenjtë të Perëndisë, që fuqia e Mbretërisë Qiellore të jetojë e të punojë midis jush.
16 Kjo është dëshira ime më e zjarrtë dhe unë i lutem Perëndisë t’ju dhurojë juve këtë favor.
36. NDJENJAT DHE VIRTYTET NJERËZORE TË PËRSOSURA
23 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Ju të gjithë duhet të jeni shumë të lumtur e mirënjohës ndaj Perëndisë për privilegjin tuaj të madh.
2 Ky është një takim thjesht shpirtëror! Lëvduar qoftë Perëndia, zemrat tuaja janë të kthyera ndaj Tij, shpirtrat tuaj janë tërhequr ndaj Mbretërisë, ju keni aspirata shpirtërore dhe mendimet tuaja fluturojnë lart mbi botën e pluhurit.
3 Ju i përkisni botës së dëlirësisë dhe nuk kënaqeni të jetoni jetën e kafshës, duke i harxhuar ditët tuaja për të ngrënë, për të pirë e për të fjetur. Ju jeni me të vërtetë njerëz! Mendimet e ambicjet tuaja kanë si synim të fitoni përsosuri njerëzore. Ju jetoni për të bërë mirë dhe për t’u sjellë lumturi të tjerëve. Dëshira juaj më e madhe është të ngushëlloni ata që janë në zi, të forconi të dobëtit dhe të ngjallni shpresë në shpirtrat e dëshpëruar. Natë e ditë mendimet tuaja janë të kthyera ndaj Mbretërisë dhe zemrat tuaja janë të mbushura me dashurinë e Perëndisë.
4 Kështu, ju nuk njihni as kundërvënie, antipati ose urrejtje, sepse çdo krijesë njerëzore është e shtrenjtë për ju dhe ju kërkoni të mirën e gjithsecilit.
5 Këto janë ndjenja e virtyte njerëzore të përsosura. Në qoftë se një njeri nuk ka asnjë prej tyre, ai më mirë të mos jetojë më. Në qoftë se një llambë nuk jep më dritë, ajo më mirë të thyhet. Në qoftë se një pemë nuk jep fruta, ajo më mirë të pritet, sepse vetëm rëndon tokën.
6 Me të vërtetë, është një mijë herë më mirë që njeriu të vdesë sesa të vazhdojë të jetojë pa virtyte.
7 Ne kemi sy për të parë, por në qoftë se nuk i përdorim ata ç’dobi na sjellin? Ne kemi veshë për të dëgjuar, por në qoftë se jemi të shurdhër për çfarë na shërbejnë ata?
8 Ne kemi gjuhë për të lëvduar Perëndinë dhe për të shpalluar lajmet e gëzuara, por në qoftë jemi memecë sa e padobishme është ajo!
9 Perëndia Dashuriplotë e krijoi njeriun që të rrezatojë dritën Hyjnore dhe të ndriçojë botën me fjalët, veprimet dhe jetën e tij. Në qoftë se nuk ka virtyte, ai bëhet jo më i mirë se një kafshë e thjeshtë, dhe një kafshë pa inteligjencë është një gjë e ulët.
10 Ati Qiellor ia dha dhuratën e paçmuar të inteligjencës njeriut që ai të bëhet një dritë shpirtërore, e cila çan errësirën e materialitetit dhe sjell mirësi e të vërtetën në botë. Në qoftë se ju do të ndiqni me zell mësimet e Bahá’u’lláh-ut, me të vërtetë do të bëheni drita e botës, shpirti për trupin e botës, ngushëllim e ndihmë për njerëzimin dhe burimi i shpëtimit për mbarë gjithësinë. Përpiquni, pra, me mish e me shpirt të ndiqni porositë e Përsosurisë së Bekuar dhe të jeni të sigurt që, në qoftë se ia dilni të jetoni jetën që Ai cakton për ju, Jeta e Amshuar dhe gëzimi i pasosur në Mbretërinë Qiellore do të jenë tuajat dhe mbështetja qiellore do të dërgohet që t’ju forcojë gjatë gjithë ditëve tuaja.
11 Është lutja e zjarrtë e zemrës sime që secili prej jush të arrijë këtë lumturi të plotë!
37. MOSPËRFILLJA E PASHPIRT E NJERËZVE
PËR VUAJTJET E RACAVE TË HUAJA
24 nëntor
‘Abdu’l-Bahá-i tha:
1 Sapo më thanë se në këtë vend ka pasur një aksident të tmerrshëm. Një tren ka rënë në lumë dhe të paktën njëzet vetë janë vrarë. Kjo do të diskutohet sot në Parlamentin Francez dhe Drejtori i Hekurudhës Shtetërore do të thirret për të folur. Atij do t’i bëhen pyetje lidhur me gjendjen e hekurudhës e nga se u shkaktua aksidenti dhe do të ketë një debat të zjarrtë. Unë çuditem e habitem kur vë re se ç’interes e emocion është ngjallur në mbarë vendin për vdekjen e njëzet vetëve, ndërsa qëndrojnë të ftohtë e indiferentë ndaj faktit që mijëra italianë, turq e arabë vriten në Tripoli! Tmerri i kësaj kasapane masive nuk e ka shqetësuar aspak Qeverinë! E pra, këta njerëz fatkeqë janë gjithashtu njerëz.
2 Përse tregohet kaq shumë interes e simpati e zjarrtë ndaj këtyre njëzet individëve, ndërsa nuk ka fare për pesë mijë persona? Të gjithë ata janë njerëz, të gjithë i përkasin familjes së njerëzimit, por ata janë nga vende e raca të tjera. Nuk ka shqetësim të vendeve të çinteresuara në qoftë se këta njerëz bëhen copa-copa, kjo kasapanë masive nuk i prek ato! Sa e padrejtë, sa e pashpirt është kjo, sa e zhveshur krejtësisht nga çdo ndjenjë e mirë dhe e vërtetë! Njerëzit e këtyre vendeve të tjera kanë fëmijë e gra, nëna, vajza dhe djem të vegjël! Në këto vende zor se ka sot shtëpi ku të mos dëgjohet zëri i të qarave plot hidhërim, vështirë se mund të gjesh një shtëpi që nuk është prekur nga dora mizore e luftës.
3 Mjerisht! ne shohim nga të gjitha anët sa i egër, plot paragjykime e i padrejtë është njeriu, dhe sa me zor beson ai te Perëndia e ndjek porositë e Tij.
4 Në qoftë se këta njerëz do të donin e do të ndihmonin njëri-tjetrin në vend që të jenë aq të zellshëm për të shkatërruar me shpatë e me top, sa më fisnike do të ishte kjo! Sa më mirë do të ishte që ata të jetonin si një tufë pëllumbash në paqe e harmoni, në vend që të jenë si ujq e të shqyejnë njëri-tjetrin.
5 Përse njeriu është kaq i pashpirt nga zemra? Kjo ndodh sepse ai ende nuk e njeh Perëndinë. Në qoftë se do të kishte dije për Perëndinë, ai nuk do të mund të vepronte në kundërshtim me ligjet e Tij; në qoftë se ai do të kishte një mendje shpirtërore, një mënyrë e tillë sjelljeje do të ishte e pamundur për të. Sikur ligjet dhe porositë e profetëve të Perëndisë të ishin besuar, kuptuar e ndjekur, luftërat nuk do të errësonin më fytyrën e tokës.
6 Në qoftë se njeriu do të kishte qoftë edhe bazat elementare të drejtësisë, një gjendje e tillë e punëve do të ishte e pamundur.
7 Prandaj unë ju them juve—lutuni dhe kthejini fytyrat ndaj Perëndisë, që Ai, në dhembshurinë e mëshirën e Tij të pafund, të ndihmojë e lehtësojë këta njerëz që ecin në rrugë të gabuar. Lutuni që Ai t’u dhurojë atyre gjykim e t’u mësojë tolerancën e mëshirën, që sytë e mendjeve të tyre të hapen dhe ata të pajisen me dhuntinë e frymës shpirtërore. Atëherë paqja dhe dashuria do të ecin dorë për dorë përmes vendeve dhe këta njerëz të varfër fatkeqë do të kenë qetësi.
8 Le të përpiqemi të gjithë natë e ditë të ndihmojmë që të krijohen kushte më të mira. Zemra ime është thyer nga këto gjëra të tmerrshme dhe thërret me forcë; arrijtë kjo thirrje në zemra të tjera!
9 Atëherë të verbërit do të shohin, të vdekurit do të ngrihen dhe Drejtësia do të vijë e do të mbretërojë mbi tokë.
10 Unë ju kërkoj të luteni me zemër e me shpirt që kjo të përmbushet.
38. NE NUK DUHET TË LIGËSHTOHEMI QË JEMI
TË PAKTË NË NUMËR
25 nëntor
1 Kur u shfaq Krishti, Ai e manifestoi Veten në Jeruzalem. Ai i ftonte njerëzit në Mbretërinë e Perëndisë, Ai i ftonte ata në Jetën e Amshuar dhe u thoshte atyre të fitonin përsosuri njerëzore. Drita e Udhërrëfimit përhapej nga Ylli rrezatues dhe Ai me kohë dha jetën e Tij si fli për njerëzimin.
2 Gjatë gjithë jetës së Tij të bekuar ai vuajti shtypje e mundime, e megjithëkëtë njerëzimi qe armiku i Tij!
3 Ata e mohuan, e përbuzën, e keqtrajtuan dhe e mallkuan Atë. Ata e trajtuan atë si njeri; e megjithatë, pavarësisht nga kjo, Ai ishte mishërimi i mëshirës dhe i mirësisë e i dashurisë supreme.
4 Ai dashuronte të gjithë njerëzit, por ata e trajtuan Atë si armik dhe nuk qenë në gjendje ta vlerësonin Atë. Ata nuk i çmonin fjalët e Tij dhe nuk ishin të ndriçuar nga flaka e dashurisë së Tij.
5 Më vonë ata e kuptuan se kush ishte Ai; se Ai ishte Drita e Shenjtë e Hyjnore dhe se fjalët e Tij përmbanin Jetën e Amshuar.
6 Zemra e Tij ishte plot dashuri për gjithë botën, mirësia e Tij ishte destinuar të prekte gjithsecilin, dhe ata filluan t’i kuptonin këto gjëra, ata u penduan, por Ai ishte kryqëzuar!
7 Vetëm pas shumë vjetësh që Ai u ngjit në qiell ata mësuan se Cili ishte Ai, dhe në kohën e ngjitjes së Tij vetëm një numër relativisht i vogël pasuesish u besonte porosive të Tij dhe ndiqte ligjet e Tij. Të paditurit thonin ‘Cili është ky individ; Ai ka vetëm disa dishepuj!’ Por ata që edinin thonin: ‘Ai është Dielli që do të ndriçojë në Lindje e në Perëndim, Ai është Manifestimi që do t’i japë jetë botës’.
8 Atë që dishepujt e parë kishin parë bota e kuptoi më vonë.
9 Prandaj ju që jeni në Evropë mos u ligështoni sepse jeni pak ose sepse njerëzit mendojnë se Kauza juaj është e parëndësishme. Mos u dekurajoni në qoftë se në mbledhjet tuaja vijnë pak njerëz, dhe mos u shqetësoni në rast se ju tallin e ju kundërshtojnë, sepse apostujve të Krishtit iu desh të përballonin të njëjtën gjë. Ata i poshtëruan e i përndoqën, i mallkuan e i keqtrajtuan, por më në fund ata dolën fitimtarë, ndërsa armiqtë e tyre doli se e kishin gabim.
10 Në qoftë se historia do të përsëriste vetveten dhe të gjitha këto gjëra do t’ju ndodhnin juve, mos u hidhëroni por mbushuni me gëzim dhe falënderoni Perëndinë që ju jeni caktuar të vuani siç kanë vuajtur njerëzit e shenjtë të së shkuarës. Në qoftë se ata ju kundërvihen jini të dashur me ta, në qoftë se ju kundërshtojnë jini të vendosur në Besimin tuaj, në qoftë se ju shmangen dhe ikin kur ju shohin kërkojini ata dhe trajtojini me mirësjellje. Mos i bëni keq askujt; lutuni për të gjithë; përpiquni që drita juaj të shndrisë në botë dhe flamuri juaj të ngrihet lart në Qiejt. Aroma e mrekullueshme e jetëve tuaja fisnike do të përhapet kudo. Drita e së vërtetës që është ndezur në zemrat tuaja do të shkëlqejë në horizontin e largët!
11 Mospërfillja e përçmimi i botës nuk kanë asnjëlloj rëndësie, ndërsa jetët tuaja do të kenë rëndësinë më të madhe.
12 Të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën në Mbretërinë Qiellore, shkëlqejnë si yje; ata janë si pemë frutore të ngarkuara me fruta të zgjedhura, si dete plot margaritarë të çmuar.
13 Vetëm kini besim në Mëshirën e Perëndisë dhe përhapni të Vërtetën Hyjnore.
39. FJALË TË THËNA NGA ‘ABDU’L-BAHÁ-I NË
PASTOR WAGNER’S CHURCH (FOYER DE L’AME) NË PARIS
26 nëntor
1 Jam i prekur thellë nga fjalët e simpatisë që më janë drejtuar mua, dhe shpresoj se nga dita në ditë dashuria e miqësia e vërtetë do të shtohen midis nesh. Perëndia deshi që dashuria të jetë një forcë jetësore në botë dhe ju të gjithë e dini sa gëzohem unë të flas për dashurinë.
2 Gjatë të gjitha kohëve, profetët e Perëndisë janë dërguar në botë për t’i shërbyer kauzës së të vërtetës: Moisiu solli ligjin e së vërtetës, dhe të gjithë profetët e Izraelit pas tij u përpoqën ta përhapin atë.
3 Kur erdhi Jezusi, Ai ndezi pishtarin e përflakur të së vërtetës dhe e ngriti lart atë, në mënyrë që mbarë bota të ndriçohej prej tij. Pas tij erdhën apostujt e Tij të zgjedhur dhe shkuan kudo, duke çuar dritën e mësimit të Mësuesit të tyre në një botë të errët, pastaj edhe ata kaluan.
4 Pastaj erdhi Muhameti, i cili në kohën e me mënyrën e Vet përhapi dijen e së vërtetës midis një populli të egër; sepse ky ka qenë gjithmonë misioni i të zgjedhurve të Perëndisë.
5 Kështu, më në fund, kur Bahá’u’lláh-u doli në Persi, dëshira e Tij më e zjarrtë ishte të rindizte dritën e venitur të së vërtetës në të gjitha vendet. Të gjithë njerëzit e shenjtë të Perëndisë janë përpjekur me mish e me shpirt të përhapin dritën e dashurisë e të unitetit në mbarë botën, që errësira e materialitetit të zhdukej dhe drita e frymës shpirtërore të ndriçonte midis bijve të njerëzve. Atëherë urrejtja, shpifja e vrasja do të zhduken dhe në vend të tyre do të sundojnë dashuria, uniteti e paqja.
6 Të gjitha Manifestimet e Perëndisë kanë ardhur me të njëjtin qëllim dhe të gjithë ata janë përpjekur t’i çojnë njerëzit në shtigjet e virtytit. Megjithatë ne, shërbëtorët e tyre, ende polemizojmë me njëri-tjetrin! Përse ndodh kështu? Përse ne nuk e duam njëri-tjetrin dhe të jetojmë në unitet?
7 Kjo ndodh për shkak se ne i kemi mbyllur sytë para parimit që qëndron në themel të çdo feje, se Perëndia është një i vetëm, se Ai është Ati i të gjithë neve, se ne jemi të gjithë të zhytur në oqeanin e mëshirës së Tij dhe të strehuar e mbrojtur nga kujdesi i Tij dashamirës.
8 Dielli i lavdishëm i së Vërtetës ndriçon për të gjithë njëlloj, ujërat e mëshirës Hyjnore mbulojnë gjithsecilin dhe favori i Tij Hyjnor i dhurohet të gjithë bijve të Tij.
9 Ky Perëndi dashamirës dëshiron paqe për të gjitha krijesat e Tij; përse, pra, ata e harxhojnë kohën e tyre në luftë?
10 Ai i do e i mbron të gjithë bijtë e Tij, përse ata e harrojnë Atë?
11 Ai na dhuron kujdesin e Tij Atëror të gjithë neve, përse ne i shpërfillim vëllezërit tanë?
12 Sigurisht, kur e kuptojmë sa shumë na do e kujdeset për ne Perëndia, ne duhet t’i rregullojmë në mënyrë të tillë jetët tona, që të bëhemi më tepër si Ai.
