BAHÁ'U'LLÁH
TABELA TË BAHÁ'U'LLÁH-UT
Tabela të Bahá'u'lláh-ut
të reveluara pas Qitapi Akdas-it
Përmbledhur nga Dega Kërkimore
e Shtëpisë Universale të Drejtësisë
dhe përkthyer nga
Habib Taherzadeh
me ndihmën e një Komiteti
në Qendrën Botërore Bahá'í
Original Title:
Tablets of Bahá'u'lláh, revealed after the Kitáb-i-Aqdas
Published by: Bahá'í Publishing Trust Wilmette, Illinois, Revised edition 1992
Text: Albanian
(c) Asambleja Shpirtërore Kombëtare
e Bahá'í-ve të Shqipërisë
Rruga e Dibrës 59 - Tiranë
Botimi i parë 2002 - 159 E.B.
PARATHËNIE
"Formulimi nga Bahá'u'lláh-u i ligjeve themelore të Dispensacionit të Tij në librin e Vet Qitapi Akdas (Libri Më i Shenjtë) u pasua, ndërkohë që Misioni i Tij po i afrohej fundit, nga parashtrimi i disa porosive e parimeve që përbëjnë vetë thelbin e Besimit të Tij, nga riafirmimi i të vërtetave që Ai kishte shpallur më parë, nga përpunimi e sqarimi i disa prej ligjeve që Ai kishte shtjelluar tashmë, nga revelimi i profecive e i paralajmërimeve të mëtejshme dhe nga krijimi i urdhëresave ndihmëse të destinuara për të plotësuar masat e Librit të Tij Më të Shenjtë. Këto u regjistruan në Tabela të panumërta, që Ai vazhdoi të revelonte deri në ditët e fundit të jetës së Tij tokësore, ... Këto Tabela - vërshime të fuqishme e të fundit të penës së Tij të palodhur - duhen renditur midis fryteve më të zgjedhura që mendja e Tij ka prodhuar dhe shënojnë përmbushjen e shërbimit të Tij që zgjati dyzet vjet".[1]
Gjashtë nga Tabelat e përmendura në pasazhin e mësipërm dhe që janë përfshirë në këtë vëllim, me porosi të 'Abdu'l-Bahá-it u përkthyen në anglisht dhe u botuan më 1917 nga Shoqata Botuese Bahá'í, në Çikago. Ai vëllim është ezauruar tashmë prej vitesh dhe përmbajtja e tij njihet tani nga shumë Bahá'í vetëm përmes fragmentesh të shtypura në përmbledhje të ndryshme ose të cituara në shkrime të tjera. Për më tepër, sa më shumë përkthimet e Tekstit të Shenjtë rridhnin nga pena e Shoghi Effendiut, u pa qartë se përkthimet e mëparshme mund të përmirësoheshin si nga saktësia dhe nga stili. Prandaj Shtëpia Universale e Drejtësisë porositi këtë vëllim, që e cilëson si një përpjekje të mëtejshme për të dhënë në një anglishte të përshtatshme fjalën e pakrahasueshme të Bahá'u'lláh-ut. Sa herë që ndonjë copë e tekstit ishte përkthyer më parë nga Ruajtësi, është përdorur ai përkthim. Ato pasazhe janë vënë në dukje në Shënimet në fund të librit.
Citatet nga Kurani
Në shënimet në fund të faqeve që i referohen Kuranit, suretë numërohen sipas origjinalit, ndërsa numrat e vargjeve janë ato të përkthimit të Rodwell-it, të cilat ndonjëherë ndryshojnë prej atyre të arabishtes.
1
LAWH-I-KARMIL
(Tabela e Karmelit)
1 LAVDI i qoftë kësaj Dite, Ditës në të cilën aromat e mëshirës janë përhapur mbi të gjitha gjërat e krijuara, një Ditë kaq e bekuar saqë epokat e shekujt e shkuar nuk mund të shpresojnë kurrë ta konkurrojnë, një Ditë në të cilën fytyra e të Lashtit të Kohëve është kthyer ndaj selisë së Tij të shenjtë. Pastaj, zërat e të gjitha gjërave të krijuara dhe, tej tyre, ato të Tubimit të Epërm, u dëgjuan të thërrisnin: "Nxito, o Karmel, sepse ja, drita e fytyrës së Perëndisë, Sundues i Mbretërisë së Emrave dhe Krijues i qiejve, është ngritur mbi ty".
2 I rrëmbyer nga vrulli i ngazëllimit dhe duke ngritur lart zërin, ai thirri: 'U flijoftë jeta ime për Ty, sepse Ti ke mbërthyer mbi mua vështrimin Tënd, më dhurove bujarinë Tënde dhe i drejtove për tek unë hapat e Tu. Ndarja prej Teje, o Ti Burim i jetës së pasosur, pothuajse më ka tretur dhe largësia prej pranisë Sate më ka djegur shpirtin. Lëvduar qofsh që më dhe mundësinë të dëgjoj thirrjen Tënde, që më nderove me hapat e Tu dhe që e zgjove shpirtin tim me aromën jetëdhënëse të Ditës Sate e me zërin tingëllues të Penës Sate, zë që Ti e caktove të buçasë si kushtrimi Yt midis njerëzve të Tu. Dhe kur ra ora në të cilën Besimi Yt i papërballueshëm duhej të shfaqej, Ti fryve në Penën Tënde frymën e shpirtit Tënd, dhe ja, gjithë krijimi u lëkund nga themelet, duke i zbuluar njerëzimit misteret e fshehura në thesaret e Atij Që është Zotëruesi i të gjitha gjërave të krijuara'.
3 Sapo zëri i tij arriti atë Vend të lartë, Ne u përgjigjëm: 'Falëndero Zotin tënd, o Karmel. Zjarri i ndarjes sate prej Meje po të treste me shpejtësi, kur oqeani i pranisë Sime gufoi para fytyrës sate, duke gëzuar sytë e tu dhe sytë e gjithë krijimit e duke mbushur me kënaqësi të gjitha gjërat e dukshme e të padukshme. Ngazëllehu, sepse në këtë Ditë Perëndia e ka vendosur mbi ty fronin e Tij, të ka bërë ty vendagimin e shenjave të Tij dhe agun e provave të Revelacionit të Tij. Lum ai që sillet rreth teje, që shpall revelimin e lavdisë sate dhe rrëfen për atë që bujaria e Zotit Perëndisë tënd ka reshur mbi ty. Rrëmbe Kupën e Pavdekësisë në emër të Zotit tënd, Lavdiplotit, dhe falënderoje Atë, sepse Ai, si shenjë e mëshirës së Tij për ty, ta ka kthyer brengën në gëzim dhe ta ka shndërruar dhimbjen në shend e hare. Ai, me të vërtetë, e do vendin që është bërë selia e fronit të Tij, që e kanë shkelur hapat e Tij, që e ka nderuar me praninë e Tij, nga ku ka lëshuar thirrjen e Tij dhe mbi të cilin ka derdhur lotët e Tij.
4 'Thirri Sionit, o Karmel, dhe shpall lajmin e gëzuar: Ai që ishte i fshehur prej syve të vdekshëm ka ardhur! Sovraniteti i Tij që gjithçka pushton u shfaq; shkëlqimi i Tij gjithëpërfshirës u revelua. Hap sytë të mos ngurrosh ose ndalesh. Nxito dhe sillu rreth Qytetit të Perëndisë që ka zbritur nga qielli, Qabesë qiellore rreth së cilës janë sjellur në adhurim të preferuarit e Perëndisë, të dëlirët në zemër, dhe aradha e engjëjve më të lartë. Oh, sa dëshiroj të shpall në çdo vend mbi sipërfaqen e tokës dhe të çoj në secilin prej qyteteve të saj lajmin e gëzuar të këtij Revelacioni - një Revelacion që ka tërhequr zemrën e Sinait dhe në emër të të cilit Driza e Përflakur po thërret: "Perëndisë, Zotit të Zotërve, i përkasin mbretëritë e tokës e të qiellit". Me të vërtetë kjo është Dita në të cilën toka dhe deti ngazëllehen për këtë kumt, Dita për të cilën janë ruajtur gjërat që Perëndia, me një bujari që mendja ose zemra e vdekshme s'e kapin dot, i ka caktuar t'i revelojë. Së shpejti Perëndia do të verë në lundrim Arkën e Tij mbi ty dhe do të shfaqë njerëzit e Bahá-it që janë përmendur në Librin e Emrave'.
5 Shenjtëruar qoftë Zoti i gjithë njerëzimit, përmendja e emrit të të Cilit ka bërë që të gjitha atomet e tokës të vibrojnë dhe Gjuha e Madhështisë të lëvizë për të zbuluar atë që ishte e mbështjellur në dijen e Tij dhe qëndronte e fshehur në thesarin e fuqisë së Tij. Ai, me të vërtetë, me fuqinë e Emrit të Tij, të Pushtetshmit, Fuqiplotit, Më të Lartit, është sundimtari i gjithçkaje që ndodhet në qiejt e mbi tokë.
2
LAWH-I-AQDAS
(Tabela Më e Shenjtë)[2]
1 Kjo është Tabela Më e Shenjtë, e dërguar nga mbretëria e shenjtë për atë që e ka kthyer fytyrën ndaj Objektit të adhurimit të botës, Atij Që ka zbritur nga qielli i përjetësisë, i veshur me lavdi të pamatur.
2 Në emër të Zotit, Zotit të lavdisë së madhe.
3 KJO është një Letër nga prania Jonë për atë që perdet e emrave nuk e kanë larguar dot nga Perëndia, Krijuesi i tokës e i qiellit, që sytë e tij të ngushëllohen në ditët e Zotit të tij, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
4 Thoni, O pasues të Birit![3] Jeni ndarë prej Meje për shkak të Emrit Tim? Përse nuk përsiatni në zemrat tuaja? Natë e ditë i keni thirrur Zotit tuaj, Fuqiplotit, por kur Ai erdhi nga qielli i përjetësisë në lavdinë e Tij të madhe, ju u larguat prej Tij, duke mbetur të zhytur në shkujdesje.
5 Mendoni ata që kundërshtuan Shpirtin[4] kur Ai erdhi tek ata me pushtet të dukshëm. Sa Farisenj qenë mbyllur nëpër sinagoga në emër të Tij, duke vajtuar për ndarjen e tyre prej Tij, e megjithatë kur portat e ribashkimit u hapën dykanatësh dhe Dielli hyjnor shkëlqeu i shndritshëm nga Agimi i Bukurisë, ata nuk besuan te Perëndia, i Madhërishmi, i Fuqishmi. Ata nuk arritën në praninë e Tij, megjithëse ardhja e Tij ishte premtuar në Librin e Isaisë, si dhe në Librat e Profetëve e të Lajmëtarëve. Asnjëri nga ata nuk e ktheu fytyrën drejt Agimit të bujarisë hyjnore, veç atyre që u ishte mohuar çdo pushtet midis njerëzve. E megjithatë, sot, çdo njeri i veshur me pushtet e sovranitet mburret me Emrin e Tij. Për më tepër, sillni ndërmend atë që e dënoi Jezusin me vdekje. Ky ishte më i dituri i kohës së vet në vendin e tij, ndërsa ai që ishte vetëm një peshkatar besoi tek Ai. Kini mendjen dhe jini ndër ata që i venë vesh paralajmërimit.
6 Mendoni, po kështu, sa murgj janë mbyllur sot nëpër kishat e tyre, duke thirrur Shpirtin, por kur Ai u shfaq përmes fuqisë së të Vërtetës, nuk u qasën pranë Tij dhe numërohen ndër ata që kanë shkuar në rrugë të shtrembër. Lum ata që i kanë braktisur këta dhe i kanë kthyer fytyrat ndaj Atij Që është Dëshira e të gjithë atyre që janë në qiejt e mbi tokë.
7 Ata lexojnë Ungjillin, por refuzojnë të njohin Zotin Lavdiplotë, edhe pse Ai ka ardhur me fuqinë e sundimit të Tij të lartësuar, të fuqishëm e dashamirës. Me të vërtetë, Ne kemi ardhur për hatër tuaj dhe kemi hequr fatkeqësitë e dynjasë për shpëtimin tuaj. Ju ikni nga Ai Që ka bërë fli jetën e Vet për t'ju dhënë jetë juve? Druajuni Perëndisë, o pasues të Shpirtit, dhe mos ecni në gjurmët e çdo teologu që ka shkuar në rrugë të shtrembër. Mos vallë ju mendoni se Ai shikon interesat e Veta, kur gjithmonë ka qenë i kërcënuar nga shpatat e armiqve; ose se Ai kërkon kotësitë e botës, pasi e kanë burgosur në më të shkretuarin e qyteteve? Jini të paanshëm në gjykimin tuaj dhe mos shkoni në gjurmët e të padrejtit.
8 Hapini dyert e zemrave tuaja. Ai Që është Shpirti qëndron vërtet para tyre. Përse vallë e dëboni ju Atë Që kishte për qëllim t'ju çojë pranë një Vendi të Shndritshëm? Thuaj: Ne në të vërtetë ju kemi hapur portat e Mbretërisë. Mos vallë ju doni të më mbyllni në fytyrë portat e shtëpive tuaja? Ky me të vërtetë është një gabim i rëndë. Ai me të vërtetë ka zbritur përsëri nga qielli, ashtu siç zbriti edhe herën e parë. Kini mendjen se mos kundërshtoni atë që Ai shpall, ashtu si njerëzit para jush kundërshtuan thëniet e Tij. Kështu ju këshillon Ai Që është i Vërteti, nëse arrini ta kuptoni këtë.
9 Lumi Jordan derdhet në Oqeanin Më të Madh, dhe Biri në luginën e shenjtë thërret: 'Këtu jam, këtu jam, o Zot Perëndia im!', ndërsa Sinai sillet rreth Shtëpisë dhe Driza e Përflakur thërret me zë të lartë: 'Ai Që është i Dëshiruari ka ardhur në madhështinë e Tij të pakrahasueshme'. Thuaj, ja, Ati erdhi dhe ajo që ju ishte premtuar në Mbretërinë u përmbush! Kjo është Fjala që Biri e mbante fshehur, kur u tha atyre që I rrinin përreth: 'Tani nuk e mbani dot'. Dhe kur erdhi koha e caktuar e ora ra, Fjala ndriti mbi horizontin e Vullnetit të Perëndisë. Kini mendjen, o pasues të Birit, të mos e hidhni atë pas shpine. Mbahuni fort pas saj. Kjo është më e mirë për ju sesa të gjitha ato që zotëroni. Me të vërtetë, Ai është pranë atyre që bëjnë mirë. Ora, që Ne patëm fshehur nga dija e popujve të tokës dhe e engjëjve të preferuar, ka ardhur. Thuaj, në të vërtetë Ai ka dëshmuar për Mua dhe Unë dëshmoj për Të. Me të vërtetë Ai nuk kishte parasysh askënd tjetër veç Meje. Për këtë dëshmon çdo shpirt i paanshëm e me mend.
10 Edhe pse të sulmuar nga brenga të panumërta, u bëjmë thirrje njerëzve të vijnë te Perëndia, Zoti i emrave. Thuaj, përpiquni të arrini atë që ju është premtuar në Librat e Perëndisë dhe mos shkoni në rrugën e injorantëve. Trupi Im ka duruar burgimin që ju të çliroheni nga skllavëria e vetvetes. Kthejini, pra, fytyrat drejt fytyrës së Tij dhe mos shkoni në gjurmët e çdo shtypësi armiqësor. Me të vërtetë, Ai ka pranuar poshtërime të hidhura që ju të mund të arrini lavdinë, e megjithatë ju zbaviteni në lëndinën e shkujdesjes. Në të vërtetë, për hatër tuaj Ai jeton në banesën më të shkretuar, ndërsa ju rrini në pallatet tuaja.
11 Thuaj, a nuk e dëgjuat Zërin e Kasnecit, duke thirrur fort në shkretëtirën e Bayán-it për t'ju njoftuar lajmin e gëzuar të ardhjes së Zotit tuaj, Mëshirëplotit? Ja! Ai ka ardhur nën hijen mbrojtëse të Dëshmisë, i pajisur me prova e fakte bindëse, dhe ata që besojnë me të vërtetë tek Ai e shohin praninë e Tij si mishërim të Mbretërisë së Perëndisë. Lum njeriu që kthehet ndaj Tij dhe mjerë ata që E mohojnë ose E venë në dyshim.
12 Njoftoju piftërinjve: Ja! Ai Që është Sundimtari ka ardhur. Dil që prapa perdes në emër të Zotit tënd, të Atij para të Cilit përkulin kokat të gjithë njerëzit. Shpalli pastaj gjithë njerëzimit lajmin e gëzuar të këtij Revelacioni të fuqishëm e të lavdishëm. Me të vërtetë, Ai Që është Shpirti i së Vërtetës ka ardhur për t'ju udhëhequr ju në tërë të vërtetën. Ai nuk flet ç'i thotë vetja e Tij, por ashtu siç e urdhëron Ai Që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
13 Thuaj, ky është Ai Që ka nderuar Birin dhe ka lartësuar Kauzën e Tij. Flakeni tutje, o popuj të botës, atë që keni dhe mbahuni fort pas asaj që është urdhëruar nga Fuqiploti, Ai Që është Bartësi i Besimit të Perëndisë. Pastrojini veshët dhe kthejini zemrat tuaja ndaj Tij, që të mund të dëgjoni Thirrjen më të mahnitshme të lëshuar nga Sinai, banesa e Zotit tuaj, Lavdiplotit. Ajo me të vërtetë do t'ju çojë pranë Vendit, ku do të shihni shkëlqimin e dritës së fytyrës së Tij, që ndriçon mbi këtë horizont dritëplotë.
14 O turmë priftërinjsh! Lërini këmbanat e dilni, pra, nga kishat tuaja. ?shtë detyra juaj, në këtë ditë, të shpallni me zë të lartë midis kombeve Emrin Më të Madh. Mos vallë parapëlqeni të heshtni, kur çdo gur e çdo pemë thërret fort: 'Zoti ka ardhur në lavdinë e Tij të madhe!'? Lum njeriu që nxiton drejt Tij. Me të vërtetë, ai numërohet ndër ata, emrat e të cilëve do të kujtohen përjetësisht nga Tubimi i Epërm. Kështu ka dekretuar Shpirti në këtë Tabelë të mrekullueshme. Ai që u bën thirrje njerëzve në emrin Tim është, me të vërtetë, nga të Mitë dhe do të tregojë gjëra që tejkalojnë fuqinë e të gjithë atyre që janë mbi tokë. Ndiqni Rrugën e Zotit dhe mos shkoni në gjurmët e atyre që janë zhytur në shkujdesje. Lum i përgjumuri që e zgjon Flladi i Perëndisë dhe, duke i hedhur hapat në Rrugën e Zotit, ngjallet së vdekurish. Me të vërtetë një njeri i tillë është, në sytë e të Vetmit Perëndi të Vërtetë, si një margaritar midis njerëzve dhe numërohet midis të lumturve.
15 Thuaj: Në Lindje ka shpërthyer Drita e Revelacionit të Tij; në Perëndim janë shfaqur shenjat e sundimit të Tij. Peshojeni këtë në zemrat tuaja, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që e kanë bërë veshin të shurdhër ndaj qortimeve të Atij Që është Fuqiploti, i Gjithëlëvduari. Le t'ju zgjojë Flladi i Perëndisë. Me të vërtetë, ai ka fryrë mbi botë. Lum ai që ka zbuluar aromën e tij dhe është radhitur me të sigurtit.
16 O turmë peshkopësh! Ju jeni yjet e qiellit të dijes Sime. Mëshira Ime nuk dëshiron që ju të bini mbi tokë. Por drejtësia ime thotë: 'Kjo është ajo që ka vendosur Biri'. Dhe çdo gjë që ka dalë nga goja e Tij e paqortueshme, e besueshme e që thotë të vërtetën kurrë nuk mund të ndryshohet. Vërtet këmbanat kumbojnë me Emrin Tim e qajnë për Mua, por shpirti Im gufon me gëzim të dukshëm. Trupi i të Shumëdashurit ka mall për kryqin dhe koka e Tij mezi pret goditjen e heshtës në shtegun e Mëshirëplotit. Tirania e shtypësit kurrsesi nuk mund Ta largojë Atë prej qëllimit të Tij. Ne i kemi thirrur të gjitha gjërat e krijuara të mblidhen në praninë e Zotit tënd, Mbretit të të gjithë emrave. Lum njeriu që e ka kthyer fytyrën ndaj Perëndisë, Zotit të Ditës së Hesapeve.
17 O turmë murgjish! Nëse vendosni të vini pas Meje, do t'ju bëj trashëgimtarë të Mbretërisë Sime; dhe në qoftë se mëkatoni kundër Meje, Unë, i shumëvuajturi, do ta përballoj me durim; dhe Unë me të vërtetë jam Zemërgjeri, Mëshirëploti.
18 O tokë e Sirisë! Ç'ka ndodhur me drejtësinë tënde? Ty, në të vërtetë, të kanë fisnikëruar gjurmët e Zotit tënd. A e ke ndier aromën e ribashkimit qiellor, apo do të numërohesh ndër të shkujdesurit?
19 Bethlehemi është shkundur nga Flladi i Perëndisë. Dëgjojmë zërin e tij të thotë: 'O Zot bujariplotë! Ku është vendosur lavdia jote e madhe? Aromat e këndshme të pranisë Sate më kanë gjallëruar, pasi isha tretur nga ndarja ime prej Teje. Lëvduar qofsh Ti, që i ngrite perdet dhe erdhe me pushtet në lavdi të dukshme'. Që nga shatorrja e Madhërisë dhe e Madhështisë Ne i thirrëm: 'O Bethlehem! Kjo dritë që doli në Lindje shkoi drejt Perëndimit, derisa të arriti në muzgun e jetës sate. Më thuaj pra: Bijtë a e njohin Atin dhe a shkojnë pas Tij, apo E mohojnë, ashtu si dikur njerëzit mohuan Atë (Jezusin)?' Pas kësaj ai thirri: 'Ti je, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi, Ai Që njeh gjithçka'. Me të vërtetë, shohim të gjitha gjërat e krijuara të lëvizin për të dëshmuar për Ne. Disa Na njohin dhe dëshmojnë, por shumica dëshmojnë, megjithëse nuk Na njohin.
20 Mali i Sinait dridhet nga gëzimi që po sodit fytyrën Tonë. Ai ka ngritur zërin e vet magjepës në përlëvdim të Zotit të tij, duke thënë: 'O Zot, unë ndiej aromën e rrobës Sate. Më duket se Ti je pranë, i veshur me shenjat e Perëndisë. Ti i fisnikërove këto anë me hapat e Tu. I madh është bekimi i njerëzve të Tu, vetëm të Të njihnin Ty e të thithnin aromat e Tua të këndshme; dhe mjerë ata që kanë rënë në gjumë të thellë'.
21 Lum ti që e ke kthyer fytyrën ndaj fytyrës Sime, sepse ke çjerrë perdet, ke shembur idhujt dhe ke njohur Zotin tënd të përjetshëm. Njerëzit e Kuranit janë ngritur kundër Nesh pa ndonjë provë a dëshmi të qartë, duke Na sfilitur në çdo çast me një torturë të re. Pandehin më kot se mundimet mund të bëjnë që të dështojë Qëllimi Ynë. E kotë është me të vërtetë ajo që ata kanë imagjinuar. Në të vërtetë, është Zoti yt Ai që vendos çdo gjë që dëshiron.
22 Nuk kam kaluar kurrë pranë ndonjë peme dhe zemra Ime të mos i ketë thënë: 'Ah sikur të të prisnin në emrin Tim dhe trupi Im të kryqëzohej mbi ty'. E kemi reveluar këtë pasazh në Letrën drejtuar Shahut, që të shërbente si paralajmërim për ithtarët e feve. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
23 Mos të të brengosin gjërat që ata kanë bërë. Në të vërtetë ata janë si të vdekur, e jo të gjallë. Lëri ata me të vdekurit dhe ktheje fytyrën ndaj Atij Që është Jetëdhënësi i Botës. Ki mendjen që thëniet e të shkujdesurve të mos të të trishtojnë. Qëndro i paepur në Kauzën dhe mësoi njerëzit me mençuri të përkryer. Kështu të këshillon Sundimtari i tokës dhe i qiellit. Ai është me të vërtetë Fuqiploti, Më Zemërgjeri. Së shpejti Perëndia do ta lartësojë kujtimin tënd dhe do të shkruajë me Penën e Lavdisë atë që ti ke thënë për hir të dashurisë së Tij. Me të vërtetë Ai është Mbrojtësi i atyre që bëjnë mirë.
24 Njoftoje të quajturin Murád që e kam kujtuar dhe thuaji: 'Lum ti, o Murád, që flake tej
tundimet e dëshirës sate dhe shkove pas Atij Që është Dëshira e mbarë njerëzimit'.
25 Thuaj: Lum i përgjumuri që Flladi Im e ka zgjuar. Lum i pajeti që fryma Ime jetëdhënëse e ka ngjallur. Lum syri që soditja e Bukurisë Sime e ka ngushëlluar. Lum shtegtari që i ka drejtuar hapat ndaj Shatorres së lavdisë e të madhështisë Sime. Lum i brengosuri që kërkon strehë nën hijen e tendës Sime. Lum i eturi që nxiton drejt ujërave të dashamirësisë Sime që rrjedhin të qeta. Lum shpirti i pangopur që për hir të dashurisë ndaj Meje flak tutje dëshirat e tij egoiste dhe zë vend në tryezën e gostisë që Unë kam dërguar nga qielli i bujarisë hyjnore për të zgjedhurit e Mi. Lum i poshtëruari që kapet fort pas telit të lavdisë Sime; dhe nevojtari që futet nën hijen e Shatorres së pasurisë Sime. Lum i padituri që kërkon burimin e dijes Sime; dhe i shkujdesuri që kapet pas telit të kujtimit Tim. Lum shpirti që është ngjallur së vdekurish nga Fryma Ime jetëdhënëse dhe është pranuar në Mbretërinë Time qiellore. Lum njeriu që aromat e këndshme të ribashkimit me Mua e kanë zgjuar dhe e kanë qasur pranë Agimit të Revelacionit Tim. Lum veshi që ka dëgjuar, dhe gjuha që ka dëshmuar, dhe syri që ka parë e njohur Vetë Zotin, në lavdinë e madhërinë e Tij të pafund, të veshur me madhështi e pushtet. Lum ata që kanë arritur në praninë e Tij. Lum njeriu që ka kërkuar dritë nga Ylli i Ditës i Fjalës Sime. Lum ai që e ka stolisur ballin me diademën e dashurisë Sime. Lum ai që ka dëgjuar për brengën Time dhe është ngritur të Më ndihmojë ndër njerëzit e Mi. Lum ai që ka bërë fli jetën e tij në shtegun Tim dhe ka vuajtur fatkeqësi të shumta për hir të emrit Tim. Lum njeriu që, i sigurt për Fjalën Time, është ngritur së vdekurish për të Më thurur lavde Mua. Lum ai që, i magjepsur nga meloditë e Mia të mrekullueshme, ka çarë perdet me fuqinë e pushtetit Tim. Lum ai që i ka qëndruar besnik Besëlidhjes Sime dhe që gjërat e kësaj bote nuk e kanë penguar të arrijë Oborrin Tim të shenjtërisë. Lum njeriu që është shkëputur nga çdo gjë tjetër veç Meje, që është lëshuar fluturim në atmosferën e dashurisë Sime, që është pranuar në Mbretërinë Time, që ka soditur sferat e Mia të lavdisë, që ka shijuar ujërat e gjalla të bujarisë sime, që ka pirë plot kupën nga lumi qiellor i provanisë Sime, që është njohur me Kauzën Time, që ka kuptuar atë që Unë kam fshehur në thesarin e Fjalëve të Mia, ai që ka shkëlqyer në horizontin e dijes hyjnore, duke Më lavdëruar e madhëruar Mua. Ai, me të vërtetë, është Imi. Mbi të qofshin mëshira Ime, dashamirësia Ime, bujaria Ime dhe lavdia Ime.
3
BISHÁRÁT
(Lajmet e Gëzuara)
1 Kjo është thirrja e Lavdiplotit, që është shpallur nga Horizonti Suprem në Burgun e 'Akká-së.
2 Ai është Shpjeguesi, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
3 Perëndia, Ai i Vërteti, dëshmon se Reveluesit e emrave e të e të atributeve të Tij sjellin dëshmi se, duke lëshuar këtë thirrje dhe duke shpallur Fjalën e Tij sublime, qëllimi Ynë I vetëm është që veshi i gjithë krijimit, përmes ujërave të gjalla të fjalës hyjnore, të pastrohet nga përrallat mashtruese dhe të familjarizohet me Fjalën e shenjtë, të lavdishme e të lartësuar që ka dalë nga vendi ku ruhet dija e Artuesit të Qiejve dhe Krijuesit të Emrave. Lum ata që gjykojnë drejt.
4 O popuj të tokës!
I pari Lajm i Gëzuar
që Libri Amë u ka njoftuar, në këtë Revelacion Më të Madh, popujve të botës, është se ligji i luftës së shenjtë është fshirë nga Libri. Lëvduar qoftë Mëshirëploti, Zoti i mirësisë së pakursyer, falë të Cilit porta e bujarisë qiellore është hapur dykanatësh para të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë.
5 I dyti Lajm i Gëzuar
Lejohet që popujt dhe fiset e botës të shoqërohen me njëri-tjetrin me gëzim e hare. O njerëz! Afrohuni me pasuesit e të gjitha feve në një frymë miqësie e vëllazërimi. Kështu ylli i ditës i sanksionit e i autoritetit të Tij ndriçoi në horizontin e dekretit të Perëndisë, Zotit të botëve.
6 I treti Lajm i Gëzuar
ka të bëjë me mësimin e gjuhëve të ndryshme. Ky dekret ka rrjedhur që më parë nga Pena e Më të Lartit: është e nevojshme që sovranët e botës - Perëndia u qoftë ndihmë - ose ministrat e tokës të këshillohen së bashku dhe të adoptojnë njërën prej gjuhëve ekzistuese, ose një gjuhë të re, e cila t'u mësohet fëmijëve në shkolla në të gjithë botën, dhe po kështu një shkrim të vetëm. Kështu gjithë toka do të shihet si një vend i vetëm. Lum ai që i vë veshin Thirrjes së Tij dhe i përmbahet asaj që i është urdhëruar nga Perëndia, Zoti i Fronit të Pushtetshëm.
7 I katërti Lajm i Gëzuar
Në qoftë se ndonjëri prej mbretërve - Perëndia i ardhtë në ndihmë - çohet për të mbrojtur e për të ndihmuar këta njerëz të shtypur, të gjithë duhet të hyjnë në garë me njëri-tjetrin për ta dashur e për t'i shërbyer. Ky është një detyrim për çdo njeri. Lum ata që veprojnë në pajtim me këtë.
8 I pesti Lajm i Gëzuar
Në çdo vend ku jetojnë njerëz të tillë, ata duhet të sillen ndaj qeverisë së këtij vendi me besnikëri, ndershmëri e sinqeritet. Kjo është reveluar me urdhër të Atij Që është Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve.
9 Është e domosdoshme dhe e detyrueshme që të gjithë popujt e botës, pa përjashtim, ta ndihmojnë këtë Kauzë të fuqishme, të ardhur nga qielli i Vullnetit të Perëndisë së përherëpranishëm, që ndoshta zjarri i armiqësisë, i cili digjet në zemrat e disa popujve të dheut, të shuhet përmes veprimit të ujërave të gjalla të urtisë hyjnore e falë këshillave e paralajmërimeve qiellore, dhe drita e unitetit dhe e marrëveshjes të shkëlqejë e të përhapë rrezet e saj mbi botë.
10 Ushqejmë shpresën që, falë përpjekjeve të zellshme të atyre që janë përkrahësit e pushtetit të Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij - mjetet e luftës kudo në botë të shndërrohen në mjete të rindërtimit dhe që grindjet e konfliktet midis njerëzve të zhduken.
11 I gjasthi Lajm i Gëzuar
është vendosja e Paqes së Vogël, hollësitë e së cilës janë reveluar më parë nga Pena Jonë Më e Lartësuar. I madh është bekimi i atij që e mbështet atë dhe i përmbahet çdo gjëje që ka urdhëruar Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
12 I shtati Lajm i Gëzuar
Zgjedhja rrobave dhe prerja e forma e mjekrrës lihen në gjykimin e njerëzve. Por kini mendjen, o njerëz, të mos bëheni gazi i të pagdhendurve.
13 I teti Lajm i Gëzuar
Veprat e devotshme të murgjve e të priftërinjve midis pasuesve të Shpirtit[5] - paqja e Perëndisë qoftë mbi Të - përmenden në prani të Tij. Por në këtë Ditë ata le të heqin dorë nga jeta e mbyllur, t'i drejtojnë hapat e tyre ndaj botës së hapur dhe të merren me atë që do t'u sjellë dobi atyre vetë dhe të tjerëve. Ne u kemi dhënë lejë atyre të lidhin Martesë, që ata të lindin dikë që do të përmendë Perëndinë, Zotin e së dukshmes e të së padukshmes, Zotin e Fronit të Lartësuar.
14 I nënti Lajm i Gëzuar
Kur mëkatari e sheh se është krejtësisht i shkëputur e i çliruar nga gjithçka veç Perëndisë, ai duhet të kërkojë ndjesë e të falur prej Tij. Rrëfimi i mëkateve e i fajeve para qenieve njerëzore nuk është i lejueshëm, sepse kjo kurrë nuk ka sjellë dhe nuk do të sjellë kurrë ndjesën hyjnore. Veç kësaj, një rrëfim i tillë para njerëzve çon në poshtërim e ulje, dhe Perëndia - u lartësoftë lavdia e Tij - nuk dëshiron poshtërimin e shërbëtorëve të Tij. Me të vërtetë, Ai është Zemërdhembshuri, i Mëshirshmi. Mëkatari duhet, vetëm për vetëm me Perëndinë, të lutet për mëshirë nga Oqeani i Mëshirës, të kërkojë ndjesë nga Qielli i bujarisë dhe të thotë:
15 O Perëndi, Perëndia im! Të përgjërohem për gjakun e atyre që me të vërtetë të duan, të cilët ishin aq të rrëmbyer prej të folurit Tënd të ëmbël sa nxituan drejt kulmit të Lavdisë, vendit të martirizimit më të lavdishëm, dhe të luten Ty për misteret që fshihen në dijen Tënde, dhe për margaritarët që ruhen në oqeanin e bujarisë Sate, të më japësh ndjesë mua, atit tim dhe nënës sime. Ndër ata që tregojnë mëshirë, Ti je me të vërtetë Më i Mëshirshmi. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Dhembshurit, Bujariplotit.
16 O Zot! Ti e sheh këtë thelb të mëkatit të kthehet ndaj oqeanit të favorit Tënd dhe këtë krijesë të dobët të kërkojë mbretërinë e pushtetit Tënd hyjnor, dhe këtë qenie të gjorë të bjerë përmbys drejt yllit të ditës të pasurisë Sate. Për mëshirën dhe dashamirësinë Tënde, mos e zhgënje atë, O Zot, mos ia moho atij revelacionet e bujarisë Sate në ditët e Tua, as mos e dëbo atë nga porta Jote, që e ke hapur dykanatësh për të gjithë ata që banojnë në qiellin Tënd e mbi tokën Tënde.
17 Oh! Oh! Mëkatet e mia më kanë penguar të qasem pranë Oborrit të shenjtërisë Sate dhe fajet e mia kanë bërë që të tretem larg Shatorres së madhërisë Sate. Unë kam bërë atë që Ti ma kishe ndaluar dhe kam lënë pasdore atë që Ti më kishe urdhëruar të bëj.
18 Të lutem, për Atë Që është Zoti sovran i Emrave, të shkruash për mua me Penën e bujarisë Sate atë që do të më bëjë të mundur të qasem Teje dhe që do të më dëlirë nga fajet e mia, të cilat kanë ndërhyrë midis meje dhe ndjesës e faljes Sate.
19 Me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, Bujari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, të Hirshmit.
20 I dhjeti Lajm i Gëzuar
Si shenjë e dashamirësisë nga Perëndia, Reveluesi i këtij Kumti Më të Madh, Ne kemi fshirë nga Shkrimet e Tabelat e Shenjta ligjin që urdhëron djegien e librave.
21 I njëmbëdhjeti Lajm i Gëzuar
Është e lejueshme të studiohen shkencat dhe artet, por ato shkenca që janë të dobishme dhe ndihmojnë progresin e përparimin e njerëzve. Kështu ka dekretuar Ai që është Urdhëruesi, Urtiploti.
22 I dymbëdhjeti Lajm i Gëzuar
Çdonjëri prej jush urdhërohet të merret me ndonjë punë, si me ndonjë zeje, tregti e të tjera si këto. Ne me hir e kemi lartësuar angazhimin tuaj në një punë të tillë në rangun e adhurimit të Perëndisë, të Vetmit Perëndi të Vërtetë. Peshojini në zemrat tuaja hirin dhe bekimet e Perëndisë dhe falënderojeni Atë mëngjes e mbrëmje. Mos e humbni kohën në përtesë e plogështi. Merruni me atë që do t'ju sjellë përfitim juve vetë dhe të tjerëve. Kështu është dekretuar në këtë Tabelë, nga horizonti i së cilës ylli i urtisë dhe i fjalës shkëlqen i shndritshëm.
23 Në sytë e Perëndisë, njerëzit më të përçmuar janë ata që rrinë duarkryq e lypin. Kapuni fort pas fillit të mjeteve materiale, duke u mbështetur tërësisht te Perëndia, Siguruesi i të gjitha mjeteve. Kur secili merret me ndonjë zeje ose tregti, në sytë e Perëndisë një punë e tillë konsiderohet si një akt adhurimi; dhe kjo s'është veçse një shenjë e bujarisë së Tij të pafund e gjithëpërfshirëse.
24 I trembëdhjeti Lajm i Gëzuar
Njerëzit e Shtëpisë së Drejtësisë të Perëndisë janë ngarkuar të merren me punët publike. Ata janë, në të vërtetë, të Besuarit e Perëndisë midis shërbëtorëve të Tij dhe agimet e autoritetit në vendet e Tij.
25 O njerëz të Perëndisë! Ajo që e mëson botën është Drejtësia, sepse ajo mbështetet mbi dy shtylla, shpërblimin dhe ndëshkimin. Këto dy shtylla janë burimet e jetës për botën. Duke qenë se çdo ditë ka një problem të ri dhe për çdo problem një zgjidhje të volitshme, çështje të tilla duhet t'u paraqiten Ministrave të Shtëpisë së Drejtësisë, që ata të veprojnë në përputhje me nevojat dhe kërkesat e kohës. Ata që, për hir të Perëndisë, ngrihen për t'i shërbyer Kauzës së Tij, marrin frymëzimin hyjnor nga Mbretëria e padukshme. Është e detyrueshme që të gjithë t'u binden atyre. Të gjitha punët e shtetit duhet t'i paraqiten Shtëpisë së Drejtësisë, por aktet e adhurimit duhen kryer në përputhje me atë që Perëndia ka reveluar në Librin e Tij.
26 O njerëz të Bahá-it! Ju jeni vendagimet e dashurisë së Perëndisë dhe agimet e dashamirësisë së Tij. Mos i ndyeni gjuhët me mallkime e sharje për cilindo shpirt qoftë dhe i ruani sytë nga ajo që është e pahijshme. Shfaqeni atë që zotëroni. Në qoftë se pranohet në mënyrë të favorshme, qëllimi është arritur; në qoftë se jo, është e kotë të protestosh. Lëreni të qetë atë shpirt dhe drejtojuni Zotit, Mbrojtësit, të Vetëqenëshmit. Mos u bëni shkak brengosjeje e aq më pak mosmarrëveshjeje e grindjeje. Kemi shpresë që ju të merrni edukim të vërtetë nën hijen e pemës së mëshirës së Tij të dhimbsur dhe të veproni në pajtim me atë që dëshiron Perëndia. Ju jeni të gjithë gjethe të një peme të vetme dhe pika uji të të njëjtit oqean.
27 I katërmbëdhjeti Lajm i Gëzuar
Nuk është e nevojshme të ndërmerren udhëtime të posaçme për të vizituar vend-prehjet e të vdekurve. Në qoftë se njerëz që kanë pasuri me bollëk i ofrojnë Shtëpisë së Drejtësisë shpenzimet për udhëtime të tilla, kjo do të jetë e pëlqyeshme dhe e pranueshme në sytë e Perëndisë. Lum ata që u përmbahen porosive të Tij.
28 I pesëmbëdhjeti Lajm i Gëzuar
Megjithëse forma republikane e qeverisjes është me përfitim për të gjithë popujt e botës, prapëseprapë madhëria e mbretërimit është një prej shenjave të Perëndisë. Ne nuk duam që vendet e botës të privohen prej saj. Në qoftë se njerëzit mendjemprehtë i bashkojnë të dyja format në një të vetme, i madh do të jetë shpërblimi i tyre pranë Perëndisë.
29 Në fetë e dikurshme ishin formuluar e saksionuar, sipas kërkesave të kohës, porosi të tilla si lufta e shenjtë, djegia e librave, ndalimi i shoqërimit e i miqësisë me popuj të tjerë, ose leximi i disa librave; por në këtë Revelacion të fuqishëm, në këtë Kumt madhor, dhuratat e favoret e pafund të Perëndisë janë shtrirë mbi të gjithë njerëzit, dhe nga horizonti i Vullnetit të Zotit të Përherëpranishëm dekreti i Tij i pagabueshëm ka urdhëruar atë që shtjelluam më sipër.
30 Lëvduar qoftë Perëndia - u shenjtëroftë e u madhëroftë Ai - për gjithçka që me dashamirësi ka reveluar në këtë Ditë të bekuar, të lavdishme e të pakrahasueshme. Me të vërtetë, sikur çdo njeri mbi tokë të kishte njëmijë gjuhë dhe vazhdimisht të lëvdonte Perëndinë e të madhëronte emrin e Tij deri në fundin që nuk ka fund, falënderimi i tyre nuk do të ishte i mjaftueshëm qoftë edhe vetëm për një prej favoreve dashamirëse që kemi përmendur në këtë Tabelë. Për këtë dëshmon çdo njeri i pajisur me urti e mendjemprehtësi, me kuptim e dije.
31 I lutemi me zjarr Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij - të ndihmojë sundimtarët e sovranët, që janë drejtuesit e pushtetit dhe agimet e lavdisë, të zbatojnë ligjet dhe urdhërat e Tij. Ai është, me të vërtetë, Fuqiploti, i Gjithëpushtetshmi, Ai Që e ka zakon t'u përgjigjet lutjeve të njerëzve.
4
TARÁZÁT
(Stolitë)
1 Në emrin Tim, që ngrihet suprem mbi të gjithë emrat
2 LAVDËRIMI e lavdia i shkojnë Zotit të Emrave, Krijuesit të qiejve, Atij, valët e oqeanit të Revelacionit të të Cilit dallgëzojnë para syve të popujve të botës. Ylli i ditës i Kauzës së Tij ndriçon përmes të gjitha perdeve dhe Fjala e Tij e afirmimit shkon tej shtrirjes së mohimit. As epërsia e shtypësit dhe as tirania e të ligjve nuk kanë mundur të prishin Qëllimin e Tij. Sa i madhëruar është sovraniteti i Tij dhe sa i lartësuar sundimi i Tij!
3 Zot i madh! Megjithëse shenjat e Tij kanë përfshirë botën dhe provat e dëshmitë e Tij shkëlqejnë të qarta e të dukshme si drita, prapëseprapë injorantët tregohen të shkujdesur, madje rebelë. Dhe sikur të mjaftoheshin me kundërvënien! Përkundrazi, tërë kohën komplotojnë për të rrëzuar Pemën e shenjtë të Lotusit. Qysh nga agimi i këtij Revelacioni, mishërimet e egoizmit, duke ushtruar mizori e shtypje, janë përpjekur të shuajnë Dritën e manifestimit hyjnor. Por Perëndia, pasi ua ndali dorën, e shfaqi këtë Dritë përmes autoritetit të Tij sovran dhe e mbrojti atë me pushtetin e Fuqisë së Tij, derisa toka dhe qielli u ndriçuan nga rrezëllimi e shkëlqimi i saj. Lëvduar qoftë Ai kurdoherë.
4 Lavdi më Ty, O Zot i botës dhe Dëshira e kombeve, O Ti Që u shfaqe në Emrin Më të Madh, për të cilin margaritarët e urtisë e të të folurit kanë dalë prej guaskave të detit të madh të dijes Sate dhe revelacioni hyjnor është stolisur me dritën e pamjes së Diellit të fytyrës Sate.
5 Të përgjërohem, për atë Fjalë, përmes së cilës Prova Jote u plotësua midis krijesave të Tua dhe dëshmia Jote u përmbush midis shërbëtorëve të Tu, të forcosh njerëzit e Tu në atë që do të bëjë që fytyra e Kauzës të ndriçojë në mbretërinë Tënde, që drurët e pushtetit Tënd të mbillen midis shërbëtorëve të Tu dhe flamujt e udhëheqjes Sate të ngrihen në të gjitha zotërimet e Tua.
6 O Zoti im! Ti i sheh ata të kapen pas litarit të dashamirësisë Sate dhe të mbahen fort pas cepit të rrobës së bamirësisë Sate. Urdhëro që ata të mund të qasen më pranë Teje dhe mbaji larg nga gjithçka tjetër veç Teje. Të lutem, O Ti Mbret i ekzistencës dhe Mbrojtës i së dukshmes e i së padukshmes, ta bësh cilindo që ngrihet për t'i shërbyer Kauzës Sate një det që dallgëzohet sipas dëshirës Sate, që ai të flakërojë me zjarrin e pemës Sate të Shenjtë, duke shkëlqyer nga horizonti i qiellit të vullnetit Tënd. Me të vërtetë, Ti je i Fuqishmi Që as fuqia e mbarë botës dhe as forca e kombeve nuk mund ta ligështojnë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Vetmit, të Pakrahasueshmit, Mbrojtësit, të Vetëqenëshmit.
7 O ti që ke pirë verën e të folurit Tim nga kupa e dijes Sime! Sot, nga shushurima e Pemës hyjnore të Lotusit, që Zoti i Emrave, me dorën e pushtetit qiellor, ka mbjellur në Parajsën Më të Lartësuar, u dëgjuan këto fjalë sublime:
8 Tarázi i parë
dhe shkëlqimi i parë që ka aguar nga horizonti i Librit Amë është se njeriu duhet të njohë vetveten dhe të shquajë atë që çon në lartësim ose ulje, në lavdi ose poshtërim, në pasuri ose varfëri. Pasi ka ardhur në fazën e përmbushjes dhe ka arritur pjekurinë, njeriu ka nevojë për mirëqenie, e cila, kur fitohet nëpërmjet zejeve ose profesioneve, është e miratueshme dhe e lavdërueshme në gjykimin e njerëzve të pajisur me urti, veçanërisht në sytë e shërbëtorëve që i përkushtohen edukimit të botës dhe ngritjes shpirtërore të popujve të saj. Ata, në të vërtetë, janë kupëmbajtësit e ujit jetëdhënës të dijes dhe udhërrëfyes të rrugës ideale. Ata u prijnë popujve të botës në shtegun e drejtë dhe i njohin këta me atë që i sjell njeriut ngritje e lartësim. Rruga e drejtë është ajo që e çon njeriun drejt agimit të shquarjes e vend-burimit të të kuptuarit të vërtetë dhe që e shpie atë tek ajo që do t'i sjellë lavdi, nderim e madhështi.
9 Uhqejmë shpresën se, falë dashamirësisë së Urtiplotit, të Gjithëdijshmit, do të shpërndahet pluhuri errësues dhe do të shtohet fuqia e shquarjes, se njerëzit do të zbulojnë qëllimin për të cilin janë thirrur në jetë. Në këtë Ditë, çdo gjë që shërben për të pakësuar verbërinë dhe për të rritur largpamësinë meriton të merret në konsideratë. Kjo largpamësi vepron si faktor e si udhëheqje drejt dijes së vërtetë. Me të vërtetë, në gjykimin e njerëzve të pajisur me urti mprehtësia e mendjes i detyrohet mprehtësisë së vizionit shpirtëror. Njerëzit e Bahá-it duhet që në të gjitha rrethanat t'i përmbahen asaj që është e përshtatshme e me vend dhe t'i nxitin të tjerët të veprojnë po kështu.
10 Tarázi i dytë
është të shoqërohemi me pasuesit e të gjitha feve në një frymë miqësie e vëllazërimi, të shpallim atë që parashtroi Ai Që foli në Sinai dhe të tregohemi të çiltër në gjithçka.
11 Ata që shquhen për sinqeritet e besnikëri duhet të shoqërohen me të gjithë popujt e fiset e botës me gëzim e hare, sepse shoqërimi me njerëzit ka çuar e do të vazhdojë të çojë përpara unitetin e harmoninë, të cilat nga ana e tyre ndihmojnë mbajtjen e rendit në botë dhe përtëritjen e kombeve. Bekuar qofshin ata që mbahen fort pas telit të mirësjelljes e të mëshirës së dhembshur dhe janë të lirë nga çdo armiqësi e urrejtje.
12 Ky i Munduar i këshillon të gjithë të tregojnë tolerancë e korrektesë, që janë dy drita në errësirën e botës dhe dy edukatorë për ngritjen e njerëzimit. Lum ata që i kanë zbatuar dhe mjerë të shkujdesurit.
13 Tarázi i tretë
ka të bëjë me karakterin e mirë. Një karakter i mirë është, me të vërtetë, rroba më e çmuar që Perëndia u ka dhënë njerëzve. Me të Ai stolis ballin e të dashurve të Tij. Për jetën Time! Drita e një karakteri të mirë ia kalon dritës së diellit dhe rrezëllimit të saj. Ai që e fiton atë çmohet si xhevahir ndër njerëzit. Lavdia dhe lartësimi i botës varen prej tij. Një karakter i mirë është një mjet, me anën e të cilit njerëzit udhëhiqen në Rrugën e Drejtë dhe çohen drejt Kumtit të Madh. Lum ai që është i stolisur me atributet e shenjta dhe me karakterin e Tubimit të Epërm.
14 Ju në të gjitha rrethanat duhet ta mbani shikimin të mbërthyer te drejtësia e korrektësia. Në Fjalët e Fshehura Pena Jonë Më Auguste ka reveluar këtë thënie:
15 'O Bir i Shpirtit! Më e shumëdashura e të gjitha gjërave në sytë e Mi është Drejtësia; mos u largo prej saj, nëse më do Mua, dhe mos e lër atë pasdore, që Unë të kem besim tek ti. Me ndihmën e saj ti do të shikosh me sytë e tu e jo me sytë e të tjerëve, dhe do të dish me dijen tënde e jo me dijen e fqinjit tënd. Peshoje këtë në zemrën tënde; kështu të ka hije të jesh. Me të vërtetë Drejtësia është dhurata Ime për ty dhe shenja e dashamirësisë Sime. Mbaje, pra, këtë para syve të tu'.
16 Ata që janë të drejtë e të paanshëm në gjykimin e tyre zenë një pozitë sublime dhe kanë një rang të lartësuar. Drita e devocionit dhe e ndershmërisë ndrit me shkëlqim nga këta shpirtra. Shpresojmë me gjithë zemër që popujt dhe vendet e botës të mos privohen nga ndriçimet e këtyre dy yjeve.
17 Tarázi i katërt
ka të bëjë me besueshmërinë. Me të vërtetë ajo është porta e sigurisë për të gjithë ata që banojnë mbi tokë dhe një shenjë lavdie nga ana e Mëshirëplotit. Ai që merr pjesë nga kjo, me të vërtetë ka marrë pjesë nga thesaret e pasurisë e të mirëqenies. Besueshmëria është porta më e madhe që çon në qetësinë dhe sigurinë e njerëzve. Me të vërtetë qëndrueshmëria e çdo pune ka qenë e varur e varet prej saj. Të gjitha sferat e pushtetit, të madhështisë e të pasurisë ndriçohen nga drita e saj.
18 Jo shumë kohë më parë nga Pena e Më të Lartit u reveluan këto fjalë sublime:
19 'Do të përmendim tani Besueshmërinë dhe rangun e saj në sytë e Perëndisë, Zotit tënd, Zotit të Fronit të Fuqishëm. Një ditë prej ditësh vajtëm në Ishullin Tonë të Blertë. Me të arritur, pamë rrëketë e tij që rridhnin, dhe drurët e tij të harlisur, dhe dritën e diellit që luante midis tyre. Duke e kthyer fytyrën nga e djathta, pamë atë që pena është e pafuqishme ta përshkruajë; dhe as është e mundur të përshkruhet ajo që sytë e Zotit të Njerëzimit panë në atë vend aq të shenjtëruar, aq sublim, të bekuar e aq të lartësuar. Pastaj, duke u kthyer nga e majta, hodhëm vështrimin mbi një prej Bukurive të Parajsës Më Sublime, që qëndronte mbi një kolonë drite dhe thoshte me zë të lartë: "O banorë të tokës e të qiellit! Soditni bukurinë Time, dhe ndriçimin Tim, dhe revelacionin Tim, dhe shkëlqimin Tim. Për Perëndinë e Vërtetë, Që është Një i Vetëm! Unë jam Besueshmëria dhe revelacioni i Saj, dhe bukuria e Saj. Do të shpërblej cilindo që kapet pas Meje, dhe njeh rangun e pozitën Time, dhe mbahet fort pas cepit të rrobës Sime. Unë jam stolia më e madhe e njerëzve të Bahá-it, dhe veshja e lavdisë për të gjithë ata që gjenden në mbretërinë e krijimit. Unë jam mjeti suprem për lulëzimin e botës dhe horizonti i sigurisë për të gjitha qeniet". Kështu kemi dërguar për ty atë që do t'i qasë njerëzit pranë Zotit të krijimit'.
20 O njerëz të Bahá-it! Besueshmëria është me të vërtetë më e mira stoli për ballin tuaj dhe më e lavdishmja kurorë për kokat tuaja. Mbahuni fort pas saj me urdhër të Atij Që është Urdhëruesi, Ai që di gjithçka.
21 Tarázi i pestë
ka të bëjë me mbrojtjen dhe ruajtjen e pozitës së shërbëtorëve të Perëndisë. Nuk duhet injoruar e vërteta e fakteve, përkundrazi duhet nxjerrë ajo që është e drejtë dhe e vërtetë. Njerëzit e Bahá-it nuk duhet t'i mohojnë asnjë shpirti shpërblimin që i takon, duhet t'i trajtojnë zejtarët me respekt dhe pa e ndyer gojën me sharje, siç bënin njerëzit dikur.
22 Në këtë Ditë, dielli i zejtarisë ndriçon mbi horizontin e Perëndimit dhe lumi i arteve rrjedh nga deti i asaj ane. Duhet të flitet me ndershmëri dhe të vlerësohet kjo dhuratë. Për jetën e Perëndisë! Fjala 'Drejtësi' shkëlqen e qartë dhe e ndritshme si dielli. I lutemi Perëndisë të përhapë me mirësi mbi të gjithë shkëlqimin e saj. Ai është me të vërtetë i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat, Ai Që ka dëshirë t'u përgjigjet lutjeve të të gjithë njerëzve.
23 Në këto ditë vërtetësia dhe sinqeriteti janë prekur dhimbshëm nga kthetrat e pavërtetësisë dhe drejtësia po vuan nën fshikullimin e padrejtësisë. Tymi i shthurjes ka përfshirë gjithë botën, saqë në çdo drejtim nuk shihet gjë tjetër veç regjimenteve të ushtarëve dhe nga çdo vend nuk dëgjojet asgjë veç përplasjes së shpatave. I lutemi Perëndisë së Vërtetë, Që është Një i Vetëm, të forcojë ata që ushtrojnë pushtetin e Tij me atë që do të rehabilitojë botën dhe do t'u sjellë qetësinë kombeve.
24 Tarázi i gjashtë
Dija është një ndër dhuratat e mahnitshme të Perëndisë. Ështe detyrë e të gjithëve ta fitojnë atë. Artet dhe mjetet materiale që shohim sot janë fituar falë dijes e urtisë së Tij, të reveluara në Letra e Tabela nga Pena e Tij Më e Lartësuar - Penë nga thesaret e së cilës kanë dalë në dritë margaritarë urtie e të foluri, si dhe artet e zejet e botës.
25 Në këtë Ditë sekretet e botës janë shpalosur e janë të zbuluara para syve të njerëzve. Faqet e gazetave që dalin me shpejtësi, janë me të vërtetë pasqyra e botës. Ato pasqyrojnë bëmat dhe punët e popujve e të fiseve të ndryshme. Ato pasqyrojnë dhe, në të njëjtën kohë, i bëjnë këto të njohura. Ato janë si një pasqyrë që ka vetinë e të dëgjuarit, të të parit e të fjalës. Kjo është një dukuri e mahnitshme dhe e fuqishme. Por ata që shkruajnë në to është e nevojshme të spastrohen nga tundimet e pasioneve e të dëshirave të liga dhe të vishen me petkun e drejtësisë e të paanësisë. Ata duhet të hetojnë situatat në mënyrë sa më të plotë dhe të vërtetojnë faktet e pastaj t'i shkruajnë.
26 Lidhur me këtë të Munduar, shumë nga gjërat e raportuara në gazeta janë të rreme. Fjala e ndershme dhe vërtetësia, për arsye të rangut e të pozitës së tyre të lartë, konsiderohen si një diell që ndriçon nga horizonti i dijes. Valët që ngrihen nga ky Oqean janë të dukshme para syve të popujve të botës dhe rrjedhja e Penës së urtisë e të thënies shihet kudo.
27 Në shtyp është raportuar se ky Shërbëtor ka marrë arratinë nga toka e Tá-së (Teheranit) dhe ka shkuar në Irak. Zot i hirshëm! Ky i Munduar kurrë nuk është fshehur, qoftë edhe për një çast të vetëm. Përkundrazi, ka qëndruar gjithnjë në vend e para syve të të gjithëve. Ne kurrë nuk jemi zmbrapsur, dhe kurrë nuk do të përpiqemi të largohemi. Në të vërtetë janë të marrët ata që ikin nga prania Jonë. Ne u larguam nga vendi Ynë të shoqëruar prej dy shpurash me kuaj, që përfaqësonin dy qeveritë e nderuara të Persisë e të Rusisë, derisa arritëm në Irak me tërë pushtetin e lavdinë. Lavdi Zotit! Kauza, Bartësi i së cilës është ky i Munduar, ngrihet lart deri në qiell dhe ndriçon plot shkëlqim si dielli. Fshehja nuk ka rrugë kalimi në këtë pozitë, dhe as ka rast për frikë ose heshtje.
28 Misteret e Ringjalljes dhe ngjarjet e Orës së Fundit janë të qarta e të dukshme, por njerëzit janë të zhytur në shkujdesje dhe kanë lejuar të rrethohen me perde. "Dhe kur detet të ziejnë ... Dhe kur Shkrimet të shpalosen"[6]. Për drejtësinë e Perëndisë! Agimi me të vërtetë është ndriçuar dhe drita ka shkëlqyer e nata është davaritur. Lum ata që kuptojnë. Lum ata që kanë arritur aty.
29 Lëvduar qoftë Perëndia! Pena është në mëdyshje se çfarë të shkruajë dhe Gjuha pyet veten çfarë të thotë. Me gjithë fatkeqesitë e padëgjuara dhe pasi ka duruar vite të tëra burgimi, robërie e sprovash sfilitëse, Ne shohim tani se perde edhe më të dendura se ato që kemi shqyer janë futur në mes, duke penguar shikimin dhe duke errësuar dritën e të kuptuarit. Për më tepër, Ne vemë re se shpifjet e reja që po përhapen tani janë shumë më të liga se ato të ditëve të shkuara.