13 Perëndia na ka krijuar ne, të gjithë pa përjashtim; përse ne veprojmë në kundërshtim me dëshirat e Tij, kur të gjithë jemi bij të Tij dhe dashurojmë të njëjtin Atë? Të gjitha këto ndarje që shohim nga të katër anët, të gjitha këto zënie e kundërvënie shkaktohen nga që njerëzit kapen pas ritualit e rregullave të jashtme dhe harrojnë të vërtetën e thjeshtë që qëndron në themel të tyre. Pikërisht praktikat e jashtme të fesë janë kaq të ndryshme dhe janë ato që shkaktojnë polemika e armiqësi, ndërsa realiteti është gjithmonë po ai dhe një i vetëm. Realiteti është e Vërteta dhe e vërteta nuk ka ndarje. E Vërteta është udhërrëfimi i Perëndisë, ajo është drita e botës, ajo është dashuri, ajo është mëshirë. Këto atribute të së vërtetës janë gjithashtu virtyte njerëzore të frymëzuara nga Shpirti i Shenjtë.
14 Pra, le të kapet fort pas së vërtetës secili e të gjithë bashkë dhe ne do të jemi me të vërtetë të lirë!
15 Po afron dita kur të gjitha fetë e botës do të bashkohen, sepse në parim ato janë në thelb një. Nuk ka nevojë për ndarje, duke e parë se janë vetëm format e jashtme që i ndajnë ato. Midis bijve të njerëzve disa shpirtra vuajnë për shkak të padijes, le të shpejtojmë t’i mësojmë ata; disa të tjerë janë si fëmijë që kanë nevojë për kujdes e edukim derisa të rriten; dhe disa janë të sëmurë, te këta ne duhet të çojmë shërimin Hyjnor.
16 Qofshin të paditur, si fëmijë ose të sëmurë, ata duhet t’i duam e t’i ndihmojmë, dhe jo t’i kemi zët për shkak të mospërsosurisë së tyre.
17 Doktorët e fesë janë krijuar që t’u sjellin shërim shpirtëror popujve dhe që të sjellin unitet midis kombeve. Në qoftë se ata sjellin ndarje, më mirë të mos jenë fare! Ilaçi jepet për ta shëruar një sëmundje, por në qoftë se ai e rëndon sëmundjen, është më mirë që ai të lihet mënjanë. Në qoftë se feja është vetëm për t’u bërë shkak përçarjeje, ajo më mirë të mos ekzistojë.
18 Të gjitha Manifestimet e dërguara nga Perëndia në botë do të kalonin përmes mundimeve e vuajtjeve të tyre të tmerrshme me shpresën e vetme që të përhapnin të Vërtetën, unitetin e harmoninë midis njerëzve. Krishti përballoi një jetë hidhërimi, dhimbjeje e brengosjeje për të dhënë një shembull të përsosur dashurie në botë. dhe pavarësisht nga kjo ne vazhdojmë të veprojmë në një frymë të kundërt ndaj njëri-tjetrit!
19 Dashura është parimi themelor i qëllimit të Perëndisë kundrejt njeriut, dhe Ai na ka porositur të duam njëri-tjetrin ashtu si Ai na do ne. Të gjitha këto mosmarrëveshje e grindje që dëgjojmë nga të gjitha anët priren vetëm të shtojnë materialitetin.
20 Bota në pjesën më të madhe është e zhytur në materializëm dhe bekimet e Shpirtit të Shenjtë injorohen. Ka shumë pak ndjenjë të vërtetë shpirtërore dhe përparimi i botës është në pjesën më të madhe thjesht material. Njerëzit janë duke u bërë si shtazë që vdesin, sepse ne e dimë që ata nuk kanë ndjenjë shpirtërore, ata nuk kthehen ndaj Perëndisë, ata nuk kanë fe! Këto gjëra i takojnë vetëm njeriut, dhe në qoftë se ai nuk i ka ato, është rob i natyrës dhe asnjë grimë më i mirë se një kafshë.
21 Si mund të kënaqet njeriu duke bërë jetën e një kafshe, kur Perëndia e ka bërë atë një krijesë aq të lartë? Çdo krijesë i nënshtrohet ligjeve të natyrës, por njeriu ka qenë në gjendje t’i mposhtë këto ligje. Dielli, pavarësisht nga fuqia e madhështia e tij, u nënshtrohet ligjeve të natyrës dhe nuk mund ta ndryshojë kursin e saj as edhe një fije floku. Oqeani i madh e i gjerë është i pafuqishëm të ndryshojë zbaticën dhe rrjedh sipas blirimit, asgjë nuk u kundërvihet dot ligjeve të natyrës përveç njeriut!
22 Por njeriut Perëndia i ka dhënë fuqi të tillë të mahnitshme saqë ai mund të drejtojë, të kontrollojë e të mposhtë natyrën.
23 Ligji i natyrës për njeriun është që ai ecë mbi tokë, por ai bën avionë dhe fluturon në ajër! Ai është krijuar të jetojë në tokë të thatë, por ai udhëton në det e madje edhe nën të!
24 Ai ka mësuar të kontrollojë fuqinë e elektricitetit, dhe ai e merr atë sipas dëshirës dhe e burgos në një llampë! Zëri i njeriut është bërë për të folur brenda distancash të shkurtra, por fuqia e njeriut është e tillë që ai ka bërë instrumente dhe mund të flasë nga Lindja në Perëndim! Të gjithë këta shembuj ju tregojnë sesi njeriu mund të qeverisë natyrën dhe sesi ai, si të thuash, rrëmben një shpatë nga dora e natyrës dhe e përdor atë kundër vetë asaj. Duke e parë se njeriu është krijuar si zot i natyrës, ç’marrëzi është që ai të bëhet skllav i saj! Ç’injorancë e budallallëk është të adhurosh natyrën, kur Perëndia në mirësinë e Tij na ka bërë ne zotër të saj. Pushteti i Perëndisë është i dukshëm për të gjithë, e megjithatë njerëzit mbyllin sytë e nuk e shohin atë. Dielli i së Vërtetës po ndriçon me tërë shkëqimin e Tij, por njeriu me sytë të mbyllur fort nuk mund ta sodisë madhështinë e Tij! është lutja ime më e zjarrtë drejtuar Perëndisë, që me Mëshirën e Dashamirësinë e Tij ju të gjithë të jeni të bashkuar e të mbushur me gëzimin më të madh.
25 Unë kërkoj nga ju të gjithë pa përjashtim të bashkoni lutjet tuaja me timen që lufta të marrë fund e gjakderdhja të pushojë, dhe që dashuria, miqësia, paqja dhe uniteti të sundojnë në botë.
26 Gjatë të gjitha kohëve ne shohim sesi gjaku ka njollosur sipërfaqen e tokës; por tani një rreze e një drite më të madhe ka ardhur, inteligjenca e njeriut është më e madhe, fryma shpirtërore ka filluar të rritet dhe me siguri po vjen një kohë kur fetë e botës do të jenë në paqe. Le t’i lemë argumentet mospërputhëse, që kanë të bëjnë me format e jashtme, dhe të bashkohemi për të çuar më shpejt përpara Kauzën Hyjnore të unitetit, derisa mbarë njerëzimi të njohë vetveten se është një familje, e bashkuar në dashuri.
PJESA E DYTË
Njëmbëdhjetë Parimet nga Mësimet e Bahá’u’lláh-ut, të shpjeguara nga ‘Abdu’l-Bahá-i në Paris.
Kërkimi i së vërtetës.
Uniteti i njerëzimit.
Feja duhet të sjellë dashuri e miqësi (nuk jepet më vete).
Uniteti i fesë dhe shkencës.
Heqja e paragjykimeve.
Barazimi i mjeteve të jetesës.
Barazia e njerëzve para ligjit.
Paqja universale.
Mospërzierja e fesë në politikë.
Barazia e sekseve—Edukimi i grave.
Fuqia e Shpirtit të Shenjtë.
40. SHOQATA TEOZOFIKE, PARIS
1 Që kur arrita në Paris, më kanë folur për Shoqatën Teofizike dhe unë e di se ajo përbëhet prej njerëzish të nderuar e të respektuar. Ju jeni njerëz të intelektit e të mendimit, njerëz me ideale shpirtërore dhe është një kënaqësi e madhe për mua të ndodhem midis jush.
2 Le të falënderojmë Perëndinë që na ka mbledhur së bashku këtë mbrëmje. Kjo më jep një gëzim të madh, sepse unë e shoh që ju jeni kërkues të së vërtetës. Ju nuk jeni të lidhur me zinxhirët e paragjykimit dhe dëshira juaj më e madhe është të njihni të vërtetën. E vërteta mund të krahasohet me diellin! Dielli është trupi ndriçues që shpërndan të gjitha hijet; po kështu e vërteta arratis hijet e imagjinatës sonë. Ashtu si dielli i jep jetë trupit të njerëzve, po kështu e vërteta u jep jetë shpirtrave të tyre. E vërteta është një diell që del nga pika të ndryshme në horizont.
3 Disa herë dielli del nga qendra e horizontit, pastaj në verë ai del më tej në veri, në dimër më tej në jug, por është gjithmonë i njëjti diell, sado të ndryshme janë pikat e daljes së tij.
4 Po kështu e vërteta është një e vetme, edhe pse manifestimet e saj mund të jenë shumë të ndryshme. Disa njerëz kanë sy dhe shohin. Këta adhurojnë diellin, pavarësisht nga ç’pikë e horizontit mund të agojë ai; dhe kur dielli ka lënë qiellin dimëror për t’u shfaqur në atë veror, ata dinë si ta gjejnë atë përsëri. Ka të tjerë që adhurojnë vetëm vendin nga i cili del dielli, dhe kur ai del në madhështinë e tij nga një vend tjetër ata mbeten në soditje para vendit të daljes së mëparshme të tij. Mjerisht, këta njerëz janë të privuar nga të mirat e diellit. Ata që në të vërtetë adhurojnë vetë diellin do ta njohin atë nga çdo vend-agim që ai të shfaqet dhe aty për aty do t’i kthejnë fytyrat drejt dritës së tij.
5 Ne duhet të adhurojmë vetë diellin dhe jo thjesht vendin e shfaqjes së tij. Po kështu njerëzit me zemër të ndriçuar adhurojnë të vërtetën në çdo horizont që ajo të shfaqet. Ata nuk janë të lidhur pas personalitetit, por ndjekin të vërtetën dhe janë në gjendje ta njohin atë pavarësisht se nga mund të vijë ajo. Është kjo e vërtetë që e ndihmon njerëzimin të përparojë, që u jep jetë të gjitha gjërave të krijuara, sepse ajo është Pema e Jetës!
6 Në mësimet e Tij, Bahá’u’lláh-u na jep shpjegimin e së vërtetës, dhe unë dua t’ju flas shkurtimisht për këtë, sepse e shoh që ju jeni të aftë të kuptoni.
7 Parimi i parë i Bahá’u’lláh-ut është:
Kërkimi i së vërtetës
8 Njeriu duhet ta çlirojë veten nga çdo paragjykim e nga rezultati i imagjinatës së vet, në mënyrë që të jetë në gjendje të kërkojë pa pengesë të vërtetën. E vërteta është një e vetme në të gjitha fetë dhe me anë të saj mund të arrihet uniteti i botës.
9 Të gjithë popujt kanë një besim themelor të përbashkët. Duke qenë një e vetme, e vërteta nuk mund të ndahet dhe dallimet që duket se ekzistojnë midis kombeve janë vetëm rezultat i lidhjes së tyre me paragjykimin. Mjafton që njerëzit vetëm të kërkonin të vërtetën, ata do ta shihnin veten të bashkuar.
10 Parimi i dytë i Bahá’u’lláh-ut është:
Uniteti i njerëzimit
11 Perëndia i vetëm dashuriplotë i dhuron Hirin e Favorin e Tij hyjnor gjithë njerëzimit; të gjithë pa përjashtim janë shërbëtorë të Më të Lartit dhe Mirësia, Mëshira e Dashamirësia e Tij reshin mbi të gjitha krijesat e Tij. Lavdia e njerëzisë është trashëgim i gjithsecilit.
12 Të gjithë njerëzit janë gjethe e fruta të së njëjtës pemë, ata janë të gjithë degë të pemës së Adamit, ata kanë të gjithë të njëjtën prejardhje. I njëjti shi ka rënë mbi ta, i njëjti diell i ngrohtë i rrit ata, të gjithë ata i freskon i njëjti fllad. Të vetmet dallime që ekzistojnë e që i mbajnë ata të veçuar janë këto: janë fëmijët që kanë nevojë për udhëheqje, të paditurit që duhen shkolluar, të sëmurët që kanë nevojë për kujdes e shërim; pra, unë them se mbarë njerëzimi është i mbështjellë nga Mëshira e Hiri i Perëndisë. Siç na thonë Shkrimet e Shenjta: Të gjithë njerëzit janë të barabartë para Perëndisë. Ai nuk vë re personat.
13 Parimi i tretë i Bahá’u’lláh-ut është:
Feja duhet të sjellë dashuri e miqësi
14 Feja duhet të bashkojë të gjitha zemrat dhe të bëjë që luftërat e grindjet të zhduken nga faqja e dheut, të lindë frymën shpirtërore dhe t’i sjellë jetë e dritë çdo zemre. Në qoftë se feja bëhet shkak antipatie, urrejtjeje e ndarjeje, do të ishte më mirë pa të dhe largimi nga një fe e tillë do të ishte një veprim i vërtetë fetar. Sepse është e qartë që qëllimi i një ilaçi është të shërojë; por në qoftë se ilaçi vetëm do ta rëndonte sëmundjen do të ishte më mirë të hiqej dorë prej tij. Çdo fe që nuk sjell dashuri e unitet nuk është fe. Të gjithë profetët e shenjtë kanë qenë si mjekë të shpirtit; ata jepnin receta për shërimin e njerëzimit; kështu çdo ilaç që shkakton sëmundje nuk vjen nga Mjeku i madh e suprem.
15 Parimi i katërt i Bahá’u’lláh-ut është:
Uniteti i fesë dhe shkencës
16 Ne mund ta mendojmë shkencën si një krah dhe fenë si një tjetër; zogu ka nevojë për dy krahë që të fluturojë, një i vetëm do të ishte i padobishëm. Çdo fe që kundërshton shkencën ose që i kundërvihet asaj është vetëm injorancë, sepse injoranca është e kundërta e dijes.
17 Një fe që konsiston vetëm në rite e ceremoni të paragjykimit nuk është e vërteta. Le të përpiqemi vendosmërisht të jemi mjete të bashkimit të fesë dhe shkencës.
18 ‘Aliu, dhëndri i Muhametit, ka thënë: ‘Ajo që është në pajtim me shkencën është gjithashtu në pajtim me fenë’. Çdo gjë që inteligjenca e njeriut nuk mund ta kuptojë, feja nuk duhet ta pranojë. Feja dhe shkenca ecin dorë për dore dhe çdo fe e kundërt me shkencën nuk është e vërteta.
19 Parimi i pestë i Bahá’u’lláh-ut është:
Paragjykimet e fesë, të racës ose të sektit shkatërrojnë themelet e njerëzimit
20 Të gjitha ndarjet në botë, urrejtja, lufta dhe gjakderdhja shkaktohen nga njëri ose tjetri prej këtyre paragjykimeve.
21 Gjithë bota duhet parë si një vend i vetëm, të gjitha kombet si një komb, të gjithë njerëzit si pjesëtarë të një race. Fetë, racat dhe kombet janë të gjitha ndarje të bëra vetëm nga njeriu dhe të nevojshme vetëm në mendimin e tij; para Perëndisë nuk ka persë, arabë, francezë ose anglezë; Perëndia është Perëndi për të gjithë dhe për Atë gjithë krijimi është një. Ne duhet t’i bindemi Perëndisë dhe të përpiqemi ta ndjekim Atë duke hequr dorë nga të gjitha paragjykimet e duke sjellë paqen mbi tokë.
22 Parimi i gjashtë i Bahá’u’lláh-ut është:
Mundësi të barabarta për mjetet e jetesës
23 Çdo qenie njerëzore ka të drejtën për të jetuar, ka të drejtën për pushim dhe për një masë mirëqenieje. Ashtu si një njeri i pasur jeton në pallatin e tij i rrethuar nga luksi e komoditeti më i madh, po kështu një njeri i varfër duhet të ketë gjërat e nevojshme për jetesë. Askush nuk duhet të vdesë nga uria; secili duhet të ketë veshje të mjaftueshme; asnjeri nuk duhet të jetojë në tepri, ndërsa një tjetër nuk ka mjetet e nevojshme të jetesës.
24 Le të përpiqemi me të gjitha forcat të krijojmë kushte më fatlume, në mënyrë që asnjë shpirt i vetëm të mos jetë në skamje.
25 Parimi i shtatë i Bahá’u’lláh-ut është:
Barazia e njerëzve—barazi para ligjit
26 Ligji duhet të mbretërojë dhe jo individi; kështu bota do të bëhet një vend bukurie dhe do të realizohet vëllazëria e vërtetë. Duke arritur solidaritetin, njerëzit do të gjejnë të vërtetën.
27 Parimi i tetë i Bahá’u’lláh-ut është:
Paqja universale
28 Një Gjykatë Supreme do të zgjidhet nga popujt dhe qeveritë e çdo kombi, ku anëtarë nga çdo vend e qeveri do të mblidhen në unitet. Të gjitha konfliktet do të sillen para kësaj Gjykate, misioni i së cilës do të jetë të parandalojë luftën.
29 Parimi i nëntë i Bahá’u’lláh-ut është:
Feja nuk duhet të përziehet në çështje politike
30 Feja merret me gjërat e shpirtit, kurse politika me gjërat e kësaj bote. Feja duhet të punojë me botën e mendimit, ndërsa fusha e politikës ka të bëjë me botën e kushteve të jashtme.
31 Është punë e klerit të edukojë njerëzit, t’i udhëzojë ata, t’u japë atyre këshilla të mira dhe t’i mësojë që ata të përparojnë shpirtërisht. Kleri nuk ka të bëjnë fare me çështje politike.
32 Parimi i dhjetë i Bahá’u’lláh-ut është:
Edukimi dhe shkollimi i grave
33 Gratë kanë të drejta të barabarta me burrat mbi tokë; në fe e në shoqëri ato janë një element shumë i rëndësishëm. Sakohë gratë ndalohen të arrijnë mundësitë e tyre më të larta, për aq kohë burrat nuk do të jenë në gjemdje të arrijnë madhështinë që mund të kishin.
34 Parimi i njëmbëdhjetë i Bahá’u’lláh-ut është:
Fuqia e Shpirtit të Shenjtë, vetëm me anën e të cilit arrihet
zhvillimi shpirtëror
35 Vetëm me fryrjen e Shpirtit të Shenjtë mund të kryhet zhvillimi shpirtëror. Pavarësisht sesi mund të përparojë bota materiale, pavarësisht se me sa shkëlqim mund ta stolisë vetveten, ajo kurrë nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një trup pa jetë po nuk qe brenda saj shpirti, sepse është shpirti që i jep jetë trupit; vetëm trupi nuk ka rëndësi të vërtetë. I lënë pa bekimet e Shpirtit të Shenjtë, trupi material do të ishte i plogët.
36 Këtu janë shpjeguar shkurtimisht disa prej parimeve të Bahá’u’lláh-ut.
37 Me pak fjalë, na takon neve të jemi dashurues të së vërtetës. Le ta kërkojmë atë në çdo stinë e në çdo vend, duke u treguar të kujdesshëm që të mos e lidhim vetveten me personalitete. Ta shohim dritën kudo që ajo shkëlqen dhe të jemi në gjendje ta njohim dritën e së vërtetës pavarësisht se nga mund të dalë ajo. Le të thithim aromën e trëndafilit nga mesi i gjembave që e rrethojnë atë; le të pimë ujin e rrjedhshëm nga çdo burim i kulluar.
38 Që kur erdha në Paris, më është dhënë një lënaqësi e madhe që kam takuar parizianë të tillë si ju, sepse, lëvduar qoftë Perëndia, ju jeni inteligjentë, pa paragjykime dhe keni dëshirë të madhe të njihni të vërtetën. Ju keni në zemrat tuaja dashurinë për njerëzimin dhe, me aq sa keni mundësi, angazhoheni në kauzën e punës bamirëse e për të sjellë unitetin; kjo është pikërisht ajo që dëshironte Bahá’u’lláh-u.
39 Kjo është arsyeja që unë jam i lumtur që ndodhem midis jush, dhe unë lutem që ju të jeni bartës të Bekimeve të Perëndisë dhe mjete të përhapjes së frymës shpirtërore në mbarë këtë vend.
40 Ju keni tani një qytetërim material të mahnitshëm dhe po kështu do të jetë qytetërimi juaj shpirtëror.
Zoti Blek [Bleck] falënderoi ‘Abdu’l-Bahá-in dhe Ai u përgjigj:
41 ‘Ju jam shumë mirënjohës për ndjenjat e përzemërta që ju sapo shprehët. Shpresoj se këto dy lëvizje do të përhapen së shpejti anembanë tokës. Atëherë uniteti i njerëzimit do të ngrejë tendën e tij mu në qendër të botës’.
41. PARIMI I PARË—KËRKIMI I SË VËRTETËS
4 Avenue de Camoëns, Paris,
10 nëntor
1 Parimi i parë i Mësimeve të Bahá’u’lláh-ut është:
Kërkimi i së vërtetës
2 Në qofë se një njeri do që të ketë sukses në kërkimin e së vërtetës, ai duhet, para së gjithash, t’i mbyllë sytë ndaj të gjjitha paragjykimeve tradicionale të së kaluarës.
3 Çifutët kanë paragjykime tradicionale, budistët dhe zoroastrianët nuk janë të çliruar prej tyre, dhe as të krishterët nuk janë! Të gjitha fetë pak nga pak janë bërë të dhëna shumë pas traditës e dogmës.
4 Të gjithë, përkatësisht, e konsiderojnë veten si të vetmit ruajtës të së vërtetës dhe mendojnë se çdo fe tjetër është e përbërë prej gabimesh. Ata vetë e kanë drejt, kurse gjithë të tjerët e kanë gabim! Çifutët besojnë se ata janë të vetmit zotërues të së vërtetës dhe dënojnë të gjitha fetë e tjera. Të krishterët thonë se feja e tyre është e vetmja fe e vërtetë, ndërsa të gjitha të tjerat janë të rreme. Po kështu budistët dhe myslimanët; të gjithë veçojnë vetveten. Në qoftë se të gjitha ato dënojnë njëra-tjetrën, ku duhet ta kërkojmë të vërtetën? Duke kundërshtuar të gjitha njëra-tjetrën, të gjitha nuk mund të jenë të vërteta. Në qoftë se secili beson që feja e tij e veçantë është e vetmja fe e vërtetë, ai mbyll sytë për të vërtetën tek të tjerat. Në qoftë se, për shembull, një çifut është i dhënë pas praktikës së jashtme të fesë së Izraelit, ai nuk i lejon vetes të shohë se e vërteta mund të ekzistojë në çdo fe tjetër; ajo duhet të përmbahet e tëra në fenë e tij!
5 Prandaj ne duhet ta shkëpusim veten nga format dhe praktikat e jashtme të fesë. Ne duhet ta kuptojmë se këto forma e praktika, sado të bukura, s’janë veçse rroba që veshin zemrën e ngrohtë dhe gjymtyrët e së vërtetës Hyjnore. Ne duhet t’i braktisim paragjykimet e traditës në qoftë se duam të arrijmë të gjejmë të vërtetën në bërthamën e të gjitha feve. Në qoftë se një zoroastrian beson se Dielli është Perëndia, si mund të bashkohet ai me fetë e tjera? Ndërkohë që idhujtarët besojnë në idhujt e tyre të ndryshëm, si mund të kuptojnë ata njëshmërinë e Perëndisë?
6 Është, pra, e qartë se për të bërë çfarëdo përparimi në kërkimin e së vërtetës ne duhet të braktisim paragjykimin, Në qoftë se të gjithë kërkuesit do të ndiqnin këtë parim, ata do të kishin një vizion të qartë të së vërtetës.
7 Në qoftë se pesë vetë mblidhen së bashku për të kërkuar të vërtetën, ata duhet ta fillojnë duke e shkëputur veten nga të gjitha kushtet e tyre të veçanta të mëparshme dhe duke hequr dorë prej të gjitha ideve të formuara që më parë. Për të gjetur të vërtetën, ne duhet të flakim paragjykimet tona, pikëpamjet tona të vogla meskine; një mendje e hapur është thelbësore. Në qoftë se kupa jonë është plot e përplot me veten tonë, në të nuk ka vend për ujin e jetës. Fakti që ne e përfytyrojmë veten se kemi të drejtë dhe se gjithkush tjetër e ka gabim, është më e madhja ndër të gjitha pengesat në shtegun drejt unitetit, dhe uniteti është i nevojshëm në qoftë se duam të arrijmë të vërtetën, sepse e vërtetë është një e vetme.
8 Prandaj është e domosdoshme që ne të heqim dorë nga paragjykimet tona të veçanta e bestytnitë, në qoftë se kemi dëshirë të zjarrtë të kërkojmë të vërtetën. Sakohë nuk bëjmë dallim në mendjen tonë midis dogmës, bestytnisë e paragjykimit, nga njëra anë, dhe së vërtetës, nga ana tjetër, ne nuk mund të kemi sukses. Kur jemi seriozë në kërkimin e së vërtetës lidhur me çdo gjë, ne e kërkojmë atë kudo. Këtë parim duhet të zbatojmë ne në kërkimin e së vërtetës.
9 Shkenca duhet pranuar. Asnjë e vërtetë nuk mund të jetë në kundërshtim me një të vërtetë tjetër. Drita është e mirë në çdo llambë që e lëshon! Trëndafili është i bukur në çdo kopsht ku lulëzon! Një yll ka të njëjtin shkëlqim nëse ndriçon nga Lindja ose nga Perëndimi. Jini të lirë nga paragjykimi, kështu do ta doni Diellin e së Vërtetës nga çdo pikë e horitontit që ai të dalë! Ju do ta kuptoni që në qoftë se drita Hyjnore shkëlqen te Jezu Krishti, ajo shkëlqen edhe te Moisiu e te Buda. Kërkuesi serioz do të arrijë te kjo e vërtetë. Ja se ç’kuptohet me ‘Kërkim të së Vërtetës’.
10 Kjo do të thotë, gjithashtu, se ne duhet të jemi të gatshëm të spastrojmë gjithçka që kemi mësuar më parë, gjithçka që mund të pengojë ecjen tonë në rrugën drejt së vërtetës; ne nuk duhet të tërhiqemi, po qe nevoja, që ta nisim edukimin tonë përsëri nga e para. Ne nuk duhet të lejojmë që dashuria jonë për cilëndo fe ose për çdo personalitet të na verbojë sytë aq shumë sa të na lidhë duart bestytnia! Kur jemi të çliruar nga të gjitha këto lidhje, atëherë do të jemi në gjendje të arrijmë qëllimin tonë.
11 ‘Kërkoni të vërtetën, e vërteta do t’ju bëjë të lirë’. Kështu duhet ta shohim të vërtetën në të gjitha fetë, sepse e vërteta është në të gjitha ato dhe e vërteta është një e vetme!
42. PARIMI I DYTË—UNITETI I NJERËZIMIT
11 nëntor
1 Dje unë fola për parimin e parë të Mësimit të Bahá’u’lláh-ut, ‘Kërkimin e së Vërtetës’; sesi është e nevojshme që njeriu të lerë mënjanë gjithçka që për nga natyra është bestytni dhe çdo gjë që do të verbonte sytë e tij ndaj ekzistencës së të vërtetës në të gjitha fetë. Ai nuk duhet që, ndërsa do një formë të fesë e kapet pas saj, t’i lejojë vetes të përçmojë të gjitha të tjerat. Është thelbësore që ai ta kërkojë të vërtetën në të gjitha fetë dhe, në qoftë se kërkimi i tij është serioz, ai me siguri do t’ia dalë mbanë.
2 E pra, zbulimi i parë që ne bëjmë gjatë ‘Kërkimit të së Vërtetës’ do të na çojë në parimin e dytë, që është ‘Uniteti i Njerëzimit’. Të gjithë njerëzit janë shërbëtore të të Njëjtit Perëndi. Një Perëndi i Vetëm mbretëron mbi të gjitha kombet e botës dhe gjen kënaqësi në të gjithë bijtë e Tij. Të gjithë njerëzit i përkasin një familjeje të vetme; kurorën e njerëzisë e mban në kokë çdo qenie njerëzore.
3 Në sytë e Krijuesit të gjithë bijtë e Tij janë të barabartë; Mirësia e Tij derdhet mbi të gjithë. Ai nuk favorizon këtë ose atë komb, të gjithë janë njëlloj krijesa të Tij. Duke qenë kështu, përse ne duhet të bëjmë ndarje, duke e veçuar një racë nga një tjetër? Përse ne duhet të krijojmë pengesa bestytnie e tradite, duke shkaktuar mosmarrëveshje e urrejtje midis njerëzve?
4 I vetmi dallim midis pjesëtarëve të familjes njerëzore qëndron në shkallëzimin. Disa janë si fëmijët, të cilët janë të paditur dhe duhen edukuar derisa të arrijnë pjekurinë. Disa janë si të sëmurët dhe duhen trajtuar me ngrohtësi e kujdes. Askush nuk është i keq ose i lig! Ne nuk duhet të ndiejmë neveri nga këta bij të mjerë. Ne duhet t’i trajtojmë ata me dashamirësi të madhe, të mësojmë të paditurit dhe të kujdesemi me dashuri për të sëmurët.
5 Pa mendoni: Uniteti është i nevojshëm për ekzistencën. Dashuria është vetë shkaku i jetës; nga ana tjetër, ndarja shkakton vdekjen. Në botën e krijimit material, për shembull, të gjitha gjërat ia detyrojnë jetën e tyre reale unitetit. Elementet që përbëjnë drurin, mineralin ose gurin mbahen të bashkuara nga ligji i tërheqjes. Sikur ky ligj të pushonte për një çast së vepruari, keto elemente nuk do të mund të mbaheshin së bashku, ato do të ndaheshin dhe objekti do të pushonte së ekzistuari në atë formë të veçantë. Ligji i tërheqjes ka mbledhur së bashku disa elemente në formën e kësaj luleje kaq të bukur, por kur tërheqja hiqet nga kjo qendër, lulja shpërbëhet dhe, si lule, pushon së ekzistuari.
6 Kështu është edhe me trupin e madh të njerëzimit. Ligji i mahnitshëm i Tërheqjes, i Harmonisë e i Unitetit mban të bashkuar këtë Krijim të mrekullueshëm.
7 Siç ndodh me të tërën, ashtu ndodh edhe me pjesët; një lule a një trup njerëzor qoftë, kur parimi i tërheqjes hiqet prej tij, lulja ose njeriu vdes. Është, pra, e qartë se tërheqja, harmonia, uniteti dhe Dashuria janë shkaku i jetës, ndërsa neveria, mosmarrëveshja, urrejtja e ndarja sjellin vdekje.
8 Ne pamë se çdo gjë që sjell ndarje në botën e ekzistencës shkakton vdekje. Po kështu në botën e shpirtit vepron i njëjti ligj.
9 Ja përse çdo shërbëtor i të Vetmit Perëndi duhet t’i bindet ligjit të dashurisë, duke shmangur çdo urrejtje, mosmarrëveshje e konflikt. Kur vëzhgojmë natyrën, ne vëmë re se kafshët më të buta grupohen së bashku në kope e tufa, ndërsa krijesat e egra, si luani, tigri e ujku jetojnë pyje të dendura, larg qytetërimit. Dy ujq ose dy luanë mund të jetojnë miqësisht së bashku; por një mijë qengja mund të qëndrojnë në të njëjtën vathë dhe një numër i madh drerësh mund të formojnë një tufë të vetme. Dy shqiponja mund të banojnë në të njëjtin vend, por një mijë pëllumba mund të mblidhen në një banesë të vetme.
10 Njeriu mund të renditet, së paku, midis kafshëve të buta; por kur bëhet i egër, ai është më mizor e më keqdashës sesa më i egri në krijimin shtazor!
11 Tani Bahá’u’lláh-u ka shpallur ‘Unitetin e Botës së Njerëzimit’. Të gjithë popujt e të gjitha kombet i përkasin një familjeje të vetme, janë bij të një Ati të vetëm dhe duhet të jenë për njëri-tjetrin si vëllezër e motra! Unë shpresoj se ju në jetët tuaja do të përpiqeni të shfaqni e të përhapni këtë mësim.
12 Bahá’u’lláh-u ka thënë se ne duhet të duam madje edhe armiqtë tanë dhe të jemi për ta si vëllezër. Sikur njerëzit t’i bindeshin këtij parimi, uniteti dhe mirëkuptimi më i madh do të vendoseshin në zemrat e njerëzimit.
43. PARIMI I TRETË
[‘Që feja duhet të sjellë dashuri e miqësi’ është theksuar mjaft në shumë nga Fjalimet, shënimet e të cilave jepen në këtë libër, si dhe në shpjegimet e disa prej Parimeve të tjera].
44. PARIMI I KATËRT—PRANIMI I LIDHJES MIDIS FESË DHE SHKENCËS
4 Avenue de Camoëns, Paris,
12 nëntor
‘Abdul-Bahá-i tha:
1 Ju kam folur për disa prej parimeve të Bahá’u’lláh-ut: Kërkimi i së vërtetës dhe Uniteti i njerëzimit. Tani do të shpjegoj Parimin e katërt, që është Pranimi i lidhjes midis fesë dhe shkencës.