30 O njerëz të Bayán-it! Druajuni Zotit të mëshirshëm. Mendoni njerëzit e kohëve të mëparshme. Cilat qenë bëmat e tyre dhe ç'fryte korrën? Çdo gjë që ata thanë s'ishte veçse mashtrim dhe çdo gjë që bënë doli e kotë, me përjashtim të atyre që Perëndia i mbrojti me dashamirësi përmes pushtetit të Tij.
31 Betohem për jetën e Atij Që është Dëshira e botës! Sikur ndonjëri ta peshonte në zemrën e tij, i lirë nga çdo gjë që e lidh me botën, do të nxitonte drejt Dritës Supreme dhe do ta spastronte e dëlirëte veten nga pluhuri i imagjinatave të kota dhe tymi i fantazisë boshe. Çfarë i ka nxitur njerëzit e së kaluarës të gabojnë dhe cili i mashtroi ata? Ata ende e kundërshtojnë të vërtetën dhe i kanë kthyer fytyrat drejt dëshirave të veta egoiste. Ky i Munduar thërret me zë të lartë për hir të Perëndisë. Kushdo që dëshiron le të kthehet drejt Tij; kushdo që dëshiron le të largohet prej Tij. Në të vërtetë, Perëndia mund të bëjë pa të gjitha gjërat, qoftë të së shkuarës ose të së ardhmes.
32 O njerëz të Bayán-it! Njerëz me turban e me shkop[7], si Hádí Dawlat-Ábádí[8], kanë qenë burimi i kundërvënies e i pengesës dhe i kanë ngarkuar aq rëndë njerëzit me bestytni, sa edhe sot e kësaj dite ata ende presin shfaqjen e një personi imagjinar nga një vend imagjinar. Jeni të paralajmëruar, o njerëz me mend.
33 O Hádí! Vëri veshin zërit të këtij Këshilltari të besueshëm: drejtoi hapat nga e majta në të djathtë, dmth largoju fantazisë boshe dhe kthehu nga siguria. Mos i ço njerëzit në gabim. Ylli hyjnor ndriçon, Kauza e Tij është e dukshme dhe shenjat e Tij përfshijnë gjithçka. Ktheje fytyrën ndaj Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Hiq dorë nga udhëheqja jote për hir të Perëndisë dhe lëri njerëzit të qetë. Ti nuk e di të vërtetën thelbësore, nuk e njeh atë.
34 O Hádí! Ki vetëm një fytyrë në shtegun e Perëndisë. Kur ndodhesh në shoqëri të të pafeve, ti je i pafe dhe kur ndodhesh me fetarë ti je fetar. Sill ndërmend ata shpirtra që dhuruan jetën dhe pasurinë e tyre në atë tokë, që ndoshta ti të paralajmërohesh e të zgjohesh nga gjumi. Mendo: cili duhet preferuar, ai që ruan trupin e tij, jetën dhe zotërimet e tij, apo ai që braktis gjithçka në shtegun e Perëndisë? Gjyko ndershmërisht dhe mos ji i padrejtë. Kapu fort pas drejtësisë dhe përmbaju paanësisë, që ndoshta të mos e përdorësh fenë, për motive egoiste, si një kurth dhe as të mos injorosh të vërtetën për hir të arit. Me të vërtetë ligësia jote dhe ligësia e njerëzve si ti është bërë kaq e padurueshme saqë Pena e Lavdisë u shty të bëjë këto vërejtje. Druaju Perëndisë. Ai Që kumtoi këtë Revelacion ka deklaruar: 'Ai do të shpallë në çdo rrethanë: "Me të vërtetë, me të vërtetë, unë jam Perëndia, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Ndihmës në rrezik, të Vetëqenëshmit"'.
35 O njerëz të Bayán-it! Juve ju është ndaluar të viheni në kontakt me të dashurit e Perëndisë. Përse e për ç'qëllim është imponuar ky ndalim? Jini të drejtë, ju truhem për Perëndinë, dhe mos jini ndër të shkujdesurit. Për ata që kanë intuitë, dhe para Bukurisë Më të Madhe, qëllimi i këtij ndalimi është i njohur e i dukshëm: që askush të mos vihet në dijeni të sekreteve e të bëmave të tij (të Hádí-ut).
36 O Hádí! Ti nuk ke qenë në shoqërinë tonë, prandaj nuk e di Kauzën. Mos vepro sipas fantazive të tua të kota. Veç kësaj, shqyrtoi Shkrimet me vetë sytë e tu dhe peshoje atë që ka ndodhur. Ki mëshirë për veten tënde dhe për shërbëtorët e Perëndisë dhe mos u bëj shkak kokëfortësie si njerëzit e së shkuarës. Rruga është e pagabueshme dhe prova është e dukshme. Shndërroje padrejtësinë në drejtësi dhe anësinë në paanësi. Ne ushqejmë shpresën se flladet e frymëzimit hyjnor do të të forcojnë dhe se veshi yt i brendshëm do të mundë të dëgjojë fjalët e bekuara: 'Thuaj, është Perëndia, pastaj lëri ata të merren me yçklat e tyre'.[9] Ti ke qenë atje (në Qipro) dhe e ke parë atë (Mírzá Yahyá-në). Tani fol sinqerisht. Mos i shtrembëro gjërat, as për veten tënde as për të tjerët. Ti je edhe i paditur edhe i painformuar. Vëri veshin Zërit të këtij të Munduari dhe nxito drejt oqeanit të dijes hyjnore, që ndoshta të stolisesh me stolinë e të kuptuarit e të heqësh dorë prej gjithçkaje veç Perëndisë. Vëri veshin Zërit të këtij Këshilltari mirëdashës, që kumbon haptazi e pa u fshehur në sy të sovranëve e të nënshtetasve të tyre dhe u bën thirrje popujve të botës, pa përjashtim, të mblidhen para Atij Që është Zoti i Përjetësisë. Kjo është Fjala, nga horizonti i së cilës ndriçon i shkëlqyeshëm ylli i ditës i mirësisë së pashtershme.
37 O Hádí! Ky i Munduar, i lirë nga çdo gjë që e lidh me botën, është përpjekur me të gjitha forcat të shuajë zjarrën e armiqësisë e të urrejtjes që digjet me furi në zemrat e popujve të tokës. Është detyrë e çdo njeriu të drejtë e të paanshëm të falënderojë Perëndinë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - dhe të ngrihet për të çuar përpara këtë Kauzë të shquar, që flaka të bëhet dritë dhe urrejtja t'ia lëshojë vendin miqësisë e dashurisë. Betohem për drejtësinë e Perëndisë! Ky është i vetmi qëllim i këtij të Munduari. Me të vërtetë, duke shpallur këtë Kauzë të fuqishme dhe duke treguar të vërtetën e saj, Ne jemi përballur me vuajtje, vështirësi e fatkeqësi të shumta. Ti vetë, po të flisje me drejtësi, do të dëshmoje për ato që Ne kemi përmendur. Me të vërtetë Perëndia flet të vërtetën dhe tregon rrugën. Ai është i Pushtetshmi, i Fuqishmi, i Hirshmi.
38 Qëndroftë Lavdia Jonë mbi njerëzit e Bahá-it, të cilët as tirania e shtypësit dhe as epërsia e agresorit nuk ka mundur t'i shkëpusë nga Perëndia, Zoti i botëve.
5
TAJALLÍYÁT
(Rrezëllime)
1 Kjo është Letra e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik
të Vetëqenëshmit.
2 Ai është Që dëgjon nga Mbretëria e Tij e Lavdisë.
3 PERËNDIA dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij dhe se Ai Që u shfaq është Misteri i Fshehur, Simboli i Çmuar, Libri Më i Madh për të gjithë popujt dhe Qielli i bujarisë për mbarë botën. Ai është shenja më e fuqishme midis njerëzve dhe Agimi i atributeve më auguste në mbretërinë e krijimit. Përmes Tij është shfaqur ajo që prej kohësh që s'mbahen mend qëndronte e fshehur dhe ishte e mbuluar nga sytë e njerëzve. Është Ai, Manifestimi i të Cilit është kumtuar në Shkrimet qiellore, në kohët e shkuara dhe në kohë të mëvonshme. Kush pranon besimin tek Ai dhe në shenjat e dëshmitë e Tij, në të vërtetë ka njohur atë që Gjuha e Madhështisë foli para se të krijohej toka e qielli dhe të revelohej Mbretëria e Emrave. Përmes Tij oqeani i dijes është dallgëzuar midis njerëzimit dhe lumi i urtisë hyjnore ka vërshuar me urdhër të Perëndisë, Zotit të Ditëve.
4 Lum njeriu mendjemprehtë që ka njohur e shquar të Vërtetën, dhe ai që ka vesh që dëgjon e ka dëgjuar Zërin e Tij të ëmbël, dhe dora që ka marrë Librin e Tij me vendosmërinë që vjen nga Perëndia, Zoti i kësaj bote e i botës tjetër, dhe shtegtari që ka nxituar drejt Horizontit të Tij të lavdishëm, dhe i forti të cilin as fuqia dërrmuese e sundimtarëve dhe as trazira e shpërthyer nga krerët fetarë nuk e kanë lëkundur dot. Dhe mjerë ai që ka hedhur poshtë dashamirësinë e Perëndisë dhe bujarinë e Tij, dhe ka mohuar mëshirën e dhembshur e autoritetin e Tij; një njeri i tillë, me të vërtetë, numërohet midis atyre që në përjetësi kanë kundërshtuar dëshminë e Perëndisë dhe provën e Tij.
5 I madh është bekimi i atij që në këtë Ditë i ka flakur gjërat e përhapura midis njerëzve dhe është kapur pas asaj që ka urdhëruar Perëndia, Zoti i Emrave dhe Artuesi i të gjitha gjërave të krijuara, Ai Që ka ardhur nga qielli i përjetësisë përmes fuqisë së Emrit Më të Madh, i veshur me një autoritet aq të pamposhtur saqë të gjitha fuqitë e tokës nuk janë në gjendje t'i bëjnë ballë. Për këtë dëshmon Libri Amë, që bën thirrje nga Pozita Më Sublime.
6 O 'Alí-Akbar![10] Kemi dëgjuar shumë herë zërin tënd dhe të jemi përgjigjur me atë që lavdërimet e gjithë njerëzimit kurrë nuk mund të krahasohen; e nga kjo ata që janë të sinqertë thithin aromat e këndshme të thënieve të Mëshirëplotit, dhe ata që me të vërtetë e duan Atë shquajnë kundërmimin e takimit qiellor, dhe të eturit zbulojnë shushurimën e ujërave që janë jetë e vërtetë. Lum njeriu që e ka arritur këtë dhe ka njohur atë që në këtë çast përhapet nga Pena e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit.
7 Ne dëshmojmë se ti e ke kthyer fytyrën ndaj Perëndisë dhe ke shtegtuar gjatë derisa arrite në prani të Tij dhe i vure veshin Zërit të këtij të Munduari, Që e përplasën në burg për shkak të prapësive të atyre që nuk kanë besuar në shenjat e në dëshmitë e Perëndisë dhe kanë mohuar këtë hir qiellor, falë të cilit bota mbarë ka marrë dritë. Bekuar qoftë fytyra jote, sepse është drejtuar ndaj Tij, dhe veshi yt, sepse ka dëgjuar Zërin e Tij, dhe gjuha jote, sepse i ka thurur lavde Perëndisë, Zotit të zotave. I lutemi Perëndisë të ketë mirësinë të të ndihmojë të bëhesh flamur i mbështetjes së Kauzës së Tij dhe të të japë mundësinë të qasesh pranë Tij në çdo kohë e në të gjitha kushtet.
8 I kujtojmë të zgjedhurit e Perëndisë e të dashurit e Tij në atë tokë dhe u kumtojmë atyre lajmet e gëzuara për atë që është dërguar në nderim të tyre nga Mbretëria e fjalës së Zotit të tyre, Sundimtarit sovran të Ditës së Hesapeve. Më përmend Mua tek ata dhe ndriçoji me lavdinë e shndritshme të fjalës Sime. Me të vërtetë Zoti yt është i Hirshmi, Bujari.
9 O ti që më ngren lavde Mua! Vëri veshin asaj që tiranët më atribuojnë Mua në Ditët e Mia. Disa prej tyre thonë: 'Ai ka dalë me pretendime për hyjni'; disa të tjerë thonë: 'Ai ka sajuar gënjeshtra kundër Perëndisë'; të tjerë akoma thonë: 'Ai ka ardhur për të nxitur rebelim'. Ata janë meskinë e të ulët. Ja! Ata në të vërtetë janë pre e imagjinatave boshe.
10 Tani nuk do të përdorim më tej gjuhën e elokuencës.[11] Me të vërtetë, Zoti yt është i Fuqishmi, i Lirshmi. Parapëlqejmë të flasim në gjuhën persishte, që ndoshta njerëzit e Persisë, të gjithë pa përjashtim, të vihen në dijeni të fjalëve të Zotit të mëshirshëm dhe të arrijnë të zbulojnë të Vërtetën.
11 I pari Tajallí
që ka aguar nga Ylli i Ditës i së Vërtetës është njohja e Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij. Dhe njohja e Mbretit të ditëve të amshuara nuk mund të arrihet kurrsesi pa njohur Atë Që është Bartësi i Emrit Më të Madh. Ai është, në të vërtetë, Që foli në Sinai dhe Që sot është ulur në fronin e Revelacionit. Ai është Misteri i Fshehur dhe Simboli i Çmuar. Të gjithë Librat e Perëndisë, të mëparshëm e të mëvonshëm, janë të stolisur me lavdërimin e Tij dhe lartësojnë lavdinë e Tij. Përmes Tij druri i njohurisë është mbjellur në botë dhe flamuri i njëshmërisë së Perëndisë është shpalosur midis të gjithë popujve. Vetëm duke arritur në prani të Tij mund të arrihet në prani të Perëndisë. Falë fuqisë së Tij çdo gjë që prej kohësh që s'mbahen mend ka qenë e mbuluar dhe e fshehur, tani është reveluar. Ai është shfaqur falë fuqisë së të Vërtetës dhe ka folur një Fjalë që ka shtangur të gjithë ata që janë në qiejt e mbi tokë, përveç atyre që Fuqiploti ka dashur t'i përjashtojë. Besimi i vërtetë te Perëndia dhe njohja e Tij nuk mund të jenë të plota, veçse po të pranohet ajo që Ai ka reveluar dhe të zbatohet gjithçka që Ai ka urdhëruar dhe që Pena e Lavdisë ka shkruar në Librin e Tij.
12 Ata që zhyten në oqeanin e fjalëve të Tij duhet të kenë kurdoherë konsideratën më të madhe për urdhrat dhe ndalimet e reveluara në mënyrë hyjnore. Me të vërtetë, urdhrat e Tij janë kështjella më e fuqishme për mbrojtjen e botës dhe sigurimin e popujve të saj - dritë për ata që njohin e pranojnë të vërtetën dhe zjarr për ata që largohen dhe e mohojnë.
13 I dyti Tajallí
është të qëndrosh i patundur në Kauzën e Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij - dhe të jesh i qëndrueshëm në dashurinë për Të. Dhe kjo nuk mund të arrihet ndryshe, veçse duke e njohur plotësisht Atë; dhe njohja e plotë nuk mund të arrihet ndryshe, veçse përmes besimit në fjalët e bekuara: "Ai bën çdo gjë që dëshiron". Kushdo që kapet fort pas kësaj thënieje sublime dhe pi plot kupën nga ujërat jetëdhënëse të fjalëve që ato bartin, do të mbushet me një qëndrueshmëri të tillë saqë të gjithë librat e botës do të jenë të pafuqishme ta shkëputin atë nga Libri Amë. Oh sa e lavdishme është kjo pozitë sublime, ky rang i lartësuar, ky qëllim i fundit!
14 O 'Alí-Akbar! Mendo sesa mjerane është gjendja e të pafeve. Të gjithë ata thonë fjalët: "Me të vërtetë Ai duhet lavdëruar në bëmat e Tij dhe Atij i duhet bindur në urdhrat e Tij". Por në qoftë se Ne revelojmë gjëra që, qoftë edhe një majë gjilpëre, vinë në kundërshtim me zakonet e dëshirat e tyre egoiste, ata i hedhin poshtë me përçmim. Thuaj, askush nuk do të kuptojë kurrë deri në fund implikimet e pafund të urtisë së përkryer të Perëndisë. Në të vërtetë, sikur Ai të thoshte se toka është qielli, askush nuk do ta kishte të drejtën të vinte në pikëpyetje autoritetin e Tij. Është kjo që Pika e Bayán-it ka dëshmuar në të gjitha ato që iu dërguan Atij me të vërtetë me urdhër të Perëndisë, të Atij Që ka bërë të çelë Agimi.
15 I treti Tajallí
ka të bëjë me artet, zejet dhe shkencat. Dijet janë si flatrat për jetën e njeriut dhe si një shkallë për ngjitjen e tij. Të fituarit e tyre është detyrë e të gjithëve. Por duhen mësuar ato shkenca nga të cilat mund të kenë përfitim popujt e botës, e jo të tilla që fillojnë e mbarojnë vetëm me fjalë. E madhe është me të vërtetë merita e shkencëtarëve dhe e zejtarëve midis popujve të botës. Për këtë dëshmon Libri Amë në ditën e kthimit të Tij. Lum ai që ka vesh të vëmendshëm. Me të vërtetë, dija është një thesar i njëmendtë për njeriun dhe burim lavdie, bujarie, gëzimi, lartësimi, kënaqësie e ngazëllimi për të. Kështu ka folur Gjuha e Madhështisë në Burgun Më të Madh.
16 I katërti Tajallí
ka të bëjë me hyjninë, Perëndinë e të tjera. Në qoftë se një njeri me intuitë do ta drejtonte shikimin ndaj Pemës së bekuar, të dukshme të Lotusit dhe fryteve të saj, ai do të pasurohej aq shumë sa do të bëhej i pavarur prej gjithçkaje tjetër dhe do të shpallte besimin e tij në atë që shprehu nga froni i Revelacionit Ai Që foli në Sinai.
17 O 'Alí-Akbar! Njihi njerëzit me vargjet e shenjta të Zotit dhe bëju të ditur atyre rrugën e Tij të drejtë, Kumtin e Tij të fuqishëm.
18 Thuaj: O njerëz, në qoftë se gjykoni me ndershmëri e drejtësi, do të dëshmoni të vërtetën e gjithçkaje që ka rrjedhur nga Pena Më e Lartësuar. Në qoftë se jeni njerëz të Bayán-it, Bayán-i Persian do t'ju udhëheqë në rrugën e drejtë dhe do të jetë një dëshmi e mjaftueshme për ju; dhe në qoftë se jeni njerëz të Kuranit, përsiatni rreth Revelacionit në Sinai dhe rreth Zërit që nga Driza e Përflakur erdhi tek i biri i 'Imrán-it (Moisiu).
19 Perëndi i hirshëm! Mendohej se në kohën e manifestimit të të Vetmit Perëndi të vërtetë aftësia për Ta njohur Atë do të zhvillohej e piqej dhe do të arrinte kulmin. Por tani është provuar qartë se tek të pafetë kjo aftësi ka mbetur e pazhvilluar dhe, në të vërtetë, është zvetënuar.
20 O 'Alí! Atë që e kishin pranuar nga Driza, ata tani nuk duan ta pranojnë nga Ai Që është Pema e botës së ekzistencës. Thuaj, o njerëz të Bayán-it, mos folni sipas diktatit të pasioneve e të dëshirave egoiste. Shumica e popujve të botës dëshmojnë të vërtetën e Fjalës së bekuar që ka ardhur nga Driza.
21 Për drejtësinë e Perëndisë! Po të mos kishte qenë himni i lavdërimit, i kënduar prej Atij Që paralajmëroi Revelacionin hyjnor, ky i Munduar nuk do të kishte mërmëritur asnjë fjalë që të ngjallte tmerr në zemrat e injorantëve e të shkaktonte vdekjen e tyre. Në fillimet e Bayán-it, duke u ndalur për t'i thurur lavdi Atij Që Perëndia do ta shfaqë - lartësuar qoftë Manifestimi i Tij - Báb-i ka thënë: 'Është Ai Që në çdo rrethanë do të shpallë: "Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë Jam Perëndia, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Zotit të të gjitha gjërave të krijuara. Në të vërtetë, të gjithë të tjerët veç Meje janë krijesat e Mia. O krijesat e Mia! Më adhuroni vetëm Mua"'. Po kështu, në një vend tjetër, duke madhëruar Emrin e Atij Që do të shfaqet, Ai ka thënë: 'Unë do të jem i pari që do ta adhuroj'. Këtu është e nevojshme të reflektohet për domethënien e 'Adhuruesit' dhe të 'të Adhuruarit', që ndoshta njerëzit e tokës të shijojnë një pikël vese nga oqeani i dijes hyjnore dhe të jenë në gjendje të shquajnë madhështinë e këtij Revelacioni. Me të vërtetë, Ai është shfaqur dhe e ka zgjidhur gjuhën për të shpallur të Vërtetën. Lum ai që njeh e pranon të vërtetën, dhe mjerë kokëfortët e të pabindurit.
22 O fise të tokës! Verini veshin Zërit që vjen nga Pema hyjnore e Lotusit, që e shtrin hijen e saj në mbarë botën, dhe mos jini ndër njerëzit e tiranisë mbi tokë - njerëz që kanë refuzuar Manifestimin e Perëndisë dhe autoritetin e Tij të pamposhtur dhe që nuk kanë pranuar favoret e Tij, - ata në të vërtetë numërohen midis të poshtërve në Librin e Perëndisë, Zotit të gjithë njerëzimit.
23 Lavdia që ka aguar mbi horizontin e mëshirës Sime të dhembshur qoftë mbi ty dhe mbi këdo që është me ty dhe u vë veshin fjalëve të tua për Kauzën e Perëndisë, Fuqiplotit, të Gjithëlavdëruarit.
6
KALIMÁT-I-FIRDAWSÍYYIH
(Fjalët e Parajsës)
1 Është Ai Që flet me anë të fuqisë së të Vërtetës
në Mbretërinë e të Folurit.
2 O
JU mishërime të drejtësisë e të paanësisë dhe manifestime të ndershmërisë e të shpërblimeve hyjnore! Me lot e ngashërim, ky i Munduar thërret e thotë: O Perëndi, Perëndia im! Stolisi kokët e të dashurve të Tu me kurorën e shkëputjes dhe zbukuroje ballin e tyre me ornamentin e drejtësisë.
3 Njerëzit e Bahá-it e kanë për detyrë ta nxjerrin Zotin fitimtar përmes fuqisë së fjalës së tyre dhe t'i këshillojnë njerëzit me anë të veprave të mira e të karakterit të tyre, sepse veprat ushtrojnë një ndikim më të madh sesa fjalët.
4 O Haydar-'Alí![12] Mbi ty qoftë lavdërimi i Perëndisë dhe lavdia e Tij. Thuaj: Ndershmëria, virtyti, urtia dhe karakteri plot mirësi ndihmojnë për lartësimin e njeriut, ndërsa pandershmëria, mashtrimi, injoranca e hipokrizia çojnë në poshtërimin e tij. Për jetën Time! Shquarsia e njeriut nuk qëndron në stolitë e pasurinë, por në sjelljen e virtytshme e në të kuptuarit e vërtetë. Shumica e njerëzve në Persi janë zhytur në mashtrim e në fantazi boshe. Ç'dallim i madh midis gjendjes së tyre dhe pozitës së atyre shpirtrave trima, që kapërcyen detin e emrave dhe i ngritën çadrat e veta në brigjet e oqeanit të shkëputjes. Në të vërtetë, vetëm pak nga brezi i sotëm e kanë fituar tashmë meritën për të dëgjuar gugatjet e pëllumbave të Parajsës më të lartë. 'Pak prej shërbëtorëve të Mi janë me të vërtetë mirënjohës'.[13] Njerëzit në pjesën më të madhe gjejnë kënaqësi në bestytnitë. Ata e shohin një pikë të vetme të detit të iluzioneve më të parapëlqyer sesa një oqean sigurie. Duke u mbajtur fort pas emrave, ata e privojnë veten nga realiteti i brendshëm dhe duke u varur pas imagjinatave të kota qëndrojnë larg Agimit të shenjave qiellore. Dhëntë Perëndia që ti të ndihmohesh me dashamirësi kurdoherë për të thyer idhujt e bestytnisë dhe për të shqyer perdet e imagjinatave të njerëzve. Autoriteti është në duart e Perëndisë, Burimit të revelacionit e të frymëzimit dhe Zotit të Ditës së Ringjalljes.
5 Kemi dëgjuar se ç'ka thënë personi në fjalë për disa mësues të Besimit. Në të vërtetë ka folur mirë. Disa shpirtra të shkujdesur enden vendeve në emër të Perëndisë, duke u përpjekur me të gjitha forcat të shkatërrojnë Kauzën e Tij, dhe këtë e quajnë të mbështetësh e të përhapësh Fjalën e Perëndisë; dhe e bëjnë këtë megjithëse atributet e mësuesve të Besimit shndrisin me shkëlqim, si yje, në qiejt e Tabelave të shenjta. Çdo njeri i drejtë dëshmon dhe çdo njeri me intuitë e di mirë se i Vetmi Perëndi i Vërtetë - u lartësoftë lavdia e Tij - pareshtur ka shtjelluar e shpjeguar atë që do të ngrejë pozitën dhe do të lartësoje rangun e bijve të njeriut.
6 Njerëzit e Bahá-it digjen flakë si qiriu në mbledhjet dhe mbahen fort pas asaj që përbën qëllimin e Perëndisë. Kjo pozitë qëndron supreme mbi të gjitha pozitat. Lum ai që ka flakur gjërat që njerëzit e botës zotërojnë dhe që dëshiron me gjithë shpirt atë që i përket Perëndisë, Zotit Sovran të Përjetësisë.
7 Thuaj: O Perëndi, Perëndia im! Ti më sheh që vi qark vullnetit Tënd me sytë të ngulur në horizontin e Bujarisë Sate, duke pritur me padurim revelimin e ndriçimeve plot shkëlqim të diellit të favoreve të Tua. Të lutem Ty, O i Dashuri i çdo zemre që kupton dhe Dëshira e atyre që janë qasur pranë Teje, të lejosh që të dashurit e Tu të shkëputen tërësisht nga prirjet e veta dhe t'i përmbahen asaj që të pëlqen Ty. Stolisi ata, O Zot, me rrobën e drejtësisë dhe ndriçoji me shkëlqimet e dritës së shkëputjes. Thirr pastaj në ndihmë të tyre ushtritë e urtisë e të të folurit, që ata të lartësojnë Fjalën Tënde midis krijesave të Tua dhe të shpallin Kauzën Tënde midis shërbëtorëve të Tu. Me të vërtetë, Ti ke fuqinë të bësh atë që dëshiron dhe në dorën Tënde janë frerët e të gjitha punëve. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Fuqishmit, Zemërgjerit.
8 O ti që e ke kthyer shikimin ndaj fytyrës Sime! Këto ditë kanë ndodhur gjëra që Më kanë zhytur në dëshpërim të thellë. Disa keqbërës që predikojnë devocionin ndaj Kauzës së Perëndisë kanë kryer bëma të tilla që kanë bërë të dridhen gjymtyrët e sinqeritetit, të ndershmërisë, të drejtësisë e të paanësisë. Një individ i njohur, që është trajtuar me përzemërsinë e favorin më të madh, ka kryer veprime të tilla që i kanë bërë sytë e Perëndisë të derdhin lot. Në të kaluarën Ne kemi shqiptuar fjalë paralajmërimi e qortimi, pastaj për disa vjet me radhë e mbajtëm të fshehur këtë gjë, që ai ndoshta të bënte kujdes e të pendohej. Por gjithçka qe e kotë. Në fund ai i përdori energjitë e veta për të poshtëruar Kauzën e Perëndisë në sytë e të gjithëve. Ai grisi perden e drejtësisë, pa i ardhur keq as për vetveten e as për Kauzën e Perëndisë. Por tani veprat e disa individëve kanë shkaktuar hidhërime shumë më të mëdha sesa ato të shkaktuara nga bëmat e të lartpërmendurit. Lutju Perëndisë, Atij të Vërtetit, që me dashamirësi t'i bëjë të shkujdesurit të tërhiqen e të pendohen. Me të vërtetë, Ai është Falësi, Bujari, Më Fisniku.
9 Në këto ditë është detyrë e të gjithëve t'i përmbahen fort unitetit e harmonisë dhe të punojnë me zell për të çuar përpara Kauzën e Perëndisë, që ndoshta shpirtrat që janë futur në rrugë të shtrembër të arrijnë atë që do t'i çojë në mbrothësi të qëndrueshme.
10 Shkurt, mosmarrëveshjet midis shteteve të ndryshme i kanë hapur rrugën dobësisë. Çdo sekt ka zgjedhur një rrugë të vetën dhe është kapur pas një teli të caktuar. Me gjithë verbërinë dhe injorancën që duken sheshit, ata mburren me mprehtësinë e dijen e tyre. Midis tyre ka mistikë që betohen për besnikëri ndaj fesë së Islamit, disa prej të cilëve jepen pas gjërash që çojnë në plogështi e izolim. Betohem për Perëndi! Kjo e ul pozitën e njeriut dhe bën që ai të fryhet nga kryelartësia. Njeriu duhet të japë fryte. Ai që nuk jep fryte është, sipas fjalëve të Shpirtit[14], si një pemë pa fryte, dhe një pemë pa fryte vlen vetëm për zjarr.
11 Ajo që të lartpërmendurit kanë thënë lidhur me pozitat e Unitetit Hyjnor çon në një shkallë të konsiderueshme në plogështi e imagjinata të kota. Me sa duket, këta njerëz të vdekshëm kanë lënë mënjanë dallimet e pozitave dha kanë arritur deri aty sa ta konsiderojnë veten e tyre si Perëndi, ndërsa Perëndia është pafundësisht i lartësuar mbi të gjitha gjërat. Çdo qenie e krijuar zbulon, sidoqoftë, shenjat e Tij, që janë vetëm rrezatime të Tij dhe jo Vetë Qenia e Tij. Të gjitha këto shenja janë pasqyruar e mund të shihen në librin e ekzistencës dhe pergamenat që përshkruajnë formën e modelin e gjithësisë përbëjnë me të vërtetë një libër shumë të madh. Aty çdo njeri mendjemprehtë mund të shquajë atë që do ta çonte në Rrugën e Drejtë dhe do t'i jepte mundësinë të arrinte deri te Kumti i Madh. Shih rrezet e diellit, drita e të cilit ka mbuluar botën. Rrezet dalin nga dielli dhe revelojnë natyrën e tij, por ato nuk janë dielli. Çdo gjë që mund të shihet mbi tokë tregon në shkallë të gjerë fuqinë e Perëndisë, dijen e Tij dhe vërshimin e bujarisë së Tij, ndërsa Ai Vetë është i lartësuar në mënyrë të pamatur mbi të gjitha krijesat.
12 Krishti thotë: 'Ti u ke dhënë fëmijëve atë që të diturit e të urtët nuk e kanë'. I urti i Sabzivár-it[15] ka thënë: 'Oh! Nuk ka veshë të vëmendshëm, përndryshe mërmëritja e Drizës së Sinait do të dëgjohej nga çdo pemë'. Në një Tabelë drejtuar një dijetari që kishte bërë një pyetje për domethënien e Realitetit Elementar, Ne iu drejtuam këtij dujetari të famshëm me këto fjalë: 'Në qoftë se kjo thënie është vërtet tëndja, si është e mundur që nuk i ke vënë veshin Thirrjes që Pema e Njeriut ka lëshuar nga majat më të larta të botës? Në qoftë se e ke dëgjuar Thirrjen, por frika dhe dëshira për të shpëtuar jetën tënde të kanë shtyrë të qëndrosh i shkujdesur ndaj saj, ti je një person që nuk e meriton të përmendet; në qoftë se nuk e ke dëgjuar, atëherë të mungon shqisa e të dëgjuarit'. Me një fjalë, këta janë njerëz fjalët e të cilëve janë krenaria e botës, kurse bëmat e tyre janë turpi i kombeve.
13 Me të vërtetë, Ne i kemi rënë Borisë, që s'është tjetër veçse Pena Ime e Lavdisë dhe, ja, njerëzimi është shtangur para saj, me përjashtim të atyre që Perëndisë i ka pëlqyer t'i çlirojë, si shenjë e mëshirës së Tij. Ai është Zoti i Bujarisë, i Lashti i Kohëve.
14 Thuaj: O turmë teologësh! Ju shqiptoni fjalë dënimi kundër kësaj Pene, të cilën, sapo ajo lëshoi zërin e saj të mprehtë, mbretëria e fjalës u përgatit ta dëgjonte dhe para temës së fuqishme e të lavdishme të së cilës çdo temë tjetër është zbehur, duke u bërë diçka pa kuptim? Druajuni Perëndisë dhe mos shkoni pas fantazive tuaja të kota e imagjinatave tuaja të zvetënuara, përkundrazi shkoni pas Atij Që ka ardhur tek ju i veshur me dije të pamohueshme e siguri të patundur.
15 Lavdi Perëndisë! Thesari i njeriut është të folutit e tij, por ky i Munduar e ka mbajtur gjuhën e Tij nën fre, sepse të pabesët po qëndrojnë në pritë; por gjithsesi mbrojtja vjen nga Perëndia, Zoti i të gjitha botëve. Me të vërtetë, tek Ai e kemi mbështetur besimin Tonë dhe Atij ia kemi lënë në dorë të gjitha punët. I Plotmjaftueshëm është Ai për Ne dhe për të gjitha gjërat e krijuara. Është Ai, me lejën e të Cilit, dhe përmes fuqisë së urdhrit të të Cilit, Ylli i Ditës i fuqisë sovrane ka ndriçuar me shkëlqim mbi horizontin e botës. Lum ai që shquan e njeh të Vërtetën, dhe mjerë kokëfortët e të pafetë.
16 Ky i Munduar i ka trajtuar kurdoherë me dashamirësi të diturit. Me të ditur nënkuptohen ata njerëz, dijet e të cilëve nuk kufizohen thjesht me fjalë dhe jeta e të cilëve ka qenë e frytshme e ka sjellë rezultate të qëndrueshme. Duhet që të gjithë t'i nderojnë këta shpirtra të bekuar. Lum ata që u përmbahen porosive të Perëndisë; lum ata që kanë njohur të Vërtetën; lum ata që gjykojnë me ndershmëri dhe mbahen fort pas Telit të Drejtësisë Sime të pacenueshme.
17 Njerëzit në Persi janë larguar nga Ai Që është Mbrojtësi dhe Ndihmësdhënësi. Ata kapen pas imagjinatave të kota të të marrëve dhe kanë lejuar të zihen në kurth prej tyre. Ata besojnë me aq ngulm në bestytnitë saqë asgjë s'i shkëput dot prej tyre, veç krahut të fuqishëm të Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij. Lutju Fuqiplotit që, me gishtat e pushtetit hyjnor, t'i largojë perdet që kanë lënë jashtë popujt dhe fiset e ndryshme, që këta të arrijnë atë që do të sjellë siguri, përparim e përmirësim dhe të sulen parpara drejt Mikut të pakrahasueshëm.
18 Fjala e Perëndisë që Pena e Abhá-it ka reveluar e ka shkruar
në fletën e parë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: Me të vërtetë Unë them: Druajtja e Perëndisë ka qenë gjithmonë një mbrojtje e sigurt dhe një kështjellë e fortë për të gjithë popujt e botës. Ajo është shkaku i parë i mbrojtjes së njerëzimit dhe mjeti suprem për ruajtjen e tij. Me të vërtetë, ka tek njeriu një veti që e mban larg dhe e mbron atë kundër çdo gjëje që është e padenjë dhe e pahijshme, veti e njohur si ndjenja e trurpit. Por ajo është e kufizuar vetëm në pak njerëz; jo të gjithë e kanë pasur dhe e kanë atë.
19 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e dytë
të Parajsës Më të Lartë është kjo që vijon: Pena e Më të Lartit porosit, në këtë moment, manifestimet e autoritetit dhe burimet e pushtetit, konkretisht mbretërit, sovranët, presidentët, sundimtarët, teologët e të diturit, dhe i urdhëron ata të mbështesin kauzën e fesë e të mbahen pas saj. Feja është me të vërtetë mjeti më i rëndësishëm për vendosjen e rendit në botë dhe për qetësinë midis popujve të saj. Dobësimi i shtyllave të fesë ka forcuar e inkurajuar të marrët dhe i ka bërë ata më arrogantë. Me të vërtetë, Unë them: Sa më shumë të bjerë feja, aq më e padurueshme bëhet kokëfortësia e të pafeve. Kjo nuk mund të çojë veçse në kaos e pështjellim. Më dëgjoni Mua, o njerëz me intuitë, dhe jini të paralajmëruar ju që jeni të pajisur me mendjemprehtësi!
20 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e tretë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: O bir i njeriut! Në qoftë se sytë e tu janë kthyer drejt mëshirës, atëherë lëri gjërat që të sjellin përfitim ty dhe kapu pas asaj që do t'i sjellë dobi njerëzimit. Dhe në qoftë se sytë e tu janë kthyer ndaj drejtësisë, atëherë zgjidh për të afërmin atë që dëshiron për veten tënde. Përunjësia e lartëson njeriun deri në qiellin e lavdisë e të pushtetit, kurse kryelartësia e rrëzon atë në humnerën e turpit e të degradimit.
21 O njerëz të Perëndisë! E madhe është Dita dhe e fuqishme Thirrja! Në njërën prej Tabelave Tona, Ne kemi reveluar këto fjalë të larta: 'Sikur bota e shpirtit të shndërrohej e tëra në shqisën e të dëgjuarit, atëherë mund të pohonte se është e denjë të dëgjojë Zërin që thërret nga Horizonti Suprem; përndryshe, veshët e përdhosur nga përralla mashtruese kurrë nuk kanë qenë dhe as janë tani të përshtatshëm për ta dëgjuar'. Lum ata që dëgjojnë ; dhe mjerë kokëfortët.
22 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e katërt
të Parajsës Më të Lartë është kjo që vijon: O njerëz të Perëndisë! Lutjuni të Vërtetit të Vetëm - përlëvduar qoftë Emri i Tij - që me dashamirësi të mbrojë manifestimet e sundimit e të pushtetit nga tundimet e unit e të dëshirës dhe të përhapë mbi ta rrezet e drejtësisë e të udhëheqjes.
23 Madhëria e Tij Muhammad Sháh-u, pavarësisht nga fisnikëria e rangut të tij, kreu dy bëma të urryera. Njëra ishte urdhri për të dëbuar Zotin e Mbretërive të Dashamirësisë e të Bujarisë, Pikën Parësore; ndërsa tjetra qe vrasja e Princit të Qytetit të Aftësisë Politike e të Mjeshtrisë Letrare.[16]
24 Fajet e mbretërve, ashtu si dhe meritat e tyre, mund të jenë të mëdha. Një mbret, që vetëmburrësia e autoriteti i pushtetit nuk e pengojnë t'i përmbahet drejtësisë dhe që lluksi, pasuritë, lavdia ose paradat e ushtrive e të legjioneve nuk e privojnë nga shkëlqimet e yllit të ditës, ka një rang të lartë e një pozitë sublime midis Tubimit të epërm. Është detyrë e të gjithëve t'i ofrojnë ndihmë e t'i shprehin dashamirësi një shpirti kaq fisnik. Lum ai mbret që mban fort nën fre pasionet e tij, përmban zemërimin dhe parapëlqen drejtësinë e paanësinë para padrejtësisë e tiranisë.
25 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e pestë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: Mbi çdo gjë, dhuntia më e madhe dhe e mira më e mahnitshme gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë Urtia. Ajo është mbrojtësja e pagabueshme e njeriut. Ajo e ndihmon dhe e forcon atë. Urtia është e Dërguara e Perëndisë dhe Reveluesja e Emrit të Tij i Gjithëdijshmi. Përmes saj lartësia e pozitës së njeriut bëhet e dukshme dhe e qartë. Ajo është e gjithëdijshme dhe Mësuesja e parë në shkollën e ekzistencës. Ajo është Udhërrëfyesja, e veshur me shquarsi të madhe. Falë ndikimit të saj edukativ qeniet tokësore janë mbushur me një shpirt të çmuar që ua kalon shkëlqimit të qiejve. Në qytetin e drejtësisë ajo është Zëri i pakrahasueshëm Që, në vitin nëntë, ndriçoi botën me lajmin e gëzuar të këtij Revelacioni. Dhe ishte ky Burim i paçmuar urtie që në fillimin e krijimit të botës ngjiti shkallën e domethënies së brendshme dhe, pasi u ul në fronin e të folurit, përmes veprimit të Vullnetit hyjnor, shpalli dy fjalë: e para njoftoi premtimin e shpërblimit, e dyta shqiptoi paralajmërimin kërcënues të ndëshkimit. Premtimi ngjalli shpresë dhe paralajmërimi shkaktoi frikë. Kështu, mbi këto dy parime binjake janë hedhur themelet e patundura të rendit botëror. I lartësuar është Zoti i Urtisë, Zotëruesi i Bujarisë së Madhe.
26 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e gjashtë
të Parajsës Më të Lartë është kjo që vijon: Drita e njerëzve është Drejtësia. Mos e shuani atë me erërat e kundërta të shtypjes e të tiranisë. Qëllimi i drejtësisë është shfaqja e unitetit në mes njerëzve. Oqeani i urtisë hyjnore dallgëzon brenda kësaj fjale të lartësuar, ndërsa librat e botës nuk mund të përmbajnë domethënien e brendshme të saj. Sikur njerëzit të ishin të stolisur me këtë veshje, ata do të sodisnin yllin e ditës të të folurës, 'Atë ditë Perëndia do t'i begatojë të gjithë me mirësinë e Tij'[17], të shndrisë me shkëlqim mbi horizontin e botës. Çmojeni vlerën e kësaj fjale; ajo është një fryt fisnik i prodhuar nga Pena e Lavdisë. Lum njeriu që i vë veshin dhe zbaton porositë e saj. Me të vërtetë ju them se çdo gjë e dërguar nga qielli i Vullnetit të Perëndisë është mjet për vendosjen e rendit në botë dhe një instrument për të çuar përpara unitetin e vëllazërinë midis popujve të saj. Kështu ka folur gjuha e këtij të Munduari nga Burgu i Tij Më i Madh.
27 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e shtatë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: O ju njerëz të urtisë midis kombeve! Mbyllini sytë për armiqësinë dhe nguleni shikimin mbi unitetin. Kapuni fort pas asaj që do t'i sjellë mirëqenien e qetësinë mbarë njerëzimit. Kjo copë tokë është një atdhe i vetëm e një banesë e vetme. E keni për detyrë të hiqni dorë nga vetëmburrja, që shkakton veçim, dhe t'i prirni zemrat nda çdo gjëje që siguron harmoni. Sipas gjykimit të njerëzve të Bahá-it, lavdia e njeriut qëndron në dijen e tij, në sjelljen e tij të mirë, në karakterin e tij të lavdërueshëm, në urtinë e tij, dhe jo në kombësinë ose rangun e tij. O njerëz të tokës! Çmojeni vlerën e kësaj fjale qiellore. Me të vërtetë ajo është si një anije për oqeanin e dijes dhe një yll i shndritshëm për mbretërinë e të të kuptuarit.
28 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e tetë
të Parajsës Më të Lartë është kjo që vijon: Shkollat duhet në radhë të parë t'i ushtrojnë fëmijët në parimet e fesë, në mënyrë që Premtimi dhe Kërcënimi, që janë të shkruara në Librat e Perëndisë, t'i mbajnë larg ata prej gjërave të ndaluara dhe t'i stolisin me rrobën e porosive të Tij; por kjo duhet bërë deri në atë masë që të mos i dëmtojë fëmijët, duke i çuar ata në fanatizëm e bigotizëm.
29 Është detyrë e të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë të këshillohen për gjërat që nuk janë reveluar shprehimisht në Librin dhe të bëjnë të detyrueshme atë që për ta është e pëlqyeshme. Me të vërtetë, Perëndia do t'u frymëzojë atyre çdo gjë që dëshiron dhe Ai, me të vërtetë, është Plotësuesi, i Gjithëdijshmi.
30 Ne kemi dhënë më parë porosinë që njerëzit të bisedojnë në dy gjuhë, por duhen bërë përpjekje që ajo të reduktohet në një të vetme, po ashtu si dhe shkrimet e botës, që jeta e njerëzve të mos harxhohet për të mësuar gjuhë të ndryshme. Kështu gjithë toka do të shihej si një qytet i vetëm e një vend i vetëm.
31 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e nëntë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: Në çdo gjë kërkohet moderim. Çdo gjë që çohet në ekstrem, bëhet burim të këqiash. Shikoni qytetërimin e Perëndimit, sa trazime e shqetësim u ka shkaktuar ai popujve të botës. U shpik një mjet skëterre dhe u pa se ishte një armë shkatërrimi aq e tmerrshme, saqë diçka e ngjashme kurrë nuk ishte parë e dëgjuar. Është e pamundur të spastrohen këto shthurje të rrënjosura kaq thellë e dërrmuese, veç në qoftë se popujt e botës bashkohen për të ndjekur një qëllim të përbashkët dhe përqafojnë një besim të vetëm universal. Mbani vesh e dëgjoni Thirrjen e këtij të Munduari dhe aderoni me vendosmëri në Paqen e Vogël.
32 Gjëra të çuditshme e të habitshme ekzistojnë mbi tokë, por ato janë të fshehura për mendjet dhe të kuptuarit e njerëzve. Këto gjëra janë në gjendje të ndryshojnë tërë atmosferën e tokës dhe ndotja e shkaktuar prej tyre mund të jetë vdekjeprurëse. Zot i madh! Ne kemi vënë re një gjë të habitshme. Rrufeja ose një forcë e ngjashme me të kontrollohet nga një operator dhe lëviz sipas komandës së tij. Pamasë i lartësuar është Zoti i Fuqisë Që ka zbuluar atë që ka dashur, me forcën e urdhrit të Tij të fuqishëm e të pamposhtur.
33 O njerëz të Bahá-it! Secila prej porosive që Ne kemi reveluar është një fortesë e fuqishme për ruajtjen e botës së qenies. Me të vërtetë, ky i Munduar nuk dëshiron asgjë tjetër veç sigurisë dhe lartësimit tuaj.
34 I këshillojmë njerëzit e Shtëpisë së Drejtësisë dhe i porositim ata të sigurojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e burrave, të grave e të fëmijëve. Është detyrë e tyre t'u kushtojnë kujdesin më të madh interesave të njerëzve kurdoherë e në të gjitha rrethanat. I bekuar është sundimtari që ndihmon robërit dhe i pasuri që kujdeset për të varfërit, dhe i drejti që mbron nga keqbërësi të drejtat e të shtypurit, dhe lum i besuari që zbaton atë që Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve i ka caktuar atij.
35 O Haydar-'Alí! Mbi ty qoftë lavdia Ime dhe lavdërimi Im. Këshillat dhe porositë e Mia janë përhapur në gjithë botën, por në vend që të sjellin gëzim e hare kanë shkaktuar hidhërim, sepse disa prej atyre që thonë se Më duan janë pushtuar nga mendjemadhësia e më kanë shkaktuar fatkeqësi të tilla, që as pasuesit e feve të vjetra dhe as teologët e Persisë kurrë nuk i kanë shkaktuar.
36 Ne kemi thënë: 'Burgimi nuk Më bën ndonjë të keqe, dhe as ato që Më kanë ndodhur nga duart e armiqve. Ajo që Më brengos është sjellja e të dashurve të Mi, të cilët, megjithëse mbajnë Emrin Tim, bëjnë që zemra dhe pena Ime të vajtojnë'. Fjalë si këto janë reveluar shumë e shumë herë, por të shkujdesurit nuk kanë ditur të përfitojnë, sepse kanë mbetur skllevër të pasioneve të tyre të mbrapshta e të dëshirave të tyre të zvetënuara. Lutju të Vetmit Perëndi të Vërtetë që t'u lejojë të gjithëve të pendohen dhe të kthehen tek Ai. Sa kohë që natyra e njeriut dorëzohet para pasioneve të mbrapshta, krimi dhe fajet do të mbizotërojnë. Ushqejmë shpresën që dora e pushtetit hyjnor dhe vërshimi i bekimeve qiellore të mbështesin të gjithë njerëzit, t'i veshin ata me rrobën e ndjesës e të bujarisë dhe t'i mbrojnë prej asaj që mund të dëmtonte Kauzën e Tij midis shërbëtorëve të Tij. Ai është, me të vërtetë, i Pushtetshmi, Fuqiploti, Ai është Zemërgjeri, i Mëshirshmi.
37 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e dhjetë
të Parajsës Më të Lartë është kjo që vijon: O njerëz të tokës! Të bësh jetë të mbyllur ose të praktikosh asketizmin nuk është e pranueshme në sytë e Perëndisë. U takon atyre që kanë mendje të ndriçuar e arsye t'i përmbahen asaj që sjell gëzim e rrezëllimë. Praktikat që burojnë nga fantazitë boshe ose që kanë lindur nga mitra e bestytnisë nuk u përshtaten njerëzve të ditur. Në kohët e shkuara dhe në kohë të mëvonshme disa njerëz janë vendosur në shpellat e maleve, ndërsa të tjerë strehohen natën në varreza. Thuaj, vëruni vesh këshillave të këtij të Munduari. Hiqni dorë nga zakonet tuaja dhe adoptoni atë që ju urdhëron Këshilltari besnik. Mos i mohoni vetes favoret që janë krijuar për hatrin tuaj.
38 Bamirësia është e pëlqyeshme dhe e lavdërueshme në sytë e Perëndisë, ajo konsiderohet sovrane midis punëve të mira. Sillni ndërmend e peshoni atë që Mëshirëploti ka reveluar në Kuran: "Ata u japin përparësi atyre kundrejt vetvetes, edhe pse vetë janë të varfër. Dhe ata që janë ruajtur prej lakmisë së vet do të jenë me fat".[18] E parë në këtë dritë, kjo thënie e bekuar është, me të vërtetë, ylli i ditës i thënieve. I bekuar është ai që preferon vëllain e tij para vetvetes. Me të vërtetë, një njeri i tillë numërohet, falë Vullnetit të Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit, ndër njerëzit e Bahá-it që banojnë në Arkën Kërmëz.
39 Fjala e Perëndisë që Pena Supreme ka shënuar
në fletën e njëmbëdhjetë
të Parajsës Më të Lartë është kjo: I urdhërojmë ata që janë emblemat e Emrave e të atributeve të Tij që tash e tutje t'i përmbahen asaj që porositet ne këtë Revelacion Më të Madh, të mos i lejojnë vetes të bëhen shkak grindjesh dhe, deri në fundin që nuk ka fund, t'i mbajnë sytë nga agimi i këtyre fjalëve të shndritshme të skalitura në këtë Tabelë. Grindja çon në gjakderdhje dhe shkakton trazira midis njerëzve. Vërini veshin Zërit të këtij të Munduari dhe mos lëvizni nga kjo.
40 Kush e peshon në zemrën e tij atë që në këtë Revelacion ka rrjedhur nga Pena e Lavdisë, do të sigurohet se çdo gjë që ka thënë ky i Munduar kurrë nuk ka pasur për qëllim t'i atribuojë Vetvetes ndonjë pozitë a titull. Përkundrazi, qëllimi ka qenë që, me fisnikërinë e fjalëve të Tij, të tërheqë shpirtrat drejt majave të lavdisë së paanë dhe t'i pajisë ata me aftësinë për të kuptuar atë që do t'i dëlirë e pastrojë popujt e botës nga grindjet e mosmarrëveshjet që shkaktojnë divergjencat fetare. Për këtë dëshmojnë zemra Ime, pena Ime, Qenia Ime e brendshme dhe e jashtme. Dhëntë Perëndia që të gjithë njerëzit t'u drejtohen thesareve të fshehura në vetë qeniet e tyre.
41 O njerëz të Bahá-it! Burimi i zejeve, i shkencave e i arteve është aftësia e reflektimit. Mos i kurseni përpjekjet që nga kjo minierë ideale të shkëlqejnë të tillë margaritarë të urtisë e të të folurës që sjellin mirëqenie e harmoni ndërmjet të gjitha fiseve të tokës.
42 Në të gjitha rrethanat, si në fatkeqësi dhe në kohë të mira, si kur ka qenë i nderuar dhe i brengosur, ky i Munduar i ka porositur njerëzit të tregojnë dashuri, ngrohtësi, dhembshuri e harmoni. Megjithatë, sa herë që është dukur ndonjë shenjë progresi e përparimi, ata që kanë qenë të fshehur pas perdeve kanë nxituar të dalin e të përhapin shpifje më therëse se shpata. Kapen pas fjalësh mashtruese e të qortueshme dhe i mohojnë vetes oqeanin e vargjeve të reveluara nga Perëndia.
43 Po të mos kishte ndërhyrë pengesa e këtyre perdeve, Persia, në rreth dy vjet, do t'i ishte nënshtruar pushtetit të të folurit, pozita si e qeverisë dhe e popullit do të ishte lartësuar dhe Qëllimi Suprem, i zbuluar e i pafshehur, do të ishte shfaqur në tërë lavdinë. Me pak fjalë, me një gjuhë herë të qartë e herë me aluzione, Ne kemi thënë çdo gjë që duhej thënë. Kështu, pasi Persia të ishte rehabilituar, shijet e ëmbla të Fjalës së Perëndisë do të ishin përhapur mbi të gjitha vendet, sepse ajo që ka rrjedhur nga Pena Më e Lartësuar sjell lavdi, përparim dhe edukim për të gjithë popujt e fiset e tokës. Ky është me të vërtetë ilaçi sovran për çdo lëngatë, sikur të mund ta kuptonit e ta merrnit vesh këtë.
44 Pak kohë më parë Afnán-ët dhe Amín-ët - mbi ta qoftë lavdia dhe dashamirësia Ime - arritën në praninë Tonë dhe soditën fytyrën Tonë; po kështu Nabíl-i, djali i Nabíl-it dhe djali i Samandar-it - mbi ta qoftë lavdia e Perëndisë dhe dashamirësia e Tij - janë të pranishëm dhe kanë pirë kupën e ribashkimit. I lutemi Perëndisë të denjojë të urdhërojë për ta të mirën e kësaj bote e të botës tjetër dhe që bekimet e dashamirësia e Tij të vërshojnë mbi ta nga qielli i bujarisë së Tij e nga retë e dhembshurisë së Tij të ëmbël. Me të vërtetë, nga ata që shfaqin mëshirë Ai është Më i Mëshirshmi, Ai është i Hirshmi, Bamirësi.
45 O Haydar-'Alí! Letra tjetër e jote, që dërgove me anë të atij që mban titullin Júd[19] (Bujarí), arriti në oborrin Tonë të shenjtë. Lëvduar qoftë Perëndia! Ajo ishte stolisur me dritën e unitetit hyjnor e të shkëputjes dhe në të digjej zjarri i dashurisë e i përzemërsisë. Lutju Zotit t'u dhurojë syve të tu mprehtësi dhe t'i ndiçojë ata me një dritë të re, që ndoshta të shohin atë që nuk ka asgjë të barabartë e të ngjashme.
46 Në këtë ditë vargjet e Librit Amë janë të shndritshme e të qarta si dielli. Ato kurrsesi nuk mund të ngatërrohen me asnjë prej thënieve të së shkuarës ose të mëvonshme. Me të vërtetë ky i Munduar nuk dëshiron të vërtetojë Kauzën e Vet me prova të parashtruara nga të tjerë. Ky është Ai Që përfshin të gjitha gjërat, ndërsa veç Tij gjithçka ka kufij. Thuaj, o njerëz, lexoni atë që është në përdorim midis jush dhe Ne do të lexojmë atë që Na përket Neve. Betohem për Perëndi! As lavdërimi i popujve të botës dhe as gjërat që zotërojnë fiset e tokës nuk janë të denja të përmenden para të të kujtuarit të Emrit të Tij. Për këtë dëshmon Ai Që në të gjitha kushtet shpall: "Me të vërtetë, Ai është Perëndia, sundimtari sovran i Ditës së Hesapeve dhe Zoti i Fronit të Fuqishëm".
47 Lavdi Perëndisë! Pyesin me çudi se për çfarë prove ose arsyeje mosbesimtarët midis njerëzve të Bayán-it janë larguar prej Zotit të Qenies. Në të vërtetë rangu i këtij Revelacioni e kapërcen rangun e gjithçkaje që është shfaqur në të kaluarën dhe që do të shfaqet në të ardhmen.
48 Sikur Pika e Bayán-it të ishte i pranishëm në këtë ditë dhe në qoftë se Ai, mos e dhëntë Perëndia, të ngurronte të njihte këtë Kauzë, atëherë fjalët e bekuara që kanë rrjedhur nga burimi i Vetë Bayán-it të Tij do t'i shkonin për shtat Atij. Ai thotë, dhe fjala e Tij është e vërtetë, 'Për Atë që Perëndia do ta shfaqë është e ligjshme të mohojë atë që është më i madhi mbi tokë'. Thoni, o ju që nuk keni arsyetim! Sot Qenia Më e Lartësuar shpall: 'Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë jam i pari që E adhuroj'. Sa e cektë është dija e njerëzve dhe sa e dobët aftësia e tyre për të kuptuar. Pena Jonë e Lavdisë dëshmon për varfërinë e tyre të mjerueshme dhe për pasurinë e Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve.
49 I lavdëruar e i lartësuar është Ai Që ka thirrur në jetë krijimin. Ai është e Vërteta sovrane, Njohësi i gjërave të padukshme. Libri Amë është reveluar dhe Zoti i Bujarisë është ulur në fronin më të shenjtë të lavdisë. Ka zbardhur Agimi, por njerëzit nuk kuptojnë. Kanë arritur shenjat, ndërsa Ai Që i ka reveluar ato është pushtuar nga hidhërimi që duket sheshit. Me të vërtetë, Unë kam duruar atë që ka bërë të vajtojë botën e qenies.
50 Thuaj: O Yahyá (Azal), bëj një varg të vetëm, në qoftë se zotëron dije hyjnisht të frymëzuara. Këto fjalë janë thënë më parë nga Lajmëtari Im Që në këtë orë shpall: 'Me të vërtetë, me të vërtetë, Unë jam i pari që E adhuroj'. Ji i drejtë, o vëllai Im. A je ti në gjendje të shprehesh po të vihesh ballë për ballë me oqeanin e shkumbëzuar të fjalës Sime? A mund ta zgjidhësh ti gjuhën po të ndeshesh me zërin kumbues të Penës Sime? A ke ti sadopak fuqi para shfaqjeve të plotfuqishmërisë Sime? Gjyko me drejtësi, të përbetohem për Perëndi, dhe sill ndërmend kohën kur ti ndodhesh në prani të këtij të Munduari dhe Ne të diktonim vargjet e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Ki mendjen se mos burimi i gënjeshtrës të largon nga e Vërteta e dukshme.
51 O ti që e ke mbërthyer shikimin në fytyrën Time! Thuaj: O të shkujdesur! Për shkak të një pike të vetme i keni mohuar vetes oqeanin e vargjeve qiellore dhe për hir të një atomi të papërfillshëm e keni veçuar veten nga shkëlqimet e Yllit të Ditës të së Vërtetës. Kush tjetër veç Bahá-it ka pushtetin të flasë hapur para njerëzimit? Gjykoni me drejtësi dhe mos jini ndër të padrejtët. Përmes Tij kanë shkumbëzuar oqeanet, janë përhapur misteret dhe drurët kanë ngritur zërin duke thirrur: Mbretëritë e tokës e të qiellit janë të Perëndisë, Reveluesit të shenjave, Burimit të dëshmive të qarta. Lexojeni Bayán-in Persian të reveluar prej Atij Që paralajmëroi këtë Revelacion dhe shiheni atë me syrin e paanësisë. Me të vërtetë, Ai do t'ju udhëheqë drejt Shtegut të Tij. Në këtë çast Ai shpall atë që gjuha e Tij ka folur më parë, kur Ai ishte ulur në fronin e Emrit të Tij më të lartësuar.