2 Nuk ka kundërshti midis fesë së vërtetë dhe shkencës. Kur një fe i kundërvihet shkencës, ajo kthehet thjesht në bestytni: ajo që është në kundërshtim me dijen është injorancë.
3 Si mundet njeriu të besojë se është fakt ajo që shkenca ka provuar se është e pamundur? Në qoftë se ai beson pa marrë parasysh arsyen e vet, kjo më shumë është bestytni injorante sesa besim. Parimet e vërteta të të gjitha feve janë në pajtim me mësimet e shkencës.
4 Uniteti i Perëndisë është logjik, dhe kjo ide nuk vjen në kundërshtim me përfundimet e arritura për këtë çështje nga studimi shkencor.
5 Të gjitha fetë mësojnë se ne duhet të bëjmë të mira, se duhet të jemi zemërgjerë, të sinqertë, të drejtë, t’u bindemi ligjeve dhe të jemi besnikë; të gjitha këto janë të arsyeshme dhe logjikisht e vetmja rrugë që njerëzimi të përparojë.
6 Të gjitha ligjet fetare përputhen me arsyen dhe janë të përshtatshme për njerëzit për të cilët janë formuluar, si dhe për epokën në të cilën do të zbatohen.
7 Feja ka dy pjesë kryesore:
8 1) Atë shpirtërore.
9 2) Atë praktike.
10 Pjesa shpirtërore kurrë nuk ndryshon. Të gjitha Manifestimet e Perëndisë dhe Profetët e Tij kanë mësuar të njëjtat të vërteta dhe kanë sjellë të njëjtin ligj shpirtëror. Ata të gjithë mësojnë një kod të vetëm moral. Në të vërtetën nuk ka ndarje. Dielli ka lëshuar shumë rreze për të ndriçuar inteligjencën njerëzore, por drita është gjithmonë e njëjta.
11 Pjesa praktike e fesë merret me format e ceremonitë e jashtme dhe me mënyrat e ndëshkimit për disa shkelje. Kjo është ana materiale e ligjit dhe drejton zakonet e sjelljet e njerëzve.
12 Në kohën e Moisiut kishte dhjetë krime që dënoheshin me vdekje. Kur erdhi Krishti, kjo ndryshoi; rregulli i vjetër “sy për sy e dhëmb për dhëmb” u shndërrua në “Duajini armiqtë tuaj, u bëni mirë atyre që ju urrejnë”, ligji i vjetër i ashpër u shndërrua në ligj të dashurisë, të mëshirës e të të përmbajturit.
13 Në të kaluarën ndëshkimi për vjedhje ishte prerja e dorës së djathtë; në kohën tonë ky ligj nuk mund të zbatohet. Në epokën që jetojmë, një njeri që mallkon të atin lejohet të jetojë, kurse më parë ai do të ishte dënuar me vdekje. Është, pra, e qartë që ndërsa ligji shpirtëror kurrë nuk ndryshon, rregullat praktike duhet të ndryshojnë në zbatimet e tyre sipas nevojave të kohës. Aspekti shpirtëror i fesë është më i madhi e më i rëndësishmi ndër të dy, dhe kjo është njëlloj për të gjitha kohët, ai kurrë nuk ndryshon! Ai është i njëjti, dje, sot e përgjithmonë! “Siç ka qenë në fillim, është tani dhe do të jetë gjithmonë.”
14 Tani, të gjitha çështjet e moralit që përmbahen në ligjin shpirtëror, të pandryshueshëm të çdo feje janë logjikisht të drejta. Në qoftë se feja do të ishte në kundërshtim me arsyen logjike, ajo do të pushonte së qëni fe dhe do të ishte thjesht një traditë. Feja dhe shkenca janë dy krahët mbi të cilët inteligjenca njerëzore mund të fluturojë në lartësi, me të cilët shpirti njerëzor mund të përparojë. Nuk është e mundur të fluturohet vetëm me njërin krah! Sikur njeriu të përpiqej të fluturonte vetëm me krahun e fesë, ai do të binte shpejt në kënetën e bestytnisë, ndërsa, nga ana tjetër, vetëm me krahun e shkencës ai nuk do të përparonte dot, por do të binte në batakun e pashpresë të materializmit. Të gjitha fetë e kohës së sotme kanë rënë në praktika bestytnie, në mospërputhje të njëjtë si me parimet e vërteta të mësimeve që ato përfaqësojnë dhe me zbulimet shkencore të kohës. Shumë krerë fetarë kanë arritur të mendojnë se rëndësia e fesë qëndron kryesisht në aderimin në një grumbull dogmash dhe në praktikimin e riteve e të ceremonive! Ata, shpirtrat e të cilëve shpallin se kurojnë, i mësojnë të besojnë po kështu, dhe këta kapen fort pas formave të jashtme, duke i ngatërruar ato me të vërtetën e brendshme.
15 Tani, këto forma e rite ndryshojnë në kisha të ndryshme e midis sekteve të ndryshme, madje janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, duke shkaktuar mosmarrëveshje, urrejtje e përçarje. Rezultati i gjithë kësaj grindjeje është bindja e shumë njerëzve të kulturuar se feja dhe shkenca janë dy gjëra të kundërta, se fesë nuk i duhet forca e reflektimit dhe kurrsesi nuk mund të ndreqet nga shkenca, por medoemos ato duhet të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Pasoja fatkeqe e kësaj është se shkenca është larguar nga feja, ndërsa feja është bërë një ndjekje thjesht e verbër e pak a shumë apatike e udhëzimeve të disa mësuesve fetarë, të cilët ngulin këmbë në dogmat e tyre të preferuara, që pranohen edhe kur janë në kundërshtim me shkencën. Kjo është marrëzi, sepse është fare e qartë se shkenca është drita dhe, duke qenë e tillë, feja e vërtetë nuk i kundërvihet dijes.
16 Ne i kemi ndeshur frazat “Drita dhe Errësira”, Feja dhe Shkenca”. Por feja që nuk ecën krah për krah me shkencën është ajo vetë në errësirën e bestytnisë e të padijes.
17 Shumë prej mosmarrëveshjeve e përçarjeve në botë lindin prej këtyre kundërvënieve e kundërshtive të shkaktuara nga njerëzit. Sikur feja të ishte në harmoni me shkencën dhe ato të ecnin së bashku, shumë nga urrejtja e acarimet që i sjellin sot mjerim racës njerëzore do të merrnin fund.
18 Shikoni çfarë e shquan njeriun midis qenieve të krijuara dhe e bën atë një krijesë më vete. Mos vallë nuk është aftësia e tij për të arsyetuar, inteligjenca e tij? A nuk i përdor ai këto kur studion fenë? Unë ju them juve: peshoni me kujdes në peshoren e arsyes e të shkencës çdo gjë që ju paraqitet si fe. Në qoftë se ajo e kalon këtë provë, pranojeni, sepse është e vërtetë! Por po qe se nuk pajtohet me të, atëherë hidheni poshtë, sepse është padije!
19 Vështroni rreth e qark dhe shihni sesi bota e sotme është zhytur në bestytni e forma të jashtme!
20 Disa adhurojnë pjellën e imagjinatës së vet: ata bëjnë për veten e tyre një Perëndi të imagjinuar dhe e adhurojnë këtë, në një kohë që krijesa e mendjeve të tyre të kufizuara nuk mund të jetë Krijuesi i Fuqishëm i Pakufizuar i të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme! Disa të tjerë adhurojnë diellin ose pemët, apo gurët! Në kohët e shkuara kanë qenë ata që adhuronin detin, retë, madje edhe baltën!
21 Sot, njerëzit kanë arritur një shkallë të tillë adhurimi ndaj formash e ceremonish të jashtme, saqë polemizojnë për këtë pikë të ritualit ose për atë praktikë të veçantë, derisa njeriu dëgjon nga të katër anët për argumente të mërzitshme e trazira. Ka individë që kanë intelekt të dobët dhe aftësitë e tyre për të arsyetuar nuk janë zhvilluar, por forca dhe fuqia e fesë nuk duhet të vihet në dyshim për shkak të paaftësisë së këtyre personave për të kuptuar.
22 Një fëmijë i vogël nuk mund të kuptojë ligjet që qeverisin natyrën, por kjo ndodh për shkak të intelektit të papjekur të fëmijës; kur të rritet e shkollohet, edhe ai do të kuptojë të vërtetat e përjetshme. Fëmija nuk e kap faktin që toka vërtitet rreth diellit, por kur inteligjenca e tij zgjohet, ky fakt bëhet i qartë e i dukshëm për të.
23 Është e pamundur që feja të jetë në kundërshtim me shkencën, edhe pse disa intelekte janë tepër të dobët ose tepër të papjekur për të kuptuar të vërtetën.
24 Perëndia ka bërë që feja dhe shkenca të jenë, siç kanë qenë në fakt, masa e të kuptuarit tonë. Kini kujdes të mos e lini pasdore këtë fuqi kaq të mahnitshme. Peshojeni çdo gjë në këtë peshore.
25 Për atë që ka aftësinë e të kuptuarit feja është si një libër i hapur, por si është e mundur që një njeri të cilit i mungon arsyeja e intelekti të kuptojë Realitetet Hyjnore të Perëndisë?
26 Verini të gjitha besimet tuaja në harmoni me shkencën; midis tyre nuk mund të ketë kundërvënie, sepse e vërteta është një. Kur feja, e qethur nga bestytnitë, traditat dhe dogmat e saj jo të zgjuara, të tregojë pajtimin e saj me shkencën, atëherë në botë do të ketë një forcë të madhe unifikuese, spastruese, e cila do të fshijë të gjitha luftërat, mosmarrëveshjet, përçarjet e konfliktet, dhe atëherë njerëzimi do të bashkohet nën pushtetin e në Dashurinë e Perëndisë.
45. PARIMI I PESTË—ZHDUKJA E PARAGJYKIMEVE
4 Avenue de Camoëns, Paris,
13 nëntor
1 Të gjitha paragjykimet, fetare, raciale, politike ose kombëtare qofshin, duhen braktisur, sepse këto paragjykime kanë shkaktuar sëmurjen e botës. Është një sëmundje e rëndë, e cila, po të mos ndalet, është në gjendje të sjellë shkatërrimin e mbarë gjinisë njerëzore. Çdo luftë rrënimtare, me gjakderdhjen e mjerimin e saj të tmerrshëm, është shkaktuar nga njëri ose tjetri prej këtyre paragjykimeve.
2 Luftërat e vajtueshme që po zhvillohen në kohën e tanishme janë shkaktuar nga urrejtja fetare fanatike e një populli për një tjetër, ose nga paragjykimet e racës apo të ngjyrës.
3 Derisa këto pengesa të ngritura nga paragjykimi të mos jenë mënjanuar, nuk është e mundur që njerëzimi të jetojë në paqe. Ja përse Bahá’u’lláh-u ka thënë: “Këto Paragjykime janë shkatërrimtare për njerëzimin”.
4 Shikoni në fillim paragjykimin e fesë: shihni kombet e të ashtuquajturve njerëz fetarë; po qe se do të ishin adhurues të vërtetë të Perëndisë, ata do t’i bindeshin ligjit të Tij, i cili i ndalon të vrasin njëri-tjetrin.
5 Në qoftë se priftërinjtë e fesë do ta adhuronin me të vërtetë Perëndinë e dashurisë dhe do t’i shërbenin Dritës Hyjnore, ata do t’i mësonin njerëzit t’i përmbahen Porosisë kryesore që “Të jetojnë në dashuri e dashamirësi me të gjithë njerëzit”. Por ne ndeshin të kundërtën, pasi shpesh janë priftërinjtë ata që i nxisin kombet të luftojnë. Urrejtja fetare është gjithmonë më e egra!
6 Të gjitha fetë mësojnë se duhet ta duam njëri-tjetrin; se duhet të kërkojmë më parë të metat tona e pastaj t’i lejojmë vetes të dënojmë gabimet e të tjerëve, se nuk duhet ta konsiderojmë vetveten mbi të afërmit tanë! Duhet të kemi kujdes të mos ngrejmë lart vetveten, që të mos poshtërohemi.
7 Cilët jemi ne që të gjykojmë? Si mund ta dimë ne se cili është në sytë e Perëndisë njeriu më i drejtë? Mendimet e Perëndisë nuk janë njëlloj si mendimet tona! Sa njerëz që miqve të tyre u dukeshin të shenjtë kanë rënë në poshtërimin më të madh. Mendoni për Judë Iskariotin; ai e nisi mirë, por kujtoni fundin e tij. Nga ana tjetër Pavli, Apostulli, në jetën e tij të hershme ishte armik i Krishtit, kurse më pas u bë shërbëtori i Tij më besnik. Atëherë, si mundemi ne t’i bëjmë lajka vetes dhe të përbuzim të tjerët?
8 Të jemi të përvuajtur, pa paragjykime, të parapëlqejmë të mirën e të tjerëve mbi tonën! Të mos themi kurrë “Unë jam besimtar, kurse ai është i pabesë”, “Unë jam pranë Perëndisë, kurse ai është i mohuar”. Ne kurrë nuk mund ta dimë cili do të jetë gjykimi i fundit! Prandaj të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për çdo lloj ndihme.
9 Të mësojmë të paditurin dhe të kujdesemi për fëmijën e vogël derisa të arrijë pjekurinë. Kur ndeshim dikë që është zhytur thellë në fatkeqësi ose mëkat, duhet të jemi të njerëzishëm me të, ta marim për dore, ta ndihmojmë të ngrihet përsëri në këmbë, të rifitojë forcën; ne duhet ta drejtojmë atë me dashuri e ngrohtësi, ta trajtojmë si mik e jo si armik.
10 Ne nuk kemi të drejtë t’i shohim njerëzit e tjerë si të ligj.
11 Lidhur me paragjykimin e racës: ai është një iluzion, thjesht një bestytni e mirëfilltë! Sepse Perëndia na ka krijuar të gjithë të një race. Në fillim nuk kishte dallime, sepse të gjithë ne jemi pasardhës të Adamit. Në fillim gjithashtu nuk kishe kufij e sinore midis tokave të ndryshme; asnjë pjesë e tokës nuk i përkiste më tepër një populli sesa një tjetri. Në sytë e Perëndisë nuk ka dallim midis racave të ndryshme. Përse njeriu duhej të shpikte një paragjykim të tillë? Si mund të mbështesim ne luftën e shkaktuar nga një iluzion?
12 Perëndia nuk i ka krijuar njerëzit që ata të zhdukin njëri-tjetrin. Të gjitha racat, fiset, sektet e klasat kanë pjesë të barabartë në Bujarinë e Atit të tyre Hyjnor.
13 I vetmi dallim qëndron në shkallën e besnikërisë, të bindjes ndaj ligjeve të Perëndisë. Ka disa që janë si pishtarë të ndezur, ka të tjerë që ndriçojnë si yje në qiellin e njerëzimit. Ata që e duan njerëzimin janë njerëzit më të lartë, të çdo kombi, bindjeje ose ngjyre qofshin. Sepse pikërisht këtyre Perëndia do t’u drejtohet me këto fjalë të bekuara “Ju lumtë, shërbëtorë e Mi të mirë e besnikë”. Atë ditë Ai nuk do të pyesë “Jeni anglez, francez apo ndoshta pers? Vini nga Lindja apo nga Perëndimi?”.
14 E vetmja ndarje reale është kjo: Ka njerëz hyjnorë dhe njerëz tokësorë; shërbëtorë vetëflijues të njerëzimit në dashurinë e Më të Lartit, që sjellin harmoni e unitet, që u mësojnë njerëzve paqen e vullnetin e mirë. Nga ana tjetër janë ata njerëz egoistë, që urrejnë vëllezërit e tyre, në zemrat e të cilëve paragjykimi i ka zënë vendin dashamirësisë dhe ndikimi i të cilëve ushqen mosmarrëveshje e konflikt.
15 Cilës racë ose cilës ngjyrë i takojnë këto dy ndarje të njerëzve, asaj të bardhë, asaj të verdhë, asaj të zezë, asaj të Lindjes apo të Perëndimit, të Veriut apo të Jugut? Në qoftë se këto janë ndarje të Perëndisë, përse duhet të shpikim të tjera? Paragjykimi politik është njëlloj i dëmshëm, është një prej shkaqeve më të mëdha të konflikteve të ashpra midis bijve të njerëzve. Ka njerëz që gjejnë kënaqësi të shkaktojnë mosmarrëveshje, që vazhdimisht përpiqen ta nxisin vendin e tyre të bëjë luftë kundër kombeve të tjera; e pse? Ata mendojnë t’i japin epërsi vendit të tyre në dëm të gjithë të tjerëve. Dërgojnë ushtri për të sulmuar e për të shkatërruar tokën, me qëllim që të bëhen të famshëm në botë për hir të pushtimeve. Që të mund të thuhet: “Aksh vend ka mundur një tjetër dhe e ka vënë në zgjedhën e sundimit të tij më të fortë e më të lartë”. Kjo fitore, e blerë me çmimin e një gjakderdhjeje të madhe, nuk është e qëndrueshme! Pushtuesi një ditë do të pushtohet; dhe i munduri bëhet fitimtar! Kujtoni historinë e së kaluarës: a nuk e pushtoi Franca Gjermaninë më se një herë—pastaj a nuk e mposhti kombi gjerman Francën?
16 Kemi mësuar gjithashtu që Franca pushtoi Anglinë; pastaj qe kombi anglez fitimtar mbi Francën!
17 Këto pushtime të lavdishme janë kaq jetëshkurtra! Përse u kushtojnë një rëndësi aq të madhe atyre dhe famës së tyre, sa të dëshirojnë që njerëzit të derdhin gjakun për arritjen e tyre? A ia vlen cilado fitore qoftë vargut të pashmangshëm të të këqiave që vijnë si rrjedhojë e kasapanës njerëzore, atij hidhërimi, brenge e rrënimi që duhet të mbulojnë aq shumë shtëpi të të dy kombeve? Sepse nuk është e mundur që vetëm njëri vend ta pësojë.
18 Oh! përse njeriu, biri i pabindur i Perëndisë, i cili duhej të ishte shembull i forcës së ligjit shpirtëror, t’i kthejë shpinën Mësimit Hyjnor dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për shkatërrim e luftë?
19 Unë shpresoj se, në këtë shekull të ndriçuar, Drita Hyjnore e dashurisë do të shtrijë rrezet e saj në mbarë botën, duke kërkuar mençurinë e ndieshme të zemrës të çdo qenieje njerëzore; se drita e Diellit të së Vërtetës do t’i bëjë politikanët të flakin të gjitha pretendimet e paragjykimit e të bestytnisë dhe me mendje të çliruar të ndjekin Politikën e Perëndisë: sepse Politikat Hyjnore janë të fuqishme, kurse politikat e njeriut janë të dobëta! Perëndia ka krijuar gjithë botën dhe i dhuron Bujarinë e Tij Hyjnore çdo krijese njerëzore.
20 A nuk jemi ne shërbëtorët e Perëndisë? A do të lemë ne pa ndjekur shembullin e Mësuesit tonë e të mos përfillim Porositë e Tij?
21 Unë lutem që Mbretëria të zbresë mbi Tokë dhe që gjithë errësira të largohet përballë shkëlqimit të Diellit Hyjnor.
46. PARIMI I GJASHTË—MJETET E JETESËS
4 Avenue de Camoëns, Paris
1 Një nga parimet më të rëndësishme të Mësimeve të Bahá’u’lláh-ut është:
2 E drejta e çdo qenieje njerëzore për bukën e përditshme kudo që të jetojë, ose barazimi i mjeteve të jetesës.
3 Rregullimi i kushteve të njerëzve mund të jetë i tillë që varfëria të zhduket, që gjithsecili, brenda mundësive, në përshtatje me rangun e pozitën e tij, të ketë pjesë në komfort e mirëqenie.
4 Ne shohim midis nesh, nga njëra anë, njerëz që janë të mbingarkuar me pasuri dhe, nga ana tjetër, ata fatkeqë që s’kanë asgjë e ngordhin urie; ata që zotërojnë disa pallate madhështore dhe ata që s’kanë ku të mbështesin kokën. Disa i shohim të hanë ushqime të shumta të kushtueshme e të shijshme; ndërsa të tjerë mezi gjejnë kothere të mjaftueshme për të mbajtur frymën. Ndërsa ka njerëz që vishen me kadife, gëzofë e rroba të bukura, të tjerë kanë veshje të pamjaftueshme, të këqia e të holla për t’u mbrojtur nga të ftohtët.
5 Kjo gjendje e punëve është e padrejtë dhe duhet rregulluar. Pra, rregullimi duhet ndërmarrë me kujdes. Ai nuk mund të jetë vendosja e barazisë absolute midis njerëzve.
6 Barazia është utopi! Ajo është krejt e pazbatueshme! Edhe sikur barazia të arrihej, ajo nuk do të mund të vazhdonte; dhe sikur ekzistenca e saj të ishte e mundur, tërë rendi i botës do të shkatërrohej. Ligji i rregullit duhet ruajtur gjithmonë në botën e njerëzimit. Kështu ka dekretuar Qielli kur u krijua njeriu.
7 Disa janë plot zgjuarsi, të tjerë kanë një shkallë të rëndomtë zgjuarsie, ka edhe të tjerë akoma që u mungon fare ajo. Në këto tri kategori njerëzish ka rregull por jo barazi. Si është e mundur që zgjuarsia dhe budallallëku të jenë të barabarta? Njerëzimi është si një ushtri e madhe, që ka nevojë për gjeneral, kapitenë, nënoficerë me grada dhe ushtarë, secili me detyrat e veta të përcaktuara. Shkallëzimet janë absolutisht të nevojshme për të siguruar një organizim të rregullt. Një ushtri nuk mund të përbëhet vetëm prej gjeneralësh, ose vetëm prej kapitenësh, ose vetëm prej ushtarësh, pa psur asnjeri në komandë. Rezultati i padyshimtë i një plani të tillë do të ishte që rrëmuja e demoralizimi do të pushtonin gjithë ushtrinë.
8 Mbreti Likurg, filozofi, hartoi një plan të madh për të bërë të barabartë nënshtetasit e Spartës; eksperimenti nisi me vetëflijim e urti. Pastaj mbreti thirri njerëzit e mbretërisë së tij dhe bëri që ata të jepnin një betim të madh për të ruajtur të njëjtin rregull qeverisjeje në qoftë se ai do të largohej nga vendi, si dhe që asgjë të mos i bënte ata ta ndryshonin atë derisa të kthehej ai. Pasi siguroi këtë betim, ai u largua nga mbretëria e Spartës dhe nuk u kthye kurrë më. Likurgu braktisi gjendjen, heqi dorë nga pozita e tij e lartë, duke menduar të arrinte të mirën e përhershme të vendit të vet me anë të barazimit të pronësisë e të kushteve të jetesës në mbretërinë e tij. Gjithë vetëflijimi i mbretit shkoi kot. Eksperimenti i madh dështoi. Pas njëfarë kohe çdo gjë u shkatërrua; gjithë struktura e menduar me kujdes prej tij mori fund.
9 Kotësia e provës së një skeme të tillë doli sheshit dhe pamundësia e arritjes së kushteve të barabarta të ekzistencës u shpall në mbretërinë e lashtë të Spartës. Në kohën tonë një orvatje e tillë gjithashtu do të ishte e dënuar të dështonte.
10 Sigurisht, duke qenë disa të pasur jashtë mase dhe të tjerë të varfër në mënyrë të vajtueshme, është i nevojshëm një organizim për të kontrolluar e përmirësuar gjendjen e punëve. Ka rëndësi të kufizohet pasuria, siç ka rëndësi edhe kufizimi i varfërisë. Çdo skajshmëri nuk është e mirë. Qëndrimi në mes[18] është shumë i dëshirueshëm. Në qoftë se është e drejtë që një kapitalist të zotërojë një pasuri të madhe, është po aq e drejtë që punëtori i tij të ketë mjete të mjaftueshme jetese.
11 Një financier që ka pasuri kolosale nuk duhet të ekzistojë ndërsa pranë tij është një njeri që ndodhet në nevojë të dëshpëruar. Kur shohim se lejohet që varfëria arrin deri në vuajtje nga uria, kjo është një shenjë e sigurtë që diku do të gjejmë tirani. Njerëzit duhet të vihen në lëvizje për këtë çështje dhe të mos vonojnë më për të ndryshuar kushtet që i sjellin një numri shumë të madh njerëzish mjerimin e një varfërie dërrmuese. Të pasurit duhet të japin nga bollëku i tyre, ata duhet të zbutin zemrat dhe të kultivojnë një inteligjencë të mëshirshme, duke menduar për ata fatkeqë që vuajnë për mungesë të gjërave më të nevojshme të jetesës.
12 Duhen hartuar ligje të posaçme, që kanë të bëjnë me këto skajshmëri të pasurisë e të varfërisë. Anëtarët e qeverisë duhet të mbajnë parasysh ligjet e Perëndisë kur hartojnë plane për qeverisjen e njerëzve. Të drejtat e përgjithshme të njerëzisë duhen ruajtur e mbrojtur.
13 Qevritë e vendeve duhet t’i përshtaten Ligjit Hyjnor që jep drejtësi për të gjithë. Kjo është e vetmja rrugë që tepria për të ardhur keq e pasurisë së madhe dhe e varfërisë së turpshme, demoralizuese e degraduese të zhduket. Pa u arritur kjo, nuk ka zbatim të Ligjit të Perëndisë.
47. PARIMI I SHTATË—BARAZIA E NJERËZVE
1 ‘Ligjet e Perëndisë nuk janë imponim i vullnetit, i fuqisë ose i qejfit, por vendime të së vërtetës, të arsyes e të së drejtës.’
2 Të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, i cili duhet të mbretërojë në mënyrë absolute.
3 Qëlimi i ndëshkimit nuk është hakmarrja, por parandalimi i krimit.
4 Mbretërit duhet të sundojnë me urti e drejtësi; princi, lordi e fshatari kanë njëlloj të drejta të barabarta për trajtim të drejtë, nuk u duhet bërë favor individëve. Gjykatësi nuk duhet të jetë ‘respektues i personave’, por të ushtrojë ligjin me paanësi të rreptë në çdo rast që sillet para tij.
5 Në qoftë se një person kryen një krim kundër jush, ju nuk keni të drejtën ta falni atë; kurse ligji duhet ta dënojë, që të parandalojë përsëritjen e të njëjtit krim nga të tjerë, duke qenë se vuajtja e individit është e parëndësishme në krahasim me mirëqenien e përgjithshme të njerëzve.
6 Kur drejtësia e përsosur të mbretërojë në çdo vend të Botës Lindore e Perëndimore, atëherë bota do të bëhet një vend i bukur. Dinjiteti dhe barazia e çdo shërbëtori të Perëndisë do të njihet; ideali i solidaritetit të gjinisë njerëzore, vëllazëria e vërtetë e njeriut, do të realizohet; dhe drita e lavdishme e Diellit të së Vërtetës do të ndriçojë shpirtrat e njerëzve.
48. PARIMI I TETË—PAQJA UNIVERSALE
4 Avenue de Camoëns, Paris
1 Një gjykatë Supreme do të vendoset nga popujt dhe qeveritë e çdo kombi, e përbërë prej anëtarësh të zgjedhur nga çdo vend e qeveri. Anëtarët e këtij Këshilli të Madh do të mblidhen në unitet. Të gjitha mosmarrëveshjet e karakterit ndërkombëtar do t’i paraqiten kësaj Gjykate, e cila do të ketë për detyrë të rregullojë nëpërmjet arbitrazhit çdo gjë që përndryshe mund të bëhej shkak për luftë. Misioni i kësaj Gjykate do të ishte të parandalojë luftën.
2 Një prej hapave të mëdhenj drejt paqes universale do të ishte vendosja e një gjuhe universale. Bahá’u’lláh-u porosit që shërbëtorët e njerëzimit të mblidhen së bashku dhe, ose të zgjedhin një gjuhë që tashmë ekziston, ose të krijojnë një gjuhë të re. Kjo është reveluar në Qitapi Akdas dyzet vjet më parë. Atje vihet në dukje se çështja e shumëllojshmërisë së gjuhëve është një çështje shumë e vështirë. Ka më shumë se tetëqind gjuhë në botë dhe askush nuk mund t’i mësojë të gjitha ato.
3 Racat e njerëzimit nuk janë të izoluara si dikur. E pra, për të hyrë në lidhje të ngushtë me të gjitha vendet, duhet të jesh në gjendje të flasësh gjuhët e tyre.
4 Një gjuhë universale do të bënte të mundur komunikimin me çdo komb. Pra, do të ishte e nevojshme të njohësh vetëm dy gjuhë, gjuhën mëmë dhe atë universale. Kjo e fundit do t’i jepte mundësi njeriut të komunikonte me cilindo njeri në botë!
5 Një gjuhë e tretë nuk do të ishte e nevojshme. Të jesh në gjendje të bisedosh me një pjesëtar të çdo race e vendi pa pasur nevojë për përkthyes, sa e dobishme e çlodhëse do të ishte kjo për të gjithë!
6 Esperantoja është bërë duke pasur parasysh këtë qëllim: ajo është një shpikje e bukur e një punë e shkëlqyer, por ka nevojë të përsoset. Esperantoja në gjendjen e saj të tanishme është shumë e vështirë për disa njerëz.
7 Do të duhet të mblidhej një Kongres ndërkombëtar, i përbërë prej delegatësh nga çdo komb i botës, si Lindore ashtu edhe Perëndimore. Ky Kongres do të formonte një gjuhë e cila të mësohej nga të gjithë, dhe çdo vend falë saj do të kishte një dobi të madhe.
8 Sakohë nuk ka në përdorim një gjuhë të tillë, bota do të vazhdojë të ndiejë nevojën e këtij mjeti të komunikimit. Dallimet në gjuhë janë një prej shkaqeve më pjellore të antipatisë e të mosbesimit që ekziston midis kombeve, të cilat mbahen të veçuara më shumë për arsye se nuk janë në gjendje të kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit sesa për ndonjë arsye tjetër.
9 Në qoftë se gjithsecili të fliste në një gjuhë të përbashkët, sa më e lehtë do të ishte për t’i shërbyer njerëzimit!
10 Prandaj vlerësojeni ‘Esperanton’, sepse është fillimi i zbatimit të njërit prej Ligjeve më të rëndësishme të Bahá’u’lláh-ut, dhe ajo duhet të vazhdojë të përmirësoshet e përsoset.
49. PARIMI I NËNTË—MOSPËRZIERJA E FESË NË POLITIKË
4 Avenue de Camoëns, Paris,
17 nëntor
1 Në jetën e tij njeriu vihet në lëvizje nga dy motive kryesore: ‘Shpresa e Shpërblimit’ dhe ‘Frika e Ndëshkimit’.
2 Kjo shpresë dhe kjo frikë duhen mbajtur, pra, parasysh nga ata që janë në pushtet dhe kanë poste të rëndësishme në qeveri. Detyra e tyre në jetë është të këshillohen së bashku për hartimin e ligjeve dhe të kujdesen për zbatimin e drejtë të tyre.
3 Tenda e rendit të botës është ngritur dhe vendosur mbi dy shtyllat e ‘Shpërblimit e të Ndëshkimit’.
4 Nën qeveritë despotike të drejtuara nga njerëz pa besim Hyjnor, ku nuk ekziston frika e ndëshkimit shpirtëror, zbatimi i ligjeve është tiranik e i padrejtë.
5 Nuk ka parandalim më të madh të shtypjes sesa këto dy ndjenja, shpresa dhe frika. Ato kanë pasoja si politike dhe shpirtërore.
6 Në qoftë se administruesit e ligjit do të merrnin në konsideratë pasojat shpirtërore të vendimeve të tyre dhe të ndiqnin udhërrëfimin e fesë, ‘Ata do të ishin faktorë Hyjnorë në botën e veprimit, përfaqësues të Perëndisë për ata që janë mbi tokë dhe do të mbronin, për hir të Perëndisë, interesat e shërbëtorëve të Tij ashtu siç do të mbronin të vetat’. Në qoftë se një qeveritar e kupton përgjegjësinë e tij dhe druhet të sfidojë Ligjin Hyjnor, gjykimi i tij do të jetë i drejtë. Mbi të gjitha, në qoftë se ai beson se pasojat e veprimeve të tij do ta ndjekin atë tej kësaj jete tokësore dhe se ‘atë që mbjell do të korrë’, një njeri i tillë me siguri do të shmangë padrejtësinë e tiraninë.
7 Në qoftë se një zyrtar, në të kundërtën, mendon se të gjitha përgjegjësitë për veprimet e tij duhet të marrin fund bashkë me jetën e tij tokësore, pa ditur e pa besuar asgjë për favoret Hyjnore dhe për një mbretëri shpirtërore të gëzimit, atij do t’i mungojë nxitja për të punuar me drejtësi dhe frymëzimi për të zhdukur shtypjen e padrejtësinë.
8 Kur një sundues e di që gjykimet e tij do të vihen në peshore nga Gjykatësi Hyjnor dhe që, në qoftë se gjendet në rregull, do të shkojë në Mbretërinë Qiellore dhe drita e Bujarisë Hyjnore do të shkëlqejë mbi të, atëherë ai me siguri do të veprojë me drejtësi e paanësi. Shikoni sesa e rëndësishme është që qeveritarët të jenë të ndriçuar nga feja!