52 Ti ke përmendur të dashurit në ato toka. Lëvduar qoftë Perëndia, secili prej tyre ka pasur nderin të kujtohet nga i Vërteti Që është Një i Vetëm - u madhëroftë lavdia e Tij - dhe emrat e të gjithë atyre, pa përjashtim, kanë rrjedhur nga Gjuha e Madhështisë në mbretërinë e të folurit. Të mëdha me të vërtetë janë bekimi dhe lumturia e tyre, sepse kanë pirë verën e zgjedhur të revelacionit e të frymëzimit nga dora e Zotit të tyre, Zemërdhembshurit, të Mëshirshmit. I lutemi Perëndisë t'u japë atyre forcë që të shfaqin qëndrueshmëri të patundur dhe të thërrasë në ndihmë të tyre ushtritë e urtisë e të të folurit. Me të vërtetë, Ai është i Pushtetshmi, Fuqiploti. Jepu atyre të falat e Mia dhe njoftoju lajmin e gëzuar se Ylli i Ditës i kujtimit ka aguar në horizontin e favoreve bujare të Zotit të Tyre, Zemërgjerit, Mëshirëplotit.
53 Ti ke përmendur Husayn-in. Ne ia kemi stolisur ballin me rrobën e ndjesës dhe i kemi vënë mbi kokë kurorën e faljes. Është e udhës që ai të jetë krenar para gjithë njerëzve për këtë favor të shkëlqyeshëm, të shndritshëm e të dukshëm. Thuaj: mos u dëshpëro. Pas revelimit të këtij vargu të bekuar, është njëlloj sikur ti të keshë lindur përsëri bga barku i nënës. Thuaj: ti je i çliruar nga mëkati e gabimi. Me të vërtetë Perëndia të ka dëlirur me ujërat e gjalla të fjalës së Tij në këtë Burg Më të Madh. I përgjërohemi Atij - i bekuar e i lartësuar qoftë Ai - të të mbështesë ty me dashamirësi në madhërimin e lavdisë së Tij dhe të të forcojë me anë të ushtrive të Tij të padukshme. Me të vërtetë, Ai është i Gjithëpushtetshmi, Fuqiploti.
54 Ti ke përmendur njerëzit e Tár-it.[20] E kemi kthyer fytyrën ndaj atyre shërbëtorëve të Perëndisë dhe i këshillojmë ata që pikësëpari të mendojnë për atë që Pika e Bayán-it ka reveluar lidhur me këtë Revelacion, me anë të të cilit të gjithë emrat e titujt janë tronditur, idhujt e imagjinatave të kota janë shembur dhe Gjuha e Madhështisë ka shpallur: Për drejtësinë e Perëndisë! Thesari i Fshehur, Misteri i Papërshkueshëm është zbuluar për sytë e njerëzve, duke gëzuar të gjitha gjërat, të së shkuarës ose të së ardhmes. Ai ka thënë, dhe fjala e Tij është e vërteta: 'Nga të gjitha homazhet që i kam bërë Atij Që do të vijë pas Meje, më i madhi është: pohimi Im i shkruar se asnjë fjalë e Imja nuk mund Ta përshkruajë si duhet dhe se asnjë referim për Të në librin Tim, Bayán-in, nuk mund t'i japë hakun Kauzës së Tij'.
55 Për më tepër, i këshillojmë ata t'i përmbahen drejtësisë, paanësisë, ndershmërisë, devocionit dhe asaj që do të bëjë që si Fjala e Perëndisë dhe pozita e tyre të lartësohen midis njerëzve. Me të vërtetë, Unë jam Ai Që këshillon me drejtësi. Për këtë dëshmon Ai, nga Pena e të Cilit kanë vërshuar lumenj mëshire dhe nga fjala e të Cilit kanë rrjedhur burime ujërash të gjalla drejt të gjitha gjërave të krijuara. Pamasë i lartësuar është ky hir i pakufi; tepër i bekuar është ky favor i shndritshëm.
56 O njerëz të Tár-it! Vërini veshin thirrjes së Atij Që bën atë që do. Në të vërtetë Ai ju kujton juve atë që do t'ju qasë pranë Perëndisë, Zotit të botëve. Nga burgu i 'Akká-së, Ai e ka kthyer fytyrën ndaj jush dhe për hatër tuaj ka reveluar atë që do të pavdekësojë kujtimin tuaj dhe emrat tuaj në Librin që nuk mund të prishet e do të mbetet i paprekur nga dyshimet e rebelëve. Flakini tutje gjërat që janë në përdorim midis njerëzve dhe kapuni fort pas asaj që ju janë urdhëruar në bazë të Vullnetit të Urdhëruesit, të Lashtit të Kohëve. Kjo është dita kur Pema hyjnore e Lotusit thërret me zë të lartë dhe thotë: O njerëz! Shihni frytet e Mia dhe fletët e Mia, mbani vesh e dëgjoni fëshfërimën e degëve të Mia. Kini mendjen që dyshimet e njerëzve të mos ju presin rrugën e dritës së sigurisë. Oqeani i i të folurit thërret: 'O ju banorë të tokës! Shihni ujërat e Mia të shkumbëzuara dhe margaritarët e urtisë e të fjalës që kam derdhur. Druajuni Perëndisë dhe mos jini ndër të shkujdesurit'.
57 Në këtë Ditë ka festë të madhe në Mbretërinë atje lart, sepse gjithçka qe premtuar në Shkrimet e shenjta është përmbushur. Kjo është dita e gëzimit të madh. Është detyrë e të gjithëve të nxitojnë drejt Oborrit të afrisë së Tij me gëzim, hare, ngazëllim e kënaqësi të papërmbajtur dhe të çlirohen nga zjarri i largësisë.
58 O njerëz të Tár-it! Me fuqinë forcëdhënëse të Emrit Tim rrëmbeni kupën e dijes dhe pijeni me fund, duke sfiduar njerëzit e botës që kanë shkelur Besëlidhjen e Perëndisë dhe Testamentin e Tij, që kanë refuzuar provat e Tij dhe shenjat e Tij të qarta, e që kanë nxjerrë bishta për dëshmitë e Tij të cilat kanë pushtuar gjithçka që ndodhet në qiell e mbi tokë.
59 Të pabesët midis njerëzve të Bayán-it janë si pasuesit e sektit shiit dhe ecin në gjurmët e tyre. Lërini ata me fantazitë boshe e me imagjinatat e tyre të kota. Me të vërtetë, në Librin e Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit, ata numërohen ndër të humburit. Teologët shiitë, të gjithë pa përjashtim, janë angazhuar tani për të sharë e akuzuar nga katedrat e tyre të Vetmin të Vërtetë. Perëndi i hirshëm! Dawlat-Ábádí-u[21] gjithashtu ka bërë të njëjtën gjë. Ai është ngjitur në katedër dhe ka shprehur atë që e ka bërë Tabelën të klithë me ankth dhe Penën të vajtojë. Reflektoni për sjelljen e tij dhe për sjelljen e Ashraf-it[22] - mbi të qoftë lavdia Ime dhe përdëllesa Ime e dhembshur - dhe po kështu shihni ata të dashur që nxituan për në vendin e martirizimit në emrin Tim, duke dhuruar jetën e tyre në shtegun e Atij Që është Dëshira e botës.
60 Kauza është e dukshme, ajo shkëlqen e shndritshme si dielli, por njerëzit janë bërë perde për vetveten. Ne i lutemi Perëndisë që me dashamirësi t'i ndihmojë ata të kthehen tek Ai. Me të vërtetë, Ai është Falësi, i Mëshirshmi.
61 O njerëz të Tár-it! Ju përshëndesim nga ky Vend dhe i lutemi Perëndisë - i bekuar e i madhëruar qoftë Ai - t'ju japë të pini verën e zgjedhur të qëndrueshmërisë nga dora e favorit ti Tij. Me të vërtetë, Ai është Zoti i Bujarisë, i Hirshmi, i Shumëlëvduari. Lërini me vetveten të papjekurit e botës - ata nxiten nga dëshira egoiste dhe mbahen pas bartësve të fantazive boshe. Me të vërtetë, Ai është Ndimuesi dhe Përkrahësi juaj. Ai është, me të vërtetë, i pushtetshëm për të bërë atë që dëshiron. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Vetmit, të Pakrahasueshmit, të Fuqishmit, Më të Madhit.
62 Nga prania Jonë le të zbresë lavdia mbi ata që e kanë kthyer fytyrën ndaj Agimit të Revelacionit të Tij dhe kanë pranuar e njohur atë që Gjuha e të folurit ka shprehur në mbretërinë e dijes në këtë Ditë të bekuar, të lavdishme e të pakrahasueshme.
7
LAWH-I-DUNYÁ
(Tabela e Botës)
1 Në emrin Tim, që thërret me zë të lartë
në Mbretërinë e Fjalës
2 LAVDËRIME e mirënjohje Zotit të sundimit të dukshëm, Që ka stolisur burgun e fuqishëm me praninë e të nderuarve 'Alí-Akbar dhe Amín dhe e ka ndriçuar atë me dritën e sigurisë, të qëndrueshmërisë e të garancisë.[23] Mbi ta qoftë lavdia e Perëndisë dhe lavdia e të gjithë atyre që janë në qiejt e mbi tokë.
3 Dritë e lavdi, përshëndetje e lavdërim Duarve të kësaj Kauze, përmes të cilëve drita e fortësisë ka ndriçuar dhe është provuar e vërteta që pushteti për të vendosur i takon Perëndisë, të Pushtetshmit, të Fuqishmit, të Lirshmit, përmes të cilëve oqeani i bujarisë ka shkumbëzuar dh është përhapur aroma e favoreve dashamirëse të Perëndisë, Zotit të njerëzimit. I lutemi Atij - lëvduar qoftë Ai - t'i ruajë ata me fuqinë e ushtrive të Tij, t'i mbrojë me fuqinë e sundimit të Tij dhe t'i ndihmojë me forcën e Tij të pamposhtur që mbizotëron mbi të gjitha gjërat e krijuara. Sovraniteti është i Perëndisë, Krijuesit të qiejve dhe Zotit të Mbretërisë së Emrave.
4 Kumti i Madh shpall: O njerëz të Persisë! Në kohët e shkuara ju keni qenë simbolet e mëshirës dhe mishërimet e dashurisë e të shpirtmirësisë. Krahinat e botës ndriçoheshin e zbukuroheshin nga shkëlqimi i dritës së dijes suaj e nga vezullimi i erudicionit tuaj. Si ka ndodhur që ju jeni ngritur për të shkatërruar vetveten dhe miqtë tuaj me vetë duart tuaja?
5 O Afnán, o ti që ke mbirë nga Trungu Im i lashtë! Mbi ty qofshin lavdia dhe dashamirësia Ime. Sa e madhe është tenda e Kauzës së Perëndisë! Ajo ka lëshuar hijen e saj mbi të gjithë popujt e fiset e tokës dhe së shpejti do të mbledhë nën strehën e saj gjithë njerëzimin. Dita e shërbimit ka ardhur tashmë për ty. Tabela të panumërta dëshmojnë për dhuntitë që të janë dhënë. Ngrihu për triumfin e Kauzës Sime dhe nënshtro zemrat e njerëzve me fuqinë e të folurit tënd. Ti duhet të tregosh atë që do t'u sigurojë paqen e mirëqenien të mjerëve e të shtypurve. Shtrëngo këllqet, që ndoshta të mund të lirosh robin nga zinxhirët dhe t'i japësh atij mundësinë të arrijë lirinë e vërtetë.
6 Drejtësia, në këtë ditë, vajton fatin e saj dhe Paanësia rënkon nën zgjedhën e shtypjes. Retë e zeza të tiranisë kanë errësuar faqen e tokës dhe kanë mbështjellë popujt e saj. Me anë të lëvizjes së Penës Sonë të lavdisë Ne, me urdhër të Urdhëruesit të gjithëfuqishëm, kemi fryrë një jetë të re në çdo formë njerëzore dhe kemi futur një forcë të re në çdo fjalë. Të gjitha gjërat e krijuara shpallin provat e kësaj ripërtëritjeje mbarëbotërore. Ky është lajmi më i madh, më i gëzuar që i është kumtuar njerëzimit nga Pena e këtij të Munduari. Nga çfarë keni frikë, pra, o të shumëdashurit e Mi? Kush mund t'ju tmerrojë ju? Një fshikje lagështie mjafton për ta shkrirë baltën e gurosur nga e cila është gatuar ky brez i mbrapshtë. Akti i thjeshtë që ju mblidheni së bashku është i mjaftueshëm për të shprishur forcat e këtyre njerëzve të kotë e pa vlerë.
7 Grindjet e konflikti u shkojnë për shtat egërsirave të pyllit. Ishte me hir të Perëndisë dhe me ndihmën e fjalëve të hijshme e të veprave të lavdërueshme që shpatat e zhveshura të komunitetit Bábí u futën përsëri në këllëfët e tyre. Me të vërtetë, falë fuqisë së fjalëve të mira, të drejtët gjithmonë kanë arritur të fitojnë dafinat në lëndinat e zemrave të njerëzve. Thuaj, o të dashur! Mos harroni maturinë. Kthejini zemrat tuaja drejt këshillave që ju jep Pena Më e Lartësuar dhe kini kujdes që duart ose gjuhët tuaja të mos i shkaktojnë dëm askujt midis njerëzve.
8 Duke iu referuar tokës së Tá-së [Teheranit], Ne kemi reveluar në Kitáb-i-Aqdas atë që do të shërbejë si paralajmërim për njerëzimin. Ata që ushtrojnë tirani në botë kanë uzurpuar të drejtat e popujve e të fiseve të tokës dhe po ndjekin me këmbëngulje prirjet e tyre egoiste. Tirani[24] i tokës së Yá-së [Yazd] ka kryer atë që e ka bërë Tubimin e Epërm të derdhë lotë gjaku.
9 O ti që ke pirë verën e fjalës Sime dhe e ke mbërthyer shikimin mbi horizontin e Revelacionit Tim! Sa e habitshme është që populli i Persisë, i cili nuk kishte shoq në shkencat e në artet, të ketë rënë në nivelin më të ulët të degradimit midis fiseve të tokës. O njerëz! Në këtë Ditë të bekuar, të lavdishme, mos i mohoni vetes rrjedhën bujare të favoreve që Zoti i dashamirësisë së bollshme ju ka dhuruar. Në këtë Ditë, reshje të urtisë e të fjalës po vërshojnë nga retë e dashamirësisë hyjnore. Lum ata që e gjykojnë Kauzën e Tij me drejtësi, dhe mjerë të padrejtët.
10 Në këtë ditë, çdo njeri me mend është i gatshëm ta pranojë se këshillat që ka reveluar Pena e këtij të Munduari përbëjnë forcën gjallëruese supreme për përparimin e botës dhe lartësimin e popujve të saj. Ngrihuni, o njerëz, dhe me pushtetin e fuqisë së Perëndisë vendosni të triumfoni mbi vetveten, që ndoshta mbarë bota të mund të çlirohet e dëliret nga nënshtrimi ndaj perëndive të fantazive të saj boshe - perëndi që u kanë shkaktuar aq humbje adhuruesve të tyre mjeranë, për mjerimin e të cilëve janë përgjegjës. Këta idhuj përbëjnë pengesën që i kundërvihet njeriut në përpjekjet e tij për të shkuar përpara në shtegun e përsosurisë. Ushqejmë shpresën që Dora e fuqisë hyjnore ta ndihmojë njerëzimin dhe ta çlirojë atë nga gjendja e tij aq poshtëruese.
11 Në njërën prej Tabelave janë reveluar këto fjalë: O njerëz të Perëndisë! Mos u merrni me punët tuaja; le të përqendrohen mendimet tuaja mbi atë që do të përtërijë fatet e njerëzimit e do të dëlirë zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Kjo mund të arrihet më së miri me anë veprash të kulluara e të shenjta, përmes një jete të virtytshme e një sjelljeje të mirë. Veprime të guximshme do të sigurojnë triumfin e kësaj Kauze dhe një karakter i panjollë do të forcojë pushtetin e saj. Veproni me drejtësi, o njerëz te Bahá-it! Kjo është, me të vërtetë, porosia që ju ka dhënë ky i Munduar dhe gjëja e parë që ka zgjedhur për çdonjërin prej jush Vullneti i Tij i papërmbajtshëm.
12 O miq! Ju duhet të ripërtëritni e të ringjallni shpirtrat tuaj me favoret dashamirëse që reshin mbi ju në këtë Pranverë Hyjnore që zgjon shpirtrat. Ylli i Ditës i lavdisë së Tij të madhe ka derdhur mbi ju shkëlqimin e vet dhe retë e dashamirësisë së Tij të paanë ju kanë mbështjellur. Sa i lartë është shpërblimi i atij që nuk ia ka mohuar vetes një bujari kaq të madhe dhe që ka njohur bukurinë e të Shumëdashurit të vet në këtë veshje të Tij të re. Kini mendjen, sepse i Ligu është në pritë, i gatshëm t'ju zërë në grackë. Mbrohuni nga qëllimet e tij të djallëzuara dhe, të udhëhequr nga drita e emrit të Perëndisë Që Sheh Gjithçka, largojuni errësirës që ju rrethon. Le të jetë vizioni juaj mbarëbotëror dhe jo i kufizuar në vetë veten tuaj. I Ligu është ai që i pengon të ngrihen dhe bllokon përparimin shpirtëror të bijve të njerëzve.
13 Në këtë Ditë, është detyrë e çdo njeriu të kapet fort pas gjithçkaje që u shërben interesave dhe lartëson pozitën e të gjitha kombeve e të qeverive të drejta. Përmes të gjitha vargjeve që Pena e Më të Lartit ka reveluar, dyert e dashurisë e të unitetit janë hapur dykanatësh para njerëzve. Ne kemi deklaruar më parë - dhe Fjala Jonë është e vërteta: 'Shoqërohuni me pasuesit e të gjitha feve në një frymë miqësie e vëllazërimi'. Çdo gjë që i ka bërë bijtë e njerëzve t'i shmangen njëri-tjetrit dhe që ka shkaktuar mosmarrëveshje e ndarje midis tyre, është anuluar e shfuqizuar përmes revelimit të këtyre fjalëve. Për të fisnikëruar botën e qenies dhe për të lartësuar mendjet dhe shpirtrat e njerëzve, nga qielli i Vullnetit të Perëndisë është dërguar ajo që është instrumenti më i efekteshëm për edukimin e mbarë racës njerëzore. Përmes këtij Revelacioni kaq të Fuqishëm, nga qielli i Vullnetit të Perëndisë Gjithëzotërues, të Përherëpranishëm është dërguar thelbi më i lartë dhe shprehja e përkryer e gjithçkaje që popujt e së shkuarës kanë thënë ose shkruar. Në të shkuarën ka qenë reveluar: 'Të duash vendin tënd është pjesë e besimit te Perëndia'. Por Gjuha e Madhështisë, në ditën e manifestimit të Tij, ka shpallur: 'Nuk duhet të krenohet ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën'. Me anë të fuqisë së çliruar nga këto fjalë të larta, Ai u ka dhënë një shtytje e një drejtim të ri zogjve të zemrave njerëzore, duke fshirë nga Libri i shenjtë i Perëndisë çdo gjurmë ngushtimi e kufizimi.
14 Ky i Munduar ua ka ndaluar njerëzve të Perëndisë të futen në polemika ose konflikte dhe i ka këshilluar ata të jenë të drejtë në veprime e të kenë karakter të mirë. Në këtë ditë, ushtritë që mund ta çojnë Kauzën në fitore janë ata që kanë sjellje të mirë dhe karakter të kulluar. Lum ata që u përmbahen këtyre me vendosmëri dhe mjerë ata që u largohen.
15 O njerëz të Perëndisë! Ju këshilloj të tregoni mirësjellje, sepse mbi çdo gjë tjetër ajo është mbreti i virtyteve. Lum ai që ndriçohet me dritën e mirësjelljes dhe ka veshur rrobën e drejtësisë. Kush është i pajisur me mirësjellje, ka arritur me të vërtetë një pozitë sublime. Është për t'u shpresuar që ky i Munduar dhe të gjithë të tjerët mund të bëhen të aftë ta fitojnë atë, t'i përmbahen fort asaj, ta zbatojnë atë dhe ta mbërthejnë shikimin mbi të. Ky është një urdhër i detyrueshëm që ka buruar nga Pena e Emrit Më të Madh.
16 Kjo është dita në të cilën margaritarët e qëndrueshmërisë që qëndrojnë të fshehur në minierën e qenies intime të njerëzve duhet të shfaqen. O njerëz të drejtësisë! Shndritni si drita dhe shkëlqeni si zjarri që digjej në Drizën e Përflakur. Shkëlqimi i zjarrit të dashurisë suaj, padyshim, do t'i shkrijë e bashkojë popujt dhe fiset e përçarë të tokës, kurse furia e flakës së armiqësisë e të urrejtjes mund të çojë vetëm në konflikte e rrënim. Ne i lutemi Perëndisë që t'i mbrojë krijesat e Veta nga synimet keqdashëse të armiqve të Tij. Ai me të vërtetë ka pushtet mbi të gjitha gjërat.
17 Lëvduar qoftë i vetmi Perëndi i vërtetë - u lartësoftë lavdia e Tij - sepse me Penën e Më të Lartit, ka hapur dyert e zemrave të njerëzve. Çdo varg që ka reveluar kjo Penë është një portë e shndritshme e plot shkëlqim që hap pamjen e lavdive të një jete të shenjtë e të devotshme, të veprave të kulluara e të panjolla. Thirrjet dhe mesazhi që Ne kemi lëshuar kurrë nuk kanë pasur si qëllim të arrijnë ose t'i sjellin përfitim vetëm një vendi ose një populli. Mbarë njerëzimi duhet t'i përmbahet fort çdo gjëje që i është reveluar e akorduar atij. Atëherë dhe vetëm atëherë ai do të arrijë lirinë e vërtetë. Gjithë toka është ndriçuar nga lavdia e shndritshme e Revelacionit të Perëndisë. Në vitin gjashtëdhjetë Ai Që paralajmëroi dritën e Udhërrëfimit Hyjnor - gjithë krijimi u bëftë fli për Të - u ngrit për të njoftuar një revelacion të ri të Shpirtit Hyjnor dhe u pasua njëzet vjet më vonë prej Atij, me ardhjen e të Cilit botës iu dhurua lavdia e premtuar, ky favor i mahnitshëm. Shihni sesi shumicës së njerëzve iu dha aftësia për të dëgjuar Fjalën më të lartësuar të Perëndisë - Fjalë nga e cila varet bashkimi dhe rilindja shpirtërore e të gjithë njerëzve.
18 Ndërsa ndodheshim në Burgun e 'Akká-së, Ne reveluam në Librin Kërmëz atë që çon në përparimin e njerëzimit dhe në rindërtimin e botës. Fjalët e shpallura në të nga Pena e Zotit të krijimit përfshijnë këto që vijojnë dhe që përbëjnë parimet themelore të administrimit të punëve njerëzore:
19 E para: Është detyrë e të ngarkuarve të Shtëpisë së Drejtësisë t'i japin shtysë Paqes së Vogël, në mënyrë që popujt e tokës të lehtësohen nga barra e shpenzimeve të tepruara. Kjo është një çështje imperative dhe absolutisht e domosdoshme, sepse luftërat e konfliktet qëndrojnë në rrënjët e vuajtjeve e të fatkeqësive.
20 E dyta: Gjuhët duhet të reduktohen në një gjuhë të vetme të përbashkët, e cila të mësohet në të gjitha shkollat e botës.
21 E treta: Njeriu duhet t'i përmbahet fort asaj që favorizon vëllazërinë, mirësjelljen dhe unitetin.
22 E katërta: Të gjithë, burra ose gra qofshin, duhet t'i japin një personi të besuar një pjesë të asaj që fitojnë nga tregtia, bujqësia ose nga punë të tjera, të destinuar për përgatitjen dhe shkollimin e
fëmijëve, e cila të shpenzohet për këtë qëllim me dijeninë e të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë.
23 E pesta: Vëmendje e posaçme duhet t'i kushtohet bujqësisë. Edhe pse është përmendur në vend të pestë, ajo padyshim qëndron përpara pikave të tjera. Bujqësia është shumë e zhvilluar në vendet e huaja, kurse në Persi deri tani është lënë krejt pas dore. Shpresohet që Madhëria e Tij Shahu - Perëndia e ndihmoftë me dashamirësinë e Tij - do ta drejtojë vëmendjen në këtë çështje jetësore e të rëndësishme.
24 Po qe se njerëzit do të zbatonin rigorozisht atë që Pena e Më të Lartit ka reveluar në Librin Kërmëz, ata mund të bënin fare mirë pa të gjitha rregullat e përhapura në botë. Disa thirrje kanë rrjedhur në mënyrë të përsëritur nga Pena e Më të Lartit, që ndoshta manifestimet e pushtetit dhe agimet e fuqisë të mundin, një ditë, t'i venë ato në zbatim. Me të vërtetë, po të gjendeshin kërkues të sinqertë, çdo gjë e dalë nga Vullneti depërtues e i pakundërshtueshëm i Perëndisë, për hir të dashurisë së Tij, do të ishte reveluar. Por ku t'i gjesh kërkuesit e zellshëm dhe mendjet hulumtuese? Ku kanë shkuar njerëzit e drejtë e të paanshëm? Tani nuk kalon ditë që të mos shpërthejë zjarri i një tiranie të re që digjet me furi ose që të mos zhvishet shpata e një agresioni të ri. Perëndi i hirshëm! Në Persi të mëdhenjt e fisnikët krenohen për veprime aq të egra, saqë njeriu habitet kur i dëgjon t'i tregojnë.
25 Ditë e natë ky i Munduar falënderon e lëvdon Zotin e njerëzve, sepse është e qartë që fjalët e këshillimit e të paralajmërimit që Ne kemi thënë kanë dhënë efektin e dëshiruar dhe këta njerëz kanë shfaqur një karakter e sjellje të tillë që në shikimin Tonë janë të mirëpritura. Këtë e pohojmë duke u nisur nga ngjarja që me të vërtetë ka mbushur me gëzim sytë e botës, domethënë nga ndërhyrja e miqve pranë autoriteteve të larta në favor të armiqve të tyre. Me të vërtetë, veprat e mira të njeriut dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të tij. Ushqejmë shpresën që njerëzit e devotshëm të ndriçojnë botën me dritën rrezëlluese të sjelljes së tyre, dhe i lutemi Fuqiplotit - lëvduar e lartësuar qoftë Ai - të lejojë që në këtë Ditë të gjithë të qëndrojnë të patundur në dashurinë për Të e të vendosur ne Kauzën e Tij. Ai është, me të vërtetë, Mbrojtësi i atyre që I janë Atij tërësisht të devotshëm dhe zbatojnë porositë e Tij.
26 O njerëz të Perëndisë! Të pafundme janë mbretëritë që Pena Jonë e Lavdisë ka reveluar dhe të panumërt sytë të cilëve u ka dhënë dritën e vërtetë. Megjithatë, shumica e njerëzve në Persi vazhdojnë të jenë të privuar nga të mirat e këshillave fitimprurëse dhe mbeten tepër të mangët në fushën e shkencave e të arteve të dobishme. Më parë këto fjalë sublime janë reveluar posaçërisht nga Pena e Lavdisë për nder të njërit prej besnikëve, që ndoshta ata që kanë shkuar në rrugë të shtrembër të mund të përqafojnë të vërtetën dhe të njihen me gjërat e holla të Ligjit të Perëndisë.
27 Mosbesimtarët e të pafetë e kanë drejtuar mendjen e tyre në katër gjëra: e para, të derdhin gjak; e dyta, të djegin librat; e treta, të diskriminojnë pasuesit e feve të tjera; e katërta, të shfarosin komunitetet dhe grupet e tjera. Por tani, përmes dashamirësisë përforcuese dhe fuqisë së Fjalës së Perëndisë, këto katër barriera janë shembur, këta urdhra të qartë janë fshirë nga Tabela dhe prirjet shtazarake janë shndërruar në atribute shpirtërore. I lartësuar është qëllimi i Tij, i përlëvduar pushteti i Tij, i madhëruar sundimi i Tij! Tani le t'i lutemi Perëndisë - u lartësoftë lavdia e Tij - që me dashamirësi t'i udhëheqe drejt pasuesit e sektit shiit dhe t'i dëlirë ata nga sjelljet e pahijshme. Nga goja e pjesëtarëve të këtij sekti dalin pareshtur sharje të turpshme, ndërsa thërrasin fjalën 'Mal'ún' (i mallkuar) - duke e shqiptuar shkronjën 'ayn me zë të ashpër - dhe kjo është kënaqsia e tyre e përditshme.
28 O Perëndi Perëndia im! Ti e dëgjon kujën e Atij Që është Drita Jote (Bahá), dëgjon ditë e natë rënkimet e Tij dhe e di se Ai nuk dëshiron asgjë për Vete, por kërkon të spastrojë shpirtrat e shërbëtorëve të Tu dhe t'i shpëtojë ata nga zjarri që i mësyn gjithmonë. O Zot! Duart e shërbëtorëve të Tu të preferuar janë shtrirë drejt qiellit të bujarisë Sate dhe ato të dashuruesve të Tu të sinqertë janë ngritur drejt majave sublime të zemërgjerësisë Sate. Të përgjërohem, mos i zhgënje ata në atë që kërkojnë nga oqeani i favorit Tënd, nga qielli i dashamirësisë Sate dhe nga ylli i ditës i bujarisë Sate. Ndihmoi ata, O Zot, të fitojnë virtyte që të lartësojnë pozitën e tyre midis popujve të botës. Me të vërtetë, Ti je i Pushtetshmi, i Fuqishmi, Bujariploti.
29 O njerëz të Perëndisë! Mbani vesh e dëgjoni atë që, po të mbahet parasysh, do të sigurojë lirinë, mirëqenien, qetësinë, lartësimin e përparimin e të gjithë njerëzve. Disa ligje e parime janë të nevojshme e të domosdoshme për Persinë. Por duhet që këto masa të adoptohen në përputhje me pikëpamjet e peshuara të Madhërisë së Tij - Perëndia e ndihmoftë me dashamirësinë e Vet - dhe të teologëve të ditur e të qeveritarëve më të lartë. Me miratimin e tyre, duhet të caktohet një vend ku ata të takohen. Atje ata duhet të kapen fort pas telit të konsultimit dhe të vendosin e vënë në zbatim atë që u sjell njerëzve sigurinë, begati, mirëqenie e qetësi. Sepse po adoptuan masa të tjera, kjo do të shkaktonte vetëm kaos e trazira.
30 Sipas ligjeve bazë që Ne kemi reveluar kohë më parë në Kitáb-i-Aqdas e në Tabela të tjera, të gjitha punët u besohen mbretërve e presidentëve të drejtë dhe të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë. Po të peshojë atë që Ne kemi shpallur, çdo njeri i paanshëm e i mprehtë do të shohë pa vështirësi, me sytë e brendshëm e të jashtëm, ndriçimet e yllit të ditës të drejtësisë që ai lëshon.
31 Sistemi i qeverisjes që populli britanik ka adoptuar në Londër duket i mirë, sepse është i stolisur me dritën si të kurorës dhe të konsultimit me popullin.
32 Në formulimin e parimeve e të ligjeve, një pjesë e tyre u kushtohet ndëshkimeve, të cilat përbëjnë një mjet efektiv për sigurimin dhe mbrojtjen e njerëzve. Megjithatë, frika e ndëshkimit vetëm së jashtmi i pengon njerëzit që të kryejnë veprime të ulëta e të përbuzshme, ndërsa ajo që e ruan dhe e frenon njeriun si nga jashtë dhe nga brenda ka qenë dhe është frika e Perëndisë. Ajo është mbrojtësja e vërtetë dhe rojtari shpirtëror i njeriut. Ai duhet të kapet fort pas asaj që çon në shfaqjen e kësaj dhurate supreme. Lum ai që i vë veshin çdo gjëje që Pena Ime e Lavdisë ka shpallur dhe zbaton atë që e porosit Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve.
33 Le të priren zemrat tuaja, o njerëz të Perëndisë, ndaj këshillave të Mikut tuaj të vërtetë e të pashoq. Fjala e Perëndisë i përngjet një peme të njomë, rrënjët e së cilës janë mbjellë në zemrat e njerëzve. Është detyrë e juaj ta ushqeni atë me ujërat e gjalla të urtisë, të fjalëve të kulluara e të shenjta, në mënyrë që rrënjët e saj të ngulen thellë dhe degët e saj të shtrihen lart deri në qiell e më tej.
34 O ju që banoni mbi tokë! Tipari dallues që shquan karakterin mbizotërues të këtij Revelacioni Suprem është se Ne, nga njëra anë, kemi fshirë nga faqet e Librit të shenjtë të Perëndisë çdo gjë që ka qenë shkak grindjeje, ligësie e mbrapshtie midis bijve të njerëzve dhe, nga ana tjetër, kemi parashtruar kërkesat thelbësore të harmonisë, të mirëkuptimit, të unitetit të plotë e të qëndrueshëm. Lum ata që u përmbahen ligjeve të Mia.
35 Vazhdimisht i kemi këshilluar të dashurit Tanë t'i shmangen, madje t'i largohen me vrap çdo gjëje që bie sadopak erë ligësi. Bota është në rrëmujë të madhe dhe mendjet e njerëzve në pështjellim të plotë. I lutemi Fuqiplotit t'i ndriçojë me dashamirësi ata me lavdinë e Drejtësisë së Tij dhe t'u japë mundësinë të zbulojnë atë që do t'u sjellë atyre përfitim kurdoherë e në të gjitha rrethanat. Ai është, me të vërtetë, Gjithëzotëruesi, Më i Larti.
36 Në të kaluarën kemi thënë këto fjalë sublime: le të jenë ata që i qëndrojnë besnikë këtij të Munduari si një re me shi në çaste dhembshurie e dashamirësie dhe si një zjarr që digjet flakë për të frenuar natyrën e tyre të ulët e lakmitare.
37 Perëndi i hirshëm! Kohët e fundit ka ndodhur diçka që ka shkaktuar habi të madhe. Thuhet se një person[25] shkoi në selinë e fronit perandorak në Persi dhe arriti të fitojë simpatinë e disa fisnikëve me sjelljen e tij lajkatare. Sa për të ardhur keq vërtet, sa e vajtueshme! Njeriu vret mendjen përse ata që kanë qenë simbolet e lavdisë më të madhe e kanë lënë veten të bien në këtë turp të pakufi. Ç'u bë me synimet e tyre të larta? Ku shkoi ndjenja e tyre e dinjitetit dhe e nderit? Dielli i lavdisë e i urtisë ka ndriçuar pareshtur mbi horizontin e Persisë, por sot ka rënë në një nivel aq të ulët saqë disa qeveritarë i kanë lejuar vetes të trajtohen si lodra në duart e të marrëve. Personi i lartpërmendur ka shkruar për këta njerëz në shtypin egjiptian dhe në Enciklopedinë e Bejrutit gjëra që kanë habitur të mirinformuarit e të diturit. Ai u vendos pastaj në Paris, ku botoi një gazetë me titull 'Urvatu'l-Vuthqá [Dorëza e Sigurt], duke dërguar kopje të saj në të katër anët e botës. Dërgoi një kopje edhe në Burgun e 'Akká-së, dhe me këtë donte të tregonte miqësi e të lante gjynahet për veprimet e kaluara. Me një fjalë, ky i Munduar ka heshtur lidhur me të. I lutemi Perëndisë, të Vetmit Perëndi të Vërtetë, ta mbrojë atë dhe të shtrijë mbi të dritën e drejtësisë e të paanësisë. Atij i takon të thotë:
38 O Perëndi Perëndia im! Ti më sheh të qëndroj para portës së ndjesës e të dashamirësisë Sate, me shikimin të kthyer ndaj horizontit të favoreve bujare e të bekimeve te Tua të shumta. O Zot i gjithë njerëzimit, të lutem për tingujt e ëmbël dhe për zërin kumbues të Penës Sate, të ndihmosh me dashamirësi shërbëtorët e Tu, siç u takon Ditëve të Tua e siç i përshtatet lavdisë së Manifestimit Tënd e të madhështisë Sate. Me të vërtetë, Ti je i pushtetshëm të bësh çdo gjë që dëshiron. Të gjithë ata që banojnë në qiejt e mbi tokë dëshmojnë për pushtetin Tënd e për fuqinë Tënde, për lavdinë dhe bujarinë Tënde. Lëvduar qofsh Ti, O Zoti i botëve dhe i shumëdashuri i zemrës së çdo njeriu largpamës.
39 Ti sheh, O Perëndia im, thelbin e varfërisë që kërkon oqeanin e begatisë Sate dhe brendinë e padrejtësisë të digjet nga etja për ujët e ndjesës Sate e të përdëllesës Sate të dhembshur. Dhuro, O Perëndia im, atë që i shkon për shtat lavdisë Sate të madhe dhe që i ka hije lartësisë së mirësisë Sate të pakufishme. Ti je me të vërtetë Bujariploti, Zoti i dashamirësisë së bollshme, Urdhëruesi, Urtiploti. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Fuqiplotit, Gjithënënshtruesit, të Gjithëpushtetshmit.
40 O njerëz të Perëndisë! Në këtë ditë të gjithë duhet t'i drejtojnë sytë ndaj horizontit të këtyre fjalëve të bekuara: 'I vetëm e pa asnjë ndihmë Ai bën çdo gjë që i pëlqen'. Kush arrin këtë pozitë ka arritur me të vërtetë dritën e unitetit thelbësor të Perëndisë dhe ndriçohet prej saj, ndërsa gjithë të tjerët numërohen në Librin e Perëndisë ndër pasuesit e fantazive boshe e të iluzioneve të kota. Vërini veshin Zërit të këtij të Munduari dhe mbroni integritetin e pozitës suaj. Është tepër e nevojshme dhe e ngutshme që të gjithë t'i përmbahen kësaj këshille.
41 Ky i Munduar gjithmonë ka shpallur, pa perde e mbulesa, në sy të të gjithë popujve të botës atë që do të jetë çelësi për të hapur dyert e shkencave, të arteve, të dijes, të mirëqenies, të mbarëvajtjes e të begatisë. Të këqiat e shkaktuara nga shtypësit nuk kanë mundur ta bëjnë të heshtë zërin kumbues të Penës Më të Lartësuar, dhe as kanë mundur dyshimet e njerëzve të mbrapshtë ose të rebelëve Ta pengojnë Atë të revelojë Fjalën më Sublime. I lutem me zjarr Perëndisë që të mbrojë e të dëlirë njerëzit e Bahá-it nga fantazitë boshe dhe imagjinatat e zvetënuara të pasuesve të Besimeve të vjetra.
42 O njerëz të Perëndisë! Njerëzit e ndershëm të diturisë që ia kushtojnë veten udhëheqjes së të tjerëve dhe janë të çliruar e të mbrojtur mirë nga shtytjet e një natyre të ulët e lakmitare, në sytë e Atij Që është Dëshira e botës janë yje në qiellin e dijes së vërtetë. Është e nevojshme që ata të trajtohen me respekt. Ata janë me të vërtetë burime të ujërave që rrjedhin qetë, yje që shkëlqejnë gjithë vezullim, fryte të Pemës së bekuar, përfaqësues të pushtetit qiellor dhe oqeane të urtisë hyjnore. Lum ai që shkon pas tyre. Me të vërtetë një shpirt i tillë numërohet në Librin e Perëndisë, Zotit të Fronit të fuqishëm, ndër ata që do të kenë lumturi.
43 Lavdia që vjen nga Perëndia, Zoti i Fronit atje Lart dhe i tokës këtu poshtë, qoftë me ju, o njerëz të Bahá-it, o ju shokë të Arkës Kërmëz, dhe me ata që i kanë kthyer veshët ndaj zërave tuaj të ëmbël dhe i janë përmbajtur asaj që u është urdhëruar në këtë Tabelë të fuqishme e të mahnitshme.
8
ISHRÁQÁT
(Shkëlqime)
1 Kjo është Letra e Perëndisë, Ndihmës në rrezik,
të Vetëqenëshmit
2 Ai është Perëndia, lartësuar qoftë Ai, Zoti i urtisë dhe i të folurit.
3 LËVDUAR qoftë Perëndia, i pakrahasueshëm për nga madhëria, forca e bukuria, i pashoq për nga lavdia, fuqia e madhështia; Ai është tepër i lartë që të mund Ta kapë përfytyrimi njerëzor ose që një shok a i barabartë të mund t'i vihet Atij përkrah. Ai e ka shtjelluar qartë Rrugën e Tij të drejtë me fjalë e thënie tepër elokuente. Me të vërtetë, Ai është Gjithëzotëruesi, Më i Lartësuari. Kur shtroi si qëllim të sillte në jetë krijimin e ri, Ai dërgoi nga horizonti i Vullnetit të Tij Pikën e Dukshme e të Shndritshme; ajo kaloi përmes të gjitha shenjave dhe u shfaq në të gjitha format, derisa arriti zenitin, siç kishte urdhëruar Perëndia, Zoti i të gjithë njerëzve.
4 Kjo pikë është vatra qendrore e rrethit të Emrave dhe shënon kulmin e manifestimeve të Shkronjave në botën e krijimit. Me anë të saj u shfaqën gjurmë të Misterit të padepërtueshëm, të Simbolit të stolisur, Ai Që është reveluar në Emrin Më të Madh - Emër i shënuar në Tabelën e shndritshme dhe i shkruar në Pergamenën e shenjtë, të bekuar e të bardhë si bora. Dhe kur Pika u bashkua me Shkronjën[26] që shfaqet në fillim të Mathání,[27] ajo përshkoi qiejt e paraqitjes e të të folurit. Dhe Drita e amshuar e Perëndisë përhapi shkëlqimin e saj, flakëroi në vetë zemrën e kupës qiellore të dëshmisë dhe krijoi dy yje ndriçues. Përlëvduar qoftë i Mëshirshmi, për të Cilin s'ka aluzion që mund të bëhet, të Cilin s'ka shprehje që Ta përkufizojë, s'ka pohim që Ta revelojë dhe s'ka shenjë që Ta përshkruajë. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, Bujariploti, si në fillim dhe në fund. Dhe Ai u dha atyre mbrojtës e mbështetës nga gjiri i ushtrive të pushtetit e të fuqisë. Me të vërtetë, Ai është Ndihma në Rrezik, i Fuqishmi, i Lirshmi.
5 Parathënia e kësaj Letre është reveluar dy herë,
po ashtu si Mathání
6 Lëvduar qoftë Perëndia, Që shfaqi Pikën dhe shpalosi që këtej dijen e të gjitha gjërave, të shkuara e të ardhme, - Pikë që Ai e zgjodhi si Lajmëtarin e Emrit të Tij, si Pararendësin e këtij Revelacioni të Madh që ka bërë të dridhen gjymtyrët e gjithë njerëzimit dhe të shndrisë mbi horizontin e botës shkëlqimi i dritës së Tij. Me të vërtetë, kjo është Pika që Perëndia vendosi të jetë një oqean drite për të sinqertët midis shërbëtorëve të Tij dhe një flakë zjarri për rebelët midis krijesave të Tij e për të pafetë midis njerëzve të Tij - për ata që e shkëmbyen dhuratën e Perëndisë me afetarinë e ushqimin qiellor me hipokrizinë dhe që i çuan pasuesit e tyre në një banesë të përçmuar. Këta janë njerëzit që, kur Qenia e pavdekshme u ngjit në fronin e Vet dhe Kasneci ngriti zërin nga streha e sigurisë dhe e paqes në Luginën e shenjtë, shfaqën rebelim në mbarë botën dhe shkelën Besëlidhjen e Tij.
7 O pasues të Bayán-it! Druajuni Mëshirëplotit. Ky është Ai Që ka përlëvduar Muhameti, Apostulli i Perëndisë, dhe para Tij Shpirti[28], dhe akoma më parë Ai Që bisedoi me Perëndinë.[29] Ky është Pika e Bayán-it, që thërret me zë të lartë para Fronit: 'Për drejtësinë e Perëndisë, ju jeni krijuar për të përlëvduar këtë Kumt Më të Madh, këtë Rrugë të Përkryer, të fshehur në shpirtrat e Profetëve, të ruajtur në zemrat e të zgjedhurve të Perëndisë dhe të shkruar nga Pena e lavdishme e Zotit tuaj, Zotëruesit të Emrave'.
8 Thuaj: Vdisni në tërbimin tuaj, o të ligj! Me të vërtetë është shfaqur Ai, dijes së të Cilit asgjë s'i shpëton. Ka ardhur Ai Që ka bërë të lulëzojnë kurora buzëqeshjesh në fytyrën e dijes hyjnore. Përmes Tij është zbukuruar mbretëria e fjalës, çdo shpirt i ndieshëm e ka kthyer fytyrën ndaj Zotit të Revelacionit, çdo i gjunjëzuar është ngritur në këmbë dhe çdo i mefshtë ka rendur për të arritur Sinain e sigurisë. Kjo është Dita që Perëndia ka urdhëruar të jetë bekim për të drejtët, ndëshkim për të mbrapshtët, shpërblim për besnikët dhe furi e zemërimit të Tij për të pafetë e rebelët. Me të vërtetë, Ai është shfaqur, i veshur nga Perëndia me sovranitet të pamposhtur. Ai ka reveluar atë me të cilën asgjë mbi tokë ose në qiejt nuk mund të krahasohet.
9 Druajuni Perëndisë, o njerëz të Bayán-it, dhe mos bëni atë që kanë bërë pasuesit e Kuranit - ata që ditë e natë shpallnin se qëndronin në Besimin e Perëndisë, e megjithatë, kur u shfaq Zoti i të gjithë njerëzve, u larguan prej Tij dhe dhanë kundër Tij një dënim aq të pashpirt saqë, në Ditën e Kthimit, Libri Amë vajtoi me hidhërim për fatin e Tij. Sillni ndërmend dhe peshoni veprat dhe fjalët e tyre, pozitat, meritat e tyre dhe gjërat që bënë kur Ai Që bisedoi mbi Sinai e zgjidhi gjuhën, kur kumboi zëri i Borisë, dhe të gjithë ata që ishin në qiell e mbi tokë u shtangën, përveç atyre që numërohen ndër shkronjat e pohimit.
10 O njerëz të Bayán-it! Hiqni dorë prej fantazive tuaja të kota e imagjinatave boshe dhe shihni me syrin e paanësisë Agimin e Revelacionit të Tij, mendoni për gjërat që Ai ka shfaqur, për fjalët që ka reveluar në mënyrë hyjnore dhe për vuajtjet që I kanë rënë mbi kokë në duart e armiqve. Ai është Që ka pranuar me dashje mundime të çdo lloji për të shpallur Kauzën e Tij dhe për të lartësuar Fjalën e Tij. Një kohë Ai vuajti burgun në tokën e Tá-së (Teheranit), një herë tjetër në tokën e Mím (Mázindaránit), dhe përsëri në atë të parën, për hir të Kauzës së Perëndisë, Artuesit të qiejve. Për dashurinë e Tij ndaj Kauzës së Perëndisë, Fuqiplotit, Bujariplotit, atë e lidhën me pranga e zinxhirë.
11 O njerëz të Bayán-it! I keni harruar paralajmërimet që ka reveluar Pena Ime dhe që ka shqiptuar gjuha Ime? E keni shkëmbyer sigurinë Time me fantazitë tuaja të kota dhe Rrugën Time me dëshirat tuaja egoiste? Keni flakur tej porositë e Perëndisë e kujtimin e Tij dhe keni harruar ligjet e urdhrat e Tij? Druajuni Perëndisë dhe lerjani imagjinatat boshe atyre që i kanë pjellur, dhe bestytnitë atyre që i shpikin, dhe dyshimet atyre që i nxitin. Shkoni, pra, me fytyra të gëzuara e me zemra të panjolla drejt horizontit, mbi të cilin shndrit shkëlqyeshëm Ylli i Ditës i sigurisë, me urdhër të Perëndisë, Zotit të Revelacioneve.
12 Lëvduar qoftë Perëndia Që e ka bërë Pagabueshmërinë Më të Madhe mburojën e tempullit të Kauzës së Tij në mbretërinë e krijimit dhe nuk i ka caktuar askujt pjesë në këtë pozitë të lartësuar e sublime - pozitë e cila është një rrobë që gishtat e pushtetit të përkryer e kanë thurur për Veten e Tij auguste. Ajo nuk i shkon askujt, veç Atij Që është ulur në fronin e fuqishëm të 'Ai bën atë që i pëlqen'. Kush pranon dhe njeh atë që shkruhet në këtë moment nga Pena e Lavdisë, numërohet me të vërtetë në Librin e Perëndisë, Zotit të fillimit e të fundit, ndër mbështetësit e unitetit hyjnor, ndër ata që përkrahin konceptin e njëshmërisë së Perëndisë.
13 Kur rryma e fjalëve arriti këtë fazë, u përhapën shijet e ëmbla të dijes së vërtetë dhe ylli i ditës i unitetit hyjnor ndriçoi mbi horizontin e të folurës së Tij të shenjtë. I bekuar është ai që Thirrja e Tij e ka tërhequr në majën e lavdisë, që i është qasur pranë Qëllimit të fundit dhe që ka njohur përmes zërit kumbues të Penës Sime të Lavdisë atë që Zoti i kësaj bote dhe i tjetrës ka dashur. Kush nuk pi verën e zgjedhur që Ne kemi hapur me fuqinë e Emrit Tonë, Gjithënënshtruesit, nuk do të jetë në gjendje të shquajë shkëlqimet e dritës së unitetit hyjnor ose të kuptojë qëllimin thelbësor që përshkon Shkrimet e Perëndisë, Zotit të qiellit e të tokës, Sunduesit sovran të kësaj bote e të botës që do të vijë. Një njeri i tillë do të numërohet midis të pafeve në Librin e Perëndisë, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit.
14 O ti hulumtues i nderuar![30] Dëshmojmë se, gjatë ditëve në të cilat Pena u frenua të lëvizte dhe Gjuha ngurronte të jepte një shpjegim lidhur me shenjën e mahnitshme, Pagabueshmërinë Më të Madhe, ti i je përmbajtur gjithmonë një durimi të përshtatshëm. Ti i ke kërkuar këtij të Munduari të t'i heqë perdet e mbulesat e saj, të sqarojë misterin dhe karakterin e saj, gjendjen e pozitën e saj, përsosurinë, sublimitetin dhe lartësimin e saj. Për jetën e Perëndisë! Po të zbulonim margaritarët e dëshmisë, që qëndrojnë të fshehur në guaskat e oqeanit të dijes e të sigurisë, ose po të linim bukuritë e misterit hyjnor, që qëndrojnë të fshehura në dhomat e të folurit në Parajsën e të kuptuarit të vërtetë, të dalin prej vendqëndrimeve të tyre, atëherë nga çdo drejtim midis krerëve të feve do të shpërthenin trazira të egra dhe ti do të shihje njerëzit e Perëndisë të mbërthyer në dhëmbët e atyre ujqërve që kanë mohuar Perëndinë si në fillim dhe në fund. Prandaj Ne për një kohë të gjatë e frenuam Penën, sipas urtisë hyjnore dhe për të mbrojtur besnikët nga ata që i kanë shkëmbyer bekimet qiellore me afetarinë, duke zgjedhur për njerëzit e tyre banesën e humbjes.[31]
15 O ti kërkues me shikim të mprehtë. Betohem për Atë Që tërhoqi Tubimin e Epërm me fuqinë e Fjalës së Tij më sublime! Me të vërtetë, zogjtë që banojnë brenda zotërimeve të Mbretërisë Sime dhe pëllumbat që rrinë në trëndafilishten e urtisë Sime përhapin melodi e gugatje të padeshifrueshme për të gjithë veç Perëndisë, Zotit të mbretërive të tokës e të qiellit; dhe sikur këto melodi të reveloheshin, qoftë edhe më pak se një vrimë gjilpëre, shtypësit do të përhapnin shpifje të tilla që asnjë prej brezave të mëparshëm nuk i ka përhapur dhe do të kryenin bëma të tilla që askush në kohët e shekujt e shkuar kurrë nuk i ka kryer. Ata kanë refuzuar favorin e Perëndisë e provat e Tij dhe kanë mohuar dëshminë e Perëndisë e shenjat e Tij. Ata kanë shkuar në rrugë të shtrembër dhe kanë çuar të tjerët në rrugë të shtrembër, por nuk e kuptojnë. Adhurojnë imagjinata të kota, por nuk e dinë. Kanë bërë zotër të vet fantazi boshe dhe kanë shpërfillur Perëndinë, por nuk e marrin vesh. Kanë braktisur oqeanin më të madh dhe po nxitojnë drejt një pellgu me ujë, por nuk e shohin. Ata ndjekin fantazitë e veta boshe dhe i largohen Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
16 Thuaj, për drejtësinë e Perëndisë! Mëshirëploti ka ardhur i veshur me pushtet e sovranitet. Nga fuqia e Tij janë lëkundur themelet e feve dhe Bilbili i Fjalës ka kënduar melodinë e tij në degën më të lartë të të kuptuarit të vërtetë. Me të vërtetë, Ai Që ishte i fshehur në dijen e Perëndisë dhe Që përmendet në Shkrimet e Shenjta është shfaqur. Thuaj, kjo është Dita kur Ai Që Foli në Sinai ka hipur në fronin e Revelacionit dhe njerëzit kanë qëndruar para Zotit të botëve. Kjo është Dita kur toka ka dhënë lajmet e saj dhe ka zbuluar thesaret e veta; kur oqeanet kanë nxjerrë në shesh margaritarët e tyre dhe Pema hyjnore e Lotusit ka dhënë frutin e saj; kur Dielli ka lëshuar rrezatimin e tij dhe Hënat kanë përhapur dritën e tyre, dhe qiejt kanë treguar yjet e tyre, dhe Ora shenjat e saj, dhe Ringjallja madhështinë e saj të frikshme; kur penat kanë liruar rrjedhjen e tyre dhe shpirtrat kanë nxjerrë në shesh misteret e tyre. I bekuar është njeriu që e njeh Atë dhe arrin në praninë e Tij, dhe mjerë ata që E mohojnë e i kthejnë shpinën Atij. I lutem Perëndisë t'i ndihmojë shërbëtorët e Tij të kthehen pranë Tij. Me të vërtetë, Ai është Falësi, Zemërbuti, i Mëshirshmi.
17 O ti që e ke kthyer fytyrën ndaj Mbretërisë së Epërme dhe ke pirë nga dora e bujarisë verën Time të vulosur! Dije se termi 'Pagabueshmëri' ka shumë kuptime dhe shkallë të ndryshme. Në një kuptim ai është i zbatueshëm ndaj Atij Që Perëndia e ka bërë të paprekshëm nga gabimi. Po kështu është i zbatueshëm ndaj çdo shpirti që Perëndia e ka ruajtur nga mëkati, faji, rebelimi, mbrapshtia, afetaria e të tjera si këto. Por Pagabueshmëria Më e Madhe kufizohet vetëm me Atë, Pozita e të Cilit është pafundësisht e lartësuar tej urdhërave ose ndalimeve dhe e spastruar nga gabimet e harresat. Me të vërtetë, Ai është një Dritë që nuk pasohet nga errësira dhe një e Vërtetë që nuk preket nga gabimi. Sikur Ai të thoshte se uji është verë, ose se qielli është tokë apo se drita është zjarr, Ai do të thoshte të vërtetën e nuk do të kishte asnjë dyshim lidhur me këtë; dhe askush nuk ka të drejtën të verë në diskutim autoritetin e Tij ose të thotë përse ose prandaj. Kush bën vërejtje numërohet midis rebelëve në Librin e Perëndisë, Zotit të Botëve. 'Me të vërtetë, Atij nuk i kërkohet llogari për ato Që bën, ndërsa gjithë të tjerëve do t'u kërkohet llogari'.[32] Ai ka zbritur nga qielli i padukshëm, duke mbajtur flamurin 'Ai bën atë që do', i shoqëruar nga ushtritë e pushtetit e të autoritetit, ndërsa me përjashtim të Tij të gjithë duhet të zbatojnë me rreptësi çdo ligj e urdhër që u është dhënë, dhe po qe se dikush do t'u bënte bisht atyre, qoftë edhe sa një fije floku, vepra e tij do të kthehej në hiç.
18 Mendo e sill ndërmend kohën në të cilën u shfaq Muhameti. Ai ka thënë, dhe fjala e Tij është e vërteta: 'Haxhillëku te Shtëpia[33] është një shërbim që i detyrohet Perëndisë'.[34] Dhe po kështu janë lutja e përditshme, agjërimi dhe ligjet që shkëlqejnë në horizontin e Librit të Perëndisë, Zotit të Botës dhe Edukatorit të vërtetë të popujve e të fiseve të tokës. Të gjithë e kanë për detyrë t'i binden Atij për çdo gjë që ka urdhëruar Perëndia; dhe kush e mohon Atë nuk ka besuar te Perëndia, te vargjet e Tij, tek të Dërguarit e Tij dhe te Librat e Tij. Sikur Ai të thoshte se e drejta është e gabuar ose se mohimi është besim, Ai do të thoshte të vërtetën sipas urdhrit të Perëndisë. Kjo është një shkallë në të cilën nuk ekzistojnë e as përmenden mëkatet ose fajet. Mendo për vargun e bekuar, hyjnisht të reveluar, në të cilin haxhillëku te Shtëpia i urdhërohet gjithsecilit. Ishte detyrë e atyre që ishin të veshur me autoritet pas Tij[35] të zbatonin çdo gjë që u urdhërohej në Librin. Askujt nuk i është dhënë e drejta t'u shmanget ligjeve dhe urdhrave të Perëndisë. Kush u shmanget atyre numërohet midis mëkatarëve në Librin e Perëndisë, Zotit të Fronit të Fuqishëm.
19 O ti që e ke mbërthyer shikimin në Vendagimin e Kauzës së Perëndisë! Dije me siguri se Vullneti i Perëndisë nuk është i kufizuar nga kriteret e njerëzve dhe se Perëndia nuk shkel në shtigjet e tyre. Përkundrazi, është detyrë e të gjithëve t'i përmbahen vendosmërisht Shtegut të drejtë të Perëndisë. Sikur Ai të thoshte se e djathta është e majta ose se jugu është veriu, Ai do të thoshte të vërtetën dhe nuk do të kishte vend për dyshim lidhur më këtë. Me të vërtetë, Ai duhet lëvduar në veprimet e Tij dhe urdhrave të Tij u duhet bindur. Ai nuk ka shok në gjykimin e Tij dhe as ndihmës në sovranitetin e Tij. Ai bën atë që do dhe urdhëron atë që I pëlqen. Dije gjithashtu se të gjithë të tjerët përveç Tij janë krijuar nga fuqia e një fjale të pranisë së Tij, ndërsa nga vetë vetja e tyre nuk kanë as lëvizje e as qetësi, por vetëm me urdhër të Tij e me lejen e Tij.