9 Megjithatë, kleri nuk ka të bëjë fare me çështjet politike! Çështjet fetare, në gjendjen e tanishme të botës, nuk duhen ngatërruar me politikën (sepse interesat e tyre nuk janë të njëjta).
10 Feja ka të bëjë me çështjet e zemrës, të shpirtit e të moralit.
11 Politika merret me gjërat materiale të jetës. Mësuesit fetarë nuk duhet të hyjnë në sferën e politikës; ata duhet të merren me edukimin shpirtëror të njerëzve; ata duhet gjithmonë t’u japin këshilla të mira njerëzve, duke u përpjekur t’i shërbejnë Perëndisë dhe gjinisë njerëzore; ata duhet të orvaten të ngjallin aspirata shpirtërore dhe të përpiqen të zgjerojnë gjykimin e dijen e njerëzimit, të përmirësojnë moralin dhe të rritin dashurinë për drejtësi.
12 Kjo është në pajtim me Mësimet e Bahá’u’lláh-ut. Në Ungjill gjithashtu është shkruar ‘Jepi Qezarit atë që i takon Qezarit dhe Perëndisë atë i takon Perëndisë’.
13 Në Persi ka disa qeveritarë nga më të rëndësishmit që janë fetarë, që janë shembullorë, adhurojnë Perëndinë, druhen të mos u binden Ligjeve të Tij, gjykojnë me drejtësi dhe e drejtojnë popullin e tyre me Paanësi. Në këtë vend ka edhe qeveritarë të tjerë që nuk i druhen Perëndisë, që nuk mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre, që punojnë për dëshirat e veta, dhe këta i kanë shkaktuar Persisë telashe e vështirësi të mëdha.
14 Oh, miq të Perëndisë, jini shembuj të gjallë të drejtësisë! Dhe kështu, falë Mëshirës së Perëndisë, bota të shohë në veprimet tuaja se ju shfaqni atributet e drejtësisë e të mëshirës.
15 Drejtësia nuk ka kufi, ajo është një veti universale. Veprimi i saj duhet çuar në të gjitha klasat, nga më të lartat deri te më të ulëtat. Drejtësia duhet të jetë e shenjtë dhe të drejtat e gjithë popullit duhen marrë parasysh. Dëshironi për të tjerët atë që dëshironi për veten tuaj. Atëherë do të ngazëllehemi me Diellin e Drejtësisë që ndriçon nga Horizonti i Perëndisë.
16 Çdo njeri është vendosur në një vend nderi, të cilin ai nuk duhet ta braktisë. Një punëtor i thjeshtë që bën një padrejtësi është po aq i qortueshëm sa një tiran i njohur. Kështu, të gjithë ne duhet të zgjedhim midis drejtësisë dhe padrejtësisë.
17 Unë shpresoj që secili prej jush do të bëhet i drejtë dhe ju do t’i drejtoni mendimet tuaja kah uniteti i njerëzimit; që ju kurrë nuk do t’i bëni keq të afërmit tuaj dhe as do të flitni keq për ndokënd; që ju do të respektoni të drejtat e të gjithë njerëzve dhe do të shqetësoheni më shumë për interesat e të tjerëve sesa për tuajat. Kështu do të bëheni pishtarë të drejtësisë Hyjnore, duke vepruar në pajtim me Mësimet e Bahá’u’lláh-ut, i cili gjatë jetës së Tij përballoi sprova e përndjekje të panumërta për t’i treguar botës së njerëzimit virtytet e Botës së Hyjnisë, duke ju dhënë juve mundësinë të kuptoni epërsinë e shpirtit dhe të ngazëlleheni me Drejtësinë e Perëndisë.
18 Falë Mëshirës së Tij, Bujaria Hyjnore do të derdhet mbi ju, dhe unë lutem për këtë!
50. PARIMI I DHJETË—BARAZIA E SEKSEVE
4 Avenue de Camoëns, Paris,
14 nëntor
1 Parimi i Dhjetë i mësimit të Bahá’u’lláh-ut është barazia e sekseve.
2 Perëndia i ka krijuar të gjitha krijesat në çifte. Njeriu, kafsha ose bima, të gjitha gjërat e këtyre tri mbretërive janë të dy sekseve dhe midis tyre ka barazi të plotë.
3 Në botën bimore ka bimë meshkuj e bimë femra; ato kanë të drejta të barabarta dhe zotërojnë një pjesë të barabartë të bukurisë së llojeve të tyre; megjithëse në të vërtetë mund të thuhet se pema që bart fruta ka epërsi mbi atë që është e pafrytshme.
4 Në mbretërinë shtazore shohim se mashkulli dhe femra kanë të drejta të barabarta dhe se ata kanë pjesë secili në epërsitë e llojit të vet.
5 Kështu, në dy mbretëri më të ulëta të natyrës pamë se nuk ka probleme të epërsisë së një seksi mbi tjetrin. Në botën e njerëzimit shohim një dallim të madh; seksi femëror trajtohet sikur të ishte më i ulët dhe nuk i lejohen të drejta e privilegje të barabarta. Kjo gjendje nuk vjen nga natyra, por nga edukimi. Në krijimin Hyjnor nuk ka një dallim të tillë. asnjëri nga sekset nuk qëndron më lart se tjetri në sytë e Perëndisë. Përse, pra, njëri seks shpall inferioritetin e tjetrit, duke i refuzuar atij të drejtat e privilegjet, sikur Perëndia ta kishte autorizuar për një mënyrë të tillë veprimi? Në qoftë se gratë do të kishin të njëjtat epërsi shkollimi si ato të burrave, rezultati do të tregonte aftësinë e barabartë të të dy sekseve për shkollim.
6 Në disa drejtime gruaja qëndron më lart se burri. Ajo është më zemërdhembshur, më e ndieshme, intuita e saj është më intensive.
7 Nuk mund të mohohet që në drejtime të ndryshme gruaja në kohën e tanishme është më e prapambetur se burri, si dhe që ky inferioritet i përkohshëm vjen për shkak të mungesës së mundësisë për shkollim. Për nga nevojat e jetës, gruaja ka më shumë fuqi se burri, sepse asaj i detyron ai vetë ekzistencën e tij.
8 Në qoftë se nëna është e shkolluar, atëherë fëmijët e saj do të mësohen mirë. Kur nëna është e mençur, atëherë fëmijët do të çohen në shtegun e urtisë. Në qoftë se nëna është fetare, ajo do t’u tregojë fëmijëve të saj si të duan Perëndinë. Në qoftë se nëna është e moralshme, ajo i drejton të vegjëlit e saj në rrugën e ndershmërisë.
9 Është, pra, e qartë se brezi i ardhshëm varet nga nënat e sotme. A nuk është kjo një përgjegjësi jetësore për gruan? A nuk kërkon ajo çdo përparësi të mundshme për ta përgatitur atë për këtë detyrë?
10 Prandaj, me siguri, Perëndia nuk është i kënaqur që një instrument kaq i rëndësishëm si gruaja të vuajë për mungesë përgatitjeje për të arritur përsosuritë e dëshiruara e të nevojshme për veprën e saj të madhe të jetës! Drejtësia Hyjnore kërkon që të drejtat e të dy sekseve të respektohen në mënyrë të barabartë, përderisa asnjëri prej tyre nuk qëndron më lart se tjetri në sytë e Qiellit. Dinjiteti para Perëndisë nuk varet nga seksi, por nga dëlirësia e dritësia e zemrës. Virtytet njerëzore u takojnë në mënyrë të barabartë të gjithëve!
11 Gruaja duhet të përpiqet, pra, të arrijë një përsosuri më të madhe, të jetë e barabartë me burrin në çdo aspekt, të ecë përpara në çdo gjë ku ka qenë e prapambetur, në mënyrë që burri të detyrohet të njohë barazinë e saj në aftësi e arritje.
12 Në Evropë gratë kanë bërë një përparim më të madh sesa në Lindje, por mbetet ende shumë për të bërë! Kur studentët arrijnë në përfundim të shkollës së tyre, bëhet provim dhe rezultati i tij përcakton dijet e aftësinë e çdo studenti. Kështu do të jetë edhe me gruan; veprimet e saj do të tregojnë aftësinë e saj, nuk do të ketë më nevojë të shpallet kjo me fjalë.
13 Unë shpresoj se gratë e Lindjes, ashtu si dhe motrat e tyre në Perëndim, do të përparojnë me shpejtësi derisa njerëzimi të arrijë përsosurinë.
14 Bujaria e Perëndisë është për të gjithë dhe jep fuqi për çdo përparim. Kur burrat ta pranojnë barazinë e grave, nuk do të jetë nevoja që ato të luftojnë për të drejtat e tyre! Një prej parimeve të Bahá’u’lláh-ut është, pra, barazia e sekseve.
15 Gratë duhet të bëjnë përpjekjet më të mëdha për të fituar fuqi shpirtërore e për t’u rritur për nga virtyti i urtisë e i shenjtërisë, derisa ndiçimi e përpjekja e tyre të sjellë unitetin e njerëzimit. Ato duhet të punojnë me entuziazëm të zjarrtë për të përhapur Mësimet e Bahá’u’lláh-ut midis popujve, në mënyrë që drita rrezatuese e Bujarisë Hyjnore të mbështjellë zemrat e të gjitha kombeve të botës!
51. PARIMI I NJËMBËDHJETË—FUQIA E SHPIRTIT TË SHENJTË
4 Avenue de Camoëns, Paris,
18 nëntor
1 Në mësimet e Bahá’u’lláh-ut shkruhet: ‘Vetëm me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë njeriu është në gjendje të përparojë, sepse fuqia e njeriut është e kufizuar, kurse Fuqia Hyjnore është e pakufishme’. Leximi i historisë na çon në përfundimin se të gjithë njerëzit me të vërtetë të mëdhenj, mirëbërësit e gjinisë njerëzore, ata që i kanë shtyrë njerëzit të duan të drejtën e të urrejnë të padrejtën dhe që kanë sjellë përparim të vërtetë, të gjithë këta janë frymëzuar nga forca e Shpirtit të Shenjtë.
2 Profetët e Perëndisë nuk kanë kryer të gjithë shkolla e nuk kanë mësuar filozofi; në të vërtetë, ata shpesh kanë qenë njerëz me prejardhje nga shtresat e ulëta, në dukje injorantë, njerëz të panjohur e pa rëndësi në sytë e botës; madje disa herë nuk kanë ditur as shkrim e këndim.
3 Ajo që i ka ngritur këta njerëz të mëdhenj mbi të gjithë njerëzit e tjerë dhe falë së cilës ata kanë qenë në gjendje të bëhen Mësues të së vërtetës, ka qenë fuqia e Shpirtit të Shenjtë. Ndikimi i tyre mbi njerëzimin, falë këtij frymëzimi të fuqishëm, ka qenë i madh e depërtues.
4 Ndikimi i filozofëve më të mençur, pa këtë Shpirt Hyjnor, ka qenë relativisht i parëndësishëm, sado e gjerë të kenë qenë dituria e sado i thellë shkollimi i tyre.
5 Për shembull, intelekti i jashtzakonshëm i Platonit, i Aristotelit, i Plinit e i Sokratit nuk i kanë ndikuar njerëzit aq shumë saqë ata të ishin të paduruar të bënin fli jetën për mësimet e tyre; ndërsa disa prej këtyre njerëzve të thjeshtë e kanë prekur aq shumë njerëzimin saqë mijëra vetë janë bërë martirë të gatshëm për të mbështetur fjalët e tyre; sepse këto fjalë ishin frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë! Profetët e Judesë e të Izraelit, Elia, Jeremia, Isaia dhe Ezekieli ishin njerëz të përvuajtur, siç ishin edhe apostujt e Jezu Krishtit.
6 Pjetri, kryesori midis apostujve, e kishte zakon t’i ndante ato që nxirrte nga peshkimi në shtatë pjesë dhe, pasi merrte një pjesë për përdorim çdo ditë, arrinte në porcionin e shtatë dhe kështu e dinte që ishte dita e Sabatit[19]. Kini parasysh këtë! pastaj mendoni për pozitën e ardhme të tij; ç’lavdi arriti ai, sepse Shpirti i Shenjtë punoi punë të mëdha nëpërmjet tij.
7 Ne ekuptojmë se Shpirti i Shenjtë është faktori gjallërues në jetën e njeriut. Cilido që merr këtë fuqi është në gjendje të ndikojë mbi të gjithë ata me të cilët hyn në kontakt.
8 Filozofët më të mëdhenj pa këtë Shpirt janë të pafuqishëm, shpirtrat e tyre janë pa jetë, zemrat e tyre të vdekura! Po të mos fryjë në shpirtrat e tyre Fryma e Shenjtë, ata nuk mund të bëjnë ndonjë punë të mirë. Asnjë sistem i filozofisë nuk ka qenë kurrë në gjendje të ndryshojë sjelljet e zakonet e një populli për të mirë. Filozofët e ditur, të pandriçuar nga Shpirti Hyjnor, shpesh kanë qenë njerëz të një moralshmërie më të ulët; ata në veprimet e tyre nuk kanë treguar realitetin e frazave të tyre të bukura.
9 Dallimi midis filozofëve shpirtërorë e të tjerëve tregohet nga jetët e tyre. Mësuesi Shpirtëror e tregon besimin e Tij në mësimin e Vet, duke qenë Vetë çka Ai u rekomandon të tjerëve.
10 Një njeri i përvuajtur pa shkollë, por i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, është më i fuqishëm sesa studiuesi i prejardhjes më fisnike e më i thellë që nuk e ka këtë frymëzim. Ai që është edukuar nga Shpirti Hyjnor mundet në kohën e tij t’i udhëheqë të tjerët që të marrin të njëjtin Shpirt.
11 Unë lutem që ju të frymëzoheni nga jeta e Shpirtit Hyjnor, që të jeni mjete për edukimin e të tjerëve. Jeta dhe morali i një njeriu shpirtëror janë, në vetvete, edukim për ata që e njohin atë.
12 Mos mendoni për kufizimet tuaja, ndaluni vetëm në mirëqenien e Mbretërisë së Lavdisë. Shihni ndikimin e Jezu Krishtit mbi apostujt e Tij, pastaj mendoni për ndikimin e tyre mbi botën. Këta njerëz të thjeshtë u aftësuan nga fuqia e Shpirtit të Shenjtë që të përhapin lajmin e gëzuar!
13 Kështu marrçi edhe ju të gjithë ndihmë Hyjnore! Asnjë aftësi nuk është e kufizuar kur udhëhiqesh nga Shpirti i Perëndisë! Toka në vetvete nuk ka veti të jetës, ajo është shterpë dhe e thatë, derisa bëhet pjellore nga dielli dhe shiu; megjithatë toka nuk duhet të vajtojë për kufizimet e veta.
14 Ju dhashtë jetë juve! Le t’i bëjnë frytdhënëse kopshtet tuaja shiu i Mëshirës Hyjnore dhe ngrohtësia e Diellit të së Vërtetës, që shumë lule të bukura erëmira dhe dashuria të lulëzojnë me bollëk. Kthejini fytyrat tutje që të mos mendoni për veten tuaj të kufizuar dhe i drejtoni sytë nga Ndriçimi i Përjetshëm; atëherë shpirtrat tuaj do të marrin në masë të plotë Fuqinë Hyjnore të Shpirtit dhe Bekimet e Bujarisë së Pafund.
15 Në qoftë se ju, pra, qëndroni në gatishmëri, do të bëheni për botën e njerëzimit një flakë e pashuar, një yll udhëheqës e një pemë frytdhënëse, që e shndërron gjithë errësirën e mjerimin e saj në dritë e gëzim me ndriçimin e Diellit të Mëshirës dhe me bekimet e pafund të Lajmit të Gëzuar.
16 Kjo është domethënia e fuqisë së Shpirtit të Shenjtë, që unë lutem të reshë bujarisht mbi ju.
52. KJO KAUZË E MADHE DHE E LAVDISHME
4 Avenue de Camoëns, Paris,
28 nëntor
1 Në këto mbledhje ku jemi takuar e kemi biseduar së bashku, ju të gjithë jeni njohur me parimet e këtij dispensacioni dhe me realitetin e fakteve. Juve ju është dhënë rasti të njiheni me këto gjëra. Por ka edhe shumë njerëz ende të pandriçuar e të zhytur në bestytni. Ata kanë dëgjuar, por pak për këtë Kauzë të madhe e të lavdishme, dhe dija që ata kanë është e bazuar në pjesën më të madhe në fjalë të dëgjuara andej këtej. Mjerisht, shpirtra të gjorë, dija që ata kanë nuk është e bazuar mbi të vërtetën, themeli i besimit të tyre nuk janë mësimet e Bahá’u’lláh-ut. Ka, sigurisht, njëfarë të vërtete në atë që u është thënë atyre, por në pjesën më të madhe informacioni që ata kanë është i pasaktë.
2 Parimet e vërteta të Kauzës së bekuar të Perëndisë janë të njëmbëdhjetë rregullat që ju dhashë unë, dhe unë i shpjegova me kujdes ato një për një.
3 Ju duhet gjithmonë të përpiqeni të jetoni e të veproni në bindje të drejtpërdrejtë ndaj mësimeve e ligjeve të Bahá’u’lláh-ut, në mënyrë që çdo individ të shohë në të gjitha veprimet e jetës suaj se ju jeni me fjalë e me vepra pasues të Përsosurisë së Bekuar.
4 Bëni përpjekje që këto mësime të lavdishme të rrethojnë globin dhe që fryma shpirtërore të futet në zemrat e njerëzve.
5 Fryma e Shpirtit të Shenjtë do t’ju mbështesë dhe, megjithëse shumë do të ngrihen kundër jush, ata nuk do të mbizotërojnë!
6 Kur Zotin Krisht e kurorëzuan me gjemba, Ai e dinte se të gjitha diademat e botës ishin në këmbët e Tij. Të gjitha kurorat tokësore, sado të shkëlqyeshme, të fuqishme e të ndritshme, përkuleshin në adhurim para kurorës së gjembave! I nisur nga kjo dije e sigurt foli Ai, kur tha: ‘Më është dhënë çdo pushtet në Qiell e mbi tokë’.[20]
7 Tani unë ju them mbajeni këtë në zemrat e në mendjet tuaja. Me të vërtetë drita juaj do të ndriçojë mbarë botën, fryma juaj shpirtërore do të prekë zemrat e gjërave. Ju do të bëheni me të vërtetë pishtarët e ndezur të rruzullit. Mos kini frikë e mos u trazoni, sepse drita juaj do të depërtojë errësirën më të thellë. Ky është premtimi i Perëndisë, që unë ju jap. Çohuni! dhe shërbejini Pushtetit të Perëndisë!
53. TAKIMI I FUNDIT
15 Rue Greuze, Paris
1 dhjetor
1 Kur erdha në Paris para pak kohe për herë të parë, unë shikova rreth meje me shumë interes dhe në mendjen time e krahasova këtë qytet të bukur me një kopsht të madh.
2 Me kujdes dashamirës e me shumë vëmendje unë këqyra terrenin dhe pashë se ai është shumë i mirë e plot mundësi për besim të qëndrueshëm e të vendosur, sepse fara e dashurisë së Perëndisë është hedhur në tokë.
3 Retë e Mëshirës Qiellore kanë lëshuar shiun mbi të dhe Dielli i së Vërtetës ka rënë i ngrohtë mbi farat e reja, dhe sot njeriu mund të shohë midis jush lindjen e besimit. Fara e hedhur në tokë ka filluar të mbijë dhe dita ditës ju do ta shihni atë të rritet. Bujaria e Mbretërisë së Bahá’u’lláh-ut do të japë me të vërtetë një prodhim të mrekullueshëm!
4 Ja! Unë ju sjell juve lajmin e gëzuar e ngazëllues! Parisi do të bëhet një kopsht trëndafilash! Lule të bukura gjithfarëllojesh do të mbijnë dhe do të lulëzojnë në këtë kopsht, e fama e aromës dhe e bukurisë së tyre do të përhapet në të gjitha vendet. Kur unë mendoj për Parisin në të ardhmen, më duket sikur e shoh atë të zhytur në dritën e Shpirtit të Shenjtë! Me të vërtetë, po agon dita kur Parisi do të marrë ndriçimin e saj dhe Mirësia e Mëshira e Perëndisë do të jetë e dukshme për çdo krijesë të gjallë.
5 Mos lejoni që mendjet tuaja të qëndrojnë në të tashmen, por me sytë e besimit shikoni në të ardhmen, sepse me të vërtetë Fryma e Perëndisë po punon midis jush.
6 Që nga ardhja ime disa javë më parë, unë mund të shoh rritjen e frymës shpirtërore. Në fillim vetëm pak shpirtra erdhën tek unë për dritë, por gjatë qëndrimit tim të shkurtër midis jush numri është rritur e dyfishuar. Ky është një premtim për të ardhmen!
7 Kur Krishti u kryqëzua e iku nga kjo botë, Ai kishte vetëm njëmbëdhjetë dishepuj dhe fare pak pasues; por duke qenë se Ai i shërbente Kauzës së të vërtetës, shihni sot rezultatet e veprës së jetës së Tij! Ai ka ndriçuar botën dhe i ka dhënë jetë njerëzimit të vdekur. Pas ngjitjes së Tij në qiell, pak nga pak Kauza e Tij u rrit, shpirtrat e pasuesve të Tij u ndriçuan gjithnjë e më shumë dhe aroma e mirë e jetëve të tyre të shenjta u përhap në të katër anët.
8 Dhe ja tani, lavdi Zotit, një gjendje e ngjashme ka filluar në Paris. Ka shumë shpirtra që janë kthyer ndaj Mbretërisë së Perëndisë dhe që janë tërhequr drejt unitetit, dashurisë e së vërtetës.
9 Përpiquni, pra, të punoni që mirësia dhe mëshira e Abhá-it të pushtojë gjithë Parisin. Fryrja e Shpirtit të Shenjtë do t’ju ndihmojë, Drita Qiellore e Mbretërisë do të shkëlqejë në zemrat tuaja dhe engjëjt e bekuar të Perëndisë nga Qielli do t’ju sjellin juve forcë e do t’ju përkrahin. Falënderoni, pra, me gjithë zemër Perëndinë që ju keni arritur këtë të mirë supreme. Një pjesë e madhe e botës është zhytur në gjumë, por ju jeni zgjuar. Shumë janë të verbër, por ju shihni!
10 Thirrja e Mbretërisë dëgjohet midis jush. Lavdi Perëndisë, ju keni lindur përsëri, ju jeni pagëzuar me zjarrin e Dashurisë së Perëndisë; ju jeni zhytur në Detin e Jetës dhe jeni ripërtëritur nga Fryma e Dashurisë!
11 I jini mirënjohës Perëndisë që keni marrë një favor të tillë dhe kurrë mos dyshoni për Mirësinë e Dashamirësinë e Tij, por kini besim të pashuar në Bujarinë e Mbretërisë. Shoqërohuni së bashku në dashuri vëllazërore, jini të gatshëm të jepni jetët tuaja për njëri-tjetrin, dhe jo vetëm për ata që janë të shtrenjtë për ju, por për njerëzimin mbarë. Shihini të gjitha qeniet njerëzore si pjestare të një familjeje të vetme, të gjithë bij të Perëndisë; dhe duke bërë kështu, ju nuk do të gjeni dallime midis tyre.
12 Njerëzimi mund të krahasohet me një pemë. Kjo pemë ka degë, gjethe dhe fruta. Mendojini të gjithë njerëzit sikur janë lule, gjethe ose gonxhe të kësaj peme dhe përpiquni t’i ndihmoni të gjithë pa përjashtim të kuptojnë e të gëzojnë bekimet e Perëndisë. Perëndia nuk harron askënd: Ai i do të gjithë.
13 I vetmi dallim real që ekziston midis njerëzve është se ata janë në shkallë të ndryshme zhvillimi. Disa janë të papërsosur—këta duhen çuar në përsosuri. Disa janë në gjumë—ata duhen zgjuar; disa janë të shkujdesur—ata duhen nxitur; por të gjithë pa përjashtim janë bij të Perëndisë. Duajini ata me gjithë zemër; askush nuk është i huaj për tjetrin, të gjithë janë miq. Sonte unë kam ardhur t’ju them juve lamtumirë, por mos harroni se, megjithëqë trupat tanë mund të jenë larg njëri-tjetrit, në shpirt ne do të jemi gjithmonë së bashku.
14 Unë ju kam të gjithë ju pa përjashtim në zemër dhe nuk do të harroj asnjërin prej jush, dhe shpresoj se askush nga ju nuk do të më harrojë mua.
15 Unë në Lindje dhe ju në Perëndim, le të përpiqemi me mish e me shpirt që uniteti të vendoset në botë, që të gjithë popujt të bëhen një popull i vetëm dhe që gjithë sipërfaqja e tokës të jetë si një vend i vetëm, sepse Dielli i së Vërtetës ndrit për të gjithë njëlloj.
16 Të gjithë Profetët e Perëndisë kanë ardhur për hir të këtij qëllimi të vetëm të madh.
17 Shihni sesi Abrahami u përpoq të sillte besim e dashuri midis njerëzve; sesi Moisiu u përpoq të bashkonte njerëzit me ligje të shëndosha; sesi Zoti Krisht vuajti deri në vdekje për të sjellë dritën e dashurisë e të së vërtetës në një botë të errësuar; sesi Muhameti u përpoq të sillte unitet e paqe midis fiseve të ndryshme të paqytetëruara midis të cilave jetonte. Dhe më i fundit, Bahá’u’lláh-u vuajti dyzet vjet për të njëjtën Kauzë—për të vetmin qëllim fisnik të përhapjes së dashurisë midis bijve të njerëzve; dhe për paqe e unitetin e botës Báb-i dha jetën e tij.
18 Kështu, pra, përpiquni të ndiqni shembullin e këtyre Qenieve Hyjnore, pini nga burimi i Tyre, ndriçohuni nga Drita e Tyre dhe jini për botën simbole të Mëshirës e të Dashurisë së Perëndisë. Jini për botën si shiu e retë e mëshirës, si diej të së vërtetës; jini një ushtri qiellore dhe ju me të vërtetë do të pushtoni qytetin e zemrave.
19 I jini mirënjohës Perëndisë që Bahá’u’lláh-u na ka dhënë neve një themel të fortë e të qëndrueshëm. Ai nuk ka lënë vend për brengosje në zemrat dhe shkrimet e penës së Tij të shenjtë përmbajnë ngushëllim për botën mbarë. Ai kishte fjalët e së vërtetës, dhe çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet e Tij është e rreme. Qëllimi kryesor i tërë punës së Tij ishtë që t’i jepte fund përçarjes
20 Testamenti i Bahá’u’lláh-ut është një Shi Mirësie, një Diell i së Vërtetës, Ujë i Jetës, Shpirti i Shenjtë. Hapini, pra, zemrat tuaja që të merrni fuqinë e plotë të Bukurisë së Tij, dhe unë do të lutem për ju të gjithë që ta keni këtë gëzim.
21 Dhe tani ju them ‘Mirupafshim’.
22 Këtë ia them vetëm vetes suaj të jashtme; unë nuk ua them këtë shpirtrave tuaj, sepse shpirtrat tanë janë gjithmonë bashkë.
23 Ngushëllohuni dhe të jeni të sigurt se unë ditë e natë do të kthehem drejt Mbretërisë së Abhá-it duke u lutur për ju, që dita ditës ju të bëheni më të mirë e më të shenjtë, të jeni më pranë Perëndisë dhe gjithnjë e më të ndriçuar nga rrezëllimi i Dashurisë së Tij.
PJESA E TRETË
54. FJALA E ‘ABDU’L-BAHÁ-IT NË FRIENDS’ MEETING HOUSE, ST MARTIN’S LANE, LONDËR, W.C.
E diel, 12 janar 1913
1 Reth një mijë vjet më parë në Persi u krijua një shoqatë e quajtur Shoqata e Miqve, që mblidheshin së bashku për komunikim të heshtur me Fuqiplotin.
2 Ata e ndanin filozofinë Hyjnore në dy pjesë: njëri lloj është ai, dijet e të cilit mund të fitohen me anë të leksioneve e të studimit në shkolla e kolegje. Lloji i dytë i filozofisë ishte ai i të Ndriçuarve, apo i pasuesve të dritës së brendshme. Mësimet e kësaj filozofie zhvilloheshin në heshtje. Duke përsiatur e duke i kthyer fytyrat ndaj Burimit të Dritës, nga Drita qendrore misteret e Mbretërisë pasqyroheshin në zemrat e këtyre njerëzve. Të gjitha problemet Hyjnore zgjidheshin nga kjo fuqi e ndriçimit.
3 Shoqata e Miqve u rrit shumë në Persi dhe deri në kohën e sotme shoqatat e tyre ekzistojnë. Shumë libra e letra janë shkruar prej udhëheqësve të tyre. Kur mblidhen në shtëpitë e tyre të takimeve, ata rrinë në heshtje dhe përsiatin; drejtuesi i tyre hap mbledhjen me një propozim të caktuar dhe u thotë të mbledhurve ‘Ju duhet të përsiatni për këtë problem’. Atëherë, duke e çliruar mendjen nga çdo gjë tjetër, ata rrinë e përsiatin, dhe pa kaluar shumë kohë atyre u revelohet përgjigja. Mjaft çështje hyjnore të errëta janë zgjidhur nga ky ndriçim.
4 Disa prej çështjeve të mëdha të shpalosura nga rrezet e Diellit të Realitetit në mendjet e njerëzve janë: problemi i realitetit të shpirtit të njeriut; problemi i lindjes së shpirtit; problemi i lindjes së tij nga kjo botë në atë të Perëndisë; çështja e jetës së brendshme të shpirtit dhe e fatit të tij pas ngritjes së tij nga trupi.
5 Ata përsiatin gjithashtu për çështjet shkencore të ditës, dhe këto po ashtu zgjidhen.
6 Këta njerëz, të mbiquajtur ‘Pasues të dritës së brendshme’, arrijnë një shkallë tepër të lartë fuqie dhe janë krejtësisht të çliruar nga dogmat e imitimet e verbëra. Njerëzit mbështeten në thëniet e këtyre personave: ata vetë, brenda vetvetes, zgjidhin të gjitha misteret.
7 Në qoftë se gjejnë një zgjidhje me ndihmën e dritës së brendshme, ata e pranojnë atë, më pas e shpallin atë: përndryshe e konsiderojnë një çështje imitimi të verbër. Ata shkojnë deri atje sa të përsiatin për natyrën thelbësore të Hyjnisë, të revelacionit Hyjnor, të manifestimit të Perëndisë në këtë botë. Të gjitha çështjet hyjnore e shkencore ata i zgjidhin përmes fuqisë së shpirtit.
8 Bahá’u’lláh-u thotë se ka një shenjë (nga Perëndia) në çdo dukuri: shenja e intelektit është zhytja në mendime dhe shenja e zhytjes në mendime është heshtja, sepse njeriu e ka të pamundur të bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë: ai nuk mundet edhe të flasë edhe të përsiatë.
9 Është një aksiomë që ndërsa përsiatni ju bisedoni me vetë shpirtin tuaj. Në këtë gjendje mendore ju i shtroni shpirtit tuaj disa pyetje dhe shpirti përgjigjet: shpërthen drita dhe realiteti zbulohet.
10 Ju nuk mund të quani me emrin “njeri” çdo qenie qoftë, së cilës i mungon aftësia e të përsiaturit; pa këtë ajo do të ishte thjesht një kafshë më e ulët se shtazët.
11 Përmes aftësisë së përsiatjes njeriu arrin jetën e amshuar; përmes saj ai merr frymën e Shpirtit të Shenjtë; dhurata e Shpirtit jepet në përsiatje e meditim.
12 Vetë shpirti i njeriut informohet e forcohet gjatë përsiatjes; përmes saj çështje, për të cilat njeriu nuk dinte asgjë, shpalosen para syve të tij. Përmes saj ai merr frymëzimin Hyjnor, përmes saj ai merr ushqim qiellor.
13 Përsiatja është çelësi për të hapur dyert e mistereve. Në atë gjendje njeriu e abstragon veten: në atë gjendje njeriu e tërheq veten nga të gjitha objektet e jashtme; në atë gjendje subjektive ai është i zhytur në oqeanin e jetës shpirtërore dhe mund të zbulojë të fshehtat e sendeve në vetvete. Për ta ilustruar këtë, mendoni për njeriun si të pajisur me dy lloje shikimesh; kur përdoret fuqia e intuitës, fuqia e jashtme e të pamit nuk sheh.
14 Kjo aftësi e të përsiaturit e çliron njeriun nga natyra shtazore, dallon realitetin e gjërave, e vë njeriun në kontakt me Perëndinë.
15 Kjo aftësi nxjerr në dritë nga rrafshi i padukshëm shkencat dhe artet. Përmes aftësisë së të përsiaturit bëhen të mundura shpikjet, kryhen vepra kolosale; përmes saj qeverisja mund të bëhet me lehtësi. Përmes kësaj aftësie njeriu hyn në vetë Mbretërinë e Perëndisë.