20 O ti që fluturon në atmosferën e dashurisë e të miqësisë dhe që e ke drejtuar shikimin ndaj dritës së fytyrës së Zotit tënd, Mbretit të krijimit! Falëndero Perëndinë, sepse të ka reveluar atë që qëndronte e fshehur dhe e ruajtur në dijen e Tij, në mënyrë që askush të mos e dinte se brenda mbretërisë së Tij të pagabueshmërisë Ai nuk ka marrë as ortakë e as këshilltarë. Ai është me të vërtetë Agimi i porosive e i urdhrave hyjnorë dhe Burimi i dijes e i urtisë, ndërsa të gjithë të tjerët përveç Tij s'janë veçse nënshtetas të Tij e nën sundimin e Tij, dhe Ai është Sunduesi suprem, Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
21 Përsa të takon ty, kurdo që je i magjepsur prej flladeve gjallëruese të vargjeve të reveluara dhe i rrëmbyer prej ujit të kulluar, jetëdhënës të dhuruar nga dora e bujarisë e Zotit tënd, Sunduesit sovran të Ditës së Ringjalljes, ngrej zërin dhe thuaj:
22 O Perëndia im! O Perëndia im! Të falënderoj që më ke drejtuar për tek Ti, më ke udhëhequr ndaj horizontit Tënd, më ke treguar qartë Shtegun Tënd, më ke reveluar dëshminë Tënde dhe ke bërë që ta kthej fytyrën drejt Teje, ndërsa shumë doktorë e teologë ndër shërbëtorët e Tu, bashkë me pasuesit e tyre, pa as më të voglën provë e dëshmi janë larguar prej Teje. Bekuar qofsh Ti, O Zot i Emrave, dhe lavdia qoftë mbi Ty, O Krijues i qiejve, sepse me anën e fuqisë së Emrit Tënd, të Vetëqenëshmit, më ke dhënë të pi verën Tënde të vulosur, ke bërë që të qasem pranë Teje dhe ke lejuar që unë të shquaj Agimin e fjalës Sate, Manifestimin e shenjave të Tua, Kroin e ligjeve e të porosive të Tua dhe burimin e urtisë Sate e të dhuratave të Tua. E bekuar është toka e fisnikëruar prej hapave të Tu, ku është vendosur froni i sovranitetit Tënd dhe ku përhapet aroma e rrobës Sate. Për lavdinë e madhështinë Tënde, për fuqinë e pushtetin Tënd, nuk e dua shikimin veçse për të soditur bukurinë Tënde, dhe dëgjimin për të ndier thirrjen Tënde dhe vargjet e Tua.
23 O Perëndia im! O Perëndia im! Mos i pengo sytë që të shohin atë për të cilën Ti i ke krijuar ata, dhe as fytyrat që të kthehen drejt horizontit Tënd, ose të bëjnë homazhe në portat e madhërisë Sate, ose të paraqiten në praninë e fronit Tënd, ose të përkulen para shkëlqimeve të Yllit të Ditës të bujarisë Sate.
24 Unë jam ai, O Zot, që me zemër, me shpirt, me gjymtyrë, me gjuhën e brendshme e të jashtme vërtetoj unitetin Tënd e njëshmërinë Tënde, që dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Ti i solle njerëzinë në jetë që të Të njohin Ty dhe t'i shërbejnë Kauzës Sate, që pozita e tyre të lartësohet mbi tokën Tënde dhe shpirtrat e tyre të frymëzohen falë gjërave që Ti ke reveluar në Shkrimet, në Librat dhe në Tabelat e Tua. Megjithatë, sapo Ti u shfaqe dhe revelove shenjat e Tua, ata u larguan prej Teje, Të mohuan dhe hodhën poshtë atë që Ti zbulove para syve të tyre përmes forcës së fuqisë Sate e të pushtetit Tënd. Ata u ngritën për të Të bërë keq Ty, për të fikur dritën Tënde dhe për të shuar zjarrin që digjet në Drizën Tënde të Përflakur. Ligësia e tyre u bë kaq e ulët, saqë ata komplotuan për të derdhur gjakun Tënd e për të përdhunuar nderin Tënd. Dhe po kështu veproi ai[36] që Ti e pate rritur me dorën e dashamirësisë Sate të përzemërt, e pate ruajtur nga prapësia e rebelëve midis krijesave të Tua dhe e kryeneçëve midis shërbëtorëve të Tu, dhe që i kishe ngarkuar detyrën të kopjonte vargjet e Tua të shenjta para fronit Tënd.
25 Sa keq! Sa keq! për gjërat që ai kreu në ditët e Tua, deri atje sa shkeli Besëlidhjen Tënde dhe Testamentin Tënd, hodhi poshtë Shkrimet e Tua të Shenjta, u rebelua dhe kreu atë që i bëri të vajtojnë qytetarët e Mbretërisë Sate. Dha sapo e pa që shpresat e tij u mposhtën dhe ndjeu erën e dështimit të plotë, ai ngriti zërin dhe tha atë që i bëri të shtangen të zgjedhurit e Tu që qëndrojnë pranë Teje dhe bujtësit e pavijonit të lavdisë.
26 Ti më sheh, O Perëndia im, të dridhem nga dhimbja si një peshk i hedhur në pluhur. Më çliro, ki mëshirë për mua, O Ti që për ndihmë të gjithë I luten, O Ti që mban në dorë frerët e pushtetit mbi të gjithë burrat e gratë. Sa herë mendoj për të metat e mia të mëdha dhe fajet e mia të rënda, më pushton dëshpërimi nga të gjitha anët, dhe sa herë ndalem e mendoj për oqeanin e bujarisë Sate, për qiellin e favorit Tënd e për yllin e ditës të dhembshurisë Sate të përzemërt, thith aromën e shpresës që përhapet nga e djathta e nga e majta, nga veriu e nga jugu, sikur çdo gjë e krijuar të më jepte lajmin e gëzuar se retë e qiellit të mëshirës Sate do të reshin mbi mua shiun e tyre. Për fuqinë Tënde, O Ti Që je Mbështetja e të sinqertëve dhe Dëshira e atyre që qëndrojnë pranë Teje! Favoret e të mirat e panumërta dhe shfaqjet e hirit e të dashamirësisë Sate të përzemërt me të vërtetë më kanë dhënë guxim. Përndryshe si mundet hiçi absolut të madhërojë Emrin e Atij Që me një fjalë të vetme solli në jetë krijimin, dhe si mundet një krijesë jetëshkurtër të lartësojë Atë Që e ka provuar se asnjë përshkrim nuk mundet kurrë Ta shëmbëllejë dhe asnjë elozh të lartësojë lavdinë e Tij? Në përjetësi Ai ka qenë pafundësisht i lartësuar tej kuptimit të krijesave të Tij dhe i spastruar nga konceptet e shërbëtorëve të Tij.
27 O Zot! Ti e sheh këtë qenie të pajetë para Fytyrës Sate; me zemërgjerësinë Tënde dhe me favorin Tënd bujar, mos lejo që asaj t'i mohohet kupa e pavdekësisë. Ti e sheh këtë krijesë të vuajtur që qëndron para fronit Tënd, mos e largo atë nga oqeani i shërimit Tënd. Unë të përgjërohem të më lejosh që në çdo kohë e në të gjitha rrethanat të Të kujtoj Ty, të lartësoj Emrin Tënd e t'i shërbej Kauzës Sate, megjithëse e di mirë se çdo gjë që vjen nga një shërbëtor nuk mund të kapërcejë kufijt e shpirtit të tij, as t'i përshtatet Zotërisë Sate dhe as të jetë i denjë për oborrin e lavdisë e të madhështisë Sate.
28 Fuqia Jote më është dëshmitare! Po të mos ishte për të Të thurur lavde Ty, gjuha ime nuk do të më duhej për asgjë, dhe po të mos ishte për të Të shërbyer Ty, qenia ime nuk do të më vlente aspak. E për çfarë do të më ishte i shtrenjtë shikimi, në qoftë se jo për gëzimin që të sodis shkëlqimet e mbretërisë Sate të lavdisë? E në qoftë se jo për lumturinë që të dëgjoj zërin Tënd aq të ëmbël, për çfarë do të më duhej dëgjimi?
29 Sa keq! Sa keq! Unë nuk e di, O Perëndia im, Mbështetja ime, Dëshira e zemrës sime, nëse Ti ke urdhëruar për mua atë që do të ngushëllojë sytë e mi, do të ngazëllejë gjoksin tim e do të gëzojë zemrën time, apo vendimi yt i prerë, O Mbret i Përjetësisë e Zot sovran i të gjitha kombeve, është të më pengojë të paraqitem para fronit Tënd. Betohem për lavdinë e madhështinë Tënde dhe për sundimin e pushtetin Tënd, errësira e largesës sime prej Teje më ka shkatërruar. Ç'ka ndodhur me dritën e afërsisë Sate, O Dëshira e çdo zemre që kupton? Agonia sfilitëse e ndarjes prej Teje më ka dërrmuar. Ku është drita rrezëlluese e bashkimit me Ty, O i Shumëdashuri i atyre që Të janë besnikë?
30 Ti e sheh, O Perëndia im, se ç'kam pësuar unë në Shtegun Tënd nga duart e atyre që kanë mohuar të Vërtetën Tënde, kanë shkelur Besëlidhjen Tënde, kanë nxjerrë kleçka për shenjat e Tua, kanë refuzuar dhuratat që Ti ke dhënë, nuk kanë besuar në vargjet që Ti ke dërguar dhe nuk kanë pranuar të njohin dëshminë që Ti ke përmbushur.
31 O Zot! Gjuha e gjuhës sime, dhe zemra e zemrës sime, dhe shpirti i shpirtit tim, dhe qenia e ime e jashtme e më intime dëshmojnë për unitetin Tënd e njëshmërinë Tënde, për pushtetin Tënd e gjithëfuqinë Tënde, për madhështinë Tënde e sovranitetin Tënd, dhe vërtetojnë lavdinë, lartësinë e autoritetin Tënd. Unë dëshmoj se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Në përjetësi Ti ke qenë një thesar i fshehur prej syve e mendjeve të njerëzve dhe do të mbetesh i tillë përgjithmonë. Forcat e tokës kurrë nuk mund të Të mposhtin, dhe as mundet fuqia e kombeve të Të tronditë. Ti je Ai Që ka hapur portën e dijes përpara shërbëtorëve të Tu, që ata të njohin Atë Që është Ylli i Ditës i Revelacionit Tënd, Vendagimi i shenjave të Tua, Qielli i manifestimit Tënd dhe Dielli i bukurisë Sate hyjnore. Në Librat e Tu të shenjtë, në Shkrimet e në Pergamenat e Tua Ti u ke premtuar popujve të botës se Ti Vetë do të shfaqesh dhe do t'i heqësh perdet e lavdisë prej fytyrës Sate, ashtu siç i kumtove me fjalët e Tua Mikut Tënd[37], përmes të Cilit Ylli i Ditës i Revelacionit shkëlqeu i shndritshëem mbi horizontin e Hijáz-it dhe drita e agimit e së Vërtetës hyjnore përhapi rrezet e saj midis të gjithë njerëzve, duke shpallur: 'Ditën kur gjithë njerëzia do të qëndrojnë para Zotit të botëve'.[38] Dhe para Muhametit Ia njoftove këtë lajm të gëzuar Atij Që bisedoi me Ty,[39] duke thënë: 'Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe kujtoi atij ditët e Perëndisë'.[40] Ti ua shpalle gjithashtu këtë të vërtetë Shpirtit[41] dhe Profetëve e Lajmëtarëve të Tu, të së shkuarës së largët e më të vonshme. Sikur të gjitha ato që Ti ke dërguar në përlëvdim të këtij Kujtimi Më të Lartë, të këtij Kumti të Madh, të rridhnin nga gurra e Penës Sate më auguste, banorët e qyteteve të dijes e të të kuptuarit do të shtangeshin, me përjashtim të atyre që Ti do t'i çliroje me pushtetin e fuqisë Sate dhe do t'i mbroje si shenjë e favorit dhe e hirit Tënd bujar. Unë dëshmoj se Ti me të vërtetë e përmbushe premtimin dhe e shfaqe Atë, ardhja e të Cilit ishte parashikuar nga Profetët e Tu, nga të zgjedhurit e Tu dhe nga ata që të shërbejnë Ty. Ai ka ardhur nga qielli i lavdisë e i pushtetit, duke mbajtur flamujt e shenjave të Tua dhe emblemat e dëshmive të Tua. Me fuqinë e forcës e të pushtetit Tënd të pamposhtur, Ai u ngrit para të gjithë njerëzve dhe i bëri thirrje mbarë njerëzimit drejt majave të lavdisë së paanë dhe të Horizontit më të lartë, kështu që as shtypja e klerit dhe as sulmi i furishëm i sundimtarëve nuk e penguan dot. Ai u ngrit me vendosmëri të patundur dhe, duke e zgjidhur gjuhën, shpalli me theks kumbues: 'Ai Që është Bujariploti ka ardhur, hipur lart mbi retë. O njerëz të tokës, ejani përpara me fytyra të shndritshme e me zemra rrezëlluese!'.
32 I madh vërtet është bekimi i atij që mbrrin në praninë Tënde, pi verën e ribashkimit të ofruar nga dora e bujarisë Sate, thith aromën e shenjave të Tua, zgjidh gjuhën për të Të lëvduar Ty, fluturon lart në qiejt e Tu, rrëmbehet nga ëmbëlsia e zërit Tënd, pranohet në Parajsën më të lartë dhe arrin pozitën e revelacionit e të vizionit para fronit të madhështisë Sate.
33 Të lutem për Pagabueshmërinë Më të Madhe që ke zgjedhur për të qenë agimi i Revelacionit Tënd, dhe për Fjalën Tënde më sublime, me anë të së cilës Ti solle në jetë gjithësinë dhe revelove Kauzën Tënde, dhe për këtë Emër që i ka bërë të gjithë emrat e tjerë të lëshojnë ofshama dhe të dridhen gjymtyrët e të urtëve, të lutem Ty të më bësh të shkëputur prej çdo gjëje tjetër veç Teje, që unë të mos lëviz veçse me pëlqimin e Vullnetit Tënd, dhe të mos flas veçse me urdhër të Synimit Tënd, dhe të mos dëgjoj asgjë veç fjalëve të lëvdimit e të madhërimit Tënd.
34 Madhëroj Emrin Tënd, O Perëndia Im, dhe Të falënderoj Ty, O Dëshira Ime, që më ke bërë të aftë të shquaj qartë Shtegun Tënd të drejtë, ke zbuluar para syve të mi Kumtin Tënd të Madh dhe më ke ndihmuar ta kthej fytyrën ndaj Agimit të Revelacionit Tënd dhe Kroit të Kauzës Sate, ndërsa shërbëtorët dhe njerëzit e Tu Të kanë kthyer shpinën. Të lutem, O Zot i Mbretërisë së përjetësisë, për zërin kumbues të Penës së Lavdisë, dhe për Zjarrin Flakërues që thërret më zë të madh nga Pema e gjelbëruar, dhe për Arkën që ke Ti zgjedhur posaçërisht për njerëzit e Bahá-it, të bësh që unë të qëndroj i patundur në dashurinë time për Ty, i kënaqur me çdo gjë që Ti më ke urdhëruar në Librin Tënd, dhe që të qëndroj i palëkundur në shërbimin Tënd dhe në shërbim të të dashurve të Tu. Ki, pra, mirësinë, O Perëndia im, të ndihmosh shërbëtorët e Tu të bëjnë atë që do të shërbejë për të lartësuar Kauzën Tënde dhe që do t'u lejojë atyre t'i përmbahen çdo gjëje që Ti ke reveluar në Librin Tënd.
35 Me të vërtetë ti je Zoti i Forcës, Ti je i pushtetshëm të urdhërosh çdo gjë që Ti dëshiron dhe mban në duart e Tua frerët e të gjitha gjërave të krijuara. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit.
36 O Jalíl! Ne kemi zbuluar në sytë e tu detin dhe valët e tij, diellin dhe rrezet e tij, qiejt dhe yjet e tyre, guaskat dhe margaritarët e tyre. Falëndero Perëndinë për këtë mirësi kaq të madhe, për këtë favor kaq mirëdashës që ka përfshirë gjithë botën.
37 O ti që e ke kthyer fytyrën ndaj shkëlqimeve të Fytyrës Sime! Fantazi boshe janë përhapur midis banorëve të tokës dhe i pengojnë ata të kthehen drejt Horizontit të Sigurisë e shkëlqimit të tij, dhe manifestimeve e dritave të tij. Imagjinata të kota i kanë mbajtur ata larg Atij Që është i Vetëqenëshmi. Ata flasin nën shtytjen e tekave të veta dhe nuk kuptojnë. Midis tyre janë ata që kanë thënë: 'Janë dërguar vargjet?' Thuaj 'Po, për Atë Që është Zoti i qiejve!' 'A ka ardhur Ora?' 'Jo, më tepër; ajo ka kaluar, për Atë Që është Reveluesi i shenjave të qarta! Me të vërtetë, e Pashngshmja ka ardhur dhe Ai, i Vetmi Vërtetë, është shfaqur me prova e dëshmi. Fusha është hapur dhe njerëzimi është tepër i tronditur e i trembur. Kanë shpërthyer tërmete dhe fiset kanë vajtuar nën frikën e Perëndisë, Zotit të Forcës, të Papërballueshmit'. Thuaj 'Është ngritur lart kumbimi shurdhues i borisë dhe Dita është e Perëndisë, të Vetmit, të Lirshmit'. Dhe ata thonë: 'A ka ndodhur katastrofa?' Thuaj 'Po, për Zotin e Zotave!' 'A ka ardhur ringjallja?' 'Jo, më tepër; Ai Që është i Vetëqenëshmi është shfaqur me Mbretërinë e shenjave të Tij'. 'I sheh njerëzit të përulur?' 'Po, për Zotin tim, Më të Lartin, Lavdiplotin!' 'A janë shkulur me rrënjë trungjet?' 'Po, madje më tepër; malet janë bërë pluhur; për Atë Që është Zoti i atributeve!' Ata thonë: 'Ku është Parajsa, dhe ku është Ferri?' Thuaj: 'E para është bashkimi me Mua; tjetri është vetë vetja jote, o ti që i vë ortak Perëndisë dhe dyshon'. Ata thonë: 'Ne nuk e shohim Peshoren'. Thuaj: 'Sigurisht, për Zotin tim, Perëndinë e Mëshirës! Askush nuk mund ta shohë, veç atyre që janë të ndriçuar'. Ata thonë: 'Kanë rënë yjet?' Thuaj: 'Po, kur Ai Që është i Vetëqenëshmi banonte në Tokën e Misterit.[42] Kini mendjen, o ju që jeni mendjemprehtë!' Të gjitha shenjat u shfaqën, kur nga gjiri i madhështisë e i fuqisë Ne shtrimë Dorën e Pushtetit. Me të vërtetë, kur koha e premtuar erdhi, Kasneci thirri dhe ata që njohën shkëlqimet e Sinait humbën ndjenjat në shkretëtirën e ngurrimit para madhështisë së frikshme të Zotit tënd, Zotit të krijimit. Boria pyet: 'A fryri Briri?' Thuaj: 'Po, për Mbretin e Revelacionit! kur Ai u ngjit në fronin e Emrit të Tij, Mëshirëplotit'. Errësirën e arratisi drita e agut e mëshirës së Zotit tënd, Burimit të çdo drite. Ka fryrë flladi i Mëshirëplotit dhe shpirtrat janë zgjuar në varret e trupave të tyre. Kështu Perëndia, i Fuqishmi, Bamirësi, e përmbushi dekretin. Ata që e refuzojnë të vërtetën kanë thënë: 'Kur u çanë më dysh qiejt?' Thuaj: 'Ndërkohë që ju ishit të shtrirë në varret e kokëfortësisë e të gabimit'. Midis të pabesëve është ai që fërkon sytë dhe shikon në të djathtë e në të majtë. Thuaj: 'Je i verbër! Nuk ka strehë ku të ikësh'. Dhe ndër ta është ai që thotë: 'A janë mbledhur bashkë njerëzit?' Thuaj: 'Po, për Zotin Tim! kur ti ishe i shtrirë në djepin e fantazive të kota'. Dhe midis tyre është ai që thotë: 'A është dërguar Libri përmes fuqisë së Besimit të vërtetë?' Thuaj: 'Vetë Besimi i vërtetë është shtangur. Druajuni, o ju njerëz me zemër që kupton!' Dhe midis tyre është ai që thotë: 'A jam mbledhur unë, i verbëri, bashkë me të tjerë?' Thuaj: 'Po, për Atë Që shkon kaluar mbi retë!' Parajsa është e stolisur me trëndafij mistikë, dhe ferri është flakëruar me zjarrin e të pafeve. Thuaj: 'Drita ka feksur nga horizonti i Revelacionit dhe gjithë toka është ndriçuar me ardhjen e Atij Që është Zoti i Ditës së Besëlidhjes!' Dyshuesit kanë marrë fund, ndërsa atij që, i udhëhequr nga drita e sigurisë, është kthyer drejt Agimit të Sigurisë, i ka ecur mbarë. I bekuar je ti që e ke mbërthyer shikimin tek Unë, për këtë Tabelë të dërguar për ty - Tabelë që i bën shpirtrat e njerëzve të fluturojnë lart. Mësoje atë përmendsh dhe recitoje. Për jetën Time! Ajo është një portë për te mëshira e Zotit tënd. Lum ai që e reciton atë në të ngrysur e në agim. Ne, me të vërtetë, e dëgjojmë lavdërimin tënd për këtë Kauzë, përmes së cilës u shemb mali i dijes dhe shkanë këmbët e njerëzve. Mbi ty, dhe mbi këdo që e ka kthyer fytyrën ndaj Fuqiplotit, Bujariplotit, qoftë lavdia Ime. Tabela mbaroi, por tema nuk është ezauruar. Ki durim, sepse Zoti yt ka durim.
38 Këto janë vargje që Ne i kemi dërguar më parë, dhe i kemi dërguar për ty, që ti të kesh dijeni për atë që kanë folur gjuhët e tyre mashtruese, kur tek ata erdhi Perëndia me fuqi e sovranitet. Janë lëkundur themelet e fantazive boshe dhe është çarë më dysh qielli i imagjinatave të kota, por ende njerëzit dyshojnë e i kundërvihen Atij. Ata kanë mohuar dëshminë e Perëndisë dhe provën e Tij, pasi Ai zbriti nga qielli i pushtetit me mbretërinë e shenjave të Tij. Ata kanë flakur tej atë që ishte urdhëruar dhe kanë bërë atë që u ishte ndaluar atyre në Librin. Ata kanë braktisur Perëndinë e tyre dhe janë kapur pas dëshirave të veta. Ata me të vërtetë kanë shkuar në rrugë të shtrembër dhe janë në gabim. Ata i lexojnë vargjet dhe i mohojnë ato. I shohin shenjat e qarta dhe u kthejnë krahët. Ata me të vërtetë janë zhytur në dyshime të çuditshme.
39 Ne i kemi paralajmëruar të dashurit Tanë të rrinë në frikë të Perëndisë, frikë që është burimi i të gjitha veprave e virtyteve të mira dhe prijësi i ushtrive të drejtësisë në qytetin e Bahá-it. Lum njeriu që është futur nën hijen e emblemës së saj të shndritshme dhe është kapur fort pas saj. Ai, me të vërtetë, është ndër shokët e Arkës Kërmëz, që përmendet në Qayyúm-i-Asmá.
40 Thuaj: O njerëz të Perëndisë! Stoliseni ballin me ornamentin e besueshmërisë e të përshpirtnisë. Ndihmojeni, pra, Zotin tuaj me një mori veprash të mira e me një karakter të lavdërueshëm. Në Librat e Mi, në Shkrimet e Mia, në Pergamenat e Mia dhe në Tabelat e Mia, Ne jua kemi ndaluar mosmarrëveshjet e konfliktet dhe s'kemi dëshiruar për ju tjetër veç lartësimit e përparimit tuaj. Për këtë dëshmojnë qiejt dhe yjet e tyre, dielli dhe rrezet e tij, drurët dhe gjethet e tyre, detet dhe valët e tyre, toka dhe thesaret e saj. I lutemi Perëndisë t'i ndihmojë të dashurit e Tij e t'i mbështesë në atë që u ka hije atyre në këtë pozitë të bekuar, të fuqishme e të mrekullueshme. I lutemi Atij gjithashtu t'u lejojë me dashamirësi atyre që Më rrethojnë t'i përmbahen asaj që Pena Ime e Lavdisë u ka urdhëruar.
41 O Jalíl! Mbi ty qofshin lavdia Ime dhe provania Ime dashamirëse. Me të vërtetë, Ne i kemi urdhëruar njerëzit të bëjnë atë që është e përshtatshme e u ka hije, por ata kanë kryer gjëra që i kanë bërë zemrën Time dhe Penën Time të vajtojnë. Mbaj vesh e dëgjo atë që është dërguar nga qielli i Vullnetit Tim e nga mbretëria e pëlqimit Tim. Unë nuk brengosem për burgimin Tim, dhe as për gjërat që Më kanë ndodhur nga duart e armiqve të Mi. Jo, brengat e Mia janë shkaktuar nga ata që thonë se janë të lidhur me Mua, por kryejnë gjëra që bëjnë të ngrihet zëri i vajit Tim dhe lotët e Mi të rrjedhin. Ne i kemi paralajmëruar ata për një kohë të gjatë në Tabela të ndryshme dhe I lutemi Perëndisë t'i ndihmojë me dashamirësi, t'i bëjë të aftë të qasen pranë Tij, t'i mbështesë në atë që do t'u sillte paqe zemrave e qetësi shpirtrave dhe t'i mbajë duart e tyre larg prej çdo gjëje që nuk është e denjë për ditët e Tij.
42 Thuaj, o të dashurit e Mi në tokat e Mia! Verini veshin këshillave të Atij Që ju paralajmëron për hir të Perëndisë. Në të vërtetë, Ai ju ka krijuar, ka reveluar para syve tuaj atë që ju lartëson e mbështet interesat tuaja. Ai ju ka treguar Shtegun e Tij të drejtë dhe ju ka njohur Me Kumtin e Tij të Madh.
43 O Jalíl! Paralajmëroi njerëzit të rrinë në frikë të Perëndisë. Në emër të Perëndisë! Kjo frikë është prijësi suprem i ushtrisë së Zotit tënd. Trupat e Tij janë karakteri i lavdërueshëm dhe veprat e mira. Përmes saj qytetet e zemrave njerëzore janë hapur gjatë epokave e shekujve dhe emblemat e epërsisë e të triumfit janë ngritur sipër të gjitha emblemave të tjera.
44 Tani do të të përmendim Besueshmërinë dhe pozitën e saj në sytë e Perëndisë, Zotit tënd, Zotit të Fronit të Fuqishëm. Një ditë prej ditësh shkuam në Ishullin Tonë të Blertë. Me të arritur, pamë ujërat e tij që rridhnin, dhe drurët e tij të harlisur, dhe dritën e diellit që luante midis tyre. Duke kthyer fytyrën nga e djathta, pamë atë që pena është e pafuqishme ta përshkruajë; dhe as mundet ajo të paraqesë atë që syri i Zotit të Njerëzimit pa në atë vend aq të shenjtë, aq sublim, aq të bekuar e të lartësuar. Duke u kthyer, pastaj, nga e majta, vështruam një prej Bukurive të Parajsës Më Sublime, që qëndronte mbi një shtyllë drite dhe që thërriste me zë të lartë e thoshte: 'O banorë të tokës e të qiellit! Soditni bukurinë Time, dhe rrezëllimin Tim, dhe revelacionin Tim, dhe shkëlqimin Tim. Për Perëndinë, Që është Vetëm Një! Unë jam Besueshmëria, dhe revelacioni i saj, dhe bukuria e saj. Do të shpërblej këdo që kapet pas Meje, dhe njeh rangun e pozitën Time, dhe mbahet fort pas cepit të rrobës Sime. Unë jam stolia më e madhe e njerëzve të Bahá-it dhe veshja e lavdisë për të gjithë ata që janë në mbretërinë e krijimit. Jam mjeti suprem për mbrothësinë e njerëzimit dhe horizonti i sigurisë për të gjitha qeniet'. Kështu kemi dërguar për ty atë që do t'i qasë njerëzit pranë Zotit të krijimit.
45 Pena e Më të Lartit kthehet nga gjuha elokuente[43] në atë dritëplotë[44] që ti, o Jalíl, të mund të çmosh mëshirën e dhembshur të Zotit tënd, të Pakrahasueshmit, dhe të jesh ndër ata që janë me të vërtetë mirënjohës.
46 O ti që e ke mbërthyer shikimin mbi Horizontin lavdiplotë! Thirrja është lëshuar, por veshët që dëgjojnë numërohen me gishta, madje nuk ekzistojnë. Ky i Munduar ndodhet në gojën e gjarprit, por nuk pushon së përmenduri të dashurit e Perëndisë. Aq të dhimbshme kanë qenë vuajtjet Tona në ato ditë saqë Tubimi i Epërm derdh lot e vajton. As fatkeqësitë e botës dhe as të këqiat e shkaktuara nga kombet e saj nuk do të mund ta pengonin Atë Që është Mbreti i Përjetësisë të lëshojë thirrjet e Tij ose të bënin të dështonte qëllimi i Tij. Kur ata që për vite të tëra janë fshehur prapa perdeve panë se horizonti i Kauzës shndriste dhe Fjala e Perëndisë përhapej kudo, u sulën dhe me shpatat e ligësisë shkaktuan një dëm të tillë që asnjë penë nuk mund ta përshkruajë e asnjë gjuhë ta tregojë.
47 Ata që gjykojnë me drejtësi dëshmojnë se qysh në ditët e hershme të Kauzës ky i Munduar u ngrit, haptazi e i shndritshëm, para mbretërve e njerëzve të zakonshëm, para sundimtarëve e teologëve dhe, me thekse kumbuese, i ftoi të gjithë të ndjekin Shtegun e drejtë. Ai nuk kishte ndihmës tjetër veç Penës së Tij, dhe asnjë mbështetës veç Vetvetes.
48 Ata që e injorojnë ose e përçmojnë qëllimin që frymëzon Kauzën e Perëndisë janë rebeluar kundër Tij. Këta njerëz janë shenjat e së keqes, që Perëndia i ka përmendur në Librin e në Tabelat e Tij dhe kundër ndikimit, zhurmës e mashtrimit të të cilëve Ai ka porositur njerëzit e Tij të kenë mendjen. Lum ata që, përballë kujtimit të Zotit të Përjetësisë, i konsiderojnë njerëzit e botës si një hiç absolut, si një gjë e harruar, dhe mbahen fort pas dorëzës së sigurt të Perëndisë, në mënyrë që as dyshimet e insinuatat, as shpatat e as topat të mos i largojnë dot ose t'i privojnë nga prania e Tij. Lum të patundurit; lum ata që qëndrojnë fort në Besimin e Tij.
49 Në përgjigje të kërkesës sate, Pena e Lavdisë ka pasur mirësinë të përshkruajë pozitat dhe shkallët e Pagabueshmërisë Më të Madhe. Qëllimi është që të gjithë ta dinë me siguri se Vula e Profetëve[45] - u flijofshin për Të shpirtrat e të gjithëve veç Tij - nuk ka shok, të barabartë e të njëjtë me Të në pozitën e Tij. Të Shenjtët[46] - Perëndia i bekoftë - u krijuan me fuqinë e Fjalës së Tij, dhe pas Tij ishin më të diturit e më të shquarit midis njerëzve dhe qëndrojnë në pozitën më të skajshme të shërbesës. Thelbi hyjnor, i spastruar nga çdo krahasim e ngjashmëri, është vendosur në Profetin, dhe Realiteti më intim i Perëndisë, i lartësuar tej çdo të barabarti ose ortaku, shfaqet tek Ai. Kjo është pozita e unitetit të vërtetë dhe e të qenit me të vërtetë një i vetëm. Pasuesit e Dispensacionit të mëparshëm nuk arritën kurrsesi të kishin një kuptim të përshtatshëm të kësaj pozite. Pika Parësore[47] - u flijoftë për Të jeta e të gjithëve - thotë: 'Sikur Vula e Profetëve të mos kishte thënë fjalën "Pasardhësí", një pozitë e tillë nuk do të ishte krijuar'.
50 Njerëzit e së shkuarës i bënin ortakë Perëndisë, edhe pse predikonin besimin në unitetin e Tij; e megjithëse ishin më injorantët midis njerëzve, e konsideronin veten si më të diturit. Por në këtë Ditë të Gjykimit, në shenjë ndëshkimi për këta të shkujdesur, besimet dhe punët e tyre të gabuara janë sqaruar e bërë të dukshme për çdo njeri të mprehtë e me mend.
51 Lutju Perëndisë së Vërtetë, Që është vetëm Një, që me dashamirësi t'i mbrojë pasuesit e këtij Revelacioni nga fantazitë e kota e imagjinatat e zvetënuara të atyre që i përkasin Besimit të mëparshëm, dhe të mos i privojë ata nga shkëlqimet e shndritshme të Yllit të Ditës të unitetit të vërtetë.
52 O Jalíl! Ai Që bota e ka munduar shpall tani: Drita e Drejtësisë është errësuar dhe dielli i Paanësisë është mbuluar. Grabitësi ka zënë vendin e mbrojtësit e të ruajtësit, dhe tradhtari ka pushtuar pozitën e besnikut. Një vit më parë mbi këtë qytet sundonte një shtypës dhe në çdo çast bënte të këqia pas të këqiash. Për drejtësinë e Zotit! Ai bëri gjëra që mbollën tmerr në zemrat e njerëzve. Por për Penën e Lavdisë tirania e botës kurrë nuk ka qenë e as do të jetë pengesë. Me begatinë e hirit e të dashamirësisë Sonë, Ne kemi reveluar në mënyrë të posaçme për sundimtarët dhe ministrat e botës atë që sjell shpëtim e mbrojtje, qetësi e paqe, që ndoshta bijtë e njerëzve të jenë të siguruar nga të këqiat e shtypjes. Ai, me të vërtetë, është Mbrojtësi, Ndihmëdhënësi, Ai Që Sjell Fitoren. Është detyrë e njerëzve të Shtëpisë së Drejtësisë të Perëndisë ta ngulin ditë e natë shikimin mbi atë që ka rrezatuar prej Penës së Lavdisë për edukimin e popujve, për ndërtimin e kombeve, për mbrojtjen e njeriut dhe për ruajtjen e nderit të tij.
Ishráq-u i parë
53 Kur u ngrit mbi horizontin e Dispensacionit të Shenjtë të Perëndisë, Ylli i Ditës i Urtisë foli këto fjalë lavdiplote: Ata që zotërojnë pasuri dhe janë të veshur me autoritet e pushtet duhet të shfaqin konsideratën më të thellë për fenë. Në të vërtetë, feja është një dritë rrezatuese e një kështjellë e pamposhtur për mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e popujve të botës, sepse frika e Perëndisë e detyron njeriun të mbahet fort pas së mirës dhe të shmangë të keqen. Po të shuhej llampa e fesë, do të lindnin kaosi e pështjellimi dhe dritat e ndershmërisë e të drejtësisë, të qetësisë e të paqes do të pushonin së ndriçuari. Për këtë dëshmon çdo njeri që me të vërtetë kupton.
Ishráq-u i dytë
54 Kemi urdhëruar gjithë njerëzimin të vendosë Paqen e Madhe, mjetin më të sigurt për mbrojtjen e njerëzimit. Sovranët e botës duhet, në marrëveshje të përbashkët, të kapen fort pas saj, sepse ajo është mjeti suprem që mund t'u sjellë sigurinë e mbarëvajtjen gjithë popujve e kombeve. Ata, me të vërtetë, janë manifestimet e pushtetit të Perëndisë dhe agimet e autoritetit të Tij. I lutemi Fuqiplotit të ketë mirësinë t'i ndihmojë ata në atë që u sjell mirëqenien nënshtetasve të tyre. Pena e Lavdisë ka dhënë më parë për këtë çështje një shpjegim të plotë; lum ata që veprojnë në përputhje me të.
Ishráq-u i tretë
55 Është detyrë e të gjithëve t'u përmbahen porosive hyjnore të Perëndisë, sepse ato janë burim jete për botën. Qielli i urtisë hyjnore është ndriçuar nga dy yjet e konsultimit e të mëshirës dhe tenda e rendit botëror mbështetet mbi dy shtyllat e shpërblimit e të ndëshkimit.
Ishráq-u i katërt
56 Ushtritë që mund ta bëjnë fitimtar këtë Revelacion janë aradhet e veprave të hijshme e të karakterit të mirë. Prijësi e udhëheqësi i këtyre ushtrive ka qenë gjithmonë frika e Perëndisë, frikë që përshkon të gjitha gjërat e që mbretëron mbi të gjitha gjërat.
Ishráq-u i pestë
57 Qeveritë duhet të njihen me kushtet e atyre që qeverisin dhe t'u akordojnë pozita sipas hakut e meritave. Urdhërohet çdo sundimtar e sovran ta shohë këtë çështje me kujdesin më të madh, në mënyrë që tradhtari të mos uzurpojë pozitën e besnikut, dhe as plaçkitësi të mos qeverisë në vend të të besueshmit. Ndër zyrtarët që në të kaluarën kanë qeverisur në këtë Burg Më të Madh disa, lëvduar qoftë Perëndia, ishin të stolisur me drejtësi, por përsa u përket të tjerëve, Na ruajtë Perëndia. I lutemi Perëndisë së Vërtetë, Që është Vetëm Një, t'i udhëheqë ata, të gjithë pa përjashtim, që ndoshta të mos privohen nga fryti i besimit e i besueshmërisë, e as të mos largohen nga drita e paanësisë dhe e drejtësisë.
Ishráq-u i gjashtë
58 është bashkimi e mirëkuptimi midis bijve të njerëzve. Që nga fillimi i kohës, drita e unitetit ka përhapur shkëlqimin e saj hyjnor mbi botë, dhe mjeti më i fuqishëm që kanë popujt e botës për të çuar përpara këtë unitet është që ata të kuptojnë shkrimin dhe gjuhën e njëri-tjetrit. Në Letra të mëparshme, Ne kemi ngarkuar të Besuarit e Shtëpisë së Drejtësisë që ose të zgjedhin njërën prej gjuhëve ekzistuese, ose të adoptojnë një gjuhë të re, dhe po kështu të zgjedhin një shkrim të përbashkët, dhe të dyja këto të mësohen në të gjitha shkollat e botës. Kështu toka do të konsiderohet si një vend e një shtëpi e vetme. Fryti më i lavdishëm i pemës së dijes është kjo thënie e lartësuar: Të gjithë jeni fryte të një peme të vetme dhe gjethe të së njëjtës degë. Të mos lëvdohet njeriu se do vendin e vet, përkundrazi të lëvdohet se do gjininë njerëzore. Lidhur me këtë Ne kemi reveluar më parë atë që është mjeti për rindërtimin e botës dhe unitetin e kombeve. Lum ata që e arrijnë këtë. Lum ata që veprojnë në përputhje me këtë.
Ishráq-u i shtatë
59 Pena e Lavdisë i këshillon të gjithë lidhur me shkollimin dhe edukimin e fëmijëve. Shih atë që Vullneti i Perëndisë reveloi kur Ne arritëm në Qytetin Burg dhe që është shkruar në Librin Më të Shenjtë[48]. Çdo baba e ka për detyrë të mësojë djalin dhe vajzën e vet në artin e leximit e të shkrimit, si dhe për çdo gjë që është formuluar në Tabelën e Shenjtë. Përsa i përket atij që e lë pas dore atë që i urdhërohet, të Besuarit do të marrin prej tij aq sa nevojitet për shkollimin e fëmijëve, në qoftë se është i pasur, dhe në qoftë se jo çështja i kalon Shtëpisë së Drejtësisë. Me të vërtetë, Ne e kemi bërë atë strehë për të varfërin e nevojtarin. Ai që shkollon të birin ose djalin e një tjetri, është sikur të kishte shkolluar një prej fëmijëve të Mi; mbi të qoftë Lavdia Ime, Dashamirësia Ime, Mëshira Ime, që ka rrethuar botën.
Ishráq-u i tetë
60 Ky pasazh, i shkruar tami nga Pena e Lavdisë, konsiderohet pjesë e Librit Më të Shenjtë: Punët publike u janë ngarkuar njerëzve të Shtëpisë së Drejtësisë të Perëndisë. Ata janë, me të vërtetë, të Besuarit e Perëndisë midis shërbëtorëve të Tij dhe agimet e autoritetit në vendet e Tij.
61 O njerëz të Perëndisë! Ajo që e mëson botën është Drejtësia, sepse ajo mbështetet mbi dy shtylla, mbi shpërblimin dhe ndëshkimin. Këto dy shtylla janë burimet e jetës për botën.O njerëz të Perëndisë! Ajo që e mëson botën është Drejtësia, sepse ajo mbështetet mbi dy shtylla, mbi shpërblimin dhe ndëshkimin. Këto dy shtylla janë burimet e jetës për botën. Duke qenë se çdo ditë ka një problem të ri dhe për çdo problem një zgjidhje të përshtatshme, këto çështje i duhen paraqitur Shtëpisë së Drejtësisë, në mënyrë që anëtarët e saj të veprojnë sipas nevojave dhe kërkesave të kohës. Ata që, për hir të Perëndisë, ngrihen për t'i shërbyer Kauzës së Tij, e marrin frymëzimin nga Mbretëria e padukshme. Është detyrë e të gjithëve t'u binden atyre. Të gjitha punët shtetërore duhet t'i paraqiten Shtëpisë së Drejtësisë, por veprimet e kultit duhen kryer në përputhje me atë që Perëndia ka reveluar në Librin e Tij.
62 O njerëz të Bahá-it! Ju jeni vendagimet e dashurisë së Perëndisë dhe agimet e dashamirësisë së Tij. Mos i ndyeni gjuhët duke mallkuar e sharë ndonjë shpirt, dhe ruajini sytë nga ajo që është e pahijshme. Tregojeni atë që zotëroni. Në qoftë se pritet në mënyrë të favorshme, qëllimi juaj është arritur; në qoftë se jo, është e kotë të protestosh. Lëreni të qetë atë shpirt dhe drejtojuni Perëndisë, Mbrojtësit, të Vetëqenëshmit. Mos u bëni shkak hidhërimesh, aq më pak shkak mosmarrëveshjesh e grindjesh. Ushqejmë shpresën që ju të merrni edukatë të vërtetë nën hijen e Pemës së mëshirës së Tij të dhembshur dhe të veproni në përputhje me atë që dëshiron Perëndia. Ju të gjithë jeni gjethe të një peme të vetme dhe pika uji të të njëjtit oqean.
Ishráq-u i nëntë
63 Qëllimi i fesë, i reveluar nga qielli i Vullnetit të shenjtë të Perëndisë, është të vendosë unitetin dhe mirëkuptimin midis popujve të botës; mos e bëni atë shkak mosmarrëveshjesh e grindjesh. Feja e Perëndisë dhe ligji i Tij i shenjtë janë instrumentet më të fuqishme dhe mjetet më të sigurta për lindjen e dritës së unitetit midis njerëzve. Përparimi i botës, zhvillimi i kombeve, qetësia e popujve dhe paqja për të gjithë ata që banojnë mbi tokë janë ndër parimet e urdhrat e Perëndisë. Feja i fal njeriut më të çmuarën e të gjitha dhuratave, ofron kupën e mirëqenies, jep jetë të pasosur dhe resh të mira të pavdekshme mbi njerëzimin. Është detyrë e krerëve dhe e drejtuesve të botës, veçanërisht e të Besuarve të Shtëpisë së Drejtësisë të Perëndisë, të përpiqen me të gjitha forcat të ruajnë pozitën e saj, të mbështesin interesat e saj dhe të lartësojnë rangun e saj në sytë e botës. Po kështu, është detyrë e tyre të interesohen për kushtet e nënshtetasve të tyre dhe të njihen me punët e veprimtaritë e komuniteteve të ndryshme në zotërimet e tyre. I ftojmë manifestimet e pushtetit të Perëndisë - sovranët e sundimtarët mbi tokë - të vihen në lëvizje dhe të bëjnë gjithçka varet prej tyre, që ndoshta të dëbojnë nga kjo botë mosmarrëveshjet dhe ta ndriçojnë atë me dritën e mirëkuptimit.
64 Është detyrë e të gjithëve të ndjekin e zbatojnë rigorozisht atë që ka rrjedhur prej Penës Sonë Më të Lartësuar. Perëndia i Vërtetë, Që është vetëm Një, Më është dëshmitar, dhe çdo atom i ekzistencës shtyhet të vërtetojë se, në Librat e Tabelat e Shenjta Ne kemi shtjelluar qartë dhe Pena e Lavdisë ka reveluar mjetet që çojnë në ngritjen, përparimin, edukimin, mbrojtjen dhe përtëritjen e popujve të tokës.
65 I lutemi Perëndisë të ketë mirësinë të ndihmojë shërbëtorët e Tij. Ajo që ky i Munduar pret nga të gjithë është drejtësia e paanësia. Mos u kënaqni thjesht duke dëgjuar; përkundrazi është detyrë e të gjithëve të mendojnë për atë që ky i Munduar ka reveluar. Betohem për Yllin e Ditës të të folurit, që ndriçon në horizontin e Mbretërisë së Mëshirëplotit, po të ish gjendur ndokush në gjendje për të shtjelluar ose folur, Ne nuk do ta bënim Veten Tonë objekt akuzash, talljeje e shpifjesh nga ana e njerëzve.
66 Kur arritëm në Irak, e gjetëm Kauzën e Perëndisë të zhytur në apati të thellë dhe flladin e revelacionit hyjnor të shuar. Shumë prej besimtarëve ishin të ligështuar e të dërrmuar, madje krejt të humbur e të vdekur. Pastaj pati një buçitje të dytë të Borisë, dhe Gjuha e Madhështisë foli këto fjalë të bekuara: 'Ne i ramë borisë për të dytën herë'. Kështu mbarë bota u rizgjua nga fryrja jetëdhënëse e revelacionit dhe e frymëzimit hyjnor.
67 Disa shpirtra kanë kërcyer nga prapa perdeve, duke synuar t'I bëjnë keq këtij të Munduari. Ata kanë penguar e mohuar vërshimin e kësaj bujarie të paçmuar.
68 O ju që gjykoni me drejtësi! Në qoftë se mohohet kjo Kauzë, atëherë ç'kauzë tjetër në këtë botë mund të mbrohet ose të vlerësohet e denjë për t'u pranuar?
69 Ata që i kanë kthyer shpinën Kauzës së Perëndisë po kërkojnë me zell të mbledhin Shkrimet e Shenjta të këtij Revelacioni; dhe me anë gjestesh miqësie, kanë arritur tashmë të sigurojnë disa prej këtyre Shkrimeve nga ata që i kanë. Veç kësaj, kur takojnë pasuesit e feve të tjera, shiten si besimtarë të tyre. Thuaj, plasni nga inati! Në të vërtetë Ai është shfaqur me një autoritet aq të madh saqë asnjë njeri i pajisur me dëgjim, intuitë, drejtësi ose paanësi kurrë nuk mund Ta mohojë Atë. Këtë e dëshmon në këtë orë të shndritshme Pena e Atij Që është i Lashti i Kohëve.
70 O Jalíl! Mbi ty qoftë lavdia Ime. I porositim të dashurit e Perëndisë të bëjnë vepra të mira, që ndoshta Ai të ketë mirësinë t'i ndihmojë dhe që ata të mbahen fort pas asaj që është dërguar nga qielli i Revelacionit të Tij. Përfitimet që rrjedhin nga kjo thënie hyjnore do të bien mbi ata që u përmbahen porosive të Tij. I lutemi Perëndisë t'u lejojë atyre të bëjnë atë që është e pëlqyeshme dhe e pranueshme për Të, t'u akordojë atyre të veprojnë me paanësi dhe të zbatojnë drejtësinë në këtë Kauzë gjithëdetyruese, t'i njohë ata me Shkrimet e Tij të Shenjta dhe t'i drejtojë hapat e tyre ndaj Rrugës së Tij të Drejtë.
71 Lajmëtari Ynë i Lartësuar - u flijofshin për Të jetët e të gjithëve veç Tij - ka reveluar disa ligje. Por në mbretërinë e Revelacionit të Tij këto ligje iu nënshtruan miratimit Tonë, kështu që ky i Munduar i ka vënë në veprim disa prej tyre, duke i përfshirë në Kitáb-i-Aqdas me fjalë të ndryshme. Disa të tjera i kemi lënë mënjanë. Ai mban në dorën e Vet autoritetin. Ai bën atë që dëshiron dhe urdhëron atë që I pëlqen. Ai është Fuqiploti, i Gjithëlëvduari. Ka edhe porosi të reveluara rishtas. Lum ata që i arrijnë. Lum ata që zbatojnë porositë e Tij.
72 Njerëzit e Perëndisë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet, që ndoshta zjarri i urrejtjes e i ligësisë të shuhet në gjokset e fiseve e të popujve të botës nga ujërat e gjalla të fjalës e nga porositë e Atij Që është Dëshira e botës, dhe që pemët e ekzistencës njerëzore të stolisen me fryte të mahnitshme e të mrekullueshme. Ai është, me të vërtetë, Këshilluesi, i Mëshirshmi, Bujariploti.
73 Shkëlqimi i lavdisë së Tij që shndrit në horizontin e bujarisë qoftë mbi ju, o njerëz të Bahá-it, mbi të gjithë ata që qëndrojnë të vendosur e të patundur dhe mbi ata që kanë rrënjë të thella në Besimin e janë të pajisur me kuptim të vërtetë.
74 Lidhur me pyetjen tënde për interesin dhe fitimin mbi arin e argjendin: Disa vite më parë nga qielli i Mëshirëplotit, për nder të atij që mban emrin e Perëndisë, të mbiquajtur Zaynu'l-Muqarrabín[49] - mbi të qoftë lavdia e Lavdiplotit - u revelua pasazhi që vijon. Ai - lartësuar qoftë Fjala e Tij - thotë: Shumë njerëz kanë nevojë për këtë. Sepse po të mos kishte perspektivë për fitim interesi, punët e njerëzve do të pengoheshin e do të ndaleshin. Rrallë gjendet njeri që të mbajë një qëndrim të tillë ndaj të afërmit, bashkatdhetarit ose ndaj vëllait të vet dhe të ushqejë ndaj tij një kujdes zemërgjerë sa që t'i japë atij një hua dashamirëse.[50] Prandaj, në shenjë favori ndaj njerëzve, Ne kemi caktuar që interesi mbi paratë të konsiderohet si të gjitha transaksionet e tjera të biznesit që përdoren midis njerëzve. Kështu, tani që kjo porosi e ndritur ka zbritur nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, është e lejueshme dhe e drejtë të ketë interes mbi paratë, në mënyrë që njerëzit e botës, në një frymë miqësie e shoqërie dhe me gëzim e hare, t'i përkushtohen madhërimit të Emrit të Atij Që është i Shumëdashuri i mbarë njerëzimit. Me të vërtetë Ai urdhëron ashtu siç vendos Vetë. Tani Ai ka përligjur interesin mbi paratë, ashtu siç e kishte quajtur këtë të paligjshëm në të kaluarën. Ai mban në dorën e Tij mbretërinë e autoritetit. Ai bën e urdhëron. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, i Gjithëdijshmi.
75 Falëndero Zotin tënd, o Zaynu'l-Muqarrabín, për këtë bujari të dukshme.
76 Shumë priftërinj në Persi, përmes planesh e marifetesh të panumërta, janë ushqyer me fitimet e paligjshme të nxjerra nga fajdeja. Ata kanë shpikur rrugë për t'i dhënë formës së saj të jashtme një dukje të ndershme ligjësie. Ata tallen me ligjet e porositë e Perëndisë, por ata nuk kuptojnë.
77 Kjo është, gjithsesi, diçka që duhet praktikuar me moderim e drejtësi. Pena Jonë e Lavdisë, në shenjë urtie e për volinë e njerëzve, ka shmangur përcaktimin e kufirit të saj. Megjithatë u bëjmë thirrje të dashurve të Perëndisë të tregohen të drejtë e të ndershëm dhe të bëjnë atë që do t'i nxitë miqtë e Perëndisë të tregojnë mëshirë e përdëllim të dhembshur ndaj njëri-tjetrit. Ai është me të vërtetë Këshilluesi, i Mëshirshmi, Bujariploti. Dhëntë Perëndia që të gjithë njerëzit të ndihmohen me dashamirësi për të zbatuar atë që Gjuha e të Vetmit Perëndi të Vërtetë ka thënë. Dhe në qoftë se ata vënë në zbatim atë që Ne kemi shtjelluar, Perëndia - u lartësoftë lavdia e Tij - me siguri do ta dyfishojë pjesën e tyre përmes qiellit të bujarisë së Tij. Me të vërtetë, Ai është Bujari, Falësi, i Mëshirshmi. Lëvduar qoftë Perëndia, Më i Larti, Më i Madhi.
78 Sidoqoftë, ndjekja e këtyre çështjeve u është besuar njerëzve të Shtëpisë së Drejtësisë, që ata t'i administrojnë në përputhje me kërkesat e kohës dhe siç ua dikton urtia.
79 Edhe një herë u bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të jenë të drejtë e të ndershëm dhe të tregojnë dashuri e frymë kënaqësie. Ata janë me të vërtetë njerëzit e Bahá-it, shokët e Arkës Kërmëz. Mbi ta qoftë paqja e Perëndisë, Zotit të të gjithë Emrave, Krijuesit të qiejve.
9
LAWH-I-HIKMAT
(Tabela e Urtisë)
Kjo Tabelë i drejtohej Áqá Muhammad-it, besimtarit të shquar nga qyteti Qá'in, i mbiquajtur Nabíl-i-Akbar (shih Përmendore të Besnikëve f. 1-5). Një besimtar tjetër i shquar nga Qá'in, Mullá Muhammad-'Alí, ishte i njohur si Nabíl-i-Qá'iní (shih Përmendore të Besnikëve f. 49-54). Në shënimin abjad emri 'Muhammad' ka të njëjtën vlerë numerike me 'Nabíl'.
1 KJO është një Letër që Mëshirëploti ka dërguar nga Mbretëria e Fjalës. Ajo është me të vërtetë një fllad jete për ata që banojnë në mbretërinë e krijimit. Lëvduar qoftë Zoti i të gjitha botëve! Në këtë Letër përmendet ai që madhëron Emrin e Perëndisë dhe që në një Tabelë të rëndësishme quhet Nabíl.
2 O Muhammad! Vëri veshin Zërit që vjen nga Mbretëria e Lavdisë, që thërret fort nga Pema qiellore e cila ngrihet në tokën e Za'farán-it[51]: Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëdijshmit, të Urtit. Ji për pemët e mbretërisë së ekzistencës si flladet e Mëshirëplotit dhe ndihmoje rritjen e tyre me fuqinë e Emrit të Zotit tënd, të Drejtit, të Atij Që di gjithçka. Dëshirojmë të të njohim me atë që do t'u shërbejë njerëzve si kujtesë, në mënyrë që të lenë mënjanë gjërat e zakonshme midis tyre dhe ta kthejnë fytyrën ndaj Perëndisë, Zotit të të sinqertëve.
3 Paralajmërojmë njerëzinë në këto ditë kur fytyra e Drejtësisë është ndotur nga pluhuri, kur flakët e mosbesimit digjen me furi dhe rroba e urtisë është çarë më dysh, kur qetësia e besnikëria kanë rënë dhe sprovat e fatkeqësitë janë rënduar, kur marrëveshjet janë shkelur dhe lidhjet janë këputur, kur asnjeri nuk di të dallojë dritën nga errësira ose udhërrëfimin nga gabimi.
4 O popuj të botës! Hiqni dorë nga e liga dhe mbahuni fort pas asaj që është e mirë. Përpiquni të jeni shembuj të shkëlqyer për mbarë njerëzimin dhe kujtesë e vërtetë e virtyteve të Perëndisë midis njerëzve. Ai që ngrihet për t'i shërbyer Kauzës Sime duhet të shfaqë urtinë Time dhe të përpiqet me të gjitha forcat të dëbojë nga toka injorancën. Jini të bashkuar në këshillim dhe një njeri i vetëm në mendime. Le të jetë çdo mëngjes më i mirë se mbrëmja e së djeshmes dhe çdo ditë më e pasur se e djeshmja e saj. Merita e njeriut qëndron në shërbimin e virtytin, e jo në salltanetet e pasurisë e të bollëkut. Kini mendjen që fjalët tuaja të jenë të pastruara nga fantazitë e kota e dëshirat e kësaj bote dhe që bëmat tuaja të jenë të dëlira nga dinakëria e dyshimi. Mos e shkapërderdhni pasurinë e jetëve tuaja të çmuara duke rendur pas ndjenjash të liga e të zvetënuara, dhe as mos lejoni që përpjekjet tuaja të shkojnë dëm duke u kujdesur për interesin tuaj vetjak. Jini bujarë në ditët tuaja të bollëkut dhe të duruar në ditët e humbjes. Fati i mbrapshtë pasohet nga suksesi dhe gëzimi pason hidhërimin. Ruhuni nga përtacia e plogështia dhe kapuni pas asaj që i sjell përfitim njerëzisë, të rinj ose pleq, të lartë ose të ulët qofshin. Kini kujdes të mos mbillni farat e përçarjes midis njerëzve dhe as gjembat e dyshimit në zemrat e dëlira e rrezëlluese.
5 O ju të dashurit e Zotit! Mos bëni atë që turbullon gurrën e kulluar të dashurisë ose davarit aromën e këndshme të miqësisë. Për drejtësinë e Zotit! Ju jeni krijuar për të treguar dashuri ndaj njëri-tjetrit, e jo mbrapshti e mëri. Mos u mburrni se doni veten tuaj, por se doni njerëzit e tjerë. Mos u lëvdoni se doni vendin tuaj, por se doni gjithë njerëzimin. Le të jetë syri juaj i dëlirë, dora juaj besnike, gjuha juaj e çiltër dhe zemra juaj e ndriçuar. Mos e poshtëroni pozitën e të diturve të Bahá-it dhe mos e nënçmoni rangun e drejtuesve që zbatojnë drejtësinë midis jush. Mbështetuni në ushtrinë e drejtësisë, vishni parzmoren e urtisë, le të jenë stolitë tuaja ndjesa e mëshira dhe ajo që ngushëllon zemrat e të preferuarve të Perëndisë.
6 Për jetën Time! Ankimet tuaja më kanë zhytur në hidhërim. Mos shiko bijtë e kësaj bote e gjithçka ata bëjnë, por mbërtheje shikimin te Perëndia dhe sundimi i Tij i pasosur. Me të vërtetë, Ai të sjell në kujtesë atë që është burim gëzimi për gjithë njerëzimin. Pi ujin jetëdhënës të gëzimit të bekuar nga kupa e të folurës së shqiptuar prej Burimit të Revelacionit hyjnor - Atij Që të ka përmendur ty në këtë kështjellë të fuqishme. Përpiqu me të gjitha forcat për të shpallur fjalën e së vërtetës me gojëtari e urti dhe për të dëbuar pavërtetësinë nga faqja e tokës. Kështu të urdhëron Agimi i dijes hyjnore nga ky horizont i shndritshëm.
7 O ti që flet në emrin Tim! Mendo njerëzit dhe gjërat që ata kanë punuar në ditët e Mia. Ne i reveluam njërit prej sundimtarëve atë që ua kalon të gjithë banorëve të tokës dhe i kërkuam të Na ballafaqonte me të diturit e kësaj epoke, që Ne të parashtronim dëshminë e Perëndisë, provat e Tij, lavdinë dhe madhështinë e Tij; dhe me këtë Ne nuk kishim ndërmend asgjë tjetër veç së mirës. Por ai kreu atë që i bëri të vajtojnë banorët e qyteteve të drejtësisë e të paanësisë. Kështu u dha gjykimi ndërmjet Meje dhe atij. Me të vërtetë Zoti yt është Urdhëruesi, Ai Që di gjithçka. Në rrethanat që sheh, si mundet Zogu Qiellor të ngrihet lart në atmosferën e mistereve hyjnore, kur krahët e tij janë rrahur nga gurët e fantazive boshe e të urrejtjes së egër dhe ai është mbyllur në një burg prej guri të pathyeshëm? Për drejtësinë e Perëndisë! Njerëzit kanë bërë një padrejtësi të rëndë.
8 Përsa u përket pohimeve të tua për fillimin e krijimit, kjo është një çështje rreth së cilës ka bindje të ndryshme për shkak të divergjencave që ekzistojnë në mendimet e opinionet e njerëzve. Sikur ti të thoje se ai ka ekzistuar e do të ekzistojë gjithmonë, kjo do të ishte e vërtetë; ose sikur ti të pohoje atë koncept që përmendet në Shkrimet e Shenjta, nuk do të kishte vend për dyshime, sepse ai është reveluar nga Perëndia, Zoti i botëve. Me të vërtetë Ai ishte nje thesar i fshehur. Ky është një stad që kurrë nuk mund të përshkruhet dhe as të aludohet për të. Dhe në stadin 'Unë desha ta bëj Veten të njohur' Perëndia ishte, dhe krijimi i Tij kishte ekzistuar gjithmonë nën strehën e Tij që nga fillimi që nuk ka fillim, pavarësisht se ishte i paraprirë prej një Përparësie që nuk mund të konsiderohet përparësi dhe që rridhte prej një Shkaku të padepërtueshëm edhe për të diturit.
9 Ajo që ka ekzistuar ekzistonte që më parë, po jo në formën që e sheh ti sot. Bota e qenies u krijua prej nxehtësisë së çliruar nga ndërveprimi midis forcës aktive dhe bartësit të saj. Këto të dyja janë e njëjta gjë, e megjithatë janë të ndryshme. Kështu të informon Kumti i Madh lidhur me këtë strukturë të lavdishme. Ajo që jep impulsin krijues dhe ajo që e merr atë, në të vërtetë janë krijuar me anë të Fjalës së pandalshme të Perëndisë, e cila është Shkaku i tërë krijimit, ndërsa të gjitha gjërat, veç Fjalës së Tij, s'janë veçse krijesa dhe pasoja të saj. Me të vërtetë Zoti yt është Shpjeguesi, i Gjithëdijshmi.
10 Dije, për më tepër, se Fjala e Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - qëndron më lart e kapërcen së tepërmi atë që mund të kapin shqisat, sepse është e spastruar nga çdo veti ose substancë. Ajo i kapërcen kufijt e elementëve të njohur dhe është e lartësuar tej të gjitha substancave thelbësore e të njohura. Ajo shfaqet pa ndonjë rrokje a tingull dhe s'është tjetër veçse Urdhri i Perëndisë që përshkon të gjitha gjërat e krijuara. Ajo kurrë nuk është larguar nga bota e qenies. Ajo është dashamirësia e Perëndisë që përshkon gjithçka, nga e cila rrjedh çdo dashamirësi. Ajo është një qenie që kapërcen së tepërmi çdo gjë që ka qenë dhe që do të jetë.
11 Ngurrojmë të zgjerohemi për këtë çështje, meqenëse jobesimtarët kanë ngrehur veshët ndaj Nesh për të dëgjuar atë që mund t'u japë mundësi të nxjerrin yçkla kundër Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Dhe duke qenë të paaftë të kapin misteret e dijes e të urtisë nga ajo që ka shpalosur Burimi i shkëlqimit hyjnor, ngrihen në protestë e shpërthejnë në ankesa. Por është e drejtë të thuhet se këta bëjnë vërejtje për atë si e kuptojnë ata, dhe jo kundër shpjegimeve të bëra nga Shtjelluesi ose të vërtetave të dhëna nga i Vetmi Perëndi i vërtetë, Njohësi i gjërave të padukshme. Të gjitha vërejtjet e tyre, pa përjashtim, kthehen kundër atyre vetë, dhe Unë betohem për jetën tënde se atyre u mungon të kuptuarit.
12 Çdo gjë duhet të ketë medoemos një prejardhje dhe çdo ndërtesë një ndërtues. Me të vërtetë, Fjala e Perëndisë është Shkaku që i ka paraprirë botës së rastësishme - botë e pajisur me shkëlqimet e të Lashtit të Kohëve, por që vazhdimisht përtërihet e rilind. Pamasë i lartësuar është Perëndia i Urtisë Që ka ngritur këtë strukturë sublime.
13 Shiko botën dhe ndalu një çast për të përsiatur rreth saj. Ajo shpalos para syve të tu librin e vetes së saj dhe zbulon atë që ka shkruar në të Pena e Zotit tënd, Artuesit, të Gjithëdijshmit. Ajo do të të njohë ty me atë që është brenda saj e mbi të dhe do të të japë ty të tilla shpjegime të qarta që të të bëjnë të pavarur nga çdo shtjellues elokuent.
14 Thuaj: Natyra në thelbin e saj është mishërimi i Emrit Tim, Artuesit, Krijuesit. Manifestimet e saj janë të larmishme për shkaqe të ndryshueshme dhe në këtë larmi ka shenja për njerëzit mendjemprehtë. Natyra është Vullneti i Perëndisë dhe shprehje e tij në botën e rastësishme e përmes saj. Ajo është një qeverim i Providencës i dekretuar nga Urdhëruesi, Urtiploti. Po të pohonte dikush se ajo është Vullneti i Perëndisë siç shfaqet në botën e qenies, askush nuk do ta vinte në pikëpyetje këtë pohim. Ajo është e pajisur me një forcë, realitetin e së cilës të diturit nuk e kapin dot. Në të vërtetë, njeriu i ndriçuar nuk mund të dallojë asgjë në të veç shkëlqimit të shndritshëm të Emrit Tonë, Krijuesit. Thuaj: kjo është një ekzistencë që nuk njeh shkatërrim, dhe vetë Natyra është shastisur përballë revelimeve të saj, provave të saj të pakundërshtueshme dhe lavdisë së shndritshme që ka përfshirë gjithësinë.
15 Nuk të ka hije ty ta kthesh shikimin drejt kohëve të shkuara ose të mëvonshme. Përmend këtë Ditë dhe madhëro atë që ka ndodhur në të. Kjo në të vërtetë do t'u mjaftojë të gjithë njerëzve. Në të vërtetë shtjellimet e ligjëratat për shpjegimin e gjërave të tilla i ngrijnë shpirtrat. Ty të takon të flasësh në mënyrë të tillë që t'i bësh zemrat e besimtarëve të vërtetë të digjen zjarr e trupat e tyre të ngjiten lart.
16 Kush beson sot pa lëkundje në rilindjen e njeriut dhe është tërësisht i vetëdijshëm se Perëndia, Më i Lartësuari, ushtron pushtetin suprem e ka autoritet absolut mbi këtë krijim të ri, ky njeri numërohet me të vërtetë ndër të ndriçuarit në këtë Revelacion kaq të Madh. Për këtë dëshmon çdo besimtar mendjemprehtë.
17 Ngrihu lart mbi botën e qenies përmes fuqisë së Emrit Më të Madh, që të bëhesh i vetëdijshëm për misteret e stërlashta dhe të njihesh me atë që askush nuk e di. Me të vërtetë, Zoti yt është Ndihmuesi, i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Ji si një damar i gjallë që rreh në trupin e gjithë krijimit, në mënyrë që nga nxehtësia e shkaktuar prej kësaj rrahjeje të shfaqet ajo që do të gjallërojë zemrat e atyre që ngurrojnë.
18 Në kohën që Ne ishim të fshehur pas perdesh të panumërta drite, ti hyre në lidhje me Mua dhe sodite yjet e qiellit të urtisë Sime dhe valët e oqeanit të Fjalës Sime. Me të vërtetë Zoti yt është i Vërteti, Besniku. I madh është me të vërtetë bekimi i atij që ka arritur vërshimet e bollshme të këtij oqeani në ditët e Zotit të tij, Bujariplotit, Urtiplotit.
19 Gjatë qëndrimit Tonë në Irak, ndërsa ndodheshim në shtëpinë e një të quajturi Majíd, Ne të shtjelluam qartë ty misteret e krijimit dhe prejardhjen, pikën kulmore e shkakun e tij. Por që kur u larguam, Ne jemi kufizuar me këtë pohim: 'Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Gjithmonëfalësit, Bujarit'.
20 Predikoje Kauzën e Perëndisë me fjalë që të ndezin flakë drizat dhe që prej tyre të ngrihet thirrja: 'Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Fuqiplotit, të Pakushtëzuarit'. Thuaj: Fjala njerëzore është një realitet që priret të ushtrojë ndikim dhe që duhet të moderohet. Sa për ndikimin e saj, ai kushtëzohet nga përsosuria dhe kjo, nga ana e saj, varet nga zemrat e çinteresuara e të kulluara. Përsa i përket moderimit, ky duhet të kombinohet me taktin e urtinë, siç porositin Shkrimet dhe Tabelat e Shenjta. Përsiat për atë që ka rrjedhur nga qielli i Vullnetit të Zotit tënd, të Atij Që është burimi i çdo dashamirësie, që të mund të kapësh domethënien e caktuar që ruhet në thellësitë e shenjtëruara të Shkrimeve të Shenjta.
21 Atyre që kanë mohuar Perëndinë dhe janë kapur fort pas Natyrës në vetvete, në të vërtetë u mungojnë dija dhe urtia. Ata janë vërtet ndërmjet atyre që kanë shkuar në rrugë të shtrembër. Ata nuk kanë arritur dot majën e lartësuar dhe kanë dështuar në qëllimin e fundit; prandaj sytë e tyre ishin të mbyllur dhe mendimet e tyre nuk pajtoheshin, ndërsa drejtuesit midis tyre besonin në Perëndinë dhe në sovranitetin e Tij të pamposhtur. Për këtë dëshmon Zoti yt, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi.
22 Kur sytë e njerëzve të Lindjes ishin tërhequr prej arteve e mrekullive të Perëndimit, ata endeshin të hutuar në tokat e shkreta të shkaqeve materiale, duke harruar Atë Që është Shkaktari i Shkaqeve dhe Mbështetësi i tyre, ndërsa ata njerëz që kanë qenë burimi e gurra e Urtisë kurrë nuk kanë mohuar Impulsin shtytës që fshihet pas këtyre shkaqeve, as Krijuesin dhe as prejardhjen e tyre. Zoti yt e di, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
23 Për hir të Perëndisë, Zotit të Emrave, Ne tani i jemi përveshur detyrës për të dhënë në këtë Tabelë disa shpjegime rreth të urtëve[52], që sytë e njërëzve të hapen dhe ata të sigurohen plotësisht se në të vërtetë Ai është Bërësi, Fuqiploti, Krijuesi, Autori, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
24 Edhe pse dihet që dijetarët e sotëm janë shumë të thelluar në filozofi, arte e zeje, çdo vëzhgues i vëmendshëm do ta kuptojë lehtë se një pjesë të madhe të dijes së tyre ata e kanë marrë nga të urtët e së kaluarës, sepse janë këta që kanë hedhur themelet e filozofisë, kanë ngritur strukturën e kanë përforcuar shtyllat e saj. Kështu të informon Zoti yt, i Lashti i Kohëve. Të urtët e së kaluarës e kanë fituar dijen e tyre nga Profetët, duke qenë këta të fundit Bartësit e filozofisës hyjnore dhe Reveluesit e mistereve qiellore. Disa pinë ujërat e kulluara e të gjalla të fjalës së Tyre, ndërsa disa të tjerë u kënaqën me llumin. Secili merr një racion sipas vlerës së vet. Me të vërtetë Ai është i Drejti, i Urti.
25 Empedokli, që u shqua në filozofi, ishte bashkëkohës i Davidit, kurse Pitagora ka jetuar në kohën e Sollomonit, të birit të Davidit, dhe e ka nxjerrë Urtinë nga thesari i profetësisë. Është ai që ka thënë se kishte dëgjuar zërin pëshpëritës të qiejve dhe kishte arritur rangun e engjëjve. Në të vërtetë Zoti yt, po deshi, do t'i shpjegojë qartë të gjitha gjërat. Me të vërtetë, Ai është i Urti, Që Përshkon Gjithçka.
26 Thelbi dhe bazat e filozofisë burojnë nga Profetët. Që njerëzit nuk pajtohen përsa u përket domethënieve e mistereve të tyre të brendshme, kjo u detyrohet dallimeve në pikëpamjet dhe mendjet e tyre. Kam dëshirë të të tregoj ty sa vijon: Një herë një prej Profetëve po i njoftonte popullit të vet atë që i kishte frymëzuar Zoti Fuqiplotë. Me të vërtetë, Zoti yt është Frymëzuesi, i Hirshmi, i Lartësuari. Kur gurra e urtisë dhe e gojëtarisë gurgullonte nga burimi i fjalës së Tij dhe vera e dijes hyjnore dehte ata që kishin kërkuar pragun e Tij, Ai thirri: 'Ja! Të gjithë janë mbushur me Shpirtin'. Midis të pranishmëve ishte një që u kap fort pas kësaj thënieje dhe, duke ndjekur iluzionet e veta, krijoi mendimin se shpirti në kuptimin e fjalëpërfjalshëm depërton ose futet në trupin, dhe me anë parashtrimesh të gjata nxorri prova për të mbrojtur këtë koncept; dhe grupe njerëzish shkuan në gjurmët e tij. Po të radhitnim tani emrat e tyre dhe të të bënim ty një paraqitje të hollësishme, kjo do të çonte në stërzgjatje dhe do të na largonte nga tema kryesore. Me të vërtetë, Zoti yt është Urtiploti, i Gjithëdijshmi. Ishte edhe ai që shijoi verën e zgjedhur, vulën e së cilës e kishte hequr Gjuha e Atij Që është Reveluesi i Vargjeve të Zotit tënd, të Hirshmit, Bujariplotit.
27 Në të vërtetë, filozofët nuk e kanë mohuar të Lashtin e Kohëve. Shumë prej tyre vdiqën me keqardhjen që nuk mundën t'i shkonin deri në fund misterit të Tij, siç kanë dëshmuar disa prej tyre. Me të vërtetë, Zoti yt është Këshilluesi, i Gjithinformuari.
28 Mendo Hipokratin, mjekun. Ai ishte një prej filozofëve të shquar që besonin në Perëndinë dhe njihnin sovranitetin e Tij. Pas tij erdhi Sokrati, që ishte vërtet i urtë, i ditur e i drejtë. Ai praktikoi vetëmohimin, ndrydhi orekset e tij për dëshira egoiste dhe hoqi dorë nga kënaqësitë materiale. Ai u tërhoq në male, ku banonte në një shpellë. Ai i zhbindte njerëzit nga adhurimi i idhujve dhe u mësonte atyre rrugën e Perëndisë, Zotit të Mëshirës, derisa injorantët u ngritën kundër tij. Ata e arrestuan dhe e vranë në burg. Kështu të tregon kjo Penë që lëviz me shpejtësi. Ç'vizion filozofik depërtues kishte ky njeri i madh! Ai ishte më i shquari ndër të gjithë filozofët, thellësisht i zhytur në urti. Dëshmojmë se ai është një ndër heronjtë dhe një dalzotës i famshëm e i përkushtuar në këtë fushë. Ai kishte dije të thella në shkenca të tilla që ishin në përdorim midis njerëzve, ashtu si dhe në ato që ishin të fshehura për mendjet e tyre. Duket se se ai ka pirë një gllënjkë kur Oqeani Më i Madh vërshoi me ujërat e tij vezulluese e jetëdhënëse. Ishte ai që dalloi në gjërat një natyrë të vetme, të ekuilibruar e të gjithëpranishme, shumë të ngjashme me shpirtin njerëzor, dhe që zbuloi se kjo natyrë është e ndryshme nga thelbi i sendeve në formën e tyre më të imët. Ai ka një teori të posaçme lidhur me këtë temë kaq të rëndësishme. Po të pyesësh lidhur me këtë të urtët e kësaj bote të brezit të tanishëm, do të vësh re se ata nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë. Me të vërtetë, Zoti yt thotë të vërtetën, por shumica e njerëzve nuk kuptojnë.
29 Pas Sokratit erdhi Platoni hyjnor, që ishte nxënës i tij dhe zuri katedrën e filozofisë si pasardhësi i tij. Ai shpalli besimin e vet te Perëndia dhe në shenjat e Tij, të cilat përshkojnë gjithçka që ka qenë e që do të jetë. Pastaj erdhi Aristoteli, njeriu i famshëm i dijes. Ishte ai që zbuloi vetitë e lëndës së gaztë. Këta burra, që shquhen si udhëheqës të njerëzve e që lartësohen midis tyre, të gjithë pa përjashtim shpallën besimin e tyre në Qenien e pavdekshme Që mban në duart e Veta frerët e të gjitha shkencave.
30 Do të të përmend gjithashtu lutjen e shprehur nga Balínús-i, i cili njihte mirë teoritë e shtjelluara nga Babai i Filozofisë lidhur me misteret e krijimit, siç jepen në Tabelat e tij prej krizoliti, që kushdo të jetë plotësisht i sigurt për gjërat që Ne kemi ndriçruar për ty në këtë Tabelë të qartë, e cila e shtypur me dorën e drejtësisë e të dijes, do të japë frymën e jetës për gjallërimin e të gjitha gjërave të krijuara. I madh është bekimi i atij që noton në këtë oqean dhe i thur lavde Zotit të tij, të Hirshmit, të Shumëdashurit. Me të vërtetë nga vargjet e Zotit tënd fryjnë flladet e revelacionit hyjnor në mënyrë të tillë që askush nuk mund të kundërshtojë të vërtetën e tij, veç atyre që u munngon të dëgjuarit, të parët, të kuptuarit dhe çdo veti njerëzore. Me të vërtetë Zoti yt dëshmon për këtë, por njerëzit nuk kuptojnë.
31 Ky njeri ka thënë: 'Jam Balínús-i, i urti, bërësi i mrekullive, prodhuesi i hajmalive'. Ai ua kaloi të gjithëve në përhapjen e arteve e të shkencave dhe u ngjit në majat më të larta të përvuajtësisë e të lutjes. Vëri veshin asaj që ai ka thënë, duke iu përgjëruar Gjithëzotëruesit, Më të Lartit: 'Qëndroj në prani të Zotit tim, duke ngritur në qiell dhuratat e mirësitë e Tij dhe duke E lëvduar Atë me anë të asaj që Ai Vetë lëvdon Veten e Tij, që unë të mund të bëhem burim bekimi e udhërrëfimi për ata njerëz që i kuptojnë fjalët e mia'. Dhe më tej ai thotë: 'O Zot! Ti je Perëndia dhe nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Ti je Krijuesi dhe nuk ka krijues tjetër veç Teje. Më ndihmo me dashamirësinë Tënde dhe më forco. Zemrën time e ka pushtuar shqetësimi, gjymtyrët e mi dridhen, kam humbur arsyen dhe mendja më ka lënë. Më jep forcë dhe bëj që gjuha ime të flasë me urti'. Dhe akoma më tej ai thotë: 'Me të vërtetë, Ti je i Dijshmi, i Urti, i Fuqishmi, i Mëshirshmi'. Ishte ky njeri i urtë që mësoi misteret e krijimit dhe shquajti gjërat e holla që ruhen në shkrimet Hermetike.[53]
32 Nuk dëshirojmë të përmendim gjë tjetër, por do të themi atë që Shpirti Na ka futur në zemër. Me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Dijshmit, të Fuqishmit, Ndihmës në Rrezik, të Shkëlqyeshmit, të Gjithëlëvduarit. Për jetën Time! Në këtë Ditë Pema qiellore ngurron t'i shpallë botës fjalë të tjera veç këtij pohimi: 'Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Pashoqit, të Gjithinformuarit'.
33 Po të mos ishte për dashurinë që ushqej për ty, nuk do të kisha thënë as edhe një fjalë të vetme nga ato që u përmendën. Çmoje vlerën e kësaj pozite, ruaje atë si sytë e tu dhe ji ndër ata që janë me të vërtetë mirënjohës.
34 Ti e di fare mirë se Ne nuk kemi studiuar librat që zotërojnë njerëzit dhe nuk kemi marrë dijet e përhapura midis tyre, e megjithatë kurdoherë që duam të citojmë thëniet e të diturve e të urtëve,[54] menjëherë para Zotit tënd shfaqet në formën e një tabele gjithçka që është shfaqur në botë dhe është reveluar në Librat e në Shkrimet e Shenjta. Kështu hedhim në letër me shkrim atë që sheh syri. Me të vërtetë dija e Tij përfshin tokën dhe qiejt.
35 Kjo është një Tabelë, në të cilën Pena e të Padukshmit ka gdhendur dijen për çdo gjë që ka qenë e që do të jetë - dije kjo që askush veç Gjuhës Sime të mahnitshme nuk mund ta shpjegojë. Me të vërtetë, Perëndia e ka spastruar thelbin e zemrës Sime nga konceptet e të diturve dhe e ka dëlirur nga fjalët e të urtëve. Me të vërtetë ajo nuk pasqyron asgjë tjetër veç revelacioneve të Perëndisë. Për këtë dëshmon Gjuha e Madhështisë në këtë Libër të kthjellët.
36 Thuaj, o njerëz të tokës! Kini mendjen që ndonjë referencë për urtinë të mos ju mbyllë rrugën për te Burimi i saj ose t'ju largojë nga Vendagimi i saj. Ngulitini zemrat tuaja te Zoti juaj, Edukatori, Urtiploti.
37 Për çdo tokë Ne kemi caktuar një pjesë, për çdo rast një kuotë, për çdo gjykim një kohë të caktuar dhe për çdo rrethanë një vërejtje të përshtatshme. Mendo Greqinë. Ne e bëmë atë për një kohë të gjatë një Seli të Urtisë. Por kur ra ora e caktuar, froni i saj u përmbys, gjuha e saj pushoi së foluri, drita e saj u venit dhe flamuri i saj u ul. Kështu Ne japim dhe heqim. Me të vërtetë Zoti yt është Ai Që jep dhe zhvesh, i Fuqishmi, i Pushtetshmi.
38 Në çdo tokë Ne kemi ngritur një yll dije dhe, kur koha e paracaktuar afrohet, ai do të shndrisë me shkëlqim mbi horizont, siç është urdhëruar nga Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Po të jetë Vullneti Ynë, Ne jemi plotësisht në gjendje të të tregojmë çdo gjë që ekziston në çdo vend ose që do të ndodhë atje. Me të vërtetë dija e Zotit tënd përfshin qiejt dhe tokën.
39 Dije, veç kësaj, se njerëzit e së kaluarës kanë bërë gjëra që njerëzit e sotëm të dijes nuk kanë qenë në gjendje t'i bëjnë. Po të përmendim Múrtus-in, që ishte një prej të diturve. Ai shpiku një aparat që transmetonte tingullin në një distancë prej 60 miljesh. Të tjerë veç tij gjithashtu kanë zbuluar gjëra që askush në kohën e tanishme nuk i ka parë. Me të vërtetë Zoti yt revelon në çdo epokë çdo gjë që i pëlqen, si shenjë urtie nga ana e Tij. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi suprem, Urtiploti.
40 Nje filozof i vërtetë kurrë nuk e mohon Perëndinë dhe as provat e Tij, përkundrazi njeh lavdinë dhe madhështinë mbisunduese të Tij, që shtrihet mbi të gjitha gjërat e krijuara. Me të vërtetë Ne i duam të gjithë ata njerëz të dijes që kanë nxjerrë në dritë gjëra të dobishme për interesat e larta të njerëzimit, dhe i kemi ndihmuar ata me forcën e urdhrit Tonë, meqë jemi në gjendje të arrijmë qëllimin Tonë.
41 O të dashurit e Mi, kini mendjen mos i përçmoni meritat e shërbëtorëve të Mi të ditur, që Perëndia ka denjuar t'i zgjedhë si mbështetës të Emrit të Tij 'Artuesi' midis njerëzisë. Bëni të gjitha përpjekjet që të zhvilloni të tilla zeje e ndërmarrje nga të cilat të gjithë, të rinj a pleq qofshin, të përfitojnë. Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me ata injorantë që në mënyrë naive mendojnë se Urtia shërben për të shfryrë imagjinatat e tyre të kota e për të mohuar Perëndinë, Zotin e të gjithë njerëzve; dhe pikërisht dëgjojmë disa ndër të shkujdesurit që shpehin sot pohime të tilla.
42 Thuaj: Fillimi i Urtisë dhe prejardhja e saj është të njohësh gjithçka që Perëndia ka parashtruar qartë, sepse përmes fuqisë së kësaj njohjeje janë ngritur themelet e shëndosha të drejtimit shtetëror, që është mburojë e trupit të njerëzimit. Përsiat për një çast, që të mund të kuptosh atë që Pena Ime e lartësuar ka shpallur në këtë Tabelë të mahnitshme. Thuaj, çdo çështje që ju shtroni për diskutim, e cila ka të bëjë me punët e shtetit, futet nën hijen e njërës prej fjalëve që janë dërguar nga qielli i parashtrimit të lavdishëm e të lartësuar të Tij. Kështu të kemi treguar ty atë që do të dehë zemrën tënde, do të ngushëllojë sytë e tu dhe do të të lejojë të ngrihesh për të mbështetur Kauzën e Tij midis të gjithë popujve.
43 O Nabíl-i Im! Bëj që asgjë të mos të të brengosë, madje ngazëllehu me gëzim të madh, sepse kam përmendur emrin tënd, kam kthyer zemrën dhe fytyrën Time ndaj teje dhe kam biseduar me ty me anë të këtij parashtrimi të pakundërshtueshëm e me peshë. Gjyko në zemrën tënde për mundimet që kam pësuar, për burgimin dhe robërinë që kam duruar, për vuajtjet që Më kanë rënë mbi kokë dhe për akuzat që njerëzit kanë lëshuar kundër Meje. Shiko, ata me të vërtetë janë të mbështjellë nga një perde e rëndë.
44 Kur biseda arriti në këtë fazë, feksi agimi i mistereve hyjnore dhe drita e fjalës u shua. Mbi njerëzit e dijes qëndroftë lavdia e Tij, siç ka urdhëruar Ai Që është Fuqiploti, i Gjithëlavdëruari.
45 Thuaj: U madhëroftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Të përgjërohem për Emrin Tënd, përmes të cilit shkëlqimi i dritës së urtisë shndriti fort kur qiejt e fjalës hyjnore u vunë në lëvizje midis njerëzisë, për të më ndihmuar me mirësi me konfirmimet e Tua qiellore dhe për të më dhënë mundësi të lartësoj Emrin Tënd midis shërbëtorëve të Tu.
46 O Zot! I shkëputur nga gjithçka veç Teje dhe duke u mbajtur fort pas cepit të rrobës së bekimeve të Tua të shumta, ndaj Teje e kam kthyer fytyrën. Zgjidhma pra gjuhën për të shpallur atë që do të pushtojë mendjet e njerëzve dhe do të gëzojë shpirtrat e tyre. Më forco në Kauzën Tënde në mënyrë që të mos mundë të më ndalë epërsia e shtypësve midis krijesave të Tua dhe as të mos më pengojë sulmi i jobesimtarëve midis atyre që banojnë në mbretërinë Tënde. Më bëj mua një llampë ndriçuese në të gjitha tokat e Tua, që me ndriçimin e saj t'u tregojë udhën atyre që në zemër u digjet drita e dijes Sate dhe u flatron dëshira e zjarrtë e dashurisë Sate.
47 Me të vërtetë, Ti ke pushtetin të bësh çdo gjë që dëshiron, dhe në dorën Tënde Ti mban mbretërinë e krijimit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëfuqishmit, Urtiplotit.
10
ASL-I-KULLU'L-KHAYR
(Fjalë Urtie)
1 Në emër të Perëndisë, të Lavdëruarit, Më të Lartit
2 BURIMI i të gjitha të mirave është besimi te Perëndia, nënshtrimi ndaj urdhrit të Tij dhe të kënaqurit me vullnetin e pëlqimin e Tij të shenjtë.
3 Thelbi i urtisë është frika e Perëndisë, tmerri nga ndëshkimi e dënimi i Tij dhe druajtja nga drejtësia e vendimi i Tij.
4 Thelbi i fesë është të dëshmosh atë që Perëndia ka reveluar dhe të zbatosh atë që urdhëruar Ai në Librin e Tij të fuqishëm.
5 Burimi i çdo lavdie është pranimi i çdo gjëje që ka dhuruar Zoti dhe të kënaqurit me atë që ka urdhëruar Perëndia.
6 Thelbi i dashurisë për njeriun është ta kthejë zemrën ndaj të Shumëdashurit, të shkëputet nga çdo gjë veç Tij dhe të mos dëshirojë asgjë veç asaj që është dëshira e Zotit të tij.
7 Përkujtimi i vërtetë është përmendja e Zotit, të Gjithëlëvduarit, dhe harrimi i i gjithçkaje tjetër veç Tij.
8 Shpresa e vërtetë për shërbëtorin është të ndjekë profesionin dhe prirjen e tij në këtë botë, të mbahet fort pas Zotit, të mos kërkojë asgjë veç hirit të Tij, sepse në duart e Tij është fati i të gjithë shërbëtorëve të Tij.
9 Thelbi i shkëputjes është për njeriun ta kthejë fytyrën ndaj oborreve të Zotit, të arrijë në Praninë e Tij, të sodisë Fytyrën e Tij dhe të qëndrojë si dëshmitar para Tij.
10 Thelbi i të kuptuarit është të dëshmosh varfërinë tënde dhe t'i nënshtrohesh Vullnetit të Zotit, Sovranit, të Hirshmit, Fuqiplotit.
11 Burimi i guximit e i fuqisë është përhapja e Fjalës së Perëndisë dhe qëndresa në dashurinë për Të.
12 Thelbi i bamirësisë është për shërbëtorin të tregojë bekimet e Zotit të tij dhe Ta falënderojë Atë në çdo kohë e rrethanë.
13 Thelbi i besimit është të jesh fjalëpakë e punëshumë; dije me të vërtetë se për atë që ka më shumë fjalë se vepra të vdesë është më mirë sesa të jetojë.
14 Thelbi i sigurisë së vërtetë është të heshtësh, të shohësh fundin e gjërave dhe të heqësh dorë nga bota.
15 Fillimi i shpirtgjerësisë është kur njeriu e harxhon pasurinë e tij për veten, për familjen e vet dhe për të varfërit midis sivëllezërve në Besimin e tij.
16 Thelbi i pasurisë është dashuria për Mua; kush më do Mua zotëron të gjitha gjërat, dhe kush nuk më do Mua është vërtet i varfër e nevojtar. Këtë ka reveluar Gishti i Lavdisë e i Shkëlqimit.
17 Burimi i çdo të keqeje është për njeriun të largohet prej Zotit të tij dhe t'ua kushtojë zemrën gjërave të liga.
18 Zjarri më përvëlues është të vësh në dyshim shenjat e Perëndisë, të kundërshtosh më kot atë që ka reveluar Ai, ta mohosh Atë dhe të sillesh me mendjemadhësi para Tij.
19 Burimi i çdo diturie është njohja e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, dhe kjo nuk mund të arrihet veçse përmes njohjes së Manifestimit të Tij Hyjnor.
20 Thelbi i poshtërimit është të dalësh nga hija e të Mëshirshmit dhe të kërkosh strehë tek i Ligu.
21 Burimi i gabimit është të mos besosh tek i Vetmi Perëndi i Vërtetë, të mbështetesh në diçka tjetër e jo tek Ai dhe t'i bësh bisht Urdhrit të Tij.
22 Humbje të vërtetë pëson ai që i ka kaluar ditët e veta në injorancë të plotë të vetvetes.
23 Thelbi i të gjitha atyre që Ne të kemi reveluar është Drejtësia, është që njeriu të çlirohet nga fantazitë e kota dhe imitimi, të shohë me syrin e njëshmërisë veprën e Tij të lavdishme dhe t'i vëzhgojë të gjitha gjërat me sy kërkues.
24 Kështu të kemi udhëzuar ty, të kemi shfaqur ty Fjalët e Urtisë, që t'I jesh mirënjohës Zotit, Perëndisë Tënd, dhe të lëvdohesh për këtë midis të gjithë njerëzve.
11
LAWH-I-MAQSÚD
(Tabela e Maqsúd-it)
Në shenjë respekti, Bahá'í-të nuk i shkruanin Bahá'u'lláh-ut drejtpërsëdrejti, por i drejtoheshin sekretarit të Tij, Mírzá Áqá Ján-it, të mbiquajtur 'Shërbëtori i Perëndisë' dhe 'Shërbëtor Personal'. Përgjigja ishte në formën e një letre nga Mírzá Áqá Ján-i, që citonte fjalët e Bahá'u'lláh-ut, por në fakt letra diktohej tërësisht prej Vetë Bahá'u'lláh-ut. Kështu, të gjitha pjesët e Tabelës, madje edhe ato që duken si fjalë të vetë Mírzá Áqá Ján-it, janë Shkrime të Shenjta të reveluara nga Bahá'u'lláh-u. Tabela e Maqúd-it është konceptuar në këtë formë. Ajo i drejtohej Mírzá Maqsúd-it, njërit prej besimtarëve që jetonte në ato kohë në Damask dhe në Jerusalem.
1 Ai është Perëndia, lartësuar qoftë Ai, Zoti i Madhërisë dhe i Fuqisë
2 NJË lavdërim që lartësohet mbi çdo përmendje ose përshkrim i takon të Adhuruarit, Zotëruesit të të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme, Që i dha mundësinë Pikës Parësore të revelojë Libra e Letra të panumërta dhe Që, përmes fuqisë së Fjalës së Tij sublime, solli në qenie gjithë krijimin, si të brezave të së kaluarës dhe të atyre të mëvonshëm.Veç kësaj, duke qenë njeriu i paaftë për të kuptuar atë që ka rrjedhur nga Pena e Lavdisë e që është shkruar në Librat e Tij qiellorë, Ai, në pajtim me urtinë e Tij të paarritshme, ka dërguar në çdo epokë e cikël një Lajmëtar hyjnor që të rigjallëronte me ujërat e gjalla të fjalës së Tij shpirtrat e shkurajuar e të pashpresë, Një Që vërtet është Shpjeguesi, Interpretuesi i vërtetë. Njerëzit kudo e kurdoherë kanë nevojë për dikë që t'i nxitë, t'i udhëheqë, t'i udhëzojë e t'i mësojë. Prandaj Ai ka dërguar Lajmëtarët e Tij, Profetët dhe të zgjedhurit e Tij, që t'u tregojnë njerëzve qëllimin hyjnor për të cilin janë reveluar Librat e kanë dalë Lajmëtarët, që secili të bëhet i vetëdijshëm për besimin te Perëndia që qëndron i fshehur në realitetin e çdo shpirti.
3 Njeriu është Hajmalia supreme. Por mungesa e edukimit të përshtatshëm e ka privuar atë prej asaj që zotëron në mënyrë të qenësishme. Nëpërmjët një fjale që doli nga goja e Perëndisë, ai u soll në qenie; me anë të një fjale tjetër, u udhëhoq për të njohur Burimin e edukimit të tij; dhe përsëri përmes një fjale iu siguruan pozita dhe fati i tij. Qenia e Madhe thotë: Shihe njeriun si një minierë të pasur me gurë të çmuar të një vlere të pamatur. Vetëm edukimi mund t'i zbulojë thesaret e tij dhe t'i japë mundësi njerëzimit të përfitojë prej tyre. Sikur çdo njeri të mendonte për ato që kanë reveluar Shkrimet e dërguara nga qielli i Vullnetit të shenjtë të Perëndisë, ai fare lehtë do të shihte se qëllimi i tyre është që të gjithë njerëzit të konsiderohen si një shpirt i vetëm, në mënyrë që vula me fjalët 'Mbretëria do të jetë e Perëndisë' të mund të gdhendej në çdo zemër dhe drita e bujarisë Hyjnore, e mirësisë dhe e mëshirës të përfshinte gjithë njerëzimin. Perëndia i Vërtetë Që është Vetëm Një, lartësuar qoftë lavdia e Tij, nuk ka dashur asgjë për Vete. Besnikëria e njerëzve nuk i sjell Atij ndonjë përfitim, dhe as e dëmton Atë mbrapshtia e tyre. Zogu i Mbretërisë së të Folurit lëshon pareshtur këtë thirrje: 'Gjithçka e kam dashur për ty, dhe ty, gjithashtu, të kam dashur për vetë veten tënde'. Në qoftë se të diturit dhe të urtët e kohës së sotme do ta lejonin njerëzimin të nuhaste aromën e miqësisë e të dashurisë, çdo zemër e ndieshme do ta kuptonte domethënien e lirisë së vërtetë dhe do të zbulonte sekretin e paqes së patrazuar e të qetësisë absolute. Në qoftë se toka do të arrinte këtë stad dhe do të ndriçohej nga drita e tij, atëherë me të vërtetë për të do të mund të thuhej: 'Ti nuk do të shohësh në të as gremina, as kodra'.[55]
4 Bekimi e paqa qofshin mbi Atë[56], me ardhjes e të Cilit Bat’há[57] është zbukuruar me buzëqeshje dhe aromat e ëmbla të rrobës së të Cilit kanë përhapur kundërmim erëmirë mbi mbarë njerëzimin, - mbi Atë Që erdhi për t'i mbrojtur njerëzit prej asaj që i dëmton në botën këtu poshtë. E lartëuar, pamasë e lartësuar është pozita e Tij tej përlëvdimit të të gjitha qenieve dhe e shenjtëruar nga lavdërimi i tërë krijimit. Me ardhjen e Tij tenda e stabilitetit dhe e rendit u ngrit kudo në botë dhe flamuri i dijes u ngrit midis kombeve. Bekimet e Mia qofshin edhe mbi familjarët e shokët e Tij, përmes të cilëve emblema e unitetit të Perëndisë dhe e të qënit Ai Një i Vetëm u ngrit dhe u shpalosën flamujt e triumfit qiellor. Përmes tyre feja e Perëndisë u vendos fort midis krijesave të Tij dhe Emri i Tij u madhërua midis shërbëtorëve të Tij. I lutem Atij - u lartësoftë Ai - ta mbrojë Besimin e Tij nga ligësia e armiqve të Tij, që i grisën perdet dhe bënë që flamuri i Islamit të ngrihet midis të gjithë popujve.
5 E morëm letrën tënde, në të cilën ndihej aroma e ribashkimit. Lëvduar qoftë Perëndia që, pas dekretit të prerë të ndarjes, po fryn flladi i afrisë e i vëllazërisë dhe toka e zemrës është freskuar nga ujërat e gëzimit e të haresë. Falënderojmë Perëndinë në çdo rrethanë dhe ushqejmë shpresën se Ai - lartësuar qoftë lavdia e Tij - me provaninë e Tij dashamirëse do t'i udhëheqë të gjithë ata që banojnë mbi tokë drejt asaj që është e pranueshme dhe e pëlqyeshme për Të.
6 Shikoni çrregullimet që prej shumë vitesh kanë munduar tokën dhe trazirat që kanë pushtuar popujt e saj. Ajo ose është shkatërruar nga lufta, ose është sfilitur nga fatkeqësi të papritura e të paparashikuara. Megjithëse bota është përfshirë nga mjerimi e ankthi, askush nuk është ndalur të reflektojë se cili mund të jetë shkaku apo burimi i tyre. Sa herë që Këshilltari i Vërtetë ka thënë ndonjë fjalë qortimi, ata të gjithë e kanë akuzuar Atë si keqbërës dhe kanë hedhur poshtë pohimin e Tij. Sa e habitshme, sa tronditëse është një sjellje e tillë. Nuk gjenden, mund të thuhet, dy njerëz që të jenë të bashkuar nga jashtë e nga brenda. Shenjat e përçarjes e të ligësisë duken kudo, megjithëse të gjithë njerëzit janë krijuar për harmoni e bashkim. Qenia e Madhe thotë: O të shumëdashur! Tenda e unitetit është ngritur; mos e shikoni njëri-tjetrin si të huaj. Ju jeni fryte të një peme të vetme dhe gjethe të së njëjtës degë. Ushqejmë shpresën se drita e drejtësisë do të shkëlqejë mbi botë dhe do ta dëlirë atë nga tirania. Në qoftë se sundimtarët dhe mbretërit e botës, simbole të pushtetit të Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, do të ngriheshin e do të vendosnin t'ia kushtonin veten çdo gjëje që do të favorizonte interesat e larta të mbarë njerëzimit, me siguri midis bijve të njerëzve do të vendosej mbretëria e drejtësisë dhe shkëlqimi i dritës së saj do të mbulonte gjithë tokën. Qenia e Madhe thotë: Struktura e stabilitetit dhe e rendit botëror është ngritur, dhe do të vazhdojë të mbështetet, mbi dy shtyllat binjake të shpërblimit e të ndëshkimit. Dhe në një rast tjetër Ai ka shqiptuar në gjuhën elokuente[58] fjalët që vijojnë: Drejtësia ka nën urdhrat e saj një forcë të fuqishme. Ajo s'është tjetër veçse shpërblimi dhe ndëshkimi për veprat e njerëzve. Përmes fuqisë së kësaj force tenda e rendit është ngritur në mbarë botën, duke bërë që të ligjtë të mbajnë nën fre natyrën e vet nga frika e ndëshkimit.
7 Në një fragment tjetër ai ka shkruar: Kini mendjen, o kohortë e sundimtarëve të botës! Nuk ka forcë në botë që të mund të barazohet për nga fuqia pushtuese me forcën e drejtësisë e të urtisë. Me të vërtetë, Unë them se kurrë nuk ka pasur e nuk do të ketë ushtri më të fuqishme sesa drejtësia dhe urtia. I bekuar është mbreti që marshon me emblemën e urtisë të shpalosur para tij dhe me batalionet e drejtësisë të radhitura pas tij. Ai, me të vërtetë, është diadema që stolis ballin e paqes dhe shëmbëlltyrën e sigurisë. Nuk ka asnjë dyshim që, në rast se ylli i ditës i drejtësisë, të cilin retë e tiranisë e kanë errësuar, do të përhapte dritën e tij mbi njerëzit, fytyra e tokës do të shndërrohej krejtësisht.
8 Qenia e Madhe, duke dashur të revelojë kushtet e domosdoshme të paqes e të qetësisë në botë dhe të përparimit të popujve të saj, ka shkruar: Do të vijë koha kur nevoja imperative për mbajtjen e një kuvendi të gjerë, gjithëpërfshirës të njerëzve do të kuptohet në shkallë universale. Sundimtarët dhe mbretërit e tokës duhet medoemos të jenë të pranishëm aty dhe, duke marrë pjesë në debatet e tij, të shqyrtojnë rrugë e mjete të tilla që të hedhin themelet e Paqes së Madhe botërore midis njerëzve. Një paqe e tillë kërkon që Fuqitë e Mëdha, për hir të qetësisë së popujve të tokës, të vendosin të pajtohen plotësisht midis tyre. Në qoftë se ndonjë mbret do të rrokte armët kundër një mbreti tjetër, të gjithë së bashku do të duhej të ngriheshin për ta parandaluar atë. Po të bëhet kjo, kombeve të botës nuk do t'u duhen më kurrfarë armatimesh, veç atyre që janë të nevojshme për të ruajtur sigurinë e mbretërive të veta dhe për të mbajtjur rendin e brendshëm në territoret e tyre. Kjo do të sigurojë paqen e qetësinë e çdo populli, qeverie e kombi. Duam të shpresojmë se mbretërit dhe sundimtarët e tokës, pasqyra të emrit të hirshëm e të gjithëfuqishëm të Perëndisë, mund ta arrijnë këtë shkallë dhe ta mbrojnë njerëzimin nga kasaphana e tiranisë.
9 Po kështu Ai thotë: Midis gjërave që çojnë në unitet e mirëkuptim, në mënyrë që e gjithë toka të shihet si një vend i vetëm, është që gjuhët e ndryshme të reduktohen në një gjuhë të vetme dhe po kështu shkrimet që përdoren në botë të kufizohen në një shkrim të vetëm. Është detyrë e të gjitha kombeve të caktojnë disa njerëz të mençur e të ditur, që të thërrasin një mbledhje dhe, pasi të konsultohen, të zgjedhin njërën prej gjuhëve ekzistuese, ose të krijojnë një gjuhë të re, e cila t'u mësohet fëmijëve në të gjitha shkollat e botës.
10 Po afrohet dita kur të gjithë popujt e botës do të adoptojnë një gjuhë universale dhe një shkrim të përbashkët. Kur të jetë arritur kjo, në çdo qytet që të udhëtojë njeriu, do të ishte sikur të vinte në shtëpinë e vet. Të gjitha këto janë të detyrueshme e krejt thelbësore. Është detyrë e çdo njeriu me mend e arsye të përpiqet të bëjë realitet e të kthejë në veprim atë që është shkruar.
11 Në këto ditë shatorrja e drejtësisë ka rënë në kthetrat e tiranisë e të shtypjes. Lutjuni Perëndisë Që është Një - lartësuar qoftë lavdia e Tij - të mos i mohojë njerëzimit oqeanin e të kuptuarit të vërtetë, sepse sikur njerëzit vetëm të mbanin vesh do të vlerësonin menjëherë se çdo gjë që ka rrjedhur nga Pena e Lavdisë e është shkruar prej saj është për mbarë botën si dielli dhe se aty janë mbarëvajtja, siguria dhe interesat e vërteta për të gjithë njerëzit; përndryshe, toka do të cfilitet nga një fatkeqësi e re çdo ditë dhe do të shpërthejnë trazira të padëgjuara. Dhëntë Perëndia që popujt të ndihmohen me dashamirësi të ruajnë dritën e këshillave të Tij të përzemërta brenda rruzullit të urtisë. Ushqejmë shpresën që të gjithë të veshin rrobën e urtisë së vërtetë, që është themeli i qeverisjes së botës.
12 Qenia e Madhe thotë: Qielli i drejtimit shtetëror është kthjelluar e ndriçuar nga shkëlqimi i dritës së këtyre fjalëve të bekuara që kanë aguar prej lindjes së Vullnetit të Perëndisë: Është detyrë e çdo sundimtari ta peshojë çdo ditë qenien e tij në peshoren e paanësisë e të drejtësisë dhe pastaj të gjykojë midis njerëzve e t'i këshillojë ata të bëjnë atë që do t'i drejtojë hapat e tyre në shtegun e urtisë e të mirëkuptimit. Ky është guri i themelit i drejtimit shtetëror dhe thelbi i tij. Nga këto fjalë çdo njeri me mend e urti do të shquajë menjëherë atë që do të favorizojë synime të tilla si mbarëvajtja, siguria e mbrojtja e njerëzimit dhe shpëtimi i jetëve njerëzore. Sikur njerëzit mendjemprehtë të shuanin etjen në oqeanin e domethënieve të brendshme që ruhen në këto fjalë dhe të njiheshin me to, ata do të dëshmonin për natyrën e madhërishme të tyre. Në qoftë se ky i përvuajtur do të shprehte atë që sheh, të gjithë do të shpallnin urtinë e përkryer të Perëndisë. Sekretet e drejtimit shtetëror dhe ajo që kanë sot nevojë njerëzit qëndrojnë të fshehura në këto fjalë. Ky shërbëtor i përvuajtur i lutet me zjarr të Vetmit Perëndi të Vërtetë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - t'i ndriçojë sytë e popujve të botës me shkëlqimin e dritës së urtisë, që ata, të gjithë pa përjashtim, të njohin atë që është e domosdoshme në këtë ditë.
13 Me të vërtetë njeri është ai që sot i përkushtohet shërbimit të mbarë racës njerëzore. Qenia e Madhe thotë: i bekuar e i lumtur është ai që ngrihet për të mbështetur interesat e vërteta të popujve e të fiseve të tokës. Në një pasazh tjetër Ai ka shpallur: Nuk duhet të krenohet ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën. Toka është një vend i vetëm dhe njerëzimi qytetarët e tij.
14 Këto shtytje për bashkim e marrëveshje, që Pena e Më të Lartit ka shkruar në Librat e Profetëve, u referohen çështjeve të përcaktuara; jo një bashkimi që çon në përçarje ose një marrëveshje që shkakton mosmarrëveshje. Ky është stadi në të cilin çdo gjëje i caktohet një masë, stadi në të cilin çdo shpirti të lavdërueshëm i jepet ajo që meriton. Lum ai që e kupton domethënien dhe e kap synimin e këtyre fjalëve, dhe mjerë të shkujdesurit. Për këtë dëshmojnë gjerësisht të gjitha shenjat e natyrës, në vetë thelbin e tyre. Çdo njeri mendjemprehtë e me urti e njeh mirë atë që kemi përmendur, në të kundërtën e atyre që kanë humbur rrugën larg burimit të gjallë të paanësisë dhe enden të shqetësuar në shkretëtirën e injorancës e të fanatizmit të verbër.
15 Qenia e Madhe thotë: O ju bij të njerëzve! Qëllimi themelor që frymëzon Besimin e Perëndisë dhe Fenë e Tij është të mbrojë interesat e t'i japë shtytje unitetit të racës njerëzore, si dhe të ushqejë frymën e dashurisë e të miqësisë midis njerëzve. Mos lejoni që të bëheni burim përçarjeje e mosmarrëveshjeje, urrejtjeje e armiqësie. Ky është Shtegu i drejtë, themeli i shëndoshë e i patundur. Çdo gjëje që ngrihet mbi këtë themel nuk mund t'ia dobësojnë kurrë fuqinë ndryshimet e ndodhitë e botës, as mund t'ia gërryejë strukturën rrokullisja e shekujve të panumërt. Shpresojmë që prijësit fetarë dhe sundimtarët e botës do të ngrihen të bashkuar për ta reformuar këtë epokë dhe për të rimëkëmbur fatet e saj. Pasi të kenë reflektuar për nevojat e saj, le të këshillohen ata së bashku dhe, përmes një debati të pjekur e të plotë, t'i japin botës së sëmurë rëndë ilaçin e duhur.
16 Qenia e Madhe thotë: Qielli i urtisë hyjnore është ndriçuar nga dy yjet e konsultimit e të dhembshurisë. Këshillohuni së bashku për të gjitha çështjet, sepse konsultimi është feneri udhërrëfyes që ndriçon rrugën dhe dhuron mirëkuptim.
17 Në fillim të çdo përpjekjeje është me vend të shihet fundi i saj. Nga të gjitha artet dhe shkencat, i vini fëmijët të studiojnë ato që i sjellin përfitim njeriut, që sigurojnë përparimin e tij dhe ia ngrejnë pozitën. Kështu do të davariten erërat e qelbura të paligjësisë dhe, falë përpjekjeve fisnike të prijësve të kombeve, të gjithë do të jetojnë të mbrojtur, të sigurt e në paqe.
18 Qenia e Madhe thotë: Të diturit e kohës duhet ta drejtojnë popullin të përvetësojë ato degë të dijes që janë të dobishme, në mënyrë që vetë të diturit dhe njerëzia në tërësi të mund të nxjerrin përfitim prej tyre. Kërkimet akademike që fillojnë dhe mbarojnë vetëm me fjalë kurrë nuk kanë pasur dhe as do të kenë kurrë ndonjë vlerë. Pjesa më e madhe e doktorëve të ditur të Persisë ia kushtojnë tërë jetën e tyre studimit të një filozofie, fryti përfundimtar i së cilës janë vetëm fjalë.
19 Është detyrë e atyre që kanë pushtetin të tregojnë moderim në gjithçka. Çdo gjë që i kalon kufijtë e moderimit pushon së ushtruari një ndikim mirëbërës. Merrni, për shembull, gjëra të tilla si liria, qytetërimi e të tjera si këto. Sado që shumë njerëz të mençur mund t'i shikojnë këto në mënyrë të favorshme, por po të çohen në ekstrem ato ushtrojnë mbi njerëzit një ndikim dëmprurës.
20 Po të zbërthehej kjo pikë, do të duhej një shpjegim i hollësishëm, i cili është frika se mund të bëhej i mërzitshëm. Është shpresa e zjarrtë e këtij të përvuajturi që Perëndia - lartësuar qoftë lavdia e Tij - t'u japë të gjithë njerëzve atë që është e mirë. Sepse kush është i pajisur me të zotëron çdo gjë. Qenia e Madhe thotë: Gjuha e Urtisë shpall: Kush nuk më ka Mua është i privuar nga të gjitha. Largojuni prej çdo gjëje që është mbi tokë dhe mos kërkoni gjë tjetër veç Meje. Unë jam Dielli i Urtisë dhe Oqeani i Dijes. Unë u jap kurajë të dobtëve dhe kthej në jetë të vdekurit. Unë jam Drita udhërrëfyese që ndriçon rrugën. Unë jam Fajkoi mbretëror në dorën e Fuqiplotit. Unë shpalos krahët e ulur të çdo shpendi të dërrmuar dhe e hedh atë në fluturim.
21 Dhe po kështu Ai thotë: Qielli i të kuptuarit të vërtetë ndriçon me shkëlqim me dritën e dy yjeve: të tolerancës dhe të drejtësisë.
22 O miku im! Oqeane të gjerë ruhen brenda kësaj thënieje të shkurtër. Lum ata që e çmojnë vlerën e saj, shuajnë etjen aty e kapin domethënien e saj, dhe mjerë të shkujdesurit. Ky i përvuajtur u lutet popujve të botës t'i përmbahen drejtësisë, që dëgjimi i tyre i butë, delikat e i çmuar, i krijuar për t'u vënë veshin fjalëve të urtisë, të çlirohet nga pengesa e aluzione, nga fantazi boshe e përfytyrime të kota që "as shëndoshin e as shuajnë urinë", në mënyrë që Këshilltari i vërtetë të ketë mirësinë të shtjellojë atë që është burim bekimi për njerëzimin dhe e mira më e madhe për të gjitha kombet.
23 Në kohën e tanishme drita e pajtimit në shumë vende është errësuar dhe shkëlqimi i saj është shuar, ndërsa zjarri i konfliktit e i rrëmujës është ndezur e digjet me furi. Dy fuqi të mëdha, që e konsiderojnë veten si themelueset e udhëheqëset e qytetërimit dhe autore të kushtetutave, janë ngritur kundër pasuesve të Besimit të lidhur me Atë Që bisedoi me Perëndinë.[59] Kini mendjen, o njerëz që kuptoni. Nuk i shkon pozitës së njeriut të ushtrojë tiraninë; përkundrazi ai duhet të jetë i paanshëm dhe të veshë rrobën e drejtësisë në të gjitha kushtet. Lutjuni të Vetmit Perëndi të Vërtetë Që Ai, me fuqinë e dorës së dashamirësisë e të edukimit shpirtëror, të spastrojë e dëlirë disa shpirtra nga ndotja e pasioneve të liga dhe e dëshirave të zvetënuara, që ata të ngrihen e të zgjidhin gjuhët e tyre për hir të Perëndisë, kështu ndoshta shenjat e padrejtësisë do të zhduken dhe shkëlqimi i dritës së drejtësisë do të përhapë rrezatimin e tij mbi mbarë botën. Njerëzit jetojnë në mosdije dhe kanë nevojë për ata që do të shtjellojnë të vërtetën.
24 Qenia e Madhe thotë: Njeriu me dituri të madhe dhe i urti i pajisur me urti depërtuese janë si sytë për trupin e njerëzimit. Dashtë Perëndia, toka kurrë nuk do të privohet nga këto dy dhunti supreme. Ajo që është shtjelluar dhe që do të revelohet në të ardhmen s'është veçse një shenjë e dëshirës së zjarrtë të këtij Shërbëtori për t'iu kushtuar shërbimit të të gjitha fiseve të tokës.
25 O miku im! Në të gjitha rrethanat duhet shfrytëzuar çdo mjet që i shërben sigurisë dhe qetësisë midis popujve të botës. Qenia e Madhe thotë: Në këtë Ditë të lavdishme, çdo gjë që ju spastron nga zvetënimi dhe që ju çon drejt paqes e qetësisë është me të vërtetë Rruga e Drejtë.
26 Dhëntë Perëndia që popujt e botës, si rezultat i përpjekjeve të mëdha të ushtruara nga sundimtarët e tyre e nga njerëzit e urtë e të ditur, të njohin interesat e tyre të vërteta. Deri kur do të këmbëngulë njerëzimi në mosbindjen e tij? Deri kur do të vazhdojë padrejtësia? Deri kur do të sundojnë midis njerëzve kaosi e pështjellimi? Deri kur përçarja do të trazojë fytyrën e shoqërisë?
27 Ky shërbëtor i përvuajtur është i habitur, sepse të gjithë njerëzit janë të pajisur me aftësinë për të parë e dëgjuar, por i gjejmë ata të privuar nga privilegji për t'i përdorur ato. Ky shërbëtor është shtytur t'i shkruajë këto radhë nga dashuria e ngrohtë që ushqen për ty. Erërat e dëshpërimit, mjerisht, po fryjnë nga çdo drejtim dhe konfliktet që përçajnë e brengosin racën njerëzore po shtohen nga dita në ditë. Tani mund të shquhen shenjat kanosëse të trazirave e të kaosit, sepse rendi ekzistues duket se është në mënyrë të vajtueshme i çalë. I lutem Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, që me dashamirësi t'i zgjojë popujt e tokës, të bëjë që sjellja e tyre të jetë më në fund me përfitim për ta dhe t'i ndihmojë ata të kryejnë atë që i ka hije pozitës së tyre.
28 Po ta vlerësonte njeriu madhështinë e pozitës së tij dhe fatin e vet sublim, ai nuk do të shfaqte veçse një karakter të mirë, vepra të kulluara dhe sjellje të hijshme e të lavdërueshme. Në qoftë se të diturit e të urtët me vullnet të mirë do të udhëhiqnin njerëzit, gjithë bota do të konsiderohej si një vend i vetëm. Kjo është me siguri e vërteta e padiskutueshme. Ky shërbëtor i bën thirrje çdo shpirti të zellshëm e të guximshëm të bëjë të gjitha përpjekjet dhe të ngrihet për të krijuar kushtet në të gjitha vendet e për të ngjallur të vdekurit me ujërat e gjalla të urtisë e të fjalës, për hir të dashurisë që ushqen për Perëndinë, të Vetmin, të Pashoqin, Fuqiplotin, Bamirësin.
29 I urti nuk mund ta tregojë diturinë e tij veçse me fjalë. Kjo tregon domethënien e Fjalës së regjistruar në të gjitha Shkrimet, qoftë të kohëve të shkuara ose të mëvonshme. Sepse përmes fuqisë dhe frymës gjallëruese të saj popujt e botës kanë arritur një pozitë kaq të lartë. Fjalët dhe thëniet duhet të jenë, veç kësaj, si prekëse dhe depërtuese. Por këto dy cilësi nuk mund të futen në asnjë fjalë po qe se ajo nuk thuhet tërësisht për hir të Perëndisë dhe nuk mbahet parasysh çfarë kërkojnë gjendja dhe njerëzit.
30 Qenia e Madhe thotë: Fjala njerëzore është një realitet që synon të ushtrojë ndikimin e vet dhe që kërkon moderim. Përsa i përket ndikimit të saj, ai kushtëzohet nga përsosuria, e cila nga ana e saj varet nga shkëputja dhe dëlirësia e zemrave. Ndërsa moderimi i saj duhet kombinuar me taktin e urtinë, siç porositet në Shkrimet dhe Tabelat e Shenjta.
31 Çdo fjalë ka shpirt, prandaj folësi ose parashtruesi i saj duhet ta thonë fjalën me kujdes në kohën dhe vendin e duhur, sepse përshtypja që bën çdo fjalë është e dukshme dhe e kapshme qartë. Qenia e Madhe thotë: Një fjalë mund të krahasohet me zjarrin, një tjetër me dritën dhe ndikimi që ushtrojnë të dyja është i dukshëm në botë. Prandaj i urti i ndriçuar në fillim duhet të përdorë fjalë të buta si qumështi, që bijtë e njerëzve të ushqehen e të mësohen me to dhe të arrijnë qëllimin e fundit të ekzistencës njerëzore, që është pozita e të kuptuarit dhe e fisnikërisë së vërtetë. Dhe po kështu ka thënë: Një fjalë është si stina e pranverës, që gjelbëron e lulëzon bisqet e njoma të trëndafilishtes së dijes, kurse një fjalë tjetër është si një helm vdekjeprurës. Është e nevojshme që i urti i matur të flasë me butësinë e tolerancën më të madhe, në mënyrë që ëmbëlsia e fjalëve të tij ta shtyjë gjithsecilin të arrijë atë që i ka hije pozitës së njeriut.