16 Megjithatë, disa mendime janë pa dobi për njeriun; ato janë si valë që lëvizin në det pa ndonjë rezultat. Por në qoftë se aftësia e të përsiaturit zhytet në dritën e brendshme dhe karakterizohet nga atribute hyjnore, rezultati do të konfirmohet.
17 Aftësia përsiatëse i përngjet pasqyrës; në qoftë se e vendosni atë para objektesh tokësore, ajo do t’i pasqyrojë ato. Pra, në qoftë se shpirti i njeriut është duke soditur objekte tokësore, ai do të jetë i informuar për këto.
18 Por në qoftë se e ktheni pasqyrën e shpirtrave tuaj ndaj qiellit, yllësitë qiellore dhe rrezet e Diellit të Realitetit do të reflektohen në zemrat tuaja dhe virtytet e Mbretërisë do të fitohen.
19 Prandaj le ta mbajmë këtë aftësi të drejtuar si duhet, duke e kthyer atë ndaj Diellit qiellor e jo ndaj objekteve tokësore, në mënyrë që të mund të zbulojmë të fshehtat e Mbretërisë dhe të kuptojmë të gjitha alegoritë e Biblës dhe të fshehtat e shpirtit.
20 U bëfshim me të vërtetë pasqyra që reflektojnë realitetet qiellore, dhe u bëfshim aq të dëlirë sa të reflektojmë yjet e qiellit.
55. LUTJA
97 Cadogan Gardens, Londër,
26 dhjetor 1912
“A duhet Lutja të marrë formën e veprimit?”
1 ‘Abdu’l-Bahá: “Po: Në Kauzën Bahá’í artet, shkencat dhe të gjitha zejet janë (shihen si) adhurim. Njeriu që bën një copë letër shkrimi duke vënë të gjithë aftësinë e tij, me ndërgjegje, duke përqëndruar të gjitha forcat për ta përsosur atë, ai i thur lavde Perëndisë. Me një fjalë, çdo përpjekje e ushtrim që bën njeriu me gjithë zemër është adhurim, në qoftë se frymëzohet nga motivet më të larta e nga dëshira për t’i shërbyer njerëzimit. Ja ç’është adhurimi: t’i shërbesh njerëzimit dhe të kujdesesh për nevojat e njerëzve. Shërbimi është lutje. Një mjek që përkujdeset për të sëmurin, me mirësi, me butësi, i çliruar nga paragjykimi e që beson në solidaritetin e gjinisë njerëzore, ai thur lavde.”
“Cili është qëllimi i jetëve tona?”
2 ‘Abdu’l-Bahá: “Të fitojmë virtyte. Ne vimë nga toka; përse ne u shpërngulëm nga mbretëria minerale në atë bimore, nga mbretëria bimore në atë shtazore? Që të arrijmë përsosuri në secilën prej këtyre mbretërive, që të zotërojmë vetitë më të mira të mineralit, që të fitojmë aftësinë e rritjes si te bima, që të stolisemi me instinktet e kafshëve dhe të zotërojmë aftësitë e të pamit, të të dëgjuarit, të të nuhaturit, të të prekurit e të të shijuarit, derisa nga mbretëria shtazore hyjmë në botën e njerëzisë dhe na dhurohen arsyeja, aftësia e shpikjes dhe forcat e shpirtit.”
56. E KEQJA
“Ç’është e keqja?”
1 ‘Abdu’l-Bahá: “E keqja është papërsosuri. Mëkati është gjendja e njeriut në botën e natyrës më të ulët, sepse në natyrë ekzistojnë të meta të tilla si padrejtësia, tirania, urrejtja, armiqësia, konflikti: këto janë karakteristika të rrafshit më të ulët të natyrës. Këto janë mëkatet e botës, frytet e pemës nga e cila hëngri Adami. Përmes edukimit ne duhet ta çlirojmë veten nga këto papërsosuri. Profetët e Perëndisë janë dërguar, Librat e Shenjtë janë shkruar që njeriu të mund të bëhet i lirë. Ashtu siç lind në këtë botë të papërsosurisë nga barku i nënës së tij tokësore, ai lind në botën e shpirtit përmes edukimit hyjnor. Kur një njeri lind në botën dukurive, ai gjen gjithësinë; kur ai lind nga kjo botë në botën e shpirtit, ai gjen Mbretërinë.”
57. PËRPARIMI I SHPIRTIT
“A duhet njeriu të përparojë më shumë përmes brengës apo përmes gëzimit në këtë botë?”
1 ‘Abdu’l-Bahá: “Mendja dhe shpirti i njeriut përparon kur vihet në provë nga vuajtja. Sa më shumë të jetë pluguar toka, aq më mirë do të rritet fara, aq më i mirë do të jetë prodhimi. Tamam ashtu si plugu e çan tokën thellë, duke e spastruar atë nga barërat e këqia e gjëmbaçët, po kështu vuajtja e fatkeqësitë e çlirojnë njeriun nga çështjet e papërfillshme të kësaj jete tokësore, derisa ai arrin në një gjendje shkëputjeje të plotë. Qëndrimi i tij në këtë botë duhet të jetë ai i lumturisë hyjnore. Njeriu është, si të thuash, i papjekur: nxehtësia e zjarrit të vuajtjes do ta pjekë atë. Hidhni një vështrim në kohët e shkuara dhe do të shihni se njerëzit më të mëdhenj kanë vuajtur më shumë.”
“Ai që përmes vuajtjes ka arritur përparim, a duhet t’i druhet lumturisë?”
2 ‘Abdu’l-Bahá: “Përmes vuajtjes ai do të arrijë një lumturi të përjetshme, që asgjë nuk ia heq dot atij. Apostujt e Krishtit vuajtën: ata arritën lumturinë e përjetshme.”
“Atëherë është e pamundur të arrihet lumturia pa vuajtje?”
3 ‘Abdu’l-Bahá: “Që të arrijë lumturinë e përjetshme, njeriu duhet të vuajë. Ai që ka arritur gjendjen e vetëflijimit ka gëzim të vërtetë. Gëzimi shekullar do të zhduket.”
“A mundet një shpirt që ka ikur të bisedojë me dikë që është ende mbi tokë?”
4 ‘Abdu’l-Bahá: “Një bisedë mund të bëhet, por jo si bisedimi ynë. Nuk ka dyshim se forcat e botëve më të larta ndërveprojnë me forcat e këtij rrafshi. Zemra e njeriut është e hapur për frymëzimin; ky është komunikim shpirtëror. Ashtu si në ëndërr njeriu flet me një mik ndërkohë që gjuha është e heshtur, kështu është edhe në bisedën e shpirtit. Njeriu mund të bisedojë me unin brenda tij duke thënë: “A mund ta bëj këtë? A do të ishte e këshillueshme për mua ta bëj këtë punë?” E tillë si kjo është edhe biseda me vetveten më të lartë.”
58. KATËR LLOJET E DASHURISË
97 Cadogan Gardens, Londër,
E shtunë, 4 janar 1912
1 Çfarë force është dashuria! Ajo është më e mahnitshmja, më e madhja ndër të gjitha fuqitë e gjalla.
2 Dashuria i jep jetë të pajetëve. Dashuria ndez një flakë në zemrën që është e ftohtë. Dashuria u jep shpresë të pashpresëve dhe gëzon zemrat e të brengosurve.
3 Në botën e ekzistencës nuk ka me të vërtetë fuqi më të madhe sesa fuqia e dashurisë. Kur zemra e njeriut është ndezur nga flaka e dashurisë, ai është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, madje edhe jetën e tij. Në Ungjill thuhet se Perëndia është dashuri.
4 Ka katër lloje dashurish. E para është dashuria që shkon nga Perëndia te njeriu; ajo qëndron në hiret e pashtershme, në rrezëllimin Hyjnor e ndriçimin qiellor. Përmes kësaj dashurie bota e qenies merr jetë. Përmes kësaj dashurie njeriu pajiset me ekzistencë fizike, derisa, përmes fryrjes së Shpirtit të Shenjtë—të kësaj dashurie—ai fiton jetë të amshuar dhe bëhet shembëlltyrë e Perëndisë së Gjallë. Kjo dashuri është origjina e çdo dashurie në botën e krijimit.
5 E dyta është dashuria që shkon nga njeriu te Perëndia. Kjo është besim, tërheqje drejt Hyjnores, zgjim, përparim, hyrje në Mbretërinë e Perëndisë, duke marrë Dhuratat e Perëndisë, ndriçim me dritat e Mbretërisë. Kjo dashuri është origjina e çdo filantropie; kjo dashuri i bën zemrat e njerëzve të pasqyrojnë rrezet e Diellit të Realitetit.
6 E treta është dashuria e Perëndisë kundrejt Vetes ose Njëjtësisë së Perëndisë. Kjo është transformimi i Bukurisë së Tij, pasqyrimi i Vetes së Tij në pasqyrën e Krijimit të Tij. Ky është realiteti i dashurisë, i Dashurisë së Lashtë, i Dashurisë së Përjetshme. Përmes një rrezeje të vetme të kësaj Dashurie ekzistojnë të gjitha dashuritë e tjera.
7 E katërta është dashuria e njeriut për njeriun. Dashuria që ekziston midis zemrave të besimtarëve frymëzohet nga ideali i unitetit të shpirtrave. Kjo dashuri arrihet përmes dijes për Perëndinë, në mënyrë që njerëzit të shohin Dashurinë Hyjnore të pasqyruar në zemrën. Secili sheh tek tjetri Bukurinë e Perëndisë të pasqyruar në shpirtin dhe, duke gjetur këtë ngjashmëri, tërhiqen ndaj njëri-tjetrit në dashuri. Kjo dashuri do t’i bëjë të gjithë njerëzit valë të një deti të vetëm, kjo dashuri do t’i bëjë të gjithë ata yje të një qielli e fryte të një peme. Kjo dashuri do të sjellë realizimin e marrëveshjes së vërtetë, themeli i unitetit real.
8 Por dashuria që ekziston ndonjëherë midis miqsh nuk është dashuri (e vërtetë), sepse i nënhstrohet tranformimit; ajo është thjesht magjepsje. Kur fryn flladi, pema e hollë përkulet. Në qoftë se era është nga Lindja pema përkulet nga Perëndimi, dhe në qoftë se era kthehet nga Perëndimi pema përkulet nga Lindja. Kjo lloj dashurie e lind nga kushtet e rastësishme të jetës. Kjo nuk është dashuri, është thjesht njohje; ajo i nënshtrohet ndryshimit.
9 Sot ju shihni dy shpirtra që në dukje janë në miqësi të ngushtë; nesër e gjithë kjo mund të ndryshojë. Dje ata ishin gati të vdisnin për njëri-tjetrin, sot i shmangen shoqërisë së njëri-tjetrit! Kjo nuk është dashuri; kjo është përkulja e zemrave ndaj rrethanave të jetës. Kur ajo që ishte bërë shkak për ekzistencën e kësaj ‘dashurie’ kalon, edhe dashuria gjithashtu kalon; kjo nuk është në të vërtetë dashuri.
10 Dashuria është vetëm e katër llojeve që shpjegova. (a) Dashuria e Perëndisë ndaj njëjtësisë së Perëndisë. Krishti ka thënë se Perëndia është Dashuri. (b) Dashuria e Perëndisë për bijtë e Tij—për shërbëtorët e Tij. (c) Dashuria e njeriut për Perëndinë dhe (d) dashuria e njeriut për njeriun. Këto katër lloje dashurie vijnë nga Perëndia. Këto janë rreze të Diellit të Realitetit; këto janë Fllade të Shpirtit të Shenjtë; këto janë shenjat e Realitetit.
59. TABELË E REVELUAR NGA ‘ABDU’L-BAHÁ-I
28 gusht 1913
1 O ti bija ime e dashur!
2 Letrën tënde domethënëse e të rrjedhshme e lexova me vëmendje në një kopsht, nën hijen e freskët të një peme, ndërsa frynte një fllad i lehtë. Mjetin e kënaqësisë fizike e kisha përpara syve dhe letra jote më shkaktoi kënaqësi shpirtërore. Me të vërtetë, thashë, kjo nuk është letër, por një kopsht trëndafilash i stolisur me zymbyla e lule.
3 Ajo përmbante aromën e këndshme të parajsës dhe zefiri i Dashurisë Hyjnore frynte nga fjalët e saj optimiste.
4 Duke qenë se nuk kam shumë kohë në dispozicion, do të jap këtu një përgjigje të shkurtër, përfundimtare e tërësore. Ja cila është ajo:
5 Në këtë Revelacion të Bahá’u’lláh-ut gratë ecin krah për krah me burrat. Në asnjë lëvizje ato nuk do të lihen prapa. Të drejtat e tyre janë në shkallë të barabartë me ato të burrave. Ato do të futen në të gjitha degët administrative të politikës. Ato do të arrijnë në gjithçka një shkallë të tillë që do të konsiderohet si pozita më e lartë në botën e njerëzimit dhe do të marrin pjesë në të gjitha çështjet. Të jeni e sigurt. Mos shikoni kushtet e tanishme; në një të ardhme jo të largët bota e grave do të bëhet krejt e ndritshme dhe e plotlavdishme, Sepse Shenjtëria e Tij Bahá’u’lláh-u ka dashur kështu! Në kohë zgjedhjesh e drejta e votës është një e drejtë e patjetërsueshme e grave dhe futja e grave në çdo fushë njerëzore është një çështje e pakundërshtueshme dhe e padiskutueshme. Askush nuk mund ta vonojë ose parandalojë këtë.
6 Por ka disa çështje, pjesëmarrja në të cilat nuk është e përshtatshme për gratë. Për shembull, në kohën që komuniteti është duke marrë masa mbrojtëse energjike kundër sulmit të armiqve, gratë përjashtohen nga shërbimi ushtarak. Mund të ndodhë që në një kohë të caktuar fise luftëdashëse e të egra të sulmojnë me furi kombin, duke pasur si qëllim të bëjnë një kasapanë të përgjithshme të pjesëtarëve të tij; në këto rrethana mbrojtja është e nevojshme, por është detyrë e burrave të organizojnë e zbatojnë të tilla masa mbrojtëse dhe jo e grave, sepse ato e kanë zemrën të butë dhe nuk mund të përballojnë pamjen e tmerrit të masakrës, edhe në qoftë kjo për hir të mbrojtjes. Nga ndërmarrje të tilla e të ngjashme gratë përjashtohen.
7 Përsa i përket përbërjes së Shtëpisë së Drejtësisë, Bahá’u’lláh-u u drejtohet burrave. Ai thotë: ‘O ju burra të Shtëpisë së Drejtësisë!’
8 Por kur është puna për të zgjedhur anëtarët e saj, e drejta që u takon grave, përsa i përket votës dhe fjalës së tyre, ajo është e padisktueshme. Kur gratë arrijnë shkallën e fundit të përparimit, atëherë, në pajtim me kërkesat e kohës e të vendit dhe me aftësinë e tyre të madhe, ato do të kenë privilegje të jashtëzakonshme. Të keni besim lidhur me këtë. Shenjtëria e Tij Bahá’u’lláh-u e ka forcuar shumë kauzën e grave dhe të drejtat e privilegjet e grave janë një prej parimeve më të mëdha të ‘Abdu’l-Bahá-it. Të jeni e sigurt! Së shpejti do të vijë dita kur burrat, duke iu drejtuar grave, do të thonë: ‘Të bekuara qoftshi! Të bekuara qofshi! Me të vërtetë ju meritoni çdo dhuratë. Me të vërtetë ju meritoni t’i stolisni kokat tuaja me kurorën e lavdisë së pasosur, sepse në shkenca e arte, në virtyte e përsosuri ju do të bëheni të barabarta me burrin, dhe përsa i përket butësisë së zemrës, mëshirës së pakursyer e mirëkuptimit ju qëndroni më lart.’
1 Gjoni 14:11.
2 Abdyl Hamiti, Sulltan i Turqisë.
3 Mateu 24:30; 16-27; Marku 14:62.
4 Gjoni 3:13.
5 Gjoni 6:42.
6 Kurani 3:42.
7 Gjoni 18:11.
8 Apokalipsi 1:2.
9 Manifestimet e Perëndisë.
10 Eksodi 3:2.
11 Një person që ishte i pranishëm kur Badiut iu tha se ai do të dërgonte Letrën te Shahu, e pa atë të transformuar; atij i shkëlqeu fytyra.
12 Gjoni 3:5.
13 Mateu 3:11.
14 Luka 11:2.
15 dmth—Të gjitha veprat e mira kanë shpërblimin e vet.
16 Një pemë e vogël portokalli në një tryezë aty pranë.
17 dmth—Manifestim Hyjnor.
18 ‘Mos më jep as varfëri as pasuri.’—Proverba 30:8.
19 E Shtuna, që për hebrenjtë ishte ditë pushimi—shën. i përkth. në gjuhën shqipe.
20 Mateu 28:18.