32 O miku im! Fjala e Perëndisë është mbretëresha e fjalëve dhe fuqia e saj depërtuese është e pallogaritshme. Ajo gjithmonë ka sunduar dhe do të vazhdojë të sundojë mbretërinë e qenies. Qenia e Madhe thotë: Fjala është çelësi që hap gjithçka për mbarë botën, sepse me anë të fuqisë së saj hapen portat e zemrave njerëzore, që në të vërtetë janë portat e qiellit. Sapo një vezullim i shkëlqimit të saj të ndritshëm ra mbi pasqyrën e dashurisë, në të u pasqyruan fjalët e bekuara 'Unë jam i Shumëdashuri'. Ajo është një oqean me pasuri të pashtershme, që përfshin gjithçka. Çdo gjë e kapshme s'është veçse rrezatim i saj. E lartë, pamatësisht e lartë është kjo pozitë sublime, nën hijen e së cilës lëviz thelbi i madhështisë, i mbështjellur me lavdërim e adhurim.
33 Por ah! Më duket se ndjenja e shijes e njerëzve është prekur rëndë nga ethja e neglizhencës dhe e marrëzisë, sepse është parë që ata janë krejt të pavetëdijshëm e të privuar nga ëmbëlsia e fjalës së Tij. Sa keq me të vërtetë që njeriu i mohon vetes frytet e pemës së urtisë, ndërkohë që ditët dhe orët e tij kalojnë me të shpejtë. Dashtë Perëndia që dora e fuqisë hyjnore t'i mbrojë të gjithë njerëzit dhe t'i drejtojë hapat e tyre drejt horizontit të të kuptuarit të vërtetë.
34 Me të vërtetë Zoti ynë i Mëshirës është Ai Që na vjen në ndihmë, i Dijshmi, i Urti.
35 Do të dëshiroja të shtoj se ka arritur letra jote e dytë e dërguar nga Jerusalemi dhe se ajo që ke shkruar ti aty është lexuar me vëmendje në praninë e Tij. Ai më porositi të shkruaj këto që vijojnë:
36 O Maqsúd! Kemi dëgjuar zërin dhe kemi ndier psherëtimat e vajtimet që të ka shkaktuar malli e dëshira jote e zjarrtë. Lëvduar qoftë Perëndia! Në çdo fjalë tënden ndihen shijet e ëmbla të dashurisë. Dashtë Zoti, që kjo dhunti të vazhdojë përgjithmonë. Shërbëtori Ynë Personal citoi vargjet që ti ke hartuar. Emri yt është përmendur shpesh në praninë e këtij të Munduari dhe ndaj teje janë drejtuar shikimet e dashurisë Sonë të përzemërt e të mirëkuptimit Tonë.
37 E madhe është pozita e njeriut. Të mëdha duhet të jenë gjithashtu përpjekjet e tij për rimëkëmbjen e botës dhe mirëqenien e kombeve. I lutem Perëndisë Që është Një i Vetëm të ketë mirësinë të të mbështesë ty në atë që i ha hije pozitës së njeriut.
38 Udhëhiqu në të gjitha rrethanat nga urtia, sepse disa njerëz që ruajnë qëllime të liga janë marrë e vazhdojnë të merrem me zell me intriga. Perëndi i Hirshëm! Ndaj asaj Qenieje pafundësisht të lartësuar, Që nuk kërkon gjë tjetër veçse të ushqejë frymën e dashurisë e të vëllazërisë midis njerëzve, të ringjallë botën dhe të fisnikërojë jetën e saj, ata kane bërë akuza të tilla që gjuhës dhe penës u vjen turp t'i tregojnë.
39 Të kemi kujtuar ty dhe të përmendim tani. I lutemi Atij - lartësuar qoftë lavdia e Tij - të të mbrojë ty me duart e fuqisë e të pushtetit dhe të të japë mundësi të njohësh atë që do të të vlejë më shumë si në këtë botë dhe në atë tjetrën. Ai është Zoti i Njerëzimit, Zotëruesi i Fronit atje Lart në Qiell dhe i atij të botës këtu poshtë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Fuqiplotit, të Pushtetshmit. Dhëntë Perëndia që ky i Munduar të qëndrojë besnik. Ai nuk të ka harruar dhe kurrë nuk do të të harrojë.
40 Ti shkruan se ke ndërmend të qëndrosh në Damask deri në pranverë, pastaj do të shkosh në Mosul, në qoftë se do te kesh mjetet e nevojshme. Ky shërbëtor i përvuajtur i lutet Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - të të sigurojë mjetet e përshtatshme dhe të të ndihmojë. Ai është i Fuqishëm dhe i Pushtetshëm.
41 Edhe pse të gjithë banorët e kësaj zone janë trajtuar me përzemërsinë më të madhe, nga ana e tyre nuk shihet megjithatë asnjë shenjë miqësie. Ti duhet të tregosh shumë takt e urti, sepse ata përpiqen vazhdimisht të nxjerrin yçkla e të mohojnë Kauzën. Perëndia Që është Një i Vetëm u faltë drejtësi.
42 Përsa u përket punëve të tua, në qoftë se ti do të kënaqesh me çfarëdo që të dalë në shteg, kjo do të jetë e lavdërueshme. Të merresh me një profesion është shumë e rekomandueshme, sepse kur njeriu merret me një punë ai është më pak i prirur të ndalet në aspektet e pakëndshme të jetës. Dashtë Perëndia që ti të kesh gëzim e rrëzëllim, kënaqësi e ngazëllim në çdo qytet ose vend ku do të qëllojë të qëndrosh. Ky shërbëtor i përvuajtur nuk do të të harrojë kurrë, mik i shquar e i dashur. Ai të ka kujtuar dhe do të vazhdojë të të kujtojë. Urdhri i takon Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve. Shpresoj që Ai të të japë ndihmën hyjnore dhe të të falë mbështetje në atë që për Të është e pëlqyeshme dhe e mirëpritur.
43 Çdo fjalë e poezisë sate i ngjan me të vërtetë një pasqyre në të cilën pasqyrohen shenjat e devotshmërisë e të dashurisë që ti ushqen për Perëndinë dhe të zgjedhurit e Tij. Lum ti që ke shijuar verën e zgjedhur të të folurit dhe ke pirë nga rryma e qetë e dijes së vërtetë. Lum ai që ka shuar etjen e ka arritur tek Ai, dhe mjerë të shkujdesurit. Ka qenë një lexim me të vërtetë shumë mbresëlënës, sepse në të ndihej si drita e ribashkimit dhe zjarri i ndarjes.
44 Qoftë larg prej nesh të dyshojmë kurrë ndonjëherë për favoret e pallogaritshme të Perëndisë, sepse po të donte Ai e shndërronte edhe vetëm një atom në një diell dhe një pikëz të thjeshtë uji në një oqean. Ai hap mijëra dyer, kurse njeriu nuk është në gjendje të konceptojë qoftë edhe një të vetme.
45 Kaq i shkujdesur është ky shërbëtor, saqë me fjalë të tilla kërkon të provojë forcën supreme të Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij. I kërkoj ndjesë Perëndisë, Më të Madhit, për këto thënie dhe pohoj se ky shërbëtor i pranon gjithmonë mëkatet dhe fajet e veta të rënda. Ai i përgjërohet oqeanit të ndjesës të Zotit të tij, Më të Lartit, që t'ia shlyejë mëkatet dhe i lutet ta bëjë tërësisht të devotshëm ndaj Perëndisë, t'i japë mundësi t'I ngrejë lavde e të mbështesë tek Ai gjithë besimin. Ai është me të vërtetë i Fuqishmi, Falësi, i Mëshirshmi. Lëvduar qoftë Perëndia, Fuqiploti, i Gjithëdijshmi.
46 Ky i përvuajtur ka lexuar përshkrimin e dialogut me udhëtarin, që ti e ritregon në letrën tënde drejtuar Zotit tim, u flijoftë jeta ime për Të. Shpjegimet e dhëna atje i zgjojnë njerëzit nga gjumi i shkujdesjes. Me të vërtetë janë veprimet e vetë njeriut që krijojnë një dyndje forcash satanike. Sepse po t'u përmbaheshin e t'u bindeshin njerëzit mësimeve hyjnore, çdo gjurmë e së ligës do të dëbohej nga faqja e dheut. Por faktorët kryesorë që shkaktojnë shfaqjen e frymës satanike janë dallimet që ekzistojnë kudo midis njerëzve dhe përhapja e gjerë e rebelimit, e grindjeve, e konflikteve e të tjera si këto. Megjithatë Shpirti i Shenjtë i ka mënjanuar gjithmonë këto gjëra. Një botë, në të cilën nuk shihet gjë tjetër veç luftërave, zënieve e shthurjes, medoemos do të bëhet froni, vetë metropoli, i Satanit.
47 Sa shumë të dashur e të zgjedhur të Perëndisë kanë vajtuar e psherëtirë natë e ditë, që ndoshta një fllad i këndshëm e kundërmues të fryjë nga oborri i dashamirësisë së Tij dhe të zbojë nga bota erërat e ndyra e të neveritshme. Por ky qëllim i fundit nuk u arrit dot dhe njerëzit u privuan prej tyre për shkak të veprave të veta të liga, të cilat tërhoqën mbi ta shpagimin e Perëndisë, në përputhje me parimet bazë të qeverisjes hyjnore të Tij. Është detyra jonë të qëndrojmë të qetë në këto rrethana, derisa të na vijë ndihma nga Perëndia, Falësi, Zemërgjeri.
48 Madhëruar qoftë Emri Yt, o Zot i të gjitha qenieve dhe Dëshira e të gjitha krijesave! Të lutem, për Fjalën që e bëri Drizën e Përflakur të ngrejë Zërin e saj dhe Shkëmbin të thërrasë, përmes së cilës të preferuarit kanë nxituar të arrijnë oborrin e pranisë Sate dhe të dëlirët në zemër agimin e dritës së fytyrës Sate, dhe për psherëtimën e të dashurve të Tu të vërtetë të shkaktuar prej ndarjes nga të zgjedhurit e Tu, dhe për vajtimin e atyre që digjen nga dëshira për të soditur fytyrën Tënde para zbardhjes së shkëlqimit të dritës së Revelacionit Tënd, të kesh mirësinë t'u japësh mundësi shërbëtorëve të Tu të njohin atë që Ti ke vendosur për ta me bujarinë e hirin Tënd. Urdhëro, pra, për ta me Penën Tënde të Lavdisë atë që do t'i drejtojë hapat e tyre drejt oqeanit të zemërgjerësisë Sate dhe do t'i çojë pranë ujërave të gjalla të ribashkimit Tënd hyjnor.
49 O Zot! Mos shiko gjërat që ata kanë bërë, por shiko bujarinë Tënde qiellore sublime që u ka paraprirë të gjitha gjërave të krijuara, të dukshme e të padukshme. O Zot! Ndiçoji zemrat e tyre me dritën e shkëlqyeshme të dijes Sate dhe ndriti sytë e tyre me shkëlqimin vezullues të diellit të favoreve të Tua.
50 Të lutem, o Zot i Emrave dhe Krijues i qiejve, për gjakun e derdhur në Shtegun Tënd, dhe për kokat e vëna në shtiza për hir të dashurisë për Ty, dhe për shpirtrat që janë shkrirë për shkak të ndarjes prej të dashurve të Tu, dhe për zemrat e thyera për të lartësuar Fjalën Tënde, të lejosh që banorët e mbretërisë Sate të bashkohen në besnikërinë ndaj Fjalës Sate të pakrahasueshme, në mënyrë që të gjithë të njohin Unitetin Tënd dhe njëshmërinë Tënde. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Fuqiplotit, Më të Lartit, të Dijshmit, të Urtit.
51 Guxoj të shpresoj se Ai Që është i Gjithëmjaftueshmi, i Paarritshmi, do të dëgjojë lutjen e këtij shërbëtori të përvuajtur, do t'i veshë njerëzit e botës me rrobën e veprave të mira dhe do t'i dëlirë ata nga tundimet e liga. Ai është i Fuqishmi, i Pushtetshmi, Urtiploti, Ai Që sheh gjithçka. Ai dëgjon dhe sheh; Ai është Dëgjuesi i Gjithçkaje, Ai Që Sheh çdo gjë.
12
Súriy-i-Vafá[60]
(Tabela për Vafën)
1 Ai është i Gjithëdijshmi
2 O VAFÁ! Falëndero Zotin tënd që të ka ndihmuar të përqafosh Kauzën e Tij, të ka dhënë mundësinë të njohësh Manifestimin e Vetë Vetes së Tij dhe të ka ngritur ty për të madhëruar Atë Që është Kujtimi Më i Madh në këtë Kumt të lavdishëm.
3 I bekuar je ti o Vafá, sepse i ke qëndruar besnik Besëlidhjes së Perëndisë dhe Testamentit të Tij në një kohë kur të gjithë njerëzit e kanë shkelur këtë dhe kanë mohuar Atë tek i Cili kishin besuar, megjithëse Ai u shfaq i rrethuar nga të gjitha dëshmitë dhe agoi nga horizonti i Revelacionit i veshur me sovranitet të padyshimtë.
4 Por është detyra jote të përpiqesh me të gjitha forcat për të arritur vetë thelbin e besnikërisë. Kjo kërkon të kesh në zemër siguri të plotë dhe të dëshmosh me gjuhën tënde atë që Perëndia ka dëshmuar për Vetë Veten e Tij tepër të lartësuar, duke shpallur: 'Me të vërtetë, i vetëmjaftueshëm jam Unë në Mbretërinë e Lavdisë'. Ai të cilit i është dhënë në këto ditë të pohojë solemnisht këtë të vërtetë, ka arritur çdo të mirë dhe mbi të do të zbresë ditë e natë Shpirti qiellor, dhe do ta ndihmojë me dashamirësi të përlëvdojë Emrin e Zotit të tij, dhe do t'i lejojë të zgjidhë gjuhën e të mbrojë me fjalët e tij Kauzën e Zotit të vet, të Mëshirshmit, Zemërdhembshurit. Dhe askush nuk do ta arrijë kurrë këtë veç atij që që e ka spastruar zemrën prej gjithçkaje të krijuar midis qiellit dhe tokës dhe që është shkëputur plotësisht nga çdo gjë tjetër veç Perëndisë, Zotit sovran, Fuqiplotit, të Mirit.
5 Ngrehu për t'i shërbyer Kauzës dhe thuaj: Betohem për drejtësinë e Perëndisë! Me të vërtetë kjo është Pika Parësore, e veshur me rrobën e Tij të re dhe e manifestuar me Emrin e Tij të lavdishëm. Ai tani sheh gjithçka nga ky horizont. Me të vërtetë Ai është suprem mbi të gjitha gjërat. Midis Tubimit Qiellor Ai njihet si Kumti Më i Madh, dhe në Mbretëritë e Përjetësisë si Bukuria e Lashtë, dhe para Fronit me këtë Emër[61] që ka bërë t'u shkasin këmbët atyre që u është dhënë të kuptojnë.
6 Thuaj, betohem për Perëndi! Në këtë Revelacion, qysh përpara se nga mbretëria e shenjtërisë dhe e së madhërishmes, një varg i vetëm të ishte dërguar, dëshmia supreme e Perëndisë ishte përmbushur për të gjithë banorët e qiellit e të tokës; veç kësaj, Ne kemi reveluar të barasvlefshmen e çdo gjëje që qe dërguar në Dispensacionin e Bayán-it. Druajuni Perëndisë, mos lejoni që bëmat tuaja të shkojnë dëm dhe mos jini ndër ata që janë të zhytur në shkujdesje. Hapini sytë që të mund të shihni Bukurinë e Lashtë nga kjo pozitë e shkëlqyeshme dhe e shndritshme.
7 Thuaj, Perëndia më është dëshmitar! Vetë i Premtuari ka zbritur nga qielli i ulur mbi renë kërmëz, me ushtritë e revelacionit në të djathtë të Tij dhe engjëjt e frymëzimit në të majtë, dhe Dekreti është përmbushur me urdhër të Perëndisë, të Gjithëfuqishmit, Fuqiplotit. Nga kjo të gjithëve u kanë shkarë këmbët, me përjashtim të atyre që Perëndia i ka mbrojtur me mëshirën e Tij zemërbutë dhe i ka renditur me ata që E kanë njohur Atë përmes Vetes së Tij dhe janë shkëputur prej çdo gjëje që i përket kësaj bote.
8 Vëru veshin Fjalëve të Zotit tënd dhe dëlire zemrën nga çdo iluzion, në mënyrë që drita shkëlqimtare e kujtimit të Zotit tënd të përhapë rrezatimin e saj mbi të dhe që një zemër e tillë të arrijë stadin e sigurisë.
9 Dije gjithashtu se letra jote arriti në praninë Tonë dhe se Ne e lexuam dhe e kuptuam përmbajtjen e saj. Ne e mbajtëm shënim pyetjen që ti bën dhe do të të përgjigjemi pa vonesë. Është e nevojshme që në këtë Ditë secili t'i kërkojë Perëndisë atë që dëshiron dhe Zoti yt do t'i përgjigjet kërkesës së tij me vargje të mahnitshme e të pamohueshme.
10 Ti ke pyetur për çështjen e kthimit. Dije se fundi është si fillimi. Ashtu siç konsideron fillimin duhet të konsiderosh edhe fundin, dhe ji ndër ata që kuptojnë me të vërtetë. Madje, konsideroje fillimin si vetë fundin, dhe anasjelltas, që të fitosh një perceptim të qartë. Dije për më tepër se çdo gjë e krijuar vazhdimisht lind dhe rikthehet me urdhër të Zotit tënd, Perëndisë së pushtetit e të fuqisë.
11 Përsa i përket Kthimit, siç e nënkupton Perëndia në Tabelat e Tij të shenjta e të lartësuara, ku Ai ua bën të njohur këtë çështje shërbëtorëve të Tij, me këtë tregohet kthimi në Ditën e Ringjalljes i të gjitha gjërave të krijuara, dhe ky është me të vërtetë thelbi i Kthimit që ti e ke parë në vetë ditët e Perëndisë , dhe ti je ndër ata që dëshmojnë për këtë të vërtetë.
12 Me të vërtetë Perëndia është plotësisht në gjendje të bëjë që të gjithë emrat të shfaqen në një emër të vetëm dhe të gjithë shpirtrat në një shpirt të vetëm. Sigurisht i fortë e i fuqishëm është Ai. Dhe ky kthim kryhet me urdhër të Tij në çdo formë që Ai do. Me të vërtetë është Ai Që bën e vendos gjithçka. Për më tepër ti duhet ta kuptosh kryerjen e Kthimit e të Ringjalljes vetëm sipas Fjalës së Zotit tënd, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit. Për shembull, sikur Ai të merrte një dorë dhe të deklaronte se ajo është Ai Që ju keni ndjekur në të kaluarën, kjo do të ishte padyshin e drejtë dhe e vërtetë, sikur të ishte Personi i Tij real, dhe askujt nuk i jepet e drejta të verë në pikëpyetje autoritetin e Tij. Ai bën atë që do dhe urdhëron çdo gjë që I pëlqen. Në këtë stad ki mendjen gjithashtu të mos e kthesh shikimin ndaj kufizimeve e aluzioneve, por ndaj asaj për të cilën vetë Revelacioni është kryer dhe ji ndër ata që kuptojnë. Kështu Ne të shpjegojmë ty me një gjuhë të qartë e të shtjelluar, që ti të kuptosh atë që i ke kërkuar Zotit tënd të lashtë.
13 Mendo Ditën e Ringjalljes. Sikur Perëndia të thoshte që më e ulta krijesë midis besnikëve të jetë i Pari që besoi në Bayán-in, për këtë ti nuk duhet të dyshoje aspak dhe duhet të jesh ndër ata që besojnë me të vërtetë. Në këtë stad mos shiko kufizimet e emrat njerëzorë, por shih atë që justifikon rangun e të Parit që besoi, domethënë besimin te Perëndia dhe njohjen e Qenies së Tij, dhe sigurinë në përmbushjen e urdhrit të Tij të pakundërshtueshëm e të detyruar.
14 Shih Revelacionin e Pikës së Bayán-it - u lartësoftë lavdia e Tij. Ai tha se i Pari që besoi tek Ai[62] ishte Muhameti, Lajmëtari i Perëndisë. A i lejohet njeriut të polemizojë me Të, duke thënë se ky njeri është nga Persia, ndërsa Tjetri nga Arabia, ose se ky quhej Husayn ndërsa Tjetri e kishte emrin Muhamet? Jo, betohem për Qenien e shenjtë të Perëndisë, të Lartit, Më të Madhit. Sigurisht asnjë njeri i zgjuar e me mend nuk do t'u kushtonte kurrë vëmendje kufizimeve ose emrave, por asaj me të cilën ishte investuar Muhameti, domethënë Kauzës së Perëndisë. Ky njeri me mend do të merrte në konsideratë gjithashtu Husayn-in dhe pozitën që ai zinte në Kauzën e Perëndisë, Fuqiplotit, të Lartit, të Dijshmit, të Urtit. Dhe duke qenë se i Pari që besoi te Perëndia në Dispensacionin e Bayán-it ishte i veshur me autoritet të njëjtë me atë që ishte i veshur Muhameti, Lajmëtari i Perëndisë, atëherë Báb-i tha se Ai ishte ky i fundit, domethënë kthimi dhe ringjallja e Tij. Kjo pozitë është e çliruar nga çdo kufizim ose emër, dhe asgjë tjetër nuk mund të shihet në të veç Perëndisë, të Vetmit, të Pashoqit, të Gjithëdijshmit.
15 Dije gjithashtu se në Ditën e Revelacionit, në qoftë se Ai do të thoshte që njëra prej gjetheve është manifestimi i të gjithë titujve të Tij të shkëlqyer, askujt nuk i jepet e drejta të pyesë përse dhe si, dhe kush e bën këtë do të konsiderohet se nuk beson te Perëndia dhe do të radhitet ndër ata që kanë mohuar të Vërtetën e Tij.
16 Kini mendjen, kini mendjen të mos silleni si njerëzit e Bayán-it. Sepse ata gabuan rëndë, çuan në rrugë të shtrembër njerëzit, injoruan Besëlidhjen dhe Testamentin e Tij dhe e bënë veten të barabartë me Të, të Vetmin, të Pakrahasueshmin, të Gjithëdijshmin. Me të vërtetë ata nuk e njohën Pikën e Bayán-it, sepse po ta kishin njohur nuk do të kishin mohuar Manifestimin e Tij në këtë Qenie të shndritshme e të shkëlqyer. Dhe duke e mbërthyer shikimin tek emrat, kur Ai e zëvendësoi Emrin e Tij 'Më i Lartësuari' me emrin 'Më i Lavdishmi', sytë e tyre u errësuan. Ata nuk e njohën Atë në këto ditë dhe numërohen ndër ata që vdesin. Me të vërtetë, sikur ata ta kishin njohur Atë përmes Vetë Vetes së Tij ose duke u nisur nga ajo që Ai ka reveluar, ata nuk do ta kishin refuzuar Atë kur u shfaq me këtë Emër të lavdishëm e të pakrahasueshëm, që Perëndia ka vendosur të jetë Shpata e Revelacionit të Tij midis qiellit e tokës dhe përmes të cilit e vërteta është e ndarë nga gabimi, që tani e deri në Ditën kur njerëzimi do të qëndrojë në këmbë para Zotit të botëve.
17 Dije për më tepër se në Ditën e Manifestimit të Tij të gjitha gjërat veç Perëndisë do të nxirren në dritë dhe do të vendosen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga rangu i tyre i lartë ose i ulët. Dita e Kthimit është e panjohshme për të gjithë njerëzit deri pasi të jetë përmbushur Revelacioni hyjnor. Me të vërtetë Ai është Që bën çfarë dëshiron. Kur Fjala e Perëndisë u është reveluar të gjitha gjërave të krijuara, kush mban vesh e dëgjon Thirrjen me të vërtetë numërohet ndër shpirtrat më të shquar, edhe sikur të jetë një mbartës hiri. Dhe kush i kthen kurrizin, numërohet ndër shërbëtorët më të ulët të Tij, edhe sikur të jetë një sundues midis njerëzve dhe zotërues i të gjithë librave që janë në qiejt e mbi tokë.
18 Ti duhet të shohësh me një vizion hyjnor gjërat që të kemi reveluar e dërguar, dhe jo njerëzit dhe atë që është në përdorim midis tyre. Në këtë ditë ata janë si i verbëri që, duke ecur nëpër diell, pyet: Ku është dielli? A po ndriçon ai? Ai do të mohonte e do të hidhte poshtë të vërtetën dhe nuk do të ishte ndër ata që kuptojnë. Ai kurrë nuk do të jetë i aftë të shquajë diellin ose të kuptojë atë që ka ndodhur midis tij dhe këtij. Ai do të bluante vërejtje në veten e tij, do të bënte protesta dhe do të ishte ndër rebelët. Të tillë janë këta njerëz. Lërini rehat ata, duke thënë: Ju bëni atë që dëshironi dhe ne do të bëjmë atë që dëshirojmë. I mjerë është me të vërtetë fati i të pafeve.
19 Dije për më tepër se Manifestimi i mëparshëm ka thënë që kthimi dhe ngritja e shpirtrave do të ndodhin në Ditën e Ringjalljes, ndërsa në të vërtetë ka një kthim e ringjallje për çdo krijesë. Por nuk duam të përmendim diçka që nuk është shprehur në Bayán-in, që ndoshta të ligjtë të mos bëjnë shumë zhurmë. Oh, sikur të davaritej ajo që ka ndërhyrë midis bijve të njerëzve dhe Krijuesit të tyre, që ata të mund të soditnin sovranitetin dhe sundimin e pamposhtur të Perëndisë, të pinin nga burimi i rrymave të Tij qiellore, të spërkateshin nga vërshimet e oqeanit të të kuptuarit të vërtetë dhe të dëlireshin prej ndotjeve të të pafeve e të skeptikëve.
20 Lidhur me pyetjen tënde për botët e Perëndisë. Dije se në të vërtetë botët e Perëndisë janë të panumërta në sasi dhe të pafundme në shtrirjen e tyre. Askush nuk mund t'i numërojë e t'i kuptojë ato veç Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Mendo gjendjen tënde kur fle. Me të vërtetë, Unë them se kjo dukuri është më e mistershmja e shenjave të Perëndisë midis njerëzve, sikur ata ta peshonin këtë në zemrat e tyre. Vëre sesi ajo që ke parë në ëndrrat e tua, me kalimin e një kohe të gjatë realizohet tërësisht. Në qoftë se bota në të cilën ti je gjendur në kohën e ëndrrës do të ishte e njëllojtë me botën në të cilën jeton, do të duhej që ngjarja që të ka ndodhur në ëndërr të ndodhte në këtë botë pikërisht në çastin që ke parë ëndrrën. Po të ishte kështu, ti vetë do të ishe dëshmitar i saj. Por duke mos qenë kështu, del se bota në të cilën ti jeton është e ndryshme dhe e ndarë nga ajo që ke përjetuar në ëndërr. Kjo botë e fundit nuk ka as fillim, as mbarim. Në qoftë se ti do të thoje se, me urdhër të Perëndisë Lavdiplotë e të Gjithfuqishëm, kjo botë është brenda vetes sate dhe e mbyllur në të, kjo do të ishte e vërtetë. Dhe po kështu do të ishte e vërtetë të thuhej se shpirti yt, duke kapërcyer kufizimet e gjumit dhe duke u çliruar nga çdo lidhje tokësore, është çuar, me vullnet të Perëndisë, në një mbretëri që qëndron e fshehur në realitetin më të thellë të kësaj bote. Me të vërtetë Unë them se krijimi i Perëndisë përfshin botë të tjera veç kësaj bote dhe krijesa të tjera veç këtyre krijesave. Në secilën prej këtyre botëve Ai ka krijuar gjëra që askush nuk mund t'i hetojë veç Atij Vetë, Hetuesit të Gjithçkaje, Urtiplotit. Medito për ato që të kemi reveluar, që të mund të zbulosh qëllimin e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të të gjitha botëve. Në këto fjalë ruhen misteret e Urtisë Hyjnore. Ne i jemi shmangur të ndalemi gjatë në këtë çështje për arsye të dhimbjes që Na kanë shkaktuar veprimet e atyre që janë krijuar përmes fjalëve Tona, në qofshi ndër ata që i venë veshin Zërit Tonë.
21 Ku është ai që mund të Më ndihmojë dhe të Më bëhet mburojë nga shpatat e këtyre shpirtrave të pabesë? Ku është njeriu me mend që do t'i shohë Fjalët e Perëndisë me vetë sytë e tij dhe do të flakë nga vetja mendimet e nocionet e popujve të botës?
22 O shërbëtor! Paralajmëroi shërbëtorët e Perëndisë të mos refuzojnë atë që nuk e kuptojnë. Thuaj, lutjuni Perëndisë që t'u hapë zemrave tuaja portat e të kuptuarit të vërtetë, që të mund të mësoni atë që askush nuk e di. Me të vërtetë, Ai është Dhënësi, Falësi, Zemërdhembshuri.
23 Më ke pyetur edhe për dekretet e Perëndisë. Dije të sigurt se çdo gjë që urdhërohet në Librin është e vërteta, për këtë nuk ka asnjë dyshim, dhe të gjithë e kanë për detyrë të zbatojnë atë që ka dërguar Ai Që është Reveluesi, i Gjithëdijshmi. Në qoftë se dikush i lë ato mënjanë edhe duke qenë i vetëdijshëm, Perëndia me të vërtetë do të largohej prej tij dhe Ne gjithashtu do të largohemi prej tij, sepse dekretet e Tij janë frytet e Pemës hyjnore, dhe vetëm të shkujdesurit e rebelët do t'u kthejnë krahët atyre.
24 Përsa i përket Parajsës: Ajo është një realitet dhe nuk mund të ketë dyshim për këtë, dhe tani në këtë botë ajo arrihet përmes dashurisë Sime dhe pëlqimit Tim. Cilindo që e fiton atë, Perëndia do ta ndihmojë në botën këtu poshtë dhe pas vdekjes do t'i japë mundësinë të hyjë në Parajsë, që është e madhe sa qielli dhe toka. Këtu Vashat e lavdisë e të shenjtërisë do t'i shërbejnë ditë e natë, ndërsa ylli i bukurisë së përhershme të Zotit të Tij do të derdhë papushim shkëlqimin e tij mbi të dhe ai do të shndrisë me aq ndriçim saqë askush nuk do të mundë t'ia drejtojë shikimin. I tillë është dispensacioni i Providencës, por njerëzit janë të ndarë prej tij nga një perde e rëndë. Po kështu kupto natyrën e zjarrit të skëterrës dhe ji ndër ata që besojnë me të vërtetë. Për çdo veprim që kryhet do të ketë një shpërblim sipas gjykimit të Perëndisë, për këtë dëshmojnë gjerësisht vetë dekretet dhe ndalimet e urdhëruara nga Fuqiploti. Dhe me të vërtetë, në qoftë se veprat nuk do të shpërbleheshin e nuk do të jepnin fryte, atëherë Kauza e Perëndisë - lëvduar qoftë Ai - do të ishte e padobishme. Pafundësisht sublim është Ai, i lartësuar sipër blasfemish të tilla! Por për ata që janë të çliruar prej çfarëdo lidhjesh, veprimi është, në të vërtetë, shpërblimi i vetvetes. Po të zgjeroheshim për këtë çështje, do të duhej të shkruanim Tabela të shumta.
25 Betohem për drejtësinë e Perëndisë së Vërtetë Që është Një i Vetëm! Pena nuk lëviz dot për shkak të asaj që i ka ndodhur Zotit të saj, dhe vajton me ngashërim, e vajtoj edhe Unë, dhe po kështu vajton, i ulur mbi Fronin e Emrit të Tij të lavdishëm, syri i Atij Që është Thelbi i Madhështisë
26 Dëlire zemrën, që Ne të mund të bëjmë të vërshojnë prej saj gurra të urtisë e të fjalës, duke të dhënë mundësinë të ngresh zërin midis të gjithë njerëzve. Zgjidhe gjuhën dhe shpall të vërtetën për hir të kujtimit të Zotit tënd zemërdhembshur. Mos u druaj nga askush, mbështete tërë besimin te Perëndia, Fuqiploti, i Gjithëdijshmi. Thuaj, o njerëz, plotësoni çdo gjë që kuptoni nga Bayán-i Persian, dhe për çdo gjë që nuk e kuptoni pyetni këtë Kujtesë të pagabueshme, që t'ju shpjegojë qartë atë që Perëndia ka pasur ndërmend në Librin e Tij, sepse me të vërtetë Ai e di atë që ruhet në Bayán-in falë Vullnetit të Atij Që është Fuqiploti, i Pushtetshmi.
27 Më ke pyetur për paralajmërimin që u kemi bërë njerëzve në kohën që u larguam nga Iraku, duke thënë se kur Dielli të zhduket nga shikimi, zogjtë e errësirës do të vihen në lëvizje dhe do të ngrihet flamuri i Sámirí-ut.[63] Betohem për Perëndi! Ata zogj kanë lëvizur në ato ditë dhe Sámirí-u ka bërë zhurmë. Lum ai që kupton dhe numërohet midis njerëzve mendjemprehtë. I kemi paralajmëruar ata gjithashtu kundër shfaqjes së viçit. Perëndia Më është dëshmitar! Të gjitha paralajmërimet e Mia janë përmbushur, ashtu siç duhej të ndodhte, duke qenë se kanë rrjedhur nga gishtat e lavdisë e të fuqisë. Lutju Perëndisë të të mbrojë nga ligësia e atyre njerëzve dhe të të dëlirë nga insinuatat e rebelëve. Shtrëngohu, pra, për të çuar përpara Kauzën dhe mos u vër veshin fjalëve që thonë njerëzit e Bayán-it, sepse ata me të vërtetë nuk janë në gjendje të kuptojnë dhe nuk kanë kapur thelbin e Kauzës së reveluar këtij gushti, këtë Kumt Kaq të Madh. Kështu të kemi frymëzuar ty dhe kemi futur në zemrën tënde atë që do të të çlirojë nga insinuatat e njerëzve.
28 Lavdia e Perëndisë qoftë mbi ty dhe mbi ata që u vënë veshin fjalëve që ti thua për hir të Perëndisë, Zotit tënd, dhe qëndro i patundur në Kauzën e Tij. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i botëve.
13
LAWH-I-SIYYID-MIHDÍY-I-DAHAJÍ
(Tabela për Siyyid Mihdíy-i-Dahají-un)
1 Ai është Më i Shenjti, Më i Madhi, Më i Lartësuari, Më i Larti
2 O EMRI Im![64] Falëndero Perëndinë që pati mirësinë të të zgjedhë ty për të qenë reshje bujarie për atë që Ne kemi hedhur në tokën e pastër e të bekuar dhe të dha mundësinë të shërbesh si pranverë mëshire zemërdhembshur për pemët e mahnitshme e sublime që kemi mbjellur. Kaq i madh është ky favor, saqë midis të gjitha gjërave të krijuara në botën e qenies asgjë nuk mund të shpresojë të krahasohet me të. Ne të kemi dhënë për më tepër të pish verën e zgjedhur të të folurës nga kupa e dhuratave të Zotit të mëshirshëm, që është kjo Gjuhë e shenjtë - Gjuhë e cila sapo u zgjidh gjallëroi gjithë krijimin, vuri në lëvizje të gjitha qeniet dhe e bëri Bilbilin t'ua marrë melodive të tij. Kjo është Gurra e ujit të gjallë për të gjithë ata që banojnë në mbretërinë e qenies.
3 Shumë herë kemi përhapur Ne mbi ty aromat e ëmbla të Mëshirëplotit nga kjo Degë që lëviz mbi Tabelën e Zotit tënd, të Pushtetshmit, të Pakushtëzuarit. Për drejtësinë e Perëndisë së Vërtetë Që është Një! Sikur të gjitha gjërat e krijuara, të dukshme e të padukshme, të drejtoheshin ndaj Tij, ti do t'i shihje ato të lëshoheshin fluturim drejt Qëllimit Suprem, Selisë në të cilën Pema e shenjtë e Lotusit thërret: Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit.
4 I madh është bekimi yt, sepse po udhëton përmes të gjitha tokave të Perëndisë dhe ke qenë mishërim gëzimi e sigurie për njerëzit e Bahá-it që kanë hequr dorë prej gjithçkaje veç Tij dhe i kanë kthyer zemrat ndaj këtij Oborri që ka përhapur ndriçimin e vet mbi të gjitha botët, dhe i ka spërkatur me ujërat e shkumbëzuara të këtij Oqeani, nga të cilat edhe ti vetë je spërkatur, - Oqean që ka përfshirë të gjitha gjërat e krijuara.
5 Me të vërtetë ti e ke kuptuar se ç'do të thotë të ndihmosh Perëndinë dhe u ngrite për ta bërë këtë me anë të forcës së urtisë e të fjalës. Thuaj: Të Më ndihmosh Mua do të thotë t'u mësosh njerëzve Kauzën Time. Kjo është një temë me të cilën mbushen Tabela të tëra. Ky është urdhri i pandryshueshëm i Perëndisë, i përjetshëm në të kaluarën, i përjetshëm në të ardhmen. Kuptojeni këtë, o njerëz me mend. Ata që i kanë kapërcyer kufijtë e urtisë nuk e kuptojnë dot se ç'do të thotë të ndihmosh Perëndinë që shpjegohet në Librin. Thuaj: Druajuni Perëndisë dhe mos mbillni midis njerëzve farat e përçarjes. Përmbajuni asaj që ju është urdhëruar nga Zoti juaj, Fuqiloti, i Gjithëdijshmi. Ai e di realitetin e fitores dhe jua ka mësuar juve me një fjalë që imagjinatat e kota të atyre që enden të hutuar në tokat e shkreta të dyshimit kurrë nuk mund ta shtrembërojnë.
6 O Emri Im! Lejo që të gjitha gjërat e krijuara të pinë edhe një herë nga kjo kupë që i ka bërë detet të gufojnë. Nxit pastaj në zemrat flakët e zjarrit që kjo Pemë kërmëz ka ndezur, që ata të ngrihen për të lavdëruar e madhëruar Emrin e Tij midis pasuesve të të gjitha Besimeve.
7 Letra të shumta tuajat janë paraqitur para Fronit Tonë. I kemi lexuar ato në shenjë mirësie nga ana Jonë, dhe për çdo emër që ti ke përmendur në to kemi reveluar atë që do të shkundë mendjet e njerëzve dhe do t'i bëjë shpirtrat të ngrihen fluturim. Për më tepër, të kemi dhënë vazhdimisht mundësinë të dëgjosh cicërrimat e zogjve të qiellit dhe t'i vësh veshin këngës së bilbilave që derdhin mbi degë meloditë e tyre. Kështu Pena e Perëndisë është vënë në lëvizje për kujtimin tënd, që ti t'i paralajmërosh njerëzit me forcën e kësaj thënieje, që Perëndia ka urdhëruar të jetë reveluesja e shenjave të lavdisë së Tij.
8 I bekuar është vendi ku ngrihet himni i përlëvdimit të Tij dhe i bekuar është veshi që dëgjon atë që është dërguar nga qielli i dashamirësisë së Zotit tënd, Mëshirëplotit.
9 Këshilloji shërbëtorët e Perëndisë për atë që të kemi këshilluar ty, që ata të shmangin çdo gjë që u është ndaluar në Librin Amë. Ata që kryejnë veprime që mund të krijojnë rrëmujë midis njerëzve, me të vërtetë janë larguar së tepërmi nga detyra për të ndihmuar Perëndinë dhe Kauzën e Tij, dhe numërohen ndër ngatërrestarët në Tabelën që Perëndia e ka caktuar të jetë agimi i të gjitha Tabelave.
10 Thuaj: Po të na pëlqente, do t'i jepnim fitoren Kauzës përmes fuqisë së një fjale të vetme të pranisë Sonë. Ai është me të vërtetë i Gjithëfuqishmi, i Pakundërshtueshmi. Po të ishte ky qëllimi i Perëndisë, nga pyjet e pushtetit qiellor do të dilte luani me forcë të pamposhtur, ulërima e të cilit i përngjan buçitjes së bubullimës që gjëmon midis maleve. Por me qenë se dashamirësia Jonë ua kalon të gjitha gjërave, kemi dhënë urdhër që fitorja e plotë të arrihet përmes fjalëve e thënieve, në mënyrë që shërbëtorët tanë në të gjithë botën të bëhen bartësit e të mirave hyjnore. Dhe kjo s'është veçse një shenjë e dashamirësisë që Perëndia u ka dhuruar. Me të vërtetë, Zoti yt është Ai Që Plotëson Gjithçka, Më i Lartësuari.
11 Thuaj: Druajuni Perëndisë dhe mos kryeni vepra që do t'i bënin të Dashurit e Mi mbi tokë të vajtojnë. Kështu ju urdhëron kjo Penë që ka vënë në lëvizje Penën e Lavdisë në arenën e urtisë e të të kuptuarit të vërtetë.
12 Jepu të falat e Mia atyre që në fytyrat e veta pasqyrojnë shkëlqimin e Bahá-it, pastaj përmendju atyre këtë fjalë që ngushëllon sytë e të drejtëve. Lavdia e Perëndisë qoftë mbi ty dhe mbi ata që janë kapur fort pas Telit të Perëndisë, Reveluesit të vargjeve...
13 Frenoi banorët e atyre anëve nga veprimet provokuese, nga konfliktet, përçarjet e nga çdo gjë tjetër që krijon turbullira. E lavdërueshme është sot të çosh përpara Kauzën. Për shembull, në qoftë se ata që ndjekin disa qëllime do t'i kushtoheshin mësimit të Kauzës, së shpejti të gjithë banorët e atyre anëve do të vishnin rrobën e besimit.
14 Ai që do të shijonte ëmbëlsinë e pasazhit të mëposhtëm në Tabelën e reveluar për nder të Nabíl-it të Qá'in-it,[65] do të kuptonte menjëherë domethënien e ndihmës: E folura e njeriut është një realitet që synon të ushtrojë ndikimin e vet dhe që ka nevojë për moderim. Përsa i përket ndikimit të saj, ai kushtëzohet nga përsosuria, e cila nga ana e saj varet prej zemrave që janë të shkëputura e të pastra. Përsa i përket moderimit të saj, ky duhet kombinuar me taktin e urtinë, siç porositet në Librat dhe Tabelat e Shenjta.
15 O Emri Im! E folura duhet të ketë medoemos fuqi depërtuese. Sepse po nuk e pati këtë cilësi, nuk do të ketë ndikim. Dhe ky ndikim depërtues varet nga një shpirt i dëlirë dhe një zemër e panjollë. Ajo ka po kështu nevojë për moderim, gjë pa të cilën dëgjuesi nuk do ta duronte dot, përkundrazi do të kundërvihej qysh në fillim. Dhe moderimi arrihet duke e gërshetuar të folurën me shenjat e urtisë hyjnore të skalitura në Librat dhe Tabelat e shenjta. Kështu, kur thelbi i të folurës së njeriut i ka këto dy veti, ajo do të jetë shumë efektive dhe faktori numër një për transformimin e shpirtrave të njerëzve. Ky është stadi i fitores supreme dhe i sundimit qiellor. Atij që e arrin atë, i jepet fuqia të shpjegojë Kauzën e Perëndisë dhe të triumfojë mbi zemrat dhe mendjet e njerëzve.
16 O Emri Im! Ylli i Ditës i të folurit, duke ndritur me shkëlqim nga agimi i Revelacionit hyjnor, i ka ndriçuar aq shumë Pergamenat e Tabelat, saqë mbretëria e të folurit dhe sundimi i lartësuar i të kuptuarit dridhen prej gëzimit e ekstazës dhe rrezatojnë shkëlqimin e dritës së Tij, por shumica e njerëzve nuk kuptojnë.
17 Arsyeja përse tema e ndihmës dhe e mbështetjes ka rrjedhur shumë herë, dhe do të vazhdojë të rrjedhë, nga Pena e Zotit, është që t'i paralajmërojë miqtë e Perëndisë të mos merren me veprimtari që nxisin konflikte e trazira. Të gjithë ata, pa përjashtim, e kanë për detyrë të kërkojnë me zell rrugët për të ndihmuar Kauzën e Perëndisë në mënyrën që kemi shpjeguar. Kjo s'është veçse një shenjë e mirësisë së posaçme të Tij për të dashurit e Vet, në mënyrë që secili prej tyre të arrijë stadin që karakterizohet nga fjalët: 'Kush zgjon një shpirt, ka zgjuar në të vërtetë gjithë njerëzimin'.
18 Sundimi tokësor ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë nën hijen e këtij stadi. Ora e caktuar për të është paravendosur në Librin e Perëndisë. Ai është vërtet në dijeni të saj; ajo do të shfaqet përmes pushtetit të fuqisë së Tij. Me të vërtetë, Ai është i Fuqishmi, Gjithënënshtruesi, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
19 Shpirtrat e shenjtëruar duhet të peshojnë e të përsiatin në zemrat e tyre për metodat e mësimit. Nga tekstet e Shkrimeve të mrekullueshme, qiellore duhet të mësojnë përmendsh fraza e pasazhe për çështje të ndryshme, në mënyrë që gjatë bisedave të tyre të mund të citojnë vargjet hyjnore sa herë që e kërkon rasti, sepse vargjet e shenjta janë eliksiri më i fuqishëm, hajmalia më e madhe e më vepruese. Kaq i fuqishëm është ndikimi i tyre, saqë dëgjuesi nuk do të ketë shkak për t'u lëkundur. Betohem për jetën Time! Ky Revelacion është i pajisur me një fuqi të tillë, saqë do të jetë si një magnet për të gjitha kombet dhe fiset e tokës. Kush ndalet për të përsiatur me vëmendje, do të zbulojë se për askënd nuk ka, dhe as mund të ketë, vend për të ikur.
20 Kitáb-i-Aqdas është reveluar në mënyrë të tillë që tërheq e përfshin të gjitha Dispensacionet hyjnore. Lum ata që e lexojnë. Lum ata që e kuptojnë. Lum ata që përsiatin për të. Lum ata që peshojnë domethënien e tij. Aq e gjerë është fusha e veprimit të tij, saqë ka përfshirë të gjithë njerëzit para se ata ta njohin këtë. Së shpejti pushteti i tij sovran, ndikimi i tij depërtues dhe madhështia e pushtetit të tij do të shfaqen mbi tokë. Me të vërtetë, Perëndia yt është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
21 O Emri Im! Dëgjo Zërin Tim që vjen nga drejtimi i Fronit Tim. Ai dëshiron të kujtojë gjithmonë emrin tënd, sepse je treguar i patundur në lëvdimin e virtyteve të Tij midis njerëzve. Vërtet Zoti yt e do besnikërinë që ndeshet në mbretërinë e krijimit dhe i ka dhënë përparësi mbi shumë veti të lavdërueshme. Me të vërtetë, Ai është i Fuqishmi, i Pushtetshmi.
22 Dije gjithashtu se kemi dëgjuar lavdërimin që ke ngritur në komunikimin tënd me Perëndinë, Zotin Tënd, të Lartësuarin, të Hirshmin. I madh është me të vërtetë bekimi që të pret, sepse ke lënë pas dore punët e tua në dobi të kësaj Kauze të shenjtë, të fuqishme e të ndriçuar. I lutemi Perëndisë ta bëjë thirrjen tënde një magnet që do të tërheqë mishërimet e emrave në botën e ekzistencës, në mënyrë që të gjitha qeniet të nxitojnë spontaneisht për ta dëgjuar. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Lavdëruarit, të Lartit, Gjithnjë të Bekuarit, Sublimit, Augustit, Më të Lavdishmit, Më Bujarit, të Gjithëdijshmit, të Gjithinformuarit.
14
LAWH-I-BURHÁN
(Tabela e Provës)
Kjo Tabelë është reveluar pas martirizimit të Mbretit të Martirëve dhe Të Dashurit të Martirëve (shih Perëndia kalon pranë, faqe 200-201) dhe i drejtohej Shaykh Muhammad Báqir-it, të stigmatizuar nga Bahá'u'lláh-u me epitetin 'Ujku'. Në këtë Tabelë Bahá'u'lláh-u i referohet Mír Muhammad Husayn-it, Imám Jum'ih-it të Isfahán-it, të mbiquajtur 'Gjarpërushja', që ishte bashkëpunëtor i Shaykh Muhammad Báqir-it në përndjekjen e Bahá'í-ve. (Shih Perëndia kalon pranë, faqe 198, 200-201 dhe 219). Letra për të Birin e Ujkut i drejtohej Shaykh Muhammad Taqíy-i-Najafí-ut, djalit të Shaykh Muhammad Báqir-it.
1 AI është Fuqiploti, i Gjithëdijshmi, Urtiploti! Erërat e urrejtjes kanë fryrë si të tërbuara rreth Arkës së Bat’há-së,[66] për shkak të asaj që kanë bërë duart e shtypësve. O Báqir! Ti ke dënuar ata për të cilët librat e botës kanë vajtuar dhe në favor të të cilëve kanë dëshmuar Shkrimet e të gjitha feve. Një perde e trashë të ka mbështjellë ty që ke shkuar në rrugë të shtrembër. Për Vetë Perëndinë! Ti ke dhënë gjykim kundër atyre përmes të cilëve horizonti i Besimit është ndriçuar. Për këtë dëshmojnë Ata Që janë Vendagimet e Revelacionit dhe Manifestimet e Kauzës së Zotit tënd, Mëshirëplotit, Që kanë bërë fli shpirtrat e Tyre dhe çdo gjë që zotëronin në Shtegun e Tij të drejtë. Besimi i Perëndisë kudo ka derdhur lotë për shkak të tiranisë sate dhe ti ende zbavitesh e je ndër ata që ngazëllehen. Në zemrën Time nuk ka urrejtje për ty e për askënd. Çdo njeri i mësuar të sheh ty dhe ata që si ti janë të zhytur në një humnerë marrëzie të dukshme. Po të kishe kuptuar ti se ç'ke bërë, do të ishe hedhur në zjarr, do të kishe braktisur shtëpinë e do të kishe marrë malet, ose do të kishe ulëritur derisa të ishe kthyer në vendin e caktuar për ty prej Atij Që është Zoti i forcës e i fuqisë. O ti që je si një hiç! Grisi perdet e fantazive boshe e të imagjinatave të kota, që të mund të soditësh Yllin e Ditës të dijes, që shkëlqen nga ky Horizont i shndritshëm. Ti ke copëtuar një pinjoll të Vetë Profetit dhe mendon se ke ndihmuar Besimin e Perëndisë. Kështu të ka sugjeruar shpirti yt dhe ti je, në të vërtetë, ndër të shkujdesurit. Veprimet e tua kanë djegur zemrat e Tubimit të Epërm dhe të atyre që kanë ecur rreth Kauzës së Perëndisë, Zotit të botëve. Për shkak të egërsisë sate, shpirti i së Kulluarës[67] është trazuar dhe banorët e Parajsës kanë qarë me ngashërim në atë Vend të bekuar.
2 Gjyko me drejtësi, të përgjërohem në emër të Perëndisë. Çfarë provash parashtruan doktorët ebrenj për të dënuar Atë Që ishte Shpirti i Perëndisë,[68] kur Ai erdhi midis tyre me të vërtetën? Ç'prova paraqitën farisenjtë dhe priftërinjtë idhujtarë për të justifikuar mohimin që i bënë Muhametit, Apostullit të Perëndisë, kur Ai erdhi midis tyre me një Libër që gjykonte midis së vërtetës e së rremes me një drejtësi që e ktheu në dritë errësirën e tokës dhe magjepsi zemrat e atyre që E kishin njohur? Me të vërtetë, ti ke parashtruar sot të njëjtat prova që patën nxjerrë teologët e marrë të asaj kohe. Këtë e dëshmon Ai Që është Mbreti i mbretërisë së hirshme në këtë Burg të madh. Ti me të vërtetë ke ecur në rrugën e tyre, madje ua ke kaluar për nga egërsia dhe e ke gjykuar veten mbrojtës të Besimit e të Ligjit të Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Për Atë Që është e Vërteta! Padrejtësia jote e ka bërë Gavrilin të rënkojë dhe i ka nxjerrë lotë Ligjit të Perëndisë, përmes të cilit flladet e drejtësisë kanë fryrë mbi të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë. Ti ke imagjinuar në mënyrë naive se gjykimi që shprehe të ka sjellë dobi? Jo, për Atë Që është Mbreti i të gjithë Emrave! Për humbjen që ke pësuar dëshmon Ai Që ka dijeni për gjithçka, siç është shkruar në Tabelën e ruajtur. Kur ti formulove gjykimin tënd, ty të akuzoi edhe vetë pena jote. Për këtë dëshmon Pena e Perëndisë, Më të Lartit, në pozitën e Tij të paarritshme.
3 O ti që ke shkuar në rrugë të shtrembër! Ti nuk Më ke parë kurrë, as je shoqëruar me Mua, qoftë edhe për një çast të vetëm. Atëherë, si është e mundur që ke urdhëruar njerëzit të Më mallkojnë? Duke bërë këtë, je nxitur nga vetë dëshirat e tua, apo i je bindur Zotit tënd? Jep një shenjë, në qoftë se je njeri i çiltër. Ne dëshmojmë se ti e ke flakur pas shpine ligjin e Perëndisë dhe je pushtuar nga diktati i pasioneve të tua. Asgjë, në të vërtetë, nuk i shpëton dijes së Tij; Ai, me të vërtetë, është i Pakrahasueshmi, Që di Gjithçka. O i shkujdesur! Vëri veshin asaj që i Mëshirshmi ka reveluar në Kuran: 'Mos i thoni atij që ju bën selam "Ti nuk je besimtar"'.[69] Kështu ka urdhëruar Ai që ka në dorë mbretërinë e Revelacionit e të krijimit, në qofsh ndër ata që venë vesh. Ti ke lënë mënjanë urdhrin e Perëndisë dhe je kapur pas nxitjeve të vetë dëshirës sate. Mjerë ti, pra, o moskokëçarës që dyshon! Në qoftë se më mohon Mua, me çfarë prove mund të mbështesësh ti drejtësinë e asaj që zotëron? Tregoje, pra, atë, o ti që e ke quajtur veten ortak me Perëndinë dhe i ke kthyer shpinën sovranitetit të Tij që ka përfshirë botët!
4 O i marrë! Dije se vërtet i ditur është ai që ka njohur Revelacionin Tim, dhe ka pirë në Oqeanin e dijes Sime, dhe është lëshuar fluturim në atmosferën e dashurisë Sime, dhe ka flakur tej çdo gjë veç Meje, dhe është kapur fort pas asaj që është dërguar nga Mbretëria e fjalës Sime të mahnitshme. Me të vërtetë, ai është si një sy për njerëzimin dhe si fryma e jetës në trupin e gjithë krijimit. Përlëvduar qoftë Mëshirëploti Që e ka ndriçuar dhe e ka bërë të ngrihet për t'i shërbyer Kauzës së Tij të madhe e të fuqishme. Me të vërtetë, një njeri i tillë është i bekuar nga Tubimi i Epërm dhe nga ata që banojnë në Shatorren e Madhështisë, që kanë shijuar Verën Time të vulosur në emrin Tim, të Fuqiplotit, të Gjithëpushtetshmit. O Báqir! Në qofsh ndër ata që kanë një pozitë kaq të lartë, jep atëherë një shenjë nga Perëndia, Krijuesi i qiejve. Dhe përkundrazi, nëse njeh pafuqinë tënde, frenoi pasionet e tua dhe kthehu te Zoti yt, që ndoshta Ai të t'i falë mëkatet e tua, që kanë bërë të digjen fletët e Pemës Hyjnore të Lotusit, dhe Shkëmbin të rënkojë, dhe sytë e njerëzve me mend të derdhin lotë. Për shkakun tënd u gris Perdja e Hyjnisë, dhe Arka u fundos, dhe Deveja u gjymtua, dhe Shpirti[70] rënkoi në strehën e Tij sublime. Ti kundërshton Atë Që ka ardhur tek ti me dëshmitë e Perëndisë dhe me shenjat e Tij, që ti vetë i ke dhe që i kanë të gjithë ata që banojnë mbi tokë? Hapi sytë, që të mund të shohësh këtë të Munduar të ndriçojë në horizontin e vullnetit të Perëndisë, Sovranit, të Vërtetës, të Shndritshmit. Hape, pra, veshin e zemrës sate që të mund të dëgjosh fjalën e Pemës Hyjnore të Lotusit, që në të vërtetë është ngritur nga Perëndia, Fuqiploti, Bamirësi. Me të vërtetë, kjo Pemë, megjithë gjërat që i kanë ndodhur për shkak të egërsisë sate dhe të punëve të liga të atyre që janë si ti, thërret me zë të lartë dhe i fton të gjithë njerëzit te Sadratu'l-Muntahá[71] e te Horizonti Suprem. I bekuar është shpirti që që ka soditur Shenjën Më të Fuqishme, dhe veshi që ka dëgjuar Zërin e Tij më të ëmbël, dhe mjerë ai që i ka kthyer shpinën e vepron në mënyrë të mbrapshtë.
5 O ti që je larguar nga Perëndia! Po të vështroje me syrin e drejtësisë Pemën Hyjnore të Lotusit, do të dalloje shenjat e shpatës sate në filizat e saj, dhe në degët e saj, dhe në fletët e saj, megjithëse Perëndia të ka krijuar që ta njohësh këtë Pemë e t'i shërbesh asaj. Reflekto, që ndoshta të mund të njohësh mbrapshtinë tënde dhe të numërohesh ndër të penduarit. Mos vallë mendon se Ne i frikemi egërsisë sate? Dije dhe ji i sigurt se qysh ditën e parë që zëri i Penës Më të Lartë u ngrit midis tokës e qiellit, Ne ofruam shpirtrat Tanë, dhe trupat Tanë, dhe bijtë Tanë, dhe zotërimet tona në shtegun e Perëndisë, të Lartit, të Madhit, dhe Ne kremtojmë atje midis të gjitha gjërave të krijuara e Tubimit të Epërm. Për këtë dëshmojnë gjërat që Na kanë ndodhur në këtë Rrugë të drejtë. Për Perëndi! Zemrat tona digjeshin, dhe trupat tanë kryqëzoheshin, dhe gjaku Ynë derdhej, ndërkohë që sytë Tanë ishin ngulur mbi horizontin e dashamirësisë së Zotit të tyre, Dëshmitarit, Atij Që Sheh Gjithçka. Sa më të rënda ishin fatkeqësitë e tyre, aq më e thellë bëhej dashuria e njerëzve të Bahá-it. Për sinqeritetin e tyre dëshmon ajo që Mëshirëploti ka dërguar nëpërmjet Kuranit. Ai thotë: 'Urojini atëherë vetes vdekjen, në qoftë se jeni të sinqertë'.[72] Kush duhet preferuar, ai që është fshehur pas perdesh të trasha, apo ai që e ka ofruar veten në shtegun e Perëndisë? Gjyko me paanësi dhe mos ji ndër ata që enden të shqetësuar në tokat e shkreta të gënjeshtrës. Ata ishin tërhequr aq shumë nga ujërat e gjalla të dashurisë së Mëshirëplotit, saqë as armët e botës dhe as as shpatat e kombeve nuk i kanë penguar dot që të kthejnë fytyrën ndaj dorëgjerësisë së Zotit të tyre, Dhënësit, Bujarit.
6 Për Perëndi! Fatkeqësitë nuk kanë mundur të Më ligështojnë, dhe mohimi nga ana e teologëve ka qënë i pafuqishëm të Më thyejë. Unë kam folur, dhe flas ende, faqe njerëzve: 'Porta e dashamirësisë është hapur dhe Ai Që është Agimi i Drejtësisë ka ardhur me shenja të dallueshme e me dëshmi të dukshme, nga Perëndia, Zoti i forcës e i fuqisë!'. Paraqitu para Meje, që ndoshta të mund të dëgjosh misteret që pati dëgjuar i Biri i 'Imrán-it[73] mbi Sinain e Urtisë. Kështu të urdhëron nga Burgu i Tij i madh Ai Që është Vendagimi i Revelacionit të Zotit tënd, Perëndisë së Mëshirës.
7 Mos të ka rritur mendjen parësia? Studio atë që Perëndia i ka reveluar sundimtarit Sovran, Sulltanit të Turqisë, i cili Më ka burgosur në këtë fortesë, që të mund të mësosh për gjendjen e këtij të Munduari, të urdhëruar nga Perëndia, i Vetmi, i Veçanti, Ai Që di gjithçka. Je i lumtur që i sheh pasuesit e tu të poshtër e të padenjë? Ata të mbështesin ty, ashtu siç kanë bërë para tyre njerëzit, ata që ndoqën Annas-in, i cili pa prova e dëshmi të qarta dënoi Shpirtin.[74]
8 Studio Kitáb-i-Íqán-in dhe atë që Mëshirëploti u ka dërguar Mbretit të Parisit[75] dhe të tjerëve si ai, që të mund të mësosh për gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën dhe të bindesh se Ne nuk jemi përpjekur të krijojmë trazira në vend pasi në të ishte vendosur rregull. Ne i paralajmërojmë shërbëtorët e Tij vetëm për hir të Perëndisë. Le të kthehet ndaj Tij ai që dëshiron, dhe kush dëshiron le të kthehet në drejtim tjetër. Zoti Ynë, i Mëshirshmi, është me të vërtetë i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëlëvduari. O turmë teologësh! Kjo është dita kur asgjë midis të gjitha gjërave, as ndonjë emër midis të gjithë emrave nuk mund t'ju sjellë dobi veçse përmes këtij Emri që Perëndia e ka bërë Manifestim të Kauzës së Tij dhe Agimin e Titujve të Tij Më të Lartë për të gjithë ata që janë në mbretërinë e krijimit. Lum njeriu që ka njohur aromën e Mëshirëplotit dhe numërohet midis të qëndrueshmëve. Shkencat tuaja nuk do t'ju vlejnë në këtë ditë, as artet tuaja, as thesaret tuaja dhe as lavdia juaj. Flakini ato pas shpine dhe kthejini fytyrat ndaj Fjalës Më Sublime, me anë të së cilës Shkrimet, Librat dhe kjo Tabelë e shkëlqyer janë shtjelluar qartë. Flakini tutje, o turmë teologësh, gjërat që keni sajuar me penën e fantazive boshe e të imagjinatave tuaja të kota. Për Perëndi! Ylli i Ditës i Dijes ka ndriçuar mbi horizontin e sigurisë.
9 O Báqir! Lexo e sill ndërmend atë që ka thënë në kohët e shkuara një besimtar i sërës sate: 'Do të vrisni ju një njeri sepse ka thënë "Zoti im është Perëndia", kur Ai ju ka sjellë prova nga Zoti juaj? Në qoftë se ai është gënjeshtar, mbi të do të bjerë gënjeshtra e tij, por në qoftë se është njeri i drejtë një pjesë e asaj për të cilën ai kërcënon do të bjerë mbi ju. Me të vërtetë Perëndia nuk drejton atë që është shpërdorues, gënjeshtar'.[76]
10 O ti që ke shkuar në rrugë të shtrembër! Në qoftë se ke ndonjë dyshim për sjelljen Tonë, dije se Ne dëshmojmë për atë që Vetë Perëndia ka dëshmuar para se të krijoheshin qiejt dhe toka, se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit. Ne dëshmojmë se Ai është Një i Vetëm në thelbin e Tij, Një i Vetëm në atributet e Tij. Nuk ka askënd që të barazohet me Të në të gjithë universin, dhe as ortak me Të në të gjithë krijimin. Ai ka dërguar Lajmëtarët e Tij, dhe ka dërguar Librat e Tij për t'u treguar krijesave të Tij Rrugën e Drejtë.
11 A është informuar Shahu, dhe ka parapëlqyer të mbyllë sytë para veprimeve të tua? Apo e ka pushtuar frika nga ulërimat e një kopeje ujqish, që pa asnjë provë të qartë e pa asnjë Libër i kanë kthyer shpinën Rrugës së Perëndisë dhe kanë ndjekur tënden? Kemi dëgjuar të thonë se provincat e Persisë janë stolisur me ornamentin e drejtësisë. Por duke i vëzhguar nga afër, kemi parë se ato janë vendagime të tiranisë e agime të padrejtësisë. Ne shohim se drejtësia është mbërthyer në kthetrat e tiranisë. I lutemi Perëndisë ta çlirojë atë me anë të pushtetit të fuqisë e të sovranitetit të Tij. Ai, me të vërtetë, e shtrin hijen e Tij mbrojtëse mbi gjithçka që ndodhet në qiejt e mbi tokë. Askujt nuk i është dhënë e drejta të protestojë për atë që i ka ndodhur Kauzës së Perëndisë. Është detyrë e cilitdo që e ka kthyer fytyrën ndaj Horizontit Më Sublim të kapet fort pas telit të durimit dhe ta mbështesë shpresën te Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Pakushtëzuari. O ju të dashur të Perëndisë! Pini nga gurra e urtisë, dhe ecni në kopshtin e urtisë, dhe flitni me urti e gojëtari. Kështu ju urdhëron Zoti juaj, Fuqiploti, i Gjithëdijshmi.
12 O Báqir! Mos u mbështet te lavdia jote dhe te pushteti yt. Ti je si gjurma e fundit e diellit në majën e maleve. Ajo shpejt do të shuhet, siç ka urdhëruar Perëndia, Gjithëzotëruesi, Më i Larti. Lavdia jote dhe lavdia e atyre që janë si ti është hequr dhe kjo me të vërtetë është urdhëruar nga Ai, tek i Cili ndodhet Tabela Amë. Ku është ai që iu kundërvu Perëndisë, dhe ku ka shkuar ai që mohoi shenjat e Tij dhe u largua nga sovraniteti i Tij? Ku janë ata që kanë masakruar të zgjedhurit e Tij dhe kanë derdhur gjakun e shenjtorëve të Tij? Reflekto, që të mund të ndiesh ndoshta fryrjen e veprimeve të tua, o dyshues i marrë! Për shkakun tënd Apostulli[77] rënkoi dhe e Kulluara[78] derdhi lotë, dhe vendet u shkretuan, dhe errësira ra mbi të gjitha krahinat. O turmë teologësh! Për shkakun tuaj njerëzit janë poshtëruar, flamuri i Islamit është ulur dhe froni i tij i fuqishëm është përmbysur. Sa herë që ndonjë njeri mendjemprehtë ka kërkuar të kapet pas asaj që do ta lartësonte Islamin, ju keni ngritur një zhurmë të tillë që e ka penguar atë të arrijë qëllimin e tij, ndërsa vendi ka mbetur i zhytur në rrënim të dukshëm.
13 Shih Sulltanin e Turqisë! Ai nuk donte luftë, por e donin ata që janë si ti. Kur zjarret e saj u ndezën dhe flakët u ngritën lart, qeverisja dhe populli u dobësuan. Për këtë dëshmon çdo njeri i drejtë e me mend. Gjëmat që ajo solli u shtuan aq shumë saqë tymi i tyre mbështolli Tokën e Misterit[79] e rrethinat e saj dhe ajo që qe reveluar në Tabelën e Sulltanit u shfaq hapur. Kështu qe dekretuar në Librin, me urdhër të Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
14 O Pena Ime Supreme! Lëre përmendjen e Ujkut dhe sill ndërmend Gjarpërushen[80], egërsia e të cilit ka bërë të rënkojnë të gjitha gjërat e krijuara dhe të dridhen gjymtyrët e shenjtorëve. Kështu të urdhëron Zoti i të gjithë emrave në këtë stad të lavdishëm. E Kulluara[81] ka derdhur lotë për shkak të mbrapshtisë sate, e megjithatë ti i bën qejfin vetes se i përket familjes së Apostullit të Perëndisë! Në këtë të ka shtyrë shpirti yt, o ti që i je larguar Perëndisë, Zotit të të gjithë asaj që ka qenë e që do të jetë. Gjyko me drejtësi, o Gjarpërushe! Për çfarë krimi godite ti bijtë[82] e Apostullit të Perëndisë dhe plaçkite pronat e tyre? Mos vallë ke mohuar Atë Që të ka krijuar me urdhrin e Tij "të bëhet, dhe u bë"? Ti ke vepruar me bijtë e Apostullit të Perëndisë si 'Ad-i veproi me Húd-in, ose Thamúd-i me Sálih-un, ose hebrenjtë me Shpirtin e Perëndisë[83], Zotin e gjithë qenies. Mos vallë ti mohon shenjat e Zotit tënd që, sapo ato u dërguan nga qielli i Kauzës së Tij të gjithë librat e botës u përkulën para tyre? Përsiatu, që të mund të bëhesh i vetëdijshëm për veprimin tënd, o i dëbuar moskokëçarës! Së shpejti erërat e ndëshkimit do të të zënë, siç kanë zënë të tjerë para teje. Prit, o ti që i je bërë ortak Perëndisë, Zotit të së dukshmes e të së padukshmes. Kjo është dita që Perëndia e ka njoftuar me gojën e Apostullit të Tij. Reflekto, që të mund të kuptosh atë që Mëshirëploti ka dërguar në Kuranin dhe në këtë Tabelë të skalitur. Kjo është dita në të cilën Ai Që është Agimi i Revelacionit ka ardhur me shenja të qarta që askush nuk mund t'i numërojë. Kjo është dita në të cilën çdo njeri ka zbuluar aromën e flladit të Mëshirëplotit në botën e krijimit dhe çdo njeri me mend ka nxituar drejt ujërave të gjalla të mëshirës së Zotit të Tij, Mbretit të Mbretërve. O moskokëçarës! Historia e flijimit[84] është ritreguar, dhe ai që duhej të flijohej i ka drejtuar hapat ndaj vendit të flijimit, dhe nuk u kthye për shkak të asaj që kanë punuar duart e tua, o urrejtës i mbrapshtë! Mos të gënjen mendja se martirizimi mund ta poshtërojë këtë Kauzë? Jo, për Atë që Perëndia e ka bërë Bartësin e Revelacionit të Tij, në qofsh ndër ata që kuptojnë. Mjerë ti, që i je bërë ortak Perëndisë, dhe mjerë ata që të kanë marrë ty si prijës, pa ndonjë provë të qartë ose një Libër të kthjellët. Sa e sa shtypës para teje janë ngritur për të shuar dritën e Perëndisë, dhe sa e sa të pafe kanë vrarë e plaçkitur derisa zemrat dhe shpirtrat e njerëzve kanë rënkuar për shkak të egërsisë së tyre! Dielli i drejtësisë është errësuar, që kur mishërimi i tiranisë është vendosur në fronin e urrejtjes, por ende njerëzit nuk kuptojnë. Bijtë e Apostullit u masakruan dhe pronat e tyre u plaçkitën. Thuaj: Sipas mendimit tënd, ishin pronat e tyre ose ata vetë që mohuan Perëndinë? Gjyko me drejtësi, o injorant që je ndarë nga Perëndia si me një perde. Ti je kapur pas tiranisë dhe e ke flakur tej drejtësinë; për këtë kanë rënkuar të gjitha gjërat e krijuara, dhe ti ende je midis rebelëve. Ti ke ekzekutuar të moshuarit dhe ke plaçkitur të rinjtë. Mos të gënjen mendja se do ta gëzosh atë që padrejtësia jote ka grumbulluar? Jo, për vetë Veten Time! Kështu të njofton Ai Që di gjithçka. Për Perëndi! Gjërat që zotëron nuk do të të sjellin dobi, dhe as ato që ke grumbulluar me anë të egërsisë. Për këtë dëshmon Zoti yt, i Gjithëdijshmi. Ti je ngritur për të shuar dritën e kësaj Kauze; por së shpejti, me urdhër të Tij, është drita jote ajo që do të shuhet. Ai, me të vërtetë, është Zoti i forcës e i fuqisë. Ndryshimet e ndodhitë e botës dhe fuqitë e kombeve nuk mund ta pengojnë Atë. Ai bën atë që i pëlqen, dhe urdhëron atë që dëshiron, përmes pushtetit të sovranitetit të Tij. Shih devenë. Megjithëse ajo është vetëm një kafshë, Mëshirëploti e ka lartësuar atë deri në një shkallë të tillë saqë gjuhët e tokës e kanë përmendur dhe i kanë bërë lavde. Ai, me të vërtetë, e shtrin hijen e Tij mbrojtëse mbi gjithçka që ndodhet në qiej e mbi tokë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Fuqiplotit, të Madhit. Kështu e kemi stolisur Ne qiellin e Tabelës Sonë me diejt e fjalëve Tona. Lum njeriu që ka arritur tek ato dhe është ndriçuar me dritën e tyre, dhe mjerë ata që janë shmangur nga rruga, që e kanë mohuar Atë dhe kanë humbur larg Tij. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Botëve!
15
KITÁB-I-'AHD
(Libri i Besëlidhjes)
1 MEGJITHËSE Mbretëria e Lavdisë nuk ka asnjë prej kotësive të botës, por në peshtafin e besimit e të durimit Ne u kemi lënë trashëgimtarëve Tanë një trashëgim të shkëlqyer e të paçmuar. Nuk u kemi lënë thesare tokësore dhe as u kemi shtuar asgjë shqetësimeve që ato sjellin. Për Perëndi! Në pasuritë tokësore fshihet frika dhe rri në pritë rreziku. Reflektoni dhe sillni ndërmend atë që Mëshirëploti ka reveluar në Kuran: 'Mjerë çdo shpifës e përgojues, ai që vë mënjanë pasuri dhe i numëron ato'.[85] Jetëshkurtëra janë pasuritë e botës; çdo gjë që vdes e ndryshon nuk është, dhe kurrë nuk ka qenë, e denjë për t'i kushtuar vëmendje, veçse në një masë të caktuar.
2 Duke përballuar fatkeqësi e gjëma, duke reveluar Vargjet e Shenjta dhe duke paraqitur prova, qëllimi i këtij të Munduari ka qenë vetëm që të shuajë flakën e urrejtjes e të armiqësisë, që horizonti i zemrave të njerëzve të mund të ndriçohet me dritën e mirëkuptimit dhe të arrijë paqen e qetësinë e vërtetë. Nga vendagimi i Tabelës hyjnore ylli i ditës i kësaj fjale ndriçon me shkëlqim dhe të gjithë duhet ta mbërthejnë shikimin tek ai: Ju porosisim, o popuj të botës, t'i përmbaheni asaj që do të lartësojë pozitën tuaj. Mbahuni fort pas frikës së Perëndisë dhe mbështetni me vendosmëri atë që është e drejtë. Me të vërtetë, ju them se gjuha shërben për të përmendur atë që është e mirë, mos e ndotni atë me biseda të pahijshme. Perëndia e ka falur atë që ka kaluar. Tash e tutje të gjithë duhet të flasin atë që është e përshtatshme dhe e hijshme dhe të shmangin shpifjet, gënjeshtrat dhe çdo gjë që u shkakton njerëzve hidhërim. E lartësuar është pozita e njeriut! Jo shumë kohë më parë nga thesari i Penës Sonë të Lavdisë rrodhën këto fjalë fisnike: E madhe dhe e bekuar është kjo Ditë - Dita në të cilën çdo gjë që qëndron e fshehur te njeriu është shfaqur e do të shfaqet haptazi. E lartë është pozita e njeriut, në qoftë se ai do të mbahet fort pas drejtësisë e së vërtetës dhe do të qëndrojë i vendosur e i patundur në Kauzën. Në sytë e Mëshirëplotit njeriu i vërtetë i përngjan kupës qiellore; dielli dhe hëna e tij janë shikimi e dëgjimi, dhe yjet e tij karakteri i tij i shkëlqyeshëm e i shndritshëm. Ai ka pozitën më të lartë dhe ndikimi i tij edukon botën e qenies.
3 Çdo shpirt i hapur që në këtë Ditë ka thithur aromën e rrobës së Tij dhe, me zemër të kulluar, e ka kthyer fytyrën ndaj Horizontit lavdiplotë, numërohet në Librin Kërmëz midis njerëzve të Bahá-it. Rrëmbeni, në emrin Tim, kupën e dashamirësisë Sime dhe pini me bollëk nga kujtimi Im i lavdishëm e i mahnitshëm.
4 O ju që banoni mbi tokë! Feja e Perëndisë është për dashurinë dhe unitetin; mos e bëni atë shkak armiqësie e përçarjeje. Në sytë e njerëzve me mend dhe të atyre që soditin Pamjen Më Sublime, gjithçka që shërben si mjet i efektshëm për të ruajtur e çuar përpara lumturinë dhe mirëqenien e bijve të njeriut është reveluar tashmë nga Pena e Lavdisë. Por të marrët e tokës, të rritur me pasione e dëshira të liga, nuk i kanë vënë veshin urtisë së përkryer të Atij Që, me të vërtetë, është Urtiploti, ndërsa fjalët dhe veprat e tyre frymëzohen nga fantazi boshe e iluzione të kota.
5 O ju të dashurit dhe të besuarit e Perëndisë! Mbretërit janë manifestimet e pushtetit dhe agimet e fuqisë e të pasurisë së Perëndisë. Lutuni për ta. Ai u ka dhënë atyre sundimin e tokës dhe ka zgjedhur zemrat e njerëzve si zotërim të Tij.
6 Konfliktet dhe grindjet janë rreptësisht të ndaluara në Librin e Tij. Kështu urdhëron Perëndia në këtë Revelacion Më të Madh. Ky urdhër është hyjnisht i mbrojtur ndaj çdo anulimi dhe i veshur nga Ai me shkëlqimin e konfirmimit të Tij. Me të vërtetë Ai është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
7 Është detyrë e të gjithëve të ndihmojnë ato agime të autoritetit e burime të komandimit që janë të stolisura me ornamentin e paanësisë e të drejtësisë. Të bekuar janë sundimtarët dhe të diturit midis njerëzve të Bahá-it. Ata janë të besuarit e Mi midis shërbëtorëve të Mi dhe manifestimet e porosive të Mia midis njerëzve të Mi. Mbi ta qofshin lavdia Ime, bekimet e Mia dhe dashamirësia Ime, që kanë përshkuar botën e qenies. Lidhur me këtë, thëniet e reveluara në Kitáb-i-Aqdas janë të tilla që nga horizonti i fjalëve të tyre shkëlqejnë të qarta e të shndritshme rrezet e dashamirësisë hyjnore.
8 O ju Degët e Mia! Një forcë e fuqishme, një pushtet i përkryer qëndron i fshehur në botën e qenies. Mbërthejeni shikimin mbi të dhe mbi ndikimin e saj bashkues, dhe jo mbi dallimet që rrjedhin prej saj.
9 Testamenti i Testamentlënësit hyjnor është ky: Është detyrë e Aghsán-ëve, e Afnán-ëve dhe e të Afërmëve të Mi që, të gjithë pa përjashtim, ta kthejnë fytyrën ndaj Degës Më të Fuqishme. Reflektoni për atë që Ne kemi reveluar në Librin Tonë Më të Shenjtë: 'Kur oqeani i pranisë Sime të jetë në zbaticë dhe Libri i Revelacionit Tim të ketë mbaruar, kthejeni fytyrën nga Ai që Perëndia e ka caktuar dhe që është degë prej kësaj Rrënje të Lashtë'. Objekti i këtij vargu të shenjtë s'është askush tjetër veçse Dega Më e Fuqishme ['Abdu'l-Bahá-i]. Kështu kemi pasur mirësinë t'ju revelojmë Vullnetin Tonë të fuqishëm, dhe me të vërtetë Unë jam i Hirshmi, i Gjithëfuqishmi. Me të vërtetë Perëndia ka urdhëruar që pozita e Degës Më të Madhe [Muhammad 'Alí-ut] të jetë nën atë të Më së Madhes Degë ['Abdu'l-Bahá-i-t]. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, Urtiploti. Ne kemi përzgjedhur 'Më të Madhe' pas 'Më e Madhja', siç e ka dekretuar Ai Që është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.
10 Është detyrë e të gjithëve të shfaqin dashuri ndaj Aghsán-ëve, por Perëndia nuk u ka dhënë këtyre asnjë të drejtë mbi pronën e të tjerëve.
11 O ju Aghsán-ët, Afnán-ët dhe të Afërmit e Mi! Ju porosisim t'i druheni Perëndisë, të kryeni vepra të lavdërueshme dhe të bëni atë që është e përshtatshme dhe e hijshme e që shërben për të lartësuar pozitën tuaj. Me të vërtetë ju them, frika e Perëndisë është komandanti më i madh që mund ta çojë në fitore Kauzën e Perëndisë, dhe ushtritë që i shkojnë më mirë këtij komandanti gjithmonë kanë qenë e janë një karakter i ndershëm dhe vepra të kulluara e të mira.
12 Thuaj: O shërbëtorë! Mos lejoni që mjetet e mbajtjes së rregullit të bëhen shkak pështjellimi dhe mjeti i bashkimit të japë rast për mosmarrëveshje. Guxojmë të shpresojmë se njerëzit e Bahá-it do të udhëhiqen nga fjalët e bekuara: 'Thuaj: të gjitha gjërat i përkasin Perëndisë'. Kjo thënie e lartësuar është si uji për të shuar zjarrin e urrejtjes e të armiqësisë që digjet fshehurazi në zemrat e në gjokset e njerëzve. Falë vetëm kësaj thënieje, popuj e fise në luftë me njëri-tjetrin do të marrin dritën e unitetit të vërtetë. Sigurisht Ai thotë të vërtetën dhe tregon rrugën. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Lartësuari, i Hirshmi.
13 Është detyrë e të gjithëve të tregojnë mirësjellje e vëmendje ndaj Aghsán-ëve, në mënyrë që Kauza e Perëndisë të përlëvdohet dhe Fjala e Tij të lartësohet. Ky urdhër është përmendur e gdhendur shumë herë në Shkrimet e Shenjta. Lum ai që është në gjendje të arrijë atë që ka caktuar për të Urdhëruesi, i Lashti i Kohëve. Ju urdhërojmë gjithashtu të respektoni pjesëtarët e Familjes së Shenjtë, Afnán-ët dhe të afërmit. Ju urdhërojmë më tej t'u shërbeni të gjitha kombeve dhe të përpiqeni për përmirësimin e botës.
14 Nga qielli i fjalës së Atij Që është Dëshira e Botës është dërguar ajo që çon në ripërtëritjen e botës dhe në shpëtimin e popujve e të fiseve të tokës. Vërini veshin këshillave të Penës së Lavdisë. Kjo është më e mirë për ju sesa e gjithë ajo që është mbi tokë. Për këtë dëshmon Libri Im i lavdishëm e i mahnitshëm.
16
LAWH-I-ARS-I-BÁ
(Tabela e tokës Bá)
1 LËVDUAR qoftë Ai Që ka nderuar Tokën Bá[86] me praninë e Atij rreth të Cilit sillen të gjithë emrat. Çdo atom i tokës u ka njoftuar të gjitha gjërave të krijuara se nga prapa portës së Qytetit-burg është shfaqur, duke shkëlqyer në horizont, Ylli i bukurisë i së madhes, Më të Fuqishmes Degë të Perëndisë - Misteri i Tij i lashtë e i pandryshueshëm - i Cili shkon në një tokë tjetër. Hidhërimi ka pushtuar, pra, Qytetin-burg, ndërsa një tokë tjetër gëzohet. I lartësuar, pamasë i lartësuar është Zoti ynë, Artuesi i qiejve dhe Krijuesi i të gjitha gjërave, Ai falë sovranitetit të të Cilit dyert e burgut u hapën, duke bërë që të përmbushet ajo që ishte premtuar qysh më parë në Tabelat. Me të vërtetë, Ai është i fuqishëm në atë që do dhe në dorën e tij është zotërimi i gjithë krijimit. Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.
2 I bekuar, dy herë i bekuar, është dheu që kanë shkelur këmbët e Tij, syri që e ka gëzuar bukuria e fytyrës së Tij, veshi që ka pasur nderin të dëgjojë thirrjen e Tij, zemra që ka shijuar ëmbëlsinë e dashurisë së Tij, kraharori që është zgjeruar nga kujtimi i Tij, pena që i ka ngritur lavde Atij, pergamena që ka bartur dëshminë e shkrimeve të Tij. I lutemi Perëndisë - i bekuar e i lartësuar qoftë Ai - të na bëjë nderin për Ta takuar Atë së shpejti. Ai është, me të vërtetë, Që dëgjon gjithçka, i Gjithëfuqishmi, Që është i gatshëm të përgjigjet.
17
FRAGMENTE NGA TABELA TË TJERA
1 PERËNDIA dëshmon se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij dhe se Ai Që ka ardhur nga qielli i revelacionit hyjnor është Sekreti i Fshehur, Misteri i Padepërtueshëm, ardhja e të Cilit është paralajmëruar në Librin e Perëndisë dhe është njoftuar nga Profetët dhe Lajmëtarët e Tij. Nëpërmjet Tij misteret janë reveluar, perdet janë çarë dhe shenjat e provat janë hapur. Ja! Tani Ai është shfaqur. Ai nxjerr në dritë gjithçka dëshiron, dhe ecën mbi vendet e larta të tokës, i veshur me madhështi e pushtet të përkryer.
2 I bekuar është ai i fortë që do të thyejë perënditë e imagjinatave të kota me fuqinë e Zotit të Tij, të Atij Që sundon mbi të gjithë njerëzit.
3 O Afnán-i Im! E përmendim me dëshirë emrin tënd në shenjë mirësie nga ana Jonë, në mënyrë që aromat e ëmbla të kujtimit nga ana Ime të të mund të tërheqin ty në Mbretërinë Time dhe të të qasin në Shatorren e madhështisë Sime që është ngritur me pushtetin e këtij Emri - Emër që ka tronditur të gjitha themelitë.
4 Thuaj: O popuj të tokës! Për drejtësinë e Perëndisë! Çdo gjë që ju është premtuar në Librin e Zotit tuaj, Sundimtarit të Ditës së Kthimit, është shfaqur dhe është bërë e dukshme. Kini mendjen që ndryshimet e ndodhitë e botës të mos ju shkëpusin prej Atij Që është e Vërteta Sovrane. Së shpejti çdo gjë e dukshme do të vdesë dhe do të mbetet vetëm ajo që është reveluar nga Perëndia, Zoti i zotërve.
5 Thuaj: Kjo është Dita e veprave me meritë, po ta dinit këtë. Kjo është Dita e përlëvdimit të Perëndisë dhe e paraqitjes së Fjalës së Tij, po ta kuptonit këtë. Hiqni dorë nga gjërat në përdorim midis njerëzve dhe mbahuni fort pas asaj që ju ka urdhëruar Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi. Po afrohet me shpejtësi dita kur të gjitha thesaret e tokës nuk do t'ju sjellin asnjë dobi. Për këtë dëshmon Zoti i Emrave, Ai Që shpall: Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, së Vërtetës Sovrane, Njohësit të gjërave të padukshme.
6 Lum ti, o Afnán-i Im, qe ke pasur nderin të marrësh Vargjet e Mia të Shenjta, ke thithur aromat e ëmbla të Revelacionit Tim dhe i je përgjigjur Thirrjes Sime në një kohë që shërbëtorët e Mi dhe krijesat e Mia, duke flakur pas shpine Librin Amë e duke u kapur pas diktateve të përfaqësuesve të fantazive boshe e të imagjinatave të kota, Më kanë denoncuar. Kështu ka folur Gjuha e Madhështisë në mbretërinë e fjalës me urdhër të Perëndisë, Zotit të Krijimit.
7 Këmbëngul me zell në shërbim të Kauzës dhe, falë fuqisë së Emrit të Zotit tënd, Zotëruesit të të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme, ruaje pozitën që të është dhënë. Betohem për drejtësinë e Perëndisë! Po ta dinte ndokush atë që është e fshehur nga sytë e njerëzve, i rrëmbyer nga ekstaza do të lëshohej fluturim drejt Perëndisë, Zotit të të gjitha atyre që kanë qenë e që do të jenë.
8 Lavdia e Tij qoftë mbi ty e mbi të gjithë ata që i janë qasur pranë Atij, që kanë kuptuar domethënien e asaj që ka skalitur në Tabelën e Tij Pena e Perëndisë, Fuqiplotit, Që i do të gjithë.
9 LËVDUAR qofsh Ti, O Perëndia im, që e ke stolisur botën me shkëlqimin e agut që pasoi natën kur lindi Ai Që paralajmëroi ardhjen e Manifestimit të sovranitetit Tënd të përkryer, të Agimit të Thelbit Tënd hyjnor dhe Revelacionit të Sundimit Tënd Suprem. Të lutem Ty, O Krijues i Qiejve dhe Artues i Emrave, të ndihmosh me dashamirësi ata që kanë kërkuar strehë nën hijen e mëshhirës Sate bujare dhe kanë ngritur zërin midis popujve të botës duke madhëruar Emrin Tënd.
10 O Perëndia Im! Ti e sheh se Zoti i gjithë njerëzimit, i mbyllur në Burgun e Tij Më të Madh, thërret Emrin Tënd, sodit fytyrën Tënde, shpall atë që ka çuar në ekstazë banorët e mbretërive të Tua të revelacionit e të krijimit. O Perëndia im! E shoh Veten Time rob në duart e shërbëtorëve të Tu, e megjithatë drita e sovranitetit Tënd dhe e revelacioneve të fuqisë Sate të pamposhtur rrezaton me shkëlqim prej Fytyrës së Tij, duke u dhënë të gjithëve siguri se Ti je Perëndia dhe se nuk ka Perëndi tjetër veç Teje. Fuqia e të fuqishmëve nuk mund të Të shkatërrojë, dhe as të mbizotërojë mbi Ty pushteti i sundimtarëve. Ti bën atë që do, falë sovranitetit Tënd që përfshin të gjitha gjërat e krijuara, dhe urdhëron atë që të pëlqen përmes fuqisë së urdhrit Tënd që përshkon gjithë krijimin.
11 Të lutem për lavdinë e Manifestimit Tënd dhe për pushtetin e fuqisë Sate, të sovranitetit dhe të lartësimit Tënd, t'u japësh fitoren atyre që janë ngritur për të Të shërbyer Ty, që kanë ndihmuar Kauzën Tënde dhe janë përunjur përpara shkëlqimit të dritës së fytyrës Sate. Bëji, pra, ata, O Perëndia im, ngadhnjimtarë mbi armiqtë e Tu dhe të patundur në shërbimin Tënd, në mënyrë që përmes tyre të shfaqen në të gjitha mbretëritë e Tua provat e pushtetit Tënd të pamposhtur. Me të vërtetë Ti ke pushtet të bësh atë që do; nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit.
12 Kjo Tabelë e lavdishme është reveluar në përvjetorin e Lindjes [së Báb-it], që ti ta recitosh atë në një frymë përunjësie e lutjeje dhe të falënderosh Zotin Tënd, të Gjithëdijshmin, të Gjithinformuarin. Bëj të gjitha përpjekjet për t'i shërbyer Perëndisë, që prej teje të shfaqet ajo që do të bëjë të pavdekshëm kujtimin tënd në qiellin e Tij të lavdishëm e të lartësuar.
13 Thuaj: I përlëvduar qofsh Ti, O Perëndia im! Të lutem për Vendagimin e shenjave të Tua dhe për Reveluesin e provave të Tua të qarta të lejosh që unë të mbahem kurdoherë fort pas telit të provanisë Sate dashamirëse dhe të kapem me forcë pas rrobës së bujarisë Sate. Më rendit, pra, me ata që ndryshimet e ndodhitë e botës nuk i kanë penguar të Të shërbejnë e të Të qëndrojnë besnikë Ty, që mësymja e njerëzve nuk i ka ndaluar dot të madhërojnë Emrin Tënd dhe të Të thurin lavde Ty. Ki mirësinë më ndihmo, O Zoti im, të bëj çdo gjë që do e që dëshiron Ti. Më jep gjithashtu mundësinë të kryej atë që do të lartësojë Emrin Tënd dhe do të ndezë zjarrin e dashurisë Sate.
14 Ti je, me të vërtetë, Falësi, Bujari.
15 O HUSAYN! Dhëntë Perëndia të jesh gjithnjë i kthjellët e buzagaz, duke shkëlqyer me dritën e Diellit të së Vërtetës, dhe ta zgjidhësh gjuhën duke madhëruar Emrin e Tij, që është veprimi më i lavdërueshëm.
16 Mendo atë mori shpirtrash, që duken aq të dëshiruar e të etur, megjithatë kur Oqeani i ujërave të gjalla shkumbëzoi në botën e qenies ata mbetën pa të, sepse nuk hoqën dorë nga fantazitë e kota dhe nuk u bënë të vetëdijshëm për Atë që është objekti i çdo dije. Kjo humbje është shpërblimi për veprimet që duart e tyre kanë kryer në të kaluarën.
17 Falëndero të Dashurin e botës Që me dashamirësi të ka ndihmuar të marrësh konfirmimin në këtë Kauzë të lavdishme. Lutju Atij gjithashtu t'i bëjë të dashurit e Tij të qëndrueshëm në të, sepse shkrimet nxitëse të ngatërrestarëve janë përhapur kudo dhe janë ngritur lart klithmat e atyre që ndjellin të keqen. Lum ata që kanë flakur pas shpine çdo gjë veç Perëndisë dhe janë kapur fort pas asaj që u ka urdhëruar Zoti i forcës e i fuqisë.
18 Mbi ty qoftë lavdia e Tij dhe mbi ata që Ai i ka ndihmuar të njohin e të përqafojnë këtë Kauzë të fuqishme.
19 KJO është një Tabelë që Zoti i të gjitha qenieve ka dërguar nga lartësia e pozitës së Tij të lavdishme për nder të atij që ka besuar te Perëndia, Fuqiploti, Ai Që të gjithë i do.
20 I bekuar është shtegtari që ka njohur të Dëshiruarin, dhe kërkuesi që i ka vënë veshin Thirrjes së Atij Që është Qëllimi i mbarë njerëzimit, dhe i dituri që ka besuar te Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi.
21 Sa e sa dijetarë janë larguar nga rruga e Perëndisë dhe sa e sa të paditur, që kanë kuptuar të vërtetën, kanë nxituar tek Ai, duke thënë: 'Lëvduar qofsh Ti, O Zot i të gjitha gjërave, të dukshme e të padukshme'.
22 Për drejtësinë e Perëndisë! Horizonti i botës shkëlqen nga drita e Yllit Më të Madh, por shumica e njerëzimit nuk e shohin atë. Me të vërtetë, Ai Që është e Vërteta Sovrane lëviz para syve të të gjithë njerëzve. Për këtë dëshmon Ai Që në zemrën më intime të botës shpall: 'Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëfuqishmit mbi të gjitha gjërat, qoftë të së kaluarës ose të së ardhmes'.
23 I madh është bekimi i besimtarit që është drejtuar ndaj Tij dhe është lejuar të vijë në prani të Tij, dhe mjerë çdo mosbesimtar që është larguar nga Perëndia, duke shkuar pas të mbrapshtit e të dëbuarit.
24 O MIK! Në Bayán-in Ne urdhëruam që në këtë Revelacion Më të Madh të gjithë të shohin me sytë e vet dhe të dëgjojnë me veshët e vet. Por kur horizonti i botës u ndriçua me dritën e shkëlqyeshme të këtij Revelacioni, shumë njerëz e harruan këtë urdhër hyjnor, e humbën nga shikimi këtë paralajmërim qiellor dhe u zhytën në imagjinata të kota të shpikura nga mendjet e tyre. Me të vërtetë fytyra e diellit të drejtësisë e të çiltërsisë është fshehur pas reve të fantazive boshe të konceptuara nga të marrët. Prandaj nuk është për t'u çuditur që lëvizjet e zogjve të errësirës tërheqin vëmendjen. Me fuqinë e Emrit të Më të Dashurit, ftoji shpirtrat e hapur në oborrin e shenjtë të Perëndisë, që ndoshta të mos mbeten të privuar nga Burimi qiellor i ujit të gjallë. Ai është me të vërtetë i Hirshmi, Falësi.
25 Shikimi i dashurisë së përzemërt të Perëndisë - i lartësuar e i madhëruar qoftë Ai - është i drejtuar gjithmonë ndaj miqve të Tij të dashur; me të vërtetë Ai është Që di e Që kujton.
26 O JAVÁD! Kaq e madhe është kjo Ditë, saqë vetë Ora është e tronditur, dhe të gjitha Shkrimet qiellore dëshmojnë për madhështinë e saj mbizotëruese. Në këtë Ditë Libri dëshmon solemnisht për lavdinë e Tij dhe Peshorja ka lëvizur për të ngritur zërin. Kjo është Dita kur Sirát-i thërret me zë të lartë: 'Unë jam Rruga e drejtë', dhe Mali Sinai shpall: 'Me të vërtetë Zoti i Revelacionit ka ardhur'.
27 Të mposhtur nga dehja e prirjeve të zvetënuara, njerëzit e tokës ndodhen në një gjendje shtangieje. Prandaj janë të ndarë prej shenjave të mahnitshme të Perëndisë, janë të penguar për të arritur qëllimin e fundit dhe të privuar nga vërshimi bujar i hirit hyjnor.
28 Është detyrë e njerëzve të Perëndisë të jenë të përmbajtur. Ata duhet ta transmetojnë Fjalën e Perëndisë sipas masës së posaçme të të kuptuarit e të aftësisë së atyre që i dëgjojnë, që ndoshta bijtë e njerëzve të mund të shkunden nga shkujdesja dhe ta kthejnë fytyrën ndaj këtij Horizonti, që është pamasë i lartësuar mbi çdo horizont.
29 O Javád! Bujaritë e shumëllojshme të Perëndisë gjithmonë të janë dhuruar e do të të dhurohen. Lavdi Perëndisë! Ti ke qenë i mbrojtur nga terrori më i madh dhe ke mundur të qasesh pranë Bujarisë Më të Madhe në një kohë që ndërhyrja e perdeve të lavdisë së jashtme, dmth e teologëve të sotëm, i ka penguar të gjithë të njohin Mbretin e përjetshëm. Kujdesu si për vetë jetën për këtë dëshmi të shprehur nga Pena Lavdiplotë dhe pëpiqu me të gjitha fuqitë ta ruash atë me forcën e Emrit të Atij Që është i Dashuri i gjithë krijimit, në mënyrë që ky nder të jetë i siguruar prej syve e duarve të kusarëve. Me të vërtetë Zoti yt është Shpjeguesi, i Gjithëdijshmi.
30 Dërgoju përshëndetjet e këtij të Munduari të gjithë miqve të dashur në atë vend dhe sillu ndërmend atyre kujtimin e mrekullueshëm e të lartësuar nga ana Jonë, që ndoshta të mund të harrojnë gjërat në përdorim midis tyre, t'i kthejnë zemrat ndaj asaj që i përket Perëndisë dhe të mbeten të dëlirur nga veprime e punëra të pahijshme.
31 Mbi ty, dhe mbi ata që janë të lidhur me ty, qoftë lavdia e të Gjithëfuqishmit, Urtiplotit.
32 NE përmendim atë që ka qenë tërhequr prej Thirrjes Sonë kur ajo u ngrit nga maja e lavdisë së pakufi dhe e ka kthyer fytyrën ndaj Perëndisë, Zotit të krijimit. Ai numërohet ndër ata që u kanë vënë veshin e u janë përgjigjur thirrjeve të Zotit të tyre në një kohë që popujt e botës janë mbështjellë nga perde të trasha. Ai dëshmon për atë që Perëndia ka dëshmuar dhe shpall besimin e tij tek ajo që ka folur Gjuha e Madhështisë. Për këtë dëshmon Zoti i Emrave në këtë Tabelë të mahnitshme.
33 O Pena Ime e lartë! Çoji atij, në emrin Tim, lajmin e gëzuar lidhur me gjërat që Perëndia, i Pushtetshmi, Fuqiploti, ka rezervuar për të. Me të vërtetë, gjatë pjesës më të madhe të kohës ai ka qenë i rrethuar prej brengash të shumta, dhe me të vërtetë Zoti i tij i mëshirshëm është Ai Që sheh e di gjithçka. Gëzohu me ngazëllim të madh që ky i Munduar e ka kthyer fytyrën ndaj teje, ka përmendur më parë emrin tënd dhe e përmend atë tani.
34 Njoftoju miqve të Mi të dashur në emrin Tim që i kam kujtuar dhe jepu atyre lajmin e gëzuar të favoreve dashamirëse të Zotit të tyre, Dhënësit, Bujariplotit. Nga kjo pozitë e lartësuar u dërgojmë përshëndetjet tona besimtarëve që janë kapur fort pas Dorëzës së Sigurt dhe kanë pirë verën e zgjedhur të qëndrueshmërisë nga dora e favorit të Zotit të tyre, Fuqiplotit, të Gjithëlëvduarit.
35 Në këtë Ditë shqisa e të dëgjuarit thërret: 'Kjo është Dita ime, kur unë dëgjoj Zërin e mrekullueshëm që vjen nga rrethinat e Burgut të Zotit Tim, Mendjemprehtit, Dëgjuesit'. Dhe shqisa e të parit thërret me zë të lartë: 'Me të vërtetë kjo është Dita ime, sepse unë sodis Agimin e lavdisë, që shkëlqen i shndritshëm me urdhër të Atij Që është Urdhëruesi, i Gjithëfuqishmi'. I bekuar është veshi që ka dëgjuar thirrjen: 'Vështro, dhe do të Më shohësh.'[87] dhe lum syri që ka soditur Shenjën më të mahnitshme që ka aguar nga ky horizont i ndriçuar.
36 Thuaj: O turmë sundimtarësh dhe të diturish e të urtësh! Dita e Premtuar ka ardhur dhe Zoti i ushtrive është shfaqur. Gëzohuni me ngazëllim të madh për këtë lumturi supreme. Dhe pastaj ndihmojeni Atë me fuqinë e urtisë e të fjalës. Kështu ju urdhëron Ai Që gjithmonë ka shpallur: 'Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit'.
37 Mbi ty qoftë lavdia e Tij dhe mbi ata që janë me ty e ata që të duan e u vënë veshin fjalëve që ti thua për të madhëruar këtë Revelacion të fuqishëm e të pakufi.
38 O TI që bart Emrin Tim, Júd[88] [Bujari]! Mbi ty qoftë lavdia Ime. Vëri veshin asaj që ke dëgjuar tashmë kur Ylli i Ditës i dëshmisë ndriçonte me shkëlqim mbi horizontin e Irakut, kur Bagdati ishte Selia e Fronit të Zotit tënd, të Lartit, të Fuqishmit.
39 Unë dëshmoj se ti i ke vënë veshin melodisë së Perëndisë dhe tingujve të Tij të ëmbël, ke ndier gugatjen e Pëllumbit të Revelacionit hyjnor dhe ke dëgjuar Bilbilin e besnikërisë të derdhë ligjërimet e tij mbi Degën e Lavdisë: Me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Pakrahasueshmit, të Gjithinformuarit.
40 O ti që bart Emrin Tim! Shikimet e dashamirësisë së Perëndisë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të drejtuara ndaj teje. Ndërsa je ndodhur në prani të Tij, ti ke dëgjuar Zërin e Perëndisë së Vërtetë Që është Vetëm Një - lartësuar qoftë lavdia e Tij - dhe ke soditur shkëlqimin e qartë të Dritës së dijes hyjnore. Mendo për një çast! Sa sublime Fjala e Atij Që është e Vërteta Sovrane e sa të neveritshme janë zënkat boshe të njerëzve! Grumbuj fantazish të kota kanë zënë veshët e njerëzve, duke i penguar ata të dëgjojnë Zërin e Perëndisë, ndërsa perdet e diturisë njerëzore e të imagjinatave të rrema nuk i kanë lejuar sytë e tyre të sodisin shkëlqimin e dritës së fytyrës së Tij. Me dorën e fuqisë e të pushtetit Ne kemi shpëtuar shume shpirtra nga bataku i shuarjes që u kanoset dhe u kemi dhënë mundësinë të arrijnë Agimin e lavdisë. Gjithashtu kemi nxjerrë në shesh misteret hyjnore dhe me nje gjuhë të qartë kemi paralajmëruar ngjarje të së ardhmes, në mënyrë që as dyshimet e të pafeve, as mohimet e rebelëve, dhe as pëshpëritjet e të shkujdesurve të mos fshehin dot nga kërkuesit e së vërtetës Burimin e dritës së të Vetmit Perëndi të Vërtetë. Megjithatë duket se disa njerëz i ka kapur sëmundja e epilepsisë, disa të tjerë janë shkulur si trungje të zgavërt. Ata braktisin Perëndinë, Më të Lartin - Atë para revelacionit të një vargu të vetëm të të Cilit të gjitha Shkrimet e së shkuarës e të kohëve më të afërta zbehen, duke u bërë të parëndësishme e të papërfillshme - dhe i kthejnë zemrat ndaj përrallave mashtruese e shkojnë pas fjalëve boshe.
41 Ti sigurisht ke pirë nga oqeani i fjalës Sime dhe ke parë shkëlqimin e shndritshëm të globit të urtisë Sime. Ti gjithashtu ke dëgjuar thëniet e të pafeve, që as njohin bazat e Besimit dhe as kanë shijuar këtë Verë të zgjedhur, vula e së cilës është hequr me fuqinë e Emrit Tim, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Lutju Perëndisë t'u lejojë me dashamirësi besimtarëve që vërtet kuptojnë të bëjnë atë që i pëlqen Atij.
42 Sa e çuditshme që, megjithëse ka tingëlluar kjo Thirrje, megjithëse është shfaqur ky Revelacion kaq i mahnitshëm, vemë re se njerëzit, në pjesën më të madhe, i kanë kthyer zemrat ndaj kotësive të botës dhe janë tërë ankth e të shqetësuar për shkak të dyshimeve e të sugjerimeve të liga që kanë marrë dhenë. Thuaj Kjo është Dita e Vetë Perëndisë; druajuni Perëndisë dhe moj jini ndër ata që nuk kanë besuar tek Ai. Flakini pas shpine përrallat boshe dhe soditeni Revelacionin Tim me sytë e Mi. Kjo ju është rekomanduar në Librat dhe Shkrimet qiellore, në Pergamenat dhe Tabelat.
43 Ngrihu për t'i shërbyer Kauzës së Zotit tënd; dhe jepu njerëzve lajmin e gëzuar të kësaj Drite plot shkëlqim, revelimi i së cilës është kumtuar nga Perëndia me anë të Profetëve e të Lajmëtarëve të Tij. Pastaj paralajmëroi të gjithë të tregohen të kujdsshëm, siç ka urdhëruar Ai, dhe në emër të Perëndisë këshilloji duke thënë: Në këtë Ditë të Perëndisë secili duhet t'i përkushtohet mësimit të Kauzës me kujdesin e këmbënguljen më të madhe. Në qoftë se gjen një tokë të pastër, le të mbjellë aty farën e Fjalës së Perëndisë, përndryshe më mirë të heshtë.
44 Jo shumë kohë më parë Pena Lavdiplotë ka reveluar në Librin Kërmëz këtë Fjalë kaq sublime: 'Qielli i urtisë hyjnore është ndriçuar prej dy yjesh: konsultimit dhe mëshirës'. Dashtë Perëndia që të gjithë të kenë mundësinë t'i përmbahen kësaj fjale me peshë e të bekuar.
45 Disa njerëzve duket se u mungon krejt çdo aftësi për të kuptuar. Duke u kapur pas telit të fantazive të kota, ata kanë lënë t'u shpëtojë Dorëza e Sigurt. Betohem për jetën Time! Sikur të reflektonin për një çast me drejtësi për atë që ka dërguar Mëshirëploti, të gjithë atyre pa përjashtim do t'u dilnin vetvetiu këto fjalë: 'Sigurisht Ti je e Vërteta, e Vërteta që duket sheshit'.
46 Është detyra jote që në çdo rrethanë ta kthesh shikimin ndaj Perëndisë së Vërtetë Që është Vetëm Një dhe të përpiqesh me zell t'i shërbesh Kauzës së Tij. Sill ndërmend kur ishe në shoqërinë Time, brenda Shatorres së Lavdisë, dhe dëgjove nga Unë atë që pati dëgjuar mbi Sinain e dijes hyjnore Ai Që bisedoi me Perëndinë [Moisiu]. Kështu patëm mirësinë të të ndihmojmë, të dhamë mundësinë të njohësh të vërtetën, të paralajmëruam, që të falënderosh Zotin tënd bujar. Ti duhet ta ruash këtë pozitë sublime me fuqinë e Emrit Tim, Fuqiplotit, Besnikut.
47 Jepu përshëndetjet e Mia të dashurve të Mi dhe bëj që ata të dëgjojnë Zërin Tim të ëmbël. Kështu të urdhëron Ai Që të ka urdhëruar në të kaluarën; Unë jam me të vërtetë Urdhëruesi, i Gjithinformuari. Lavdia qoftë mbi ty dhe mbi ata që u vënë veshin fjalëve të tua për këtë Kauzë madhore dhe të duan për hir të Perëndisë, Zotit të botëve.
48 O HAYDAR![89] Ky i Munduar e ka dëgjuar zërin tënd që është ngritur për t'i shërbyer Kauzës së Perëndisë dhe e di mirë ndjenjën e gëzimit që dashuria e Tij ka ngjallur në zemrën tënde, si dhe cëmbimin e ankthit për atë që u ka ndodhur të dashurve të Tij. Betohem për Zotin e Mëshirës! Mbarë botën e ka mbuluar hidhërimi, ndërsa njerëzimin e kanë pushtuar dyshimet e mosmarrëveshjet. Njerëzit e Perëndisë, Zotit të Emrave, janë mësyer aq keq nga armiqtë, saqë Parajsa më e lartë ka vajtuar dhe banorët e Qiellit më të lartë, si dhe ata që dit'e natë sillen rreth Fronit, kanë lëshuar rënkime të rënda.
49 O 'Alí! Hallet e fatkeqësitë nuk janë në gjendje të ndalin Zotin tënd, Mëshirëplotin. Me të vërtetë Ai është ngritur për të mbrojtur Kauzën e Perëndisë në mënyrë të tillë që as fuqia mbytëse e botës dhe as tirania e kombeve nuk E trembin. Ai thërret me zë të lartë midis tokës e qiellit, duke thënë: Dita e Premtuar ka ardhur. Zoti i krijimit shpall: Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëfuqishmit, Bujariplotit.
50 O 'Alí! Të papjekurit duan të fikin dritën e Perëndisë me gojët e tyre dhe të shuajnë me bëmat e tyre zjarrin e Drizës së Përflakur. Thuaj, mjeran është me të vërtetë fati juaj, o ju mishërime të mashtrimit. Druajuni Perëndisë dhe mos e refuzoni dashamirësinë qiellore që ka rrezatuar dritën e saj mbi të gjitha tokat. Thuaj, ka dalë Ai Që është Përfaqësuesi i Emrit të fshehur, po ta dinit këtë. Ai, ardhja e të Cilit është parashikuar në Shkrimet qiellore, ka ardhur, po ta kuptonit këtë. Horizonti i botës është ndriçuar nga shkëlqimet e këtij Revelacioni Më të Madh. Nxitoni me zemra të gëzuara dhe mos jini ndër ata që u mungon krejt të kuptuarit. Ora e caktuar ka rënë dhe njerëzimi është përulur. Për këtë dëshmojnë shërbëtorët e nderuar të Perëndisë.
51 O Haydar-'Alí! Betohem për drejtësinë e Perëndisë! Boria e Bayán-it ka buçitur sipas urdhrit të Zotit, të Mëshirshmit, dhe të gjithë ata që janë në qiejt e mbi tokë janë shtangur, me përjashtim të atyre që janë shkëputur nga bota, duke u kapur fort pas fillit të Perëndisë, Zotit të njerëzimit. Kjo është Dita në të cilën toka ndriçon nga drita e shkëlqyeshme e Zotit tënd, por njerëzit janë zhytur në gabim dhe janë mbyllur si me perde. Ne duam ta ripërtërijmë botën, por ata kanë vendosur t'i japin fund jetës Sime. Kështu i kanë nxitur ata zemrat e tyre në këtë Ditë - një Ditë e ndriçuar nga drita rrezatuese e fytyrës së Zotit të saj, të Gjithëpushtetshmit, Fuqiplotit, të Pakushtëzuarit. Libri Amë ka ngritur zërin, por njerëzve u mungon dëgjimi. Tabela e Ruajtur është reveluar me të vërtetën, por shumica e njerëzve nuk e lexojnë. Ata kanë mohuar favorin e hirshëm të Perëndisë që u ishte dërguar dhe janë larguar nga Perëndia, Njohësi i gjërave të padukshme. Ata janë kapur fort pas rrobës së fantazive boshe, duke i kthyer shpinën Emrit të fshehur të Fuqiplotit.
52 Thuaj, o turmë telogësh! Gjykoni me drejtësi, ju përgjërohem në emër të Perëndisë. Nxirrni, pra, të gjitha provat e dëshmitë që keni, nëse doni të numëroheni ndër banorët e kësaj banese të lavdishme. Kthejini zemrat ndaj Agimit të Revelacionit hyjnor, që Ne të shpalosim para syve tuaj barazvlerën e të gjitha vargjeve, provave, dëshmive, pohimeve e vërtetimeve që ju dhe fiset e tjera të tokës keni. Druajuni Perëndisë dhe mos jini ndër ata që meritojnë ndëshkimin e Perëndisë, Zotit të krijimit.
53 Kjo është Dita në të cilën Oqeani i dijes ka ngritur Zërin dhe ka nxjerrë margaritarët e tij. Vetëm ta dinit këtë! Qielli i Bayán-it është ngritur me të vërtetë me urdhër të Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Betohem për Perëndi! Thelbi i dijes thërret e thotë: Ja! Ai Që është objekti i tërë dijes ka ardhur dhe me ardhjen e Tij Librat e shenjtë të Perëndisë, të Hirshmit, të Dhembshurit, janë zbukuruar. Çdo revelim i dashamirësisë, çdo dëshmi dhuratash të shenjta vjen prej Tij dhe tek Ai kthehet.
54 Druajuni Perëndisë, o turmë të marrësh, dhe mos u shkaktoni mundime atyre që s'kanë dashur asgjë tjetër veç asaj që ka dashur Perëndia. Dhe në qoftë së e dëgjoni thirrjen time, mos shkoni pas dëshirave tuaja egoiste. Po afrohet dita kur çdo gjë që shihni sot do të zhduket dhe ju do të vajtoni që nuk e keni kryer detyrën tuaj ndaj Perëndisë. Për këtë dëshmon kjo Tabelë e skalitur.
55 Gëzohu me ngazëllim të madh që Ne të kemi kujtuar si tani dhe në të kaluarën. Me të vërtetë shijet e ëmbla të këtij kujtimi do të vazhdojnë dhe nuk do të ndryshojnë gjatë tërë përjetësisë së Emrave të Perëndisë, Zotit të njerëzimit. Ne e kemi pranuar me dashamirësi përkushtimin tënd, lavdërimin tënd, punën tënde mësimore dhe shërbimet që ti ke bërë për hir të këtij Kumti të fuqishëm. Ne gjithashtu kemi dëgjuar atë që ka folur gjuha jote në mbledhje e takime. Me të vërtetë Perëndia yt dëgjon e vëren çdo gjë. Ne të kemi veshur ty me rrobën e pëlqimit Tim në Mbretërinë Time qiellore dhe, nga Pema Hyjnore e Lotusit që ngrihet në kufijtë e luginës së sigurisë e të paqes, të vendosur në Vendin e ndritshëm tej Qytetit të lavdishëm, të njoftojmë me zë të lartë duke thënë: Me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Të kemi sjellë ty në qenie për të më shërbyer Mua, për të lëvduar Fjalën Time dhe për të shpallur Kauzën Time. Përqendroji energjitë e tua në atë për të cilën je krijuar falë Vullnetit të Urdhëruesit suprem, të Lashtit të Kohëve.
56 Në këtë çast Ne sjellim në kujtesë të dashurit Tanë dhe u njoftojmë atyre lajmin e gëzuar të dashamirësisë së pashtershme të Perëndisë dhe të gjërave që u janë rezervuar atyre në Librin Tim të kthjellët. Për hir të dashurisë ndaj Meje ju keni duruar sharjet e armiqve dhe keni qëndruar të pamposhtur në Shtegun Tim përballë mizorive të egra që ju kanë bërë të pësoni të pafetë. Për këtë dëshmoj Unë Vetë, dhe unë jam i Gjithëdijshmi. Sa e sa vende janë fisnikëruar me gjakun tuaj për hir të Perëndisë. Në sa e sa qytete është ngritur zëri i rënkimeve tuaja dhe vajtimi i ankthit tuaj. Në sa e sa burgje ju kanë hedhur hordhitë e tiranisë. Të jeni të sigurt se Ai do t'ju japë fitoren, do t'ju lartësojë midis popujve të botës dhe do të tregojë pozitën tuaj të lartë para syve të të gjitha kombeve. Me siguri Ai nuk do të lejojë të humbasë shpërblimi i të preferuarve të Tij.
57 Kini mendjen që bëmat e mishërimeve të fantazive boshe të mos ju brengosin dhe veprimet e kryera nga shtypësit kokëfortë të mos ju hidhërojnë. Rrëmbeni kupën e qëndrueshmërisë me fuqinë e Emrit të Tij dhe pijeni me fund në saje të sovranitetit të Perëndisë, të Pushtetshmit, Fuqiplotit. Kështu Ylli i Ditës i mëshirës zemërdhembshur e i dashamirësisë Sime ka shkëlqyer mbi horizontin e kësaj Tabele, që ju të falënderoni Zotin tuaj, të Gjithëfuqishmin, Bujariplotin.
58 Lavdia që ka aguar e shndritshme nga qielli i të folurës Sime qoftë mbi ty dhe mbi të gjithë ata që janë drejtuar ndaj teje dhe u kanë vënë veshin fjalëve që ka shqiptuar goja jote lidhur me këtë Revelacion të lavdishëm, august.
59 PËR drejtësinë e Perëndisë! Libri Amë ka dalë në dritë dhe i bën thirrje njerëzimit t'i qaset Perëndisë, Zotit të botëve, ndërsa detet thërrasin: Është shfaqur Oqeani Më i Madh, nga valët e të cilit dëgjohet thirrja kumbuese: 'Me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Pashoqit, të Gjithëdijshmit'. Dhe drurët ngrejnë zërin e tyre dhe thërrasin: O njerëz të botës! Zëri i Pemës Hyjnore të Lotusit tingëllon qartë dhe ndihet fort këlthitja e mprehtë e Penës së Lavdisë: Vini vesh dhe mos jini ndër të shkujdesurit. Dielli thërret: O turmë teologësh! Qielli i feve është thyer dhe hëna është çarë, dhe popujt e tokës janë mbledhur së bashku në një ringjallje të re. Druajuni Perëndisë dhe mos shkoni pas nxitjeve të pasioneve tuaja, përkundrazi ndiqni Atë për të Cilin kanë dëshmuar Shkrimet e Perëndisë, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit.
60 Në këtë Revelacion është përsëritur episodi i Sinait dhe Ai Që bisedoi mbi Mal thërret me zë të lartë: Me të vërtetë, i Dëshiruari ka ardhur, i ulur në fronin e sigurisë, po ta kuptonit këtë. Ai i ka këshilluar të gjithë njerëzit t'i përmbahen asaj që sjell lartësimin e Kauzës së Perëndisë dhe që do ta çojë njerëzimin në Shtegun e Tij të Drejtë.
61 Sa i madh është numri i të shtypurve që i ka rrëmbyer Thirrja e Perëndisë! Sa e sa janë sundimtarët që janë dhënë pas akteve të dhunës, të cilat u kanë shkëputur banorëve të Parajsës së lartë rënkime dhe i kanë bërë bujtësit e kësaj banese të lavdishme të vajtojnë me hidhërim! Ç'mori të varfërish kanë pirë verën e zgjedhur të revelacionit hyjnor dhe sa e sa të pasur janë larguar, kanë hedhur poshtë të vërtetën dhe kanë shpallur mosbesimin e tyre te Perëndia, Zoti i kësaj Dite të bekuar e të mahnitshme!
62 Thuaj: Druajuni Perëndisë dhe tregohuni të paanshëm në gjykimin tuaj për këtë Kumt të Madh, para të cilit, sapo ai ndriçoi, çdo kumt i rëndësishëm u përkul gjer në tokë me adhurim. Thuaj: O turmë të marrësh! Në qoftë se e hidhni poshtë Atë, me çfarë prove mund të tregoni besnikërinë tuaj për Lajmëtarët e mëparshëm të Perëndisë ose të mbështetni besimin tuaj tek ajo që Ai ka dërguar nga Mbretëria e Tij e fuqishme dhe e lartësuar? Ç'përfitim ju sjellin zotërimet tuaja? Ç'mbrojtje ju japin thesaret tuaja? Asnjë, betohem për Shpirtin e Perëndisë që përshkon gjithçka që është në qiejt e mbi tokë. Flakni tej atë që keni grumbulluar me duart e fantazive boshe e të imagjinatave të kota dhe kapuni fort pas Librit të Perëndisë që është dërguar falë autoritetit të Tij të gjithëdetyrues e të paprekshëm.
63 Letra jote iu paraqit këtij të Munduari dhe për nderin tënd Ne kemi reveluar këtë Tabelë, nga e cila përhapet aroma e favorit të hirshëm të Zotit tënd, të Mëshirshmit, Bujarit. I lutemi Perëndisë të të bëjë ty një flamur të ngritur në qytetin e kujtimit të Tij dhe të lartësojë pozitën tënde në këtë Kauzë - Kauzë, nën hijen e së cilës të sinqertët e Perëndisë do të shohin të kërkojnë strehë popujt dhe fiset e tokës. Me të vërtetë, Zoti yt di e informon. I lutemi Atij gjithashtu të të ushqejë me gjënë më të mirë të asaj që ruhet në Librin e Tij. Me të vërtetë është Ai Që dëgjon dhe i përgjigjet thirrjes.
64 Këmbëngul për të ndihmuar Kauzën e Tij me fuqinë forcëdhënëse të ushtrive të urtisë e të të folurës. Kështu ka urdhëruar Perëndia, i Hirshmi, i Gjithëlëvduari. Lum besimtari që ka përqafuar të Vërtetën në këtë Ditë dhe njeriu me vendosmëri të patundur, të cilin nuk e kanë frikësuar dot ushtritë e tiranisë.
65 Lavdia që ka shndritur mbi horizontin e të folurit qoftë mbi ty dhe mbi ata besimtarë që kanë rrëmbyer kupën e verës së vulosur të Tij me fuqinë e Emrit të Tij, të Vetëqenëshmit, dhe e kanë pirë me fund për inat të atyre që kanë mohuar Atë tek i Cili në të kaluarën kishin shpallur besimin e tyre - të atyre që kanë refuzuar të vërtetën e këtij Kumti të Madh që Perëndia e ka dëshmuar në Librin e Tij të çmuar e të lashtë.
66 O MUHAMMAD Husayn! Përgatitu të marrësh vërshimin e dashamirësisë së Perëndisë, Zotit të botëve. Mëshirëploti ka denjuar të të dhurojë margaritarët e dijes nga Oqeani i hirit të Perëndisë, Fuqiplotit, Më të Lartit.
67 Ku është njeriu me mend që do të njohë e do të shquajë të vërtetën? Ku gjendet dëgjuesi që do t'i vërë veshin Zërit Tim të mahnitshëm që thërret nga mbretëria e lavdisë? Ku është shpirti që do ta kthejë fytyrën ndaj Pemës Hyjnore të Lotusit, në mënyrë që as fuqia mbytëse e mbretërve dhe as trazirat e nënshtetasve të tyre të mos e mposhtin dot, që do të ngrejë zërin midis gjithë krijimit me anë të fuqisë së urtisë e të të folurit dhe që do të dëshmojë për atë që ka dëshmuar Perëndia, se me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Pushtetshmit, të Pamposhturit, Fuqiplotit, të Dijshmit, të Urtit.
68 O Husayn! Emri yt është përmendur në Burgun Më të Madh para këtij të Munduari dhe Ne kemi reveluar për ty gjëra me të cilat nuk mund të krahasohet asnjë prej librave të botës. Për këtë dëshmon Mbreti i përjetësisë; megjithatë njerëzit në tërësi numërohen ndër të shkujdesurit. Nga vendagimi i dëshmisë Ne kemi lëshuar Thirrjen për të gjithë ata që banojnë në mbretërinë e krijimit. Ka midis njerëzve nga ata që janë rrëmbyer aq shumë prej aromës së fjalës së Zotit të vet saqë, në zellin e tyre për të arritur në oborrin e pranisë së Perëndisë, Zotit të fronit të fuqishëm, kanë harruar çdo gjë që u përket njerëzve. Ka dhe nga ata që janë thellësisht në mëdyshje e të lëkundur. Disa të tjerë kanë vënë fletë, duke shpejtuar t'i përgjigjen Thirrjes së Zotit të tyre, të Lashtit të Kohëve. Të tjerë akoma kanë kthyer shpinën, kanë hedhur poshtë të vërtetën dhe më në fund kanë mohuar Perëndinë, Fuqiplotin, të Gjithëlëvduarin. Ka, më në fund, edhe të tjerë që kanë dhënë gjykim kundër Tij me një egërsi të tillë saqë çdo shpirt i urtë e me mend është prekur deri në vajtim. Ne me dashamirësi i kemi ftuar pranë lumit që është jetë e vërtetë, por ata, me padrejtësi që duket sheshit, kanë urdhëruar të derdhet gjaku Im. Kështu Ylli i Ditës i urtisë ka shkëlqyer nga horizonti i fjalës së Zotit tënd, Mëshirëplotit. Po të arrish dritën e tij, është detyra jote të t'i thurësh lavde Zotit tënd dhe të thuash: Të falënderoj, O Perëndi i botëve.
69 I bekuar je ti dhe të bekuar janë ata që bota dhe kotësitë e saj nuk i kanë larguar dot nga ky horizont i shndritshëm.
70 Jepu përshëndetjet e Mia ta dashurve të Mi. I këshillojmë ata të tregojnë urti, siç urdhërohet në Librin Tim të mahnitshëm.
71 O SHËRBËTORJA Ime dhe gjethja Ime! Gëzohu me ngazëllim të madh që thirrja jote është ngjitur në Pemën e Shenjtë të Lotusit dhe ka marrë përgjigje nga Horizonti lavdiplotë. Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Munduarit, Syrgjynit.
72 Ua kemi reveluar Veten Tonë njerëzve, ia kemi hequr perden Kauzës, kemi udhëhequr gjithë njerëzimin drejt Shtegut të Drejtë të Perëndisë, kemi shpallur ligjet dhe u kemi urdhëruar të gjithëve atë që do t'u sjellë atyre përfitim si në këtë botë dhe në tjetrën; por ata kanë marrë vendim të derdhet gjaku Im, gjë për të cilën Vasha e Qiellit ka vajtuar me hidhërim, Sinai ka rënkuar dhe Shpirti Besnik ka qarë me pikëllim.
73 Në këto ditë njerëzit, duke ecur në gjurmët e çdo injoranti që ka shkuar në rrugë të shtrembër, i kanë mohuar vetes vërshimin e dashamirësisë hyjnore. Ata kanë flakur pas shpine Oqeanin e dijes hyjnore dhe i kanë mbërthyer sytë tek ata të marrë që pretendojnë se janë të thelluar në dituri, por pa pasur asnjë provë mbështetëse nga Perëndia, Zoti i njerëzimit.
74 Lum ti që ke braktisur imagjinatat boshe dhe je kapur fort pas telit të Perëndisë që askush s'e këput dot. Shih favorin dashamirës të Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij. Sa e sa mbretër e mbretëresha mbi tokë, megjithëse për një kohë të gjatëe e kanë dëshiruar me zjarr, e kanë ëndërruar dhe kanë pritur, nuk janë pranuar prej Atij Që është Dëshira e botës, kurse ti ia arrite. Dashtë Perëndia që ti të kryesh një vepër aroma e së cilës të vazhdojë aq gjatë sa dhe Emrat e Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Titulli 'O shërbëtorja Ime' ia kalon shumë çdo gjëje që mund të shihet në botë. Së shpejti sytë e njerëzimit do të ndriçohen e gëzohen duke njohur atë që Pena Jonë e Lavdisë ka reveluar.
75 Lum ti dhe lum nëna që të ka ushqyer. Çmoje vlerën e kësaj pozite dhe ngrihu për t'i shërbyer Kauzës së Tij, në mënyrë që fantazitë boshe dhe insinuatat e skeptikëve të mos të të largojnë dot nga ky qëllim i lartë. Ylli i Ditës i sigurisë po shndrit me shkëlqim, por njerëzit e botës janë kapur fort pas imagjinatave të kota. Oqeani i dijes hyjnore është shkumbëzuar, kuse bijtë e njerëzve janë kapur pas rrobës së të marrëve. Po të mos ishte për dashamirësinë e pashtershme të Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij, - asnjë ilaç nuk do t'i shëronte dot kurrë këto sëmundje të pashërueshme.
76 Çoju përshëndetjet e Mia shërbëtoreve të Perëndisë në ato anë dhe jepu lajmin e gëzuar se u është akorduar mëshira zemërdhembshur dhe dashamirësia e Tij. Me të vërtetë e lartë është pozita që Ne të kemi caktuar. Është detyra jote t'i thurësh lavde e të falënderosh Zotin tënd, Zemërgjerin, Bujariplotin. Madhëruar qoftë Perëndia, i Lartësuari, i Madhi.
77 DIKUR nga Ai Që është Zotëruesi i të gjitha qenieve dhe Zoti i fronit atje lart e i tokës këtu poshtë - lartësuar qoftë lavdia e fjalës së Tij - u dëgjua kjo Fjalë sublime: Devocioni dhe shkëputja janë si dy yjet më të mëdhenj të qiellit të mësimit. Lum ai që ka arritur këtë pozitë supreme, këtë banesë shenjtërie e sublimiteti që kalon çdo kufi.
78 KJO është një Tabelë e dërguar prej Mëshirëplotit nga Mbretëria e të folurit për të gjithë ata që banojnë mbi tokë. Lum njeriu që vë vesh e dëgjon dhe mjerë ai që endet në rrugë të shrembër e dyshon. Kjo është Dita e ndriçuar nga drita shkëlqimtare e Fytyrës së Perëndisë - Dita kur Gjuha e Madhështisë thërret me zë të lartë: Mbretëria është e Perëndisë, Zotit të Ditës së Ringjalljes.
79 Emri yt është përmendur në Praninë Tonë dhe Ne kemi denjuar të revelojmë për ty atë që gjuha e askujt në botë nuk mund të tregojë. Gëzohu me ngazëllim të madh që je kujtuar në Burgun Më të Madh dhe që Fytyra e të Lashtit të Kohëve është kthyer ndaj teje në këtë banesë të lartësuar.
80 Ne me të vërtetë kemi reveluar shenjat, kemi paraqitur dëshmitë e pakundërshtueshme dhe i kemi thirrur njerëzit në Shtegun e drejtë. Midis njerëzve ka nga ata që janë larguar dhe kanë hedhur poshtë të vërtetën, ka të tjerë që kanë dhënë gjykim kundër Nesh pa ndonjë provë ose dëshmi. Të parët që u larguan prej Nesh kanë qenë krerët shpirtërorë të botës në këtë epokë - ata që ditë e natë Na thërrasin dhe përmendin Emrin Tim, të ulur në fronet e tyre të larta. Por kur Unë iu shfaqa njerëzve, ata u ngritën kundër Meje në mënyrë të tillë saqë edhe gurët lëshuan rënkime e ankime të hidhura.
81 I madh është bekimi yt, sepse, kur Zoti yt erdhi, i veshur me pushtet e sovranitet të pamposhtur, ti dëgjove Zërin e Tij, e ktheve fytyrën ndaj Tij dhe i vure veshin thirrjes së Tij.
82 O SHËRBËTORJA Ime, o gjethja Ime! Falëndero të Shumëdashurin e botës që të është dhuruar kjo dashamirësi e pakufishme në një kohë që të diturve të botës dhe njerëzve më të shquar ajo u është mohuar. Të kemi quajtur 'gjethe'që, si gjethet, të mund të vihesh në lëvizje nga flladi i ëmbël i Vullnetit të Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - ashtu si gjethet e pemëve që i fryjnë erërat e forta. Falëndero Zotin tënd për këtë fjalë të shkëlqyer. Po ta kuptoje ëmbëlsinë e titullit 'O shërbëtorja Ime' ti do ta ndieje veten të shkëputur nga gjithë njerëzia, të përkushtuar ditë e natë në komunikim me Atë Që është Dëshira e vetme e botës.
83 Me fjalë të një bukurie të pashoqe Ne kemi përmendur në mënyrë të denjë të tilla gjethe e shërbëtore që kanë pirë nga ujërat e gjalla të dashamirësisë qiellore dhe i kemi mbajtur sytë e tyre të drejtuar nga Perëndia. Të lumtura e të bekuara janë me të vërtetë ato. Së shpejti Perëndia do të shpallë pozitën e tyre, lartësinë e së cilës nuk e shpreh dot si duhet asnjë fjalë dhe as e jep dot në mënyrë të përshtatshme kurrfarë përshkrimi.
84 Të këshillojmë të bësh atë që do të shërbëjë për të mbështetur interesat e Kauzës së Perëndisë midis burrave dhe grave. Ai e dëgjon thirrjen e miqve dhe i sheh veprimet e tyre. Me të vërtetë, Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi.
85 Mbi ty dhe mbi ata qoftë lavdia e Perëndisë, të Fuqishmit, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit.
86 O SHËRBËTORE e Perëndisë! Dëgjo Zërin e Zotit të Emrave, i Cili nga Burgu i Tij e ka drejtuar shikimin ndaj teje dhe të përmend ty.
87 Ai ka ndihmuar çdo shtegtar, ka pasur mirësinë t'i përgjigjet çdo lutësi dhe të presë çdo kërkues të së vërtetës. Në këtë Ditë Shtegu i Drejtë është shfaqur, Peshorja e drejtësisë hyjnore është vendosur dhe drita e diellit të bujarisë së Tij shkëlqen, por si re ka mbrritur errësira e njerëzve të tiranisë, duke krijuar një pengesë të rëndë midis Yllit të Ditës të hirit hyjnor dhe popullit të botës. Lum ai që ka çarë perdet penguese dhe është ndriçuar nga drita rrezatuese e Revelacionit hyjnor. Mendo sa e sa njerëz e numëronin veten midis të urtëve e të diturve, por në Ditën e Perëndisë atyre iu mohuan vërshimet e bujarisë qiellore.
88 O gjethja Ime, o shërbëtorja Ime! Çmoje vlerën e këtij bekimi e të kësaj mëshire zemërdhembshur që të kanë mbështjellë dhe të çojnë hap pas hapi drejt Agimit të lavdisë.
89 Jepu përshëndetjet e këtij të Munduari atyre shërbëtoreve që adhurojnë Perëndinë dhe gëzojua zemrat duke i siguruar për provaninë e Tij të përzemërt.
90 MBËRTHEJE shikimin mbi urtinë në të gjitha gjërat, sepse ajo është një ilaç i pagabueshëm. Sa e sa herë ajo e ka shndërruar mosbesimtarin në besimtar ose armikun në mik? Përdorimi i saj është tepër thelbësor, përderisa kjo temë është shtjelluar në Tabela të shumta të reveluara nga kupa qiellore e Vullnetit të Atij Që është Manifestimi i dritës së unitetit hyjnor. Lum ai që vepron në përputhje me të.
91 Përqendroje pareshtur vëmendjen tek ajo që do të bëjë të lartësohet Fjala e Perëndisë. Në këtë Revelacion Më të Madh veprat e mira dhe një karakter i lavdërueshëm konsiderohen si ushtri të Perëndisë, ashtu si dhe Fjala e Tij e bekuar dhe e shenjtë. Këto ushtri janë magnete për zemrat e njerëzve dhe mjete efektive për të hapur dyert. Nga të gjitha armët në botë, kjo është më e mprehta.
92 Lutju Perëndisë të ketë mirësinë të ndihmojë të gjithë njerëzit që t'i përmbahen asaj që Pena e Tij lavdiplotë ka gdhendur në Librat dhe Tabelat e shenjta.
93 KY i Munduar përmend atë që e ka kthyer fytyrën ndaj të Pashoqit, të Gjithëdijshmit, atë që dëshmon për unitetin e Tij ashtu siç ka dëshmuar Pena Lavdiplotë duke lëvizur me shpejtësi në arenën e të folurit. Lum shpirti që ka njohur Zotin e tij dhe mjerë ai që ka humbur keq rrugën e ka dyshuar.
94 Njeriu është si një pemë. Në qoftë e stolisur me fryte, ajo gjithmonë ka qenë e do të jetë e denjë për t'u lëvduar e përshëndetur. Përndryshe shërben vetëm për zjarr. Frytet e pemës njerëzore janë të shijshme, shumë të dëshirueshme e tepër të çmuara. Midis tyre janë karakteri i mirë, veprat e virtytshme dhe e folura e hijshme. Pranvera për pemët tokësore vjen një herë në vit, kuse ajo e pemëve njerëzore shfaqet në Ditët e Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij. Po të stoliseshin pemët e jetës së njerëzve në këtë Pranverë hyjnore me frytet e përmendura, shkëlqimi i dritës së Drejtësisë me siguri do të ndriçonte të gjithë banorët e tokës dhe gjithsecili do të jetonte i lumtur e i gëzuar nën strehën mbrojtëse të Atij Që është Qëllimi i mbarë njerëzimit. Uji për këto pemë është uji i gjallë i Fjalëve të shenjtëruara të shqiptuara nga i Dashuri i botës. Në një çast këto pemë mbillen dhe në tjetrin degët e tyre, falë vërshimit të reshjeve të mëshirës hyjnore, arrijnë qiejt. Kurse një pemë e tharë kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë e denjë për t'u përmendur.
95 Lum besimtari që, i veshur me rrobën e përpjekjes, është ngritur për t'i shërbyer kësaj Kauze. Ky shpirt ia ka arritur me të vërtetë Qëllimit të dëshiruar dhe ka kuptuar Objektivin për të cilin është krijuar. Por mijëra e mijëra herë mjerë rebelët që janë si gjethet e thata që kanë rënë në pluhur. Së shpejti erëra vdekjeprurëse do t'i çojnë ata në vendin që u është caktuar. Injorantë erdhën, injorantë qëndruan dhe injorantë u tërhoqën në banesat e tyre.
96 Bota vazhdon të thotë pareshtur këto fjalë: Kini mendjen, unë jam jetëshkurtër, e po kështu janë pamjet e jashtme dhe ngjyrat e mia. Ruhuni nga ndryshimet e ndodhitë brenda meje dhe zgjohuni nga gjumi. Megjithatë nuk ka sy të mprehtë që të shohë dhe as vesh të vëmendshëm që të dëgjojë.
97 Në këtë Ditë veshi i brendshëm thërret e thotë: Lum unë me të vërtetë, sot është dita ime, sepse Zëri i Perëndisë po ngrihet lart. Dhe thelbi i jetës thërret: I bekuar jam unë, kjo është dita ime, sepse Bukuria e Lashtë po shndrit me shkëlqim nga Horizonti më i lartë.
98 Është detyrë e njerëzve të Bahá-it t'i luten e t'i përgjërohen Zotit të Emrave që ndoshta popujve të botës të mos u mohohet vërshimi i dashamirësisë në ditët e Tij.
99 Në të kaluarën teologët i mundonte një pyetje, pyetje të cilën Ai Që është e Vërteta Sovrane i ka dëgjuar ta bënin vazhdimisht në ditët e hershme të jetës së Tij: 'Cila është Fjala që Qá'im-i do të shqiptojë dhe që do t'i bëjë krerët e fesë t'ia mbathin me të katra?' Thuaj, ajo fjalë sot ka dalë sheshit dhe ju ia keni mbathur qysh përpara se ta dëgjonit të shqiptohej, por ju nuk e shihni këtë. Dhe ajo Fjalë e fshehur, e mbuluar dhe e ruajtur është kjo: '"AI" tani është shfaqur me rrobën e "UNË". Ai Që ishte i fshehur nga sytë e vdekshëm thërret: Ja! Unë jam Më i Dukshmi'. Kjo është fjala që ka bërë të dridhen gjymtyrët e mosbesimtarëve. Madhëruar qoftë Perëndia! Të gjitha shkrimet qiellore të së kaluarës dëshmojnë për madhështinë e kësaj Dite, për madhështinë e këtij Manifestimi, për madhështinë e shenjave të Tij, për madhështinë e Fjalës së Tij, për madhështinë e qëndrueshmërisë së Tij, për madhështinë e pozitës së Tij mbizotëruese. Por megjithë këtë njerëzit kanë mbetur të shkujdesur dhe janë të veçuar si me perde. Me të vërtetë të gjithë Profetët janë djegur nga dëshira për t'ia arritur kësaj Dite. Davidi thotë: 'Kush do të më sjellë në Qytetin e Fortifikuar?'[90] Me qytet të Fortifikuar nënkuptohet 'Akká. Fortifikatat e saj janë shumë të qëndrueshme dhe ky i Munduar është i mbyllur brenda mureve të saj. Po kështu në Kuran është reveluar: 'Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe kujtoju atyre ditët e Perëndisë'.[91]
100 Lavdia me të cilën është e veshur kjo ditë përmendet hapur dhe shpjegohet qartë në shumë Libra e Shkrime qiellore. Por teologët e sotëm u kanë ngritur njerëzve pengesa drejt këtij stadi të lartë dhe u kanë fshehur atyre këtë Kulm të Lavdisë, këtë Qëllim Suprem.
101 I bekuar je ti që errësira e imagjinatave të kota nuk ka mundur të të pengojë dritën e sigurisë dhe sulmi i njerëzve të të largojë prej Zotit të njerëzimit. Çmoje vlerën e kësaj pozite të lartë dhe lutju Perëndisë - lartësuar qoftë lavdia e Tij - që me dashamirësi të të japë mundësinë ta ruash atë. Sundimi i Pasosur i ka takuar vetëm Perëndisë së Vërtetë Që është Vetëm Një dhe të dashurve të Tij, dhe do të vazhdojë t'u takojë atyre përgjithmonë.
102 Lavdia që ka ndritur nga horizonti i përjetësisë qoftë mbi ty dhe mbi ata që janë kapur fort pas Telit të Perëndisë që askush nuk mund ta këputë.
103 AI Që prin në fitore të sigurt ka ardhur. Për drejtësinë e Perëndisë! Ai është plotësisht në gjendje të revolucionarizojë botën me anë të fuqisë së një Fjale të vetme. Pasi i ka urdhëruar të gjithë njerëzit t'i përmbahen urtisë, Ai Vetë është kapur pas telit të durimit e të nënshtrimit.
104 Shukat prej balte të botës janë vënë në lëvizje për të vizituar Qytetin e zbukuruar, të ndriçuar, kërmëz të Perëndisë, dhe disa emisarë nga Persia po nxitin fshehurazi trazira, megjithëse në dukje bëjnë sikur janë njerëz të sjellshëm e të butë. Perëndi i hirshëm! Kur do të shndërrohet në sinqeritet kjo hipokrizi që ka marrë dhenë? Qortimet e Perëndisë, të të Vetmit të Vërtetë, kanë përfshirë gjithë botën, por gjer më sot nuk është dukur ndikimi i tyre. Veprimet e padenja të njerëzve i kanë penguar ata të vinë tek Ai. I lutemi Perëndisë - i lartësuar e i madhëruar është Ai - që nga retë e dashamirësisë hyjnore të reshë mbi të gjithë shërbëtorët e Vet shirat e rrëmbyeshme të bujarisë së Tij. Me të vërtetë Ai është i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat.
105 O 'Alí Haydar! O ti që je ngritur për t'i shërbyer Kauzës Sime dhe je angazhuar për t'i thurur lavde Perëndisë, Zotit të fronit të fuqishëm! Për ata që janë emblema të drejtësisë dhe mbështetës të paanësisë është padyshim e qartë dhe e dukshme që ky i Munduar, i përforcuar nga fuqia e pakufi e Mbretërisë, po përpiqet të fshijë nga gjiri i popujve e i fiseve të tokës çdo gjurmë rrëmuje, mosmarrëveshjeje, përçarjeje, divergjence e ndarjeje; dhe për asnjë arsye tjetër veçse për shkak të këtij qëllimi të madh e të rëndësishëm Ai është hedhur në mënyrë të përsëritur në burg dhe për ditë e net të tëra ka qëndruar i lidhur me zinxhirë e me pranga. Lum ata që e gjykojnë me drejtësi e paanësi këtë Kauzë të pamposhtur, këtë Kumt të lavdishëm.
106 KJO është një Tabelë e dërguar nga Zoti i mëshirës, që popujt e botës të mund të qasen pranë këtij Oqeani që ka shkumbëzuar me fuqinë e Emrit të Tij august. Ka midis njerëzve nga ata që janë larguar prej Tij dhe kanë mohuar dëshminë e Tij, ndërsa ka të tjerë që kanë pirë verën e sigurisë në lavdinë e Emrit të Tij që përshkon të gjitha gjërat e krijuara. Një humbje të madhe kanë pësuar me të vërtetë ata që i kanë vënë veshin krokatjes së korbit dhe kanë refuzuar të dëgjojnë cicërrimën e ëmbël të Zogut të Qiellit që këndon midis degëve të Pemës së përjetësisë: Me të vërtetë nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Kjo është Dita e ndriçuar nga shkëlqimet e dritës së Fytyrës Sonë - Dita rreth së cilës sillen në adhurim të gjitha ditët dhe netët. Lum njeriu me mend që ka kuptuar dhe i eturi që ka pirë nga kjo gurrë e shndritshme. Lum njeriu që njeh të vërtetën dhe përpiqet me gjithë shpirt t'i shërbejë Kauzës së Zotit të tij, të Pushtetshmit, Fuqiplotit.
107 O shërbëtor që e ke mbërthyer shikimin mbi fytyrën Time! Dëgjo Zërin e Zotit tënd, lavdiplotit, që thërret nga agimi i madhërisë e i madhështisë. Me të vërtetë Thirrja e Tij do të të qasë ty pranë mbretërisë së lavdisë dhe do të bëjë që ti t'i thurësh lavde Atij në atë mënyrë që çdo gjë e krijuar do të rrëmbehet dhe të madhërosh lavdinë e Tij saqë ajo të ndikojë gjithë krijimin. Me të vërtetë Zoti yt është Mbrojtësi, i Hirshmi, i Gjithinformuari.
108 Mblidhi miqtë e Perëndisë në ato anë dhe njoftoju atyre kujtimin Tim të pakrahasueshëm. Ne kemi reveluar për ta një Tabelë, nga e cila aroma e Mëshirëplotit është përhapur mbi mbretërinë e qenies, që ata të gëzohen me ngazëllim të madh dhe të qëndrojnë të patundur në këtë Kauzë të mahnitshme.
109 Ndërsa ishim në burg, kemi reveluar një Libër që e kemi titulluar 'Libri Më i Shenjtë'. Kemi shpallur në të ligje dhe e kemi stolisur me porositë e Zotit tënd, Që sundon mbi të gjithë ata që janë në qiejt e mbi tokë. Thuaj: Merreni atë, o njerëz, dhe përmbajuni asaj që është dërguar me të prej porosive të mahnitshme të Zotit tuaj, Falësit, Bujarit. Kjo me të vërtetë do t'ju sjellë mbrothësi në këtë botë e në tjetrën dhe do t'ju dëlirë nga çdo gjë që nuk ju ka hije. Ai është me të vërtetë Urdhëruesi, Shpjeguesi, Dhënësi, Bujari, i Hirshmi, i Gjithëlëvduari.
110 I madh është bekimi yt, sepse i ke qëndruar besnik Besëlidhjes së Perëndisë e Testamentit të Tij dhe je nderuar me këtë Tabelë përmes së cilës emri yt është gdhendur në Tabelën Time të Ruajtur. Përkushtoju shërbimit të Kauzës së Zotit tënd, ruaje në zemër kujtimin e Tij dhe thuri Atij lavde në mënyrë që çdo shpirt rebel e i shkujdesur të zgjohet prej gjumit.
111 Kështu kemi denjuar të të dhurojmë një shenjë favori të Pranisë Sonë; dhe unë me të vërtetë jam Falësi, Mëshirëploti.
112 DUAM të përmendim atë që e ka kthyer fytyrën ndaj Nesh dhe ta lejojmë të shuajë etjen përsëri me ujërat jetëdhënëse të provanisë Sonë dashamirëse, që të mund të qaset pranë Horizontit Tim, të stoliset me atributet e Mia, të fluturojë lart në atmosferën Time, të konfirmohet në atë që do të bëjë të shfaqet midis njerëzve të Mi shenjtëria e Kauzës Sime dhe të Më thurë lavde Mua në mënyrë të tillë që çdo shpirt ngurrues të shpejtojë, çdo krijesë e palëvizur të lëshohet fluturim, çdo trup i vdekshëm të digjet, çdo zemër e ngrirë të mbushet me jetë dhe çdo shpirt i brengosur të gufojë nga gëzimi. Kështu i takon atij që e ka kthyer fytyrën ndaj fytyrës Sime, ka hyrë nën hijen e dashamirasisë Sime dhe ka marrë vargjet e Mia që kanë përfshirë botën mbarë.
113 O 'Alí! Ai Që është Agimi i Revelacionit hyjnor të bën thirrje me anë të kësaj fjale të mahnitshme. Për drejtësinë e Perëndisë! Po të ishe këtu para fronit Tim dhe të dëgjoje Gjuhën e fuqisë e të madhështisë, ti do të bëje fli trupin tënd, shpirtin tënd, gjithë qenien tënde si shenjë dashurie për Perëndinë, Sovranin, Mbrojtësin, të Gjithëdijshmin, Urtiplotin, dhe aq shumë do të rrënqethesh i magjepsur prej Zërit të Tij saqë asnjë penë nuk do të mund të tregonte gjendjen tënde dhe çdo gojëtar elokuent do të ndodhej ngushtë në përpjekjen për ta përshkruar atë. Ndalu pak të përsiatësh për këtë Revelacion dhe sovranitetin e tij të pamposhtur; ndihmoje pra atë siç i takon Zotit tënd, të Hirshmit, Bujariplotit. Priju njerëzve drejt Agimit të lavdisë. Me të vërtetë Ai Vetë është ulur mbi Fronin e Tij të fuqishëm. Përmes Tij horizonti i këtij Burgu ka shkëlqyer dhe të gjithë ata që janë në qiejt e mbi tokë janë ndriçuar.
114 Ne kemi denjuar të përmendim emrin tënd në të kaluarën, si dhe në këtë Tabelë të hirshme, që të mund të thithësh përsëri aromën e ëmbël të Mëshirëplotit. Kjo është vetëm një shenjë e favorit Tim për ty. Falëndero Zotin tënd, Bujariplotin, Atë Që sheh gjithçka.
115 Mos u brengos që njerëzit nuk e kuptojnë dot të Vërtetën. Së shpejti do t'i shohësh ata të kthehen ndaj Perëndisë, Zotit të njerëzimit. Përmes fuqisë së Fjalës Më Sublime, Ne kemi përfshirë gjithë botën, dhe po afrohet koha kur Perëndia do të nënshtrojë zemrat e të gjithë atyre që banojnë mbi tokë. Ai është me të vërtetë Fuqiploti, i Gjithëpushtetshmi.
116 Nga kjo tokë kujtojmë gjithashtu vëllanë tënd, që ai të gëzohet për kujtesën Time për të dhe të jetë ndër ata që reflektojnë.
117 O mik! Nga Burgu i Tij Më i Madh i Shumëdashuri të thërret dhe të këshillon t'i përmbahesh asaj që Pena Ime e Lartë ka reveluar në Librin Tim Më të Shenjtë, në mënyrë që ti të mbahesh pas tij me atë vendosmëri e forcë që lindin prej Meje; me të vërtetë Unë jam Urdhëruesi, Urtiploti.
118 I madh është vërtet bekimi yt, sepse të është dhuruar dashamirësia e Tij e pashtershme dhe je ndihmuar të njohësh këtë Kauzë - Kauzë falë fuqisë së të cilës qiejt janë mbështjellë së bashku dhe çdo mal i lartë e mbizotërues është bërë pluhur.
119 Me dashamirësinë Tonë të paanë përmendim gjithashtu nënën tënde, që ka pasur privilegjin të njohë Perëndinë. I dërgojmë asaj përshëndetjet Tona nga kjo pozitë e lavdishme. Kujtojmë secilin prej jush, burra e gra, dhe nga ky Vend - Skenë e lavdisë së pakrahasueshme - ju konsiderojmë të gjithëve si një shpirt i vetëm dhe ju çojmë lajmin e gëzuar të bekimeve hyjnore që u kanë paraprirë të gjitha gjërave të krijuara, dhe të kujtesës Sime që i përfshin të gjithë, të rinj a pleq qofshin. Mbi ju qoftë lavdia e Perëndisë, o njerëz të Bahá-it. Gëzojuni me ngazëllim të madh për kujtesën Time, sepse me të vërtetë Ai është gjithmonë me ju.
120 VËRI veshin asaj që Shpirti të kumton nga vargjet e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit, në mënyrë që Thirrja e Tij të të ngjitë në Kulmin e lavdisë së pakufi dhe të të afrojë pranë Pozitës prej ku ti do të shohësh tërë qenien tënde të ndizet flakë nga dashuria për Perëndinë, aq sa as pushteti i sundimtarëve dhe as pëshpëritjet e vasalëve të tyre të mos e shuajnë dot, dhe ti do të ngrihesh midis popujve të botës për t'i thurur lavde Zotit tënd, Zotëruesit të Emrave. Ja çfarë të ka hije ty në këtë Ditë.
121 Do të të tregojmë gjërat që kanë ndodhur në të kaluarën, që të mund të shijosh ëmbëlsinë e kësaj fjale dhe të marrësh njoftim për ngjarje që kanë ndodhur në kohët e shkuara. Me të vërtetë Zoti yt është Këshilluesi, i Hirshmi, i Shumëdashuri.
122 Sill ndërmend ditët kur Ai Që bisedoi me Perëndinë ruante delet e Jethro-it, vjehrrit të Tij. Ai dëgjoi Zërin e Zotit të njerëzimit që vinte nga Driza e Përflakur, i cili u ngrit mbi Tokën e Shenjtë duke thirrur: 'O Moisi! Me të vërtetë Unë jam Perëndia, Zoti yt dhe Zoti i stërgjyshërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakovit'. Ai u magjeps aq shumë nga tingujt rrëmbyes të Zërit, saqë u shkëput nga bota dhe u nis për te Faraoni e njerëzit e tij, i veshur me pushtetin e Zotit tënd Që sundon mbi gjithçka që ka qenë e do të jetë. Popujt e botës po dëgjojnë tani atë që pat dëgjuar Moisiu, por nuk kuptojnë.
123 Thuaj, betohem për drejtësinë e Perëndisë! Së shpejti salltaneti i ministrave të shtetit dhe pushteti i sundimtarëve do të marrin fund, pallatet e pushtetarëve do të shkretohen dhe do të bëhen pluhur godinat madhështore të perandorëve, por do të qëndrojë ajo që Ne kemi urdhëruar për ju në Mbretërinë. O njerëz, është detyra juaj të përpiqeni me të gjitha forcat që emrat tuaj të mund të përmenden para Fronit dhe ju të tregoni atë që do ta bëjë të pavdekshëm kujtimin tuaj në përjetësinë e Perëndisë, Zotit të të gjithë qenies.
124 Kujtomë Mua tek të dashurit në ato anë, çoju atyre përshëndetjet e Mia dhe gëzoi zemrat e tyre me lajmin e asaj që është reveluar për ta nga kjo pozitë e lavdishme.
125 Thuaj, kini mendjen që fuqia prepotente e shtypësve të mos ju trembë. Po afrohet dita kur çdo emblemë e mburrësisë do të shkojë kot; atëherë do të shihni sovranitetin e pamposhtur të Zotit tuaj të sundojë mbi të gjitha gjërat e dukshme e të padukshme.
126 Kini mendjen që perdet të mos ju privojnë nga reshja e bujarisë së Tij në këtë ditë. Flakini tej gjërat që ju largojnë nga Perëndia dhe këmbëngulni në këtë Rrugë kaq të gjatë. Ne dëshirojmë për ju vetëm atë që ju sjell përfitim dhe që është gdhendur në Tabelën e Tij të Ruajtur. I kujtojmë shpesh të dashurit Tanë; por kemi parë se u mungon ajo që u ka hije në Oborrin e favorit të Zotit të tyre, të Hirshmit, Falësit, veç atyre që Perëndia dëshiron të bëjë përjashtim. Me të vërtetë, Ai është i pushtetshëm të bëjë atë që do. Ai është vërtet e Vërteta e Përjetshme, Njohësi i gjërave të padukshme.
127 O të dashurit e Mëshirëplotit, rrëmbeni kupën e jetës së pasosur që ofron dora e favoreve bujare të Zotit tuaj, Zotëruesit të gjithë krijimit, dhe pijeni me fund. Betohem për Perëndi, ajo do t'ju rrëmbejë aq shumë, saqë do të ngriheni për të madhëruar Emrin e Tij e për të shpallur thëniet e Tij midis popujve të tokës, dhe do të pushtoni qytetet e zemrave të njerëzve në emër të Zotit tuaj, Fuqiplotit, të Gjithëlëvduarit.
128 Gjithashtu u njoftojmë të gjithëve lajmin e gëzuar të asaj që kemi reveluar në Librin Tonë Më të Shenjtë - Libër nga horizonti i të cilit ylli i ditës i porosive të Mia ndriçon mbi çdo vëzhgues e të vëzhguar. Mbahuni fort pas tij dhe plotësoni atë që është reveluar aty. Kjo është me të vërtetë më e mirë për ju nga çdo gjë e krijuar në botë, vetëm ta dinit këtë. Kini mendjen që gjërat kalimtare të jetës njerëzore të mos ju pengojnë të ktheheni drejt Perëndisë, Atij të Vërtetit. Peshojeni në zemrat tuaja botën dhe konfliktet e ndodhitë e saj, në mënyrë që të kuptoni vlerën e saj dhe pozitën e atyre që në të i kanë mbështetur zemrat, duke u larguar prej asaj që është dërguar me Tabelën Tonë të Ruajtur.
129 Kështu i kemi reveluar ato vargje të shenjta dhe t'i kemi dërguar ty, që të mund të ngrihesh për të madhëruar Emrin e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Vetëqenëshmit. Lavdia e Perëndisë qoftë mbi ty dhe mbi ata që kanë pirë këtë Verë të zgjedhur e të vulosur.
130 KY i Munduar e ka lexuar me vëmendje letrën tënde në Burgun Më të Madh dhe ka marrë dijeni për pyetjet e tua lidhur me porositë e Perëndisë për çështjen e ringjalljes dhe atë të mjeteve të jetesës. Ke bërë mirë që i ke shtruar këto pyetje, sepse do të përfitosh jo vetëm ti, por edhe shërbëtorët e tjerë të Perëndisë, si nga jashtë dhe nga brenda. Me të vërtetë Zoti yt i di të gjitha gjërat dhe u përgjigjet menjëherë thirrjeve.
131 Qëllimi suprem për të cilin u krijua bota e gjithçka ndodhet në të është që njeriu të njohë Perëndinë. Në këtë Ditë kushdo që udhëhiqet nga aroma e rrobës së mëshirës së Tij për t'u pranuar në Banesën e lashtë, që është pozita e njohjes së Burimit të porosive hyjnore dhe Agimi i Revelacionit të Tij, ka fituar në përjetësi çdo të mirë. Kur ka arritur këtë pozitë të lartë, çdo shpirt ka një detyrim të dyfishtë. I pari është të jetë i qëndrueshëm në Kauzën me një vendosmëri të tillë që, edhe sikur popujt e botës të përpiqeshin ta pengonin të kthehej ndaj Burimit të Revelacionit, të ishin të pafuqishëm ta bënin këtë. Tjetri është t'u përmbahet porosive hyjnore që kanë rrjedhur nga burimi qiellor i Penës së Tij të pashtershme. Sepse njohja e Perëndisë nga njeriu mund të zhvillohet plotësisht e si duhet vetëm duke zbatuar të gjitha ato që Ai ka urdhëruar dhe që janë shkruar në Librin e Tij qiellor.
132 Ka një vit që nga qielli i bujarisë së Zotit të Emrave u dërgua Libri Më i Shenjtë. Dashtë Perëndia që me dashamirësi të të jepet mundësia të përmbushësh atë që është reveluar aty.
133 Përsa u përket mjeteve të jetesës, duhet që ti, duke e mbështetur tërë besimin te Perëndia, të angazhohesh në ndonjë punë. Ai me siguri do të të dërgojë nga qielli i favorit të Tij atë që është caktuar për ty. Ai është me të vërtetë Perëndia i fuqisë e i pushtetit.
134 Falëndero Perëndinë që letra jote arriti në praninë e këtij të Burgosuri dhe nga Froni i autoritetit hyjnor u revelua përgjigja që po të dërgohet. Ky është një bekim i pallogaritshëm që Perëndia të ka dhuruar. Edhe pse tani për tani kjo nuk është e dukshme, së shpejti do të jetë.
135 Madhëruar qoftë Emri Yt, O Zot Perëndia im! Unë jam ai që e ka kthyer fytyrën ndaj Teje dhe tek Ti e ka mbështetur tërë besimin. Të përgjërohem për Emrin Tënd, për të cilin oqeani i Fjalës Sate është shkumbëzuar dhe kanë fryrë flladet e dijes Sate, të lejosh që unë me dashamirësi të ndihmohem për t'i shërbyer Kauzës Sate dhe të frymëzohem për të Të kujtuar e për të Të thurur lavde Ty. Më dërgo, pra, nga qielli i bujarisë Sate atë që do të më shkëputë nga të gjithë veç Teje dhe do të më sjellë dobi në të gjitha botët e Tua.
136 Me të vërtetë, Ti je i Fuqishmi, i Paarritshmi, Supremi, i Dijshmi, i Urti.
SHËNIME
PASAZHE TË PËRKTHYERA NGA SHOGHI EFFENDI
Gjatë përgatitjes së këtij libri [anglisht], sa herë që ka qenë e mundur janë përdorur përkthime [nga origjinali në anglisht] të bëra nga Shoghi Effendi-u. Në mjaft raste janë futur përkthime të frazave të veçanta të bëra prej tij, por ato janë në numur shumë të madh për t'i renditur. Këtu poshtë janë renditur dy kategori përkthimesh që janë përdorur. E para është një përkthim i drejtpërdrejtë i Tabelës në fjalë, ose i pjesëve të saj. Kategoria e dytë është diçka më pak e drejtpërdrejtë: në një numër Shkrimesh të mëvonshme të Tij, Bahá'u'lláh-u e kishte zakon të citonte pasazhe nga Tabelat e Veta, por duke e bërë këtë Ai shpesh e ndryshonte pasazhin që citonte. Kështu, kur janë përdorur përkthimet e Shoghi Effendi-ut të këtyre pasazheve të cituara - si, për shembull, në Letrën për të Birin e Ujkut - ka qenë e nevojshme të bëhen rregullime për t'ia përshtatur pasazhit siç ka dalë në Tabelën nga e cila Bahá'u'lláh-u citon, sepse këtu janë përkthyer këto Tabela origjinale. Rregullime të tilla janë të vogla dhe nuk janë treguar në mënyrë të posaçme, por ato janë të dukshme për çdo njeri që bën krahasimin e pasazheve siç kanë dalë në këtë libër [anglisht] me vëllimet nga të cilat janë marrë përkthimet e Shoghi Effendi-ut.
Shkurtime
ADH Ardhja e Drejtësisë Hyjnore, bot. shqip
LBU Epistle to the Son of the Wolf [Letër për të Birin e Ujkut]
PKP God Passes By [Perëndia kalon pranë]
Q Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut, bot. shqip
FF Fjalët e Fshehura, bot. shqip
DPA The Promised Day Is Come [Dita e premtuar ka ardhur]
YP Star of the West [Ylli i Perëndimit] (një revistë e hershme, në të cilën janë botuar një numër përkthimesh të para të Shoghi Effendi-ut)
RBB The World Order of Bahá'u'lláh [Rendi botëror i Bahá'u'lláh-ut] (Një përmbledhje letrash të Shoghi Effendi-ut të shkruara midis viteve 1929 dhe 1936).
seksion para.
1 - E gjithë Tabela e Karmelit (Q 11)
2 7 'Me të vërtetë, Ne kemi ardhur...' deri te '...ka shkuar në rrugë të shtrembër'. (DPA f. 110)
2 8 'Hapini dyert e zemrave tuaja...' deri te '...gabim i rëndë'. (DPA f. 110)
2 14 'O turmë priftërinjsh...' deri te '...lavdinë e Tij të madhe!'. (DPA f. 105)
2 14 'Ai që u bën thirrje...' deri te '...që janë mbi tokë'. (DPA f. 105)
2 15 'Le t'ju zgjojë...' deri te '...me të sigurtit'. (DPA f. 105)
2 16 'O turmë peshkopësh...' deri te '...prej qëllimit të Tij'. (DPA f. 105)
2 17 'O turmë murgjish...' deri te '...Mëshirëploti'. (DPA f. 106)
2 19 'Betlehemi është shkundur...' deri te '...Ai Që njeh gjithçka'. (DPA f. 106-107)
2 22 'Nuk kam kaluar kurrë...' deri te '...të kryqëzohej mbi ty'. (DPA f. 42)
3 8 'të sillen ndaj...' deri te 'ndershmëri e sinqeritet'. (PKP f. 219)
3 25 'O njerëz të Perëndisë!...' deri te '...e jetës për botën'. (ADH f. 33)
4 13 'Një karakter i mirë...' deri te '...dhe rrezëllimit të saj'. (ADH f. 30)
4 15 'O bir i Shpirtit...' deri te '...para syve të tu'. (FF, Nga Arabishtja, Nr. 2)
4 19 'Do të përmendim tani...' deri te '...Zotit të krijimit'. (LBU f. 136-137)
4 25 'gazetave që dalin me shpejtësi' dhe 'pasqyra e botës'. (PKP f. 219)
4 25 'një dukuri e mahnitshme dhe e fuqishme'. (PKP f. 219)
5 15 'Dijet janë si flatrat...' deri te '...dëshmon Libri Amë'. (LBU f. 26)
5 15 'Me të vërtetë, dija është...' deri te '...ngazëllimi për të'. (LBU f. 27)
6 18 'Me të vërtetë Unë them...' deri te '...e kanë atë'. (LBU f. 27)
6 19 'Pena e Më të Lartit...' deri te '...të pajisur me mendjemprehtësi'. (LBU f. 28)
6 20 'O bir i njeriut! Në qoftë se...' deri te '...mjerë kokëfortët'. (LBU f. 29)
6 26 'Drita e njerëzve...' deri te '...unitetit në mes njerëzve'. (ADH f. 33)
6 29 'Është detyrë...' deri te '...Plotësuesi, i Gjithëdijshmi'. (RBB f. 23)
6 36 'Burgimi nuk Më...' deri te '...dhe Pena Ime të vajtojnë'. (LBU f. 23)
6 54 'Nga të gjitha homazhet...' deri te '...hakun Kauzës së Tij'. (RBB f. 100)
7 5 'O Afnán...' deri te '...njerëzve të kotë e pa vlerë'. (Q 43)
7 10 'Në këtë ditë...' deri te '...çdo gjurmë ngushtimi e kufizimi'. (Q 43)
7 16 'O njerëz të Drejtësisë!...' deri te '...shpirtërore e të gjithë njerëzve'. (Q 43)
7 33 'Le të priren zemrat...' deri te '...Më i Larti'. (Q 43)
8 37 'O ti që e ke kthyer fytyrën...' deri te '...të fuqishme e të mrekullueshme'. (LBU f. 131-135)
8 43 'O Jalíl! Paralajmëroi njerëzit...' deri te '...Zotit të krijimit'. (LBU f. 136-137)
8 56 'Ushtritë që mund...' deri te '...mbretëron mbi të gjitha gjërat'. (LBU f. 26)
8 61 'O njerëz të Perëndisë!...' deri te '...jetës për botën'. (ADH f. 33)
9 5 'Le të jetë syri juaj...' deri te '...zemra juaj e ndriçuar'. (ADH f. 31)
10 - E gjithë Fjalë Urtie. (FF f. 61-64)
11 3 'Njeriu është Hajmalia supreme...' deri te '...as kodra'. (Q 122)
11 6 'Shikoni çrregullimet...' deri te '...të shpërblimit e të ndëshkimit'. (Q 112)
11 7 'Në një fragment tjetër...' deri te '...e drejtësisë e të urtisë'. (Q 112)
11 7 'I bekuar është mbreti...' deri te '...shndërrohej krejtësisht'. (Q 112)
11 8 'Qenia e Madhe, duke dashur...' deri te 'kasaphana e tiranisë'. (Q 117)
11 10 'Po afrohet dita...' deri te '...atë që është shkruar'. (Q 117)
11 13 'Me të vërtetë njeri...' deri te '...njerëzimi qytetarët e tij'. (Q 117)
11 15 'Qenia e Madhe thotë...' deri te '...ilaçin e duhur'. (Q 110)
11 19 'Është detyrë...' deri te '...ndikim dëmprurës'. (Q 110)
11 26 'Dhëntë Perëndia, që popujt...' deri te '...fytyrën e shoqërisë?' (Q 110)
11 27 'Erërat e dëshpërimit...' deri te '...i ka hije pozitës së tyre'. (Q 110)
12 20 'Lidhur me pyetjen...' deri te '...i venë veshin Zërit Tonë'. (Q 79)
14 1 'Ai është Fuqiploti...' deri te '...shkruar në Tabelën e Ruajtur'. (LBU f. 79-82)
14 3 'O ti që ke shkuar në rrugë të shtrembër...' deri te '...i Revelacionit të Zotit tënd, Perëndisë së Mëshirës'. (LBU f. 82-86)
14 8 'Studio Kitáb-i-Íqán-in...' deri te '...horizontin e sigurisë'. (LBU f. 97-98)
14 10 'O ti që ke shkuar në rrugë të shtrembër...' deri te '...në rrënim të dukshëm'. (LBU f. 98-100)
14 14 'O Pena Ime Supreme!...' deri te '...Zoti i botëve'. (LBU f. 100-103)
15 9 'Është detyrë e Aghsán-ëve...' deri te '...i Gjithëfuqishmi'. (RBB f. 134)
16 1 'Lëvduar qoftë Ai...' deri te '...një tokë tjetër gëzohet'. (RBB f. 136)
16 2 'I bekuar, dy herë i bekuar...' deri te '...shkrimeve të Tij'. (RBB f. 136)
1 Shoghi Effendi, God Passes By [Perëndia kalon pranë] (Trusti Botues Bahá'í, Wilmette, Ill. 1944, f. 216.)
2 Disa herë quhet Tabela për të Krishterët.
3 Jezusit.
4 Jezusin.
5 Jezusit.
6 Kurani 81: 6 & 10
7 Shenjat dalluese të një mullai.
8 Mírzá Hádí Dawlat-Ábádí, një prej teologëve të Isfahanit, që u bë pasues i Báb-it, më pas nbështeti Mírzá Yahyá-në dhe u emërua përfaqësues i tij në Irane pastaj pasardhës i tij. Gjatë përndjekjeve kundër Bábí-ve mohoi besimin e tij.
9 Kurani 6:91.
10 Ustád 'Alí-Akbar, një prej besimtarëve të patundur në Yazd. Ai projektoi Mashriqu'l-Adhkár-in e Ishkabadit dhe projekti i tij u miratua nga 'Abdu'l-Bahá-i. Ustád 'Alí-Akbar-i dhuroi jetën e tij si martir në Yazd më 1903.
11 Arabishten.
12 Hájí Mírzá Haydar-'Alí, mësues dhe autor i shquar Bahá'í persian. Ai kaloi nëntë vjet në burg dhe si syrgjyn në Hartum, udhëtoi shumë në Iran dhe ndërroi jetë më 1920 në Tokën e Shenjtë. Pelegrinët nga Perëndimi e njihnin atë si Engjëlli i Malit Karmel.
13 Kurani 34:12.
14 Jezusit.
15 Hájí Mullá Hádí Sabzivárí, filozof e poet i njohur i Iranit, bashkëkohës i Bahá'u'lláh-ut. Vdiq në vitin 1873.
16 Mírzá Abu'l-Qásim Faráhání, Qá'im Maqám-i, poet e studiues i shquar gjatë regjimit të Fat’h 'Alí Sháh-ut. Ai ishte mik i Mírzá Buzurg-ut, babait të Bahá'u'lláh-ut. Qá'im Maqám-i u bë kryeministër i Persisë më 1821, por më 1835 u vra me urdhër të Muhammad Sháh-ut, nën shtytjen e Hájí Mírzá Áqásí-t.
17 Shih Kurani 4:129.
18 Kurani 59:9.
19 Muhammad Javád-i-Qazvíní, të cilit Bahá'u'lláh-u i dha titullin Ismu'lláhi'l-Júd (Emri i Perëndisë, Bujari). Ai ka transkriptuar, gjatë Misionit të Bahá'u'lláh-ut, shumë Tabela të Tij, por më pas e shkeli Besëlidhjen. (Shih Perëndia kalon pranë, f. 247 dhe 319.)
20 Një fshat afër Isfahanit.
21 Shih shënimin 8.
22 Mírzá Ashraf, i cili u martirizua në qytetin e Isfahanit (Shih Perëndia kalon pranë, f. 201).
23 Dy Duart e Kauzës së Perëndisë, Hájí Mullá 'Alí-Akbar Shahmírzádí dhe Hájí Abu'l-Hasan Ardakání, Amín-i-lláhí (i Besuari për Huqúqu'lláh-un), qenë arrestuar në fillim në Teheran, u burgosën në Qazvín në vitin 1891 dhe pastaj u transferuan në burgun e Teheranit.
24 Princi Mahmúd Mírzá, Jalálu'd'Dawlih, Guvernatori i Yazd-it, Persi.
25 Jamálu'd-Dín-i-Afgháni. (Shih Perëndia kalon pranë, f. 296, 317).
26 Dmth "B", shkronja e dytë e alfabetit.
27 Kreu hyrës i Kuranit, i cili nis me shkronjën 'B': Bismi'lláhi'r-Rahmáni'r-Rahím (Në emër të Perëndisë, Zemërdhembshurit, të Mëshirshmit). Ky kre i Kuranit është reveluar dy herë, një herë në Mekë dhe një herë në Medinë.
28 Jezusi.
29 Moisiu.
30 Kjo Tabelë i drejtohej Jalíl-i-Khu'í-t, njërit prej besimtarëve të hershëm në Azerbaixhan, Persi. Pasi Bahá'u'lláh-u ndërroi jetë, ai e shkeli Besëlidhjen.
31 Shih Kurani 14:33.
32 Shih Kurani 21:23.
33 Meka.
34 Kurani 3:97.
35 Muhametit.
36 Mírzá Yahyá.
37 Muhametit.
38 Kurani 83:6.
39 Moisiut.
40 Kurani 14:15.
41 Jezusit.
42 Adrianopojë.
43 Arabishtja.
44 Persishtja.
45 Muhameti.
46 Imamët.
47 Báb-i.
48 Kitáb-i-Aqdas.
49 Njëri prej besimtarëve të parë, që miqtë e njohin mirë për transkriptimet e tij të sigurta të Tabelave të Bahá'u'lláh-ut. (Shih Memorials of the Faithful [Përmendore të Besnikëve] f. 150-153).
50 Hua pa interes dhe që kthehet kur i bëhet mbarë huamarrësit.
51 Në një prej Tabelave Bahá'u'lláh-u thotë: 'Pema e Shenjtë (Sadrat) është, në një pikëpamje, Manifestimi i të Vetmit Perëndi të Vërtetë, lartësuar qoftë Ai. Pema e Bekuar në tokën e Za'farán-it i referohet tokës së lulëzuar, të bekuar, të shenjtë e kundërmuese ku ajo Pemë është mbjellur'.
52 Në mjaft prej pasazheve që vijojnë, të cilat kanë të bëjnë me filozofët grekë, Bahá'u'lláh-u citon besnikërisht nga veprat e të tillë historianëve myslimanë si Abu'l-Fat’h-i-Shahristání (1076-1153 A.D.) dhe 'Imádu'd-Dín Abu'l-Fidá (1273-1331 A.D.).
53 Në një prej Tabelave të Tij Bahá'u'lláh-u shkruante: 'Personi i parë që ia kushtoi veten filozofisë ishte Idrís-i. Kështu quhej ai. Disa e quajnë atë edhe Hermes. Në çdo gjuhë ai kishte një emër të posaçëm. Është ai që në çdo degë të filozofisë parashtroi ide të thella e bindëse. Pas tij, Balínús-i përftoi dijet e shkencat e tij nga Tabelat Hermetike dhe shumica e filozofëve që e pasuan bënë zbulimet e tyre filozofike e shkencore nga fjalët e deklarimët ë tij...'. Në Kuranin, surja 19, vargjet 56 e 57, është shkruar: 'Përkujto në Libër edhe Idrís-in; sepse ai ishte njeri i së vërtetës, Profet; Dhe ne e ngritëm atë në një vend të lartë'.
54 Shih shënimin 52.
55 Kurani 20:107.
56 Muhametin.
57 Meka.
58 Gjuha arabe.
59 Moisiun.
60 Muhammad Husayn, një prej besimtarëve të hershëm të Shirazit, i mbiquajtur 'Vafá' (Besnikëria) prej Bahá'u'lláh-ut.
61 Emri Më i Madh.
62 Mullá Husayn-i.
63 Artuesi i Viçit të Artë. Shih Kuranin, 20:87-98.
64 Siyyid Mihdíy-i-Dahají-ut, të cilit i drejtohej kjo Tabelë, i ishte dhënë nga Bahá'u'lláh-u titulli Ismu'lláhi'l-Mihdí, 'Emri i Perëndisë, Mihdí'. Më pas ai e shkeli Besëlidhjen. (Shih Perëndia kalon pranë, faqe 319.)
65 Nabíl-i-Akbar. Shih f. 111.
66 Meka.
67 Fatimeja, e bija e Muhametit.
68 Jezusi.
69 Kurani, 4:94.
70 Jezusi.
71 Pema e Shenjtë e Lotusit, Pema tej së cilës nuk ka kalim (shih Kurani 53:8-18). Një simbol i Manifestimit të Perëndisë. (Shih Perëndia kalon pranë, f. 94).
72 Kurani, 2:94.
73 Moisiu.
74 Jezusin.
75 Napoleonit III.
76 Kurani, 40:28.
77 Muhameti.
78 Fatimeja, e bija e Muhametit.
79 Adrianopojën.
80 Imám-Jum'ihi i Isfahanit.
81 Fatimeja.
82 Mbretin e Martirëve dhe të Dashurin e Martirëve.
83 Jezusin.
84 Ishmaeli.
85 Kurani, 104:1-2.
86 Beiruti. Kjo Tabelë është 'një letër e diktuar nga Bahá'u'lláh-u dhe që Mírzá Áqá Ján-i, sekretari i Tij, ia adresoi 'Abdu'l-Bahá-it kur ky i fundit vizitoi Beirutin'. (Rendi Botëror i Bahá'u'lláh-ut, f. 136).
87 Kurani, 7:143.
88 Shih shënimin 19.
89 Shih shënimin 12.
90 Psalmet 60:11; 108:11.
91 Kurani 14:5.